• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

A kemi nevojë për një filozofi të drejtë politike?

February 17, 2014 by dgreca

Nga Arjan Th. Kallço/

Nëse do t’i referohemi një kënge të këngëtarit italian Çelentano mbi situatën sot që nuk është e mirë, do ta kuptojmë që tashmë të gjitha fushat kanë adoptuar sistemin e krizave, me dashje ose padashje. Pra pak filozofi politike e bën edhe një këngëtar që me këngët e tij ka tjetër mision. Politika është shndërruar në një gangrenë që po ia merr frymën gjithë shoqërisë. A mund të çlirohen fushat e tjera nga politika? Është një pyetje që nuk është e vështirë t’i japësh një përgjigje të plotë, duke e analizuar se politika tashmë është në një krizë filozofike mbijetese. Kjo kuptohet sepse me të u detyruan të lidhen shumë aspekte të jetës që jo detyrimisht duhet të jenë të varura prej saj. Ky është edhe gabimi ose gracka në të cilën mendjet djallëzore e futën të gjithë rrjedhën e shoqërisë, duke krijuar bindjen se pa politikën nuk mund të bëhet asgjë. Pra jemi përsëri në të njëjtat nivele si dikur me Princin, ku gjithçka varej prej tij, ai ishte gjykatësi dhe zbatuesi i ligjit. Nëse i referohemi përcaktimit të filozofisë politike do të thoshim se është studimi i veprimtarive të lidhura me gjithçka që ka të bëjë me punët e shtetit që e thënë më shkoqur me të gjitha aspektet e shtetit në një shoqëri. Këtu del qartë këndvështrimi i një politike dominuese mbi gjithçka, por që Aristoteli e sheh politikën si një tërësi mjetesh që lejojnë të arrihen efektet e dëshiruara. Gjendemi në një kontradiktë midis mendimit të filozofit të lashtësisë dhe aktualitetit politik sot ku politika është larg misionit të saj të përcaktuar nga Aristoteli. Duhet pranuar se vetë filozofia politike ka hyrë në një rreth vicioz që e ka të vështirë yë dalë dhe kjo i jep dorë mendimit të hedhur tashmë në tregun e dijeve se filozofia nuk jeton më, nuk ka se çfarë të bëjë më. E thënë kështu nuk mbetet gjë tjetër që ta ekzekutojmë përfundimisht shkencën dhe disiplinës që teorikisht duhet t’i japë paraprakisht zgjidhje mendimit të politikës. Studiuesja italiane Mikol Bruni në një artikull të saj qëndron tek koncepti i filozofisë politike dhe së pari me shumë të drejtë niset nga koncepti i krizës, si shkakëtari kryesor i kësaj situate.

Në një vend ku dominon koncepti i krizës së politikës – shkruan studiuesja Bruni – sistemi i politikës kthehet saktësisht në një dobësi. Por duhet ta pranojmë se kriza e politikës i detyrohet boshllëkut të një poltike që nuk arsyeton më.  Shkaqet janë të shumta: ekonomike, antropologjike dhe breznore. Në çdo kontekst ka patur periudha që e kanë shtruar këtë problem. Nuk besoj se kriza e poltikës i detyrohet vetë politikës, sesa magësisë filozofike të një politike të menduar jo vetëm përmes arsyetimeve, por si shthurrje të rendit të identitetit.

A hyn politika në identitetin kombëtar? Po politika shqiptare sot si do të përcaktohej në këtë zallamahi postkomuniste? Unë mendoj se nuk duhet të tregohemi kaq të gjerë saqë politikën ta futim në identitet, të paktën shqiptare, sepse karakteri konfliktual i saj në gjithë këto vite, do ta shihte si karakteristikë kryesore e të vetë shqiptarëve, pra do të na duhej ta pranonim se është në natyrën e shqiptarëve, për më tepër e pandryshueshme përderisa do ta quanim pjesë e identitetit të tij. Më duket absurde një ide e tillë, por një politikë e mirë kombëtare me synim përparimin e të gjithëve, me plot gojë do ta quanim identitet. Por edhe vetë bota nuk mund të krehohet me një politikë që sado të ndryshojnë kohët, mbetet në të njëjtat pozita. Largimi i politikës nga filozofia ka sjellë këto pasoja që politika nuk e meriton të quhet identiteti ynë kombëtar. Megjithatë Bruni mendon se politika është shprehje e një identiteti të një kombi, por edhe shprehje e një klase drejtuese. Është politika e krijon një komb me karakteristikat e veta të sakta të identitetit. Klasa drejtuese politike i ka të gjitha meritat dhe dështimet mbi shpatullat e veta dhe këtu jemi plotësisht dakord. Nëse klasa e sotme politike shqiptare krijoi njeriun apo steriotipin e njeriut që kemi sot, atëherë duhet të pranojmë se në epoka të ndryshme kemi identitete të ndryshme dhe kjo nuk do të ishte e drejtë. Identiteti politik do të ishte një etiketë që do të ndryshonte sapo shoqëria të riniste një rrugë të re dhe në këtë pikë identiteti politik e humbte karakterin e tij të pandryshueshëm kombëtar, duke mohuar vetë metafizikën e historisë. Tashmë Europa po flet nëj gjuhë, atë që me shumë bujë po e quan demokracia e modelit perëndimor në të gjitha vendet. Me të drejtë studjuesja Bruni thekson se me rënien e ideologjive apo me kapërcimin e kufijve të ideologjive në një vizion kryesisht ekonomik, munguan disa premisat filozofike. Binomi filozofi-politikë është i pandashëm. Kjo konstatohet si në shtetet demokratike dhe ato autoritare. Perëndimi i ideologjive nuk solli një revolucion konservator, as një konfromizëm të llojit socialist modern, aq më pak një liberalizëm ku tregjet mund të kontrolloheshin. U vërtetua një kolaps i vërtetë mes politikës dhe ekonomisë. Duhej ta prisnim. Epokat udhëtojnë në valët e lëkundjeve të financave. Rilindja ishte paralajmëruar nga Makiaveli që na shpjegon se me Princin hyjmë në një epokë që jo vetëm dikton zërat e modernitetit, por vendos një raport të ri mes pohimit të proceseve ekonomike që duhen drejtuar nga politika. Nga Makiaveli e këtej politika nuk është më e njëjta. Kapërcehet qendërzimi i konceptit të personit dhe vendoset një lidhje mes subjektit politik dhe politikës si mjet qeverisës. Një politikë që e ka humbur mendimin filozofik, sepse ka marrë përparësi ekonomia e politikës dhe Makiaveli gjen një stehë në një qoshe të historisë.

Në një artikull më rastin e 500 vjetorit të Princit theksova se ideja e Makiavelit u keqinterpretua qëllimisht, duke e larguar nga vizioni i vërtetë – në këtë pikë jemi të dy besnikë me Brunin ndaj ideve të Makiavelit – që mund të përmblidhet kështu: objektiva, mjetet, arritja e tyre. Nëse rimarrim konceptin e mësipërm për identitete të ndryshme në epoka të ndryshme, atëherë do të ishim shumë dakord me Alexis de Tocqueville që thoshte se çdo brez që formohet në gjirin e vet, është si një popull i ri. A e kemi vërtet ne shqiptarët këtë popull të ri? Nëse po, a është në lartësinë e detyrave të veta? Është gati të marrë përsipër barrën e rëndë të historisë që sipas interpretimeve të të dy kampeve të dikurshëm nuk e kryen në njërën anë? Realiteti shqiptar për fat të keq na e mohon këtë detyrë madhore të popullit të ri, me identitet të ri politik kombëtar,  të mbrujtur me parimin e lirisë së vërtetë, me virtytet më të larta të demokracisë, të respektit dhe bashkëjetesës në të njëjtën hapësirë që është po ajo, shqiptare, por në kohë të ndryshme. Politika e ka formësuar tashmë karakterin e vet dhe me këtë natyrë po përpiqet të imponohet edhe tek populli. Nuk ka alternativa të qarta të zhvillimit dhe progresit për të gjithë, pra të një filozofie të drejtë politike, ekonomike dhe shoqërore. Klasës politike i duhen njerëz me vizione të qarta filozofike që të bëjnë zgjedhjen e duhur në kohën e duhur. Shpërbërja e ndërgjegjes është faktori kryesor i prishjes së ekuilibrave të mësipërm filozofikë së pari e më pas politikë, qytetarë e kombëtarë nëse duam t’i shkojmë deri në fund. Po e mbyll me mendimin e Brunit kur thotë se në demokracitë perëndimore politika duhet të jetë garante e raportit mes strukturës së institucioneve dhe ekonomive të reja të zhvillimit.

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Arjan Th Kallco, filozofia e drejte politike

BURAT E SHQIPËRISË ME FLOKË TË SAPOLYERA IA KANË ELEMINUAR GERMËN E 25-TË ALFABETIT TË SHQIPES

February 16, 2014 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/

Nga televizionet shqiptare për çdo ditë na shfaqen figurat publike të vendit. E kam fjalën për burat e Shqipërisë. Që e kanë minimalizuar përgjegjshmërinë e tyre duke reduktuar fare gërmën e 25 të alfabetit të shqipes që brenda fjalës „burrë“ duke u shqiptuar si një onomatopei dëshmon rëndësinë e pranisë së mashkullit në një shoqëri, sidomos në shoqërinë maskuliste shqiptare, ku roli i femrës kishte funksionin e ornamentit dhe makinerisë për të lindur fëmijët.
Edhe në folklorin shqiptar, në trashëgiminë shpirtërore, burri njihet si shtylla e familjes, shtylla e vendit dhe e shtetit. Skënderbeu ishte një burrështeti, sepse u ndesh me Perandorinë turke dhe triumfoi. Nuk iu tremb as luftës dhe as sakrificave. Ky është burri i vërtetë brenda konotacionit të rolit që ka. Dhe jo vetëm për shqiptarët, por për gjithnjë njerëzimin. Sakrificat i kanë bërë burrat, arritjet dhe hopet gjigande po ashtu iu dedikohen burrave. Natyrisht femrat nuk janë vetëm Kleopatra, Kasandra,Çirçe, Helena apo kurtizane. Ato janë edhe Zhan D’Arka, Teuta, Mari Kyri, Nënë Tereza, Margaret Thatcher, Madeline Albright, Hillary Clinton që është profili i gruas kontemporane e cila kërkon të fitojë pozitë të barabartë me burrin duke garuar përmes kompetencave dhe aftësive.
Pra autoria e këtyre rradhëve, ndërsa po e shkruan këtë opinion, nuk niset aspak nga pozita feministe, por nuk luhatem të pohoj se femra sot meriton vendin që i takon barabartë me burrin. E bëj këtë si grua, si bijë, si nënë, si qytetare, si profesioniste kur shoh se vendi im po shkon drejt tatëpjetës dhe nuk po del asnjë burrë që të bëj deal me një tjetër ashtu si thotë edhe Kadare në intervistën më të fundit se Noli, Konica dhe Zogu ikën nga kjo botë të pajtuar.
I them Kadaresë se asnjëri prej këtyre politikanëve që na kanë parë sytë këta 23 vjet nuk është as Noli, as Konica dhe as Mbreti Zog. Sepse këta 23 vjet në Shqipëri është mbjellë urrejtje dhe luftë e paskrupullt për pushtet në kurriz të shtetit dhe qytetarit.
Konica, Noli dhe Mbreti Zog ishin burra dhe për më tepër burrashteti. Konica shkriu pasurinë për Shqipërinë. Noli dha një kontribut të pashoq për Kulturën, Gjuhën dhe Kishën autoqefale shqiptare, ndërsa Mbreti Zog ndërtoi shtet.
Buri i pushtetit të tranzicionit shqiptar shfaqet përpara ekraneve me flokë të sapolyera. Kjo është risia që ka sjellë. Ai nuk lodhet të lexojë ndonjë liber, të frymëzohet nga bëma të burrështetasve shqiptarë apo të botës, por gjithë energjitë e tij, që janë totalisht energji të harxhuara kufizohen në pasurimin vetjak dhe pamjen e jashtme, ndërsa vazhdon që të konservojë një prani uzurpatore në raport me femrën. Jo si supermaci vlerash, por muskujsh dhe kulisesh. Përpara disa ditësh pamë se si gratë deputete të dy formacioneve të së majtës në aleancën qeverisëse jepnin dorëheqjen dhe në vend që të zëvendësosheshin nga gra, sipas ligjit, vendet e tyre uzurpoheshin nga burra të asaj kategorie që vazhdon të bëjë ligjin si në një shoqëri tribale duke e lënë vendin pa ligj,,pa shtet, me një sistem të përçudnuar që po shkon drejt greminës.

Kjo lloj burërie vazhdon ta lejë gruan shqiptare në pozitat e kurtizaneve dhe konkubinave, le të themi një imitim banal i llojit të Holland apo të Berluskonit, ta lejë femrën shqiptare në rolin e sekretareve të kolme, që kontrollojnë moshën biologjike të njëra tjetrës,se kush është më e re se tjetra. Apo të jenë përfituese të posteve për hir të klaneve apo simpatisë të kryeburit të partisë. Këto gra deri tani nuk kanë bërë gjë tjetër veçse janë kthyer në tellalle të mirënjohjes ndaj atij që e përfshiu në listë apo të klanit që e zgjodhi dhe i vuri në atë rol.
Kryeministri Rama është i rrethuar prej grave. Në pamje të jashtme kjo shkakton entuziazëm pozitiv, nëse nuk i paragjykojmë se ato mund të vërtiten si satelite rreth Diellit Mbret.
Pa e zgjatur, në Shqipëri mungon roli i burrështetësit, i atyre burrave të cilët thërrasin rreth vetes pjesën më të zgjedhur për nga vlerat dhe aftësitë e së bashku, ndërmarrin vendimet më të rëndësishme për vendin, shoqërinë dhe fëmijët.
Jo më kot vendi ku i kemi shtrirë rrënjët brez pas brezi quhet Atdhe, Mëmëdhe, fjalë të përbëra, ku dheu dhe toka janë të lidhur me Atin apo Mëmën, me burrin dhe gruan, me prindërit e dheut e të tokës.
Jo më kot burrat e shtetit që marrin mbi vete përgjëgjshmërinë për të marrë mbi shpatulla fatet e vendit, për të nxjerrë në dritë vendin nga një tunel apo nga një ferr prej kaosit të antiligjit, quhen At apo Etër të Kombit.
Pater Patriae, ky lokucion latin që do të thotë Baba i Kombit ishte një titull onorifik nga antikiteti romak. Jul Qezari përshembull ishte Pater Patriae. Ai i kishte të gjitha atributet e një burrështeti. Ishte ushtarak, konsull, perandor, orator dhe shkrimtar, i konsideruar njëri nga personazhet më me ndikim i historisë. Ai mbahet si shembulli i shtetarit,që asnjëherë nuk iu shmang rrezikut dhe sakrificave për hir të vendit të tij.
Më thoni se cili nga burështetasit shqiptarë këta 23 vjet tranzicion ka sakrifikuar pushtetin e tij për të mirën e vendit?
Tek Wikipedia në listën e Etërve të Kombit në krah të Gandit dhe Qemal Ataturkut, gjendet edhe emri i Ibrahim Rugovës si At i Kombit. Po shikoni luftën që i bëhet Rugovës, ku edhe të vdekur nuk e lënë të prehet i qetë nga burat shqiptarë. Shikoni luftën që i bëhet Kadaresë, ku janë burat shqiptarët ata që luftojnë që të mos marrë Nobelin!
Të gjitha ata burrështetas që kanë marrë përsipër diçka shumë të rëndësishme për kombin, vendin, dhe atdheun e tyre, njihen nga popujve të tyre si “Baba i Kombit”, “Baba i Atdheut”, “Ai i Vendit“ ose është Hero Kombëtar si Gustavi I i Suedisë që e shkëputi Suedinë nga pushtimi i Danimarkës apo si Skënderbeu.
Asnjëri prej Etërve të Kombit nuk ka rendur pas privilegjeve, vilave, pasurive, sekretareve, kurtizaneve apo salloneve të bukurisë me qëllimin diabolik për t’ia zgjatur vuajtjet atdheut, përkundrazi të gjithë kanë ndërmarrë veprime sublime, të cilat kanë patur rëndësi dramatike për fatet e atdheut të tyre që ata kanë përfaqësuar.
Cili prej politikanëve të Shqipërisë tranzicionale mund t’i shkojë ky emër?
George Washington,John Adams,Thomas Jefferson, James Madison, Benjamin Franklin njihen si Founding Fathers – Etërit Themelues, që nënshkruan Deklaratën e Pavarësisë për shkëputjen nga kurora britanike dhe pastaj morën pjesë në formimin e Kushtetutës së ShBA. Washington përkufizohej si një personalitet që “ishte i pari në luftë, i pari në paqe dhe i pari për të fituar zemrën e popullit të tij”. John Adams ishte një burrështeti, diplomat, avokat brilant, promovues i republikanizmit, Jeffersoni dishepull i edukimit dhe arsimit… e kështu me rradhë. Sipas këtij modeli udhëhoqën Rilindasit e Shqipërisë, emrat e të cilëve sot përveç emrit të Ismail Qemalit, në Shqipëri nuk i njeh askush.
Për faj të diktaturës dhe diktaturës së tranzicionit.
Pas diktaturës gjysmëshekullore që ishte një tragjedi kombëtare sepse pati si parim themelor luftën vëllavrarëse për shkaqe ideologjike, Shqipëria dhe Shqiptarët kishin nevojë për një Rilindje.
Por më thoni cili prej politikanëve të Shqipërisë, ata që me veprat e tyre të padenja ia e kanë reduktuar alfabetin e gjuhësh shqipe me 35 shkronja, do të meritonte emrin e madh të Rilindasit Modern të Kombit?
Më thoni se cili prej tyre, janë të njëjtat emra që i shohim në konfiguracione të ndryshme politike, gjithnjë si arrivistë, si profiterë pushteti, por asnjëherë si patriotë apo si përçues të idealeve kombëtare europianiste…
Deri tani, mjerisht asnjëri.

Filed Under: Opinion Tagged With: Elida Buçpapaj, germa 25 e alfabetit, me floke te sapolyer

Pavarësia,ditë feste dhe reflektimi

February 16, 2014 by dgreca

Urime Kosovë, Familje e nderuar Jashari dhe gjithë bashkëkombësve,6 vjetori i Pavarësisë!/

Për shqiptarët kudo 28 Nëntori si datë e madhe kombëtare, mbetet përjetë shkruar me germa të arta në histori, përkrah të cilit në bashkërrugëtim për çlirim dhe pavarësinë e trojeve etnike, tash e 6 vite me radhë, shkëlqen edhe 17 shkurti i Pavarësisë së Kosovës.

Përvjetor me rëndësi ky i cili numëron vitlindjen e gjashtë, të njërës prej pjesëve më kryengritëse dhe vitale e të paepur të tokave tona në përgjithësi, të njohur edhe si shtëpia e fisit të lashtë dardan, e cila sivjet kujton me krenari edhe 15 vite çlirimi nga Serbia.

Për të ardhur deri këtu,nëse kihet parasysh fakti se zhvillimet historike kalojnë nëpër faza strategjish e kalkulimesh ndërkombëtare ku pothuajse gjithmonë,për luftën,paqen,humbjet dhe fitoret e popujve të vegjël,më tepër vendosin qëndrimet e fuqive të mëdha për balancim interesash, dhe jo dëshirat e të voglit për drejtësi, i cili si viktimë e pamundësisë çdo herë zgjidhet për barazim hesapesh ndërmjet fuqive vendimmarrëse,gjithandej planetit, shqiptarët kësaj radhe duke pasur krah Amerikën, ishin më me fat se kurdoherë më parë, ndaj edhe fituan këtë betejë historike për liri dhe çlirim.

Amerika e madhe, të cilën qysh pas luftës së parë botërore, njerëzimi e njohu si fuqi të re globale dhe mbrojtëse të denjë të popujve të vegjël,ngjalli shpresat për mbijetesë të shqiptarëve,kombi i të cilëve po mbytej pa asnjë ndihmë në detin e pafund të armiqve që e kishin vërshuar nga të gjitha anët. Të dërmuar e të  pa krahë ashtu siç ishin,ata zgjatën duart e vetmuara në drejtim të Amerikës, e cila jo vetëm se u përgjigj me ndihmë konkrete dhe dashamirësi, por SHBA disa herë doli hapur dhe me qëndrim të prerë,në mbrojtje të Shqipërisë dhe shqiptarëve, me të cilën, komunistët padrejtësisht për kohë të gjatë, ngrinë njëanshëm të gjitha marrëdhëniet.

Megjithatë,duke iu falënderua luftës së shenjt të popullit shqiptar, heroizmit të Familjes Jashari,bijë e bijave më të mirë -heronj e dëshmor të kombit tonë, e veçanërisht presidentit historik të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova i cili në emër të popullit shqiptar nën pushtim, me seriozitetin e një burrështetasi të kujdesshëm dhe qëllimin e mirë të një engjëlli shpëtimtar, jo vetëm se ripërtëriu e forcoi pashkëputshëm lidhjet e vjetra me mikun e sprovuar dhe më të madhin e të gjitha kohëve për vendin tonë të vogël- SHBA-të,por kësaj radhe bindi ato që më 24 mars të vitit 1999,për 78 dit me radhë, të fusnin edhe duart në zjarr për lirin e kësaj pjese të popullit shqiptar.

Ndaj,me këtë akt të lartë dhe të shenjt dashamirësie,që Amerika jo vetëm më 1999 me Presidentit Klinton por edhe 80 vite para kësaj ngjarje, përmes presidentit Wilson Wodrow,në Lidhjen e Kombeve më 1919, kishte bindur shqiptarët përfundimisht, se pa ndihmën e një aleati të madh si SHBA,para epsheve të shfrenuara të vendeve hegjemoniste fqinje të cilat gjithmonë gëzuan përkrahjen e Rusisë dhe shumicës së fuqive të mëdha të kohës, jo vetëm se ishte e pamundur të arrihej çlirimi i trojeve të mbetura etnike nën sundim të huaj, por do të bëhej shumë e rrezikshme, e vështirë e ndoshta edhe e pamundur, mbrojtja nga copëtimi edhe i asaj pak toke të mbetur brenda kufijve të gjysmështetit shqiptar.

Të njëjtat qëndrime, të po të njëjtave shtete hegjemoniste, të cilat nuk u pajtuan atëherë siç  nuk pajtohen as sot, për krijimin e një shteti unik kombëtar,bënë që shqiptarët ende të mos çlirohen tërësisht dhe të mos arrijnë që ti bashkojnë trojet e mbetura nën pushtimin sllav dhe grek deri më tani.

Copëtimi i tokave tona filloi po me nxitjen e Rusisë, qysh para 137, vitesh, në dimrin e madh të vitit 1877,disa muaj para nënshkrimit të së ashtuquajturës paqja e “Shën e Stefanit” arritur në mes të Perandorisë Turke dhe asaj cariste Ruse, më 3 mars të vitit 1878.

Serbia megjithëse në vitin 1830,jetonte vetëm një autonomi të pjesshme nga Perandoria turke,dhe nuk ishte shtet më vete,ajo qysh atëherë kishte filluar përgatitjet e planeve për zgjerim drejt jugut me zhdukjen e shqiptarëve nga trojet e tyre etnike. Ndaj që në vitin 1844, Ilija Garashanini,kishte përgatitur platformën e ashtuquajtur “Naçertanija”që parashihte zhbërjen e elementit shqiptar  dhe u praktikua në Sanxhakun e Nishit, Toplicë dhe Kurshumli, të cilat më 1877,edhe do ti pushtonte Serbia.

Ndaj, e frymëzuar nga “Naçertania” apo plani për asgjësimin e shqiptarëve,qeveria serbe do të zgjidhte pikërisht dhjetorin,si muajin më të vështirë të atij dimri të madh, që të niste dëbimet masive të cilat nuk ishin asgjë tjetër, përveç se një dënim makabër për vdekjen kolektive të shqiptarëve,shumica e të cilëve do të ngrinin rrugës,nga të ftohtit dhe uria, pa arritur të kalonin gjallë në pjesët e brendshme të atdheut,që atëherë ishte Kosova e sotme.

Ky planë jo vetëm se nuk do të përfundonte shpejt por do të vazhdonte edhe për rreth 4 vite tjera përfshi vitin 1878,e deri më 1881,kohë kjo kur do të zhbëheshin hiq më pak se 700 fshatra shqiptare dhe ktheheshin në një tragjedi kombëtare për popullin tonë, përmasat e së cilës nuk i kishte përjetuar përgjatë gjithë historisë së tij,deri më atëherë.

Megjithatë,përveç ndonjë lëvizje sporadike siç ishte ajo e trimit Sefë Kosharja, i cili ishte kthyer nga shërbimi si oficer në ushtrinë turke, për të mbrojtur shqiptarët nga shfarosja dhe tokat e atdheut të tij me bashkëluftëtarët vullnetar, vetëm pas formimit të Lidhjes së Prizrenit më 10 qershor të vitit 1878,shqiptarët arritën të krijonin qëndresë të organizuar dhe kundërvënie me armë, Perandorisë Turke dhe  fqinjëve grabitqar.

Lufta dhe përpjekjet e popullit tonë do të zgjasnin mbi 34 vite pareshtur,deri më shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912,njohja e pjesshme e së cilës do të arrihej rreth 8 muaj më vonë,nga fundi i korrikut të vitit 1913,në Konferencën e ambasadorëve në Londër,por edhe aty do të pranohej pavarësia e vetëm gjysmës së trojeve tona etnike, si shtet kombëtar në Ballkan.

Atëbotë, përveç kundërshtimit të fort rus dhe shteteve hegjemoniste fqinje,mospajtimet më të mëdha do të vinin nga Perandoria Turke, e cila edhe në grahmat e fundit të ekzistencës së saj, jo vetëm se nuk do të pranonte shkrirjen e 4-ter vilajeteve tona në një shtet autonom shqiptar brenda kufijve të perandorisë, por edhe pas përzënies së forcave turke me luftë, nga trojet tona etnike si dhe shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë,ajo ende kundërshtonte me të gjitha fuqitë, krijimin e një shteti kombëtar shqiptar.

Vetëm falë, konstelacionit politiko-strategjik të fuqive të mëdha dhe diplomacisë së vendosur Austrohungareze e cila arriti të fitonte edhe përkrahjen e Gjermanisë,duke i siguruar Shqipërisë edhe një princ (Princ Widin) për udhëheqës të përkohshëm,gjë që ishte e rëndomtë për kohën dhe kishte ndodhur më parë edhe me shtetet tjera ballkanike,si Greqinë,Rumaninë e Bullgarinë,sado dhembshëm që u përjetua,mbetja e hapësirave aq të mëdha të trungut kombëtar, jashtë kufijve të shtetit të ri, formimi i tij edhe aq sa ishte, duke mos pasur zgjidhje më  të favorshme, nga shqiptarët u pa si periudhë kalimtare drejt lirisë së pjesëve tjera të atdheut.

Kështu që, lufta dhe përpjekjet e filluara nga formimi i Lidhjes së Prizrenit më 10 Qershor të vitit 1878,vazhduan edhe pas 28 Nëntorit të vitit 1912,si dhe pas Korrikut të vitit 1913, me ç`rast një pjesë e mundit dhe sakrificave të  shqiptarëve,do të shpërblehej pas afro një shekulli, kur para 15 vitesh, me ndihmën e NAT-os, u arrit të çlirohet Kosova, e njohur si Ëma e Kryengritjeve Kombëtare,për lirinë dhe bashkimin e të gjitha trojeve etnike shqiptare.

Megjithatë,për fat të keq,vuajtjet,vrasjet dhe shpërnguljet e shqiptarëve,edhe pas përfundimit të luftës,as në Kosovën e lirë nuk do të pushonin, madje vite pas çlirimit dhe brenda vet territorit të saj edhe ashtu të ngushtuar,më 3 dhe 4 shkurt të vitit 2000,pas vrasjes së 10 shqiptarëve dhe plagosjes së dhjetëra tjerëve, nga bandat kriminale serbe, vetëm brenda dy-ditësh,do të dëboheshin me dhunë mbi 1564 familje me më tepër se 11370 shqiptar,për tu përsëritur këso vrasjesh makabre dhe përndjekje të ngjashme shqiptarësh edhe më 2004,po nga Veriu i Mitrovicës.

Ndaj, Kosova edhe këtë 17 shkurt, feston përvjetorin e 6-ashtë, të pavarësisë së saj, jo pa emocion e dhembje, si për ngjarjet e lartcekura edhe për shtypjen dhe padrejtësitë që vazhdimisht ushtrohen ndaj bashkëkombësve tanë në trojet e tyre nën pushtim,duke mbetur përherë me sy të kthyer nga pjesët e paçliruara të etnisë sonë.

Kështu që, përveç festimit e cila është gjëja më e lehtë, e arsyeshme dhe e dëshirueshme për tu bërë, shqiptarët duhet ti ruajnë me shumë kujdes e përkushtim miqtë e vërtetë, tolerancën e njohur dhe traditën vendore, ta duan të kaluarën e tyre, ngritin e lartësojnë heronjtë kombëtar,të krenohemi dhe kujtojmë me pietet të gjithë bashkë, ngjarjet e mëdha dhe të gëzojmë e festojmë me zemër datat e shënuara të historisë sonë.

Ndaj, ky përvjetor, përveç Urimit të sinqertë për Pavarësinë e Vendit, është edhe  një rast i veçantë krenarie për t’i nderuar, jo predikuesit antishqiptar si krasniqët, irfanët, ramiqët e ndonjë “iq” tjetër ,bashkëpunëtor e shpirtshitur të UDB-s, që kanë marrë kaq turr theqafjesh mbi çdo gjë kombëtare në Kosovën e lirë, por ata luftëtar e  heronj të merituar të kombit, pa të cilët ky vend dhe popull nuk do kish ç’të kujtonte as festonte sot as në të ardhmen,në këto troje,të vetëdijshëm se vetëm kështu ne mund të arrijmë bashkimin dhe urojmë e gëzojmë- përgjithmonë Pavarësinë!

Gani Qarri   Cyrih,17 shkurt 2014

 

Filed Under: Opinion Tagged With: dite feste, Gani Qarri, pavaresia, reflektimi

MESAZHI I PERËNDIMIT, RITA PO VJEN PËRSËRI

February 13, 2014 by dgreca

Mospërfillja ndër-shqiptare e sjell guximin e të tjerëve për synime më të rrezikshme/

Nga Fahri XHARRA/

”Rita Ora me këngë në gjuhën shqipe”, ka treguar se shumë shpejt do të vijë në Kosovë. E gjithashtu ka njoftuar se është duke punuar një këngë të re të cilën do ta sjellë në gjuhën shqipe. Bëhet fjalë për këngëtaren me famë botërore Rita Ora, e cila me padurim po pret këto dy befasi, ka thënë ajo nëpër rrjetet sociale.

Lidhja e saj me vendlindjen sa vjen e rritet. E ndonëse angazhimet artistike i ka shtrirë në tregun botëror, Rita Ora për asnjë çast nuk ka qëndruar larg shqiptarëve të saj. Edhe më të afërt me kosovarët, këngëtaren do ta bëjë një këngë në gjuhen shqipe për të cilën ajo ka njoftuar se do ta sjellë së shpejti… Nga Express (10 Shkurt 2014).

Me daljen e Rita Orës si yll i dalluar e plot shkëlqim në qiellin e muzikës botërore, unë e shoh një ndryshim të madh në të mirën e përkrahjes së botës së civilizuar së vazhdimësisë sonë.

Pse doli Rita Ora në skenë?

Përkundër asaj që retë e zeza nuk i ndahen qiellit tonë të kaltër, përkundër asaj që vetëtimat dhe bubullimat i përcjellin retë turbulluese , përkundër asaj që kjo është një vazhdimësi e qëllimshme për futjen e ngricave në mesin e ngrohtësisë sonë atdhetare; por jo, i kemi bërë dhe i bëjmë ballë tradhtive nga më të ndryshmet, i bëjmë edhe sot ballë mohimeve të vetvetes, errësimin e të kaluarës sonë, njollosjen e të mëdhenjve tanë. Rita po vjen, Rita po vjen.

Pse po e përmendi Rita Orën? Rita Ora është ylli i Kosovës, me të gjitha të mirat e të këqijat që njerëzit mund t’ia mveshin nuk mund ta nënvlerësojnë, pasi është e vetmja që s’e mohon kombësinë e saj edhe në piedestalet më të larta botërore aty ku shumë vetë nga ne do të pranonin të identifikoheshin si shtetas të huaj e për të arritur të mirat marramendëse financiare që iu kishin ofruar për një pohim të tillë.

“Bota vëren dhe vrojton. Ne shqiptarët sigurisht që jemi në qendër të vrojtimit. Ata e dinë që ne jemi të lehtë, ata e dinë që ne nuk kemi qendër të rëndimit. Duke mos pasur qendër të rëndimit, e kemi të vështirë aplikimin e koncepteve të gravitetit”. Pse jam? Çka jam? Kush jam unë? Pse jam këtu? Për çka jam këtu? Janë pyetjet e rëndomta dhe sfilitëse që na mundojnë. Të gjithë sillemi rreth shumë pyetjeve, të cilave nuk ua dimë përgjigjen. Jo pse nuk dimë të përgjigjemi, por sepse nuk mundemi. Nuk mundemi se jemi të rrethuar me shumë probleme, e nuk dimë se cilës t`ia gjejmë të panjohurën së pari.

A po e vlerësojmë veten aq sa duhet dhe si duhet? Rita po vjen, Rita po vjen.

Çdo gjë e gjallë duhet patjetër t`u përshtatet ligjeve të natyrës, përndryshe rrezikohet nga zhdukja. Të tjerët këtë e dinë dhe llogarisin saktë se çfarë mundi iu duhet për të na larguar nga graviteti ynë, si dhe nga orbita e jonë e qëndrueshmërisë historike. Si veprojnë ata? E kanë të qartë dhe shumë mirë të llogaritur energjinë finale dhe nxitimin e duhur të një objekti që bie prapa në tokë dhe e dinë mirë se çka duhet bërë që ne të qëndrojmë gjithmonë pezull si objektet e humbura në gjithësi. A kemi edhe në mesin tonë të atillë që e dëshirojnë qëndrimin tonë pezull në gjithësinë dhe tërësinë e historisë?

Kodoshët e kombit

A mendon kush, dhe kush e njeh një njeri që të jetë, arkitekt, sociolog, historian, muzikolog, sportist, urbanist, humanist, artist, estetist, folklorist, mitist dhe gjithfarë “ist”-i tjetër, por kryesorja të jetë antikomb? Por, Rita po vjen, Rita po vjen. Nihilizmi pasqyrohet duke i mohuar vlerat e çdo strukture sociale, shtetit e ligjit, normave të vlerës dhe principeve të moralit. Këto orientime mund të çojnë kah dhuna dhe terrorizmi kundër një sistemi të vendosur edhe të rezulton në rezistencën dhe qëndrimin pasiv ndaj çdo gjëje pa kurrfarë alternative në mendje. Nihilistët na fusin në heshtjen e madhe ndaj Jeremiqëve që e paraqesin veten si viktima, si ato të natës së kristaltë, kur dihet se shqiptarët janë i vetmi popull që nuk i ka vrarë e as dorëzuar hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Nihilistët dhe mohuesit na bëjnë që të heshtim ndaj Jeremiqëve sllavë që në botën arabe na paraqesin si proeuropian e në botën e krishterë si “fundamentalistë islamikë”. Nga vjen kjo? Nga mospërfillja ndër-intelektuale, nga mospërfillja ndër-shqiptare. Një gjë duhet ditur, mirë se mospërfillja ndër-shqiptare e sjell guximin e të tjerëve për synime më të rrezikshme. Mospërfillja ndër-shqiptare shumë e lakmuar me vetëdije apo pa të, me frymëzim nga diçka që nuk po i vjen erë e mirë, mospërfillje deri në atë shkallë sa të mos vetëdurohemi, mospërfillje aq e madhe sa edhe të urrehemi midis nesh (me njëri-tjetrin). Kjo është ikje nga vetvetja dhe një zbërthim në dromca të vogla, ashtu siç e duan të tjerët. E përmenda Ritën me një gëzim që përkrahja e botës së civilizuar për ne ende vazhdon dhe si e tillë është një grusht i rëndë ndaj atyre që po na i sjellin retë e zeza në qiellin tonë.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Fahri Xharra, Mesazhi i perendimit

Protestat janë gur prove për shoqërinë demokratike!

February 13, 2014 by dgreca

Nga Faik KRASNIQI/

Në një shoqëri demokratike qytetarët kanë të drejtë të grumbullohen në mënyrë paqësore dhe të protestojnë kundër politikës së qeverisë apo kundër veprimeve të grupeve të tjera me demonstrata, marshime, peticione, bojkotime, greva dhe forma të tjera të veprimit të drejtpërdrejtë të shtetasve.
Veprimet e drejtpërdrejta janë të mundshme për të gjithë në një shoqëri demokratike, por zakonisht janë përdorur nga grupet e shtypura, të papërkrahura apo grupet e pakicave, të cilët kanë qenë të përjashtuar nga çdo mundësi tjetër për të ndikuar në politikën qeveritare. Protesta të tilla kanë qenë gjithmonë pjesë e shoqërisë demokratike. Në ditët tona, protestat paqësore, që shpesh synojnë të tërheqin vëmendjen e mjeteve të informacionit, përfshijnë një varg të gjatë problemesh, duke filluar nga ndotja e mjedisit deri te armët bërthamore, çështje të politikës ndërkombëtare dhe diskriminimi racial dhe etnik. Formë e veçantë e veprimeve të drejtpërdrejta është e drejta e sindikatave për të organizuar greva kundër punëdhënësve, me të cilët ato kanë mosmarrëveshje që nuk janë zgjidhur me anë të bisedimeve.
Protestat janë gur prove për çdo shoqëri demokratike. Idealet e shprehjes së lirë dhe të pjesëmarrjes së shtetasve në jetën e shoqërisë mbrohen lehtë kur të gjithë tregohen të sjellshëm dhe pajtohen për çështje kryesore. Por kur protestuesit dhe objektet e protestës së tyre nuk pajtohen për çështjet kryesore, mosmarrëveshje të tilla mund të jenë të zjarrta dhe të acaruara. Në të tilla raste mbetet vetëm një mundësi, ajo e ruajtjes së ekuilibrit, e mbrojtjes së të drejtës për lirinë e fjalës dhe të grumbullimit, gjithmonë duke mbrojtur rendin publik dhe duke kundërshtuar çdo orvatje për kërcënim ose përdorim dhune. Të shtypësh një protestë paqësore në emër të ruajtjes së rendit, do të thotë t’i hapësh rrugën shtypjes; të lejosh protesta të shfrenuara e të dhunshme, do të thotë t’i hapësh rrugën anarkisë.
Për arritjen e një ekuilibri të tillë nuk mund të jepen formula magjike. Në fund të fundit, një gjë e tillë varet nga përkushtimi i shumicës për të mbrojtur institucionet e demokracisë dhe parimet e të drejtave të individit. Shoqëritë demokratike janë në gjendje të përballojnë edhe mosmarrëveshjet më të hidhura midis shtetasve, me përjashtim të atyre mosmarrëveshjeve që kanë të bëjnë me përligjjen e vetë demokracisë.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: demokracine, faik Krasniqi, gure prove, Protesta

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 773
  • 774
  • 775
  • 776
  • 777
  • …
  • 868
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Antonio Bellushi (1934, Frasnitë – 19 qershor 2024) mbledhës i zellshëm dhe studiues i pasurive etnokulturore e gjuhësore të Arbëreshëve dhe Arbërorëve
  • Jetimi që nxori zbuluar shtetin…
  • Qyteti antik 2400-vjeçar i Çukës së Aitoit
  • Dita e Veteranëve, përkujtojmë shqiptarët që shërbyen me nder në Ushtrinë e SHBA
  • Lëvizjet e popullsisë shqiptare jashtë kufijve shtetërorë dhe vendosja e saj në Shqipëri: Një analizë historiko – hartografike dhe socio – ekonomike
  • “DUA”, propozimi zyrtar i Kosovës për Oscar në kategorinë “Filmi më i mirë ndërkombëtar”
  • 1928 / URA E ZOGUT MBI LUMIN MAT — RRËFIMI EKSKLUZIV I ERWIN SCHNITTER, INXHINIERIT ZVICERAN QË DREJTOI PUNIMET PËR NDËRTIMIN E SAJ
  • NIKOLLA NAÇO (1843–1913) – ATDHETARI QË E VURI PASURINË, DIJEN DHE JETËN NË SHËRBIM TË SHQIPËRISË
  • MURI I BERLINIT RA, POR MURET POLITIKE DHE IDEOLOGJIKE MIDIS SHQIPTARËVE VAZHDOJNË TË QËNDROJNË
  • Dy “Qemalët” e mëdhenj që themeluan dy shtete mbi rrënojat e një perandorie
  • THANK YOU to the City of St. Petersburg and Chief Anthony Holloway for Supporting Albanian School VATRA!
  • A egzistonte koncepti i kombit në kohën e Skënderbeut?
  • Dardane Halimi: “ALB Connection was created to give every Albanian-owned business in America a voice and visibility”
  • KRIJIMI I NJERIUT TË RI: NGA IDEOLOGJIA KOMUNISTE TE KULTURA E PËRFITIMIT NË SHQIPËRINË E SOTME!
  • Transpozimi poetiko-dramatik i veprës “Trungu ilir” të Sabri Hamitit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT