• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NË KONFERENCËN PËR SHTYP KRYEMINISTRI RAMA I VURI NË GJUMË GAZETARËT DHE NERVOZOI PUBLIKUN

August 22, 2014 by dgreca

Opinion Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
Opinioni publik e priti me interes daljen e kryeministrit Rama në konferencë për shtyp e cila u paralajmërua edhe si një bashkëbisedim me komunitetin e rrjeteve sociale Facebook, Twitter, gjë nuk u përmbush dot. Pasi Edi Rama nuk e paska një ekip që t’i kishte përgatitur një skemë-komunikimi ndryshe nga rutina.
Që në fillim, ai shkeli ku nuk duhej. Nisi të bënte narracion për sukseset e ekipit të tij në pastrimin e plazheve apo për arritjet katrastrofale të turizmit në vitin 2014, duke përmendur si shifër faktin se Shqipëria ishte vizituar nga 1 milionë e ca vizitorë jo rezidentë, që në fakt nuk janë turistë të huaj, por shqiptarë të emigruar gjatë tranzicionit apo shqiptarë të Kosovës, Maqedonisë etj.etj.
Për të pare se ku është Shqipëria sa i përket turizmit, po ju jap një statistikë nga Zvicra. Turizmi në Zvicër përbën 3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Ose thënë ndryshe Zvicra ka rreth 40 milionë turistë në vit, ku 20 milionë janë vetë zviceranët dhe rezidentët që lëvizin nëpër konfederatën helvetike dhe 20 milionë janë të huajt. Dhe Zvicra gjithmonë synon më shumë e më shumë.
Të flasësh për turizëm dhe investitorë të huaj është si të ecësh në zonë të minuar. Shqipëria do të ishte një destinacion për miliona e miliona banorë të Europës, të cilët në vend që të zbarkojnë në Shqipëri, zbarkojnë me miliona në plazhet e Turqisë dhe Greqisë.
Dhe dihet se përse nuk vijnë. Për shkak të sigurisë. Nuk ndihen të sigurt në një vend ku vritet drejtori i Bankës private shqiptare.
Edhe investitorët e huaj nuk vijnë në Shqipëri, për të njëjtat arsye. Sepse kur vidhet Banka e Shtetit dhe sistemi është i përçudnuar nga kasta klienteliste-nepostiste, ata s’kanë kurrëfarë garancie për paratë e tyre.
Edi Rama e kaloi kalimthi reformën territoriale dhe atë arsimore, të cilat janë premtuese, ndërsa tek Lazarati nuk u ndal fare, që në fakt është sukses i shtetit.
Edi Rama i vuri në gjumë gazetarët në sallën e Konferencës për shtyp. Ashtu si na vuri në gjumë edhe ne të tjerët që po e ndiqnim prej televizorëve. Fliste pa ritëm, pa elokuencë, paçka se e ritha se është njeri i letrave, ndërsa shtirej se nuk e kishte idenë fare se koha ecte. Aty pranë kishte një femër tip këshilltare me flokë të ngjyera terr të zi e cila nuk pipëtinte gjumshëm.
Pra, kryeministri i Shqipërisë dukej sikur e kishte humbur nocionin kohë. Koha rrjedh dhe nuk pret e pyet askënd. Nuk do t’ja dijë se je kryeministër. Koha vepron me ligjet e veta të pamëshirëshme të cilat i tregojnë Ramës se viti i parë i mandatit të tij po mbushet.
Ose Edi Rama, duke parë natyrën e pyetjeve edhe përmes rrjeteve sociale, për t’iu shmangur temave të nxehta, kishte vendosur që të zvarritej në një prolog të pafund i cili u bë tmerrësisht monoton dhe i mërzitshëm.
Opinioni publik priti që Edi Rama të përballej direkt me realitetin e vrazhdë shqiptar, ku përfshihen edhe dy skandalet më të fundit, i BSh dhe skandalit i punësimeve të ish-sekretarit të deputetit të PS.
Por Edi Rama prapë heshti dhe hezitoi të fliste. Heshti në emrin e pavarësisë së institucionit, siç është Banka e Shtetit dhe bëri memecin nga pozitat e qytetarit. Ai mund të thosh atë që tha e të shtonte atë që duhej. Se si ndihet ai, Edi Rama si një qytetar i Shqipërisë kur përballej me faktin se Guvernatori që merr 100 fishin e rrogës të një pensionisti nuk arrin të përmbushë detyrimin si guardiani i institucionit të shtetit që drejton.
Edhe kur iu bënë pyetje rreth ekipit të Kokëdhimës në vend të një qëndrimi të prerë vazhdoi me kalambure, sipas të cilave edhe ai si kryeministër mund të mbante ekip në Vlorë, po të kishte para. Po ku t’i gjente paratë kryeministri? Po ku t’i gjejnë paratë deputetët që të paguajnë ekipe me nga 12 vetë? Kokëdhima ka para. Nëse Kokëdhima ka para, ai nuk mund të veprojë në kundërshtim me ligjet e shtetit, që do të thotë se nuk mund ta përdorë paranë e tij siç e përdor sepse aty ka konflikt interesi.
Në këtë konferencë për shtyp, pritej të paktën që Edi Rama të ishte i sinqertë me publikun. Ai nuk e bëri as këtë. Ishte i kontraktuar.
Vetëm në fund të konferencës për shtyp, kur besoi se i kishte shpëtuar ankthit të pyetjeve rreth Bankës të Shtetit dhe ish-sekretarit të Kokëdhimës, Rama doli nga rutina 23 vjeçare e kryeministrave të Shqipërisë në këtij tranzicion gati perpetual, kur papritmas, kur nuk e priste askush, filloi të tregonte për takimin e tij me Kancelaren Gjermane.
Po e sjell ad literam se çfarë tha kryeministri rreth takimit të tij me Angela Merkel:
„Ishte momenti, tregoi Edi Rama, kur Kancelarja më pa në sy dhe më tha: ….“ Më thuaj me të njëjtën ndershmëri dhe të njëjtën këmbëngulje, a mund të jetë Shqipëria, vend i BE nëse ka këtë sistem drejtësie?” Sigurisht që “Jo”-ja ishte e lehtë për t’u thënë, por ka qenë një nga rastet që do ta mbaj mend në jetën time politike që më ka ardhur turp kur më është dashur të flas për vendin që i krijon vetes këtë kosto, për shkak të bandave të veshura me petkun e pushtetit gjyqësor….“
Dhe pikërisht këtu nga do të duhej ta niste, Kryeministri e mbylli si epilog konferencën e për shtyp.
Por, të paktën dialogu Merkel-Rama i zgjoi gazetarët nga gjumi, ndërsa opinioni publik i nervozuar, nga ana e tij i tha – „Hë mo dhe ti Edi Rama je si të tjerët, deri tani na bëre vetëm demagogji“.

Filed Under: Opinion Tagged With: Elida Buçpapaj, gazetaret, kryeministri

PORTRETIZIM KARAKTERËSH KOHORE

August 20, 2014 by dgreca

Shkruan: Avdi Ibrahimi/
Kujtesa nga veprimet intelektuale nuk më tradhtoi kurrë, kjo më bëri të mundshme njëkohësisht më dha mundësin të krahasoj aty për aty sjelljet dhe veprimet që bënin në kohë ilegaliteti në vitët e shkuara kur gjysma e atdheu ndodhej i pushtuar nga sllavët e jugut, kështu jetova këtë kohë të rrezikshme të shoqërisë sonë shqiptare, që shumë rrallë mbajta shënime duke i ruajtur në vetvete, pa shënime të veçanta e mjete që ndihmojnë kujtesën e jetës në ilegalitet me shokët e shoqët që ishin përfshi vullnetarisht në rrugën e lirisë për t`i larguar sllavët e jugut nga trojet shqiptare. Por mbajta disa shënime të veçanta në kohë lufte të UÇK-së, ato fije të veçanta të qindra e mijëra fateve të luftëtarëve të lirisë dhe popullit tone që po përjetonte një dhunë e terror të paparë nga serbo-malazezët-maqedonasit e mercenarët e tyre shqipfolës. E natyrisht që kjo nuk ishte fare e lehtë edhe të veproje me armë në dorë kundër okupatorit e në anën tjetër të shkruash ngjarje të vërteta që ndodhnin asokohe. Ky stërmundim me pushkë e laps për atdhe, ky përpunim krijues që jepte rezultate, që i vënë në lëvizje parreshtur me mija njerëz e që përhapej në miliona të tjerë se liria e ka çmimin e madh, këtë punë e bëja pa ndihmës dhe tërë ato letra që kam shkruar për vite me radhë, janë të shkruara nga dora ime, pa kërkuar as ndihmën më të vogël nga të tjerët, por të gjitha shkrimet i kam quar deri në fund duke u dhënë formën punimeve të mia krijuese. Vetëm nga sfera krijuese nga një jetë e zakonshme kuptova thellësisht elementin djallëzor, në dukje normale zbulova një jetë të papërsëritshme e të pakrahasueshme ashtu si te Rubensi e Onore De Balzaku, krijimtari të stuhishme eksploroja pandalshëm duke mos ndjerë as edhe njëherë ndonjë shqetësim nervor, kështu vura në pah, tejpamësinë e tërë anomalive të shpirtit, si në kohë veprimi në ilegalitet të plotë, po ashtu edhe në kohë të luftës çlirimtare. Kjo dukuri e të metave tona njerëzore u bë si motiv i pikpamjeve të mia aq kritikuese sa ishte e është edhe në vijimsi një rrugë e rrëshqitëshme me plot rreziqe.
Por, në asnjë mënyrë nuk u përula asesssi nuk u shqetësova nga shpifjet e shpifarakët e ndyrë, nga e përditshmja e zakonshme, që mendonin të çekuilibronin punën time intelektuale e krijuese letrare, kurrënjë dobsi nuk ka mundur të më detyroj ta lë punën time intelektuale e krijuese letrare, i mbyllja plagët e rënda shpirtërore nga shpifësi që vret, në këtë kontekst rigjeja duke mos lejuar vetës asnjë rënie shpirtërore, por përkundrazi rigjeja gjallërinë e mëparshme. Nuk e ndajë assesi shëndetin nga frymarrja e ajrit të pastër të natyrës që aq shumë e dua, vazhdimisht përpiqem të mos e ndaj qëndrimin e zgjuar nga puna e përditshme, e natyrisht nuk e ndaj, e nuk mund ta ndaj assesi as krijimtarin realiste nga përditshmëri e jetës, kamë gjithnji parasysh vazhdimsinë e jetës pavarësisht tendosjet e punës së lodhshme intelektuale gjatë ditës dhe deri natën vonë. Edhe pse kamë gjumë të mjaftueshëm, por të plotë, në çdo mëngjes më ripërtin një energji mrekullisht normale të mendjës së kthjellët.

Me ata njerëz që pata fatin të bashkëpunoja në ideale të përbashkëta kombëtare më njohin si të shoqërueshëm e më qëndrim të butë njerëzor, por në koncepte politike të atdhedashurisë jam i pamëshirshëm, që në asnjë rast nuk mund të ma hedhe askush në asnjë mënyrë, nuk pranoj mashtrimin, gënjeshtrën, dyshimin pa argumente faktike, e kam hedhur qysh moti nga zemra e errësirës, që më kohë i pres rrugën çdo dredhie duke iu kundërvënë me kohë, e në këtë rast nuk i lejoj vetës të sillem si soditës, por vë para së gjithash kritikën e pamëshirshme e konstruktive. Në këtë kontekst pranoj edhe kritikën e sinqertë që nuk ka prapavi me motive politike shpifëse e dyshuese pa u bazuar në fakte e argumente të mirëfillta.
Për mua është e kotë gjith ajo përpjekje e kundërshtive të ndryshon formën time të krijimtarisë, që të më bëjë të zbusë ashpërsinë apo papajtueshmërinë, që ky vullnet krijues kërkon gjithnji qëndrime të qarta dhe të sinqerta, mua më tundon vetëm e vërteta. Çdo gjë e turbullt e hamendur e thash e themeve rrenacake, si në raportët e marëdhënieve shoqërore personale midis njerëzish aq edhe në ato dritëhije intelektuale të madhërishme mbarënjerëzore, që jetojnë në iluzione, nuk do të preferoja ngutjen, por do të veja në pah dukurit me një mendje mprehtësi të dritës drejtpërsëdrejti. Kur kam raste që nuk e kuptoj aty për aty ndonjë gjë, nuk mbështes atë pikpamje nga cilidoqoftë, atë që nuk e kuptoj nga thellësia e vetëvetës, vështir e kam që ta pranoj dike të ma qartësoj pa e njohur sinqeritetin e tij. Mendja kështu ma thotë të jamë i papajteshëm, edhe pse ka raste kur jam i detyruar ashtu i vetëm të jam kundër armiqëve, qofshin ata me dhjetra here më të shumtë në numër, shpalos me sinqeritet duke argumentuar me gjuhën e fakteve çdo kundërshti që nuk ka një qëllim të mire ndaj së vërtetës. Natyra më ka bërë të tillë të pamëshirshëm edhe ndaj vetës kur nuk kam të drejtë, jam stërvitur disi të mos besoj aq mendjelehtësisht gjërat e pa verifikuara dhe të pa argumentuara, kjo gjë më jepë vazhdimisht të zbuloj me kohë çdo mashtrim të errët të pavetëdijes, kështu përpiqem të nxjerrë në dritë prapa çdo pohimi një rrëfim dhe atë ta shprehë me sinqeritetin më të madh, në çdo të vërtetë thellohem nga syçeltësia të përhapë atë të vërtetë duke zbatuar në radhë të pare një kontroll logjik nga vetja, duke ecur me hap të matur, për të fituar siguri, për ta çfaqur mendimin haptazi, ky karakter është i lidhur me natyrën time, mendimi im rrjedh mbase jo edhe aq nga qëndrimi i vullnetshëm, por vetëtin disi vetvetishëm, nga ajo mënyra ndryshe e të parit të gjërave që po jetojmë, përgjithsimet e parakohshme të publikimit krijues për mua krejt natyrshëm do të ishte një kundërsens i së vërtetës. Ky mendim kritik i imi shpesh here më ka bërë të harroj çfarë kan menduar të tjerët për të njetën çështje mbi sinqeritetin e njeriut, kjo për mua nuk është asfarë kokëfortësie, por kam mendimin tim të patundur se është vetëm një domosdoshmëri e pashmangshme në të parit e gjërave në kontekst të drejtë që të jam vetvetja e një kujtese përsiatëse nga ajo që ka shkuar.

Prizren 20 Gusht 2014

Filed Under: Opinion Tagged With: KARAKTERËSH KOHORE, PORTRETIZIM

“MIKU QË S’MË MERR PËR NUMËR!?”

August 19, 2014 by dgreca

Nga Fadil LUSHI/
Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe jep këtë shpjegim për numrin: Nocion themelor i matematikës, që shërben për të shprehur në mënyrë të përgjithësuar sasinë dhe për të bërë njehsimet. Numër i plotë. Numër thyesor. Numër pozitiv numër më i madh se zeroja. Numër negativ numër më i vogël se zeroja. Numër konkret numër i shoqëruar me një emër. Numër abstrakt numër që nuk shoqërohet me një emër. Numër dhjetor. Numër çift (tek). Numër natyror (real, imagjinar). Vargu i numrave. Veprimet me numra.. vet. nj. Sasi njerëzish a sendesh; sasi e pacaktuar. Një numër i madh (i vogël, i paktë). Numri mesatar. Numri i pjesëmarrësve (i votave). Numri i këshillave (i organizatave, i reparteve). Numri i krahëve të punës. Numri i rrathëve (i bimëve, i golave). Shtohet (pakësohet) numri.
Një ditë takova një mik të vjetër, i cili prej kohësh merret me statistikën dhe demografinë shqiptare, po njëherit është dhe njohës i shkëlqyeshëm i kësaj veprimtarie. Ai “merret me numra, ai bën numra në sasi, por edhe në cilësi sa herë që merr porosi nga njerëzit” të cilët janë të interesuar a kureshtarë për këtë çështje. Meqë isha i sigurt se nuk do ma “refuzojë pyetjen”, i parashtrova një të tillë sa i përket nocionit në fjalë: Ti, N.N. hajt na bëj pak numra dhe na thuaj se ç’thonë numrat për shqiptarët!? Para se ta nxirrte përgjigjen që e kishte “ndër dhëmbë”, hoqi syzet (me të cilat shikonte “bardhë e zi” çdo gjë që është shqiptare) dhe më tha: E ke fjalën për shqiptarët“toptan”!? Jo, – i thashë, e kam fjalën vetëm për mërgatën. Po për cilën gjeneratë të mërgatës, e ke fjalën…Shpreha habinë duke ia kthyer se mos vallë shqiptarët e mërgatës kanë shumë gjenerata. Po, si jo. Ka gjeneratë që bën shqiptari me a pa arsye, me “orar të shkurtuar”, ka të tillë që flasin shqip, ka të tillë që komunikojnë shqip, por ama me ndihmën e sintaksave të gjuhëve joamtare. Gjenerata e tretë e mërgatës shqiptare karakterizohet me faktin që fare nuk dinë shqip, sidomos ata që kanë lindur në maternitetet e shteteve perëndimore, këta përfundimisht janë të asimiluar, si në aspekt kulturor, ashtu edhe në aspekt gjuhësor, në aspekt traditash… Madje kur këta vizitojnë trojet e tyre hiqen si shqiptarë “Evrope” dhe, kur degdisin në “qytezat e katundet” e veta, preferojnë të flasin në gjuhë joamtare. Ky miku im që përgjigjet i shkonin paksa “zvarrë”, më dukej se si për inat i “pakësonte” numrat e tërë shqiptarëve. Në fund, ma ktheu duke më thënë se ç’të duhen numrat, kur ti “nuk je numër”!?… dhe mbase asnjëherë nuk je marrë me numra. Hë, thashë me vete, ç’ngatërresa më nxori ky miku im.., ç’më duhej t’i parashtroj kësisoj pyetjesh…, m’u duk se s’më merr për numër a nuk më përfill fare. Nuk më dha hapësirë kohe që t’i them se edhe unë jam numër. Mospërgjigjja e tij ndoshta ishte edhe një “sebep” që ta përfundoj me “nënpyetjet e mia, sa të bezdisshme, po aq edhe folklorike për këta numra jonumrash”!? Nuk më “mbeti borxh” dhe në fund ma tha një fjalë “veresi”, por ama kuptimplotë: “Në këto trevat tona ka më shumë halucinacione sesa shqiptarë, burra, gra e fëmijë shqiptarë “toptan” në numër…, mos harro se edhe ti je një i përhënshëm me syhapur!?” Me këtë përgjigje ma mbylli “gojën”, por nga ana tjetër sikur më dha idenë për një vështrim (veror) gazete të radhës. Mbaj mend se pagoi pesë birra, një më tepër, këtë të fundit, kamerieri ia kishte “bërë hesap” apo futur “gabimisht”, si përherë dhe si në Tetovë.
Të burgosurit thonë se ngandonjëherë edhe heshtja lodhet dhe bëhet bajat dhe kur pëlcet i stërpik të gjithë që i ka rreth e rrotull. Dhe “stërpikja” e radhës erdhi nga një mërgimtar, i cili shumë kohë më parë ishte “shkëputur” nga vendlindja e tij. Në vendin ku kishte “degdisur” me shumë “zor” ishte integruar. Ky, sot, me shumë të padrejtë e trajton vendlindjen. Që të mos e zgjasim shumë këtë “mesele”, do të themi se këtë “bashkëvendës namqorr” e takuam në një ndejë fshati. “Kryepari i mexhlisit” e kishte ftuar që “të bëjë histori kombëtare, mandej të bëjë (folk) patriotizëm, pak ekonomi, gjeografi dhe njëkohësisht bashkëfshatarëve t’u parashtrojë pyetje rreth privatësisë së tyre”. E nisi me historinë e prapambeturisë së shqiptarëve. Pyetja e parë e tij ishte: “… ç’bëni ju këtu në vendlindjen time (njëri që e njihte për së afërmi më tha se punon si “pastrues halesh” në një stacion hekurudhor diku në një shtet perëndimor), ç’bëni ju në vendim tim të vogël e të qelbur…, parashtroi edhe një pyetje për njerëz me profesione të ndryshme. Pa më thoni se në vendin tim ç’bën akademiku, ç’punë bën mësuesi, mjeku, bariu, po ç’punë bën daullexhiu, kur nuk keni dasma, iftare e syfyre, po ç’aktivitet bën politikani, ç’bën imami tok me xhematin e tij, po ç’bën “kapiteni i varkës” (se edhe varka paskësh kapiten nuk e kisha ditur), pse shqiptarët nuk rebelohen si në kohën e 2001-shit, pse filan solisti nuk bën një këngë të re për martirin, po pse të gjithë këta njerëz më duken si të përgjumur” e të tjera broçkulla.
Meqenëse nuk e kishte ndërmend të miqësohet me vetveten, po edhe me të tjerët “e mexhlisit” (të cilët nuk e di si i duronin “pordhat” e këtij “kurbetçiu”), e “detyroi” plakun që kishte zënë vend në “kryminderin e ndejës” t’i drejtohet me këto fjalë: “O ti çun Stambolli, ja unë po të kallëzoj se ç’bëjnë këta njerëz…, thjesht tjerrin lesh për gjermane, për daneze, për zvicerane a edhe italiane…, po për mua pse nuk tjerrin lesh…, ti je vet lesh i palarë!?” Më pastaj pas kësaj përgjigje të plakut sikur u prish ndeja a “mexhlisi” (nuk ishte kushedi se çfarë ndeje). Dhe ky, që bën jetë birbosh, sa herë që viziton fshatin e tij të “qelbur” aq herë i fryn zjarrit dhe aq herë ua prish rehatinë bashkëfshatarëve të tij. Njëri që e njihte osmanishten dhe që nuk e duroi dot “vetëkënaqësinë dhe vetëlavdërimin e këtij kurbetçiu”, tha se ai ishte “fishek që s’shkrep”…,e vazhdoi me atë sharjen e rëndë anadollake: “Gytymin qenari”, që sikur të bësh përpjekje ta hedhësh a ta përkthesh në gjuhën shqipe të del shumë denigruese…, “rrethi i prapanicës apo i bythës!” (më ndjeni, lexues të nderuar). Besojmë se “mërgimtari ynë i moderuar” nuk do të na e marrë për të madhe nëse rastësisht e përgojuam.

Filed Under: Opinion Tagged With: “MIKU QË S’MË MERR PËR NUMËR!?”, Fadil Lushi

Fatos Lubonja, çele gojën kur duhet ose qepe se na lodhe!

August 18, 2014 by dgreca

Nga Fahri Xharra/
“Sipas tij, aksioni ishte njëjtë i ekzagjeruar ashtu qysh kishte ndodhur në Shqipëri kohë më parë.“Më ngjason me një version të ekzagjeruar të atij që u krye në Shqipëri para disa kohësh ku akuza ndaj të arrestuarve pak a shumë ishte për rekrutim njerëzish për të shkuar në Irak. Mirëpo nuk di se sa mund të jetë përgjegjës ligjërisht dikush për atë se i mbush mendjen një të rrituri që të shkojë në Siri të luftojë kundër Asadit. Mua kjo më kujton nenin e Agjitacionit dhe Propagandës në kohën e regjimit diktatorial”, thotë ai. Sipas tij, arrestimet mbajnë erë “luftë parandaluese” dhe lehtë mund të konsiderohet se Shteti i Kosovës po ushtron terror ndaj komunitetit mysliman në interes të amerikanëve” ( pjesë nga intervista me F. Lubonjën)
Mos he burrë! Mos he burr` i dheut , mos ndjell antiamrikanizëm , se boll po mbjellin fqinjët tanë . Ki mendjen , ne kemi për çka të shkruajmë, të analizojmë apo të kritikojmë !
“Edhe kjo ndikon që unë ta kem të vështirë të kuptoj se çfarë quani ju “ekstremizëm islamik” në Kosovë për të mundur të ndaj pastaj atë që mund të quhet rritje e fundamentalizmit islamik në Kosovë nga një vepër penale siç është krimi terrorit. Sepse sapo jam kthyer nga një udhëtim pesë ditor në një pjesë të Kosovës dhe nuk mu duk se ndjeva aty ndonjë fundamentalizëm apo ekstremizëm islamik në veprim.” po thua ti .Pse ore nuk e thua të vërtetën ?
Eh mjerë ne që mbesim , të na analizoj një kritik dhe shkatërrues i ndjenjës kombëtare.
Të njofim më herët me qendrimet tua , antiNëna Terezë, antiSkënderbe, anti Kadare dhe anti , e anti,gjithmonë antishqiptare .
“Ç’besë munt të ketë Shqipëria prej atdhetarësh nga interesi, atdhetarë sot, armiq e tradhëtorë e gjakspirës nesër? Ç’fitim do të ketë Kombi prej njerëzsh të blerë, e gati kurdoherë të shiten te kush do japë më tepër? “F.K. – “Albania”, dhjetor 1902. “ e thoshte Faik Konica dikur , që moti dikur . Po ,pse sot na e thot përseri ai nga bota e amshuar ?
Çele gojën aty ku i bën nderë kombit , dhe jo kur ti do !
E ke lexuar këtë: “Ramiz LUSHAJ – Doli i Gucisë i çon një Kartolinë lutje Papa Franceskut para vizitës në Shqipëri
Doli është një fshat i vogël shqiptar tokëngjit qytetit të Gucisë, i shtrirë në fushë, i kapet edhe malit. Një pozicion gjeo-strategjik i lakmueshëm. Vendi i bollekut për tokë buke e mbajtje të blegtorisë. Në rregjistrimin shtetëror malazez të vitit 2011 i figurojnë 102 banesa. Popullsia e tij është ma e madhe në emigracion se sa në trojet e veta etnike. Një rast i ngjashëm, dukuri gangrenë e përgjithshme, për krejt krahinën etno-historike të Plavë-Gucisë, e cila ka rreth 3.000 banorë në dykomunshin, e po të kthehet tanësisht mërgata shqiptare bahen 13.000 banorë shqiptarë, sa ç’asht krejt popullsia e sotme e saj me shqiptarë, boshnjakë, malazezë, serbë, etj.
Doli ka mbet i vetmi fshat me popullsi katolike në krejt krahinën e madhe etno-historike të Plavë-Gucisë. E ka edhe kishën e vet. Prej hejcekurit thirret “Kisha katolike e Dolit”. Këta qëndrestarë të rrallë të mos asimilimit etnik e fetar përngjajnë si një “oaz”, pasi ortodoksit malazezë e serbë dhe muslimanët boshnjakë iu thonë: “shqiptarët katolikë të Dolit”. Gjithmonë dyert e Dolit kanë nxjerrë burra të mirë, të meçëm, luftëtarë, dijetar, të cilët ia kanë mbajt lart emrin e veprat visit të vet etnik shqiptar…..
Dolit të vogël, sivjet, në kit’ gusht 2014, i ka ra një hall i madh, për të cilin po ia çon një kartolinë publike Shkelqësisë së Tij, Papa Franceskut, para vizitës në Shqipëri, tue iu lut për ndihmë direkte, për ndërhyrje të shpejtë, pasi shteti i Malit të Zi të Gjukanoviçit po ua grabit tokat e të parëve të vet, po ua shtetëzon me të padrejtë ato, po kryhet një akt i ri neokolonial, po synohet asimilimi fetar e etnik i popullsisë e tokës së tyre etnike…. “
Pse nuk flet për këtë rast ? E ke zërin dhe namin e madh . Çele gojën për shumë e shumë raste të ngjajshme !
Me shkas : “Priftë ortotodoks serbë me forca të shumta policore malazeze kanë vërshuar në fshatin të banuar kryesisht me shqiptarë, Martinaj të Gucisë duke tentuar që mbi themelet e Kishës së vjetër katolike të ndërtojnë një kishë ortodokse. “ E ke ndëgjuar këtë lajm.? Ju e dini fort mire qëllimin sllav dhe lojën e tyre me shqiptarët , ju e dini që “Rrezikun më të madh për Kishën Ortodokse Serbe, e kjo do të thotë edhe për popullin serb, e paraqet Kisha Katolike në kufijtë tanë të rinj. “ (Vesnik Srpske Crkve”) se me muslimanët shqiptarë e kanë më lehtë.
Nuk të ha palla për Plavë e Guci , për Hot e Grudë? Po Vuthajt athua si janë ? Po Kosova si vete?
”Po unë si shqiptar që rastësisht i kam takuar besimit musliman , apo ti gjithashtu si shqiptar që rastësisht edhe ti i ke takuar besimit ortodoks :ne pranojmë që bashkëkombasit tonë shqiptar të fesë katolike t´i katandisim nëpër botë , dhe në këtë mënyrë të bëhëmi bashkëpjesëmarrës në çfarosjen e një pjeseje të madhe kombëtare , të jemi në vijën e Serbisë. ? Jo. Unë jo. Por as Ti ,jo!
Përshendetje Zoti Lubonja , ruaju dhe mos fol va e pa va !

Filed Under: Opinion Tagged With: çele gojën kur duhet ose qepe, Fahri Xharra, Fatos Lubonja, se na lodhe!

Në njëqind vjetët e luftës

August 18, 2014 by dgreca

Ukraina, Palestina, Izraeli, Siria dhe Iraku janë kriza të ndërlidhura, të ziera dhe nganjëherë, në dukje, kanë qenë statike nga lufta e parë botërore.
Vehabizmi është religjion shtetëror në Arabinë Saudite, që ishte udhëzues për super- terroristin Osama bin Laden/
Shkruan: XHAVIT ÇITAKU/
Është ironike që udhëheqësit e botës fjalë për fjalë shpërthejnë tani e shumë kohë më parë se me siguri kemi mësuar nga historia se masakra të tmerrshme nuk duhet të përsëritën më. Mirëpo, këto tmerre tash e njëqind vjet më parë prej kur është gdhendur guri i bardhë i ndarjes së kufijve në Lindjen e Mesme, ato nuk pushuan kurrë për të mos thënë me pauza të gjata apo të shkurtra.
Si u ndanë kufijt e Lindjes së Mesme?
Kur Superfuqitë e botës ndanë mbetjet e Perandorisë Osmane Kryeministri Britanik, Lloyd George, kishte kërkuar që Britania e Madhe të sundoi mbi Palestinë nga Dan-i deri të Beer Sheva, si zona të shënjta të Biblës. Kryeministri, megjithatë, nuk ishte i sigurt se çfarë sihte Dan-i në të vërtetë. Ai kishte shfletuar Atlasin e Biblës të viteve 1800, por prapëseprapë nuk e kishte gjetë këtë qytet të lashtë. Një vit më vonë Komandanti Britanik në terren gjenerali Allenby e gjeti Dan-in por ai vend nuk ishte as përafërsisht ashtu siç e kishte paramenduar Kryeministri.Fuqitë e mëdha kishin rënë dakord se si ata do t’i ndajnë kufijtë në Lindjen e Mesme, që u mbështeten nga një fjalë e shpikur nga politikani britanik Mark Sykes, një zotëri nga klasa e mesme dhe ekspert i vetëshpallur në këtë fushë. Sykes dhe kolegët e tij injoruan zonat dhe kufizimet e mëparshme. Në konvikte kishin mësuar përshkrimet e lashta hartografike greke dhe emërtimin e zonës dy mijë vjet më parë. Pastaj at vënë drejtuesit lokal në krye të shteteve të porsaformuara dhe menduan se kishin krijuar funksionimin e rendit në ato shtete. Kështu u lind, siç duket me këto fjalë si lehtë, Lindja e Mesme ashtu siç ne e njohim tash atë. Dizajni i hartimit dhe vënies së kufijve ishte i paraparë dhe i menduar që bile në njëqind vjet të qëndroj si i tillë. Mirëpo, tash ajo kohë, ai plan dhe ai projekt mirë i menduar është një gjë e kaluar dhe ndoshta për shumë kë situata e tashme në atë rajon nuk është një gjë e papritur. Ne po shohim se si kombet në atë rajon po luftojnë për të mbijetuar, por shikuar në trendin e tashëm të përçarjes e të luftës, njëri nga ta edhe mund të zhduket.
Ukraina kishte një periudhë të shkurtër të lirisë gjatë kaosit pas luftës së parë botërore, por, pastaj, mori dominimin e Perandorisë Ruse përsëri. Tani ky shtet është duke u përpjekur për të humbur luftën dhe Perandorin Ruse përsëri, ndërsa Rusia dëshiron për të rivendosur rendin e vjetër, së pari me vjedhjen e Krimes, pastaj me luftën me intensitet të ulët në Ukrainën Lindore.
Bota nuk qeveriset mençur
Mund të thuhet dhe të konstatohet lirshëm se bota nuk po qeveriset mençur. Presidenti amerikan e pati “ pushtuar” Irakun dhe krijoj kaos në të cilin orgjitë e gjakut po gjejnë ushqim. Putin është duke ndjekur hijet e Perandorisë Ruse dhe ky është një problem serioz me një kompleks inferioriteti. Izraeli merr pjesë- pjesë të tokës palestineze, vrau afër 2000 veta, prej tyre shumë fëmijë, gra e pleq. Shkatërroi shkolla, banesa e shtëpi dhe në këtë mënyrë më këto ndërhyrje të tmerrshme ushtarake Izraeli ua nxiu jetën palestinezëve. Edhe në Siri mbretëron kaos i vërtetë. Në këtë shtet, për fat të keq, po shkojnë për të luftuar edhe shqiptarë që janë të përfshirë në masakra dhe tmerre të luftës që nuk kanë lidhje as me fe e as me Islam.
Ekspert dhe politikanë përshkruajnë skenar të ndryshëm për të ardhmen. Por e vetmja gjë që ne dimë është se nuk dijmë asgjë. Me 16 dhjetor 1915 ministri britanik i luftës z. Lord Kitchener kishte dilemë nëse vehabizmi mysliman ekzistonte edhe më tej. Ndërkaq, eksperti Sykes iu kishte përgjegjës: Unë mendoj se vehabizmi është një zjarr që po fiket. Në shumë ngjarje që ndodhen e mund të ndodhin akoma në të ardhmen po shihet se ky sekt fetar jo që është fikur por zjarri ka marrë flakë që zor se do të mund të fiket edhe për një kohë të gjatë. Vehabizmi sot është religjion shtetëror në Arabinë Saudite, që ishte një udhëzues për super- terroristin Osama bin Laden.

Filed Under: Opinion Tagged With: Në njëqind, vjetët e luftës, Xhavit Citaku

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 723
  • 724
  • 725
  • 726
  • 727
  • …
  • 865
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN
  • ÇËSHTJA KOMBËTARE NË POLITIKËN E TIRANËS TË VITIT 1920
  • Në ditëlindjen e Vaçe Zelës, legjendës së gjallë të këngës, zërit që i dha shpirt një epoke
  • 115 vjet nga Kryengritja e Malësisë së Madhe dhe ngritja e flamurit në Deçiq
  • GEORGE POST WHEELER, AMBASADOR I SHBA-SË NË SHQIPËRI (1934) : “SHQIPËRIA DHE BURRAT E SHQIPONJËS…”
  • Përshtypje nga Bashkëbisedimi i AFC-së dhe Mjekëve Gastroenterologë AAGA
  • Një princeshë evropiane përballë traditës shqiptare
  • Arkeologët shqiptarë nën vlerësimin e studiuesit anglez Nicholas Geoffrey Lemprière Hammond
  • E drejta për përdorimin e gjuhës amtare në arsimin e lartë në Maqedoninë e Veriut

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT