Iniciativa e Nexhmedin Spahiut,që Aqif Blyta të shpallet hero kombëtar, shumë e qëlluar dhe kaherë e domosdoshme./
Shkruan:Ismet Azizi/
Ne Foto:Aqif Blyta kryetar i Novi Pazarit (1941-1945) /
Gjakovari Aqif Blyta ishte njëri ndër politikanët dhe patriotët shqiptarë të Sanxhakut të Pazarit të Ri ndërmjet dy luftërave Botërore dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore. Aqif Blyta është veprimtar i shquar i Lidhjes së Dytë të Prizrenit dhe deputet në Kuvendin Kombëtar në Tiranë (1943-1944). Aqif- efendia në rolin e komandantit është më i merituari në mbrojtjen e N. Pazarit nga çetnikët. Aqif efendiu është lindur në N. Pazar në vitin 1887. Në N. Pazar babi i tij Emin-aga Blyta kishte ardhur nga Gjakova.
Populli i Sanxhakut i është mirënjohës posaçërisht për shkak të angazhimit të tij në pengimin e shpërnguljes së popullsisë nga Sanxhaku për Turqi. Aqif Blyta duke qenë personaliteti më i rëndësishëm i organizimit ushtarak dhe politik ishte në shënjestër të tri atentateve të organizuar. Për dy atentatet e para ishin përgjegjës ishin nacionalistët serbomëdhenj nga Beogradi, ndërsa për atentatin e tretë kanë qenë komunistët vendas të Sanxhakut të cilët për ekzekutues, me tërheqje shorti, kishin caktuar Hasë Rozhajën por më në fund ishin tërheqë nga ky vendim.
Kah fundi i vitit 1941 Aqif Blyta organizon mbrojtjen e Pazarit të Ri nga çetnikët të cilët vinin nga Rashka. Qëllimi i çetnikëve ishte marrja e Pazarit të Ri dhe mandej e tërë Sanxhakut me qëllim të shfarosjes së popullsisë shqiptare dhe myslimane. Ngjarjet që u zhvilluan tutje treguan se Aqif Blyta me ushtrinë e tij të formuar dhe me ndihmën e njësive shqiptare nga Peshteri dhe me ndihmën që i arriti nga vëllezërit kosovar nën udhëheqjen e Shaban Polluzhës, arritën t’i mbrojnë këto territore nga çetnikët.
Pas depërtimit të forcave partizane jugosllave në ato treva, Aqif Blyta iu dorëzua organeve të pushtetit partizan në Gjakovë, të cilët pastaj e dërguan në Pazarin e Ri. Mbas torturave mizore, bashkë me bashkëpunëtorin e tij më të ngushtë Ahmet Dacën, të cilin e kishte dhëndërr (burri i motrës) me tre djemtë e tij u pushkatuan në Haxhet (lagje e sotme e Pazarit të Ri) me 21 janar 1945 nga OZN-a jugosllave
Shqiptarët dhe popullsia myslimane e Sanxhakut e mbajnë në mend Aqif ef. Blytën si një një tribun popullor, lider me autoritet të padiskutueshëm, orator i aftë dhe poliglot. Këtij personaliteti të rëndësishëm i takojnë të gjitha meritat për futjen e popujve të besimit islam siç ishin Shqiptarët, Boshnjakët dhe Turqit të Sanxhakut, Kosovës dhe Maqedonisë në jetën parlamentare të Mbretërisë së Jugosllavisë (1918-1945).
Aqif Blyta, po ashtu, është njëri nga themeluesit e Xhemijetit – partisë politike që përfaqësoi dhe mbrojti interesat e tre kombeve, e cila u ndalua në vitin 1924, pas një shkrimi protestues të udhëheqësisë së saj drejtuar parlamentit për krimet e tmerrshme të malazezëve kundër popullatës në Shahoviq dhe Pavin Pole (më shumë se 1.000 të therur dhe masakruar). Xhemijeti ishte edhe kundër shkatërrimit të xhamisë Burmali në Shkup (në nëntor 1924), në të cilën vend është ndërtuar ndërtesa e Klubit të Oficerëve serb (e shkatërruar nga tërmeti në vitin 1963).
Pas shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore dhe rënies së Mbretërisë së Jugosllavisë, midis 6-7 nëntor dhe 6 dhjetor 1941, Aqif Blyta arinë të organizojë mbrojtjen e Pazarit të Ri dhe kundërvimit të tri sulmeve të forta çetnike, ku u vranë 756 njerëz, nga të cilat dy të tretat ishin nga radhët e luftëtarëve të mbrojtjes së Pazarit të Ri, që në atë kohë kishte rreth 8.000-10.000 banorë. Për fat të mirë, në qytet nuk ka pasur viktima të civilëve, pavarësisht nga gënjeshtrat e përhapura kinse aty janë vrarë 7000 qytetarë serbë (e që as sot nuk janë në atë numër).
Jemi dëshmitarë të përhapjes së të pavërtetave të shumta, absurditeteve dhe mashtrimeve të krimeve jo-ekzistuese, çmimit “Iron Cross” (që kurrë nuk i dhuruar ndonjë myslimani), të persekutimit të hebrenjve, duke iu shmangur faktit se vet personalisht Aqif Blyta i ka marrë për t’i mbrojtur qytetarët e vet serb së paku 420 të tillë, ndërsa lidhjet e tij me Turqinë i ka shfrytëzuar për t’i kaluar ato pak familje hebreje me të cilat kishte lidhje biznesore apo miqësore”, thuhet në një reagim të historianëve të Sanxhakut, në lidhje me diskreditimin nga opinioni serb ndaj personalitetit të Aqif Blytës.
Prof. Romeo Gurakuqi, Leter publike per kryeministrin
Sh.T. Edi Rama Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, Tiranë/
Zoti Kryeministër, Me shpresën e mirëkuptimit, mora guximin t’ju shkruaj serish në rrethana krejtesisht reja, kur vendi ndodhet në një turbulencë të pangjashme, që për ne qytetarët e thjeshtë është bërë shqetësimi i jetës. Të gjithë kanë sjellë vështrimin nga Ju, me mendimin se do ua shpetoni Shtetin dhe do ta shpërbashkoni ate nga Krimi. Si shumëkush, edhe unë mendoj se Kryetari i Ekzekutivit është Njeriu i Parë që do të duhet të reflektojë dhe të kthjellohet në ketë vend, sepse jeni drejtuesi i një shumice parlamentare, e cila në një segment të rendësishëm të saj, permban nje sëmundje që do ta rrenojë respublica-n. Koha ju ka thirrur ta mbani mbi supe këtë barrë të rëndë dhe ju zoti Kryeministër, para të gjithëve, do të duhet ta perballoni situatën e krijuar, duke menduar jo për Mazhorancën, por për Publikun, pa krijuar asnjë alibi mbi ekzistencën e paranojave, duke respektuar shtetin e së drejtës, dhe ndarjen strikte në mes institucioneve.
Mbi Shqiperinë dhe mbi Qeverinë që drejtoni, ka rënë një gjamë e madhe dhe unë mendoj se Ju do të duhet ta trajtoni me shpejtesi, vendosmëri çdo gjë, duke e impostuar gjithshka ka ndodhur, në udhët e ligjshmërisë, parlamentarizmit dhe transparencës së publikut, në respekt të procedures dhe konventave konstitucionale, që nuk të mundësojnë të marrësh mbi supe as pushtet hetimor dhe as pushtet gjyqësor. Ne qofte se vazhdohet pa kujdes, duke perdorur rastin e denoncuar nga zoti Doshi, si pretekst për të mbytur zerin e lirisë dhe të të drejtave të bashkësisë kulturore të Shqiperisë Veriperëndimore, per sulm politik ndaj Shkodrës dhe shkodranëve, dhe për të impostuar një qasje te ngjashme me operacionet purifikuese të Batalioneve të Sigurimit të Shtetit komunist, ndaj Shkodres, Malësisë dhe Dukagjinit, siç po nxitet nga anetarë të caktuar të parlamentit, kjo do të jetë një zhvillim mjaft i rëndë për stabilitetin e vendit në tërësi. Po ashtu, në qoftë se nga ky rast ju do të lejoni ndërtimin e intrigave fundosëse të modelit të romaneve të Alexander Dumas, kjo do ta drejtojë gjithë shoqërinë në humnerë dhe do damkosë drejtimin tuaj governativ përjetësisht. Ju nga rasti i ekzpozuar nga deputeti, po merrni vetem qasjen e papershtatshme të komunikimit të tij, ndërkohe që Publiku është i interesuar për zbardhjen deri në fund të deklarates se tij, hetimit shkencor përmes institucioneve sa më të specializuara, mundësisht me asistencë ndërkombëtare dhe pa ndërhyrje e presione mbi organin e hetimit.
Në qoftë se do vazhdohet kështu, sikurse është trajtuar këto ditë, me frikë, llogari të shkurtër kohore, tretje vëmendjeje dhe prozhmim psikologjik të një krahu, kjo ju fajeson dhe ju ngarkon me përgjegjësi. Unë mendoj se Ju duhet të dilni nga mosveprimi ligjor dhe politik, nga ndërhyrjet në kundërshtim me parimet ndarjes së pushteteve dhe barazisë së të gjithëve para ligjit dhe të nderprisni aktivitetin propagandistik, për të shmangur kaosin, sepse koha nuk pret. Madje mund të them se hapat që keni bërë në këto ditë, janë të përkundërta me precipitimin e të vertetës dhe kanë fryrë trazirën e brendshme. Unë mendoj se ju duhet të ndalni ecjen mbrapsht të kohës suaj, që në këtë rast është edhe koha e Shqipërisë. Ju duhet ta shpëtoni postin e kryeministrit te Shqipërisë, zoti Kryeministër, sepse me këtë keni shpëtuar edhe vendin, lirinë dhe demokracinë. Veprimet e ditës së martë 3 mars 2015, janë ndër më të pangjashmet në historinë e një Shteti qe bazohet në Ligj, Ndarje Pushtetesh, Demokraci Liberale dhe Qeveri të Përgjegjshme. Thirrja e kryetarit të një pushteti te pavarur hetimor, qe mbron Shtetin, duke e ulur në një tavolinë me pjesët e vendosura nën nje akuzë nga me te rendat publike, përbën sjellje procedurale negative që dikush mund të marre në drejtimin e përditshëm të punëve në këtë vend, përkundër respektimit të konfliktit të interesit dhe korrektësisë ndaj ligjit të këtij aspekti të jetës publike.
Shpërbashkimi i sjelljes Suaj politike, parlamentare dhe pergjegjesise para ligjit, me ate të personazheve të vendosur nën një akuze publike, do të duhej të ishte hapi i parë që ende nuk ka ndodhur nga ana Juaj. Perndryshe, me keqardhje dhe trishtim, publiku po konstaton një kryetar ekzekutivi të stepur nga kasnecë, që kërcënojnë nëper televizorë për të degjuar Ju ma së pari, pastaj edhe te tjeret pertej, shtypi i shqiptar, që ju e keni vendosur, gati në unison, në oborrin e prapëm të mazhorancës. Kjo gjendje nuk ka precedencë tjetër veç ditëve të zeza të marsit 1997. Ju nuk duhet të zgjidhni rrugen e paprinciptë të paraardhesit tuaj, per ta mbrojtur të keqen dhe per t’ua ricikluar serish para shqiptarëve, në një progresion gjeometrik përforcimi. Kryeministri i Shqipërisë Demokratike nuk duhet të ndjekë rrugen e kompaktësimit me të keqen, por të shpërbashkimit me atë, në të mirë të Shtetit të së Drejtës që mbron Qytetarin dhe në funksion të zbulimit vetëm të të vertetës. Unë dhe shumëkush këto ditë ka pritur që Ju i nderuar Kryeminister të therrisnit në zyren tuaj, me përgjegjësinë e një Shtetari të vërtetë, Kryetarin e Opozites dhe te bisedonit me Ate të gjitha opsionet e mundshme. Ka një interes publik prioritar që Kryeministri i ketij vendi do të duhet ta kete parasysh: Mbrojtja e Shtetit dhe Zbardhja e së Vërtetës, dhe Kryeministri nuk do të duhet të ecë përkundër ketij interesi. Unë mendoj se Kryeministri aktual i këtij vendi duhet të kuptojë që Aleanca juaj, është në gjendje kome irreversibile, dhe përkujdesi pas çehres se tjetrit, për hir të mbajtjes së karriges kryeministrore, qoftë edhe një muaj me teper, do ju varrose edhe ju politikisht me damken e paaftesise dhe të tradhtise ndaj Shtetit shqiptar dhe Publikut tonë të mjeruar e të frikësuar, që po lëshon gjithandej vikamen e panikut. Është koha për një reflektim të madh, pa vonese – dhe takimi me Kryetarin e Opozites, me ndërmjetësinë e Presidentit të Republikës, është hapi më normal në një vend demokratik, në qoftë se ju e konceptoni postin tuaj të lartë në shërbimin tonë si qytetarë. Vendi sot ka nevojë per stabilitet dhe stabiliteti nuk ka për t’i ardhur qeverisë aktuale, duke vazhduar bashkejetesen me informalitetin anti demokratik. E di që është një sipermarrje, in extremis, por nuk ka opsion tjeter, pas kësaj, perveç shpërndarjes së Parlamentit. Çdo minut që kalon, afron edhe më shumë të keqen. Shpërbashkimi me atë, nepërmjet lënies së lira të organeve të hetimit dhe korrektimit të sjelljeve governative përkah shpjegueshmëria, tashmë është në tavolinen e tuaj për vendimarrje, që mund të jetë historike për fatet e vendit. Një vend që aspiron për t’u bërë anëtar i Bashkimit Europian, zgjidhjen e krizes duhet ta kanalizojë në rrugë institucionale, në respekt të Ligjit, Kushtetutes dhe Parlamentit, aty ku misherohet Sovrani. Opsionet janë shumë pak, por kurrsesi rruga e filluar para 8 ditesh, me kompaktesimin e rradhëve të komunisteve, ish-prokurorëve, ish sigurimsave me krimin e organizuar. Rruga është për një zgjidhje të re politike, rikompozim i mazhorances së drejtuar nga Ju, përmes nxjerrjes jashtë të së keqes dhe ndërtimit të një Qeverie të Triumfit të Shtetit. Vendi nuk është i gatshem për zgjedhje të reja tani menjëherë, por e ka të nevojshme një rindertim qeveritar me objektiv kryesor Sherimin nga Kanceri i Krimit, Vendosja e Rendit Publik dhe Mbrojtja e Shtetit nga Terrorizmi dhe Shantazhi. Një koalicion i gjerë, një qeveri e të urtëve me mbështetje të gjërë politike, që do të përforcojë pavarësinë e Prokurorisë, Ministrinë e Brendshme të ndarë nga një Polici e Shtetit e depolitizuar, Ushtrinë në sektorët e reagimit të shpejtë, Liritë kushtetuese dhe Individuale, vetëm do ju naltësonte para shqiptarëve dhe do të përforconte me siguri prestigjin tuaj si shtetar që respekton lirinë. Deklarata e Ambasades së ShBA në Tiranë duhet te lexohet në këtë kuptim, në përforcim të shtetit dhe dekriminalizim qe fillon nga maja drejt periferisë, nga dekonspiratorët e respublicas. Ajo është bërë në ate formë për t’ju mbeshtetur ju, Shtetin dhe Shqiperinë, me shpresen që ju do të arrini ta lexoni dhe do ta përdorni në të mirë të interesave publike dhe jo të shpëtimit të partnerit tuaj të koalicionit.
Me shprese se do të merrni në konsideratë mendimet e sugjerimet e mia, mbetemi me nderime.
Romeo Gurakuqi
Tiranë, me 06.03.2015
TOM DOSHI kallzon atentatorin Nr. 2, Berisha kundershtar politik
“Tjetër plan vrasje për mua, Petrit Çinari do më ekzekutonte”/
Shkruan: Tom Doshi/
Sic e keni ndjekur, une po vazhdoj me force, pavaresisht se i braktisur nga Partia ime dhe Qeveria, rrugen e veshtire te denoncimit dhe faktimit te nje akti terrorist per te vrare dy deputete nga Kryetari i Kuvendit te Shqiperise.
Dua te ndaj me ju disa fakte dhe shqetesime lidhur me kete proces, dhe dua te deklaroj disa vendime te miat.
E para, dua te hedh poshte me vendosmeri akuzat qe serviren kunder meje se gjoja jam ne bashkepunim me Sali Berishen dhe PD. Tom Doshi nuk ka bashkepunuar kurre me Sali Berishen ne te shkuaren, dhe nuk do te bashkepunoje ne te ardhmen me kete person. Jam kundershtar politik me Sali Berishen dhe keshtu do te mbetem.
E dyta, kam informacione qe hetimet qe po behen per akuzat e mia ndaj Metes jane te dekonspiruara. Nje shoqe e Monikes raporton çdo dite per ato qe ndodhin aty. Pavaresisht se une nuk i paragjykoj hetimet, konstatoj se ato po nxitohen me qellim, per tu mbyllur shpejt, pa arritur ti behet nje zberthim shkencor cdo fakti.
Do ti kerkoj qe neser me shkrim Prokurorit te Pergjithshem qe te kerkoj ekspertize nderkombetare per hetimet. Ne kushtet qe Prokurori i Pergjithshem dhe ai i Krimeve te Renda kane ngjallur dyshime per mua, se bashkepunonin me te akuzuarit, rezultatet jane te kompromentuara. Akuza qe une kam bere ndaj Ilir Metes eshte shume e rende. Ajo duhet gjykuar nga nje grup prokuroresh shqiptare dhe te huaj, ashtu sic u hetua dosja e Azem Hajdarit, me europian e amerikan, qe kane experience dhe neutralitet ndaj te hetuarve.
Idea qe ka dhene sot nje eurodeputet eshte e mirepritur prej meje dhe me jep shprese se nderkombetaret duan zbardhjen e ketyre akuzave. Qe shqiptaret te kene besim tek drejtesia, hetimi me nderkombetar eshte detyre e shtetit. Le te pergjigjet Ilir Meta nese eshte dakord qe te ftohen zyrtarisht prokurore te huaj te hetojne keto akuza. Le t’ja kerkoj dhe ai zyrtarisht kete gje Prokurorit te Pergjithshem.
E treta, kam degjuar sot se Fatjon Skenderi paska ardhur ne Tirane me garanci nga shteti se nuk do arrestohet, per te folur ne Prokurori. Cili shtet jep nje garanci te tille? Pse trajtohet ky person ndryshe nga Durim Bami? Mos ka ndikuar Ilir Meta qe drejtesia ti ofroj ketij garanci? Media ka fshehur qellimisht historine kriminale te Tonit. Nga informacionet qe me ka sjell sot nje deputet i maxhorances ne Kuvend, rezulton se Fatjon Skenderi eshte i denuar per trafik nderkombetar droge nga gjykata shqiptare.
Shkalla e pare dhe Apeli i kane dhene 13 vjet burg per te vuajtur 9 vjet, meqe e kishte pranuar akuzen. Gjykata e larte ja uli denimin ne 4 vjet. Ky person eshte denuar ne shkalle te pare dhe nga Gjykata Italiane me 17 vjet burg para pak kohesh, dhe ceshtja eshte akoma ne Apel. Prokuroria dhe Ministria e Drejtesise duhet te informojne dhe informohen nga autoritetet italiane per kete person te rrezikshem.
Ilir Meta ka mohuar njohjen me kete person, por mua ma ka pranuar njohjen dhe takimin tek lokali VIVA. Prokuroria per te provuar kete genjeshter duhet te verifikoj me kujdes tabulatet e Tonit ne kohen kur trafikonte droge ne Kosove dhe Itali. Sa here ka folur ky person me Monika Kryemadhin ne kete periudhe? Eshte detyrim para shqiptareve qe keto gjera te zbardhen njehere e pergjithmone. Toni i Metes dhe i Monikes ka bere dhe porosi te tjera per vrasje, te cilat fatkeqesisht jane finalizuar ne krim. Se shpejti ai duhet te sqaroi se kush ka qene porositesi i vrasjeve te tjera. Njerezit po e vrasin friken dhe kane filluar te tregojne me shume se sa dime deri tani.
E katerta, jam informuar nga nje i njohuri im, se ne Prokurorine e Krimeve te Renda dje eshte bere nje kallzim penal nga Petrit Çinari, nje ish oficer nga Skrapari. Ne kete kallzim eshte deklaruar se babai i Ilir Metes, rreth 1 vit e gjysem me pare, e ka thirrur Petritin ne Gjirin e Lalzit dhe i ka kerkuar atij me porosi te Ilir Metes, qe te vras Tom Doshin. Ky person paska punuar bashke me Rrexhep Meten ne ushtri dhe paska qene qites i shkelqyer. Pas rikthimit te tij nga Amerika, babai Ilirit e paska gjetur, ftuar ne Gjirin e Lalzit dhe bere oferten makabre, e cila duket se nuk eshte pranuar nga Petriti. Ky person, me guximin e lavderushem qytetar ka shkuar me vullnetin e tij te lire dhe ka denoncuar kete porosi te re vrasjeje. Kete informacion mund ta konfirmoje Prokuroria.
Ky person menjehere duhet mbrojtur si deshmitar i drejtesise.
Nga disa media, analiste apo politikej, jam i habitur qe vazhdojne flasin per personin tim negativisht, sikur une jam kriminel ..
Une nuk pasur dhe nuk kam asnje problem me drejtesine, prandaj i bej thirrje ketyre personave te ndalin keto sulme te padrejta ndaj meje ,pasi duhet te marre fund politika e shpifjeve ne vendin tone.
Une do te vazhdoj te bej publike, sipas rastit, te verteta qe une mendoj se nuk demtojne hetimin dhe se ndihmojne daljen e se vertetes.
Ju falenderoj per mijera mesazhe qe me keni derguar keto dite. Ju jam mirenjohes.
“PARA PUSHKATIMIT…”
Nga Fritz RADOVANI/*
HAPNI DOSJET !
“Njoftoni datën e ekzekutimit dhe vullnetin e tyre të fundit! Enver Hoxha”/
1945…DOSJA Nr…/
■Isha fëmijë në Nandor të vitit 1945 kur shkova me Nanën me rregullue varrin e Babës, javën e të Vdekunve në Rrëmaji. Dikush tregoi se janë rregullue Varre mbas murit aty ku per çdo ditë ndigjohej shkrepja e automatikëve të “çlirimtarëve tanë trima”…
Si fëmijë shkuem me pa ata varreza që vërtetë ishin të veçanta, ishin tre me Kryqa dhe tre përballë me shenjën e Muslimanëve, sipër me zhovor të bardhë, gjashtë foto të mëdha dhe rreth varrit me cigare. Kush vinte aty, njena nga Nanat që ishte tek Koka e djalit saj, u epte cigare vizitorëve… Kujtoj se tek varri i Kolë Sokolit kishte edhe fruta… Mbas pak minutash u ndigjue një zhurmë makinash me disa ushtarë të armatosun … Kujtoj si tashti tmerrin e ardhjes së atyne kamjonëve me ushtarë të armatosun, kur po shihnim ata Varre, pra, janë plot 70 vjetë nga ajo ditë që nuk e harroj kurrë, mbas Murit të Varrezave të Rrëmajit… Kur ushtarët me armë në dorë vrrisnin si bishat e terbueme: “Largou…largou…!” e Nanat e Atyne djelmëve që ishin pushkatue, mbulue me futa të zeza e degermia të bardha, pranë atyne varrezave të rregullueme me aq kujdes, rrokën fotot e mëdha të Atyne djelmëve si sokola për gjoks… Kur ushtarët shkrepën armët e tyne vrastare në ajr, ne ikëm nga frika… Gjithshka aty u kthye në zallishtë si përpara…
■Dosja nr.1108 (1945) hapet kështu:
“ V.F.L.P.
Proçes- verbal
I mbajtur mbi vullnetin e mbramë të të dënuarve me vdekje, Ndue Mirash Pali dhe Caf Meti, nga Shkodra.
Sot më 15 gusht 1945, ditën e mërkure, ora 5.00 para drekë, unë prokuror i Gjykatës Ushtarake, kapiten i II Aranit Çela, shkova në vendin ku do të ekzekutoheshin kriminelët e luftës dhe armiqtë e popullit, Ndue Pali dhe Caf Meti nga Shkodra, për të marrë fjalën e fundit të tyre, në të cilën thanë këto:
“Ndu Pali: Nuk më vjen keq që unë sot pushkatohem prej vllazënve të mij. Jam i lumtun që unë po vdes në tokën shqiptare pas pesë vjet vuejtjesh, që pata nga fashistët dhe nazistët. Shqipnia rron edhe pa Ndue Palin!
Një fjalë dua t’ja drejtoj rinisë nacionaliste: Punoni deri në vdekje për një Shqipni të lirë, indipëndente, me baza shoqnore moderne demokratike!
Rrnoftë Shqipnia e shqiptarëve! Të fala familjes.
CafMeti tha: Rroftë Komandant i Përgjithshëm Xheneral Kolonel Enver Hoxha.
Prokuror (Aranit Çela) d.v.”
■Kur Nana ime shkoi tek Burgu i Kishës së Fretenëve, me i çue ushqimin axhës së vet, At Mati Prennushit, i dënuem me vdekje në mensen e atij kuvendi pa e dëgjue njeri atë gjyq Burrash për të cilin Historia e Shqipnisë vazhdon me “heshtë”, mbasi komunistët u gjetën ngushtë ndaj padronëve jugosllavë, që kishin urdhnue me “futë armë në Kishë dhe me e shkatrrue atë çerdhe Atdhetarësh me kulm e thëmel… tue i detyrue në tortura me pranue se armët i kishin futë Fretnit e atij Kuvendi…”, Fretnit qendruen si Burra dhe u pushkatuen të gjithë Prelatët e Klerit Katolik Shqiptarë, pa pranue asnjeni akuzat!…
Ishte 11 Marsi 1948, kur Dulaq Lekiçi i tha Nanës sime: “Mos sill ma ushqime… I kemi pushkatue dhe e keni në Zallin e Kirit !..” Kurrë nuk më shkonte mendja se “njëditë” do të kishe mundësi me pa me sy dhe me lexue Dosjen e At Matisë me shokët e Tij…
■Përgjigje e shkresës Nr. 88 datë 8 mars 1948:
Ju njoftojmë se të dënuarit ME VDEKJE:
1. MONSINJOR FRANO PJETËR GJINI,
2. PADËR MATI KOL PRENNUSHI, dhe
3.DON NIKOLL ZEF DEDA, të gjithë nga Shkodra, u ekzekutuan me datën 11 mars 1948, ora 5.00 para dite dhe fjala e fundit ka qenë:
1. MONSINJOR FRANO P. GJINI tha se: Rroftë Krishti Mbret, Feja Katolike dhe Katolikët në botë, Rroftë Papa, gjaku dhe trupi i em mbetët këtu, por Shpirti dhe zemra është tek Papa. Rroftë Shqipnija!
2. PADËR MATI KOL PRENNUSHI tha se: Jam i pafajshëm, po vdes në krye të detyrës s’eme. Rroftë Krishti Mbret, Rroftë Papa, Rrofshin Katolikët, Rroftë Shqipnija!
U bëj hallallë gjyqit dhe ato që do të shtijnë mbi trupat tonë të pafajshëm!
3. DON NIKOLL ZEF DEDA tha se: Rroftë Shqipnija, po vritem në punën teme. Rroftë Krishti Mbret, Rroftë Populli Shqiptar!
P. Kryetar i Gjykatës
67 Rregj./1948 Kapiten i I-rë (Misto Bllaci) d.v.”
***
■Fjala e fundit e Don Ndre Zadejës ishte: “Ah, moj Shqipni, moj mizore e, shka të baj ma shumë për ty?!” (Simbas tregimit Don Mikel Koliqit 1993)
***
■“Sot ditën e hënë, datë 4-3- 1946 ora 05.00, në vendin e caktuar u ekzekutuan armiqtë e popullit, dhe vullneti i tyre i fundit ishte:
1. Prof. Gjelosh Lulashi: Thoni babës të më falin se e kam trazue. Të më falin shokët, se ndonji shpifje e kam ba prej zorit qi kam pasë. Nanës të fala dhe të mi puthin vllaznit. Borxhet që kam mbetë të mi paguejn prindët. I fali me zemër të gjithë ata që më kanë ba keq. Rrnoftë Shqipnia!
2. Patër Daniel Dajani: I fali ata qi më kanë ba keq. Jam kondend se po vdes i pafajshëm, ma mirë se fajtor. T’i japin prindët (far’e fisi), P. Zef Shllakut me pasë me më thanë dy meshë.
3. Patër Giovani Fausti: Jam kondend se vdekja po më vjen tue krye detyrën teme. Dërgoni shëndet Jezuitve, xhakojve, Apostolikve dhe Argjipeshkvit. Rrnoftë Krishti Mbret!
4. Patër Gjon Shllaku: Lamtumirë mi thoni shokve Françeskanë dhe të gjithë të njoftunve. Rrnoftë Krishti Mbret dhe Rrnoftë Shqipnija!
5. Mark Çuni: I fali të gjithë ata qi më kanë gjykue, dënue, si edhe ata që do të më ekzekutojnë. I thoni nanës që i kam Ludovik Rashës 15 napolona borxh dhe t’ja paguejnë. Rrnoftë Krishti Mbret dhe Rrnoftë Shqipnija!
6. Qerim Sadiku: I fali ata qi në çdo kohë mund të më kenë ba keq. I fali edhe ata që më kanë dënue me vdekje, dhe ata që do të më ekzekutojne. Rrnoftë Krishti Mbret, Rrnoftë Shqipnija! Prokurori Ushtarak (Tonin Miloti) d.v.”
Shënim (FR): Me datën 3 korrik 1946, Gjykata Ushtarake e Shkodrës njoftohet:
“…Aprovohet ndëshkimi me vdekje i Frano P. Mark Mirakës.
Njoftoni datën e ekzekutimit dhe vullnetin e tij të fundit.
Frederik Nosi d.v.
***
■Prizren, 15 Nandor 1946: Nga “Katoliçeskaja Banda” Pushkatohen:
At Bernard LLUPI tha:
“Vdekja si kjo, vdekja për shqiptarizëm, asht kupë e artë!”…
Prof. Kol PARUBAJ: “Ma keni kujdes vajzën! Rrnoftë Shqipnia Etnike bashkë me Kosovën!” Maria SHLLAKU filloi me këndue Hymnin e Flamurit…
At Bernard Llupi atëherë i tha me za të naltë: “Të lumtë, bylbyli i shqiptarizmës!
Le ta marrin vesht bota si shkon me vdekë femna Shqiptare, me kangë në gojë!”
Maria ia këtheu me za të fortë:“RRNOFTË SHQIPNIA E MADHE!.. RRNOFTË BASHKIMI I SHQIPTARËVE!”
Mësuesi Gjergj Martini tha: Rrnoftë Shqipnia e Bashkueme. Rrnofshin Shqiptarët…”
***
■Me datën 28 Mars 1947 Ushtari Besnik i Atdheut dhe i Fesë Don Dedë MAÇAJ tha:
“Ja ku po e them para Zotit Tonë, që shpejt ka me më pritë, dhe para gjithë jush
ushtarë të shtrejtë që, po më vrasin vetëm për shkak se urrejnë Fenë Katolike.
I tham këto fjalë pa ligësi dhe pa urrejtje për ata që do të më pushkatojnë!
Rrënoftë Krishti – Mbreti Ynë! Rrënoftë Papa! Rrënoftë Shqipnia!”
***
■Prof. Prenkë Kaçinari shkruen:
“…Erdha këtu në Tiranë vetëm e vetëm për mos me ju qitë telashe ju. Në vendin ku do të vras vetën dëshroj të varrosëm.
Një dëshirë tjetër e që due ta plotësoni asht: të mos mbani askush shej zije për mue; zinë e mbani në zemër.
E tash lamtumirë përgjithmonë. E di se do të kishit dëshirue t’ju shkruajshe ma gjatë. S’ po më punojnë ma as mendja, as dora.
Përqafime e të puthuna të përmallshme; më kujtoni në bisedat tuaja, jam i juaji
Prenkë Kaçinari
Tiranë, 3.IX.1956 ora 5 mbasdreke.”
***
■Imzot Prof. Jul BONATTI njëditë i kishte tregue kushrinës që shkoi me e takue në një manikomjo ku, e derguen mbasi e dënuen 5 vjetë pa fakte…“Kam provue tortura të pandigjueme e të palexueme. Masakra me knaqë shpirtin e tyne pa asnjë arsye…”.
E gjetën të coptuem nga të “pavetëdijshmit” me 5 Maji 1951… (Dosja 3616, Arkivi)
***
■Imz. Ernesto Çoba: (1978), “Jam kenë gjithmonë kundër komunizmit, as nuk kam dashtë me ia ndigjue zanin, kam punue me shpirt me e zhdukë e do të vazhdoj me kenë kundër deri në vdekje!”
■25 PRILL 1968
Don Mark Hasi: (1968) tha në fjalën e fundit mbasi ju dha vendimi i gjyqit në Shkoder: “me vdekje, me pushkatim” , “…Ka me ardhë ajo ditë, kur do të ngrihet një Monument në Shqipni. Me shkronja të arta, do të daltohën emnat e të gjithë Martirëve dhe Deshmorëve të Lirisë së Atdheut, që luftuen për Demokracinë e vërtetë dhe ranë nën shpatën komuniste.”
■Zoti i pastë në Mbretninë Tij!
Vazhdon Pjesa V, “Respekti per të vdekunit…”
Melbourne, Mars 2015.
*Pjesa V.
Teatri i operës dhe baletit
Nga Ylber Vokshi -Ylli/
Janë disa çështje të cilat as imagjinata ma ekstreme nuk mundet ti parashikoi,pasi ato aspak nuk përkasin me logjikën e shëndosh të një shoqërie. I tillë është rasti me “lojën” e propozimit të lokacionit të ri të objektit të Teatrit,operës dhe baletit të Kosovës. Me tri (3) arsyetime të çuditshme, nga garnitura e re qeverisëse në Ministrin e Kulturës,dilet në opinion se:1. Akustika objektit ka telashe të mëdha, (përse është bërë revidimi i projektit,problematikën e akustikës mundet ta konstatojnë vetëm kompanitë e specializuar të cilat janë të rralla në botë). 2. Projektit të parë i ka kaluar afati ligjor,( e pa kuptueshme,cili është ai afat ligjor për ndërtimin e një objekti të rëndësi së veçantë për Kosovën). 3, Projekti i kaluar ka kosto rreth 30 milion euro,(kjo vlerë ka qenë publike në fillim,askush nuk e ka kontestuar,sa jep merr është rregull i ekonomisë të tregut në botë,ashtu edhe te ne).
Iu nevojitën MKRS afro nëntë (9) vite,që nëpër mes zëdhënësit të saj,të ia shpjegoi opinionit arsyet për braktisjen e projektit të vjetër dhe synimet e projektit të ri. Pas tërë këtyre sihariqeve ministrore,mund të them së këto arsyetime janë tërësisht të pa qëndrueshme. Përse të propozohet ndërrimi i lokacionit të objektit,i cili kishte filluar të ndërtohet në vitin 2009,apo pas tërë kësaj loje fshihet diçka tjetër,koha do ta vërtetoi. E ne ende mbetemi pa një objekt të rëndësishëm të kulturës,për të promovuar atë në mënyrë të dinjitetshme,ashtu si i ka hije çdo shoqërie të civilizuar.
MKRS tërë ketë proces,caktimin e lokacionit të ri,ia kërkon Komunës së Prishtinës e cila, sipas tyre,duhet të caktojë një lokacion të ri për ndërtimin e këtij objekti,i cili në vitin 2006 një herë ishte caktuar. Edhe atëherë mënyra e përzgjedhjes se lokacionit deri diku ishte konfuze,por u tolerua për hir të një qëllimi madhor. Aty është bërë inaugurimi solemnisht i fillimit te punimeve në vitin 2009, janë investuar mjete të mëdha materiale, e këto ditë në vend që të vazhdojnë punimet,Ministria e Kulturës del me propozime të reja për lokacion dhe projekt të ri,i cili kushtimisht duhet me qenë në qendrën e kryeqytetit. Për ketë duhet pësuar rrënime të shumta,ashtu si është vepruar në vitet e pesëdhjeta të shekullit të kaluar dikur,e që është kritikuar nga njohësit e problematikës urbane të Prishtinës,por edhe nga të tjerët. Kjo me të vërtetë nuk përket as me normat elementare morale të një shoqërie ,që propozon të ndërron lokacionin sipas hireve të dikujt, pa u bazuar në argumentet profesionale urbane,si veprohet në tërë botën.
Se lokacioni i Teatrit të Operës dhe Baletit domosdo nuk duhet të jetë në qendrën e kryeqytetit e tregojnë rastet e shumta në tërë rruzullin tokësorë. Lokacioni i vjetër i caktuar që të plotëson kërkesat kryesore të komunitetit artistik dhe vizitorëve, në një zonë të qetë dhe atraktive,e që nuk është larg qendrës së qytetit,ky është avantazh i madh për kulturën kosovare. Duhet përmendur se edhe përpara kishte ide “përfituese”, edhe premtime të dyshimta se nëse gjendet një lokacion i ri mu në qendrën e kryeqytetit për ndërtimin e objektit, do të ndërtohet teatri i ri si donacion. Por ato qëllime abuzive me objektin ekzistues të teatrit dhe me identitetin urban të Prishtinës,me kohë u vërejtën dhe u stopuan,nuk u lejuan.
Është jashtë çdo aftësie profesionale të caktohen lokacionet e objekteve të rëndësishme,pa iu referuar dokumenteve ekzistuese hapësinore dhe urbane të Komunës të cilat edhe duhet rifreskuar kohë pas kohe. E jo të veprohet si deri me tani ku shumica e lokacioneve të ndara,nuk është e bazuar dhe nuk ka argumente të mirëfillta urbane. Kjo praktikë duhet ndërprerë një herë e për gjithmonë. Me mos respektimin e dokumenteve urbane ekzistuese,vetëm do të bëhen gabime ma të mëdha urbane, nëse përkrahën këto ide destruktive,të cilat nga aspekti financiar është vështirë të realizohen.
A thua se qytetet e vjetra në botë Venediku, Moska,Roma,Parisi,duhet të kishin pritur shekullin XXI për të ndërtuar operën në qendër të qytetit,jo ato objekte janë pjesë e qendrës urban të asaj kohe. Duhet analizuar se si kanë vepruar qytetet e mëdha në botë me caktimin e lokacioneve të reja të këtyre objekteve,specifike dhe me eskluzivitet të lartë shoqëror si janë rastet në Torino,Helsinki,Sofje apo afër neve në Shkup. Rasti i Sofjes dhe ndërtimi në periferi i objektit të operës së re,tregon një shembull interesant se si ka mundësi të plotësohen kërkesat e kohës,duke respektuar të gjitha kriteret e identitetit urban që i ka çdo qytet.
E tërë kultura e shtetit të Kosovës,në shekullin e ri,u zhvillua në mënyrën e vet në hapësira,të cilat as për së afërmi nuk i plotësojnë kushtet elementare për veprimtari e të gjitha kapaciteteve ekzistuese kulturore,të përthekuara në trupën e teatrit kombëtar,trupën e filarmonisë,trupën e baletit kombëtar dhe shumë institucioneve tjera që veprojnë në kryeqytetin tonë. Objekti ekzistues i Teatrit Kombëtar as për së afërmi nuk i plotëson kushtet elementare për të funksionuar trupa e teatrit dhe ajo e baletit kombëtar. Nevoja për ndërtimin e një objekti reprezentativ,me dashamirësi formalisht u aprovua nga vendimmarrësit Kosovarë të asaj kohe,por realiteti ynë e tregoi një të vërtetë të hidhët,se ne në Prishtinë deri sot nuk kemi asnjë hapësirë reprezentative ku do të luhej në pjesë teatrale,një shfaqje baleti,ndonjë opere apo ndonjë koncert i muzikës klasike.
Asaj që ma së shumti i jam frikuar,sot është realitet në fushën e kulturës dhe urbanizmit në kryeqytet. Është bërë modë që çdo grupacion që vjen në pushtet të bëjë ndryshime radikale, duke mos respektuar VAZHDIMËSINË e obligueshme institucionale, pa dhënë përgjegjësi për ato veprime. E tërë kjo bëhet për disa interesa të pa qarta duke mos qarë kokën për mjetet e shumta të shpenzuara materia. Njëherë është paguar për projektimin,revidimin,fillimin dhe vazhdimin e punimeve të objektit të Teatrit të operës dhe baletit të Kosovës në vitin 2006 gjegjësisht 2009,kur u vu gurë themeli i tij. Tani kërkohet një projekt i ri në emër të kush e di shkëfit,shpenzime të reja të parave të taksapaguesve kosovar. Në thelb,edhe pas shumë viteve ende Kosova po frymon dhe “funksionon” pa infrastrukturën elementare të kulturës ,por kjo fare nuk ka rëndësi për vendimmarrësit tonë. O tempora o mores!
Mjaft ma me rrënime,posaçërisht të objekteve apo komplekseve funksionale,të mendojmë dhe të veprojmë pozitivisht,të respektojmë fjalën dhe mendimin e profesionistëve,të jemi të ndërgjegjshëm që kur të propozojmë opsione të ndryshme,të kemi argumente të forta profesionale,të mësohemi që të respektojmë dokumentet e aprovuara hapësinore dhe urbane,të mos ndërhyjmë me caktimin e lokacioneve të ndryshme për disa objekte publike,që kanë ndodhur vitet e fundit në Prishtinë dhe Kosovë. Ky trend po ka tendenca të ketë vazhdimësi,por së pari duhemi me ia parashtruar vetë vetes pyetjen,përse po punohen dokumentet hapësinore dhe urbane në qytetet e Kosovës,kur askush nuk po i respekton. Është e pa mundur të udhëhiqet dhe të përparoi një shoqëri me filozofi provinciale e të menduarit urban.
Prishtinë arch. Ylber Vokshi -Ylli
09.03.2015 arkitekt i pavarur
ylberv@gmail.com
- « Previous Page
- 1
- …
- 683
- 684
- 685
- 686
- 687
- …
- 868
- Next Page »