Shkruan:Pirro GUREMANI/Rikthimi te Konferenca e Pezës, tashmë është bërë një model i tradhtisë së skalitur të Enver Hoxhës që u bëri shqiptarëve me mbështetjen e Miladin Popoviçit dhe “viçëve” të tjerë serbistë. Nëse Edi Rama si kryebashkiak dhe më pas si kryesocialist dhe tashmë si Kryeministër e ringriti Pezën e tradhtisë enveriste, vazhdimësi që po i bën Erion Veliaj, është hapur një trashëgimi e një tradhtie që nisi me Enver Hoxhën dhe po vazhdon me kryebashkiakun e Ramës si një pjellë e tradhtisë që po rilind edhe në 2015-ën Arsyet se përse ky njeri që pretendon në moral dhe vlera njerëzore shkon dhe bën homazhe në Pezë, është e qartë: ai është kryekëput një enverist dhe një diktator që beson vetëm tek ideologjia staliniste për një rikthim në filozofinë e nomenklaturës së kuqe që e ka pagëzuar me emrin “Rilindje”.
Është e vërtetë se t’i rikthehesh historisë dhe të rishkruash atë, do të jetë një sfidë e atdhetarizmit. Nëse për rreth gjysmë shekulli një populli iu mohua e drejta ta njohë historinë reale të shqiptarëve, është fatale që për mbi 25 vjet me radhë kjo histori ka vazhduar të mbajë peng të vërtetat e domosdoshme të asaj që është historia e shkruar me penën e burrave të shtetit shqiptar dhe personaliteteve që në një formë a në një tjetër u etiketuan “armiq” apo “tradhtarë”. Kështu donte filozofia e diktaturës sllavokomuniste. Starti i kësaj tradhtie të historisë dhe ngjarjeve të kohës nisi pikërisht në atë ditë, kur u mbajt Konferenca e Pezës më 16 shtator 1942. Them kështu, sepse të vetmen gjë pozitive që pati kjo konferencë komplotiste, ishte parrulla e shkruar e saj “Bashkim pa dallim feje, krahine, ideje”, sepse jo vetëm që asnjë presje e kësaj parulle madhore nuk u zbatua, por ata që menduan si idealistë në vlerat e kësaj konference, u vranë një e nga një, u eliminuan në forma të ndryshme, u etiketuan “tradhtarë”, sepse prapaskenat e kësaj konference i dirigjonin serbët e deleguar dhe të atashuar në PKSH.
Nëse sot pranojmë që Partia Komuniste Shqiptare ishte shtojcë e Partisë Komuniste Jugosllave, për vetë ndodhitë dhe realitetet e ndodhura kohë pas kohe dhe që u ndriçuan tërësisht në këto vitet e demokracisë, duhet thënë se çdo lloj konference apo takim, mbledhje apo marrëveshjeje, mori ngjyrën e zezë të tradhtisë kombëtare me inskenime serbe tipike të UDB dhe që kishin si objektiv qëllimin e madh strategjik të Titos për bashkimin e Shqipërisë me Jugosllavinë, si republikë e shtatë.
Kështu u veprua edhe me Marrëveshjen e Mukjes, kështu u bë edhe në Konferencën e Beratit, kështu ndodhi me të gjithë ata që njiheshin si bij të devotshëm të kombit, edhe pse ishin komunistë, por që nuk e pranonin tutelën jugosllave të Miladin Popoviçit apo Dushan Mugoshës, Velimir Stojniçit apo emisarëve të herëpashershëm të Titos. Vrasjet e dyshimta të Qemal Stafës, të Vojo Kushit, Xhoxhi Martinit, Sadik Stavelecit, Perlat Rexhepit, Jordan Misjes, Branko Kadisë apo vrasjet e Vasil Shantos e Ali Demit, por edhe vrasja tipike e Mustafa Gjinishit dhe shumë e shumë personaliteteve të tjerë. 8 nëntori 1941 ishte fillimi i një skenari, kurse starti i tradhtisë së madhe nisi në Pezë, pikërisht nën mirëbesimin e pezakëve, Shyqyri Pezës dhe Myslymit, që u keqpërdorën për qëllimet e dyshimta të PKSH dhe PKJ.
Shqiptarët panë një shfaqje të radhës këto ditë në Pezë që riktheu drapër e çekanin, riktheu Enver Hoxhën, riktheu lavdinë e tradhtisë komuniste nën mbështetjen e kryebashkiakut të ri që si rilindas i Edi Ramës po bëhet një model i tradhtisë së idealeve të besimit të votës që në mënyrë të verbërt i dhanë këtyre pinjollëve.
Çfarë na solli realisht Konferenca e Pezës?
Është kjo pyetja që mund të bëjë çdo shqiptar. Realisht ajo solli një instalim të një filozofie tradhtare për interesat e një populli që aspiroi për “liri dhe demokraci” dhe jo për luftë klasash e diktaturë. Kujtimi që i bëhet një konference me ideale të tradhtuara, është njëlloj si të rikthehesh tek mendësia dhe filozofia e një kohe që mbolli zi dhe shkatërroi vlerat e një populli të tërë dhe që e provoi katërcipërisht koha se ku përfundoi ky vend dhe ky popull nën regjimin e stalinistëve enverisë që e nisën tradhtinë e tyre pikërisht në Pezë, në atë 16 shtator fatzi e të kobshëm për jetën e një vendi e një populli që e do lirinë dhe e dëshiron demokracinë. Për këtë themi që Konferenca e Pezës është starti i tradhtisë së madhe që e dëshirojnë aq shumë socialistët shqiptarë. Kjo të lë në mendje edhe arsyen se, përse çirren aq shumë dhe i mbajnë iso Edi Ramës socialistët tipikë dhe i rikthehen Pezës për të rregulluar shijet e sinkronizuar filozofinë e tyre me atë enveriste.
Disa fakte që duhen kujtuar
Kam dëgjuar dhe lexuar një intervistë të Xhemile Gjinishin, motrën e personalitetit Mustafa Gjinishi në Peqin, e cila ka thënë se, “vrasja e Mustafait nisi që në Konferencën e Pezës, të cilën ai e quajti tradhti, sepse veprimet që u bënë pas asaj konference ishin kundër interesave të shqiptarëve. Këtë Mustafai ia kish thënë edhe Myslym Pezës që e kishte mik për kokë dhe nuk ia merrte mendja kurrë që edhe babë Myslymin siç e thërrisnin aso kohe, do ta bëte për vete Enver Hoxha, se donte të mshifte pabesitë e veta. Unë e them gjithmonë se vëllanë tem e vrau Enver Hoxha dhe Myslym Peza, kur mori vesh se e kanë vra Mustafa Gjinishin, tha se “për Mustafën gjaku do të shkojë deri në gju të kalit”, por sa vajti në Tiranë edhe Myslymi heshti dhe u bë palë me komunistat vrasës. Ma kanë thanë se sapo Mustafa hyri në një mbledhje të përbashkët me jugosllavët, tha se “këtu ka mbet me fol vetëm serbisht”, se aq i fok ishte ai nga prania e jugosllavëve në vendin tonë dhe brenda PKSH. Kjo është e vërteta. S’ka kush t’ma ndrrojë mendjen mua për këtë gjë”. Atëherë çfarë i duhet sot një populli që aspiron për një të ardhme një konferencë që startoi tradhti kombëtare dhe që nuk i solli vendit asnjë prospertitet? Përse Edi Rama nuk heq dorë nga Konferenca e Pezës.
Normalja e Elbasanit dhe Konferenca e Pezës
Në këtë fillim viti të ri shkollor pas rreth 73-vjetësh do të ishte e udhës të kujtohej një personalitet kombëtar si Ernest Koliqi, ideatori dhe frymëzuesi, po aq sa edhe zbatuesi i një filozofie të madhe për hapjen dhe konsolidimin e shkollave shqipe në gjithë trojet shqiptare. Ka qenë shtatori i vitit 1941, kur me një vendim të asaj kohe të Ministrisë së Arsimit, kur ministër ishte Ernest Koliqi, mbi 400 arsimtarë normalistë dhe të shkollës amerikane të Fullcit, shkuan në Kosovë, trojet shqiptare në Maqedoni e Mal të Zi, si dhe në Çamëri. Një akt i tillë ka qenë dhe mbetet përjetësisht sublim se ai dha frytet e veta në hapjen e shkollave shqipe, në hapjen e dëshirës për të mësuar dhe rrënjosur shqipen në të gjithë trojet shqiptare. Frytet e atij akti janë sot Kosova e lirë, janë dëshira e mijëra e mijëra shqiptarëve të Maqedonisë, Malit të Zi dhe Çamërisë për shqiptarizmin e tyre, si një krenari kombëtare. Pyetja që lind është se përse nuk kujtohet një akt i tillë që ka ndodhur po në shtator, një vit para Konferencës së Pezës që bëri të kundërtën e asj që bënë 400 normalistët shqiptarë.
Vendimet historike merren nga burra historikë, kudo ku ato janë ekzekutuar në çdo vend të botës. Kjo vlen veçanërisht edhe për personalitetin e ish-ministrit të Arsimit, Ernest Koliqi në kohën kur ai u bë dishepull i shqiptarizmës.
Ishin vite lufte, vërtet, por gjithsesi ata që drejtonin jetën publike të këtij vendi ditën të shfrytëzojnë gjithçka në shërbim të kombit. Vendimi i marrë në atë shtator, si sot e 74 vjet më parë, është gdhendur në kujtesën e brezave si një akt sublim i një shqiptari të madh. Vërtet ishte luftë, por shkollë gjithsesi bëhej ashtu si dhe sot. Ndryshimi qëndron në atë se shkollat shqipe nuk ishin të konfirmuara në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Çamëri, pikërisht atje ku gëlonte shqiptarizmi, se institucionet shkollore shqiptare ishin të ndaluara nga pushtuesit shekullorë serbo-grekë. Rreth 400 normalistë morën me vete bekimin dhe uratën e një ministri që nënshkroi vendimin prej shqiptari që djemtë dhe vajzat e arsimuara në Normalen e Elbasanit, tashmë 199 vjeçare, më tej të hapnin shkolla ku të mësohej shqipja dhe të shkruhej gjuha e ëmbël naimjane. Vërtet ishte luftë, por ministri i Arsimit i asaj kohe i shpalli luftë asimilimit të shqipes në trojet tona shumë shekullore. 400 normalistët nga e gjithë Shqipëria, pjesa më e madhe nga Elbasani, u kthyen në shqiponja të gjuhës dhe të këndimit, duke hapur shkolla në Prizren dhe në Tetovë, në Podgoricë dhe në Prishtinë, në Gostivar dhe në Gjakovë, në Ulqin dhe në Filat, vetëm e vetëm të fitohej beteja e shqiptarizmit.
Ernest Koliqi ishte ministri i Arsimit i kohës që sfidoi kohën dhe bëri atë që të meritonte nderimin e brezave të të tërë nxënësve që dolën nga bankat e shkollave shqiptare, atje, ku i thonë bukës bukë dhe ujit ujë. Për 74 vjet, shqipja triumfoi si ajo manushaqja bukuroshe e Naimit, që çeli mes ferrash për të kundërmuar si Lahuta e Malësisë që mbushi vendin me burrni. Askush tjetër nuk kishte bërë një akt të tillë, akt, i cili radhitet krah Shpalljes së Pavarasisë, radhitet krah Mbretërisë Shqiptare, ashtu siç do të doja ta renditja krah lëvizjeve të mëdha që sjellin po aq ndryshime të mëdha në jetën e një vendi. Çdo normalist kishte me vete në çantën e tij një vendim ministror të një njeriu të madh, vendim, i cili u jepte krenari, dinjitet dhe i bënte mësuesit e trojeve shqiptare ambasadorë të shkollës shqipe. Nuk ishte e pakët, aq më tepër e lehtë që në mes të pushtuesve greko-serbë të hapje shkolla shqipe.
Ernest Koliqi u persekutua nga regjimi sllavo-komunist, por ai, si dhe 400 normalistët e tjerë, një pjesë e të cilëve formuan edhe familje në tokat shqiptare, e kishin hedhur farën e rilindasve dhe ajo kishte zënë rrënjë. Nuk mund të harrosh dhjetëra dhe dhjetëra arsimtarë që në ato vite lufte me një flamur kuq e zi në gji, mes peripecive të kohës shkuan atje, ku e kërkonte momenti historik, duke i qenë mirënjohës ministrit të tyre, Ernest Koliqi.
Dhe vitet shkuan e shkuan plot 74 dhe ai akt historik i këtij burri ka mbetur në qerthullin e tranzicioneve i panderuar për vlerat që mbart, aq më tepër që bëjmë fjalë për një vendim të shkruar shqip nga një shqiptar, për një vendim të nënshkruar nga një ministër shqiptar për një Shqipëri të vërtet që duhej dhe duhet të flasë shqip. Nuk di se ç’duhet bërë për t’i dhënë vendin e merituar figurës së ministrit të Arsimit, Ernest Koliqi, që do të ishte edhe një rehabilitim i persekutimit që ju bë atij nga falangat sllavo komuniste. Kur mendon se, persekutori tipik stalinist Enver Hoxha, njeriu që nuk mbaroi njëherë një shkollë të lartë, e mohoi veprën e Ernest Koliqit dhe e shpalli atë heretike, kjo të sjell në kujtesë kryqëzimin e Jezu Krishtit dhe mohimin e shenjtërisë së veprave të mëdha, aq më tepër që si e tillë ishte edhe shqiptarizmi.
Kur mendon dhe shikon se si pas 73-vjetësh kujtohet Konferenca e Pezës, konferencë, e cila vendimet i mori të mëdha, por realizimin e pati antishqiptar, këtu vihen ballë për ballë mes tyre Ernest Koliqi dhe Enver Hoxha, njëri ministër Arsimi i Shqipërisë së vërtetë, tjetri diktator i Shqipërisë së cunguar, njëri dishepull i shqiptarizmit, tjetri udhëheqës i anti shqiptarizmit.
Është mëkat dhe gjynah i madh të bësh krahasim mes Ernest Koliqit dhe Enver Hoxhës, se është një lloj sikur të vlerësosh Judën para Jezusit apo Profetit Muhamed. Janë dy epoka që vërtet ndryshuan, njëra solli bardhësinë e arsimimit të bijve të kombit kudo në trojet shqiptare, ndërsa tjetra solli robërimin e bijve të shqipes. Krahasimin e bëj vetëm si një kujtesë për këdo dhe kushdo qoftë ai sot, ministër Arsimi apo Kryeministër, politikan apo president se, rikthimi i kujtesës historike për Ernest Koliqin është rikthim në vlerat e vërteta. Ndërsa rikthimi i kujtesës diabolike për Enver Hoxhën është rikthim në diktaturë, duke nëpërkëmbur dëshirën e një populli vërtet për liri dhe demokraci dhe jo për drapër dhe çekan. Enver Hoxha e mohoi, e shpërfilli, e denigroi Ernest Koliqin, ndërsa vepra e ministrit të Arsimit Ernest Koliqi u lartësua vetiu se e tillë ishte ajo. Kurse një popull i tërë e errësoi, e denigroi e poshtëroi dhe e urren emrin Enver Hoxha, se i tillë ishte ai. Nuk mund të ketë më rikthim, por do të ketë vlerësim për aktet e mëdha që e përbëjnë kombin siç është gjuha, arsimi, të mbrujtura me shqiptarizëm.
Në këtë shtator 106 vjet më parë u mbajt edhe Kongresi i Elbasanit, që i dha shqiptarëve njohjen e gjuhës, hapjen e shkollës Normale dhe Universitetit të Parë Shqiptar. Pikërisht për këto, kurrë nuk flet dot Edi Rama, se ora i ka mbetur tek veprimet staliniste tipike diktatoriale dhe gjithçka i është thartuar në mendje nga droga e madhe që po i kapet dhe që po ia drogëzon qeverisjen që nisi si Rilindje dhe po përfundon si Ridiktaturë përmes drogmenëve të qeverisjes.