• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kur shteti kapet për fyti!

April 14, 2014 by dgreca

Opinion nga Faik KRASNIQI/
Duhet të jemi të sinqertë: Kosova deri tash nuk është udhëhequr nga njerëzit e mençur, intelektualët e mirëfilltë, patriotët e vërtetë, ata që nuk udhëhiqen nga interesat e ngushta personale… se të tillë burra mund edhe të vetëflijohen në mbrojtjen e interesave të popullit dhe të atdheut. Tragjedia më e madhe për një popull është kur shtetin e udhëheqin analfabetët dhe injorantët. Kur sheh lloj-lloj injoranti dhe injorante, lloj-lloj analfabeti që s’dinë t’i lidhin dy fjalë e fal nepotizmit, miqësisë dhe servilizmit janë bërë me poste të larta shtetërore e partiake, të krijohet përshtypja se Kosova me të vërtetë s’ka intelektualë dhe ka mbetur në dorën e tyre ta udhëheqin këtë vend. Kur injorantët dhe analfabetët bëhen faktor, intelektualët dalin në pension të parakohshëm!
Kështu është kur shtetin e udhëheqin injorantët, analfabetët dhe njerëzit e korruptuar që ky popull i lejon të jenë në pushtet tash e 15 vjet!
Kështu është kur punësohen njerëz me lidhje familjare, afiliacione politike… dhe jo njerëz kompetent. Në shtetin ku udhëheqin kriminelët, injorantët dhe analfabetët çdo gjë është e mundur.
E mjerë Kosova në dorën e kujt ka mbetur. Thua se në tërë Kosovën nuk paska njerëz të shkolluar, por të na udhëheqin analfabetët, injorantët e hajdutët.
Më e keqja është që partitë politike, intelektualët e mirëfilltë po i kthejnë në militantë dhe tifozë të tyre. Kur intelektualët kthehen në militantë partie, injorantët e analfabetët bëhen faktorë. Kjo është fatkeqësia jonë.
Kosova deri kur do të durojë të udhëhiqet nga njerëzit e paditur?
Kosova deri kur do të durojë të vidhet në mënyrë të pamëshirshme nga këta politikanë të pamëshirshëm?
Kosova deri kur do të durojë t’i degradohet arsimi?
Kosova deri kur do të durojë t’i shiten asetet kombëtare? Kosovë deri kur do të durosh?
Për ta udhëhequr shtetin, Kosova ka mjaft burra të mençur dhe intelektualë të mirëfilltë. Sa nuk është bërë shumë vonë, partitë politike duhet me çdo kusht të gjejnë gjuhën e përbashkët, e t’i marrin afër vetes intelektualët e mirëfilltë për ta udhëhequr shtetin, për të penguar rënien e shtetit.
Se, dekompozimi moral dhe social politik, përfundimisht po i afrohet fundit të sajë të pashmangshëm. Nëse edhe në këto zgjedhje kjo gjendje nuk ndryshon që Kosovën ta udhëheqin intelektualët e mirëfilltë, atëherë këtij populli nuk i ka mbetur asgjë tjetër veçse t’i mbledh plaçkat e të ik nga ky vend që është pushtuar nga injorantët, analfabetët, debilët dhe kriminelët. Koha është për ndryshim…!

(Autori është publicist nga Prishtina dhe anëtar i ”Nismës për Kosovën”)

Filed Under: Opinion Tagged With: faik Krasniqi, Kur shteti kapet për fyti!

Të ndalohen edhe me dhunë protestat?!

April 14, 2014 by dgreca

Pse, masakrimi i Kumes, i ligjshëm ishte?/!
Nga Gani QARRI/
Torturimi i paradoditshëm dhe masakrimi deri në vdekje i Kudret Kumes (Ilia Karelit) në qelitë e burgut grek të Nigritas, të cilit në mënyrën më makabre iu nxor edhe zemra nga trupi i sakatuar, shkaktoi indinjatë dhe zemërim të thellë jo vetëm tek bashkëkombësit e Kudretit në burgjet greke, por edhe tek të gjithë shqiptarët kudo që ata ndodhen.
Pas kësaj ngjarje të rëndë dhe trishtuese, me të drejtë të rinjtë e vendit u ndjenë të indinjuar deri në revolt nga hakmarrja e ulët institucionale greke edhe për faktin se vrasja e gardianit të burgut nga Iliri ,ndodhi në rastësi dhe gjendje afekti.
Ajo erdhi nga një zënkë spontane ndërmjet Kumes dhe gardianit, të cilit Kume më parë i kishte dhënë një shumë të madhe parash si shpërblim,në mënyrë që atij, ti mundësohej takimi me të ëmën, gjë të cilën edhe pse gardiani grek kishte marrë parat, nuk e realizoi apo edhe parandaloi vet drejtpërdrejt me ndërhyrjen e tij.
Ndaj,konflikti ndërmjet tyre,nuk erdhi në mënyrë të organizuar, por ishte spontan dhe pasoj e mosmbajtjes së premtimit nga ana e gardianit grek edhe pse ai kishte marr ryshfetin e kërkuar. Pra,ky nuk ishte sulm i parapërgatitur as paramendim për mbytjen e tij.
Në anën tjetër, shteti grek, bëri një “vrasje institucionale”, ku autorët e krimit ishin vet zyrtarët e burgut të Nigritës,përfshi edhe drejtorin të cilët shihen në të gjitha filmimet e bëra publike deri më tani.
Të revoltuar nga kjo ngjarje makabre e cila nuk është e para as e vetmja ndaj migrantëve shqiptar në Greqi, ku shqiptarët trajtohen më keq se në cilindo vend tjetër kudo qoftë ai, disa qindra të rinj me flamuj kombëtar në duar, me të drejtë u hodhën në protestë.
Ata sipas rregullit, së pari kënduan Himnin Kombëtar,për të grisur nga indinjata dhe më pastaj vënë edhe zjarrin, një flamuri të shovinistëve grek.
Protestuesit u përpoqën të shprehnin revoltën e tyre edhe para ambasadës greke në Tiranë, ku donin të paraqitnin pezmin dhe bënin të ditur indinjatën e tyre të thellë, ndaj masakrimit makabër të Kudret Kumes,(Ilia Karelit) nga zyrtarët grek, në qelit e zymta të burgut në Nigrita të Greqisë.
Por,forcat speciale të policisë, megjithëse protestuesit me asgjë nuk e merituan një trajtim aq brutal, ato nga ana e tyre, sado që për koincidencë mbanin edhe emrin “Shqiponja” u vërsulën pa mëshirë ndaj shqiptarëve, sikur të ishin sigurimsa grek në mes të Athinës dhe nën urdhëratë direkte të komandës së gjeneral Janullatosit, të cilët jo vetëm fyen por edhe goditën sa mundën faj e pa faj me shkopinj gome, ngrehën zvarrë dhe burgosën një numër të konsideruar protestuesish, duke e quajtur edhe protestën “Grumbullim të paligjshëm”
Pse, masakrimi i Kumes, i ligjshëm ishte ?!

Megjithatë,mese 26 protestues u morën në pyetje nga policia, dhjetëra të tjerë u rrahën e lënduan, dhe për çudi pak zëra u dëgjuan të mbronin protestuesit e pafajshëm. Madje,një pjesë e mirë e tyre u trajtuan edhe në spital nga goditjet policore, ani-pse ata nuk bënë asgjë më tepër sesa një veprim simbolik i cili nuk kishte asnjë të keqe, përveç një porosie të shenjt për mbrojtjen e jetës së njeriut-si vlerë universale dhe civilizuese e mbarë njerëzimit.
Por pasi që vrasësit na qenkan grek, u dashka edhe me dhunë të ndalohen protestat?!….
Gani Qarri
14 Prill 2014

Filed Under: Opinion Tagged With: Gani Qarri, me dhunë, protestat, Të ndalohen edhe

TË HIQET TERRI NGA REFORMA ADMINISTRATIVE TERRITORIALE

April 13, 2014 by dgreca

Opinion Nga Ramiz LUSHAJ/
1.Cilësori “terrovinë” do i shkonte ma për shtat “Reformës Administrativës Territoriale të Shqipërisë”, e cila po kryhet disi nëpër labirinthe të politikës, larg traditës etno-historike e administrative, jashtë syve të publikut, po veprohet ndryshe nga disa shtete fqinjë, po ecën me kushtëzime (ndër)kombëtare e partiake.
Ndarja e Shqipërisë së vogël gjeografikisht në gjashtë rajone të mëdha do të sillte copëzime të panevojshme apo të parakoshme të territorit të saj, të cilat mund t’i shembullojmë me “principatat mesjetare” apo ndarjes në “kantone” moderne. Në koft se i hulmojmë politikë kisha me thanë se kemi të bajmë me jetësime të refleksioneve, të ideve të liderit të sotëm të PS të trajtuara në një botim të tij (me bashkautor) të vitit 1991. Kjo është një çështje që s’do i rikthehem në detaje, pasi kam shkruar dikur në shtyp, në vitet ’90.
Gjithësesi, me çka shoh në një hartë pune të publikueme në media të elektronikës e letrës në mars 2014, kisha me thanë se ndarjet (prerjet) administrative horizontale të rajoneve të Shkodrës në veri dhe të kaonëve në jug të Shqipërisë Londineze, pa u thellutë në histori të derisotme të pas Shpalljes së Pavarësisë (1912), janë si “gurë kilometrikë” të ëndrrës vorio-epiriote (grekëve) dhe sllavëve (serbëve e malazezëve). Në këto dy ekstreme të rajoneve në ndarjen administrative territoriale nuk duhet të ketë vetëm prerje horizontale, por edhe prerje vertikale, sikurse shfaqet tendenca me “Rajonin ELKO”.
Tue u pjekë demokracia shqiptare nga kushtet e rrethanat e kohës dhe nga shpirti ynë iliro-arbnor ndoshta ka me arritë dikur një ditë jo e mirë që këto rajone të kenë të drejtë kushtetuese referendumin e t’na djegin zemrën duke iu bashkue ndonjë shteti tjetër të afërt. Sot për sot në “Rajonin e Kaonëve” grekët kanë “ardhë” (fut kthetrat) në Gjirokastër e Këlcyrë me varreza greke e po kërkojnë kishë në Përmet, etj. Në “Rajonin e Shkodrës” në vitet 1912-1913 mbretëria e Malit të Zi dhe ajo e Serbisë ngatërroheshin ndërveti për Prizrenin e kufinin për gjatë rrjedhës së Drinit. Këto nuk janë gjana të pandigjueme, as nuk duhet të kemi bindje të tepruar se nuk do të ndodhin asgja në të ardhmen, asnjë përpjekje e tillë shovene nga fqinjët.
Aty në hartë shenjohet edhe “Rajoni i Arbrit”, që përfshin qarkun e Dibrës e të Durrësit, një pjesë të qarkut të Tiranës e rrethin e Kurbinit, ndërkohë që e përjashton Mirditën etj., e cila hynë në “Rajoni Shkodër”. Kjo nuk përkon me historinë shqiptare të Mesjetës. Principata e Arbrit, përndryshe – shteti i Arbrit 800 vjeçar, i kishte rrënjët e degët edhe në Mirditë, bile nuk mund të kuptohet plotërisht pa këtë krahinë etno-historike, pa Mirditën e Madhe.
2.
Terrovina me Reformen Administrative Territoriale bahet jo pak e pakuptimtë politikisht kur kemi parasysh faktin se Shqipëria Londineze e Tiranës zyrtare po e zvoglon numrin e bashkive (komunave), ndërkohë që Mali i Zi me kryeqytet Podgoricën, tokë etnike shqiptare, e Kosova Euro-Atlantike po e shtojnë numrin e komunave të tyre (!)
Mali i Zi në dy-tre vitet e fundit ka formue disa komuna të reja: Nga komuna e Beranës e shkëputi Petnjicen me shumicë boshnjake. E copëzoi Plavë-Gucinë shqiptare në dy komuna – në atë të Plavës e të Gucisë. Tani po ecën edhe drejt ndarjes të Plavës edhe në dy komuna të tjera: Murina e Brezovica. Pritet që komuna urbane e Tuzit të shpallet komunë më vete, me status të plotë komunar (Gjukanoviçi pritet ta publikoj “lajmin” këto ditë të paskthimit nga Amerika). Edhe komuna urbane e Zetës do të kthehet së shpejti në komunë të pavarur.
Kosova, vitet e fundit ka shtuar të paktën shtatë komuna të reja duke e çuar numrin e tyre në 37 komuna. Pritet shtimi me komuna të tjera të reja.
Shqipëria Londineze, sipas projektit të publikuar e të pa miratuar përfundimisht, e ka në plan të krijojnë 89 bashki në të gjithë territorin e saj. Pra, po ecën drejt uljes të numrit të tyre të derisotëm.
Shqipëria e ka relievin e saj gjeo-fizik ballkanik pothuaj të njëjtë me të dy shtetet fqinjë, Kosovën e Malin e Zi, ndërsa sipërfaqen territoriale mbi dy herë ma të madhe se këto dy shtete. Popullsia e Shqipërisë (sipas të dhanave të CIA-s, 2014) është mbi 1.1 milionë banorë më shumë se Kosova (1.9 milionë) dhe mbi 2.3 milionë banorë ma shumë se Mali i Zi (650 mijë).
Pra, këta tregues kërkojnë që Shqipëria në Reformën Adminitrative Territoriale të mos ketë terr’, Përkundrazi: të ecet me tepër kujdes, me konsensus politik, me mendim popull, me maturi demokratike e etno-historike, etj.
3.
Në krahasim me shtetin tjetër fqinjë, Maqedoninë me 25.713 km2 e 2.1 milionë banorë (sipas CIA-s, Libri i Fakteve, 2014) shihet se Shqipëria me 28.748 km2 e rreth 3.1 milionë banorë ka vetëm 18 komuna (bashki) ma shumë.
Në koft se përllogaritim disa tregues krahasimor si popullsia (Shqipëria po i jep randësi të tepërt këtij treguesi) etj., del se zvogëlimi i numrit të bashkive e komunave po kthehet qëllim në vetëvete nga mazhoranca qeverisëse. Aq ma keq, ma randë, i pafalshëm, pasi kjo është strategji politike elektorale, që nuk parasheh interesat e popullit po planifikon vota për zgjedhjet e pushtetit vendor të vitit 2015.

4.
Prapë rreth territ të Reformës Administrative Territoriale një tjetër krahasim i Shqipërisë më Malin e Zi fqinjë.
Në ndarjen e pritshme territoriale të Shqipërisë Londineze, sipas gjasave aktuale, nuk ka asnjë komunë të madhe si Nikshiqi malazez me 2.065 km2 dhe asnjë komunë të vogël si Tivati me 46 km2 .
Shqipëria e ligjëron se nuk do të ketë asnjë bashki me më pak se 10 mijë banorë, ndërsa Mali i Zi i ka disa të tilla, gati një e treta e komunave të këtij shteti të vogël ballkanik si komuna Savnik me mbi 2 mijë banorë, Pluzhime me mbi 3 mijë, Zhabljak me rreth 4 mijë, Andrijevica me mbi 5 mijë, Petnjica me rreth 6 mijë, Herceg Novi me mbi 8 mijë, Mojkovci me 9 mijë banorë.
Në Shqipëri, kësaj dukurie pa cen e cak, duket se i përnget historia e ndërtimit të hekurudhës Shën Petërsburg-Moskë sipas asaj historisë të “gishtit tregues të Carit”, pasi specialistë e zyrtarë e deri tek Komisioni Parlamentar (vetëm pozitar, gjysmak, hakrrimtar) po punojnë me hapa e harta sipas “menysë politike” të bashkëkryetarëve të mazhorancës, në dy kulme të pushtetit ekzekutiv e legjislativ.
Si përfundim duhet aksiomue se vërtetë mazhoranca ka sot 85 vota për të vendos si shumicë e cilësuar në Kuvendin e Shqipërisë, po i duhet kujtuar se nuk është as 11 prillin e as në 16 tetorin 1985, por në mijëvjeçarin e tretë, me dekadën e tretë të demokracisë postkomuniste, një vend antar i NATO-s e në udhën drejt Bashkimit Europian.
Kjo Reformë Administrative Territoriale e terrtë po kryhet me dy kushte të pashmangshme: Kushti i parë: të kryhet para zgjedhjeve elektorale për Pushtetin Vendor më 2015. Kushti i dytë: ndikon në marrjen apo dhanien e Statusit Kandidat për në BE në qershorin e sivjetëm kur të piqen qershitë apo, ndryshe: kur të piqet rrushi i fabules të dhelprës. Tashti po del në skenë edhe një kushtëzim kërcenues tjetër ndaj opozitës: Do ta bëjmë “Reformën” edhe pa Opozitën. Dhe kjo ka tri përgjigje: Protesta në sheshe e rrugët e Shqipërisë Londineze. E dyta: mos pjesmarrje e Opozitës në Zgjedhjet Vendore të vitit 2015. E pashmangshmërisht, e treta, (Vet)Rënia e Qeverisë, e ndoshta, pse jo: ecje drejt zgjedhjeve të parakohshme.

Filed Under: Opinion Tagged With: administrative, Ramiz Lushaj, Reforma territoriale

Hajdutët që vijnë dhe horrat që shkojnë

April 12, 2014 by dgreca

Nga Aurel Dasareti,USA*/
Privatizimi i pakontrolluar në trojet shqiptare, ka krijuar një oligarki dhe jo një demokraci, çoi në një shoqëri të karakterizuar nga korrupsioni dhe abuzim të pushtetit./
Heronjtë ose kriminelët? /
Është bërë vështirë për të dalluar të liqtë nga heronjtë në internet. Në filmat e vjetër kauboj ka qenë e lehtë për të parë se kush ishin njerëzit e mirë dhe cilët ishin të këqijtë. Ata me kapele të bardha ishin heronj, ata me të zezë ishin të liq. Por në internet të gjitha kapelat janë të përhimët. Sidomos të politikanëve. Njerëz të cilët me dekada e shohin veten mbi ligjin. Për shkak se ata e shihnin veten si të jashtëzakonshëm.
Partitë duheshe të jenë të shqetësuara për zbatimin e politikës, në vend se t`i denigrojnë kundërshtarët politikë. U mungon atdhedashuria, përgjegjësia dhe dija.
Pse votuesit i pranojnë udhëheqësit e këqij?
Ka politikanë të mirë dhe të këqij. Cila mund të jetë arsyeja që votuesit t`i pranojnë të këqijtë?
Hulumtimet tregojnë pse politikanët e këqij mbijetojnë. Ka politikanë të këqij, ata që nuk lexojnë dokumentet në mënyrë të kujdesshme, të cilët pozitën si i zgjedhur nga popullata e marrin me qetësi, jo me seriozitet, dhe të cilët, në qoftë se lind mundësia, marrin më shumë kompensim se sa lejojnë rregullat. Shumica prej tyre bëhen politikanë në radhë të parë për të pasuruar veten e tyre.
Ne e dimë se në disa vende politikanët kanë marrë (në mënyrë të paligjshme) turre me mallra të ngrira dhe rimbursime mbretërore të shpenzimeve. Udhëheqësit e zgjedhur (votuar), përmes grabitjes dinake të atdheut të tyre, kanë ndërtuar llogari të yndyrshme bankare në vende të ashtuquajtura “parajsat e taksave”. Njeriu nuk ka nevojë të shkojë në Afrikë për të gjetur shembuj. Historia shqiptare e këtyre 25 viteve “demokratike” mjafton.
Asnjë garanci kundër politikanëve të këqij
Për fat të keq demokracia nuk është një garanci se sundimtarët e këqij do të shqelmohen nga pushteti që posedojnë. Për votuesit është e vështirë të dinë nëse një kandidat i provuar është i “mirë” ose “i keq.” Sundimtarët aktual fshehin aktivitetet si hije, respektivisht si një hapësirë e errët a me fare pak dritë pas një trupi, i cili nuk lë të kalojnë nëpër të rrezet e diellit ose të një burimi.
Sistemi zgjedhor mund të bëjë të vështirë për të përjashtuar lehtë individ të politikës. Ne duheshe të shpresojmë që udhëheqja e partisë përkatëse mban rendin në radhët e veta, të zbulojnë dhe largojnë maskarenjtë, por problemi qëndron aty se veçanërisht ky lloj profesioni është stërmbushur me “Rrotë k…” dhe bash udhëheqësit partiak shqipfolës janë maskarenjtë më të mëdhenj.
Përgjegjësitë e paqarta janë gjithashtu një problem shumës serioz. Është e vështirë për të vënë përgjegjësinë në fajtorin kryesor për rezultatet e dobëta ose pisllëqet në një sistem ku – “të gjithë” kanë përgjegjësi. Në raste rezultatesh pozitive secili lavdëron veten, në raste negative secili fshihet pas secilit.
Kush janë me të vërtetë përgjegjës për sendet e këqija që ndodhin brenda dhe jashtë murit të arbrit? Shumë studime tregojnë se në raste të lehta votuesit falin shpejt kur përgjegjësia është e qartë, ose harrojnë shpejt. Gjashtë muaj pas zbulimeve, popullariteti arrin në nivele normale.
Votuesit e pavarur kanë më pak tolerancë për paaftësitë e politikanëve
Ne shohim se politikanët e korruptuar rizgjidhen edhe kur votuesit nuk kanë harruar dobësitë apo pisllëqet e tyre. Nëse zgjedhësit (votuesit) janë simpatizues fanatik të një partie ose politikani dhe nëse kontradiktat politike ndërmjet partive antikombëtare janë të forta, atëherë shumica e votuesve llogarisin se është në interesin e tyre (privat) për rizgjedhjen e sundimtarit të paaftë ose të korruptuar, sepse kjo e pengon “armikun” për të marrë pozitën.
Pushtet-mbajtësit janë më të pasigurt, kur kontradiktat janë të vogla. Kështu që, është një lajm i mirë kur te votuesit vërejmë dallime të reduktuara politike dhe më pak besnikëri partiake.
Zgjedhësit e rëndomtë (normal) kanë më pak tolerancë ndaj paaftësisë, përtacisë dhe korrupsionit në mesin e udhëheqësve të saj. Disa studime kanë treguar se demokracitë e fragmentuara etnikisht dhe nga pikëpamja gjuhësore kanë më shumë korrupsion politik, rritje më të ngadalshme ekonomike dhe jetëgjatësinë më të shkurtër të jetës.
Por politikanët e korruptuar rizgjidhen edhe në vendet me kontradikta të vogla. Italia, Greqia janë shembuj të mirë. Çka e shkakton këtë?
Një botë me politikanë të mirë dhe të këqij
Supozoni se ne jetojmë në një botë me politikanët e të dyja llojeve, të mirët dhe të këqijtë. Të këqijtë duan për të pasuruar veten e tyre – dhe ata janë të interesuar për rizgjedhje. Një pushtetar i keq ka mund të zgjedhë për të absorbuar sa më shumë pasuri joligjore gjatë periudhës aktuale, ose për të shtuar diçka me shpresën për tu rizgjedhur. Votuesit mund të tregojnë tolerancë zero ndaj korrupsionit – ose mund të jenë të kënaqur me hedhjen e atyre nga pushteti nëse korrupsioni bëhet shumë i madh.
Të shkarkohen politikanët e këqij
Shkarkimi nga posti i pushtetarëve të këqij në udhëkryqin e parë është një zgjedhje e përsosur. Mbajtja në pushtet e njerëzve të mbrapshtë që e ruajnë qetësinë në shpresën për të qenë i ri-zgjedhur, për votuesit do të thotë të përqendrohen në stimuj. Politikanët e këqij duhet të inkurajohen që të veprojnë në një mënyrë më pak të turpshme. Votuesit duhet tu japin prioritet stimujve dhe përzgjedhjeve. Zgjedhja e përkryer shkatërron motivet e politikanit të keq për të treguar ndonjë mirësjellje.
Në qoftë se votuesit i japin prioritet seleksionimit, atëherë toleranca e tyre ndaj sundimtarëve të këqij është zero. Kur votuesit janë të padurueshëm dhe klasa politike ka një përqindje të vogël politikanësh të këqij, votuesit dalin fitues nëse shkarkojnë nga detyra të korruptuarit – sa më shpejt pas zbulimit të tyre.
Nëse u jepet prioritet (përparësi) stimujve atëherë votuesit do të rivendosin krerët e këqij – me kusht se ata janë mesatarisht të korruptuar. Zgjidhen më të mirët prej më të këqijve pra. Kjo u jep votuesve më tepër mirëqenie në qoftë se ka një përqindje të lartë kandidatësh të korruptuar, dhe votuesit do të shohin rezultate të shpejta.
Ndodhën shpesh që votuesit zgjedhin (punësojnë) një politikan i cili është i korruptuar aq sa ai i mëparshmi, kjo sa për të shkarkuar pushtetarët aktual. Hajdutët vijnë – horrat shkojnë. Më i miri bëhet armiku i së mirës. Problemet mbeten, vetëm që njerëzit ndryshojnë.
Por, derisa ekzistojnë ëndrrat, ka shpresë, me kusht që të zgjohemi menjëherë. Pse të frikohemi nga karkalec, ne gjithsesi do të vdesim një ditë?! Fundi-fundit do të jenë tradhtarët-hajdutët që do të përjetojnë një rrahje, jo ne. Ne nuk duam të rrëmbejmë por edhe nuk lejojmë të na rrëmbejnë. Fati i një grupi njerëzish nuk mund të ndërtohet në tragjedinë e grupit tjetër.
Jeta ime ka qenë një ëndërr me shumë ngritje dhe disa ulje. Personalisht, unë nuk do të devijojë nga rruga për të sakrifikuar të mirët, ndërsa armiqtë e Shqipërisë natyrale dhe liderët e korruptuar në politikë, polici dhe ligjësi jetojnë më tej.
Buburrecat, që paguhen për të qeverisur shtetin dhe për të avancuar çështjen kombëtare në të gjitha aspektet, janë vetë shpërdorues të detyrës zyrtare; të zhytur në tradhti, korrupsion, pjesëmarrës në ndërmarrje të përbashkët kriminale. Dhe, çdo natë do të lutesha për shpirtin e tyre sikur ta dija se këta horra do të goditeshin nga një sulm në zemër (infarkt kardiak) ose diçka të ngjashme.
*Ekspert i shkencave ushtarake-psikologjike (dasaretiaurel@yahoo.com.au)

Filed Under: Opinion Tagged With: Aurel Dasareti, Hajdutet qe vijne, horrat qe shkojne

Ali Ahmeti dhe “Toka e Premtuar” e shqiptarëve në Maqedoni

April 12, 2014 by dgreca

Nga Dukagjin HATA/

Zhvillimet politike në Maqedoni, një ditë para zgjedhjeve presidenciale dhe pak kohë para atyre parlamentare, po nxjerrin gjithnjë e më në pah një ridemensionim të faktorit shqiptar, me anë të BDI-së dhe liderit të saj, zotit Ali Ahmeti.
Lëvizja e Ahmetit për legjitimimin e dy shumicave shtetformuese në Maqedoni, me anë të formulës së presidentit konsenual, është një ide e mirëfilltë politike, e bërë në kohën e duhur.
Pas shqiptimit të fortë të kësaj kërkese, lypsej që faktori politik dhe jo politik shqiptar të ishte në unison, çfarë do ta detyronte pjesën fanatike të Shkupit zyrtar të reagonte politikisht dhe jo me kryeneçësinë e tij të papërpëligjur. Por, për fat të keq, kjo nuk ka ndodhur.
Inercia e vjetër e mllefeve të vogla, hatërmbetjeve dhe etjes për karrige, janë shfaqur rishtas, duke bërë që faktori politik dhe jo politik shqiptar në Maqedoni të ndahet më dysh.
Megjithë këtë, tentativa serioze e BDI-së dhe liderit Ahmeti mbetet një ogur i mbarë për botën shqiptare në Maqedoni. Pas kësaj, në kandarin e të drejtës së një shteti të ngritur mbi artifice dhe konjuktura të rastit, shqiptarët s’mund të jenë më të humburit e përjetshëm.
Lëvizja politike e Ahmetit është një hap i ri në agjendën kombëtare të shqiptarëve, për t’u riformatuar e ridimensionuar si faktor kryesor shtetformues në Maqedoni.
Lideri i BDI-së z. Ahmeti ka argmentuar dhe lobuar politikisht me vendosmëri dhe pa u lëkundur për asnjë çast, se ideja që kreu i shtetit të zgjidhet nga vullneti i dalë nga dy shumica është ide fisnike, më se njerëzore, pasi dy shumica që kanë legjitimitet bëjnë zgjidhjen më të mirë, sepse ne të gjithë jemi dëshmitarë që për 20 vite me radhë është kontestuar gjithmonë për qëllime politike, për qëllime të paarsyeshme, dhe kjo duhet të merr fund. Ne bëjmë ofertë shumë të sinqertë, legale dhe përparimtare, të ulemi të bisedojmë, të diskutojmë, të gjejmë zgjidhje. Ne ua bëjmë me dije që të gjithëve, se do punojmë deri në realizimin e plotë të kësaj platforme që kemi vendosur për zgjidhje dhe nuk do bëjmë asnjë hap pas, sepse vlerësojmë dhe jemi të bindur që çdo zgjidhje konsensuale është zgjidhje përparimtare, shumë më demokratike, më me vlerë që afron dhe bashkon qytetarët.
Zoti Ali Ahmeti ka më se dy dekada që projekton ide dhe lëviz në mënyrë të matur, por me këmbëngulje dhe siguri për të ardhmen e shqiptarëve në Maqedoni, në një Maqedoni pa komplekse historike dhe paranoja, ku shqiptarët të kenë atë peshë dhe rol që iu takon, si pjesë kryesore shtetformuese. Ai është njeriu që ka staturën dhe dinjitetin e duhur, jo vetëm politik por dhe njerëzor, jo vetëm për shkak të kontributeve atdhetare por dhe sociale, për të mbajtur peshën e një aksioni të tillë kombëtar.
Vërtet shqiptarët në Maqedoni përballen me një problematikë të ngjeshur, që lidhet me gjuhën, shkollimin, një soj diskriminimi të shqiptarëve në shkolla e vendet e punës, dhunën ndaj të rinjve dhe grupeve të tjera shoqërore, kontrollin dhe shantazhimin policor të shqiptarëve vetëm për shkak të etnitetit etj. Por gjatë këtyre dy dekadave e sidomos këtë dekadën e fundit, pas inicimit të Marrëveshjes së Ohrit, është bërë shumë në përafrimin e standardeve integruese të shqiptarëve në Maqedoni, për kthimin e identitetit dhe simboleve kombëtare, e meritë kryesore për këtë kurs të pakthyeshëm ka sigurisht dhe lideri i BDI-së e njëri nga protagonistët më aktivë të çështjes shqiptare në Ballkan, zoti Ali Ahmeti.
Pasi ka fituar të gjitha betejat ushtarake, Ahmeti ka hyrë në politikë me ide të qarta dhe vizionare, ku misioni i pambaruar i çështjes kombëtare ka qenë dhe mbetet kryedeviza e tij.
Megjithëse Maqedonia e ka humbur me kohë argumentin e delirit historik dhe aktual, për shkak se, përveç të tjerave, siç parasheh ish kryeministri maqedonas Lubco Georgievski, pas 7-8 vitesh Maqedonia do të jetë shtet mysliman, kurse pas 15 vitesh shtet shqiptar, inercia e delirit vazhdon t’i krijojë konfuzion dhe kokëfortësi.
Por a nuk ka ardhur koha që më në fund shqiptarët të mund t’i kthjellojnë kokat e nxehta maqedonase?
Ali Ahmeti nuk është hera e parë që tenton drejt këtij “kthjellimi”, duke qenë njeriu i duhur, në kohën dhe vendin e duhur, për një mision të tillë.
Njeriu që çoi shtatoren e Skënderbeut dhe të Nënë Terezës në Shkup, që me përpjekje sizifiane ia doli më në fund të zyrtarizojë flamurin shqiptar dhe gjuhën shqipe nëpër institucione, Ali Ahmeti është ai që po luan fort në fushën e kundërshtarit, duke e detyruar Shkupin zyrtar të bëjë “autogol”. Në fund të fundit, lëvizja e BDI dhe e liderit të saj z. Ahmeti është lëvizja e duhur jo vetëm për të zyrtarizuar shqiptarizmin si element shtetformues në Maqedoni, por për të parandaluar dhe vetë shkërmoqjen e Maqedonisë.
Sot e gjithë ditën Maqedonia vazhdon të mbetet “Thembra e Akilit” të një Ballkani tjetër, pa komplekse dhe derivate të së shkuarës agresive; çuarja në vendin që i takon i faktorit shtetformues shqiptar, i jep Maqedonisë, të paktën për një farë kohe, argumentin e mbijetsesës. Edhe pse krijuar si shtet artificial në kohën e Jugosllavisë Federative dhe pa elementët thelbësorë për të qenë republikë e Federates Jugosllave e më vonë, pas viti ‘90 shtet i pavarur, ridimenisionimi i shqiptarëve si njëra nga dy shumicat etnike me të cilat është krijuar ky shtet i “arrnuar” keq, do ta ruante Maqedoninë për një farë kohe nga shpërbërja.
Por kjo sigurisht nuk është një problem i shqiptarëve. Problem i tyre imediat është të këmbëngulin fort, që tani kur janë pjekur kushtet politike, të jenë në një zë me Ali Ahmetin dhe BDi-në për t’i vnë Maqedonisë me mjete politike, krejtësisht legjitime, integruese dhe legale, “kufirin tek thana”.
BDI është shprehur në të gjitha rastet se Maqedonisë, si vend me demokraci në zhvillim, i lypset vendimmarrje me konsultime më të gjëra dhe gjithëpërfshirëse, dialog më thelbësor për temat me rëndësi të veçantë, por edhe konsensus politik dhe etnik.
Nëse këto detyrime, që kanë qenë dhe mbeten edhe pjesë e Marrëveshjes së Ohrit nuk janë përmbushur në shkallën e duhur, kjo nuk do të thotë se ky deformim mund të vazhdojë në përjetësi. Prandaj konsideroimi i zotit Ahmeti se mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme Parlamentare dhe një president konsensual do të krijonin hapësirë për marrëveshje të re për bashkëqeverisje në të cilën do të hapeshin tema në interes të qytetarëve dhe vendit, duhet të kthehej në një konsiderim mbarëshqiptar në Maqedoni e më gjërë.
Thirrja e BDI-a dhe z. Ahmeti ndaj shqiptarëve për një plebishit bojkotimi në Maqedoni, ishte një thirrje për të penguar triumfin pansllav në një republikë të keqarrnuar, ku pushteti personal dhe lobingjet janë ngritur mbi çdo kauzë, dinjitet e partneritet, ku faktorizimi i shqiptarëve ende është një realitet i minuar, që kompromentohet nga dhuna dhe përjashtimi institucional.
Pas kësaj, nuk ka kthim prapa dhe shqiptarët nuk mund t’ia nisin nga fillimi duke luajtur në një fushë të minuar, për hir të integrimit dhe kushtëzimeve të sipërfaqshme euroatlantike.
Pas kësaj lëvizja e të gjithë shqiptarëve në Maqedoni duhet e do të jetë një lëvizje që të mund të garantojë një parneritet të plotë politik në një shtet ku kosensusi i shumicave është e vetmja mënyrë që politika e bunkerizuar të dalë nga llogoret e e vetëizolimit dhe të dëshmojë se retorika intergruese e podiumeve të rastit nuk është një retorikë demagogjike, se sindromi pansllav është tejkaluar dhe se në këtë vis të Ballkanit po fryn një erë e re, ku shqiptarët kanë gjetur më në fund vetveten dhe “Tokën e Premtuar”…

Filed Under: Opinion Tagged With: Ali Ahmeti dhe “Toka e Premtuar” e shqiptarëve, ne Maqedoni

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 757
  • 758
  • 759
  • 760
  • 761
  • …
  • 865
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 115 vjet nga Kryengritja e Malësisë së Madhe dhe ngritja e flamurit në Deçiq
  • GEORGE POST WHEELER, AMBASADOR I SHBA-SË NË SHQIPËRI (1934) : “SHQIPËRIA DHE BURRAT E SHQIPONJËS…”
  • Përshtypje nga Bashkëbisedimi i AFC-së dhe Mjekëve Gastroenterologë AAGA
  • Një princeshë evropiane përballë traditës shqiptare
  • Arkeologët shqiptarë nën vlerësimin e studiuesit anglez Nicholas Geoffrey Lemprière Hammond
  • E drejta për përdorimin e gjuhës amtare në arsimin e lartë në Maqedoninë e Veriut
  • Calling all young dancers! Registration is in person on April 11. Looking forward to seeing you!
  • Ekspozita e ndaluar…
  • Themelimi i orkestrës së parë në Shqipëri
  • 2 PRILLI, 1991 NË SHKODËR – PLUMBAT QË VRANË SHPRESËN DHE DREJTËSIA QË ENDE HESHT!
  • VATRA URON BESIMTARËT KATOLIKË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Ndërroi jetë Agim Bardha, “Vatra” e “Dielli” ngushëllojnë familjen patriotike të Ekrem Bardhës për humbjen e vëllait
  • Dita Ndërkombëtare e Librit për Fëmijë – Magjia e Leximit
  • Shoqëria shqiptare ka nevojë të kujtojë dhe reflektojë…
  • Balshajt dhe Cërnojeviçët në territorin e Zetës së dikurshme…

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT