• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Në kujtim të një gjenocidi që vazhdon

July 3, 2014 by dgreca

Çamëria kjo pasqyrë e dhembjes së kombit dhe atdheut shqiptar, me rreth 10 mijë km.-katrorë sipërfaqe dhe popullsi në ditët e saja-gati tërësisht shqiptare, u dënua që moti me zhbërje në formë e përmbajtje dhe mënyrën më tragjike të mundshme nga shovinistët grek.
Mbi këtë pjesë fatkeqe të etnisë tonë u zhvillua një nga gjenocidet më të tmerrshme që njeh historia e popujve ballkanik dhe evropian.
Në fakt, veprimet e dhunshme dhe dëbimet me forcë të shqiptarëve nga grekët, nisën edhe më herët dhe nuk pushuan asnjëherë, por me copëtimin e trojeve tona dhe mbetjen e Çamërisë jashtë kufijve administrativ të Shqipërisë londineze, ato eskaluan deri në gjenocid.
Kurse, të gjithë arsenalin masiv të urrejtjes antishqiptare mbi çamët e pambrojtur, shovinistët grek do ta zbraznin pa asnjë kursim në fillim-qershorin e vitit 1944, goditje kjo nga më shkatërrimtaret ndaj një populli dhe vendi, fatale dhe më e rënda që mbahet mend kundër shqiptarëve autokton të Çamërisë.
Atëbotë, nga forcat kriminale-militare të Zervas, brenda pak ditësh u masakruan në mënyrat më barbare me bajoneta, çekanë, hanxhar e sopata, mbi 5000 njerëz, djem, vajza, nuse shtatzëna, burra, gra, fëmijë dhe pleq çam, kurse pjesa tjetër u dëbua me forcë e disa të llahtarisur nga përgjakja e çdo gjëje shqiptare u detyruan të iknin siç mundën natën dhe ditën drejt kufijve jugor të Shqipërisë administrative, për të gjetur shpëtim.
Ndaj edhe në rezolutën e miratuar më 30 qershor të vitit 1994, Tragjedia Çame me të drejtë konsiderohet gjenocid dhe që atëherë, data e 27-qershorit kujtohet si dita e tragjedisë më të madhe kombëtare, nga forcat shoviniste greke të Zervasë dhe militarëve tjerë shovinist e kriminel-grek, në fund të Luftës së Dytë Botërore mbi shqiptarët e pambrojtur dhe banorët më të vjetër autokton të Çamërisë.
Vuajtjet e shkaktuara ndaj gjithë të syrgjynosurve çam edhe sot mbeten të ngulitura thellë në kujtesën e bashkëkombësve kudo, kurse emrat e një pjesë të të vrarëve dhe të masakruarve nga mijëra sosh sa pësuan në këtë tragjedi, u gdhendën me dhembje në epitafet e varrezave monumentale të Qafë Botës.
Në këtë vendë,vitin e kaluar u ngrit edhe një Memorial përkujtimor në shenjë nderimi për ta, pa mundur të bëhet ndonjë gjë më e madhe për të vdekurit as të mbijetuarit si dhe pasardhësit e tyre shqiptar.
Organizimi i tubimeve kushtuar datave si kjo, assesi nuk duhet të kuptohet vetëm si rit dhembjeje nga pasardhësit për etërit e masakruar, por si grishje rikujtuese drejtuar Greqisë dhe politikanëve shqiptar për gjenocidin e ushtruar mbi bashkëkombësit tanë, si përgjakja më e madhe shoviniste greke ndaj kombit dhe historisë tonë, e cila nuk mund të mplaket as vjetrohet kurrë.
Çështja Çame, pa marrë parasysh kohën dhe vitet e kaluara, ajo do të ruhet dhe mbijetoj përgjithmonë në zemrat dhe mendjet e çdo shqiptari, jo vetëm si kujtim por si problem i pazgjidhur historik, kombëtar e ndërshtetëror me Greqinë, i cili nuk do të pushoj kurrë së ekzistuari, deri në zgjidhjen përfundimtare të tij.
Ndaj, edhe me rastin e 70 vjetorit të kësaj ngjarje nga më tragjiket të popullit tonë, ftoj bashkatdhetarët e trojeve tona etnike kudo, që tu bashkohen përpjekjeve gjithëkombëtare për çuarjen përpara të Çështjes Çame, e cila me unifikimin e të gjitha forcave në vend të paktën për sa i takon kësaj çështje, ajo patjetër do të gjejë zgjidhjen e duhur, të mbetur pezull për kaq vite.
Njëkohësisht, kauza për mbrojtjen e identitetit kombëtar, ruajtjen e gjuhës, traditës dhe kulturës amtare, duhet të vazhdoj të jetë më e fortë se çdo përpjekje tjetër, për asimilimin e shqiptarëve të Çamërisë, të cilët sot jetojnë në Shqipëri, Turqi dhe në Greqi, ani pse ata, përveç në vendin amë, si në Turqi, aq më pak në Greqi, asnjëherë në qindra vitet e kaluara, nuk guxuan të flasin dhe deklarohen shqip.
Mbështetja kryesore për bashkëkombësit tanë të përvuajtur, në radhë të parë duhet të vije nga vet shqiptarët dhe dy shtetet e tyre; Shqipëria dhe Kosova të cilat kanë obligim kushtetues dhe kombëtar e institucional që tu dalin në ndihmë çamëve të dëbuar përdhunshëm, me të gjitha forcat dhe mundësitë shtetërore, institucionale dhe diplomatike që kanë.
Duke pasur parasysh, këto dhe shumë detaje tjera, të thëna e të pathëna mbi gjenocidin ndaj çamëve të pambrojtur, 27 qershori i vitit 1944, assesi nuk guxon të mbetet thjesht vetëm një ditë kujtimi në kalendarin e dhembjeve të mëdha kombëtare, por pikë së pari duhet të shërbej si argument i pamohueshëm për ndërkombëtarizimin e fakteve të krimit nga shteti helen ndaj bashkëkombësve tanë, dëbimin e pa drejt të çamëve dhe zgjidhjen sa më të shpejtë të Çështjes së Çamërisë.
Fatkeqësisht, gjenocidi grek mbi shqiptarët, me apo pa vetëdije, ende vazhdon të mbetet “tabu-temë” dhe problemi më i pa-trajtuar kombëtar, ndaj është koha e fundit që Çështja Çame, gjithsesi të nxirret nga sirtarët e pluhurosur të diplomacive të fjetura kombëtare e ndërkombëtare dhe të fillojnë përpjekjet serioze për zgjidhjen përfundimtare të saj, ngase ajo është reale, ekziston dhe nuk mund të mohohet, minimizohet as nëpërkëmbët më nga askush.

Si Greqia, ashtu Evropa dhe Bashkësia Ndërkombëtare, më në fund duhet ta kuptojnë se me gjithë tendencën gjenocidiale-shumëvjeçare greke, për zhbërjen e tërësishme dhe asimilimin e përgjithshëm dhe me çdo kusht të qindra mijëra shqiptarëve të të dy besimeve fetare që kanë jetuar dhe ende jetojnë në Çamëri, shqiptarët çamë ende ekzistojnë.
Përkundër ndalimit të gjuhës, kulturës dhe identitetit të tyre etnik, Atdheu, Gjaku dhe Kombësia e Çamëve Shqiptar, kurrë dhe asnjëherë nuk do të mund të mohohen nga kushdo qoftë.
Madje jam i bindur se në këtë tragjedi e cila falë heshtjes sonë kombëtare dhe asaj të bashkësisë së gjerë ndërkombëtare ende vazhdon, nuk do të funksionoj krejt ashtu siç u planifikua nga orkestruesit krimel të ati gjenocidi, përkundër arrogancës së pashembullt të shovinistëve grek, që për më tepër se një shekull me këmbëngulje të shfrenuara, para syve të botës demokratike, ushtrojnë shtypjet më të egra të mundshme dhe të paprecedent mbi shqiptarët.
Ndaj, merrni guximin dhe thoni përfundimisht stop kësaj të keqeje, ballafaqohuni më në fund me realitetin e asaj katrahure që ende kërkon shqyrtim, gjykoni të paktën një herë gjenocidin grek dhe përmirësoni padrejtësitë e gjata ndaj çamëve- si pjesa më e vuajtur e gjithë popullit tonë, ktheni ata në vendet, pronat dhe shtëpitë e veta-të mohuara, si dhe pranoni të drejtat e tyre, ashtu siç parashihen në aktet evropiane dhe ndërkombëtare për liritë dhe të drejtat e njeriut, të cilat nuk do duhej që edhe në këtë shekull, të bëjnë përjashtim vetëm për shqiptarët në Çamëri dhe kudo qoftë.

Gani Qarri Cyrih, 30 qershor 2014

Filed Under: Opinion Tagged With: Gani Qarri, gjenocidi, ne kujtim, që vazhdon, të një

Replikë Panajot Barkës: Gjenocidi ka ndodhur kundër popullsisë Çame, këtë e pranojnë vetë grekët

July 3, 2014 by dgreca

“Atdheu im, një mural i mbajtur prej shtyllave franceze, shqiptare, vllahe e turke. Kushdo që i përmend, shkon drejtë e në burg”.(Nobelisti, Odysseas Elytis)/
Nga Arben LLALLA/
Profesori i akuzuar disa herë për vjedhje dhe mashtrime, minoritari i lënë rrugës nga mëma e tij Greqia, dhe që e shkolloj njerka Shqipëri, hedh baltë qëllimisht për të mohuar atë që ka ndodhur para 70 viteve rreth gjenocidin grek kundër popullsisë shqiptare nga Çamëria. Që ti bëj ripërsëritje Barkës së humbur nëpër shkëmbinjtë e Gjinokastrës nuk është asnjëherë humbje kohë për të thënë dhe mbrojtur të vërtetën.

Dhuna ndaj minoritetit shqiptar 1913-1945

Me një mjeshtëri raciste shteti grek që nga fundi i vitit 1912 dhe fillimi i vitit 1913 ka ditur të përzërë sistematikisht shqiptarët e Greqisë. Bëhet fjalë në përgjithësi për shqiptarët e fesë islame. Por edhe ata shqiptar ortodoks që nuk pranuan të deklaroheshin me kombësi greke u masakruan ose u përzunë nga shtëpitë e tyre për të jetuar në qytetet në thellësi të Greqisë për tu asimiluar më shpejtë. Shqiptarët që u përzunë nga shtëpitë e tyre dhe ishin shtetas grek në fillim ju hoq shtetësia greke dhe i deklaruan të humbur, njerëz pa adresë. Më tej ju përvetësuan pasuritë dhe ua ndanë të tjerëve. Një pjesë e mirë e kësaj pasurie u vendosën emigrantët ortodoksë të ardhur nga Azia e vogël. Shqiptarëve që ju janë përvetësuar pasuritë nga shteti grek ndahen në dy kategori:
a). Shqiptarët që ju përvetësuar pasuria me marrëveshjen e Lozanës si popullsi e shkëmbyeshme islame me ortodoksit.
b). Popullsia shqiptare nga Çamëria që u quajt nga grekët bashkëpunëtore e pushtuesve gjermanë.
Me dekret ligji të viteve 1923-1932, Greqia përvetësoi të tërë pasuritë e shqiptarëve islamik me pretekstin e marrëveshjes së Lozanës si popullsi shkëmbyese midis turqve islamik dhe ortodoksëve grekë.
Kjo ide gjente mbështetje në qarkoren e Ministrisë së Bujqësisë Greke, të 1 tetor 1922, e cila urdhëronte administratën e përgjithshme të Epirit, që”… familjet e refugjatëve të stabilizoheshin në pronat e myslimanëve shqiptarë”, (AYE/A/5 (9). (Guvernatori i Përgjithshëm i Epirit, MPJ Greke, Janinë 2 mars 1923). Në qendrat kryesore të Çamërisë, si në Filat, Paramithi e Margelliç u krijuan enkas zyra për të shtetëzuar pronat e myslimanëve shqiptarë, (Conference de Lausanne sur les Affaires du Prache Orient, 1922-1923).
Në fillim të vitit 1926 në Gjenevë Kryetari i Greqisë Teodoros Pangallos bëri një deklaratë zyrtare para Lidhjes së Kombeve me të cilën Greqia njihte minoritetin shqiptar dhe nuk i quante më shqiptarët muhamedanë që jetonin në territorin e saj si popullsi turke. Ai ndër të tjera deklaroi: “Pavarësia dhe statukuoja e Shqipërisë përbëjnë interes të madh për Greqinë, sepse politika e saj është bazë për ruajtjen e paqes në Ballkan…
Teza që është mbajtur nga ne deri sot se ortodoksit shqiptar janë grekë është e gabuar dhe e shkelmuar nga të gjithë. Me që ajo ka marrë të tatëpjetën dhe arriti pikën e rraskapitjes, mora masat e duhura dhe shpërndava të gjitha shoqëritë vorioepiriote që mëshironin skaje më ekstreme të këtij mendimi të sëmurë”.
Më 18 janar, ambasadori shqiptar në Athinë, Mit’hat Frashëri mori premtimin nga ministri grek i Jashtëm se do të merrej ai personalisht me çështjen e shkëmbimit të çamëve, ndërkohe që vetë z.Pangallos i deklaroi se çamët myslimanë do të përjashtoheshin nga procesi i shkëmbimit. Një muaj më vonë, në shkurt të të njëjtit vit, u shpall dhe zyrtarisht vendimi për përjashtimin e të gjithë shqiptarëve të Epirit nga masa e shkëmbimit të detyruar dhe amnistinë e çamëve që akuzoheshin për kryerjen e propagandës politike, duke i dhënë në këtë mënyrë një zgjidhje përfundimtare çështjes, zgjidhje e cila sigurisht kënaqte në mënyrë absolute palën shqiptare.
Deklarimi i Kryetarit të Republikës Greke, gjenerali Teodor Pangallos për të përjashtuar shqiptarët çamë të Epirit nga masa e shkëmbimit midis popullsisë turke myslimane me popullsinë kristiane greke ishte vendimtar për ecurinë e të gjithë çështjeve. Përmbajtja e çështjes u zhvendos nga përcaktimi i prejardhjes dhe identiteti kombëtar të popullsisë myslimane të Epirit dhe nga përfshirja ose jo në masën e shkëmbimit të detyruar, në procesin e përfshirjes së saj në shtetin grek dhe respektin ose jo të të drejtave të saj nga autoritetet greke.
Kështu, nga çështja “greko-turke”, tashmë zhvillohet tema që ka të bëjnë me marrëdhëniet greko-shqiptare, të cilat do të ndikojnë dhe në periudhën e ardhshme në një shkalle shumë të lartë. Prezenca e myslimanëve çamë në Epir përbënte një rast të veçantë dhe një dokument të fortë bisedimesh që synonte të përdorte qeveria shqiptare me qëllim arritjen e një normalizimi të kënaqshëm të synimeve të saj ekonomike për sa i përkiste çështjes së pronave.
Por çështja e shqiptarëve në Çamëri nuk do të zgjidhej edhe pse diplomatët dhe politikanët grek premtonin. Vitet në vazhdim shteti grek në emër të reformës agrare 1925-1927 u ndaloji të gjithë atyre njerëzve që nuk kishin kombësi greke të drejtën e tokës bujqësore. Italianët, francezët, gjermanët, turqit që kishin prona në Greqi u dëmshpërblyen, vetëm shqiptarët nuk u dëmshpërblyen. Pas pak vitesh do të fillonte lufta e dytë botërore. Me kapitullimin e Gjermanisë grekët rinisën masakrat mbi popullsinë shqiptare në Çamëri.
Shqiptarët çam që u përzunë në vitet 1944-1945 shteti grek i quajti bashkëpunëtor të gjermanëve dhe në mënyrë kolektive u hoqi shtetësinë greke, u përvetësojë dhe pasuritë. Me disa ligje primitive Greqia u mohoji çdo të drejtë njerëzore të gjithë atyre shtetasve grekë që nuk kishin pranuar kombësinë greke të rikthehen ndonjëherë edhe si vizitor në Greqi.
Gjatë luftës qytetare greke për pushtet 1946-1949 midis forcave të djathta dhe komuniste përmenden edhe shqiptarët e Greqisë që ishin përzënë me dhunë në vitin 1945 nga forcat e djathta që udhëhiqeshin nga Napolon Zerva. Nga dokumentat historike veçojmë kërkesat e kryetarit të Qeverisë së Përkohshme Greke, Marko Vafiadhis i cili i parashtroji midis shumë kërkesave Enver Hoxhës për të mundësuar çamët e përzënë të rreshtohen në ushtrinë Demokratike Greke që udhëhiqeshin nga komunistët.
Në 24.09.194, Marko Vafiadhis vjen në Tiranë me nxitim për mes Korçës si Kryetar i Qeverisë së Përkohshme Demokratike për të kërkuar ndihmë. Markoja kërkon nga
Enver Hoxha që të dërgoje çamë të dëbuar prej Greqisë në malin Gramoz, që të luftojnë përkrah kryengritësve greke…
Marko Vafiadhis vjen pa ndonjë lajmërim paraprak në Tiranë. Për këtë arsye Enver Hoxha nuk e takoi, por ngarkon një anëtarë nga Byroja Politike për të biseduar me të. Gjatë takimit Marko Vafiadhi i parashtron qeverisë shqiptare kërkesat e mëposhtme:
Të dërgohen 3.000-4.000 mijë çamë për Ushtrinë Demokratike Greke nga 18.000 mijë që jetonin në Shqipëri, të dëbuar prej forcave të Napolon Zervës.
Sipas të dhënave politikanët grekë të kohës e pranonin që çamët ishin përzënë nga shtëpitë e tyre në Greqi nga forcat raciste të Napolon Zervës. Në kërkesën e qeverisë demokratike greke pranohet se janë përzënë rreth 18 mijë çamë, por në fakt ky numër ka qenë më i madh. Me rëndësi është se pranohen dëbimet masive. Marko Vafiadhis ishte një politikan me emër i cili pasi jetoj rreth 23 vite në Bashkimin Sovjetik dhe u kthye në Greqi në vitin 1983. Më 1989-1990 ishte deputet në Kuvendin e Greqisë i partisë së PASOK-ut.
Në vitet 1972- 1982 qeveritë greke nxorën ligje që u lejohej çdo shtetasi grek i përzënë të rikthehej dhe të merrte pasurinë ose kompensim. Nga këto ligje për tu rikthyer u përjashtuan shqiptarët çam edhe maqedonasit e Egjeut pasi ligji përcaktonte se i faluri duhej të kishte kombësinë greke dhe në mërgim të kishte mbajtur qëndrim kombëtar grek.
Sipas të dhënave politikanët grekë të kohës e pranonin që çamët ishin përzënë nga shtëpitë e tyre në Greqi nga forcat raciste të Napolon Zervës. Në kërkesën e qeverisë demokratike greke pranohet se janë përzënë rreth 18 mijë çamë, por në fakt ky numër ka qenë më i madh. Me rëndësi është se pranohen dëbimet masive. Marko Vafiadhis ishte një politikan me emër i cili pasi jetoj rreth 23 vite në Bashkimin Sovjetik dhe u kthye në Greqi në vitin 1983. Më 1989-1990 ishte deputet në Kuvendin e Greqisë i partisë së PASOK-ut.
Në vitet 1972- 1982 qeveritë greke nxorën ligje që u lejohej çdo shtetasi grek i përzënë të rikthehej dhe të merrte pasurinë ose kompensim. Nga këto ligje për tu rikthyer u përjashtuan shqiptarët çam edhe maqedonasit e Egjeut pasi ligji përcaktonte se i faluri duhej të kishte kombësinë greke dhe në mërgim të kishte mbajtur qëndrim kombëtar
Nëse vërtetë Greqia dhe Shqipëria duhet ta shohin njeri-tjetrin në sy, ata duhet në fillim të ulen në tavolinë të barabartë dhe jo duke ngritur kurthe. Është e vërtet se Greqia gëzon një privilegj në BE edhe më gjerë, kjo fal mashtrimit historik që është bërë prej kaq shekujsh, por e vërteta vono, por nuk harron.

Filed Under: Opinion Tagged With: arben llalla, me Panajot Barka, reploka

KUJTESË PËR HASHIM THAÇIN

July 2, 2014 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
Sapo Koalicioni LDK-AAK-NISMA bashkë me VV shprehu qartë pozicionin e vet – nga një segment ekstremist brenda PDK-së – ka filluar një agresion i hapur me kërcënime. Them brenda PDK-së. Sepse në emër të tyre kërcënojnë.
Nga ana tjetër, një segment ekstremist që mban krahun e Fatmir Sejdiut dhe klanit të Llapit, klan që ka bashkëqeverisur me Hashim Thaçin, që kanë qenë e mbetur probatina pushteti e prosperiteti, kështu thuhet në Kosovë, ka nxjerrë kokën me sulme kundër Isa Mustafës. Ata Isa Mustafën e kishin pasë aty gjithmonë, por janë kujtuar pikërisht tash, kur kanë pësuar një grusht turinjve nga rezultatet e zgjedhjeve.
Niveli i sulmeve është shumë i ulët, nga njerëz shumë të ulët dhe që nuk ia prishin drejtimin e tymit as Koalicionit dhe as Isës, veç Hashim Thaçit.
Pra dëmtojnë Hashim Thaçin. Prandaj këtë shkrim po e shkruaj si një kujtesë për të, pa asnjë dashakeqësi, si analiste.
Qeverisja shtatëvjeçare e Thaçit ka koinciduar me kosto të hidhur për shumë politikanë të Kosovës, kundërshtarë politikë dhe bashkëpunëtorë të ngushtë të Thaçit. Përmendim këtu Haradinajn dhe Limajn, të cilët, pas një procesi të gjatë gjyqësor, kanë dalë të pafajshëm si nga Gjykata e Hagës ashtu edhe nga drejtësia në Kosovë.
Ndërkohë të tjerë bashkëpunëtorë të Thaçit, të enturazhit të tij më të ngushtë gjenden sot prapa hekurave, me akuza të rënda dhe ata logjikisht do të duan me çdo kusht që Hashim Thaçi të jetë kryeministër i Kosovës, të paktën edhe për një mandat të tretë.
Por kjo dëshirë e tyre është një impossible mission për Hashim Thaçin, sepse rezultati i zgjedhjeve nuk mund të ndryshohet.
Çfarë i mbetet Thaçit?
Të gëzojë rolin si lider i opozitës dhe ta luajë këtë rol në mënyrë sa më fair.
Thaçi nuk mund të ketë një mandat të tretë, por ai ka qenë kryeministër i Kosovës për dy mandate shumë të rëndësishme. Është kryeministër i Pavarësisë të Kosovës. Dhe për këtë do të mbetet në histori.
Thaçi ka imituar Ibrahim Rugovën në raport me SHBA, në formë, sepse natyrisht si format janë larg, por prapë është diçka shumë pozitive.
Ndërkohë Kosova ka mbetur si një Lager në zemër të Evropës. Kosova ish-viktimë e një konflikti – tani penalizohet dhe është i vetmi vend në Ballkan që nuk gëzon liberalizimin e vizave, me një varfëri drastike dhe papunësi që shkon në 70%, ndërsa korrupsioni nga keqqeverisja e ka bërë Kosovën të jetë në top listat e statistikave të organizmave ndërkombëtare. Po ashtu njohja e Kosovës nga bota është stopuar që në fillimshkurtin që shkoi. Këtë vit Kosovën deri tash e kanë njohur vetëm dy shtete, ndërsa më 2013 vetëm shtatë syresh. Pra Kosova ka ecur me hapa as të breshkës.
Në këtu kushte, Hashim Thaçi nuk mund të imponohet me asnjë sukese për një mandat të tretë. Ai duhet të dalë sa më shpejt publikisht e të distancohet nga vala e kërcënimeve që lëshohen në emër të tij.
Kundërshtarët politikë dhe ish-bashkpunëtorët e Thaçit që tashmë janë pjesë e Aleancës së shumicës pas eksperiencave të tyre me drejtësinë, ata tani detyrimisht duhet të jenë kthyer në bodyguardë të standardeve demokratike. Sepse nuk ia lejojnë vetes të kthehen atje ku kanë qenë. Aq më tepër kur tash janë fitues.
Në këtë kontekst Thaçi ka mbetur zbuluar për çdo akt dhune që segmente të ndryshme paralajmërojnë kur ai do të kalojë në opozitë. Sepse do t’i kthehet në boomerang vetë Hashim Thaçit.
Edhe sikur në Kushtetutën e Kosovës të kishte hapësira ligjore, për ta çuar vendin në zgjedhje të reja, Thaçi nuk do të kishte asnjë shans – përkundrazi, nëse Kosova do të kalonte në zgjedhje të reja, pikërisht aty Thaçi do të merrte goditjen përfundimtare, sepse humbja do të ishte shterruese për të, çka do ta detyronte të jepte dorëheqjen nga kreu i PDK-së.
Por s’ka arsye që Kosova të shkojë në zgjedhje të reja, dhe kjo tingëllon si fatmirësi për Hashim Thaçin, i cili duhet të startojë punën për të përmirësuar sa më shpejt imazhin e tij nga përshtypja skandaloze që ka shkaktuar libri i Veton Surroit dhe sidomos nga pakënaqësitë e atyre që votuan kundër tij në zgjedhjet e 8 qershorit.
Nga pozita shumë komode, ai duhet të mos e vonojë më legjitimimin e institucioneve të reja të Kosovës, sikur bëri Presidentja me kërkesa infantile Gjykatës Kushtetuese, kur Kushtetuta e Kosovës flet në mënyrën eksplicite.
Sepse të gjitha vonesat e shkaktuara nga kapriçiot e Thaçit kanë kosto për popullin e Kosovës, i cili ka nevojë për një qeverisje të ndershme dhe energjike, për t’u ringjallur sa më shpejt. Kosova i ka të gjitha burimet natyrore, njerëzore dhe institucionale për t’u integruar sa më shpejt në kontinentin europian, atje ku jetojmë dhe vazhdojmë të mbetemi të ekskomunikuar për faj të politikanëve.

Filed Under: Opinion Tagged With: Elida Buçpapaj, Kujtese, PËR HASHIM, THAÇIN

NJË KONFERENCE NDËRKOMBËTARE PËR “STATUSIN SPECIAL” TË SHQIPTARËVE NËN MALIN E ZI, ME MBIKQYRJE NDËRKOMBËTARE

July 1, 2014 by dgreca

Letër e pambyllur drejtuar Presidentit të Komisionit Europian,Jose Manuel Barroso, për çështjet e pazgjidhura të shqiptarëve etnikë nën Malin e Zi/
I mirëseardhur e i nderuari President i Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso, shqiptarisht ju faleminderit që Bashkimi Europian i dha Shqipërisë Londineze Statusin e Vend Kandidat, një status i bekuar e i vonuar prej kohësh. Sot, në kit’ vizitë Tuajën në Tiranë, po iu adresoj nji letër të pambyllur për “Statusin Special” për Shqiptarët etnik nën Malin e Zi.
Sivjet, më 12 shtator 2014, përploten 22 vjet nga dita e nënshkrimit nga Shqiptarët nën Malin e Zi të Memorandumit për “Statusin Special” drejtuar Konferencës së Paqes për Ish-Jugosllavinë, e mbajtur në Bruksel, Londër e Gjenevë. Kjo kërkesë shqiptare u bazua në Të Drejtën Ndërkombëtare, në Dokumentin e Hagës, kreu II, pika a. b, c (në kuadër të Malit të Zi) dhe me një Mbikëqyrje Ndërkombëtare.
Çështje të këtij Memorandumi u cekën pa vendimmarrje në tre vendmbajtjet e Konferencës, ku për herë të parë në histori morën pjesë edhe përfaqësues politik nga shqiptarët nën Malin e Zi. “Të Mëdhenjtë” e Konferencës u mjaftuan me pak…(!) Ngjarjet, për fat të keq, nga ajo vjeshtë e vitit 1992, nuk ecën në favor të Shqiptarëve nën Malin e Zi. Nuk iu plotësuan kërkesat e tyre legjitime, pasi edhe vet republika/shteti i Malit të Zi si edhe Komuniteti Ndërkombëtar ishin me mjaft angazhime e sipërmarrje nacionale, rajonale e ndërplanetare të mëdha, të shumta, të gjata.
Sigurisht, në “dështimin” e Memorandumit Shqiptar dhe të vet Konferencës së Paqes për Ish-Jugosllavinë, ndikuan disa faktorë ndër vite: a) Zhvillimet nacionale e rajonale nga shpërbërja e RSFJ, Ish Jugosllavia Avnojiste gjatë rregjimit të Millosheviçit; b) Luftërat në shtete e republika kufitare me Malin e Zi si në Kosovë, Bosnje-Hercegovinë e Kroaci, rebelimi i vitit 1997 në Shqipëri, etj.; c) Krijimi i Unionit Serbi-Mali i Zi (Jugosllavia e Tretë) e, mbasandejna, dalja e Malit të Zi shtet më vete, i pavarur e sovran (më 2006) edhe me votat e shqiptarëve etnik të atyshëm; d) Hartimi e miratimi i Kushtetutës së re të Mality të Zi, ngritja e Këshillit Nacional të Shqiptarëve (sikurse edhe për pakicat e tjera etnike), krijimi i Ministrisë për të Drejtat e Pakicave në Mal të Zi, organizma të cilët nuk e ndryshuan gjendjen e randë të shqiptarëve, veçse shërbyen ma së shumti si dekor e demagogji politike e Gjukanoviçit, etj. e) Mos interesimi kombëtar, i drejtpërdrejt, i kushtëzuar e i vazhdueshëm nga Shqipëria dhe Kosova për disa çështje shqiptare në Malin e Zi; f) Mos kërkesa e plotë dhe lëshimet e shumta të Bashkimit Europian e të NATO-s dhe disa vendeve antare të tyre ndaj shtetit të ri e të vogël të Malit të Zi lidhur me Të Drejtat e Njeriut e Pakicave Etnike (për Shqiptarët etnik) në kuadrin e integrimeve euro-atlantike.
Sot, në dekadën e tretë (1992-2014) të Memorandumit të Shqiptarëve nën Malin e Zi drejtuar Konferencës së Paqes për Ish-Jugosllavinë shohim se realitetet etnike, politike, ekonomike, kulturore, etj. për shqiptarët etnik nuk kanë ndryshuar për mirë, por janë përkeqësuar me perspektivë ma të errët. Milo Gjukanoviç, me një mandat të plotë si president e në të shtatin mandat si kryeministër (1991-2014), lideri politik ma jetëgjatë në Ballkan e Europën e Bashkuar, po ushtron në vazhdimësi një politikë shtetërore shovene kundërshqiptare, të papranueshme për shek. XXI, me elementë neo-kolonial e racist të sundimit të egër, të spastrimit e asimilimit etnik, të shtetëzimit pronësor dhe genocid etnik, politik, kulturor, ekonomik. Kaq e egër është kjo politikë e shtetit të Malit të Zi ndaj shqiptarëve etnik saqë i ka detyruar të dalin në protesta e demonstrata aktive, masive e të shpeshta. Sivjet, rasti ma i fundit ishin protestat e shqiptarëve në Tuz – Malësi (6 prill 2014) e në Plavë-Guci (8 prill 2014). Më 8 prill 2014 u organizua një demonstratë e fuqishme para Shtëpisë së Bardhë e ambasadës Malazeze në Uashington, ku shqiptaro-amerikanët me origjinë nga shtetet e trevat shqiptare në Malin e Zi e në Ballkan protestuan gjatë vizitës të Gjukanoviçit në Amerikë, kundër këtij diktatori shovinist e racist në Europën e Bashkuar e “gospodar” i egër antishqiptar në Malin e Zi, njësoj sikur Krajl Nikolla I në kohën e tij. Me dhjetra herë në dy vitet e fundit e kanë ngritë zërin e tyre edhe shoqatat e fondacionet shqiptare me prejardhje nga trojet e veta etnike nën Mal të Zi e që veprojnë në SHBA e në Europë si: Shoqata Atdhetare ‘’Malesia e Madhe, Fondacioni ‘’Plave Guci’’, Shoqata Atdhetare’’ Ana e Malit’’, Fondacioni Humanitar ‘’Malësia’’, Fondacioni ‘’Ded Gjon Luli’’, Shoqata e Plavë-Gucisë për Europë, Fondacioni ‘’Dom Simon Filipaj’’, Shoqata Atdhetare ‘’Kraja’’, Shoqata Atdhetare ‘’Ulqini‘’, etj.
I nderuari President i Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso, ju baj me dije me shqetësim të lartë se shqiptarët etnik nën Malin e Zi, si rrallëkush në Ballkan e Europën e Bashkuar, kanë çështje të pazgjidhura të ekzistencës të identitetit shqiptar, të mbijetesës fizike, ekonomike e politike, etj. Kjo, nga disa problematika që nga koha e Konferencës së Paqes për Ish-Jugosllavinë, të cilat presin zgjidhje sa ma të shpejtë:
a) Shpopullimi i pandalur i viseve shqiptare nën Malin e Zi nga politikat antishqiptare të shtetit gjukanoviçian. Në mbi dy dekadat e fundit popullsia etnike shqiptare në trevat e veta etnike është ulur në rreth dy herë. Sipas Memorandumit shqiptar të 12 shtatorit 1992 kërkohej që në komunat etnike shqiptare, me shumicë shqiptare, t’iu njihej e drejta shqiptarëve etnik për të qeverisur vetë në mënyrë autonome, si në fushën e rendit publik, në polici, në prokuroritë komunale, në gjykatat lokale, në arsim, në shëndetësi, në shërbimin e të ardhurave dhe në shërbimin pronësor juridik, në kadastër, në urbanizëm, në inspeksione, në shfrytëzimin e të mirave natyrore, etj. Një shembull: në komunën e Plavë-Gucisë në vitin 2012, sipas ligjshmërisë e përqindjes shqiptare, ishin mbi 200 vende punë për shqiptarët në këta sektorë, po iu kishin dhanë vetëm mbi 60 prej tyre (!)
b) Mos lejimi i perdorimit të simboleve kombëtare. Rasti i fundit i përket 23 qershorit 2014: Në selinë e komunës së re të Gucisë me 40 për qind popullsi etnike shqiptare, në sallën e mbledhjes të kontituimit të parlamentit lokal të saj, nga partitë malazeze-serbe-boshnjake në pushtetin qëndror në Podgoricë e atë lokal në Guci, nuk u lejua qëllimisht vendosja e Flamuri Kombëtar Shqiptar, po vetëm i Flamurit Shtetëror të Malit të Zi e ai i komunitetit Boshnjak, pavarësisht se u kërkua zyrtarisht e publikisht edhe nga partia shqiptare, Lidhja Demokratike në MZ. Ka plot fshatra me popullsi të madhe shqiptare si në bregdetin e Tivarit e Ulqinit, Ultinën e Podgoricës, në Plavë, Guci e Rrozhajë, ku nuk gjen në territorin e tyre as tabela e mbishkrime në gjuhën shqipe dhe në shumë fshatra të tyre nuk ka shkollë shqip, etj.
c) Përpjekjet për ndryshimin e strukturës demografike duke sjell ardhacakë serbë, boshnjakë e malazezë në komunat etnike shqiptare, me shumicë shqiptare. Rasti ma i fundit, i sivjetëm:(ish)kryebashkiaku i Podgoricës, Miomir Mugosha i partisë së Gjukanoviçit, në komunën urbane shqiptare të Tuzit, pikërisht në trevën e fisin shqiptar historik të Grudës, tek vendbanimi Dheu i Zi, ka ngritë një lagje të madhe me boshnjakë të ardhur nga brigje të degëve lumore të Limit, etj.
d) Ndryshimi i ligjit për përfaqësimin e popullit Shqiptar në Kuvendin e Malit të Zi.
e) Arrestimet e burgosjet gjatë aksionit famëkeq e terrorizues “Fluturimi i Shqiponjës” në Tuzi; arrestimet e 23 shqiptarëve në fshatin Martinaj të Gucisë, etj.
f) Injorimi dhe mos dhënja e të drejtës të komunës urbane të Tuzit për të dalë komunë më vete në ndarjen administrative-territoriale të Malit të Zi. Ndarja e krahinës etno-historike e komunare të Plavë-Gucisë në dy komuna, në atë Plavës e të Gucisë, me qëllim defaktorizimin e shqiptarëve, shpërnguljen apo asimilimin e tyre.
g) Eksproprimi skandaloz i pronës private në emër të krijimit të parqeve nacionale në pronat private të shqiptarëve të Plavë-Gucisë, Rrozhajës, etj. Marrja e kompetencave në mënyrë arbitrare për pasuritë detare të komunës së Ulqinit, konfiskimi i pronave private të shqiptarëve në Gjirin e Valdanosit; etj.
h) Çështja e pambyllur e (demarkacionit) përcaktimit të kufijve tokësor, detar e liqenor e lumor të Malit të Zi me Shqipërinë e Kosovën.
I nderuar President i Komisionit Europian, kjo gjendje e rëndë e shqiptarëve etnik në trevat e veta etnike nën Malin e Zi, diskrimini i institucionalizuar etnik, ekonomik, politik, kulturor, etj. ndaj shqiptarëve, mos zgjidhja e problemeve shqiptare në rritje qyshse nga Memorandumi Shqiptar i 12 shtatorit 1992 dhe Konferenca e Paqes për Ish-Jugosllavinë (Bruksel, Londër, Gjenevë), etj. duhet të mos i kthejnë shqiptarët e viset e tyre në një “Çamëri të dytë” për shtetet e trevat shqiptare në Ballkan dhe as në një “Mitrovicë të dytë” për Europën, Amerikën e Botën. Ndërgjegja e Europës dhe e botës euro-atlkantike nuk duhet të heshtin me vetëdije dhe as të presin ma gjatë, pasi Mali i Zi, vend kandidat për në BE e NATO ka edhe detyrime ndërkombëtare.
Sivjet, më 2014, ma shumë se astenjëherë në historinë e re moderne, ka ardhë koha emergjente për mbajtjen e një Konference Ndërkombëtare për “Statusin Special” të Shqiptarëve nën Malin e Zi me Mbikqyrje Ndërkombëtare.
Me konsideratë të lartë
Ramiz Lushaj
Drejtor ekzekutiv i Qëndres Shqiptare të Studimeve Amerikane e Britanike
Tiranë, 30 qershor 2014

Filed Under: Opinion Tagged With: Barrosos, Leter e pambyllur, Ramiz Lushaj

Shoqata, Kishës: Pranojeni “Nolin” dhe e bëjmë më të madh

July 1, 2014 by dgreca

Përplasje mes kishës së Durrësit dhe shoqatës që mban bustin e Nolit. Kreu i kishës, At Spiro Kostoli, akuzon shoqatën se ka vepruar pa lejën e kishës për nderimin e figurës së Noli/
Vetëm një ditë pas vendosjes së bustit të ish- Kryepeshkopit Fan Noli, në kishën e Shën Mërisë së Elbasanit, ka ardhur edhe reagimi nga Kisha Ortodokse e Durrësit. Për bustin e Nolit, të realizuar nga skulptori Idriz Balani, ka pasur një sërë mosmarrëveshjes mes Kishës Ortodokse Shqiptare dhe shoqatës përgjegjëse, konflikt i cili duket se do të mbetet i hapur. Vetëm dy ditë më parë kur busti i Nolit u përurua në Elbasan, në një atmosferë festive, me meshën e famullitarit At Nikolla Marku, në qytetin bregdetar, aty ku po bëheshin përpjekjet e fundit për të vendosur një tjetër bust të ish-Kryepeshkopit, është ngjitur vetëm një pllakatë. Kjo e fundit i referohet pikërisht meshës së parë shqipe, të mbajtur nga Noli në kishën e “Shën Spiridonit”, dhe sipas Elida Jorgonit, edhe rivendosjes, 40 vjet pas shkatërrimit nga regjimi komunist. At Spiro Kostoli, i Kishës së Durrësit në deklaratë për mediet ka kërkuar që busti i Fan Nolit të vendoset në Durrës dhe shoqata t’i drejtohet zyrtarisht bashkisë së qytetit për ta përmbushur këtë. “Deklarojmë se kemi qenë dhe jemi dakord që busti i Imzot Theofan Nolit të vendoset në Durrës. Theksojmë se ishte organizata ”Foleja kombëtare shqiptare” që i ndërpreu bisedimet me Kishën ”Apostull Pavli & Shën Asti” të Durrësit, për arsyet që ata i dinë dhe për asnjë moment për shkakun tonë. Sigurisht, këto çështje nuk zgjidhen as me pamflete dhe as me ultimatume, por duke dialoguar me të gjitha palët. Mënyra se si u veprua ditën e djeshme, nuk e nderon veprën e tij të jashtëzakonshme për Kishën dhe vendin, por e ul dhe fyen atë. Ne dëshirojmë që busti i Imzot Theofan Nolit të jetë në Durrës, sepse aty i takon të jetë. Për të realizuar këtë ne do të kërkojmë edhe bashkëpunimin e autoriteteve vendore të qytetit”, – thotë At Spiro Kostoli. Sipas Kishës së Durrësit, shoqata ka tentuar të vendosë një pllakat përkujtimor dhe bustin e Fan Nolit në ambientet e Kishës së Durrësit, pa i drejtuar kishës dhe as bashkisë, kërkesën zyrtare dhe qëllimin e saj. Refuzimin e kishës, shoqata e konsideroi si akt antikombëtar, ndërsa Kisha Autoqefale e konsideroi si një sipërmarrje individuale, personale, që duke fyer figurën e Fan Nolit për mënyrën si u trajtua, kishte qëllim për të goditur vetëm Kryepeshkopin Anastas Janullatos për kombësinë e tij.
• Reagimi i shoqatës
• Shoqata denoncon hipokrizinë e reagimit të djeshëm të Kishës Ortodokse në Durrës, e cila thotë se është “dakord që busti i Imzot Theofan Nolit të vendoset në Durrës. “Nëse priftërinjtë e KOASH mendojnë se janë kryebashkiakë ky është problemi i tyre. Kërkesa e dorëzuar që më datë 18 qershor kërkon që busti të vendoset në Kishën Ortodokse të Durrësit, ku Hirësi Theofan Noli ishte mitropolit dhe jo “diku në Durrës”. “Foleja Kombëtare” nuk ka bërë as pamflete e as ultimatume. Kërkesa është dorëzuar që më datë 18 qershor. Nëse ata duan të japin përgjigje pozitive që busti të vendoset në oborr të Kishës, ne marrim përsipër që të financojmë dhe ndërtojmë një bust edhe më të madh për Mitropolit Theofanin. Kisha Ortodokse në Durrës me hipokrizi nuk mund të manipulojë opinionin publik. Le të na thotë që e pranon bustin e Mitropolitit dhe ne do ta financojmë, do ta ndërtojmë dhe do ta çojmë sa më shpejt në Kishën e Durrësit”.
• Mesha e parë e Nolit
• Historia ka faktuar se 100 vjet më parë, pikërisht në datën 10 mars 1914 Fan Noli ka zbritur në qytetin e Durrësit për të mbajtur meshën e parë në gjuhën shqipe. Në kishën e “Shën Spiridonit”, Noli është ndjekur nga dhjetëra besimtarë ortodoksë. Kisha e Shën Spiridonit në vitet e regjimit komunist humbi një pjesë të gjurmëve të saj origjinale. Kështu, dera e saj u mor dhe u dërgua tjetërkund, por ishte poeti dhe përkthyesi Perikli Jorgoni, së bashku me bashkëshorten, Elidën që e gjetën dhe e mbajtën për një kohë të gjatë, në pamundësi financiare për ta rivendosur. Dera origjinale e kishës është vendosur, jo shumë kohë më parë dhe Z. Jorgoni nuk mundi t’ia arrinte kësaj dite. Edhe pse humbi jetën në dhjetor 2012 Jorgoni, nip i patriotit Hilë Mosi la amanet që një shumë prej 600 mijë lekësh e mbledhur me të shoqen e tij të përdorej për të bërë një bust për Fan Nolin. Realizimin e mori përsipër skulptori i njohur Idriz Balani.
• Busti i Nolit, Kisha Ortodokse sulmon At Nikolla Markun
• Duket se At Nikolla Marku është bërë sebepi i konfliktit në kishën Ortodokse Shqiptare me ceremoninë e vendosjes së shtatores së Fan Nolit në qytetin e Elbasanit. Zëdhënësi i Kishës Ortodokse shqiptare, Thoma Dhima, ka postuar një sërë deklaratash gjatë ditës së djeshme, në të cilat ka sulmuar drejtpërdrejt famullitarin e kishës së “Shën Mërisë”. Dhima shkruan se Marku nuk ka lidhje me asnjë episkop, pasi përmend më së pari rregullat kanonike të një famullitari që predikon a drejton një kishë. “Asnjë Kishë Ortodokse nuk mund të ekzistojë pa pasur episkop (as edhe ndonjë kishë tjetër e krishterë). Asnjë prift ortodoks nuk është autonom ose autoqefal. Ai është i varur nga ana kanonike nga një episkop që është gjallë dhe kur meshon ose kryen çdo lloj akti priftëror, është i detyruar dhe duhet të përmendë emrin e këtij episkopi. Ky episkop duhet të përmendë në çdo meshë emrin e Kryepiskopit të Kishës Autoqefale (dhe Kryepiskopi emrat e të gjithë Primatëve Ortodoksë). Në rastin konkret, N. Marku nuk ka lidhje me asnjë episkop, sepse, është më se e qartë, që nuk e njeh asnjë i tillë. Një arsye më shumë kjo, për pavlefshmërinë absolute te akteve të tij. Pra, çdo pagëzim, përshpirtje, martesë a Meshë e bërë nga At Nikolla Marku nuk ka asnjë vlerë për besimtaret ortodoksë. Por, sigurisht, ka vlerë për besimtaret e feve të tjera që e mbështesin dhe financojnë” – shkruan Dhima. Më tej ai i referohet një shkrimi të Markut të botuar në një nga të përditshmet shqiptare në vitin 2012, në të cilin zbulon një vendim gjykate, ku sipas tij flitet për mashtrim. “N. Marku ndërmerr të vërtetojë “në mënyrë të ligjshme me një vendim gjykate të korrikut 1996, me nr. 2634, ekzistencën e grupimit të tij si subjekt juridik”. Por kur shikohet ky vendim, menjëherë bie në sy mashtrimi i madh. Vendimi gjyqësor me të cilin përpiqet të mbrohet (të cilin ia bashkëngjisim këtij artikulli), e njeh si shoqatë që ka të drejtën e ushtrimit të aktivitetit privat në lëmin e tregtisë të shitjes me shumicë dhe pakicë, me bazë ligjin 7512, 11. 8. 1991 “Për sanksionimin dhe mbrojtjen e pronës private, të nismës së lirë, të veprimtarive private të pavarura dhe privatizimit”, të dekretuar nga presidenti Ramiz Alia. Nuk bëhet fjalë për njohjen e një Kishe, por thjesht të një shoqate me emrin “Komiteti për mbrojtjen e Kishës ortodokse kombëtare shqiptare”, siç ka me qindra, së cilës i jepet e drejta të shesë dhe të blejë, siç bëjnë subjektet private të këtij lloji. Mashtrimi është i qartë. Asnjë gjykatë nuk e njohu këtë shoqatë ose këshill si Kishë dhe për më shumë si Kishë ortodokse. Dhe sigurisht, që një gjë e tillë nuk ndodhi as kur, pa ndonjë vendim tjetër gjyqësor, e ndryshoi vetë emrin e shoqatës dhe e vetëquajti “Kisha Ortodokse Autoqefale Kombëtare Shqiptare” – citon Dhima.(Shkroi:Neritan Gjergo)

Filed Under: Opinion Tagged With: Kisha, Neritan Gjergo, noli, shoqata

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 738
  • 739
  • 740
  • 741
  • 742
  • …
  • 868
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Antonio Bellushi (1934, Frasnitë – 19 qershor 2024) mbledhës i zellshëm dhe studiues i pasurive etnokulturore e gjuhësore të Arbëreshëve dhe Arbërorëve
  • Jetimi që nxori zbuluar shtetin…
  • Qyteti antik 2400-vjeçar i Çukës së Aitoit
  • Dita e Veteranëve, përkujtojmë shqiptarët që shërbyen me nder në Ushtrinë e SHBA
  • Lëvizjet e popullsisë shqiptare jashtë kufijve shtetërorë dhe vendosja e saj në Shqipëri: Një analizë historiko – hartografike dhe socio – ekonomike
  • “DUA”, propozimi zyrtar i Kosovës për Oscar në kategorinë “Filmi më i mirë ndërkombëtar”
  • 1928 / URA E ZOGUT MBI LUMIN MAT — RRËFIMI EKSKLUZIV I ERWIN SCHNITTER, INXHINIERIT ZVICERAN QË DREJTOI PUNIMET PËR NDËRTIMIN E SAJ
  • NIKOLLA NAÇO (1843–1913) – ATDHETARI QË E VURI PASURINË, DIJEN DHE JETËN NË SHËRBIM TË SHQIPËRISË
  • MURI I BERLINIT RA, POR MURET POLITIKE DHE IDEOLOGJIKE MIDIS SHQIPTARËVE VAZHDOJNË TË QËNDROJNË
  • Dy “Qemalët” e mëdhenj që themeluan dy shtete mbi rrënojat e një perandorie
  • THANK YOU to the City of St. Petersburg and Chief Anthony Holloway for Supporting Albanian School VATRA!
  • A egzistonte koncepti i kombit në kohën e Skënderbeut?
  • Dardane Halimi: “ALB Connection was created to give every Albanian-owned business in America a voice and visibility”
  • KRIJIMI I NJERIUT TË RI: NGA IDEOLOGJIA KOMUNISTE TE KULTURA E PËRFITIMIT NË SHQIPËRINË E SOTME!
  • Transpozimi poetiko-dramatik i veprës “Trungu ilir” të Sabri Hamitit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT