nga Abdurahim Ashiku-Athinë/
Një rreth i madh me flamuj e banderola, dy qeveri qark e qark, dy kryeministra me një numër të madh ministrash që ua kalojnë edhe qeverive me qindra milionë (pse jo miliarda) banorë…
Shqip flasin të gjithë në rrënjë të një toke, të një kombi e të një gjuhe…
Një duzinë marrëveshjesh thithin bojën e firmave të të gjithëve.
Njëra prej tyre për “Organizimin e Përbashkët të Mësimit të Gjuhës Shqipe dhe të Kulturës Shqiptare në Diasporë dhe Mërgatë, më tërhoqi vëmendjen dhe dua që të shpreh dilemat e mia.
Së pari më bënë përshtypje fjalët “Diasporë dhe Mërgatë”, mësimi i gjuhës shqipe dhe i kulturës shqiptare.
Mbase e kam gabim por Diasporë të mirëfilltë shqiptare ku gjuha shqipe dhe kultura shqiptare janë “në këmbë” gjen vetëm tek Arbreshët e Italisë. Ata edhge pse kanë kaluar më se pesë shekuj ikje masive dhe vendosje në “çizmen” e gadishullit të Apeninëve, e kanë ruajtur, madje vazhdojnë ta ruajnë gjuhën e të parëve të tyre. Madje shkrimtarë të mëdhenj të tyre dhe të gjithë Kombit Shqiptar si De Rada, Gavril Dara i Riu, Zef Serembe, Jul Variboba dhe të tjerë, kanë shkruar shqip, me një shqipe që të hyn e të mbetet në shpirt.
Flitet në mënyrë folklorike (madje kohët e fundit janë bërë edhe emisione televizive) për shqiptarët e Turqisë, arnautët, për numrin e tyre që citohet (pa dhënë burime) se i kalojnë të pesë milionët.
Nuk po shkruaj për shqiptarët nizamë të Perandorisë Otomane që të shtuar e kryqëzuar me etni të tjera u nuk e di në u ka mbetur në spiralen e ADN-së ndonjë gen i moçëm shqiptar.
Po marr një shembull të vonë, të periudhës 1913-1971, periudhë kur shqiptarët e viseve që mbetën jashtë kufirit të pa precedent të Londrës, u dëbuan me dhunë në Turqi, shqiptarëve nga trevat e Kosovës, Malit të Zi, Medvegjës, Bujanovcit, Maqedonisë dhe Çamërisë.
Nga të dhënat më të afërta që japin botimet e bëra në Jugosllavi del se nga trevat e Kosovës, Malit të Zi, Medvegjës, Bujanovcit dhe Maqedonisë, pas Luftës së Dytë Botërore janë shpërngulur për në Turqi 400.000 shqiptarë (nga të cilët 203.000 vetëm për vitet 1955-1958).
Këta 400 mijë (pa folur për ata që u shpërngulën me dhunë para Luftës së Dytë Botërore) nuk kanë hapur as edhe një shkollë të vetme që fëmijët e tyre ta mbajnë gjallë dhe ta zhvillojnë gjuhën e mëmës dhe të gjyshes, të babait dhe të gjyshit. E kanë lejuar veten të asimilohen plotësisht.
A mundet të mendohet e veprohet që këta njerëz që tash e shumta është të thuhet se “janë me origjinë shqiptare” të shkojnë në shkollë dhe të mësojnë gjuhën e kulturën shqipe?
Për arvanitët në Greqi studiues (hamendësues) flasin e shkruajnë për tre apo edhe katër milionë. Bëhet fjalë për një popullsi shqiptare shekullore, më larg e më gjatë se sa shekulli skënderbegian. Arvanitët ishin shtylla e revolucionit grek që nisi më 25 mars 1821 për pavarësinë e Greqisë nga pushtimi otoman. Emra të përveçëm komandantësh legjendarë arvanitasish i dëgjova të përmenden sot në parakalimin e forcave të armatosura greke në Athinë në Ditën Kombëtare të Greqisë, emra heronjsh “grekë”.
Arvanitët në Greqi janë asimiluar në masë absolute. Gjuhën e gjysh-stërgjyshëve të tyre mund ta gjesh në individë të vjetër jeta e të cilëve është rrotulluar rreth fshatit të tyre malor, kryesisht në familje blegtore që tërë vitin me delet “flasin”.
Kam njohur, intervistuar, kam qenë në stanin e tij të deleve, madje edhe në shtëpinë e tij në një fshat malor, një arvanitas që kur e takova për herë të parë më tha: “Jam njëqind pa tre vjet”. Dhe kur pas shumë takimesh e takova për të fundit herë para se të largohej nga kjo botë bashkë me thesarin e gjuhës së të parëve vitin e kaluar më tha “Jam njëqind edhe katër vjet”.
I kam botuar intervistat me Të në pastërtinë e shqipes së të parëve të tij. Kur një ditë u ngjita në fshatin e tij në Kukurin në male dhe i dhurova librin “Rilindësit e kohës sonë” me intervistën dhe fotografinë me Të, ndjeva dramën dhe tragjedinë e shqipes në shpirtin e tij. Ai, pasi e përkëdheli faqen e librit me duart e një shekullori më tha: “Po unë nuk di të lexoj”. Pashë një rrjedhë loti të nxehtë tek mbushte e kapërcente rrudhat e fytyrës së tij të vrarë nga jeta dhe nga brenga.
Nuk e di në se qeveritë dhe ministritë tona të arsimit në Shqipëri dhe në Kosovë mund të flasin për “Organizimin e Përbashkët të Mësimit të Gjuhës Shqipe dhe të Kulturës Shqiptare në Diasporë…” dhe të arrijnë diçka. Shikuar në realitetin dhe përvojën time në mërgim kjo më duket, e largët në mos utopi.
Diaspora, “fara e shpërndarë shqiptare” në Evropë, Azi, Amerikë, sado që dy shtetet dhe dy ministritë përkatëse të arsimit në Shqipëri dhe në Kosovë të mundohen, nuk mundet dhe nuk do të mundet të futet në hullinë e mësimit të gjuhës shqipe. Ata tashmë janë të asimiluar 99 për qind…
Për Mërgatë Shqiptare mund dhe duhet të flitet, madje të bërtitet që ajo, që fëmijët për të cilët bëhen demonstrata në Greqi për “nënshtetësi greke”, ta mbajnë në gojë gjuhën dhe kulturën shqiptare tash sa janë gjallë gjyshet dhe gjyshërit e tyre.
Është fjala për brezin e ri të mërgimtarëve, brez të pas vitit 1990, në Shqipëri dhe në Kosovë e viset e tjera shqiptare.
Të mendosh për të tashmen e mbajtjes gjallë të gjuhës shqipe në Greqi, Itali, Gjermani, Angli, Francë, Austri, Gadishullin Skandinav…është çështje e ditës, e urgjencës, e të sotmes dhe të ardhmes.
Mërgata shqiptare në Evropë e kalon numrin e një milionë shqiptarëve, mërgimtarë që janë të tubuar, që jetojnë në një pallat, në një lagje, në një qytet apo ishull, që takohen përditë, që pinë kafe e flasin për politikë, që janë të organizuar në shoqata e federata, që zhvillojnë festivale folklorike, që botojnë libra në shqip e që hapin ekspozita, që mbushin rreth 60 për qind të orkestrave të Athinës e Selanikut…
Një vlerë që as është vlerësuar dhe me përjashtim të fushatave elektorale për thithjen e votave me autobusë blu apo rozë, nuk është lakuar.
Është vlerë e jashtëzakonshme atdhetare e mësueseve dhe mësuesve shqiptarë në Greqi, Rilindës të Kohës Sonë, që kanë gjetur guximin dhe trimërinë që edhe në një vend ku gjuha shqipe ka qenë në prushin e djegies, të hapin shkolla (siç i quajnë, kurse siç janë në të vërtetë) nga Veriu në Jug të Greqisë, nga Stereja në ishuj të Jonit e të Egjeut. Nuk janë pak por mbi 60 mësues me histori mësimi të gjuhës shqipe që nis më 7 mars 2001 në Selanik për të vazhduar në Athinë, Korinth, Patra…e deri në ishullin e Tinosit dhe të Sirosit ku një mësuese me atdhetarizëm të çuditshëm kalon detin dhe u mëson fëmijëve të dy ishujve të shkruajnë, lexojnë e këndojnë shqip.
Ka një histori të shkruar për mësueset shqiptarë në Greqi përmbledhur në tre libra dhe në dhjetëra shkrime gazetash në gjuhën shqipe. Ka një prezantim dinjitoz të mësuesve shqiptarë në Greqi në tetë seminare (nga dhjetë të tillë) organizuar nga ministritë e arsimit të Kosovës dhe Shqipërisë në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni dhe Mal të Zi.
Kosova ka përvojë për mësimin e gjuhës shqipe në Mërgatë. Ka krijuar një legjislacion për këtë, një “Udhëzim administrativ për shkollat e mësimit plotësues në gjuhën amtare në diasporë” me 22 nene në përgjegjësi për mësimin e gjuhës shqipe. Kosova ka dy ministri, Ministrinë e Arsimit dhe të Teknologjisë” dhe “Ministrinë e Diasporës” që merren me mërgatën kosovare në Evropë e në botë të cilat kujdesen që edhe në shkollat e “rrethit polar” librat të shkojnë drejt e në dorën e fëmijëve në klasë.
Duhej mësuar gjatë këtyre 7 viteve Kosovë të Pavarur dhe duhej thithur kjo përvojë.
Duhej gjetur forma që mësuesit shqiptarë në Greqi të trajtoheshin moralisht dhe materialisht.
Mund të them se kjo ka qenë dhe është larg vëmendjes së shtetit e në veçanti të ministrisë së arsimit, asaj blu dhe kësaj rozë.
Me përjashtim të abetareve (për të cilët mburret Ministria) rruga e të cilave ka përshkuar vijën Ministri e Arsimit-Ministri e Punëve të Jashtme për tu ndaluar në Ambasadën Shqiptare në Athinë apo Konsullatat Shqiptare në Janinë e Selanik nuk mund të flitet për ndihmë për mësuesit dhe nxënësit në Greqi.
Madje për ta, për mësuesit shqiptarë që udhëtuan nga skajet e Greqisë në Ulqin të Malit të Zi në seminarin e vitit 2013 Ministria e Arsimit dhe e Sporteve nuk u pagoi as biletat e udhëtimi (!)
***
Ditën e nënshkrimit të “Marrëveshjes së bashkëpunimit për Organizimin e Përbashkët të Mësimit të Gjuhës Shqipe dhe të Kulturës Shqiptare në Diasporë dhe Mërgatë” i ndoqa ministrat Bajrami dhe Nikolla në një bashkëbisedë në ekranin e vogël të emisionit “Shqip”. Nuk pashë dritë në “tunelin” e mësimit të gjuhës shqipe nga fëmijët e mërgimtarëve. Marrëveshjes i mungon mbështetja financiare e shtetit shqiptar, pagesa e mësuesve për mësimin që bëjnë, vlerësimi i tyre me të njëjtën masë si të gjithë mësuesit shqiptarë në Shqipëri, një ligj kuvendar si detyrim nga kushtetuta, nga neni 8 i saj ku thuhet se…”Republika e Shqipërisë u siguron ndihmë shtetasve shqiptarë që jetojnë e punojnë jashtë shtetit për të ruajtur e zhvilluar lidhjet me trashëgiminë kulturore kombëtare”
Një ligj me faturë financiare pas dhe jo me fjalë që fluturojnë pa bërë vend askund.
Abdurahim Ashiku
Athinë, 25 mars 2015
Përplasjet e pushteteve dhe maturimi i politikës shqiptare
Nga ARTUR AJAZI
Në të kaluarën, dhe para diktaturës komuniste, ekzistonte një histori që nuk është futur zyrtarisht në analet e arkivës shtetëtore por që mund të tregojë edhe sot një shënjë të një emancipimi dhe respekti për personalitetet si të njërit krah, të atëhershëm të politikës ashtu dhe të anës tjetër nga e cila mund të merret eksperiencë edhe sot pas më shumë se 78 vitesh.Në kohën kur Ahmet Zogu u bë Mbret me anë të Asamblesë Parlamentare, pavarësisht nga pakënaqësitë e ngritura nga pala tjetër dhe nga politikanë të veçantë shqiptarë për moszbatim dhe thyerje të ligjeve, një nga rilindasit që sot po përmëndet më pak megjithë kontributin e tij të rëndësishëm në pavarësinë e Shqipësë Mihal Grameno kreu një akt qytetarie prej njeriu të civilizuar. Ky rilindas ishte nga të rrallët që nuk ngriti zërin për të ashtuquajtën ‘state capture’ të atëhershëm të Ahmet Zogut. Kjo pasi Zogu grumbulloi në duart e tij të gjithë pushtetet e mundëshme për 15 vite rresht. Por kur e pyetën Mihal Grameno se “përse nuk e kundërshtoi këtë veprim të Zogut” ai u përgjegj kështu “unë luftova të bëhet Shqipëria e pavarur, dhe Shqipëria është e pavarur tashmë, mua nuk më intereson kush nga shqiptarët është në krye të shtetit, më intereson që Shqipërinë ta qeverisin shqiptarët”. Dhe Mbreti Zog u tregua shumë tolerant me Mihal Gramenon, duke lidhur një pension të përjetshëm, madje Grameno vdiq i nderuar në atë kohë. Sa për sot, një nga anët më negative të karakterit të shqiptarëve “harresa” po vepron akoma pa mëshirë njëlloj si një kompjuter të cilin të rinjtë që e përdorin këtë mrekulli të hi-tech-ut lehtësisht, po aq lehtësisht përdorin edhe siglën “delete” për të hequr tepricat nga programi, pra duke dëmtuar historinë e djeshme dhe të sotme duke patur një efekt të rrezikshëm për të ardhmen. Por çfarë po ndodh sot me përplasjet mes pushteteve për kompetencat ? Personalisht mendoj se është një skandal i madh debati mes ekzekutivit dhe pushtetit gjyqësor për zotërim, apo anashkalim e kompetencave. Edhe sot pas 24 vitesh tranzicion, akoma mbizotëron paragjykimi i së kaluarës që “po humbe pushtetin humbet gjithçka”. Të dy kampet harrojnë se si i vendosin shtabet e pushteteve të tjera kur fitojnë zgjedhjet ? Ka një gjë të rëndësishme që nuk duhet harruar, që është respekti ndaj Kushtetutës dhe garant i saj nuk është vetëm Presidenti, por të gjitha pushtetet janë në një farë mënyre edhe garantë edhe zbatues të saj. Përplasjet e forta midis ekzekutivit dhe pushteteve të tjera si atij gjyqësor dhe atij të prokurorisë janë në fakt të ngjashmë me përplasjet e “prindërve me bijtë” e tyre kur këta të fundit janë në adoleshencë. Maturimi vjen nëpërmjet zgjidhjes së konfliktit ligjor duke zbatuar Kushtetutën. Nuk mundet të zgjidhet një problem duke e paragjykuar atë apo duke bërë zhurmë me qëllim që të mbulohet diçka tjetër më e keqe si korrupsioni, dhe që prej asaj diçkaje të keqe, të mbuluar me kujdes, njëri krah politik që humb pushtetin, të mundohet të rifitojë pushtetin në zgjedhjet e ardhshme duke bërtitur për drejtësi etj. Problematikja që ekziston në këtë konflikt juridio-ligjor midis ekzekutivit dhe pushteteve të tjera është mungesa e besimit dhe mungesa e dëshirës për bashkëpunim mes kaheve të politikës , duke paragjykuar që në fillim marrjen e pushtetit nga ana e koalicionit kundërshtar. Përplasjet mes pushteteve i shoh si një ekuacion matematikor në të cilin janë vendosur gjithashtu me kujdes të gjitha të panjohurat, kurse përfundimi është diçka e paqartë sepse, duke e ditur që lufta për çmontimin e korrupsionit është një nga luftrat që s’mbaron me mbarimin e një mandati elektoral. Çdo koalicionit qeverisës do ti duhet të përballet me një “armik” që pëson mutacione aq të çuditëshme sa edhe vetë pushteti ekzekutiv. Eliminimi i efekteve anësore në pushtetin ekzekutiv po ashtu si dhe në pushtetet e tjera i ngjan thënies se dikurshme të Leninit se “korrupsioni (ose kapitali|) formohet çdo ore, çdo ditë, çdo jave, çdo muaj, çdo vit”. Ndaj si i tillë nuk mund të shmanget duke hequr një prokuror apo dy-tre anëtarë të KLD, por vetëm me bashkëpunim, transparencë, dhe respekt i dyanshëm midis dy krahëve kryesorë të politikës. Rrugë tjetër s’ka sepse këtë kërkon dhe BE. Maturimi i politikës nëpërmjet zgjidhjes së konflikteve juridiko-ligjore me anë të kompromiseve politike, është e qartë që kërkon durim dhe zgjuarsi. Realisht megjithëse e dyta është me tepri në të dy anët e spektrit të politikës shqiptare, ajo e para është një difekt që e ka origjinën në reminishencat e së kaluarës të disa politikanëve. Disa politikanë të partive të mëdha e kanë mundësinë e bashkëpunimit dhe të hedhin ura paqtimi që Shqipëria të ketë mundësinë të hedhë një hap drejt integrimit të vërtete duke e kaluar hendekun e pabesisë, bizantinizmave, intrigave politike. Ky hendek vazhdon të pengojë të mënçurit, dhe të grumbullojë mediokrit, të cilët në fushata elektorale bërtasin e i ankohen elektoratit derisa dalin nga hendeku, duke krijuar fenomenin e marrëzisë, poshtërsisë dhe miopisë, por që fatkeqësisht po jetojnë gjatë si aktorë politikë.
‘FUKARALLEK-MASKARALLEK’
Opinion nga Faik KRASNIQI/
Në planin familjar këto smirat ose gec-mecet ekzistojnë me shumicë kudo! Unë kam parë me bollëk këtejza dhe andejza! (shqiptare dhe jo shqiptare!). Rrugëzgjidhja më e mirë për këto është ndarja e hesapeve sipas fjalës së urtë “gardhet e mirë bëjnë fqinjë të mirë” (Good fences make good neighbours!). Por ne shqiptarët besojmë shumë në familje dhe në të afërm që është gjë e mirë në parim por që bëhet shkak i të gjitha problemeve që dëgjojmë lart e poshtë! (psh: besojmë të na ruajë kursimet që kemi punuar për vite të tëra në emigracion, punë borxhesh etj dhe kur zhgënjehemi fillojmë ankohemi!). Në qofte se hesapi është i ndarë dhe i afërmi yt qoftë vëlla ose më larg ose më afër nuk ka asnjë mundësi të të dëmtojë ty ekonomikisht atëherë pak rëndësi ka se çfarë mendon ai në kokën e tij për mua por rrjedhimisht problemet janë më të pakta! Kurrë zero, asgjëkundi nuk janë zero!
Në planin profesional – suksesin jo vetëm shqiptari por askush nuk ta fal kudo që të jesh! Suksesi arrihet me përpjekje, edukim, shkollim, punë me radhë në mënyrë të vazhdueshme! Për mua ndryshimi themelor është sa njihet ose vlerësohet suksesi juaj nga ambienti ku jeton! Këtu fillon tatëpjeta në realitetin anadollak shqiptar!
Sa e sa intelektualë të zotë me vite të tëra eksperiencë në Shqipëri, Kosovë ose nëpër botë (ndoshta edhe shumë peshq të tille), detyrohen të qëndrojnë akoma jashte shtetit. Kjo shtresë e çmuar harxhon gjithë aftësitë e tyre duke shkruar nëpër blogje ose thjesht duke bërë një punë sepse u duhet të jetojnë dhe nuk bëhet fjalë për kthim sepse ata janë të papranueshëm në realitetin/mentalitetin alien shqiptar atje poshtë! Po ashtu ka plot që ndihen të plotësuar në vetvete – sepse u është vlerësuar aftësia atje ku janë kur atdheu nuk ishte në gjendje t’i çmonte ata/ato ose kanë arritur shumë nga ana profesionale nëpër vendet ku jetojnë aq shumë sa që nuk u shkon në mendje të kthehen!
Një nga arsyet e ashpërsisë të atij realiteti është – në një vend të varfër vendi i punës është një çështje jetë ose vdekje – kjo sjell xhevaire të tjera psh: manipulim të zgjedhjeve ose politikani nuk i hap kutitë për jetë ose vdekje sepse ky deputet ditën tjetër përfundon si dominoxhi në kafene pa punë, vendi i punës shitet me para nën dorë (psh 5000 euro etj) dhe jo me meritokraci ose konkurenca midis bizneseve shkon deri në eleminime fizike dhe kjo nuk ndodh vetëm në Shqipëri dhe Kosovë, por tek ne është më barbare (kërcet sëpata në mes të ditës!).
Kur ushtria po kalonte nepër pyll, dhe gjenerali theu një degë atëherë ushtria shkretoi pyllin). Prandaj këto vende duken sot si nje pyll i shkretuar!
Po e lë me kaq! Ndoshta e gjitha më sipër mund të përmblidhej në dy fjalë “fukarallëk- maskarallëk”!
JANULLATOSI SHËRBËTOR BESNIK I GREQISË NË SHQIPËRI
NGA Rasim Bebo -Addison IL./
Hierarku ortodoks Janullatos, ka një detyrë të caktuar kishtare në Shqipёri. Ai e gjykoi se fronti më i mirë për t’i shërbyer Greqisë, do të ishte pikërisht qëndrimi në Shqipëri. Propozimi i kryeministrit grek për Z. Janullatos ishte një vlerësim i lartë për besnikërinë e tij ndaj Greqisë, sepse ai i ka kryer mirë detyrat në shërbim të kombit grek. Një karrierë 24 vjeçare kushtuar tërësisht atdheut të tij Greqisë, veçanërisht brenda territorit të Shqipërisë. Ai ka miratuar një statut kishtar, ku nuk figuron kombësia shqiptare. Ka zhvlerësuar arritjet që klerikët e lartë shqiptarë si Fan Noli, Visarion Xhuvani, Kristofor Kisi etj, vunë në themelet e kësaj kishe. Kohët e fundit Kryeministri grek Cipras shprehu hapur një të vërtetë të madhe: “Janullatosi ka punuar shumë për Greqinë…” Pra, ju zoti Kryeministër, jeni një besimtar ortodoks që i jeni futur në themel edhe tradhtisë kundër kombit shqiptare, duke inkurajuar Janullatosin, që punon këtu për Greqinë!…
Duke parë në një video, të kohës kur Janullatosi ka ardhur në krye te K. O. A. Sh. nuk ke se si të mos tronditesh dhe të ndjesh urrejtje, kur shqiptarët thërrisnin brenda në kishë duke thënë: “Jashtë Janullatosi, Jashtë Janullatosi!” Dhe më vonë këndojnë: “Për Mëmëdhenë, për Mëmëdhenë!…” Atëherë Janullatosi doli fshehtas jashtë, nga një deriçkë e kishës me kapobandën e priftërinjve të ardhur nga Athina dhe pak trutharët lakenj shqiptare që shoqëruan për në hotel Tirana, ku duke përplasur gotat kurorëzuan Janullatosin. A nuk është ky një mashtrim që punoi në dobi të grekut? Si mos të flasim kundra kryepeshkopit që ka uzurpuar K. O. A. Sh.
Se si ju i jeni futur tradhtisë, mësojeni edhe nga historiani grek Nikolla Stavros që thotë: “Futja në dorë e kishës shqiptare është fitoria më e madhe e jona në Shqipëri në shekullin e XX”. (E. Y.). Ndërsa ju na akuzoni se jemi, “kundër kryepeshkopit me etiketime të sëmura… plot urrejtje kundër Greqisë”. Si mos të revoltohemi, kur Janullatosi ka deklaruar në gazetën greke “Kathemerini” “Nuk e kuptoj idenë e shqiptarëve, se feja e shqiptarit është shqiptaria. Këtë tezë do ta luftojmë, duke dalë hapur kundër Rilindjes Kombëtare Shqiptarë”. (E. Y.).
Sa shpejtë iu përgjigj Kryeministri Edi Rama dhe ministërja e arsimit Lindita Nikolla, me bordin pro grek, më 28 tetor 2014, kur nxorën literaturën e Rilindasve Kombëtarë jashtë përdorimit nga shkollat 9-vjeçare, shkollat e mesme si dhe nga bibliotekat, po ashtu edhe të gjithë literaturën e Kosovës… FATKEQËSI KOMBËTARE!…
Ju klerikë dhe disa lakej ortodoksë shqiptarë, po vazhdoni rrugën e gjyshërve dhe baballarëve tuaj që ndihmuan peshkopët grekë, si peshkop Karavangjelin e Kosturit, Jakovin e Durrësit, Dorotheun e Paramithisë dhe Fotin e Korçës, që Bajo Topulli ia numëroi në lule të ballit, si tradhtar i kombit. Këta peshkopë ndihmuan andartët grekë në raprezaljet e vitit 1912, 1913 dhe 1914 dhe më vonë. Spiunuan te komanda franceze rilindësin e shquar, Themistokli Gërmenjin dhe e pushkatuan. Më vonë qeveria Franceze kërkoi falje se spiuno-grekët e atëhershëm kishin shpifur për të. Sot ju nipat e tyre me devotshmëri ndihmoni Kolonelin Janullatosin. Këtij kryekleriku grek i vrasin sytë shtëpia e kulturës “Naim Frashëri” në Përmet dhe shtëpia muze e Themistokliut në Korçë. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese, të formës së prerë, nuk zbatohen nga zyra e përmbarimit. Kisha ortodokse kërkon të vrasë identitetin dhe kulturën kombëtare, duke tentuar të instalojnë në Përmet neo-helenizimin. Janullatosi pretendon, se për “çështjet e Shenjta” nuk vlejnë ligjet e shtetit dhe as Kushtetuta. Kështu ai e ktheu shtëpinë e kulturës në kishë, pa përfillur asnjeri. Janullatosi shkoi në Përmet bëri meshën greqisht dhe e quajti pallatin e kulturës “Naim Frashëri”, “Kishë e Shën Mërisë së Pazarit”. Dhe prej vitit 2009, pasi futi përkrahësit e tij fshehtas brenda mureve të pallatit të kulturës, filloi natën, si hajdut, të ndërtojë kishën me hov sa më të shpejtë, për ta bërë fakt të kryer. Skandali tjetër në Korçë, shembet shtëpia e Themistokli Gërmenjit, më 11 gusht 2012, dhe në mëngjes u gjet e rrënuar gurë mbi gurë “Shtëpia e Flamurit e ngritur më 8 dhjetor 1916”. Besoj se s’ka vend për komente, se vetë ju jeni autorë të kapuçonëve të Zinj, që shkatërroni natën me buldozerë, si llumi i kombit në shërbim të grekut. Si është e mundur, kur kisha ka nxjerrë rreth 160 priftërinj për dy dekada dhe mos të zgjidhet një, për të zëvendësuar “të përkohshmin prift” që ka ardhur si uzurpator kishtar? Por Janullatosi përdori dredhinë për justifikimin e qëndrimit të tij në atë detyrë, duke thënë: “Ne të përkohshëm jemi në këtë botë”. Mesa duket e quan veten të pazëvendësueshëm, në pritje për shenjtërim. Kështu Janullatosi ecën triumfalisht brenda kishës dhe shkel mbi eshtrat dhe gjakun e vëllezërve e motrave çamë, që s’i ka njohur kurrë. Janullatosi, nuk pranoi të bënte një meshë për masakrën e Çamërisë të kryer nga grekët dhe asnjë meshë për mbi 250 shqiptarë të vrarë nga policia greke.Por mbron gjeneralin famëkeq Napolon Zerva dhe genocidin e qeverisë greke të kryer karshi çamëve të pafajshëm. Nuk mjafton me kaq, Janullatosi, si person i parë në magjistraturën greke, arritën të njoftojnë OKB dhe BE se gjoja “Çamëria nuk ekziston” kurse qeverisë Shqiptare e Akdemisë së Shkencave, ua ka mbyllur gojën, si guvernator i Shqipërisë.Rreth tre çerek milioni shqiptarë që punojnë në Greqi, në punët më të ndyra dhe më të rënda, duke pastruar vendin nga pisllëku që i kishte mbuluar prej dembelizmit të tyre, duhej të konvertoheshin në grekë me emër ortodoks për të zënë punë. Sot Qeveria greke njohu 17.000 minoritarë të vjetër, që u lidhi pensione, ndonëse nuk kanë punuar asnjë orë në Greqi. Edhe kur do të bëheshin zgjedhjet, para numërimit të popullatës, Janullatosi numëronte rreth 600.000 minoritare të ndryshëm. Por minoritetit grek i doli 0.87%. Sa gënjeshtër e madhe, për një kryepeshkop! Që mendohet për vlera të mëdha nga sahanlëpirësit shqiptarë.
Nuk ka asnjë kishtar të madh, që nuk ka qënë më përpara atdhetarë i madh. Jo vetëm tek ne, por në të gjithë botën. Emrat e mëdhenj të Kishës janë të lidhur me popullin dhe me kombin e tyre. (B. I.). Ndërsa Janullatosi si armik i kombit shqiptar, deklaroi “për agjensinë Itar – Tas të Moskës, se NATO-ja po derdh gjak të pafajshëm serb, dhe nuk përmend lumenjtë e gjakut të shqiptarëve të Kosovës së masakruar.
Pse Janullatosi dhe komuniteti ortodoks shqiptar ftoi kryepeshkopin serb Irenej në ceremonin e shënjtërimit të katedrales ortodokse në Tiranë?, kur ai ka thënë: “Kosova është dhe do të jetë sërbe”.Si mundet që drejtuesit shqiptar, si Nishani, Rama, Meta, Basha, marrin pjesë në këtë ceremoni dhe i puthin dorën Irinejt. Kush ua lejoi atyre të rinjve të valëvitnin flamurin serb dhe të hidhnin parulla kundra shqiptarëve. Gazetari patriot shkruan: “Për kokat e shtetit që po shkombtarizojnë shqipërinë! Varrezat greke – ndërtime pa lejen e popullit shqiptar! – Janë damka e tradhëtarëve të kuvendit shqiptar dhe të krerëve të shitur tek sllavo-greket”. (A. V.). Një ndër këta të shitur është ish presidenti Bamir Topi që e shpalli Janullatosin “Qytetar Nderi” i Tiranës e i Korçës dhe e dekoroi me urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.
Kur renegati shqiptar, ish ministri i mbrojtjes Kiço Mustaqi, erdhi më 1997 për t’i vënë zjarrin Shqipërisë së Jugut me 400 andartë grekë, duke ngritur flamurin grek për gjatë rrjedhjes të lumit Vjosa si kufi me Greqinë, hovin ua preu vetëm Magdalena Ollbrajt, e cila ju tha: “Nëse ju pushtoni Shqipërinë e Jugut, ne nuk e ndalojmë Turqinë që t’u bjerë juvedhe qeveria turke u dha ultimatumin.” Atëherë ju u kthyet prapa me kokën varur. As nuk arritët te lumi i Shkumbinit, si kufi që synonit.
Sipas diplomatit Ferdinanto Salleo, me 2 korrik 1914 “Dispozitat e Korfuzit” të kryeqyteteve evropiane …urdhëruan largimin nga Shqipëria e Jugut, të forcave greke. (“Shqipëria gjashtë muaj mbretëri”, bot. 2000, f. 78). Por ju grekët u larguat prapë nga Shqipëria Jugut më 16 prill 1941, në kohën e Luftës Italo-greke, me ultimatumin e komandës gjermane. Është fatkeqësi, që ju stisni në ndërgjegjen e shqiptarëve ortodoks idenë për shenjtërimin e Shën Kozmait. Mësoni zotërinj, se Shën Kozmai është përpjekur për helenizimin e Shqipërisë dhe për këtë me plot të drejtë u ekzekutua nga drejtuesit shqiptarë të kohës.
Ne akuzojmë kryepeshkopin, se ndërton kisha të stilit grek, ka ndërtuar disa kisha me emrin e flamurtarit Verio-epirot Shën Kozmait, ndërron natën fshehurazi ikonostaset e kishave shqiptare me ato greke, vendos në themele të kishave gurë me shkrime greke. Pas 95 vjetësh funksionim i shkollës 9 vjeçare të Boboshticës, i është vënë dryni, që nxënësit të shkojnë te shkolla greke “Omiros” Homeri ndanë kufirit. Fëmijët shqiptarë të fshatrave për rreth Korçës, Boboshticës e Drenovës po mësojnë aty një të “vërtetë” të hidhur: që toka ku ata u lindën dhe po rriten është greke. Këto janë premisat e helenizmit që ndërton Janullatosi dhe shumë të tjera, për të cilat ai urrehet në Shqipëri.
Sulltani turk i dha gradën “PASHA” Genadit të Ptriakanës dhe e ktheu për interes të tij në një shtet brenda shtetit turk, për këtë lexoni: (Edwin Jacques “Shqiptarët”, f. 232). Ne shqiptarët e kemi filluar të parët luftën me Turqinë dhe e lamë të fundit, kur ajo kapitulloi. Peshkopët greke u lidhën me kajmekamët e Turqisë kundër shqiptarëve të pabindur. Spiunët grekë, për çdo lëvizje shqiptare dhe përpjekje për mësimin e gjuhës shqipe, vinin në dijeni peshkopët dhe këta njoftonin kajmekamët turq. Në këtë kohë Koto Hoxhi u bë simbol i heronjve dhe i martirëve të shumtë kulturorë. Ai shprehej me entuziazëm: “Jo për kisha e as për xhami / po për mësim e qytetërim /do të vritemi për Shqipëri”. Atë e arrestuan dhe e varrosën të gjallë në Xhedikulin famëkeq të Kryeqytetit turk. Edwin Jacques, shkruan: “Sevasti Qiriazi e veshur si djalë, shkoi për të vizituar Koto Hoxhin në birucë: Një vrimë e qelbur! Një reze drite që zbriste nga një e çarë nga lart më ndihmoi të shquaja një figurë të mjeruar. Nuk munda ta dalloja dot nëse ishte njeri. Ai qëndronte i shtrirë mes një kapice me lecka mbi një rrasë guri, që shërbente si shtrat. Ishte Koto! Të gjitha aftësitë e tij mendore dukeshin të fikura. Pyeta veten: Është e mundur që në atë trup të mjerë e të frikshëm të jetojë shpirti i Kotos, udhëheqësit të madh shqiptar? “Tungjatjeta, Koto!” Guxova, më në fund, ai filloi të mërmërisë, me një zë të hollë, që mezi dëgjohej, dhe pyeti: “Kush po më flet kështu? Duhet të jetë një zë qiellor, i dërguar nga Perëndia për t’i folur një fjalë të butë zëmrës time të plagosur”. Pamja e tij ishte aq e mjeruar, sa që ndjeva lotë të nxehtë të më rridhnin nëpër faqe. Flokët i kishte të gjatë, mjekra i vinte deri në brez, kurse rrobat i ishin bërë zhele- zhele. I fola mes ngashërimeve: Kam ardhur, o atë i dashur, të të sjell një fjalë kurajoje dhe të të rrëfej se, ndonëse të kanë hedhur në këtë birucë që të heqësh të zitë e ullirit, fara që t’i mbolle, ka lëshuar fryte të mbara. Shpirti yt jeton në zemrat e popullit tënd. Figura e leckosur u përgjigj: “Po, ata më kanë lidhur trupin me zinxhirë, por shpirti im është i lirë. Dhe nuk ka torturë që të më ndalojë së thirruri: Jo! Nuk vdes Shqipëria! Së shpejti ajo do të jetë e bashkuar, e pavarur dhe e lumtur. (“Shqiptarë”, bot, 1995, f. 325).
Pas 20 vjetëve, kur u kthye në Shqipëri renegati Kiço Mustaqi, në vend që ta çonin përpara skuadrës së pushkatimit, e priti Edi, Saliu, Fatosi, Janullatosi etj, me nderime dhe bankete. Në bisedë ndërmjet tyre, Kiçua mburri demokracinë greke dhe i vinte keq që ajo demokraci i mungonte Shqipërisë. Mësoni ju shokët e banketit: Po të aplikohej demokracia greke këtu në shqipëri, nuk dotë kishte ngelur këmbë minoriteti grek dhe as që do dëgjohej emri Dule,Tavo, Ksera, Janullatos etj.
Rilindja e sjellë nga Edi Rama më 23 qershor 2013, për t’i shërbyer më mirë Janullatosit, vendosi sekretarin e tij, Vangjel Dulen, nënkryetar të Parlamentit. Ky grek në krye të kuvendit shqiptar si “mëlçitë e qengjit në qafën e ujkut”, u zgjua nga dremitja dhe i kërkoi presidentit Bujar Nishanit ta bënte Janullatosin nënshtetas shqiptar. Gazetarë të përmendur shqiptarë shkruajnë: “Nuk dyshojmë se Janullatosi dhe lobët antishqiptarë grekë mezi presin që Janullatosi të bëhet qytetar shqiptar. Në fund të jetës, ose do vdesë nga natyra, ose do e vdesin interesat e lobëve grekë dhe pastaj do nxitojnë që ta kanunizojnë Shënjt me varr peleginazhi në kishën në zemër të Tiranës. Nga këndvështrimi grek, vija e Verioepirit nuk do të jetë aty ku është tani, po do të vijë deri në mes të Tiranës. Në raste festash fetare, vargu i autobuzëve nga Greqia do të marshojnë me flamurë grekë drejtë e në zemër të Tiranës. Për këtë i duhet Vangjel Dules dhe interesave shoviniste greke, që Kryepeshkopit Janullatos t’i jepet nënshtetasia shiptare. Atëherë gjithë bota do ta shikojë e do të bindet se hirësia Janullatos e mbylli jetën si një i shenjtë grek në tokën greke, në Tiranë. Kjo mund të ndodhë, nuk më çudit. Përderisa klasa politike që drejton vendin është e pamoralshme dhe pa fije identiteti kombëtar. ( S. GJ.).
Gazetari grek Takis Michas e nuhat një konflikt të ardhshëm. Le të imagjinojmë se kryeministri i Shqipërisë para gazetarëve shpall, se do të ngrejë kompensimin për pronat e çamëve dhe për krimet kundër popullatës civile dhe largimit të dhunshëm të tyre nga Greqia. A nuk do ta karakterizonim këtë akt si “skandaloz?” A nuk do ta kishim konsideruar se ky ishte një “provokim” ndaj Greqisë?… hedh dinamit tërë status-kuonë e pasluftës Ballkanike… Michas thotë: Dëshironi konflikt?… Konfiktet i patë në shekullin e kaluar, në vitin 1914, 1941 dhe 1997. E mendoni se Shqipëria pas Kosovës vjen Epiri-Çamëria, Greqia që ua themeluan shqiptarët, te kufiri shtetëror i 1830 do të përfundojë…
NJË MISIONAR PËR MISIONARËT
Refleksione mbi librin e Kadri Tarellit “Misionarë në udhën e dijes” /
Shkruar nga Agim Bajrami/
Refleksione mbi librin e Kadri Tarellit “Misionarë në udhën e dijes”
Fjala mësues, gjithmonë ka zgjuar e zgjon brenda meje përfytyrimin e një njeriu me një kulturë e përmasa krejt të ndryshme nga njerëzit e tjerë, qoftë edhe me punëtorët e shkrimeve që dinë të gdhendin e ta lëmojnë fjalën. Ndofta kjo ka të bëjë me lidhjet e forta që ky emër ka me fëmijërinë dhe shkollën tonë. Aq më shumë zgjerohet ky dimension, kur një mësues është edhe shkrimtar, apo gazetar i mirëfilltë.
M`i zgjoi këto përfytyrime libri “Misionarë në udhën e dijes”, i Kadri Tarellit, mësues dhe bashkëpunëtor i njohur ndër vite në shtypin tonë pedagogjik dhe më gjërë. Dua të them që në krye, unë i jap të drejtë vlerësimit të shkrimtarit dhe studiuesit Viron Kona kur thotë: “Në shkrimet e Kadri Tarellit lexuesit gjejnë tema që u intersojnë, që prekin “telat” dhe i venë në mendime…”.
Personalisht unë jam nga ata njerëz që përpiqem të mos më shpëtojnë pa lexuar shkrimet e miqëve, shokëve, apo të njohurve të mi, të çdo fushe qofshin. Ndonjëherë i lexoj sa për të mbushur një detyrim që kam ndaj tyre, por me shkrimet e Kadriut, jo vetëm provoj kënaqësi estetike, por mundohem të mbush edhe shumë zbrazti në njohuritë e mia në fushën e bukur dhe me shumë problematika të arsimit shqip.
“Misionarë në udhën e dijes”, del në një kohë të vështirë që po kalon shkolla jonë post komuniste, kur shumë koncepte e praktika të deriatëherëshme janë zëvendësuar e lënë mënjëanë. Duke ndjekur metodën e krahasimit dhe ballafaqimit, idetë dhe vizioni që shtron ky libër para lexuesit, janë aq të shumta dhe të gjëra, sa mund të krahasohen me vlerat e dhjetra simpoziumeve dhe konferencave shkencore të marra së bashku. E gjitha kjo ndodh, sepse përpara se autori të marrë pozicionin e gazetarit, mendon dhe shpërfaq së pari, staturën e mësuesit dhe drejtuesit të vjetër e me përvojë.
Të bëjnë përvete emrat e mësuesve të vjetër të arsimit shqip, të cilët, autori me mburrje e krenari i quan “Misionarë” dhe “Shenjtorë” të shqipes, duke shtruar pyetjen: “Ç`bënë më shumë misionarët e përhapjes së karishtërimit? Më tej vazhdon: “S`besoj se mësuesit tanë, këta “apostuj” të mësimdhënies e patën më të lehtë……” Figurat e tyre në libër zenë një hapsirë të madhe. Disa janë nderuar me titullin më të lartë “Mësues i Popullit”, disa “Mësues i Merituar” dhe të tjerë “Qytetar nderi i Durrësit”. Me shumë nderim portretizohet mësuesi Sulejman Ali Zalla, i “pagëzuar” nga populli si “Sul Shqipja”, më pas Prenk Kaçinari, Petrit Velja, Agim Shehu (profesori i kimisë), Eqerem Shijaku, Sabri Tuçi “Skulptor i Merituar”, Islam Alikaj, Zyber Sallaku, etj etj.
Libri ngjan si një zbërthim deri në hollësi i thënies së vjetër të Aristotelit: “Ata që edukojnë fëmijët mirë, duhet të nderohen më shumë se sa prindërit, sepse këta i dhanë jetën, ata i dhanë artin e të jetuarit mirë”. Këto fjalë u drejtohen mësuesve të të gjitha kohëve, që u shkojnë për shtat edhe mësuesve tanë të nderuar, që me përkushtim ndriçojnë mendjen dhe pasurojnë zemrat e fëmijëve dhe të rinjëve. Edhe shkrimet kushtuar figurës së tyre, tentojnë që në mënyrë sa më të thjeshtë të nxjerrin vlerat dhe gjurmët që ata kanë lënë në kohë e hapsirë. Nuk është e tepërt kur shumë nga këta krahësohen me emrat e profetëve të cilët edhe me gjakun e tyre kanë arritur të mbjellin fidanë të shëndoshë në trpin e atdheut. Jeta dhe veprimtaria e pashembullt e tyre është model për të rinjtë, që me idealizëm guxojnë të hyjnë në rrugën e mësuesisë. Më kanë mbetur në mendje fjalët e Fadil Elezit, ish drejtor i shkollës “Met Hasa”, në Portoromano të Durrësit, si mesazh drejtuar “misionarëve” të rinj: “Një jetë e tërë e trazuar me gëzimet dhe shqetësimet që sjell puna fisnike e mësuesit. Një privilegj që i takon vetëm atyreve, që të mbeten përherë të rinj në shpirt”….
Me fotoaparatin e përditësisë, syrit të Kadriut nuk mund t`i shpëtojnë edhe mësues që s`para mburren e s`bien në sy, por që kanë një shpirt të madh e mendje të ndritur, si bie fjala: Hasan Ulqini, Lirim Harka, Mustafa Faja, Ibrahim Enesi, etj. Bukur e me ngrohtësi shkruhet për Muzemil Osmanin, me rrënjë nga Çamëria, që mban titullin “Qytetar nderi i Durrësit”, mësues e matematikan i palodhur i arsimit durrsak, hartues e botues librash. Duke ndjekur këtë hulli të vlerësimit të mësuesve, mendoj se u shkon përshtat, ndaj autori me shumë dashamirësi i quan “ambasadorë” të shpirtit dhe kulturës shqiptare, mësuesit veprimtarë, Rukije Rama në Belgjikë dhe Sokol Demaku në Suedi, që jetojnë e punojnë në mërgim, të cilët sakrifikojnë edhe nga vetja, për të mbjell farrën e shqipes te fëmijët e bashkëatdhetarëve tanë. Në një farë mënyre shkrimet për ta, janë një apel ndaj mediave tona që tregohen shumë të kursyera ndaj këtyre “Misionarëve” në diasporë, le pastaj qesëndisjen e zyrtarëve tanë, që siç thotë Kadriu: -“Ambasador”? Po si shkoi në Suedi pa “fermanin” dhe vulën tonë?”….
Duke i parë një nga një, të gjithë sa përmenden në libër, janë pesonazhe të cilët vetëm një penë dashamirëse e pakompromis si ajo e Kadriut, arrin t`i gdhendë kaq bukur. Secili prej tyre aq sa është një jetë më vete, aq mund të konsiderohet, një copë, apo fragment i çmuar në tërësinë e historisë së shkollës shqiptare.
Që në krye të librit bie në sy përdorimi i fjalëve të urta e të mençura, të qëmtuara nga personalitete të mendimit botëror dhe nga rilindasit tanë të ndritur. E gjitha përbën një punë mjeshtërore, pasuri e gjetje interesante, sepse çdo thënie të fut në brendësi, duke përcjellë mesazhin universal të mësimit dhe edukimit me norma qytetarie e shqiptarie. Duke lexuar librin, më ngjason se po bisedoj me një plak të urtë e të mençur, i cili pasi ka gjezdisur shumë në jetë, nuk pranon të flasë shumë, por të ve para pasqyrën e të vërtetës dhe të thotë: “Kjo është jeta, këta janë njerëzit, kjo është koha të cilën e kanë bërë dhe vazhdojnë ta bëjnë këta”.
Më bën përshtypje, ndaj ndjej të ve në dukje gjuhën dhe stilin e veçantë të shkrimeve, qofshin redaksionale, reportazhe, apo portrete, sepse idetë, përcillen përmes pyetjeve që në titull, shpesh pa zbukurime e llafe të shtuara. Gjykoni vetë kur të lexoni disa prej tyre: “A do të gjendet ilaçi kundër dhunës?”, “Kujt i vret veshët dhe sytë gjuha shqipe?”, “A ka doganë për fjalën e huaj? Po “doganier” kush është?”, “Pse je plakur matematikë!?”, etj. Mendoj se është gjetur forma më e mirë, për të goditur në thelbin e çështjeve. Kështu, me fjali të shkutra, rrëfimi bëhet më i kursyer. Autori, me përvojë të gjatë në arsim, gëzohet e trishtohet, ngre probleme, kërkon e shtron zgjidhje, më shumë bisedon e diskuton me lexuesin, shpreh shqetsimet, pyet dhe përgjigjen ia le po këtij të fundit t`i mendojë.
Më pëlqejnë reportazhet, jo vetëm se, që në krye ka një thënie brilante të Muamet Gazali: “Zemra dhe mendja janë dy gjëra që e bëjnë njeriun të përsosur……”, por më shumë për mesazhin që përcjellin te lexuesi, e sidomos te kolegët mësues e drejtues, se “Shkollës nuk duhet t`i humbasë asnjëherë identiteti kombëtar”. S`besoj se ka mbetur shkollë në Durrës, që mos të ketë një copëz vend në faqet e këtij libri, ku çdo shkrim veç të veçantës së gjetur, ka vlera përgjithësuese për këdo që punon, apo aspiron të bëhet mësues. Lexoni shkrimet kushtuar shkollave “Vinçenc Prendushi”, “Demokracia”, Qemal Mici, “Gj. Kastrioti”, “N. Frashëri”, “14 Nënrori” dhe “Kasa” e “Iliria” në Plazh, do të bindeni e do të më jepni të drejtë për gjykimin tim. Aq më shumë kur bëhet fjalë për koncepte të mësuesve dhe nxënësve, si bie fjala karakteristikat e nxënësve, apo ligjshmërinë në aktet normative, e më pastaj “Braktisja e shkollës”, dhe me tej akoma, detyrat dhe të drejtat e nxënsve, duke pyetur: “Kërkojmë të drejtat, po detyrat?”.
Pavarësisht se shkrimet janë publikuar kohë më parë në shtyp, (autori i shënon datat), ato tingëllojnë sikur janë shkruar sot. Kështu që me të drejtë gjykoj, se në kërkim të kohës së duhur, për të mos qënë asnjëherë vonë, pyetjet e autorit kthehen në një thirrje qortuese. Të gjitha këto i japin librit vlerën e një doracaku, për t`u përdorur e mbajtur mbi tavolinë nga çdo mësues e drejtues shkolle.
Nuk e di pse autori është ngutur të fusë në libër shkrime letrare, historike dhe analiza e reçensa librash, të cialt spikasin për tematikën e gjetur. E them këtë, se këto shkrime me vlerë artistike e njohse, duke pasur parasysh edhe shumë të tjera që autori ka e po publikon në vazhdim, mund të përmblidhen më vete, në libra të tjerë. Këtu po përmend disa tituj:, “Nga loti i nënëve deti u bë i kripur”, “Këmbana e dshurisë”, “Manastiri i “Shën Naumit”, perlë dhe plagë e historisë së shqiptarëve”, “Biro! Na e ngjallët Çamërinë. Kur këndohej kënga e Çelo Mezanit”, “Heronjtë e Kosovës Haki Taha e Bajram Gashi (Salihi), mësues në Shënavlash, etj, etj.
Në fund dua të shtoj, se “Misionarë në udhën e dijes”, i Kadri Tarellit, është një libër i rëndë, për mesazhet dhe problematikën që shtron, sepse arrin të mbjellë një frymë të re analitike e studimore në peisazhin në të cilin gjendet sot shkolla jonë, në Durrës e në shkallë kombëtare. Me këtë rast theksoj se, kur vlerësimet përzihen natyrshëm me kritikat dhe vërejtjet e drejta, dhe kur dalin prej penës së një personaliteti të njohur të arsimit e kulturës shqiptare, kanë vlera të pakontestueshme, për sot e për nesër.
Uroj autorin për libra të tjerë po kaq të mirë!(Ne Foto: me shkrimtaret durrsake)
Durrës më 24. 03. 2015
- « Previous Page
- 1
- …
- 676
- 677
- 678
- 679
- 680
- …
- 866
- Next Page »