• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

VRANËSIRAT SHPËRTHYESE MBI ILIRIKUM

January 22, 2014 by dgreca

Pandalur asnjëherë, intelektuali ynë Fahri Xharra, vë në “shënjestër” gjithë të ligat e kohës, për ta kuptuar frymën negative të kohës – zërin e daullës së magjupit dhe lojën e arushanit të përjargur në hapësirat tona, duke mos u pajtuar asnjëherë me shëmtitë dhe të ligat e kohës…/

Nga Remzi Limani/

Në kuptimin e drejtë, shoqëria civile karshi pushtetit, patjetër duhet kuptuar si mbikëqyrëse e proceve demokratike në të gjitha sferat, e në veçanti të atyre me interes kombëtar. Tani, në mugëtirën e krijuar në gjithë proceset politike, shumë individë; si njohës dhe proklamues të së vërtetës shqiptare, me gjithë fuqinë e tyre intelektuale mundohen të ndikojnë në lidershipin kosovar, që rrjedhat politike të mos dalin nga shtrati i lumit, ngase, mund të vërshohemi nga të ligat e kohës…, të cilat na sjellin vërshimet si pasojë e injorancës mos mosndërhyrjes sonë në kohën e duhur, për t`i bërë drenazhën e duhur kohës dhe hapësirës sonë në zhvillimet e gjithmbarshme politike dhe shoqërore!

Së këndejmi, një intelektual, katërçipërisht i kushtuar rrjedhave politike, historike, shoqërore, dhe kritikues i shumë dukurive tjera negative të kohës, me gjithë fuqinë e tij të edukuar prej intelektuali, bëhet “kambanë” e ngjarjeve nëpër kohë, për t`i rrah gjithë rrumbat e kushtrimit, për ta kuptuar rrezikun permanent nga vranësirat shpërthyese mbi Ilirkum! Ky pra, një prej intelektualëve të mirëfilltë, quhet, FAHRI XHARRA, i cili, pa e ndalur frymën, dhe pa e kyrsyer kohën e tij, atë e gjejmë gati në të gjitha gazetat e shkruara, e në veçanti në ato elektronike, me shkrimet e tij të shumta, duke u munduar ta zgjoj trurin e kohës nga letargjia politike, për ta ndaluar mynxyrën e cila nusëlon para syve tanë, e bëhemi se nuk e shohim!!! Prandaj, zoti, Fahri Xharra, na del një korife, i cili, s`lë gjë pa e kuptuar dhe pa e shenjuar në mendjen e kohës, sepse. koha jonë akoma frymon e malcuar dhe, si e tillë, ajo duhet të dalë sa më shpejt nga konvaleshenca e kohës, për ta rimarrë veten nga plagët e kohës së vrarë… Andaj, z, Xharra, pandalur asnjëherë, vë në “shënjestër” gjithë të ligat e kohës, për ta kuptuar frymën negative të kohës – zërin e daullës së magjupit dhe lojën e arushanit të përjargur në hapësirat tona! Pra, intelektuali i kohës siç është z. Fahri Xharra, i cili, me reagimet e shumta, në vazhdimësi jep kontributin e tij, për të mos e gjykuar koha në të cilën jeton.  Ai, asnjëherë nuk ndaloi të vë në pah të shëmtuarën, duke mos u pajtua me të ligat e kohës sonë…! Andaj, është obligim i gjithë intelektualëve, ta japin kontributin e tyre në kohën e duhur, si çështje dhe e drejtë demokratike për të menduar ndryshe për gjithë tërësinë e interesave shoqërore të cilat identifikohen me kauzën kombëtare, ngase, gjithë ne jemi pjesë e saj dhe duhet të luftojmë të keqen, për ta nxjerrë frymën e kohës, të munguar shekuj me radhë, për të frymuar shëndetshëm të veshur me petkun e merituar kombëtar.(marre nga Zemer Shqiptare)

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Fahri Xharra, vransirat shperthyse mbi ilirikum

Koncepti i demokracisë!

January 22, 2014 by dgreca

Opinion nga Faik KRASNIQI/
Për t’i dhënë përgjigjen kësaj pyetjeje, marrë për temë debati, është e nevojshme, sipas meje, të nisemi prej konceptit  ‘’kulturë’’. Prej nivelit të saj dhe dallimit të saj me konceptin tjetër  ‘’shoqëria’’. Në fakt përbën një vështirësi jo të vogël ky termi’’kulturë’’,  për shkak të gjerësisë së tij, vështirësisë për ta përkufizuar, për ta dalluar atë, bie llafi, prej termit ‘’shoqëria’. Pse vallë? Sepse kultura, sipas Markushit, është një koncept dyshtresor:Ai përmban një qasje antropologjike dhe qasje sektoriale(pra me ngarkesën vlerësuese), ndaj fenomenit.
Sipas të parës, përdorur më së shumti nga antropologët dhe sociologët,(e cila, gjithsesi, ndikon edhe në leksikun e gjuhës së përditshme të komunikimit, siç po bëhet në …mbledhjet e qeverisë së qeverive tona) mund të vimë tek definicioni:’’Kultura’’ është tërësia e të gjitha veprimtarive njerëzore të cilat nuk i kryejmë ‘’instinktivisht’’, por që i mësojmë, i atyre aftësive që i Kultivojmë…dhe që në tërësinë e tyre – i japin – i japin kuptim jetesës, vetë jetës njerëzore.
Ky koncept është aq i gjerë, duke përfshirë gjithçka që quajmë njerëzore, sa që…duket si tautologji. Por nuk është hiç i tillë. Është ‘’paderman ‘’përshkrues, por jo drejtpërsëdrejti vlerësues;sepse sidoqoftë, në të fshihet një element –‘’kuptimi’’(dhe vlerë shtesë):Një ndarje ashtu e qëllimtë e botës njerëzore prej……Mbretërisë Natyrë.
Në këtë konceptim tipik ‘’modernist’’(që sa kuptohet ndjek tendencën e Hegelit, në lidhje me statusin e ulët të natyrës), elementi njerëzor bëhet i dallueshëm nëpërmjet veçimit të TIJ hap pas hapi nga lënda e parë natyrore, si e brendshme po ashtu edhe e jashtme.
Prej këtij koncepti lehtësohemi për të kuptuar dhe pastaj për të debatuar mbi ATË, si qenie njerëzore, që mëson dhe vepron gjithnjë e më shumë(gjer sa të mos i punojë më goja, se mendja ka kohë që e ka lënë), të mos e sundojë më natyrën e vet shpellore , të brendësuar, me një dëshirë kukudhi për të pushtuar gjithë botën e jashtme, për ta shndërruar…Në ‘’Mbretëri’’ individuale të TIJ!
Kultura dhe Demokracia, niveli i saj në një shoqëri të caktuar janë të ndërvarura e dyta prej të parës. Perceptimi i këtij raporti që në këtë vend është e lehtë fare, duke parë vetëm të parin, për ta qarë me llahinke gjendjen e të dytës-……Demokracisë!
Duke analizuar nivelin e ‘’Kulturës’’ duhet të na shpërthejë……Një lumnajë vajtimesh, mbase elokuente si e atij hatërit me shokë, por që gjithsesi, e kemi për ta qarë me ligje. Mjafton njeriu të lexoje fare pak rreshta prej ideve te Tukevilit, për t’u bindur se në cilat ujëra ecën kjo ‘’Trata’’ jonë e prishur e që pa qëruar kjo vemje e vemjet si ky, nuk mund të gatitet …MË!

 

Filed Under: Opinion Tagged With: faik Krasniqi, koncepti i demokracise

Zërat e korbave të zinj

January 21, 2014 by dgreca

NGA RESHAT KRIPA/

 Kur isha në moshën e fëminisë historinë e Shqipërisë e njihja siç ma kishte mësuar historiografia totalitare që studiohej në shkollat tona. Sipas saj, çdo luftëtar nacionalist më shfaqej si Sali Protopapa i filmit “I teti në Bronx” apo si ballistët e filmit “Kur zbardhte një ditë”. Por pata fatin, e theksoj pata fatin, që Zoti i Madh dhe i Madhërueshëm më mori mendjen dhe u ngrita kundër atij sistemi duke shpërndarë trakte në rrugët e qytetit tim. U arrestova dhe u dënova. Në burg pata fatin të takoja ata burra të rrallë që , në ato kondita kur karakteri im nuk ishte formuar ende, të më tregonin të vërtetën e këtij vëndi dhe rrugën nëpër të cilën duhej të ecja. Ndaj them se pata fatin, pasi atje mësova të vërtetën historike dhe këtë të vërtetë e regjistrova në memorien dhe ndërgjegjen time për të mos e harruar kurrë.

Më falni për këtë hyrje pak të gjatë, pasi ndonjërit mund të mos i interesojë. Por u detyrova pasi dëgjova për disa inisiativa të shfaqura nga një personalitet i klanit në pushtet.Më është bërë zakon të hap faqen e internetit dhe të lexoj lajme të ndryshme. Midis tyre lexoj një lajm të publikuar  ku shkruhet:

Propozime për 70-vjetorin e Çlirimit

Dërguar më 12/01/2014-09:03

 Duke marrë indicie nga prononcimi i (këtu përmendet emri i një personaliteti, që mua më vjen rëndë ta përmend, pasi për moshën që ka, nuk e besoja se do të ishte kaq i indoktrinuar nga e kaluara e përmbysur) lidhur me kremtimin e  70 vjetorit të çlirimit të atdheut nga okupatorët nazi-fashistë dhe bashkëpuntorët e tyre, si qytetar i këtij vendi me ndjesi liridashëse dhe njëkohësisht si pasardhës i një luftëtari antifashist, parashtroj propozimet e mia konkrete për çka duhet bërë për këtë jubile, në nderim të kontributit të dhënë dhe gjakut të derdhur gjatë Luftës Antifashiste, nga e cila populli ynë u rradhit përkrah fitimtarëve të koalicionit anglo-sovjeto amerikan

  Dhe më poshte vijojnë propozimet e tij. Nuk dua t’i përmend pikat e këtij propozimi, pasi më neverisin. Ato janë gjithsej 17, por mua më duket se edhe vetë diktatori Enver Hoxha nuk do të guxonte të publikonte propozime të tilla, po të ishte gjallë. Nuk do t’i publikonte pasi ishte ai vetë që i eliminoi ish shokët e tij më të ngushtë. Një miku im i vjetër më thotë:   Ne kot e dënojmë Enver Hoxhën, pasi ishte ai që na i mori hakën. Ai i vrau të gjithë ata që na vranë ne.Para syve të mi dalin shumë figura të shquara të lëvizjes antifashiste të zhdukura nga skena politike ende pa u restauruar pushteti totalitar dhe më vonë, pas vendosjes së tij. Më dalin parasysh figurat e Hysni Xhindit, Fejzo Gjomemës, Mustafa Gjinishit, Ramize Gjebresë, Shefqet Bejës, Liri Gegës, Dali Ndreut, Beqir Ballukut, Hito Çakos, Petrit Dumes, Kadri Hazbiut, Feçor Shehut. A nuk ishin këta që vranë njerëzit tanë? Shoh këto figura dhe i jap të drejtë mikut tim. Kuçedra pasi u ngop me gjakun e nacionalistëve filloi të hante edhe bijtë e vetë.

Gjithmonë në faqet e internetit lexoj një deklaratë të një personaliteti tjetër të majtë, një ish ministër i qeverisë së djathtë, të rrëzuar më 23 qershor, tani një funksionar i së majtës, (me falni por, me padijeninë time,  nuk e kuptoj se si një individ me bindje të djathë apo të majte, papritur dhe pakujtuar të kthehet në kahun e kundërt. Një gjë të tillë mund ta bëjë vetëm një sharlatan). Ky individ, pjesmarrës në kremtimin e përvjetorit të një prej brigadave partizane, deklaron se Lufta Nacionalçlirimtare na paska qenë farkëtimi i miqësisë me demokracitë perëndimore. Nuk e kuptoj se për cilën miqësi e ka fjalën zotëria. Mos vallë për atë “miqësi” që, pas marrjes në pushtet u kthye në armiqësi? A nuk ishte imperializmi anglo-amerikan armiku më i egër i “pushtetit popullor” të vendosur në Shqipëri? Kjo nuk është një shprehje e imja, është e paraardhësve të tij si dhe atyre vetë, që iu zunë duart kallo nga duartrokitjet frenetike në mbrojtje të atij sistemi.

Ndaj dua t’ju them: Heshtni! Çlirohuni nga indoktrinimi i një ideologjie të përmbysur, në rast se doni të mbeteni në historinë e këtij vendi. Sot jeni në pushtet dhe marrëzia e këtij populli ju dha shumicën absolute. Mos e shfrytëzoni këtë fakt për të hymnizuar një periudhë të cilën po ky popull e rrëzoi në fundin e vitit 1990. Shpesh herë dëgjojmë udhëheqësit tuaj të thonë se këtë të drejtë jua paska dhënë populli me votën e tij. Dëgjoni anekdotën e mëposhtme dhe gjykoni:

Diktatori Neron dogji Romën. Populli u ngrit në revoltë dhe rrethoi pallatin perandorak. Perandori, i trembur, thirri këshilltarin e tij Senekën dhe e pyeti:

–          Si do t’ia bëjmë?

Seneka iu përgjigj:

–          Hidhua fajin të krishterëve

Në atë kohë krishterimi kishte fare pak kohë  që kishte lindur.

–          Por, a do të më besojnë?- pyeti Neroni.

Dhe Seneka i ktheu përgjigjen lapidar:

–          Populli beson çdo lloj gënjeshtre që i serviret!

Mos  e  harroni   këtë   përgjigje,   të   nderuar   zotërinj!   Populli   vërtet   sot   u   dha  këtë përgjigje por nuk e di nëse do ta keni nesër apo jo. Unë kam bindjen se, pas largimit nga kjo jetë të brezit tonë dhe bijve tanë, nipërit dhe mbesat tona do të kenë në ndërgjegjen e tyre një botëkuptim tjetër të historisë, një botëkuptim në përputhje me të vërtetën historike të vendit. Por do të ishte në nderin tonë që ky botëkuptim të mbizotëronte sot, pas njëzetetre vjetësh nga rivendosja e sistemit demokratik. Ndaj mjaft më me përralla për ditën e çlirimit dhe përkujtimin e saj. Ajo nuk është dita e çlirimit. Ajo është dita e skllavërimit të këtij populli.  Është dita e mbi 6.000 të vrarëve pa faj, mbi 17.000 të burgosurve politikë, mbi 30.000 familjeve të internuara politikisht, mbi 400.000 të përndjekurve politikë. Atëherë, për çfarë çlirimi bëni fjalë? Për atë “çlirim që vrau, burgosi, internoi dhe përndoqi mijra qytetarë shqiptarë? Për atë “çlirim” që e ndau Kosovën dhe trojet e vjetra shqiptare, nga toka mëmë? Për atë “çlirim” që na ndau nga bota demokratike? Për atë “çlirim” që hëngri edhe bijtë e vetë? Për atë “çlirim” që varfëroi deri në palcë një popull të tërë? Kjo është ajo dita e “çlirimit” që ju kërkoni ta ngrini në qiell.

Në mbyllje, më lejoni të citoj disa vargje lapidar të të pavdekshmit Ali Asllani, shkruar mbi 70 vjet më parë:

Koha dridhet e përdridhet,do vij’dita që do zgjidhet/

   Dhe nga trasta pem’e kalbur, doemos që jasht’do hidhet!/

                        Koha dridhet e përdridhet, prej gradimit katër shkallë

                        Nuk do mbetet gjë në dorë veçse vul’e zez’në ballë!

  Po mundët, këtë mos e harroni!

*Kryetar i Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë Demokratë të Tiranës

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: reshat kripa, zerat e korbave

Detyrat e shtëpisë: a është pedagogjikisht e drejtë të mos jepen?

January 20, 2014 by dgreca

 (Ftesë Ministrisë së Arsimit për diskutim të gjerë)/

Nga Arjan Th. Kallço*/

Bota sot po përjeton vërtet një hop cilësor përsa i përket shkollës dhe arsimit në përgjithësi, sidomos me arritjet e padiskutuara të risive teknologjike.  Në artikujt e shumtë për arsimin, uroj që dikush në Ministri të vazhdojë  t’i lexojë, jam munduar që të sjell risitë më të fundit, të vendeve përreth nesh, kur këto risi vërtet ia vlejnë. Por risitë për shkollat nuk marrin fund këtu, njëlloj si shprehja : do të rrojmë e do të shohim se çfarë do të shpikë mendja njerëzore për shkollën. Artikulli im këtë radhë ka një “risi” në një aspekt tjetër që lidhet me një moment tjetër të rëndësishëm të mësimit dhe që janë detyrat e shtëpisë. Besoj se shumë kolegë të mi dhe pedagogjistë jemi në të njëjtin mendim se aspekti i detyrave të shtëpisë është tepër delikat për asimilimin e njohurive të reja që marrin nxënësit çdo ditë në shkollë. Pra e shpjeguar më qartë nxënësi duhet të ushtrohet t’i asimilojë ato me ushtrimet në detyrat e shtëpisë. Natyrisht dallimet kanë ekzistuar dhe do të ekzistojnë gjithmonë midis nxënësve në shkolla, pasi në to kemi të pasqyruar qartë, por drejt nuk do të thosha në mënyrë absolute, aftësitë e secilit prej tyre për të mësuar. Barazitizmi në arsim ishte gabimi fatal i reformave të mëparshme, sepse asnjëherë prirjet nuk janë të njëjta. Detyrat e dhëna si në klasë dhe në shtëpi, kur këto bëhen vetë nga nxënësit, janë tregues i aftësive të tyre për të vazhduar apo jo studimet në universitete. Por jemi edhe të ndërgjegjshëm që realiteti shqiptar flet edhe për nivelet parauniversitare të shkollave me mangësi të mëdha përsa i përket respektit për institucionin e dijeve. Është folur e shkruar aq shumë, saqë do të jenë bërë të mërzitëshme fjalët e tepërta që lidhen me ecurinë e shkollës dhe për sëmundjet që ato po vuajnë sot. Mungesa e theksuar e seriozitetit në lidhje me hallkat e shkollës po na e degradon gjithnjë e më shumë faktorin ardhmëri për to. Ashtu si edhe në universitete po prodhohen nga fabrika pa rendiment deftesa të cilat për një pjesë të konsiderueshme nuk vlejnë. Edhe vetë nxënësit, sigurisht jo të gjithë, “ ia kanë kallur flakën” shkollës, sepse tash jeta e tyre nuk vërtitet reth saj, si dikur, por rreth teknologjisë më të fundit të cilën e kanë ndër duar dhe e shpërdorojnë kot kohën që u duhet për tjetër punë. Nuk është çudi që të gjithë rregullat e shkollës që duhet ta bëjnë nxënës të apasionuar pas mësimit, të zëvendësohen me disa rregulla që vetë ata po i servirin dhe me shpejtësi drite po i bëjnë pronë të tyre. Nëse shoqëria nuk nxjerr rregullat e saj edhe për shkollën, pra e lë në amulli, atëherë rregullat do të lindin nga vetë të interesuarit, pra nxënësit. Kur shohin se shoqëria shqiptare është rrumpallë e vërtetë, atëherë në këtë kaos ata përpiqen të vendosin rregullat e tyre, edhe pse ne nuk na pëlqejnë. Është ligj i natyrës dhe i shopqërisë që ku mungojnë rregullat, ato kompesohen me të tjera, qoftë edhe këto të nxjerra apo sajuara nga njerëzit. Askush nuk e thotë dot nëse do të jenë ligj për të gjithë apo do të jenë të përkohëshme. Uroj që mendjet e ditura të vendit ta fshijnë fjalën përgjithmonë dhe t’i japin fund përkohësisë së këtyre rregullave barbare.

Sot duke lundruar në FB, kjo fjalë më duket mëse e drejtë sesa e huaja navigoj, më bëri përshtypje një status, që mesa duket, është realiteti i arsimit shqiptar ku nxënësit e mbledhur në grupe shoqërish kanë hedhur në rrjetin e FB një listë të statusit të ri në shkolla, me qëllim miratimin e tyre nga vetë ata, meqë shoqëria nuk është në gjendje të vendosë rregull, ku thuhet shprehimisht se cilat janë “Kodet e Shkollës” të cilat për arsye studimi po i lë të shkruara siç janë origjinal në rrjet:

1-Klasa Eshte Bere Si Sall Interneti , Te Gjithe Me Celular Neper Duar

2-Detyrat E Shtepise Bohen Te Gjitha Ne 5 Minutsh

3-Nje Fletoret Perdoret Per Detyrat E Gjuhes ,Anglishtes Biologjise etj

4-Nxenesit Bojn Lufte Se Kush Do Shkoje Te Marre Shkumsa I Pari

5-Lutje Me Gjithe Zemer Kur Zysha Bohet Gati Te Pysi

6-Librat Merren Tek Klasat Qe Kemi Afer Dhe Gjithmone Me Te Drejte Kthimi

7-Roja Ka Me Shume Pordh Se Drejtori.

8-Nese Ke 1 Ore Pushim Duhet Te Bosh 1 Loje PES Ose FIFA

9-Korridori Ju Duket Gocave Si Pasarele Mode.

10-Banga E Fundit Si Krevat Dormeo

11-Farat I Gjen Kudo 10 Pako Per Bange

12-Lufte Kush Do Ulet Me Nxenesin E Mire Ne Provim

13-Pytja E Perhershme ” Edhe Sa Minuta Bie Zilja ?

A do të ishim dakord të gjithë me këtë status, apo rregulla, të brezit të ri? Sapo t’i lexoni do ta kuptoni se këto nuk janë rregulla të cilat ata do t’i miratojnë në miniparlamentet e tyre, por është thirrja që i bëjnë shqoërisë shqiptare për ta mbledhur kallaballëkun dhe t’i hedhë shpejt sytë nga shkolla dhe nga vetë nxënësit. Nuk ka nevojë për fjalë të shumta komentimesh, pasi më qartë se kështu edhe vetë politika shiptare nuk i harton dhe nuk i miraton dot në unison, sepse inatet dhe zemërimet e tyre ua kalojnë edhe vetë fëmijëve. Pra me të drejtë thuhet se shkolla e ka humbur funksionin e saj, se serioziteti ka humbur krejtësisht, dhe në vend të mësimit duket se shkolla është bërë një vend ku mund të bëhehn të gjitha qefet, kuptohet ato që nuk paraqesin ndonjë paudhësi më të madhe, sepse ndoshta rruhet ende një farë “kujdesi” që disa gjëra nuk bëhen hapur fare në sytë e të gjithëve. Alarmi ka rënë dhe shoqëria shqiptare duhet t’i japë një përgjigje të fuqishme banalitetit dhe kotësisë së jetës pakuptim rreth tryezave për kafe, gjithë kohën në internet apo edhe “kënaqësi të tjera” të cilat duhen bërë, sepse kjo po shkon në modë.  

 

*Autori eshte pedagog ne Universitetin “Fan S Noli” ne Korce, bashkepunetor i Gazetes Dielli prej 4 vitesh.

Filed Under: Opinion Tagged With: Arjan Kallco, detyrat e shtepise

POPULLI DHE TURMA

January 19, 2014 by dgreca

 NGA HASAN KOSTRECI/

Kur Napoleon Bonoparti me një grup besnikësh u largua nga ishulli i Elba , ku qe i interrnuar dhe po rikthehej përsëri në Paris, enthuziazmi i popullit që kishte dalë ta priste, qe tepër i madh dhe gjenerali që e shoqëronte. i habitur prej indiferentizmit të tij, e pyeti; Madhëri, këta janë duke brohoritur për juve, prandaj kthejuani, ju lutem, përshëndetjen.“Edhe po të më shpinin në gijotinë për të më prerë kokën, kjo turrmë, kështu do bënte”, iu përgjigj perandori.E thashë këtë episod për të treguar se turma dhe populli, megjithëse janë prej një përbërje, kanë dallim dhe sa i urtë dhe i mënçur është si popull, aq ekstremist dhe i marrë bëhet, kur transformohet në turmë dhe shëmbulla të këtij fenomeni kemi mjaft dhe mjafton të përmëndim ngjarjet e viteve shtatëmbëdhjetë të shekullit të kaluar, kur  populli Rus, nga gjiri i të cilit kishin dalë aq njerëz të mëdhej si Tolstoi, Pushkini, Çajkovski e të tjerë, i transformuar nga Ideollogjia Marksiste-Leniniste në turmë, mori përpara dhe azgjësoi miliona njerëz të pafajshëm; Ishte idollogjia e “Revolucionit Kulturol”në Kinën e Maos gjithashtu, ku mijra të rinj dhe të reja, iu vërsulën profesorave dhe pedagogëve të universiteteve dhe i tërhoqën zvarrë nëpër rrugët e Pekinit, por lajthitje të këtij lloji në periudha të ndryshme ka patur edhe tek ne. E tillë përshëmbull ka qëne lëvizja e Haxhi Qamilit më 1914, kur fill mbas shpalljes së pavarësisë, fshatarë nga Shqipëria e mesme u ngritën më këmbë dhe kërkonin të sillnin përsëri “Babën”dhe qeveria komuniste e asaj kohe, për turpin e vet, e quajti atë lëvizje, si demokratike dhe udhëheqësin e saj, luftëtar të lirisë  dhe e shpalli hero; Revolucioni Fanolist i njëzet e katrës, gjithashtu, nuk mund që të quhet i pjekur, sepse u orvat të na binte bolshevizmin qysh në atë kohë dhe atë fatkeqësi që e pësuam në dyzet e katrën, do e kishim ndjerë edhe më herët, por që të dyja këto dhe të tjera, dështuan, sepse u ndeshën nga një grup patriotësh që e donin Shqipërinë, por dhe nga një popull i formuar ndryshe nga turma që krijoi diktatura dhe që në përmasa të konsiderueshme, për fat të keq, e kemi edhe sot.

Nëqoftëse një tornedo e fuqishme, rrëzon në fillim shtëpiat e ndërtuara me dërrasa, pastaj ato me tulla dhe po vazhdoi gjatë, rrezikon të shëmbë edhe ato të ndërtuara me gurë, i njëjti fenomen pothuajse ndodhi edhe me kombin tonë gjatë trysnisë komuniste dhe ishte fshatarësia fillimisht, e cila qe e para që u gënjye dhe e përkrahu atë regjim, por duke përbërë në atë kohë gati tetëdhjet përqind të popullsisë, u bë një turmë e fuqishme dhe e papërmbajtëshme që arriti të eklipsojë çdo zë apo sinjal që paralajmëronte rrezikun e asaj që po ndodhte, pikërisht të intelektualëve, patriotëtëve dhe elementit më të mirë, që faktikisht në mentalitetin tonë ne asnjëherë s’i kemi dëgjuar dhe vazhdojmë të mos i dëgjojmë.. “Kuadrat’ e parë, nëqoftëse na kujtohet, me origjinë fshati ishin dhe e quanin për mburrje kur kapnin, vrisnin apo dënonin ndonjë diversant që sakrifikonte veten për të përmbysur atë regjim, apo ndonjë fakir, që mundohej të arratisej nga ai ferr që po e pllakoste vëndin.

Shtresa tjetër që bashkëpunoi përsëri qysh në fillim me ta, s’ka dyshim, ishin hajdutët, vrasësit dhe pjesa më ordinere e shoqërisë, të cilët ai regjim sa erdhi në pushtet, i grumbulloi dhe nga që s’kishin nevojë as për instruktazh, i emëroi nëpër detyra edhe më të rëndësishme, si në ministri të brendëshme, kryetarë degash nëpër rrethe, prokurora, gjyqtarë, drejtora burgjesh, hetuesa e deri kaptera pa asnjë klasë shkollë, mjafton që të zbatonin “detyrën”e xhelatit,

E çfarë ndodhi; Vetëm për gjatë asaj periudhe, u vranë, u pushkatuan, u burgosën dhe u interrnuan dhjetëra mijë njerëz të pafajshëm, të gjithë këta elita e kombit dhe populli i mbetur në këtë mënyrë pa kokë, u transformua në një turmë të bindur, ku dominonte padija, injoranca dhe që aprovonte e ngrinte dorën për çdo krim apo marrëzi që diktatori bënte. Lufta ndaj “Armikut të Klasës” u bë motoja e kohës, që herë pas here merrte edhe koka njerzish. Përçarje që u shkaktua, s’kishte ndodhur as në pushtimin pesqind vjeçar Otoman dhe ndërsa familjet e të persekutuarve u izoluan, u lanë pa shkollë dhe tërë kohën të diskriminuara, pjesa tjetër që permëndëm, vetëm brohoriste për “fitorjet” e arritura. U brohorit kur u lanë vëllezërit tonë kosovarë në duart e Titos dhe u masakruan; U brohorit sa herë që lidhej apo prishej ndonjë miqësi; U brohorit për formimin e kooperativave, që e lanë fshatarin pa as dhe një pulë, apo kur shëmbëm kishat, xhamijat dhe tempujt fetarë; U brohorit kur u ndërtua metarulgjia “Çlirimi i dytë i Shqipërisë”, që helmoi pothuajse gjysmën e vëndit, ashtu edhe kur u ngritën ato treqind e ca mijë bunkerë që e bënë Shqipërinë, sipas tyre, “Shkëmb Graniti” U brohorit për dekada me radhë, bile edhe atëhere kur nisëm që të ushqeheshim vetëm me lakra.

Po atëhere a ishte turmë ajo, që u ngrit në nëntëdhjetën dhe rrëzoi komunizmin? Jo, studentët fillimisht, por edhe e gjithë Shqipëria dhe ishte hera e parë që mbas dyzet e pesë vjetësh, ne u bëmë edhe njëherë popull, por kjo nuk shkoi gjatë, sepse gjithçka menjëherë u manipulua dhe demokracia e aq shumë pritur, s’u realizua tamam, për të mos thënë që dështoi dhe kjo, sepse atë proces nuk e drejtoi opozita e vërtetë, që ishin të persekutuarit, të cilët o qenë akoma nëpër burgje, o të interrnuar, ose dhe jashtë, por tepër të lodhur dhe vrarë moralisht.

Pra, studentët, siç thamë, i nisën fillimisht ato revolta dhe për këtë ata kanë meritën e tyre, por për prejardhjen nga vinin (sepse të rinj nga të persekutuarit nëpër universitete nuk kishte) nuk mund që ta vazhdonin edhe më tutje dhe si rjedhim, liderit e parë që u  çfaqën në skenë, qenë po nga ata, do me thënë brezi i dytë apo i tretë i atyre që i përcaktuam në fillim dhe siç del, kemi një trashëgimi pushtetesh nga e njëjta shtresë shoqërore, ose si ç’thotë zakonisht populli, nga i njëjti klan, që e ka marë në dorë në dyzet e katrën, shtatëdhjet vjet më parë dhe vazhdon akoma ta mbajë edhe sot, por ky kontigjent, duke patur të trashëguar nga të parët, midis mjaft “veseve” edhe urrejtjen ndaj ish shtresës së tregëtarve, ish të burgosurve politikë dhe në përgjithësi ndaj ish shtresës së persekutuar,“Lufta e  klasës”,edhe pse në heshtje, përsëri vazhdon dhe nuk është e  rastit që familje me mbiemra të njohur si Toptani, Biçaku, Frashëri, Këlcyra, Vrioni, Libohova e të tjerë, të njohur nga historia si potogonistë të mjaft ngjarjeve të rëndësishme që kanë të bëjnë me egzistencën e kombit tonë si “Kongresi i Manastirit”, “Lidhja e Prizrenit” e deri tek “Shpallja e Pavarësisë”, nuk i sheh të emëruar në asnjë institucion shtetëror apo qeveritar dhe kjo tregon se mentaliteti komunist ende nuk është zhdukur dhe demokracia që ne presim, është akoma larg.

Mos marrja e statusit, për të tretën apo të katërtën herë, është gjithashtu një minus i. madh dhe tregon se edhe mbas njëzet e tre vjetësh, ne  nuk mundemi dot që të krijojmë shtet e të bëhemi eurpianë dhe sa më shumë që me dashje apo pa dashje vonohet ky proces, pasojat mbi popullin, do bëhen gjithmonë e më të rënda.

Filed Under: Opinion Tagged With: Hasan Kostreci, Populli dhe turma

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 776
  • 777
  • 778
  • 779
  • 780
  • …
  • 868
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Antonio Bellushi (1934, Frasnitë – 19 qershor 2024) mbledhës i zellshëm dhe studiues i pasurive etnokulturore e gjuhësore të Arbëreshëve dhe Arbërorëve
  • Jetimi që nxori zbuluar shtetin…
  • Qyteti antik 2400-vjeçar i Çukës së Aitoit
  • Dita e Veteranëve, përkujtojmë shqiptarët që shërbyen me nder në Ushtrinë e SHBA
  • Lëvizjet e popullsisë shqiptare jashtë kufijve shtetërorë dhe vendosja e saj në Shqipëri: Një analizë historiko – hartografike dhe socio – ekonomike
  • “DUA”, propozimi zyrtar i Kosovës për Oscar në kategorinë “Filmi më i mirë ndërkombëtar”
  • 1928 / URA E ZOGUT MBI LUMIN MAT — RRËFIMI EKSKLUZIV I ERWIN SCHNITTER, INXHINIERIT ZVICERAN QË DREJTOI PUNIMET PËR NDËRTIMIN E SAJ
  • NIKOLLA NAÇO (1843–1913) – ATDHETARI QË E VURI PASURINË, DIJEN DHE JETËN NË SHËRBIM TË SHQIPËRISË
  • MURI I BERLINIT RA, POR MURET POLITIKE DHE IDEOLOGJIKE MIDIS SHQIPTARËVE VAZHDOJNË TË QËNDROJNË
  • Dy “Qemalët” e mëdhenj që themeluan dy shtete mbi rrënojat e një perandorie
  • THANK YOU to the City of St. Petersburg and Chief Anthony Holloway for Supporting Albanian School VATRA!
  • A egzistonte koncepti i kombit në kohën e Skënderbeut?
  • Dardane Halimi: “ALB Connection was created to give every Albanian-owned business in America a voice and visibility”
  • KRIJIMI I NJERIUT TË RI: NGA IDEOLOGJIA KOMUNISTE TE KULTURA E PËRFITIMIT NË SHQIPËRINË E SOTME!
  • Transpozimi poetiko-dramatik i veprës “Trungu ilir” të Sabri Hamitit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT