Nga Frank Shkreli/
“Duhet të bëjmë një punë më të mirë për të shpjeguar se Amerika do të thotë liri — liri e fjalës, liri e fesë, liri e iniciativës. Dhe se liria është diçka e veçantë dhe e rrallë.” Ronald Reagan…
Kështu ka thënë, ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Ronald Reagan. Ishte periudha e luftës së ftohtë dhe politika që kishin ndjekur deri atëherë presidentët amerikanë, përfshirë Riçard Nixon Xherald Ford dhe Xhimi Karter — quhej “détente”, sidomos në marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik. Ishte një politikë që kënaqte vetëm mbështetsit e saj që mendonin, gabimisht, se ajo sillte një “bashkjetesë paqësore” midis lindjes dhe perëndimit. Por kritikët e detantës, konsideronin se vazhdimi i kësaj politike nuk përmirsonte lirinë, as nuk njihte të drejtat e njeriut për popujt e vendeve të ish-perandorisë komuniste. Për më tepër, thonin ata, kjo politikë jo vetëm që nuk pengonte përhapjen e dominimit komunist sovjetik anë e mbanë botës, por detanta në në të vërtetë inkurajonte përhapjen e komunizmit. Njëri prej këtyre kritikëve të politikës së deri atëhershme amerikane karshi Bashkimit Sovjetik dhe komunizmit, ishte Presidenti Ronald Reagan i cili artikuloi për popullin amerikan se politika e detantes me komunizmin botëror kishte dështuar dhe si e tillë duhej ndryshuar, pasi ajo nuk kishte sjellur as paqë as bashkjetesë midis lindjes dhe perendimit, siç pretendonin mbështetsit e saj. Për më tepër, Ronald Reagan besonte se politika e “detentes” nuk do të sillte as një përfundim të kënaqshëm të luftës së ftohtë dhe as nuk ndalonte ish-Bashkimin Sovjetik që të zgjëronte dhe të përhapte influencën e tij komuniste anë e mbanë botës. Sipas presidentit Reagan, sovjetikët e konsideronin politikën dhe diplomacinë amerikane të “detentës”, si të brishtë dhe si një dobësi e diplomacisë amerikane në botë nga e cila mund të përfitonte vetëm komunizmi ndërkombëtar, në kurriz të politikës së mbrendshme dhe ndërkombëtare së Shteteve të Bashkuara. Ishte kjo një politikë që vzahdonte të mohonte lirinë dhe të drejtat e njeriut të popujve, sidomos në vendet e sferës komuniste në Europë por edhe anë e mbanë botës, mendonte ish-Presidenti Reagan. Ronald Reagan ishte bindur se po të gëzonin lirinë e vërtetë, popujt nën zgjedhën komuniste do të zgjidhnin demokracinë si alternativë dhe jo të jetonin nën regjimet diktatoriale komuniste.
Mbrenda vendit, Amerika e fundit të 1970-ave gjëndej gjithashtu në një situatë përkeqsimi eknomik, të rritjes së inflacionit dhe të papunësisë, çmimeve të larta të naftës, e tjera. Shtoja kësaj situate edhe turpërimin me të cilin përballej Amerika në atë kohë, si përfundim i mbajtjes peng të diplomatëve amerikanë nga regjimi islamik në Iran. Si president, Reagan i kishte deklaruar luftë gjithashtu edhe terrorizmit ndërkombëtar. Pas provave se regjimi i Kadafit në Libi kishte pasur gisht në një sulm kundër ushtarëve amerikanë në një klub të Berlinit perëndimir – ai urdhëroi sulm ajror kundër Libisë, gjë që ia mbylli gojën Kadafit për disa dekada.
Në këtë atmosferë të tensionuar politiko-ekonomike, mbrenda dhe jashtë vendit, u zgjodh dhe veproi presidenti Ronald Reagan. Falë artikulimit të besimit të tij në lirinë e shënjtë dhe në sigurimin e të drejtave të njeriut për çdo person anë e mbanë botës, në vitin 1980, populli amerikan e zgjodhi president të Shteteve të Bashkuara si një alternativë për t’iu kundërvenë kësaj situate të mbrendshme dhe botërore. E gjithë politika dhe programi i tij është cilësuar nga historianët si “Revolucioni i Ronald Reagan”, që përfshinë rivendosjen e begatisë dhe të zhvillimit ekonomik mbrenda vendit dhe sigurimin e paqës në botë, duke përmirsuar kapacitetet e forcave ushtarake të Shteteve të Bashkuara.
Mbrenda vendit dhe sidomos në Europë, me përjashtim të ish-kryeministres britanike Margareth Thatcher, ishin të shumtë skeptikët dhe kundërshtarët e programit të Ronald Reagan. Më duhet t’i kujtoj lexuesit se si rrjedhim i zbatimit fillimisht të politikave të mbrendshme dhe të jashtme të Presidentit Reagan, në atë kohë u zhvilluan protesta të mëdha këtu në Shtetet e Bashkuara ndërkohë që Europa perëndimore ishte çuar në këmbë, ndërsa miliona protestues anë e mbanë kontinentit bënin demostrata dhe protesta të shpeshta madje edhe me dhunë, kundër “kaubojcit” amerikan i cili me politikat e tija arrogante kundër komunizmit, do të shkaktonte luftën e tretë botërore. Politika e mbrendshme dhe e jashtme e dy mandateve të ish-presidentit Reagan është vlerësuar nga historianët dhe vet presidenti Reagan konsiderohet tani si njëri prej presidentëve më të suksesshëm në historinë e Shteteve të Bashkuara.
Deshta që këtë histori ta lidhi disi – ndoshta jo me aq sukses — me gjëndjen aktuale politike këtu në Shtetet e Bashkuara dhe në botë, si rrjedhim i zgjedhjes së republikanit Donald Trump për president, pasi ka disa ngjashmëri, ndoshta jo midis këtyre dy personaliteteve, por ka krahasime të situatës së atëhershme me të sotëmen, qoftë në marrëdhëniet e mbrendshme qoftë në punët e jashtme me të cilat përballet sot Amerika. Me këtë nuk dua të them se Donald Trump është Ronald Reagan. Këtë nuk e besoj. Unë kam patur fatin, si shumë bashk-moshatarë të brezit tim që të ishim dëshmitarë, nga afër dhe nga larg, të suksesit të veprimtarisë politike të Ronald Reagan si presdient i Amerikës, si në arenën ndërkombëtare ashtu edhe në punët e mbrendshme të vendit. E them me bindje të plotë se nuk besoj se Donald Trump është Ronald Reagan. Respekti im për Ronald Reagan është tepër i lartë dhe nuk lejon krahasim. Por ajo që dua të them është se të gjithë ne, para se të bëjmë deklarata paragjykuese dhe të pa baza, megjith kundërshtimet ndaj Donald Trump, duhet të ndalemi dhe të marrim frymë qetësisht, ashtuqë të pakën të tregojmë respekt të drejtën dhe lirinë e votës të popullit amerikan, të shprehur në zgjedhjen e Donald Trump. Donald Trump mund të bëhet president i mirë, i keq ose disi mesatar. Këtë gjykim nuk mund ta bëjmë tani, këtë vetëm koha do ta tregojë. E vërteta është se nuk e di askush tani se çfarë presdienti do të jetë Trump, sepse ai ka edhe dy muaj që të fillojë nga detyra. Duhet marrë parasyshë se historikisht, premtimet dhe deklaratat e fushatave politike, ndryshohen, disa zbatohen e shumë të tjera injorohen, varsisht edhe nga gjëndja dhe zhvillimet e pa-parashikueshme në të ardhmen në Amerikë dhe në botë.
Ronald Reagan kishte të drejtë kur thonte se një pjesë e madhe e botës nuk e kuptojnë ende se Amerika do të thotë liri, se liria është diçka e veçantë dhe çmueshme për amerikanët. Prandaj, kritikët e Donald Trump, sidomos ata jashtë vendit, para se të hedhin gjykimet dhe paragjykimet e tyre ideologjike kundër vendimit të votës së amerikanëve, bëjnë mirë që pikëspari të vlerësojnë lirinë dhe të drejtën e votuesve amerikanë për të zgjedhur presidentin e vet, i cili sipas vlersimit të tyre, i kupton sfidat dhe problemet me të cilat përballet vendi dhe bota dhe cilit kandidat dhe cilës parti ia japin votën e lirë dhe ia besojnë qeverinë për katër vitet e ardhëshme. Donald Trump ishte vetëm njëri prej fituese, pa dyshim më fituesi kryesor në këto zgjedhje. Nuk duhet harruar se përveç zgjedhjes së Ronald Trump për president, populli amerikan votoi gjithashtu republikanët me shumicë në të dy Dhomat e Kongresit, në Senat dhe në Dhomën e Përfaqsuesve. Dhe jo vetëm kaq. Shumica e shteteve amerikane, bazuar në votën e lirë të amerikanëve në zgjedhjet e fundit, Partia Republikane ka siguruar fitoren e shumicës së governatorëve si dhe asambleve të shteteve anë e mbanë vendit. Nga ky kënd vështrim, Presidenti i zgjedhur Trump dhe Partia Republikane, kanë një mandat jo vetëm në nivel federal por edhe shtetëror dhe vendas. Shpresojmë se republikanët do të dinë ta përdorin pushtetin që u kanë dorëzuar amerikanët me votën e tyre të lirë. Zgjedhjet, natyrisht kanë pasoja dhe duan ose nuk duan kritikët e Donald Trump, sidomos kritikët e jashtëm, se populli amerikan, shumica e të cilëve mendojnë se vendi është tani në rrugë të gabuar – me zgjedhjen e Donald Trump dhe të republikanëve në përgjithsi – kanë votuar për t’i dhënë këtij vendi një drejtim tjetër në të gjitha fushat, përfshirë sigurinë dhe marrëdhëniet ndëkombëtare.
Kjo natyrisht mbetet për tu parë, por në këtë ndërkohë duhet të kemi durim dhe të presim. Kritikët e Donald Trump, përfshirë edhe disa udhëheqës të lartë qeveritarë, sidomos në Europë, të mos humbasin besimin tek populli amerikan dhe të kenë besim tek Amerika si vendi i lirisë dhe të kuptojnë, siç është shprehur ish-presdienti Reagan – se liria, sidomos vota e lirë, është diçka e veçantë për amerikanët. Të jeni të sigurt se me zgjedhjen e Donald Trump, amerikanët nuk kanë humbur as arsyen as gjykimin. Fatkeqsisht, kritikët e rezultatit të zgjedhjeve të fundit në Shtetet, jo vetëm që nuk njohin mirë Amerikën, por as nuk vlerësojnë të drejtën e votës së lirë të amerikanëve, ndërkohë që e tregojnë veten edhe injorantë ndaj mënyrës se si, historikisht, funksionon sistemi politik në Amerikë. Tri degët e qeverisë amerikane janë krijuar nga baballarët e këtij kombi me qëllim që as njëra prej këtyre degëve, përfshirë degën ekzektuive të presidentit, të mos mbizotërojnë njëra mbi tjetrën, por të kontrollojnë dhe të balancojnë njëra tjetrën. Ata që besojnë në këtë parim, nuk kanë nevojë të shqetësohen se për cilin kandidat ose për cilën parti hidhet vota e lirë e amerikanëve. Unë nuk pretendoj të them se presidenti i zgjedhur Donald Trump dhe shumica republikane në Kongres do të jenë aq të suksesshëm sa ishte ish-Presidenti Reagan. Kjo mbetet për tu pa në muajt dhe vitet e ardhëshme, por besimi im në sistemin amerikan dhe në lirinë e Amerikës në përgjithësi dhe tek vota e lirë e amerikanëve në veçanti, më bëjnë të flejë rehat natën.
.