*Unë nuk besoj që arrestimi i Gjikës është kryer me urdhër të Kryeministrit Rama, siç po lexoj në shumë komente në rrjetet sociale, por sjellja e kryeministrit dhe veçanërisht fjalori I tij, pasioni me të cilin shqipton burgun, kanë kontribuar./
* Muajt e fundit ka patur shumë arrestime, nga ato më të bujshmet si në rastin e laboratorit të kokainës, deri tek arrestimet masivo-qesharake të energjisë elektrike. E përbashkëta e të gjithave është krekosja e policisë për arritjet dhe përdorimi i gjykatave, në rastet kur i lënë të lirë të pandehurit, si alibi për dështimet, për mospërmbushjen e lumit të premtimeve, për keqqeverisjen. /
Opinion nga Edmond Banushi/
Sapo mora lajmin për arrestimin e kryetarit të bashkisë Vlorë, qytetit tim, u trishtova. Nuk ka vend për gëzim kur njeriu privohet nga liria, gjëja më e shtrenjtë pas jetës. Ndjeva të njëtën gjë dhe kur u arrestua Fullani. Pavarësisht se do të mjaftonin fotot për jetën e shfrenuar që bënin fëmijët e tij që të jepte dorëheqjen, arrestimi nga ana e prokurorisë m`u duk pa vend. I vetmi efekt (shumë pozitiv) qe largimi i tij, por kjo është detyre e atyre që e vunë, jo e organit të akuzës. Unë nuk besoj që arrestimi i Gjikës është kryer me urdhër të Ramës, siç po lexoj në shumë komente në rrjetet sociale, por sjellja e kryeministrit dhe veçanërisht fjalori i tij, pasioni me të cilin shqipton burgun, kanë kontribuar.
Muajt e fundit ka patur shumë arrestime, nga ato më të bujshmet si në rastin e laboratorit të kokainës, deri tek arrestimet masivo-qesharake të energjisë elektrike. E përbashkëta e të gjithave është krekosja e policisë për arritjet dhe përdorimi i gjykatave, në rastet kur i lënë të lirë të pandehurit, si alibi për dështimet, për mospërmbushjen e lumit të premtimeve, për keqqeverisjen.
Përveç Ramës edhe përfaqësues me peshë të qeverisë, përkatësisht ministri i drejtësisë dhe ministri i brendshëm vazhdimisht sulmojnë me tone të ashpra gjyqësorin. Të bën përshtypje fakti se të dy kanë patur eksperienca me vendimet e gjykatës. I pari sepse është në atë post si pasojë e vendimit të pafajësisë që mori Ilir Meta, pasi iu bë një gjykim special me një shkallë gjykimi. Dhe nëse ka vendim që ka cënuar besimin tek drejtësia është pikërisht ai. Jo dhe aq për shkak se pamjet filmike nuk ishin te qarta vetëm për ekspertët e thirrur nga gjykata, sesa për faktin që Tahiri dhe kolegët e tij, në atë kohë opozitare, e cilësuan si kulmin e padrejtësisë madje ngritën përkrahësit e tyre në revolta që kulmuan me ngjarjet tragjike të 21 Janarit. Nuk ka kuptim të flasë për ligje të gabuara kur LSI ka votuar çdo ligj që prej 2008. Ai ka qënë prokurori i 14 Shtatorit dhe e di mirë që presioni i politikës e shtynte që mitingun e paligjshëm ta quante grusht shteti.
Ndërsa ministrit Tahiri iu arrestua babai dhe gjithsesi gabim njerëzor, apo politik (siç e quajti vet ai), e ka provuar dhe ai drejtësinë që funksionoi, dhe vetëm për këtë shkak duhet të jetë më i matur kur flet.
Kjo klimë ka sjellë ndoshta edhe ndryshimin e standartit në prokurorinë e Vlorës, që për të akuzuarit për shpërdorim detyre kërkon mbajtjen e tyre në burg. Në rastin e Gjikës ai u përball njëherë me të njëjtën akuzë, pa iu shmangur as edhe një ditë proçesit, madje duke dalë i pafajshëm.
Përkundrejt rritjes së varfërisë dhe kriminalitetit, përballimit të përmbytjeve dhe çdo fatkeqësie tjetër natyrore, përgjigja nuk mund të jetë kurrësesi përdorimi pa kriter ose abuzimi me kriteret e paqarta të masës së sigurimit “arrest me burg”.
Për të dyshuarit ndoshta ka elemente që të bëjnë të mendosh një dënim të mundshëm nga ana e gjyqtarit, që do të drejtojë proçesin dhe do të japë vendimin “në emër të Republikës”, por të dyshuarve u duhen krijuar kushtet që të mbrohen. Drejtësia e shëndoshë, mbështetur nga ligje të mira, ka për detyrë t’ua krijojë ato. Organi i akuzës nuk ka nevojë për përparësi të tilla. I ka të gjitha mundësitë të kërkojë dhe gjejë (nëse ekzistojnë) faje të tjera ose bashkëpunëtorë të tjerë. Ndaj mendoj se një subjekt i dyshuar, i pafajshëm kushtetueshmërisht deri në vendimin përfundimtar (nëse pretendojmë që jetojmë në një shtet të së drejtës), duhet lënë i lirë, kur nuk ka mundësi të përsërisë krimin për të cilin akuzohet. Nga shpeshtësia e dhënies së mases “burg pa afat” ose dhe “arrest në shtëpi”, të krijohet përshtypja se ato jepen si antipastë e dënimit të ardhshëm, pra një burg i paramenduar. Shtoji këtu arrestimet me policë të maskuar, në mes të rrugës, armët në duar, filmimet etj. burgu i paramenduar kthehet në një torturë të vërtetë dhe në vendet demokratike ajo është e ndaluar.
Ndoshta kjo torturë është e domosdoshme për t’u aplikuar tek njerëz me rrezikshmëri të lartë shoqërore, por duhet të jetë përjashtimi, jo rregulli.
Rastësisht për persona publike fillimi i kësaj torture është ditë e premte dhe në këtë mënyrë i jepet koha e mjaftueshme mediave të perbaltin e linçojnë, të japin dënimin e “merituar”, duke rritur artificialisht presionin ndaj gjyqtarit që do të vendosë masën e sigurisë. Zbatimi i dënimit të paramenduar te personat e mësipërm, përveç rënies psiko-fizike, do shkatërrojë përfundimisht dhe bizneset e tyre, duke flakur në rrugë dhjetëra të punësuar. Do të ishte shumë më mirë që ata të liheshin të lirë, pranë familjeve të tyre, të bisedojnë me kë të duan. Është e drejtë e secilit që të përballet me proçesin në ngarkim me dinjitet, nga pozicioni i njeriut të lirë. Unë nuk jam specialist i fushës, por kaq gjë e di ama, që njeriut i privohet liria, kur merr dënimin përfundimtar. Pikërisht kur Dënohet! Shpesh dita e dënimit të dikujt përputhet me ditën e lirimit të tij. Kjo tregon për abuzimin me Dënimin e paramenduar dhe afatet e tejzgjatura të tij.
Delikatesa me të cilën duhet të trajtohet gjëja më e çmuar e njeriut, Liria, theksohet dhe nga fakti që Proçesi Penal është i dështuar që në nisje, qoftë edhe kur në fund jepet një vendim i drejtë. Ai nuk e realizon dot misionin e tij hyjnor, ripërqafimin e individit të dënuar nga ana e shoqërise, sepse pjesa më e madhe e tyre ridënohet.
Edmond Banushi
Laiciteti i shtetit shqiptar nuk duhet diskutuar…as ne rastin e emerimit te ambasadorit ne Vatikan
….Po qe se do të publikoja se çfarë di unë për qëndrimin e z. Zhiti ndaj Kishës Katolike, spiritualiteti i këtij krijuesi të talentuar, që ka përjetuar kalvarin jo më pak se disa besimtarë, do ta bënte të skuqej edhe ndonjë Kardinal./
Shkruan: Dr Gëzim Alpion-Angli/
Sipas mediave, Kisha Katolike shqiptare ka dalur kundër propozimit për të emëruar z. Visar Zhiti ambasador në Vatikan.
Një institucion fetar ‘ka të drejtë’ të identifikoj se dikush i përket këtij apo atij besimi po aq sa mjekut ‘i lejohet’ të publikoj informacion për pacientët e tij.
Përkatësia fetare nuk është si ajo etnike, nacionale apo politike. Nëse i përkasim një besimi fetar apo jo, është një çështje tërësisht personale dhe intime. Për këtë ka të dhëna vetëm ‘vetëdija’, të cilën nuk mund ta ‘lexoj’ askush, përfshirë priftërinjtë dhe hoxhallarët.
Arsyja se përse po komentoj për këtë çështje nuk ka të bëj me faktin se propozimin në fjalë e bëri kryeministri aktual i Shqipërisë. Unë nuk kam gjetur gjuhë të përbashkët me ‘pronarët’ e qeverive shqiptare. Megjithatë, ndryshe nga krerët intolerantë të politikës, disa nga të cilët akoma nuk kanë mësuar të respektojnë intelektualët e pavarur, meqë nuk sillen si ‘dele të edukuara’, kam integritetin t’i ‘përkrah’ këta ‘vizionarë me henë’ duke përmbushur në këtë mënyrë detyrimin tim moral dhe qytetar ndaj së vërtetës.
Po kështu, nuk po komentoj për këtë çështje meqë z. Zhiti e kam mik. Po qe se do të publikoja se çfarë di unë për qëndrimin e z. Zhiti ndaj Kishës Katolike, spiritualiteti i këtij krijuesi të talentuar, që ka përjetuar kalvarin jo më pak se disa besimtarë, do ta bënte të skuqej edhe ndonjë Kardinal.
Si insitucionet fetare, edhe unë nuk kam të drejtë të komentoj për spiritualitetin e z. Zhiti. Por kjo nuk do të thotë se nuk mund të flas se ku qëndroj unë përsa i përket çështjes së besimit.
Unë nuk i përkas asnjë besimi fetar – dhe nuk kam ndërmend të konvertoj ndonjëhere – por kjo nuk do të thotë se jam ateist. Për mendimin tim, perceptimi se ku qëndrojmë ne si specie në ‘strategjinë’ kozmike është përtej kapacitetit njerëzor. Kjo nuk do të thotë se ne nuk duhet të jemi gjithmonë në kërkim të hyjnores apo të pengojmë njëri tjerin kur tentojmë të shkelim në ‘zona të ndaluara’.
Gjatë 15 viteve të fundit, që vazhdoj të jem i angazhuar me studimin e figurës së Nënë Terezës jo si fetar por nga këndvështrimi i shpirtit dhe arsyjes, jam befasuar dhe trishtuar disa herë nga zëra që kanë kundërshtuar përkushtimin tim pikërisht se unë nuk i ‘përkas’ fesë katolike. Këta zëra po protestojnë edhe tani se përse një intelektual jo katolik si unë po lobon për shenjtërimin e Nënë Terezës, ndërkohë që ata që e quajnë këtë murgeshë të ‘tyren’ nuk po pipëtijnë për këtë çështje. I vetmi autoritet i lartë në Kishën Katolike në Shqipëri që është shprehur publikisht në favour të peticionit nuk ka shtetësi shqiptare. Mos vallë duhet të themi se nuk duhet të ketë vend në Kishën Katolike shqiptare për priftërinj jo shqiptar? Apo duhet të kritikojmë Nënë Terezën se ajo ju përkushtua njerëzve të varfër fillimisht në Indi dhe më vonë në mbarë botën por ‘u ktheu shpinën’ shiptarëve, veçanërisht katolikëve ‘të saj’ të vobektë?
Në monografinë e re për Nënë Terezën, që do të botohet në fund të këtij viti, do të publikoj për herë të parë informacion për disa aspekte të jetës së kësaj murgeshe. Ky informacion do të kishte humbur përgjithmonë si rezultat i akrobacive të dënueshme të biografëve dhe hagiografëve katolikë të Nënë Terezës në Ballkan të cilët, duke ndjekur avazin e politikanëve amatorë, kanë folklorizuar deri në vulgarizim dhe ofendim për intelektin një figurë të tillë fetare shumë dimensionale. Shpreh bindjen se për Nënë Terezën duhen bërë akoma studime akademike të mirëfillta jo për ta ngritur atë në piedestal por për të kuptuar se çdo të thotë të kesh besim dhe të tundohesh nga mosbesimi por kurrë të mos dyshosh në natyrën e shenjtë të dinjitetit njerëzor.
Në qoftë se besojmë se jemi komb që karakterizohemi nga toleranca fetare, emërimi i ‘muslimanit’ Zhiti, tregon se ky virtyt, për të cilin krenohemi vend e pa vend, vërtet është diçka e veçantë për ne. Nuk është e mjaftueshme vetëm të ‘predikosh’ tolerancë fetare. Kush beson tek Zoti, duhet ta dijë se kjo ‘krijesë’ hyjnore nuk ka përkatësi fetare.
Shteti shqiptar ka kusuret e veta, por laiciteti i tij nuk duhet komprometuar kurrë, aq më tepër në kohën tonë kur fryma e murtajës së radikalizmit fetar, që po gangrenizon një pjesë të botës, fatkeqësisht ka metastazat e saj edhe në Ballkan.
TA KEMI BESIMIN PËR TË JETUAR NË VENDIN TONË
NGA HARRY BAJRAKTARI/
Skenat e përditshme të ikjes së qytetarëve nga Kosova janë shqetësuese dhe si të tilla po e dëmtojnë imazhin e vendit tonë në Evropë dhe botë. Migrimi ilegal i këtyre ditëve ka marrë formën e një fushate të pakontrolluar. Duke mos mohuar arsyet dhe kushtet ekonomike të tyre,
papunësinë dhe problemet tjera jetësore që kanë, një formë e tillë e ikjes masive, e pa kontrolluar dhe paditur se çfarë do të jetë fati i tyre në ato vende ku pretendojnë të gjejnë strehim, është e keqja tjetër dhe vendim i ngutshëm, i pasigurt dhe e jo rracional. Ikja me
tërë familjen, duke lënë shtëpitë e zbrazëta, është përsëritur shumë herë në Kosovë, por në rrethana krejt tjera historike e politike. Rasti i tashëm i zbrazjes është një fenomen që ndoshta do një shpjegim më të thellë, sesa ajo që është thënë e shkruar deri tash. Liria e lëvizjes është një e drejtë e patjetërsueshme e njeriut, e kodifikuar me normat ndërkombëtare, por ajo duhet të orientohet brenda zyazave legale, jo në mënyrë të pa rregullt e të pakontrolluar, duke rrezikuar
jetën e familjes dhe të vetvetes në kapërcimin e kufirit ilegal nëpër malet e Hungarisë. Është vështirë të mendosh se nga kjo rrugë e migrimit mund të përfitohet dicka ngaqë vendet e BE-së nuk strehojnë më azilantë.Të gjithë këta qytetarë të Kosovës që pretendojnë vendqëndrim nuk plotësojnë asnjërin nga kriteret e azilantit politik. Këtu fitues dalin vetëm kontrabandistët që janë serbë e shqiptarë. Kosova ka bërë shumë sakrifica dhe nuk do të duhej të braktiset në këtë formë nga qytetarët e saj. Kjo sakrificë dhe ky investim ka qenë i të gjithëve dhe s’ duhet harruar. Të kemi besim të jetojmë në vendin tonë dhe këtë besim ta materializojmë në forma të ndryshme duke krijuar të mira materiale dhe shpirtërore. Nga shpallja e pavarësisë e deri më tani institucionet e Kosovës nuk kanë pasur një qasje të mjaftueshme dhe zerioze për të hapur vende të reja pune, zhvillim ekonomik dhe krijimin e një perspektive të qartë për qytetarët e saj. Kjo ka bërë që qytetarët sot të ndjehen të pasigurt dhe të kenë një dozë frustrimi. Si rezultat i saj del edhe ikja nga Kosova, por mos të harrojmë se në këtë kaos të krijuar ka edhe mashtrim dhe shumë iluzione.Populli ynë ka bërë shumë sakrifica për lirinë e tij, e tash duhet të bëjë sakrificë edhe për ndërtimin dhe zhvillimin e vendit. Qytetarët e Kosovës duhet të kërkojnë përgjegjësi ndaj atyre që ua dhënë votën, e jo të ikin. Mendoj se Kosova është vonuar lidhur me disa projekte të zhvillimit dhe të punësimit. Qeveria, politika dhe të zgjedhurit e popullit, më
herët dhe tash, nuk mund të amnestohen nga kjo që po ndodh. Këto pamje që po e përshkojnë Evropën, nuk mund të kalojnë pa pasoja për Kosovën dhe imazhin e saj. Në këto momente është jetike se si të veprohet dhe si të ndalet ky migrim i popullatës dhe të mos shohim skena të tilla nëpër kufij dhe në kampet kolektive të strehimit pa kurrfarë kushtesh! Pra, çështje është si të ndryshohet kjo situata? Kuvendi i Kosovës miratoi një Rezolutë për pengimin ilegal të migrimit të qytetarëve të saj. Kjo nuk do të mjaftojë që të ndryshohet gjendja e tashme nëse nuk ka një zotim të prerë në tejkalimin e vështirësive të grumbulluara dhe në krijimin e kushteve për një jetë stabile ekonomike të qytetarëve në vendin tonë. Këto skena janë një alarmi më shumë për institucionet e Kosovës. Qeveria të jetë e përshpejtuar që sistematikisht të krijojë kushte për hapjen e vendeve të reja të punës duke zhvilluar sektorët më vital të ekonomisë, e sidomos sektorin e bujqësisë ku ekzistojnë mundësi më të mëdha punësimi, të ketë stimulim për bizneset private, të vogla dhe të mesme, krijimin e lehtësimeve doganore dhe rritjen e cilësisë së prodhimeve vendore në konkurencë me ato të importuara.Qeveria të punojë më shumë për të fituar besimin e qytetarëve, i cili shihet i luhatshëm pas këtyre skenave të largimit. Institucionet e Kosovës duhet ta fitojnë betejën mbi korrupcionin dhe krimin e organizuar. Pa fitimin e kësaj beteje nuk do të ketë as fitim të besimit nga qytetarët. Liberalizimi i vizave është një faktor shumë i rëndësishëm për Kosovën. Me këtë qytetarët tanë do të realizonin një të drejtë të tyre si të gjithë qytetarët e vendeve tjera. Integrimi në Bashkësinë Evropiane, në NATO dhe në strukturat e tjera, është një mundësi e madhe për perspektivën e Kosovës dhe për stabilizimin e saj edhe në aspektin e sigurisë dhe të zhvillimit ekonomik. Kosova është vendi ynë për të cilin kemi investuar aq shumë, duhet ta duam edhe kur s’ jemi të kënaqur.
*Autori është veprimtar dhe biznesmen i njohur i komunitetit shqiptaro- amerikan dhe themelues i gazetës Illyria në New York.
DY DYER…
Nga Fritz RADOVANI/
Deda i Gjonit Markagjonëve të Mirditës, vulosi Perjetësinë e Derës së Markagjonëve!
Ai provoi me u le, me u perkundë, me u rritë në Deren e Parë të Markagjonëve, po dhe me u torturue, me u burgosë, me u interrnue dhe me u plakë i masakruem në Deren e dytë të Ministrisë së Mbrendshme, por i Pathyeshëm dhe Burrë i Nderuem Hero!..
Ishte 22 vjeç kur u arrestue në nandorin e 1944. Mbas pesë vjetësh lirohet dhe fillon një tragjedi tjeter mbas së parës nder kampet shfarosëse të Derës së dytë të Ferrit komunist.
Izolimi tre vjeçarë që shpjegon kushrini i Tij z. Lekë Pervizi, i sajuem nga kriminelët e terroristët Mehmet Shehu dhe Kadri Hazbiu, per me detyrue Dedën me u ba agjent i sigurimit të shtetit, dhe loja aq e rrezikëshme se, gjoja asht arratisë po, në të njajten kohë edhe rreziku i përditëshem i jetes nga sigurimi famkeq i shtetit komunist, janë edhe një tjetër provë e pathyeshmenisë së Derës së Nderueme të Gjomarkajve.
Pak Burra prehen të qetë si Gjoni i Markagjonit të Mirditës, me kaq trashigimtarë të cilët për 47 vjetë u vranë, u interrnuen, u masakruen, u varrosën nder gropa të padijtuna dhe, jo vetem, u punue per shfarosjen e Fisit, por edhe per shnderimin e Derës Shekullore…
Trashigimtarët… i ndertuen Babës së vet Lapidarin e Lavdisë dhe Nderit të Mirditës, e këta ishin: Marku, Ndoi, Lleshi, Deda, Nikolli, Dava, Gjela, Marta, Dila e Bardha…
Vetem kush ka pasë fatin me i shterngue dorën miqësisht njenit prej Tyne, mundet me kujtue shka do me thanë “Besa, Burrnia e Bujaria e Derës Markagjonëve të Maleve!”
Malësori gjithmonë asht tregue i matun nder kuvende Burrash, ndersa Mirdita, perveç kujdesit, asht tregue edhe ma e mendshmja nder kuvende dhe vendime të Saja.
Tue dashtë Malësori kohët e fundit, nganjëherë, me u tregue i “shkolluem” perdorë fjalë të dialektit Jugut, kur asht fjala që ndrroi jetë, shkoi n’ Amshim, ka vdekë aksidentalisht, etj… kohët e fundit lexoi: “U shua!”, dhe pikrisht per Dedë Gjomarkaj… Shumë keq!
Dera e Markagjonëve, ka dashtë i Madhi Zot, jo vetem mos me u shue, por me u rritë, me u shtue dhe me vazhdue brez mbas brezi deri në pafundësi… E kështu, si Dera e
Markagjonëve, Kullat e të cilit i dogj dhe i rrafshoi sherbëtori i shovenistëve jugosllavë, kështu, veproi me të gjitha Kullat e Bardha të Maleve të Veriut e deri poshtë në Jug…
Me u shue asht shue Enver Hoxha, Koçi Xoxe, Mehmet Shehu, Ramiz Alia, Haxhi Lleshi, Kadri Hazbiu, Tuk Jakova e Bedri Spahiu me shokë, që nuk e kanë lanë të paktën një pinjollë si “vajza e Stalinit”, për me kerkue të falun per krimet e shemtueme të baballarëve të vet, tiranë, kriminelë e terroristë të pashpirtë e vrastarë fëmijësh!
E ZOTI, do t’ Ua ndigjojnë lutjen 500 000 Viktimave të tyne: “Këta dalshin faret!”…
Melbourne, 2015
AS SKUQEN, AS NUK KANE FRIKE
Nga Flamur Harri/
I angazhuar prej vitesh ne nje lufte per mbrojtjen e interesave pronesore te familjes Harri, i pajisur me prokure te posaçme nga vellezerit e mi, ndeshem me procese te paperfunduara gjyqsore, kur nje dite te bukur te janarit 2015, vellai im Durimi zhvillonte séance gjyqsore me gjyqtarin Ramazan Avdiun. U habita kur ky fare gjyqtari qe eshte ne vijim te nje procesi gjyqesor me mua, qe nga viti 2012 e ne vazhdim, kishte pranuar kerkesen e bere nga vellai im me 14.07.2014, me objekt kthimin e vleres ne leke per pasurine e luajtshme dhe marrjen e qerase nga zaptuesit e prones se paluajtshme.
Hipokrizia dhe poshtersia e ketij gjyqtari e mbeshtetesit e tij s`kane te mbaruar. Kur e pyeta kete gjyqtar se cdo me thene ky gjyq, ai m`u pergjigj – “Ate e di une dhe Durimi?!”
Kerkesa e bere me 14.07.2014 nga Durim Harri eshte e paligjshme per arsye se kete tagre e ka trashegimtari Flamur Harri, ne baze te prokures se posaçme te leshuar nga trashegimtaret e tjere te Sule e Shege Harri: Ndriçim Harri, Durim Harri e Sopot Harri, procure e cila autorizon Flamur Harrin per ndjekjen e gjithe problemeve pronesore te trasheguara, qe te perfaqesoje ne te gjithe institucionet shteterore e gjyqesore te vendit. Prokure kjo e firmosur dhe nga Durim Harri. Gjyqtari Ramazan Avdiu, e ka ne dosjen e procesit gjyqesor te vitit 2012, qe nuk pranoi rivendosjen ne afat per te rrezuar vendimin nr.360 te dates 12.02.2010, te gjyqtarit Zihni Shahu, per te cilin eshte kallezuar penalisht nga une, qe ne 2010, per vepren penale te mos leximit te vendimit.
Procesi gjyqesor per Z. Shahu vazhdon qe nga 2010 dhe ndodhet ne Gjykaten e larte.
Ne nje takim qe kam bere me ish-Ministrin e Drejtesise, sot President I Republikes, Z.Bujar Nishani, nen shoqerimin e Drejtorit te I.P.Politike Z. Simon Miraka ne kabinetin e Ministrit te Drejtesise, Z. Nishani, pasi u njoh me dosjen e prones, me dha plotesisht te drejte dhe me keshilloi qe te hapja nje proces gjyqesor per te rrezuar vendimin e Z.Shahu, duke me siguruar se do ta ndiqte vete problemin .
Levizja e Ministrit ne nje post tjeter ka bere qe Z.Nishani te mos tregonte vemendje dhe sic theksova me lart hapa proces gjyqesor. Gjyqin e beri Ramazan Avdia, koleg I Zihni Shahut.
Me gjithe deklarimin me shkrim te Z. E.Jani se Z.Shahu nuk e ka lexuar vendimin, ky gjyqtar s`e pranoi kerkesen time. Kur dolem nga zyra e tij Ramazani, si miqesisht, me hodhi doren ne supe e si “per te me ngushelluar” me tha: -“Me vjen keq qe s`ta pranova kerkesen.”
-Jo ore. – I thash une – Nuk me vjen keq, por me vjen keq per shokun tend Zihni se ai pranon me mire te shkarkohet se sa te ndiqet penalisht. –Oh- ja beri Ramazani: – Ato s`me kane thene gje mua.
Sic e kam theksuar dhe me pare, e perseris se ne gjykaten e Elbasanit ekziston nje zinxhir korruptiv qe fatkeqesisht vazhdon ne apelin e Durresit e ne gjykaten e larte, nuk mund te paragjykoj Gjykaten Kushtetuese.
Me 29 tetor, gazeta “Dielli” e Amerikes botoi nje deklarate te bere nga une. Fill pas ketij artikulli Gjykata e larte ne Shqiperi kishte marre vendim per nje rekurs te nje procesi gjyqesor, te bere me 2012. U deshen dy vjet per te thene qe rekursi nuk pranohet. Pale se kur do te gjykohej. Pa koment.
Per mendimin tim, nga eksperienca e hidhur me proceset gjyqesore, duhet jo nje reforme e thelle por hetim per zinxhirin korruptiv ne sistem, se sic theksojne qytetaret e ndershem : “Kur populli te shohe gjyqtaret e korruptuar ne banken e te akuzuarve, atehere do te besojme se po behet drejtesi”.
Me kete rast dua te falenderoj Kryetaren e Gjykates se Kavajes Entela Shedula dhe ish Gjyqtaren Alma Hicka, qe kane bere procese gjyqesore dinjitoze me integritet ne drejtim te problemit te familjes Harri.
Une si qytetar kam besim vetem tek ato gjyqtare qe trajnohen nga U.S.A.J.D.I.
Tani te kalojme tek vendimi i procesit gjyqesor te dates 13 janar 2015, te zhvilluar nga gjyqtari Ramazan Avdiu, me kerkese te Durim Harrit. Vellai im i ndodhur ne nje situate te veshtire ekonomike ka hapur proces gjyqsor per te perfituar nga detyrimi qe ka shteti shqiptar per persekutimin 50-vjecar te babait e te femijeve te tij. Gjyqtari mekatar kurresesi nuk duhet ta pranonte kete ceshtje e jo te tallet me vellane 76-vjecar. Ky bandit na mohon pronen e paluajtshme dhe eshte ne nje proces gjyqsor ne shkallet me te larta. R. A. nuk mund ta bente kete séance gjyqsore kur Durimi perfaqeson 1/5 e trashegimise pa tager per proces gjyqsor se ate te drejte e kam une me prokure te posacme.
Jemi prej gati 6 vitesh ne procese gjyqsore:
1. Me Z.Shahun, kallezim penal per mos leximin e vendimit.
2. Me Ramazan Avdiun per rivendosjen me afat.
Po perballem me nje beteje te ashper mes drejtesise dhe padrejtesise. Eshte angazhuar zinxhiri korruptiv per te mbrojtur vendimin terrorist te Zihni Shahut. Zihni Shahu, ne bashkepunim me banden korruptive ne Z.V.R.P.P Elbasan kane bere masaker me pronen e familjes Harri, duke na hyre ne hak dhe neve dhe shtetit. Ata kane bere pronare individe te dyshuar per trafiqe e pastrim parash.
Eshte per t`u theksuar se gjyqtari Ramazan Avdia eshte “mjeshter” ne mbylljen me “sukses” te aferave te ndryshme korruptive, sic eshte rasti i ish-kryesekretarit te Gjykates qe vodhi 8 milion leke pulla dhe gjyqtari i te njejtit institucion e nxorri te pafajshem.
Nje miku im K.GJ ne vitin 2012, ne nje proces gjyqsor qe kishte patur me Ramazanin, pasi kishte lexuar vendimin, K.GJ i thote: – Ore, cfare vendimi more keshtu ti?!
Ramazani i ishte pergjigjur: -Te marr ate qe me takon mua dhe ti fshije by…. Me vendimin tim. Pra, keto palo gjyqtare – qyqare s`kane as turp e as frike.
Deri kur do te vazhdoje keshtu??!
Me ben pershtypje se si institucionet pergjegjese ne Elbasan, me gjithe denoncimet e mija, e te tjereve qytetare, nuk po levizin, sikur ne Elbasan cdo gje shkon “vaj”?!
Se fundi, kam nje kerkese per:
Presidencen, Kryeministrine, Ministrine e Drejtesise, Prokurorine e Pergjithshme, tek te cilet kam depozituar dosje me dokumente shkresore e harta qe vertetojne veprat korruptive e penale te pershkruara me lart, te dergojne perfaqesuesit e vet e ta shohin gjendjen ne vend.
Te shohin ndertimet pa leje ose me lejen e Qazim Sejdinit. E verteta eshte ketu e jo ne pallavrat e dosjeve qe bejne gjyqtaret e korruptuar.
Pronen tone te lare me lot, burg e gjak nuk mund dhe nuk do ta gezojne persekutoret tane e trafikantet qe blejne gjyqtaret.
Nje kujtese e kam per politiken shqiptare. Per Evropen dhe Ameriken u pushkatuam dhe u burgosem ne e jo ato qe e izoluan vendin per 50 vjet.
Une dhe te gjithe ata qe mendojne si une, e quajne veten Pronare, e jo “ish”, ne e konsiderojme vehten te persekutuar, se ky persekutim po vazhdon.
Na reabilitoni seriozisht me dinjitet e ne cdo gje, qe te deshmojme se ketu po ndryshon ?!
Nuk ka ligj per te na mohuar drejtesine e dhunuar, drejtesine e kerkuar. Politika e politikanet shqiptare pas `90 kane deshtuar. Po Perendimi?
E mira ka frike nga rrena. E keqja nuk rron dot pa rrejt !!
Flamur Harri 04.02.2015
- « Previous Page
- 1
- …
- 691
- 692
- 693
- 694
- 695
- …
- 868
- Next Page »