• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NANAT SHQIPTARE NUK KANË MONUMENTE…

February 8, 2015 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/*
Shpeshë e përsëriste një halla ime, Moter Gjyzepina Radovani, një thanje, që ka shkrue At Konrrad Gjolaj: “As mos e mendoni se ka me mujtë kush me shkrue ndonjëherë se, shka kanë ba komunistët mbi Klerin Katolik dhe Atdhetarët Shqiptarë, edhe me i mbajtë mend të gjithë ka me u dashtë me u kthye Deti Adriatik në mereqep (bojë shkrimi), për me shkrue shka asht ba mbi Popullin Shqiptar. As mos u lodh me i mbajtë ndër mend… Ata që nuk i kanë provue ose pa me sy krimet e sigurimit, jo vetëm nuk kanë me i besue, por edhe me ua tregue, kanë me kerkue me i harrue shpejtë” Më duket se, po dalin fjalët e saja..!” (At K. Gjolaj O.F.M. “Çinarët”, faqe 106, viti 1996).
Një tmerr i vërtetë me i mendue futat e zeza, velat si futa dhe degermijat e bardha që të shihte syni me vite të tana mbi kokat e grave dhe vajzave Shqiptare, tue fillue aty ku flitet e mendohet në gjuhën Shqipe, e deri ku ka pasë edhe vetem një Nanë Shqiptare, që u ka dhanë kjoftë edhe një ditë me pi qumesht prej gjiut vet foshnjeve në prêhên të Saj…
E pra, Ata Nana, ishin që i falnin Atdheut dritën e së ardhmës, shpresen e fitores dhe ua trashigonin me dashninë e pakufi Rinisë Shqiptare virtytin e Besës, Burrnisë e Bujarisë në Gjakun e tyne, tue ua mëkue me “bukë, djathë, e shka ka dhanë e falë i Madhi Zot!”
Ato Nana ishin dhe janë, që kanë provue ma shumë se kujtojmë né! Madje, ka edhe nga ata tradhëtarë që vazhdojnë me i dhunue Nanat Shqiptare me “yllin e kuq” në dorë…
Me “yllin sllavokomunist të Titos, Stalinit e Mao Ce Dunit…dhe tradhëtarit E. Hoxha!”
po, ajo nuk asht “Nana Shqipni”! Nana Shqipni asht Ajo që u masakrue nga komunizmi dhe tradhëtarët e Atdheut, me “yllin e kuq” në ballë e në zemer… që nga viti 1941…
Ato ishin Nanat Tona! Ato ishin Nana Shqipni!
Nanat Tona ishin Ato Burrnesha që qendruen mbi shkambijë atje naltë në Bjeshkët e Nêmuna dhe u varrosën dikund, ku sot, nuk ka asnjë shenjë as Dheu i zi kah Tepelena, bash Aty, ku thundra e tradhëtarit t’ Atdheut vriste Motrat e Bijat e Tyne, si ndër Male e shpella, ku hasmi e bishat komuniste flinin bashkë tue u ushqye me Gjak Shqiptarësh…
Historia e Nanave Shqiptare asht shkrue prej kohës ma të vjetër dhe asht daltue në gurin e Trojeve tona, po edhe në drunin e kthyem në Gur… Atë dru nuk e kalbi as Toka!
Asht bash Ai dru që nuk la përjetsisht me u mbyllë Asnjë nga Ato Dyer që sot gjallojnë!
Asht bash Ai dru që nxjerrë xixa, e xixat sjellin Dritën e Shtëpisë, Gjakun e Rij Shqiptar!
Asht bash Ai dru që dora tradhëtare kerkoi me e vra natën për terr…
Asht bash Ai dru që rriti një Mal nder ma të naltit e Shqipnisë…
Asht bash Ai dru i Maleve të Sheperit të Zagorisë…
Asht Nana Ynë Shqiptare KALIOPI DILO SHEPERI…
Shikojeni mirë foton naltë! Shikojeni… Se sytë e Saj nuk mbyllen kurrma!
Ata sy, rrezatojnë Dritën e Pasosun, pikrisht, të Asaj Jete ku Ajo asht n’ Amshim!
E duertë e Saja të lidhuna vazhdojnë me tregue dhimbjen e madhe prej së cilës, Ajo Nanë… me 25 Janar 1991, dha Shpirtin e Saj besnik në Familjen Dilo, nga masakrat e panjohuna barbare komuniste… I hodhën acid dhe e dogjën…e dhimbjet e plagës Nanën e mbyten, e mbytën barbarët…E pse? – Vetëm, pse ishte Burrneshë Shqiptare!
Ajo Nanë e Pavdekshme sot, më kujtoj mbi 500 000 Nana Shqiptare që djelmët e vajzat e Tyne, ua vranë, masakruen, torturuen, i rjepen dhe i dogjën persëgjalli, ua groposën dhe nuk i lanë asnjë shenjë varri të tyne…, dhe nuk u ngopën po, masakruen, interrnuen dhe zhdukën edhe Ato Nana, që Trupat e Tyne u lanë me lotët që vazhdojnë me rrjedhë nga Sytë e Tyne plot dritë e shpresë… E dhimbje… si gjithë jetën e Tyne të Nderueme!
Nana Ynë e Ndjerë Kaliopi! Ju nuk keni Monument, sepse, nuk mbajte kurrë ndër duerë “yllin e kuq” të tradhëtarëve… Ndër duertë Tua të bekueme Ju mbajtët edhe një liber… Pikrisht, atë liber, ku shkruhet per Ty o Nana Ynë Kaliopi Dilo Sheperi:
***
Kanë me kallzue se sa pjesë qiellit vrâni
Vdekja n’ atë vorr. E atë botë i largët shtegtari
Të lehtë dhéun ka me t’ urue, e t’ paqta e t’ buta
Shinat e boren: e, kur n’ male t’ veta
T’ dredhojë ké stani, fëmijës ka me i kallzue
Shka ndjeu per ty. E fëmija e tij asobote
Emnin t’and kanë per t’ këndue, e vrrini e bjeshka
Gjithmonë i ri, tue njehë furit e mnershme,
Ambel prej emnit tand kanë me jehue.
Me maje t’ briskut kanë me shkrue mbi lisa
Me shkrola t’ njohuna veç e prej barijve:
Kanë me u rritë lisat, përse sopata as rêja
S’e prekin landen, ku asht ravisë ai emën:
E tue’ u rritë lisat kanë me u rritun shkrolat;
E kshtu ma t’ kjarta mbas disa qindvjetëve
Nipat ma t’ vonët kanë me i këndue, e emni
Sa t’ bjerë dielli tokës ka me t’u këndue.
At Gjergj Fishta «Mrizi i Zanave»

Në shenjë Nderimi e respekti per Nanat Tona Shqiptare pa Monument ! Autori.
Melbourne, Shkurt 2015.
*Në 70 vjetorin e përmbytjes sëShqipnisë…

Filed Under: Opinion Tagged With: Fritz radovani, Histori, Kaliopi Dilo

BILAL XHAFERRI – NJË SHQIPONJË ÇAMËRIE

February 7, 2015 by dgreca

Shkruan: Rasim Bebo/
Bilal Xhaferri ishte biri jetim i Çamërisë që nuk njohu fëmijëri dhe as rini në jetën e tij të shkurtër. “Ne ishim pesë fëmijë, deklaron e motra e Bilalit, Antika. Nëna na vdiq shumë e re në vitin 1943, Bilalin e la 8 vjeç, pas dy vjetësh na pushkatuan babanë! Na mori gjyshi në shtëpinë e tij të na rriste. Unë isha më e vogla. Babai më la 4 vjeç. Gjyshi ishte plak i sëmurë dhe i verbuar nga sytë. Jetonim në një varfëri të tmerrshme. Atëherë kishte filluar lufta e klasave, nga Partia Komuniste. Në fshat filluan të na përbuznin, qoftë edhe me sy kur na hasnin rrugëve. Bilali, si vëllai më i madh, në moshën 10 vjeç na u bë nënë dhe babë. Të gjitha hallet e familjes ranë në kurmin e njomë të tij. Pasi mbaroi shkollën fillore katërvjeçare, për dy vjet “gjezdiste” për të punuar, që të na ushqente. Rraskapitej fshatrave për një copë bukë, dhe një ditë mori rrugën për te halla në Sarandë. Ishte 12 vjeç, filloi punë si shpërndarës letrash dhe gazetash në postën e Sarandës. Ecte në këmbë nëpër moçalet e fshatrave të Vurgut të Sarandës, zbathur për 10 -11 orë në ditë. Në çdo dy javë dhe sidomos ditën e festave, vinte në Ninat për të na sjellë ndonjë lekë dhe ushqime, që i blinte me triskë në qytet, të na gëzonte neve dhe gjyshin. Për një natë që rrinte me ne, bënte shumë orë udhëtimi në këmbë. Pas 4 vitesh Bilali shkoi te halla në Shijak, ku punoi në fermën e Sukthit.”… Nga Edip Hoxha, kushëriri i tij, mësohet se, në vitin1957-1958, Bilali punonte si teknik ndërtimi në kantierin e Shkopetit, pasi kishte mbaruar kursin njëvjeçar për Gjeometër. Në vitin 1962 e marrin ushtar në Pronovik të Poliçanit, në atë kohë filloi të shkruante te revista “10 Korriku”, tregime, reportazhe, poezi.
Shkrimtari Naum Prifti shkruan: “Një herë më erdhi me postë një zarf mjaft i trashë, nga një repart ushtarak. Bilal Xhaferri, ishte emër i panjohur për mua. E shikoja me bezdi novelën me 32 faqe dërguar nga një ushtar i thjeshtë. Pas dy muajsh, mu desh ta lexoja. Kur arrita në një faqe, gjeta një pasazh fantastik dhe thashë me mend: “Ky është një talent!” I befasuar dhe i entuziazmuar nga zbulimi i një talenti, i shkrova një letër, ku e lusja, po t’i binte rasti të vinte në Tiranë, do të isha i kënaqur të na bënte një vizitë në redaksi. Pas dy a tre javësh hyri në dhomën ku punoja unë, një ushtar me trup mesatar dhe pyeti nëse mund të takonte Naum Priftin … M’u kujtua letra, prandaj e pyeta: -Mos jeni Bilal Xhaferri? – Po , -m’u përgjigj, – erdha sipas letrës që më dërguat.” Nga biseda më tha se tregimet e mija i pëlqenin. “Në asnjë tregim ti nuk përsërit veten, por sjell gjithmonë diçka të re”. Vëllimi I tij me tregime “Tokë e lashtë, njerëz të rinj”dhe “Purpuranti”, lanë mbresa të forta te lexuesit. Epokën e Skënderbeut ai e kishte në zëmër dhe u kthye më vonë me romanin “Krastakraus”.Këto ekskursione historike ishin mjeti i tij, për t’i ikur pasqyrimit të realitetit të zymtë, të cilin ai e njihte shumë mirë.”
Ballkize Halili, gazetare në “Zërin e Popullit” mundi të nxjerrë leje krijuese nga Lidhja e Shkrimtarëve për bashkëfshatarin e saj Bilal Xhaferrin. Ajo e ndihmonte dhe e përkrahte, se e shihte si përfaqësuesin më të talentuar të Çamërisë. A ka gjë më tronditëse për autorin, kur sheh që libri i tij bëhet qull për letër ambalazhi, se ngrinte problemet Çame. Më kujtohet tregimi, “Ti je partizane”, një tregim tepër i ndjerë që u fut në të gjitha tekstet shkollore, si tregim interesant. Por sa shpejtë u fut, aq rrufeshëm u hoq. Paqëndrueshmëria e politikës së Enver Hoxhës, bënte që sot të ishe hero, nesër të dilje tradhtar. Në vitin 1968, në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, Bilal Xhaferri mori një goditje të fortë, pasi dëmtoi shtyllën vertebrale të letërsisë shqipe. Dhe ishte pikërisht diskutimi profesional i Bilal Xhaferrit, për romanin “Dasma” të Ismail Kadaresë. Nga emancipimi, femrat s’kishin fituar asgjë, përkundrazi ishin skllavëruar akoma më shumë, duke u ngarkuar me punë të dyfishtë, Brenda shtëpisë dhe jashtë saj. Duke ndier mbi kurriz luftën e klasave, ai i gjykonte dukuritë më sy realist…
Fadil Paçrami, anëtari i K.Q. dhe sekretari i dytë i K. P. të Tiranës, pjesëmarrës në atë takim, po turfullonte duke dëgjuar kritika që nuk priteshin, e që mund t’I jepnin drejtim të gabuar
mbledhjes. Ai u ngrit në këmbë, dhe duke drejtuar gishtin nga Bilal Xhaferri, u tha pjesmarresve pjesëmarresve me ulërimë: “-E dini kush është ky që foli keq për romanin? Ky është Bilal Xfaferri, të cilit ne i kemi vrarë të atin se ishte armik, ballist. Mendoj se ai nuk ka vend në këtë sallë, dhe që tani kërkoj të dalë jashtë!”
Pas diskutimit të “Dasmës”, Bilalin e internuan në fshatin Kullë të Sukthit. Lajmi mori dhenë. Gazetat shkruanin: “Shkrimtari reaksionar nxjerr kokën”.
Hysni Cyrbja, që ka qenë drejtori i parkut të mallrave në Durrës, kujton: “Shkoja shpesh në bibliotekën e qytetit, drejtori Pertef Kruja më prezantoi me Bilal Xhaferin. Pasi u njohëm mirë, e mora në punë si dispeçer. Kishte ca kohe qe kishte dale në qarkullim “Dasma”. Një ditë biseduam për Kadarenë. Bilali mendonte për dobësitë artistike të romanit, ai çalonte rëndë në trajtimin historik të femrës shqiptare, se femra dilte pa traditën e bashkëluftëtares me burrat. Ky është falsifikim, thoshte ai. Historia shqiptare tregon se femrat, te Skënderbeu dhe gjatë luftës Nacional Çlirimtare, vërtetuan se ishin patriote dhe të emancipuara. Bilali më kërkoi leje për të shkuar në Tiranë, i ftuar për në mbledhjen e lidhjes së shkrimtarëve. Të pasnesërmen, u takuam. E pyeta se si shkoi. Ai uli zërin dhe më tha: -Më sakatuan! Fadil Paçrami më tha: je bir armiku! Në atë çast bie zilja e telefonit, fliste Rita Marko. – More Hysni, a ke marrë në punë ndonjë njeri me emrin Bilal Xhaferri?… -Po shoku Rita ka ca kohë. – Po ku e gjete? (pyetja ishte me zë të trashë). -Më gjeti ai mua, kishte nevojë për pune. -Në orën 12 mblidh kolektivin!… Në mbledhje erdhën të tre sekretarët, siç quheshin: i pari, i dyti, i treti. Rita Marko, nuk pranoi të debatonte me Bilal Xhaferrin veçse i tha: Ti ke penetruar në radhët e klasës puntore dhe fshehe biografinë tënde, se babai yt është dënuar më vdekje. E morën dy policë dhe e internuan në Kullë të Sukthit. Të nesërmen u mblodh byroja, ishte parashikuar të më përjashtonin nga partia, e të më shkarkonin si drejtor i parkut. Unë bëra autokritikë për mungesë vigjilence. Nxora nga çanta librin e Bilal Xhaferrit dhe disa revista “Shqiptaria e re” dhe pyeta: –Këtë libër e ka botuar Shtëpia botuese, që varet nga K. Q. s’e dini ju? Këto revista që drejtohen nga K. Q. e dini ju?. Që Bilali ftohet në lidhjen e shkrimtarëve, që është nomenklatura e K. Q. e dini ju?… Dhe si përfundim më njoftuan masën “vërejtje në kartën e regjistrimit”.
Bilal Xhaferri ishte njeri, dhe kishte intimitetet e tij. Edhe në Kullë ku ishte internuar, nuk i shpëtoi tundimit të intimitetit. Aty pati një lidhje dashurie me mësuesen, vajzën e ish kryetarit të këshillit të fshatit.
Ja e ç’tregon zonjusha Kadife, me një sinqeritet femëror: “Kur mora vesh se në fshatin tonë, ka ardhur i internuar një shkrimtar, kurioziteti nuk më la të qetë, pasi letërsia më ka pëlqyer shumë. Pyeta Janin, operativin e zonës, që shfaqte ndjenja simpatie për mua. Operativi më tregoi se shkrimtari quhej Bilal Xhaferri dhe ishte njeri i rrezikshëm. Ai guxoi të kundërshtonte romanin e Kadaresë që është idhulli I jonë, por më keq, se është djali i armikut të popullit. Kur mësova se ai kishte guxuar të përballej me Kadarenë, kureshtja dhe dëshira grindeshin brenda meje, për të njohur nga afër shkrimtarin, që paraqiste shumë “rrezikshmëri”. E ruajta në mbrëmje, qe ta shihja kur merrte bukën tek furra e fshatit, dhe si hije i shkova nga pas, që të mësoja ku jetonte dhe me kë, pasi zona ku ishin të internuarit ishte e veçuar nga banorët e fshatit. E shihja kur ecte vetëm, i heshtur, me gjysmë buke nën sqetull. Nga paraqitja e jashtme s’ta mbushte syrin, megjithëse u gëzova që shkrimtari sfidoi kureshtjen time. Por reflekset e gëzimit, rrezikonin që ta njihja nga afër. Më kujtohet, kur u fsheha pas një kaçubje në rrugë, kur ai zbriste nga furra e bukës, dhe po e prisja që të kthehej si gjithmonë me bukën nën sqetull. Ishte shumë ftohët dhe sekondat bëheshin orë. Ai po afrohej, por s’ishte vetëm. Po ecte me mullixhiun, u nda nga ai dhe hyri brenda në banesën e tij. Kontrollova me sy rreth e qark, mos më shihte njeri, dhe i rashë derës me gjithë forcën e padurimit. Kush është? – U dëgjua zëri I tij. –Jam unë mësuesja e fshatit, – i thashë. Ai e hapi derën i habitur dhe tha: Mos keni ardhur gabim, unë s’kam fëmijë në shkollë, më tutje është një familje që i ka fëmijët në shkollë. –S’kam ardhur për fëmijët e shkolles, kam ardhur për ty!… Ai shtangu nenë këmbë i frikësuar, kurse mua m’u duk se të gjithë botën e kisha ulur në gjunjë para meje. E ndjeva se ftohtësia e frikës së tij dhe rreziku im, ishin ngërthyer në forcën e magjisë së dashurisë, që në takimin e parë. Takimet pasuan njeri pas tjetrit! Miqësia e jonë ndërtoi mure ëndrrash. Shpesh herë më thoshte: -të lutem, mos m’i shto andrallat. E lëmë me kaq lidhjen tonë. Ishte dhuratë e Zotit! Ai, na dhuroi çaste të bukura dhe ai na i mori! Unë s’jam njeriu i duhur për ty. Kuptoje, Kadife, ne jemi dy kulme të ndryshme. Është shumë e rrezikshme ardhja e jote tek unë… Por unë e dija rrezikun që më kanosej, megjithatë, Bilalin e doja, se ishte njeri i zgjuar, me një shpirt të madh. Në pak kohë fillova të bija në sy me lëvizjet e mia. Një natë i gënjeva në shtëpi, se do të flija tek Lumja (kolegia ime që kishte ditëlindjen) edhe Lumja thuri të njëjtën gënjeshtër tek babai im, i cili na besoi. Banesa ku jetonte Bilali, ishte një barakë e improvizuar, ngrehinë vetëm prej dheu, ku as për bagëtitë nuk ishte e përshtashme, megjithatë unë ndihesha mirë në prani të tij. Atë natë ndodhi historia e tmerrshme e jetës time. Kishte kaluar ora 12 e natës! Isha strukur brenda tij, dhe gjumi s’po më zinte, ca nga të ftohtit, ca nga frika. Kur befas ra dera, nga forca e shkallmimit me shkelma. Nuk shihja asgjë nga errësira se kandili kishte filluar të shuhej. Dëgjova fyerje nga më banalet e më çnjerëzoret. Ishte operative i policisë, sekretari i partisë dhe babai, që bërtisnin:. –Hë, more këlysh bushtre, kë kurvë ke futur sonte në shtrat? Ke filluar të na e degjenerosh rininë e fshatit me shkrimet e tua. S’durova dot dhe i përgjigjem me të njëjtin ton: -Mjaft Baba! Ky s’ka faj, unë kam ardhur këtu vete, me dëshirën time. Ja ku më ke, më vrit po deshe!… Jo tha operativi (puntori i sigurimit), ky të ka mashtruar, dhe e tërhoqi zvarrë për ta nxjerrë përjashta, -Ky maskara do të përfitojë nga ti, të nxjerrë sekretet e partisë. Ky është bir armiku dhe si i tillë do të shkojë atje ku e ka vendin. Bilalin atë natë e mbajtën të lidhur me pranga në zyrën e operativit në qendër të fshatit, kurse mua, në zyrën e sekretarit të partisë. Nuk i harroj kurrë presionet që ushtronin për të më mbushur mendjen të firmosja deklaratën e hartuar prej tyre, me anë të së cilës,mund t’i kishin duart të lira për të dënuar Bilalin. Por unë nuk pranova kurrë të fundosja me të pa drejtë, njeriun që desha me gjithë shpirt. Edhe pasojat për mua dhe familjen time ishin të rënda: babanë e përjashtuan nga partia, e hoqën nga kryetar i këshillit, dhe si ndëshkim, e dërguan të punonte në një brigadë me Bilalin. Mua më hoqën nga arsimi dhe me çuan punëtore në fermë. S’e duroja dot baltën që më hidhnin syve injorantët e fshatit, dhe mbylla sytë, u martova me një burrë të ve në Rumanat, që ishte babai i tre fëmijëve. Pas një muaji, kur u ktheva në derën e babës (si e do zakoni), nëna më tha fshehurazi në vesh: -Kadife, shkrimtari yt është arratisur nga Shqipëria, kështu thonë të gjithë në fshat.”
Kur Bilali e pa se laku po i ngushtohej, nuk i mbeti tjetër alternativë, veç të arratisej me rrezik koke. Rastin e gjeti në festën përkujtimore të luftës partizane të Konispolit, që festohej në Bogaz, më 25 gusht. U arratis për në Greqi, bashkë me burrin e motrës Selfo Hoxhën dhe Bajram Shuaipin. Për aratisjen e tij u bë shkak Fadil Paçrami me presionin e tij. Në SHBA ai botoi revistën “Krahu i Shqiponjës” në Çikago 1969-1986, për rreth 17 vjet, me 39 numra, dhe me një tirazh 300 deri në 500 kopje, të cilën e shpërndante vetë me postë dhe pa i vënë çmim. Prirja patriotike dhe antikomuniste e revistës,tërhoqi përkrahje nga Skënder Shuaipi, Zeqo Kola, Saber Hyso, Xhemil Bebo, Sotir Ajazi etj. Dhe ai iu përkushtua kryesisht kësaj reviste.
Gazetaria Anneli Kraus, që publikoi lajmin e parë, plagosjen e Bilal Xhaferit, si dhe tetativën e eleminimit fizik, ndaj gazetarit shqiptar, që jeton dhe punonte në Amerikë, shkruan: “Bilal Xhaferin e kam njohur nëpërmjet shtypit të lirë amerikan në vitin 1979, Incidenti ndodhi kur festohej 100 vjetori i Lidhjes së Prizrenit. Më vonë u njoha në Çikago ku ai punonte gazetar në një radio private në Çikago.Modelin e tij ne e quajmë hero. Pas vitit 1983 i dogjën banesën e tij, që e kishte edhe redaksi të revistës, “Krahu I Shqiponjës”.
Skënder Shuaipi tregon: “Bie telefoni dhe më flet Bilali, jam shtruar në spital, nga një dhembje koke”. doktorët dyshojnë për një tumor në kokë. Mbas konsultës vendosën për operacion. Të nesërmen Bilali u operua. Narkoza i doli me vonesë. Komunikimi i tij bëhej me gishta dhe mimikë. Ishte rëndë, nuk vonoi gjatë dhe Bilali ndërroi jetë, në pasditen e 17 tetorit të vitit 1986. Në kohën kur ishte ministër i kulturës, Teodor Laço, eshtrat e tij u kthyen në atdhe.
N. Prifti citon: “Në faqet e revistës ”Krahu i Shqiponjës”, (Nr 17), janar 1979 Çikago gjeta një poezi, të cilën Bilali ia kushtonte, “kundërshtarit të tij”, Ismail Kadare. Kjo poezi është një dëshmi e gjallë, ku “viktima” pasojë, fajëson shkakun”.

Poetit Ismail Kadare

Ti lulëzove me stinë me rubla.
Kur ne të tjerët hanim baltën e kënetave.
Ti u këndon serenata rrugëve të Moskës,
Natashave, Tatjanave, Katjenkave.
Kur ne të tjerët hanim plumbin e mashinkave.
Me kadifen e poemave të tua të kopjuara,
Ti i jep xhela çizmeve të xhelatëve,
Çizme të rënda me gozhda të përgjakura,
Që shkelët mbi fytyrat tona të maskuara.
Ne të dy u ndeshëm në trotuare të kundërta.
Ti vije nga sallonet e aristokracisë së kuqe,
Unë vija drejt nga zëmra e popullit.
Vija nga varri I babai të pushkatuar.
Ne u ndeshëm në errësirë,
Si dy re në një natë me shi.
Por të gjithë e dinë mirë.
Që shenja e furisë sime s’ishe ti.
Unë u ndesha atje me tiraninë,
Hodha jetën time në kthetrat e ujqërve.
Dhe u shikova me vdekjen në sy.
Kështu, dy shkrimtare Ismail Kadare dhe Bilal Xhaferri, të së njëjtës datëlindje, i pari feston 79 vjetorin, se ka qenë idhulli i komunizmit, kurse i dyti, kundërshtari i komunizmit, ka 29 vjet vdekur. Por Bilali jetoi dhe vdiq si një shqiponjë Çamërie, me dashurinë e madhe për lirinë demokratike të Shqipërisë.

Rasim Bebo Addison Çikago Shkurt 2015

Filed Under: Opinion Tagged With: BILAL XHAFERRI - NJË SHQIPONJË, ÇAMËRIE, rasim bebo

Natyra barbare e dënimit te paramenduar

February 7, 2015 by dgreca

*Unë nuk besoj që arrestimi i Gjikës është kryer me urdhër të Kryeministrit Rama, siç po lexoj në shumë komente në rrjetet sociale, por sjellja e kryeministrit dhe veçanërisht fjalori I tij, pasioni me të cilin shqipton burgun, kanë kontribuar./
* Muajt e fundit ka patur shumë arrestime, nga ato më të bujshmet si në rastin e laboratorit të kokainës, deri tek arrestimet masivo-qesharake të energjisë elektrike. E përbashkëta e të gjithave është krekosja e policisë për arritjet dhe përdorimi i gjykatave, në rastet kur i lënë të lirë të pandehurit, si alibi për dështimet, për mospërmbushjen e lumit të premtimeve, për keqqeverisjen. /
Opinion nga Edmond Banushi/
Sapo mora lajmin për arrestimin e kryetarit të bashkisë Vlorë, qytetit tim, u trishtova. Nuk ka vend për gëzim kur njeriu privohet nga liria, gjëja më e shtrenjtë pas jetës. Ndjeva të njëtën gjë dhe kur u arrestua Fullani. Pavarësisht se do të mjaftonin fotot për jetën e shfrenuar që bënin fëmijët e tij që të jepte dorëheqjen, arrestimi nga ana e prokurorisë m`u duk pa vend. I vetmi efekt (shumë pozitiv) qe largimi i tij, por kjo është detyre e atyre që e vunë, jo e organit të akuzës. Unë nuk besoj që arrestimi i Gjikës është kryer me urdhër të Ramës, siç po lexoj në shumë komente në rrjetet sociale, por sjellja e kryeministrit dhe veçanërisht fjalori i tij, pasioni me të cilin shqipton burgun, kanë kontribuar.
Muajt e fundit ka patur shumë arrestime, nga ato më të bujshmet si në rastin e laboratorit të kokainës, deri tek arrestimet masivo-qesharake të energjisë elektrike. E përbashkëta e të gjithave është krekosja e policisë për arritjet dhe përdorimi i gjykatave, në rastet kur i lënë të lirë të pandehurit, si alibi për dështimet, për mospërmbushjen e lumit të premtimeve, për keqqeverisjen.
Përveç Ramës edhe përfaqësues me peshë të qeverisë, përkatësisht ministri i drejtësisë dhe ministri i brendshëm vazhdimisht sulmojnë me tone të ashpra gjyqësorin. Të bën përshtypje fakti se të dy kanë patur eksperienca me vendimet e gjykatës. I pari sepse është në atë post si pasojë e vendimit të pafajësisë që mori Ilir Meta, pasi iu bë një gjykim special me një shkallë gjykimi. Dhe nëse ka vendim që ka cënuar besimin tek drejtësia është pikërisht ai. Jo dhe aq për shkak se pamjet filmike nuk ishin te qarta vetëm për ekspertët e thirrur nga gjykata, sesa për faktin që Tahiri dhe kolegët e tij, në atë kohë opozitare, e cilësuan si kulmin e padrejtësisë madje ngritën përkrahësit e tyre në revolta që kulmuan me ngjarjet tragjike të 21 Janarit. Nuk ka kuptim të flasë për ligje të gabuara kur LSI ka votuar çdo ligj që prej 2008. Ai ka qënë prokurori i 14 Shtatorit dhe e di mirë që presioni i politikës e shtynte që mitingun e paligjshëm ta quante grusht shteti.
Ndërsa ministrit Tahiri iu arrestua babai dhe gjithsesi gabim njerëzor, apo politik (siç e quajti vet ai), e ka provuar dhe ai drejtësinë që funksionoi, dhe vetëm për këtë shkak duhet të jetë më i matur kur flet.
Kjo klimë ka sjellë ndoshta edhe ndryshimin e standartit në prokurorinë e Vlorës, që për të akuzuarit për shpërdorim detyre kërkon mbajtjen e tyre në burg. Në rastin e Gjikës ai u përball njëherë me të njëjtën akuzë, pa iu shmangur as edhe një ditë proçesit, madje duke dalë i pafajshëm.
Përkundrejt rritjes së varfërisë dhe kriminalitetit, përballimit të përmbytjeve dhe çdo fatkeqësie tjetër natyrore, përgjigja nuk mund të jetë kurrësesi përdorimi pa kriter ose abuzimi me kriteret e paqarta të masës së sigurimit “arrest me burg”.
Për të dyshuarit ndoshta ka elemente që të bëjnë të mendosh një dënim të mundshëm nga ana e gjyqtarit, që do të drejtojë proçesin dhe do të japë vendimin “në emër të Republikës”, por të dyshuarve u duhen krijuar kushtet që të mbrohen. Drejtësia e shëndoshë, mbështetur nga ligje të mira, ka për detyrë t’ua krijojë ato. Organi i akuzës nuk ka nevojë për përparësi të tilla. I ka të gjitha mundësitë të kërkojë dhe gjejë (nëse ekzistojnë) faje të tjera ose bashkëpunëtorë të tjerë. Ndaj mendoj se një subjekt i dyshuar, i pafajshëm kushtetueshmërisht deri në vendimin përfundimtar (nëse pretendojmë që jetojmë në një shtet të së drejtës), duhet lënë i lirë, kur nuk ka mundësi të përsërisë krimin për të cilin akuzohet. Nga shpeshtësia e dhënies së mases “burg pa afat” ose dhe “arrest në shtëpi”, të krijohet përshtypja se ato jepen si antipastë e dënimit të ardhshëm, pra një burg i paramenduar. Shtoji këtu arrestimet me policë të maskuar, në mes të rrugës, armët në duar, filmimet etj. burgu i paramenduar kthehet në një torturë të vërtetë dhe në vendet demokratike ajo është e ndaluar.
Ndoshta kjo torturë është e domosdoshme për t’u aplikuar tek njerëz me rrezikshmëri të lartë shoqërore, por duhet të jetë përjashtimi, jo rregulli.
Rastësisht për persona publike fillimi i kësaj torture është ditë e premte dhe në këtë mënyrë i jepet koha e mjaftueshme mediave të perbaltin e linçojnë, të japin dënimin e “merituar”, duke rritur artificialisht presionin ndaj gjyqtarit që do të vendosë masën e sigurisë. Zbatimi i dënimit të paramenduar te personat e mësipërm, përveç rënies psiko-fizike, do shkatërrojë përfundimisht dhe bizneset e tyre, duke flakur në rrugë dhjetëra të punësuar. Do të ishte shumë më mirë që ata të liheshin të lirë, pranë familjeve të tyre, të bisedojnë me kë të duan. Është e drejtë e secilit që të përballet me proçesin në ngarkim me dinjitet, nga pozicioni i njeriut të lirë. Unë nuk jam specialist i fushës, por kaq gjë e di ama, që njeriut i privohet liria, kur merr dënimin përfundimtar. Pikërisht kur Dënohet! Shpesh dita e dënimit të dikujt përputhet me ditën e lirimit të tij. Kjo tregon për abuzimin me Dënimin e paramenduar dhe afatet e tejzgjatura të tij.
Delikatesa me të cilën duhet të trajtohet gjëja më e çmuar e njeriut, Liria, theksohet dhe nga fakti që Proçesi Penal është i dështuar që në nisje, qoftë edhe kur në fund jepet një vendim i drejtë. Ai nuk e realizon dot misionin e tij hyjnor, ripërqafimin e individit të dënuar nga ana e shoqërise, sepse pjesa më e madhe e tyre ridënohet.
Edmond Banushi

Filed Under: Opinion Tagged With: e denimit, Edmond Banushi, natyra barbare

Laiciteti i shtetit shqiptar nuk duhet diskutuar…as ne rastin e emerimit te ambasadorit ne Vatikan

February 7, 2015 by dgreca

….Po qe se do të publikoja se çfarë di unë për qëndrimin e z. Zhiti ndaj Kishës Katolike, spiritualiteti i këtij krijuesi të talentuar, që ka përjetuar kalvarin jo më pak se disa besimtarë, do ta bënte të skuqej edhe ndonjë Kardinal./
Shkruan: Dr Gëzim Alpion-Angli/
Sipas mediave, Kisha Katolike shqiptare ka dalur kundër propozimit për të emëruar z. Visar Zhiti ambasador në Vatikan.
Një institucion fetar ‘ka të drejtë’ të identifikoj se dikush i përket këtij apo atij besimi po aq sa mjekut ‘i lejohet’ të publikoj informacion për pacientët e tij.
Përkatësia fetare nuk është si ajo etnike, nacionale apo politike. Nëse i përkasim një besimi fetar apo jo, është një çështje tërësisht personale dhe intime. Për këtë ka të dhëna vetëm ‘vetëdija’, të cilën nuk mund ta ‘lexoj’ askush, përfshirë priftërinjtë dhe hoxhallarët.
Arsyja se përse po komentoj për këtë çështje nuk ka të bëj me faktin se propozimin në fjalë e bëri kryeministri aktual i Shqipërisë. Unë nuk kam gjetur gjuhë të përbashkët me ‘pronarët’ e qeverive shqiptare. Megjithatë, ndryshe nga krerët intolerantë të politikës, disa nga të cilët akoma nuk kanë mësuar të respektojnë intelektualët e pavarur, meqë nuk sillen si ‘dele të edukuara’, kam integritetin t’i ‘përkrah’ këta ‘vizionarë me henë’ duke përmbushur në këtë mënyrë detyrimin tim moral dhe qytetar ndaj së vërtetës.
Po kështu, nuk po komentoj për këtë çështje meqë z. Zhiti e kam mik. Po qe se do të publikoja se çfarë di unë për qëndrimin e z. Zhiti ndaj Kishës Katolike, spiritualiteti i këtij krijuesi të talentuar, që ka përjetuar kalvarin jo më pak se disa besimtarë, do ta bënte të skuqej edhe ndonjë Kardinal.
Si insitucionet fetare, edhe unë nuk kam të drejtë të komentoj për spiritualitetin e z. Zhiti. Por kjo nuk do të thotë se nuk mund të flas se ku qëndroj unë përsa i përket çështjes së besimit.
Unë nuk i përkas asnjë besimi fetar – dhe nuk kam ndërmend të konvertoj ndonjëhere – por kjo nuk do të thotë se jam ateist. Për mendimin tim, perceptimi se ku qëndrojmë ne si specie në ‘strategjinë’ kozmike është përtej kapacitetit njerëzor. Kjo nuk do të thotë se ne nuk duhet të jemi gjithmonë në kërkim të hyjnores apo të pengojmë njëri tjerin kur tentojmë të shkelim në ‘zona të ndaluara’.
Gjatë 15 viteve të fundit, që vazhdoj të jem i angazhuar me studimin e figurës së Nënë Terezës jo si fetar por nga këndvështrimi i shpirtit dhe arsyjes, jam befasuar dhe trishtuar disa herë nga zëra që kanë kundërshtuar përkushtimin tim pikërisht se unë nuk i ‘përkas’ fesë katolike. Këta zëra po protestojnë edhe tani se përse një intelektual jo katolik si unë po lobon për shenjtërimin e Nënë Terezës, ndërkohë që ata që e quajnë këtë murgeshë të ‘tyren’ nuk po pipëtijnë për këtë çështje. I vetmi autoritet i lartë në Kishën Katolike në Shqipëri që është shprehur publikisht në favour të peticionit nuk ka shtetësi shqiptare. Mos vallë duhet të themi se nuk duhet të ketë vend në Kishën Katolike shqiptare për priftërinj jo shqiptar? Apo duhet të kritikojmë Nënë Terezën se ajo ju përkushtua njerëzve të varfër fillimisht në Indi dhe më vonë në mbarë botën por ‘u ktheu shpinën’ shiptarëve, veçanërisht katolikëve ‘të saj’ të vobektë?
Në monografinë e re për Nënë Terezën, që do të botohet në fund të këtij viti, do të publikoj për herë të parë informacion për disa aspekte të jetës së kësaj murgeshe. Ky informacion do të kishte humbur përgjithmonë si rezultat i akrobacive të dënueshme të biografëve dhe hagiografëve katolikë të Nënë Terezës në Ballkan të cilët, duke ndjekur avazin e politikanëve amatorë, kanë folklorizuar deri në vulgarizim dhe ofendim për intelektin një figurë të tillë fetare shumë dimensionale. Shpreh bindjen se për Nënë Terezën duhen bërë akoma studime akademike të mirëfillta jo për ta ngritur atë në piedestal por për të kuptuar se çdo të thotë të kesh besim dhe të tundohesh nga mosbesimi por kurrë të mos dyshosh në natyrën e shenjtë të dinjitetit njerëzor.
Në qoftë se besojmë se jemi komb që karakterizohemi nga toleranca fetare, emërimi i ‘muslimanit’ Zhiti, tregon se ky virtyt, për të cilin krenohemi vend e pa vend, vërtet është diçka e veçantë për ne. Nuk është e mjaftueshme vetëm të ‘predikosh’ tolerancë fetare. Kush beson tek Zoti, duhet ta dijë se kjo ‘krijesë’ hyjnore nuk ka përkatësi fetare.
Shteti shqiptar ka kusuret e veta, por laiciteti i tij nuk duhet komprometuar kurrë, aq më tepër në kohën tonë kur fryma e murtajës së radikalizmit fetar, që po gangrenizon një pjesë të botës, fatkeqësisht ka metastazat e saj edhe në Ballkan.

Filed Under: Opinion Tagged With: Gezim Alpion, Laiciteti i shtetit shqiptar

TA KEMI BESIMIN PËR TË JETUAR NË VENDIN TONË

February 6, 2015 by dgreca

NGA HARRY BAJRAKTARI/
Skenat e përditshme të ikjes së qytetarëve nga Kosova janë shqetësuese dhe si të tilla po e dëmtojnë imazhin e vendit tonë në Evropë dhe botë. Migrimi ilegal i këtyre ditëve ka marrë formën e një fushate të pakontrolluar. Duke mos mohuar arsyet dhe kushtet ekonomike të tyre,
papunësinë dhe problemet tjera jetësore që kanë, një formë e tillë e ikjes masive, e pa kontrolluar dhe paditur se çfarë do të jetë fati i tyre në ato vende ku pretendojnë të gjejnë strehim, është e keqja tjetër dhe vendim i ngutshëm, i pasigurt dhe e jo rracional. Ikja me
tërë familjen, duke lënë shtëpitë e zbrazëta, është përsëritur shumë herë në Kosovë, por në rrethana krejt tjera historike e politike. Rasti i tashëm i zbrazjes është një fenomen që ndoshta do një shpjegim më të thellë, sesa ajo që është thënë e shkruar deri tash. Liria e lëvizjes është një e drejtë e patjetërsueshme e njeriut, e kodifikuar me normat ndërkombëtare, por ajo duhet të orientohet brenda zyazave legale, jo në mënyrë të pa rregullt e të pakontrolluar, duke rrezikuar
jetën e familjes dhe të vetvetes në kapërcimin e kufirit ilegal nëpër malet e Hungarisë. Është vështirë të mendosh se nga kjo rrugë e migrimit mund të përfitohet dicka ngaqë vendet e BE-së nuk strehojnë më azilantë.Të gjithë këta qytetarë të Kosovës që pretendojnë vendqëndrim nuk plotësojnë asnjërin nga kriteret e azilantit politik. Këtu fitues dalin vetëm kontrabandistët që janë serbë e shqiptarë. Kosova ka bërë shumë sakrifica dhe nuk do të duhej të braktiset në këtë formë nga qytetarët e saj. Kjo sakrificë dhe ky investim ka qenë i të gjithëve dhe s’ duhet harruar. Të kemi besim të jetojmë në vendin tonë dhe këtë besim ta materializojmë në forma të ndryshme duke krijuar të mira materiale dhe shpirtërore. Nga shpallja e pavarësisë e deri më tani institucionet e Kosovës nuk kanë pasur një qasje të mjaftueshme dhe zerioze për të hapur vende të reja pune, zhvillim ekonomik dhe krijimin e një perspektive të qartë për qytetarët e saj. Kjo ka bërë që qytetarët sot të ndjehen të pasigurt dhe të kenë një dozë frustrimi. Si rezultat i saj del edhe ikja nga Kosova, por mos të harrojmë se në këtë kaos të krijuar ka edhe mashtrim dhe shumë iluzione.Populli ynë ka bërë shumë sakrifica për lirinë e tij, e tash duhet të bëjë sakrificë edhe për ndërtimin dhe zhvillimin e vendit. Qytetarët e Kosovës duhet të kërkojnë përgjegjësi ndaj atyre që ua dhënë votën, e jo të ikin. Mendoj se Kosova është vonuar lidhur me disa projekte të zhvillimit dhe të punësimit. Qeveria, politika dhe të zgjedhurit e popullit, më
herët dhe tash, nuk mund të amnestohen nga kjo që po ndodh. Këto pamje që po e përshkojnë Evropën, nuk mund të kalojnë pa pasoja për Kosovën dhe imazhin e saj. Në këto momente është jetike se si të veprohet dhe si të ndalet ky migrim i popullatës dhe të mos shohim skena të tilla nëpër kufij dhe në kampet kolektive të strehimit pa kurrfarë kushtesh! Pra, çështje është si të ndryshohet kjo situata? Kuvendi i Kosovës miratoi një Rezolutë për pengimin ilegal të migrimit të qytetarëve të saj. Kjo nuk do të mjaftojë që të ndryshohet gjendja e tashme nëse nuk ka një zotim të prerë në tejkalimin e vështirësive të grumbulluara dhe në krijimin e kushteve për një jetë stabile ekonomike të qytetarëve në vendin tonë. Këto skena janë një alarmi më shumë për institucionet e Kosovës. Qeveria të jetë e përshpejtuar që sistematikisht të krijojë kushte për hapjen e vendeve të reja të punës duke zhvilluar sektorët më vital të ekonomisë, e sidomos sektorin e bujqësisë ku ekzistojnë mundësi më të mëdha punësimi, të ketë stimulim për bizneset private, të vogla dhe të mesme, krijimin e lehtësimeve doganore dhe rritjen e cilësisë së prodhimeve vendore në konkurencë me ato të importuara.Qeveria të punojë më shumë për të fituar besimin e qytetarëve, i cili shihet i luhatshëm pas këtyre skenave të largimit. Institucionet e Kosovës duhet ta fitojnë betejën mbi korrupcionin dhe krimin e organizuar. Pa fitimin e kësaj beteje nuk do të ketë as fitim të besimit nga qytetarët. Liberalizimi i vizave është një faktor shumë i rëndësishëm për Kosovën. Me këtë qytetarët tanë do të realizonin një të drejtë të tyre si të gjithë qytetarët e vendeve tjera. Integrimi në Bashkësinë Evropiane, në NATO dhe në strukturat e tjera, është një mundësi e madhe për perspektivën e Kosovës dhe për stabilizimin e saj edhe në aspektin e sigurisë dhe të zhvillimit ekonomik. Kosova është vendi ynë për të cilin kemi investuar aq shumë, duhet ta duam edhe kur s’ jemi të kënaqur.
*Autori është veprimtar dhe biznesmen i njohur i komunitetit shqiptaro- amerikan dhe themelues i gazetës Illyria në New York.

Filed Under: Opinion Tagged With: harry bajraktari, në vendin tonë, TA KEMI BESIMIN PËR TË JETUAR

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 688
  • 689
  • 690
  • 691
  • 692
  • …
  • 865
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Historia e Krizës së Kosovës 1999-2000 përmes Zarfave Postare
  • Ali Dino – deputeti i Çamërisë dhe artisti i shquar
  • “Rikoshete e fatit” dhe “Nusja e Topiajve”, botimet më të reja nga shkrimtarja Raimonda Moisiu -Sade
  • Zgjidhje urgjente për kërkesat e studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut
  • STILISTIKA DHE BOTA E PERSONAZHEVE
  • Nga kërcënimi te kompromisi: Realpolitika e armëpushimit Trump–Iran
  • KRYENGRITJA E MALËSISË SË MADHE E VITIT 1911 DHE RËNDËSIA E SAJ HISTORIKE
  • The Alliance That Doesn’t Exist
  • MAXIMILIAN LAMBERTZ – DIJETARI AUSTRIAK QË IA KUSHTOI JETËN STUDIMIT TË GJUHËS DHE FOLKLORIT SHQIPTAR
  • Shkodër, 8 prill 1937, kur vetëdija jonë kombëtare u lartësua nga “Lahuta e Malcis”, rrokaqielli i eposit në vargje i At Gjergj Fishtës
  • MASAKRA E TIVARIT DHE AJO NË FRONTIN E SREMIT – KRIM KUNDËR NJERËZIMIT!
  • MËRGIM KORҪA – “HISTORI TË PASHKRUARA”
  • Një jetë në shërbim, një dekadë në bashkim
  • MBRESAT E MIA ME KOMUNITETIN SHQIPTAR KËRÇOVAR NË OLLTEN TË ZVICRRES
  • Misioni i Madh i Studentave të Shkupit! Shqiptar bashkohuni studentave!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT