Nga Arben Çejku/ ish-Ambasadori shqiptar në Shkup/
Shqiptarët duhet të punojnë më shumë përmes diplomacisë, madje duhet t’i kërkojnë faktorit ndërkombëtar, Strasburgut, dërgimin e një misioni të posaçëm monitorues për të ndjekur nga afër gjithçka ka ndodhur së paku përgjatë dy vjetëve të fundit, në marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoni.
Kështu ka deklaruar për “Ora News”, ish-Ambasadori shqiptar në Shkup, Arben Çejku, sipas të cilit shqiptarët në Maqedoni duhet të shfrytëzojnë këtë moment për të lobuar për të drejtat e tyre.
Përsa i përket kërcënimit të bërë orët e fundit nga ish-komandantët e UÇK-së për të rikrijuar grupimin ushtarak për të mbrojtur popullatën shqiptare, Çejku theksoi se tani shqiptarët nuk kanë nevojë për konflikte e tensione të tjera. Ish-kryediplomati shqiptar në Shkup tha se kërcënimet e ish-pjesëtarëve të UÇK-së thjesht i hedhin më shumë benzinë zjarrit, por në rast të çfarëdolloj konflikti, shqiptarët do të duhet të kuptojnë se do të jenë vetëm.
Sipas Arben Çejkut, protestat edhe ngjarjet e viteve të fundit mes shqiptarëve dhe maqedonasve, kanë lënë një shije të hidhur për të ardhmen e tyre. Çejku apeloi për mbajtjen e një tryeze për reformën në drejtësi, mes shqiptarëve dhe maqedonasve, me fokusin mbi të gjitha, tek proceset gjyqësore ndaj shqiptarëve.