• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PSE LDK NË ZVICËR MASHTROI ME EMRIN E TEUTA RUGOVËS

March 1, 2015 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
Që kur nga skena politike është larguar Ibrahim Rugova, LDK ka marrë rrugën e tatëpjetës. Bie poshtë e ma poshtë, duke zvogëluar numrin e simpatizantëve, të cilët ose votojnë për subjekte të reja ose abstenojnë të zhgënjyer në pritje të një ndryshimi. Po ky ndryshim nuk po duket asgjëkundi.
Pasqyrë e kësaj tatëpjete është edhe LDK në Europë dhe Zvicër. LDK-ja është zhbërë pothuaj. Zhbërja e LDK-së në Europë përkon me kohën e aleancës të PDK-LDK. Jo se mungojnë njerëzit dhe simpatizantët, porse mungon tërësisht organizimi. LDK në Zvicër është e organizuar për të ç’organizuar, ndarë e përçarë simpatizantët, gjoja në emër të një humbje të interesit njerëzor.
Ndërsa Hashim Thaçi ka tetë vjet që e mban kontrollin e diasporës. Përmes Ministrisë së Diasporës ka nën kontroll pothuaj të gjitha shoqatat, me organizime të ndryshme te nivelit amator, ku në krye të tyre ka vënë njerëzit e vet, që cilët janë me një nivel folklorik.
Aleanca faqezezë me Hashim Thaçin, një herë e Sejdiut e tash e Mustafës, ka bërë që ta dizintegrojë pothuaj totalisht LDK-në në Europë dhe Zvicër. Zvicra nga modeli i organizimit, i përkushtimit, i sakrificave, tani është kthyer në një organizim inekzistent.
Lëvizja më të madhe e shekullit XX në Europë që do të kujtohet në histori për rolin e saj deciziv në mbështetjen e pavarësisë të Kosovës dhe veçanërisht në mbështetje të Ibrahim Rugovës, tani ka marrë rolin kundër vetvetes.
Gjithmonë kam thënë se kriptothaçistat e kanë sakatuar LDK-në, por sot lufta kundër llojit bëhet nga pozita komode, të vëllazërim bashkimit të dy lidërshipave. Hashim Thaçi qëndron në pushtet me injeksione. Kësisoj edhe lidërshipi aktual i LDK-së.
Por është e papranushme që ta kthejnë diasporën në një pasqyrë të degradimit të tyre, sepse diaspora shqiptare në Europë është pjesë integrale e Perëndimit dhe jo fytyrë e shëmtuar e një keqqeverisje të kallur në korrupsion dhe shpërdorim të pushtetit politik.
Shkatërrimi i LDK-së në diasporë është arritur duke e kthyer nga një lëvizje e krijuar nga intelektualët në një lëvizje anti-intelektuale, që i lufton intelektualët bash si Hashim Thaçi në kohën kur kërcënoheshin e vriteshin mbështetësit e njerëzit e LDK-së.
LDK në Zvicër i ngjan një ngrehine fantazëm, pa elektorat, pa statistika, e vetizoluar, e kthyer në një lëvizje fshatarësie.
Një lëvizje ka sukses nga kauzat e rëndësishme, atë e mbajnë në këmbë idealet Perëndimore, e çojnë përpara idetë të cilat realizohen prej njerëzve të ditur, me aftësi, kredibilitet dhe integritet. Por LDK-ja në Zvicër nuk i afron këta njerëz, përkundrazi bën gjithçka që t’i mbajë larg dhe t’i largojë, duke i zëvendësuar me sharllatanë të cilët nuk gëzojnë as simpatinë më të vogël në komunitetin e simpatizantëve të veprës së Ibrahim Rugovës këtu.
Kjo është një situate shumë dramatike, që i shtohet kaosit të prodhuar në Kosovë po nga politika. Ajo politikë mizerabël që bëhet në Prishtinë, reflektohet në komunitetin e diasporës shqiptare në Europë dhe Zvicër. Thaçi kontrollon jo vetëm shumicën e të gjitha shoqatave ku edhe investon, duke mbajtur një segment klientelist që nxjerr përfitime personale, por mban nën kontroll edhe LDK-në, duke mos lejuar organizimin e saj. Dhe kulmi i skandalit arrin se ndërsa Sejdiu dhe Mustafa bëjnë aleanca me Thaçin, diaspora e krahut rugovist mbetet gjithnjë e ekskomunikuar, ku lidërshipi i saj është jashtë çdo protokolli dhe ngjarje apo eventi.
Megjithatë një grup i njerëzve idealistë kanë mbetur në LDK-në e Zvicrës. Ky grup i ngjan një celule që nuk ka as ndikim dhe as fuqi për të sjellë ndryshim, sepse është nën presionin e politikës që vjen nga Prishtina. Kjo lëvizje që ka mbajtur gjallë gjithë institucionet e shtetit paralel në Kosovë, që ka mbajtur me frymë shkollat, diplomacinë, qeverinë në emigracion, sot ka mbetur në një gjendje mjerane duke vegjeturar prej mercenarizmi vulgar, që as shqipen nuk di se si ta shkruajë e ta flasë.
Synimi i atyre që bënë aleancë me Hashim Thaçin ka qenë shkatërrimi përfundimtar i LDK-së në diasporë, sepse një lëvizje e forte në SHBA, Europë, veçanërisht Zvicër, Gjermani, Belgjikë do të kishte rolin ndikues e kritik ndaj keqqverisjes. Kështu justifikohet edhe lufta që bën sot fantazma e LDK-së në Zvicër me intelektualët dhe elitën që ka patur rol shumë të rëndësishëm në kohën më kritike të paraluftës, luftës dhe pasluftës.
Kthehuni pak prapa dhe kujtoni kohën kur ishte Rugova gjallë se sa e faktorizuar ishte LDK-ja dhe shihni tani kur kushtet janë aq favorizuese dhe LDK-ja është totalisht e defaktorizuar.
E defaktorizuar ka mbetur edhe LDK-ja në diasporë dhe Zvicër, e bunkerizuar, e vetizoluar, në pozita qesharake, kredibilitet-humbur. Askush nuk u shkon mbrapa. Jo se nuk duan. Po nuk kanë se kujt. Asnjëherë LDK-ja në diasporë nuk ka qenë satelite e politikës, siç është prej kohës kur ka vdekur Rugova. LDK-ja ka qenë faktori më i rëndësishëm i diasporës, që sot është kthyer në hiç.
Sot LDK-ja në Zvicër është totalisht e paralizuar, pa veprimtari. Për të tërhequr vëmendjen bën organizime mjerane në ditë festash të cilave kërkon t’u shtojë rëndësinë duke ftuar ndonjë politikan nga Prishtina. Kur do të duhej që ta tërhiqnin vemendjen e Prishtinës duke u faktorizuar si komunitet.
Për t’i karakterizuar apo portretizuar, kanë një mentalitet makutësh, megjithëse fati me ta është treguar bujar, pasi jetojnë prej gati katër dekadash në Zvicër dhe, magjithëse kanë shtëpi e prona kudo, kanë vetura e gjithçka, të krijojnë përshtypjen sikur vuajnë varfërinë ekstreme. Zot fali.
Kur po mbushet çerek shekulli që nga dita e krijimit, LDK-së në Zvicër nuk i ka mbetur asgjë si pasuri intelektuale, veç kujtimi i periudhës historike, ndërsa po të pyesësh për fondet e mbetura, gjithë pasuria e LDK-së rezulton të jetë vetëm me një shifër.

Por problemi më i madh është se duke vepruar si satelitë të Prishtinës, Prishtina arrin synimin për të amortizuar çdo përpjekje të komunitetit të LDK-së në diasporë për ringjallje apo ripërtritje. Dhe megjithëse frymën e Kosovës edhe sot e kësaj dite e mbajnë gjallë remitancat, veçanërisht ato që vinë nga diaspora e Zvicrës, kjo diasporë sot trajtohet me përbuzje dhe nënvleftësohet si komuniteti i dorës së fundit.
Ky stad mjeran i LDK-së së diasporës si satelit i Prishtinës përmes uzurpimit dhe monopolizimit të gjithçkaje që lidhet me këtë emër, ka si produkt dështimin dhe suksesin zero. Edhe festa e 7 vjetorit të pavarësisë sivjet ishte flop i një gënjeshtre.
Prej datës 15 dhe përsëri më 18 shkurt pasdite u lajmëruan në të gjitha nivelet deri edhe në Facebook, se në festën e organizuar nga dega e Zürichut të djelën më 22 shkurt, do të jetë e pranishme deputetja e LDK-së zonjusha Teuta Rugova, e cila kishte njoftuar paraprakisht se nuk do të mund të vinte për arsye të angazhimeve të saj. Por organizatorët e takimit deri ditën e djelë 22 shkurt paradite, pretenduan se në orën 12:00 do të dilnin të prisnin në aeroport Teutën, kur ajo e kishte bërë të ditur mospraninë e saj. Duket se organizatorët e dinin mirë se gjithë prania e atyre që do të vinin në festë do të ishte e kushtëzuar nga prania e Teuta Rugovës, prandaj nuk e lajmëruan as mos paraqitjen e saj.
Ky është niveli i përfaqësimit të LDK-së në Zvicër, aspak i denjë për të fituar respektin dhe simpatinë e atij komuniteti që e ka mbështetur Ibrahim Rugovën dhe idealin e pavarësisë, kur ky komunitet bëri gjithçka në emër të idealeve Perëndimore dhe lirisë.

Filed Under: Opinion Tagged With: Elida Buçpapaj, LDK Zvicer, mashtroi, Teuta Rugova

ZERI I KRAHINES “DUKAT-TRAGJAS E RADHIME”: GANGRENA 24 VJECARE ME PRONAT

March 1, 2015 by dgreca

DEKLARATË PËR SHTYP E SHOQATËS “KRAHINA JONË DUKAT, TRAGJAS RADHIMË” LIDHUR ME POZICIONIMIN E BANKES BOTERORE PER PRONAT/
Tiranë, me 01.03.2015/
Sipas njoftimit të AKKP, me 26 Shkurt 2015, ky institucion ka zhvilluar një takim të frytshëm pune me ekspertë ndërkombëtarë nga Banka Botërore në kuadër të programit të Qeverisë për procesin e reformimit ligjor dhe institucional.
Sipas informacionit ekspertët e Bankës Botërore u shprehën pozitivisht për hapat e ndërmarrë deri tani dhe do të kërkojnë gjetjen e një formule të re, për kompensimin e subjekteve të shpronësuar . AKKP dhe ekspertët e B. Botërore pretendojnë se në zbatim të vendimit pilot të GJEDNJ “Manushaqe Puto/2012 ” kanë realizuar një analizë të hollësishme të legjislacionit mbi çështjen e kthimit dhe kompensimit të pronës dhe kanë evidentuar masat e nevojëshme për përfundimin e shqyrtimit administrativ për dosjet pa vendim përfundimtar (janë mbi 8000 dosje), për të realizuar kështu respektimin e të drejtës së pronësisë për subjektet e shpronësuar.Sipas njoftimit të AKKP pronari do të shihet si partner me qeverinë për të zhvilluar projekte në të gjithë territorin. Reforma do të realizojë një proces për kthimin e pronës në mënyrë të unifikuar dhe në zbatim të planeve zhvillimore dhe strategjike të qeverisë sipas rregullave të përcaktuara dhe një proces kompensimi të bazuar në parimet kushtetuese për një shpërblim të drejtë për pronaret dhe real për buxhetin e shtetit dhe pretendohet se kjo “Reformë” pritet të përfundojë brenda muajit Prill 2015. Këto janë fjalë të bukura dhe shfrytëzim i ndërkombëtarëve për të justifikuar greminën dhe për të na bindur të pranojmë kompensimin në vend të kthimit fizik , si një lëmoshë bamirësie. Projekti është i gabuar dhe antikushtetues që në themel.
Gabimet me pronat janë gangrene 24 vjeçare e Shteti Shqiptar që ka në themel platformën e katovicës të realizuar nga kryeministrat e periudhës 1991-2014. Z. Sali Berisha në 2013 pranoi publikisht gabimin dhe qëndrimin e tij antipronar. Realisht ky është qëndrim antidemokratik dhe antishqiptar që i ka kushtuar vendit mijëra të vrarë, mijëra konflikte dhe familje të ngujuara . Kjo politikë që tenton të prishi themelet e autoktonisë tonë duke mos ja kthyer shqiptarit tokën e tij të trashëguar por lejon që atë ta përvetësojnë oligarkët e politikës, duhet çrrënjosur. Ne e mbështesim Apelin publik dhe mendimet e zotit Niko Nesturi drejtuar B.Botërore dhe ambasadorëve të publikuar në gazetën Telegraf fq.8 datë 28.02.2015. Kemi fakte të pamohushme, një pjesë e të cilave janë bërë publike në gazeta, dhe në faqen e internetit të Shoqatës se problemet e demokracisë në Shqipëri nga B.Botërore dhe institucionet ndërkombëtare janë menaxhuar shumë keq, duke abuzuar mbi të drejtën e pronarëve të shpronësuar për të gëzuar pronën e tyre të trashëguar konform detyrimeve kushtetuese. Kjo linjë e gabuar korruptive dhe kriminale në kurriz të popullit shqiptar duhet korigjuar dhe korigjimi i gabimeve nuk mund të bëhet duke shtuar gabime të tjera. Gabimet e B. Botërore dhe ndërkombëtarëve qëndrojnë në faktin se ata financojnë një Shtet që shkel të drejtat e njeriut dhe detyrimet kushtetuese. Ata edhe sot po vazhdojnë t’a anashkalojnë problemin e kthimit fizik të pronës tek subjekti i shpronësuar konform detyrimeve kushtetuese, konform Konventës , vendimeve të GJEDNJ dhe mbështesin platformën qeveritare që shkel çdo detyrim kushtetues.
Gabimi themelor i veprimtarisë së AKKP është se ky institucion parparakisht duhet të përfundojë procesin e kthimit fizik duke korigjuar gabimet e bëra për shka të korrupsionit me pronat në bregdet dhe të çlirojë pronat nga pushtuesit që janë vetë pushtetarët 1991-2014. Pas realizimit të titujve të pronësisë konform me nenin 181 dhe të gjithë ligjet ndërkombëtar vjen problem i kompensimit. Të kërkosh justifikim mbështetës prej ndërkombëtarëve për të justifikuar zëvendësimin e kthimit fizik me formula për kompensim që të përputhen me mundësitë reale eshtë vazhdim në rugën e gabiar 1991-2014. Kjo është justifikim i vjedhjes, mohim i atdheut dhe i autoktonisë së bregdetasve. Anarkia e pronës është burimi kryesor i krimit dhe i korupsionit të organizuar dhe AKKP por dhe ndërkombëtarët nuk duhet të lejojnë që ky gabim të vazhdojë të thellohet, që nesër të pretendohet se nuk ka zgjidhje
Zgjidhja egziston dhe është e përcaktuar qartë në Kushtetutë. Pronat e sekuestuara nga sistemi i diktaturës, kompensohen vetëm kur ato jan tjetërsuar për nevoja publike . Ka shumë kohë që pronarët e kanë dhënë të gatëshëm projektligjin për zgjidhjen e problemit të pronës për diskutim në Kuvend. Ekspetrët e B. Botërore nuk duhet të përsërisin po atë gabim të ekspertëve të OSBE që megjithse nga shoqata e pronarëve ju ofroi të gatshme analizën e zituatës dhe zgjidhjen duke i treguar për gabimin në projektin e tyre, ata nuk morrën parasysh kërkesat. Specialistët e OSBE shpenzuan 1.6 milion euro dhe bënë asgjë për respektimin e kushtetutës duke shtytur kohën për pronarët e zonave turistike me iluzionin se tani për pronat është angazhuar OSBE. Që kjo eksperiencë e hidhur, të mos prsëritet nga ekspertët e B. Botërore dhe AKKP, ata duhet të analizojë dhe përmirësojnë ose miratojnë draftin e pergatur nga ana jonë, duke qenë dhe ne present në tryezë. Kjo është zgjidhja realiste dhe efikase. Deri tani kjo kërkesë vazhdon të anashkalohet dhe ne mund të thiremi kur punët të kenë mbaruar. Kjo i shërben intersave të klaneve që përfitojnë nga krimi i organizuar i transferimit të paligjshëm të trojeve në zonat turistike.
Kryeministri z. Edi Rama, ka deklaruar luftë në front të gjërë me korrupsionin. INUK duke prishur në trojet turistike ndërtimet e bëra në tokat e pronarëve prej personave të tretë ka ngjallur besimin tonë se shteti ka forcë dhe mundësi për ta zbatuar ligjin, por kjo duhet plotësuar me detyrimin e Shtetit që prona ti kthehet të zotit nëpërmjet ligjit të shtetit dhe jo nëpërmjet vetgjyqësisë. Ky ligj është prova e të vërtetës për ndërgjegjen demokratike të Kryeministrit dhe të ndërkombëtarëve. Puna e derisotme e AKKP dhe ekspertëve të B.Botërore, për të gjetur një formulë kompensimi është lexim i gabuar i Kushtetutës, i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, i vendimit pilot të GJEDNJ/2012 dhe i raportit të Komisionerit z. Nils Muižnieks, Kryetari i Delegacionit të KE, që vizitoi Shqipërinë nga 23 deri më 27 shtator 2013. Deformimi i derisotëm i konceptit të kompensimit, ka sjallë shumë gabime që duhen korigjuar sa më parë. Vetëm kështu AKKP dhe B. Botërore mund të realizojnë këtë detyrim kushtetues për zonat turistike, problem themelor dhe tejet i rëndësishëm në realizimin e këtij prioriteti kyç te Qeverisë Shqiptare.
Kryetari i Shoqatës” Krahina Jonë Dukat, Tragjas Radhimë“
Jurist Axhem Ymeri

Filed Under: Opinion Tagged With: Dukat, pronat, radhime, Tragjas

Terrorizmi qendrën e ka në Moskë-Athinë-Beograd

March 1, 2015 by dgreca

Opinion nga Isuf B.Bajrami/
Siç dihet, terrorizmi si terminologji që përdoret kohët e fundit pa ndërpre nëpër referatet dhe shprehjet e shumë politikanëve e edhe të liderëve fetarë si ai Pavle, etj, ka marrë një përhapje të gjerë në botë, është kthyer në një fenomen shqetësues.
Ai shfaqet nëpërmjet formave, rrugëve e metodave të ndryshme. Në mjaftë vende kryhen puçe ushtarake nëpërmjet veprimeve terroriste të organizuara nga kreu i ish shteteve të lindjes. Ndërkohë ka kontrabandë kolosale, ka vjedhje të organizuara në shkallë ndërkombëtare, ka zhvillim të korrupsionit politik, imoral e fizik,etj. Terrorizmi shfaqet gjithashtu në grabitjen e aeroplanëve, sulme banditësh kundër individëve e grupe individësh në rrëmbime njerëzish, në vendosjen e bombave e deri në format më të ashpra të terrorizmit shtetëror e ndërkombëtar.
Në planin ndërkombëtar terrorizmi ka një rritje sidomos në disa vende. Në Francë “Aksioni direkt”, Belgjikë, në Spanjë vetëm në një atentat të kryer në një restorant pranë Madridit gjejnë vdekjen mbi 210 viktima. Veprimtari të njëjtë kryejnë edhe organizatat e njohura terroriste “Brigada e Kuqe” në Itali, “Ushtria e Kuqe” në Gjermani, “17 Nëntori” në Greqi, “Rruga e Ndritur” në Peru, “Ujqit e Murrmë” në Turqi, etj, të gjitha rrjedhin nga një Moçal që kundërmon me qendër në Rusi.
Grupi terrorist “17 nëntori” në Greqi, i njohur për vrasje e gjakderdhje, ka kryer disa dhjetëra vrasje ndaj personalitetesh ku në kohën e fundit ishte edhe atentati ndaj Atasheut Ushtarak të Britanisë së Madhe, vrasja e atasheut ishte si shenjë revolte ndaj Anglezëve dhe trupave të KFORI-it të cilët e ndihmojnë popullatën e pambrojtur në Kosovë, ndaj gjakatarëve të Milloshoviqit. Rast më i njëjtë është edhe hedhja në erë e dy makinave të misionit turk në lagjet “Pangrati” dhe “Zografu” ,në lindje të kryeqytetit ,pasuar nga një automjet i përfaqësisë italiane, në lagjen “Galaxi” , në veri, më pas edhe një makinë diplomatike e Filipineve në Ambelokipi. Për këto lloj atentatesh ,të shpeshta në Greqi,akuzohen nga policia grupe anarkiste ose të ekstremit të majtë .
Grupi terrorist “Rruga e Ndritur” nëpërmjet veprimtarisë së tij të fundit, ka shkaktuar vdekjen e mbi 15 mijë viktimave. Vetëm më 27 qershor të vitit 1989 në atentatin e zhvilluar në qytetin Amba të Perusë, terroristët e këtij grupi vranë 254 vet. Organizatë e tillë është edhe “Karta 77” në Çekosllovaki.
Po tu referohemi titujve të cilët i përdorin organizatat terroriste do të shohim se ato kanë shumë epitete të cilat të çojnë në një, si : “Brigada e Kuqe”, “Ushtria revolucionare proletare”, “Ushtria e Kuqe”, “Rruga e ndritur”, “Ujqit e Murrmë”, “17- Nëntori” , etj, pra këneta ku fërgohen dhe zihen të gjitha këto janë në Moskvë me degëzimet e saje reaksionare nëpër botë.
Për terrorizmin po flitet e shkruhet shumë. Propaganda sllave, nëpërmjet pamjeve televizive, përpiqet të frikësojë njerëzit dhe t’u krijojë atyre ankthe e pa siguri, duke e paraqitur atë të “përbindshme”. Të shumta janë vlerësimet që bëhen, qoftë për interpretimin e terrorizmit, qoftë për shkaqet që nxisin këtë dukuri politike e shoqërore, qoftë për rrugët e parandalimit, apo të kufizimit të akteve terroriste e anarkiste.
Shkaqet e vërteta të përhapjes së terrorizmit nuk qëndrojnë as në lajthitjet e njerëzve të veçantë, as në motivet impulsive që gjoja i shtytkan ata për të kryer akte të tilla, si rekomandojnë kalemxhinjtë e Beogradit. Ato janë në sistemin ekonomik, politik e shoqëror të vendeve të Bllokut të Lindjes. Si fenomen shoqëror, terrorizmi është pjellë e krizës dhe e degjenerimit të shoqërisë, e dekadencës dhe e shthurjes Morale të një numri gjithnjë e më të madh njerëzish që jetojnë në mjerim e dëshpërim.
Faktet tregojnë se akoma më të egra janë aktet e terrorizmit në planin ndërkombëtarë, si pasojë e politikës agresive, ekspansioniste e hegjemoniste, e shtimit të garës në armatim, e nxitjes së racizmit, sionizmit dhe regjimit monist. Vlen të përmendet terrorizmi shtetëror në Jugosllavi i udhëhequr nga Millosheviqi, ku në të kishte gisht edhe Kisha Ortodokse serbe. Propaganda shtetërore serbe dhe ajo e kishës shpeshherë drejtohet kundër njëra tjetrës dhe në të gjitha rastet ka një qëllim: të hidhet perde tymi dhe të gënjehet opinioni publik, të mbulohen aktet agresive që ato kryejnë në terren ndaj boshnjakëve, shqiptarëve, etj, të përligjet terrorizmi shtetëror si një politikë zyrtare.
Populli ynë, sikurse dihet, e dënon terrorizmin në çdo formë që paraqitet ai, qoftë individual, i organizuar, apo i karakterit politik, pavarësisht nga ngjyrat që ai mban dhe motivet nga niset. Nisur nga dëshira e sinqertë për të kontribuar në luftën kundër terrorizmit dhe të ndërgjegjshëm për rreziqet eventuale që paraqet terrorizmi, unë mendoj se duhet të jemi vazhdimisht vigjilent, kundër terrorizmit shtetëror sllavo-ortodoks që ushtrohet mbi popullin tonë dhe duhet të përpjekkemi për nxjerrjen e rrënjëve të atij terrori nga trojet tona.

Filed Under: Opinion Tagged With: Beograd, Isuf Bajrami, Moske-Athine, terrorizmi

PO DOSJET E GJYQEVE A DO HAPEN NDONJËHERË?

February 28, 2015 by dgreca

Nga Abdurahim Ashiku-Athinë/
“Unë e dua Platonin, por më shumë dua të vërtetën”. Kjo urtësi ka udhëtuar mijëra vjet pa u ndryshuar, pa shtuar apo pakësuar gjë.
Unë e dua Presidentin, Kryeministrin, edhe pse tash nëntëmbëdhjetë vjet nuk kam votuar. Ata, dua apo s’dua unë, janë drejtuesit e vendit tim, Shqipërisë që e dua mbi gjithçka. Por më shumë se ata unë dua të vërtetën.
Presidenti i vendit tim doli në fillimjavë me zë dhe figurë dhe kërkoi që në 25 vjetorin e rrëzimit të shtatores së Enver Hoxhës të bëheshin një sërë veprimtarish në dënim të diktaturës.
Jam me të. Le të hapen dosjet për të gjithë dhe le të bëhet një gjykim popullor për “pastrim shpirtrash” dhe një gjykim penal për të gjithë ata që kanë bërë krime.
Flitet për dosjet e Sigurimit të Shtetit por nuk flitet për DOSJET E GJYQEVE TË SHTETIT.
Këta të fundit, në hetime dhe në gjykime, janë cekur dhe bërë publikë në shkrime gazetash e në emisione televizive vetëm (mbase gaboj) për anëtarë të byrosë politike dhe ushtarakë të lartë që ranë ndesh me diktatorin dhe u pushkatuan, u burgosën apo internuan. Dhe këta (mbase përsëri gaboj) janë nxitur më tepër nga pasardhës të tyre që diktatura ua preu rrugën e jetës luksoze që bënin në prehrin e prindërve të tyre e që, majtas apo djathtas, morën ofiqe zyrtare deri në deputetë e ministra.
Presidenti i Republikës, vazhdon të flasë për mos dekretimin e Visar Zhitit si ambasador i Republikës së Shqipërisë në Vatikan duke mos dhënë asnjë arsye të pranueshme. Ai vazhdon të ngulë këmbë si “mushka në pasarelë” me sloganin “Nuk më kanë pyetur!!!” duke hedhur një mjegull të dendur për të kaluarën e personit.
Në nomenklaturën e lartë shtetërore e veçanërisht në atë gjyqësore, ka një numër jo të vogël gjyqtarësh dhe prokurorësh që kanë vënë firmat dhe kanë dënuar njerëz nga me shumë vite burgim deri në vdekje e varje publike.
Për ta, për gjyqet e bëra, për dënimet e dhëna, për etikën e qëndrimit të tyre në gjyqësor dhe prokurori, nuk kemi dëgjuar, parë e lexuar për hapjen e dosjeve të gjykimeve të tyre.
Presidenti ynë në fillimjavë tha se… “Do t’i sugjeroja Parlamentit shqiptar që me ligj të veçantë të kishim një datë, një ditë, e cila të ishte dita e përkujtimit të krimeve të komunizmit në Shqipëri. Kjo datë mund të ishte në diskutim, padyshim, në Parlament, por dhe me grupe të tjera të interesit. Mund të ishte fare mirë dita e ekzekutimit të 22 intelektualëve më 27 shkurt 1951, pas të ashtuquajturës ‘bombë në Ambasadën sovjetike’, ku 22 intelektualë pa proces hetimor, pa proces gjyqësor, me një vendim partie u seleksionuan dhe u ekzekutuan me një plumb pas koke dhe u varrosën në një gropë të përbashkët. Por, mund të jenë dhe data të tjera në kalvarin e gjatë të krimeve të komunizmit: mund të jetë dita e varjes së poetit Havzi Nela, por kjo do të jetë një çështje, e cila duhet të diskutohet nga Parlamenti dhe nga grupet e interesit, të ish-të përndjekurve politikë, të shoqatave të ndryshme të Shoqërisë Civile.
Në se për ekzekutimin e “22 intelektualëve më 27 shkurt 1951, pas të ashtuquajturës ‘bombë në Ambasadën sovjetike’, ku 22 intelektualë pa proces hetimor, pa proces gjyqësor, me një vendim partie u seleksionuan dhe u ekzekutuan me një plumb pas koke dhe u varrosën në një gropë të përbashkët” biem dakord me Presidentin, për Havzi Nelën, ka një proces gjyqësor, ka gjykatës që janë gjallë (madje në sistemin gjyqësor apo politik më të lartë), ka edhe dëshmitarë në procesin e gjykimit dhe dënimit me varje publike.
Që personi në fjalë (apo kushdo tjetër) të kishte emër të përveçëm në “një datë, një ditë, e cila të ishte dita e përkujtimit të krimeve të komunizmit në Shqipëri” duhet të hapet dosja e gjykimit të tij, të thirren dëshmitarët e gjyqit për të përgënjeshtruar publikisht ato që kanë thënë dhe të shpallet i pafajshëm ligjërisht. Nuk e di në se këtë gjë do ta bëjë polici që mori plumb në kokë e siç deklaronte disa vite më parë nga Fajzat e Kukësit në mjetet e komunikimit masiv: “Buka e dhënë ma shpëtoi jetën”…
Nuk është vetëm rasti i “një date, një dite… por rastet “ditë për ditë” të lidhjes së dëshmitarëve të rremë me “karrige në pushtet”, rastet e lidhjes së gjykatësve dhe prokurorëve keqpërdorësh të ligjit me “karrige në gjyqësor” që ka kohë që i bëjnë karshillëk shoqërisë.
Hapja e dosjeve të gjyqeve të diktaturës (besoj më të paprekura se dosjet e sigurimit) është hap i madh i pastrimit të shtetit dhe të shoqërisë, i frymëmarrjes me oksigjen të plotë i demokracisë në Shqipëri.
Le ta bëjmë pa hezitim edhe këtë.
Abdurahim Ashiku
Athinë, 25 shkurt 2015

Filed Under: Opinion Tagged With: Abdurahim Ashiku, HAPEN, NDONJËHERË, PO DOSJET E GJYQEVE A DO

Akademikë dhe intelektualë, mos flini…!

February 28, 2015 by dgreca

Nga Faik KRASNIQI/
Shumë intelektualë në gjithë botën janë vlerësuar vite më vonë pas vdekjes së tyre, pasi në atë kohë që jetonin, nuk i donte njeri vetëm për faktin se udhëheqësi i vendit i ka shpallur “armik të popullit” apo nuk ka pëlqyer çfarë shkruante. Shumë prej tyre u duheshe të shkruanin në gjuhë ”sekrete” (si them unë), duke shkruajtur fabula apo historira me kafshë apo diçka tjetër që simbolizonte atë që donin të thonin.
Pra, çfarë quanin të këqinj më parë, i quajnë intelektualë sot, e kush e di se cilët prej njerëzve që quajmë budallenj sot, do quhen intelektualë vite më vonë nga fëmijët tanë.
……
Ne shqiptarët kemi një nevojë shumë të ngutshme për një doracak nocionor e kuptimor, në të cilin në formë më të zgjeruar do të sqaroheshin kuptimet që bartin në vete fjalët: intelektual, intelektual i pavarur, profesionistë etj. dhe secilit nocion do t’i bashkëngjitej edhe ndonjë emër nga personalitete përkatëse ndërkombëtare dhe personalitete shqiptarësh. Intelektualët janë krenaria e një kombi, shpresa e tij për një të ardhme sa më të ndritur. Fatkeqësisht shumë nga këta u detyruan të largohen nga atdheu dhe të vënë dijet, inteligjencën,.zotësinë e tyre në shërbim të vendeve ku jetojnë.
……
Në Kosovë ka vdekur intelektualizmi. Kosova nuk ka më intelektualë të mirëfilltë! Në Kosovë ka vetëm intelektualë mercenarë që punojnë për interesa të partive dhe grupeve të caktuara! Psh: Akademia e Shkencave të Kosovës, kurrë nuk del me një qëndrim zyrtar për çështjet madhore të Kosovës, për ta orientuar për së mbari shtetin, e sidomos tash që jemi në një gjendje shumë të rëndë. Shtrohet pyetja: çfarë na duhen atëherë këta të ashtuquajtur akademikë, kur nuk bëjnë asgjë për interesin e Kosovës, se tek e fundit për atë punë paguhen, apo rrinë aty që të marrin nga 2000-3000 euro rroga në muaj e beneficione të tjera! Akademikë dhe intelektualë, mos fleni, por zgjohuni nga gjumi i arushave dhe punoni për të mirën e vendit!

Filed Under: Opinion Tagged With: Akademikë dhe intelektualë, faik Krasniqi, mos fleni...!

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 685
  • 686
  • 687
  • 688
  • 689
  • …
  • 868
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Antonio Bellushi (1934, Frasnitë – 19 qershor 2024) mbledhës i zellshëm dhe studiues i pasurive etnokulturore e gjuhësore të Arbëreshëve dhe Arbërorëve
  • Jetimi që nxori zbuluar shtetin…
  • Qyteti antik 2400-vjeçar i Çukës së Aitoit
  • Dita e Veteranëve, përkujtojmë shqiptarët që shërbyen me nder në Ushtrinë e SHBA
  • Lëvizjet e popullsisë shqiptare jashtë kufijve shtetërorë dhe vendosja e saj në Shqipëri: Një analizë historiko – hartografike dhe socio – ekonomike
  • “DUA”, propozimi zyrtar i Kosovës për Oscar në kategorinë “Filmi më i mirë ndërkombëtar”
  • 1928 / URA E ZOGUT MBI LUMIN MAT — RRËFIMI EKSKLUZIV I ERWIN SCHNITTER, INXHINIERIT ZVICERAN QË DREJTOI PUNIMET PËR NDËRTIMIN E SAJ
  • NIKOLLA NAÇO (1843–1913) – ATDHETARI QË E VURI PASURINË, DIJEN DHE JETËN NË SHËRBIM TË SHQIPËRISË
  • MURI I BERLINIT RA, POR MURET POLITIKE DHE IDEOLOGJIKE MIDIS SHQIPTARËVE VAZHDOJNË TË QËNDROJNË
  • Dy “Qemalët” e mëdhenj që themeluan dy shtete mbi rrënojat e një perandorie
  • THANK YOU to the City of St. Petersburg and Chief Anthony Holloway for Supporting Albanian School VATRA!
  • A egzistonte koncepti i kombit në kohën e Skënderbeut?
  • Dardane Halimi: “ALB Connection was created to give every Albanian-owned business in America a voice and visibility”
  • KRIJIMI I NJERIUT TË RI: NGA IDEOLOGJIA KOMUNISTE TE KULTURA E PËRFITIMIT NË SHQIPËRINË E SOTME!
  • Transpozimi poetiko-dramatik i veprës “Trungu ilir” të Sabri Hamitit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT