• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Donald Lu & Romana Vlahutin – Dy heronj të kohës sonë!

July 24, 2016 by dgreca

Nga Elida Buçpapaj/

Titulli është huazuar me një ndryshim numerik nga romani i Lermontovit “Një Hero i Kohës sonë” që pa dritën e botimit fillimisht në revistën letrare ruse Otečestvennye Zapiski, aty  ku i botonin veprat e tyre edhe Gonçarov e Fjedor Dostoevskij. Vetëm titullin kam huazuar se dy heronjtë tonë nuk kanë asgjë të përbashkët me Peçorinin, dandy-n romantiko-Bajronik të zhgënjyer nga jeta.

Jo, dy heronjtë tanë janë e kundërta e Peçorinit. S’kanë lidhje fare me heronjtë e romanticizmit anglo-sakson apo rus.

Janë dy heronj të shekullit XXI, të këtij shekulli të mbytur nga indiferenca, konsumizmi ekstrem dhe dehumanizimi i shoqërisë në rrang global, ku mëshira nuk njihet më, ku në Mesdhe mbyten me mijëra refugjatë dhe askënd nuk e vret ndërgjegjia.

Ata janë dy heronj që puna i solli të vinin në vendin e Shqipeve, kthyer në vendin e horrave, ku gjithçka është në shitje, ku nocioni i së mirës është konvertuar me të keqen, ku s’ka solidaritet, s’ka humanizëm, ka vetëm ligj xhungle, ku më i forti e mund gjithmonë të dobtin vulnerabël, ku pandershmëria fiton, ku shpërdorimi i vlerave dhe i pushteteve është arma e suksesit, ku korrupsioni i ka marrë frymën shoqërisë shqiptare dhe ka kapur për fyti gjithë popullin, ku populli shqiptar është zhgënjyer për çerek shekulli nga mashtrimet e klasës politike e cila sot është omnipotente, sepse ka bindjen e thellë që me para ka mundësi të korruptojë edhe Zotin në qiell.

Ata janë dy heronj që i mbijetuan fushatës kriminale linçuese të ndërmarrë nga politika shqiptare, ku opozita dhe pozita janë la même chose, e njëjta gjë sepse përfaqësojnë klasën politike, shkaktaren kryesore të kësaj katrahure këta 25 vjet kohë e djegur.

Ata janë dy heronj që nuk iu trembën gjuetisë së shtrigave as undergrounde-ve me shpifje qëllimzeza për dëmtimin dhe rrënimin e imazhit të tyre.

Ata ia dolën të triumfojnë mbi të keqen që është mbjellë në Shqipëri nga kapja e shtetit prej oligarkisë politike që gjithçka e ka arritur jo përmes djersës të ballit por përmes shpërdorimit të pushtetit dhe votës së popullit.

Dy heronjtë e Shqipërisë sime të bukur, Donald Lu dhe Romana Vlahutin mbollën shpresën në tokën pjellore por të bërë shterpë nga padrejtësitë që e ka detyruar rininë shqiptare ta humbasë besimin se ekziston shteti i së drejtës  apo meritokracia, sepse të gjitha të mirat e vendit, vendet e punës e gjithçka janë në duart dhe tentakulat e kastës të pangopur të profiterëve politikë.

Kasta e anatemoi me të gjitha mjetet Amerikanin Donald Lu dhe Kroaten Romana Vlahutin. I pari vinte nga vendi që iu është gjendur më pranë shqiptarëve si askush në këtë botë; e dyta, vjen nga Kroacia, një vend ballkanik dhe mik i shqiptarëve, i integruar në NATO dhe BE, që lufton për të arritur standardet perëndimore, që fut në burg Kryeministrin e vendit kur ky i shkel ligjet e shtetit; ajo është bashkëpatriote me Kolinda Grabar-Kitarović, presidenten e Kroacisë, një figurë emblemë dhe model për të ardhmen e integruar të Ballkanit në BE.

Të dy Lu-Vlahutin, janë binomi që tronditi kënetën dhe status quo-në e klasës politike shqiptare, e cila ka në duart e veta dhe nën kontrollin e saj gjithçka, duke filluar nga listat e deputetëve deri tek të gjitha pushtetet, që kontrollon sistemin e drejtësisë, që ka nën kontroll gazetat, televizionet, portalet, kreun e shtetit, shërbimin sekret e gjithçka, duke e degraduar deri në skaj sistemin.

Për të treguar kalbjen e sistemit, po ju sjell vetëm një fakt që tashmë e dimë të gjithë. Disa ditë më parë anëtarja e Gjykatës së Lartë, Majlinda Andrea së bashku me të shoqin Odhise Andrea, që kishte bërë seksesin, janë akuzuar nga Prokuroria për korrupsion. Gjyqtarja e Gjykatës të lartë Majlinda Andrea kishte gjykuar Gërdecin, çështjen Mark Frroku, kishte dhënë pafajësi në vitin 2011 për Ilir Metën, dhe kishte qenë e vetmja që votoi kundër lehtësimit të masës së sigurisë ndaj deputetit Tom Doshi, ndërsa i shoqi i saj Odhise Andrea, ndaj të cilit prokuroria ka dhënë masën e arrestit, deri në momentin kur u kap me presh në duar, ka qenë  anëtar i Komisionit të Sigurisë në Kuvendin e Shqipërisë!

Kur një anëtare e Gjykatës të Lartë shitet, kur një anëtar i Komisionit të Sigurisë në Parlamentin e Shqipërisë blihet me 50 mijë Euro, a mund të më thoni, a ka Shqipëria sovranitet ?

Ne që dëgjojmë ditë e natë se si ulërasin me histerizëm se gjoja po shqetësohen për sovranitetin e vendit krerët e politikës shqiptare, kemi të drejtë të pyesim: a doli ndokush prej tyre të denonconte skandalin e Majlinda dhe Odhise Andreas, kur që të dy kishin vende kyçe në shtetin shqiptar?

E pra ky skandal është vetëm një mikro nga makro korrupsioni dhe krimi i organizuar, nga oktapodi që me tentakulat e tij ka kapur shtetin në çdo qelizë dhe e vetmja shpresë që ky vend t’i rikthehet jetës është reforma në drejtësi.

Kjo klasë politike nuk kishte për ta reformuar kurrë drejtësinë shqiptare, dhe do të bëjë gjithçka kundër reformimit, sepse drejtësia shqiptare ka fytyrën e klasës politike prandaj i urrejnë kaq fort dy heronjtë e kohës sonë.

Oktapodi i urren, por populli i do. Të të urrejë oktapodi dhe të të vlerësojë populli shqiptar, të cilit i kishte humbur edhe ajo që nuk vdes kurrë, shpresa!

Dy heronjtë e kohës tonë, Lu dhe Vlahutin, nuk u dorëzuan, ata dëshmuan se kauzat e fuqishme të japin shansin e fitimtarit.

Lu dhe Vlahutin i treguan popullit shqiptar se nuk duhet të rendin pas demagogjive boshe të politikanëve, por pas kauzave jetike!

Lu dhe Vlahutin meritojnë mirënjohje!

Sepse në një moment krize identiteti, kur politika e ka kthyer popullin në një turmë amorfe, dy njerëz të vendosur e guximtarë, i treguan rrugën e lirisë!

Filed Under: Opinion Tagged With: Elida Buçpapaj, heronjte..., Lu, Vllahutin

Reforma në drejtësi

May 9, 2016 by dgreca

* Ambasada e SHBA-së: Mbështetja unanime, e pazakontë në Shqipëri/

* Vlahutin: Ka ardhur momenti që KE në fund të vitit të japë rekomandimin për çeljen e negociatave /

Ne Foto: Ambasadori Donald Lu dhe  ambasadorja e BE-së, Romana Vlahutin, dy arkitektet e marreveshjes se detyruar/

TIRANË, 9 Maj/- Ambasada e Shteteve të Bashkuara mirëpret vendimin e Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi për të pranuar në parim draftin përfundimtar të ndryshimeve kushtetuese, të përgatitur sipas rekomanimeve të Opinionit Përfundimtar të Komisionit të Venecias.

“Mbështetja unanime për këtë vendim duhet t’i japë popullit shqiptar shpresën se tani udhëheqësit politikë janë të përkushtuar ndaj miratimit të kësaj reforme”, thuhet në një deklaratë për shtyp të ambasadës amerikane.

Ambasada e SHBA-së vlerëson se mbështetja unanime është e pazakontë në Shqipëri, ndaj dhe përgëzon Komisionin e Posaçëm për këtë hap të rëndësishëm përpara në reformën në drejtësi.

Vlahutin: Ka ardhur momenti që KE në fund të vitit të japë rekomandimin për çeljen e negociatave 

Miratimi në parim i Reformës në Drejtësi nga komisioni i posaçëm duket se është pritur mjaft mirë nga ndërkombëtarët. Pas reagimit të Ambasadës Amerikane, është shprehur edhe ambasadorja e BE-së, Romana Vlahutin.

Ambasadorja e BE-së tha nga Shkodra se ka ardhur momenti që KE në fund të vitit të japë rekomandimin për çeljen e negociatave për anëtarësim në BE. “Jam e lumtur që sot u votua në parim drafti për reformën në drejtësi. Votimi është një lëvizje e mirë, por gjërat ende nuk kanë përfunduar. Vendi ka shumë punë, por kjo do të jetë pika e kthesës”, tha Romana Vlahutin….

***

NJOFTIMI I ZERI TE AMERIKES

Reforma në Drejtësi Miratohet në parim

Tiranë, 9 Maj 2016- Votë në favor edhe opozita. Palët në Komisionin e Posaçëm ranë sot dakort që t’i hapin rrugë diskutimit nen për nen. Vendimi përshëndetet nga ambasada amerikane dhe ambasadorja e BE-së

Në Shqipëri Komisioni i Posaçëm i Reformës në Drejtësi ka miratuar sot në parim projektin e ndryshimeve kushtetuese, të rishikuar nga ekspertët e Misionit amerikan të Ndihmës ligjore OPDAT dhe atij europian EURALIUS. Miratimi është bërë në unanimitet si nga përfaqësuesit e shumicës dhe nga ata të opozitës, duke i hapur rrugë diskutimeve nen për nen. Vendimi u përshëndet menjëherë si nga ambasada amerikane ashtu dhe ambasadorja e delegacionit të Bashkimit europian.

Mbledhja e sotme e Komisionit të Reformës, ishte paraprirë nga jo pak dilemma. Një natë më parë opozita duke shprehur qëndrimin e saj në favor të tekstit të rishikuar nga ekspertët e misioneve amerikane dhe europiane, OPDAT dhe EURALIUS, ishte shprehur kundër miratimit të saj në parim, si një “procedurë ekstrakushtetuese”. Megjithatë duket se situata kishte evoluar dhe palët ranë dakort gjatë që ta votonin në parim.

Pas mbledhjes nënkryetari i Komisionit demokrati Eduard Halimi e shpjegoi se “Vota jonë pro fillimit të procesit të amendamenteve, të diskutimeve nen për nen të amendamenteve Kushtetuese, nuk duhet të interpretohet, ashtu siç dhe u ra dakord në mbledhje, nuk duhet të interpretohet si një votë pro çështjeve politike, të cilat ekspertët e misionit të EURALIUS dhe OPDAT nuk i kanë marrë në trajtim”

Kryetari i Komisionit socialisti Fatmir Xhafaj e quajti votimin e sotëm në parim “një hap të mirë përpara. Me këtë votë në parim, sot i hapet rruga diskutimit nen për ne të procesit në ditët në vijim, votimit në tërësi dhe më pas shqyrtimit në seancën plenare në kuvendin e Shqipërisë”

Sipas opozitës, projekti i rishikuar ka përfshirë përmirësime të shumta, por se do të duhet të diskutohen diskutohen pikat për të cilat janë ofruar disa zgjidhje. “Janë çështje që kanë të bëjnë me institucione të reja Kushtetuese dhe me emërimet e këtyre institucioneve apo me ndërprerjen e mandateve kushtetuese, janë çështje politike për të cilat qoftë ekspertiza ndërkombëtare, qoftë Komisioni i Venecias pothuajse në të gjitha paragrafët e tij, ia adreson politikës”, deklaroi zoti Halimi.

Nga ana e tij zoti Xhafa tha se ka propozuar një kalendar intensiv punimesh për ditët në vijim: “E kemi ndarë procesin në 6 kapituj dhe kam propozuar një axhendë të ngjeshur pune anëtarëve të komisionit dhe shpresoj të ecet me këtë ritëm, me shqrtimin e cdo kapitulli hap pas hapi. Nëse ka realisht vullnet të sinqertë ne do të mund të përfundojmë në kohë të gjithë këtë proces”

Vendimi i sotëm i Komisionit u përshëndet menjëherë nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara. “Mbështetja unanime për këtë vendim duhet t’i japë popullit shqiptar shpresën se tani udhëheqësit politikë janë të përkushtuar ndaj miratimit të kësaj reforme. Mbështetja unanime është e pazakontë në Shqipëri dhe ne e përgëzojmë Komisionin e Posaçëm për këtë hap të rëndësishëm përpara në reformën në drejtësi”, thekson deklarata e Ambasadës amerikane.

Ndërsa nga Shkodra, ambasadorja e delegacionit të Bashkimit Europian Romana Vlahutin, shprehu një entuziazëm të përmbajtur: “Është një lëvizje e mirë, por gjërat nuk kanë përfunduar deri në momentin që do të përfundojnë me të vertetë. Megjithatë, kjo është shumë e rëndësishme, sepse është krijuar tashmë momenti i duhur në mënyrë që, në fund të këtij viti, me punën që do të bëjmë së bashku, ne të krijojmë mundësinë që Komisioni Europian të japë një rekomandim pozitiv për çeljen e negociatave për Shqipërinë. Prapë, do të duhet shumë punë, sepse edhe në rast se votimi i reformës do të bëhet plotësisht , atëherë duhet të shikojmë edhe elementet e parë të zbatimit të mirë dhe të duhur të kësaj reforme. Por, sinqerisht, kjo do të jetë pika e kthimit”, u shpreh ambasadorja Vlahutin në mesazhin e saj për Ditën e Europës.

Edhe drejtuesit më të lartë të shumicës, kryeministri Edi Rama dhe kryetari i parlamentit Ilir Meta, përshëndetën vendimin e marrë duke e cilësuar si mesazhin më të mirë pikërisht në Ditën e Europës.

 

 

Filed Under: Komente Tagged With: Lu, Reforma ne Drejtesi, Vllahutin

Artikujt e fundit

  • AT SHTJEFËN GJEÇOVI DHE DR. REXHEP KRASNIQI, APOSTUJ TË IDESË PËR BASHKIM KOMBËTAR
  • Marjan Cubi, për kombin, fenë dhe vendlindjen
  • Akademik Shaban Sinani: Dy popuj me fat të ngjashëm në histori
  • THE CHICAGO TRIBUNE (1922) / WOODROW WILSON : “NËSE MË JEPET MUNDËSIA NË TË ARDHMEN, DO T’I NDIHMOJ SËRISH SHQIPTARËT…”
  • SHQIPËRIA EUROPIANE MBRON HEBRENJTË NË FUNKSION TË LIRISË
  • KONGRESI KOMBËTAR I LUSHNJES (21-31 JANAR 1920) 
  • Një zbulim historik ballkanik
  • VATRA DHE SHOQATA E SHKRIMTARËVE SHQIPTARO-AMERIKANË PROMOVOJNË NESËR 4 VEPRA TË PROF. BESIM MUHADRIT
  • Që ATDHEU të mos jetë veç vend i dëshirës për të vdekur…
  • KAFE ME ISMAIL KADARENË
  • Kosova paraqet mundësi të shkëlqyeshme për investime
  • PARTIA NUK ËSHTË ATDHEU, O KOKËSHQOPE
  • 50 VJET VEPRA POETIKE KADARE
  • IT’S NOVEMBER 28TH
  • Një arritje për shqiptarët në Michigan

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT