• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

VATRA DHUROI 50 FLAMUJ KOMBËTARË, 50 LIBRA SHQIP DHE 50 GAZETA DIELLI PËR FËMIJËT E SHKOLLËS SHQIPE “HASAN PRISHTINA” NË WATERBURY

October 12, 2024 by s p

Sokol Paja/

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra dhuroi 50 flamuj kombëtarë, 50 libra shqip e 50 gazeta Dielli për nxënësit e Shkollës Shqipe “Hasan Prishtina” të Qendrës Kulturore dhe Islamike Shqiptaro-Amerikane “Hasan Prishtina” Waterbury, Connecticut. Në një vizitë vëllazërore e të përzëmërt, zyrtarët e Vatrës arkëtari z.Besim Malota, vatrani z.Bashkim Shehu dhe editori i Diellit u pritën nga kryetari i Qendrës Kulturore dhe Islamike Shqiptaro-Amerikane “Hasan Prishtina” z.Agim Ismaili, z.Azmi Isaku – përgjegjësi i Xhamisë shqiptare të qendrës ” Hasan Prishtina”, Guri Rexhepi – nënkryetari i qendrës dhe Zimer Kaliqi, anëtar i kryesisë. Qendra Kulturore dhe Islamike Shqiptaro-Amerikane “Hasan Prishtina” u krijua në vitin 1983 duke dhënë një kontribut të çmuar e historik për kombin e komunitetin shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Që prej vitit 1983 pranë kësaj qendre funksion shkolla shqipe “Hasan Prishtina” duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në ruajtjen e gjuhës shqipe dhe identitetin kombëtar shqiptar. Kryetari i parë historik i qendrës që sot ka rreth 600 anëtarë ka qenë Zaim Kica, ndërsa z.Ismaili është kryetari i 18-të në historinë e qëndrës. Vatra ofroi mbështetjen dhe vlerësoi punën e shkëlqyer patriotike e komunitare të qendrës “Hasan Prishtina”. Drejtuesit e qendrës vlerësuan Vatrën dhe garantuan bashkëpunim të ngushtë në të ardhmen për kauzat kombëtare ku Vatra është lider i padiskutueshëm në mërgatën shqiptare të Amerikës. Vatra i qëndron afër dhe mbështet me çdo mjet përpjekjet dhe punën e shkëlqyer patriotike të shoqatave e organizatave patriotike për ruajtjen e gjuhës, historisë e traditës shqiptare nga asimilimi e përcjellja e trashëgimisë patriotike te fëmijët shqiptarë të lindur jashtë atdheut. Më herët Vatra ka shpërndarë flamuj, libra, abetare e gazeta edhe në shkollat shqipe New York e New Jersey.

Filed Under: Opinion

Pashko R. Camaj: Porosia e kullës, një betejë për të vazhduar trashëgiminë e të parëve

October 11, 2024 by s p

Sekretari i Federatës “Vatra” Dr. Pashko R. Camaj, intervistë ekskluzive në “ExLibris” – Gazetë e përjavshme letrare & kulturore.

Bisedoi: Bujar Hudhri

I dashur Pashko, para disa muajsh, poeti dhe shkrimtari i njohur Besnik Mustafaj më foli për një libër që kishit shkruar në anglisht, të cilin donit ta botonit edhe në shqip, pikërisht tek “Onufri”. Tani që është në duart e lexuesit shqiptar, çfarë provoni?

Në librin tim, në kujtimet e mia, kaloj nëpër një histori, në të cilën çdo lexues i moshës sime, apo i rrugëtimit tim, mund ta gjejë veten. Është ky një rrëfim përmes të cilit sjell grimca nga e kaluara ime, duke trajtuar një temë aq të pranishme në të gjitha trojet shqiptare, mërgimin, si temë e përbotshme. Nëse lexuesi është vetë emigrant, ose nëse dikush nga të afërmit e tij ka emigruar, ai do të gjejë veten në historinë time, që mund të trajtohet edhe si universale. Ajo tregon sfidat e mundimet me të cilat përballet brezi i parë derisa përshtatet në një botë të re, duke u ballafaquar me faktin se zemra dhe mendimet gjithmonë u kthehen në pjesën e parë të jetës së tyre, në rastin tim, njëzet vitet e para të jetës sime. Këto vite përbëjnë thelbin e historisë sime, e ndërlidhur ajo me të kaluarën tonë në vendin tim të origjinës, pjesën e Malësisë së Madhe, e mbetur në Mal të Zi (ish-Jugosllavi). Në librin tim përpiqem t’i përgjigjem një pyetjeje të thjeshtë që i bëra vetes shumë herë që nga dita kur u largova nga vendi im në vitin 1985. Kjo pyetje e thjeshtë, por në esencë shumë e komplikuar, ishte: A mos kam mëkatuar kundër etërve të mi duke u larguar nga vendlindja ime, duke lënë gjithçka që dija dhe gjithçka që baballarët e mi jetuan për shekuj me radhë? Duke iu përgjigjur pyetjes sime, mundohem të lë një mesazh të fortë për ata që do të vijnë pas, këtu në vendin tonë të ri, se ata, ndërsa bëhen amerikanë, mund të ruajnë rrënjët e veta dhe të dinë se nga vijnë, dhe përmes kësaj të ruajnë trashëgiminë tonë shumëshekullore.

Ishit njëzet vjeç kur morët vendimin për të shkuar në Amerikë. Pas dyzet vjetësh morët vendimin për botimin e këtij libri. Ku e shihni njëfarë ngjashmërie?

Derisa rritemi dhe i afrohemi pleqërisë, bëhemi më të mençur. Unë kam shkuar në SHBA si një 20-vjeçar pa e pasur të qartë se çfarë doja. Shpejt pas arritjes në SHBA e kuptova se ky ishte vendi ku do të realizoja ëndrrat e mia. Meqë m’u dha kjo mundësi, kam edhe një histori për të treguar, një histori që nuk është glorifikim i arritjeve dhe i të jetuarit të ëndrrës amerikane, edhe pse është pjesë e saj, por më e rëndësishmja për t’u dhënë jetë atyre që ishin heronjtë e botës sime dhe që më kanë frymëzuar të bëhem ai që jam sot. Është një histori që kapërcen kohën, që mund të impresionojë në një nivel të vogël tek ata breza që vijnë pas nesh, që të mos harrojnë kurrë dhe të mund të shikojnë gjithmonë me admirim dhe dashuri atë pjesë të botës prej nga vijmë.

Sami Frashëri shkruan diku: “…sado gjatë të jetojë njeriu, njëzet vitet e para të jetës së tij janë vitet më të gjata.” Pikërisht këtyre viteve edhe ju u kushtoni pjesën më të madhe të librit. Pse kjo zgjedhje?

Sami Frashëri është një nga rilindësit e mi të preferuar, që i takon epokës që është baza e kombit, historisë dhe kulturës sonë. Edhe pse nuk e kam lexuar, kjo tingëllon kaq e vërtetë, sepse ato njëzet vite të jetës sime kanë dëshmuar të jenë më të rëndësishmet në formimin tim, për t’u bërë ai që u bëra më vonë. Koha me babain tim, edhe pse ajo ishte vetëm disa muaj, ishte ekspulsive vetëm për mua, sepse disa muaj më pas ai kaloi në amshim. Ishte një dritare në jetën e tij, e paraardhësve të tij dhe më e rëndësishmja, kjo kohë më ushqeu me ndjenjën e përgjegjësisë, dashurisë për rrënjët tona dhe mirëkuptim edhe ndaj atyre që shpesh edhe në lëndojnë.

Jam kureshtar ta di, ndërsa lundronit në breg të liqenit të Shkodrës si adoleshentë, çfarë ishte për ju Shqipëria? A kishit qenë ndonjëherë?

Si një fëmijë i vogël, gjithmonë pyesja veten se çfarë fshihej pas pyjeve të errëta që rrethonin liqenin e Shkodrës, që ishte vetëm 2-3 kilometra larg nga fshati ynë. Kur hyja në ujëra të liqenit, pamja do të hapej aty ku mund të shihnim në të vërtetë një cep të Shqipërisë. Ishte gjithmonë tërheqëse, edhe pse në imagjinatën time asokohe, në Jugosllavi, Shqipëria shihej si një shtet i huaj dhe si armike, por ne e dinim më mirë se kaq, e dinim se ata janë vëllezërit tanë dhe se jemi një komb. Si një fëmijë, më kujtohet se pranë shkollës sonë ishte rruga që çonte nga kalimin kufitar, ku ecnin dhjetëra nga kamionët shqiptarë me mbishkrim “ALBANIA” dhe ne si fëmijë do të rreshtoheshim pranë rrugës dhe i përshëndetnim sa herë që na jepej rasti. Ata përfaqësonin diçka që ne e kishim të ndaluar, diçka që e mbanim për vete dhe në shumë raste nuk mund ta shprehnim, por, ngaqë nuk guxonim gjë tjetër, as ne, e as ata, së paku i shikonim dhe i përshëndesnim me duart tona të vogla, me admirim. Shpeshherë, në bisedat me gazetarë nga Shqipëria, më bëhet pyetja se përse shqiptarët jashtë Shqipërisë, si edhe ne nga Mali i Zi, në dukje e duan Shqipërinë më shumë se ata që janë rritur në Shqipëri. Nuk jam i sigurt nëse kjo është e vërtetë apo jo, por e di që për ne që jetonim jashtë shtetit shqiptar, Shqipëria paraqiste tokën e ndaluar, edhe për shkak se ne nuk kishim shtetin tonë.

Keni mbaruar shkollën e mesme mjekësore në Podgoricë. Çfarë nuk ju hiqet ende nga mendja ndërsa kujtoni ato vite?

E vërtetë, unë kam ndjekur shkollën e mesme të mjekësisë në Podgoricë. Për mua kjo ishte një kohë impresionuese në fund të adoleshencës sime, ku çdo gjë ishte në frymën idealiste dhe çdo gjë u pa nga një perspektivë se ne jemi në një vend ku mundnim të realizonim ëndrrat tona. Por, pikërisht aty në Podgoricë fillova të kuptoja se për ta isha një nga ata njerëz të cilëve nuk mund t’u besohet, malësorë e shqiptarë. Sjellja e njërit prej profesorëve të mi në shkollën e mesme të mjekësisë dhe trajtimi i padrejtë ndaj meje, më bëri që herë pas here do t’i thosha vetes se sa do të doja ta shihja edhe një herë, thjesht për t’i thënë se ishte aq i padrejtë, por, pavarësisht nga padrejtësia dhe sjellja e tij, ia dola, duke e konfirmuar se unë jam edhe më i mirë sa ai.

Si një nga disfatat e para në jetën tuaj ju veçoni rastin kur nuk fituat konkursin për t’u regjistruar në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë. E keni menduar ndonjëherë, nëse do të kishit mbaruar këto studime, si do të kishte rrjedhur jeta juaj?

Dëshira ime ishte të bëhesha mjek. Ajo ishte ëndrra ime edhe në fëmijërinë time të hershme. Unë punova për këtë dhe, në fakt, kalova nga shkollimi në gjuhën time shqipe në serbokroatisht, vetëm që të regjistrohesha në shkollën e mjekësisë, ku dhe arrita sukses dhe mendova se isha gati të shkoja në nivelin tjetër, që ishte Universiteti i Mjekësisë në Prishtinë. Fatkeqësisht, në ato ditë, siç e theksoj në kujtimet e mia, kuotat e pranimit në këtë fakultet ishte shumë të pakta, pasi shumë njerëz e shihnin shkollën e mjekësisë si një ëndërr prestigjioze. Megjithatë, mendoja se ngaqë ishim vetëm dy shqiptarë që kishim aplikuar nga Mali i Zi, ndoshta duhet të kishim pak favorizim. Por ajo nuk ndodhi dhe nuk më pranuan në Fakultetin e Mjekësisë. Ishte, pra, një ndër disfatat e para në jetën time, që filloi të më bindë të largohesha nga vendlindja ime. Jeta mund të ketë qenë ndryshe për mua aty, por në një mënyrë që nuk do të kisha qenë në gjendje ta shihja jetën nga kjo perspektivë. Sinqerisht, jam i bindur se ajo ishte e vetmja mënyrë që mund të kisha parë me të vërtetë atë që nuk mund të shihja atëherë, një vend ku gjërat, edhe pse ishin të dukshme, nuk i shihnim.

Ndërsa mbaron së lexuari librin, ajo që të prek thellë është dashuria juaj për vendlindjen. Gati sikur ndiheni fajtor që e keni lënë, madje sikur ende jeni në dilemë. Mos ka ndikuar kjo ndjenjë juaja e brendshme që t’i vini edhe titullin versionit shqip “Porosia e kullës”?

Ndjenja e fajit apo, si e quaj unë, mëkatit, për largimin nga vendlindja ime është e dukshme dhe jo aq për veten time, por se si do t’ua shpjegoja se kisha lënë atdheun paraardhësve të mi, kullës sime, ku brezat e mi jetonin duke u munduar dhe vdiqën duke u përpjekur që të ruanin ekzistencën e tyre, në një vend dhe rajon që nuk ishte shumë mikpritës për ta. Në fakt, ishte shumë i dëmshëm për ta, megjithatë, duruan. Për mua nuk është çështja nëse pendohem ose kam dilemë që u largova nga vendi im, është më tepër një betejë për të vazhduar trashëgiminë e tyre, ndërsa kam arritur gjëra që ndoshta mund të kenë qenë të paarritshme për shumë të tjerë. Unë e përdor këtë si një ushqim për mua dhe në çdo gjë që kam bërë në jetën time dhe vazhdoj të bëj përpiqem të motivohem me: “A thua do t’i kishte pëlqyer kjo babait tim?” 

Ju e keni shkruar librin në anglisht dhe po mendoja se çfarë ju ka shtyrë. Dyzet vjet jetë në Amerikë, sigurisht, kanë ndikuar që të jeni më i sigurt në atë gjuhë. Një favor jo i vogël ky për tregun e madh amerikan të librit? Apo gjenerata e shqiptaro-amerikanëve e kanë më të lehtë ta lexojnë në anglisht?

Kur fillova të shkruaja, nuk e dija me të vërtetë se në çfarë gjuhe do të shkruaja, por ideja ishte të lë një gjurmë për ata që do të vijnë pas. Më duhet të jem i sinqertë, shqipja nuk është një gjuhë e lehtë, megjithëse e flas shumë mirë dhe e lexoj jashtëzakonisht mirë. Unë këtu jam rritur e shkolluar, në anglisht, dhe kam vështirësi në gjetjen e fjalëve dhe shprehjeve të duhura për shumë nga gjërat që shkruaj. Dua të them kështu që kjo është një arsye e madhe. Por tjetra arsye imja është se shpresoj që ky libër t’u arrijë amerikanëve, në veçanti për shqiptarët amerikanë, të cilët do ta kenë shumë më të lehtë ta lexojnë dhe ta kuptojnë në anglisht, pasi e gjithë kjo është e destinuar për ta në mënyrë që ata të dinë se kush janë e nga vijnë, kështu që të mësojnë dhe të kuptojnë disa nga gjërat që janë të epokës së shkuar, atje nga kohët që duhen mbajtur mend. Gjërat për të cilat flas në librin tim nuk janë leksione në histori a filozofi. Ato janë akte të thjeshta jete që ndoshta ia vlejnë të mos harrohen.

Në shqip e ka sjellë vëllai juaj më i madh, Nikolla, i cili është aktualisht nënkryetar i Parlamentit të Malit të Zi. A mund të na thoni diçka për këtë përvojë të pazakontë mes dy vëllezërve Camaj? Nikolla nuk ishte thjesht përkthyes për ju në këtë libër, apo jo?

Duke u rritur, për mua, Nikolla ishte idhulli im. Ajo që më tërhiqte, ishte se ai gjithmonë ishte kureshtar të dinte se çfarë ka “përtej” apo çfarë ka në anën tjetër. Përveç asaj, më intrigonte se në njëfarë mënyre ai ishte “trim” dhe nuk kishte frikë të eksperimentonte. Me kalimin e kohës, direkt apo tërthorazi, gjithmonë kam konkurruar me të për t’u siguruar që edhe unë të jem si ai, që edhe notat e mia në shkollë të ishin aq të mira sa të tijat. Jeta jonë mori kahe të ndryshme, megjithatë ne ende mbetemi në atë marrëdhënie të ngushtë dhe ajo konkurrencë edhe sot vazhdon. Bile, shpeshherë kur ai bën një intervistë në TV apo diçka të tillë, i them “mjaft mirë e ke mësuar”, sikur unë ta mësoja se si duhet bërë ajo. Ai nuk ishte thjesht përkthyesi. Unë i dhashë një version në anglisht, por pastaj ai e mori dhe e ripunoi, faktikisht e shqipëroi. Gjatë procesit të përkthimit të librit, ai shpesh do të më thërriste, pasi për shumë ngjarje që tregohen në librin tim ai ishte pjesë e tyre dhe i kishte parë ato, ndoshta nga një kënd tjetër apo pikëpamje të ndryshme. Kështu që, ndërsa po punonim me përkthimin, ai do të thoshte: “Oh, po, e mbaj mend edhe unë në këtë mënyrë”, por edhe: “Më ke bërë të qaj, si mund t’i mbaje mend këto detaje”, për ngjarje në të cilat shpeshherë edhe ai vetë ishte protagonist.

Duke lexuar librin, pothuaj ndihet modestia juaj për të mos folur për sukseset që keni pasur dhe keni në fushën shkencore. Për respektin, pse jo, për gëzimin e lexuesit tuaj, a mund të na flisni për këtë përvojë në Columbia University apo të tjera universitete, për studimet që i ndoqët në një moshë jo fort të re?

Një nga gjërat që më tërhiqte gjithmonë te babai ishte modestia e tij. E shihja atëherë dhe e shoh tani se modestia është një virtyt, edhe pse ndoshta ndonjëherë duhet të kërkojmë falje dhe të dalim nga ajo. Në librin tim u përpoqa ta tregoj historinë time në një mënyrë që do ta vlerësoja atë, pa ndier ndjenjën e mburrjes sime për këtë, sepse kjo është gjëja e fundit që do të doja të bëja. Ditën e parë të kolegjit, në semestrin tim të parë, isha gati 29 vjeç. Nuk i thashë askujt se isha regjistruar, sepse kisha frikë nga dështimi. Arritjet e mia nuk ishin të zakonshme, si të një studenti këtu në SHBA apo gjetiu. Mora një rrugë të pazakontë dhe qarkore për të arritur suksesin, në kohën kur isha prind i tre fëmijëve dhe nuk i përballoja të gjitha me lehtësi, pasi isha ai që kujdesej për mirëqenien e familjes sime. I kam filluar ditët e arsimimit në një kolegj të qytetit të Nju-Jorkut, fillimisht një bachelor dhe pastaj master. Më vonë kam fituar një pozicion pune në një agjenci të shtetit të Nju-Jorkut, ku aktualisht jam ende i punësuar. Gjatë viteve kam mësuar se kisha nevojë të shtyja fort përpara për të pasur sukses. SHBA-ja është një vend mundësish, por duhet ta duash. Më në fund, arrita të marr diplomën, doktor i shkencave të shëndetit publik në Universitetin e Kolumbias në Nju-Jork. I afërt me mjekësinë, si epidemiolog, punoj në fushën e të kuptuarit dhe parandalimit të sëmundjeve. Një nga atributet e diplomës sime ishte se gjatë pandemisë COVID-19 isha shumë i përfshirë jo vetëm në punën time, por edhe duke qenë zë për shumë shqiptarë këtu në SHBA, gjithashtu edhe në atdhe. Gjatë dy viteve shumë intensive dhe të frikshme të pandemisë, u përpoqa të jepja sa më shumë informacion të mundshëm, që ishte i dobishëm. Pra, duke treguar se, edhe pse jemi në një pozitë të pasigurt, duhet të jemi gjithnjë optimistë, duke qëndruar të kujdesshëm për të ruajtur shëndetin tonë dhe gjërat do të përmirësoheshin. Duhet të kem bërë shumë intervista televizive, që ishin në orën 2 të mëngjesit në Nju-Jork, për shfaqjet herët në mëngjes në Shqipëri dhe Kosovë.

Prej vitesh jeni në një post shumë të rëndësishëm në Bashkinë e Nju-Jorkut. A mund të na flisni konkretisht, cila është përditshmëria juaj atje?

Pozicioni im sot është në një agjenci shtetërore të Nju-Jorkut për transportin publik me 60.000 punonjës dhe në shërbim të miliona njerëzve që çdo ditë përdorin sistemin tonë. Në pozitën e zëvendëspresidentit të departamentit që merret me shëndetin dhe sigurinë e fuqisë sonë punëtore, kryesisht sigurojmë aplikimin e rregulloreve që mbrojnë shëndetin dhe sigurinë e punonjësve tanë, por edhe atë të përdoruesve të sistemit tonë. Është e rëndësishme të theksohet se pozicioni im i parë në këtë agjenci ishte si një specialist i nivelit fillestar me pagë relativisht të ulët. Por kalimi i viteve dhe arritja e niveleve të arsimit, siç ishte diploma e doktorit, më katapultoi karrierën time dhe më bëri të ngjisja shkallët administrative në agjencinë shtetërore. Përveç kësaj, unë jam profesor kolegji në Universitetin Uilliam Paterson këtu në Nju Xhersi, ku u mësoj studentëve shëndetin publik dhe epidemiologjinë. Herë pas here, kemi studentë që janë me origjinë shqiptare. Kështu që, sa herë që vërej ndonjë shqiptar në një klasë, ia filloj duke thënë se kushdo që mund të shqiptojë saktë emrin tim, do të marrë pesë pikë shtesë në notën e tyre përfundimtare. Pa dyshim, studenti shqiptar do ta bëjë pa gabim, në kundërshtim me atë amerikan. Ata e thonë emrin tim dhe e shqiptojnë pak më ndryshe, pothuajse duke e bërë atë të tingëllojë si një lloj emri francez (Kamazh).

Do të doja të flisnim për kontributin tuaj në Federatën Panshqiptare të Amerikës “Vatra”. Nga një anëtar i thjeshtë i saj, pastaj nënkryetar dhe tani sekretar i përgjithshëm.

Po, kjo është një gjë shumë e dashur, e shtrenjtë dhe e çmuar për mua. Për Federatën “Vatra”, për organizimin dhe kontributin e jashtëzakonshëm të saj për kombin tonë, kisha dëgjuar që nga hera e parë që erdha në Nju-Jork dhe gjithmonë më tërhiqte drejt saj. Euforia rreth festimit të njëqindvjetorit të “Vatrës” në vitin 2012 më entuziazmoi dhe u bëra anëtar, fillimisht një anëtar i thjeshtë, si thoni edhe ju, pastaj anëtar i kryesisë, nënkryetar dhe tani sekretar i Federatës. Ne përpiqemi të bëjmë më të mirën që mundemi me një organizatë që ka histori kaq të lavdishme, por duke ditur se gjithçka që bëjmë është e bazuar në vullnetarët dhe ata që duan të kontribuojnë herë pas here, kemi edhe vështirësi. Të jesh një nga bordi ekzekutiv i “Vatrës” është gjë shumë e rëndësishme, është historike. Por ajo vjen me një ndjenjë përgjegjësie dhe përkushtimi ndaj shumë ngjarjeve dhe aktiviteteve ku ne mund të deklarojmë me krenari anëtarësinë tonë, të ndërlidhur me historinë e saj. Gjithashtu, dhe po aq e rëndësishme, veprimet tona për t’u përpjekur të bindim ata që kanë një ndjenjë patriotizmi që t’i afrohen “Vatrës” janë një gjë fisnike dhe patriotike. Është në misionin tonë të inkurajojmë në veçanti të rinjtë për t’u bashkuar dhe për t’u gjendur më afër Federatës “Vatra”, që është historia, identiteti dhe krenaria e shqiptarëve të Amerikës.

Pa hyrë shumë në çështje politike shqiptare, kur te “Vatra” vijnë delegacione nga trevat tona, a ndiheni në siklet kur mosmarrëveshjet tipike tonat mbërrijnë deri te ju? E bëj këtë pyetje duke pasur parasysh pozicionin delikat si mikpritës të “Vatrës”, por pa harruar se, si drejtues të organizatës, keni edhe frymën amerikane, të asaj Amerike që aq shumë ka bërë për kombin tonë.

Historikisht, “Vatra” ka mbështetur të gjitha çështjet madhore kombëtare, që nga formimi i shtetit shqiptar, Lufta e Parë Botërore, ndërtimi dhe konsolidimi i shtetit shqiptar, njohja ndërkombëtare e pavarësisë së Shqipërisë, lufta kundër komunizmit, ndërtimi i marrëdhënieve me Amerikën, lufta e Kosovës dhe Pavarësia e Kosovës. “Vatra” është histori dhe lavdi. Ajo ishte qeveri shqiptare në mërgim. Nuk është një parti politike dhe ne nuk do të lejojmë që ajo të bëhet e tillë. Partia jonë politike është flamuri kuq e zi, është patriotizmi dhe përkushtimi ynë ndaj kombit tonë, ndaj çështjeve tona kombëtare, pra për mirëqenien tonë si komb, si popull e si shtet. Ne, si të tillë do të vazhdojmë të jemi një zë i fortë kudo që zëri ynë është i nevojshëm, duke ruajtur miqësinë dhe partneritetin tonë me institucionet tona amerikane, siç janë Departamenti i Shtetit, Senati, Kongresi Amerikan dhe Shtëpia e Bardhë.

Doja ta mbyllja këtë intervistë, i dashur Pashko, me një pyetje, përgjigjja e së cilës do t’u interesonte absolutisht shumë kolegëve të mi botues, por edhe shkrimtarëve shqiptarë, duke pasur fatin që tani jeni edhe vetë autor. Çdo vit në Amerikë shtohet numri i madh i shqiptarëve, pjesa më e madhe e të cilëve janë, pa dyshim, lexues të mirë. Pyetja është, si mund të eksportojmë në Amerikë librin shqip, ashtu sikundër kam mësuar se eksportohet me sukses birra, djathi, sallami etj.? Me fjalë të tjera, how to follow the albanian speaking readers?

Mendoj se kjo është një pyetje shumë e mirë dhe duhet të punojmë shumë për të bërë diçka që të sigurohemi që kjo të bëhet e realizueshme. Siç thoni ju, ne blejmë këtu produkte shqiptare, dhe pse jo libra. Dija është liri, liria është jetë. Kjo gjë duhet të jetë e realizueshme mjaft lehtë. Çështja është se a duhet të punojmë vetëm për të gjetur një vend apo dyqan në secilin prej tregjeve më të mëdha, si në Nju-Jork, Detroit, Boston, Filadelfia, Çikago etj. ose, një mënyrë tjetër ndoshta, të përpiqemi të arrijmë deri te kontaktet tona dhe të bisedojmë me librari të tilla, si “Barnes & Noble”, që të shohim nëse ka një interes dhe nëse po, dhe ka një fitim për t’u bërë, gjithmonë do të ketë njerëz që do të donin të blinin libra. Kjo është diçka për të cilën organizata të ndryshme shqiptare, që janë të shumta në numër, mund të vijnë në ndihmë për promovimin e këtij procesi, që disa nga qytetet apo vendet tona ku ka shumë shqiptarë të mund të blejnë librat e botuar në shtëpitë botuese në vendlindjen tonë. “Vatra” do të kontribuojë në këtë proces të rëndësishëm kulturor, patriotik dhe komunitar.

Filed Under: Opinion Tagged With: bujar hudhri, Dr Pashko Camaj

Patronazhistët në sulm kundër diasporës për Zgjedhjet e 2025

October 11, 2024 by s p

Satirë nga Rafael Floqi/

Në një botë ku politika është bërë kaq e komplikuar, saqë duhet një diplomë për të kuptuar programin e një partie, shqiptarët jashtë vendit po përgatiten të shijojnë një moment epokal: votimin nga vendet ku banojnë! Pas 30 vjetësh “përjashtimi” nga procesi zgjedhor, diaspora po merr më në fund një mundësi që, nëse do të ishte një kafshë, do ta quanim “të pavdekshme”.

Imagjinoni, mbi 1.2 milion shqiptarë të shpërndarë nëpër botë – një numër që do të bënte çdo statisticien të ulte kokën nga turpi – tashmë do të kenë mundësinë të votojnë dhe të ndikojnë në fatin e atdheut të tyre. Ky është një hap i madh, po në skenarin e përgatitjeve për zgjedhjet e vitit 2025, Edi Rama dhe Partia Socialiste po përpiqen të zgjerojnë territorin e mbretërisë së patronazhistëve. 

Fjala “patronazh” vjen nga termi latin patronatus, që do të thotë “mbrojtje” ose “sponsorizim.” Ajo rrjedh nga patronus, që do të thotë “padron” ose “mbrojtës,” i cili i referohej dikujt që ofronte mbështetje ose ndihmë, shpesh në një kontekst financiar ose ligjor.

Kështu pra pas përfitimeve të mëdha nga votat brenda vendit, tani po vijnë me një plan ambicioz për të “angazhuar” shqiptarët e diasporës, duke menduar se mbështetja e tyre do të sjellë rritje në numrin e mandateve.

Pjesëmarrja në zgjedhje është si të jesh në një banket ku, për herë të parë, mund të zgjedhësh menynë! Çdo votë është një mbushje për demokracinë, një mundësi për t’i kthyer institucione të ngjashme me një kafene të ditës së hënë – të mbushura me shpresë dhe me premtime, por që shpesh shërbejnë kafe të ftohta. 

Në një lajm befasues, Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, njoftoi se qeveria ka ngritur një zyrë të posaçme për të “patronazhuar” shqiptarët jashtë vendit. Sipas tij, ky është një hap i guximshëm drejt një kontrolli dhe ndjekjeje më të thellë për arsye politike—sepse, siç e dimë të gjithë, është shumë më e lehtë të kontrollosh ata që janë larg.

“Ne kemi identifikuar të gjithë patronazhistët, dhe jo, nuk flasim për ata që sjellin gjëra nga Shqipëria. Flasim për ata që i thonë prindërve se fëmijët e tyre do të mbeten pa punë nëse nuk votojnë siç u kërkohet,” tha Bardhi, duke e vënë theksin në “kreativitetin” e këtij skenari.

Epo, që të jemi të sinqertë, askush nuk ka vënë re se si pasioni i qeverisë për patronazhin ka kaluar nga blloku i dyerve të administratës në një dimension global. Tani, çdo shqiptar që mendon se mund të shpëtojë nga rrjeta e qeverisë duke jetuar jashtë vendit, është thjesht një iluzion i ri.

Bardhi nuk ndali këtu: ai akuzoi patronazhistët për abuzim me pushtetin. “Çfarë është më e keqe se të përdorësh lidhjet familjare për të bërë presion? Kjo është si të thuash se nënat nuk duhet t’i japin leksione fëmijëve të tyre për etikën e votës, pasi në vend të kësaj, ata duhet të kenë frikë se do të humbasin vendin e punës nëse nuk votojnë për Partinë Socialiste,” shtoi ai, duke theksuar se ky është një tipar i ri i “demokracisë shqiptare”.

Dhe, siç thotë çdo popullatë e mençur: “Nëse do të ushtroni presion, atëherë bëjeni me stil!” Prandaj, qeveria shqiptare ka vendosur t’i japë patronazhistëve një shans të dytë për të treguar aftësitë e tyre të komunikimit dhe negociatave me tregun—duke u thënë shqiptarëve të jashtëm se gjobat e papaguara do të bëhen më të lehta nëse ata thjesht kthehen në Shqipëri për të votuar.

Me këtë, Bardhi njoftoi një kampanjë të re për të mbledhur informacion të detajuar për këta patronazhistë, duke përfshirë edhe një program për ndihmën e prindërve që do të dërgojnë fëmijët e tyre në “qendrat e përshtatshme të votimit” (me çmime të veçanta për ata që vendosin të ndihmojnë me votat e tyre).

Në fund, duket se qeveria e ka gjetur një mënyrë të re për të “ndihmuar” shqiptarët. Dhe askush nuk mund ta mohojë që të jetosh jashtë vendit tani është një privilegj—por, vetëm nëse je i gatshëm të votosh siç të kërkohet. Të gjithë të tjerët janë të ftuar të kthehen për një “festë” të madhe demokratike ku mungon vetëm lodra si në kohën e zgjedhjeve 100 për qindëshe. 

Tani, me mundësinë për të votuar, diaspora ka shansin të shprehë shqetësimet e saj. Ndaj, le të shpresojmë që partitë politike të fillojnë të ndiejnë “gjakun” e tyre shqiptar nga larg, përndryshe do të kalojmë sërish në fazën e “duam të kthehemi, por si?” – një pyetje që është bërë si ajo e një marrëdhënie të vështirë me ish-in tuaj. Dhe tani që diaspora do të votojë, politikanët do të duhet të kalojnë nga “përmendja e diasporës” në “përgjegjësia ndaj diasporës”. Të gjitha ato vite të ngushëllimit me “sikur të ktheheshin” do të zëvendësohen me “si do t’i bëjmë ata të kthehen për të votuar?”

Por kujdes. Patronazhistët, siç dihet, nuk ndalojnë përpara asgjëje kur bëhet fjalë për të garantuar votat. Tani, në këtë skemë të re, ata do të angazhohen për të “krehur” listat e votuesve të diasporës, duke e bërë një punë “më të lehtë” përmes familjarëve që kanë në Shqipëri. Imagjinoni situatën: një djalë në Londër merr një mesazh nga mamaja e tij në Shqipëri: “O bir, përveçse ndihmon me para, të lutem, jep edhe adresat e shokëve për të votuar për PS-në!”

Qëllimi është i thjeshtë: të krijojnë një infrastrukturë patronazhuese që do t’i japë mundësi Ramës të kontrollojë votat e shqiptarëve jashtë, të mbledhë informacion dhe, sigurisht, t’i bëjë ata të ndihen si në një reality show ku secili duhet të luajë rolin e tij. “Dhe kush do të thotë jo?” pyet një patronazhist, i kapur mes detyrave dhe kafeve të mëngjesit.

Megjithatë, është një skenë e vështirë. Vendi i punës, biznesi dhe policia janë armët më të forta për të mbajtur të nënshtruar votuesit në vend. Tani do të përpiqen të zbatojnë të njëjtin model edhe për ata që jetojnë jashtë, duke u nisur nga një hap i vogël: përmes vizitave, thirrjeve telefonike dhe mesazheve të rregullta nga Shqipëria, ata shpresojnë të rrisin presionin dhe “ndikimin” në votat e diasporës.

Pjesëmarrja masive në zgjedhjet e vitit 2025 do të jetë një mundësi për t’u siguruar që zëri i diasporës të jetë pjesë e agjendës politike. Duke e marrë seriozisht këtë mundësi, shqiptarët jashtë vendit mund të transformojnë në “Lëvizje për Zhvillim”.

E gjitha kjo ndodh në një kohë kur opozita po përpiqet të kuptojë se si t’i japë zë shqetësimeve të popullit. Ndërkohë, Rama është në një garë me kohën për të ndërtuar një sistem që do të mbajë nën kontroll votat e shqiptarëve në mërgim, duke marrë parasysh se efektiviteti i tij do të varet nga sa mirë do të arrijë të ndërtojë lidhje me familjarët në Shqipëri.

Në përfundim, kjo lëvizje e PS për diasporën është një shenjë e qartë se askush nuk do të jetë i sigurt nga grushti i zgjedhjeve, qoftë brenda vendit apo jashtë tij. Për sa i përket të ardhmes, të gjithë jemi të ftuar në këtë skenë teatrale “të madhe” ku vota është thjesht një kartë, dhe ata që e mbajnë në duar janë patronazhistët e Edi Ramës. Por, siç thonë: “Nuk ka asnjëherë kaq shumë vetëbesim pa pak tragjedi!”

Po pse qeveria shqiptare hapi një zyrë të posaçme për monitorimin e emigrantëve?

Sepse ata e kuptuan se “patronazhi” funksionon më mirë kur ju kontrolloni me zoom votuesit tuaj, edhe nga distanca! Ndaj këta kanë marrë emrin patro-zooma.

Nuk mbetet gjë tjetër veçse të shpresojmë që në këto zgjedhje, politikanët të mos harrojnë të bëjnë pyetjen e madhe: “Çfarë do të ndodhte nëse shqiptarët do të votojnë lirshëm?”.

Pra, mos e humbisni këtë mundësi, diaspora! Votoni …

Filed Under: Opinion

KARDINALI SHQIPTAR ERNEST SIMONI – “MARTIR I GJALLË” I DIKTATURËS KOMUNISTE VIZITON SHTETET E BASHKUARA

October 10, 2024 by s p

             

Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium with a flag

Description automatically generated

Kardinali Ernest Simoni (Troshani) — i cili vuajti burgimin, persekutimin dhe kërcënimet me vdekje për më shumë se 28 vjet gjatë regjimit sllavo-komunist në Shqipëri — ishte i pranishëm të djelën që kaloi në kishën katolike shqiptaro-amerikane, “Zoja e Shkodrës”, në Nju Jork. Kardinali shqiptar, ndonëse në moshë të shkuar 95-vjeçare, celebroi dy meshë në kishën shqiptare dhe u prit nga qindra besismtarë që kishin ardhur për të takuar “matirin e gjallë” dhe dëshmitarin e vuajtjeve dhe persekutimeve të regjimit komunist të Enver Hoxhës. 

Eminenca e tij, Kardinal Simoni u prit me nderime nga famullitari i kishës “Zoja e Shkodrës”, Dom Pjetër Popaj ndërsa është përshëndetur nga shumë besimtarë që kishin ardhur për të takuar klerikun e lartë shqiptar, i cili edhe sot, sipas Papa Françeskut, është simbol i vuajtjeve të burgjeve komuniste, “vazhdon të dëshmojë dhe të punojë për Kishën, pa u shkurajuar”.  Pas celebrimit të dy meshëve në kishën e parë katolike shqiptare në Amerikë, për nderim të vizitorit të lartë, u shtrua një drekë nga Keshilli i kishës në Qëndrën Nënë Tereza të Kishës Zoja e Shkodrës,  në Nju Jork.  Kardinali Ernest Simoni shprehu kënaqësinë e tij për mundësinë e takimit me komunitetin katolik shqiptar në Nju Jork, duke bekuar më në fund, besimtarët e mbledhur aty, të cilët i uruan atij ditëlindjen me një tortë të rastit dhe me urimin — “Zoti e bekoft Kardinalin tonë” — në prag të 96-vjetorit të lindjes — vizitorit të lartë nga Evropa dhe dëshmitarit të gjallë të vuajtjeve dhe persekuitmeve të klerikëve të pafajshëm nga regjimi komunist sllavo-aziatik i Enver Hoxhës.

Para se të shkonte për vizitë dhe shërbime fetare në kishën Zoja e Shkodrës në Nju Jork, Kardinal Ernest Simoni ka marrë pjesë në ceremoninë e ndarjes së diplomave studentëve të Universitetit Saint Leo, një kolegj i urdhërit jezuit në qytetin Tampa të shtetit Florida. Para të diplomuarve të këtij universiteti, Kardinali shqiptar mbajti një fjalim të rastit dhe ofroi bekimin për të diplomuarit. Kardinali Simoni vizitoi edhe qytete të tjera si Jacksonville të Floridës për tu takuar me bashkatdhetarët e vet.  Është vërtetë e mrekullueshme që Kardinal Simoni, ndonëse në prag të 96-vjetorit të lindjes është aq aktiv dhe siç duket mirë me shëndet sa që mund të udhtojë përtej oqeanit, madje edhe në Amerikën e largët dhe të marrë pjesë në aktivitete të ndryshme fetare e shoqërore. 

Ndonëse kanë kaluar pothuaj 35-vjet nga lirimi i tij nga burgjet komuniste, emri i Ernest Simon (Troshanit) nuk njihej aq shumë, sidomos nga brezi i ri i shqiptaro-amerikanëve, por ndoshta as në Shqipëri, përveç një rrethi të ngusht, ndoshta. E ndërkombtarisht, ai nuk njihej fare, deri në shtator të vitit 2014, kur Papa Françesku vizitoi Shqipërinë, vizita e tij e parë në një vend të Evropës, si udhëheqës i Kishës Katolike Universale. Gjatë asaj vizite, Papa Françesku takoi, ndër të tjerë vuajtës të komunizmit edhe Dom Ernest Simonin, nga i cili dëgjoi me shumë vëmendje dëshminë e tij të vuajtjeve nën regjimin komunist – ndërsa, me lotë në sy, e cilësoi në atë kohë, Dom Ernest Simonin, si “martir dhe shenjtë i gjallë”.  

Dy vjet pas vizitës së tij në Shqipëri, Papa Françesku i ka dhenë Dom Ernest Simonit titullin kardinal duke e ngritur atë në nivelin më të lartë të Kishës Katolike. Ernest Simoni (Troshani) e ka thenë shpesh herë se emërimin kardinal nga Papa Françesku e konsideron si një nderim për të gjithë martirët dhe katolikët e përndjekur në Shqipërinë komuniste, me ligj të vet-shpallur ateiste, kundër Zotit. I tillë ishte edhe emrimi i kardinalit të parë shqiptar në histori nga Papa Gjon Pali II, në vitin 1994, klerikun e njohur por shumë të vuajtur, Mikel Koliqi (1902-1997), bashk-qytetari i Ernest Simonit nga Shkodra edhe ai, i burgosur për 31 vite të jetës së tij në burgjet komuniste të Enver Hoxhës.

Papa Françesku, ashtu si edhe Papa Gjon Pali i II nuk kanë munguar kurrë së përmenduri vuajtjet dhe krimet e komunizmit në Shqipëri kundër një populli të pafajshëm të zenë rob në vendin e vet. Ashtu ndodhi edhe në fillim të këtij viti (shkurt 2024) që gjatë një audience publike në Vatikan për vizitorë dhe udhëheqës fetarë nga mbarë bota, ndërsa ka folur për martirët e fesë në të kaluarën, Papa Françesku përmendi në mënyrë të veçant Kardinalin shqiptar Ernest Simonin i cili ishte aty i pranishëm, duke thenë se edhe sot ka shumë martirë të persekutuar të fesë e të ardheut, në mbarë botën duke përmendur rastin e Ernest Simonit: “Më lejoni të përshëndes në mënyrë të veçantë një martir të gjallë. Ai, si meshtar, përjetoi 28 vjet burg, në burgun komunist të Shqipërisë, ndoshta persekutimi më mizor, më mizor”, nënvijoi Papa Françesku. Sot kardinali shqiptar, “vazhdon të japë dëshmi…Tani, është 95 vjeç e vazhdon të punojë për Kishën, pa u shkurajuar. I dashur vëlla, të falënderoj për dëshminë tënde. Faleminderit!”, i është drejtuar Papa kardinalit shqiptar, Ernest Simonit, para një audience të vizitorëve nga mbarë bota, shkurtin që kaloi në Vatikan ndërsa ka folur para një audience ndërkombëtare për vuajtjet e klerikëve por edhe për persekutimet si rradhë kund në botë, në “burgun më mizor” komunist në Shqipëri — për të gjithë, pa dallim dhe pa përjashtim.

Kanë kaluar pothuaj 35-vjet nga shembja e Murit të Berlinit dhe nga koha kur bota Perëndimore demokratike festonte fitoren mbi komunizmin ateist, duke harruar shpejt krimet kundër njerzimit që ajo ideologji solli mbi mbarë botën shekullin e kaluar e që në disa vende të botës, në emër të komunizmit, krimet dhe vuajtjet e atyre që nuk pajtohen me të, edhe sot. Prandaj me të drejtë, disa analistë dhe komentues, por edhe ente dhe organizata shoqërore, kanë arsye të shqetësohen se shumë persona dhe regjime në vendet ish-komuniste – me kalimin e kohës — po i harrojnë shumë shpejt të këqiat dhe krimet e komunizmit ndaj personave të pafajshëm, siç është kardinali shqiptar Ernest Simoni. Jo vetëm që shoqëria në përgjiithsi, por siç duket as shteti e qeveritë “post-komuniste” nuk dëshirojnë të përballen me të kaluarën komuniste. Në nivel zyrtar në Shqipëri, është e qartë se nuk duan të merren aspak me krimet, vuajtjet dhe persekutimet më mizore të regjimit komunist në Shqipëri ndaj personave siç është Kardinal Ernest Simoni. Por, çfarë është edhe shumë më keq, gjatë viteve të fundit, në Shqipëri vihen re përpjekje aktive zyrtare dhe mbështetje në heshtje të asaj që Kisha Katolike shqiptare ka cilësuar si përjetësim i komunizmit dhe i simboleve të tij në atë vend, duke kërkuar nga ana e saj si ent fetar, dënimin e “apologjisë së komunizmit”.  

 Frank Shkreli: Kërkohet dënimi i “Krimit të Apologjisë” të Komunizmit në Shqipëri | Gazeta Telegraf

Prej më shumë se tre dekadash të ashtuquajturit “tranzicion” politik — autoritetet zyrtare në Tiranë refuzojnë të njohin dhe të dënojnë krimet më mizore e barbare të komunizmit në Shqipëri. Heshtja e vazhdueshme dhe refuzimi i klasës politike shqiptare — pozitë dhe opozitë — për t’u përballur me të kaluarën kriminale komuniste në vend dhe për të dënuar krimet e komunizmit, ashtu siç ka bërë pjesa tjetër e Evropës ish-komuniste – megjithë kundërshtimet e tyre politike, të pakën në sipërfaqe — duket se është e vetmja gjë që dy partitë kryzesore politike në Shqipëri bien dakort me njëra tjetrën.

Por qëndrimet zyrtare — pozitë dhe opozitë në Shqipëri — për të mos u marrë, zyrtarisht, me krimet e komunizmit më mizor në Evropë e ndoshta në botë, nuk ndalon të tjerët e sidomos viktimat e pafajshme që kanë përjetuar vet krimet e sllavo-komunizmit aziatik, siç është Kardinali Ernest Simoni, t’i tregojnë, jo vetëm shqiptarëve, por të dëshmojnë edhe para botës mbarë krimet e regjimit komunist prej pothuaj gjysëm shekulli në Shqipëri.  Zbulimi i së vërtetës dhe nevoja për t’a dëshmuar atë para botës, detyron sot një klerik katolik shqiptar – siç është Kardinali Ernest Simoni, që për më shumë se 25 vite me radhë ka bërë punë të detyrueshme në tunelet e errta të minierës së Spaçit dhe më pas, në kanalizimet e Shkodrës – që në prag të 96-vjetorit lindjes së tij – të udhtojë matanë oqeanit për të dëshmuar dhe për të treguar të vërtetën e krimeve të komunizmit në Shqipëri. Zoti t’i falë shëndet Kardinal Ernest Simonit që të vazhdojë misionin e tij në shërbim të së Vërtetës historike dhe Drejtësisë. 

Siç e kam thenë shumë herë në të kaluarën, po e prësiris edhe njëherë, se pa dënimin zyrtar të krimeve të komunizmit dhe pa distancimin serioz të Shqipërisë nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, aktualiteti politik dhe zhvillimet në vend po tregojnë, se rrugëtimi euro-atlantik i Shqipërisë, jo vetëm që ka marrë një rrugë, historikisht të gabuar, por për fat të keq, ai rrugëtim nuk është më as i sigurtë dhe as i besueshëm nga vet shqiptarët, por as nga miqt e Shqipërisë dhe të shqiptarëve.

Frank Shkreli

May be an image of 9 people and text

      Fotot nga faqja e “Our Lady of Shkodra” — Credit Vilson Lleshaj

May be an image of 1 person and text
May be an image of 3 people, the Basilica of the National Shrine of the Immaculate Conception and text
Pope Francis with Cardinal Simoni following the General Audience

            Papa Françesku: “Vëlla i dashur, të falënderoj për dëshminë tënde”.

Filed Under: Opinion

Festivali i XXXII Shqiptar zhvillohet më 26 tetor 2024 në New York

October 9, 2024 by s p

Festivali i XXXII Shqiptar zhvillohet më 26 tetor 2024 në New York

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 72
  • 73
  • 74
  • 75
  • 76
  • …
  • 864
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Një Moment Historik për Komunitetin Shqiptar në Chicago
  • Dom Kelmend Spaqi, in memoriam…
  • “Këngë të përshpirtshme të kolonive shqiptare në Sicili”- Giuseppe Schirò
  • “HEDH NJË KAFKË TE KËMBËT TUAJA”!
  • 5th Annual Gjergj Kastrioti Skenderbeu Street Fair
  • E premtja e Gjuhës Shqipe — Një mision përtej oqeanit
  • MËKATET E ZONJËS EMA
  • GAZETA “DIELLI” SYRI I DRITËS SË SHTYPIT SHQIPTAR NE AMERIKË
  • Banda “Vatra” në kontekstin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane dhe ndërtimit të identitetit kombëtar shqiptar
  • Kullat e familjeve të mëdha patriotike si objekte të trashëgimisë historike
  • ALARM SIGURIE DHE NDËRGJEGJËSIMI KOMBËTAR
  • Edith Durham – Shqiptarët dhe serbomalazezët në 1910-1912
  • Public Statement from VATRA
  • “Universi Biblik” si pasuri e Muzeut të Artit Mesjetar
  • Lavdi përjetë martirëve të 2 prillit!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT