• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

BIJTË E ETËRVE ‘TË DJATHTË’

July 23, 2014 by dgreca

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ/
Bilal Kola u emërua në krye të Institutit të ish të Përndjekurve Politikë, instancë e Qeverisë së Shqipërisë. Ky lajm më shërbeu si nxitës vendimtar për të shtjelluar këtu një ide timen shumë më të hershme.
Emri i të sapoemëruarit, siç ndodh rëndom tek ne, do të lakohej menjëherë së bashku me emrin e babait të tij, Kurt Kolës, ish i burgosur politik, eksponent i organizimeve të shtresës përkatëse në periudhën e tranzicionit, pra, të themi ‘i djathtë’.
Në Shqipërinë gjithnjë e më promiskuite është diçka e përditshme, si buka dhe si ajri, të thirren me tone fyese, përbuzëse, madje dhe urrejtëse përkatësitë familjare, farefisnore, krahinore, fetare e të tjera të njerëzve të njohur. Është diçka për të cilën ndiej neveri përditë e më shumë dhe nuk do të doja e nuk dua as në këtë rast të bie në ato pozita, pavarësisht shprehjeve tona se “dardha nën dardhë bie” apo “nga i miri del i keqi, nga i keqi del i miri”, sepse, edhe e para, edhe e dyta, sado në sense të ndryshme, shprehin paragjykim.
Kurt Kola, dihet sa është figurë kundërthënëse e tranzicionit në Shqipëri. Do të na mjaftonte dalja e tij për krah të majtës në atë që quhet Rebelimi i 1997 në kuadrin e “Forumit për Demokraci”. Ai mbahet mend edhe se i drejtori i parë i Institutit të ish të Përndjekurve Politikë, atëherë në kuadrin e Kryeministrisë, tashti në kuadrin e Ministrisë së Mirëqenies Sociale. Periudha e tij, 1997-2005 mbahet mend si periudha kur nuk është bërë asgjë, pothuaj absolutisht asgjë për shtresën e ish të burgosurve dhe ish të përndjekurve politikë.
Mbahet mend gjithashtu se përfshirja e Kurt Kolës në lëvizjen e majtë dhe në qeverisjen e majtë aso kohe është interpretuar si renegate, pra braktisje e së djathtës dhe rënie në prehrin e së majtës.
Nga e gjithë kjo, megjithatë, nuk ia lejoj vetes të paragjykoj se Bilal Kola, i biri i tij, nuk ka për të bërë më të mirën e mundshme për shtresën e tij. E uroj, madje me gjithë zemër, të arrij suksese shembullore në detyrë. Dhe, për hir të tij, po bëj lëshim stilistik, duke sjellë biografinë (curriculm vitae) e publikuar nga enti emërues: “Bilal Kola ka lindur në internim në fshatin Plug të Lushnjës, ku ka jetuar deri në moshën 18 vjeçare. Në vitin 1998 ka përfunduar studimet e larta për Drejtësi në Universitetin South Bank, në Londër, dhe në vitin 2011 ka marrë titullin Doktor Shkencash nga Universiteti Ndërkombëtar Montgomery, SHBA. Gjithashtu, ai zotëron një Master në të Drejtën Ndërkombëtare Tregtare nga Universiteti Metropolitan i Londrës, si dhe një diplomë në të Drejtën Ndërkombëtare të Aviacionit. Kola ka një eksperiencë të gjatë 15-vjeçare si jurist në Shqipëri, Angli dhe Kanada, gjë që i ka shërbyer për mbrojtjen e kauzës së ish-të përndjekurve politikë, për të cilën ai është angazhuar prej vitesh. Aktualisht ai është administrator i studios “K&H Law Firm”, që ofron këshillim për disa shoqëri tregtare vendase dhe të huaja.”
Ndoshta nuk do të shikoja asgjë të keqe, madje vetëm të mirë, në këtë emërim, nëse lajmi nuk do të vijonte me “menjëherë pas largimit të Bedri Blloshmit”. Ky emër na e kujton një figurë, një familje, një mbiemër tejet të njohur për vuajtjet shembullore, përballjen dhe qëndresën shembullore ndaj komunizmit në Shqipëri. Le të jetë? Por çka më la mbresë të pashijshme ishte se largimi i Blloshmit u shoqërua me një fushatë përbaltëse, çka nuk i shpëton nga vetëpërbaltja as emëruesit dhe njëherësh shkarkuesit e tij përkatësisht në detyrë dhe nga detyra.
Kjo fushatë, me pjesëmarrje nga grupe interesi pranë qeverisë, si nga ato zyrtare edhe nga ato të segmenteve të ish të burgosurve dhe të përndjekurve politikë, tregon bashkautorësi të qeverisë, në mos dirigjim prej saj.
Blloshmi, ndër të tjera, akuzohet se ka krijuar precedent, gjoja duke shkelur mbi gjakun e vëllait të pushkatuar, poetit Vilson Blloshmi, mbi idealet e djathta, për shkak se pranoi një post në një qeveri të majtë, në një qeveri të ish persekutorve të së djathtës. Zaten akuzohet nga ata që njëkohësisht vetëtrumbetohen bujshëm si ithtarë të precedentit të vërtetë.

Fakti është, siç përmenda më lart, se precedentin nuk e ka krijuar Blloshmi. Mund të them pa nguruar edhe se Blloshmi në pak muaj ka bërë shumë herë më tepër se Kola gjatë tetë viteve të tij në detyrë.
Fushata të kujton “Shtëpinë me Gjethe” të dikurshme. Dhe të vjen rëndë që në tranzicion gjithnjë e më shumë po iu dalin gjethe shtëpive në qendër të shtetit.
Duke u kthyer, sado vonë, drejtpërdrejt tek tema e shqetësimit tim, le të them se “bijtë e etërve të djathtë” vjen si stilemë e thënieve aq të shpeshta për “bijtë e etërve – të majtë”, “bijtë e etërve bllokistë”, “bijtë e etërve persekutorë” e tjerë, një demagogji që e ka shoqëruar gjatë gjithë këtij tranzicioni atë grupim klanor që ka folur në emër të së djathtës.
Me “bij të etërve të djathtë” dua të kuptoj të gjithë pasardhësit e ish të burgosurve politikë, ish të përndjekurve politikë, pasardhësit e pronarëve të ligjshëm, pasardhësit e antikomunistëve, pra bijtë, bijat, nipat dhe mbesat e atyre që Enver Hoxha dhe klika e tij i mundi para 70 vjetësh dhe që vazhdojnë të korrin frytet e hidhura të humbjes që pësuan etërit e tyre, gjyshërit e tyre, humbje e cila, mjerisht, ishte edhe humbje e kombit, madje humbje tejet e rëndë dhe tejet tragjike.
A e ka, pra, brezi i Bilal Kolës, i të gjithë atyre që lindën e u rritën në internime politike, gjithë atyre që u rritën me mbresat e sporteleve të burgjeve politike të etërve të tyre, vetëdijën e përkatësisë së djathtë dhe vetëdijën e domosdoshmërisë së djathtë për vendin e tyre dhe për shoqërinë e tyre. Dhe kjo vetëdijë a është e asaj shkalle që të çojë në një lëvizje të organizuar të djathtë. Nga kjo lind pyetja: a do të ketë ndonjëherë një alternativë të djathtë ndaj së majtës që sundon prej tre çerekë shekulli në Shqipëri.
E djathta shqiptare gjatë komunizmit i është nënshtruar një genocidi të gjithanshëm. Etërit e djathtë të mbijetuar, tranzicioni i gjeti të dërmuar sa dhe të hutuar e të çorientuar. Këtë e shfrytëzuan, e shfrytëzojnë dhe do ta shfrytëzojnë me pafytyrësi dy grupimet e mëdha klanore, pasuese të PPSH. Ata eksponentë të djathtë që arritën të përfshihen në nivele të larta të politikës apo të qeverisjes, kryesisht u detyruan të përfshihen në klanet dhe të shikojnë vetëm interesat e tyre të ngushta, pa çarë kokën më tej për shtresën e prejardhjes. Edhe ata pak bij e bija të etërve të djathtë, të përdorur në poste të ndryshme të larta, dëshmuan se janë shumë larg figurave të tilla si Pjetër Arbnori apo Azem Hajdari.
Tranzicioni shqiptar, ndër të tjera, ka dëshmuar se tek ne ekziston ndjeshëm elektorati i djathtë, ekziston ndjeshëm populli i djathtë, ekziston ndjeshëm kundërvënia perëndimore ndaj së majtës lindore që vazhdon në të dyja grupimet më të mëdha klanore. Por ata që erdhën dhe qëndruan në pushtet me këtë votë të djathtë nuk bënë asgjë për etërit, nuk bënë, nuk bëjnë dhe nuk do të bëjnë asgjë për bijtë e bijat, nipat e mbesat e etërve dhe gjyshërve të djathtë.
Nëse nuk krijohet kundërvënia e vetëdijësuar dhe e organizuar e “bijve të etërve të djathtë” ndaj së majtës lindore që sundon këto 70 vjet, atëherë e djathta jonë do të mbetet një utopi, një shpresë e rreme. Nëse ata “bij të etërve të djathtë” që kanë mbaruar e mbarojnë studimet në Perëndim apo edhe në universitetet shqiptare, nuk kujtohen për idealet e paraardhësve të tyre, atëherë politika dhe jeta shqiptare do të vazhdojnë të ecin mbi dy këmbë të majta, të veprojnë me katër gjymtyrë të majta, secila më lindore se tjetra, secila më joperëndimore se tjetra. Një çorodi më se tragjike, do të thoja.

Filed Under: Opinion Tagged With: 'TË DJATHTË', BIJTË E ETËRVE, Skender Bucpapaj

Kur sfidon “Ambasadori i Padëshirueshëm”…

July 23, 2014 by dgreca

E kanë konsideruar si “të padëshirueshëm” për qeverinë apo Ministrinë e Jashtme, madje nuk e ftuan as në konferencën e ambasadorëve të Shqipërisë të organizuar pak ditë më parë në Tiranë, duke shënuar kështu ngjarjen më të paprecedentë në historinë e shtetit dhe të diplomacisë shqiptare.
Me urdhër të prerë iu është kërkuar mbyllja faqes së internetit të Ambasadës shqiptare në Londër, (fatmirësisht për facebook-un akoma nuk ka ardhur ndonjë urdhër…) dhe mosdhënia e asnjë interviste për BBC-në apo CNN kur ishte fjala për dhënien e statusit kandidat në BE të Shqipërisë.
Ambasadori “i padëshiruar” Mal Berisha sfidon me postimin e tij në facebook, duke dëshmuar për punën dhe angazhimin e tij të jashtëzakonshëm në këtë post, pse jo duke u bërë model edhe për kolegët e tij, “të shumëdëshiruar” nga qeveria apo Ministria e Jashtme, që nga ndonjë googellim rezultojnë as më pak e as më shumë sesa pjesëtar i një grupi social dhe asgjë më shumë…
Pak ironik e shumë sfidues Ambasadori Berisha le të kuptojë se “ka harruar” “padëshirueshmërinë e tij” dhe thjesht thekson punën dhe planet për të ardhmen:
“Në zbatim të detyrave të lëna nga Konferenca vjetore e Ambasadorëve të RSh, mbajtur nga data 4 deri me datën 7 Korrik 2014, kam nderin e veçantë që të ndaj me ju kënaqësinë për transmetimin e emisionit televizv të mëposhtëm nga ana e kanalit britanik CBBC. Ky kanal është pjesë e rrjetit të BBC – England, BBC London, BBC 1 West, BBC East, BBC C1, Chanel 4 East, dhe BBC World.
Emisioni u transmetua me datën 22 korrik 2014 në orën 9.00 GMT. Emisioni mori shkas nga këngëtarja e njohur shqiptare nga Prishtina, Rita Ora, artistja më e preferuar e fëmijëve britanikë nga mosha 8 deri në 18 vjeç dhe veçanërisht vizita e saj në Ambasadën tonë në Londër dhe pjesëmarrja në 100 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë.
Nëpërmjet saj emisioni kishte për qëllim tu jepte fëmijëve të kësaj moshe sa më shumë njohuri rreth shqiptarëve në Ballkan, vendit nga vjen Rita Ora duke intervistuar ambasadorët e dy vendeve, Shqipërisë dhe Kosovës.
Emisioni është parë nga rreth 18 milionë syresh të cilët nuk kanë asnjë ide për Shqipërinë dhe Kosovën. Ai transmetohet jo vetëm në Britaninë e Madhe por edhe në vende të largëta Australi dhe Zelandën e Re. Për fat të keq në tekstet shkollore të Britanisë së Madhe as që përmenden shqiptarët në asnjërën anë të kufirit, dhe nuk zhvillohet asnjë orë mësimi rreth nesh. Dhënia e këtij informacioni për shqiptarët në Ballkan, një audience të tillë është një gjë shumë e rëndësishme për brezin e ri.
Per veprimtarite e tjera mund te shihni ne Yutube se cfare veprimtarish te vlefshme ka zhvilluar “Ambasadori i padeshirueshem” per kulturen tone kombetare dhe per ceshtjen shqiptare. Nese doni ta shihni kete program shkroni dhe klkoni ne : 1- http://www.bbc.co.uk/iplayer/cbbc/episode/b04bzpyv/pop-slam-2-the-vamps-vs-rita-ora
Ndërkohë në zbatim të detyrave programatike të Konferencës vetëm pak ditë më vonë me dt 15 gusht 2014, Ambasada organizon një veprimtari shumë prestigjioze me z Robert Ëilton, zv/Ambasador i Misionit të OSCE në Tiranë për të promovuar para një audience britaniko – shqiptare poezinë shqipe të përkthyer në gjuhën angleze prej atij vetë. Po ashtu pas organizimit të mbi 80 veprimtarive kulturore dhe artistike nga ana e kësaj ambasade në pak më shumë se dy vjet, dhe të ndjekura nga një audiencë prej mëse 5.000 pjesëmarrësish, ambasada po krijon traditën e veprimtarisë së saj për promovimin e vendit tonë nëpërmjet të asaj që tashmë quhet:
NOTES ON ALBANIA.
(Notat muzikore shqiptare, apo shënime rreth Shqipërisë – merreni si të dëshironi!)
Edicioni i parë i NOTES ON ALBANIA, 2013, u mbajt në Royal College of Music me artistë të mëdhenj shqiptar. Për disa fragmente rreth këtij aktiviteti ju lutem vizitoni:
-https://www.youtube.com/watch?v=0WqBzY-c-bw
https://www.youtube.com/ëatch?v=uU-g55x9-Fk
https://www.youtube.com/ëatch?v=bORGOI1dCeQ
Këtë vit, me datën 8 dhjetor 2014, në një nga sallat më prestigjoze dhe më moderne të muzikës në botë të quajtur Kings Place, Hall Number One do të organizohet:
NOTES ON ALBANIA, Second Edition;
Me artisten e madhe, Sopranon Inva Mula dhe artistë tjerë shqiptarë si dhe artistë të huaj që do të interpretojnë artin shqiptar, si muzikantë, krijues mbi motive shqiptare dhe aktorë që interpretojnë poezi shqiptare të përkthyera në gjuhën angleze.
Për këtë ju lutem vizitoni:-http://www.kingsplace.co.uk/hall-one#.U8493ssg_IU
Po kështu me datën 23 Tetor 2014, në Teatrin Kings Place Hall Number Tëo, Ambasada organizon shfaqjen e “Apologjisë së Vërtetë të Sokratit” interpretuar nga Artisti i Madh shqiptar Mirush Kabashi i shoqëruar nga artistë të tjerë shqiptar.
http://www.kingsplace.co.uk/hall-tëo#.U84-I8sg_IU
Veprimtaria kulturore dhe artistike e kësaj ambasade është parë si një mjet i fuqishëm në promovimin e Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar”.(Pergatiti:B. Sina)

Filed Under: Opinion Tagged With: ambasadori, i Padëshirueshëm”…, Kur sfidon

“MONSTRA” DHE…LOGJIKA E NJË “MESELEJE”

July 23, 2014 by dgreca

Rasti “Monstra” si paralele me atë vakinë a meselenë politike (shqiptare) të viteve gjashtëdhjeta, gjegjësisht me demonstratat e Tetovës të motit 1968/
Nga Fadil LUSHI/ Tetovë/
Secili prej nesh, që do të bëjë përpjekje ta anashkalojë paralelizmin logjik mes protestave paqësore që u organizuan në Shkup e gjetiu (po edhe me ato që do organizohen edhe në të ardhmen.., si “kundërpërgjigje gjykimit të montuar” ku gjashtë shqiptarë u dënuan me burgim të përjetshëm për rastin “Monstra”), me atë vakinë a meselenë politike (shqiptare) të viteve gjashtëdhjeta gjegjësisht me demonstratat e Tetovës të motit 1968, besojmë se që në fillim do të zhgënjehet dhe do të gabohet. Jo pse do t’i mungojnë provat, jo pse do i mungojë kujtesa pamore a edhe ajo dëgjimore, jo pse që në fillim do ngatërroj folkpatriotizmin me nocionin e atdhetarisë, jo pse do ngatërroj kohën e tashme me atë të kaluarën, por pse do “ngaterrohet” me patetizmin dhe subjektivizmin e tij.., pavarësisht se protestat paqësore në Shkup dhe gjetiu (sikur) që në fillim nisën paksa së prapthi.., me një “skenografi” që pak fare kishte të përbashkët me shqiptarë.., me pankarta të shkruara në alfabetin arab, me flamuj të shteteve të huaja, me ato brohoritjet.., me pjesëmarrjen e ca njerëzve të dyshimtë e tjerë. Parashtrohet pyetja, pse fillimisht, protestat nuk kishin Këshill Organizativ Koordinues dhe as kryesues.., pse që në fillim nuk i kishin të definuar qartë kërkesat e tyre, pse që në fillim nuk u akuzuan drejtëpërdrejtë individë a parti politike shqiptare po edhe maqedonase. Pse dikush, me aq “vonesë, deshi t’u dal zot” këtyre protestave sa humane, ligjore po aq edhe emancipuese.., pse filozofisë dhe moralit të këtyre protestave (mbase nuk ishin protesta mëhallash) që në fillim i’u vu kleçka, a mos vallë kjo u bë qëllimisht.., dhe atë për një “palë opinga allafrënga e të fëlliqura!?”. Me vazhdimin e protestave, do punë do fillojnë të “sqarohen dhe definohen paksa më ndryshe”, me çka edhe do të formohet Këshilli organizativ me kryesues. Ky këshill organizativ koordinues (me të drejtë) do të paraqes këto kërkesa:
1. “Shpallja e të dënuarve të “Monstrës” për të pafajshëm dhe lirimi i menjëhershëm i tyre..,
2. Shkarkimi i menjëhershëm i prokurores dhe gjykatës përgjegjëse për rastin “Mo-stra” dhe ndjekja e tyre për keqpërdorim të detyrës..,
3. Dorëheqja e ministres së punëve të brendshme për shkak të..,dhe,
4. Lirimin e menjëhershëm të gjithë të arrestuarve në protestat në Shkup dhe Tetovë.., derisa nuk plotësohen këto kërkesa protestat nuk do ndërpriten deklaruan organizatorët”. Në këto “kërkesa” çuditërisht nuk do të përmenden dhe nuk do të akuzohen lidershipët e as partitë politike shqiptare, qofshin ato në pushtet a në opozitë. Për ç’arsye nuk u “përgojuan” ne këtë nuk e dijmë!?
Meqenëse kanë kaluar shumë vite nga meseleja, e cila për kryefjalë kishte demonstra-tat e Tetovës të vitit 1968, nuk mund të përjashtohet mundësia karshi ndërtimit të një paralelizmi logjik me protestat e Shkupit. Ne besojmë, se në këtë paralelizëm ka arsye, pavarësisht se ato në aspekt të organizimit ndodhën në periudha të ndryshme kohore. E para do të ndodhë në hapësirat e ish Jugosllavisë dhe e dyta në ato të Republikës a shtetit të Maqedonisë. Demonstratat e Tetovës, me 22 dhe 23 dhjetor të vitit 1968 (me plotë të drejtë), do të karakterizohen me tre palë histori.
me atë të lavdatës
Kjo Histori e lavdatës do të shkruhet nga vet organizatorët dhe pjesëmarrësit e saj.., nga kryeorganizatori i këtyre demonstratave gjegjësisht nga studenti nga Beogradi, Faik Mustafa (i cili, do të dënohet me 5 vjet heqje lirie). Mandej do të dënohen edhe këta atdhetarë: Memetriza Gega, Beqir Berisha, Ramadan Sinani, pedagog i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, Ismail Memeti, pedagog i Gjuhës dhe Letërsisë Agleze, Hysnixhevat Kalishta, Abdylselam Selami, Abdylmenaf Rustemi (i dënuar bashkë me babain e tij edhe në Shqipëri) Abdulla Kalishta, Abdulla Jusufi, Dr. Mahmut Bajraktari, Dr. Harun Jakupi, Salajdin Hyseini dhe shumë tetovarë të tjerë. Në Shkup do të dënohet Sejdi Kryeziu 5 vjet, në Strugë Irfan Vllashi, Tosun Roçi, Syria Qura. Në Kërçovë Sali Ramadani, në Gostivar Imer Imeri dhe të tjerë nxënës nga Tetova, të cilët do të burgosen dhe më vonë edhe do të përjashtohen nga gjimnazi “Kiril Pejcinoviq”: Islam Beqiri, Rafi Halili (i cili më vonë do të dënohet bashkë me nënën dhe motrën me gjithsej 17 vjet heqje lirie), Hamit Saliu, viti i tretë, Ahmet Zeqiri, maturant, Rexhep Hasani, maturant, Sefedin Halimi dhe Fadil Lushi.

me atë të akuzës
Demonstratat e vitit 1968 nga ana e pushtetmbajtësve do të perceptohen si…” armiqësore dhe me kërkesa irredentiste për bashkim politik të shqiptarëve në Jugosllavi, për bashkim me Kosovën…” me shtetin amë si dhe me trojet tjera me frymëmarrje shqiptare, me të vetmin qëllim për të krijuar Shqipërinë natyrale. Përkundrazi, demonst-ratat e Tetovës të vitit 1968, ishin thjesht shprehje apo rezultat i një akumulimi të dufit shqiptar ndaj padrejtësive që i bëheshin.

c) me atë të harresës..,

Kjo do të duhet të jetë historia më e dhimbshme e demonstratave të vitit 1968, pasi që nga historianët tanë paksa më të moshuar, fare pak është diskutuar dhe trajtuar si pjesë a një kaptinë e veçantë e trashëgimisë sonë kombëtare. Është një ngjarje, që dita-ditës humb shkëlqimin, duke kaluar në pronësi të harresës sonë kolektive. Është një ngjarje që thjeshtë do të dehumanizohet dhe deemancipohet. Një ngjarrje që do karakterizohet me një retrospektivë të lavdishme, por po aq edhe të dhimbshme të popullatës shqiptare këtej Shqipërisë politike.
Që të jemi korrekt deri në fund ndaj të vërtetës të të dënuarve shqiptarë (dënime këto që dolën nga proceset në fjalë, ku u dënuan më shumë se 100 demonstrantë), do na duhet të themi se asnjëri prej këtyre të dënuarve të lartëpërmendur, asnjëherë nuk ëndërroi karrierën politike, po as që përfitoi dot gjë në aspekt social.., në aspekt material as që bëhej fjalë. Në vend të këtij “përfitimi ata hëngrën kokat e tyre?”. Kemi përshtypjen, se edhe protestat paqësore të Shkupit po edhe demonstratat e Tetovës të vitit 1968, gjithësesi se kanë një të përbashkët, atë kërkimin e lirisë së vonuar, nga njëra anë dhe nga ana tjetër, kanë pjesën e errët të tyre, ku njerëz të sëmurë për karrierë politike do t’u vardisen dhe ashtu pamëshirshëm do ua denigrojnë moralin dhe filozofinë e së vërtetës kolektive. Nëse do të na lejohet, ne në fund të këtij vështrimi gazete, do të parashtrojmë një “pyetje hipotetike”: A mos vallë në këtë verë përvëluese a edhe në një të ardhme të afërt, protestat e Shkupit (nuk) do t’i harrojmë (si ato demonstratat e Tetovës), a mos vallë (nuk) do t’i keqpërdorim(n), a mos vallë, nga ato (nuk) do të “prodhojm(n)ë” ndonjë parti të re politike shqiptare, këtu në Shkup, në Tetovë dhe rreth e rrotull saj!? Ku ta dijë njeri, po mbase ka njerëz që janë në dijeni të kësaj. Mendimtari grek, Pitagora, dikur kishte thënë: “Lojrat olimpike, zakonisht frekuentohen nga tre lloj njerëz: nga garues, nga spektatorë dhe nga tregtarë” flamurësh.., hajt, mos të themi edhe nga profiterë politikë!?

Filed Under: Opinion Tagged With: ...LOGJIKA, E NJË “MESELEJE”, Fadil Lushi, Monstra

Shqiptarët në Maqedoni të kërkojnë monitorim nga ndërkombëtarët

July 6, 2014 by dgreca

Nga Arben Çejku/ ish-Ambasadori shqiptar në Shkup/
Shqiptarët duhet të punojnë më shumë përmes diplomacisë, madje duhet t’i kërkojnë faktorit ndërkombëtar, Strasburgut, dërgimin e një misioni të posaçëm monitorues për të ndjekur nga afër gjithçka ka ndodhur së paku përgjatë dy vjetëve të fundit, në marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoni.
Kështu ka deklaruar për “Ora News”, ish-Ambasadori shqiptar në Shkup, Arben Çejku, sipas të cilit shqiptarët në Maqedoni duhet të shfrytëzojnë këtë moment për të lobuar për të drejtat e tyre.
Përsa i përket kërcënimit të bërë orët e fundit nga ish-komandantët e UÇK-së për të rikrijuar grupimin ushtarak për të mbrojtur popullatën shqiptare, Çejku theksoi se tani shqiptarët nuk kanë nevojë për konflikte e tensione të tjera. Ish-kryediplomati shqiptar në Shkup tha se kërcënimet e ish-pjesëtarëve të UÇK-së thjesht i hedhin më shumë benzinë zjarrit, por në rast të çfarëdolloj konflikti, shqiptarët do të duhet të kuptojnë se do të jenë vetëm.
Sipas Arben Çejkut, protestat edhe ngjarjet e viteve të fundit mes shqiptarëve dhe maqedonasve, kanë lënë një shije të hidhur për të ardhmen e tyre. Çejku apeloi për mbajtjen e një tryeze për reformën në drejtësi, mes shqiptarëve dhe maqedonasve, me fokusin mbi të gjitha, tek proceset gjyqësore ndaj shqiptarëve.

Filed Under: Opinion Tagged With: Arben Ceku, kerkojne, monitorim, në Maqedoni të, nga ndërkombëtarët, shqiptaret

Lojërat me “monstra” të FYROM-it

July 5, 2014 by dgreca

Arrestimet e para dy-viteve në emër të ngjarjes së konstruktuar të ashtuquajtur “monstra” nuk ishte rasti par as i vetëm me të cilin strukturat banditeske të kuazi “rendit” dhe “drejtësisë” sllavomaqedonase, ditën t`ua ndalin frymëmarrjen shqiptarëve
Ata, përmes akteve të tilla të pa precedent, të pa dëshmuara dhe aspak profesionale, me burgimet e përjetshme të bashkëkombësve tanë të pafajshëm, vunë në zgrip të penalizimit gjithë popullin shqiptar nën FYROM.
Siç dihet, sllavomaqedonasit janë të njohur qysh moti për veprimet e tyre antishqiptare, madje jo vetëm në ish vitet e komunizmit por edhe pas lufte dhe nënshkrimit të së ashtuquajturës “Marrëveshje e Ohrit” të cilën vet nuk e respektuan asnjëherë. Ata luajnë pafundësisht gjatë dhe tejet rrezikshëm, me ndjenjat e “shumë- bajtëshme” të Shqiptareve të Iliridës!
Edhe historia monstruoze e “monstrës” filloi në mënyrë jo-pak euforike, e cila linte të nënkuptohej se organet e gjyqësisë prej kohësh ishin në pritje të një ngjarje si ajo në smilkovci, për shpalljen e dorasëve si vrasës “profesionist- shqiptar” dhe përfunduar me çudinë e urdhrit të prokurorisë për burgosje grash,bujqish e barinjsh të thjeshtë të cilët mund të mos kenë pasur kurrë armë në dorë.
Por, përkundër të gjitha parregullsive të “rastësishme” që “pa qëllim” u shpëtuan pushtetarëve sllavomaqedonas, shpejt erdhi një kundërpërgjigje fletërrufe, nga bashkëqeveritarët e “devotshëm” shqiptar të cilët sikur bën namin duke reaguar, qoftë avokati mbrojtës Naser Raufi,apo edhe Ministri “sh”Drejtësisë, Adnan Jashari,të cilët kësaj radhe u treguan “aq të guximshëm”-sa që për çudi,mundën ta quanin vendimin e “pagabueshëm” të gjyqësisë “alla-makedonski” edhe jo valid.
Qytetarëve shqiptar, me siguri duhet tu kujtohet ish polici 39 vjeçar sllavomaqedonas Jakim Trifunovski, që më tepër njihej si vagabond e prishës i rendit dhe qetësisë publike, i cili nga pjesëtar i të ashtuquajturave forcave speciale “tigrat” do të transferohej në stacionin policor Mazraça për sigurimin e kufirit, se në çfarë mënyre- para dy vitesh, ditën për diell vrau mu pranë banesave të tyre, e ndoshta edhe para syve të familjeve, u mori jetën dy të rinjve shqiptar në Gostivar.
I njëjti polic me precedencë ligjore, mesditën e 28 shkurtit të vitit 2012,pas një konflikti të shkurtër verbal për parkimin e makinave para pallateve të banimit në rroba civile dhe me armën zyrtare të MPB, pa arsyetim bindës dhe as rrezikim serioz të jetës, vrau me arrogancë të jashtëzakonshme dhe gjakftohtësi të tepruar si të një killeri me përvojë të gjatë krimi, Besnik Shehapin 26 dhe Imran Mehdiun 30 vjeçar.
Edhe pse, si familja Shehapi ashtu edhe familja Mehdiu, humbën djemtë e tyre të hasretit, ngase kishin vetëm nga një djalë të vetëm, rasti i kësaj vrasje nacionaliste u tentua në të gjitha mënyrat e mundshme,të konstruktohej nga sllavomaqedonasit si vetëmbrojte e policit, i cili nuk ishte i sulmuar por atakues dhe nuk tentoj të mbrohej, por u vërsul të vriste me armën e shtetit në dorë, në kohën kur as nuk bënte detyrën, as nuk detyrohej për armëmbajtje, ai u armatos me qëllim paraprak, për shuarjen e dy shqiptarëve, vetëm për shkak të urrejtjes nacionaliste të tij, e cila tanimë është bërë modë tek ta, dhe për asnjë arsye tjetër.
Megjithatë gjykimi i tij u shty aq gjatë dhe vendimi për dënim u mor vetëm atëherë kur u detyrua edhe bashkësia ndërkombëtare të ndërhyjë dhe kërkoj hapur, proces të drejtë gjyqësor si dhe dënim të merituar për këtë killer zyrtar.
Ndaj edhe nuk është aspak çudi, sesi gjendja në trojet shqiptare nën FYROM, përditë e më tepër përkeqësohet, ku viktima kujdestare, si çdo herë janë, kush tjetër përpos bashkëkombësve tanë të pambrojtur.
Në anën tjetër, shqiptarët e akuzuar ad-hock nga Ilirida edhe pse pa asnjë provë as argument bindës, për rastin e ashtuquajtur “monstra” në smilkovc – më 30 qershor 2014, nën akuzën e pavërtetuar dhe cinike të emërtuar nga fantazitë neveritëse sllavomaqedonase- si “terrorizëm“, gjashtë nga 7 t, prej tyre të akuzuar paverifikueshëm, u dënuan në Shkup hiq më pak se me burgim të përjetshëm
Por, sikur të mos mjaftonin vendimet e shqiptuara drakonike për ata që arriti të burgoste policia sllavomaqedonase, ministri i ashtuquajtur i “drejtësisë” alla sllavo-makedonqe, Adnan Jashari, paska kërkuar ekstradimin edhe të dy të akuzuarve tjerë, po ashtu pa argumente bindëse,Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri, të cilët ndoshta vetëm pse në Kosovë janë dënuar për armëmbajtje pa leje, të hënën me 30 qershor 2014 të njëjtit në Shkup u dënuan me burgim të përjetshëm.
Problemi kryesor qëndron te fakti se për gjithë të këqijat sa u ndodhin shqiptarëve nën FYROM, fajtor nuk janë vetëm sllavomaqedonasit, por edhe vet shqipfolësit që kapardisen si gjelat mbi plehërat e katundit, të katapultuar jo pa qëllim në funksione qeveritare dhe organet tjera institucionale, ata veprojnë hapur dhe pa asnjë rezervë, kundër shqiptarëve .

Pra thënë troç, shqiptarët janë ata që zhgënjejnë çdo ditë e më tepër shqiptarët. Shqiptarët akuzojnë shqiptarët, padisin shqiptarët, arrestojnë shqiptarët, burgosin shqiptarët, dhunojnë shqiptarët dhe mashtrojnë e shesin lirë e pa fije turpi vet shqiptarët, çdo ditë….
Shqiptarët janë ata që gjithnjë e më tepër përulen dhe dobësohen! Shqiptarët mbeten njerëz të cilëve edhe Zoti e ka vështirë tu bie në fije. A përfaqësohet kështu një popull të cilit pretendon se i takon dhe e udhëheqë?!

Në të njëjtën kohë, bashkëkombësit dëbohen nga shtëpitë, dyqanet dhe pasuritë e tyre me forcë në shumë vende anë mbanë FYROM-it, rrihen e përgjaken gati çdo ditë, në të gjitha lagjet e Shkupit, në shkollë ,në rrugë ,në autobusë e kudo tjetër që guxojnë të deklarohen shqip, duke mos u kursyer as fëmijët e mitur, njërit prej të cilëve, para jo shumë kohësh, do ti prehej dhe fytyra me thikë, për ta detyruar që ta puthte kryqin sllavomaqedonas, kurse funksionarët shqipfolës si udhëheqës të padenjë që janë, rëndom vazhdojnë të heshtin…

Kështu edhe kanë dorë të lirë për rrahje dhe përndjekja shqiptarësh, huliganët sllavomaqedonas, mbi kokat e tyre ndërtohen kryqe gjigande bizantine, vendosën përmendore të Car Dushanit në lagjet dhe afërsitë ku ata jetojnë, ngrihet kisha sllavoortodokse mbi themelet e Kalasë shqiptare të Shkupit,e çka jo tjetër.
Për aq më keq, derisa sllavët në përgjithësi, edhe pa-dashje ishin të detyruar ta pranojnë kombin tonë, qoftë edhe duke përdorur ndaj tij parimin gebelsian të propagandës për demonizimin e shqiptarëve, me të cilat partitë shqipfolëse bashkëpunojnë ngusht,për shtypjen sa më të ashpër të bashkëkombësve të tyre, fatkeqësisht bima e egër e mbjellë dhunshëm së fundi në trojet tona,vahabisto- shqipfolëse, shkon edhe më larg duke mos e pranuar fare kombin shqiptar.

Por ti kthehemi edhe një herë gjykimit monstruoz të atyre që e ndjejnë veten shqiptar, për të cilët siç edhe ishte paralajmëruar, të premten më 4 korrik të këtij viti, mijëra shqiptarë të frustruar nga padrejtësitë, dhuna dhe terrori sllavomaqedonas që me bekimin e partive shqiptare për sa e sa vite ushtrohen ndaj tyre, Rinia Shkupjane mbajti një nga protestat më masive dhe mjaft të fuqishme për liritë dhe të drejtat kombëtare e njerëzore të shqiptarëve, si dhe kundër vendimit të njëanshëm gjyqësor për rastin e ashtuquajtur “Monstra”.
Për bashkëkombësit e tij protestues, solidaritetin e shprehu edhe boksieri më i mirë aktual i kombit “Kuq e Zi” “Tyesoni Shqiptar” z. Nuri Seferi i cili i trishtuar nga brutaliteti egër i soldateskës-policore sllavomaqedonase, deklatroi: se ne si popull kemi derdhur gjithmonë shumë gjake për atdhe ndaj as tani nuk mund të qëndrojnë duarkryq, para padrejtësive që ushtrohen mbi shqiptarët në tokat e tyre.
Ndërsa, sipas informatave nga Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) politikanët shqipfolës të FYROM-it, edhe një herë, në vend të përkrahjes ndaj bashkëkombësve që dhunoheshin brutalisht nga e ashtuquajtura polici e “shtetit”, për fat të keq pothuajse që të gjithë edhe në këtë situatë kishin zgjedhur të heshtnin si qyqet dhe vështronin anash veprimet jashtë mase- të ashpra të sllavomaqedonasve si bashkëdiler të para-kontraktuar me ta, për veprime kundër shqiptarëve.
Por nuk ishte vetëm BDI, ajo që nuk u doli në krah demonstruesve, deri edhe organizata “joqeveritare” e ashtuquajtur “Civil” në vend të solidaritetit u bëri thirrje atyre për qetësi.
Madje, sipas informatave të mediave, që nga mëngjesi i hershëm, banorëve shqiptar kishin filluar tu vinin edhe mesazhe në formë SMS-i, me porosi për të mos dalë në protestën e paralajmëruar kundër padrejtësive, diskriminimit dhe dënimeve pa dëshmi të bashkëkombësve të tyre.
Ndaj, shkrimtari me renome dhe autori i shumë veprave letrare z.Kim Mehmeti, me të drejtë kërkoi nga gazetarët që të shkruajnë për këtë rini- për Rininë më progresive shqiptare jo vetëm në Shkup, por në gjithë FYROM-in, të cilës padrejtësisht, nga vet partitë shqipfolëse, aq shumë i janë ngushtuar hapësirat e veprimit, sa që përveç bllokimit të hapësirave institucionale të atyre partive, uzurpimit të Universitetit të Tetovës, Sheshit “Skënderbe” etj, kësaj pjese më të ndritshme të shqiptarizmës, i kanë mbetur vetëm edhe lagjet e ngushta të pjesës së vjetër të Shkupit, ku jetojnë shqiptarët, për sado pak veprim kombëtar.
Pra shkruani se siç lotojnë sot pjesëtarët e kësaj rinie sublime-tha ai, do të vijë dita kur do të lotojë mamaja e secilit prej atyre që sot rrinë anash dhe shikojnë të pa brengosur derisa shpërthejnë bombat dhe djegë gazi lotsjellës që hidhen pa kursim nga policia sllavomaqedonase mbi rininë e pafajshme shkupjane.
Me siguri dhe jo vetëm me këtë rast, secili bashkëkombës kudo qoftë, duhet të ndjej keqardhje për gjendjen e shqiptarëve nën FYROM, dhe mënyrën e paprecedent të shtypjes dhe akuzimit të tyre nga sllavomaqedonasit.
Të gjithë ne pa dallim duhet të reagojmë si komb, sepse e kemi borxh të pashlyer ndaj bashkëkombësve, gjuhës dhe gjakut tonë të përbashkët. Ndaj duhet të luftojmë me të gjitha mjetet për të drejtat e tyre dhe të solidarizohemi me protestën e arsyeshme të kësaj rinie.
Duhet të kujtojmë me dhembje të vrarët dhe të burgosurit shqiptar pa shkas as arsye dhe të mos harrojmë kurdisjet e hershmet e të vonshme të llojeve monstruoze të cilat ngjashëm me këtë të tanishmen, burgosën dhe shuan disa jetëra shqiptarësh të pafajshëm.
Monstrat sllavomaqedonase, nga koha në kohë mbuluan shumë nëna në zi, lanë kushedi sa gra të veja dhe fëmijë jetimë, numri i të cilëve nën këso konstruimesh ndjellakëqija mund të shtohet çdo dit!
Mjerisht, ka shumë vite, që për shqiptarët nuk duket asnjë zgjidhje në horizont, atje nuk ndodhë asgjë e mirë për ta, edhe shmangia nga e keqja, fatkeqësisht nuk varet prej tyre. Pak vend u ka mbetur në “bashkëjetesën” e dhunshme me sunduesit sllavomaqedonas, ani pse bashkëkombësit tanë nuk janë aq të pakët në numër dhe përbejnë gati gjysmën e popullsisë së FYROM-it.
Kështu që përfundimisht, ata duhet të gjejnë forcë dhe të ndërmarrin sa më parë një vendim të guximshëm për të ardhmen tyre, për fëmijët dhe familjet e mbetura pa shpresë dhe perspektivë.
Kjo që përjetojnë bashkëkombësit tanë të pambrojtur në trojet e veta, nën FYROM, nuk është bashkëjetesë as jetë! Është thjeshtë gjenocid i vërtetë që ushtrohet pa asnjë pengesë për dekada me radhë mbi ta.
Gjendje të tillë shqiptarët nuk kanë kaluar edhe nën pushtimet më të egra, madje vuajtjet e tyre, nuk ishin më të rënda as nën pushtimin bullgar, në kohën e luftës së dytë botërore.
Ndaj, lind pyetja ç`po ndodhë me këtë pjesë të vuajtur e sublime të popullit tonë dhe deri kur kështu?!
Nëse vërtet ju ende shpresoni në ndonjërin nga politikanët shqipfolës, e them me keqardhje se jeni plotësisht gabim. Shumica e politikbërsëve shqipfolës, janë njerëz të papërgjegjshëm e bixhozgji të pacipë që tradhtojnë lehtë atdheun dhe bashkëkombësit, shesin çdo kënd dhe secilin shqiptar që u epet mundësia.
Shembuj të tillë kemi me shumicë kudo ka shqiptar!
E vetmja gjë që ata duan me çdo kusht janë interesat e tyre personale, të cilat nuk hezitojnë ti mbrojnë e ruajnë duke flijuar edhe jetën e gjakun e shqiptarëve.
Ndaj mjaftë më rob në shtëpitë tuaja!
Ne të gjithë e dimë dhe jemi thellë të bindur se si në të kaluarën edhe tani, Ilirida ka pasur shumë shqiptar trima dhe patriot të mëdhenj e të zot të cilët gjithmonë kanë dhënë gjithçka nga vetja dhe janë bërë shembujt më të mirë se si luftohet për komb dhe atdhe.
Liria për ta në të gjitha kohët ka qenë e shtrenjtë dhe hyjnore, ajo na ka mbajtur ndër shekuj gjallë si komb, kurse vlerësimi që tani u bëhet juve nga sunduesit e papërcaktuar kombëtarisht siç janë sllavomaqedonasit, për sa vite e dekada mbetet shumë i ulët, i pa ndryshuar dhe tejet nënçmues. Mjerisht, ju trajtoheni si robër klasik në tokat dhe shtëpitë e juve.
Shtypja dhe diskriminimi sistematik shtetëror që u bëhet, kalon të gjitha caqet e normales dhe kufijtë e mundshëm të durimit njerëzor.
Madje historitë e nënshtrimit, mjerisht nuk përfundojnë as këtu, fatkeqësitë palosen njëra mbi tjetrën, vrasjet, burgosjet, akuzimi dhe krminalizimi kolektiv i shqiptarëve si popull, ua shkatërron jetën juve, fëmijëve dhe familjeve tuaja të pambrojtura.
Mos mendoni se Ali Ahmeti do tu çliroi, nga tortura, vrasjet dhe sakatimi sllavo-bullgar. Jo-assesi! Ndaj, u lutem mos i besoni më atij. Ju rinia progresive shkupjane, siç u quan me krenari Kim Mehmeti, dhe pjesa më e shëndosh e kombit tonë, ngrihuni e dilni zot vendit dhe vetvetes! Mos heshtni as pranoni nënshtrimin e nëpërkëmbjen edhe më tej.
Është koha e fundit që shqiptarët kudo të mësohen të luftojnë për të drejta dhe lirinë e tyre. Ngase shembujt e kqinj të veprimeve vahabiste të kohëve të fundit në dhe nga trojet tona, kanë frustruar SHBA-t, NATO-n, dhe Evropën, të cilat ndoshta më asnjëherë nuk do të provojnë të ndihmojnë as çlirojnë shqiptarët dhe trojet e tyre.
Me ndihmën e atyre që sa kohë janë në pushtet, ne po japim shembuj të këqij. Disa jaranë dhe bashkëpunëtor të tyre, po e kthejnë vendin tonë në strofuj ekstremistësh të cilët prodhojnë terrorist për luftëra të dyshimta në vende të huaja.
Por megjithatë, kjo nuk donë të thotë se ne duhet të “mësohemi” me përdhunimin dhe përuljet kombëtare të shqiptarëve, lotët e thyerjes së tyre shpirtërore nëpër gjykatoret sllave- padyshim shkaktojnë dhembje tek secili bashkëkombës, të cilët nuk dëshirojnë gjykime të tilla para gjykatësve cinik antishqiptar dhe kuazi drejtësisë vrastare të FYROM-it.
Ndaj është e pakuptueshme se si ka mundësi që vetëm ne të mbetemi popull pa ëndrra, pa shpresë, pa ideale? Kujtoni gjakun e atyre që u mbytën nëpër burgje dhe vranë në shtëpitë e veta para bashkëfamiljarëve, mendoni për ata që kurdoherë-ditën ta donin më shumë se çdo gjë tjetër, gjuhën, origjinën, truallin e të parëve, atdheun dhe familjen, të cilët u shuan nga kjo jetë pa asnjë faj dhe të pa mbrojtur nga askush,dhe binduni përgjithmonë se sllavët nuk duan barazi as bashkëjetesë me të tjerët, ndaj bashkohuni kundër të këqijave që po u ndodhin, ngrihuni ta ndryshoni të tashmen e vështirë dhe të ardhmen tuaj të zymtë nën robëri!
Vetëm kështu do ta bëni të gjithë kombin për vete, pjesëtarët e ndershëm të të cilit, sapo të shohin vendosmërinë dhe orientimin tuaj të drejtë, para çfarëdo “monstre” nuk do tu lënë më vetëm, as kursejnë ndihmën e tyre ndaj vetëmohimit burrëror e kombëtar që do të tregoni, deri në arritjen e lirisë dhe bashkimin e shqiptarëve në një shtet të përbashkët etnik, në të cilin do të ketë jetë të sigurt, të lirë dhe të barabartë për të gjithë ne. Pra Rini e ndritur e së ardhmes së këtij populli, paçi fat dhe u prift e mbara! Edhe ne jemi me ju për arritjen e qëllimeve tuaja të larta dhe sublime kombëtare!

Gani Qarri Cyrih,5 korrik 2014

Filed Under: Opinion Tagged With: FYROM, Gani Qarri, lojrat, monstrat

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 736
  • 737
  • 738
  • 739
  • 740
  • …
  • 868
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Antonio Bellushi (1934, Frasnitë – 19 qershor 2024) mbledhës i zellshëm dhe studiues i pasurive etnokulturore e gjuhësore të Arbëreshëve dhe Arbërorëve
  • Jetimi që nxori zbuluar shtetin…
  • Qyteti antik 2400-vjeçar i Çukës së Aitoit
  • Dita e Veteranëve, përkujtojmë shqiptarët që shërbyen me nder në Ushtrinë e SHBA
  • Lëvizjet e popullsisë shqiptare jashtë kufijve shtetërorë dhe vendosja e saj në Shqipëri: Një analizë historiko – hartografike dhe socio – ekonomike
  • “DUA”, propozimi zyrtar i Kosovës për Oscar në kategorinë “Filmi më i mirë ndërkombëtar”
  • 1928 / URA E ZOGUT MBI LUMIN MAT — RRËFIMI EKSKLUZIV I ERWIN SCHNITTER, INXHINIERIT ZVICERAN QË DREJTOI PUNIMET PËR NDËRTIMIN E SAJ
  • NIKOLLA NAÇO (1843–1913) – ATDHETARI QË E VURI PASURINË, DIJEN DHE JETËN NË SHËRBIM TË SHQIPËRISË
  • MURI I BERLINIT RA, POR MURET POLITIKE DHE IDEOLOGJIKE MIDIS SHQIPTARËVE VAZHDOJNË TË QËNDROJNË
  • Dy “Qemalët” e mëdhenj që themeluan dy shtete mbi rrënojat e një perandorie
  • THANK YOU to the City of St. Petersburg and Chief Anthony Holloway for Supporting Albanian School VATRA!
  • A egzistonte koncepti i kombit në kohën e Skënderbeut?
  • Dardane Halimi: “ALB Connection was created to give every Albanian-owned business in America a voice and visibility”
  • KRIJIMI I NJERIUT TË RI: NGA IDEOLOGJIA KOMUNISTE TE KULTURA E PËRFITIMIT NË SHQIPËRINË E SOTME!
  • Transpozimi poetiko-dramatik i veprës “Trungu ilir” të Sabri Hamitit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT