• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Amerika dhe Europa përballë një bote në ndryshim

July 18, 2024 by s p

Prof.Asc.Dr.Gëzim MUSTAFAJ/

Teoritë e mëdha klasike gjeopolitike janë globale dhe gjithmonë kanë qenë për një lidhje të ngushtë midis të vërtetave të mëdha gjeografike e atyre historike. Ato e vlerësojnë qëndrimin kontradiktor midis tokës e detit, midis fuqive kontinentale e atyre detare dhe synojnë të përcaktojnë ndikimin e mjedisit mbi njeriun e mbi veprimtarinë e tij, duke filluar nga shoqëria tek institucionet e saj politike dhe nga ekonomia deri te kultura specifïke e çdo populli. Gjeopolitika e re është edhe rajonale edhe lokale. Ajo nuk kundërshton të vërtetat e mëdha, por ndalet në veçoritë rajonale dhe në sensin e hapësirës që kanë grupe të ndryshme kombesh në kërkim të një identiteti, të një afirmimi dhe realizimin e atyre që ato përcaktojnë si “të drejta historike”. Me një nacionalizem që po vjen në rritje, veçimi i pozicioneve të tilla është themelor për të parashikuar konfliktet e ardhshme si dhe për të përcaktuar nismat që duhen marrë për parandalimin e tyre. Në përgjithësi, gjeopolitika e re, e krahasuar me atë tradicionale, i jep një rëndësi të madhe faktorëve gjeopolitikë njerëzorë, të krahasuara këto me faktorët fizikë, ku ndikimi i këtyre të fundit, si rezultat i teknologjive, ka ndryshuar.

Ekzistojnë shkolla e mendime gjeopolitike të ndryshme, shumëllojshmëria e të cilave më shumë është e lidhur me shtete të veçanta sesa me ideologji politike të ndryshme. Sot nuk mund të flitet më për një gjeopolitikë marksiste, socialiste apo liberale, por mund të flitet për një gjeopolitikë; amerikane, gjermane, kineze, ruse, angleze, franceze apo italiane. Pra duhet të flitet për shumë gjeopolitika në vend që të flitet vetëm për një gjeopolitikë. Fundi i Luftës së Ftohtë, zhvillimi teknologjik, çrregullimet e mëdha demografike dhe ekonomike si dhe shtimi i numrit të aktorëve që veprojnë né skenën ndërkombëtare ka ndryshuar thellësisht sistemin e mëparshëm botëror. Globalizmi dhe ndërvartësia e shumë sektorëve (financiarë, teknologjikë, informativë),si dhe shfaqja e qendrave të forta të fuqive transnacionale, jo të kontrollueshme nga shtetet, detyrojnë marrjen e vendimeve qofshin edhe të brendshme. Kështu bëhet e domosdoshme që çdo subjekt të mendojë për vetveten në raport me botën, të ndikojë në ndryshimet e saj dhe të përcaktojë interesat dhe rolet e veta ndërkombëtare, natyrisht në atë masë që e lejon fuqia që ka.

Shekulli 19-të padyshim pa një ekspansion të madh dhe intensifikim të shkëmbimeve tregtare si dhe pushtimin e territoreve të mëdha në Afrikë, Azi dhe Amerikën Latine nga fuqitë evropiane, në betejën për kolonitë. Shpikja e telegrafit si dhe shtrirja e kabllove përgjatë oqeaneve lidhi kontinentet me shpejtësinë e dritës dhe revolucionarizoi komunikimin. Ndërtimi i anijeve shumë të shpejta ndëroqeanike reduktoi së tepërmi kohën e udhëtimeve përgjatë Atlantikut, duke e bërë më pak se një javë. Kështu që, nuk ishte vetëm informacioni që udhëtonte elektronikisht nëpër glob, por edhe shkëmbimi masiv i mallrave përgjatë rrugëve detare të botës, së bashku me lëvizjen e njerëzve. Deri në fundin e shekullit 19, këto lëvizje njerëzish nisën të shterojnë, ndërkohë që udhëtimet me qëllime biznesi dhe turizmi, sidomos mes Evropës dhe Amerikës së Veriut pësoi një rritje të madhe. Amerikanët vinin sepse atëherë Evropa njihej ende si qendra e botës, në kuptimin ekonomik, politik dhe kulturor. Evropianët kishin marrë me kohë angazhimin për të “evropianizuar botën”, shpesh herë përmes depërtimit ekonomik, por edhe përmes forcës brutale ushtarake. Por, nga ana tjetër kish gjithashtu shumë pak dyshim se brenda ansamblit të vendeve imperialistë, Britania ishte fuqia hegjemoniste. Për dekada të tëra pas luftërave të Napoleonit, shumë pak mund të bënin fuqitë e tjera, pa patur të paktën miratimin e heshtur të Londrës.

Me ardhjen e fundit të shekullit 19-të, pati shumë shenja që tregonin se hegjemonia britanike po zbehej dhe ajo po sfidohej nga fqinjët. Në Evropë ishte ambicia e Gjermanisë për të lënë pas Britaninë jo vetëm si vendi kryesor tregtar dhe industrial, por edhe në drejtim të ekonomisë dhe kulturës. Kaizeri gjerman, Uilliami II si dhe këshilltarët e tij më të ngushtë ishin të bindur se Londra do të pengonte ngjitjen e vendit të tyre në statusin e fuqisë botërore, nëse ata nuk do të ishin në gjendje t’i kundërviheshin dominimit të marinës britanike në dete, me një instrument detar të madh dhe eficient, aq sa për të mposhtur britanikët në një betejë vendimtare në Detin e Veriut. Në Luftën e Parë Botërore Londra pati sukses në frenimin e rrezikut gjerman duke angazhuar Berlinin në një garë armatimi që në 1912-1913 Kaizeri tashmë e kish humbur. Pesë vjet më vonë jo vetëm që monarkia gjermane ishte mundur, por kish nisur njëkohësisht de-evropianizimi i botës. Edhe Britania dikur e gjithëpushtetshme doli si një fuqi e dorës së dytë nga katastrofa. Shtetet e Bashkuara dalëngadalë kishin dalë në radhë të parë. Pas Parisit, gjithnjë e më shumë evropianë udhëtuan për në SHBA për të vizituar Washingtonin, New Yorkun ose Çikagon, por edhe për të inspektuar qendrat e punimit të çelikut dhe prerjes së tij në Pensilvani, industritë e prodhimit të veglave apo ato elektrike në Ohajo si dhe të prodhimit të automjeteve në Michigan. Frederik Tejlor dhe Henri Ford në Detroit, kryeqyteti i ri botëror i automobilave, përveç teknologjisë, ata ishin veçanërisht të interesuar për organizimin e punës sipas stilit amerikan, siç rekomandohej nga linjat e montimit.

Nëse Hitleri do t’ia kish dalë të mundte Bashkimin Sovjetik në 1941-in siç ai e kish parashikuar në biseda private, bota do të ishim bërë dëshmitare e një përpjekje për të gjermanizuar Euro-Azinë, Afrikën dhe Amerikën Latine. Edhe përballë këtij rreziku, kundërshtarët evropianë të Gjermanisë sërish rezultuan shumë të dobët për të ndalur agresorin. Vetëm hyrja e SHBA-së në Luftën e Dytë Botërore, fshehtas në 1940-n dhe haptas pas sulmit të japonezëve në Pearl Harbour në dhjetor 1941, ndryshe nga situata në 1917-n, bëri që fitorja e aleatëve të sigurohej kundër boshtit të fuqive të Gjermanisë, Italisë dhe Japonisë. Kur ky konflikt botëror më në fund përfundoi në 1945, elitat ekonomike, politike dhe intelektuale të SHBA-së morën dy vendime themelore për rendin botëror të pasluftës. Ata donin të rindërtonin, për të dytën herë një sistem botëror tregtar liberal-kapitalist, të mbështetur nga sisteme politike demokratike parlamentare. Në mënyrë të veçantë Plani Marshall dhe NATO ishin dy komponentë shumë të fuqishëm që shtynë përpara evropianizimin. I pari me mbështetje ekonomike, i dyti me elementët e sigurisë transatlantike.

Fundi i Luftës së Ftohtë zhduku perden e hekurt tradicionale midis lindjes dhe perëndimit. Rënia e sistemit komunist dhe perfundimi i luftës së ftohtë sollën zhdukjen e kësajë perdeje dhe krijuan premisën për ndërtimin e një Evrope të pandarë, të madhe e të lirë, të stabilizuar e paqësore, demokratike dhe të begatë. Rënia e murit të Berlinit u pasua me një shpërbërje shtetesh e federatash edhe në vende të tjera. Tani Evropes lindore jo vetëm nuk i shkon në mënd të mbrohet nga një kërcenim gjerman, por dëshiron të lidhet sa më ngushtë të jetë e mundur me të për të marrë prej saj ndihma ekonomike dhe për të siguruar qëndrueshmëri politike. Por ndërsa në vendet e tjera të Europës kjo shpërbërje ndodhi e qetë dhe pa probleme në Ballkanë dhe ish Federatën Jugosllave prej vitit 1992 deri ne vitin 1999 proçesi i shpërbërjes së saj u shoqërua me luftra të përgjakshme. Këto konflikte që ndodhen në fund të shekullit të XX-të kercënuan përsëri ballancen dhe realitetin e brishtë të pas renies së komunizmit dhe po vazhdojn edhe sot.

Ndërsa të gjithë prisnin që shekulli i 21-të të fillonte me një botë edhe më të qetë, në realitet nuk po ndodh kështu. Konfliktet Rusi-Ukrainë, në Ballkan, në Lindjen e Mesme e kanë trazuar përsëri gjeopolitiken globale. Kohët e fundit ka shumë zëra që mendojn se është zbehur dominimi Amerikan në Europë dhe më gjërë. Edhe nëse Evropa kërkon të krijojë koalicione në formën e “partneriteteve strategjike” me fuqi të tjera si Rusia, Japonia, Kina, Kanadaja apo India, siç theksohet në ‘Strategjinë e Sigurimit Evropian”, për të vënë nën kontroll fuqinë amerikane, një gjë e tillë nuk ka gjasa të ketë sukses, por edhe nëse ndodh, do jetë shumë e përkohëshme. Përvoja historike na mëson se marredhëniet e krijuara vetëm mbi bazën e interesave të rastit mbeten të dobëta, ndërsa marredhëniet që ngrihen mbi bazën e interesave dhe vlerave të përbashkëta kanë rrënjë të thella dhe jetojnë gjatë. Zgjedhjet në SHBA do të jenë një test shumë i fuqishem për të ardhmen e Europës dhe Botës. Dominimi Amerikan ka qënë dhe do të jetë detriminantë sado që në perjudha të vogla mund të pësojë luhatje. Amerika ka ditur të ngrihet edhe në perjudha më të veshtira për të qënë lider botrorë. Shtetet e Bashkuara kanë nevojë për një Evropë të Bashkuar, të fortë dhe të vendosur, që të sakrifikojë në mbrojtje të interesave të përbashkëta transatlantike. Në këtë aleancë, Amerikën nuk e shqetëson fakti që Evropa është e forte, përkundrazi, Amerikën e shqetëson fakti që Evropa është e dobët.

New York, Korrik 2024

Foto: Washington.org

Filed Under: Opinion

PROMOVIMI I MODËS SHQIPTARE NË SKENAT NDËRKOMBËTARE

July 17, 2024 by s p

Gentiana Dervishi, themeluese dhe presidente e shoqatës për Promovim Shoqëror “APS Showteam”, në një rrëfim ekskluziv dhënë gazetës “Dielli”, organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “Vatra” në New York, nëpërmjet editorit Sokol Paja, tregon me detaje organizimin e spektaklit të modes “GX Fashion Week 2024” në Milano dhe Paris si një ngjarje që shkon përtej kufijve të modës, duke promovuar shkëmbime kulturore dhe marrëdhënie ndërkombëtare përmes gjuhës universale të stilit dhe kreativitetit artistik.

“APS SHOWTEAM” PROMOVUESE E NGJARJEVE KULTURORE DHE ARTISTIKE

Shoqata për Promovim Shoqëror “APS Showteam” promovon ngjarje kulturore e artistike që përfshihen nën sloganet artistike «Gx Fashion Week» Milano dhe Paris. Ky realitet shoqëror, i themeluar më 12 mars 2018, promovon dhe ndihmon iniciativa kulturore dhe artistike të cilat synojnë të lançojnë stilistë të rinj dhe stilist profesioniste, si dhe merret me përvojë dhe soliditet të pjekur në formimin e modeleve, të cilat zakonisht ngjiten në pasarela. Paralelisht, “APS Showteam” i kushton vëmendje maksimale sektorëve të make-up dhe stilimit të flokëve, përmes kurseve të dedikuara, të cilat synojnë maksimizimin e teknikave glamuroze gjithmonë të azhurnuara me tendencat e reja. Është e rëndësishme të theksohet angazhimi i fortë social drejt integrimit efektiv të individëve të talentuar më pak fatlumë për t’u marrë me veten dhe për të arritur rezultate e mrekullueshme në fushat të përmendura më sipër. Shoqata “Aps Showteam” është një ent jofitimprurës që merret me modë. Presidentja është ndihmuar nga një grup anëtarësh të apasionuar që besojnë fort në rëndësinë e promovimit të një mode të qëndrueshme, gjithëpërfshirëse dhe të përgjegjshme. Qëllimi kryesor është sensibilizimi i publikut për problemet që lidhen me industrinë e modës dhe promovimi i një ndryshimi pozitiv brenda këtij sektori industrial. Ne jemi të vetëdijshëm se mund të kemi një ndikim të rëndësishëm në mjedis, në njerëz dhe në komunitete. Prandaj, ne angazhohemi të promovojmë stilistë që përdorin praktika etike të prodhimit dhe marka që adoptojnë një qasje të qëndrueshme dhe të inkurajojmë konsumatorët të bëjnë zgjedhje të vetëdijshme. APS Showteam organizon një seri ngjarjesh, workshop-e dhe iniciativa edukative për të përhapur njohuri dhe ndërgjegjësim mbi temat që lidhen me krijimet e qëndrueshme. Përmes këtyre ngjarjeve, synohet të përfshihet dhe frymëzohet publiku, duke ofruar informacion mbi praktikat më të mira etike dhe alternativat. Bashkëpunohet me marka dhe stilistë që ndajnë të njëjtat vlera, promovohen krijimet e tyre dhe ofrohet publikut më të mirën e artizanatit. E rëndësishme është angazhimi për mbështetjen e gjithëpërfshirjes së sektorit. Moda duhet të jetë e arritshme për të gjithë, pavarësisht nga mosha, forma e trupit, gjinia apo etnia. “APS Showteam” organizon ngjarje që festojnë diversitetin dhe autenticitetin, duke theksuar bukurinë unike të çdo individi të bindur se një ndryshim domethënës mund të ndodhë përmes edukimit, sensibilizimit dhe bashkëpunimit. Prandaj, të gjithë ata që ndajnë këtë pasion janë të ftuar të bashkohen me ne. Së bashku, është e mundur të bëhet një ndryshim dhe të kontribuohet në dhënien e sinjaleve të duhura për një industri më të vetëdijshme promovuese dhe zhvilluese.

PROMOVIMI I MODËS SHQIPTARE DHE TALENTEVE SHQIPTARE

Jam konsoliduar si një figurë kyçe në promovimin e modës shqiptare në skenën ndërkombëtare. Përmes Shoqatës sime për Promovim Shoqëror “APS Showteam”, kam krijuar në mënyrë efektive një urë jetike midis talenteve shqiptare dhe qendrave të modës në Milano dhe Paris. Puna ime përqendrohet në ofrimin e mundësive konkrete për stilistët, modelet dhe artistët shqiptarë që të tregojnë talentin dhe kreativitetin e tyre në platforma ndërkombëtare. Iniciativa të tilla si “Gx Fashion Week” ofrojnë një vitrinë unike për modën shqiptare, duke lejuar stilistët të paraqesin krijimet e tyre përkrah emrave të njohur të industrisë. Unë nuk kufizohem vetëm në organizim, por i dedikohem edhe formimit, duke përgatitur talentet shqiptare të konkurrojnë në nivelet më të larta në sektorin e modës. Angazhimi im po kontribuon ndjeshëm në ngritjen e profilit të modës shqiptare në kontekstin global, duke hapur rrugë të reja për shprehjen artistike dhe inovacionin stilistik të vendit.

TË BEFASUAR NGA KREATIVITETI DHE CILËSIA E PUNËS SË STILISTËVE SHQIPTARË

Të shohësh emocionin në sytë e stilistëve tanë kur parakalojnë përkrah emrave të njohur është e papërshkrueshme, është si të realizojmë një ëndërr kolektive. Ndikimi i punës sonë shkon përtej ekspozimit të thjeshtë. Po ndryshon perceptimin e modës shqiptare në nivel global. Shumë njerëz janë të befasuar nga kreativiteti dhe cilësia e punës së stilistëve tanë. Po dëshmojmë se Shqipëria ka shumë për t’i ofruar botës së modës. Çdo ngjarje është një mundësi për të mësuar dhe për t’u rritur. Stilistët tanë kthehen në Shqipëri me ide të reja, kontakte dhe, mbi të gjitha, me një besim të ri në aftësitë e tyre. Dua që ata të jenë të gatshëm jo vetëm të marrin pjesë, por të shkëlqejnë në skenën globale. Çdo stilist shqiptar është si një yll që shkëlqen në një pasarelë ndërkombëtare dhe hap rrugën për të ardhurit e rinj. Ne po ndërtojmë një trashëgimi për modën shqiptare.

SHQIPTARËT NË “GX FASHION WEEK 2024” NË MILANO DHE PARIS

GX Fashion Week 2024 në Milano dhe Paris, e planifikuar për në shtator, do të paraqesë koleksionet e vitit 2025. Ky takim prestigjioz, që bashkon stilistë ndërkombëtarë dhe shqiptarë, premton të jetë një kryqëzim i inovacionit dhe stilit në vazhdën e atyre të mëparshme, ku vlerat e meritës janë themeli dhe vijnë gjithmonë përpara çdo forme të elegancës. Ngjarjet, që do të zhvillohen në dy nga kryeqytetet botërore të modës, do të shohin model dhe modele nga çdo cep i globit të parakalojnë në pasarela, duke mishëruar thelbin e vërtetë të diversitetit dhe gjithëpërfshirjes në botën e modës. GX Fashion Week 2024 është më shumë se një ndalesë e thjeshtë gjatë javës së modës; është një platformë që ofron dukshmëri ndërkombëtare për talentet në zhvillim, veçanërisht për stilistët shqiptarë, duke i vendosur ata krah për krah me emrat e njohur të industrisë. Pasarelat e Milanos dhe Parisit do të shndërrohen në një skenë të lartë dhe prestigjioze, ku koleksionet e reja për vitin 2025 do të marrin jetë. Pritja është e ndjeshme midis stilistëve, të cilët janë të etur për të prezantuar krijimet e tyre të fundit për një publik global të ekspertëve të industrisë, blerësve dhe dashamirësve të modës. Këtë vit, më shumë se kurrë, synojmë të tejkalojmë kufijtë tradicionalë të modës. Duam që çdo stilist, qoftë një emër i njohur apo një talent në zhvillim nga Shqipëria, të ketë mundësinë të shkëlqejë dhe të lërë gjurmë.

MARKAT SHQIPTARE, SUKSES SHQIPTAR

Markat kryesore shqiptare që kanë marrë pjesë në  GX Fashion Week-et e mëparshme janë:  Atelier Margot e Margarita Kola, A Tangerine Design e Leida Troci, Atelier Elsida Pepa, Ina Gjoka, Aulona Store e Aulona Mecaj, Dream Store Albania e Sonila Harizi, Nicol Sposa e Xhimi Designer, Albanian Design Academy.

MODE, SHKËMBIME KULTURORE DHE MARRËDHËNIE NDËRKOMBËTARE

Që nga edicionet e para, GX Fashion Week kam pasur nderin të mirëpres konsuj shqiptarë dhe autoritete italiane. Kjo prani institucionale nënvizon rëndësinë e ngjarjes jo vetëm në botën e modës, por edhe si një urë midis kombeve. Në takimet e fundit, kam numëruar edhe duartrokitjet e institucioneve të kombeve të tjera të rëndësishme, të ardhura në Milano për këtë rast. Pjesëmarrja e përfaqësuesve diplomatikë shqiptarë thekson rolin e GX Fashion Week në promovimin e talentit dhe kulturës shqiptare në një skenë ndërkombëtare. Në të njëjtën kohë, prania e autoriteteve italiane reflekton njohjen e ngjarjes si një kontribut i rëndësishëm në panoramën kulturore italiane. Kjo konvergjencë midis modës dhe diplomacisë ka krijuar një atmosferë unike, ku arti i krijimit të modës ndërthuret me dialogun ndërkombëtar. Prania e këtyre figurave institucionale hap mundësi të reja për bashkëpunim dhe mirëkuptim të ndërsjellë. Për edicionet e ardhshme, duke përfshirë atë të vitit 2024, pritet që kjo traditë të vazhdojë, duke forcuar më tej rolin e GX Fashion Week si një ngjarje që shkon përtej kufijve të modës, duke promovuar shkëmbime kulturore dhe marrëdhënie ndërkombëtare përmes gjuhës universale të stilit dhe kreativitetit.

POROSI PËR ARTISTËT SHQIPTARË: TRADITA E PASUR SHQIPTARE, UNIKE NË SKENËN NDËRKOMBËTARE

Inkorporoni elementë nga tradita e pasur shqiptare në dizajne moderne dhe inovative. Kjo do t’ju dallojë dhe do të sjellë një perspektivë unike në skenën ndërkombëtare. Investoni në pëlhura dhe materiale të cilësisë së lartë. Zgjedhja e materialeve mund të bëjë diferencën midis një veshje të mirë dhe një të jashtëzakonshme. Saktësia në përfundimet dhe detajet është thelbësore. Kjo është ajo që blerësit dhe kritikët ndërkombëtarë vërejnë menjëherë. Inkorporoni praktika të qëndrueshme në procesin tuaj krijues. Moda etike është gjithnjë e më shumë e vlerësuar në nivel global. Zhvilloni një histori të fortë rreth markës suaj. Identiteti juaj shqiptar mund të jetë një pikë e veçantë e fortë. Mësoni të paraqisni koleksionet tuaja në mënyrë profesionale. Një lookbook i realizuar mirë dhe një prezantim i kuruar mund të hapin shumë dyer. Merrni pjesë në ngjarje të sektorit, edhe si vëzhgues. Ndërtoni marrëdhënie me profesionistë të tjerë të sektorit. Qëndroni të azhurnuar mbi teknikat dhe tendencat e fundit. Konsideroni kurse trajnimi ose bashkëpunime ndërkombëtare. Studioni tregjet e ndryshme ndërkombëtare. Përshtatni krijimet tuaja për apel global duke ruajtur autenticitetin tuaj. Suksesi ndërkombëtar kërkon kohë dhe përkushtim, mos u dekurajoni përballë sfidave fillestare.

Filed Under: Opinion

Bajronizmi si një fenomen trans-kulturor në botën frënge

July 16, 2024 by s p

Luan Rama/

Franca ishte nga vendet e para që njohu poetikën e fuqishme të Bajronit e më pas prozën apo dramat e shkruara prej tij. Që në vitin 1818, në Paris nisën të botohen në anglisht librat e Bajronit (për britanikët në Francë apo turistët anglofonë, amerikanë etj). U bënë aq shumë ribotime saqë në vitin 1842 do të kemi ribotimin e njëmbëdhjetë të veprave të plota të tij « The complete works of Lord Byron). Në fillimin e viteve 20 të shekullit XIX në Francë nisën të shfaqeshin portrete të Bajronit, skica apo foto tablosh siç ishin ato punuar nga miqtë e tij si piktura e Bajronit me kostum shqiptar e Thomas Phillips Westall apo portrete të piktorëve dhe miqve të tij Harrow, Richard etj. Në rrethet letrare në Francë bisedohej rreth poetit të ri dhe aventurier, për udhëtimet e “Child Harold” e më pas për “Gjauri”, “Corsaire”, “Lara”, etj. Shpejt bajronizmi u kthye në një fenomen kulturor veçanërisht në rrethet letrare e intelektuale, ku ai po shndrohej në një lloj modeli me konceptin e kampionit të lirisë, pasi Bajroni për ta ishte mbartës i shqetësimit të intelektualëve reformatorë me përpjekjen për ndryshimin e sistemeve shoqërore dhe të asaj që e quanin “la condition humaine (gjendja njerëzore). Duhet theksuar këtu se edhe pse Franca kreu revolucionin e vet për përmbyesjen e një monarkie mijravjeçare, pas luftrave napoleoniane Republika ra. Dinastia mbretërore u rishfaq sërish. Presidenti Napoleoni III e shpalli veten perandor dhe ja pse bajronizmi ishte aktual dhe frymëzues për shoqërinë franceze të shekullit XIX. Në tregimin e tij “Tudimi i Shën Antuanit”, Floberi u frymëzua nga “Kaini” i Bajronit dhe “Fausti” i Gëtes. Që 19 vjeçar ai deklaronte se adhuronte dy shkrimtarë të mëdhenj të botës letrare: “Bajronin dhe Rabëlé”. Në një shkrim të hershëm të tij “Portreti i lord Bajronit” ai theksonte: “Për Bajronin, nuk kishte gjë më të bukur sesa liria dhe gjë më të neveritshme se paraja… Ai shkoi në Greqi për të ndihmuar në rilindjen e një vendi që po jepte shpirt nga skllavëria. Ai shkoi për të ngritur nga balta karron e lirisë që kishte rënë në baltën ku e kishin zhytur tiranët. Ajo baltë e fisnikëroi atë dhe e bëri të pavdekshëm birin e shekullit”. Poeti i madh Gérard de Nerval gjeti tek vepra dhe akti humanist i Bajronit diçka shpresëdhënëse. Në poemën e tij kushtuar Bajronit, “Mendim”, De Nerval, i cili këtë poezi e cilësonte “elegji”, shkruante : “Fryma e shpresës/kishte përshkuar zemrën time”… “Sa herë i përlotur / këndova hiret e tua hyjnore / theksimet e mia ishin plot sharm sepse ti më frymëzoje…” Ishte e vërtetë se në këtë kohë, Bajroni u bë frymëzues për një pjesë të madhe të letrarëve të mëdhenj francezë. Më 1839, romancierja George Sand, duke shkruar një ese të rëndësishme në “La Revue des Deux Mondes”, të titulluar “Ese mbi dramën fantastike: Gëte, Bajron dhe Mickiewicz” e vlerëson në mënyrë të veçantë kontributin e Bajronit, duke shkruar se “Bajroni ishte ndoshta i vetmi bashkëkohës i Gëtes që kuptoi rëndësinë e zhanrit dramatik. Ajo iu referua madje dhe Gëtes i cili rreth Bajronit do të shkruante: “Tragjedia e Bajronit “Manfredi” më duket një fenomen i mrekullueshëm dhe më ka prekur shumë. Ai aq shumë u frymëzua nga personazhi i Faustit sa personazhi i tij është krejt tjetër dhe më duhet veç ta admiroj gjeninë e tij…”

Në kohën kur ishte konsull në Itali, në “La Scala” të Milanos, Stendali, pra Henri Beyle, u takua me Bajronin, takim që u pasua nga shumë të tjera. Forca poetike e veprës së tij e veçanërisht kurajo në luftën kundër sistemeve të vjetra shoqërore e politike e tërhoqën menjëherë shkrimtarin francez. Në një letër që i dërgonte një mikeje shkrimtare, Stendali shkruante se “ndjenjat e tij për Bajronin ishin shumë fisnike, bujare dhe të fuqishme, me një fjalë në nivelin e gjenisë”. Tetë vjet më vonë Stendali shkruan kujtime dhe boton librin “Kujtim egoizmi” ku pohon admirimin e pandryshueshëm të tij ndaj Bajronit. Por vepra e Bajronit ndikoi madje direkt në shkrimet e shkrimtarit francez. Në romanet “Lucien Leuven” dhe “E kuqja dhe e zeza », shumë kapituj të librit fillojnë me citime nga shkrimet e Bajronit. Po kështu, vetë i Bajroni e frymëzon në krijimin e personazhit të famshëm Fabricio del Dongo në “Kështjella e Parmës”, një personazh romantik, plot aventura, me dashuri dramatike. Ishte vetë modeli i tij.

Po kështu Balzak e pati Bajronin si model për personazhin e konsullit në librin “Honorine” botuar më 1843. Lista e admiruesve të Bajronit në skenën letrare e filozofike franceze është e gjatë. Në atë kohë Alfred de Musset u entusiazmua aq shumë pas këtij heroi të ri, siç shkruan në librin “Kujtimet e Alpeve” sa disa kritikë e tallën duke e quajtur “Mademoiselle Byron”. Në poemën e tij “Lord Bajronit” De Musset shkruante: “Ti, që bota nuk ta njeh emrin e vërtetë / shpirt misterioz, vdekatar, ëngjëll dhe demon/ sido që të jesh Bajron/ i mirë apo gjeni fatal / unë i dua koncertet e harmonisë së ashpër / siç dua zhurmën e rrufesë dhe të erërave…” Influenca ishte e madhe dhe tek Alfred de Vigny apo Prosper Merimée. De Vigny e identifikonte prurjen e tij poetike vetëm me Bajronin dhe me frymën e tij që nga libri “Ditari i një poeti. “Tek ai, – shkruan kritiku francez André Jarry në studimin “Kur De Vigny fliste si Bajron” – ndikimi i Bajronit ishte i jashtëzakonshëm”. Nuk mungon as Bodleri të shkruajë për këtë poet anglez që ai e cilësonte “poet salamandrin”, pra gjithnjë në “sprovë të zjarrit”. Në një poezi të tij, duke u shprehur për poetët, Baudelaire do ta vendoste Bajronin midis Gëtes dhe Shekspirit e më pas do të vinin poetë të tjerë si Dante, Ariosto etj. Të tjerë vlerësonin më shumë “Prometeu”-n e tij. Nga ana e tij Prospère Merimée në veprën e tij “Studime anglosaksone” e cilësonte Bajronin “Bonapart i poezisë”. Është interesante kur mendon se Bajroni vetë e adhuronte figurën e Bonapartit, edhe pse Bonaparti donte ta shkatërronte monarkinë angleze përmes bllokimit të saj nga Europa kontinentale dhe asfiksimin e mbretërisë. Eseja e Bajronit titullohet “Bonaparti” dhe i dedikohet një akademiku francez, mikut të tij Casimir Delavigne. Studjuesi i sotëm Daniel Salvatore Schiffer në veprën e tij “Lord Byron” (Botimet Gallimard) shkruan se “Prometeu” dhe “Manfredi” janë paradigma më e mirë e Bajronit. “Ndriçimet e qenies së tij janë shkëndijëza prometeane” – thekson ai. Edhe një studjues tjetër i sotëm Daniele Sarrat shkruan se “Bajroni i afrohet më shumë heroit prometian se atij faustian”.

Viktor Hygo zbulon thelbin e vërtetë të Bajronit dhe proklamon poetin liberator

Po e veçojmë këtu Viktor Hygonë nga korifejtë e tjerë të letërsisë franceze të asaj kohe pasi na duket sikur ai, më shumë se të tjerët e shoqëroi për një kohë të gjatë veprën e këngëtarit të Prometeut me “Orientalet” e tij”. Referencat janë të shumta. I frymëzuar nga “Mazzeppa” e Bajronit, kater vjet pas vdekjes së tij, Hygo boton “Mazzeppa”-n e tij duke u bashkuar frymës bajroniane dhe duke cituar që në fillim të poemës shprehjen e Bajronit “Away! Away! – Përpara! Përpara!”. Edhe pse një vjershërim tjetër dy poemat duket sikur shkrihen në një. Ato kanë të njëjtën forcë, vrull, dramacitet dhe tingëllim heroik.

Është fakt që shkrimet e Bajronit të frymëzuara nga një botë në zgjim në Ballkanin e robëruar dhe obskurantist, bënë që shumë shkrimtarë e artistë francezë të mbruheshin me ide të reja. Bota duhej ndryshuar. Ja pse dhe vepra e Hygoit në vitet ’30-’40 të shekullit XIX fitoi dimensione të reja, atë të luftës për liri dhe një qytetërim të ri… “« Bajroni – do të shkruante Hugo, i cili gjithashtu do të shkruante për suljotët tek « Orientalet » e tij, – i ngjante përfaqësuesit luftarak të muzës moderne në atdheun e muzave antike. Ndihmës bujar i lavdisë, i fesë dhe i lirisë, ai solli shpatën dhe lirën e tij pasardhësve të luftëtarëve dhe poetëve të hershëm. Ne i detyrohemi, veçanërisht ne, me një mirënjohje të thellë. Ai i provoi Europës se poetët e shkollës së re, edhe pse nuk i dhunojnë më hyjnitë e Greqisë pagane, i adhurojnë gjithnjë heronjtë e tyre dhe se edhe pse e kanë braktisur Olimpin, ata nuk i kanë thënë kurrë lamtumirë Termopileve. Vdekja e Bajronit u prit në gjithë kontinentin përmes një dhimbjeje universale… Duhet të lëvdohemi se një simpati na tërhiqte drejt Bajronit. Nuk ishte vetëm tërhqeja që gjeniu i bën gjenisë : ishte të paktën një ndjenjë e sinqertë admirimi, entusiazmi dhe mirënjohje, pasi duhet tu jemi mirënjohës njerëzve, veprat e aksionet e të cilëve bëjnë të na rrahë zemra…« Ai vdiq në mënyrën më fisnike. Kur na lajmëruan për vdekjen e tij na u duk se na hoqën një pjesë të ardhmërisë sonë. Në kohën e revolucioneve tona të mrekullueshme dy sisteme politike luftonin mbi të njëjtën tokë. Një shoqëri e vjetër më së fundi përmbysej dhe një shoqëri e re nisi të ngrihej. Këtu tek ne rrënoja, atje përpjekje. Në këngët e tij funebre, lord Bajroni shprehu konvulsionet e fundit të një shoqërie që po jepte shpirt…”

Filed Under: Opinion

VATRA NDEROI PROF. THANAS GJIKËN NË 80 VJETORIN E LINDJES

July 15, 2024 by s p

Sokol Paja/

Worcester, MA, 14 Korrik 2024- Federata Pan-Shqiptare e Amerikës “Vatra” nderoi Prof.Thanas Gjikën në 80 vjetorin e lindjes dhe 75 vjetorin e bashkëshortes, poetes Julia Gjika. Në një drekë private mes miqsh, të ftuar nderi, familjarë, vatranë e atdhetarë të spikatur të komunitetit shqiptar në Worcester, delegacioni i Vatrës kryesohej nga kryetari Dr.Elmi Berisha, sekretari Dr. Pashko Camaj, arkëtari Besim Malota, nënkryetari i Këshillit të Vatrës Hirësia e Tij Peshkop Theofani, anëtari i kryesisë Paulin Mrnaçaj, kryetarja e degës Worcester Efi Qeleshi, kryetarja e degës Vatra Westchester -Putnam Drita Vushaj dhe editori i Diellit. Pjesëmarrësit nderuan e vlerësuan kontributin kombëtar, komunitar, atdhetar e publicistik prej 50 vitesh të Prof.Gjikës.

Hirësia e Tij Peshkop Theofani bekoi me lutje dhe uratë drekën e të pranishmit, ndërsa kryetari i Vatrës Dr. Elmi Berisha theksoi se Prof. Thanas Gjika me shkrime, portrete, ese, vlerësime, kujtime, shënime mbi jetën dhe punën e shumë shqiptarëve të shquar, që ka botuar në Gazetën “Dielli” dhe në libra të ndryshëm të tij publicistik e teologjik, ka lartësuar kombin e komunitetin tonë. Me rastin e 80-vjetorit jemi për ta felënderuar për këtë punë të vlefshme krahas punës së tij shkencore për vërtetimin e punës misionare të Shën Palit në trojet ilire. Profesor i dashur, mos u ndalni në misionin tuaj fisnik në ndriçimin, afirmimin dhe promovimin e vlerave tona kombëtare. Vatra dhe brezat që vijnë dhe mbarë kombi do ju jemi gjithmonë mirënjohës” tha ndër të tjera kryetari Berisha. Sekretari i Vatrës Dr. Pashko Camaj vlerësoi veprimtarinë e gjatë të Prof. Gjikës në shërbim të çështjes kombëtare dhe komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për të ftuarit e nderit Prof. Gjika dhuroi librin e tij më të fundit: “Saint Paul in Durrah, corrections of some notes and maps of the new testament”.

Në fjalën e falënderimit Prof. Thanas Gjika vlerësoi mirënjohjen e Vatrës, Diellit e të gjithë miqve e të ftuarve që celebruan ditën e lindjes së tij dhe bashkëshortes Julia Gjika. Ai përcolli për të gjithë të pranishmit mesazhe patriotike e atdhetare për zhvillimin e komunitetit, kombit e bashkimin kombëtar të të gjithë shqiptarëve.

Në fund të ceremonisë festive Ani Gjika shprehu mirënjohjen, respektin e dashurinë për prindërit e saj Julia e Thanas për sakrificat, dashurinë, dedikimin, frymëzimin, përkujdesjen dhe shembullin e shkëlqyer në jetë.

Filed Under: Opinion

VATRA DËNON ASHPËR SULMIN ME ARMË NDAJ ISH-PRESIDENTIT TË SHTETEVE TË BASHKUARA TË AMERIKËS DONALD TRUMP

July 14, 2024 by s p

New York, 14 Korrik 2024 – Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra dënon ashpër sulmin e tmerrshëm të armatosur ndaj ish-Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Donald Trump. Një ngjarje e rëndë dhe tronditëse që shokoi, tmerroi e indinjoi mbarë Amerikën e opinionin publik botëror.

Sulmi i neveritshëm dhe barbar ndaj Donald Trump dhe mbështetësve të tij në Pensilvani duhet të marrë goditjen më të fuqishme prej institucioneve ligjzbatuese amerikane. Akti skandaloz jo vetëm që nuk do ta destabilizojë Amerikën por do ta bëjë më të fortë e më të bashkuar. Atentati i rëndë me armë, sulmet dhe dhuna janë veprime të pa pranueshme në shtetin më demokratik e më të zhvilluar të botës.

Vatra bën thirrje për bashkim, paqe, unitet dhe lutje.

Federata Vatra i uron shërim të shpejtë ish-Presidentit Donald Trump dhe lutet për jetën e humbur e trupat e lënduar.

Asnjë forcë e errët nuk do të mund ta ndalë kurrë Amerikën.

Zoti e bekoftë, e ruajt dhe e mbroftë Amerikën.

Në emër të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra

Kryetari

Dr. Elmi Berisha

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 76
  • 77
  • 78
  • 79
  • 80
  • …
  • 858
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry
  • Universiteti Shtetëror i Tetovës si Paradigmë e Arsimit të Lartë Shqiptar
  • Kujtesë e misionit profesional dhe jetësor që na bashkon…
  • LAHUTA SHQIPTARE NË DËSHMITË E HISTORIANËVE, ALBANOLOGËVE DHE STUDIUESVE EUROPIANË
  • Justina Aliaj e kthen Nënën Terezë në qytetin e saj të fëmijërisë
  • Unioni i Gazetarëve Shqiptarë dega në SHBA nderoi gazetarë të shquar shqiptaro- amerikanë
  • “Sekretet” e Faik Konicës, roli si Kryetar i “Vatrës” dhe editor i “Diellit”
  • Libri “Dënesje në dru” i shkrimtarit Lazër Stani, prozë e kërkimeve absurde
  • Bashkëpunimi ruso-serb në veri të Vilajetit të Kosovës (1901)
  • Lufta hibride ruse dhe mësimi për shqiptarët
  • Paradoks gjuhësor dhe letrar
  • “Dardanët”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT