• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHIK-u qëndron prapa vrasjeve me motive politike!

February 13, 2015 by dgreca

Nga Faik Krasniqi/*
SHIK-u duhet ta paguaj barrën e vrasjeve politike që kanë ndodhur pas luftës në Kosovë. Pas zbulimit të këtyre vrasjeve politika e Kosovës do të kthehet në normalitetin e saj. Gjykata Speciale e cila pritet të formohet tashmë pas raportit të prokurorit Clint Williamson ndër të tjera do të merret edhe me hetimin e vrasjeve dhe burgosjeve që u bënë me motive politike.
Tashmë ka ardhur koha që shumë familjarë të marrin vesh të vërtetën për vrasjen e më të afërmeve të tyre dhe autorët të dalin para drejtësisë.
Do të ishte lehtësim për familjarët nëse autorët do të merrnin dënimin e merituar, thotë publicisti Faik Krasniqi.
“Krimi është krim dhe duhet të dënohet, pavarësisht se kush e ka urdhëruar. Njerëzit që janë vrarë nuk kthehen më. Por do të ishte lehtësim i madh për familjarët e viktimave që janë vrarë për motive politike apo për motive të tjera, kur të marrin dënimin e merituar kushdo që ka urdhëruar vrasjen e tyre. Do të ishte edhe në të mirë të shtetit të Kosovës kur do të dalin para drejtësisë urdhërdhënësit dhe vrasësit, sepse sipas raportit të Williamsonit personat përgjegjës për vrasjet e pasluftës janë zyrtarë të lartë të qeverisë, deputetë, ish deputetë, ministra dhe ish ministra dhe zyrtarë të lartë të partive politike”!
Kemi me dhjetëra-qindra vrasje të veprimtarëve të LDK-së, ish pjesëtarëve të UÇK-së, gazetarë, publicistë, intelektualë duke filluar nga Enver Maloku, Xhemajl Mustafa, Shaban Manaj, Ekrem Rexha, Tahir Zemaj, Smajl Hajdaraj etj, e asnjëra sikurse edhe qindra vrasje të tjera nuk janë zbuluar deri më tash, që besoj për organet kompetente nuk janë të panjohur urdhërdhënësit.
Familjarët e këtyre viktimave presin drejtësi. Me që organet e drejtësisë së Kosovës dështuan ta zbardhin edhe një rast të vetëm, Gjykata Speciale mori përsipër t’i gjykoj edhe vrasjet e pasluftës. Bashkësia Ndërkombëtare nuk lejon ta fus në gjirin e saj një shtet që për udhëheqësh të shteti, ka njerëz që i kanë duart me gjak të atyre që i kanë konsideruar kundërshtar politikë apo pengesë për karrierën e tyre politike dhe interesat të ndryshme”, shton Krasniqi.
Ai thotë se prapa të gjitha vrasjeve politike të pasluftës qëndron SHIK-u bashkë me udhëheqësit e tij, duke shtuar se skena politike do të pastrohet kur të dënohen përgjegjësit e krimeve të pasluftës.
Derisa kreu i SHIK-ut Kadri Veseli, nuk del në opinion dhe të tregoj se kush i ka kryer vrasjet me motive politike, për mua e dyshimtë dhe qëndroj prapë në atë siç kam thënë gjithmonë, se prapa vrasje qëndron organizata kriminale SHIK-u( Shërbimi Informativ i Kosovës) me në krye Kadri Veselin, Xhavit Halitin, Azem Sylën, Adem Grabovci etj, po pa përjashtuar edhe kryetarin e PDK-së Hashim Thaçin, sepse edhe ai është një ndër themeluesit e SHIK-ut dhe pa dijeninë e tij nuk besoj të ketë ndodhur ndonjë vrasje. Kështu që SHIK-u duhet ta paguaj barrën për krimet e ndodhura pas luftës, qoftë për motive politike, qoftë për arsye të tjera. Vetëm kur të dënohen përgjegjësit për krimet e pasluftës, pastrohet skena politike në Kosovë nga ata që i kanë duart me gjak dhe shteti kthehet në normalitetin e saj. Përndryshe, e ardhmja e këtij shteti do të jetë tepër i zymtë”, përfundon publicisti Krasniqi.
* Gazetar, bashkepunetor i Diellit nga Prishtina

Filed Under: Opinion Tagged With: faik Krasniqi, me motive politike!, prapa vrasjeve, SHIK-u qëndron

Duke kërkuar një burrë shteti për Shqipërinë

February 13, 2015 by dgreca

Opinion nga ARTUR AJAZI/
Shqipëria ka vite që kërkon një burrë shteti, një autoritet që të ndërlidhë shumë komponentë për të mundësuar ekuilibrat politikë e shoqërorë në këtë vend. Vendi ka vite që përjeton krizën e autoritetit, dhe pozicionin e burrave të shtetit e kanë pushtuar anonimët politik, të pamoralshmit, të korruptuarit, të ngriturit në majë sipas “shkatërrimokracisë”. Shqipëria në këto momente historike, ndjen nevojën e një burri të vërtetë shteti. Por eksperienca e 25 viteve të fundit, ka treguar se mosnjohja e vetes, i ka shtyrë shumë politikane të synojnë vetëm majën. Deliri i madhështisë mbetet një epidemi që ka prekur politikanët e këtij vendi, duke kultivuar mitin e vetvetes. Kjo garë që nuk njeh kushte dhe barriera ka “lojtarë” vetëm nga klasa politike ku shumica përbëhet nga mediokrit. Duke mos njohur veten, ata deklarojnë dhe ripërsërisin gjithmonë dhe kudo që “Jemi të Parët”. Paradoksi dhe absurdi, amoraliteti dhe anormaliteti, mediokriteti dhe miti i vetvetes përbëjnë një realitet. Sikur politikanët të votonin në mënyrë të fshehtë për presidentin e Shqipërisë, ne do të ishim dëshmitarë të absurdit, ku në fund secili prej tyre kishte fituar nga një votë. Një dukuri e tillë kur shfaqet në jetën politike të një vendi është mbushur me dhimbje, dramë, fatkeqësi, dhe fatalitete. Turrja pas karrierës, pushtetit, për të kapur majën , është tragjedia më e madhe e një populli që kërkon të ndërtojë dhe begatojë jetën e tij. Asnjë popull nuk mund të përparojë nëse në krye të drejtimit të tij, nuk ka burra shteti. Mungesa e këtyre burrave në drejtimin e vendit, përbën krizën më të rëndë politiko-shoqërore, duke prodhuar kriza të tjera si ajo ekonomike, e morale. Situata mbetet sa e zymtë dhe e trishtuar, pasi janë karrieristët dhe aventurierët , që deliri i ka çuar në marrëzi, në konflikte e armiqësi. Kriza politike që përsëritet shpesh , është rrjedhojë e krizës së autoritetit, e mungesës së një klase politike me mentalitet të ri , idealistë, demokratë dhe europianistë. Dhe mungesa e një klase të tillë politike, ka sjellë pasoja që kanë reflektuar direkt në jetën tonë, dhe kanë sjellë drama dhe fatkeqësi, më tepër se lumturi. Shpura e politikës që kanë zënë vendin e burrave të shtetit, kanë ndërtuar sistemin e tyre që funksionon si një rrejt i sofistikuar merimangash, duke hequr shpresën e shumicës së shqiptarëve. Krimi godet në mes të ditës, në qendër të qyteteve, mjerimi dhe varfëria është bërë e pranishme në shumicën e shqiptarëve, kurse pasuria shënon rritje të përvitshme tek të korruptuarit. Shtresa e intelektualëve ka vite që ka marrë rrugën e mërgimit, dhe këtu po mbeten “të parët” dhe pasuria e tyre e pamerituar. Në Shqipëri ata që merren me trafik dhe korrupsion, janë shtresa e pasur, një paradoks sa absurd dhe alarmant për fatet e një vendi. Në një situatë të tillë, vendi padyshim kërkon burrin e shtetit, të bëjë revolucionin, ndryshimin, progresin. Në një gjendje e tillë, çdo qeveri do të jepte dorëheqjen ose do të merrte mbi supe një mision të madh. Kushdo që jeton sot në Shqipëri e sheh të vërtetën objektivisht dhe jo i ndikuar nga ideologjia partiake, duke dalluar kaosin dhe mungesën e normalitetit. Deri tani korrupsioni po luftohet me slogane, deklarata, konferenca shtypi, komisione parlamentare, me akuza në dukje të rënda, dhe në fund , shumë zhurmë për asgjë. Akuzon opozita qeverinë si të korruptuar, pa asnjë kallëzim në prokurori për ndjekje penale. Vetë kryeministri Rama e pranon se “jemi zhytur në korrupsion, ndonëse na e la peshqesh PD”- përsërit ai shpesh. Megjithatë asnjë kallëzim për ndjekje penale, as për ish ministrat, as për ministrat e kabinetit të tij. E vërteta është se lufta me të korruptuarit është e vështirë për të mos thënë e pamundur . Përpara kësaj sfide ndodhet sot kjo qeveri. Por ata akoma nuk e kuptojnë këtë të vërtetë, akoma operojnë me praktika të vjetra, shumë zhurmë për asgjë, pasi sot disa pushtetarë dhe parlamentarë, na bëjnë të gajasemi kur deklarojnë se kanë një shtëpi me një dhomë e kuzhinë, kur flitet se janë pronarë të pallateve, resorteve, ortakë me biznesmenë etj . Korrupsioni është i vështirë për tu luftuar, kur janë të implikuar ata që do ta luftojnë atë nga pozita e qeveritarit, korrupsionin mund ta luftojnë vetëm ata që deri sot kanë dhënë prova që nuk janë implikuar, duke ndërgjegjësuar popullin, duke krijuar psikologji realiste, për të mbështur lëvizjet e guximshme politike, dhe për ti gjetur Shqipërisë Burrin e Shtetit.

Filed Under: Opinion Tagged With: Artur Ajazi, Duke kërkuar, një burrë shteti, per Shqiperine

“KASOLLJA?” E PLAKËS (SË MËHALLËS SONË)

February 12, 2015 by dgreca

Shkruan: Fadil LUSHI/
Dikur, në vitet gjashtëdhjetë të shekullit të kaluar, stacioni hekurudhor i Shkupit ndryshe quhej edhe si vendi i lotëve a “stacioni i shpresave të vdekura”(!?). Ishte një vend ku takoheshin familjet shqiptare nga Kosova, Maqedonia, Sanxhaku dhe nga Lugina e Preshevës. Ata pritnin trenin që do t’i degdiste pa kthim diku në “Ana-vatan”, gjegjësisht në Anadolli.
Në nënqiellin e Gadishullit Ilirik sot e kësaj dite lakohen ca refrene të një kënge shumë të vjetër qytetare. Dikur moti këtë këngë e dëgjonin nuset dhe nënat shqiptare, hiq mënjanë baballarët. Refreni i parë i kësaj kënge, paksa emotive, ishte kësisoj: “Kush ma s’pari bani, more djalë gurbetin, mos ja dhashtë allahi kurrë selametin…, pikë ma s’pari dola, pa bukë më shkoi dita, jabanxhi qëllova, ujë me lyp nuk dita, borë e shi tuj ramun në fund m’zuni nata…, jastëk guri pata…”. Sot kjo këngë nuk dëgjohet më në stacionin hekurudhor të Shkupit, po as në Kosovë, në veçanti në stacionin e autobusëve të kryeqendrës së saj…, aty ku nisen shpërnguljet biblike, trishtuese dhe tronditëse, aty ku grumbullohen njerëz të moshave të ndryshme, aty ku asnjeri nuk parashtron pyetjen: vallë ku do të shkojnë këta njerëz “taksiratli”, nuk pyesin sepse çdonjëri prej tyre e di vetëm atë të vërtetë se shkon drejt së panjohurës, drejt Evropës së lirë dhe të pasur, drejt demokracisë, drejt asimilimit, apo ndoshta edhe drejt një të ardhmeje më të mirë materiale (!??). Ata që janë më të moshuar dhe që kanë dalë atypari për t’i përcjellë “kurbetçinjtë allafrënga”, ashtu me dënesë do të thonë se: e gjithë kjo nuk është e moralshme nga ana e atyre që duhet të kujdesen për këta njerëz, e gjithë kjo nuk është e drejtë, e gjithë kjo nuk është me “tamam”, nuk është me vend…, ata do të thonë se: e gjithë kjo skenë është e llahtarshme, sidomos kur sheh foshnjat me lot në sy dhe të vendosura në “shporta thuprash”!??
“Arratisjet” a ikjet e shqiptarëve të Kosovës jashtë shtetit do të “pjellin”
qëndrime të ndryshme sidomos nga ana e gojëkëqijve, qofshin ata analistë, politikanë, nacionalistë provincialë dhe analfabetë. “Toptan” këta do të parapëlqejnë t’i shtrembërojnë lajmet burimore që janë trishtuese, por të besueshme…, ata këtyre lajmeve do t’ua heqin të gjitha të vërtetat duke i zëvendësuar ato me “fakte” të rreme a të sajuara. Disa do të thonë se, në gjithë këtë eksod biblik të shqiptarëve të Kosovës, kinse paska dorë a hise Serbia (!?) nga fakti se këtyre “dertlinjve” u mundësuaka ta shfrytëzojnë territorin e saj (!???)…, ca të tjerë do të thonë se pse autoritetet e Serbisë nuk i ndalojnë që të futen në tokën e tyre. Disa të tjerë do ta fajësojnë edhe shtetin e Hungarisë, se pse ajo i pranon shqiptarët nga njëra anë dhe, nga ana tjetër, pse nuk u krijon “kushte të mira strehimi azilkërkuesve shqiptarë!?” Të gjithë “harrojnë” të thonë se fillimisht këtë ndalesë duhet ta bëjë vetë shteti i Kosovës, nga ku arratisen këta njerëz…, ata harrojnë të thonë se në gjithë këtë katrahurë dhe eksod ka hise nëntoka serbe, ajo hungareze si dhe në veçanti ajo kosovare gjegjësisht kontrabandistët dhe sekserët kosovarë që janë sistemuar në Beograd, Suboticë, Horgosh, Segedin, Budapest si dhe në fshatrat përreth kufirit austro-hungarez…, aty…, ku i presin shqiptarët respe-ktivisht bashkatdhetarët e tyre që ashtu pamëshirshëm t’ua heqin a rrjepin lëkurën!
Në didaktikë ekziston një fabul që u shërben arsimtarëve, pedagogë-ve, nxënësve dhe studentëve. Kjo përrallëz mund t’i shërbejë edhe analistit, edhe policit kufitar, edhe doganierit, edhe politikanit shqiptar, edhe makiavelistit, edhe pushtetarit si dhe të tjerëve, të cilët me të vërtetë nuk i dinë shkaqet e këtij eksodi biblik. Nëse vërtet nuk i dinë këto shkaqe, atëherë le t’i kërkojnë në tregimin e shkurtër në vijim, në tregimin që llafos konfliktet mes njerëzve a “kafshëve”(!?)…, shkaqet do t’i gjejnë tek ata që shkelin mbi fatet e fukarenjve, tek ata që ushqehen me koka njerëzish, këtu në Gadishullin Ilirik të trazuar.
Na ishte njëherë një njeri me emrin Mug. Ai një ditë, kur po qëndronte buzë lumit e po mprehte sëpatën, ia thumboi këmbën një grerëz. Mugu aq shumë u zemërua, saqë mori sëpatën dhe preu degën e lisit aty pranë. Lisi u zemërua, saqë e shkundi folenë e dallëndysheve të vogla, që gjendej në degën tjetër. Kur dallëndyshja e pa këtë, aq shumë u zemërua, saqë e quku me sqep gjarprin që ishte i shtrirë poshtë. Gjarpri u zemërua, saqë e kafshoi arushën që kaloi aty pranë. Arusha aq shumë u zemërua, saqë e përmbysi kasollen e plakës (së mëhallës sonë – nënvizimi ynë) qyqare.
“Oj arushë!”, bërtiti plaka e zemëruar, “Do të duhet të ma paguash patjetër kasollen”. “Jo kurrë!”, u përgjigj arusha. “Fajin e ka gjarpri, ai më kafshoi, prandaj ta përmbysa kasollen”. Plaka shkoi te gjarpri dhe, e zemëruar, i tha: “O gjarpër, do të duhet të ma paguash patjetër kasollen”. “Jo, kurrë!”, u përgjigj gjarpri. “Dallëndyshja është fajtore, sepse ajo më çukiti me sqep!”. Plaka shkoi te dallëndyshja dhe, i tha: “Oj dallëndyshe, do të duhet të ma paguash patjetër kasollen”. “Jo, kurrë!”, u përgjigj dallëndyshja. “Druri është fajtor se e shkundi folenë me të vegjlit e mi”. Plaka shkoi te druri dhe, e zemëruar, i tha: “O lis, do të duhet të ma paguash patjetër kasollen”. “Jo, kurrë!”, u përgjigj lisi. “Fajin e ka Mugu që ma preu degën më të madhe”. Plaka shkoi te Mugu dhe i tha: “O Mug, do të duhet të ma paguash kasollen”. “Jo, kurrë!”, u përgjigj Mugu. “Fajtore është grerëza që ma thumboi këmbën”.
Në fund, plaka shkoi te grerëza dhe, e zemëruar, i tha: “Oj grerëz, do të duhet të ma paguash patjetër kasollen”. Grerëza nuk kishte kë të akuzonte, por edhe nuk mund t’i ndihmonte plakës (së mëhallës sonë). Prandaj derisa plaka e qortonte, grerëza fluturoi në pyll dhe asnjëherë më nuk u pa atypari.
Se cili politikan kosovar mund të identifikohet me atë njeriun që kishte emrin Mug, ne nuk e dimë. Po edhe sikur ta dinim, nuk jemi aq “budallenj” t’ia themi emrin…, se kush ishte ajo “plaka qyqare dhe e zemëruar”, edhe këtë nuk e dimë, se kush ishte ai “zvarraniku pa këmbë dhe me trup të gjatë”, nuk e dimë, se “grerëza nga shkoi a ku vajti”, nuk kemi haber, se “kasollja e plakës (nuk) u rindërtua diku në Kosovën e çliruar”, një Zot i madh e di. Ne që thurëm këtë shkrim, paksa johuman, dimë vetëm një gjë: thonë se dallëndyshet largohen (nga Kosova) në vjeshtë për të shkuar në vende të ngrohta, ato nuk duken më atypari, ndoshta në pranverë nuk do të kthehen më, ato tanimë janë zëvendësuar nga fise shqiptare…, nga “shtegtarët e shekullit njëzetenjë”…, nga njerëz që largohen e që shkojnë në vende të FTOHTA të Evropës hileqare!?.
P.S. Ti, i nderuar lexues, nëse gabova diçka në këtë vështrim, më ndje…, dikur edhe unë isha një “bari shtegtar!? ”

Filed Under: Opinion Tagged With: “KASOLLJA?” E PLAKËS, (SË MËHALLËS SONË), Fadil Lushi

KJO QENKA DEMOKRACIA ?

February 11, 2015 by dgreca

Shpëtim nga Shpëtimët/
NGA ILIR LEVONJA-Florida/
E kam shumë seriozisht, duhet thirrur shpëtim nga Shpëtimët. Nga ky fenomen në ngjizje. Nga të pushtetarët e përjetshëm.
Qysh sa u ndje atmosfera e zgjedhjeve lokale, u përfol në shtyp për nisjen e një lufte brenda llojit. Për shkak të të ashtuquajturave rezistenca të kryetarëve aktualë të Bashkive, sidomos të atyre ”legjendarëve” në qytetet kryesore të vendit. Shkak është rasti Gjika, kryetari aktual i Bashkisë Vlorë. Arrestimi i tij show, lirimi me kusht etj. Dhe së fundi intervista e Shpëtimit në shumë webe.
Por u deshën rishpërthimet e tritolit që vemendja të mënjanohej nga Shpëtimi. Megjithatë, toni i intervistës së tij, fjalët e tia e vertetojnë plotësisht luftën brenda llojit. Atë që kishin parashikuar analistë të ndryshëm.
Për të mos u zgjatur, pasi thjesht një opinion do jap. Dhe të më fali Shpëtimi që po i referohem. Megjithëse e di mirë që përballë arrestimeve, fenelinave të policisë dhe blicave të shtypit, fjala ime është fresku i perdes tek dritarja. Po unë një habi do e them. Qoftë kjo jo vetëm për votuesit, por edhe për partitë, për individët që janë bërë më publik se Zoti. Prapë do kandidoni???
Duhen pyetur vlonjatët, akoma me Shpëtimin? Duhen pyetur fierakët, akoma me Baftjarin? Duhen pyetur durrsakët akoma me Dakon? Duhen pyetur shkodranët, akoma me Lukën? Duhen pyetur beratasit akoma me Nasufin? Duhen pyetur elbasanllinjtë, akoma me Sejdinin? Duhen pyetur gjirokastritët, akoma me Bimen?
Duhen pyetur edhe ato qytetarë që herë i kanë demokratë kryetarët, herë socialistë brenda mandatit. Ose që ndërrojnë partitë si e si të rizgjidhen. Apo edhe përfaqësues të minoritetit grek, mu në mes të Skraparit. Vërtetë nuk kanë djem të tjerë qytetet tuaja?! Partitë tuaja. Sidomos PS-ja. Mbaruan socialistët vlonjatë, fierakë, elbasanas, durrsakë. Apo edhe gjirokastritë? Të paktën Kavaja e prishi ritin e të përjetshmit.
Le ta zëmë se të gjithë këta, kanë punuar shkëlqyer. Me gjithë mend mbaruan të tjerët. Qofshin socialistë, demokratë a lësëistë, republikanë etj. Kjo qënka demokracia.? Të shpikim pushtetarë të përjetshëm.! Duket sikur shteroi pjellshmëria. Sikur nuk ka më bijë nënash në atë botë?
Por nga ana tjetër edhe personave në fjalë. Vërtetë nuk u lodhët me pushtet?
Shpesh herë njerëz të kasaj natyre reagojnë me justifikimin e ligjit, që deri sa ua lejon kushtetuta dhe zgjidhen. Përse jo.
Sepse është vënia në kandar e përgjegjësisë së qytetarit. Eshtë prova. Madje nderi i karrierës. Çasti kur ti ose e uzurpon demokracinë, ose e lë të zhvillohet.
Pra përgjegjësia qytetare e individit të parë. Roli i tij. Dhe demokracitë më të forta janë ato që janë të mbushur me individë që hapin krahun. Që heshtin pasi kanë mbaruar misionin. Madje kthehen në misionarë të rrotacionit. Jo në murgjër të korridoreve bashkiake.
Sinqerisht, shpëtoni nga Shpëtimët.

Filed Under: Opinion Tagged With: Ilir Levonja, Shpetim nga shpetimet

Fajtor jo vetëm klasa politike, por edhe servilët dhe të heshturit!

February 11, 2015 by dgreca

Nga Faik KRASNIQI/
Kush janë servilët? Frikacakët, të padinjitetët, të pangopurit, të paditurit! Ata që kanë frikë për vendin e punës! Ata që synojnë të fitojnë më shumë se sa u përket! Atyre që u ka ngelur pak karakter në deje! Kush janë puthadorët? Puthadorët duhet ta mbajnë disi pozicionin që kanë arritur nga sakrificat puthadorëse. Ata krijojnë rrjeta puthadorësh tjerë, që duartrokasin me injorancë apo me besnikëri puthadorësh, puthadorasin më të lartë. Përderisa ky puthadorasi lartë, i puth dorën dikujt tjetër më lartë se pozicioni i tij, këta të tjerët luftojnë për postin e tij dhe fillon lufta e puthadorjes në konkurrencë, kur i puthin dorën e dijnë se kanë konkurrencën tjetër të rrjetit puthadorësh dhe sa më shumë i puthin dorën dhe kur ai më lartë buzëqesh i duket se i ka lëpirë dorën më së miri, nëse e sheh ndonjë tjetër që i buzëqesh si atij, mund të ndodh që është gati t’i lëpij edhe mendern për të hipur më lartë në dispozicion se tjetri. Kështu bën edhe ky më lartë, sepse e di se është në të njëjtën pozitë si puthadorasit përfundi tij dhe në një mënyrë i gjithë sistemi i krijuar kështu me lëpirje përfitojnë nga eksperiencat e lëpirjeve poshtë e lartë sistemit lëpirës.
……
Prej që shpërtheu eksodi masiv i qytetarëve të Kosovës drejt shteteve të perëndimit, po dëgjojmë lloj-lloj akuza, por deri më tash nuk e dëgjuam asnjë lider apo politikan të thotë se ne jemi fajtorët kryesor për ikjen masive, zhgënjimin qytetar dhe gjendjen e rëndë në të cilën po kalon Kosova!
Por për këtë gjendje të rëndë në të cilën jemi, nuk e fajësoj njëqind për qind vetëm klasën politike, por shumë më shumë edhe servilët, puthadorasit, zvarranikët, të heshturit dhe të dëgjueshmit, anëtar, aktivistë, simpatizantë dhe militantë të të gjitha partive, sepse gjatë këtyre gjashtëmbëdhjetë viteve partitë, liderët dhe bashkëpartiakët e tyre kurrë nuk i kanë kritikuar për gabimet e tyre, por i kanë duartrokitur për çdo gjë! Faj të madh kanë edhe akademikët dhe intelektualët e heshtur, të cilët kurrë nuk e ngritën zërin kundër të keqes! Prandaj edhe këta të lartëpërmendur janë bashkëfajtor bashkë me këtë klasë politike, të cilët kanë pasur pozita të rëndësishme qeveritare dhe partiake! Shumë të tillë i pashë gjatë këtij muaji, kur eksodi masiv drejt perëndimit ka marrë përmasa shqetësuese, e të njëjtit që i përmenda më lart flisnin me gjuhën e liderëve dhe politikanëve të tyre, duke i fajësuar dhe akuzuar rëndë me lloj-lloj etiketimi si ”avanturista, turista, gomarë, idiotë, të papërgjegjshëm ” etj…… njerëzit e zhgënjyer dhe të pashpresë! Shumë prej jush po harroni që edhe ju jeni prindër dhe keni fëmijë! Çdo njeri edhe nëse është pjesë e një partie, kur është në pyetje shteti dhe kombi, duhet të dal mbi partitë dhe liderët, sepse liderët dhe partitë shkojnë e vijnë, e shteti dhe populli ngelet! Por ju u treguat me qindra fytyra – duke imituar gjuhën e njëjtë me ata që e kanë sjellur popullin në këtë derexhe! Edhe unë jam pjesë e një partie ( LDK-së), por të zezës nuk mund t’i them të bardhë, dhe të bardhës të zezë!

Filed Under: Opinion Tagged With: dhe të heshturit!, faik Krasniqi, Fajtor jo vetëm klasa politike, por edhe servilët

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 689
  • 690
  • 691
  • 692
  • 693
  • …
  • 868
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Antonio Bellushi (1934, Frasnitë – 19 qershor 2024) mbledhës i zellshëm dhe studiues i pasurive etnokulturore e gjuhësore të Arbëreshëve dhe Arbërorëve
  • Jetimi që nxori zbuluar shtetin…
  • Qyteti antik 2400-vjeçar i Çukës së Aitoit
  • Dita e Veteranëve, përkujtojmë shqiptarët që shërbyen me nder në Ushtrinë e SHBA
  • Lëvizjet e popullsisë shqiptare jashtë kufijve shtetërorë dhe vendosja e saj në Shqipëri: Një analizë historiko – hartografike dhe socio – ekonomike
  • “DUA”, propozimi zyrtar i Kosovës për Oscar në kategorinë “Filmi më i mirë ndërkombëtar”
  • 1928 / URA E ZOGUT MBI LUMIN MAT — RRËFIMI EKSKLUZIV I ERWIN SCHNITTER, INXHINIERIT ZVICERAN QË DREJTOI PUNIMET PËR NDËRTIMIN E SAJ
  • NIKOLLA NAÇO (1843–1913) – ATDHETARI QË E VURI PASURINË, DIJEN DHE JETËN NË SHËRBIM TË SHQIPËRISË
  • MURI I BERLINIT RA, POR MURET POLITIKE DHE IDEOLOGJIKE MIDIS SHQIPTARËVE VAZHDOJNË TË QËNDROJNË
  • Dy “Qemalët” e mëdhenj që themeluan dy shtete mbi rrënojat e një perandorie
  • THANK YOU to the City of St. Petersburg and Chief Anthony Holloway for Supporting Albanian School VATRA!
  • A egzistonte koncepti i kombit në kohën e Skënderbeut?
  • Dardane Halimi: “ALB Connection was created to give every Albanian-owned business in America a voice and visibility”
  • KRIJIMI I NJERIUT TË RI: NGA IDEOLOGJIA KOMUNISTE TE KULTURA E PËRFITIMIT NË SHQIPËRINË E SOTME!
  • Transpozimi poetiko-dramatik i veprës “Trungu ilir” të Sabri Hamitit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT