• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NJË SHTET QË SYNON T’I MBYLLIN UNIVERSITETET KA MARRË RRUGËN E DJALLIT

April 27, 2014 by dgreca

Nga Ramiz LUSHAJ/
1.
Prej disa ditësh 400 studentë të Universitetit Ndërkombëtar të Tiranës (UNT) nuk futen në audioret e tij pasi është rrethatue me shenja të bllokimit tatimor. Ata shirita më ngjajnë si “rrezik vdekje” për Qeverinë e “Rilindjes”, e cila po aktkryen e aktron sulm të paprecedent politik e policor deri në mbyllje të veprimtarisë akademike ndaj këtij institucioni dinjitar të dijes.
Kësisoj, “rilindasit” e Tiranës po i kundërvihen edhe rilindasit të madh të kahershëm, poetit kombëtar Naim Frashëri, që iu apelonte brezave shqiptarë nën pushtimin ottoman: “Dritë e Diturisë përpara do na shpjerë” (!)
Për 40 milionë lekë (të reja) detyrime tatimore tejet të plancuara edhe nga gjoba e interesa kryqëzate dregëz e nyje, mbyllet 4 muaj para përfundimit të vitit akademik UNT e iu ndërpriten studimet 400 studentëve të tre viteve, ndaj me të drejtë prorektori i tij, prof dr Lisen Bashkurti, apelon në masmedia: “Autoritetet respektive të mos ngatërrojnë aspektet tatimore-fiskale me funksionimin e pandërprerë akademik të institucioneve universitare”.
2.
Kjo ofensivë fundekrye është cytje e hjeksi shtetërore-politike sa shtatanike e cinike. Një turrnajë sa e haparavtë edhe e grenztë me laryshi policësh të DPTT e të DPQT. Në bashkari, truç e truçkas, e shigjetuan e oktapodën Universitetin Ndërkombëtar të Tiranës, i vendndodhun diku në afri të zonës të thirrun popullorçe “vilat amerikane e gjermane”.
Diçka më trondit fort mue, plasarit kohën, hendekon të ardhmen: Prapë, në shek. XXI, në kushtet e ecuritë e demokracisë euro-atlantike, pas mbiemrit të universiteteve: “i Tiranës” etj. gërmohet në gjenezë të prejardhjes krahinore të emërorëve themelues e drejtues të tyre, nëse janë “të Tropojës” etj.(!) Prapë nuk paskan randësi as titujt e gradat shkencore të kryestafit të këtij universiteti me kryetar senati akademik Apollon Baçe, rektor prof dr Agron Lamaj, prorektor prof dr Lisen Bashkurti, president juristin Vladimir Mulaj e pedagogë nga ma të mirët, por paska fuqi magjike edhe përcaktori e cilësori nëse je “mik” apo “armik” i kryeministrit të sotëm Edi Rama apo i ndokujt tjetër nga (ish)shtetarët e lartë të djehit e të sodit.
Fakte të tilla i japin dritë deklaratës mediatike të kryetarit të senatit të UNT, akademik Apollon Baçe, teksa e përcakton mbylljen e Universitetit si “sulm të mirëfillta politik” e argumenton se “qeveria e majtë socialiste po konfirmon atë çka tha kryeministri Rama në një debate parlamentar kur kërcenoi…se nuk keni parë ende asgjë nga dhuna”.

3.
Ky sulm sa otoman e shoven, gjithësesi i pafytyrë e i mënxyrtë, i keqndodhur më 25 prillit 2005 çoi kryekëputas në ndërprerje të veprimtarisë akademike të UNT, me mbylljen e dyerve të tij të dijes.
Kjo më përngjan me Fermanin Perandorak të 31 majit 1779 të Sulltanit otoman Abdul Hamiti i Parë, ferman që e ndalonte përdorimin e gjuhës Shqipe dhe ngritjen e shkollave shqipe në sanxhakët e vilajetet shqiptare nga Janina në Nish dhe i lejonte ato në gjuhën greke (!)
A thue edhe në shek. XXI të integrimeve euro-atlantike e ku-ku/quajtuna “Rilindje” e kryeministrit Edi Rama me koalicionin qeverisës do të lejohet nga (ndër)kombëtarët të na demonstrojnë sjellje e veprime të tilla otomane orientaliste në zemër të Europës, në kryeqytetin e shqiptarëve të botës?!

4.
Rrethatimi ajzberig e kulisor i Universitetit Ndërkombëtar të Tiranës prej 25prillit 2014 nga “policët” e kollarit e foltoreve të Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”; nga policët e lapsit e shiritit tatimor e policët e fugonit e të shkopit afër Lanës e Liqenit Artificial të Tiranës, bie ndesh me modelin e përkryer të politikave e praktikave arsimore akademike të dy aleatëve ma strategjik të Shqipërisë: Shtetet e Bashkuara të Amerikës të Obamës e të Gjermanisë të Merkelit.
Presidenti Barak Obama e ka shpallur prej kohësh një nga devizat e tij për Amerikën që të bahet “the most college-educated country in the world by 2020”. Përndryshe: të ketë përqindjen ma të lartë të popullsisë me arsim universitar.
Kancelaria Angela Merkel ka premtuar qyshse më 2008 se Gjermania do të bëhet një “republic of education”. Përndryshe: një republikë e njerëzve të arsimuar.
Krejt ndryshe nga këto dy supershtete euro-atlantike e botërore veprimtaron Qeveria e “Rilindjes”, e cila me turpin e dhelprës e luksin e gjelit i curravet e i rrgallet me ndërprerje aktiviteti akademik UNT, tue mbyll një portë, auditor, tempull të dijes universitare.

5.
Në shek. XXI nuk janë problem kryesor i botës as luftërat ndërkontinetale, as krizat fiskale në ekonomitë botërore, as mungesa e ujit, as ndryshimet e ndjeshme klimaterike, etj. po vet rinia e sotme, sidomos rinia universitare e pasuniversitare.
Sivjet, në vitin 2014, Shqipëria është i treti shtet (pas Turqisë e Kosovës) me moshën ma të re në Ballkan e në Europën Euro-Atlantike, pasi i ka 38.5 për qind të popullsisë së saj deri në moshën 25 vjeç. Përndryshe: një kuota lartësore rreth 12 për qind ma të lartë se mesatarja e Bashkimit Europian.
Një shtet që i mbyll dyert e universiteteve e ka rininë në Rrugën e Madhe. Studentët më 25 prill 2014 thirrën në protestën e tyre para universitetit të vet: “Duam mësim”, “Shtet policor”, etj. e tevona kanë me shkue edhe para selisë të Kryeministrisë, Parlamentit, Presidentit.
Akademiku Apollon Baçe, kryetar i senatit të Universitetit Ndërkombëtar të Tiranës e shtron pyetjen para Qeverisë së Rilindjes, para Shtetit Shqiptar, natyrisht edhe para Bashkimit Europian e Amerikës: “Më thoni këtë gjë, këta që kanë studiuar dy vjet, tre vjet, çfarë do të bëjnë? A do hidhen në rrugë, do t’u këputet mësimi këtyre?”
Kur rinia mbetet në Rrugë të Madhe as qeveritarët feudalë nuk mund të rrijnë në zyra me kondicioner, në vila me ashensor, në makina me targa. Nuk është zgjidhje e zgjedhje kur Qeveria i nxjerr rininë në Rrugë të Madhe se vjen një cen e një cak që Rruga e Madhe e cakton “Qeverinë e Vet”. Mbasandejna nga ky kaçimak, prej një zallamahie e tollovie të tillë, edhe qytetarët e thjeshtë e hutin disi e përkohor rrugën në oborr.
Prandaj, Qeveria e “Rilindjes” nuk duhet të shkallojë kaq keq si me sulmin ekstrem e politik kundër Universitetit Ndërkombëtar të Tiranës, po të obligohet aktivisht e cilësisht për t’i shkolluar këtë brez të ri në rritje siç po veprimtaron edhe Universiteti Ndërkombëtar i Tiranës.

4.
Kjo qeverisje e “Rilindjes” po frymon e aplikon një “Luftë të Ftohtë” ndaj universiteteve në Shqipërinë Londineze?!
Kjo po tenderohet, trajekterohet e trenohet me mjete e praktika ekstreme e terrovinë mesjetare si këto ditë fundprilli 2014 ndaj Universitetit Ndërkombëtar të Tiranës
Kjo po trajnohet e trajtohet keq nga Politika. Herë vegon e fekton si Luftë Politike. Herë shfaqet e trashet si Luftë Psikologjike. Herë viganet apo përrallet si Reformë. Herë ngërçet e këllçet si Konçesion…
Universitetet, studentët e pedagogët e tyre, nuk po ndihen të sigurtë prej Qeverisë së “Rilindjes”. Po cënohen dy nga shtyllat e Lirisë së përbotshme: Liria nga Frika dhe Liria e Sigurisë Ekonomike.
Studentët nuk dolën më 8 Dhjetor 1990 në Sheshin “Demokracia” për të pasë prapë edhe më 25 Prill 2014 refren demonstrate thirrjet “Duam mësim”, “Shtet policor”, etj.

5.
Qeveria e “Rilindjes” po kërkon medoemos që të ketë “viktimën” e saj të parë të “Luftës së Ftohtë” ndaj tempujve të dijes: Universitetin Ndërkombëtar të Tiranës.
Qeveria nuk mund të bajnë “Reformë të Madhe” duke sulmue së parit “Universitete të vegjël” si UNT me 400 studentë, po t’ia fillanisin edhe nga ato universitete me mbi 4.000 studentë?! Apo tjetra: Qeveria t’ia fillojnë kësisoj nga ndërmarrjet e saj shtetërore që i kanë milionë dollarë detyrime tatimore shtetit ndër vite?! Mbasandej t’i vnojnë në kërkesë e shtrengesë tatimore të këtilla universitetet publike private, po kurrsesi të mos ua ndërpresë kësisoj vitin akademik, të mos luaj me shenjtërinë e tyre dijetare, të mos i mbullin forcërisht ato.
Në koft se hapen letrat del se Qeveria i mbetet me mjaft detyrime qeverisjeje universiteteve publike private pasi investimet e saj janë tejet të ulëta, në përqindje të papërfillshme në GDP-në e Shqipërisë Londineze e të pakrahasuesshme me mesataren e Bashkimit Europian apo të Amerikës. Gjithashtu, Shqipëria jonë nuk ka ndonjë studim aktual apo perspektiv mbi nevojat për punësime në të gjitha hallkat e shtetit e biznesit të studentëve që i kryejnë studimet në këto universitete?!
Qeveria Rama duket se e ka shenjue keqas UNT, përndryshe mund të priste deri në vjeshtën e sivjetme 2014 e ta mos e lejonte kit’ universitet të fillonte rregjistrimet pa i shlye detyrimet tatimore të prapamebtura apo të tepërta, me ose pa gjoba e interesa, etj. e jo të ndërhynte egërsisht me ndërprerje të vitit akademik.
Hjekësia e egërsia qeveritare ndaj UNT duket edhe tek faktet e pohueme publikisht: Administratori i këtij universiteti, Admir Mulaj i shkolluar në Francë, rrëfen për masmediat se ka pasë marrëveshje paraprake me DPTT për të shlye fillimisht 30 për qind të detyrimit tatimor të akumuluar e pastaj pagimi në këste i shumës së mbetur. Thuhet publikisht se ky 30 përqindësh është pague një ditë para 25 prillit 2014. Atëherë: kujt i interesonte ma së tepërmi ndërprerja e vitit akademik, mbyllja e UNT?! Pikëpyetja bahet edhe ma e madhe kur vet presidenti i UNT, Vladimir Mulaj, një jurist e veprimtar i mirënjohur, deklaron: “Në vend që të negociojmë dhe të paguajmë, sipas ligjit tatimor, pjesën tjetër me këste, ku afati i kësaj pagese është deri në dhjetor të vitit 2015”. Rektori i UNT, prof. dr. Agron Lamaj e përforcon këtë fakt teksa i dijenon një gazete të përditshme: “Organi tatimor në mënyrë të njënashme ka ndërprerë negociatat”. Në media fjalaflitet se për një pjesë të detyrimeve tatimore ka kundërshti të kahershme e të argumentuara nga UNT.
Natyrisht Qeveria e Rilindjes duhet të bajnë kujdes partneriteti, të tregojnë durim qeverisjeje, sepse këto universitete publike private janë krejt të rinj në moshë, terren të vështirë e përvojë të pakët. Europa ka ngrit universitete qyshse në vitin 1088 në Bolonja të Italisë e në Shqipëri e kemi të parin universitet në vitin 1957, Universitetin Shtetëror të Tiranës.
Universiteti Ndërkombëtar i Tiranës është veçse pesëvjeçar, një prej tempujve të arsimit e shkencës panshqiptare, me studentë nga të gjitha trevat etnike shqiptare: Mali i Zi, Kosovë, Maqedoni, Lugina e Preshevës, një universitet që e ka dëshmue vetëveten dhe premton për të nseërmen shqiptare.

6.
Shkrimtari e dramaturgu i madh i Rilindjes Europiane, Viktor Hygo (1802-1885), i njohur si “babai i Romantizmit”, i vlerësuar si një nga figurat dominuese të letërsisë franceze të shek. XIX, e ka një thanie aksiometrike, devizë të përbotshme: “Kush hap një shkollë, mbyll një burg”.
Krejt ndryshe po vepron Qeveria Rama, e cila ia ndërpret vitin akademik Universitetit Ndërkombëtar të Tiranës, ia mbyll dyert e dijes. Po me të madhin Viktor Hygo të Rilindjes Europiane çka patën “rilindasit” e Tiranës, tue iu kundërvu më 25 prill 2014 devizës filozofike e biblike të tij?!
Universitetet janë shenjtëri e dijes për kohën e brezat. Një shtet që synon t’i mbyllin ato ka marrë rrugën e djallit.

Filed Under: Opinion Tagged With: mbylljen e Universitetit, Nje shtet, qe synon, rruga e djallit

Dick Marty në rolin e Nastradamusit

April 23, 2014 by dgreca

Shkruan:Shaban Cakolli/
Populli im i dashur, Kosova jonë e shejtë,rrallë në botë njihen popuj më të përvuajtur se ishim ne,popull i cili tërë jetën e vet e pati në revolucion
i varfur me varfërinë e skajshme ekstreme,të cilën na e sollën pushtues të shumët.Pushtuesit u sollën barbarisht ndaj nesh,ti populli im i dashur,kurrë
nuk u solle me barbari ndaj askuj.Ishe i fortë i guximshëm,optimist,të shkelën pushtues të ndryshëm,por nuk je pajtuar kurrë me robërinë.
Vërtetë e pate të vështirë,sepse u pushtove nga pushtues të fuqishëm,me përkrahëjen e aleatëve të fuqishëm,pushtimi të ndoqi gjatë.por nga gjiri yt nxore bijë e bija zemerzjarrtë të fortë si shkëmbinjë,që çda çast i kundërshtuan armikut.Kosova nuk i shpalli kujt luftë,nuk hyri të sulmoj kurrë teritoret e huaja,
ajo mbrojti lirinë e vet sa mundi,të tjerët na shpallën luftëra,hynë e pushtuan teritoret tona,nga se lakmonin pasuritë që trojeve tona ua kishte krijuar
Perendia,pushtuesit hynë në trojet tona,me gjakun tonë e skuqën çdo cep të vendit tonë,sepse trimat tanë u dolën në dyluftim ballë për ballë për
të mbrojtur pragjet e veta,me gjak e jetë.Po,pushtuesit tanë ishin qyqarë.kur nuk mundnin të mateshin me trimat tanë nëpër beteja,dridheshin tinëzisht,ua digjnin
kullat pleqëve,ua grabitnin pasurinë,vrisnin,digjnin e masakronin fëmijë,gra dhe pleq,madje dhunonin gra e vajza,se ata nuk kishin moral.
Kështu ka ndodhur nëpër shekuj me shqiptarët,për masakra,djegëje e dhunime,deri më tani asnjë pushtues mbi shqiptarët nuk kishte dalur para drejtësive ndërkombëtare!
Vetëm pas luftës së fundit të Kosovës,te drejtësia ndërkombëtare me disa qalime nisi drejtësia për krime lufte në Hagë.Atë botë Serbia fashiste,
deri sa gjykata e Hages po mirrej me ndonjë xhelat sërb,ajo po ua falsifikonte dosjet kriminelëve të tjerë,po i bënte qëngja,që dosja e tyre e butë,sikur nuk kishte
përse të mirrej Haga me ta,po ua ipte të drejtën që vet shteti kriminel sërb të mirrej me ta,shteti i cili vet i nxiti dhe i nisi të bëjnë krime mbi shqiptarët!Shqiptarët e Kosovës më tepër se gjashtë shekuj luftuan kundër padrejtësisë,andaj është qesharake nëse dikush në botë mendon se shjqiptarët ia kanë frikën drejtësisë,apo i ikun drejtësisë.Po,për çfarë drejtësie bëhet fjalë këtu?Shqiptarët bënë gjashtë shekuj luftë për çlirim,por kurrë nuk u turbulluan nga koka,nuk u përkulën nga furtunat e armiqëve sado të fuqishëm që ishin.Bota demokratike e kuptoj me kohë,se lufta të cilën nisi UÇK-ja,ishte një luftë e drejtë,luftë që bëhej me armikun më të madh të shqiptarëve,i cili padrejtësisht kishte pushtuar tokat shqiptare, luftë
e pabarabartë,por vendimtare për fatin e kombit liridashës shqiptarë,andaj edhe bota demokratike u bë aleate e fortë e këtyre trimave liridashës, dhe popullit liridashës shqiptarë.Kosova e cila u çlirua,disi me vendime të shpejta nga trolli i saj u shkëputën 25 mijë kilometra katrore tokë
shqiptare që padrejtësisht ua ka shkëputur Sërbia me forcë.Pa i shkuar kuj mendja në humbëjen e kësaj toke shqiptare,Kosovës iu dha një lloj sovrani
teti,dhe me nguti u nxitën të bëjnë dialog serbo-shqiptar në Bruksel.Ky lloj dialogu nuk do të duhej të ndodhte pa u siguruar trojet tona që me dhunë
i uzurpoj Sërbia,pa u dënuar kriminelët sërb,të cilët vranë,dogjën,masakruan e dhunuan,pa u paguar këto dëme lufte,pa u gjetur mijëra kufoma
shqiptare,kufoma civile,të pa afëta për luftë,pleq,gra e fëmijë,të cilat Sërbia i vrau,ua grabiti kufomat,i mbolli në tokat sërbe,duke hedhur mbi eshtrat ew tyre osfalte e ndërtesa të mëdha.Nuk ishin shqiptarët ata që u futën në Sërbi për të bërë krime,ishte Sërbia ajo e cila na vrau,masakroj dhe na i zhduki kufomat!Dialogu nuk do të duhej të ndodhte pa u vënë në pranga dhunuesit e mijëra femrave shqiptare,madje pa kërkuar falje popblike sërbët të cilën bënë tërë këto të zeza mbi tokën tonë.Sidoqoftë Kosova u detyrua të bënte dialog,Sërbia u përgëdhel nga të mëdhenjët dhe iu dha dritë e gjelbër për në Europë,kurse Kosovës si shpërblim njëfar gjykate speciale!Barazimi,madje më tepër se barazimi i xhelatit me viktimën,për shqiptarët është i pa pranueshëm.Kryevrasësit e popujve të Ballkanit,të cilët kanë ujitur me gjak tërë Ballkanin,kanë të drejtë të gjykojnë vet kriminelet e vet,kurse për ne u kërkojka një gjykatë speciale!E vërteta do të ishte,për krimet që kanë bërë sërbët në shumë qendra botërore do të duhej të themeloheshin dhjetëra gjykata speciale.
Senatori zviceran,Dick Marty, i cili nepermjet të një raporti akuzon udheheqes të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës se kanë transplantuar ilegalisht organe gjatë luftes te vitit 1998-1999. S´do mend se Dick Marty eshtë i ndersyer nga qarqet shoveniste serbe . Lidhur me këtë është folur shumë,por kjo nuk është dëshmuar dhe nuk do të mund të dëshmohet me asnjëfakt.Nëse diçka e tillë ka ndodhur ndonjëherë,kjo mund të ketë ndodhur nga sërbët të cilët e zotojnë mirë këtë art.Akuzat e këtij mjeshtri kanë qëllim njollosëjen e luftës së UÇK-së,për të cilën bota e di se ishte e pastër si loti. Senatori zviceran,Dick Marty, i cili nepermjet të një raporti akuzon udheheqes të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës këtij raporti po luan rolin e Nastradimusit,do të mundohej të na dëmtoj rëndë nëse ia del,nga se Nastradimusët tanë po mungojnë,e ai po e shfrytëzon.
Nastradini po punonte në arën pranë mullirit,në atë moment po vinin drejt tijë qindra krushq,me këngë e valle,me gëzim se kishin marrur nuse.
Nga shkathësia që kishte Nastradini shpejt i ra ndërmend të i mashtroj krushqit.Iku shpejt te mulliri,ia vendosi shpinën mullirit dhe nisi të i thërret krushqit:-Ndihmë,ndihmë! Krushqit ndalen këngë e valle,vendosën të i ndihmojnë!Çfarë ndihme ju duhet zotëri,e pyetën Nastradinin?
-Don me më u rrëzua mulliri zotëri,më ndihmoni ju lutem.!Krushqit ia futën shpinën mullirit,e mbajtën gjysmë ore,kurse Nastradini mori një pendël zogu,e futi në një vrimë muri,e po u thotë krushqëve:Lëshojeni tani se më nuk shembet!Po si ia gjete zgjidhejen e pyeten krushqit?Ia futa një pendël zogu e cila tani e tutje ia mbanë drejtpeshimin!Krushqit nisën rrugën,duke biseduar,duke u krenuar se patën mundësi të ndihmojnë Nastradinin,por kaluan ditë deri u ra ndërmend se Nastradini i kishte mashtruar!As UÇK-ja,as shqiptarët,nuk i shmangen drejtësisë,këtë e kanë dëshmuar fill pas luftës,kur me ta u mor Haga,UNMIK,Eulex,shqiptarët nuk iu shmangën kurrë thirrëjeve,madje vet vullnetarisht u paraqiten në Hagë,Eulex,mbajtën kohë të gjata në burgje,dolën para drejtësisë,për fat dolën të pafajshëm.Përse të i shmangen apo tremben tani shqiptarët drejtësisë?
Tani po themelohet Gjykata Speciale per krimet ne Republiken e Kosoves. Kjo haptazi po del se eshte nderhyrje ne sovranitetin e shtetit te Kosovës, me akuza te drejtperdrejta nga Sërbia,me mbështetjen e Dick Marty.Kjo lloj gjykate për shqiptarët duket politike dhe jo serioze.
Gjykata Speciale duhet te themelohet per gjaksoret çetniko-serbian, qe bene krime te papara qe nuk i njeh bota e civilizuar; vrane e masakruan ,gra,burra,femije,vodhen e dogjen,dhunuan mijera gra.. Shqiptarët nuk i shmangen drejtësisë,përkundrazi ata me ngulm kërkojnë që çdo krim i cili ka ndodhur në Kosovë,pamarrë parasyshë nga kush,duhet të del para drejtësisë.Vetëm një gjykatë speciale enkas për shqiptarët është politike,fyese dhe e padrejtë.Shkrimin po e mbylli me një thënje:E rrihte pushteti sërb një shqiptarë,e rrihte fort shpines,po ai me zë sa kishte bërtiste: O kuku barku!Polici sërb nuk u përbajtë pa e pyetur:Si tallesh me ne,ne të rrahim shpinës,ti ankohesh se të dhemb barku?Sikur të kisha shpinë,nuk do të isha fare në duart tuaja,iu përgjegj viktima.Edhe mua më duket,sikur shqiptarët të kishin një krah më të fortë,një mbështetje më të madhe, Dick Markat,nuk do mundnin të krijonin gjykatë speciale për ta,por për ata që bënë krime mbi ne.Këtë e hetoj mirë sot deputetja serbe Rada Trajkoviq një mbështetëse e fortë e Millosheviqit,e cila gjithnjë ju pati sjellur dëme shqiptarëve,e cila sot në foltore paraqitej sikur për gjitha krimet që bëri Sërbia mbi ne,sikur shqiptarët qenka dashur të u kërkojnë falje sërbëve!Ajo nuk ndihej fajtore,nga se pas shumë të zezave që na solli,sërisht është deputete mes Prishtinës,madje me aq shumë të drejta,saqë nuk ka pakicë në botë e cila mund të ketë aq shumë të drejta,sa të drejta ka pakica sërbe në Kosovë.

Filed Under: Opinion Tagged With: Dick Marty në rolin e Nastradimusit, Shaban Cakolli

KRAJLIZIMI I MALIT TË ZI

April 23, 2014 by dgreca

Milo Gjukanoviç, ky “krajl i ri” i shek. XXI, kërkon që edhe me figurën e krajl Danilo I Petroviç-Njegos, edhe me zgjedhjet e 25 majit 2014, të “krajlizojnë” Malin e Zi./
Nga Ramiz LUSHAJ/
1.
25 maji i sivjetëm i zgjedhjeve lokale në ma shumë se gjysmën e komunave të Malit të Zi si në ato me popullsi etnike shqiptare si në Podgoricë e dy komunat urbane të saj (Tuzi/Malësi e Golluboci/Zeta), në Plavë, Tivar, Guci, Rozhajë, etj. përkon jo rastësisht me përvjetorin e ditës të lindjes të krajlit malazez antishqiptar Danilo I Petroviç-Njegos (1826-1860).
Mali i Zi, pasi fjeti mbi tetë dekada me ëndrrën fillkëputun të krajlisë nga Jugosllavia e Parë Versajiste, u zgjua në vitin 2006 kur kryeministri Gjukanoviç e Co e tij kërkuan të organizonin referendumin për pavarësi më 13 korrik, në përvjetorin kur Kongresi i Berlinit (1878) e njohu botnisht si principatë, si krajli ballkanike. Kjo u kundërshtua nga Komuniteti Ndërkombëtar, pasi e shihnin si rrezik të ringjalljes të nacionalizmit malazez të krajlisë në këtë shtet të vogël multietnik.
Atëherë, Gjukanoviçi që i parapëlqente eventet madhore në muajin e tij të lindjes në shkurt e përzgjodhi muajin Maj për organizimin e refendumit. Përndryshe: “muajin e krajl Danilo”, me synim rrënjas e perspektiv krajlizimin e Malit të Zi. U përcaktua data 21 Maj për referencumin, e cila tashma është festë zyrtare, Dita e Pavarësisë të Malit të Zi.
Prej kësaj kohe nisi kremtimi e promovimi i muaji Maj si”Muaji i krajl Danilo I”. Faktet flasiv vet, sikur të marrim në shqyrtesë vetëm zgjedhjet lokale: A nuk u kryen më 23 maj 2010 zgjedhjet lokale në 12 komuna të Malit të Zi si në Podgoricë, Ulqin, Tivar, Rozhajë etj ?! A nuk u përzgjodh 28 maji 2013 për zgjedhjet në komunën e re të Petnjicës?! Po këto të sivjetmet pikërisht më 25 Maj 2014?!
Çështja parashtrohet edhe ndryshe: zgjedhjet e vjetme për komunën e re të Petnjicës me shumicë boshnjake pse nuk u lanë më 28 shtator, në Ditën Ndërkombëtare të Boshnjakëve?! Apo këto të sivjetmet në komunat shqiptare në Guci e në Plavë pse nuk u shtynë për 28 Nëntor, në Ditën Ndërkombëtare të Shqiptarëve?!

2.
Krajl Danilo I Petroviç-Njegos nuk e ka Majin vetëm muaj të lindjes së tij, po edhe të shovinizmit të tij gjakatar ndaj shqiptarëve etnik që kulmon me Betejën e Grahovacit (1 maj 1858), e cila u zhvillua në komunën e sotme Nikshiq. Kryeministri Gjukanoviç (me klanin e tij politik nikshiqas) u rrit e mburrej me historinë e kësaj lufte, e kishte dhe e ka rituale shkuarjen tek vendi i saj gjatë gjithë jetës së vet.
Ky krajl, Danilo I Petroviç-Njegos, djali i luftëtarit të madh njegosh, Stanko Stijepov, kushëri i princit-bishop Pjetri II (1813-1851) është një figurat ma të shquara në historinë diplomatike, politike e fetare të Malit të Zi. I etnisë serbe dhe gruaja e tij Darinka Kreviç (Petroviç-Njegosh) ishte serbe, femën e ditur e frankofone, nga një familje shumë e pasur në Trieste. Nga princ-bishop Danilo II (1851-1852) kthehet në princ (krajl) Danilo I (1852-1860) i një principate laike të vogël me 1.500 km2 e cila përfshinte katër krahina: e Katundeve, e Rijekës, e Cërmnicës, e Leshanit. Kjo principatë, kishte marrë (për)forcime në vitin 1833 nga Car Nikolla I mbi 18.000 rubla ruse, nga të cilat 8.000 vetëm për ngritjen e institucioneve, si dhe Kisha Ortodokse Ruse i dha mbështetje për institucionet fetare, po e ndihmonin e mbronin edhe Vjena e Parisi, Serbia. Krajlit Danilo I Franca i jepte çdo vit nga 200.000 franga, etj.
Krajli Danilo I Petroviç–Njegos, kit’ principatë me mbështetje ndërkombëtare, e dyfishoi në 3.000 km2, e cila kishte 80.000 banorë sipas rregjistrimit zyrtar të vitit 1855. Pas betejës së Grahovacit (1 maj 1858) të ndërmarrë e fituar sëbashku me të vllain, Vojvoda i Madh Mirko (baba i Krajl Nikolla I) i zgjeroi prapë territoret e principatës së tij me pushtime të përgjakshme, aneksime me masakra e asimilime të pashembullta, marrëveshje me otomanët, etj. si qytetin e Grahovës me rrethina e Rudinat e Nikshiqit, Danilovgrad, kah Shavniku, Pluzhina, Zhabjak, Vasojeviçin e Epërm e Kuçi, etj., të cilat u formalizuan padrejtësisht në Kongresin e Berlinit (1878), në kohën e Krajl Nikollës.
Nipi i tij, krajl Nikolla I Petroviç-Njegos ia hyjnizoi emrin e famën krajlit paraardhës Danilo I Petroviç-Njegos, që ia rriti me rreth 3.000 km2 sipërfaqen Malit të Zi, etj. duke marrë territore etnike shqiptare. Djalit të tij të parë, ia vuni emrin Danilo Nikolla Petroviç-Njegos (1871), princi që drejtoi Grupimin ushtarak të Qëndres me 13.000 ushtarë për pushtimin e Shkodrës… Qyshse në maj të vitit 1870, krajl Nikolla I filloi ndërtimin e një kryeqyteti malazez (projekt) me emrin e krajl Danilo I, përndryshe: komuna e sotme Danilovgrad, midis Nikshiqit e Podgoricës, në brigjet e lumit Zeta, vendbanim i fisit të madh të Palabardhëve shqiptar.

3.
Menjëherë pas shpalljes e njohjes së Malit të Zi shtet i pavarur e sovran, Gjukanoviçi e Co politike, sikurse edhe krajl Nikoll I Petroviç-Njegosh (1860-1918) filluan promovimin e figurës së krajl Danilo I Petroviç-Njegosh.
Në maj të vitit 2006 përuroi memorialin e Betejës së Grahovës në 150 vjetorin e saj, e cila ishte tjetër përpjekje për ringritjen simbolike të antishqiptarit krajl Danilo I Petroviç-Njegos e vllait të tij, Vojvoda i Madh Mirko apo ndryshe: “Duka i Madh i Grahovacit”.
Pra, eventet e majit ndër vite, të paktën nga Referendumi i 21 majit 2006, i kremtimit të 150 vjetorit të Betejës të Grahovës (2008), zgjedhjet lokale në maj 2010, 2013 e këto të fundit të 25 majit 2014 kanë vetëm një domethanie: krajlizimin e Malit të Zi.
Tregues burimor e ballor është edhe vet kryeministri antishqiptar Milo Gjukanoviç, i cili prej 15 shkurtit 1991 e drejton Malin e Zi, herë si president e herë si kryeministër. Ky është edhe kryetar i Partisë të Socialistëve Demokratë (PDS), parti e cila e ka zgjedh nga radhët e saj edhe Presidentin Filip Vujanoviç (president prej vitit 2003 e kryeministër në vitet 1998-2002). Nga koalicioni partiak i Gjukanoviçit është edhe kryetari i Parlamentit Ranko Krivokapiç (prej vitit 2006). Uzurpim të pushtetit nga Gjukanoviçi ka edhe në pushtetin lokal si kryebashkiaku i Podgoricës, Miomir Mugosha prej vitit 2000 e ministër nga viti 1990, etj. Përndryshe: këta janë “oborrtarët” e Gjukanoviçit.
Ky është viti i 24-t që Milo Gjukanoviç drejton Malin e Zi, një mandat si president e shtatë mandate si kryeministër, si asnjë politikan tjetër në të gjitha shtetet antëre në BE e në NATO. Përndryshe është një “krajl i ri” i Malit të Zi.
Milo Gjukanoviç, ky “krajl i ri” i shek. XXI, kërkon që edhe me figurën e krajl Danilo I Petroviç-Njegos, edhe me zgjedhjet e 25 majit 2014, të “krajlizojnë” Malin e Zi.

Filed Under: Opinion Tagged With: KRAJLIZIMI I MALIT TË ZI, Ramiz Lushaj

“VULLNETI I TYNE I FUNDIT !..”

April 23, 2014 by dgreca

Në 70 vjetorin e permbytjes së Shqipnisë…/
“Jam i pafajshëm, po vdes në krye të detyrës s’eme. Rrnoftë Krishti Mbret, Rrnoftë Papa, Rrnofshin Katolikët, Rrnoftë Shqipnia! U baj hallallë gjyqit dhe ato që do të shtijnë mbi trupat tonë të pafajshëm!” (At Mati Prennushi, Dosja 1302/A, ArkivMM)/
Nga Fritz RADOVANI/
Ky ishte vullneti i fundit të njenit prej Martirëve ma të mëdhej të Kishës sonë në vitin 1948, në Zallin e Kirit të Shkodres, pranë vorrezave të Rrëmajit.
U shkrue nga dora gjakatare e gjykatësit komunist Misto Bllaci, per të cilin mbas sa vjetësh tregon i biri se çka i thonte atij diktatori anadollak Enver Hoxha: “Prokurorët e vendosur si ti janë maja e shpatës së diktaturës së proletariatit, shoku Misto.
I tmerrove klerikët me pretencat e tua, që s’njohin dënim tjatër veç atij me vdekje. Uroj që edhe Agimi të eci në gjurmët e tua.”
Në vitin 1464 Papa Piu II donte me vizitue Shqipninë dhe me kunorzue Mbret me doren e vet Gjergj Kastriotin, mbrojtësin e Trojeve Ilire nga robnia turke, po, që njëherit, njihej nga Europa “Mbrojtësi ma i rreptë i Krishtenimit” nga kamba ma dhunuese e atyne shekujve osmanllinjtë. Papritmas Papa vdiq në Ankona me 15 Gusht 1464.
Në vitin 1911 nder Malet e Hotit Burri i pathyeshem i Bjeshkëve të Nêmuna, me Flamurin e Kastriotit në dorë, Heroi i Pavdekshem Dedë Gjo’ Luli, trandi perandorinë otomane dhe njëherit i tha komshijve serb se “kanë mbetë edhe grusht Shqiptarë!”
Hakmarrja e tri palëve ndaj Këtij Burri kje e mnershme! Serbët, me otomanët dhe tradhëtarët e shitun të Esad Pashë Toptanit e vranë dhe i dhunuen edhe kufomen… Po, nuk u ngopën me aq, tue i vra djelmët e tue i shfarosë Fisin deri në vitin 1946, me të Pathyeshmin Gjelosh Luli, por nga dora tradhëtare e një turkoshaku tjeter të shitun tek po ata serbë, diktatorit Enver Hoxha, që punoi 50 vjetë bashkë me trashigimtarët e vet per shfarosjen dhe shitjen e shkatrrimin perfundimtarë të Atyne Alpeve kreshnike.
Shqipnia e Pavarun e Ismail Qemalit, Don Nikollë Kaçorrit, Luigj Gurakuqit, Isa Boletinit, At Gjergj Fishtës, Bajram Currit, Imzot Luigj Bumçit, Hasan Prishtinës, Imz. Mjedjes, Mustafa Krujës e sa Atdhetarëve tjerë, plot 70 vjetë ma parë u permbytë nga një perbindsh e diktator i renditun në “100 Tiranët” e mbi 3000 vjetëve; Enver Hoxha.
Imzot Luigj Bumçi porsa filloi detyrën e Kryetarit të Delegacionit Shqiptar në Paris, ishte i pari që protestoi tek Presidenti Willson për krimet që po kryenin serbët mbi popullsinë Shqiptare të Pejës, Gjakovës, Plavës, Gucisë dhe i dorëzoi Atij listën me emnat e viktimave në krahinën e Rugovës.

Imz. Bumçi, mbasi vëren një mungesë të madhe sinqeriteti nga delegati italian në Paris, Ministër i Jashtëm i Italisë, me të cilin Ai u takue me datën 26 tetor 1919 për marrveshjen “Titoni – Venizellos” mes Italisë dhe Greqisë, në dam të tokave Shqiptare, Imz. Luigj Bumçi u takue edhe me delegatin francez dhe amerikan, tue nxjerrë nga këta bisedime një aksiomë filozofike që mund të shpikej vetëm nga koka e Imz. Bumçit: Me 29 Dhetor 1919 Ai arrinë në Vatikan dhe në ditët e para të Janarit 1920, u takue me Papen Benedikti XV, të cilit i tha: “Tash pra Shejtni, të gjithë Misat e Dergatës Shqiptare që janë në Paris e që shumica asht myslimane, më kanë çue këtu përpara Shejtnisë s’Uej e të gjithë për njëgoje Ju lutën që me fuqinë Tuej morale e me influencën e madhe që keni në Botën mbarë, të na jepni ndihmën Tuej të vlefshme sikur dini Ju vetë, që na të pështojmë dy provincat Shqiptare, Korça e Gjinokastra, të cilat janë në rrezik prej akordit Titoni – Venizellos.” Papa i shpjegoi Imz. Bumçit se Vatikani nuk kishte marrdhanje të mira me Francën dhe Italinë, por do të takohej urgjentisht me ambasadorët anglez dhe amerikan në Vatikan, të cilëve, Ai do t’u kërkonte me qendrue në përkrahje të Popullit Shqiptar…dhe, e mbajti premtimin, Korça dhe Gjinokastra mbetën Tokë Shqiptare!
Një dishmi e At Jakë Gardinit, jezuit italian që mbijetoi dhe erdhi në Shqipni në vitin 1992, tregoi: “Mbreti i Shqipnisë Ahmet Zogu ka pas thirrë Delegatin Apostolik, në vitin 1925 që ishte në Shkodër, dhe i ka pas kërkue me dijtë se shka mendon Vatikani për lidhjet me né, në kjoftë se né mund të hyjmë në “Konferencën Islamike”, mbas një kërkese që i ishte ba Atij nga ana e tyne ato ditë.
Delegati tue u ndodhë para një kërkese të papritun prej Mbretit i kishte kërkue dy javë kohë, sa me shkue deri në Vatikan dhe me sjellë mendimin e tyne për këtë punë. Mbreti asht kenë dakord. Delegati ka shkue tek Papa Piu XI, dhe i ka tregue kërkesën e Mbretit. Papa i asht përgjegjë Mbretit nëpërmjet të Delegatit, me këto fjalë: “Në kjoftë se doni me ruejtë edhe atë pak Shqipni që ka mbetë, ju, nuk duhet të angazhoheni me vendët e Lindjës. Na gjithmonë kemi thanë se Shqipnia asht vend Evropian.
Ju, mund të veproni si të doni. Ky asht mendimi i ynë!”.
Delegati asht këthye në Shqipni dhe i ka tregue Mbretit përgjegjën e Papës. Zogu asht kenë i squtë dhe nuk ka hy në asnjë lidhje me shtetët e Lindjës.” (Dishmi A.J.Gardin)
Me 5 Maji 1945 qeveria Tiranës, e kryesueme nga Enver Hoxha po, e mvarun kambë e kokë nga shovenistë sllavokomunistë të Titos nxjerr jashtë Delegatin Apostolik të Vatikanit në Shqipni Imz. Leone Nigris… (shkresa e largimit nga qeveria shqiptare u ba me 25 maji…). Imz. Frano Gjini, Abat i Mirditës u caktue nga Vatikani si zevendës i Tij. Me kenë se Imz. Frano Gjini nuk pranoi me shkëputë Kishen Katolike Shqiptare nga Vatikani, u arrestue me 15 Nandor 1946 dhe u pushkatue me 11 Mars 1948.
Ja dhe vullneti i Tij i fundit i shkruem nga krimineli Misto Bllaci: “Rroftë Krishti Mbret, Feja Katolike dhe Katolikët në botë, Rroftë Papa, gjaku dhe trupi i em mbetët këtu, por Shpirti dhe zemra është tek Papa. Rroftë Shqipnia!” (Dosja 1302/A, Arkivi).
Edhe pse me 1 korrik 1951, gazeta komuniste shqiptare “Zëri i Popullit” bani të dijtun se Kleri Katolik Shqiptar “i ka pre mardhanjet me Vatikanin”, tue nenshkrue një “Statut”, per të cilin Ata që e kundershtuen u burgosën dhe Don Ejëll Kovaçi (1958) e Don Dedë Malaj (1959) u masakruen nder hetuesi dhe u pushkatuen, Papa Piu XII, me
3 shtator 1951 urdhnoi Sekretarinë e Shtetit të Qytetit të Vatikanit, që Radio Vatikani të flasë edhe në Gjuhën Shqipe. Udha e saj nisi me: “Udhën e Kryqit”, program i cili asht drejtue nga Don Zef Shestani dhe At Daniel Gjeçaj, gjatë gjithë “Udhës së Kryqit” që ka vazhdue me ba Populli Shqiptar deri në 1991, nën Gjenocidin komunist të E. Hoxhës.
Plot 55 vjet perpara Papa Gjoni XXIII, ditën e Pashkëve, nga Vatikani, kur i bani urimet popujve të Botës, ishte Papa i parë që na uroj nga zemra në Gjuhen Shqipe, të gjithë Popullit Shqiptar “të harruem e të coptuem”: “Per shumë mot Pashkët!”…
Në vitin 1980 asht Papa Gjon Pali II, nga Otranto i Italisë, që drejton mesazhin e Tij per grigjen e vogel Shqiptare të martirizueme nen thundren komuniste:
“Sot nuk mund të mos e hjedh vështrimin përtej detit, ku Kisha heroike në Shqipni tronditet thellë nga persekutimi i gjatë, por edhe pasunohet nga dëshmia e Martirëve të saj: Ipeshkvij, meshtarë, rregulltarë e rregulltare, e besimtarë të thjeshtë”.
Në vitin 1993 asht Ky Papë, që puthi Token e rijtun me gjak të burgosunëve që kishin ndertue Aeroportin e Rinasit, të Tiranës, per të cilin çast më asht shpreh Prof. Sami Rrepishti: “Sa herë shoh foton e Papës Gjon Pali II tue puthë token në Rinas, më kujtohen ata bashkvuejtës që vdiqën dhe që janë të vorrosun nen atë tokë…” (2013)

Papa Gjon Pali II dhe Nanë Tereza 1993.

Në darken e 25 Prillit 1993, Papa Gjon Pali II, në Sheshin “Skenderbej” të Tiranës tha: “Ajo që ka ngja në Shqipni, të dashtun Vllazën dhe Motra, nuk asht pa kurrë në historinë e njerëzimit… Drama e Juej, Shqiptarë të dashtun, zgjon interesimin e gjithë Kontinentit Europian dhe asht e domosdoshme që Europa mos t’ Ju harrojë.
Dhe, në fakt, ky duhët të jetë pikësynimi sot, me këthye shpejt fletën tue mos harrue atë që ka ekzistue, për me shikue përpara. Pikëpamje kjo, që në një prizem vështrimi asht e drejtë e madje, e domosdoshme, por me një kusht që me mbetë gjithmonë në kujtesën tonë ajo që ngjau në të kaluemen. Në të vërtetë ky asht kusht i domosdoshëm për mos me u rikthye tek të njajtat gabime të përlotuna dhe asht shtegu ma i mirë për një proçes pajtimi të vërtetë… Një demokraci pa vlera, – kam shkrue në Enciklikën Centesimus Annus – mund të shndërrohet lehtësisht në një totalitarizëm të hapun ose të fshehtë, si po na e tregon historia…Në emnin tand Popull Shqiptar, po i drejtohëm këtu, Komunitetëve Ndërkombëtare që ta këthejnë vëmendjen e tyne vepruese ndaj kërkesave të zhvillimit tand të përgjithёshëm. Vetëm kështu, mund të mëkambët Paqa në këte zonë të Ballkanit, të përgjakun nga konfliktet vëllavrasëse të ulta e të pakuptim…”
Papa Gjon Pali II, në mesazhin e tij “Urbi et Orbi”, pikërisht, për Pashkët e vitit 1999, ka thanë:”I lutem Zotit të Ringjallun t’i japë dhuratën e paqes, së pari tokës së martirizueme të Kosovës, ku lot e gjak vazhdojnë të përzihen në një skenar dramatik urrejtjeje dhe dhune. Mendoj për ata që janë vra, për ata që kanë mbetur pa shtëpi, për ata që janë largue me forcë nga familjarët, për ata që janë detyrue të ikin larg…”
***
Edhe pse Toka Shqiptare asht ma e aferta me Vatikanin (tue perjashtue Italinë), qeveritarët tanë vazhdojnë me u largue sa ma larg… E, mundsisht, me “harrue” të gjitha këto perpjekje shekullore të Papëve per vendosjen tonë në Vendin e merituem në shekuj!
Edhe pse Gjaku i Martirëve tanë vazhdon me vlue!.. Ai nuk shuhet kurrë, ashtusi, nuk shuhet as thirrja e Tij: “Rrnoftë Papa, Rrnoftë Shqipnia!’
Vetë Papa Françesko, me Flamurin e Gjergj Kastriotit dhe Nanë Terezës në qafë, tregon se, Papa, si gjithmonë edhe SOT, vazhdon rrugen e Paraardhësve të Tij:
Rrnoftë Shqipnia Europjane e Gjergj Kastriotit !
Melbourne, 24 Prill 2014.

Filed Under: Opinion Tagged With: “VULLNETI I TYNE, Fritz radovani, I FUNDIT !..”

Fitorja plebishitare e opozitës shqiptare është e vetmja atlernativeë në këto zgjedhje

April 22, 2014 by dgreca

Opinione mergimtaresh/
Me 27 prill 2014 mbahen zgjedhjet Presidenciale (rrethi i dytë) dhe Parlamentare në Maqedoni. Diaspora për Shqiptarët e Maqedonisë (DSHM) si lëvizje e shqiptarëve të Diasporës për këto zgjedhje shumë kohë përpara ka paraqitur qendrimet e veta. Një nga qendrimet kryesore të angazhimeve tona ka qenë refuzimi i sistemit unitarist, që është baza e diskriminimit të shqiptarëve, bojkoti i zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare, pasi nuk përmbushin standardet demokratike dhe nuk janë të lira, fer dhe demokratike.
Sot, kur e dëgjon nga gjuha e kupolës së dështakëve të BDI-së në krye me Ali Ahmetin: “Pse shqiptari të mos jetë Kryeministër, Kryetar shteti dhe Kryeparlamentar” vjen si rezultat i presioneve të DSHM-së që kanë zhvilluar një kampanjë për vetëdijësimin e shqiptarëve për më shumë se dy vjet. Duhet të potencojmë se Ali Ahmeti me rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2011 shiti interesin e votuesve shqiptar dhe nuk kushtëzoi “Qeverinë 3” të Gruevskit para formimit të qeverisë, njejtë sikur i shiti idealet e atyreve që i nxiti për luftë të pakuptimtë në vitin 2001. Ky dështim i Ali Ahmetit nuk ka qenë i pari, as nuk do të jetë i fundit, përderisa ky njeri, duke shfrytëzuar rrethanat e politikave rajonale dhe globale në lidhje me integrimet e Maqedonisë, veten e ka shpallur se ka qenë shkatrrues i Jugosllavisë, kurse në këto zgjedhje u tha shqiptarëve të Diasporës “ejani e mbjellni sallata dhe patate” dhe mburreshte me misionet e dështuara me servilë të tipit të Izet Mexhitit, Fatmir Deharit, Ruzhdi Latës, Azis Pollozhanit, etj. se janë djemtë e BDI-së që harxhojnë paratë e shqiptarëve të varfër nëpër Diasporë, por harronte të tregonte se misionarët e tij ku shkonin ndesheshin me rezistencën e vizionit shqiptar në Diasporë dhe me DSHM-në.

Ideja e Ali Ahmetit për President konsensual dhe bojkoti vetëm i zgjedhjeve presidenciale ka qenë një ide hipokrite, një marrëveshje e tij me “Car Nikollën” për përkrahje në heshtje të Ivanovit. Agjenturat e tij bolshevike, lidhjet e tij marksiste-titiste, në Kosovë dhe jashtë, eksponentët e tij, që shumica janë bijë të komunistëve, në televizione, gazeta dhe portale u angazhuan që dështimet e tyre 12 vjeçare t’ia atribojnë vetëm një njeriu, e ai ishte Menduh Thaçi, kryetari i partisë më të madhe opozitare shqiptare, i cili ushtron këtë detyrë me përgjegjësi nga viti 2007.
DSHM bën dallim mes kohës së Arbër Xhaferit dhe Menduh Thaçit, prandaj kur ka zgjedhje në Maqedoni të gjithë ngriten dhe bashkohen për ta demonizuar kryetarin e PDSH-së, z. Menduh Thaçi, për ta paraqitur si gogol në sytë e shqiptarëve dhe fajtorë kryesor për të gjitha dështimet e BDI-së dhe gjoja se ky po mbanë peng opozitën shqiptare në Maqedoni. Ky fabrikim, kjo kampanjë gebelsiane në vitin 2014 kundër Opozitës duke edemonizuar figurën politike të Menduh Thaçit, u dekonspirua pikërisht nga DSHM-ja dhe shumë veprimtarë të tjerë shqiptarë, por edhe thirrjet e Menduh Thaçit ndihmuan për këtë dekonspirim drejtuar Ali Ahmetit “O, Ali, eja e bëhemi bashkë e t’u ndihmojmë shqiptarëve!” “O, Ali, eja dhe i bojkotojmë zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, bllokojmë sistemin” e shumë tjera. Në të gjitha këto thirrje përgjigjia e Ali Ahmetit ishte: “Jemi parti me përgjegjësi të shtetit unitar” “Nuk duhet shqiptarët të ndërtojnë politika nacionaliste, nuk duhet të jenë bashkë” edhe pse kupolla e krimit të BDI-së bashkimin e shohin sipas dioptrisë së njëmendësisë bolshevike të klanit të Zajazit, Ali Ahmeti, Fazli Veliu dhe Musa Xhaferi, të cilët me shumë përkushtim madhërojnë figurën e diktatorit Enver Hoxha në Kërçovë.

Nisur nga këto fakte, DSHM doli në mbrojtje të kandidatirës së shqiptarit Iljaz Halimi dhe 40 mijë votat shqiptare për Ilaz Halimin ishin votat më shqiptare, pasi ishin të hapura dhe në çdo lagje, rrugicë ishin të kërcënuara nga agjenturat bolshevike, bandat kriminele të Ali Ahmetit, kurse shenja e ngjyrës në gishtin e madh ishte shenja sikur e kampeve naciste të Hitlerit ose internimeve të Stalinit. A ka më keq se të kërcënosh një shqiptar me vend punë në shekullin 21? A ka ma keq se kur dëgjon nga goja e analfabetëve të BDI-së, që janë kandidatë për gipsa në Parlament dhe 40 mijë shqiptarët që votuan Iljaz Halimin në rrethana të trysnive të mëdha, t’i quajnë se nuk kanë gjak shqiptari? A ka ma keq kur edhe pas 13 vjetëve, pas të gjitha tradhëtive, përdorin luftën e vitit 2001? Kjo farë e analfabetëve, që macen prej përsheshit nuk mund ta nxjerrin, që kanë uzurpuar me manipulim vullnetin e shqiptarëve në vitin 2001, që nuk kanë dije as elementare për të ndërtuar shtetin e shqiptarëve në Maqedoni, por edhe ndarjen, patjetër të ndalen dhe shqiptarëve t’u kthehet liria, dija dhe profesionalizmi!

DSHM ka përcjellë me vëmendje çdo situatë të krijuar rreth dhe për këto zgjedhje, dhe kemi disa qendra ku na vijnë informata edhe nga Kërçova, disa vende nga Shkupi, Kumanova dhe Tetova, ku shqiptarët janë të gatshëm të denojnë politikën kapitulluese të kupellës së klanit të Zajazit, që ka manipuluar me BDI-në për 12 vite rresht, përkundër presioneve, shantazheve dhe kërcënimeve të racës vasale të BDI-së.

Prandaj, duke pasur parasysh të gjitha këto fakte, duke e kuptuar indinjatën e thellë të shqiptarëve me BDI-në, duke e respektuar lirinë dhe verdiktin e qytetarëve, kërkesën e madhe për ndryshime në skenën politike në Maqedoni, qendrimin opozitar të shumë intelektualëve, pasi shqiptarët e Maqedonisë kanë vendosur të votojnë në zgjedhjet parlamentare, DSHM-ja, edhe pse nuk do të pranojë asnjë rezultat nga Kërçova dhe disa vende tjera, siç janë disa njësi zgjedhore në Shkup, Tetovë dhe Gostivar, përkrah fuqishëm opozitën shqiptare, anëtarësinë e partisë më të madhe opozitare PDSH dhe kryetarin e saj, z. Menduh Thaçi, sikurse përkrah edhe partinë tjetër opozitare RDK-në dhe kandidaturën e Xhezair Shaqirit. Prandaj, ata që mundohen të mbrojnë kupollën e klanit të Zajazit në BDI, duke demonizuar angazhimin politik të kryetarit të PDSH-së, kanë alternativë, le të dalin e të votojnë opozitën shqiptare, që fitorja të jetë plebishitare me votën e lirë të shqiptarëve, pasi çdo veprim tjetër është vazhdimi i agonisë bolshevike që personifikohet me emrin Ali Ahmeti.

DSHM
Musa Lamallari (Tim Shkupi), Angli
Natmir Hazbi Ismaili, Suedi
Agron Bajrami, Belgjikë
Imer Rrahmani, Chicago, USA
Zaim Buçi, Hollandë
Hadi Osmani, Zvicër
Ibrahim Sherifi, Angli
Chahil Neziri, Texas, USA
Minci Akija, Gjermani

Filed Under: Mergata, Opinion Tagged With: Fitorja e opozites, ne zgjedhjet ne Maqedoni, Opinione mergimtaresh

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 754
  • 755
  • 756
  • 757
  • 758
  • …
  • 865
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 115 vjet nga Kryengritja e Malësisë së Madhe dhe ngritja e flamurit në Deçiq
  • GEORGE POST WHEELER, AMBASADOR I SHBA-SË NË SHQIPËRI (1934) : “SHQIPËRIA DHE BURRAT E SHQIPONJËS…”
  • Përshtypje nga Bashkëbisedimi i AFC-së dhe Mjekëve Gastroenterologë AAGA
  • Një princeshë evropiane përballë traditës shqiptare
  • Arkeologët shqiptarë nën vlerësimin e studiuesit anglez Nicholas Geoffrey Lemprière Hammond
  • E drejta për përdorimin e gjuhës amtare në arsimin e lartë në Maqedoninë e Veriut
  • Calling all young dancers! Registration is in person on April 11. Looking forward to seeing you!
  • Ekspozita e ndaluar…
  • Themelimi i orkestrës së parë në Shqipëri
  • 2 PRILLI, 1991 NË SHKODËR – PLUMBAT QË VRANË SHPRESËN DHE DREJTËSIA QË ENDE HESHT!
  • VATRA URON BESIMTARËT KATOLIKË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Ndërroi jetë Agim Bardha, “Vatra” e “Dielli” ngushëllojnë familjen patriotike të Ekrem Bardhës për humbjen e vëllait
  • Dita Ndërkombëtare e Librit për Fëmijë – Magjia e Leximit
  • Shoqëria shqiptare ka nevojë të kujtojë dhe reflektojë…
  • Balshajt dhe Cërnojeviçët në territorin e Zetës së dikurshme…

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT