• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kontributi i Bajo Topullit në përhapjen e mësimit në gjuhën shqipe dhe emancipimin e shqiptarëve

October 3, 2024 by s p

Dr. Nikollë Loka/

Bajo Topulli, pinjoll i një familje nga paria gjirokastrite, u lind në Gjirokastër, i biri i Ago Fehmi Topullit dhe i Hasijes së Laze Mullait nga Kardhiqi. Më 23 gusht të vitit 1884, në moshën 11 vjeç, i shoqëruar nga vëllai i tij dhe të rinj të tjerë gjirokastritë, u nis drejt Stambollit, ku nisi studimet e tij në një ryzhdije ushtarake të kryeqytetit. Gjatë viteve të shkollimit ra në kontakt me Jani Vreton. Më tej vijoi studimet në idadije dhe përfundoi degën e shkencave të shkollës normale. Më 1893 u emërua mësues i kimisë, kozmografisë dhe “i mbajtjes së regjistrave” në idadijen e Trabzonit. Dy vite më pas u transferua në idadijen e Erzurumit, si nëndrejtor dhe profesor i gjeografisë e shkencave natyrore. Gjatë kësaj periudhe ra në kontakt me një përfaqësues lokal të Shoqërisë Biblike, që u bë shkak të nxiste zellin e veprimit për shqiptarizmin. Ai i dha disa libra të Naim Frashërit, të cilin më pas e Bajua e njohu, kur kaloi nga kryeqytet Stamboll. Naimi e përfshiu në rrjetin e veprimtarëve shqiptarë, duke e rekomanduar te Rauf bej Leskoviku në Selanik. Kur u emërua profesor i idadijes së Selanikut, mbante në dhomën e tij gazeta dhe libra në shqip, asokohe të ndaluara në Perandori. Vëllai i tij, nxënës i shkollës, i lexonte përnatë.

Rritja e vetëdijes kombëtare te shqiptarët bëri që intelektualët dhe borgjezia e re kombëtare të kërkonte të drejta si popull me identitet të veçantë. Nacionalistët shqiptarë i karakterizoi dymendësia rreth fatit të shqiptarëve. Kjo shtresë e kishte diturinë intelektuale, por i mungonte emancipimi. Shkurt, nacionalizmi shqiptar ishte pa shtresë të mesme, kishte tru dhe zemër që ushqehej nga vegjëlia, por pengohej dhe luftohej nga turkoshakët, që në disa raste ishin më të rrezikshëm se aparati shtetëror i një perandorie megallomane që po kalbej nga brenda. Me mundësitë që fitoi lëvizja kulturore kombëtare, me detyrat që shtroheshin për zhvillimin e një veprimtarie të gjerë e të organizuar për zgjimin kombëtar, duke hapur shkolla në gjuhën amtare, duke përhapur në masat e gjera shkrimin e leximin e shqipes, duke shtuar organet e shtypit e botimet e ndryshme, çështjet e lidhura me fjalën e shkruar shqipe merrnin një rëndësi të veçantë. Turqit e Rinj, me programin e tyre nacionalist e kishin forcuar idenë e unitarizmit të Perandorisë Osmane edhe në aspektin gjuhësor, prandaj ky qëndrim i tyre do të binte ndesh me konceptin e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Separatistët shqiptarë, në ditët e para të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, theksuan zhvillimin dhe përhapjen e gjuhës shqipe, veçanërisht përmes shkollave, me qëllim të ngritjes së vullnetit kombëtar dhe bashkimit të popullit. Intelektualët shqiptarë, në çdo rast, bënin kërkesa tek autoritetet osmane për çështjen e gjuhës amtare dhe hapjen e shkollave” (Alpan,1979: 9-10).

Elitat shqiptare e dinin mirë faktin se emancipimi kulturor në shkallë të gjerë mund të arrihej vetëm pas zhvillimit të sferës publike dhe të strukturave të shoqërisë civile, me themelimin e shoqatave patriotike dhe kulturore. Intelektualët shqiptarë fillimisht formuan shoqëri sekrete ose zyrtare, komitete dhe klube për të hulumtuar tema të tilla si gjuha shqipe, kultura, historia, etj., botuan gazeta, organizuan kongrese dhe konferenca dhe u përqëndruan në aktivitete kulturore. Por, me kalimin e kohës, ata dëshironin autonominë dhe pavarësinë e Shqipërisë përmes komiteteve. Në kongreset dhe konferencat e mbajtura jashtë vendit nën udhëheqjen e këtyre shoqërive, ata u përpoqën të promovonin praninë kombëtare shqiptare dhe grumbulluan para për aktivitetet kombëtare. Nga ky këndvështrim, shoqëritë shqiptare, kongreset dhe shtypi i tyre jo vetëm që kryenin aktivitete kulturore, por gjithashtu kryenin edhe vepra të rëndësishme për arritjen e qëllimeve politike (Nafiz-Kiramettin,2007, 32). Këto shoqëri dhe komitet zakonisht vepronin jashtë vendit, kurse ato të formuara në Stamboll nuk mbijetuan shumë, për shkak të presioneve. Qëllimi i themelimit të komiteteve shqiptare në fillim ishte krijimi i një ndjenje dhe një uniteti kombëtar midis vetë shqiptarëve (BOA, Hariciye Nezareti Siyasi (HR.SYS), 125 / 47). në nëntor të vitit1905, kur Bajua ishte nëndrejtor në shkollën e mesme osmane, u formua Komiteti i Fshehtë për Çlirimin e Shqipërisë. Anëtarët e këtij Komiteti ishin: Hali Bej, shef i Shërbimit Farmaceutik të Korparmatës së Tretë; Fehim Bej Zavalani, pronar tokash nga Kolonja; Bajo Topulli, mësues, nëndrejtor i gjimnazit të Manastirit; Gjergj Qiriazi, mësues, përkthyes në Konsullatën Austro-Hungareze në Manastir; Dr. Sejdedini, veteriner i qytetit (Skëndi,1967:207-210). Komiteti hartoi Kanonizmën e vet. Në nyjën (nenin) e parë të saj thuhet se “qëllimi i këtij Komiteti është të ngjallurit e Shqipërisë, duke mbjellë vëllazërimin, dashurinë, bashkimin, duke përhapur udhën e qytetërimit me anën e librave që do të shtypen, duke dërguar njerëz në të gjithë anët e Shqipërisë që të mbjellin mendime për mbrothësinë e kombit dhe shpëtimin nga zgjedha dhe errësira në të cilën gjendet sot”.

Komiteti i fshehtë i Manastirit shtronte kërkesa si: njohja e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare për t’u përdorur në punët administrative dhe shkollat; punësimi i nëpunësve shqiptarë në gjeografinë shqiptare, etj.; mbrojtjen e krahinave të Rumelisë nga njësitë ushtarake të përbëra nga shqiptarë. Në rregulloret e tij synohej “rigjallërimi i Shqipërisë”; “luftimi kundër rrezikut që rrethon Shqipërinë”. Meqenëse mjeti i parë për qytetërimin e një kombi është gjuha, detyra e çdo anëtari ishte të ndihmonte të tjerët, për t’u ndriçuar mendjen dhe për të pasur dashuri më të madhe për atdheun”(Emini, 2024; Olgun, 2018: 129).

Është e vërtetë se gazeta Drita e Shahin Kolonjës, që Bajo Topulli ndoshta e ka lexuar në Manastir, kishte nisur një fushatë, pas vrasjes së priftit Papa Kristo Negovani, duke denoncuar përgjegjësinë e Greqisë dhe të kishës greke, të akuzuar për barbari dhe egërsi. Gazeta kishte kontribuar në ngritjen e Papa Kristos në rangun e dëshmorit të gjuhës dhe të kombit. Redaktori i saj i shtynte lexuesit të hakmerreshin për këtë ngjarje(Clayer, 2005). Anëtarët e Komitetit shqiptar donin të shprehnin publikisht “solidaritetin kombëtar” përmes “hakmarrjes”, duke shfrytëzuar të Drejtën Zakonore Shqiptare. Megjithatë, ky solidaritet ishte më i dukshëm, pasi ndodh përtej kufinjve fetarë (Clayer, 2005). Vrasja e Peshkopit të Patrtriarkanës, Fotit, më saktë e përfaqësuesit më të lartë të hierarkisë kishtare ortodokse në qarkun e Korçës, sigurisht që ka një karakter inaugurues. Me të në skenën politike u shfaq mobilizimi klandestin shqiptar që sapo ishte formuar pak muaj më parë. Mesazhi u drejtohet autoriteteve osmane, të cilat akuzohen se nuk garantonin drejtësi. Ai i drejtohet edhe Patrikanës së Stambollit dhe hierarkisë ortodokse, pa harruar autoritetet shtetërore greke, të akuzuara për bashkëpunim të ngushtë me këtë hierarki. Por, kjo është dëshmi e një angazhimi që mund të çonte në dhunë; një mesazh drejtuar popullatës së rajonit në tërësi. Për ata që dëshironin të bashkëpunonin me hierarkinë patriarkiste “progreke”, do të thoshte se, meqenëse ky autoritet është prekur, mund të preken edhe të gjithë ata që ndjekin linjën e saj. Të tjerëve ai u tregoi se prej atëherë solidariteti në mes të myslimanëve dhe të krishterëve, brenda kombit shqiptar, është një gjë konkrete dhe prandaj kufiri fetar nuk mund të pengonte në asnjë mënyrë ekzistencën e këtij kombi. Komiteti organizoi edhe ekzekutimin e “Bimbashit”-komandantit të xhandarmerisë në Gjirokastër, me 9 mars 1908.

Bajua bashkëpunoi me lëvizjen xhonturke dhe pati ndikim në shpalljen e Monarkisë Kushtetuese (Olgun, 2018: 129). Pas ngadhënjimit të revolucionit xhonturk e deri në pranverën e vitit 1909, duke shfrytëzuar liberalizmin e jetës shoqërore dhe politike, patriotët shqiptarë u angazhuan në hapjen e klubeve dhe të shkollave shqipe, nxorën shumë gazeta dhe revista shqipe që i dhanë hov zhvillimit të arsimit dhe kulturës kombëtare, e krahas me të, edhe ngritjes së vetëdijes kombëtare (Rrahimi, 1969:13). Në veri themelimi i klubeve ishte i vështirë. Njerëzit ishin të prapambetur dhe fanatikë. Në Kosovë ka pasur persona, të cilët ende besonin se kushtetuta ishte bid’at (risi kundër ligjit fetar). Vetëm në Shkup u bë e mundur të krijohet një klub, prandaj nga Selaniku u dërguan dy patriotë të zotë: Bajo Topulli dhe Shahin Kolonja. Ndryshe nga qytetet e tjera veriore, Shkupi ishte i ndikuar nga idetë kombëtare, me klubin ku drejtues ishin: Hasan Prishtina, Bajram Curri, Bedri Pejani dhe Nexhip Draga(Skëndi, 1967:348).

Patriotët shqiptarë, duke vënë re se kishte vështirësi në hapjen e shkollave shqipe, bënë përpjekje për të përfshirë mësimin e gjuhës shqipe në sistemin shkollor shtetëror, si në shkollat turke, ashtu edhe në ato greke, që ishte hapi i parë drejt kthimit të shkollave fillore në kombëtare. Në fund të 1908-s dhe në fillim të 1909-s, mësimi i gjuhës shqipe u fut edhe në gjimnazin turk të Manastirit dhe në shkollat shtetërore të Gjirokastrës, ndërsa në Korçë e në Kolonjë, Qeveria e ndaloi futjen e gjuhës shqipe, por atëherë shkollat turke dhe greke të qytetit u bojkotuan nga nxënësit shqiptarë (Kaceli, Dobruna, 1919:105), që ishin shumica dërmuese. Një arritje e rëndësishme e shqiptarëve të Kosovës ishte futja, në fund të vitit 1909, e gjuhës shqipe në gjimnazin turk të Shkupit, ku, sikurse theksohet në dokumentet e kohës, një meritë të veçantë pati edhe “prijësi i njohur i lëvizjes kombëtare, Bajo Topulli, i cili ndodhej në atë kohë në Shkup (AIH -VJ. 18-54567).

Bashkimi kombëtar rreth gjuhës së përbashkët nënkuptonte dhe krijimin e një alfabeti të përbashkët, në mënyrë që të gjitha botimet në shqip të lexoheshin pa pengesa nga të gjithë shqiptarët. Në Kongres morën pjesë 50 delegatë nga treva të ndryshme ku jetonin shqiptarë, që përfaqësonin 23 klube dhe shoqëri kulturore shqiptare, ndërsa të drejtë vote kishin 32 prej tyre. Delegatë të Kongresit ishin gjuhëtarë, shkrimtarë, publicistë të njohur, lëvrues të gjuhës shqipe, laikë e klerikë nga treva të ndryshme shqiptare si: Elbasani, Tirana, Librazhdi, Berati, Vlora, Gjirokastra, Janina, Korça, Kolonja, Leskoviku, Manastiri, Ohri, Resnja, Kërçova, Shkupi, Mati, Dibra, Shkodra, si dhe nga diaspora arbëreshe në Itali e shoqatat atdhetare në emigracion: Rumani, SHBA, Bullgari, Turqi (Osmani, 1999:461-496). Për të shqyrtuar me kujdes të gjitha propozimet dhe për të arritur në zgjidhje të mira e funksionale, në ditën e tretë të punimeve, Kongresi zgjodhi një komision prej 11 anëtarësh, të kryesuar nga Át Gjergj Fishta, ku bënin pjesë njohësit më të mirë të gjuhës shqipe, përkrahës të alfabeteve të Stambollit, të “Bashkimit”, të “Agimit”, si dhe intelektualë të tjerë të shquar (Osmani, 1999:461-496), ndër të cilët dhe Bajo Topulli. Zgjedhja e anëtarëve të Komisionit u bë me votim të fshehtë. Komisioni vazhdoi punën në datat 17-19 nëntor 1908, me fuqi të plota për të vendosur për këtë çështje (Osmani, 1999:461-496). Pas Shpalljes së Pavarësisë, për 15 vjet Bajua jetoi e punoi në Turqi, ku pati poste të larta drejtuese në kohën e Mustafa Qemal Ataturkut. Në vitin 1925, ai kthehet në Gjirokastër, ku e propozojnë për kryetar Bashkie, i cili, edhe pse i sëmurë, e drejtoi për tri vjet me radhë. Gjatë kohës së drejtimit ndërmori një sërë reformash, që lanë gjurmë dhe u bënë traditë e bashkëjetesës qytetare në Gjirokastër(Kaja, 2021). Bajo Topulli mban dekoratën e lartë “Hero i Popullit” për kontributin e jashtëzakonshëm në Lëvizjen Kombëtare për Pavarësi. Emrin e tij mbajnë disa rrugë: në Tiranë, Gjrokastër, Prishtinë, Gjakovë; një shkollë në Gjirokastër mban emrin e tij.

Filed Under: Opinion

GAZETA DIELLI NJOFTIM PËR VATRANËT DHE ABONENTËT 

September 8, 2024 by s p

Të nderuar Vatranë dhe abonentë të gazetës Dielli, të kushtëzuar nga rritja e çmimit të postës për dërgimin e gazetës dhe shtyshkronjës ju bëjmë thirrje për likujdimin e detyrimeve financiare të prapambetura ndaj Gazetës Dielli dhe saktësimin e adresave të reja për të gjithë ata vatranë apo abonentë të Diellit që kanë ndryshuar adresën e dërgimit të gazetës. 

Me rritjen e pa imagjinueshme të kostove të gazetës, nuk kemi mundësi që t’ua dërgojmë falas gazetën. 

Ju lutemi brenda datës 30 Shtator 2024, dërgoni pagesat dhe adresat e përditësuara, në të kundërt e kemi të pamundur dërgimin e gazetës për ju pas datës 1 Tetor 2024.

Pagesa për gazetën duhet të dërgohet në adresën e Vatrës: 2437 Southern Blvd, Bronx, NY 10458. Adresat e reja të dërgohen në email zyrtar të gazetës: gazetadielli@gmail.com.

Për çdo pagesë, ndihmë, sqarim apo paqartësi financiare ju lutemi kontaktoni Arkëtarin e Vatrës z.Besim Malota cel: 203 455 7167.

Lutemi dhe shpresojmë në mirëkuptimin tuaj.

Gazeta Dielli – Owned and published by the Pan-Albanian Federation of America -VATRA

2437 Southern Blvd, Bronx, NY, 10458

Filed Under: Opinion

Përpjekjet e Patriarkanës së Stambollit kundër shkollës shqipe

September 7, 2024 by s p

Dr. Nikollë Loka/

Kisha ishte mjeti i parë politik i entiteteve që u bënë shtete kombëtare në Ballkan(Karpat, 2014). Grekët dhe sllavët, falë përdorimit të gjuhës greke e sllave në ceremonitë fetare dhe në të gjitha entitetet ortodokse, kishin arritur të mbronin pjesët bazë të kulturës së tyre me mjetin më të rëndësishëm, gjuhën. Sistemi mori pak kohë për t’u zhvilluar dhe milete të tjera u krijuan më vonë, veçanërisht në shek. XIX dhe derisa mileti pas Revolucionit Xhonturk, u bë sinonim i kombësisë(Methodieva,2021:13). Mileti i parë që u institucionalizua ishte ai ortodoks. Bota ballkanike në këtë kohë ishte ortodokse jokombëtare(Stavrianos,1975: 345). Deri në gjysmën e dytë të shek. XVIII, territoret ballkanike ishin nën autoritetin e tri kishave të njohura autoqefale nga autoritetet osmane. Juridiksioni i Patrikanës së Stambollit fillimisht ishte i kufizuar në zona të përcaktuara mirë të Ballkanit dhe Anadollit. Shumë pjesë të Ballkanit në Bosnjën e sotme, Serbi, Maqedoninë e Veriut, Greqinë e Veriut dhe Shqipërinë e Jugut ishin nën juridiksionin e Patrikanës serbe të Pejës ose Kryepeshkopatës autoqefale bullgare të Ohrit(Shea,1997: 1972-1973). Ndërsa patriarkët e Pejës ishin serbë, shumë kryepeshkopë të Ohrit ishin bullgarë, vlleh ose shqiptarë, shpesh nga Himara ose Voskopoja(Hupchick,2002:206).

Shfuqizimi i kishave autoqefale serbe dhe bullgare e forcoi procesin e greqizimit të popullsisë së etnive të ndryshme. Nëpërmjet miletit ortodoks, gjuha greke u bë gjuha e Ballkanit osman jomysliman dhe kultura fetare greke u nxit pothuajse në çdo qendër kishtare ortodokse nën kontrollin e Patrikanës së Stambollit(Stavrianos, 1957: 345, Mackridgel 2009: 75). Hegjemonia kulturore greke brenda miletit ortodoks shkoi e padiskutueshme deri në mesin e shekullit të nëntëmbëdhjetë. Këto zhvillime çuan në një prestigj edhe më të madh të gjuhës greke në tokat osmane (Mackridgel 2009: 75).

Në tërësinë e tij, elementi ortodoks i Ballkanit Jugperëndimor përmblidhte shqiptarë, grekë, arumunë, sllavë dhe ciganë. Në vitet 1766-1767, kur u mbyllën Patrikana e Pejës dhe Argjipeshkvia e Ohrit, të gjithë u lidhën shpirtërisht me Patrikanën e Stambollit dhe hierarkinë e saj. Por, duke filluar nga gjysma e dytë e shek. XIX, krijimi i shteteve të para ballkanike(Serbi, Greqi, Principata rumune) dhe rritja e “nacionalizmave ortodoksë” çuan në krijimin e rrjeteve rivale që mbështeteshin në hierarki të dallueshme nga njëra-tjetra dhe te përdorimi i gjuhëve liturgjike (dhe të shkollimit) të ndryshme(Clayer, 2012: 46). Në ringjalljen intelektuale që ndodhi në Ballkan, grekët ishin përsëri zënë një pozicion drejtues. Tregtarët grekë kishin qenë më parë të gatshëm të investonin fitimet e tyre në shkolla dhe ata e panë vlerën e dërgimit të djemve të tyre për shkollim në Evropë(Jelavich&Jevalich,1977: 14).

Në fund të shekullit të tetëmbëdhjetë dhe në fillim të shekullit të nëntëmbëdhjetë, kombësitë e tjera ndanë gjithashtu një periudhë zgjimi kulturor kombëtar, i cili do të kishte një rëndësi të madhe për lëvizjet e ardhshme revolucionare. Edhe pse numri i tyre ishte jashtëzakonisht i kufizuar dhe ndikimi i tyre i drejtpërdrejtë në punët e kohës ishte i kufizuar, studiuesit, shkrimtarët dhe propaganduesit kombëtarë dukeshin se përfaqësonin interesat e kombit të tyre. Ata kishin një interes të thellë për gjuhën dhe historinë e tyre kombëtare dhe në përgjithësi kishin një njohje të ngushtë me iluminizmin(Jelavich&Jevalich,1977: 15).

Gjuha e arsimit nuk ishte domosdoshmërisht e njëjtë me gjuhën e folur në shtëpi, megjithatë hartat shkollore mundësonin vendosjen e pikave referuese për një hapësirë gjeografike më të favorshme për çështjen kombëtare që shtetet ballkanike synonin ta mbronin. Ata kufizuan në mënyrë implicite një “zonë të legjitimitetit kombëtar” dhe si të tillë skicuan kufijtë e një gdhendje të ardhshme të zotërimeve evropiane të Perandorisë Osmane(Lory,2011: 47).

Në fund të shek. XVIII dhe në fillim të shek. XIX në viset shqiptare depërtuan idetë e iluminizmit europian, jehonat e parimeve dhe të ngjarjeve të përftuara nga Revolucioni Francez e më pas nga romantizmi, si dhe më nga afër, shembulli i përpjekjeve mes popujve të tjerë të Ballkanit për t’u shkëputur si nga sundimi i huaj e prapambetja, ashtu edhe për të ecur në rrugën e qytetërimit, pjesëmarrës të të cilit kishin qenë edhe viset shqiptare si vise europiane(Lloshi, 2016:51). Në rrjedhën e shekullit të nëntëmbëdhjetë, autorët ballkanikë, të cilët kishin mësuar në shkollat ​​greke, shkruanin bullgarisht ose shqip dhe ata kështu zbuluan dhe lartësuan individualitetin e popujve të tyre nëpërmjet kultivimit të identitetit të tyre të veçantë gjuhësor(Kitromilides, 2006: 46). Grekët, bullgarët, vllehët, serbët dhe shqiptarët formuan kombe, secili me gjuhën e vet(Kitromilides, 1989: 158).

Në shekullin e nëntëmbëdhjetë, Kisha Ortodokse Greke bëri përpjekje të pabesueshme për të shtypur të gjitha shenjat e veprimtarisë kulturore shqiptare. Një akt aq i padëmshëm sa mbështetja për hapjen e një shkolle në gjuhën shqipe mund të çojë në shkishërim. Zgjimi kombëtar shqiptar dhe rritja e njëkohshme e ndërgjegjësimit kombëtar do të binte në konflikt me interesat greke(Elsie, 2006: 290). Si qeveria osmane, ashtu edhe patriarkana greke ishin të vetëdijshme për rrezikun që etnonacionalizmi i bazuar në gjuhë i shkaktonte autoritetit të tyre të vazhdueshëm, kështu që ato u angazhuan për t’i penguar shqiptarët të zotëronin një gjuhë letrare: osmanët mandatuan turqishten si gjuhë mësimore në shkollat ​​e tyre shtetërore shqiptare dhe ndaluan botimin e librave në gjuhën shqipe, ndërsa Patriarkana përdori shkollat ​​e saj kishtare për të nxitur simpatitë pro-greke në mesin e studentëve të tyre shqiptarë(Hupchick, 2002: 303-304; Evered,2012: 54).

Forcimi i lidhjeve midis “identitetit ortodoks” dhe “identitetit grek” në pjesën perëndimore të Gadishullit Ballkanik, nën autoritetin shpirtëror të Patrikanës së Stambollit, do t’i shtynte disa veprimtarë të shqiptarizmit të ndërtonin një “ortodoksi shqiptare”, në të njëjtën mënyrë siç ishte krijuar “ortodoksia bullgare” me formimin e Ekzarkatit(Poulton,2000: 65). Patrikana për të penguar formimin e Kishës Autoqefale Shqiptare, po përpiqej të eleminonte përpjekjet e komuniteteve ortodokse shqipfolëse jugore në rajon për të krijuar kishën kombëtare, siç kishte ndodhur me serbët, bullgarët dhe vllehët. Në vitin 1886, Patriarku ekumenik i Stambollit kërcënoi se do të shkishëronte këdo që gjendej duke lexuar ose shkruar shqip, dhe priftërinjtë mësonin se “Zoti nuk do t’i kuptonte lutjet e shqiptuara në shqip”(Zickel &Iwaskiw,1992: 19). Nga fundi i shekullit të nëntëmbëdhjetë në qytetet e Shqipërisë së Jugut, falë mbështetjes së rëndësishme të Patriarkut grek të Stambollit, shkollat ​​fillore ortodokse greqishtfolëse morën një përhapje të madhe. Sipas një statistike të vitit 1878 vetëm në Gjirokastër, Vlorë dhe Berat kishte 163 shkolla fillore. Nga viti 1879 në rajonet e Beratit, Korçës dhe Durrësit u hapën 125 shkolla greke; sipas të dhënave të publikuara nga Konsullata e Janinës në vitin 1882 ky vilajet kishte 643 shkolla për djem ose shkolla të përziera me 736 mësues dhe 22 shkolla për vajza me 40 mësues; 84 shkolla fillore greke u hapën në vitin 1894 në sanxhakun (sanxhak) të Gjirokastrës(Shllaku, 1924: 63).Në fund të shekullit të 19-të, në të katër vilajetet, funksiononin më shumë se njëmijë shkolla në gjuhën greke(Hoti-Dani, 2014: 181-187). Grekomanet përsërisnin parullën e njohur: “Të gjithe ortodoksët, pa marrë parasysh se ku jetojnë e ç’gjuhë flasin, janë grekë”.

Pa dashur të ndalemi në kontekstin historik të hapjes së shkollës së parë laike shqipe, na duhet të theksojmë se nevoja për zhvillimin e arsimit kombëtar bëhej më e ngutshme, duke qenë se arsimi në gjuhë të huaj u zhvillua shumë në këtë periudhë. “Në vitet ’80-të të shekullit të XIX-të, qyteti i Korçës kishte 3 shkolla në gjuhën turke, 4 shkolla në gjuhën greke, ndër të cilat një gjimnaz, një shkollë fillore vllahe (themeluar në 1885) dhe një bullgare (themeluar më 1891(Kryeziu, 2017:100). Në ato kushte përhapja e arsimit shqip përbënde domosdoshmëri. Shqiptarët që kishin themeluar shoqerinë shqiptare në Stamboll arritën të marrin nga Ministri i Arsimit të Turqisë leje për të çelur shkollë private në gjuhën shqipe, në Korçë. Leja u dha në emrin e Pandeli Sotirit(Xhanari (Latifi), 2017:173).Dy javë më vonë u çel shkolla shqipe në Pogradec, pastaj me radhë në Ohër, Rekë, Ersekë, Leskovik, Polenë, Luaras, Elbasan (Historia e Arsimit 2003: 16). Shkollat shqipe të hapura në jug të vendit, nën presionin e Mitropolisë së Korçës dhe Patrikut të Stambollit filluan të mbyllen nga autoritetet osmane. E vetmja që shpëtoi me vështirësi, ishte ajo e Korçës, e cila u përball me sulme të vazhdueshme dhe në vitin 1891 vdiq drejtori i parë i saj shkolle Pandeli Sotiri. Mësues të tjerë si Gjok Shqiptari ishte vrarë dhe Petro Nini Luarasi ishin helmuar(Lito, 2004:76).

Për të siguruar objektivat e saj, Lëvizja Kombëtare Shqiptare kombinoi veprimtarinë legale me atë ilegale. Një brez i tërë me ndikim të madh: intelektualë, publicistë, mësues e punonjës të shtetit, në nëntor të vitit 1905, themeluan komitetin sekret “Për lirinë e Shqipërisë” në qytetin e Manastirit, që shënoi fillimin e një organizimi më të gjerë kombëtar. Komiteti hartoi një program të strukturuar mirë: sipas statutit, qëllimi i organizatës ishte “ringjallja e shtetit shqiptar, vëllazërimi, dashuria, bashkimi dhe hapja e një rruge qytetërimi nëpërmjet librit dhe edukimit”(Hoti Dani, 2014:105). Në nëntor të vitit 1905 u themelua Komiteti sekret “Për lirinë e Shqipërisë” në qytetin e Manastirit, që shënoi fillimin e një organizimi më të gjerë kombëtar, i cili u ndikua nga veprimtaritë e komiteteve të tilla që krijuan grekët dhe bullgarët në të njëjtin territor”(Hoti Dani, 2014:105). Lufta midis shqipes dhe greqishtes jo vetëm që nuk ishte ndërprerë por ajo vazhdonte të bëhej çdo ditë e më shumë një luftë e acaruar deri sa Shqipëria të shpallej një shtet i lirë. Kjo luftë u zhvillua përmes kërcënimesh e viktimash sidomos pas krijimit të Shoqërisë së Stambollit dhe çeljes së shkollave shqipe. Pandeli Sotiri mbeti i pari në këtë luftë pas Naum Veqilharxhit e më pas edhe Petro Nini Luarasi. Propaganda fetare, shpifjet, shantazhet, frikësimet dhe shtrëngimet kundër mësuesve, nxënësve, prindërve dhe përkrahësve të shkollës kombëtare shqipe, qenë mjetet e zakonshme të agjenturave greke dhe të autoriteteve osmane.

Megjithëse pas revolucionit xhonturk ishin hapur shkollat shqipe me statusin e shkollës private, autoritetet fetare të krishtera ortodokse vazhduan të shkaktojnë trazira për të penguar hapjen e këtyre shkollave. Kisha Ortodokse greke, duke mos dashur që shqiptarët ortodoksë të mësonin në shkollat e përmendura, jo vetëm kundërshtonte me fjalë por edhe i dëbonte fëmijët që ndiqnin këto shkolla. Këta nxënës flakeshin nga bashkësia dhe nuk lejoheshin të merrnin pjesë në ceremonitë fetare(Arslan, 2014). Nga fundi i shek.XIX (ne vitin 1879) Patrikana greke e Stambollit leshoi ne qarkullim mallkimin e tipit mesjetar kundër abetares në gjuhën shqipe. Ata që mësonin me abetare të tilla, cilësoheshin si heretike nga mitropoliti i Drinopullit, Anthimi. Në këtë kohë, organi i fanariotëve dhe i Patrikanës “Ylli i lindjes” rekomandonte qe letërqarkorja e Anthimit të lexohej me vëmendje dhe, si e tillë, të gjente zbatimin e vet në praktikë.

Filed Under: Opinion

Fan Noli në Kombet e Bashkuara në New York më 9 shtator 2024

September 6, 2024 by s p

Miq të VATRES dhe DIELLIT, gjithçka është gati për të hënën, më 9 shtator 2024, nga ora 11:00 deri në 13:00, në sallën e selisë së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork!

Aty do të flasin shqip ambasadorët shqiptarë, drejtuesit e VATRES, gazetës “Dielli”, akademikë, studiues dhe autorë të ndryshëm shqiptarë që kanë shkruar për të madhin Fan S. Nolin.

Ky simpozium përkujtimor dhe historik do të mbahet me rastin e 100-vjetorit të përfundimit të misionit të Fan S. Nolit në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë.

Ky organizim, për herë të parë në Selinë e OKB-së, realizohet me iniciativë të Bibliotekës Fan Noli në Boston, VATRA dhe degës së saj në Boston, gazetës “Dielli,” dhe me mikpritjen dhe mbështetjen e ambasadorëve të Shqipërisë në Amerikë dhe në Kombet e Bashkuara.

Nëse dëshironi të bëni donacione për realizimin e këtij eventi të rëndësishëm, ju lutem klikoni linkun:

https://www.zeffy.com/…/d4a782b8-54d3-4343-8e31…

Shihemi në Nju Jork!

Në foto është agjenda e eventit.

Filed Under: Opinion

NËNA TEREZE U ANGAZHUA QË NJERIU TË MOS I NGJAJË NJË SKELETI TË ZHVESHUR NGA NDJESIA NJERËZORE

September 5, 2024 by s p

Sipas Nënës Tereze natyra njerëzore ka nevojë më tepër për anën shpirtërore sa sa materiale dhe njeriu pa komponentën shpirtërerore është një skelet që lëviz me komandën e atyre që kontrollojnë vullnetet njerëzore.

Nga Prof. dr. Skender ASANI

Nga data 26 gusht deri më 5 shtator, bëmë një një bashkëudhëtim rajonal me figurën e Nënës Tereze, i quajtur figurativisht “Drita e Gonxhës”, duke dashur që me këtë veprim të dëshmojmë se i përkasim vizionit të kësaj gruaje me zemër të madhe dhe me shpirt të pasur. Nga Shkupi, aty ku kishte lindur Gonxhe Bojaxhiu- Nëna Tereze, deri në Tiranë, aty ku prehen eshtrat e nënës dhe motrës së saj, ky bashkëudhëtim nuk ishte thjeshtë një lëvizje rutinore vetëm sa për të shënuar disa nga stacionet e rëndësishme të jetës dhe veprës së saj, por mbi të gjitha ishte intenca që të integrojmë në praktikat tona të mendimit dhe veprimit frymën dhe kauzën e flijimimit për tjetrin që ajo e përfaqësoi gjatë gjithë jetë së saj.

Hapi i parë dhe më i qëlluar që këto praktika të jenë pjesë e filozofisë sonë sociale e humane, ishte themelimi i Departamentit për studimin e trashëgimisë shpirtërore të Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Tereze në kuadër të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, me çka vendosëm një standard vlerësimi për një figurë të veçantë, siç ishte Nën Tereze. Pa këtë standard nuk mund të poretendojmë se po bëjmë mjaft për këtë figurë të madhe, sepse vetëm duke e ngritur në rrafsh institucional nderimin dhe përkushtimin ndaj saj, mund të themi se e kemi shlyer një pjesë të borxhit moral që kemi ndaj saj. Për rrjedhojë, ky nderim dhe përkushtim, me kalimin e kohës, nga viti në vit, , ka ardhur duke marrë pamje dhe fizionomi, qoftë në formë të një manifestimi të cilin tash e katër vite e mbajm, qoftë në formë të botimeve e publikemeve të ndryshme e të veçanta, përfshi edhe revistën e specializuar, me emër simbolik “Drita e Gonxhës”, një platfomë kjo që do të shërbejë si data-bazë e ideve dhe të dhënave të vlefshme të autorëve të ndryshëm mbi jetën dhe veprën e Nënës Tereze.

Jehona e një ngjarjeje asnjëherë nuk mund të marrë dhenë, nëse fuqia e asaj ngjarjeje kufizohet vetëm në suaza të ngushta të fushëveprimit. Duke e ditur këtë ligj të fizikës, ne u kujdesëm që të gjitha veprimtarive tona lidhur me Nënën Tereze t’u japim impakt më të gjerë rajonal e gjithpërfshirës, përfshi edhe qendrat tona shpirtërore-katolike të Kosovës e Shqipërisë si dhe një numër të madh pjesëmarrësish nga fusha e jetës publike, duke filluar nga personalitetet më të larta shtetërore, diplomatë të huaj, e deri te figura të rëndësishme të kulturës e dijes në Maqedoninë e Veriut, në Kosovë, Shqipëri dhe më gjerë.

Paqe, dashuri, flijim për tjetrin – ky ishte trekëndshi brenda të cilit lëvizi e gjithë kauza etike e humane e Nënës Tereze. Ajo ishte e bindur se pa paqe, pa dashuri dhe pa flijim për tjetrin nuk mund të ketë harmoni tokësore dhe prehje hyjnore. Të jetosh me barrën që askush nuk ta ngarkon në shpinë, përpos ndërgjegja jote që të jesh në shërbim të të tjerëve, është akti më sublim i fijimit dhe sakrificës njerëzore që NënaTereze me vetëdije të plotë i shndërroi në aksioma të të menduarit dhe vepruarit.

Paqa ka çmim shumë të lartë, por për paqen, sipas Nënës Tereze, duhet luftuar me dashuri, e jo me armë. Fushëbetejat paqësore janë shumë më domethënëse se sa fushëbetejat ushtarake, sepse vetëm paqa është burim i begative tokësore, kurse luftërat dhe konfliktet e rrezikojnë ndjeshëm zhvillimin dhe përparimin e njerëzimit. Mbi këto postulate etike e humane u mbështet edhe filozofia dhe teologjia e Nënës Tereze e cila autoritetin e saj e shfrytëzoi në rritjen e ndërgjegjes njerëzore, por edhe në takime me burrshtetas të ndryshëm, për parandalimin e konfliketeve, si predispozitë e krijimit të kushteve për një botë të qetë e të lumtur.

Ndonëse ishte një figurë e madhe me ndikim planetar, Nëna Tereze nuk pati ndonjë protokoll strikt në aktivitet e saj, sepse gjithçka që ajo bënte për të sëmurët, të varfërit dhe të vetmuarit, nuk duronte protokoll, nuk duronte burokraci. Kjo mënyrë e të vepruarit, ishte e kundërta e praktikave zyrtare, sepse dora e ngrohtë dhe buzëqeshja e saj ishin mekanizmat magjikë që ndikonin shumë më shumë në këndelljen shpirtërore të njerëzve, se sa çdo lloj ndihme tjetër që bëhej me pompozitet nga autoritetet zyrtare. Me këtë ajo dëshmoi se natyra njerëzore ka nevojë më tepër për anën shpirtërore sa sa materiale dhe njeriu pa komponentën shpirtërerore është një skelet që lëviz me komandën e atyre që kontrollojnë vullnetet njerëzore. “Folu butësisht njerëzve! Tregoje mirësinë në fytyrë, në sy, në buzëqeshjen tënde, në ngrohtësinë e buzëqeshjes tënde, gjithnjë të kesh buzëqeshje gazmore! Jep jo vetëm kujdesin, por edhe zemrën!”, thoshte ajo. Prandaj, Nëna Tereze u angazhua që njeriu të mos i ngjajë një skeleti të zhveshur nga ndjesia njerëzore, sepse kur njeriut i mungon njerëzorja ai shndërrohet në vegël që në mënyrë mekanike bën veprime jo të duhura. Vetëm njerëzorja, sipas Nënës Tereze, individin e bën të madh dhe jo pushteti. Prandaj ajo kur takohej me burreshtetas, ata i trajtonte pa glamurozitetin dhe pompozitetin e nevojshëm për takime të tilla, ndërkaq edhe burrshetasit kur takoheshin me të, i nënshtroheshin disi famës që ajo kishte. Ish-kryeministrja e Indisë, Indira Gandi, pas takimit me të kishte thënë: “Të takosh Nënë Terezën do të thotë të përjetosh ndjenjën e inferioritetit dhe atë të pushtetit të madh të mirësisë dhe të fuqisë së dashurisë”. Kjo edhe për faktin se Nëne Tereza nuk e pranoi asnjëherë famën si nocion që do ta bënte atë të rëndlsishme , sepse ajo shpesh thoshte se gjithçka e bënte e bënte për hir të dashurisë së Zotit. “Jam një laps i vogël në duart e Zotit. Ai më përdor për të shkruar atë që dëshiron…”, shprehej ajo.

Jemi me fat, por edhe me përgjegjësi që jetojmë në epokën e Nënës Tereze, sepse nuk mjafton vetëm ta përmendim emrin e saj në raste të ndryshme që ndërlidhen me data të rëndësishme të jetës dhe veprës së saj, por edhe ta ngrejmë nivelin e kujdesit dhe përkushtimit ndaj saj, duke e bërë këtë nivel sa më të dinjitetshëm dhe sa më të kompletuar në pikëpmaje institucionmale, një përpjekje kjo që tash më është bërë pjesë e filozofisë sonë menaxhuese si ITSHKSH dhe si Deprtament për studimin e trashëgimisë shpirtërore të Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Tereze.

Shkup, 05. 09. 2024

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 76
  • 77
  • 78
  • 79
  • 80
  • …
  • 867
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • JETËSHKRIMI I GJERGJ KASTRIOTIT
  • NJË KUJTIM PËR PROFESOR FEHMI AGANIN
  • Kujtojmë në përvjetorin e ndarjes nga jeta shkrimtarin arbëresh të Italisë, Lekë Matrënga
  • Albanian Roots Parade, Saturday, June 20
  • DEBATI NË WASHINGTON — PSE FINANCOHET SHOQËRIA CIVILE JASHTË VENDIT?
  • Qyteti 2400-vjeçar që i përket njerëzimit – pasuri e UNESCO-s
  • Skënderbeu në medaljonin e vendosur në pullën e parë postare shqiptare, më 1 dhjetor 1913
  • Ervin Toro: “National Albanian Registry”, një investim në identitetin, fuqinë dhe të ardhmen e komunitetit shqiptar në Amerikë
  • Dualiteti juridik dhe kriza strukturore e barazisë në Maqedoninë e Veriut
  • Beqir Derhemi, një emër në zanafillën e Televizionit Publik Shqiptar
  • Bashkë me pranverën, çelin edhe lulet e shkollave shqiptare në diasporë
  • Vittore Carpaccio nga Panteoni i Harruar në premierë dokumentari në Nju Jork
  • Rruga “Skënderbeu” në Bronx, një simbol i gjallë i krenarisë, unitetit dhe trashëgimisë shqiptare
  • Një komb pa kujtesë nuk ka themele
  • Kush ishte gazetarja shqiptaro- amerikane që u shpall “non grata” nga qeveria komuniste

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT