• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ELBASAN-MESHË DHE LUTJE PËR HERONJTË E ATDHEUT NË LUFTËN E DYTË BOTËRORE KUNDËR NAZIFASHIZMIT

November 23, 2014 by dgreca

Kush nuk respekton heronjtë e kombit të tij nuk mund të ketë moral për një jetë dinjitoze në liri e demokraci. Askush nuik mund të gëzojë në paqë dhe harmoni jetën në liri kur ajo ka në themel gjakun dhe sakrificën e bijve e bijave apo burrave të shtetit që u sakrifikuan për një të ardhme të paqtë dhe të lumtur në rast se ne nuk i respektojmë ata.
Thellësisht lutemi për shpirtin e tyre dhe familjet që lanë pas, me një dhimbje por dhe krenari hyjnore.
Si prift ose klerik, lutem për shpirtin e tyre duke shmangur cdo spekullim politik apo fetar. Sakrifikimi i jetës për një të ardhme të paqtë dhe në harmoni për familjen dhe kombin tend kurrsesi nuk duhet të pronesohet nga politika apo pushtetet e ndryshme.
Kush ndrron jetë për lirinë e atdheut dhe kombit të tij meriton respekt dhe lutje të përjetshme, panvarsisht se kur derdhet gjaku i pafajshëm dhe i sakrifikuar në dobi të të gjithëve.
E ndjej si obligim dhe detyrim ndaj kombit tim të respektoj dhe ti lutem Perëndisë ose Zotit për qetësi të përjetshme për cdo shqiptar që sakrifikon jetën për një ideal të mirë dhe të pastër për brezat që vijnë pas.
Vendosëm që ditën e diel datë 23 nëntor 2014 , në meshën që mbahet në kishën Shën Maria në Elbasan ti lutemi Zotit me një përshpirtje për heronjtë e luftës dytë botërore pa dallime politike djathtas apo majtas.
Eshtë hera e parë që një institucion besimi i drejtohet Zotit për njerëz të sakrificës deri në humbje të jetës. Për ne si kishë nuk ka rëndësi se kush besonte dhe kush nuk besonte sepse Zoti është i padiskutushëm në ekzistencën e tijë dhe në mëshirën e pafund që ka.
Shpesh herë e verteta ka folur dhe me fakte se luftën e nisin idealistët, e mbarojnë trimat dhe fitoren e gëzojnë horrat.
Ky 70 vjetor i lirise se atdheut, duhet te na gjeje te bashkuar se bashku ne respekt dhe lutje per sakrificen e deshmoreve. Ne duhet te pranojme pa asnje hezitim, brenda shpirtit dhe vetedijes sone se heronj ka nga cdo krah politik i asaj periudhe.
Une si kerik, nuk bej dallime per qellime pushteti apo perfitime te vazhdushme, qe fatkeqsisht ndodhin dhe sot. Per mua si klerik , ne lutjen time ne meshe jane bije dhe bija te kombit tim. Kush keqperdor sakrificen e jetes se tyre per nje Shqiperi demokratike dhe ne liri te prones, arsimit, zhvillimit, do te mbetet, gjithmone nje spekullant i rrezikshem per shoqerine shqiptare.
I ndrite shpirti deshmoreve te kombit tone dhe Zoti meshirofte ata qe krijuan pushte kriminal duke u fshehur pas gjakut te heronjve.
Sakrifica per kombin tend, nuk behet per privilegj apo diktature kunder po kombit tend. Sakrifica eshte e paster si uje i kristalte dhe e dobishme si nje ilac mbrojtes per kombin tend .
Bekuar qofshin ata qe luftojne me vdekjen qe familjaret dhe pasardhesit e tyre se bashku me teresine kombetare te vazhdojne nje jete dinjitoze ne dashuri per njeri tjetrin dhe vllazerim te perhershem.

ATE NIKOLLA MARKU
KISHA SHEN MARIA ELBASAN
KESHILLI I KISHES
KOMITETI PER MBROJTJE E PAVARSISE KISHES ORTODOKSE KOMBETARE SHQIPTARE

Filed Under: Opinion Tagged With: DHE LUTJE PËR HERONJTË, E ATDHEUT, meshë, NAZIFASHIZMIT, NË LUFTËN E DYTË BOTËRORE KUNDËR

PROTESTA E PD – DEKLARIMI I EDI RAMËS PËR HAPJEN E DOSJEVE DHE PREMTIMI QË AI I KA BËRË ANGELA MERKELIT

November 23, 2014 by dgreca

*Edi Rama dhe Lulzim Basha duhet të shqetësohen për faktin se Shqipëria ka siguri zero për investitorët e huaj. Dhe kjo gjendje nuk u krijua as sot, as kur erdhi Edi Rama në pushtet, por që në kohën e PD të Sali Berishës!
*Shqipëria është një vend kuazi mafioz dhe investitorët e huaj nuk vijnë në Shqipëri, sepse aty nuk kanë siguri. Nuk e them unë, por Angela Merkel!/
Opinion nga ELIDA BUÇPAPAJ/
Ndërsa përballë kryeministrisë dje konsumohej protesta e rradhës këtë çerek shekulli, nga periferia e Tiranës, kryeministri i Shqipërisë konsumonte edhe ai një deklaratë të rradhës, siç ishte hapja e Dosjeve.
Lulzim Basha thërriste në shesh për plagët e shoqërisë shqiptare, kur partia që sot drejton ai ka qeverisur vendin për 8 vjet rradhazi prej 2005-20013, duke i lënë të pamjekuara ato plagë. Në atë kohë Edi Rama si lider i opozitës organizonte protesta dhe bojkote.
Duke ricikluar njëri-tjetrin.
Sot Lulzim Basha shqetësohet për papunësinë, pensionet e ulta, bile shqetësohet edhe për fatin e të përndjekurve, kur ne e kemi parasysh se si u vetëdogjën të persekutuarit politikë mu në zemër të Tiranës dhe Lulzim Basha, nuk mori as mundimin që t’i takonte ata njerëz të mjerë, dhe i la në mëshirën e fatit.
Ndërsa vetë kur bëjnë greva – i keni parë se si i ngrejnë çadrat e bardha – me salltanet sulltanësh!
Në protestën e Lulzim Bashës morën pjesë ata që janë pushuar nga puna me ardhjen në pushtet të PS. Nga ana e saj PS punësoi ata që kishte pushuar nga puna PD kur kjo forcë politike kishte dalë në opozitë. Pra protestojnë punëmarrës që kanë humbur vendin e punës nga punëdhënësi i ri, dhe prandaj duan punëdhënësin e vjetër.
Ky është trafikim i pastër dhe turpi i kësaj klase politike mizerabël! I barabartë me trafikimin e qenieve njerëzore. Sepse ua ble votën në shkëmbim të një vendi pune!
Këtu konsiston thelbi i pseudoqeverisjes, që sa here vijnë në pushtet iu bëjnë shërbim klientelist votuesve, që marrin trajtën e klaneve tribale!
Edi Rama ka premtuar 300 mijë vende pune, premtim që nuk e paska mbajtur, sipas Lulzim Bashës. Domethënë që Edi Rama ka gjetur një papunësi drastike prej qeverisjes tetëvjeçare të PD. Natyrisht që po.
Prandaj që të rifitojë kredibilitetin e humbur, Lulzim Basha duhet të shajë veten dhe partinë e tij, të paktën të bëjë autokritikë.
Edi Rama ka gjetur papunësi drastike dhe 10 miliardë Euro në vit sipas Guardia di Finanza të Italisë, prodhim hashashi nga tregu mafioz.
Prodhim, të cilin kërkon që ta kthejë nga një produkt të mafies, në një produkt të shtetit mafioz deputeti i PS Koço Kokëdhima, sepse, sipas tij, për marihuanën e prodhuar në Shqipëri ka kërkesa të mëdha në Europë, pasi është e cilësisë më të mirë!
Cilësia e hashashit po, ndërsa gjendja e shtetit të së drejtës është përtokë.
Edi Rama dhe Lulzim Basha duhet t’i tregojnë elektoratit se vendet e punës nuk i krijon partia ku ata votojnë, por shteti ligjor i cili siguron lirinë e tregut për investitorët e huaj.
Po si mund të flitet për liri të tregut, kur shteti shqiptar ende nuk i ka zbuluar vrasësit e Artan Santos dhe nuk i ka shkuar deri në fund vjedhjes dhe sistemit klientelisto-nepotik të Bankës të Shtetit. Sepse Ardian Fullani ishte vetëm shërbëtor i bindur i politikës.
Edi Rama dhe Lulzim Basha duhet të shqetësohen për faktin se Shqipëria ka siguri zero për investitorët e huaj. Dhe kjo gjendje nuk u krijua as sot, as kur erdhi Edi Rama në pushtet, por që në kohën e PD të Sali Berishës!
Shqipëria është një vend kuazi mafioz dhe investitorët e huaj nuk vijnë në Shqipëri, sepse aty nuk kanë siguri. Nuk e them unë, por Angela Merkel!
Shqipëria, një perlë e Mesdheut, duhej të ishte tregu i parë për turizmin europian. Aty do të duhej të zbarkonin me miliona turistë gjermanë, suedezë, finlandezë, zviceranë, polakë, hungarezë. Nuk vjen asnjë prej tyre. Preferojnë të shkojnë në plazhet e Turqisë.
Sepse në Shqipëri nuk kanë siguri, nuk ndjehen të sigurt.
Kjo është e vërteta. Prej këtu nis edhe shtetbërja, edhe opozita.
Edi Rama nuk ka se përse të shqetësohet me protestat. Janë një riciklim. Ai e di mirë se si organizohen. Se si sillen njerëzit me autobusë nga rrethet, se si autobusët i paguan partia, ua paguan edhe drekën për orët e humbura.
Edi Rama, nëse i hap Dosjet, do të mbetet në histori, por do të bëjë vetëm detyrën.
Por atij i duhet së pari të mbajë premtimet që i ka dhënë kancelares Angela Merkel, për të çuar përpara drejtësisë peshkaqenët e politikës shqiptare atje ku e kanë vendin.
Këtyre ditëve në TV e Tiranës u intervistua zonja Monica Luisa Macovei, sot anëtare e Parlamentit Europian, e cila ishte Ministre e Drejtësisë e Rumanisë nga 2004-2007. Ajo tha për audiencën shqiptare se rruga e vetme e Shqipërisë për të hyrë në BE është përmes reformave në drejtësi. Pastaj ajo tregoi se si, kur kishte qenë Ministre e Drejtësisë, kishte drejtuar reformën anti-korrupsion. Me këtë rast ajo kishte krijuar Direktoratin Kombëtar të Antikorrupsionit dhe kishte filluar të hetonte dhe të fuste brenda si kolegë të saj, deputetë e ministra nga krahu politik që përfaqësonte, ashtu edhe nga krahu tjetër.
Gjë që Edi Rama nuk e ka bërë dot prej 15 muajsh që ka marrë në dorë frenat e shtetit.
Për këtë gjë duhet të shqetësohet!

Filed Under: Opinion Tagged With: Elida Buçpapaj, hapja e dosjeve

Faktorët që nuk u faktorizuan dot!

November 20, 2014 by dgreca

Nga Marjana Bulku/
Gjithmonë i kam drejtuar sytë nga rinia,jo vetëm sytë por edhe shpresat. Arsyjet janë shumë , brenda dhe jasht meje ,për shkak të profesionit (duke qenë mësuese për shumë vjet kryesisht me maturantë), duke qenë prind që gjithmonë te fëmija sheh tejkalimin e vetvetes, duke qenë qytetare që beson se e reja është ajo që triumfon përherë pavarësisht barrierave. E meqënëse kjo ndodh , ridimensionohet rëndësia që ka modeli që implantohet te ky brez, tek statura që ndërtohet aty, tek shembulli që përcohet dhe reminishencat që e kaluara ngulit aty.
Kemi një rini aktive, që vrapon drejt dijes me shpejtësinë që teknologjia bashkëkohore ofron, një rini që tenton të ketë edhe reputacionin, edhe paranë , që ka frikë të flasë për politikën edhe pse shpesh është preja e saj ,një rini që pret shumë ,sheh shumë,shpreson , zhgënjehet .E cfarë mbetet në një rast të tillë??? Që DIKUSH t’ju krijojë kushte që keta të veprojnë.
Tashmë në të gjitha territoret shqiptare duket se ndërveprojnë disa faktorë : – Klasa politike , -Diaspora, -Brezi i ri që po edukohet globalisht, brenda territoreve shqiptare dhe jasht tyre .
Po ti analizosh vec e vec ,cka do të ishte dhe duhet të jetë objekt i tryezave të vecanta, do të rendisje pafundësisht epërsi, dobësi , resurse …
Nuk dua të ndalem tek Klasa politike , atë e kemi ushqimin dhe helmimin tonë të përditshëm.
Dua të cikloj dicka që më bën ta shoh me mirënjohje diasporën si një faktor që padyshim hijeshon shqiptarinë me modelin e punës, ruajtjes së traditës, lidhjeve të forta me trojet amë dhe patriotizmin e natyrshëm ,aspak formal apo sezonal por të përhershëm dhe inspirues. Mjafton të ndjekësh veprimtaritë e tyre ku duket se malli , dashuria dhe distanca shkrihen duke ”ndërtuar” një mini atdhe në mjediset e tyre familjare,shoqërore, të festës dhe më gjere, që edhe pse mund të duken patetike, mbartin vlera të trashëguara, të ruajtura,të ripërtërira , vlera që dëshmojnë se te e djeshmja jonë e ndritëshme ka shkëlqime shprese, ashtu sic po atje gjen edhe histori e persekutime të padrejta që nuk duhet të përsëriten kurrë më.
Diaspora është jo vetëm një faktor por edhe një thesar nga ku historia merr kuptim , shkëlqim dhe pasurohet duke ofruar shpresat e alternativës.
Faktorizimi i rinisë do ishte tejkalimi i ngërceve, dilemave por edhe i padijes si trashëgim, mallkim apo solidarizim. Në 25 vjetët e post komunizmit ka mundur të rritet një brez tjetër , një brez ndryshe , që dijnë të tejkalojnë prindërit e tyre mëkatarë ose jo ,sigurisht përmes dijes, studimit dhe eksperiencave më të mira. Ky brez frymëzon tre breza duke bërë bashkë ato :bashkëmoshatarët , prindërit dhe gjyshërit e zhgënjyer apo shpresëëndërrimtar.
Dikur shkruaja një draft me titull ”Profile adoleshence” ku me emra ,portrete dhe arritje kisha ndërtuar një ”familje ” me nxënës që sot në fakt, shumë prej tyre shkëlqejnë ,emrat e tyre më rrijnë në mendje po aq sa progresi nëpërmjet të cilit ato rriteshin e maturoheshin…Unë mbaja shënime,,,Erda, Selmani, Orgesta,,,,janë me dhjetra e dhjetra , brenda dhe jasht Shqipërisë ,por me qindra janë idetë e tyre , arritjet, ëndrat ku ka mbidoza të dashurive tona me të cilat ato u mëkuan. Profileve të tyre të adoleshencës mund të shohësh mjekun e ardhshëm , diplomaten , sociologen,,,po aty mund të shohësh edhe karakterin e dubluar dhe frikacak,,, atë që heziton , tenton , trembet nga përballja me jetën, atë që guxon.
Jetës nuk i thuren plane(ndoshta) ,por me siguri asaj i rrihet pranë me kujdesin e mendjes , shpirtit dhe materiales.

Filed Under: Opinion Tagged With: Faktorët që nuk u faktorizuan dot!, Marjana Bulku

Si na mbytën në puse ! Si i mbuluam puset e vdekjes?

November 20, 2014 by dgreca

Nga Fahri Xharra/
“Zoti ambasador, çka mund t’na thoni për këtë skenë tëtrishtueshme?” Ai iu përgjigj:“Ky është krim kundër njerëzimit”.
Shprehja haptas e ambasadorit Uaker më 16 janar 1999 në Reçak, në mbrojtje të së vërtetës,duke rrezikuar madje edhe vetveten, do të mbahet mend përherë. Deklarata e tij para gazetarëve,ishte humane dhe korrekte. Sikur ambasadori Uoker të kishte dhënë një përgjigje diplomatike, duke thënë se kjo çështje do të shqyrtohej dhe ndërkohë do të formohej një opinion (ashtu siç ndodh me shumë diplomatë), mendoj se sot, jo vetëm që ne shqiptarët e Kosovës nuk do ta gëzonim lirinë e pavarësisë, por është pikëpyetje se sa shqiptarë të Kosovës do të kishinmbijetuar dhe sa shqiptarë do të ishin në Kosovë sot.
Dhe çështja e Kosovës nuk mbeti ashtu si e deshtën Serbët .Por, krimi ndaj nesh nuk kishte të ndalur “Gjatë aksioneve të forcave ushtarake, paramilitare dhe policore serbe në një vit e gjysmë,para se këto forca të detyroheshin të tërhiqeshin nga Kosova, Kosova ishte një makth i vërtetë i vdekjes, dhunës dhe shkatërrimit.”…”Kriminelët serbë kanë përdorur taktikë djallëzore dhe të ligë, duke i zhvendosur viktimat nga vendet ku ishte kryer krimi në vende të tjera, shpesh shumë larg, me qëllim që të maskohet,
ose të vështirësohet gjetja dhe identifikimi i trupave të vdekur. Kjo metodë ishte përdorur në gjithë periudhën e luftës nga janari 1998 deri në qershor 1999.”
“Çdo mysafir ndërkombëtar duke përfshirë këtu edhe presidentin Klinton, theksuan
rëndësinë e gatishmërisë për të falur, nëse kosovarët janë për bashkëveprim me Evropën dhe SHBA-në në të ardhmen. Shumica e kosovarëve e kuptojnë ose do ta kuptojnë nevojën për të falur, por me një kusht të rëndësishëm: serbët duhet ta pranojnë atë që ndodhi!”
Ne falëm dhe falëm, por më e keqja që edhe e harruam .Harruam gjithëçka që ndodhi !
Zërat e të mbytyrve nëpër puset e Kosovës , mbeten pa u ndëgjur as një herë .
“Vëllai im ishte brenda në shtëpinë e tij kur erdhën njësitet serbe në fshat. Ai u përpoq të
ikte, por serbët e ndaluan. Gruaja e tij së bashku me shtatë fëmijët ishin fshehur në një zone malore, e quajtur Tërpesh. Serbët i lidhën duart dhe këmbët Sherifit dhe e hodhën në pus”.Kur Qamili u kthye në fshat pas një muaji, ai e gjeti Sherifin e vdekur në pus “ (nga libri )…. Zërat kumbojnë të përzier me zhurmën e vdekjes.
“ Gjatë verës së vitit 1999, pas tërheqjes së forcave policore dhe ushtarake serbe, UNHCRja mori raporte të shumta për trupat e vdekur që gjendeshin në puse dhe në varreza masive gjithandej në Kosovë. Pas shtatë muajsh ndihmë me rastet e viktimave të puseve, u zbuluan një sërë veprimesh kriminale të bëra kundër fëmijëve të pafajshëm, burrave dhe grave. Unë, për aq sa ka qenë e mundur, jam përpjekur të sqaroj se çka ka ndodhur me viktimat e gjetura në puse dhe në varreza masive. Kam takuar dëshmitarë, farefisin dhe fqinjët e viktimave. “ ( nga libri ).
Pse me hedhë në pus? Pse më mbyt kështu të lidhur? ( Thirrjet e atyre që duhej të vdisshshin në këtë mënyrë )
“Unë quhem Avdyl Kabashi dhe jetoj në Polac. Unë jam biri i Mustafë Kabashit (52-
vjeçar). Kur filloi sulmi, babai im ishte në fshat bashkë me tre nipërit e tij. Ne u përpoqëm ta bindnim që të vinte me ne në male, aty ku fshihej pjesa tjetër e familjes, por ai insistoi të rrinte që të kujdesej për shtëpinë. Më 20 mars 1999 në orën 4 pasdite, forcat serbe sulmuan zonën ku jetonim ne. Kur u ktheva në vendin ku jetonim, unë shkova tek pllaja nën shtëpinë tonë ku ështënjë pus. Kur Unë dhe kushëriri im, Salihu, u afruam, gjetëm pallton e babait tim. Pas pak, ne e zbuluam trupin e tij në pus”. ( nga libri )

“Unë quhem Bajram Kerolli dhe jam nga Polaci. Forcat ushtarake serbe kishin zaptuar
fshatin tonë. Mustafa, dy nipat e tij, dhe unë, ishim fshehur në stallën e Mustafës për dy ditë…. ndërsa Mustafa, i cili ishte më i vjetër dhe më i ngadaltë se sa ne u kap nga policia. Pas kësaj ne nuk e kemi parë më”.
“Unë quhem Havë Kuçi, jam 84-vjeçare dhe jetoj në Kotlinë. Me 24 mars 1999, forcat
ushtarake e rrethuan fshatin tonë. Neve, grave dhe fëmijëve, na dërguan në qendër të fshatit dhe na mbajtën aty. Më vonë ushtarët i tubuan disa nga burrat tanë dhe i detyruan të shkonin në drejtim të shpatit të malit. Biri im ishte njëri prej 22 meshkujve, të cilët u vranë dhe u hodhën në dy puse në shpat të malit. Tre nga ta ishin nipat e mi. Viktima më e re ishte një djalë 16-vjeçar”.
” Njërin nga bijtë e mi e kishin vrarë në fshatin tonë dhe e kishin hedhur në një pus.
Ai ishte vetëm 23- vjeçar”.(Ismet Loku, 50 -vjeçar nga Kotlina)
(Materiali eshte nga libi “Josef Martinsen ÇFARË NDODHI NË KOSOVË? 1998-1999”)

Gratë dhe fëmijët në autobus po qanin me zë për të dashurit e tyre.. .në pus mbytej pafajsia . Ishin netët e gjumit të pafjetur , dhe e nesërmja e harresës së madhe.

Filed Under: Opinion Tagged With: Fahri Xharra, puset e vdekjës?, Si na mbytën në puse ! Si i mbuluam

SHQIPNIA PRAP NË RRJETEN E MARIMANGËS

November 20, 2014 by dgreca

NËN DREJTIMIN E INJORANCËS…/
Nga Fritz RADOVANI/*
1944 …/
Josif Broz Tito me sherbëtorët e vet në Shqipni, Dushan Mugoshen, Enver Hoxhen dhe Miladin Popoviqin, nga viti 1941 e deri në pragun e 1945, i ndihmuem nga “Aleatët”, të cilët i kishin lanë në llogoren e tij edhe djalin e Çërçillit, po zbatonin një anderr të vjetër të shumë e shumë shekujve përpara: Shkatrrimin dhe coptimin e Trojeve Shqiptare, me luftë civile!
Viti 1943 – 44 kishte shkretnue e la në gjak Shqipninë Jugore, deri në Shkumbin… Po e njajta gja po ngjante në Lindje me krahinat e Dibres e deri ne zemer të Kosovës e Maqedoni. Krahinat e Veriut ishin lanë per ma vonë. Roli Atdhetar i Klerit Katolik Shqiptar në Veri, kishte dobsue në maksimum propaganden perçarëse dhe vllavrasëse të PKSh, dhe të zagarëve të saj. Malësia e Alpeve tona, nuk kishte fare besim tek gënjeshtrat e propaganga e sherbëtorëve të Titos. Këte e verteton thanja e Heroit Prekë Cali, kur Mehmet Shehu i tha me datën 17 Janar 1945, kur Preka ishte i lidhun dhe i çarmatosun tradhëtisht nga bandat jugosllave që u printe terroristi Mehmet Shehu: E more Prekë Cali, të pat ardhur koha për ta mbyllur historinë me shkronja ari po t’u bëje me ne komunistët, pse veprove kështu? Vigani hero i Malëve Prenk Cali, u përgjegjë:“Jo zotni, faji bije mbi ju komunistat, se ju u batë me anmikun shekullor të Shqiptarit, me shkaun!” Atdhetari Prekë Cali, nuk e shiti Atdheun si Mehmet Shehu, Enver Hoxha e kriminelët tjerë, që per një sterlinë tradhëtuen Shqipni e Kosovë, Hot’ e Grudë e të gjitha Trojet tjera, bashkë me Flamurin e Gjergj Kastriotit, të cilin e kishin zhigatë me yllin e kuq bolshevik.
E kush asht ai Shqiptar, që edhe këte nuk e quen tradhëti antikombtare?
Ishte pikrisht ky Veri i Alpeve tona, që as bizantinët, as turqit, as Esad Pasha e as, nipi i tij Ahmet Zogu, nuk mujti me i futë në rrjetën e marimangës shoveniste sllave të traktateve të urryeme të Bristolit… E aq ma pak anadollaku Enver Hoxha, që e dinte me kohë thanjen e Nolit: “Mbetën katholikë malësorët e Veriut me armë në dorë!”…Ky ishte piksynimi i komunistëve sllav në Veri! Shfarosja e Atyne Bjeshkëve që në mija vjetë vazhdonin me i këndue Atdheut dhe Fesë me Lahutën e Tyne legjendare! Historianët nuk flasin kurrë per Kontin Galeazzo Çiano, që ka shkrue: “Shkollat e Klerit Katolik në Shkoder, kishin ba aq shumë propagandë antifashiste sa ne atje, nuk gjetem asnjë përkrahje.” (Libri “Kujtime”). Konsulli Meloni, shkruen: “Në shkollat e Shkodrës të drejtuara nga Françeskanët e Motrat Stigmatine…propagandohëshin ndjenja të një nacionalizmi të ekzagjëruar, antipatie e urrejtjëje ndaj Italisë” (Konsulli Meloni. Attivita contraria dei Frati Franceskani. Telegrami i tij dergue me 23 qershor 1939, në ASMAE.)
Pikpamjet e Klerit Katolik nuk i thonë “akademikët” anadollakë, ndonse, gjithshka asht e vertetueme që në shtator të vitit 1944, kur Don Ndre Zadeja u takue me oficerin anglez Neell, në Sheldi, të cilit, i tha: “Theksova nevojën që populli shqiptar, i vorfen e me armiq shekullor, që janë sllavi, bullgari, greku, Italia, ka nevojë për nji mbrojtje nga Fuqitë e hueja…” Prokurori Sotir Dodona, thekson: “Këtu nuk ka bërë tjeter veç detyrën e kollonës së pestë, dhe ka treguar një urrejtje për frontin N.Çl.” (Dosja 677) – Ja pra, kujt i shërbente fronti N. Çlirimtar!..
Pikrisht per këte thanje Don Ndreu u pushkatue i pari klerik në Shkoder, me Atdhetarin Prekë Cali, në Zallin e Kirit, me 25 Mars 1945, plot 20 ditë mbas Don Lazer Shantojës në Tiranë. Dashuninë per Flamurin ia quejtën “fashizëm”… Pikpamjet Atdhetare të Don Lazer Shantojës, At Bernardin Palaj dhe ndonjë tjetri, i cili, per të vetmen arsye: “Bashkimin e Trojeve Etnike me Atdheun Nanë”, e shikonin të mundshem ashtu si u realizue vetem nga Italia fashiste në fillim të vitit 1941, kur as nuk ekzistonte kund PKSh. Asnjëherë nuk asht tregue dokumenti i Ipeshkvijve, që nënshkruen mbas pushtimit fashist, ku i kerkojnë: “Ruejtjen e Pavarsisë kombtare.” (Telegram i Ipeshkvijve Shqiptarë, dergue Mbreti Viktor Emanueli III, 29.IV.1939. Arkivi Shtetit Tiranë)
Të gjithë u mbyten në tortura dhe u pushkatuen me etiketen “fashista”, se: “Dëshira e Tyne per Shqipninë Etnike” u konsiderue kunder të gjithë interesave të shovenistëve fqinjë, në sherbim të të cilëve ishin tradhëtarët e Atdheut të kuadruem në Partinë Komuniste, të vuem në sherbim të Titos, per interesat e Rusisë Sovjetike staliniste, nga vetë forcat Aleate.
Kleri Katolik Shqiptar e dinte para komunistëve të 1936, porosinë e Leninit në 1922: “Duhet të angazhohemi në luftë përfundimtare kundër klerit reaksionarë, të asgjësojmë qëndresën e priftërinjëve dhe të murgeshave me një mizori të tillë, që ta mbajnë mend me dekada të tëra.” Atè që “ndokush” me qellim me evitue termin e terrorit anadollak e quen sot “terror bollsheviko – komunist të Enver Hoxhës”.
Nëse katër Klerikë Katolikë, e pranonin Italinë per shanset Etnike, nuk duhet harrue se ishin 186 e sa… të tjerë, që kishin punue për Shqipninë e Gjergj Kastriotit, dhe për të ruejtë Unitetin Kombtar, arrijtën deri aty sa me nderhy nder komandat e pushtuesëve, për me shpetue pa dallim feje nga kampet e tyne rininë Shqiptare, që ishte drogue me pikpamje komuniste, aqsa kur vihej para pushkatimit ky “hero”, thërriste: “Rroftë Stalini i math…Bijtë e Stalinit jemi ne!”
Sa të rijë komunistë kanë shpetue misionarët Don Alfons Tracki dhe At Zef Maksen, të dy me origjinë gjermane, po ma Shqiptarë, se “komunistët tanë”, dhe mbas 1944, u pushkatuen!
Ky shperblim me “plumbin ballit” mori me vete mbi 60 Klerikë Katolikë, e nder ta të flaktin Atdhetar At Anton Harapi, i cili me 4 Shkurt 1944, hyni në dhomen e Xhafer Devës, tue i thanë: “Jo kështu, Xhafer, jo gjak, se edhe komunistët janë vllaznit tanë!” dhe pushoi pushka!
Po, Aleatët, a e dinin sa çifut kishte shpetue Ky At Anton Harapi si Rregjent?
Cili kje “shperblimi” që komunistët me Aleatë, i dhanë At Antonit? – Plumbin ballit!
■Ja dhe disa fragmente të Fjalimit të Tij, të mbajtun në Korrik 1944, në Korçë:
“Kush e kishte zanë besë?.. Antagonizmi fetar qiti kryet dhe u fut mizorisht ndër ateistët e ditës. Egërsitë e bame në Jug midis djelmënisë shqiptare vetëm pse muhamedanë e kristianë janë fakte që nuk lanë me lujtë, por janë prova të tmerrshme për jetën tonë fetare, shoqnore e kombtare. Përsa di unë deri me sot kjo çashtje kurrë nuk kje përballue kjartë e mirë sa herë kje kallë, menjëherë edhe kje mbulue si gaca nën hi. T’i mbetët hatri kujt të duen, unë due me e thanë mendimin tem haptas; marrë në shumicë, muhamedani shqiptar asht fanatik, ortodoksi fanatik, katoliku fanatik, e këta jo për besim sesa për inat e për parti. Ndër çastet ma të vështira të jetës sonë kombtare njëmend se shpetuem format e bashkimit shoqnor e të qetësisë ndër elementa, porse në fund të punës mbeti nji tharm, nji fond rryme e partie sa me të trembë e demoralizue.
Tue prekë me dorë plagën vjen pyetja: A do të mund të rrojnë në qetësi tre elementat fetarë ndër né? Ateistët me të gjithë skeptikët, indiferentët, natyralistët, aventurierët e opurtunistët, thonë jo: Na shqiptarët nuk mund të rrojmë të qetë, as nuk mund të formojmë shtet për pa i zhdukë të gjitha besimet, pse besimi i shqiptarit asht shqiptarizma!..Pra, tezën teme e vé kësodore: Shqiptarët, po të jenë vërtetë të qytetnuem e nacionalistë të sinqertë, besues edhe përnjëmend në nji Zot të vërtetë, nuk ka sesi të mos rrojnë vllazënisht shoq me shoq;…
Pengim i madh për jetën shoqnore, pra për qetësinë e vllaznimit tonë, asht fanatizmi, i cili asht një turp për përsonin, turp për besimin të cilit i përket personi e turp për jetën shqiptare… Besimi në një Zot të vërtetë,..do ta zbusë njeriun për ndjesi e jo ta egërsojë, do t’i rregullojë primjet e instinktit ndër të cilat asht egoizmi, që don të justifikohet me shkakun e besimit…Për të rrojtë vllazënisht nuk asht nevoja të hjekim besimin, por kusht i parë asht të hjekë fanatizmin në besim… Ngjitas me kulturën njerzore shqiptari do të marrë kulturën fetare. Kaloi koha që ta mbajmë besimin pse na e kanë lanë të parët, pse ashtu e kemi gjetë…
Një kusht tjetër që rrjedh prej kulturës së shpirtit asht nderimi për bindjet e të tjerëve…Nuk ka si shkohet jeta vllaznisht! Kështu arësyetojnë ata që besimet i kanë ferrë në sy!..Problemi zhvillimin e vet e gjen të plotë ndër tri parime që janë: 1. Intoleranca dogmatike, 2. Toleranca shoqnore-qytetare, 3. Toleranca shoqnore-politike…
Rrallë më ka ra me pa ndër shqiptarë polemikë pa pasion …Edhe po patëm arësye e të drejtë ndër çashtje, kurrë nuk kemi arësye e të drejtë të kapërcejmë caqet e njerëzisë, të shajmë shoqi-shojnë, të përdorim rrenën, të falsifikojmë historinë, të shtijmë në punë motive të ulta, të polemizojmë me pasion…tjetër asht përsoni e tjetër asht vepra:
Përsonin e falim, veprën e gabueme e dënojmë;.. Ky asht parim bazë që na shoqnon: Me kurrnjë gabim as kompromis as shoqni, por me të gjithë atdhetarët edhe të jenë të gabuem, afrim, dashni, vllaznim…
Pra, Zoti i të gjithë neve, e na të gjithë të Zotit. Në themel të këtij imperativi na jemi nji. Zoti asht visari i përbashkët i të gjithë Shqiptarëve.
Shteti njimend asht afetar, d.m.th. asnjanës, por jo antifetar, as ateist, as indiferent; shteti shqiptar e njeh Zotin, por nuk anon për kurrnjë besim ma fort se për tjetrin, hartuesit e Statutit u shtynë deri në ma të naltën shkallë të lirisë e të të drejtave të besimit: Ata pranuen tri besimet në themel të barazimit të plotë;..
Pra me mbajtë qetësinë midis elementave fetarë: 1. Duhet të kemi për bazë të vërtetën kundrejt parimeve. E vërteta nuk lot: Intoleranca teorike-dogmatike; 2. Duhet të kemi dashninë e sinqertë midis përsonave: toleranca shoqnore-qytetare; 3. Duhet të mbahët drejtësia me ndërgjegje ndër ligjë e ndër zyrtarë: Toleranca shtetnore-politike.
E praktika asht kjo: Me muhamedanët nuk bahet, ortodoksët janë grekomanë, katolikët janë italofilë. Kështu nuk mbet kush shqiptarë, as nuk mbetet kund shpresë për Shqipni; kështu nuk bajnë për Shqipni as Ismail Qemali as Bajram Curri pse janë muhamedanë, as Gërmenji as Negovani pse janë ortodoksë, as Gurakuqi as Ded Gjo’Luli, pse janë katolikë; kështu kemi ardhë ndër përfundime qesharake e do të vemi ndër konsekuenca rrënimtare!
Duhet ta pohojmë botnisht se për mungesë kulture jemi këtu.
Ky do të jetë hapi i parë i përmirësimit: ta njohim e ta ndiejmë sa duhet këte plagë shqiptare…na trashiguem ekzaltime, përbuzje, paragjykime e zemërime kundrejt shoqi-shoqit; me këta lindim, me këta rritemi, me këta edhe vdesim. Vetëm koha e kultura mund të na çrranjosë. Do të kalojë edhe ndonjë brezni që muhamedani ta harrojë tradicionin e të parëve, ta zhdukë krejt idenë “kaurr”, ashtu për një predispozicion të bamë petk, si kristjani i sotëm edhe i nesërmi kenë e pa kenë për çdo punë që nuk i bie për shtat, ka me kujtue e me u ankue: Po më bahet e padrejtë pse jam ortodoks, pse jam katolik…Shqiptari si tip asht madhështor. Ai ndien për vete edhe përtej se duhet. Mirëpo, kjo veti instiktive që kohët e kalueme ndihmoi shumë për me shpetue shpirtin, gjuhën, zakonet e traditat tona, nëse kje fat i madh asohere, sot për jetën tonë kombëtare mund të bahet rrezik i parë.
Kam pa e shoh përditë shqiptarë edhe me kulturë të cilët nuk janë të zotët të çveshen prej vetës së vet,…hir e pahir duen të bajnë të vetën; duen vetëm ata me kenë të mendshëm, ata gjela që këndojnë. E po gjetën injorantë, trashamanë, hipokritë, servilë, fanatikë, po edhe njerëz në të mbarë e pa të keq, more t’i shfrytëzojnë pa dhimbje, pa shpirt, edhe ngrehen kapadaij, udhëheqës, pionjerë a shka po di unë. E ja klanet, partitë prej nga rrjedhin dasitë e kontrastet shoqnore: Hallet shqiptare…Ku asht faji?….-Fajin e parë pse shqiptari ka mbetë fanatik e ka hoxha, prifti a popi, këtyne…. u do hjekë e drejta të mësojnë… Por fajin pse fetari e ushtron fanatizmin e ka ai liberali universitar, që mesa macja e qeni nuk e beson as Krishtin as Muhametin, por formon klane…Derisa mos të zbulohen e mos të qiten sheshit këta njerëz të rrezikshëm nuk ka qetësi në Shqipni!..
Mos të më thotë kush se nuk asht e vërtetë se unë jam tue e teprue… as nuk po e çoj ma gjatë për mos me e zbulue të gjithë vobeksinë e shpirtit tonë të kufizuem…
Nuk asht numri as pasunia që e ban superioritetin kulturor e kombtar, por personalitetet, që me cilësitë e nalta morale e me zotësi ditunore janë ata që bajnë pikën e gravitetit në një popull.
Derisa të jenë kush që kujton se myslimanët shqiptarë janë Shqipnia apo se, vetëm kristjanët janë nacionalistët e vërtetë, nuk kemi bashkim kombtar, nuk kemi jetë vllaznore, na jemi thikë e brisk. Historia asht e do të mbetet histori! Prandej, historia ja mos të prekët aspak, ja nuk ka kush të drejtë t’a falsifikojë e t’a sajojë vetë, për pa shkaktue zemrime, shqetësime e polemika që nuk ndertojnë, por prishin e rrenojnë.
Mos të rrijmë tue njehsue e tue theksue shka na dallon, por ma fort të ngrehim për shka na bashkon: Na bashkë kemi një Zot në të cilin besojmë, kemi dhetë urdhnimet që Ai na ka vue, kemi detyrë morale, shtetnore e kombtare të perbashkëta, kemi histori, kemi ide, ndjesi, jetesë, zakone, kangë, festa, shpresë, shpirt, interesa, gjuhë e të tjera visare e nevojë nëpër të cilat na jemi një në mënyrë të pandashme.
A nuk mund të përmbahemi pa e vu në veprim atë shpirtin kundërshtar që e kemi në palcë e në lëkurë? Ta kundërshtojmë terrorizmin, imoralitetin, luksin e alkoolin, vesin, dhunën, pasuninë e padrejtë etj, ; e jo, të kapemi për punë feje. Të na mbushet mendja mirë se, sikurse nuk janë fajtorë myslimanët pse janë shumicë në Shqipni, ashtu nuk kanë ma pak të drejtë kristianët vetëm pse numri i tyne asht ma i vogël…
Me gjak të vet e shuguroi Elterin e Atdheut katoliku, ortodoksi e muhamedani. Gjeçovi e Gurakuqi, Çerçiz Topulli e Bajram Curri, Germenji e Negovani nuk kanë ndryshim, por janë nji në mendim e nji në vendim, në vepër e në vdekje. Ata e kryen detyrën e vet tue e vulosun me gjak atë shka jemi: Vllazën të një gjaku!
Mirditasit e dukagjinasit, kosovari e dibrani, kurveleshasi e kolonjari për vjet e vjet hoqën keq me ruejtë të njejtën gjuhë, të njejtin shpirt, të njejtat zakone shqiptare ngase, ata kjenë nji në sakrificë e në drejtim, në saje të tyne trashëguem visarët tona kombtare. Me gjak e ndasi jemi ngopë. Kemi provue edhe se shka asht kthetra e huej. Jemi rysë tashma me të gjitha provat e egoizmit vetjak e kolektiv të partive dhe kemi pa e prekë me dorë se një popull i përçamë me grindje të mbrendshme asht i gjykuem me mbarue. Rreziku që na rri mbi krye të bjerrim Shqipninë, idealet e interesat që na dalin përpara, gjamët e shpirtit shqiptar e aspiratat e të gjithëve për gjithshka asht për të mbarë e të mirë, vlerë e nderë për popullin e kombin, për historinë trashëgim të breznive shqiptare, janë arësye e shkaqe që na imponojnë të lidhemi e të mbahemi nji ballë i çeliktë pa ndryshim besimi, partie, krahine a privilegji. Do të ishte një tradhti e naltë për brezninë tonë që tashti këtij blloku të çimentuem t’ia ndezim bomben e dasisë me shkëndinë e përçamjeve fetare…Jo, kurrnji mos pritshim t’ ia mërrijmë asaj ditë, kur për shkak të dasive, të shkrihemi porsi krypa në uji e të zhduket prej fëtyrës së dheut Vatra Shqiptare, mos të jehojë ma ndër kombe zani i Arbnorëve.A sot, a kurrë, të mobilizohemi për Fé e Atdhé! Ja, ky asht besimi e kjo asht Shqipnia që po na zhduket ndër duer…
Nuk shpeton, jo, sot as Xhamia pa Kishën, as Kisha pa Xhaminë, por as njena as tjetra pa Shqipninë. Të ngrihemi në kambë! Për një Zot të vërtetë për një Shqipni të lumtun, na jemi vllazën!”
■Kushedi sa herë e kam lexue dhe them me vete: “Ky dijetar, i vobegtë dhe i zbathun me zhgunin e fratit, që aq shumë ka pasunue kulturen Shqiptare, me veprat e veta Atdhetare aq të çmueshme dhe të pasterta si brilanti… Asht pushkatue si “tradhëtar i Atdheut dhe i Popullit”…
■Këto ishin pikpapjet e të gjithë Atyne Klerikëve që u pushkatuen nga komunistët!
■E pra, kjo asht Shqipnia… që po na zhduket ndër duer!
Melbourne, Nandor 2014. Vazhdon …
*Në 70 vjetorin e permbytjes së Shqipnisë…

Filed Under: Opinion Tagged With: e merimanges, Fritz radovani, Shqipnia ne rrjeten

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 700
  • 701
  • 702
  • 703
  • 704
  • …
  • 865
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • The Alliance That Doesn’t Exist
  • MAXIMILIAN LAMBERTZ – DIJETARI AUSTRIAK QË IA KUSHTOI JETËN STUDIMIT TË GJUHËS DHE FOLKLORIT SHQIPTAR
  • Shkodër, 8 prill 1937, kur vetëdija jonë kombëtare u lartësua nga “Lahuta e Malcis”, rrokaqielli i eposit në vargje i At Gjergj Fishtës
  • MASAKRA E TIVARIT DHE AJO NË FRONTIN E SREMIT – KRIM KUNDËR NJERËZIMIT!
  • MËRGIM KORҪA – “HISTORI TË PASHKRUARA”
  • Një jetë në shërbim, një dekadë në bashkim
  • MBRESAT E MIA ME KOMUNITETIN SHQIPTAR KËRÇOVAR NË OLLTEN TË ZVICRRES
  • Misioni i Madh i Studentave të Shkupit! Shqiptar bashkohuni studentave!
  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT