• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Donald Lu & Romana Vlahutin – Dy heronj të kohës sonë!

July 24, 2016 by dgreca

Nga Elida Buçpapaj/

Titulli është huazuar me një ndryshim numerik nga romani i Lermontovit “Një Hero i Kohës sonë” që pa dritën e botimit fillimisht në revistën letrare ruse Otečestvennye Zapiski, aty  ku i botonin veprat e tyre edhe Gonçarov e Fjedor Dostoevskij. Vetëm titullin kam huazuar se dy heronjtë tonë nuk kanë asgjë të përbashkët me Peçorinin, dandy-n romantiko-Bajronik të zhgënjyer nga jeta.

Jo, dy heronjtë tanë janë e kundërta e Peçorinit. S’kanë lidhje fare me heronjtë e romanticizmit anglo-sakson apo rus.

Janë dy heronj të shekullit XXI, të këtij shekulli të mbytur nga indiferenca, konsumizmi ekstrem dhe dehumanizimi i shoqërisë në rrang global, ku mëshira nuk njihet më, ku në Mesdhe mbyten me mijëra refugjatë dhe askënd nuk e vret ndërgjegjia.

Ata janë dy heronj që puna i solli të vinin në vendin e Shqipeve, kthyer në vendin e horrave, ku gjithçka është në shitje, ku nocioni i së mirës është konvertuar me të keqen, ku s’ka solidaritet, s’ka humanizëm, ka vetëm ligj xhungle, ku më i forti e mund gjithmonë të dobtin vulnerabël, ku pandershmëria fiton, ku shpërdorimi i vlerave dhe i pushteteve është arma e suksesit, ku korrupsioni i ka marrë frymën shoqërisë shqiptare dhe ka kapur për fyti gjithë popullin, ku populli shqiptar është zhgënjyer për çerek shekulli nga mashtrimet e klasës politike e cila sot është omnipotente, sepse ka bindjen e thellë që me para ka mundësi të korruptojë edhe Zotin në qiell.

Ata janë dy heronj që i mbijetuan fushatës kriminale linçuese të ndërmarrë nga politika shqiptare, ku opozita dhe pozita janë la même chose, e njëjta gjë sepse përfaqësojnë klasën politike, shkaktaren kryesore të kësaj katrahure këta 25 vjet kohë e djegur.

Ata janë dy heronj që nuk iu trembën gjuetisë së shtrigave as undergrounde-ve me shpifje qëllimzeza për dëmtimin dhe rrënimin e imazhit të tyre.

Ata ia dolën të triumfojnë mbi të keqen që është mbjellë në Shqipëri nga kapja e shtetit prej oligarkisë politike që gjithçka e ka arritur jo përmes djersës të ballit por përmes shpërdorimit të pushtetit dhe votës së popullit.

Dy heronjtë e Shqipërisë sime të bukur, Donald Lu dhe Romana Vlahutin mbollën shpresën në tokën pjellore por të bërë shterpë nga padrejtësitë që e ka detyruar rininë shqiptare ta humbasë besimin se ekziston shteti i së drejtës  apo meritokracia, sepse të gjitha të mirat e vendit, vendet e punës e gjithçka janë në duart dhe tentakulat e kastës të pangopur të profiterëve politikë.

Kasta e anatemoi me të gjitha mjetet Amerikanin Donald Lu dhe Kroaten Romana Vlahutin. I pari vinte nga vendi që iu është gjendur më pranë shqiptarëve si askush në këtë botë; e dyta, vjen nga Kroacia, një vend ballkanik dhe mik i shqiptarëve, i integruar në NATO dhe BE, që lufton për të arritur standardet perëndimore, që fut në burg Kryeministrin e vendit kur ky i shkel ligjet e shtetit; ajo është bashkëpatriote me Kolinda Grabar-Kitarović, presidenten e Kroacisë, një figurë emblemë dhe model për të ardhmen e integruar të Ballkanit në BE.

Të dy Lu-Vlahutin, janë binomi që tronditi kënetën dhe status quo-në e klasës politike shqiptare, e cila ka në duart e veta dhe nën kontrollin e saj gjithçka, duke filluar nga listat e deputetëve deri tek të gjitha pushtetet, që kontrollon sistemin e drejtësisë, që ka nën kontroll gazetat, televizionet, portalet, kreun e shtetit, shërbimin sekret e gjithçka, duke e degraduar deri në skaj sistemin.

Për të treguar kalbjen e sistemit, po ju sjell vetëm një fakt që tashmë e dimë të gjithë. Disa ditë më parë anëtarja e Gjykatës së Lartë, Majlinda Andrea së bashku me të shoqin Odhise Andrea, që kishte bërë seksesin, janë akuzuar nga Prokuroria për korrupsion. Gjyqtarja e Gjykatës të lartë Majlinda Andrea kishte gjykuar Gërdecin, çështjen Mark Frroku, kishte dhënë pafajësi në vitin 2011 për Ilir Metën, dhe kishte qenë e vetmja që votoi kundër lehtësimit të masës së sigurisë ndaj deputetit Tom Doshi, ndërsa i shoqi i saj Odhise Andrea, ndaj të cilit prokuroria ka dhënë masën e arrestit, deri në momentin kur u kap me presh në duar, ka qenë  anëtar i Komisionit të Sigurisë në Kuvendin e Shqipërisë!

Kur një anëtare e Gjykatës të Lartë shitet, kur një anëtar i Komisionit të Sigurisë në Parlamentin e Shqipërisë blihet me 50 mijë Euro, a mund të më thoni, a ka Shqipëria sovranitet ?

Ne që dëgjojmë ditë e natë se si ulërasin me histerizëm se gjoja po shqetësohen për sovranitetin e vendit krerët e politikës shqiptare, kemi të drejtë të pyesim: a doli ndokush prej tyre të denonconte skandalin e Majlinda dhe Odhise Andreas, kur që të dy kishin vende kyçe në shtetin shqiptar?

E pra ky skandal është vetëm një mikro nga makro korrupsioni dhe krimi i organizuar, nga oktapodi që me tentakulat e tij ka kapur shtetin në çdo qelizë dhe e vetmja shpresë që ky vend t’i rikthehet jetës është reforma në drejtësi.

Kjo klasë politike nuk kishte për ta reformuar kurrë drejtësinë shqiptare, dhe do të bëjë gjithçka kundër reformimit, sepse drejtësia shqiptare ka fytyrën e klasës politike prandaj i urrejnë kaq fort dy heronjtë e kohës sonë.

Oktapodi i urren, por populli i do. Të të urrejë oktapodi dhe të të vlerësojë populli shqiptar, të cilit i kishte humbur edhe ajo që nuk vdes kurrë, shpresa!

Dy heronjtë e kohës tonë, Lu dhe Vlahutin, nuk u dorëzuan, ata dëshmuan se kauzat e fuqishme të japin shansin e fitimtarit.

Lu dhe Vlahutin i treguan popullit shqiptar se nuk duhet të rendin pas demagogjive boshe të politikanëve, por pas kauzave jetike!

Lu dhe Vlahutin meritojnë mirënjohje!

Sepse në një moment krize identiteti, kur politika e ka kthyer popullin në një turmë amorfe, dy njerëz të vendosur e guximtarë, i treguan rrugën e lirisë!

Filed Under: Opinion Tagged With: Elida Buçpapaj, heronjte..., Lu, Vllahutin

Letër të hapur ambasadorit amerikan në Tiranë z. Donald Lu

July 21, 2016 by dgreca

Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë Demokratë të Shqipërisë-Dega Tiranë/

Nr. 5  Prot/

Tiranë, më 21 korrik 2016/

Letër e hapur/

Drejtuar:  Zotit   Donald   Lu-Ambasador i Shteteve të Bashkuar të Amerikës-Tiranë/

I nderuar zoti Ambasador,/

Më datën 05.06.2015 ju kemi dërguar, për dijeni, shkresën tonë me numër protokolli 5, datë 20.06.2015, drejtuar komisioneve te Dekriminalizimit dhe atij të Reformës në Drejtësi pranë Kuvendit të Shqipërisë me anën e të cilit kërkonim që në ligjet e Dekriminalizimit dhe Reformës në Drejtësi të ketë një nen ku nuk lejohet që një ish-anëtar i trupave gjykuese të regjimit komunist që ka dhënë dënime të padrejta për motive politike, të bëjë pjesë në organet e larta të drejtësisë si në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, Gjykatën Kushtetuese, Gjykatën e Lartë, madje edhe në gjykatat e  shkallës së parë dhe ato të apelit. Gjithashtu të mos bëjnë pjesë në organet e prokurorisë, si në atë të përgjithshme ashtu edhe në ato të rretheve. Po ashtu largimin e tyre nga të gjitha hallkat e pushtetit legjislativ dhe atij ekzekutiv. Një gjë e tillë do të tregonte se vendi ynë po ecën me të vërtetë në rrugën e demokracisë së vërtetë dhe po shkëputet nga influenca e mentalitetit komunist që ekziston në çdo qelizë të vendit tonë. Një gjë të tillë e bëmë bazuar në ligjin numër 7514, datë 30.09.1991 “ Për pafajsinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politikë” në të cilin në dy nenet e para thuhet:

Neni 1

Jane te pafajshem dhe quhen te padenuar per efekte morale, politike, sociale dhe ekonomike te gjithe personat qe jane denuar per agjitacion e propagande kunder shtetit, per arratisje, per sabotim, per krijimin ose pjesemarrjen ne organizata politike, per moskallezim te krimeve kunder shtetit; ata qe jane denuar per shpifje dhe fyerje kunder organeve me te larta te shtetit e te partise, per shkelje te dekretit nr.7459, date 22.1.1991 “Per respektimin dhe mbrojtjen e monumenteve qe lidhen me historine kombetare dhe te simboleve shteterore”, si dhe per shkelje te dekretit nr. 7408, date 31.7.1990 “Per mbledhjet, grumbullimet dhe manifestimet e shtetasve ne vendet publike”.

Neni 2

Jane te pafajshem te gjithe shtetasit shqiptare qe jane arratisur nga  Shqiperia  gjate  luftes ose pas Çlirimit te vendit deri me 8 maj 1990, per shkak te bindjeve ose  te  veprimtarise  se  tyre politike me perjashtim te atyre qe kane kryer akte terroriste e diversioni, kur keto vepra kane sjelle vdekje ose pasoja te tjera te renda. Te tjeret amnistohen.

Atëherë si ka mundësi që sot në Shqipëri ish-gjykatësit, ish-prokurorët, ish hetuesat, ish-operativët e Sigurimit të Shtetit diktatorial, që kanë hartuar akuza false apo  na kanë dënuar në mënyrë të padrejtë, duke shkelur ligjin e mësipërm, të jenë në krye të pushtetit legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor? Ju do të thoni se kush janë ata. Ne i dimë, por edhe ju i dini. Sot ata  ndodhen ne krye të komisioneve të Kuvendit të Shqipërisë, në krye të organeve qeveritare, në krye të tre shkallëve të gjykatave madje edhe ne Gjykatën Kushtetuese. Vallë a u shua Shqipëria dhe nuk paska kuadro te reja që kanë përfunduar dhe laureuar në universitetet  më të mira të botës perëndimore, qofshin këta socialistë apo demokratë, që të zëvendësojnë “xhaketat e vjetra dhe të diskredituara” të sistemit të përmbysur totalitar?

Këto ishin arsyet e shkresës së mësipërme por, për fat të keq, nuk morëm asnjë përgjigje nga komisionet në fjalë. Nuk dëgjuam asnjë deputet t’i zinte në gojë këto kërkesa. Prisnim që ju të na kishit kthyer një përgjigje e cila, sipas mendimit tonë, duhej të ishte në përkrahje të nismës tonë por, me keqardhje, edhe kjo nuk mbërriti. Përse? Këtë e dini vetëm ju.

Ju bëjmë me dije, zoti ambasador, se shoqata jonë është shoqata më e vjetër në Shqipëri e të përndjekurve politikë. Eshtë pasuesja e shoqatës së krijuar më 28 prill 1991 me në krye të paharruarin Osman Kazazi që ka shtrirje në të gjithë teritorin e republikës. Është shoqata që duke iu referuar shifrave zyrtare të shpallura nga Komisioni tre palësh i përbërë nga përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë, Komitetit Shtetëror të të Përndjekurve Politikë dhe Shoqatës Kombëtare të të Përndjekurve Politikë, përfaqëson:

Të ekzekutuar 6.023  persona

  1. Të vdekur në burg 1.065       “
  2. Të burgosur           17.300       “
  3. Të sëmurë mendorë    260       “
  4. Të internuar                     90.000      “
  5. Të vdekur në internim 10.000       “

Shtojmë se nga të vdekurit në burgje dhe internim rreth 8.000 nuk kanë ende një varr ku familjarët të derdhin dy pika lot apo të vendosin një tufë me lule.  Shtojmë gjithashtu se shoqata jonë është anëtarja e vetme e Shoqatës Ndërkombëtare të të Burgosurve Politikë dhe Viktimave të Komunizmit me qendër ne Berlin dhe që përmbledh në gjirin e saj 16 shoqata të përndjekurish politikë nga ish-vendet komuniste të Europës Lindore.

Të përndjekurit politikë, zoti ambasador, kanë patur, kanë dhe do të kenë një simpati të veçantë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ata gjithmonë shpresën për një Shqipëri me të vërtetë demokratike e kanë patur tek ky simbol i demokracisë. Për këtë ata luftuan dhe u sakrifikuan gjatë periudhës gati gjysmë shekullore të sundimit komunist, pasi kishin bindje se vetëm nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës do t’u vinte Liria Në këtë vend jetuan, punuan dhe u prehën shumë nga burrat e shquar të vendit tonë. Të përndjekurit politikë janë aleati më i besueshëm i vendit të demokracisë.

Lidhur me sa më sipër më lejoni t’ju tregoj një rast të jetës time në të kaluarën. Ishte viti 1951. Së bashku me dy shokë të klasës time, të nxitur edhe nga aeroplanët e NATO-s që hidhin trakte që përmbanin thirrje për revoltë, formuam një organizatë antikomuniste që shpërndante trakte në qytetin e Vlorës. Ishim të moshës 15 vjeçare, në klasën e parë të shkollës së mesme. Arrestohemi dhe mbyllemi në qeli. Gjatë hetimit hetuesi më pyeti:

  • A je penduar?

Unë iu përgjegja shkurt:

Më vuri para letër dhe penë dhe më tha :

Unë shkrova deklaratën e mëposhtme:

Deklaratë

Unë, Reshat Kripa, nga Vlora dhe banues po në Vlorë, në lagjen Vrenez, mbasi u pyeta prej hetuesit që proçedohem si pjesmarës dhe element kryesor i grupit me pseudonim “Atdhetari” që përbëhet prej meje, Myrteza Baboçit dhe Jorgo Beshos, në se jesh penduar për fajet e  kryera  kundër pushtetit ju përgjegja si më poshtë:

Unë Reshati deklaroj se rrugën që kam ndjekur duke treguar aktivitet kundër pushtetit, e quaj të drejtë për deri sa gjendja në vëndin tonë nuk  ka ndryshuar dhe se unë këtë ndryshim e pres nga  t’arratisurit e  jashtë shtetit anglo-amerikanët etj.

Këtë deklaratë e shkruaj dhe e nënshkruaj vehtë pa u imponuar sepse janë deponimet e mia.

Deklaron i burgosuri

Reshat   Kripa

 

Vlorë më 11-VIII-1951

Origjinalin e kësaj deklarate mund ta gjeni në dosjen time me numër 8445 pranë Arshivës së Ministrisë së Brendëshme dhe për këtë keni autorizimin tim për ta kërkuar.

E solla këtë shëmbull për t’ju treguar se kush kanë qenë Shtetet e Bashkuara te Amerikës për mua dhe për të gjithë të përndjekurit e tjerë. Ndaj, t’ju them të drejtën, u habita kur ju pashë pranë një grupi anonim përfaqësuesish të një të ashtuquajture “shoqëri civile” të financuar nga SOROS-i. U habita pasi pashë se midis tyre kishte shumë individë që dikur iu ishte ngjirur zëri duke thërritur kundër Shteteve të Bashkuar të Amerikës apo pinjollë të tyre dhe që tashti, çuditërisht na qenkan kthyer në dashamirës të mëdhenj të atij shteti të madh. Pjesmarrja juaj në të dhe heshtja po juaja kundrejt shkresës tonë na le shumë dhimbje. Po mundët, përgjigjuni.

Të gjithë jemi dakord se vendi ka nevojë për një reformë të vërtetë në drejtësinë shqiptare që është mbuluar nga korrupsioni. Por kjo reformë duhet të fillojë qysh nga periudha totalitare dhe deri në ditët tona. Në të kundërt ajo nuk do të jetë një reformëdemokratike dhe reale për vendin tonë. Ne kërkojmë që reforma në drejtësi të mbështetet në rezolutat numër 1096 (1996) “Mbi masat për të  çrrënjosur trashëgiminë e sistemeve të mëparshme komuniste totalitare” dhe numër 1481 (2006) “Nevoja për ndëshkimin  ndërkombëtar të krimeve të regjimeve totalitare komuniste” të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës si dhe në rezolutën e miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë në tetor 2006 “Për dënimin e krimeve të kryera nga regjimi komunist në Shqipëri”.

Këtë letër mendova të mos ua dërgoja direkt juve por ta botojë në median e përditëshme dhe atë online për të pritur përgjigjen tuaj, në rradhë të parë, dhe më pas opinionet e lexuesve.

 

Me respekt

Kryetari

Reshat    Kripa

 

Adresa:            Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve

Antikomuniste Demokratë të Shqipërisë

Dega  Tiranë

Builevardi “Dëshmorët e Kombit”, godina 3

Tiranë

E-mail:kripareshat@yahoo.com

Filed Under: Opinion Tagged With: ambasadorit Amerikan, Letër të hapur, në Tiranë z. Donald Lu, reshat kripa

“Vëllezërit turq”

July 19, 2016 by dgreca

Opinion nga Harry Bajraktari/ Nju Jork/

 Ajo që mua më nxiti t’ i shkruaj këta pak rreshta ka të bëjë me një fakt tjetër se si dhe në ç’ mënyrë reagun disa shqiptarët rreth këtyre ngjarjeve: Në Shqipëri, në Prishtinë, në Prizren, në Preshevë, në Shkup dhe në ndonjë qytet tjetër në trojet tona u dëgjuan shprehje dhe zëra të habitshëm: “Jemi bashkë me vëllezërit turq dhe të gatshëm të luftojmë për Turqinë “, si dhe thirrje të ngjashme me përmbajtje vëllezërore në mbrojtje të saj.

Nga historia dihet se shqiptarët janë populli më i vjetër në Ballkan dhe një popull shumë i veçantë, i cili s’ ka asnjë vëlla në këtë planet, asnjë prejardhje të përbashkët me ndonjë popull tjetër, pos që ka fqinjësi me shtetet që e rrethojnë dhe marrëdhënie miqësore, ekonomike e diplomatike me shumë vende të botës, e në këtë kontekst edhe me Turqinë. Ne nuk jemi vëllezër as me turq as me grekë as me tjerët dhe këto thirrje nga disa zëra, tash këto ditë, me rastin e ngjarjeve në Turqi, por edhe më herët, janë për të ardhur keq, të dëmshme në aspektin e identitetit kombëtar, të pakuptimta në aspektin logjik dhe absurde në kontekstin interpretues. Një pushtues në të kaluarën, të jetë edhe jopushtues nuk mund të jetë vëllezër me ne ngase nuk kemi prejardhje dhe trung të njëjtë. Vëllezëria përcaktohet në bazë të kombit e jo siç pretendojnë disa klerikë shqiptarë të infektuar nga radikalizmi islamik. Shqiptarët u përkasin tri besimeve me të cilët jemi vëllezër mes veti si shqiptarë myslimanë , si shqiptarë katolikë dhe si shqiptarë ortodokës dhe këtu përfundon vëllazeria e jonë. Nuk shkon përtej për asnjë milimetër.
Ne nuk mund të luftojmë as për turq, as për grekë dhe as për fqinjët tanë të cilët gjatë historisë na sollën aq shumë vuajtje dhe zaptim të territoreve tona. Me kushtetutën e Shqipërisë dhe të Kosovës në çfardo rrethana që mund të ndodhën këto dy shtete, kemi detyrim me forcë të mbrojmë atdheun dhe popullin tonë, jo siç thonë pretenduesit e “vëllezërve turq”. Ne duhet të punojmë shumë më shumë që t’ i përparojmë shtetet tona, Shqipërinë dhe Kosovën, si dhe territoret tjera shqiptare. Kjo është kauza jonë, e jo e atyre që i thërrasin vëllezër ata të cilët s’ i kemi e as që kanë të bëjnë me kombin tonë.
E dimë të gjithë se sa është dëmtuar imazhin ynë në botë nga radikalizmi islamik i disa klerikëve tanë dhe ky radikalizëm çoi grupe e individë të luftojnë në Siri e Irak për shtetin islamik-terrorist( ISIS). Një gjë e humbur dhe e pakuptimtë për kombin tonë dhe për logjikën e njeriut të shëndoshë.
Çështja e shqiptarëve në Turqi dhe shpërngulja e tyre atje, është pasojë i një historie të dhunës dhe terrorit serb nga Lidhja e Prizrenit e këndej.

Post scriptum: Këtu nuk është fjala për minoritetin turk që jeton në Kosovë dhe Maqedoni.

*Autori është bisnesmen dhe veprimtar i shquar i komunitetit shqiptaro-amerikan dhe themelues i gazetës Illyria në New York.

Filed Under: Opinion Tagged With: harry bajraktari, opinion, Vëllezërit turq

Ambasadori Lu: Pasoja nga SHBA kujt del kundër Reformës

July 19, 2016 by dgreca

Ambasadori i SHBA-ve, Donal Lu, mori sot pjesë në një tubim proteste të thirrur nga organizatat e shoqërisë civile para parlamentit për të kërkuar miratimin e reformës në drejtësi.

Zoti Lu mori fjalën në këtë tubim, duke bërë thirrje që kjo reformë të miratohet.

“Dje pas takimit të shkurtër mes zotit Rama, Basha dhe Meta, ekspertët tanë u takuan për 8 orë, deri në 2 të mëngjesit, dhe nuk arritën marrëveshje. Pas 18 muajsh negociata, përse nuk arrijnë kurrë një marrëveshje? Disa nga këta politikanë nuk duan marrëveshje” – tha amb. Lu.

Ai shtoi se dy javë më parë Basha dhe Bylykbashi thanë me zë të fortë që nëse e zgjidhnim paragrafin 88, ata do ta votonin reformën që të nesërmen.

“Më 9 korrik e zgjidhëm paragrafin 88. Në fund Rama u dorëzua. Një proces përzgjedhjeje të quajtur 6+6. Por kjo nuk mjaftonte. Tani për herë të parë ata thonë se për shkak të sovranitetin kombëtar nuk mund të pranojnë që të huat të bëjnë vlerësimet për kualifikimet e komisionerëve. Epo kjo është e çuditshme” – tha amb.Lu.

Ai shtoi se më 19 maj Basha i tha amb.Lu dhe amb. Vlahutin se “të huajt mund të ishin të vetmit persona, që mund ta pastronin peshkun nga koka”. Zoti Basha u tha të njëjtën gjë edhe deputetëve të parlamentit europian.

Bylykbashi, sipas tij, e përfshiu këtë në mënyrë të qartë në propozimin e tij zyrtar të shkruar që dërgoi, por tani papritur po ndryshojnë qëndrimin e tyre.

“Njerëz të fuqishëm kanë frikë. Qytetarët po kërkojnë ndryshim. Është koha për të vendosur. Do të ketë pasoja specifike negative nga Shtetet e Bashkuara për ata udhëheqës politikë që do të votojnë kundër kësaj reforme. Unë u kam dorëzuar partive politike hollësitë mbi këto pasoja, sipas udhëzimeve specifike nga Uashingtoni. U siguroj se këto pasoja do të jenë të rënda dhe afatgjata” – theksoi amb.Lu.

Ai tha se gjatë ditëve të fundit u takua me dhjetëra deputetë nga të gjitha partitë politike. Zoti Lu kishte bindjen se këta persona i kanë për zemër interesat më të mira të Shqipërisë dhe se të gjithë e duan këtë reformë.

“Pyeta nëse do të kenë kurajon të votojnë për atë që e dinë se është gjëja e duhur për Shqipërinë apo do të votojnë për shkak të frikës nga udhëheqësit e tyre. Shqipëria u themelua nga burra të guximshëm. Ata rrezikuan jetët e tyre për pavarësinë e këtij vendi. Është përsëri koha t’u kërkohet shqiptarëve kurajo dhe besim për të bërë atë që është e drejtë. Koha për të vendosur është tani. Miratojeni këtë reformë” – tha ambasadori Lu ne tubimin e shoqërisë civile.

                                 FJALA E PLOTË E DONALD LU

Dje, pas takimit të shkurtër midis Z. Rama, Z. Meta dhe Z. Basha, ekspertët tanë u takuan për 8 orë negociatash deri në orën 2 të mëngjesit.

Por nuk arritën dot një marrëveshje. Pas 18 muajsh negociata, pse nuk arrijmë kurrë një marrëveshje?”

Pse? Për shkak.

Është e qartë se disa nga këta politikanë nuk duan marrëveshje.

Dy javë më parë, dëgjova me zë të fortë nga Basha dhe Bylykbashi se nëse e zgjidhnim paragrafin 88, ata do ta votonin reformën që të nesërmen.

Më 9 korrik e zgjidhëm paragrafin 88. Në fund, Rama u dorëzua dhe u ofroi atyre saktësisht atë që Basha kishte kërkuar, një proces përzgjedhjeje të quajtur 6 plus 6.

Por kjo nuk mjaftonte. Tani, për herë të parë, ata thonë se për shkak të sovranitetit kombëtar, nuk mund të pranojnë që të huajt të bëjnë vlerësimet për kualifikimet e komisionerëve.

Epo kjo është e çuditshme. Më 19 maj Basha na tha ne dhe Ambasadores Vlahutin se të huajt ishin të vetmit persona që mund ta pastronin peshkun nga koka. U tha të njëjtën gjë edhe deputetëve të PE-së, Kukan dhe Fleckenstein. Bylykbashi e përfshiu këtë në mënyrë të qartë në propozimin e tij zyrtar, të shkruar, që na dërgoi. Tani papritur po ndryshojnë qëndrimin e tyre.

Përse? Njerëz të fuqishëm kanë frikë. Qytetarët po kërkojnë ndryshim. Është koha për të vendosur.

Do të ketë pasoja specifike negative nga Shtetet e Bashkuara për ata udhëheqës politikë që do të votojnë kundër kësaj reforme. Unë jam duke u dorëzuar partive politike hollësitë mbi këto pasoja sipas udhëzimeve specifike nga Uashingtoni. Ju siguroj se këto pasoja do të jenë të rënda dhe afatgjata.

Gjatë ditëve të fundit jam takuar me dhjetëra deputetë, nga të gjitha partitë politike. Jam i bindur se këta persona i kanë për zemër interesat më të mira të Shqipërisë. Të gjithë e duan këtë reformë. Pyetja është nëse do të kenë kurajon të votojnë për atë që e dinë se është e gjëja e duhur për Shqipërinë, apo do të votojnë për shkak të frikës nga udhëheqësit e partive të tyre politike.

Shqipëria u themelua më shumë se 100 vite më parë nga burra dhe gra të guximshëm. Burra si Ismail Qemali rrezikuan jetën e tyre për pavarësinë e këtij vendi. Është përsëri koha t’u kërkohet shqiptarëve kurajo dhe besim për të bërë atë që është e drejtë.

Koha për të vendosur është tani. Miratojeni këtë reformë!

Ai tha se reforma është për qytetarët e jo për politikanët të cilët duan ti fshihen asaj nga ndëshkimi.

Fjala e ambasadorit Lu ishte e padëgjuar ndonjëherë nga ndonjë ambasador tash 25 vite në Shqipëri. Kishte presion të hapur, kishte dashuri për shqiptarët, kishte shantazh ndaj klasës politike që nuk voton, kishte gjithçka që nuk e thotë një ambasador në kohë normale. Pra duket se po jetojmë një kohë ndryshimi të madh, epokal në drejtësi.

Pas datës 21 korrik do të ketë sirena arrestimesh. Ndaj ka nevojë që të shtohet orari i punës së Prokurorisë , karburanti për makinat e policisë që do merren me arrestimet VIP.

Duhet shpallur aministi për disa të burgosur për vjedhje dritash që të happen vendet në burgje për të burgosurit VIP të cilët do mbushin qelitë gjatë vjeshtës së këtij viti.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Ambasadori Lu: Pasoja nga SHBA kujt, del kundër Reformës

REFORME NE DREJTESI, APO VETEM LUFTE POLITIKE

July 16, 2016 by dgreca

NGA ASLLAN BUSHATI/

Ka një kohë të gjatë që dëgjojmë në Parlament, në daljet publike te politikanëve  shqiptar, të ambasadorëve të akredituar në Shqipëri,( madje dhe  të  të gjithë vizitorëve   politik ndërkombëtarë) , në masmedia  e kudo, vetëm fjalët “reformë në  drejtësi”. Veshi i cdo shqiptari, që nga fëmijët e deri tek të moshuarit, është ngopur kaq shumë  me këtë shprehje, sa shpesh është bërë e bezdishme e deri e padurueshme. Pyetja shtrohet :  kjo vjen nga domosdoshmëria per këtë reform ,apo është një fushatë për përfitime politike të dites dhe afatgjatë? Le ta shikojmë problemin nga disa kënde shikimi.

E para gjë që të vjen në mendje është se që nga krijimi i shtetit shqiptar, a ka patura ndonjë herë drejtësi  të mirfilltë në këtë vend që ne e quajmë Shqipëri dhe të huajt e quajnë Albania? Mendoj se që nga  1912-ta e deri me  ardhjen në fuqi të Ahmet Zogut, nuk ka patur as institucione të mirëfillta të shtrira në të gjithë vendin pa le më drejtësi në kuptimin e se drejtës. Në kohën e Zogut si Kryeministër, President dhe më pas si Mbret, janë fillesat e vendosjes së sistemit të drejtesisë. Ata mund të kenë qenë pak edhe nën influencat e drejtësisë italiane e austriake të kohës, por kanë lënë gjurmë në krijimin e legjislacionit demokratik perendimor dhe në dhënien e drejtësisë në raportë me kohen. Kundërshtarët e Zogut thonë se pushteti gjyqësor edhe në atë kohë, ka qenë nën trysninë e politikës  së Zogut. Kjo  ndoshta  e errëson pak këtë periudhë, por duke qenë në fillimet e saj nuk e demonton atë. Ndërsa në periudhën e pushtimit nazi-fashist, drejtesinë e jepte pushteti dhe jo drejtësia. Në kohën e pushtimit jugosllav (fundi i 1944- 1948), në kohën e pushtimit sovjetik (1949-1961) dhe deri në fundin e 1990-ës që ka qenë në fuqi sistemi totalitar, drejtësine e ka dhënë politika sipas interesave te saj pa përfillur shtetin ligjor . Por edhe pas rënies se sistemir totalitar, megjithë perpjekjet e bëra drejtësia ka qenë  nën trysninë e politikës. Pra shkurt ky vend që ne e quajmë Shqipëri,  nuk ka patur drejtësi të mirfiltë. Në këtë mënyrë  pra mund ti përgjigjemi pyetjes së shtruar  më sipër  se drejtësia është një domosdoshmëri për të sotmen dhe të ardhmen e   shoqërisë shqiptare.

Por problemi  shtrohet se  pse u bë kaq i mbyllur procesi i reformës në drejtësi? Arsyet mund të jenë të shumta, por  ndërkombëtarët (SHBA dhe BE) ndoshta  kanë qenë të prirur nga  fakti se ata e kanë kuptuar se: shteti  shqiptar dukshëm është  i   kapur nga element të inkriminuar. Drejtësia  është  dy herë e kapur nga politika  dhe  krimi . Politika e kapur nga lidhje të fëlliqura dhe nga krimi. Nga ana tjetër krimi prodhon shuma kolosale parash të pista me të cilat i lyhen rrotat politikës dhe strukturave të drejtësisë.Në këtë praktikë a normale, drejtësia është këthyer në një bankë nga ku prodhohen  shuma të mëdha parash. Pra rrethi është vicioz dhe drejtësi të mirfilltë  nuk ka për shqiptarin e thjeshtë dhe cdo kënd që ka të drejtë ,  por ka drejtësi për politikanët, pasanikët  dhe kriminelët që e blejnë  si dhe kur ta  duan “të drejtën e tyre”.

Parë nga ky kënd shikimi  (SHBA dhe BE), janë prirur nga ideja se procesi i mbyllur me specialist,grupe të vogla juristësh të pa kompromentuar do të ishte zgjidhja më e drejtë duke marrë parasyshë edhe rekomandimet e Venecias. Por kundërshtar të kësaj ideje thonë se kjo është një reformë  që do të miratohet nga politika. Ata janë të zgjedhurit e popullit, ata kanë përgjegjesinë para popullit dhe jo specialistët. Madje shkojne deri aty sa  thonë  shkoqur: kjo është republikë parlamentare dhe jo republika e specialistëve duke lënë të kuptohet se rruga e ndjekur ka qenë e gabuar dhe për pasojë edhe reforma  që në fillimin e saj është e dështuar. Ky grup politikanësh,( nga opozita dhe maxhoranca), dështimin po përpiqet  t’ja  faturojë  ndërkombëtarëve.Ata  thonë se drejtësia  nuk mund të importohet dhe se as nuk mund të bëhet me njerëz nga jashtë. Tani për tani situata duket si një kaos i vërtetë, por që vetëm koha mendoj se do të jetë gjykatësi më i mirë dhe do të thotë  se kush ka patur të drejtë dhe kush nuk ka patur.

Zëra  nga shoqëria civile (vecoj këtu Fatos Lubonjën), thonë se  edhe ambasadori amerikan Lu ka pranuar ide dhe rekomandime  të  shumë qaramanëve e të paaftëve të cilat shpesh nuk kanë qenë   të drejta . Ai  nisur nga  këto rekomandime ka mbajtur disa herë qëndrime të njëanëshme (kryesisht në mbeshtetje të Edi Ramës),  duke kaluar kufijtë e detyres diplomatike. Madje thënien e tij se:”Basha e Rama o  të takohen bashkë e të gjejnë zgjidhej  për  reformën në drejtësi ose të mbyllen përjetë atje”, e ka quajtur thjeshtë –skandaloze. Në vazhdim ai ka theksuar mos u habisni  se edhe SHBA-ja jo rrallë ka gabuar në ceshtje të mëdha  (si lufta e dyte në Irak etj), dhe jo më për reformën e drejtësisë në Shqipëri që s’është asgjë para problemeve që ajo ka.

Le ta shikojmë problemin nga këndshikimi i qeverisë. Duke qenë se Kryeministri Rama me stafin e tij ka dështuar në këto tre vite qeverisje në të gjithë komponentët që ka premtuar para elektoratit shqiptar, mendon se një vit para zgjedhjeve,  është momenti i duhur  ta trasferojë vemendjen e publikut në një fushë të mprehtë dhe që nuk i përket përgjegjësisë së tij, pra tek drejtësia.  Ai mendon se kjo fushë  aktualisht është e kapur nga opozita (dhe pjesërisht edhe nga LSI-ja) dhe përpiqet ti faturojë një pjesë të dështimeve.Por nga ana tjetër  këtë ai  se duron dot , sepse i don të gjitha instrumentat në dorën e vet dhe të shtyp këdo që i del përpara. Ai  kurrë nuk  ka menduar dhe nuk  mendon të  bëjë reform (sepse ajo nuk i intereson), por si ta fusi ate nën ombrellën e tij dhe më pas ti bëjë gropën politikisht dhe penalisht Sali Barishës, Ilir Metës  dhe Lulzim Bashës dhe të marrë kështu flamurin e fitimtarit politik. Nisur nga ky qëllim, fillimisht bëri draftin e reformës vetë duke anashkaluar  opozitën, pas dështimit të parë dështoi dhe me rekomandimet e Komisionit të Venecias, pastaj dështoi për blerje votash, pastaj dështoi për të ashtuquajturin referendum, pastaj me zgjedhje të parakohëshme dhe në fund duke luajtur lojën e letrës bardh (bëjeni ju të  PD-së reformën në dakortësi  me SHBA-në dhe BE-në dhe unë do t’ju a firmos), duke luajtur rolin e “ lidershipit madhor”, se është i  dëshiruar në dështimin e reformës dhe nga dështimi të marrë kapital politik për zgjedhjet e ardhëshme. Thjeshtë luftë politike, por as sesi reformë  për interesin publik.

Opozita e ka vlerësuar reformën, është impenjuar seriozisht dhe ka punuar fort në cdo fazë,  draft, e  paragraf  të  saj nisur nga dy arsye kryesore. Së pari se vendi dhe e ardhmja  kërkojnë një drejtësi  të fortë, të pavarur,të pa anëshme, të pa kompromentuar dhe të besueshme nga faktori i brendëshëm dhe ai ndërkombëtar. Së dyti ,  duke ditur natyrën dhunuese e brutale të Ramës, ka qenë “vigjilente” në  mbylljen teknike e profesionale të të  gjitha  shtigjeve, që cojnë në përzgjedhjen e forumeve dhe të  kandidaturave  për të mos mundësuar kapjen nga qeveria. Ajo ka qenë shpesh herë stoike në mbrojtjen e qëndrimeve të saj, sa ka marrë mbi vehte edhe goditjet e ndërkomtarëve. Por kjo deri tani nuk i ka bërë keq se nuk ka qenë me tepri. Në këtë betejë të fortë  politike, megjithëse Rama ka patur më shumë  “artileri të rëndë” në mbështetje, Basha ka qenë i matur, prudent dhe në përgjithësi po pozicionohet si fitimtar.

Por në paragrafin e parë të këtij shkrimi kemi shtruar pyetjen  se kjo që po ndodh aktualisht  për reformën në drejtësi ,është domosdoshmëri apo luftë politike?Kësaj pyetje tani mund ti përgjigjemi  se: të dyja janë ,por loja politike në këtë betejë është parasore. Pse është parësore? Sepse Rama  duke mendur vetëm për veten e tij, fillimisht e anash kaloi LSI-në në të gjithë veprimtarinë që bëri  me PD-në, duke lënë të kuptohet se vendimmarrja politike e ardhëshme do të jetë PS-PD (vetkuptohet pa LSI-në).Kjo lëvizje politike rezultoi e gabuar dhe për këtë Rama u detyru te  tërhiqet zvarrë nga llogorja në llogore deri tek dorëzimi  (me letrën e bardhë). Ai i trembet nje bashkimi të ri votash PD-LSI, se kjo lëvizje e conte atë në humbjen e maxhorancës dhe për rrjedhojë dhe  të postit kryeministror. Por nga ana tjetër  edhe LSI e din se një drejtësi e kapur nga Rama  vetëm ,është  më agresive për të se kapja e saj nga PD-ja. Prandaj LSI luan lojën politike me dy porta  gjithnjë në mbrojtje.Pra miqt e mi ,si të kalojë si të mos kalojë reforma ,më shumë e mbi të gjitha është lojë për interesa politike.

Lidhur për sa më lart edhe unë kam këndshikimin tim , i cili në thelb është i ndryshëm nga sa u trajtu më lart. Personalisht mendoj se Shqipëria ka nevojë për reform kushtetuese dhe se ndihma dhe asistenca amerikane janë domosdoshmëri. E them këtë sepse Kushtetuta që aktualisht kemi në fuqi, është miratuar pa pëlqimin e opozitës së asaj kohe  ( pra me më pak se gjysma e popullsisë së sotme)dhe asaj i janë bërë e po i bëhen aq shumë ndryshime sa i ngjanë një rrobe të arnuar keq. Shtoj asaj edhe ndryshimet e pritëshme në kuadër të reformës në drejtësi, dhe kuptohet se sa larg kemi shkuar. Mendoj se do të ishte shumë më e arsyeshme që nëpërmjet reformës  kushtetuese ti jepej zgjidhje edhe  reformës në drejtësi. Pra zgjedhja e Presidentit,gjyqtarëve, prokurorëve, avokati i popullit etj, të bëhej direkt nga populli dhe pa asnjë ndikim nga politika. Vetën kështu do të kishim organe të pa varura, drejtësi të pa kapur dhe të paanëshme.

Lidhur me besueshmërinë e asaj që po gatuhet e do të serviret si “reforma në drejtësi”, mendoj se do të gjendet një farë zgjidhje dhe do të kalojë me “konsensus” në parlament. Por nuk jam aspak i  bindur se do te sjellë ndonjë përmirësim të dukshënm të gjendjes. Ky pesimizëm  më vjen nga që shoh  që  Kryeministri, ministrat, deputetet, shtetarët e lartë, gjyqtarët, prokurorët  etj,  e  shkelin ligjin cdo ditë. Atëherë kur  lidershipi e shkel,  pse të mos  e shkel edhe dikush tjetër, por ky dikushi tjetër do të dënohet, kurse lidershipi-kurrë. Ku ishim…atje ,cfarë bëmë… asgjë.

Filed Under: Opinion Tagged With: APO VETEM, Asllani Bushati, LUFTE POLITIKE, REFORME NE DREJTESI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 553
  • 554
  • 555
  • 556
  • 557
  • …
  • 860
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Sot dita e lindjes së atij që i dha Shqipërisë Pavarësinë numër 2: Thomas Woodrow Wilson
  • DR. STEPHAN RONART (1933)  : “JA SI PJETËR BUDI DO TA RISHKRUANTE LETRËN E TIJ DËRGUAR 4 SHEKUJ MË PARË DUKËS SË SAVOJËS PËR TURIZMIN AKTUAL NË SHQIPËRI…”
  • PLUHUR VEZULLUES YJESH NGA LASGUSHI IM
  • BASHKËBISEDIM KULTUROR – Kristo Floqi dhe Komedia Shqiptare
  • MESAZHE TË BUKURA NJERËZORE
  • Kushtrim Shyti, djali i mësuesit, poetit dhe dëshmorit të UÇK-së, Mustafë Shyti, vizitoi Vatrën
  • KOSOVO CINEMA IN NEW YORK CITY: DOUBLE BILL WILL SCREEN IN MANHATTAN AND BRONX FOR BRONX WORLD FILM’S 15th ANNIVERSARY
  • NUK MUND TË ANASHKALOHET ROLI I ERNEST KOLIQIT NË FORMIMIN E MARTIN CAMAJT
  • MALI I ZI, VENDI KU KSENOFOBIA NDAJ SHQIPTARËVE ËSHTË NË RRITJE E SIPËR
  • “Kosova Lindore, dje, sot dhe sfidat e së ardhmes”
  • TIDENS TEGN (1929) / LETRA E EVELYN STIBOLT, MËSUESES NORVEGJEZE TË KUZHINËS SHKOLLORE : “EKSPERIENCA IME NË SHKOLLËN PËR VASHA NË KORÇË…”
  • FOTO – STUDIO VENETIKU dhe fotografja e parë shqiptare që vdiq në burgjet e diktaturës
  • KLINIKA E POEZISË, VISARI NË UNIVERSITETIN ILLINOIS, SHBA…
  • Dialogu dhe politika e jashtme e Kosovës, katër vitet vendimtare për shtetin
  • KRISHTLINDJET…

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT