• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KERKOHET PËRKUSHTIM TË JESH VEPRIMTAR I DIASPORËS SË AMERIKËS

July 21, 2013 by dgreca

Opinion nga ARTUR VREKAJ, WORCESTER,MA/

Nuk është pak të jesh veprimtar i Diasporës së Amerikës. Nuk është e thënë  vetëm të jesh i anëtarësuar në ndonjë shoqatë shqiptaro-amerikane. Rëndësi ka vizioni për të cilin punon, mënyra se si e mbështet dhe e ndihmon me kthjelltësi Çështjen Kombëtare Shqiptare.

Ka shumë veprimtarë që shquhen në Amerikë. Janë me mijëra. Dikush ndihmon financiarisht, dikush lobon, dikush organizon, dikush shkruan një artikull për Diasporën, dikush bën një emision për Diasporën a për ngjarje kombëtare që festohen në Amerikë, dikush punon për mësimin e Gjuhës Shqipe për fëmijët e shqiptaro-amerikanëve, dikush boton një studim historik me temë Identitetin Kombëtar Shqiptar, dikush krijon lidhje me amerikanët e qeverisjeve vendore, shtetërore dhe federale, dikush krijon lidhje me shoqatat shqiptare të Amerikës, dikush hedh një ide përbashkuese për të gjithë Diasporën e Amerikës, dikush me të zgjedhurit në Kongres dhe Senat, dikush krijon kontakte me Shqipërinë, Kosovën dhe trojet shqiptare e shumë arsye të tilla.

Disa punojnë privatisht,disa janë punësuar në zyrat e të zgjedhurve amerikanë, disa të organizuar në shoqata shqiptare a institucione fetare. Këta veprimtarë janë nga e gjithë Shqipëria natyrale e trojeve në Ballkan sipas atyre trojeve që u thirrën në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Kanë lindur në trojet shqiptare në Ballkan, Europë, Australi dhe Amerikë.

Familjet e tyre apo ata vetë kanë rrënjë apo kanë ardhur nga Arbëreshët e Italisë, nga shqiptarët e Ballkanit apo dhe nga mërgata shqiptare e pas Lidhjes së Prizrenit. Kanë bindje politike të kundërta ose të njëjta, por mbi të gjitha edhe bashkohen në një pikë për Çështjen Kombëtare Shqiptare më shumë në teori se sa në praktikë. Shumë pak veprimtarë janë vërtet të pozicionuar me përkushtim në raport me shifrën gjysmë milionëshe të shqiptarëve të Amerikës, e cila nuk është zyrtare, sepse ne shqiptarët e Amerikës nuk na e ka vërtetuar Censusi qoftë dhe ky i fundit. Kjo më shumë për fajin tonë, apo të shoqatave shqiptare që nuk e kanë shndërruar në faktor Diasporën e Amerikës, kur bëhet fjalë për regjistrimin zyrtar të shtetasve amerikanë, siç jemi edhe ne.

Problem është vërtet puna udhëheqëse me shoqatat shqiptare. Sepse është punë vullnetare e deri diku njerëzit shohin interesin e ngushtë personal. Edhe kur organizon një veprimtari ka siklet të madh, se duan të flasin të gjithë.

Arsye tjetër, është se shqiptaro-amerikanët kanë bindje dhe kapacitete intelektuale të ndryshme, edukime të ndryshme, sepse disa u rritën dhe u edukuan në regjimin komunist të Shqipërisë, disa në regjimin titist të Jugosllavisë dhe të Millosheviçit dhe disa në regjimin demokratik të Amerikës.

Në shoqata apo degë të tyre disa anëtarësohen me fis dhe disa me shoqëri më shumë. Janë dukuri shqiptare që shfaqen dhe këtu në Amerikë.

Ka edhe që vdesin të bëjnë një foto me liderët shqiptarë të shqiptarëve të Ballkanit edhe pse këta të fundit nuk kanë hyrë të gjithë në Shtëpinë e Bardhë!Sepse nuk e kanë drejtuar mirë Shqipërinë apo Kosovën e le më të ndihmonin Diasporën.

Historikisht vetëm Noli, Konica dhe DioGuardi për më shumë se 25 vjet lanë gjurmë lobizmi në Amerikë për Çështjen Kombëtare Shqiptare. DioGuardi edhe pse me rrënjë Arbëreshe është sot për sot misionari i vërtetë i Çështjes Kombëtare Shqiptare. Dhe e kemi për krenari ta dëgjojmë e mbështesim atë.

Diaspora e Amerikës është në vendnumëro përsa i përket ndërgjegjësimit kombëtar për një bashkëkuvendim mbarëkombëtar të shoqatave aktive të qyteteve amerikane. Dhe veprimtarët në tërësi pak bëjnë për këtë. Ose u duket si  i pamundur! U duket i tejkaluar Bashkimi ose i bërë kur nuk në fakt nuk është real! Le që disa nuk duan ta zënë me gojë, fare! Dhe hiqen si atdhetarë të mëdhenj se u botohen fotot në gazeta apo dalin në intervista televizive.

Të përkushtuarit me veprimtarinë atdhetare e kulturore me komunitetin shqiptar do kujdes e sakrificë. Edhe pse shoqatat shqiptaro-amerikane nuk kanë ditur të bashkëkuvendojnë zyrtarisht. Të paktën me ardhjen e shqiptarëve pas rënies së regjimit komunist në Shqipëri dhe me prishjen e Jugosllavisë, me luftën për Çlirimin e Kosovës nuk është bërë asnjë përçapje për Bashkimin e Dytë të shqiptarëve të Amerikës në këtë shekull të Dytë të pas Pavarësisë së Shqipërisë.

Duket si i bërë Bashkimi i shqiptarëve të Amerikës njëherë me Nolin dhe Konicën.

Ka një heshtje varri. Duket sikur çdo gjë shkon vaj. Më shumë shkruhet për të shkuarën dhe shumë rrallë për të ardhmen e  Diasporës së Amerikës. Por në fakt, gjeografia e organizimit të komuniteteve shqiptare në Amerikë tregon se organizimet shqiptare janë të vendosura sipas qyteteve ku banojnë. Pa ndonjë orjentim nga lart si 100 vjet më parë.

Shqiptarët e Amerikës nuk kanë nevojë sot për sot të kenë një ombrellë përfaqësimi pa bashkëkuvenduar qytet më qytet amerikan ku banojnë shqiptaro-amerikanët. Ata kanë nevojë të kuptojnë se Diaspora e Amerikës nuk ka sot një platformë të përbashkët organizative. Nuk ka një kuvend mbarëkombëtar jo thatë, por me një Draft-Strategji se cilat janë nevojat e komunitetit shqiptar për të mbajtur gjallë Identitetin Shqiptar, cilat janë mundësitë e bashkëpunimit me qeveritë shqiptare të Tiranës dhe Prishtinës a të qeverisjeve vendore të shqiptarëve të Maqedonisë, Preshevës dhe Malit të Zi, cilat janë përparësitë e organizimeve shqiptare në Amerikë, cilat janë modelet e këtyre organizimeve, cilat janë pikat e përbashkëta, cilat janë mundësitë financiare, cilat janë projektet studimore, shkencore, kulturore a çdo gjë tjetër që kërkon ndihmën e komunitetit shqiptar të Amerikës etj.

Sepse ka udhëheqës si Joseph DioGuardi  i Lidhjes Qytetare New York, që na këshillon të punojmë së bashku se ” Gur-gur bëhet mur”. Ndaj ka edhe veprimtarë, funksionarë vullnetarë të shoqatave shqiptaro-amerikane si Programi Unik Shqiptar, New York, Shoqata Ana e Malit, New York, Shoqata KOMBI e Worcester,MA, Shoqata Atdhetare Rilindasit e Boston, Shoqata Kosova e Boston apo edhe veprimtarë të tjerë shqiptaro-amerikanë që mendojnë se është e domosdoshme të bashkëkuvendojmë me të gjitha shoqatat pa përjashtim! Dhe sot a nesër kjo do të ndodhë në Amerikë, sepse vërtet me tërë këtë vendnumëro që shohim do të dalë dikush nga ne që do ta ngrejë zërin në mos këtu në Amerikë edhe në Shqipëri a Kosovë, sepse ne nuk duhet të heshtim pa e përmbushur misionin kombëtar të Rilindasve për ta bërë Çështjen Kombëtare. Në këto rrethana në të cilat na ka ndihmuar Amerika më shumë dhe liderë si Noli, Konica dhe DioGuardi!

Si mund të flesh gjumë duke qënë veprimtar i Diasporës së Amerikës e të lësh pa përmendur përdhosjen e historisë kombëtare me sanksionimin e vendvarrimeve greke në Shqipëri! Dhe themi në Amerikë sipas Nolit:” Mbahu nëno mos ki frikë se ke djemtë në Amerikë”!

Ku janë djemtë shqiptarë të Amerikës kur shtetarët shqiptarë përuruan me shtetarët grekë varrezat greke të Këlcyrës që kanë edhe eshtra të shqiptarëve të Kosinës? Po kur Janullatosit që i bekon këto varreza ju dha Urdhri i Skënderbeut nga Presidenti Bamir Topi që harroi në sirtaret e Presidencës të nderonte At Stath Melanin me Urdhrin Nderi i Kombit, sepse nuk e kishëroi se nuk deshi Janullatosi!Sepse kështu kishte vendosur Kisha Greke nga vjen Janullatosi!

Shtetarët shqiptarë vijnë me vrap në Amerikë, sepse i presin mirë veprimtarët e Diasporës së Amerikës si për qoka shtëpie! Sepse klasa politike shqiptare e Tiranës e di se nuk u kërkon kush llogari në Amerikë nga Diaspora as për katrahurën e 1997-ës, as për Shkëmbin Barketa, as për shitjen me tendera skandalozë të pasurisë kombëtare, as për Gërdecin, as për 21 Janarin, as për djegien e të përndjekurve politikë në sy të botës në Tiranë, as për moshapjen e dosjeve të komunizmit, as për ndryshimin e ligjit 7501 për pronësinë e tokës, as për rigjallërimin e mësimit të Gjuhës Shqipe në Amerikë etj. Ja këta jemi si në Shqipëri dhe në Amerikë! Njëlloj, qejfembetur për bindje politike që u ka dalë boja. Dhe ka militantizëm pa vënd dhe këtu në Amerikë! Fatkeqësi. Ju vjen keq më shumë disa veprimtarëve që u humbet partia e zemrës se sa Shqipëria që është në hall, sepse me atë tranzicion u përndoqën mbi një milion shqiptarë nga Shqipëria pas 1990-ës!

Dhe Diaspora vetë këtu as që e di se u abuzua me shqiptarët e pas 1990-ës në Greqi njëlloj si me Çamët në Luftën e Dytë Botërore. Një ksenofobi e paparë! Po Diasporës së Amerikës nuk ju dëgjua zëri! Sepse nuk ishte e organizuar! Ose ishte çalë-çalë! Siç ngjet edhe sot në disa raste.

Daullen e disa veprimtarëve të Diasporës së Amerikës në New York se në Shqipëri ishte rrezik kthimi i komunizmit pas 23 qershorit nuk e dëgjon më kush. Nuk i hanë më këto parrulla shqiptarët e Shqipërisë, le më këtu në Amerikë jo e jo! Por duhet që disa nga veprimtarët që kanë ikur nga Shqipëria e nuk janë kthyer më, është mirë të shkojnë e shohin realitetin.

Shqipërisë i ka mbetur e hapur rruga të bëjë përpara! Në BE. Si dhe Kosovës në OKB, NATO dhe BE! Ka fat Shqipëria sot se ka një mbështetje ndërkombëtare më shumë se me regjimin e Berishës që po ikën si e fundit praktikë komuniste e të drejtuarit të shtetit të shqiptarëve në Ballkan! Sepse Amerika dhe partnerët Europianë dinë të vlerësojnë aspiratën e popullit shqiptar që i ka shkuar tek nuk mban më. Sepse institucionet shqiptare janë tërësisht të varura nga pushteti i sotëm me klane e krushqi e krahinizma e nepotizma që kërkund në bot nuk i gjen.
Edhe shteti i kapur i Berishës u shkërmoq, sepse u bë oborr si i Zogut dhe i Enverit! Dhe Diaspora me fare pak veprimtarë u mundua me shkrime kritike për ta çmontuar regjimin autokratik të Berishës.

Po kush guxon sot në Amerikë veç DioGuardit dhe Forumit për Demokraci të deklarojë gjendjen skandaloze të keqdrejtimit të shtetit dhe shoqërisë shqiptare! Askush! Sepse u mbetet qejfi në Shqipëri atyre që sot po bëjnë gati valixhet apo edhe këtyre që po formatojnë qeverinë e re.

Ka edhe veprimtarë të kthjellët dhe bashkëkohorë, sepse kanë shkollim shqiptar dhe amerikan apo edhe europian. Por është e pafalshme që Diaspora e Amerikës ka përqafuar krahë të politikës shqiptare të Shqipërisë hapur ose ka bashkëpunuar qorrazi pa e ndihmuar atdhetarizmin dhe kjo është parë sheshit edhe në kohën e regjimit komunist edhe tani në Tranzicion. Bile, edhe me një thirrje që ju bë popullit shqiptar për zgjedhjet e 23 Qershorit 2013 mundi shkoi dëm, sepse populli shqiptar nuk i dëgjoi disa veprimtarë që më shumë nuk e njihnin realitetin dhe kjo thirrje tingëllonte më bukur më 1945-ën se sa më 2013-ën! Dhe për këtë kuptohet nuk jep kush llogari as këtu, as në Shqipëri.

Rëndësi ka reflektimi i veprimtarëve të Diasporës së Amerikës për Çështjen Kombëtare Shqiptare! Bindjet politike janë vetëm për në shtëpi. Ato nuk hanë bukë po qe se je në tryezën e bashkëpunimit ku vendoset për veprimtari a organizime të komunitetit shqiptar.

Të bëhemi një për një program të përbashkët kombëtar të Identitetit Kombëtar.Kjo është Çështja! Nuk kemi sot një dokument përbashkues të firmosur nga të gjitha shoqatat aktive shqiptaro-amerikane! Një dokument vizionar për ardhmërinë nuk e kemi! Punë e madhe!,- do thotë dikush!Po si mund të themi që bëjmë veprimtari atdhetare pa një program të përbashkët të Diasporës?

Kam shkruar disa shkrime rresht për zgjimin e ndërgjegjes kombëtare të Diasporës së Amerikës për një Vizion për ardhmërinë e Diasporës së Amerikës, sepse RiBashkimi është i nevojshëm ose do rrëshqasim shumë shpejt siç jemi edhe në disa raste, në folklorizëm! Sepse nuk po celebrohen ngjarjet kombëtare nga të gjitha shoqatat edhe pse këto herë-herë kanë probleme organizative, financiare apo edhe zhvendosje të veprimtarëve për banim nga një qytet në tjetrin.
Vetmburrja nuk ka më vend. Ka kuvende të thata pa një platformë përbashkuese. Askujt nuk i hahet haku për çka të mirë ka bërë për shoqatën aktive ku është anëtar, pak rëndësi ka mosha e shoqatës, sepse të gjitha shoqatat deri diku kanë gati-gati një hall të madh – përbashkimin! Ndaj lindin edhe probleme, sepse shohin që në qytete amerikane ku ka shoqata të vogla me pak kontribut financiar ka aktivitet të gjerë atdhetar dhe kulturor.

Vërej domosdoshmërinë e ngritjes në nivel përfaqësimi të Diasporës në rang Ministrie në Shqipëri për të bërë me themel Regjistrin e Diasporës si dhe forcuar lidhjet dhe bashkëpunimin institucional me Shqipërinë, sepse deri tani ose ka qënë i pakët, i planifikuar ose nuk ka egzistuar fare në disa komunitete shqiptare të qyteteve amerikane. Sepse shqiptarët e Amerikës, Tirana zyrtare i ka përkufizuar me New York-un. Po shqiptaro-amerikanë nuk ka vetëm New York!

Më vjen mirë që veprimtarë si Sali Bollati, Xheladin Zeneli, Emin Egriu, Bashkim Klloboçishta, Ismet Kurti, Petrit Alibeaj e dhjetëra të tjerë janë përkrah vizionit përbashkues me të gjitha shoqatat aktive për një bashkëkuvendim të të gjitha shoqatave.

Vetëm kështu Diaspora e Amerikës do të jetë vërtetë në shërbim të kombit. Sepse siç jemi sot të parcelizuar në qytete vështirë se do bëjmë më shumë. Prandaj, kemi nevojë për bashkëkuvendim me moton: Një Vizion- Një program kombëtar.

Ndryshe misioni ynë, i veprimtarit të Diasporës së Amerikës do të plotësohet pjesërisht. Ose do venitet siç ka ndodhur në disa dekada!

Kemi më shumë nevojë të shohim përtej pragut tonë, për të ardhmen e Identitetit Kombëtar dhe Çështjes Kombëtare Shqiptare!Pra, le të përbashkohemi me përkushtim!

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Artur vreka, kerkohet perkushtim, per veprimtaret e Diaspores

Njeriu lind si pasojë e një ideali!

July 11, 2013 by dgreca

Faik KRASNIQI/

Njeriu lind si pasojë e një ideali.
Ideali i një nëne për t’i dhënë jetë një jetë, që është burimi i njerëzimit.
Njeriu rron me idelale dhe jeton në funksion të idealeve.
Dhe jep edhe jetën për një ideal sepse jeta është e tillë, të arrish dhe t’i japësh jetë idealeve.Që të jenë pjesë integrante e personit tënd, e t’i mbrosh edhe kur afër teje gjithçka rrëzohet.
Mbi atë që shkruajta më sipër është e vështirë të shprehesh.
Sa më shumë kalon koha, aq më shumë shtohen diferencat midis shqiptarëve që jetojnë jashtë dhe atyre që jetojnë në hapësirat mbarëshqiptare.
Në hapësirat mbarëshqiptare jeta e njeriut është e drejtuar eskluzivisht në kërkim të mbijetuarit.
Ata që jetojnë jashtë kanë mundësi të kultivojnë pasionet e tyre, të ndërrojnë jetën e tyre në funksion të dëshirave dhe ideve të ndryshme.
Po këtë mundësi ta jep mirëqenia, ta jep qetësia financiare. Po kur pasioni dhe kërkimi janë në funksion të kafshatës për fëmijët, atëherë gjërat ndryshojnë.
Gjykimi i atij që ngel mbrapa për rrethana të ndryshme, është një gjykim ndaj qenies që nuk ka pasur të njëjtin fat si ty.
Mentaliteti i hapur, kultura dhe edukata po bëhen pjesë jetësore e shumicës së emigrantëve që jetojnë jashtë kufijve të hapësirave mbarëshqiptare.
Po kush jeton në hapësirat mbarëshqiptare dhe donë bukë për fëmijët, nuk ka kohë të shfletojë një libër e të shkojë në teatër. Ky është një shembull banal.
Ne që jetuam në perëndim nuk jemi më të mirë ose më të mençur, thjesht patëm fatin të ndërrojmë jetën tonë. Kjo do të thotë që edhe në hapësirat mbarëshqiptare njerëzit kanë potencial për të ndërruar dhe të nxjerrin nga vetja e tyre ato vlera që bëjnë njeriun të quhet i tillë.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: faik Krasniqi, njeriu lind, si pasoje e nje ideali

Edhe ne jemi me Amerikën, z. Reeker

July 9, 2013 by dgreca

Ani pse nuk kemi shtetësi dhe pasaporta amerikane,edhe ne jemi me Amerikën,jemi populli më pro-amerikan-në Ballkan e Evropë,dhe i duam SHBA-të, sa vet banorët autokton e dashamirës të saj.

Opinion nga Gani Qarri/ Zvicer/

Megjithatë në vendin tonë të vogël, dhe pa vëlla të madh pranë,këto ditë çdo gjë zhvillohet si në ëndërr dhe në mënyrë jotransparente, me shumë fshehtësi për opinionin dhe në formë imponimi gati gjysmë ilegal,pa u ditur mirë përmbajtja as hollësitë e përfituesve të mundshëm nga një projektligj i propozuar për amnistin e  personave që kan kryer krime,miratimi i të cilit kërkohet nga ne.Presionit për miratim,kohët e fundi i është shtuar edhe një trysni më tepër,si ajo e z.Reeker , një zëvendës i plotfuqishëm” i një zëvendësi-tjetër nga zëvendës-ministrat e SHBA-së, i cili gjithë fuqinë e tij, ka zgjedhur ta zbarkoj mbi shpinën e bërë varr të Kosovës,nga kompromiset e pafund, ani-pse ajo edhe tek ai si amerikan-shihte një fije shprese.

Por,derisa në njërën anë paralajmërohet se Projektligji për Amnisti,në ditët që vijnë pritet të shqyrtohet edhe një herë në Kuvendin e Kosovës, për miratimin e të cilit duhen dy të tretat e votave të deputetëve, shoqëritë civile  kanë nisur një aksion për nënshkrimin e një peticioni, kundër këtij projektligji.

Megjithëse kohë më parë,marrëveshja me Serbinë qe miratuar nga Kuvendi i Kosovës,asnjëherë nuk u tha saktë dhe qartë,se përse na doli tani kaq i domosdoshëm edhe ky Projektligj i famshëm, dhe cilët janë keqbërësit potencial,përveç kriminelëve serb në veri,që mund të përfitojnë në mënyrë të padrejtë nga kjo Amnisti të cilën bëhet presion që ta miratojnë shqiptarët.

Ndaj, pas refuzimit në mbledhjen e fundit nga deputetët e Kuvendit të Kosovës,besoj se me të drejtë shoqëria civile shprehet e vendosur në përdorimin e të gjitha mjeteve demokratike për kundërshtimin e serishëm të tij,për ç`shkak, KIPRED më 8 Korrik të vitit 2013,në mënyrë simbolike zgjodhi orën 11:55, si kohë (e fundit 5 minuta para orës 12-të) për nisjen e nënshkrimit të një peticioni gjithëpopullor.

Organizimi i mbledhjes së nënshkrimeve,para ndërtesës së Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit,pranë sheshit “Nëna Terezë” në Prishtinë, me gjithë trysnit publike të Reekeri-t,dhe thirrjeve të tij “trishtuese”, se kundërshtuesit e marrëveshjes me Serbinë dhe projektligjit për amnisti, sipas tij- na qenkan edhe kundër Amerikës, vazhdon pa reshtur.

Madje ato nuk u ndalën as sot,për kundër thirrjes së përsëritur nga ai për miratimin e amnistisë,me shpjegimin e pakuptueshëm se gjoja edhe deputetët që herën e kaluar,kanë votuar kundër amnistisë e cila liron shumicën e kriminelëve nga përgjegjësia “qenkan të painformuar si duhet” dhe nuk e paskan lexuar mirë projektligjin e paraqitur.

Edhe nëse kjo apo ndonjë marrëveshje tjetër me Serbinë, mund të konsiderohen të shenjta nga z.Reeker,nëse para vendorëve,ai nuk i bënë të njohura arsyet, nuk donë të thotë-patjetër, se edhe nga shqiptarët ajo duhet të pranohet si e tillë,ngase kompromiset janë tonat dhe për çdo devijim të mundshëm, dhembjet i ndjejmë ne. 

Një amnisti e tillë e pa shoshitur mirë dhe si duhet, më tepër dëmton sesa ndihmon Kosovën, zbehë perspektivën e banorëve shumicë dhe kërcënon të ardhmen e tyre.Serbia edhe ashtu nuk njihet si zbautese e mirë e ndonjërës nga marrveshjet që ajo i ka nënshkruar vet.

Ndaj është e pakuptueshme se si z.Reeker, vetëm pse atij i pëlqyeka ky projektligj,kërkon nga ne të bëjmë “vetëvrasje” kolektive,me miratimin e amnistisë për lirimin nga çdo lloj përgjegjësie penale dhe juridike, të cilit do vrasës dhe kriminel serb a shqiptar,sipas detyrimit-le ose merr, me arsyetimin banal se kush është kundër marrëveshjes me Serbinë- qenka edhe kundër Amerikës.

Jo zotëri Reeker,kjo nuk është e vërtetë. Dashurinë e shqiptarëve ndaj Amerikës nuk provoi t`a kushtëzoj askush, deri më tani, ndaj as ju nuk keni të drejtë të silleni kështu,edhe nëse  Kosova nuk mund ti aprovoj “bash” të gjitha projektligjet dhe marrëveshjet me Serbinë. 

Kushtëzime të tilla nuk “pijnë ujë” edhe për arsyen se ka jo pak politikan të lart amerikan të cilët i kundërshtojnë hapur marrëveshjet e tilla me shtetin serb, ndaj lëreni trysnit, dhe kthejuni arsyes,para se ti akuzoni edhe ata si keqdashës të Amerikës.

Përndryshe, është e vetëkuptueshme se dashuria e Kosovës së vogël ndaj Amerikës së madhe, nuk mund tu dedikohet njerëzve,të cilët i vejnë kushtëzime popullit të saj që kurrë nuk pushtoi as rrezikoi askënd,por nga ai edhe në vend të vet, pa të drejtë kërkohen kompromise të mëdha e të njëpasnjëshme të cilat,shihet se janë bërë të tepruara dhe nuk mund ti qojë, pa u rrëzuar edhe vet për tokë.

Trysnia juaj-këtë herë bëhet në adresë të gabuar ndaj ajo edhe do të kundërshtohet, e nëse megjithatë ju mendoni se shqiptarët mund të qajnë,sepse mjaftuaka që ju të kënaquni dhe qesheni për ne,kjo sjellje është e padrejtë, nuk është e denjë as e pranueshme për një popull qoftë ai edhe i vogël dhe me halle të mëdha- si ky i yni zotëri.

Më në fund, duhet edhe Ju ta kuptoni se lëshimet e njëanshme të cilat edhe për hir tuaj, i ka bërë Kosova deri më tani – mjaftojnë. Ato duhet ta kenë një kufi.

Është koha të na kuptojnë të gjithë,përfshi edhe juve z.Reeker, se ne nuk mund të pranojmë miratimin e amnistisë edhe në rastet kur rrezikojmë vendin dhe të ardhmen e fëmijëve tanë,kur dihet se me miratimin tuaj, qeveria mban sot e sa vite në pozita udhëheqëse, njerëz të korruptuar dhe të përfshirë në afera të ndryshme kundërligjore, të cilët u pasuruan vet për ta varfëruar deri në fund Kosovën dhe vrarë ardhmërinë e saj. Ku jeni ju? Pse heshtni para këtyre fakteve?!.

Ju edhe në këtë drejtim duhet të jeni të pakompromis dhe të ngritni zërin fort dhe si duhet,si kundër dukurive negative edhe kundër keqpërdoruesve të njohur për ju dhe DASH,i cili na bën me dije edhe neve se cilët persona apo grupe, po shkatërrojnë vendin tonë, e jo të mjaftoheni vetëm me atë, që ata nga halli i tyre personal,t`u shërbejnë juve pa kundërshtime, duke pranuar marrëveshje dhe miratuar projektligje e amnisti, edhe në dëm të vendit, sipas diktimeve të Serbisë.

Nëse nuk pushojnë trysnitë e tilla të papresedan për lidhje të detyruara marrëveshjesh pa kontroll as fund me Serbinë dhe miratim projektligjesh e amnistish edhe për kriminel serb e shqiptar, përmbajtjet e të cilave për popullin shumicë vazhdojnë të mbeten të panjohura,  ndoshta në një të ardhme të afërt, edhe Hashim Thaqin do të veni para aktit të kryer, dhe detyroni ta fus poshtë gishtin e madh, e në vend të shprehjes,”Krenohuni me Kosovën”, t`ua “fus”-pardon,ngritë lartë shqiptarëve gishtin e mesëm,dhe përshëndes me parullën, “krenohu me Serbinë”, kundër së cilës ne sikur luftuam dhe menduam se u çliruam njëherë.

 Gani Qarri ,Cyrih, 8 Korrik 2013

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Gani Qarri, Ligji per amnistine, Reeker

PATRIOTIZEM GJITHEPERFSHIRES, JO PARTIAK

July 6, 2013 by dgreca

Jo më patriotizëm partiak, klasor… por patriotizëm gjithëpërfshirës, ku secili në punën e vet të kryejë mirë detyrat e tij… /                                    (Në mbështetje të kritikës së Philip Reeker)/

Shkruan: Zyba Hysen Hysa/

Njeriu duhet të kthejë kokën pas që të shikojë me vëmendje rrugët nëpër të cilat ka kaluar për të arritur qëllimet e tij në jetë, pra për të bërë grafinë kohore, të shikojë njollat e errëta që nuk e kanë favorizuar për të pasur një të tashme të dëshiruar. Kjo nuk duhet bërë që ta zërë paniku për mosarritjet, apo që të mbetet skllav i rrugëve që ka ndjekur, por që i kanë kushtuar shumë humbje kohe pa ndonjë dobi konkrete, përkundrazi, me intuitën e tij të dallojë rrugët e reja që i dikton koha me më pak mund e sakrificë, për të arritur dëshirat e tij jetësore, në radhë të pare e më pas të një mirëqenie më të mirë. Kjo gjë vlen edhe për popujt, shtetet… se nuk ka se si të kuptohet dhe të arrihet përparimi i një vendi, një populli, gjithë shoqërisë njerëzore pa u vet – parë në pasqyrë, ashtu siç shohim veten çdo ditë… “Shihu… në pasqyrë… shqiptar,/ Përqendro vështrimin me sytë e së tashmes,/ Si një piktor rregullo çdo tipar,/ T’i hapësh mirë udhën së ardhmes!” Populli shqiptar, historikisht ka luftuar për liri dhe bashkim Kombëtar, por nëse e skanojmë këtë kohë, nëse bëjmë llogaritjet mirë, ne më shumë kemi humbur se kemi fituar, se kemi humbur në njerëz, kemi humbur territore, kemi humbur atë që është më e çmuar; – kohën për të zhvilluar vetveten – duke rendur pas një ëndrre, kemi harruar të jetojmë. Ne, Shqiptarët, duhet të kuptojmë mirë, se që të realizohen ëndrrat, jo përherë bëhen me luftë, dhunë, egoizëm, apo e thënë troç “Kështu siç them unë, se kështu dua unë, se kështu na bëhet mirë ne…”, në një kohë që shumë mirë mund të përpiqesh të punosh, të arsimohesh, pra të jetosh duke realizuar ëndrrën, jo të ëndërrosh duke mos jetuar jetën. Është e vërtetë, që problemi shqiptar është fjala kyçe e Ballkanit Perëndimor, por për fat të keq, asnjëherë nuk është marrë seriozisht nga politika botërore duke mos u trajtuar si faktor jo vetëm më vete, por një faktor i rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin në Ballkan, Evropë e më gjerë… Mora shkas për të bërë këtë shkrim, nga deklaratat e fuqishme të zëvendësndihmës sekretari amerikan e shtetit Philip Reeker dhe bashkohem me të në kritikën e ashpër që i bën Vetëvendosjes në Kosovë, se siç e kam theksuar edhe në shumë shkrime, por edhe në shkrimin që është botuar në gazetën “Republika” pas vizitës së tij që bëri në Shqipëri: “Philip Reeker, thirrje jo për të nxitur nacionalizmin ekstremist, por për të punuar me patriotizëm…”, ndër të tjera thuhet: “… se ai nuk na pengon të mendojmë, të duam e të përpiqemi për zhvillim dhe bashkim kombëtar, por ai tërheq vëmendjen që politika shqiptare të mos shfrytëzojë ndjenjat nacionaliste të shqiptarëve për përfitime politike. Politika e jashtme amerikane është kaq e mirinformuar mbi paudhësitë e politikës sonë shqiptare, saqë e di mirë që kjo politikë, kurrë nuk e ka mbështetur një gjë të tillë. Arsye kryesore, mendoj, është se bota e di që këta lloj politikanësh nuk do kursenin edhe ndonjë luftë Ballkanike, apo luftë civile si në vitin 1997, se aq të errësuar i kanë sytë e mendjes, saqë as që do u vinte keq që popullin ta fusnin drejt një katastrofe, boll të fitojnë apo rifitojnë pushtetin…” Në librin studimor “Sharrajt në Jetën e Kombit”e kam trajtuar patriotizmin shqiptar dhe format e tij të sotme, si shumë të dëmshme e kam thënë: “Kombi ynë nuk bashkohet me klithma, as me metra katrorë flamujsh, ai bashkohet duke qenë bashkë shpirtërisht, mendërisht dhe financiarisht…  çdo trumbetim, apo rrahje gjoksi, është kot, ai e dëmton Bashkimin tonë…”, kështu që në hapat e para të daljes në skenat e rrugëve të Kreshnik Spahiut e pashë këtë si një përbindësh që e gllabëron patriotizmin e vërtetë shqiptar dhe që në 31 korrik 2011 në shkrimin publikuar tek “Zemra Shqiptare” ndër të tjera thuhet: “Cili je, Kreshnik Spahiu,/ Që bën thirrje për bashkim,/ Si fallxhore që bën magjira,/ Zëëmbli yt, vjen hakërrimë! Fjala jote, vello veshur,/ Me dëshirën e të shkretit popull,/ Çfarë i mbret për të qeshur,/ Kur një ditë ka për të njohur?!” Kreshnik Spahia përdori patriotizmin, apo më mirë të them disa shoqata të ashtuquajtura patriotike për kredo politike,  por më vjen keq ta them, se edhe Albin Kurti, me mënyrat arrogante që shpalos dhe me bashkëpunimin e ngushtë që ka me Kreshnik Spahiun, them se i meriton kritikat e ashpra ndaj tij, se të bashkosh kombin, nuk do të thotë të pengosh ndihmën e tjerëve, apo të luftosh me projektet botërore për integrimin drejt Bashkimit Evropian, të bashkosh Kombin, do të thotë që të ndikosh tek qeveria jote për të zhvilluar biznesin, arsimin, për të ruajtur traditën dhe kulturën e popullit tënd, pra për të zhvilluar vetveten e për të kapërcyer hendekun që na ndan nga bota e këtë hendek kurrë nuk kemi për ta kapërcyer duke pritur Bashkimin Kombëtar, por duke punuar për bashkimin shpirtëror, ekonomik, kulturor të shqiptarëve. ““Njerëzimi është atdheu i idealit”, – thotë filozofi shqiptar me përmasa botërore , Isuf Luzaj, që në vitin 1984 Presidenti amerikan Regan i dha medaljen e artë “Mësues i Amerikës”, por ai e shtjellon më tej e thotë: “Me u konvertue në instrument fraksioni, klase apo partie, do të thotë me u zvoglue”. Iku koha e përrallave komuniste, sot ja sheshi, ja mejdani, dil e drejto popullin për mirëqenie, arsim, paqe e kulturë, tjerat vijnë vetë… se do vijë një kohë që ne nuk do kemi se çfarë të bashkojmë, se duke rendur pas ëndrrave, harrojmë vetveten dhe në vend që të bashkohemi, shpërndahemi me duart tona… Jo më patriotizëm partiak, klasor… por patriotizëm gjithëpërfshirës, ku secili në punën e vet të kryejë mirë detyrat e tij. Kush është i mençur dhe vërtet patriot duhet të ulë kokën e të punojë me sinqeritet për atdheun, për kombin, për bashkimin tonë drejt Bashkimit Evropian, diplomacia e vërtetë shqiptare të kryejë detyrat e veta…  ne të kryejmë punët tona. Nëse do ishte një patriotizëm me merak për popullin tonë martir, mendoj që në pikat kulmore të bisedimeve për çështjet shqiptare, duhet ta ngrejë zërin me forcë intelektuale dhe bindëse, jo duke sharë e duke dalë rrugëve për të përgjakur popullin. Shumë gjëra nuk janë në dobi të shqiptarizmit, por të parë në politikën globale, shqiptarizmi ka fituar shumë, se edhe pse një pavarësi të cunguar për Kosovën, por është fituar ajo që ne kemi mundësi të mëdha dhe shanse të jashtëzakonshme për të bashkëpunuar në të gjitha fushat e jetës, ndaj kjo duhet të na shqetësojë sot më shumë se kurrë, se çfarë mund të bëjmë për të ndihmuar njëri – tjetrin, të detyrojmë qeveritë tona me rrugë demokratike t’i shërbejnë popullit, vendit, bashkëpunimit mes shqiptarëve, kush na i mohon këto? A nuk është arritje e jashtëzakonshme kjo? Nëse ne, nuk do vlerësojmë arritjet, kurrë nuk kemi për të ecur përpara dhe kjo arritje është falë SHBA. Mos vallë duam të vijë bota dhe të punojë për ne? Mos vallë do vijë bota të na drejtojë shtetin? Ka qeveri në botë që t’i thotë qeverive tona që pse zhvillon biznesi, kulturën, arsimin…? Pse atëherë kërkojmë të ngjitemi për degëzash, kur mund të ngjitemi nga trungu me pak vështirësi, por me dinjitet. Në gjithë vorbullën e zhvillimeve dhe dështimeve të politikës ndërkombëtare (se dihet jo përherë ka suksese), ne shqiptarët duhet të shkojmë drejt të prezantuarit si faktor në vendimmarrjet që kanë të bëjnë me fatet e popullit tonë, por as që e kemi arritur këtë, kjo shumë për faj të politikës së vjetër të Evropës, ky Amerika është e detyruar të mbështesë strategjinë e saj dhe për dështimet e kësaj politike është përgjegjëse vetë Evropa, se me ne shqiptarët po bën të njëjtin gabim që bëri në 1913. Pra, gjithë arsenali diplomatik shqiptar (kurrë nuk i ka munguar vendit tonë) të merret me kontaktet e vazhdueshme për një këshillim, apo konsultim me këto shtete për të ri parë mundësinë e riparimit të çështjes shqiptare, se pa u mbledhur rreth vetes një komb, s’ka se si mblidhet rreth kombeve tjera… Marrëveshjen Kosovë – Serbi e kam quajtur në një shkrim “Marrëveshja Kosovë – Serbi, një ëndërr e bukur që realitetin do e shohim pasi të zgjohemi…” dhe ky zgjim ka të bëjë me ndihmën që do të kemi nga SHBA se sa e si do të vihet në jetë, se eksperienca jonë me Serbinë ka qen përherë e hidhur, se përpos mangësive të saj, ajo rrezikon të mos zbatohet dhe po nuk u zbatua, bota të mos presë ta na futet thika edhe një herë e të derdhet gjak, por të tregojë veten që është modernizuar. Qëndrimi ndaj shqiptarëve, tregon civilizimin e politikës Evropiane e më gjerë, se të mbrosh një popull që historikisht ka qenë me pushtues dhe që ia kanë ndarë trupin në 6 copa, tregon demokraci të vërtetë e të sinqertë, në rast të kundërt, politika vetëm ndërron kostumet dhe trupi i saj është po ai para 100 viteve. Ne jemi populli më demokrat në rajon, se kurrë nuk kemi qen pushtues, por nuk kemi duruar pushtimin përderisa jemi në trojet tona, në vatrat tona, në shtëpinë tonë, ndaj kush mbron interesat tona, ka dhënë provimin e demokracisë shkëlqyeshëm. Unë e kuptoj, që edhe vetë Amerika ka merak për vazhdimin e zbatimit të kësaj marrëveshje, ndaj kërkon vëmendje dhe duket ta mbështesim, por në emisionin “Zëri i Amerikë” te cilin e dëgjoj çdo mëngjes nga ora 07 – 7.30 tel “Radio Tirana), kur e pyetën një analist në Amerikë (më falni që nuk e mbaj mend emrin) tha se nuk është e përsosur për shqiptarët, por më e mira e mundshme, por ajo që nuk më shqetëson është se Serbia është e pabesë… Në një shkrim, që kam botuar tek gazeta “Dielli” në Amerikë, datë 1 shtator 1912, me titull “Një apel nga Vlora e flamurit për shqiptarët e Amerikës” thuhet: “Ka ardhur koha të lutemi SHBA, ka ardhur koha t’i puthim dorën atyre që na copëtuan, ashtu siç bëri babai i Hektorit me Akilin, kur i vrau të birin, ka ardhur koha të shuajmë mosmarrëveshjet mes njëri – tjetrit…” Kjo do ishte rruga e ndritur e shqiptarëve që e duan Bashkimin Kombëtar, jo thirrjet harbute e histerike të disa të ashtuquajtur politikanë. Kush e do Bashkimin, le të bashkojë zemrat, shpirtin, mundin, sakrificën dhe të verë në shërbim të kombit të vet inteligjencën dhe krijimtarinë e tij… kush bëhet shkaktar për derdhjen edhe një pikë gjaku shqiptar, ka bërë mëkatin më të madh, se trojet tona janë tejngopura me gjak, ato kërkojnë punë e paqe, një paqe që do vijë paqësisht…“Njerëzimi është atdheu i idealit”

“Me u konvertue në instrument fraksioni, klase apo partie, do të thotë me u zvoglue”, atë të patriotizmit njerëzor, që duhet të përfshijë gjithë horizontin tonë kulturor.

Filed Under: Opinion Tagged With: jo patriotizem partiak, Zyb a Hysa

Lamtumira e Doktorit!

July 3, 2013 by dgreca

Valëzime fletësh gjithëfare, përballje ndjenjash nga më të ndryshmet, përzierje këngësh e vaji,të cilat kurrë nuk kishin qëndruar më afër njëra tjetrës,i bënin mbështetësit e Doktorit, që ende të mos besonin se kësaj radhe vërtetë kishte ndodhur diçka e papritur,si asnjëherë tjetër deri më tani.
Ndaj që në dukje të parë, vërehej se ata dhe shqiptarët kudo,sodisnin me dhimbje dhe befasi skenën ku do të ngjitej idhulli i tyre shumëvjeçar,figura e të cilit,tanimë ishte kthyer në simbol të së mirës dhe përparimit,lirisë së lëvizjes dhe prosperitetit të vendit.
Megjithatë,siç u pa në këto zgjedhje, shumicës së votuesve nuk u kishte mjaftuar zhvillimi dhe arritjet ,madje as rrëzimi i diktaturës e heqja e torturuesve nga pushteti si dhe largimi i persekutorëve që për gjysmë shekulli u kishin qëndruar shqiptarëve mbi kokë. Ndaj, tani ai po gozhdohej pa të drejtë, si Krishti dikur, nga të paditurit dhe mosmirënjohësit e atdheut  të tij.
Kjo e mundonte secilin mbështetës por më e rëndë e dëshpëruese duhej të ishte situata për Doktorin,Luanin e mundur pas shumë kohësh, të goditur në befasi me këtë ngjarje nga e cila nuk e kishte të lehtë,që të ngrihej e ngjitej krenar dhe luftarak si dikur,në arenën e “dyluftimit”,ndoshta i lodhur edhe nga mosha, por më shumë i tronditur nga një humbje e tillë e papritur.
Ndaj,gëzimeve të dikurshme me këngë e buzëqeshje për fitoret e së kaluarës,tani u kishte ardhur fundi,këto ditë atmosferën e mbulonin lotët e ardhur rëndë dhe furishëm,si pjesë e natyrshme e jetës që nuk është gjithmonë e lehtë dhe e lumtur,në të cilën mund vetëm të festohet.
Megjithatë,luftëtari i orëve të vështira,dëshmoj edhe një herë se nuk do të dorëzohej as në këto momente,ndaj ai doli ti përshëndeste votuesit dhe tu jepte lamtumirën përfundimtare mbështetësve të tij të flakët si dhe gjithë dashamirësve të vërtetë të demokracisë, të cilët as në çastet e fundit të karrierës, nuk donin të largoheshin nga Doktori, duke e vajtuar humbjen dhe qarë me lot ndarjen.
Vaji më i madh do të shpërthente në çastet më të vështira të kësaj paraqitje, kur para mbështetësve besnik, Dr.Sali Berisha bënte të njohur largimin,me ç`rast nga qindra sy filluan të rridhnin lot dhembje e dëshpërimi, jo vetëm për humbjen por edhe për dorëheqjen e tij.
Ky burrë luftarak,karizmatik dhe i paepur -ndër vite,vërtetoi edhe një herë se nuk ishte Luan vetëm i kohëve kur fitonte, por ai u tregua Dragua i situatës edhe në humbje, si rrallë ndonjë personalitet tjetër shqiptarë deri më tani.
Krenaria prej malësori, dhe gjeni tradicional e kryengritës i tij,megjithëse në çaste të rënda për te dhe partinë që udhëhiqte,bënë që edhe në momentet kur kundërshtarët dëshironin ta shinin të përlotur, përulur e dërmuar, ai të paraqitej i fortë dhe i paepur,para publikut, duke befasuar të gjithë, dashamirë e kundërshtarë, me elanin e tij të pamposhtur prej udhëheqësi vital.
Kryeministri Berisha, ishte heroi i shumicës së shqiptarëve. Ai përgjatë gjithë angazhimit të tij politik,sa herë u ndal në fshatra dhe qytete të Shqipërisë dhe trojeve tjera etnike,tuboj me mijëra njerëz kudo shkeli këmba e tij.
Doktori u tregua gjithmonë i fortë dhe i paepur, bile më i fort se cilido personalitet tjetër në vend, duke u bërë shembull me qëndrimin e tij edhe për politikanët e ardhshëm shqiptar, si udhëheqës model i cili,pa menduar dy herë, mori mbi vete të gjitha përgjegjësitë e dështimit në zgjedhje, duke ofruar edhe dorëheqje të parevokueshme  për këto shkaqe, gjë që nuk ishte “dhunti” e njohur, deri më tani ndër politikbërësit tanë.
Ndaj edhe pas humbjeve,ai dilte prapë krenar në vendin e preferuar,ku për vite me radhë,para mijëra qytetarëve dhe simpatizantëve të tij nga i gjithë vendi dhe kombi,shumë herë kishte mbajtur fjalime të zjarrta e frenetike,prej nga i ftonte bashkëkombësit për bashkim, punë e zhvillime të përbashkëta, gjeste të cilat priteshin me dashamirësi duke u shpërndarë e përpirë me eufori, nga të gjithë bashkëkombësit kudo, brenda dhe jashtë atdheut.
Në cilin do vend ku ai foli,çdo herë shpërthyen emocione të zjarrta të cilat ndiznin zemrat e të gjithë bashkëkombësve, sidomos të atyre në trojet e pushtuara etnike, ku adrenalina vëllazërore rritej deri në pafundësi dhe forcoheshin lidhjet e afshëta kombëtare,të zbehura aq shumë dhe në mënyrë të dhunshme nga shkëputja hermetiko-komuniste, gjysmëshekullore e shqiptarëve.
Me ardhjen e Sali Berishës në pushtet edhe ndjenjat e afrimit ndërshqiptar, përjetuan një ringjallje të vërtetë, jo thjeshtë vetëm tek mbështetësit e tij si personalitet, por tek të gjithë bashkëkombësit e ndarë dhe coptuar në disa shtete.
Ndaj edhe pas numërimit të votimeve,grupet fituese,heshtnin të strukura nga frika e dështimeve të një pas njëshme, duke mos besuar ende se vërtetë,pas kaq shumë kohësh,më në fund u kishte buzëqeshur fati i madh që mu ata të fitonin nga Luani i vjetër prej të cilit ishin mësuar të njihnin vetëm humbje.
Sali Berisha u bë udhërrëfyes zhvillimi, në kohën kur atdheu i tij ishte i zhveshur nga çdo gjë dhe kishte marrë pamjen e një vendi të braktisur, pa rrugë e infrastrukturë, me mungesë pune e ushqimi, ku mbijetesa e njerëzve mundësohej prej ndihmave të huaja,të cilat vinin nga jashtë.
Dëshirën e madhe për ta parë nga afër vendin amë,edhe unë si shumë shqiptar nga trojet e shkëputura të Shqipërisë etnike,do ta realizoja në mënyrë “ilegale” në marsin e vitit 1991,duke kaluar kufirin me lejen e “Bajram Currit” siç i thonin atëherë,natën përmes maleve të pashtrikut.
Por ato që unë pashë atëherë,sot me siguri tingëllojnë të pabesueshme për shqiptarët e lindur pas atyre viteve,dhe ç`është e vërteta,nëpër të gjitha pjesët ku unë kalova, e sidomos në veri  nga Kruma deri në Shkodër,atë kohë Buka nuk ishte bukë. Ajo ishte përzierje me misër, grurë thekër dhe kashta,e cila mjerisht nuk dallonte shumë ,nga ushqimi “alternativ” që pakë kohë më përpara,Enver Hoxha u përmendte (barin) shqiptarëve,për të ruajtur sistemin e mbajtjes së tij në pushtet, komunizmin.
Para se Doktori ta rrëzonte diktaturën komuniste dhe vendoste demokracinë në vend,kishte kohë që sistemi i kuq qe  kthyer në tmerr me ngjyrë të huaj,i cili për gati gjysmë shekulli u sillej vërdallë mbi krye dhe sikur donte tu merrte shpirtin shqiptarëve dhe Shqipërisë me skamje e varfëri të pafund.
Mbyllja hermetike, gjysmë- shekullore dhe izolimi total i Shqipërisë nga e gjithë bota, bënë që vendi të mos ketë zhvillim ekonomik dhe ndihet mungesa e gjithçkaje deri te ushqimi më i thjeshtë që ndikonte për të keq sidomos nëpër fshatra,ku fëmijët ishin të zverdhur tërësisht, kurse veshja e shqiptarëve, më tepër se e mjerueshme.
Pamja, ndjenjat dhe sjellja e popullit ,kishin ndryshuar shumë nga ato që tregonin baballarët tanë,për vëllezërit e gjakut tonë të ndarë me kufij,ku shpresa e humbur, kishte mbuluar çdo gjë kombëtare, ndërsa shqiptarët ëndërronin vetëm të mbushnin barkun me ushqim ,pa guxuar të përmendnin ndryshime dhe jetë më të mirë.
Edhe kamionët e ndihmave me grurë që niseshin nga Durrësi,vinin duke u shitur gjatë rrugës, për të mbetur të përgjysmuar nëse jo gati tërësisht të zbrazur,derisa arrinin në vendin e destinuar për shpërndarje.
Kështu që, udhërrëfyesit të Demokracisë dhe bashkë- rrugëtarëve të tij,jo vetëm se u kthehej në frikë e dhimbje- shpresa, por u turbullohej edhe shikimi sa herë e shihnin atdheun në gjendjen në të cilën e kishin sjellë komunistët, të cilët kishin arritur deri aty,sa një popull të tërë ta përulnin në lypsar, nga varfëria dhe mjerimi.
Ndaj, mu në vitet më të rënda, kur shumica e dëshpëruar mbyllte sytë për të lënë atdheun dhe ikur nga sytë këmbët duke u hedhur edhe në ujërat e detit të gjerë, në të cilin qindra e ndoshta mijëra shqiptar gjetën vdekjen, dhe s`u kthyen më kurrë në atdhe, Doktor Sali Berisha me gjithë vështirësitë nga të cilat shumë kush tmerrohej,pa asnjë hezitim mori përsipër dhe arriti t`a nxirrte atdheun nga balta,gjë që atë kohë nuk mundej as guxonte secili edhe po të donte me gjithë dëshirën më të madhe që mund ta kishte,për ta bërë këtë punë.

Nga varfëria dhe krimet e komunizmit edhe Dielli sikur ishte errësuar dhe nuk ndrinte më si dikur në Shqipëri. Atëbotë retë e rënda të frikës dhe pasigurisë për të mbajtur shpirtin gjallë, në zemrat e shumëvuajtura të shqiptarëve kishin zbehë tej mase dashurin dhe besimin e mundësisë së të jetuarit në atdhe,ndaj ata të tmerruar ishin vënë në rrugën e ikjes dhe donin të largoheshin sa më parë nga nëma që i kishte kapluar.

Ndaj,me të drejtë heroi i dikurshëm i shpëtimit të vendit,i cili i siguroi stabilitet e të ardhme Shqipërisë,edhe në situatën e humbjes- shpaloste me krenari fjalimin e përgatitur,duke shikuar turmën e njerëzve drejtë në sy,para të cilëve numëronte arritjet e shumta qysh kur kishte marrë udhëheqjen e vendit, që nga gjendja në të cilën e nisi dhe deri sa e përfundoi, e cila tani ndryshon shumë-për të mirë.
Përlotjet e mëhershme që mund të ishin nga gëzimi i arritjeve dhe fitoreve të korrura me të drejtë,tani si asnjëherë tjetër ndryshonin,këta ishin lotë të rëndë të humbjes dhe lamtumirës së Sali Berishës, pas 23 vitesh pune e përpjekje,në drejtimin dhe arritjet e gjithanshme me sukses të një vendi si Shqipëria, të cilës dikur nuk i mungonte vetëm demokracia dhe shprehja e fjalës së lirë, por çdo gjë e domosdoshme për mbijetesën e njeriut, që nga rrobat,puna,rrugët e deri te ushqimi.
Kryeministri i vetëdijshëm për peshën e përgjegjësisë, pak pas orës 20, të ditës së mërkurë,më 26 Qershor të vitit 2013,datë kjo e cila do të mbahet mend gjatë, do hyjë në histori,dhe mbetet e pa harruar në zemrat e shumë shqiptarëve, doli krenar dhe dinjitoz ashtu siç i ka hije një politikani trim dhe të paepur kombëtar, icili përkundër lotëve dhe thirrjeve të simpatizantëve,”Berisha në zemrat tona” dhe “mos ik”, “mos ik”,deklaroi me vendosmëri se merrte të gjitha përgjegjësit mbi vete për humbjen dhe nuk mund të plotësonte dëshirat e shumë dashamirësve për mbetje,sepse kishte vendosur që përfundimisht të dorëhiqej nga udhëheqja e PD-së.
Me këto fjalë ai përloti jo vetëm bashkëpunëtorët e ngushtë dhe zëdhënësen simpatike të PD-s,Erleta Mëhilli por shumë shqiptarë si në sallën ku fliste edhe jashtë sajë, në Shqipëri, Kosovë,Çamëri, Iliridë, Preshevë e Malësi, dhe në krejt diasporën tonë kombëtare anë e mbanë botës, ku ka shqiptar.
Ky ishte moment më i vështirë për cilindo që kishte bashkëjetuar arritjet e Shqipërisë,por që mbante mend edhe prapambetjen si dhe shkatërrimin e saj nga sistemi sllavo-komunist, të cilin Berisha e rrëzoi në vitet e 90-ta. Dy gjendje këto, që ndryshonin shumë, mu si nata me ditën.
Berisha ishte ai që me tepër mund, punë e përpjekje vendosi Demokracinë dhe sistemin e lirë zgjedhor në vend, solli përparimin e shqiptarëve, zhvillimin infrastrukturor dhe ekonomik të vendit, anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe heqjen e vizave për bashkëqytetarët në Evropë.
Në anën tjetër, pas zgjedhjeve,grupi i fituesve të rastësishëm, i rënë në orgji dhe ekstazë-gjatë një ekskursioni, dëshmonte origjinën duke bërë zanatin me Def e dalldi jevge, në autobusin e cërgashëve, pjesëtar të të cilit,vetëm pak kohë më parë, gjatë fushatës elektorale, deklaronin pa fije turpi as dinjiteti njerëzor,para kamerave televizive,se po tallnin bythën me popullin,por që tani fituan votat dhe duan të udhëheqin me Shqipërinë.

Në këtë mënyrë, para syve të 7-8 milion shqiptarëve, pas 23 viteve të punës dhe përpjekjeve të gjithanshme Politiko-ekonomike dhe zhvillimore, për Shqipërinë dhe Kombin Shqiptar, Doktor Sali Berisha,po përfundonte karrierën e tij të gjatë dhe të suksesshme.
Natyrisht për mbështetësit dhe ata që e njihnin Shqipërinë e parademokracisë, ndarja ishte më e vështirë seç mendohej, ngase arritjet më të mëdha të të gjitha viteve të pas Pavarësisë, mbajnë vulën e emrit të tij, të cilat bashkë me ecjen dhe përparimin,kanë zënë vend përjetësisht në zemrat e çdo shqiptari që përjetoi kohët e vështira nën vuajtjet komuniste, para se të vinte  Sali Berishës në Pushtet.
Ndaj me të drejtë edhe reagimet e shumë personazheve publike pas dorëheqjes së Dr. Sali Berishës, ishin emocionale dhe prekëse për të gjithë. Këtu më poshtë po vë pjesë nga reagimet e disa personaliteteve:

Elton Deda,
Edhe pse unë i dhashë suport Edi Ramës,
Ti ishe shpresa jonë e parë për moskthimin e komunistëve.

Çiljeta Xhilaga,
Kisha kohë që nuk derdhja lot…Më ka prekur shumë dorheqja e doktorit.

Ardit Gjebrea,
Një gjest i cili tregon qytetari e përgjegjësi dhe hodhi poshtë paragjykimet ndaj një lideri historik.

Klevis Bega – Kastro Zizo:
Pa diskutim që je në histori Z.Berisha. Burrnia me fisnikërinë të mbuluan qenien sot.

Ermal Mamaqi,
Sali Berisha superman! Për çdo gjë ke bërë mirënjohje, respekt, nderim….

Aldon Lipe,
Populli shqiptar i ka merituar udhëheqësit që ka zgjedhur. Por shpeshherë edhe nuk meriton ndonjë prej tyre.

Rigels Rajku,
Mr.Sali Berisha  Momente emocionuese, e mbylli si burrat… Malësor i vërtetë.

Inida Gjata – Zhaku,
do na mungosh o doktor!

Eni Koçi:
Sali Berisha,je dhe do të mbetesh krenaria dhe nderi i gjithë shqiptarëve.

Afërdita Dreshaj,
I madhi mbetet i madh tërë jetën… Ne do të të kujtojmë, sepse bëre realitet ëndrrën shekullore të shqiptarëve, bashkove Shqipërinë me Kosovën.

Rosela Gjylbegu,
Respekt dhe mirënjohje…

Julian Deda,
Nga statuset e ndryshme në “Facebook”, po vë re se të gjithë e duan Doktorin.Derisa të rrosh do të përulem para teje, para emrit tënd. Betohem që ky popull do t’ju kërkojë prapë, por do jetë vonë për ata që të shitën për një copë bukë. Faleminderit Doktor!

Bleona Qereti:
Je i madh Sali Berisha!

Pra, përkundër humbjes së këtyre zgjedhjeve, shumë bashkëkombës nuk harruan asnjëherë se Doktori erdhi kur shqiptarët e kthyer në gjysmë skllevër nga sistemi totalitar në atdheun e tyre,të lodhur nga vrasjet, tortura dhe shtypja, shihnin me nostalgji nga kufijtë e fqinjëve dhe brigjet e kaltërta të detit pas të cilave e mendonin lirinë,një jetë pa brenga dhe gjetjen e lumturisë, kur edhe hija e tyre, sikur donte të ikte në rrugë të pakthim.

Ata edhe tani e kujtojnë se si ai me ndihmën e studentëve arriti ta rrëzonte komunizmin dhe tu sillte shqiptarëve lirinë e prosperitetin,zhvillimin dhe mundësin e jetesës në vendin e tyre, për të cilat  Doktori kontribuoi shumë, dhe punoi me entuziazëm e pasion, gjatë gjithë udhëheqjes së tij.
Shqiptarët ende e mbajnë mend se si Sali Berisha nuk u ndal asnjëherë për Shqipërinë të cilën e ngriti dhe ndërtoi shpejt në të gjitha cepet e saj.Si e rregulloi atë me infrastrukturë bashkëkohore sipas standardeve të kohës dhe stolisi me rrugë, fabrika e shkolla të reja si dhe pallate marramendëse,në të cilat edhe Poeti më skeptik,tani nuk ligështohet më, por ulet plot kënaqësi, këmbë-kryq dhe u këndon me shumë krenari arritjeve sublime të atdheut, duke mos harruar anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, dhe lëvizjen e lirë të shqiptarëve kudo në Evropë.
Ndaj,edhe është e kuptueshme për të gjithë se mu për shkaqet e lartcekura, mbrëmja e 26 qershorit nuk ishte e thjeshtë as e lehtë për shqiptarët,që pas 23 vitesh,të largohej nga udhëheqja një talent i lindur proevropian dhe njeriu simbol i përmbysjes së komunizmit i cili i dha shumë vendit dhe arriti atje ku asnjëherë nuk mundën të arrinin të tjerët.
Madje,Doktori pati fatin e madh që karrierën e tij ta përfundoi edhe me një fitore të ndritur për Shqipërinë dhe të ardhmen e shqiptarëve,siç ishte projektit TAP; për të cilin ai u përpoq dhe loboi deri në momentet e fundit të qeverisjes,me të gjitha mundësitë.
Pra ky pojekti i famshëm për transportin e gazit (TAP) nga Azerbajxhani,sipas shkrimeve të shtypit, përfshin mëse 206 km.gjatësi, në brendësi të territorit tokësor të Shqipërisë,nga Korça e Berati deri në Fier dhe rreth 60 km. territor ujorë,në pjesën shqiptare të detit,prej nga ai kalon drejt Italisë i cili jo vetëm se është me shumë rëndësi për zhvillimin e mëtejmë ekonomik të vendit,por pritet ti punësoj edhe mbi 20 mijë punëtorë dhe specialist shqiptar.
Ndaj, edhe pse shumë politikan, pas përfundimit të karrierës nga “yje” të imponuar nëpër kohë dhe situata, përfundojnë në fingij të shuar, të cilët vetëm mund t`ia djegin pabesisht dorën,secilit që provon,t`ua heqë hirin e padukësisë së tyre, Doktori i bënë dritë vendit dhe kombit me veprat e tij.
Sali Berisha,ishte dhe mbeti njeri i shpresës së shqiptarëve dhe lokomotiva e zhvillimit të Shqipërisë i cili me të drejtë – do të nderohet me pietet të lartë edhe në të ardhmen dhe kujtohet gjatë nga të gjithë shqiptarët,arritjet e të cilit do t`i çmojë lartë koha dhe vlerësoj me respekt historia në të ardhmen.
Ajo për çka, me të drejtë mund të kritikohet Sali Berisha, dhe me të cilën ai vërtetë u mbeti borxh shqiptarëve, është mos realizimi i rrjetit të lidhjes së përçuesve të lartë energjetik ndërmjet dy vendeve tona, as në katër vitet e fundit të qeverisjes së tij,për transferimin e rrymës elektrike,Kosovë-Shqipëri.
Megjithatë puna e bërë gjatë qeverisjes së tij vlerësohet lartë,kurse në citimin e tij, ish ministri i Brendshëm, z.Flamur Noka*, arritjet e z.Sali Berisha,i numëron në këtë mënyrë:

***
Lider qe solli demokracinë në vend.
Lider që ngriti flamurin tonë përkrah vendeve të tjera të NATO-s.
Lider që bëri Shqipërinë më të sigurt në rajon.
Lider që bashkoi popullin shqiptare nëpërmjet Rrugës së Kombit.
Lider që bashkoi shumë familje shqiptare më liberalizimin e vizave.
Lider që rriti zhvillimin ekonomik në Shqipëri.
Lider që rriti cilësinë e jetesës së shqiptarëve.
Lider që solli 24 orë drita, ujë dhe pa paguar ne ato i kishim.
Lider që ngriti ndjeshëm turizmin shqiptar
Lider që bashkoi Elbasanin me Tiranën
Lider që u tradhtua nga të mirat që i bëri këtij populli
Lider që kurrë nuk do të harrohet
Lider si ty nuk vjen më Sali Berisha
Ne ty të duam , ti je lideri ynë”.
Duke i pasur parasysh këto dhe shumë fakte tjera,si përfundim- populli dhe bashkëkombësit kudo, duhet ti shprehin falënderim të thellë Doktorit. Ai punoi shumë për Shqipërinë,pranoi zgjedhjet,nuk kërkoi hapje kutish as rinumërim votash,nuk ftoi njerëzit të vriten në demonstrata për të bërë të tjerët fajtor dhe kthyer Shqipërinë në arenë lufte,siç ishte bërë zakon dhe provuar disa herë gjatë viteve të qeverisjes së tij, nga ata që tani thuhet se fituan, nuk fajësoi as kënd për mossuksesin e koalicionit dhe partisë së tij në zgjedhje, mori të gjitha përgjegjësit e humbjes mbi vete, ofroi dorëheqjen si burrat dhe përfundoi karrierën në mënyrën më njerëzore. Ndaj,shqiptarët në të gjitha trojet,i janë dhe do ti mbeten përherë mirënjohës për të gjitha sa ka bërë për ta. Shëndet e  gjithë të mirat dhe jetë të gjatë e të lumtur në pension, Doktor.

Lamtumirë Sali Berisha!

Gani Qarri     Cyrih, 30 Qershor 2013

 

Filed Under: Kulture, Opinion Tagged With: Fahri Xharra, Gani Qarri, Lamtumirea e doktorit, mosmirenjohja e Sovranit, raca shqiptare 2

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 798
  • 799
  • 800
  • 801
  • 802
  • …
  • 868
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Antonio Bellushi (1934, Frasnitë – 19 qershor 2024) mbledhës i zellshëm dhe studiues i pasurive etnokulturore e gjuhësore të Arbëreshëve dhe Arbërorëve
  • Jetimi që nxori zbuluar shtetin…
  • Qyteti antik 2400-vjeçar i Çukës së Aitoit
  • Dita e Veteranëve, përkujtojmë shqiptarët që shërbyen me nder në Ushtrinë e SHBA
  • Lëvizjet e popullsisë shqiptare jashtë kufijve shtetërorë dhe vendosja e saj në Shqipëri: Një analizë historiko – hartografike dhe socio – ekonomike
  • “DUA”, propozimi zyrtar i Kosovës për Oscar në kategorinë “Filmi më i mirë ndërkombëtar”
  • 1928 / URA E ZOGUT MBI LUMIN MAT — RRËFIMI EKSKLUZIV I ERWIN SCHNITTER, INXHINIERIT ZVICERAN QË DREJTOI PUNIMET PËR NDËRTIMIN E SAJ
  • NIKOLLA NAÇO (1843–1913) – ATDHETARI QË E VURI PASURINË, DIJEN DHE JETËN NË SHËRBIM TË SHQIPËRISË
  • MURI I BERLINIT RA, POR MURET POLITIKE DHE IDEOLOGJIKE MIDIS SHQIPTARËVE VAZHDOJNË TË QËNDROJNË
  • Dy “Qemalët” e mëdhenj që themeluan dy shtete mbi rrënojat e një perandorie
  • THANK YOU to the City of St. Petersburg and Chief Anthony Holloway for Supporting Albanian School VATRA!
  • A egzistonte koncepti i kombit në kohën e Skënderbeut?
  • Dardane Halimi: “ALB Connection was created to give every Albanian-owned business in America a voice and visibility”
  • KRIJIMI I NJERIUT TË RI: NGA IDEOLOGJIA KOMUNISTE TE KULTURA E PËRFITIMIT NË SHQIPËRINË E SOTME!
  • Transpozimi poetiko-dramatik i veprës “Trungu ilir” të Sabri Hamitit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT