• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ZOT I MADH SHPËTOI SHQIPTARËT NGA VETVETJA! ALI AHMETI I BISHTNON PRESIDENTIT KONSENSUAL

February 28, 2014 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/

Dua të kthehem paksa prapa në kohë, kur në Maqedoni nuk kishte shpërthyer ende konflikti që do ta vinte në qendër të vemendjes Ali Ahmetin si hero dhe do të sillte për pasojë Marrëveshjen e Ohrit, e cila edhe sot e kësaj dite nuk është e implementuar.
Kur hymë në Maqedoni atë botë si gazetë, ishte viti 1999-2000, ne filluam të denonconim segregacionin sllavomaqedon kundër shqiptarëve, por nuk kaloi shumë dhe u shkua deri aty sa do të na akuzonin si shkaktarë që rrezikonim stabilitetin e Maqedonisë. Për të qeshur dhe qarë.
Nuk janë përralla, po realitet. Një realitet që ka ndodhur jo më larg se një dekadë e ca më parë. Mjerisht ata që i ngritën këto akuza kundër nesh duke i shtyrë militantët të pengonin shitjen e gazetës, e cila përpihej nga shqiptarët e Maqedonisë, ishin shqiptarë – atë kohë në pushtet. Si reaksion i këtyre akuzave monstruoze, gazeta Bota Sot digjej në Shkup e Tetovë dhe bëhej gjithçka që të pengohej shpërndarja deri sa iu ndalua botimi në Maqedoni.
Paralelisht në Zvicër u përcoll „akuza“ kundër gazetës dhe ne gazetarëve të saj për racizëm antisllav, e cila na solli andralla të tjera, por që në fund fitoi drejtësia dhe ne dolëm të pafajshëm, ndërkohë që ambasadori shqiptar i asaj kohe i Maqedonisë nuk do të vononte e do të shpallej non grata nga autoritetet zvicerane, sepse flitej se kishin kapur të ngiste makinën në gjendje të dehur!
Dolëm të pafajshëm, sepse drejtësia në Zvicër nuk është si në Ballkan! Dhe ne si gazetarë asnjëherë nuk përdorim gjuhën e urrejtjes dhe dasive, as kundër shqiptarëve dhe as kundër kombeve të tjera. Kështu, kush do t’i analizojë shkrimet tona me një lupë të madhe, nuk do të gjejë kurrë diçka që bie ndesh me principet demokratike, të cilat ne i kemi udhërrëfyese si profesionistë.
Ne kërkojmë që shqiptarët të jenë të barabartë mes të barabartëve, të jenë europianë midis europianëve. Dhe është shumë e lehtë të kërkosh të drejta nga këto pozita që i kërkojmë ne, sepse vizioni jonë është thellësisht Perëndimor, por problemi është kur përballemi me mendësinë arriviste dhe tribale të klasës politike shqiptare, e cila është kthyer në një hendikep të madh për integrimet e shqiptarëve në Europë.
Siç po flasin edhe lajmet e fundit që vijnë nga Maqedonia, ku Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), partia e Ali Ahmetit, heroit të luftës dhe antiheroit të paqes, që bashkëqeveris vendin që pas konfliktit të Maqedonisë bashkë me VMRO-DPMNE ka deklaruar se do t’i bojkotojë zgjedhjet presidenciale.
Ky prononcim nga BDI vjen si kundërthënie në kohën, kur Partia Demokratike Shqiptare e opozitës ka paraqitur si kandidat të saj për president Iljaz Halimin, zyrtar i lartë i kësaj partie dhe ish-nënkryetar i Kuvendit të Maqedonisë.
Pra prapë shqiptarët janë të ndarë e përçarë. Në vend të bashkimit të të gjithë faktorit politik shqiptar, Ali Ahmeti i bishtnon bashkërendimit dhe mbetet nën varësinë e VMRO-DPMNE.
Rreth një presidenti të përbashkët konsensual të faktorit politik shqiptar në Maqedoni është shprehur edhe Rufi Osmani, kryetari i partisë Rilindja Demokratike Kombëtare. Rufi Osmani iu bëri thirrje dy partive më të mëdha shqiptare, BDI dhe PDSH, që pavarësisht ndarjeve, për këtë çështje duhet të bëhen bashkë dhe të dalin me një emër të përbashkët. Këto thirrje kanë rënë në vesh të shurdhët.
Tani qëndrimet e dy partive kryesore i kemi të qarta, ashtu si edhe qëndrimin e Ali Ahmetit që i bojkoton zgjedhjet presidenciale.
Edhe një herë u shfaq në dritën e diellit qëndrimi destruktiv dhe obstruksionist i faktorit politik shqiptar, në këtë rast i Ali Ahmetit i cili bllokon rrjedhat normale që duhet të ketë faktori shqiptar në Maqedoni.
Zgjedhja e një emri të përbashkët, e një shqiptari me integritet që e meriton të jetë kandidati i përbashkët për president i faktorit shqiptar, mendoj se është gjëja më e mundshme, por faktori politik sheh vetëm intersin e vet dhe pak interesohet për të përmirësuar dhe faktorizuar komunitetin e shqiptarëve si palë shtetformuese e vendit.
Klasa politike shqiptare në përgjithësi është mjeshtre për ta bërë të mundshmen të pamundshme në dëm të integrimeve të natyrshme të shqiptarëve në një shoqëri demokratike me perspektivë integrimin europian.
Por nëse shqiptarët nuk integrohen dot me veten, nuk gjejnë dot gjuhë të përbashkët, paçka se flasin të gjithë shqip, atëherë mbetet t’i lutemi Zotit që t‘i pështojë shqiptarët nga vetvetja!

Filed Under: Opinion Tagged With: Elida Buçpapaj, Zot shpeto Shqiperine

A KA NDRYSHUAR SHOQËRIA JONË NË PËRCAKTIMIN E SHIJEVE DHE VLERAVE?

February 27, 2014 by dgreca

NGA HASAN KOSTRECI/

Në biseda të ndryshme shpesh herë dëgjojmë shprehjen, se ajo që është e bukur për ty, nuk është për mua, ose atë që ti quan të mirë, unë jo, por për ta konkretizuar këtë edhe më mirë , le të japim nja dy shëmbulla;Kur del zakonisht në qarkullim një libër i ri dhe nuk kemi për të informacion, përpara se ta blejmë e ta lexojmë, fillimisht shohim autorin se kush e ka shkruar dhe nëqoftëse prej tij kemi lexuar edhe libra të tjerë të cilat na kanë pëlqyer, është ky një orientim, që mund të merret në konsideratë, por nëqoftëse dikush do na thotë, se e kam lexuar dhe ishte i bukur, si do vepronim dhe kur do e merrnim parasysh rekomandimin e tij! Jemi përpara kinemasë dhe duam të shohim filmin që është afishuar dhe në atë moment nga dera dalin ata, që sapo e kanë parë, por a do bindeshim duke pyetur një person të pa njohur, në se ishte i mirë ai film apo jo? Pra,  shijet, vlera dhe e bukura, sigurisht që nuk mund të konceptohen njësoj, por përveç mentalitetit, kjo varet edhe nga kushtet, ambentit dhe shoqërisë ku secili jeton.

Dhe tani të flasim konkretisht për popullin shqiptar, shijet e tyre, si kanë ndryshuar ato në vite apo dekada dhe arësyen përse.Si komb në përgjithësi jemi me shije të mira dhe këtë e konstatojmë tek veshjet tona tradicionale si të burrave ashtu edhe të grave të punuara dhe qëndisur me aq kujdes dhe gusto; Tek vallet dhe këngët folklorike me lëvizje të hijshme dhe gjithë gjallëri, Tek dasmat me zakone fisnike e të tjera, por për situatat jo të favorshmme historike që herë pas here kemi patur, shpesh ato edhe janë deformuar apo zbehur, por nëqoftëse nuk janë zhdukur, kjo është falë patriotëve tanë, brënda apo jashtë atëdheut, të cilët jo vetëm i kanë ruajtur, por janë interesuar gjithashtu edhe për t’i përhapur. Kështu qysh herët kanë vepruar Arbëreshët e Italisë me De Radën, Gavrill Darën, Zef Seremben e të tjerë, me Rilindasit në shekujt e më  vonë, ashtu dhe mbas pavarësisë dhe sidomos gjatë periudhës së Mbrett Zog, ku zhvillim morën jo vetëm zakonet e ndryshme apo folklori popullor, por në Shqipëri filloi që të hyjë  gjithashtu edhe kultura moderne perëndimore, që ndikoi ndjeshëm në civilizimin dhe ngritjen e nivelit të shoqërisë, në rritjen e kërkesave të saj për një jetë më të mirë dhe cilësore, por rrjedhimisht edhe për një perceptim apo zgjedhje më të saktë dhe të kualifikuar për të bukurën, shijen dhe vlerat.

E kundërta ndodhi mbas ardhjes së komunizmit, ku modelet për ato që përmëndëm, nuk merreshin dhe kopjoheshin më nga intelektualët apo elita e kombit, por nga baza, aq sa edhe herojtë apo personazhet kryesorë të librave, të këngëve apo filmave që dilnin në qarkullim, o ishin kooperativistë të dalluar, o një traktorist që zgjohej që me natë, ose një ushtar vigjilent që ruante kufirin dhe kjo propogandë bëhej, sepse diktatura e ka urrentë atë shtresë, jo vetëm si kundërshtarë politikë, por edhe nga që ndjehesh ndaj tyre inferior si në arësim, kulturë  dhe aq më tepër në patriotizëm, tre komponentë këto që ajo ideollogji nuk i pranonte dhe mllëfin e grumbulluar për ta, e çfryu me atë barbarizëm shtazarak që edhe një pushtues i huaj nuk do bënte dhe për të zhdukur çdo vlerë apo kontribut të tyre, deformoi edhe historinë.

Le të kujtojmë përshëmbull rezistencën më shtatë Prill tridhjet e nëntë kundër pushtimit të Italisë Fashiste dhe Abaz Kupin që ishte organizatori, drejuesi dhe komandant i asaj lëvizje, regjimi asnjëherë nuk u përmëndi dhe vetëm ushtarit të thjeshtë, Mujo Ulqinakut, i bënë monument dhe e shpallën hero. Por edhe të tjera ngjarje si këto të ndodhura para vitit dyzet e katër, diktatura nuk kishte dëshirë që t’i kujtonte dhe duke mos u shkruar në asnjë libër apo tekst shkollor, ato mbetën në harresë, por jo vetëm herojtë, por dhe historia apo periudha të ndritura, që kishin lidhje me ta, të cilat çdo popull i kulturuar, i ruan me kujdes dhe i mban si thesar.

Duke u futur gjithashtu edhe në jetën intime apo private të secilit, komunizmi edhe perceptimin individual të vlerave, e quajti mentalitet borgjez dhe e bëri për të gjithë njësoj. Pra, u kolektivizuan shijet, perceptimet e të mirës, të bukurës, e mjaft ndjesive të tjera që ishin personale, por ky aksion shkaktoi një fenomen sa të dhimbshëm, aq edhe qesharak, sepse duke kopjuar nga njëri tjetri, filluam që edhe veprimet apo paraqitjen e jashtëme, ta bënim njësoj, Kështu visheshim njësoj, flisnim njësoj kryesisht për sportin, hanim, por dhe mendonim njësoj, por bashkë me to u unifikua gjithashtu edhe mënyra e të sjelljurit apo të komunikuarit, dukuri këto më shumë negative, që i hasje në të gjitha institucionet shtetërore, bile edhe tek një shitëse e thjeshtë zarzavatesh, që të shikonte shtrëmbër, sa futeshe në dyqan.

Por nëqoftëse për atë periudhë, këto edhe justifikohen, sepse donim apo s’donim, na a diktua dhe ishim të detyruruar t’i pranonim, sot mbas njëzet e tre vitesh demokraci, duhej që sadopak të ishim përmirësuar, por që realisht kjo gje ende s’po ndodh, tregon se rrënjët e atyre ndryshimeve, qënkan futur thellë në karakterin tonë dhe janë bërë pjesë e tij.

Por edhe një tjetër fenomen, që ndodhi mbas viteve nëntëdhjetë, nëntëdhjet e shtatë e më mbas, mendoj se influencoi po aq negativisht për situatën që aktualisht jemi. Me emigrimin masiv të atyre një milion e ca shqiptarëve, midis tyre pati edhe kontigjentë që shoqërisë shqiptare, demokracisë dhe vëndit në përgjithësi, do i duheshin; Shtresa e persekutuar përshëmbull, të cilës, siç thamë, regjimi komunist, u mundua t’ua shpërbënte dinjitetin dhe vlerat, në sytë e shoqërisë dhe në opinion, ata mbetën megjithatë simbol ndershmërije dhe i fisnikërisë. Pjesa tjetër ishin gjithashtu nga shtresa e artit apo kulturës, shkrimtarë, kineastë, gazetarë, instrumentistë e deri mësuesë e pedagogë, të cilët vërtet i shërbyen atij regjimi, disa, për fat të keq edhe dëmtuan, por duke qenë intektualë, në krahasim me shtresën fshatare, besoj se do e kishin më kollaj, të përshtateshin edhe me sistemin e ri që filloi të ndërtohej, por me ikjen e tyre, vakiumi si në qytetet kryesore dhe sidomos në Tiranë, u mbush pikërisht nga pjesa që përmëndëm, të cilët duke qënë edhe në numur i madh, zaptuan edhe mjaft institucione të rëndësishme, që kishin të bënin direkt me edukimin e brezit të ri dhe jo vetëm nëpër shkolla, por edhe në mjaft qëndra të ndryshme arti apo kulture, kanale televizioni, grupe teatrale, humoristike e të tjera, të cilat si private e të pavarura që u bënë,  rëndësi më shumë i vunë biznesit, por jo programeve pa cilësi dhe me nivel të dobët që transmetonin dhe në këtë rast dëmet që u shkaktuan gjeneratave të reja, ishin ndofta po aq, sa ç’bëri edhe komunizmi dhe fakti që sot ky kontigjent, sigurisht i rritur, nuk është në gjëndje të dallojë vlerat, të bukurën nga e shëmtuara apo të moralëshmen nga e pa moralëshmja, krijon probleme, që shpesh shoqërisë i kushton. Mjafton të përmëndim periudhat e zgjedhjeve, momente këto aq të rëndësishme në demokraci, kur si elektorat, jo vetëm që nuk e vlerësojnë, por dhe votën, simbolin e saj, e shesin apo e blejnë, sikur të qe ndonjë biletë kinemaje; Po ashtu edhe si publik, që nuk mungon çdo natë të mbushi sallat e çfaqjeve, por që duartroket nxehtësisht edhe për ndonjë përfomancë të dobët, apo kur fjalori që aty përdoret, le për të dëshiruar. Këto e të tjera të bëjnë shqetësohesh, që edhe bustin e diktatorit Enver Hoxha, që njëzet e tre vjet më parë populli shqiptar e rrëzoi, të ngrihet përsëri.

Tranzicion do të thotë që ta kapërxesh atë histori kriminale dhe të mbrapshtë që na la komunizmin, por, siç shihet, opinionet dhe vlerësimet, janë ende të pa sakta dhe këtë dyshim e ka gjithashtu edhe Europa, e cila, si duket, u lodh me neve dhe po e humbet durimin.

Filed Under: Opinion Tagged With: a ka ndryshuar Shoqeria, Hasan Kostreci, jone

Pjella e keqe : GoldAG

February 27, 2014 by dgreca

Shkruan: Fahri Xharra, Gjakovë/

“Druaj, vëlla, se sërish do të na bjerë mbi kokë fatkeqësia e kufirit të ndarjes së dy botërave… O zot, mos lejo që në kohë të sprovave të mëdha dhe të jashtëzakonshme ta humb durimin dhe guximin ,e mbi të gjitha mos lejo ta humb drejtpeshimin…” – i thoshte vetes At Gjon Nikollë Kazazi (1702-1752) i Gjakovës, ne shënimet e tij. “… por kjo ishte koha e murtajës  që “kastile  ishte sjellur nga dora e njeriut në këto anë”.Po edhe unë po kam dro se me të vërtetë jemi edhe sot në kohën e sprovave të mëdha ;po  me problemet që posaçërisht për ne po na i sjellin .Nuk është murtaja si sëmundje që valavitet në kohë të caktuar dhe në vend të caktuar sipas “strategut”; por janë sëmundje antikomb që pa dashtas nga ne po futen në mesin tonë.

«Atdhetaria është të pohosh historinë e kombit tënd me të gjitha majat dhe dështimet e tij, ta përqafosh kulturën, gjuhën, këngët, të duash rajonet dhe natyrën e vendit, të respektosh njerëzit sipas të arriturave të tyre (Angela Merkel , (Die Welt, 9.11.2004) dhe përveç kësaj të bësh gjithçka edhe për të tjerët në shoqëri me qëllim që Kosova e Shqipëria në sytë e botës të dalin si model i suksesshëm .” Kush po na e humbë këtë porosi ?

Të gjitha shënimet e shërbimeve të ndryshme të inteligjencës, të cilat kanë studjuar rritjen e lëvizjes vehabiste në Bosnje janë në një emërues të përbashkët: ndikimin e shërbimit të fshehtë serb në këtë proçes. Por, në Kosovë, rritja e lëvizjes vahabiste dhe ka një zanafillë që në ditët e para të pas luftës, përmes rekrutimeve të mëhershme. Shërbimi i fshehtë serb në Kosovë, përmes disa nga liderët e njohur, si Zdravko Tolimir, Dragan Stojmenoviç, Simon Tomanov, që ishte njëkohsisht edhe zevendësi i shefit të KOS-it, shërbimit të fshehtë ushtarak, Aleksandër Vasiljeviç, ndërtuan në Kosovë një rrjet bashkëpunëtorësh në mjedisin islam, shqiptar ose jo shqiptar, të cilët, të lidhur edhe me strukturat ushtarake të kohës, u bënë më pas edhe pjesë të politikës në Kosovë. Por edhe vendi ku, një pjesë e politikës së Kosovës, gjeti strehën e saj. ((Ramiz Lladeovci Një projekt serb për goditjen e tolerancës ndërfetare në Shqipëri e Kosovë?)

Në shtypin e Kosovës citohen  politikanët e ditës, deputetët e parlamentit të Kosovës si njerëzit e mediave pamore dhe të shkruara që janë të lidhur me këto qarqe të shërbimit të fshehtë serb në Kosovë;ata janë bartës i protestave, i vendosjes së shamisë, përçmimit të besimeve të tjera fetare dhe intolerancës. .Ata na dhunojnë

Gold Ag . Kush është kjo pjellë e infektuar ? Kush na e solli në mesin tonë ?

Është pjellë e teorive agresive të hapura që i janë bërë viteve të fundit identitetit shqiptar.Është pjellë e keqe e disa akademikëve tanë , e institucioneve universitare e politikës dhe e mediave tona. . Është pjellë e konspiracionit anti shqiptar e posaçërish atij antiKosovë , i atyre që ju kerkojne shqiptareve me ngulm te heqin dorë nga identiteti kombëtar, në kembim te një identiteti tjetër, te copëtuar e gjysmak.(N.U)

Ta dijmë mirë që Gold Ag është pjellë e ” ……Kurse ditën që ushtritë serbe do ta sulmonin Kosovën,(1913) Gjenerali famëkeq Jankoviq do të drejtonte një proklamatë shqiptarëve me titullin simbolik “T’on fiseve n’ Shqipni – or vllazni”, në të cilët thuhej se “Vijmë në emër të Allahut që t’i jepet fund zullumit të turkut që për 500 vjet bashkërisht ka rëndu dy popujt… për ta çliruar vendin tonë të përbashkët dhe se shqiptarët do të munden me e rujtë fenë dhe zakonet si i kanë pasun…”

Gold Ag është pjellë e :” “Deri në shekullin e 18, osmanët ishin fuqia me e përparuar, më humane dhe më demokratike e kohës… ishin osmanët që e bënë Shqipërinë të ishte një ndër vendet më të përparuara të Europës, ku kulmin e zhvillimit e ka pasur Kosova, të cilën mjerisht e shkatërruan luftërat e Austrisë, Serbisë dhe forcave shqiptare katolike të udhëhequra nga P.Bogdani kundër Perandorisë Osmane”.

Gold Ag është pjellë e:” që kërkojnë ndërtimin e shtetit fundamentalist islamik, siç qe shteti i talebanëve në Afganistan, ku femrat janë të mbuluara me ferexhe dhe ku burrat rrinë me mjekra dhe fustane, ku xhamia është vetë shteti dhe ku Ligji Kuranik, Sheriati është Kushtetutë, Kod Penal dhe Kod Civil dhe baza e krejt legjislacionit në përgjithësi.”

“Po doli në shesh historia e shqiptarëve, Perandorinë Osmane e mer lumi”thoshte  Hakkı Paşa, (Ambasador Otoman në Itali(1862–1918))  . E do të delë , deshtën apo s ´deshën hakipashat e sotëm të të gjitha anëvë dhe shërbëtorëve të tyre në tokat tona.!

P.S. ”Deputeti Amir Ahmeti, dikur deputet i Partisë së Drejtësisë, tash i pavarur, i ka daalë në mbrojtje rap-këngëtarit Gold AG.Ai madje, ftesën e Policisë për ta intervistuar nën dyshimin për nxitje të urrjetjës, e quan “gjueti shtrigash”.

“Antiteistet, islamofobet dhe shteti ateist ne aksion “ne gjuajtjen e shtrigave”, (ftesa e policise per Gold AG), turp!”, shkruan Ahmeti në facebook.(gazetaexpress27 Shkurt 2014 11:20)  .Kurse i gjithëdijshmi Mustafa Nano në gazeten Dita na shkruan se: ”Fajtorë për radikalizimin fetar të shoqërisë sonë nuk janë … serbët” Mirë e ke Z. Mustafa , fajtorë janë shërbëtorët e tyre.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Fahri Xharra, GoldAG, Pjella e keqe

A është gabim të duash vendin dhe kombin tënd?!

February 26, 2014 by dgreca

Opinion nga Aurel Dasareti, USA/

 Ekspert i shkencave psikologjike-ushtarake)/ dasaretiaurel@yahooo.com.au/

Ata që duan të heqin dorë nga liritë thelbësore për të blerë një siguri të vogël të përkohshme nuk e meritojnë as lirinë dhe as sigurinë.

Të dy kemi qenë pjesëmarrjes aktiv të betejave të tmerrshme (vitet 1994-1995), por në formacione luftarake kundërshtare. Jemi takuar një herë gjatë një armëpushimit  të përkohshëm(1995). Çuditej pse kam ardhur prej përtej oqeaneve deri aty ku nuk hanë pula gur, edhe atë për të luftuar për të huajt. I tregova se ushtrohem për betejat që do të zhvillohen më vonë në Kosovë…Para disa vitesh u takuam sërish në një kryeqytet evropian. Më sugjeroi të mos kontribuoj për çështjen shqiptare pasi unë as që jetoj në Evropë. I thash: “Ti shumë mirë e din se unë nuk kam më frikë prej asgjëje e askujt. Kur njeriu me mijëra herë ka qenë  aq afër vdekjes, frika zhduket. Dhe, mos e provo edhe njëherë të provokosh shqiptarët ta duan ose të mos e duan kombin dhe vendin e vet, përndryshe, nëse diçka ndodh me ty, unë do të buzëqeshi gjithë rrugës për në funeral.”

A është gabim të duash vendin dhe kombin tënd? A është më e drejtë të jesh neutral ose të urren vendin tënd? Çfarë do të zgjidhje dhe cilat janë mendimet tuaja për këtë?

Ky është një problem i madh social vetëm në Shqipëri dhe gjithë botën shqiptare, se nuk ka mjaft njerëz që e duan  vendin e tyre, as njerëzit e tyre.

Kur do të përpiqemi ne për të ndaluar shkatërrimin e vazhdueshëm të vendit tonë? Pasi të braktisim vendin, asimilohemi dhe tjetërsohemi tërësisht?! Le të shpresojmë se turpi dhe tradhtia jonë ndaj Vendit dhe Kombit përfundon një herë dhe përgjithmonë .

Unë mendoj se ne në përgjithësi jemi shumë krenarë dhe patriotikë kur vjen puna për të qenë shqiptarë. Nuk vërehet se shqiptarët mendojnë dy herë para se të dalin rrugëve dhe të valëvitin flamurin – por, at të Greqisë, Arabisë, Serbisë, Turqisë e jo aq shumë të vetin.

Në bazë të shkrimit tim, duket sikur ajo është një e dhënë, e natyrshme, që të gjithë ne duhet të jemi shumë krenar që jemi shqiptarë.

Kjo është çështje personale nëse dikush është krenar për vlerat që kemi. Dhe cilat vlera dhe sjellje ua tregojmë pjesës tjetër të botës.

Personalisht, ka gjëra që më bëjnë krenar si dhe gjëra të tjera që më bëjnë të turpërohem pse jam shqiptar. Por kjo vetëm do të thotë se ne duhet të mësojmë për të dalluar impulset e mira nga të këqijat.

Identiteti kolektiv të cilit të gjithë ne i takojmë, është diçka tjetër se identiteti personal. Ti sipas qejfit mund të ndryshosh kuptimin dhe mendimet tuaja, por unë nuk pajtohem që shteti në mënyrë aktive ndryshon mendimet e veta sipas qejfit të të huajve dashakeqës, këndvështrimeve të veta ideologjike. Këto njohje i kam përvetësuar nga hulumtimet e mia shumëvjeçare…

Shkenca është kurora e lavdisë së mendjes, por ajo mbështetet në parimin e gabueshmërisë. Kjo sepse sikur teoritë shkencore do të mishëronin të vërtetën absolute, përfundimtare, atëherë ato teori nuk do të kishte nevojë t`i verifikojmë praktikisht ndërkaq përparimi  shkencor do të ndalej në vend. Shkenca ka një kriter të besueshëm në dispozicion – faktet. Ekonomia, artet, filozofia, politika nuk disponon me një proces kritik të verifikimit të këtij niveli. Po të shohim faktet, vërejmë se shoqëritë e hapura (demokratike) zakonisht janë të lidhura me begatinë dhe përparimin. Megjithatë, shoqëria e hapur vuan nga një e metë fatale.

Njerëzit që jetojnë në shoqëri të hapura nuk e pranojnë konceptin e saj si një ideal për të cilin domosdoshmërish ia vlen të luftosh. Parashtrohet pyetja pse ndodhë kështu. Shoqëria e hapur u ofron liri për të zgjedhur. Nëse kjo liri mohohet, duhet të luftosh për të; por nëse e ke, atëherë nuk mjafton – sërish duhet zgjedhur. Vende të ndryshme kanë parti të ndryshme demokratike programet e të cilave dallojnë prandaj demokratët gjithmonë luftojnë mes veti, kurse idhtarët e shoqërisë së mbyllur (moniste) mbeten të disiplinuar dhe bashkuar. Sa kohë që shoqëria e hapur pranohet si vlerë e përbashkët, demokratët mund të luftojnë mes veti dhe prapë t`u bëjnë ballë armiqve të shoqërisë së hapët. Problemi është se shoqëria e hapur është armiku më i keq i vetvetes, sepse shoqëria e hapur nuk pranohet si vlerë e përbashkët.

Tragjikomedia e shoqërisë “demokratike” të shqiptarëve qëndron në faktin se politikanët shqipfolës as që e kuptojnë se ç`është e as që u konvenon demokracia. Derisa partitë demokratike të vendeve Perëndimore luftojnë njëra tjetrën (me fakte) por edhe e përmbajnë njëra-tjetrën kur nuk ka çështje për të kritikuar, duke luftuar kështu s`bashku për atdheun e tyre të përbashkët – “demokratët” tonë luftojnë për pushtet e jo për shtet. Dhe, që të arrijnë te ose ta mbajnë pushtetin janë në gjendje me e shkatërruar gjithë shtetin.

Sa më shumë individë të jenë të aftë të vërejnë me sy kritik dhe qetësi skenën dramatike shqiptare, aq më i vogël do të jetë rreziku i çmendurive të mëdha kolektive, dhe në radhë të parë, i luftës vëllavrasëse. Kur forcat e përçarjes dhe të urrejtjes kërcënojnë të fundosin krejt sistemin shoqëror, atëherë sahanlëpirësit, të korruptuarit, mafiozët dhe tradhtarët bëhen tepër të rrezikshëm – janë ata që digjen nga dëshira për t`i shërbyer armikut të jashtëm si agjentët e saj të ikjes së rinisë në perëndim,  shtypjes, shfrytëzimit, diskriminimit, mashtrimit, manipulimit, persekutimeve politike, terrorizimit, mjerimit të popullsisë.

Për të ndryshuar diçka me të vërtetë domosdoshmërish të përballemi me të se çfarë ishte me të vërtetë ajo.

Shqiptari është i paparashikueshëm, i befasishëm, i papritur. Vetëdija kombëtare e tyre nuk është e ngritur në nivel të duhur si te fqinjët dhe pjesës tjetër të popujve evropianë. Si rrjedhojë, nuk kemi prirje shtet-formuese.

Mesazhi kryesor shqiptarëve është për të goditur korrupsionin publik, gjithashtu në aparatin qeveritar.

Kur popullata nuk dëshiron më të qeveriset në të njëjtën mënyrë si më parë dhe ato që menaxhojnë nuk mund të kontrollojnë situatën si më parë, atëherë ndodh një situatë revolucionare.

Sot arsyeja politike nuk është më pronë e pushtetit politik. Në mënyrë që katastrofat të parandalohen, duhet të shpërthejë një valë inteligjence dhe intuite nga qarqet jozyrtare. Zgjidhja për shoqërinë tonë do të ishte në qoftë se ne bëhemi më të zgjuar, më të mençur në dallimin në mes të neutrales, interesave të përbashkëta publike, aparatit shtetëror dhe të shprehjes së lirë të individit.

Ka privilegje të veçanta dhe diskriminime në institucionet e përbashkëta publike, që ne jemi të detyruar për të hequr, jo mendimet.

Ndërkaq, feja do të bëhet më pak stimul për betejën dhe luftën mbi definicionin e së drejtës – në qoftë se ne vendosim se ajo që është e përbashkët, shtetërore, publike, të mos i përkas një besimi të caktuar, praktikisht të respektojmë qëndrimet e programeve politike të Rilindësve për ndarjen e Kishës nga shteti dhe të shkollës nga feja.Në debatet tona duhet të përpiqemi për të bërë dallime mes shoqërisë dhe shtetit, midis një jete aktive, një jete të lirë fetare (rrugëve, shesheve, kishave/xhamive) – dhe institucioneve të përbashkëta publike.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: a eshte gabim, Aurel Dasareti, Kombin, te duash

Trajtimi i hapësirave publike në Kosovë

February 26, 2014 by dgreca

Shkruan:arch. Ylber Vokshi Ylli/ Prishtinë/  

 Hapësirat publike urbane dhe rurale janë hapësira të qyteteve dhe fshatrave tona, janë të ndërlidhura me hapësirat fizike dhe  jetën e përditshme. Ato janë të shumë qëllimshme,hapësira të arritshme të cilat janë të dallueshme, këto hapësira kontribuojnë në formulimin tonë të identitetit urban rural. Ato janë hapësirat e përvojës së përditshme të jetuarit, ku njerëzit punojnë, udhëtojnë, pushojnë, dhe ndërveprojnë, si për shembull, rrugët e këmbësoreve dhe biciklistëve, sheshet e vendbanimeve, parqet, bibliotekat, aeroportet etj. Në princip uzurpimet e hapësirave publike urbane dhe rurale janë në kundërshtim me normat dhe standardet Hapësinore dhe Urbanistike ndërkombëtare.

Në procesin e rindërtimit në Kosovë pos shkatërrimeve të mëdha gjatë luftës së vitit 1999,ka pasur shumë anomali teknike dhe urbanistike,të cilat disi janë toleruar për një kohë të shkurtër në emër të një qëllimi madhor. Po si janë trajtuar hapësirat publike këto pesëmbëdhjetë vite ?Një fenomen,i cili për momentin nuk është aktual në Kosovë,është dehumanizimi i hapësirave publike,dhe tendencat e shoqërive të zhvilluara për të kthye ato ne relacione normale. Kemi studime të shumta që po trajtojnë anën humane,urbanistike,arkitektonike,sociale,psikologjike,filozofike,për me e avancuar ketë problematikë. Kemi raste të shumta ku janë krijuar vendtubime të jashtme (kafe-bare) edhe në hapësirat ekzistuese të gjelbëruara (parqe),natyrisht me shërbime të domosdoshme përcjellëse për këto raste.

Ndoshta pa vetëdije,duke i kopjuar modelet perëndimore në qytetet tona e posaçërisht në Prishtinë po vërehen tendenca që hapësirat publike të rregulluara si janë terrasat e lokaleve hoteliere të “shkrihen” në një me lëvizjet e caktuara për këmbësor,që në aspektin e humanizimit të hapësirave publike është pozitive dhe duhet përkrahur si “trend” i ri.

Aspekti tjetër është edhe ofrimi i shërbimeve të ndryshme në këto hapësira,assesi nuk duhet larguar këto shërbime të cilat i bëjnë ma atraktive dhe ma humane këto hapësira. Me zgjidhje urbanistike profesionale duhet caktuar numrin,vendet,llojet e tyre kurse me konkurse lokale duhej të zgjedhën format adekuate arkitektonike (dizajni urban) për vendbanimet e ndryshme në Kosovë,kjo është praktikë normale në tërë botën e civilizuar.

Rast për tu përshëndetur është rruga këmbësore “Nëna Tereza” në Prishtinë,Çarshia e Madhe e Gjakovës,ku është arritur në mënyrën ma të mirë të bëhet sinkronizimi i funksioneve hoteliere,zejtare dhe të lëvizjes së këmbësorëve në një pjesë të saj pa komunikacion,që duhet vlerësuar. Raste të ngjashme kemi edhe në disa qytete në Shqipëri,rruga e këmbësorëve në Shkodër,“pedenalja”në qendër të qytetit të vjetër funksionon me vite,ku kjo dukuri e humanizimit të hapësirës publike është normale,dhe është treguar e suksesshme.

Ishim dëshmitarë të veprimit të përgjegjësve komunal në Prishtinë,me largimin herë pas hershme e shitësve ambulant nga bulevardi qendror i kryeqytetit,kjo u tregua e pa suksesshme. Duhet pranuar realitetin e ri ,duhet respektuar ata shitës që me ofrimin e shërbimeve të tyre vetëm begatojnë hapësirën publike aty. Nga aspekti urban duhet lejuar funksionimin e tyre me disa kushte paraprake dhe reale si është dizajni arkitektonik dhe urban i celulave-pulteve shitëse,caktimi i saktë i lokacioneve në përputhje me kërkesat dhe kriteret urbane për të mos penguar lëvizjen e banorëve, caktimi i llojeve të shërbimeve që do të dalin nga një studim apo projekt detal urban. Kjo metodë e punës preferohet edhe për vendbanimet e tjera në Kosovë.

Si duket edhe vendimmarrësit në kryeqytet për ketë kohë sado të shkurtë që janë në pushtet,kanë filluar të binden se në trajtimin e hapësirave publike duhet ndryshuar diçka pozitivisht. Nuk duhet pasur mendësi të para pesëdhjetë viteve,këto hapësira duhet trajtuar ndryshe me kërkesat e gjeneratave të reja të shekullit XXI. Dukurit “shqetësuese” për banorët që jetojnë në ato hapësira janë  çështje teknike që kanë zgjidhje,përderisa menaxhohen si duhet nga Komuna.

Ideja për mbylljen e rrugëve për qasjen e automjeteve jo rezidente në qendrën e vjetër të qytetit do të duhej përkrahur,si është rasti me rrugën “Rexhep Luci” e cila me kthyerjen e sajë në rrugë këmbësore (pedonale),vetëm kishte mundësuar kthimin e qetësisë që banorët e asaj rruge po e kërkojnë që shumë vite. Me një studim profesional urbanistik dhe intervenime të vogla urbane,do të mundësohej qasja në parkingje dhe garazhet ekzistuese të vetë banorëve rezident në ketë zonë. Furnizimi me orar të caktuar i lokaleve,e çka është ma e rëndësishme kontroll rigoroz dhe permanent i funksionimit të atyre lokaleve hoteliere si pika potenciale të zhurmës,duhej të ishin qenësore për Komunën.

Në ketë mënyrën do të zhdukej komunikacioni në ketë rrugë “qorre” si shkaktari ma i madh i zhurmës dhe ndotjes së mjedisit dhe “konflikteve” të përditshme në ketë rrugë,për fat të mirë pa pasoja fatale. Do të fitohej një funksion i ri urban me ndërlidhje me pjesën lindore të qytetit me rrugën këmbësore “Nëna Tereza”,kështu do të ishte mirë të mendohet edhe për rrugët tjera që gravitojnë qendrën e qytetit.

E dimë,jemi të vetëdijshëm se trajtimit të këtyre hapësirave aspak nuk iu është përkushtuar ndonjë vëmendje e duhur,ashtu si e kërkojnë kërkesat e kohës dhe të gjeneratave të reja. Pushtetarët ma shumë kanë qenë të angazhuar se si me i keqpërdor këto hapësira se sa me i humanizuar ato dhe me i bërë sa ma të afërta banorëve. Ka pasur disa tentime sporadike individuale por ato janë të pa mjaftueshme. Nuk jemi ne ata të gjykojmë fajtorët e të kaluarës,koha do të tregon atë.

Ka mundësi të shumta që me pak mjete materiale,me intervenime të vogla urbane,me angazhimin e të gjithë atyre që e kanë detyrë dhe përgjegjës,jeta urbane në kryeqytet dhe në vendbanimet tjera në Kosovë të begatohet të  fitoi kualitete të reja ,të avancuara drejt një jete normale të banorëve të saj.

Prishtinë,Me 26.02.2014                                                                 

arch. Ylber Vokshi Ylli,  arkitekt i pavarur ylberv@yahoo.com

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: arch. Ylber Vokshi Ylli, ne Kosove, Trajtimi i hapsirave publike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 770
  • 771
  • 772
  • 773
  • 774
  • …
  • 868
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Antonio Bellushi (1934, Frasnitë – 19 qershor 2024) mbledhës i zellshëm dhe studiues i pasurive etnokulturore e gjuhësore të Arbëreshëve dhe Arbërorëve
  • Jetimi që nxori zbuluar shtetin…
  • Qyteti antik 2400-vjeçar i Çukës së Aitoit
  • Dita e Veteranëve, përkujtojmë shqiptarët që shërbyen me nder në Ushtrinë e SHBA
  • Lëvizjet e popullsisë shqiptare jashtë kufijve shtetërorë dhe vendosja e saj në Shqipëri: Një analizë historiko – hartografike dhe socio – ekonomike
  • “DUA”, propozimi zyrtar i Kosovës për Oscar në kategorinë “Filmi më i mirë ndërkombëtar”
  • 1928 / URA E ZOGUT MBI LUMIN MAT — RRËFIMI EKSKLUZIV I ERWIN SCHNITTER, INXHINIERIT ZVICERAN QË DREJTOI PUNIMET PËR NDËRTIMIN E SAJ
  • NIKOLLA NAÇO (1843–1913) – ATDHETARI QË E VURI PASURINË, DIJEN DHE JETËN NË SHËRBIM TË SHQIPËRISË
  • MURI I BERLINIT RA, POR MURET POLITIKE DHE IDEOLOGJIKE MIDIS SHQIPTARËVE VAZHDOJNË TË QËNDROJNË
  • Dy “Qemalët” e mëdhenj që themeluan dy shtete mbi rrënojat e një perandorie
  • THANK YOU to the City of St. Petersburg and Chief Anthony Holloway for Supporting Albanian School VATRA!
  • A egzistonte koncepti i kombit në kohën e Skënderbeut?
  • Dardane Halimi: “ALB Connection was created to give every Albanian-owned business in America a voice and visibility”
  • KRIJIMI I NJERIUT TË RI: NGA IDEOLOGJIA KOMUNISTE TE KULTURA E PËRFITIMIT NË SHQIPËRINË E SOTME!
  • Transpozimi poetiko-dramatik i veprës “Trungu ilir” të Sabri Hamitit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT