• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

HASHIMI DO TE LESHOJE PE’

June 23, 2014 by dgreca

Opinion nga Faik KRASNIQI/Prishtine/
Me gjithë respektin për baroneshën Ashton, por Qeveria e ardhshme s’mund t’i vazhdojë bisedimet me Serbinë në këtë mënyrë. Nënshkrimet e marrëveshjeve me Serbinë nga Qeveria Thaçi pa u implementuar asnjëra në praktikë, ka lënë pasoja të mëdha. Këto pasoja u panë gjatës protestës në Mitrovicë, ku mbetën të lënduar me dhjetëra policë dhe qytetarë të Kosovës. Qeveria e Serbisë deri më tash nuk e ka zbatuar asnjë marrëveshje që ka arritur me Qeverine e Kosovës, e për këtë është fajtore qeveria Thaçi që ka nënshkruar çdo marrëveshje pa e analizuar mirë dhe hyrja në bisedime pa asnjë kusht, kurse Serbia edhe pse ishte agresori, u futë në bisedime me qindra kushte. Është dashur që pas çdo marrëveshje të zbatohet në praktikë, e pastaj të bisedohet për marrëveshjet e tjera. Qeveria e ardhshme që do të udhëhiqet nga koalicioni LDK-AAK-NISMA, mundësisht edhe VV-ja, do t’i harmonizojë marrëveshjet, e jo të nënshkruaj çdo marrëveshje siç bënte Qeveria në largim, sepse mosimplentimi i tyre në praktikë do të jenë shumë të dëmshme për të ardhmen e Kosovës dhe sovranitetin e saj. Koalicioni LDK-AAK-NISMA do t’i vazhdojë bisedimet, por s’do ti bëj këto gabime siç ka bërë qeveria në ikje e kryeministrit në ikje, Hashim Thaçi.

Koalicioni me PDK nuk është i shëndoshë!

Me gjithë respektin zonja Pack, por nëse ia do të mirën Kosovës, për një milion arsye koalicioni me PDK-në nuk është në të mirë të Kosovës! Nuk mund të jetë koalicion i shëndoshë dhe i mirë për Kosovën, me një parti si PDK–ja që gjatë dy mandateve e solli vendin në këtë gjendje të rëndë.
Me një parti që e degradoi Kosovën. Me një parti që iu dha hapësirë gangsterëve të partisë të bëjnë çfarë të duan me të. Me një parti që prodhoi me qindra-mijëra skandale kombëtare dhe diplomatike. Me një parti që vodhi dhe shkatërroi çdo gjë. Me një parti që e trajtoi qytetarin e saj si skllav, e veten si skllavopronarë. Me një parti që ia humbi dinjitetin qytetarit të saj. Me një parti që e bëri pushtetin pronë të saj. Me një parti që mbizotëroi familjarizmi.

Thaçi duhet të hapë rrugë!

Thaçi dhe PDK s’mund të ngulin këmbë se kanë dalë partia e parë në zgjedhje dhe vetëm atyre iu takon ta bëjnë Qeverinë, e në këtë mënyrë përmes Gjykatës Kushtetuese të mundohen ta bllokojnë formimin e Qeverisë duke tentuar ta dërgojnë vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme ( gjë që s’do të ndodhë), me shprehjen ”O ne o askush”!
Edhe Pepe Grillo me partinë e tij vitin e kaluar dolën në vendin e parë duke fituar rreth 26% të votave, por meqë asnjë parti nuk donte të futej në koalicion me të dhe partinë e tij, ai nuk arriti ta formonte Qeverinë dhe pasi i kaloi afati prej 15 ditëve sipas ligjit kushtetues, Italia nuk shkoi në zgjedhje të jashtëzakonshme, por iu hap rruga partive tjera për ta formuar Qeverinë. Edhe me Thaçin dhe PDK-në asnjë parti nuk po dëshiron të futet në koalicion për ta bërë Qeverinë, kështu që koalicioni LDK-AAK-NISMA pasi që tashmë veç i kanë bërë numrat për ta formuar Qeverinë, vendi nuk ka nevojë të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme. Thaçit nuk ka i ka mbetur zgjidhje tjetër, veçse t’i hap rrugën koalicionit LDK-AAK-NISMA për formimin e Qeverisë.

Filed Under: Opinion Tagged With: faik Krasniqi, HASHIMI DO TE LESHOJE PE'

Tifozat më të mirë në botë

June 22, 2014 by dgreca

Nga Uk Lushi/New York/
Çdo katër vjet kur fillon dhe derisa mbaron Kampionati Botëror i FIFA-s në Futboll planetin tonë e përfshijnë ethe të këndshme gare dhe vapa e verës bëhet disi më e durueshme se zakonisht. Botërori 2014, që po mbahet në atdheun e pyllnajës më të madhe në botë Amazon, është në udhë të mirë të jetë ndër më të bukurit e të gjitha kohërave. Si asnjëherë më parë në konkurrimin për kupën më të dëshirueshme në futbollin e shteteve marrin pjesë nëntë shqiptarë ose 81.82 për qind e një ekipi në fushën e blertë. Bashkëkombësit tonë përfaqësojnë Zvicrën, Belgjikën, Gjermaninë dhe Greqinë, ndërkaq që Kombëtarja jonë nuk ka arritur të kualifikohet. Prania e kaq shumë shqiptarëve dhe mungesa e skuadrës sonë kombëtare në turneun më me prestigj është një lloj ndjenje ku përplasen fuqishëm shija e ëmbëlsisë dhe hidhësisë. Por, pavarësisht kësaj dhe faktit që djemtë tanë në Brazil nuk kanë mundur apo dashur të luajnë për ne, ata duhet të përkrahen pa rezervë, sepse në Brazil ata megjithatë përfaqësojnë edhe shqiptarët.
Sigurisht që cilësia e lojtarëve luan rol parësor në sukseset e një skuadre, mirëpo, siç po dëshmon edhe ky Botëror, lojtari i 12-të apo tifozët e kombëtareve kanë një rëndësi gati aq të madhe sa futbollistët. Simpatizuesit brazilianë të “Seleção”, italianë të “Azzurri”, gjermanë të “Die Mannschaft”, argjentinas të “La Albiceleste”, francezë të “Les Bleues”, kolumbianë të “Los Cafeteros”, koreanë të “Tageuk”, amerikanë të “The Yanks”, meksikanë të “El Tri”… apo holandezë të “Oranje” këto ditë të nxehta në stadiumet e Brazilit janë duke mbështetur klubet e tyre nacionale në mënyrë madhështore. Por unë mendoj që ne shqiptarët në realitet kemi tifozë më të mirë se çdo kombëtare e kampionatit Brazili 2014, e bile edhe në botë. Pse?
Nuk besoj që ka shqiptar(e) që nuk i kujtohen momentet emocionale ndërsa në ndeshjen me Ukrainën me 9 shkurt 2005 në Tiranë simpatizuesit e Kombëtares të njohur si Tifozat Kuq e Zi (TKZ) shpalosin flamurin kombëtar më gjigant në një stadium ndonjëherë. Flamuri pas takimit u transportua me aeroplan në Prishtinë dhe iu dhurua familjes së heroit Adem Jashari. Ishte një rast i paparë. Fansat kuqezi të Shqipërisë ka më shumë se një dhjetëvjeçar që tregojnë përkrahjen e pakompromis për Kombëtaren, qoftë në fitore qoftë në momente ligështimi. Në fillim ishin një grusht— Antoni, Artori, Burimi, Faruku, Valentini, Dardani, Fatosi, Fitimi, Luani, Fisniku dhe dy-tri toga çunash dhe çupash entuziastë. Sot janë me mijëra e mijëra.
Tifozat Kuq e Zi funksionojnë si orë zvicerane, edhe pse nuk kanë kryetar apo kryesi, por vetëm grupe punuese. Ekonomikisht janë të qëndrueshëm dhe të pavarur sepse vetëfinancohen. Globalisht shtrihen në krejt planetin sepse, përveç hapësirës shqiptare në Ballkan, kanë përfaqësues në secilin kontinent. Vështirë mund të gjesh simpatizantë të një kombëtareje tjetër ku dashamirët e saj të flaktë kanë ndihmuar Federatat e tyre të Futbollit duke përcjellur dhe kontaktuar futbollistë me potencial nëpër botë për t’ ja rekomanduar Zyrës së Talenteve e cila i ka lutur të luajnë për mëmëdheun. Si rezultat Kombëtarja ka zinxhirin U17, U19 dhe U21 më të fortë se kurrë dhe me lojtarë nga të gjitha trevat shqiptare dhe Diaspora. Tifozët e Shqipërisë kanë ditur të jenë edhe kritikues si p.sh. kur kanë arritur që të ndikojnë largimin nga posti për rezultate të dobëta të trajnerit të U21, Artan Bushati, dhe vendosjen e Skënder Gegës në vend të tij. Në këtë aspekt ata duhet të vazhdojnë të jenë kërkues edhe ndaj patronizimit të FSHF-së prej disa personave që janë ulur aty dhe klloçitin pa bërë asnjë ve.
Vizionariteti dhe mençuria e djemve dhe çikave të TKZ-së është vënë re edhe kur ata nuk kanë kundërshtuar anëtarësimin e shtetit të Kosovës në FIFA dhe UEFA si strategji për krijimin e një Kampionati dhe Lige Mbarëshqiptare të Futbollit, e cila do të forcojë konkurrencën, ngrit kualitetin dhe përgatitë lojtarë kulminantë për Kombëtaren e Shqipërisë dhe Përfaqësuesen e Kosovës. Tash, pasi që Republika e Kosovës është lejuar të luajë miqësore në arenën botërore, Tifozat Kuq e Zi duhet masivisht të pushtojnë stadiumet ku loz ekipi ynë i dytë dhe aty të valëvisin flamurin tonë kombëtar krahas atij shtetëror të Kosovës.
Futbolli është sporti më popullor në botë me rreth 3.5 miliardë fansa, një miliard më shumë se sa kriketi dhe një e gjysmë se sa hokeji. Në dy kampionatet e fundit të FIFA-s, në Gjermani me 2006 dhe Afrikë të Jugut 2010, vetëm audienca televizive ishte 30 dhe 40 miliardë shikues respektivisht. Ndeshjet e kampionatit në Brazil pritet që deri pas finales me 13 korrik të shikohen nga afër 50 miliardë njerëz. Nuk duhet shumë të menduar për të realizuar se sa signifikante janë futbolli dhe pjesëmarrja e një kombi në një Botëror.
Tifozat Kuq e Zi kanë treguar që janë legjislatorët sportiv të popullit shqiptar dhe një dimension i dalluar i kulturës sonë. Futbolli shqiptar pa këta tifozë shembullorë nuk do të ishte dhe nuk do të jetë i suksesshëm maksimalisht. Siç e thonë tifozët vetë: të jesh anëtar i TKZ-ve nuk ke nevojë për rezervim hoteli sepse kudo që do të udhëtosh, sidomos në vendet shqiptare, do të kesh shokë apo shoqe që do të të ofrojnë kulm mbi krye, bukë e kryp, e shumë zemër. Kombi ynë duhet të sheh të shkëlqyeshmit në mesin tonë, pranoj të arriturat dhe t’u bashkohet atyre që tregojnë sukses. Të gjithë, dikush direkt e dikush indirekt, duhet të bëhemi pjesëtarë të Tifozava Kuq e Zi, këtij grupi të shqiptarëve të mrekullueshëm, dhe të përkrahim Kombëtaren tonë që të kualifikohet për Kampionatin e ardhshëm Botëror të Futbollit me 2018. Atëherë, në vend të animit herë për një komb e herë për një tjetër, do të mund të bëjmë tifo për kombin tonë dhe Tifozat Kuq e Zi do të mund të demonstrojnë se janë tifozët më të mirë në botë ndërsa stadiumet e Rusisë do të mbushen me jehonën e thënies inspiruese: “O sa mirë me qenë Shqiptar, o hej!”
ulushi@msn.com

Filed Under: Opinion Tagged With: më të mirë, ne bote, Tifozat, Uk Lushi

Replikë hirësisë së tij z.Anastasit

June 21, 2014 by dgreca

Hirësia e tij gënjeu për Sinodin e Shenjtë, por a mund t’u tregojë besimtarëve bisedën që ka patur me presidentin e Serbisë Tomislav Nikoliç?/
Nga Arben LLALLA/
Ne FOTO: Tetor, 2013, Anastasi me Presidentin Serb Nikolic/
Më 15 Qershor, në meshën e së dielës Kryepeshkopi i Shqipërisë Hirësia e tij Anastasi, shprehu indinjatën rreth shkrimeve dhe mendimeve të lira në mediet për takimin e 1 Qershorit në bekimin e Katedrales “Ngjalljes së Krishtit”. Gjatë meshës z.Anastas deklaroj se: “Ishte një ngjarje unikale nga ana historike. Nuk kishte ndodhur për 20 shekuj qëkur këtu ka ekzistuar kisha…”, pra fjalën e ka se prej 20 Shekuj asnjëherë Sinodi i Kishës Ortodokse nuk qenka mbledhur i tëri bashkë. Kjo është një gënjeshtër e madhe që Kryepeshkopi i Shqipërisë e tha në kishë, në shtëpinë ku përcillen lutjet për ZOTIN. Në një shkrim që kam botuar vetëm disa ditë pas Shenjtërimit të Katedrales “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë, solla fakte të pamohueshme se Sinodi i Shenjtë është takuar disa herë në të tilla raste si në Tetor 2013, në Serbi dhe Mal të Zi. Me shkakun e indinjatës që shprehur z.Anastas Janullatos do të sjellë fakte të tjera ku Sinodi i Shenjtë Ortodoks është mbledhur disa herë i gjithë bashkë.
Takimi më i afërt ka qenë në Stamboll nga 6-9 Marsi 2014. Për disa ditë Patriarku Ekumenik Vartholemeu drejtoj këtë takim disa ditor për programin e kishës ortodokse nga Shtatori i 2014-2016. Në këtë takim si gjithnjë merrnin pjesë të gjithë përfaqësuesit e kishave ortodokse të Sinodit si Patriarku Ikumenit me qendër në Stamboll, Vartholomeu, Patriarku i Jeruzalemit, Theofil i III, Patriarku i Rumanisë, Danieli, Patriarku i Aleksandris, Theodhoros, Patriarku i Serbisë, Irinej, Patriarku i Moskës, Kirilos, Patriarku i Bullgarisë, Neofitos, Patriarku i Gjeorgjisë, Ilias, Kryepeshkopi i Greqisë, Jeronimin, Kryepeshkopi i Qipros, Krisostomin, Kryepeshkopi i Shqipërisë, Anastasi, dhe Peshkopi i Varshavës dhe i Polonisë, Sava. Në këtë Kuvend i Sinodit Ortodoks u diskutuan çështje të rëndësishme rreth gjendjes së vështirë të ortodoksëve në Katar, që llogaritet rreth 250 mijë, Siri, Palestinë, Egjipt dhe Liban. Në përfundim të këtij takimi që njihet si Kuvendi i Sinodit të Shenjtë të Kishës Ortodokse të Botës u vendos që Kuvendi i ardhshëm të mbahet në vitin 2016, në Stamboll. Deri atëherë komisionet e Sinodit të Shenjtë do të takohen në Shtator 2014 për të përfunduar projektet deri në Pashkët e 2015.
Sinodi i Shenjtë i Ortodoksisë Botërore është mbledhur në Kuvende të Përgjithshme fill pasi në krye të Ekumenik të Stambollit u zgjodh Vartholomeo në vitin 1991 dhe me iniciativën e tij për të treguar Unitetin e Kishës Ortodokse Botërore ai thirri Kuvendin e Përgjithshëm të Sinodit të Shenjtë të kësaj kishe në 1992, Stamboll, Shtator të 1995, në Patmo me rastin e 1900 vjet nga zbritja e Joanit (Gjonit), më 30 Shtator të 1998, në Sofie, në Janar 2000, në Jerusalem, me rastin e 2000 vjetorit të lindjes së Krishtit, në Dhjetor 2000, në 2005, 2008 dhe 2011 në Stamboll, etj.
Pra, pretendimet se pas 20 shekuj, Sinodi i Shenjtë i Kishës Ortodokse u mblodh për herë të parë në 1 qershor 2014, në Tiranë është një gënjeshtër e madhe që e tha Kryepeshkopi i Shqipërisë, hirësia e tij Anastasi. Nëse hirësia e tij hedh poshtë me fakte të forta se këto që shkruaj janë gënjeshtra, unë deklaroj publikisht se do të heq dorë përfundimisht nga profesioni im i historianit dhe i publicisti, bile i ofroj shansin Kryepeshkopit të më pagëzoj ortodoksë nëse vërteton deklaratën e tij me fakte. Në të kundërtën le të heshtë njëherë e përgjithmonë për këtë çështje dhe shumë çështje të tjera që kam shkruar në lidhje me personalitetin e hirësisë së tij z.Anastas, sepse historiani i vërtetë nuk bënë marrëveshje në dëm të historisë reale. Para fakteve edhe vetë ZOTI përkulet.
Në tetor 2013, Kryepeshkopi i Shqipërisë z.Anastas bëri një vizitë disa ditore në Serbi, ai pati takime edhe me shumë politikanë serb, midis tyre dhe presidentin e Serbisë Tomislav Nikoliç. Do të ishte me interes që z.Janullatos të deklarohej rreth këtij takimi sepse ne, shqiptarët jemi të interesuar të dimë nëse kryepeshkopi ynë i parashtroj kërkesën presidentit serb Nikoliç për njohjen e Kosovës nga vendi i tij. A ka patur kërkesë Janullatosi nga Nikoliçi që në disa kisha ortodokse këndimi i meshës të jetë në gjuhën serbe?

Filed Under: Opinion Tagged With: arben llalla, Replikë hirësisë, së tij z.Anastasit

JANULLATOS, I GABUAR NË QËLLIM TË GABUAR !…

June 19, 2014 by dgreca

Nga Rasim Bebo/ Çikago/
Gjatë dy dekadave të fundit, ne shqiptarët, kemi shkelur amanetin kryesor të Fan Nolit: “Ruhuni nga kisha greke, në qoftë se nuk doni t’u bëjë gjëmën”. Dhe prandaj na ka zënë mallkimi i tij. Qeveritarёt tanë ende nuk mbledhin mendjen, por vazhdojnë ti krehin mjekrën e Janullatosit me përkëdheli dhe atij i shtohet oreksi pafundësisht.
Janullatosit i duhet sqaruar, se fondacionet, si Onasis, Niarko, Lacis, Asarqi, Kokalis etj., janë fondacione të kolauduara mirë me institucionet e shtetit grek, të cilët kanë kontribuar gjithmonë në përhapjen e helenizimit. (kutia postare 7456).
Janillatosi është i vetëshpallur dhe qarkullon si një nga njerëzit më të pasur të Shqipërisë, duke e dokumentuar këtë, jo vetëm në botimet kishtare, por duke e gdhendur veten edhe nëpër muret e kishave shqiptare, me pllaka të gurta, gjë e pangjarë kjo në të gjallë. Qarkullon me makinat e blinduara të kryepeshkopit, tok me luksin skandaloz, ku jetojnë e hijeshohen misionarët grekë në Shqipëri… Ky njeri është më i rrezikshëm nga sa e pandehim ne. (Foti Cici, 2006 “Ethet e Janullatosit”).
Prof. Dr. Eshref Ymeri e ka përcaktuar: “Shqipëria ka në krye një kastë tradhtarësh në pushtet dhe në opozitë… Janullatosi është guvernatori faktik në Shqipëri i shovinizmit grekokaragjoz”… Atij nuk i thotë askush ndal, kur do të ngrejë në piedestal armiqtë e Shqipërisë, si shenjtorë dhe heronj të grekut, në tokën Shqiptare.
Këto ditët e fundit është hapur fjala, për ngritjen prej tij, të një monumenti për peshkop Fotin në Korçë. Kur dihet historikisht se peshkop Foti, në bashkëpunim me peshkop Karavangjelin e Kosturit, vranë Papa Kristo Negovanin më 12 shkurt 1905, duke dërguar një bandë për ta masakruar në mes të fshatit bashkë me të vëllanë dhe tre bashkëfshatarë të tjerë. Papa Kristo ishte patrioti i kthyer në symbol të Atdheut, Kombit dhe Gjuhës së tij shqipe. Luftëtari Bajo Topulli, sipas të cilit: “Gjaku i Papa Kristo Negovanit, duhej të merrej me nder e për fitim të gjithë Kombit”. Dhe për këtë i derdhi plumbin peshkop Fotit.
Zhan Klod Faveirial thotë: “…Murgu Kozma, roli i të cilit ka qenë tepër rrënimtar për kombin shqiptar … ky ishte një agjent politik, i cili, duke shkuar nga fshati në fshat, nuk predikonte ungjillin, por kërcënonte me shkishërim nga Patriarkati grek, të gjithë shqiptarët që nuk flisnin vetëm greqisht. Më 24 gusht 1779 me urdhër të Kurt Pashë Beratit ai ekzekutohet, (Historia e Shqipërisë. Bot. 2004, f. 389).
Sot pas 235 vjetëve, Kur qeveria dhe Akademia e shkencave heshtin, Janullatosi kërkon të shpallë luftën e shenjtë për Vorio-Epirin nën flamurin e Shën Kozmait. Historianët e sotëm grek e quajnë atë “Flamurtarë i flakët i helenizmit”.
Kohën e fundit Janullatosi shoqëroi të ftuarin Vasili Gjokatas, prefekt i Thesprotisë, për të parë kishat e reja kushtuar Murgut Shën Kozma. Të dy personalitetet bënë lutje për shpirtin e Shën Kozmait në kishat e ndërtuara për nder të tij në Mursi, Aliko, Livadhja, Vrisera, Himarë, Çarçovë. Këto janë gurë themeli, për të shkruar historinë greke. (Gazeta “BOTA SOT” 12-12-2013). Ndërsa ish kryebashkiaku i Tiranës Edi Rama, e shpalli Janullatosin “Qytetar Nderi”. Mëso z. Edi Rama se, “armiku i vjeter mik nuk bëhet.” Kurse ju, Janullatos, duhet të dini mirë, se për Shqipërinë jeni i huaj dhe si i tille ua kaloni tërë helenistëve të parë, Kozmait dhe Fotit, etj. që luftonin kundra gjuhës dhe kombit shqiptar. Për këtë mision antishqiptar, këtu tek ky vend, ata gjetën vdekjen. Ju nuk e analizoni këtë ?… Kur ende mbani në fuqi “ligjin e luftës” si “vend armik” dhe shtetasit shqiptar si “armiq”, duhet ta merrni me mend edhe përfundimin tuaj.
Në debatin aktual, ndërmjet Sinodit të Shenjtë dhe ish-kreut të SHISH-it, Fatos Klosit, del në sipërfaqe se bashkohen të gjithë në një pikë: “Çdo istitucion fetar që del nga linja kombëtare, përbën rrezik për një komb. Mirë zotërinj, po kur ka shkelje, ku është shteti, ligji për t’i ndaluar dhe arrestuar shkelësit, por bëni debat, ndërsa qeveria me heshtje mënjanohet, nga eprori i saj Janullatos. Në formimin e statusit të autoqefalisë së Kishës Ortodokse përcaktohet se Hierarkia Kishtare, duhet të jetë e gjitha shqiptare dhe ky është një element themelor. Ky është kushti themelor, për ekzistencën e shteteve kombëtare. Në momentin që është cenuar kjo, sigurisht që përbën një rrezik shumë të madh. Pra, Sinodi i shenjtë është i paligjshëm. Ai është ndërtuar sipas udhëheqësit, Janullatos dhe jo sipas ligjit. Janullatosi i ka zgjedhur vetë këta njerëz dhe i ka vënë në detyra të rëndësishme si në Gjirokastër, Berat e Korçë, që të zbatojnë planin e Helenizimit grek në Shqipëri. Qe te krijosh një sinod të shenjtë, duhet që kryepeshkopi, i cili e drejton, të jetë i aprovuar si nga Patrikana edhe nga shteti. Janullatosi, me sinodin e shenjte ka krijuar një gardë, që i shërben interesave personale të kryepeshkopit. “ (“Dielli”,” Historianët…” pril 2014, f. 25. )
Si përfundim çfarë nxorët ju me këtë debat?! Asgjë. Vazhdon po ajo statukuo. Në statutin e vitit 1950, me 92 nene, i votuar e i nënshkruar nga delegatët e atëhershëm dhe miratuar nga kuvendi popullor, në vitin 1993 u shtua pika “2”. Kuvendi Kleriko Laik (21 janarit 1993), ku kryepeshkopi bëri centralizimin e administratës së të gjithë kishave të Shqipërisë nën komandën e tij. Në kuvendin Kleriko Laik të datës 9 maj 1996, statutit iu shtua pika “3” dhe iu shtuan tre nene të reja. Neni 93, i cili shfuqizoi nënshtetësinë shqiptare të kryepeshkopit, neni 94 i cili vinte peshkopatat e Korçës, Beratit dhe të Gjirokastrës nën pushtetin e kryepeshkopit, dhe neni 95, i cili nisi themelimin e shoqatave të rinisë dhe të gruas brenda KOASH-it. Ishin këto shkelje, që shkaktuan reagime të ashpra nga bota ortodokse, me në krye Patrikanën. (Foti Cici korik 2005).
Janullatosi, asnjëherë nuk ka qenë i ekuilibruar ose i balancuar në Shqipëri, për të ndaluar gjakrat e për të dhënë mesazhe paqeje në momente kyçe të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Greqisë. Në rastin e vrasjes së të riut Aristotel Guma, ai ngriti gjithë njerëzit në këmbë, ngriti meshë për shpirtin e tij. Tani pyesim: Pse nuk pati asnjë reagim nga ana e tij për masakrimin e tmerrshëm që i bënë në burgjet greke të ndjerit Kudret Kume. Por nuk tha asnjë fjalë keqardhje, kur tri gra me mbiemrin guma gjithashtu, të besimit mysliman, u hodhën në greminë nga një shofer grek me sjellje kriminale. Bëhet pyetja: kujt i shërbejnë të gjitha këto?… (Kutia postare 7456).
Më 1 qershor 2014, në Tiranë, u përurua Kisha-Katedrale e re ortodokse shqiptare, “Ngjallja e Krishtit”. Për këtë ngjarje Janullatosi kishte ftuar figurat kryesore të kishave ortodokse si Patriarku Vartelomeo i Stambollit, Patriarku i Jeruzalemit, i Serbisë, i Rumanisë, i Qipros, i Athinës, i Varshavës si dhe vetë Janullatosi. Në këtë ceremoni morën pjese personalitetet e larta të vendit, Bujar Nishani, Edi Rama , Ilir Meta, Lulzim Basha etj.
Një njohje të këtillë masive, e kemi përjetuar në prill 1937 me marrjen e TOMOS-it nga Patrikana e Stambollit, që e zyrtarizoi kishën e ngritur në Tiranë, më 1922, nga mendja e ndritur e Imzot Fan S. Nolit dhe e mbretit Ahmet Zog.
Fatkeqësisht, atmosfera e këtij tubimi u dëmtua rëndë nga i “ftuari” Patriarku Irenej, i Kishës Ortodokse Serbe. Ky, mohoi humbjen e jetës së mijëra shqiptarëve – kryesisht të Kosovës – nga duart e xhelatëve serbë.
Nga znj. Vilhelme Vranari: “Sa e hidhur është kur të nxjerr gjuhën e këlthet si zot vatani, shovinisti i kishës greke dhe asaj serbë, i cili duke na përqeshur thotë “Kosova është zëmra e Serbisë”. … dhe disa e quajnë “fat të madh praninë e këtyre të ashtuquajturve apostuj, a të dërguar të Zotit”. Shqiptari i sinqertë, vë duart në kokë dhe këlthet:” Përse ndodh ky absurditet? Si e pranojnë këtë fyerje e cenim të dinjitetit e të indentiteti kombëtar vallë? Nga ç’baltë janë gatuar këta njerëz mendjemykur e shpirtkalbur që pranojnë “Apologjinë e Djallit?” Turp, turp për të gjithë ata që e quajnë veten shqiptarë dhe janë të lumtur, që një klerik i huaj drejton kishën shqiptare dhe meshën e mbanë në gjuhën greke! O Zot ç’farë mban mbi tokë. Janullatosit po i bie shtëpia e tij dhe kërkon të ngrejë shtëpinë tonë … Kjo është Shqipëria e paradokseve. Pse ia lëndoni kockat Nolit dhe Visarion Xhuvanit? Atë kohë kur Shqipëria nuk ishte ende shtet dhe ata, jo vetëm themeluan Kishën Autoqefale Shqiptare me 1922, por nuk pranuan vartësin e saj nga kisha greke, kundërshtuan Patrikanën e Kostandinopojës dhe shërbesat fetare bëheshin në gjuhën shqipe”. (Kamillafi i “Hirësisë” si …“Tribuna Shqiptare” 10-6-2014).
Irenej, në Tirane na kujton Miladin Popoviçin dhe Dushan Mugoshën, që sollën “Bratsvo-jedinstfo” (vllazërim- bashkim) me thikë pas shpine. Me urdhër të Titos krijuan degën e PKJ ne Tiranë duke marrë nga rruga Enver Hoxhën, qe bridhte natën klubeve te Parisit. Ndërsa gjeniu Dhori Pano, i futi dy tre tulla në çantë që e mbante për t’u dukur. (Dodona, f. 689). Ai u kthy në Shqipëri pa diplome ne xhep. Miladini e caktoi ne krye të PKSH. Kështu vazhdoi platforma e miqësisë sllavo-greke, që kaloi nga Enveri te Ramis Alia, Fatos Nano, Sali Berisha, Edi Rama, duke u drejtuar nga kupola Nexhmije me suiten e saj. Nexhmija nuk ka faj, kur kolegu i Ramis Alisë, Ten Siao Pini, të shoqen e Maocedunit, me gjithë besniket e saj e çoi nga burgu në pushkatim. Ndërsa Ramizi e çoi ne burg për ta mbrojtur.
Irenej komentoi se: “… sërbët asnjehere nuk kanë qënë armiqësuar në raport me shqiptarët”. Jo, z. Irenej! Ju dolët nga moçalet e Vollgës, si njerëz të egër, që jetonit duke gjuajtur peshk dhe kafshë të egra. Bashkë me një turmë të madhe të kombinuar sllavësh, avarësh, të racës mongole, filluat invazionin prej viteve 580-617. Vratë, plaçkitët, rrëmbyet, dogjët, Ilirinë, Epirin, Thrakën, Greqinë. Më vonë kulmin e arriti në vendin tonë Serbia, me pushtimin e Stefan Dushanit 1308-1355, një ndjekje e tmerrshme kundër katolikëve. Vazhduan reprezaljet, sidomos nga vitet 1840 me daljen e Naçertanies të kryeministrit serb Gerashanin. E pabesueshme dhe e rrezikshme: mohimi i krimit te kryer, rrezikon përsëritjen në rastin më të parë. Ai duhet demaskuar. Urrejtjen turke, e zbrazën mbi kokat e myslimanëve shqiptarë, që shpërtheu 1877-1878 kundër banorëve shqiptarë të Nishit, Leskovaçit, Kurshumlisë, Preshevës, kur mbi 250.000 kaluan në Kosovë, që njihen edhe sot si “Muhaxhirë”. Serbët kërkojnë një Kosovë pa shqiptarë. V. Gjorgjeviçi, i përshkruan: “…kafshë të egra me bisht që kalojnë natën të varur nga pemët e pyllit. Jo z. Gjorgjeviç. “Kur sllavët erdhën nga shpellat e Uralit, shqiptarët kishin kryer ciklin dy mijëvjeçarë të qytetërimit të lashtë” (At jergj Fishta). Më aktualia, është hyrja me forcë e armatës serbe në Kosovë më 1998-1999, që shkaktoi vdekje, dhunim, djegie, plaçkitje, dëbim, katastrofe të lemerishme… U.Ç.K. dhe NATO i vunë vulën pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008.
Irenej dhe Janullatosi Shqipërinë e kanë halë në sy, synojnë ta ndajnë bashkë te lumi Shkumbin. Për këtë Janullatosi po e godit djepin kombit shqiptar dhe e kthen Shqipërinë në helenizëm, duke e qëndisur me kisha te stilit grek, me disa kisha në emër të Shën Kozmait, po ngrenë shkolla greke dhe varreza të ushtarëve grekë të vrarë para më tepër se 70 vjetëve e të lënë të pa varrosur që nga 28 tetori i 1940 deri më 15 prill të 1941. Dhe u kujtuan tani duke mbushur sarkofagët me kufoma shqiptarësh. Çfarë absurditeti?!… Taciti romak thoshte: “Humbi turpi , sundon poshtërsia, zanati i shpifjes nuk e njeh turpin. Shpifja, gjithmonë kërkon të vrasë të vërtetën… të vrasë historinë”. Këtu ndodh akoma më poshtë se kaq!
Janullatosi ka deklaruar në gazetën “Kathemerini”: “Nuk e kuptoj idenë e Shqiptarëve, se feja e shqiptarëve është shqiptaria. Këtë tezë do ta luftojmë, duke dalë hapur kundra Rilindjes Kombëtare.” Janullatosi në vazhdim nuk do të njohë as ligjin e gjuhës shqipe në kishat tona. Në artikullin nr. 3 të Statutit të KOASH, përpiluar në Korçë më 29-6-1929 thuhet se: “Gjuha zyrtare e kishës është shqipja”. Kur ju, Janullatos, mohoni të meshoni në gjuhën shqipe të ligjëruar, dhe merrni guximin të meshoni në gjuhën greke, do të thotë të atakoni djepin e kombit, të qënësisë dhe formimit shqiptar. Është një revoltë e madhe për çdo shqiptar, Janullatosi po e armatos trurin, por duhet të armatosni duart kundra këtij helenizimi të pështirë. Shqiptarët janë në vendin e tyre, dhe kur i huaji që vjen, e prek në dinjitetin e tij, si komb atij, i digjet toka nën këmbë, ashtu si ju dogj murgut Kozma dhe peshkop Fotit.
Prof. Arben Llalla thotë: “Anastas Janullatosi valëvit flamurin Vorio-Epirit. Zbardhen faktet që kompromentojnë rëndë pozitat e kryepeshkopit të Shqipërisë, Janullatos, i cili duket se fshihet pas shumë aktivitetesh antishqiptare. Para tij është valëvitur flamuri i aneksimit të Jugut të Shqipërisë, më 15 gusht 2013 në Derviçan, ku dhjetëra të rinj kishin veshur bluza me simbole të ushtrisë së andartëve grekë, që kanë kryer masakra mbi popullsinë shqiptare në vitet 1913-1914, duke shpallur shkëputjen e Jugut të Shqipërisë.” Zoti Arben, ju bëni mirë që shkruani dhe flisni, por qeveria dhe akademikët shqiptarë janë bërë një me grekun, ata po prishin imazhin e Shqipërisë në botë për të penguar hyrjen në BE. Ata nuk çajnë kokë që historiani grekë Nikollas Stavros thotë: “Futja në dorë të kishës shqiptare është fitoria më e madhe e jona në Shqipëri në shek. XX”. Kjo deklarate e lëshuar më 22-10-2013, tingëllon tepër poshtëruese për nderin dhe dinjitetin e Republikës së Shqipërisë, të cilën e ka nëpërkëmbur Greqia shoviniste.
Ka akoma më keq, kur ministri grek i tund shkopin qeveris shqiptare. Nga Prof. Dr. ESHREF YMERI: “Me 14-10-2013 ministri i jashtëm grek u shfaq para shqiptarëve duke i puthur dorën më parë Janullatosit… Venizellosi: “Dëgjoni, ju, shqiptarë! … kujdes: Kjo varet nga Greqia, se rruga për në Evropë kalon nga Athina. Prandaj mos bëni naze për plotësimin e kërkesave të Athinës, siç janë kufiri detar, mohimi I çështjes çame, mosprekja e çështjes së ligjit të luftës, heshtja për mosnjohjen e kufirit tokësor me Shqipërinë nga ana e Greqisë, krijimi i komisionit të varrezave për ushtarët grekë, ngritja e varrezave të reja, përvetësimi i pushtimit të kishës ortodokse, avancimi i të drejtave të minoritetit grek e kështu me radhë”. Dhe qeveria hesht në dëm të Kombit shqiptar, si e përcakton Mit’hat Frashëri: “Rrëmbejnë kazmën e i bien themelit, për të shkatërruar këtë ndërtesë që mezi e ngritën Rilindësit”. Jemi të bindur që juve z. Janullatos u vret sytë pallati i kulturës në Përmet me emrin e rilindësit të madh “Naim Frashëri”, po kështu edhe pallati muze i Themistokli Gërmenjit dhe i flamurit në Korçë. Për Kishën e Përmetit i kërkove ndihmë Athinës, për eleminimin e Pallatit të Kulturës “Naim Frashëri”, duke dalë mbi legjislacionin shqiptar. Ndërsa për monumentin muze të patriotit të madh Themistokli Gërmenji, bëtë që ai u gjet në mëngjesin e 11 gushtit 2012 gurë mbi gurë e shkatërruar me buldozerë.
Të kuptojmë shtetin. Zonja Magdalena Ollbrajt, në mars të vitit 1997, kur renegati Kiço Mustaqi, ish ministri i mbrojtjes shqiptare, kishte ardhur nga Greqia me 400 andartë grekë dhe piketonte flamurët grekë në Shqipërinë Jugore, Sekretaria Amerikane e pyeti ministrin grek, “Ju doni të pushtoni Shqipërinë e Jugut, por edhe ne nuk do ta ndalojmë Turqinë që t’u bjerë juve.” Fill pas kësaj deklarate, Kryeministria turke, Tansu Çilleri, i dha ultimatumin grekut, për t’u kthyer mbrapsht dhe ata u tërhoq menjëherë. Katrahura e vitit 1997 dhe e janarit të vitit 2011, u përgatit dhe u drejtua nga grekët me qeverinë tradhtare shqiptare, që kaloi mbi pellgjet e gjakut të 3500 të vrarëve dhe 11000 të plagosurve dhe se fundi grabitën firmat piramidale që përfunduan në Athinë.
Tani të kuptohemi, Janullatos, se keni prekur tabanin e këtij kombi, që është shumë më i vjetër se kombi i juaj grek. Buldozeri është aty, dhe në vend të shoferit grek do ta marrë një shofer shqiptar, që do të prishë të gjitha ato që keni bërë të stilit grek si dhe ato monumente që keni bërë dhe mund të bëni si atë të peshkop Fotit. Por duhet të dini dhe kuptimin e mbiemrit tuaj: Jani-llathos që do thote greqisht “Jani i gabuar”. Pra, jeni i gabuar, në qëllim të gabuar, në vend të gabuar. Këto që po të them, o greku Janullatos, mbaji në mendje, dhe i lini pas të shkruara, se jeni plak !…
Rasim Bebo Addison Çikago qershor 2014

Filed Under: Opinion Tagged With: I GABUAR NË QËLLIM TË GABUAR !..., Janullatos, rasim bebo

BEDRI BLLOSHMI SQARON PUBLIKISHT AKUZAT

June 13, 2014 by dgreca

NGA BEDRI BLLOSHMI/
E ndjej detyrë morale të sqaroj për disa akuza në drejtim të personit tim dhe familjes time, miq, dashamirës, bashkëvuajtës e shokë të kalvarit komunist.
Gjithkush në familje, ka problemet e veta; për arsye të ndryshme dikush i zgjidh me mirëkuptim apo me një formë të pranueshme për të dy palët. Unë kurrë nuk e kam menduar që problemet e shtëpisë time t’i hedh në treg dhe askush nuk e bën një gjë të tillë, por i’a lë opinionit publik t’a gjykojë veprimin e tij.
Në data 30 shtator 2003, mamaja ime Nadire Sadik Blloshmi ka ndërruar jetë.
Bahkëshortja ime akuzohet se nga viti 2003 deri në vitin 2013, ka tërhequr pensionin e mamasë time, me dokumenta të fallsifikuara. Ky fakt nuk qëndron dhe për të vërtetuar këtë, unë po j’u paraqes dokumentin zyrtar nga zyrat e pensioneve të rrethit Elbasan ku sqarohet se: Nadire Sadik Blloshmit i është ndërprerë pensioni më datën 30 shtator 2003, muajin e ndarjes nga jeta dhe është e dokumentuar nga vërtetimi i ISSH Elbasan me nr. prot. 2701, dt. 10.06.2014.
Akuza tjetër, se kam marrë shtëpi në emër të vëllait tim të pushkatuar më 17 korrik 1977 nga terroristët komunistë, të ndjerin Vilson Blloshmi, është sa bajate po aq e pavërtetë. Dhe për këtë, po j’u paraqes një dokument nga Enti Kombëtar i Banesave, me nr. prot. 1851/1, dt. 13.06.2014.
Tjetër shpifje se unë kam marrë dhe vazhdoj të marr donacione të ndryshme dhe i kam përvetësuar, është krejtësisht e pavërtetë. Për këtë akuzë ftoj të dal një donator, ku të thotë se më ka dhënë qoftë edhe një qindarkë të vetme.
Janë plot shpifje të tjera që kam neveri t’i kujtoj, siç është rasti i dokumenteve të babait tim për marrjen e dëmshpërblimit, i cili në prezencën e kushëririt tim Mit’hat Blloshmi, që është dhe nipi i babait tim kanë bërë prokurën në qytetin e Librazhdit, ku unë të tërhiqja të hollat që i takonin. Ky dokument është në Ministrinë e Financave (Sektori i Dëmshpërblimit) dhe kush do t’a vërtetojë, le t’a kërkojë. Nuk dua t’ju bezdis më shumë, duke përgënjeshtruar të tilla shpifje.
Do j’u kërkoj që askush të mos bezdiset për sa më sipër, se unë e kam të qartë se ata që më njohin e kanë jetuar nëpër kampe e burgje, miqtë apo armiqtë që kanë ndikuar në shkatërrimin e familjes tonë, të cilët unë i kam zbuluar, nuk i besojnë ato shpifje të stisura.
Besoj se nuk kam çfarë të sqaroj më shumë.
Duke i falenderuar dhe ata shokë e miq të shumtë e bashkëvuajtës për telefonatat e tyre duke m’u lutur që të mos shqetësohem aspak për gënjeshtra të tilla.
Me shumë respekt
Bedri Blloshmi
PS: Shkrimi i ardhur ne posten elektronike te Diellit, shoqerohet nga dy dokumente ne PDF, nga Enti Kombetar i Banesave, ku sqarohet se Vilson Sami Blloshmi nuk eshte trajtuar me apartament nga ky ent si i denuar politik.
Po ashtu nje shkrese tjeter me Nr. Prot.2701, date 10 qershor 2014, Instituti I Sigurimeve Shoqerore verteon se e ndjera Nadire Sami Blloshmi e ka terhequr pensionin deri ne daten e vdekjes, 30 shtator 2013.

Filed Under: Opinion Tagged With: Bedri Blloshmi, PUBLIKISHT AKUZAT, SQARON

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 739
  • 740
  • 741
  • 742
  • 743
  • …
  • 865
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN
  • ÇËSHTJA KOMBËTARE NË POLITIKËN E TIRANËS TË VITIT 1920
  • Në ditëlindjen e Vaçe Zelës, legjendës së gjallë të këngës, zërit që i dha shpirt një epoke
  • 115 vjet nga Kryengritja e Malësisë së Madhe dhe ngritja e flamurit në Deçiq
  • GEORGE POST WHEELER, AMBASADOR I SHBA-SË NË SHQIPËRI (1934) : “SHQIPËRIA DHE BURRAT E SHQIPONJËS…”
  • Përshtypje nga Bashkëbisedimi i AFC-së dhe Mjekëve Gastroenterologë AAGA
  • Një princeshë evropiane përballë traditës shqiptare
  • Arkeologët shqiptarë nën vlerësimin e studiuesit anglez Nicholas Geoffrey Lemprière Hammond
  • E drejta për përdorimin e gjuhës amtare në arsimin e lartë në Maqedoninë e Veriut

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT