Alma Papamihali, mësuese në shkollën shqipe “Iliria” me qendër në Aschaffenburg të Gjermanisë, rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, New York, ruajtjen e identitetit kombëtar, historisë, gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare në Aschaffenburg të Gjermanisë, nëpërmjet mësimit të gjuhës shqipe, historisë, traditës e kulturës shqiptare dhe aktiviteteve patriotiko-kulturore. Me mësuesen Alma Papamihali bisedoi editori i “Diellit” Sokol Paja.
HISTORIKU I SHKOLLËS SHQIPE NË ASCHAFFENBURG
Shkolla jonë ka filluar si një etje për vendin dhe gjuhën tonë. Duke ruajtuar gjuhën e mëmës, t’i ndihesh vetvetja, nuk ndihesh i cunguar, por i plotë, sidomos shpirtërisht. Duke qene se donim fillimisht t‘ju mësonim fëmijëve tanë gjuhën shqipe, jo vetëm në të folur, por edhe me shkrim, t’ju mësonim recitime, pak gjeografi etj, u krijua shkolla shqipe “Iliria” me qendër në Aschaffenburg të Gjermanisë. Si pikënisje e saj, është fundi i vitit 2008, fillimi i 2009-tës. Mësimi zhvillohet një herë në javë, çdo të shtunë. Mbaj mend që fillimet tona kanë përkuar dhe me hapjen e e shkollave shqipe në New York, nga çifti Kozeta & Qemal Zylo, si dhe shkolla shqipe në Parma, me iniciatoret çiftin Durim & Elvira Lika. Më pas u hapën edhe mjaft shkolla të tjera dhe sot fatmirësisht ato janë shtuar aq shumë, saqë është vërtetë për t‘u krenuar për rëndësinë e dhënë ndër vite.
BASHKËPUNIMI ME PRINDËRIT DHE MBËSHTETJA NGA QENDRA E BOTIMEVE PËR DIASPORËN
Si fillim materialet kanë që ato të shkollave fillore në Shqipëri, të marra privatisht nga ne. Më vonë dhe sidomos vitet e fundit, kemi një bashkëpunim të rregullt me Qendrën e Botimeve për Diasporën, dhe materialet kryesore i marrim kryesisht prej tyre. Tre nivelet e përgatitura sipas moshave përkatëse të fëmijëve, përmbledhin tematikat kryesore siç janë: Identiteti ynë, familja ime, koha e lirë, festa të larmishme, që përfshihen tek një kulturë e përgjithshme etj. Gjithsesi përveç këtyre materialeve, një ndihmë e madhe, është edhe kontakti mes kolegësh, shkëmbimi i eksperiencës etj. Nuk do lija dot pa përmendur këtu, punën e palodhur të mësueses Etleva Mançe, e cila herë pas here na “ushqen” me materiale dhe ide plotësuese, duke na dhënë një ndihmë që është për t’u vlerësuar. Gjithashtu unë përdor edhe krijime për fëmijë, që shpesh i shkruaj enkas për ta. Bashkëpunimi me prindërit është do thoja, vendimtari. Pa prindër të ndërgjegjësuar, gjithçka që themi e flasim këtu, do ishte e pamundur. Gjithnjë i falenderoj kur sjellin dhe marrin fëmijët nga shkolla njëherë në javë. Ata janë suksesi i fëmijëve të tyre. Ose më saktë, roli kryesor, pa të cilët do ishte e pamundur ardhja e fëmijëve në të tilla shkolla kudo nëpër botë.
MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI FORMË E RUAJTJES SË IDENTITETIT KOMBËTAR TË SHQIPTARËVE NË GJERMANI
“Gjuha ruhet, aty ku shkruhet…” ka qenë motivi ynë. Sepse indirekt, kur ke mbajtur gjuhën gjallë, ke mbajtur identitetin tënd. Kjo ka vlerë kudo ka shqiptarë dhe nuk ndryshon qoftë në Gjermani, Amerikë, Francë apo kudo në botë.
SHOQËRIA GJERMANE PËRKRAH MËSIMIN SHQIP
Shoqëria gjermane është mjaft tolerante dhe e hapur. Për ta, integriteti i të huajve në shoqërinë gjermane, është vërtetë shumë i rëndësishëm. Por nga ana tjetër, ata me studimet e tyre kanë arritur në përfundimin që gjuha e mëmësisë, është shumë e rëndësishme në rolin që luan në bazën e formimit të një fëmije. Ndaj ne kemi gjetur mbështetjen e duhur. Kontributi i komunitetit shqiptar siç e përmenda edhe me lart, është ai që mbështet gjithë rrugëtimin tonë. Ne jemi një komunitet kulturdashës, dhe mbi të gjitha shumë krenarë për origjinën dhe arritjetet tona.
MËSIMDHËNIE PËRMES TEKNOLOGJISË, VËSHTIRËSITË NË MËSIMDHËNIE ME FËMIJËT ME DY GJUHËSI
Teknologjia ka sjellë shumë përparësi siç e dimë të gjithë. Gjithsesi kjo nuk i pakëson vështirësitë që ka mësimdhënia me fëmijët dygjuhësh. Duhet një punë me durim dhe shumë dashuri. Të dyja këto, t’i jep vetem pasioni dhe dashuria që ti ke për atë që bën. Dhe sidomos kur e gjitha kjo, kryhet në punë vullnetare. Pra duhet një motivacion dhe qëllim shumë i fortë, që ti ta kryesh këtë punë. Ndaj nëse motivacioni, pasioni, dashuria për vendin do të mungonin, edhe teknologjia më e avancuar nuk mund të realizonte atë që t’i pret.
EFEKTI QË KA PASUR TE FËMIJËT NË RRITJEN E NDJENJËS PATRIOTIKE MËSIMI I GJUHËS SHQIPE
Efekti është i mrekullueshëm. Fëmijët fillimisht, lidhen gjithnjë e më shumë me njëri – tjetrin. Ata ndihen mes tyre si një familje. Nëpërmjet gjuhës, ata sikur ndiejnë mes tyre që i lidh edhe diçka tjetër edhe më e madhe, disi e pashpjegueshme me shumë fjalë, por dashuria për atë vend të bukur, për të afërmit e tyre, sa vjen e shtohet. Një ndikim magjik do të shtoja, që mundet ta realizojë vetëm gjuha. Ata shkojnë e vijnë në pushime në vendlindje dhe kur kthehen i tregojnë njëri-tjetrit mbresa me shumë dëshirë.
KUSH ËSHTË MËSUESE ALMA PAPAMIHALI?
Unë jam që nga fillimi mësuesja e kësaj shkolle, e cila funksionon njëherë në javë dhe më jep mundësinë ta bëj vullnetarisht diçka të tillë. Unë jam lindur dhe rritur në Tiranë. Përveç vështirësive që kishte dikur jeta në kohën e komunizmit, fëmijëria ime ka qenë shumë aktive në aspektin kulturor. Dhe kjo më ka veshur shumë shpirtërisht, sepse jam rritur në skenën e Pallatit të Pioniereve të dikurshëm, me shumë art dhe muzikë. Këtë përvojë artistike nga njëra anë, dhe përvojën letrare si poete në anën tjetër, mundohem ta vë në funksion të shkollës sonë. Ndër të tjera, siç përmenda, krijimtaria ime, është shpesh pjesë e programeve të ndryshme që ne organizojmë me rastin e 28 Nëntorit, festës së nënës, apo të tjera raste të tilla. Fëmijët mësojnë vargje përmendësh, por dhe recitojnë në skenë me plot dashuri dhe përkushtim. Këta fëmijë janë shndërruar për mua, në një muzë të vazhdueshme dhe motivim të jetës. Së fundmi, ne ishim me grupin e të rinjve pjesëmarrës të një aktiviteti mes kulturave të vendeve të ndryshme në qytetin tonë, që organizohet në verë. Ky ishte aktiviteti që mbylli këtë verë, në pritje të rifillimit të shkollës, përsëri në shtator. Ndër të tjera një falenderim edhe për Qendren e Botimeve dhe znj. Hysi të cilët kanë bërë njoftimin në kohën e duhur për materialet dhe librat e ardhura në shtetet përkatëse për fëmijët.