Ka mbetur edhe pak kohë për t’u formuar ky mekanizëm evropian, mirëpo do të ishte shumë me vend që fokusi të përqendrohet në zhvillimin ekonomik dhe kështu të ndërpritet “ikja” e qytetarëve të Kosovës/
Shkruan: XHAVIT ÇITAKU/
Sipas BE-së prioritet parësor pas ndërtimit të institucioneve të vendit është përkrahja dhe pëlqimi që deputetët e Parlamentit duhet t’i japin formimit të Gjykatës Speciale, e cila praktikisht dhe juridikisht do të veproj jashtë kufijve të Kosovës. Nëse i përmbahemi aktit më të lartë, Kushtetutës, një kërkesë dhe insistim i tillë nuk ka mbështetje juridike, të cilën e dinë edhe ata që me të gjitha mjetet po bëjnë trysni të jashtëzakonshme që shumë shpejt kjo kërkesë e tyre të realizohet dhe votohet në Parlament.
Gjykata speciale si organ paralel i tri instancave të tjera të drejtësisë
Të kërkosh të kryhet një veprim jashtëkushtetues nga BE është barazi me atë që ta detyrosh dike që me “ sy në ballë” të bëj vepër penale që është e dënueshme me të gjitha normat e ligjet pozitive të një vendi. Dorën në zemër, asnjëri nga shtetet që kaq shumë i japin “ zjarr” kësaj çështjeje, që fund krye janë supozime se disa ish-drejtues të UÇK-së kanë krye vepra penale, nuk do të kishte pranuar formimin e një gjykate “ fantome” për të akuzuar e dënuar qytetarët apo luftëtarët e saj. Nuk është çështja se jam kundër formimit të kësaj gjykate, por kjo mënyrë e veprimit po e prek në thelb prishjen e konstitucionalizmit të vendit me elemente të jashtme që nuk e ka asnjë vend në botë. Nuk e ka as Serbia, e cila ka kryer gjenocid mbi popujt e tjerë në ish- Jugosllavi, por nuk e ka as Ruanda, në të cilën u vranë mbi një milionë njerëz. Thënë konkretisht, shqiptarët kah të sillen e pështillen janë të ballafaquar me organe gjyqësore e policore të huaja sikurse brenda Kosovës, po ashtu, edhe jashtë saj. Pra, në Kosovë kemi EULEX-sin me gjithë aparaturen e tij gjyqësore e policore, pastaj Tribunali i Hagës, i cili në mungesë të fakteve i liroj dy drejtues të UÇK-së, Ramush Haradinajn dhe Fatmir Limajn,dhe tash duke mos u realizuar të gjitha ato pretendime se edhe shqiptarët kanë “ kryer” krime gjatë luftës çlirimtare po insistohet që të formohet edhe një gjykatë tjetër e emërtuar “ speciale”. Gjithë kjo aparaturë gjyqësore evropiane dhe ndërkombëtare që është e angazhuar karshi organeve kosovare të drejtësisë, që do t’iu rrinë mbi “ kokë” edhe për një kohë të gjatë shqiptarëve, janë “ eksperimente” që nuk janë aplikuar në asnjë vend tjetër në këtë formë dhe në këtë përmbajtje.
Do të mjaftonte një vendim për bashkëpunim me gjykatën speciale
Ç’është edhe më keq në njërën anë kërkohet një vendim- pëlqim nga parlamenti për formimin e kësaj gjykate, ndërkaq në anën tjetër në të do të punojnë prokurorë e gjykatës të huaj. Ndaj, edhe shtrohet pyetja se për çfarë arsye insistohet që në këtë “ lojë” të involvohet edhe parlamenti i Kosovës në konstituimin e këtij mekanizmi. Për mua shumë më i dobishëm do të ishte votimi i propozimit për të nxjerr një vendim të plotfuqishëm, në bazë të të cilit organet e prokurorisë, gjyqësorit dhe policia e Kosovës do të bashkëpunonin me këtë gjykatë dhe pikë. Në këtë mënyrë do të evitoheshin ndryshimet kushtetuese të domosdoshme me këtë insistim që po e bën BE-ja, që aspak nuk është e arsyeshme. Kanë ndodhur sa e sa masakra e gjenocid mbi popujt e pambrojtur në Afrikë, pastaj në Bosnje, Kroaci dhe së fundi në Kosovë nga regjimi serb dhe asnjëherë nuk është insistuar që të formohet ndonjë gjykatë speciale. Me një fjalë, Serbia , p.sh, vrau, masakroi qindra mijëra , burra, gra fëmijë e pleq, pastaj dhunoi mijëra vajza e gra të komuniteteve tjera në ish- Jugosllavi dhe asnjëherë nuk u tha se për këtë shtet do të formohet far mekanizmi i posaçëm i drejtësisë qoftë në formën siç është ai i EULEX-it në Kosovë e të mos flasim për ndonjë gjykatë speciale që do të formohej jashtë këtij shteti.
Ngulmim që gjithsesi të gjenden fajtor edhe luftëtarët shqiptar
Gjithë kjo “ zhurmë” dhe insistim i vazhdueshëm për t’u formuar ky mekanizëm special evropian vetëm për shqiptar, siç dukët, pikënisjen e ka nga Serbia, e cila duke gjetur mbështetje nga miqtë e saj tradicional, arriti që të bind faktorin ndërkombëtar se “ megjithatë” edhe shqiptarët “ paskan” krye krime. Kjo u pa ashiqare edhe në raportin e përgatitur nga Dick Marti, i cili përkundër kërkesës së EULEX-it për të bashkëpunuar për të thënat e tij e sidomos për i përket “ aferës” së “ tregtisë”së organeve të vëshkëve të pjesëtarëve të komunitetit serb, nuk pranoj një gjë të tillë. Ndërkaq, për vrasjet e mijëra shqiptarëve në mënyrën më brutale asnjë “ zhurmë”, asnjë iniciativë e ngjashme me këtë që po veprohet për dhe rreth Kosovës
Tribunali i Hagës përkundër hetimeve të bollshme që bëri nuk arriti që të dënoj asnjë nga udhëheqësit e UÇK-së në mungesë të provave dhe të faktit të pamohueshëm se këta çlirimtar nuk kishin bërë krime ashtu siç pretendonte Serbia dhe të tjerët që mbështetin rrënat serbe. Edhe EULEX-i, mund të themi në gjykimin e ngjashëm me atë Tribunalit të Hagës, nuk arriti që ta gjejë fajtor Fatmir Limajn. Ka në këtë mekanizëm evropian edhe procese tjera gjyqësore që do të përfundojnë si edhe ato të mëparshmet, përkatësisht të akuzuarit do të lirohen si të pafajshëm. Me këtë hap të fundit po krijohet një klimë e “dyshimit” se BE me përkrahjen edhe të SHBA-ve po ngulin “ këmbë” që gjithsesi duhet të gjendet fajtor edhe dikush nga strukturat udhëheqëse të UÇK-së.
Askush nuk pretendon që të mbroj ata që eventualisht kanë kryer krime
Askush nuk pretendon në asnjë mënyrë të mbroj ata që eventualisht kanë kryer krime gjatë apo pas luftës, mirëpo formimi i një gjykate me bekimin e parlamentit që do të veproj jashtë juridiksionit të vendit është i papranueshëm dhe në kundërshtim me të gjitha normat dhe ligjet pozitive të vendit tonë sovran. Ndaj, edhe siç ceka më lartë mjafton vetëm një vendim i parlamentit, i cili do të obligonte organet përkatëse të vendit për një bashkëpunim të ngushtë me këtë gjykatë dhe besoj se puna do të kryhej siç është më së miri. Dihet mirëfilli se këto organe bashkëpunuan shumë mirë qoftë me Tribunalin e Hagës apo edhe me EULEX-sin dhe asnjëherë mekanizmat evropian dhe ndërkombëtar nuk janë ankuar se ka pasur ndonjë pengesë në këtë drejtim.
Të mësuar me lëshimin pe nga institucioneve të Kosovës
Krijimi i shteti tonë u bë me goxha do eksperimente, ndërsa e ka zanafillën nga mbështetja e pa vend që iu dha nga parlamenti i Kosovës aprovimit të Kornizës Kushtetuese nga deputetët e LDK-së dhe të AAK-së . Dihet mirëfilli se ky farë akti juridik, që u bë me insistimin e faktorit ndërkombëtar, ishte bazuar në Rezolutën 1244 të OKB-së, Rezolutë kjo që dihet se si përcaktonte të ardhmen e vendit tonë. Nga kjo pikë mund të themi se filloi të rrëshqasin në drejtime të panjohura, të vështira e pa rrugëdalje hapat e shtetndërtimit nga ana e liderëve tanë, të cilët nën trysnin e “ miqëve” lëshuan aq shumë pe sa që në këtë formë dhe gjendje çfarë në të vërtetë gjendet Kosova është shumë vështirë që të funksionoj si shtet në kuptimin e plotë të fjalës. Së këndejmi, liderët tanë por edhe organet e institucionet tona duhet të këmbëngulin dhe të mos lejojnë që vendi ynë të nëpërkëmbët nga askush, sepse me ardhmërinë e vendit askush nuk ka të drejt e as guxim që të luaj. Thënë konkretisht , udhëheqësit tanë duhet vetëm të përmbahen në Kushtetutë dhe asgjë më shumë. Ndërkaq, dihet se përpilimi i këtij akti më të lartë është ndihmuar edhe nga BE e SHBA, të cilat duhet ta respektojnë njësoj sikurse që këtë do të duhej ta bënin institucionet dhe udhëheqësit tanë.
Dhe krejt në fund: Nga BE-ja nuk do të këtë kthim “ prapa” dhe kësisoj ka mbetur edhe pak kohë për t’u formuar Gjykata speciale, ngaqë e di fare mirë se kosovarët edhe kësaj radhe do të lëshojnë pe pa problem, mirëpo fokusi i përqendrimit do të duhej të orientohej shumë më tepër në zhvillimin ekonomik dhe kështu do të ndërpritej “ ikja” e qytetarëve të Kosovës, të cilët në numër të madh për çdo ditë po e lëshojnë vendin me synim të vetëm për të siguruar një jetë më të mirë për familjet e tyre.
LOJERAT ME TA FUTUR
Nga Ilir Levonja-Florida/
Jemi bërë për ibret të Zotit, kur thoshin pleqtë! Sidomos me këto denoncimet e videot e fshehta. Me hakmarrjet e vockla. Me t’ja futur njëri-tjetrit. Me gadishmëritë absolute të drejtorive, dikastereve etj., për të hequr nga puna menjëherë, cilido qoftë ”ky”-ja. Ky apo kjo, me një fjalë popull, emër, njeri, burrë a grua, e re apo i ri. Hiqeni menjëherë se mori lekë.
E kam fjalën për këtë rastin e sotshëm që po e trumbetojnë me të madhe si zbulimin e ditës, marrjen e një dymijëlekshi nga një infermiere. Në një nga ato spitalet për ibret, për të vënë duart në kokë, që janë bërë femrat më të lakmuara të mburrjeve të politikës. Sidomos në fushatat elektorale të radhës. Një zbulim i jashtëzakonshëm. Një infermiere merr dy mijë lekë. Me të vërtetë shqiptarë, vëllezer, shokë apo miq…, popull i mirë. Me të vërtetë?! Kaq të ndjeshëm jemi bërë? Kaq demaskues? Në një lloj bote ku po pluskojmë duke harruar halle më të mëdha. Madje duke i mbuluar.
Edhe pse gjysma e trupit në ujë, pa drita…, prapë ia kemi ngenë të provokojmë dhe të bëjmë zbulime me bam, apo bum të madh që një infermiere merr dy mijë lekë?! Edhe pse një invalid vdes në radhë, (sipas Sarandaweb sot) aty ku duhet të ripërtërijë letrat, ku fusha burokratike e dhjetra nënpunësve vetëm ke dymijëlekshit e kanë mëndjen. Madje nuk e kanë për gjë të të bëjnë pronar, të divorcojnë, të të nxjerrin ujin e zi për një vertetim; të ta ndërrojnë emrin…, për një kafe llapushkë nga ato jeshilet . Prapë nuk janë asgjë. Nuk i kap as ligji. Ndërsa ndryshoka puna me një infermiere, ka marrë dy mijë lekë. Thua është kontribut shoqëror. Ndërgjegjësim për të denoncuar. Qoftë ogur i mirë. Por si i bëhet hallit për babaxhanët ? Apo dymijë lekë nuk janë njësoj me shtatëqind mijë euro. Jeni të sigurtë se nuk keni filluar një lojë me t’ja futur njëri-tjetrit.? Lojën e bërrylave.? Jeni të sigurtë se nuk po përdoreni?
Para disa ditëve u shkumëzuat, u mburrët. I thatë botës se kishit zbuluar një mësuese që godiste nxënësit. Po ashtu një mësues në skajin tjetër. Atë të jugut? Përpos halleve që kanë (mësuesit) pasi i ka përpirë politika, u krcënohet vendi, orët e normës, diplomimet me shumicë. Flas për mësuesit profesionistë. U duhet dhe lufta e prindërve. U duhet të përballen jo me konkurimin profesional, por me lojrat me ta futur. Nga ana tjetër rrallë ndonji nga ju ka besuart se fëmijët e tyre, shkojnë shkollave pa tekste. Por ja që ata shkojnë me mendje të ngritur… si të mundim mësuesin me grushta, me tallje dhe jo me dije. Nga ana tjetër, botës së paneleve televizive i avitet një aradhë e tërë ”intelektualësh” që nuk e gjykojnë problemin nën mëvetësinë e përbashkët. Si fatkeqësi shoqërore. Por bëjnë gara, kush e kush, kush nga ata të tregohet se është më i ditur. Kush apo kujt t’i shkojë e vetja.
Dhe ja sot një infermiere! Pa diskutim që edhe studiot e radhës, po njoftojnë panel përbërsit. Do flasin për shëndetësinë kujtoni? Do ta ndreqin? As mos e çoni nëpër mënd. Kanë hallin e lukut dhe tu shkojë e vetja. Nga ana tjetër, ne, do vazhdojmë të linçojmë një video të re.
Apeli i Papës: Bisedime për t’i dhënë fund tragjedisë së pafundme në Irak e Siri
Lufta në Irak e në Siri është tragjedi pa anë e pa fund, që ka nevojë për zgjidhje urgjente në tryezën e bisedimeve, deklaroi sot Papa Françesku në takimin me anëtarët e Komisionit të përbërë ndërkombëtar për dialogun teologjik ndërmjet Kishës katolike e Kishave ortodokse lindore, në Vatikan.
Në këtë çast, në mënyrë të veçantë, pohoi Papa, ndajmë bashkë lemerinë e dhimbjen për ngjarjet, që po ndodhin në Lindjen e Mesme, posaçërisht në Irak e në Siri. I kujtoj të gjithë banorët e Rajonit, duke përfshirë edhe vëllezërit e krishterë e shumë pakica të tjera, që pësojnë pasojat e një konflikti raskapitës. Së bashku me ju, lutem çdo ditë që të gjindet sa më shpejt rrugëzgjidhja në tryezën e bisedimeve, duke iu lutur Hyjit të mirë e të mëshirshëm për të gjithë ata, që po vuajnë nga kjo tragjedi e pashembullt.
Gjithë të krishterët, vijoi Papa, janë të thirrur të punojnë së bashku me mirëkuptim e besim të anasjelltë, për t’i shërbyer kauzës së paqes e të drejtësisë.
Uroj që ndërmjetësimi dhe shembulli i shumë martirëve e shenjtorëve, që dhanë dëshmi guximtare për Krishtin, në të gjitha Kishat tona, t’ju ndihmojë e t’ju japë forcë ju e bashkësive tuaja të krishtera.
Papa Françesku shprehu mirënjohjen e tij për punën e Komisionit, nisur në janar të vitit 2013. Kujtoi se në dhjetë vjetët e fundit, duke ndjekur perspektivën historike, ky komision shqyrtoi rrugët përmes të cilave Kishat shprehën bashkimin e tyre në shekujt e parë, në shërbim të kërkimit të bashkimit në ditët tona. Gjatë takimit të kësaj jave, u realizua edhe një thellim lidhur me natyrën e sakramenteve, posaçërisht atij të Pagëzimit. Papa uroi edhe që puna e kryer të sjellë fryte të begata për kërkimin e përbashkët teologjik e të ndihmojë për ta jetuar gjithnjë më thellë vëllazërimin e miqësinë tonë.
Së fundi, Françesku vlerësoi lart angazhimin frymëzues për dialogun të Patrikut të Kishës Siro-Ortodokse të Antiokisë dhe të mbarë Lindjes, Ignazio Zakka Iwas, që vdiq vitin e kaluar: “Bashkohem në lutje me ju të gjithë, me klerin e besimtarët, për këtë shërbëtor të zellshëm të Hyjit, duke kërkuar për shpirtin e tij gëzimin e amshuar”, tha Papa.
Kishat Ortodokse Lindore janë ato, të cilat i pranuan tre Koncilet ekumenike (të Nikesë, të Kostandinopojës e të Efezit). Gjithsejt janë gjashtë: Patriarkana kopto-ortodokse e Egjiptit; Patriarkana siro-ortodokse e Antiokisë dhe e mbarë Lindjes, Damasku; Kisha Apostolike Armene: Selia Etchmiadzine, Armeni – Katolikozati i Antelias, Liban; Kisha Ortodokse e Etiopisë: Kisha Ortodokse e Eritresë; Kisha Ortodokse sire e Malankar.
/Radio Vatikani
ZOTRI KRYEMINISTER SHPAGUAJE BESIMIN E POPULLIT
Nga Ramadan Bozhlani/
Mu në çastet më të rënda të popullit kur me dhimbje filluan të shkëputen nga përqafimi qeniet më të shtrenjëta të tij, e që në portofolet e tyre mbanin parat e shtëpive të shitura e disa parat e huazuara për të marr rrugën e torturushme të emigrimit, një stuhi e rrufeshme buroj nga goja e minstrit serb Jabllanoviç e cila e përshkoj tejpërtej qenien tonë kombëare përmes frazës barbare për nënat nga të cilat ishin ushqyer me gjirin e tyre dëshmoret e kombit dhe ata që u zhdukën pa gjurmë : ju jeni egërsira!
Dhembshuria e kishte gjunjëzuar popullin, i cili me gjysëm force mezi u ngrit për t’ju bashkangjitur protestave me synim të shfronsimit të ministrit që pati qëndrim çnjerzor dhe të padurushëm ndaj nënave të dëshmoreve.
Populli e duroj mjerimin dhe varfërimin por një fyerje të tillë poshtruese nga një minister serb që paguhet me parat e tyre nuk e përbiu dot.
Me parulla në duar filluan t’i mbushin rrugët e qyteteve duke brohoritur: jashtë Jabllanovi. Protestat paqësore nuk u ndjen nga pushtetaret dhe kjo mosndjesi e orjentoj popullin të revoltuar drejt objektit qeveritar.
Për herë të parë në historin e pas luftës turma e popullit gëzon simpatin dhe mbeshtetjen morale të shumë politikanëve, historianëve, profesorëve, shkrimtarëve, poetëve, ushtarëve dhe shoqatave joqeveritare të prirur nga Albin Kurti.
Predikimet e kryeministrit dhe të zëvendëskryeministrit për t’i dhën ngjyrim politik turmës së derdhur në qendër të kryeqytetit tingëllojn tepër naive dhe e pa pranuara nga logjika e shëndosh, dhe këtë mund ta vërtetoni përmes shkarkimit të Jabllanoviçit dhe turma sprapset qetësisht.
Por kjo diplomaci djallëzore për ta devijuar synimin kryesor të turmës së përbër nga pleqët, burrat, grat dhe të rinjët është skajshmërisht mizore, dhe përdoret si preteks për ta justifikuar qëndrimin qyqar.
Më barbare se sa vetë fyerja e ministrit tingelloj deklarata e kryeministrit dhe zëvendëskryeministrit: ne nuk dorzohemi!
Kjo deklarat përndezi zemrimin e popullit sepse u injorua vullneti i tij sovran përball shkarkimit të Jabllanoviçit.
Lapsi i historisë çdo guri që u drejtua në objektin qeveritar, çdo incident dhe çdo plag që u hap në popull dhe në forcat e siguris ia ngarkon ndërgjegjjes së kryepërgjegjësit politik, ai që duhej të ishte kryevizionari dhe parandaluesi i çdo incidenti dhe ta zgjidhte këtë nyje me një formul të thjesht: shkarkimi i Jabllanoviçit.
Isa Mustafa pavarësisht se mbi supe mban mallkimin e tradhëtisë së kualicionit përsëri shikohej me një besim dhe me një simpati nga shumica e popullit sepse kishte shfronsuar paraardhësin e tij i cili administroj Kosovën përgjat tetë viteve të fundit e që si rrjedhoj e instalimit të së keqës, korrupsionit, favorizimit të individëve dhe grupeve e në veqanti të gjashtmujorshit famkeq të paralizës institucionale sot më shumë se 50.000 banor u çbanuan nga atdheu dhe vazhdon emigrimi. Sot Hashim Thaqi është ministër i jashtëm e po ashtu edhe zëvendëskryeministër por shihet si figura më e pa besushme sepse rezultati i punës së tij është emigrimi. Ndërsa Isa Mustafa ende pa i mbushur njëqind ditët e qeverisjes u çvesh nga rrobat e besimit vetëm për hirë të mos shkarkimit të Jabllanoviçit e që e zymtësoj imazhin e Kosovës sepse ai ishte shkaku kryesor i turmës së zemruar.
Populli e ka fuqin ta përmbys e gjithë ekzekutivin i dashur kryministër, andaj bazohu në vullnetin e popullit dhe shkarko Jabllanoviçin dhe çdo shtet demokratik do ta justifikon veprimin.
Zotri kryeministër shpaguaja besimin e popullit.
Qeveriate, Imazhin Kosovës ia keni prishur me keqqeverisje!
Nga Faik KRASNIQI/
Po më vjen të vjelli nga shkrimet e shumë njerëzve, e që falë pushtetarëve janë mirë të sistemuar në punë shtetërore, rreth ikjes masive nga Kosova! Askush nuk e lëshon vendin e vetë prej qejfit, por njerëzit po ikin në mungesë të perspektivës, skamjes dhe varfërisë! Sikur edhe ata të kishin nga një vend pune, sikurse këta që po i paragjykojnë nëpër portale dhe rrjete sociale, nuk do të kishin ikur! Vihuni në vend të tyre vetëm për një moment: je i papunë, çfarë do kishit bërë?! Edhe ata janë njerëz, kanë familje, fëmijë dhe duan të jetojnë! Nuk jetohet vetëm me idealizëm! A e keni pyetur ndonjëherë veten pse politikanët nuk emigrojnë, por vetëm populli?! Kritikoni klasën politike që me keq-qeverisjen e tyre pesëmbëdhjetë vjeçare e kanë detyruar popullin të ikin, e jo popullin pse po ik! Qytetarëve të Kosovës nuk është duke iu interesuar politika, por as edhe ndonjë parti, lider apo politikan! Qytetarët e Kosovës janë lodhur tash e pesëmbëdhjetë vite nga papunësia, skamja, varfëria, dhe iu ka humbur shpresa se këtu do të bëhet mirë, prandaj çdo natë me dhjetëra autobusa plot me qytetarë të Kosovës, të rinjë dhe të reja, burra, gra dhe fëmijë, madje edhe pleq, po ia mësyjnë Hungarisë e për të vazhduar pastaj drejt shteteve të Perëndimit! Këtë s’po e bëjnë nga qejfi, por nga mungesa e perspektivës, papunësisë, skamjes dhe varfërisë! Prandaj imazhin Kosovës nuk janë duke e prishur qytetarët që po ikin drejt shteteve të perëndimit, por keq-qeverisja juaj ata i ka detyruar dhe po i detyron që ta lënë vendin e vetë, shtëpinë dhe më të dashurit e tyre! Imazhi i Kosovës është duke u prishur nga keq-qeverisja, krimi i organizuar dhe korrupsioni tash e pesëmbëdhjetë vite! Andaj, mos ua hudhni fajin qytetarëve për prishjen e imazhit të Kosovës, në mënyrë që ta shfajësoni veten tuaj për pisllëqet që i keni bërë, por reflektoni sa më shpejt që Kosova mos të mbetet një shtet fantazmë pa popull!
- « Previous Page
- 1
- …
- 692
- 693
- 694
- 695
- 696
- …
- 868
- Next Page »