• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“KAMPIONËT E REFORMËS NË DREJTËSI” TË SHQIPËRISË

April 9, 2021 by dgreca

Nga Frank SHKRELI/

Shqiptarë, flini rehat! Jeni në duar të sigurta, të pakën sa i përket reformës në drejtësi, dua të them, se probleme të tjera që ua lenë natën pa gjumë ka mjaft.  6 javë më parë u njoftuam se Shqipëria kishte një “kampion të drejtësisë”, madje të dalluar në nivel ndërkombëtar, ndërsa këtë javë morëm haberin e ri se në këtë ndërkohë qenkan shtuar “kampionët” e reformës dhe mbrojtësit e  zellshëm të drejtësisë në Shqipëri. Frank Shkreli: Një prokuror i ish-regjimit komunist dekorohet nga Departamenti Amerikan i Shtetit | Gazeta Telegraf – Thuhet se Shqipëria tani ka të pakën dy dyzina “kampionë” të drejtësisë.  Çfarë suksesi i madh! A thua se pas 30-vjet post-komunizëm, më në fund shohim, në anën tjetër të tunelit të errët të drejtësisë shqiptare, dritën e reformës përfundimtare të drejtësisë në Shqipëri? Ku ishin këta “kampionë” të drejtësisë më heret? Si nuk i janë bashkuar kampionatit 30-vjeçar për reformën në drejtësi këta burra e burrëresha gjatë gjithë këtyre viteve.  Por pyetja më e madhe është se cilat janë meritat e këtyre “kampionëve” për reformën në drejtësi.

Por sidoqoftë, nëse vazhdon kështu të rritet numri i “kampionëve të drejtësisë” nga java në javë në Shqipëri, kujdes Danimarkë se po vjen Shqipëria dhe ta ze vendin e parë për drejtësi shoqërore në botë. Për më tepër, Shqipëria ka prokurorë e gjykatës me përvojën më të madhe se çdo vend tjetër ish-komunist n[ Evrropën Lindore due Qendrore, me edukatë dhe përvojë në “drejtësinë e popullit”, të “diktaturës kushtetuese” të komunizmit enverist.   

Ambasada e Shteteve të Bashkuara anë Tiranë në një njoftim në fejsbuk njofton se, “Gjatë “vizitës së tij virtuale” në Shqipëri , Zv. Ndihmës Sekretari i Shtetit Matthew Palmer u takua me Kampionë të Reformës në Drejtësi nga institucionet shtetërore, institucionet e pavarura të drejtësisë, media, shoqëria civile dhe fusha akademike. Gjatë diskutimit të tyre, Zv. Ndihmës Sekretari Palmer ritheksoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për zbatimin e reformës në drejtësi dhe përkushtimin e tyre për demokratizimin, forcimin e sundimit të ligjit dhe luftën ndaj korrupsionit në Shqipëri. Ai njohu punën e të gjithë pjesëmarrësve në përparimin e reformës në drejtësi dhe sundimin e ligjit, duke u thënë se përkushtimi i tyre është thelbësor për të çuar më tej përparimin e Shqipërisë për anëtarësimin në BE dhe po i mundëson vendit të bëhet një demokraci më e fortë. Reforma në drejtësi nuk është e lehtë, e shpejtë apo e përsosur, por ajo ka filluar të tregojë rezultate tashmë – dhe ne do të vazhdojmë t’ju mbështesim ndërsa ju ecni përpara për të zbatuar reformat, si me përkrahjen tonë, ashtu edhe me programet tona të ndihmës… Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë krah jush ndërsa ju ndryshoni kulturën e ngulitur të korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë në Shqipëri”, u ka thënë Zv. Ndihmës Sekretari Palmer, atyre që u cilësuan si kampionë të reformës në drejtësi në Shqipëri, gjata[ vizitës së tij virtuale në atë vend.
 

Unë nuk dëshiroj të denigroj seriozitetin me të cilin ambasada amerikane e ka marrë reformën në drejtësi dhe nuk dua të nënçmoj as punën që mund të ketë bërë ndonjëri prej këtyre “kampionëve” pjesëmarrës në atë takimin virtual me Z. Palmer, por kurioziteti, për të mësuar diçka më shumë për kontributin e tyre, nuk të le rehat për të mësuar diçka amë shumë për këta kontribues të refomrës në drejtësi.    Në njoftimin e Ambasadës thuhet se, “Ai (Z. Palamer) njohu punën e të gjithë pjesëmarrësve në përparimin e reformës në drejtësi dhe sundimin e ligjit, duke u thënë se përkushtimi i tyre është thelbësor për të çuar më tej përparimin e Shqipërisë për anëtarësimin në BE dhe po i mundëson vendit të bëhet një demokraci më e fortë”.  Unë, si një taksa pagues amerikanë do të doja të dija se cili është kontributi i këtyre pjesëmarrësve në drejtësi – si individë dhe si grup — ashtuqë që të festojmë me ta së bashku arritjet e tyre due të shoqërisë shqiqtare në fushën e reformës në drejtësi dhe t’i nxisim ata, siç tha edhe zyrtari i lartë amerikan Z. Palmer, këta “Kampionë të Reformës në Drejtësi”, në përpjekjet e tyre, në mënyrë që populli shqiptar të ketë drejtësi të vërtetë”.  Por, fatkeqsisht, ka shumë njerëz në Shqipëri – në politikanë, prokurorë dhe gjykatës — që gjatë këtyre tre dekadave kanë penguar zhvillimin e reformës në drejtësi në Shqipëri, disa prej të cilëve edhe mund të konsiderohen sot si “kampionë” të drejtësisë.  Këtë nuk e them unë, por janë, pikërisht, ndërkombëtarët e të gjitha niveleve, që vit pas viti kanë shënuar shkeljet flagrante të drejtave të njeriut dhe të sistemit të drejtësisë në Shqipëri, të zhytur në korrupsion. S’do mend se Shqipëria ka nevojë për ndryshime radikale në sistemin juridic, por nuk besoj se një paradë e tillë në televizion me njerëz që nuk kanë të bejnë me drejtësinë dhe me disa përfaqsues të drejtësisë ish-komuniste, i shërben kauzës së reformës në drejtësi në atë vend.   Pa dashur të përmend të pakën tre raporte ndërkombëtare të kohëve të fundit mbi problemet serioze të drejtësisë shqiptare deri më sot, përfshirë Raportin Vjetor të Departamentit Amerikan të Shtetit mbi të Drejtat e Njeriut, ku përmendet pa-pandërshkueshmëria si një problem serioz– për mua është e pakuptimt një shfaqje e tillë në këtë mënyrë dhe në këtë kohë – 2-3 javë para zgjedhjeve të përgjithëshme.  

Të gjithë ia duam të mirën Shqipërisë dhe shqiptarëve kudo që janë. Në të vërtetë, duam që Shqipëria të bëhet si Danimarka ose si Zvicra.  Por duam që drejtësia të mbretërojë dhe të zbatohet për të gjithë njësoj, veçanërisht, një shoqëri si Shqipëria që ç’prej themelimit të saj nuk ka parë kurrë drejtësi, e sidomos për pothuaj gjysëm shekulli komunizëm.  Të gjithë jemi të vetdijshëm se drejtësia, liria dhe barazia janë faktorë të rëndësishëm që një shoqëri të përparojë dhe të shkojë përpara.  Pyetja është se si të arrihet deri tek ky qëllim. Unë nuk besoj se duke venë në detyra me përgjegjësi për reformën në drejtësi, përfaques të “gardës së vjetër” të diktaturës, është mënyra për të siguruar reformën në drejtësi dhe për të sjellur paqën dhe pajtimin në Shqipëri. Një lëvizje për një sistem juridik më efektiv duhet që të bashkojë të gjitha palët e spektrit politik me qëllim që të lehtësohet krijimi i një atmosfere të re pajtimi kombëtar, kushtuar forcimit të dialogut se si mund të çohet përpara drejtësia, siguria dhe barazia për të gjithë shqiptarët, pa dallim. Barazi dhe drejtësi do të thotë trajtim i barabart nga shteti dhe shoqëria, mundësi për përparim për të gjithë pa dallim dhe mbrojtje nga drejtësia, sidomos për ata që në të kaluarën kanë qenë viktima të sistemit. Barazi e drejtësi do të thotë zhdukja e pengesave që kanë bërë të pamundur deri më tani pjesëmarrjen e plotë të disa grupeve – siç janë ish-të përndjekurit dhe pasardhësit e tyre – në sistemin juridik dhe në reformën e drejtësisë. Diversiteti ose gjithëpërfshirja krijon, detyrimisht,   një mjedis në të cilin individët dhe grupet e ndryshme të lëna pas dore dhe të shtypura, historikisht, ndjehen të mbështetura, të respektuara dhe të vlerësuara nga sistemi në fuqi, për pjesëmarrjen e tyre në vendimet për zgjidhjen e problemeve me të cilat përballen sot shqiptarët. 

Për derisa politika dhe drejtësia shqiptare nuk merren seriozisht me trashëgiminë dhe me të kaluarën e krimeve të regjimit komunist të Enver Hoxhës, prej gjysëm shekulli – ashtu siç kanë bërë shumica e ish-vendeve komunkiste të Evropës – në Shqipëri nuk do të ketë drejtësi.  Kjo nuk është vetëm një çeshtje drejtësie, por është edhe një çeshtje morale, që kërkon përgjegjësi dhe zgjidhje nga ana e organeve të shtetit dhe të drejtësisë.  Në Amerikë përdoret fraza: “Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar”.  Për viktimat e regjimit komunist të Enver Hoxhës drejtësia është vonuar për një kohë të gjatë tashti. “kampionët “ e drejtësisë mund të menodjnë ndrxyseh, por drejtësia është diçka më tepër se të burgosësh hajdutin dhe të korruptuarin. Drejtësia, mbi të gjitha, ka të bejë me jetën dhe me vdekjen. Nuk e kam fjalën për hakmarrje, por pa-ndëshkueshmëria dhe mos llogaridhënia për krimet e komunizmit nuk mund të pres më gjatë.  Shoqëria shqiptare duhet të përballet me atë histori të hidhët, sa më parë aq më mirë. Deklaratat e fundit nga figura publike dhe politike shqipotare duke glorifikuar komunizmin janë tepër të dëmshme dhe përçarëse. Edhe drejtësia e re shqiptare ka rolin dhe përgjegjësinë e saj në këtë mes. Prandaj nuk janë nostalgjikët e atij sistemi kriminal, qofshin ata në politikë ose në sistemin juridik, që mund të bejnë ndryshimin e madh. Thjesht, kjo është një çështje kredibiliteti! Prandaj, nëqoftse dëshironi që të siguroni drejtësi për brezat e ardhëshëm, është e nevojshme që të vendosni drejtësinë për të kaluarën dhe për të tanishmën.  Unë do të dëshiroja që disa prej këtyre “kampionëve të drejtësisë”, disa prej të cilëve i njoh si gazetarë, të luajnë rolin që mund të luajnë në mediat e tyre në mbrojtje të të drejtave të viktimave të komunizmit, si një kusht paraprak për një shoqëri më të drejtë dhe më të barabart për të gjithë.

Unë e kam thenë edhe më përpara dhe do vazhdoj ta them deri sa të kem mundësi se nëqoftse reforma në drejtësi do të jetë e besueshme, efektive dhe serioze, ajo duhet të jetë gjithëpërfshirse në Shqipëri. Duhet të përfshij edhe prokurorë e gjykatës nga shtresat jo të përfaqësuara deri më tani, siç janë ish-të përndjekurit e komunizmit.  Ky është standardi amerikan, sistemi duhet të jetë gjithëpërfshirës, për ndryshe nuk ka kredibilitet. Shqiptarët e dinë mirë se kush janë e kush nuk janë kampionët e drejtësisë.  Po e përfundoj me një koment të marrë nga një lexues në fejsbukun e Ambasadës amerikane në Tiranë, pyetje që edhe unë vet e kam bërë edhe herë tjera, por duket se është një ndjenjë që ndahet nga shumë të tjerë, siç pasqzrohet edhe nga komentet në faqen fejsbuk  të ambasadës: 

 Nga US Embassy Tirana Facebook:Atdheu jonë loton: A ka ndonje prokuror te persekutuar te rregjimit komunist kjo reforma ne drejtesi e nderueme Zonja Yuri Kim? Nese me ktheni pergjigje ju falenderoje shume. Na thoni emrat ju lutem. Te behet e besueshme reforma ne drejtesi duhet te kete prokuror nga klasa e perndjekureve politike, perndryshe eshte fallco,ashtu sic nisi demokracia ne 1991 dhe na doli diktature e dyte 30 vjecare!!

May be an image of 15 people and text   “Kampionët e reformës në Drejtësi” në Shqipëri gjatë një takimi virtual organizuar nga Amabsada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë me Zv. Ndihmës Sekretarin e Shtetit, Z. Matthew Palmer

Law

Drejtësi për të gjithë dhe pa dallim, përfshirë shtresat e të përndjekurve politikë të periudhës së komunizmit

Filed Under: Politike Tagged With: drejtesi, Frank shkreli, Kampionet e Reformes, ne Drejtesi

As drejtësi, as përgjegjësi historike

February 28, 2020 by dgreca

… Nexhmije Hoxha jetoi gati një shekull, po nuk gjeti asnjë minutë kohë për të kërkuar ndjesë për krimet e diktaturës që ndihmoi që të vinte në fuqi e të mbahej me dhunë mbi popullin.

Nga Harry Bajraktari/

Një shprehje e thotë se ata që nuk mësojnë nga historia janë të dënuar që ta përsërisin.

Asnjë vend në Evropën Lindore nuk pati një regjim komunist më të egër se Shqipëria, mirëpo, po sa kanë mësuar vërtet nga kjo tragjedi shqiptarët?

Vdekja e gruas së diktatorit Enver Hoxha na kujtoi të gjithëve se gati 50 vjet krime e padrejtësi nuk u pasuan nga asnjë dhënie llogarie e mbajtje përgjegjësie.

Nexhmije Hoxha jetoi gati një shekull, po nuk gjeti asnjë minutë kohë për të kërkuar ndjesë për krimet e diktaturës që ndihmoi që të vinte në fuqi e të mbahej me dhunë mbi popullin.

Kush u përgjigj përpara drejtësisë për elitën kombëtare që u shkatërrua, për njerëzit e nderuar të shoqërisë që u pushkatuan, vdiqën në burgje nën tortura çnjerëzore, u dergjën në qeli të zhveshur nga dinjiteti, u internuan, u izoluan, u detyruan të fajësojnë veten publikisht etj.

Kush mban përgjegjësi për fëmijët e lindur në kampet e punës, të dënuar që foshnje me një jetë “të deklasuari”.

Një prej tyre, që u ka mbijetuar kampeve në Shqipëri, gazetari Beqir Sina, është larguar nga Shqipëria në SHBA. Ky është fati i shumë pasardhësve të të persekutuarve. Kurse nipërit e mbesat e kryekomunistëve po gëzojnë edhe Shqipërinë e re.

Askush nuk do që të shohë hakmarrje dhe gjakderdhje që do të çonte në luftë civile. Po një gjyq për krimet më të rënda dhe për diktaturën duhej bërë. Ku është një gjyq si ai i Nyrembergut, për komunizmin shqiptar?

Jo vetëm që askush nuk u dënua për krime, po askush nuk mori përgjegjësi. Askush nuk dha llogari. Askush nuk kërkoi ndjesë. As sa për sy e faqe.

Vetë gruaja e diktatorit që jetoi 30 vjet pas rënies së komunizmit, nuk tregoi kurrë pendim. Përkundrazi, deri në fund, përsëriti propagandën komuniste. Ashtu si Ramiz Alia, u tallën me popullin dhe me historinë.

Komunizmi shqiptar nuk doli kurrë në gjyq.

Për t’u kthyer te fjalia e parë e shkrimit. Pse duhet të kenë frikë sot politikanët e korruptuar? Ata që abuzojnë në krye të vendit? Ata që kanë bërë krime apo janë të lidhur me krimin, me drogën, ata që shkelin ligjin dhe vjedhin popullin? Në fund të fundit, kur pas 50 vjet krimesh të tmerrshme të komunizmit u pa që askush nuk u dënua, pse duhet të kenë frikë këta të sotmit për krime më ordinere?

Tre dekada në liri e demokraci, Shqipëria nuk e ka realizuar potencialin e saj të madh. Sigurisht jeta është më e mirë e nuk krahasohet me vitin 1990, po vendi mbeti jashtë BE-së, kur ajo u zgjerua disa herë, nga 12 në 28 anëtarë.

Demokracia nuk ka përparuar. Përkundrazi, sot, 30 vjet më vonë, vendi po shkon drejt një diktature. Vetëm një parti është në të gjitha nivelet e pushtetit. Ish-ministri i fundit i Brendshëm në kohën e komunizmit është sot kryetar i Parlamentit. Korrupsioni është kudo kurse drejtësia nuk ka forcë. Institucionet kanë humbur besimin e popullit.

Shumë nga këto probleme janë të kohës, po një faktor i madh për gjendjen e sotme është se u mbyll një kapitull i historisë pa nxjerrë mësime. Nuk pati një tribunal të madh për kriminelët dhe fajtorët kryesorë. Nuk pati gjyq historik për sistemin. Nuk pati as përgjegjësi e as drejtësi. Edhe shkrimet për vdekjen e Nexhmije Hoxhës nuk kishin reflektimin e duhur. Ikja e saj më kujtoi shanset që u humbën në këto 30 vjet dhe që nuk do vijnë më.

**Harry Bajraktari është themelues dhe botues i gazetës Illyria (1991-1998), një drejtues i komunitetit shqiptaro-amerikan, filantrop dhe përfitues i shumë çmimeve, duke përfshirë Nderin e Urdhrit të Kombit nga Presidenti i Shqipërisë, Medaljen Presidenciale të Kosovës për Meritat & Bardhë Thirrja Presidenciale e Shtëpisë për Amimin e Shërbimit.

Nexhmije Hoxha vdiq ne moshen 99 vjecare pa u penduar per krimet e diktatures.
Diktatura shqiptare pushkatoi pa gjyqe apo me gjyqe fallso kundershtaret e regjimit.
5, 577 burra dhe 450 gra u ekzekutuan

Më shumë se 26 mijë njerëz u burgosën dhe 77 mijë u dërguan në kampe të punës.

Filed Under: Politike Tagged With: Diktatura shqiptare, drejtesi, harry bajraktari

Protestë qytetare në Prishtinë : Drejtësi për Astrit Deharin!

November 14, 2016 by dgreca

1-dehariMe moton, “Drejtësi për Astritin”, në Prishtinë u mbajt një protestë qytetare, e organizuar nga shoqëria civile, përmes së cilës po kërkohet sqarimi i rrethanave që çuan në vdekjen e Astrit Deharit në burgun e Prizrenit më 5 nëntor.

Në këtë protestë morën pjesë edhe përfaqësues të Lëvizjes “Vetëvendosje”, familjarë të Astrit Deharit dhe përfaqësues të medieve, duke kërkuar nga institucionet e Kosovës që të marrin përgjegjësi për vdekjen e Deharit.

Ndryshe, rezultatet e para preliminare të autopsisë në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, në një ekip të përzier, ku ishin të pranishëm dhe mjekë ligjor, të angazhuar nga familja e të ndjerit, flasin për mundësinë që Dehari të ketë vdekur nga pengesat në organet e frymëmarrjes.

Filed Under: Opinion Tagged With: drejtesi, për Astrit Deharin, Protestë qytetare

VENDOSJA E DREJTESISE NE NJE SHTET INEGZISTENT ESHTE UTOPI

August 24, 2014 by dgreca

Opinion nga Ajet Delaj/New York/
Avokat Ngjela nuk mendoj se jane te mjaftueshme vetem vullneti, deshira e mbase edhe trimeria juaj per te vendosur drejtesine shoqerore ne Shqiperi. Keto qe shkruani kane vler kur shteti egziston dhe lind nevoja e reformimit te tije. Megjiithse per te verteten kam qene per rrotacionin politik e vitit te kaluar megjithse termi rilindje nga e majta shqiptare nuk me pa pelqyer asnjehere dhe per kete kam bere edhe prononcim publik . Ne historine kombetare shqipare te 500 viteve te fundit pervec perjulles se ndritur e te lavdishme te Gjergj Kastriotit nuk kemi nje periudhe te dyte qe shqiptaret patriote do deshironin ta rikthenin. E thashe shqiptaret patriote pasi komunistet me siguri do deshironin te rilindnin Enverin , ashtu sic po tentojne.
Koha shpejt tregoje se e majta shqiptare jo vetem nuk eshte cliruar nga idologjia kriminale komuniste por ne raste po spikat anet me te errta te sistemit te kaluar. Pra “krahet” politik ne marveshje te fshehta se paku gjer tani kane arritur te ruajne pandeshkushmerine e krimeve te se shkuares por edhe duke e pasuruar begraundin e tyre criminal.
Te pretendosh te ndertosh sistemin e drejtesise shoqerore mbi eshtrat e pazbuluar te 4 mije shqiptarve te masakruar e gjakun e derdhur te mijrave te tjerve e vuajtjet e patreguara e kriminelet e xhelatet te pandeshkuar eshte me teper se utopia komuniste se nje dite do vinte parajsa mbi toke.
Shqiperia eshte Repuplike Parlamentare ku institucioni me i rendesishem i shtetit shqiptar eshte Parlamenti. Reformat i udheheqin e i realizojne burra shtetit me mend e me bo…..te medha kurse parlamendi eshte mbushur me bodigarde e hajna xhepash.
Se kush e solli Shqiperine ne kete derexhe dihet : marveshja e “Triestes” dhe “2008”tes e sakush nuk I ze me goje me dhe as nuk behet fjale per ti korigjuar.
Kam pershtypje se shume intelektuale me ze ne ate vend jane ne pozitat e mbeshtetsve te xhon turqeve te rinj kur tere fqinjet tane ballkanik kishin fitur lirine e pamvarsine e benin plane per coptimin e trojeve shqiptare sic I coptuan e shqiptaret kerkonin atonomi ne Turqine qe ishte kalbur e po binte.
E njta situate eshte edhe sot kur “intelektualet” shqiptare bejne thirrje per reformimin e sistemit te krimit kur Ukrainasit po ndahen nga krimi me arme.
Akoma intelektualet shqiptare nuk e kane kuptuar se sistemi criminal komunist u shnderruar ne sistemin e mafjes se krimit dhe nuk e kane ne misionin dhe vizionin e tyre drejtesine shoqerore z Ngjela por kane per mission mbajtjen e Shqiperise ne kaos permanent me qellimin e vetem te varrosjes se krimeve dhe vjedhjeve te vjetra e te reja.
Nese shqiptaret nuk arrijne te vene ne jete direktiven Amerikane te shprehur nga Ambasadori Arvizu se Shqiperia duhet te ndahet nga e kaluara me “Kushtetute” e nesermja ka per te qene edhe me keq se sot, ashtu sic eshte e sotmja me keq se dje. Kur then ndarje nga e kaluara duhet te kuptojme shume plane duke filluar me mentalitetin e psikologjine.
Pra drejtesia shoqerore nuk mundet te vendoset as me urdherin e peshkut as me deshiren ,vullnetin apo edhe kontributin e z Ngjela a ne daci po them as me trimerine e tije pasi realisht shteti shqiptar nuk egziston.
Qe e funksionoje gjykata duhet polici tek dera e ne sallen e gjygjit , pos ketyre duhet hetyesi e prokurori e deri tek sigurimsi per te mbledhur e siguruar provat sipas ligjit dhe se drejtes. Kesaje i duhet shtuar edhe shteti ligjor e social ne te tera hallkat e tije se bashku me sigurine e vendeve te vuajtjes se denimi.
A egzistojne keto parametra kryesisht ne fushe te institucioneve te sigurise e drejtesise? Asnje. Nese I shtojme kesaj imoralitetin e kultivuar ne te tera hallkat e shoqerise shqiptare duke filluar nga debimi I inteligjences e punesimi I atye me diploma fallco e deri ku pronan ta vjedh shteti dhe e ndan me antaret e bandes se tije. Pa thene dhe pranuar te verteten e realitetit egzistues shqiptar nuk ka asnje shans per te filluar ngritjen. Eshte tamam si puna e semundjes qe po nuk u njoh e diagnostifikua nuk ka asnje shans shpetimi por semundja vetem perparon.
Mundem te zgjatem me shembuj plotesues me mijera per keto qe them e nuk besoj se eshte e nevojshme pasi shqiptaret po I heqin ne lekuren e tyre per dite nese realisht nuk kane vojtur si fabula e gomarit me ujkun.

Filed Under: Opinion Tagged With: Ajet Delaj, drejtesi, inegzistente, utopi ne Shqiperi

AMERIKA KËRKON DREJTËSI PËR VËLLËZËRIT BYTYQI

March 12, 2014 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Me 8 Korrik të këtij viti mbushen 15 vjetë ç’prej kohës që tre shtetas amerikanë, tre sokola trima shqiptaro-amerikanë, tre vëllëzërit e rijnë të familjes Bytyqi, Ylli, Agroni dhe Mehmeti u zhdukën pasi u arrestuan nga policia serbe, ndërsa—në një akt humanitar — po përcillnin disa anëtarë të minoritetit roma të kalonin kufirin për në Serbi, aksidentalisht kaluan në territorin serb dhe u arrestuan.  (Në vitin 1999, ata kishin lënë familjen e tyre në New York dhe së bashku me nja 400-luftëtarë të tjerë shqiptaro-amerikanë në Brigadën e Atlantikut shkuan në Kosovë për t’iu bashkuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në luftën e saj kundër forcave terroriste serbe të Sllobodan Millosheviqit dhe politikës së tij të gjenocidit kundër shqiptarëve të Kosovës.)  Zhdukja dhe vrasja barbare e vëllëzërve Bytyqi ndodhi pothuaj menjëherë pasi mori fund ndërhyrja e NATO-s dhe pasi u çlirua Kosova.  Për t’i ra shkurt historisë së tyre të hidhur, për kalimin e kufirit ilegalisht midis Kosovës dhe Serbisë, ata u liruan pas dy javë burg, me urdhër të një gjykatësi serb por, sipas të dhënave, ata nuk dolën kurrë nga burgu dhe për pothuaj dy vjetë askush nuk dijti gjë rreth fatit të tyre.  Sipas të dhënave të zyrtarëve diplomatikë amerikanë të cilët e kanë ndjekur këtë çështje gjatë viteve, vëllëzërit Bytyqi, megjithëse ishin liruar nga burgu me urdhër të një gjykatësi serb, ata nuk u liruan por u morën me forcë nën kontroll nga forcat speciale kriminale të Ministrisë së Mbrendshme të Serbisë dhe pasi u ekzekutuan në mënyrën më barbare, u hodhën në një varrezë masive së bashku me nja 75 shqiptarë të tjerë të vrarë nga Kosova.  Pasi Slobodan Millosheviqi humbi zgjedhjet në vitin 2001, qeveria e re serbe e asaj kohe, “zbuloi” dhe hapi varrin masiv ku ishin hedhur trupat e pajetë të shqiptarve, përfshirë edhe vëllëzërit Bytyqi, trupat e të cilëve më në fund u identifikuan dhe më vonë u sollën për varrim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në atdheun e tyre të dytë, të adaptuar.

Gjatë gjithë këtyre viteve që kanë kaluar, Shtetet e Bashkuara, nepërmjet përfaqsuesve të tyre në Beograd dhe në konferenca ndërkombëtare, sidomos në Organizatën për Sigurim dhe Bashkpunim në Europë, me çdo rast, kanë kërkuar nga qeveria serbe që të identifikojë dhe të dënojë kriminelët e Ministrisë së saj të Mbrendshme, të cilët besohet se kanë vrarë tre vëllëzërit e pafajshëm Bytyqi. Deri më sot, Serbia nuk ka identifikuar as nuk ka dënuar asnjë person për këtë krim.

Por rasti i vëllëzërve Bytyqi nuk harrohet në kët anë të Atlantikut. Pothuaj në çdo përvjetor të zhdukjes së tre vëllëzërve Bytyqi, por edhe në raste të tjera, përfaqsues diplomatikë amerikanë dhe anëtarë të Kongresit, kanë vazhduar t’i bëjnë thirrje qeverisë serbe që të tregojë angazhimin e saj serioz për identifikimin dhe dënimin e kriminelëve që vranë vëllëzërit Bytyqi, 15 vjetë më parë.

Kështu ndodhi edhe javën që kaloi, gjatë një seance në Kongresin amerikan mbi zhvillimet e fundit në Ballkanin Përendimor, ku Senatori i shtetit Mariland, Benjamin L. Cardin ngriti çështjen e vëllëzërve Bytyqi, familja e të cilëve ishte e pranishme në seancën dëgjimore të Kongresit amerikan.  Senatori Cardin tha me këtë rast  se “Vëllëzërit Bytyqi u vranë në Serbi nga fundi i vitit 1999.  Ata janë shtetas amerikanë dhe ne kemi vazhduar të kërkojmë llogari se pse deri tani askush nuk është mbajtur përgjegjës për këto vrasje barbare, ndërsa presim që qeveria jonë të bëjë çdo gjë që është e mundur për zbardhjen e kësaj çështjeje”, shtoi senatori amerikan.   Senatori Cardin, në seancën e Kongresit javën që kaloi, iu drejtua Zëvëndës Ndihmës Sekretarit të Shtetit amerikan, Zotit Hoyt Yee me pyetjen se ç’po bëhet për këtë çështje dhe çfarë masash po merren për të çuar drejtsinë në vend për këto vrasje.  Pasi i premtoi Senatorit Cardin se do i dërgojë atij shpjegime me shkrim në lidhje me ato që po bën qeveria serbe në lidhje me këtë çështje, Z. Yee deklaroi qëndrimin zyrtar të Amerikës para Komisionit të Kongresit duke thënë se, “Ne të Departmentit të Shtetit dhe e gjithë qeveria e Shteteve të Bashkuara, si dhe të gjitha agjencitë të cilat janë të shqetësuara dhe të interesuara për këtë çështje, i marrim shumë seriozisht përpjekjet për të siguruar se ata që janë përgjegjës (për vrasjen e vëllëzërve Bytyqi) të identifikohen dhe të dalin para drejtësisë.”

Zëvëndës Ndihmës Sekretari i Shtetit, vazhdoi duke thënë se, “Ne jemi të përkushtuar që këtë çështje gjithmonë ta fusim në rendin e ditës kur bisedojmë me përfaqsues të qeverisë serbe, dhe çdo herë që na jepet rasti.  Ai njoftoi Kongresin se numri dy i diplomacisë amerikane, Z. William Burns, në takimin e tij të fundit me Kryeministrin serb, drejtësia për vëllëzërit Bytyqi, ishte njëra prej çështjeve kryesore të agjendës së bisedimeve midis dy palëve.  Z. Hoyt Yee siguroi Kongresin dhe anëtarët e familjes Bytyqi, të pranishëm në seancë, mbi ”angazhimin tonë të palëkundur” dhe shtoi se “ne nuk do të pushojmë së kërkuari zgjidhjen e kësaj çështjeje, për derisa të mos jemi siguruar dhe të bindur se drejtësia është çuar në vend” me identifikimin dhe dënimin e atyre që janë përgjegjës për vrasjen e vëllëzërve Bytyqi.

Këto janë angazhime publike personale, nga ana  e zyrtarëve të lartë diplomatikë dhe institucionalë të  Shteteve të Bashkuara, se çështja e vëllëzërve Bytyqi është një çështje me rëndësi nga e cila nivelet më të larta diplomatike të Shteteve të Bashkuara nuk do të heqin dorë, për derisa të gjëndet një zgjidhje dhe për derisa kriminelët e Ministrisë së Mbrendshme të Serbisë, që mendohet se janë përgjegjës për këto vrasje, të  mos jenë identifikuar dhe të dalin para drejtësisë për këtë krim barbar kundër tre të rinjve shqiptaro-amerikanë.

Jeta është e shënjtë dhe e drejta kryesore e njeriut për të ekzistuar, për të jetuar është themelore.  Vrasja e vëllëzërve Bytyqi nga forcat policore serbe ishte shkelja sublime e të drejtës njerëzore për të jetuar.  Shtetet e Bashkuara e kanë traditë, dhe e ndjejnë si obligim moral, për të zbuluar të vërtetën dhe për të çuar të drejtën në vend, sado vonë dhe sa do kohë të marrë, kur është fjala për fatin e qytetarëve të vet, qofshin ata të vrarë e të humbur duke filluar nga Lufta e parë dhe e dytë Botërore, e deri tek Lufta e Vjetnamit dhe nga luftërat e kohëve të fundit.  Kjo traditë amerikane duhet të na japë shpresë dhe të na bindë se qeveria e Shteteve të Bashkuara e ka vendosë që identifikimi dhe dënimi i vrasësve barbarë të vëllëzërve Bytyqi, të jetë një prioritet kryesor në marrëdhënjet me Serbinë.  Njëkohësisht mund të mbështetemi në besimin se Washingtoni zyrtar nuk do të pushojë së punuari në këtë drejtim, për derisa drejtësia nuk është çuar në vend dhe për derisa Shtetet e Bashkuara, familja Bytyqi dhe komuniteti shqiptaro-amerikan nuk janë të kënaqur me status quonë në këtë rast dhe kërkojnë llogari dhe përgjigje nga nivelet më të larta të qeverisë serbe. Në një rezolutë të fund-vitit të kaluar, e në të cilën shprehej ndjenja e Kongresit në lidhje me vrasjen e vëllëzërve Bytyqi, thuhej se “përparimi ose mungesa e përparimit mbi këtë çështje duhet të mbetet një faktor me rëndësi në zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënjeve midis Shteteve të Bashkuara dhe Republikës së Serbisë.”

Muaji Korrik që po vjen shënon 15-vjetorin e zi të vrasjes barbare të tre vëllëzërve Bytyqi.  Le të shërbejë ky përvjetor si një rast — që nepërmjet angazhimit dhe influencës së qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës — të mbahet lartë niveli i presioneve diplomatike ndaj Serbisë, me qëllim që ajo të angazhohet për identifikimin dhe dënimin e vrasësëve.  Dhe njëkohësisht –t’i kujtohet pa ndërprerje Beogradit, nga nivelet më të larta të Shteteve të Bashkuara siç ishte seanca e Kongresit javën e kaluar, se Amerika, familja Bytyqi, dhe besoj se edhe komuniteti shqiptaro-amerikan, nuk do të pranojnë kurrë që këto vrasje të kalojnë në harresë dhe se as nuk do të pajtohen kurrë që vrasësit e Yllit, Agronit dhe Mehmet Bytyqit, të mos identifikohen dhe të mos sillen para gjyqit, për t’u përballur më në fund me drejtësinë.  Zyrtarët më të lartë amerikanë janë shprehur vazhdimisht se drejtësia për vëllëzërit Bytyqi është një angazhim i patundur i qeverisë dhe i Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në këtë 15-vjetor të vrasjes së tyre, ky duhet të jetë gjithashtu edhe zotimi i komunitetit shqiptaro-amerikan, që nepërmjet përfaqsuesve të tij në Kongres dhe në kontaktet me entet përkatëse të qeverisë amerikane, vrasja e vëllëzërve Bytyqi të mos harrohet dhe të këmbëngulet që vrasësit e tre shtetasve amerikanë të identifikohen dhe të dënohen për krimin e tyre.

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Amerika kerkon, Bytyci, drejtesi, Frank shkreli, per vellezerit

Artikujt e fundit

  • REZISTENCA ANTIFUNGALE: NJË SHQETËSIM GLOBAL SERIOZ PËR SIGURINË USHQIMORE DHE SHËNDETIN PUBLIK
  • U NDA NGA JETA ‘MËSUESI I MERITUAR‘ SADIK SEJDI LEKA 
  • Monsinjor Dr. Zef Oroshi dhe persekutimi i familjarëve të tij
  • LE TË PIMË…
  • PUBLIÇISTIKA  E  DON LAZЁR SHANTOJЁS  DHE NYJET  E PAZGJIDHURA  TE HISTORIOGRAFISЁ  SHQIPTARE
  • President Biden Signs the Veterans Health Care Legislation
  • ENVERISTAT NUK MUND TË BËHEN HERONJ SHOKU VELIAJ!
  • KANAÇEMBLEDHËSI AMERIKAN
  • Lamtumirë N/Kolonel Sokol Qehaja
  • “DIRECTORIUM AD PASSAGIUM FACIENDUM” 
  • ULQINI PRET BIJTË E VET
  • QEVERIA NË MES TË VOTËBESIMIT DHE ZGJEDHJEVE TË PARAKOHSHME PARLAMENTARE
  • NË VËMENDJE, 400 MIJË DOSJET E SPIUNËVE TË (ISH) SIGURIMIT TË SHTETIT KOMUNIST…
  • SHTETI SEKULAR DHE IDENTIETI YNË KULTUROR DHE KOMBËTAR NË RREZIK!
  • #SiSot ndërroi jetë në Selanik, pas një atentati, Hasan Prishtina

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari Albin Kurti alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fadil Lushi Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT