• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Muja ka “të drejtë”

March 15, 2014 by dgreca

Nga Gani Qarri/Nuk është traditë e njerëzve të këtij vendi kjo, askush nuk jep dorëheqje kaq lehtë në këtë shtet…edhe ata që mbajnë mbi supe nga disa dënime,nuk dorëzojnë pushtetin me të parën as vullnetarisht deri në vendimin përfundmitar dhe burgosje. Pse pra u dashka vetëm Ramadan Muja të jap dorëheqje, çfarë bëri ai më tepër se të tjerët që ta dorëzoj qysh në goditjen e parë,postin e fituar me votën e lirë të qytetarëve. Cili funksionar shtetëror apo komunal, veproj deri më tani në këtë mënyrë. Se mos dha dorëheqje Bujar Bukoshi nga pozitat e tij ministrore… Edhe Muja i bjeshkëve tona, si shumë të fuqishëm të tjerë deri më tani, ndoshta edhe për shumë kohë mbetet vetëm i dyshuar, pas parashtrimit të ankesës që planifikon mbrojtja e tij….Kjo tanimë është bërë traditë gjyqësore për shumë raste në Kosovë…

Madje, si ka mundësi që të gjithë bashkëpartiakët e Mujës të ngarkuar me nga dy e tri vepra penale, të dënohen poashtu me vetëm nga dy-tre vjet burgim, apo kohëzgjatje pothuajse të njëjtë sa edhe ajo e Ramadan Mujës me vetëm një precedencë të supozuar. Sikur nuk e di njerëzimi se homologët e tij, bënë vepra shumë më të rënda. Bajrush Xhemajli me kolegët e dehur i mori jetën në lulen e rinisë një djalosh 19 vjeçar, dhe me gjithë dënimin tragji-komik, prej vetëm dy vjet e gjysmë,ai për më tepër se dy vjet pas vendimit të parë, jo vetëm që nuk shkoi asnjëherë në burg por tanimë i erdhi edhe “bakshishi” i radhës nga gjykata, duke zbritur dënimin “kapital” nga 2 vjet e gjysmë në vetëm dy vjet.Kjo është forca ,ky është pushteti,ndaj me sa mend në kokë duhet të jenë ata “misionar” të vetmuar që mund të dorëzojnë aq lehtë pozitën dhe funksionin me të cilin shalojnë ligjin e pjerrin edhe mbi shtetin duke shpëtuar veten nga gjithçka…

Njerëzit pyesin me habi,çfarë nënkupton vendimi i fundit. Asgjë, apo ndoshta edhe një udhëtim më tepër jashtë, i njëjtë me atë të homologut Zharku.
Edhe Bajrushit tashmë mund ti jetë prerë bileta dhe përgatitur valixhet për ikje nga vendi, në mënyrë që të mos e vuaj as dënimin e zbritur.
Xhabir Zharku, tash e sa kohë,kalon vitet i lirë dhe i pa cenuar në Suedi?!
Madje ai, jo për një, por për disa vepra penale ishte dënuar me vetëm dy-tre vjet burgim, të cilat as ato nuk i mbajti kurrë. Përkundrazi, i veshur me kostum të shtrenjtë dhe kravatë të zgjedhur si njeriu “më i pafaj” i pikur nga qielli i paqësor në tokën tonë të varfër, kaloi i lirë përmes dyerve të hapura të Aeroportit “turko-kosovar” me lejen e Hashimit dhe bekimin e Erdoganit, pa therrë në këmbë për në Suedi ku sot bën kokrrën e sefasë.

Ndoshta edhe nga atje ai tani ndjen sesi vendlindjen e thërret që të vij e ta vuaj dënimin,  ndaj edhe heq mërzitë restoranteve të huaja,për lehtësimin e dhembjeve të atdheut me “serenata” patriotike mbrëmjeve të veçanta muzikore,organizuar enkas për te dhe sponsorizuar nga buxheti i Kosovës,me pagën që sigurisht ende merr, njëjtë si ish ambasadori ynë në Shqipëri.

“Mirë” të gjithë, po Sylejman Selimit, ç`ju desh të vinte në Kosovë, apo nuk e dinte ai se çfarë e priste këtu?!
Të paktën,luftëtari i orëve të para, duhej të mësonte nga veprimet e varësit të tij, Xhabirit i cili edhe me grada ishte më i vogël se Komandanti, apo ndoshta Gjeneralin e “lidhën” shokët me tradhti.

Sidoqoftë, para se të vazhdojmë me “arsyetimin” e Ramadan Mujës,kujtojmë se edhe për Sami Lushtakun sikur është kërkuar ndalimi i ushtrimit të “funksionit”.

Megjithatë, sipas shtypit vendor, ai jo vetëm se nuk e la pozitën e “fituar” me ” aq djers e mund” dhe 96 % të votave të “merituara”, por së pari atij i`u mundësua që edhe nga “azili” ku ishte dërguar për precedencë penale të kthehej për pak kohë në objektet e komunës dhe “betohej me tërë qenien, për korrektësi para ligjit”, mënyrë  e “drejtë” kjo të cilën më vonë kërkoi ta shfrytëzonte edhe Oliver Ivanoviqi të cilin tanimë EULEX-i, e ktheu në Mitrovicë ti vazhdoj atje pushimet me flladitje kondicionale nëse nuk është liruar krejt.

 

Sidoqoftë,ajo që është më kryesore, “heroi i popullit” vazhdoi të mbetet kryetar i “nderuar” komune- në Skënderaj, lartmadhëria e të cilit përveç benificioneve tjera, sa herë i ng…. ups nevojitet atij, shfrytëzon edhe “dramafilin” e kryetarit, për të shkuar “urgjent” në Spital.
E po pse u dashka tani të jap dorëheqje vetëm Ramadan Muja pra, i cili për krahasim me të tjerët u dënua vetëm me kusht, padrejtësisht dhe për asgjë, madje po aq “rëndë” sa edhe homologët nga partia, me shumë precedenca penale.

Për aq më keq,kryetari i Prizrenit, gati se u dënua kot dhe siç thotë populli vetëm për një “kerr kashtë” të cilën siç dëshmohet edhe nga gjykimi, nuk e hëngri të gjithën vet, por më tepër i`a hëngrën shokët e këqij e të pa hajr, ata që e morën në qafë edhe Mujën plak.

Dorën në Zemër, ai si kryetar i Prizrenit mjaft ka punuar, bile më tepër se shumë udhëheqës tjerë komunal anë e mbanë Kosovës. Me këto që po them mund të bindet secili, sidomos banorët e trevës sonë, për çka do të bëjë vetëm një krahasim të thjeshtë.

Për shembull, jo vetëm vendlindja ime Demjani që kufizohet me fshatrat e komunës së Prizrenit, por edhe në të gjitha fshatrat hasjane që shtrihen në hartën komunale të Gjakovës, prapambetja në infrastrukturë vërehet kudo, bile që nga paslufta, përveç asfaltimi të rrugës kryesore, pothuajse nuk ka ndryshuar asgjë.

Për dallim nga fshati parë fqinj (pjesë e komunës së Prizrenit) Kushnini, i cili njëjtë si të gjitha fshatrat tjera të kësaj komune, vetëm gjatë udhëheqjes së Ramadan Mujës, ka të rregulluar të gjithë infrastrukturën rrugore, kanalizimet përfshi edhe shtrimin e rrugicave me pllaka deri para dyerve të çdo institucioni dhe shtëpie banimi.

Pra, edhe nëse kryetari  i dënuar detyrohet në këtë hap të vështirë dhe mëse të padëshiruar për te, ai para se të jap dorëheqje duhet që së pari të kërkoj me këmbëngulje shkarkimin e plotë ose të paktën ndalim kandidimin e batakgjiut Eqrem Kryeziu nga LDK, për postin e kryetarit,i cili poashtu pritet të dal para gjyqit për keqpërdorime.

 

Muja këtë duhet ta vej si kushtin kryesor për dorëheqje, ngase po ndodhi rastësisht,që mu meselexhiu Eqrem të vij si kryetar, mund ta degradoj gjithë punën dhe arritjet e deritashme në komunën e Prizrenit.

Pa u zgjatur shumë në fjalë, duhet theksuar fort dhe me zë, se shumica e fshatrave hasjane nën administrimin komunal të Gjakovës, përveç ekonomive private, kanë ngelur si mos më keq, derisa në pjesën e administruar nga Komuna fqinje e Prizrenit që nga fshati Gjonaj, Zymi, Krajku, Romaja, Lugishtë e Hasit, Kushnin e deri në pjesët më të thella malore mbi Pashtrik si Mazrekë e Planejë, e tërë infrastruktura rrugore, ujërat e zeza, përrenj e kanalizime, janë rregulluar që të gjitha në mënyrën më bashkëkohore të mundshme për kushtet tona.

Duke u nisur nga këto sa u thanë më lartë, në Kosovë puna me kryetar e funksionar të dënuar tanimë është bërë modë, ai nuk është i vetëm,ka shumë të tillë këtu, njerëzit sikur i kërkojnë vet ata,  bile ekziston rreziku që me kohë të infektohen edhe komunat tjera të cilat deri më tani nuk patën fatin ti kenë kryetarët e dënuar, dhe tash e tutje të rebelohen edhe ato dhe vejnë si kusht të parë, vendosjen e kryetarëve me vendime dënimi nga njëra prej gjykatave të vendit, kurse  gjithë kandidatët pa precedencë ligjore, të shpallen të padëshirueshëm për poste udhëheqëse dhe funksione komunale apo shtetërore.

Kjo është moda më e re,këto janë prodhimet vendore me të cilat ne duhet të “krenohemi”,ndaj hiq animet partiake,me vet faktin se pozita as opozita, nuk kanë ndonjë kandidat serioz dhe më premtues për mbarëvajtjen e komunës me rrethinë,nuk do të preferoja që Ramadan Muja të dorëhiqej as shkarkohej nga posti i udhëheqësit të cilin,shikuar nga perspektiva momentale dhe rezervat e përgjithshme fraxhile të kuadrove partiake, me gjithë fajësinë e “dëshmuar”,tani për tani edhe nga kandidatët sot për sot-të padënuar,në Prizren ende nuk ka kush ta bëjë si duhet, punën e të parit të komunës….

Cyrih, 15 Mars 2014

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Gani Qarri, Muja ka te drejte

KOMUNITETI ÇAM NUK KERKON NDRYSHIM KUFINJESH, POR VETEM TE DREJTAT E MOHUARA

March 14, 2014 by dgreca

DERI KUR DO PRESIM?!/

NGA SALI BOLLATI/

Më 27 Qershor, mbushen 70 vjetë që nga fillimi I masakrave dhe vrasjeve terroriste të mbi 5000 njerësve, kryesisht pleq e fëmijë të pafajshëm dhe dëbimit të më se 30.000 Shqiptarëve të Çamërisë nga trojet tona etnike, me te vetmin “faj” se kishim lindur Shqiptarë?!

(Në ato kohë vazhdonte ende Lufta e II-të Botërore)

Por sot, ndërsa jemi duke pritur ti bashkangjitemi Bashkimit Europian, ne të përjetuarit e pakët të atij Genocidi të tmershëm, për “fajin tonë” se jemi Shqiptarë të lindur në Çamërinë Shqiptare, nuk na lejohet hyrja atje?!Ishim fëmijë, tashti jemi pleq, nuk kemi pasur mundësi të bënim as që mendojmë të kryejmë sot, ndonjë akt terrorizmi, I kujtojmë me lotë në sy e me dhimbje të madhe në zemër ato kohëra shumë të llahtarshme, me brengë e mall për prindërit shumë të dashur që u masakruan dhe mbeten pa varrosur. Dhe sot, ende gjallë, na ndalohet nga “shteti demokratik grek” tu afrohemi atyre pragjeve të shtëpive të rrënuar ku kemi lindur dhe me një tufë me lule të përulemi mbi ato vende ku na janë vrarë prindërit e pa varrosur por të paharruar.

Duke lexuar librin e historianit të nderuar z. Beqir Meta “Tensioni Greko Shqiptar“, njihesh( se në vitin 1972, Ambasadori I Shqipërisë në Athinë, shkon e kuvendon Shqip me kryetarin e Bashkisë së Gumenicës, dhe ky I fundit I tregon se në mbi 40 fshatra të Çamërisë , flitet vetëm Shqip, bile shumë njerës të moshuar nuk dijnë asnjë fjalë greqisht. Dhe jo për çudi, sot, kur kemi edhe Konsullatë në Janinë, asnjëherë, asnjëherë, nuk kam lexuar se dikush nga ajo konsullatë “shqiptare” ka vajtur për të takuar vëllezrit tanë Shqiparët Çamë të krishterë që vazhdojnë të jetojnë( pa të drejta njerëzore), në trojet Shqiptare Çame. Çudia vazhdon e pa spjegueshme. Si paska qenë e mundëshme që në ato kohëra si në Greqi ashtu edhe në Shqipëri sundonin diktaturat, njera fashiste dhe tjetra komuniste dhe nuk pengohej as gjuha e aqë më pak vizitat në trojet Shqiptare të Çamërisë??!

Ndërsa sot, paskemi nënshkruar një pakt miqësie, jemi antarë të NATO krenohemi se jemi miq strategjikë( megjithëse ligjërisht jemi në gjendje lufte), dhe qytetarëve Shqiptarë ju ndalohet hyrja në Greqi??!

Dhe “arësyeja” sepse kanë lindur në Çamëri. Pra u vramë dhe u dëbuam me dhunë se ishim Shqiptarë të lindur atje, me shtetësi greke dhe sot nuk lejohemi te hyjmë atje ku kemi lindur se jemi Shtetas Shqiptar! A ka absurditet më të madh se ky??! Ti thërasim “miq strategjikë” dhe të mos na lejojnë të hyjmë atje ku kemi lindur?!

Po mirë se grekët njihen historikisht si të pabesë, po neve me qeveri demokratike, me zakonin e “Besës” që krenohemi se I kemi ndihmuar Hebrenjte gjatë luftës, dhe mirë kemi bërë, si nuk tregohemi tamam Shqiptarë të Besës dhe krenarë për ti treguar grekut se ku e ke vendin e merituar?

Greku, në kundërshtim me mbrojtjen Shqiptare, ja dorëzoi gjermanit Çifutët për ti çfarosur; por para dy vjetësh u njohi atyre shtetësinë greke (edhe pse nuk ishin etnikë atje);

Dje në Korçën Atdhetare të Petro N.Luarasit, e të Mihal Gramenos, konsulli grek deklaron :“Korça është Greqi”; Sot në Këlcyrën Shqiptare, Ministri grek Avramopulos deklaron se varrezat për nder të ushtarëve grekë të rënë në luftë janë “prioriteti ynë më i lartë”?! Dhe flasin botërisht se ata jo vetëm luftan kundër fashistave Italianë, por “çliruan” edhe ata argatë grekë të punësuar në tokat e Shqiptarëve.

E për të vazhduar edhe më tutje të ashtuquajturën “megalide”-ekspansionin grek, mbi pjesën tjetër të Shqipërisë Jugore, krahas varezave, kishave dhe shkollave , si edhe me deklaratat e reme të eurodeputetëve grekë në Parlamentin Europian për “shkeljen e të drejtave të minoritetit etnik grek”; atyre duhet tu njihet e drejta për “autonomi” sepse “jetojnë në tokat e tyre”, të dhuruara me ligjin e famshëm Nr.7501, ligj për të cilin kohët e fundit Berisha për ironi, jo për atdhetarizëm, pranoi se e kishte miratuar gabim.

Kështu plani strategjik që prej 23 vjetësh I hartuar nga Micotaqi dhe zbatuar prej Janullatosit për greqëzimin e Shqipërisë bëhet realitet.

Politikanë e qeveritarë të Tiranës edhe sa duhet të presim për të njohur dhe gëzuar të drejtat tona të firmosura si nga qeveria Shqiptare dhe ajo greke? Po ju deputetë të PDIU, si pranoni te gënjeheni me të ashtuquajtura rezoluta të (mos)pranuara??!

Ne Çamët nuk kemi kërkuar ndryshim kufijsh, por kërkojmë:

1.Njohjen e Dënimin nga qeveria greke të Genocidit të viteve 1944-45

2.Kthimin dhe gëzimin e te drejtave ligjore të pronave tona shekullore

3.Rinjohjen e Minoritetit Shqiptar atje, me te gjitha të drejtat arësimore në gjuhen Shqipe pjesemarje ligjore në administratën publike.

Vetëm kështu do bëhemi ura miqësie e bashkëpunimi midis dy shteteve

Duke vënë në jetë amanetin e të ndjerit Fadil Zeqirit:

PA LIRINE ÇAME, S’ KA QETESI BALLKANI!!

Sali Bollati New York, mars 2014

 

Filed Under: Opinion Tagged With: deri kur do te presi, komuniteti cam, Sali bollati

SHOQËRIA NË KRIZË VRET – NËNAT NUK VRASIN!

March 13, 2014 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/

Opinioni shqiptar dhe ai italian vazhdon të jetë i shokuar nga tragjedia e ndodhur në Lecco, ku një nënë shqiptare në një krizë të thellë dëshpërimi i jep fund jetës të tri vajzave të saj.
Lajmi u përhap në mëngjesin e së hënës përmes një deklarate të papërgjegjëshme të Ministrit të Brëndshëm të Italisë Angelino Alfano, i cili betohej se vrasësi i vajzave do të dënohej me burgim të përjetshëm nga drejtësia italiane. Pastaj Alfano bëri korigjimet e duhura, por deklarimi i tij kishte mjaftuar që ksenofilizmi shqiptar të prodhonte steriotipin e tij klishe në formën e gjyqësi të vërtetë për gruan e shkretë.
Kush e viziton faqen e Facebook-ut të Edlira Dobrushit, thjeshtë Edës, e cila në rrjetin social identifikohej nën emrin Eda Copa, do të kuptojë se gjithë bota e saj prej nëne dhe gruaje përbëhej prej atyre tri vajzave, prej Simonës, Kejsit dhe Sindit. Ato ishin arsyeja e saj për të jetuar dhe duket antiarsyeja për t’i dhënë fund në mënyrën më të tmerrëshme të mundëshme. E tillë ka qenë në atë çast gjendja e saj shpirtërore dhe mendore. Tragjedi të tilla kanë ndodhur por është akti më i papranueshëm nga psika njerëzore, sepse nëna vetëm jepë jetë.
Justicionalistët e Shqipërisë, të njërit prej vendeve me drejtësinë më të korruptuar të planetit, filluan menjëherë ta anatemojnë të mjerën nënë, si një kriminele që u hakmorr ndaj bashkëshortit 45 vjeçar që e braktisi atë bashkë me tri vajzat dhe shkoi pas një 25 vjeçareje!
Justicionalistët e Shqipërisë, kur deshën të ishin modernë, por gjithnjë të pacipë, e akuzuan gruan e mjerë si një Medea të kohëve tona. Meqë Jasoni shkoi me një grua tjetër dhe e tradhtoi, Medea, bashkëshortja e tradhëtuar, për t’u hakmarrë, i vret të dy bijtë. Me këtë logjikë, sipas justicionalistëve, veproi edhe Eda, e cila momentalisht ndodhet në një gjendje kritike për jetën e shtruar në spitalin e Lecco-s, e operuar me plagë të rënda në bark dhe duar.
Në vend të refleksionit, për të zbuluar shkaqet që e bënë këtë nënë të ndërmerrte aktin më të paimagjinushëm për mëmësinë, po vazhdon rutina për t’iu ikur analizave.
Kjo tragjedi ka si shkak nismëtar shkatërrimin e familjes. Familja, bërthama fondamentale,si forma më e lartë e organizimit të shoqërisë njerëzore, që e ka shpëtuar njerëzimin nga periudhat parake të promiskuitetit dhe barbarisë, po përjeton krizën më të thellë, e cila prodhon drama dhe tragjedi njerëzore. Por peshku duket se është qelbur nga koka. Burrat kërkojnë të imitojnë tipin e ish-kryeministrit të Italisë Silvio Berlusconi dhe, nëse nuk ia arrijnë dot, të paktën atë të François Hollande, Presidentit aktual të Francës, i cili, me pamje të maskuar me kaskë motori, e lë një mantenutë në Elysée dhe rend pas një mantenute tjetër nëpër Paris.
Edhe femra në vend që të ketë modelin për të imituar, duhet të jetë ose miss, modele, në mos dashnore apo eskorte biznesmenësh apo politikanësh!
Një hybrid të këtij modeli zgjodhi edhe ish-bashkëshorti i Edës. Ai fejohet me një femër 20 vjeç më të re, duke lënë në mes të katër rrugëve katër femra të familjes së tij, gruan dhe tri vajzat.
Në këtë situatë, Eda, edhe kjo një grua e re 37 vjeçare, e humb fillin dhe lebetitet,e vetme,me një shoqëri rreth saj, antihumane, e gatëshme për ta masakruar, me të njëjtën mënyrë si ajo kur në gjendje ankthi ekstrem ndërmerori aktin makabër.
Ajo kishte ëndërruar që bashkëshorti i saj të ishte një baba fantastik si Will Smith tek filmi i Gabriele Mucciono- s the The Pursuit of Happyness, por ai doli një sharllatan si shumë të tjerë, nga ata, por edhe ato që e çojnë familjen drejt e në divorc, statistikat e të cilave në Shqipëri kanë arritur shifra të frikëshme.
Në fakt, Eda Dobrushi alias Eda Copa nuk ishte as Medea dhe as një nga ato femrat e sotme që ofron formati shqiptar i Big Brother, ku prostitucioni paraqitet si modernitet. Eda Dobrushi ishte një nënë si gati të gjitha nënat dhe një grua si gati të gjitha gratë, të cilat iu thurin hymn dhe i dedikojnë jetën bashkëshortit,fëmijëve dhe familjes. Pra Eda Copa nuk ishte një femër sipas modelit që kërkon sot shoqëria e sëmurë shqiptare,e cila e masakroi të gjorën nënë me cinizimin brutto, sikur të mos ketë mjaftuar gjëma që e ka gjetur.
Gazetarët në Itali kanë filluar e të gërmojnë arsyet, shkaqet që e çuan gruan e mjerë në këtë raptus të frikshëm. Eda Copa posa kishte humbur një fëmijë, gjatë një shtatzanie të ndërprerë pa dashjen e saj. Dhe zakonisht dihet se si është gjendja e gruas pas kësaj. Por në vend që të kishte pranë të shoqin,ai e braktis,ndërsa Eda mbetet e vetme me tre vajzat me një gjendje ekonomike të vështirë,ku ajo tani ka frikë nëse do të jetë në gjendje që t’u sigurojë vajzave të saj një jetë me dinjitet apo ato nuk do të kenë të ardhme tjetër veç prostituimit.
Ndofta gabohej gruaja e mjerë, por lodhja, drama familjare dhe kriza ekonomike kishte bërë që ajo të humbiste ekuilibrin. Për Eda Copa-n edhe shpresa që vdes e fundit kishte vdekur. Dhe ajo e mbetur në mëshirën e askujt, i dha fund jetës së tri vajzave të saj dhe njëkohësisht edhe jetës së saj. Sepse Nëna është Zoti i zbritur në tokë, është fuqia e plotfuqishme e Tokës që e bën jetën të vazhdojë. Dhe kur një Nënë vret jetën, mos e gjykoni atë të zezë, por merreni këtë gjëmë si një Kambanë Alarmi të Qiellit! Ndryshoni shoqërinë, ktheheni në shinat e vlerave dhe moralit, sepse antimorali do të kthehet si një Vezuv jo vetëm për Neronët për të gjithë ne që bëjmë sikur nuk i vemë re plagët e shoqërisë, të cilat këlthasin si britmat e atyre tre vogëlusheve jetëfikura nga ajo që i deshi sublimisht.

Filed Under: Opinion Tagged With: Elida Buçpapaj, nenat nuk mund te vrasin, Shoqeria ne krize

Letër informative kryeministrit Hashim Thaçi:Zyrtarët tuaj po shpifin akuza të ndyta

March 11, 2014 by dgreca

Katër orë me mbajtën policët tuaj hetues në bisedë informative, “nën dyshimin e hajdutit ordinerë për krime të rënda!” Keni dëgjuar ju t’i kurdisin shkrimtarit të 12 veprave të botuara, e drejtorit të institucionit prestigjioz të kulturës akuza për vjedhje kamere?!!/

Shkruan: Gani MEHMETAJ/

Kohë më parë u shkrova me shpresën se do të merreshit seriozisht me Kosovafilmin për ta penguar shuarjen e këtij institucioni. Por zyrtarët e Ministrisë së Kulturës si për inatin tuaj, nxorën një zëdhënëse të lodhur e të padijshme, e cili tha se Kosovafilmi nuk po shuhet, por po bëhet arkiv, sikur të thuhej kështjella nuk po rrënohet, por po bëhet kasolle!

Në letrën e kaluar po ashtu u bëra thirrje: mi ndalni zyrtarët e ndërsyer që po me turren pa ia nda. Nuk e di a s’ më morët vesh, apo zyrtarët u kanë dal dorësh e po ua pinë duhanin tinëz, por ata i kanë intensifikuar shpifjet. Në një “dosje” paçavure të dërguar në hetuesi, nuk kishin lënë gjë pa shpifur kundër drejtorit të Kosovafilmit. Në atë fashikull, që më dukej si letër e ndotur tualeti, të përpiluar nga auditori i brendshëm B. Gashi dhe i porositur nga sekretari primitiv e i paarsimuar V. Firzi, kishte një mal falsifikimesh e  shpifjesh që s’ta kap mendja, por edhe fshehje dokumentesh zyrtare, saqë hetuesia e prokuroria do të duhej t’i arrestonin, sikur të funksiononte shteti.

E dini cila ishte njëra ndër shpifjet? Me akuzojnë se e kam vjedhur kamerën e Kosovafilmit!!! Ka ndotësi më të madhe? U dukem hajdutë unë? Do ti toleroni edhe më këta shpifës të pafytyrë?

Sistemet totalitare i akuzonin kundërshtarët politik- intelektualët e shkrimtarët si armiq të partisë apo të socializmit, ndërsa zyrtarët tuaj po më akuzojnë për krime të rënda! Me zellin e tyre shpifës po ua kalojnë edhe shkive të Beogradit.

Pse i lejoni këta maskarenj të sillen kaq ulët ndaj meje? Gjithë kohën po thirrën në emrin tuaj. Ku e ka burimin urrejtja e tyre e sëmurë ndaj ekspertëve të kulturës? A do të guxonin të silleshin kaq poshtërsisht ndaj cilitdo ish komandanti të Muçivercës?

Denoncimi – paçavure pa asnjë fakt

Prej zyrtarëve të MKRS-së mund të pritën pisllëqe edhe më të mëdha. Ata janë të paskrupullt, si t’i kishin kryer shkollat e gënjeshtrave në Beograd. Në padinë që do ta bëjë në gjyq për këto falsifikime do të kërkojë të dënohen për falsifikime, fshehje e zhdukje të dokumenteve zyrtare.

Nuk me habisnin shpifjet, ata me kundërshtarë politik kështu i qerojnë hesapet, sa më bënte nervoz hetuesi, i cili ketë paçavure të ndotur ma nxirrte para fytyrës, duke me thënë ja keqpërdorimet. Nga katër orë pyetje-përgjigje, më shumë se një orë ai më tregonte çka është dashur të bëjë e çka jo, mua profesorit në fakultet, ndërsa ai nuk e di a ka arritur ende të shkallët e fakultetit. Ku e mori guximin të më mbante ligjërata hetuesi me revole në brez? Orën tjetër e humbëm në përpjekje t’i tregoj se nuk është puna e tij të me shes përralla (“ asni ministër s’koka i mirë për ty”, ma vinte si akuzë hetuesi mençurak, derisa përpiqesha t’ia tregoja gjenezën e konfliktit. Hetuesin e kam denoncuar dy javë më herët të Zyra Disiplinore e Prokurorisë së bashku me prokuroren M. Llugiqi për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe instrumentalizim nga instanca më të larta). Hetuesi jepte cilësime ofenduese për karakterin tim eksploziv me guximin e njeriut që e mbante revolen në brez.

Megjithatë përpiqesha ta mbaja gjakftohtësinë duke e dhunuar natyrën time. Doja të dilja sa më parë nga kjo hale. Prandaj i thash:  Pse nuk e pyet Auditorin e përgjithshëm, i cili çdo vjet e ka vlerësuar punën e Kosovafilmit. Hetuesi nuk i kishte konsultuar as zyrtarët e Shërbimit të Financave në MKRS-së, ndërsa ishin pesë zyrtarë-ekspertë te të cilët Kosovafilmi i kishte bërë raportimet financiare. Me ke paska biseduar pra? Me rojtarë objekti e pastruese?

Por do t’ua çjerr maskat e gënjeshtrave në gjyq.

Gjatë pyetje-përgjigjeve, hetuesit dhe kolegut të tij, u thash se po veproni si në regjimin e Stalinit: me akuzoni, ndërsa me thoni dëshmoje se nuk je fajtor. Në fund e nënshkrova çdo gjë që e kishte përpiluar hetuesi me leximin e vetëm dy pasuseve (kurrë nuk kam lexuar raport zyrtar më aq shumë dhunime të gjuhës shqipe nga një shqipfolës. Për tmerr!), sepse doja të dilja sa më parë nga ai vend që ma zinte frymën. Por po ashtu dola i sigurt se s’mund të më bëjnë asgjë, pos që po ma humbin kohën time të çmuar, sikurse duan të më fyejnë dhe po mi cingërisin nervat me terror psikologjik të tipit stalinist.

Ajo ndërtesë ku po jepja deklaratë katër orë, sikur të kisha bërë përbetim kundër shtetit, ma kujtonte vitin 1998, kur me pati ftuar në bisedë informative polici arrogant serb si të ishte vëllai i sekretarit Firzi. Polici i Serbisë më akuzonte për armë, polici i Kosovës me akuzonte për krime të rënda!!!

Mi shkyçni aparatet e përgjimit

Në Zyrën e KPMSHCK është dosja ku dëshmohet se hetuesi është i kurdisur kundër meje. (Disa ditë para se të më pezullonin nga puna, hetuesi B.A. nisi kinse ca hetime sa për t’u dhënë shkas të më pezullonin. Herën e dytë, shtatë muaj më vonë, përkatësisht dy ditë pasi Këshilli i Pavarur urdhëroi Ministrinë e Kulturës të më kthente në punë, prapë i njëjti hetues bëri ca hetime, për të pasur pretekst  MKR të shkruante se kundër meje po bëhen hetime).

Pas gjithë këtyre peripecive u thuaj zyrtarëve tuaj të mi shkyçin aparatet e përgjimit, sepse mund t’i padis për përgjim të paligjshëm në Prokurorinë e EULEX-it. Asnjë  përbetim nuk po e bëjë kundër shtetit, lë ta heqin nga praktika përgjimin e intelektualëve- kundërshtarë politik, lë të shkëputën më në fund nga reminishencat e Veshit të Madh.

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Gani mehmetaj, Kryeministrit Thaci, leter publike

PUTIN FRYNE MUSKUJT

March 11, 2014 by dgreca

Opinion nga Gjergj LACUKU/ Florida/
Ceshtja e Krimese duket si nje çeshtje e zgjidhur ne favor te Rusise.Brenda pak diteve Krimea do te mbaj nje referendum nese  do t’i bashkangjitet Rusise apo jo, dhe duke pase brenda saj nje popullsi ruse prej afro 60% te ben te besosh se planet e Rusise jane te mirekalkuluara.
Ajo çka e ban kete situate mjaft fasinante per analistet dhe sidomos studente e Marredhanjeve Nderkombtare është se kjo do jete hera e fundit qe Rusia do kerkoje te marre territore me anen e forces duke ringjallur per te fundit here reminishencen e Luftes se Ftohte.
Lind pyetja se cilat jane interesat e Rusise per marrjen e Krimese? .Nese dikush do te argumentonte ate si nji pike strategjike ne Detin e Zi , nuk mund te bindem plotesisht do te thoja une sepse Rusia ka tashme floten e saj dhe ka akses te plote ne ate rajon.
Me sa duket Putin po luan kartat e Rusise se vjeter duke u shfaq si nje Car i ri. Ai do te i tregoj te tjerve se un jam po aq i randeshishem sa vete Presidenti Amerikan. Nji ndermarrje e tille e Putinit  duket se ka te baje me nji kosto-benefit analize te mirefillte sepse marrja e Krimese do te jete me nje çmim shume te ulet. Pse them se do kete nje kosto te ulet? Rusia tashme dihet se ka ne dore per momentin ” çelesin” e gazit per Europen dhe liderat Europian perveçse denimit te aktit me fjale , e kane te veshtire qe te bejne ndonji gja konkrete me ane te sanksioneve. Po ashtu edhe SHBA nuk blen shume gaz nga Rusia , keshtu qe edhe sanksionet Amerikane nuk do i sjellin ndonji dam ekonomik. Nga an tjerer besoj se Ukraina nuk do te filloje lufte kunder Krimese nese kjo e fundit vendose te shkeputet.Ne planin politik, do ishte ma mire per Ukrainen lejimi i shkeputjes se  Krimese  pa lufte dhe shfrytezimi i ketij rasti qe ajo te largohet njihere e mire nga ndikim Rus dhe te bahet pjese e Bashkimit Europian dhe gjitheashtu anetare e NATO-s sepse keshtu ajo do te siguroje te ardhmen e vet territoriale ne baze te artikullit numer 5 pe NATO-s ku shpreh ne menyre te kjarte se ” Nji lufte kunder çdo shteti te NATO-s asht lufte kunder krej NATO-s. Duke ditur se NATO-ja zoteron mbi 70% te arsenalit ushtarak Botnor, do te ishte nji marrezi e shekullit nese Rusia do te nderhynte ne Ukraine apo ne cilindo vend te NATO-s.
Ne mbyllje te ketij opinioni, do thoja se Putin do te vetekenaqet me “fryrjen” e muskujve por  me humbjen e Krimese fitorja prap se prap i takon Ukraines nga ana politike pasi ndikimit Rus do te i vije fundi nji here e pergjithmone .

Filed Under: Opinion Tagged With: fryne muskujt, Gjergj Lacuku, Putin

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 759
  • 760
  • 761
  • 762
  • 763
  • …
  • 859
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS
  • Shkolla shqipe “Gjergj Fishta” – Long Island, New York festoi festat e fundvitit
  • Fotografia e Gjon Milit dhe CHARTRES CATHEDRAL -Një monument i entuziazmit Kristian
  • Lamtumirë legjenda jonë e mikrofonit në gazetarinë sportive Ismet Bellova!
  • Politika e mençur…
  • VEPËR NGA MË TË PASURAT E MË NJERËZORET NË MENDIMIN KRITIK
  • KOZMOPOLITIZËM
  • “Kur shpirti kthehet në gërmadhë lufte”
  • VATRA TELEGRAM URIMI AKADEMIKES JUSTINA SHIROKA PULA ME RASTIN E ZGJEDHJES KRYETARE E AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
  • Suzana Shkreli: “We can make history by electing Michigan’s first Albanian Secretary of State”
  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT