• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Përsëri fjala e ditës është INKUIZICIONI

April 23, 2013 by dgreca

Kur inkuizicionet e pushteteve u japin jetë studimeve/

Nga Arjan Th. Kallço*/

Ndonjëherë do të mjaftonte një tufë me ese’ të motivuara mirë, të goditura dhe të bazuara në arsyetime racionale dhe me fakte, që të kuptosh fajin e madh të inkuizicioneve përballë asaj shtrese studiuesish dhe intelektualësh të cilët sakrifikojnë gjithçka për t’i dhënë dritë jo vetëm të shkuarës, por edhe të ardhmes. Rruga e një studiuesi nuk është kurrë e lehtë, i pëmban në vetvete sukseset dhe dështimet, këto për një sërë faktorësh objektivë dhe subjektivë të vetë zhvillimit, apo siç duhet të shprehemi në rrugën e mundimshme të njohjes. Jeta – kot nuk e thonë – është luftë, pra një luftë me shumë beteja ku ajo më e forta dhe më e madhja është beteja me shoqërinë në të cilën jetojmë. Por historia e mendimit dhe e dijes na tregon se disa lloj pengesash janë të kuptueshme dhe nuk varen nga faktori njeri. Problemi qëndron pikërisht me qëndrimet e anëtarëve dhe komunitetet që mbajnë ndaj njohjes. Në shekuj ato kanë marrë emra nga më të ndryshmit, por një e vërtetë e madhe mbetet, kanë qënë pengesa artificiale për qëllime të caktuara. Çdo etapë e shoqërisë njerëzore krahas progresit ka pjellë edhe regresin ose siç mund ta quajmë me një fjalë censurën, si dy të kundërta që shpesh nuk duhet të jenë të domosdoshme ndaj njëra-tjetrës. Nëse duhet ta vështrojmë thjesht në këtë aspekt nuk do të kishte ndonjë gjë të keqe, pasi diçka mund të ndalet që të verifikohet dhe më pas t’i jepet e drejta të shpallet mes shumë të vërtetave që sot ka bota. Por fjala merr nuanca të tjera, nëse kalojmë tek inkuizicioni. Procese të pafund gjykimesh, shpesh me shpifje apo trillime skutash dhe më pas verdikte që të revoltojnë dhe të ngjallin urrjetje për nga mënyra sesi përfundojnë. Kjo fjalë nuk i është ndarë kurrë progresit kudo qofshin heretikët e të vërtetave apo blasfemive që tronditin themelet e strukturave të ngritura mbi bazën e inkuizicionit. Mesa duket inkuizicionet nuk kanë shumë ndryshim në botë, janë po ato legjenda të zeza, që nën sundimin e tyre të gjatë e kanë ndryshur dhe sakatosur mendimin e lirë, zbulimet shkencore, arritjet. Të jetë një lloj zilie, vallë? Po në kohët moderne a do të kishte logjikë inkuizicioni? Dy pyetje që shumë studiues u japin edhe përgjigje të ndryshme, në vartësi të njohjeve, dijeve apo fakteve të ndryshme, por mbi të gjitha të interpretimeve që u bëhen. Secili prej studiuesve do të ishte në gjendje që të pozicionohej lidhur me inkuizicionet, por të bindur se shumë të tjerë do të pranonin edhe heshtjen, kompromisi më i rrezikshëm me veten dhe me shkencën, vetëm e vetëm që të mos i hapnin telashe vetes. Një lloj inkuizicioni është edhe realiteti shqiptar i sotëm kur në këto dy dekada ka vepruar me bekimin e vetë politikës, pa kursyer askënd. Këto janë disa mendime që lindin dhe do të lindnin në mendjen e secilit prej nesh, nëse do t’i lexonte disa përmbledhje me ese’, të Xhon Tedeskit, me tituj shumë domethënës : Intelektualë në mërgim dhe Nga inkuizicioni romak tek fashizmi. Cila është lidhje midis mërgimit dhe inkuizicionit? Shumë e thjeshtë për ta kuptuar, pasi është inkuizicioni ai që i shtyn mendjet e ndritura të një kombi të largohen nga vendi i tyre. Sipas një gazetari Italian, mërgimi për Tedeskin ishte një përvojë personale, para se të bëhej objekt studimi. Italia u zhduk nga horizonti i tij, kur ishte fëmijë, në vjeshtën e vitit 1938 dhe kur u nis me familjen nga Gjenova për në Amerikë në anijen Vulkania: e njëjta anije që çoi në Amerikë Pol Oskar Kristelerin, edhe ai mërgimtar, sepse kishte origjinë izrailiane. Një retrospektivë e pranueshme që një mërgimtar i inkuizicionit fashist, shkruan për një mërgimtar tjetër. Tedeski rishkruan në librin e vet për vitet që kaloi Kristeleri në Itali, nga viti 1933-1939, dhe përshkruan me detaje se me sa zell policia italiane e përgjoi dhe regjistroi ditë pas dite “lëvizjet e profesorit paqësor gjerman”. Thuajse ka një logjikë që i lidh inkuizicionet, i njëjti efiksaitet dhe marrëzi prej burokratësh edhe për Tedeskin, ushtrimin e dhunimit për shkaqe false. Tedeski u detyrua ta ndryshonte emrin në Xhon dhe sipas historisë së jetës së tij, për shërbimet që i bëri atdheut, ky i fundit iu gjend pranë në ditë të vështira. Gjithkush në këtë pikë nëse do t’i kërkohej ta shkruante historinë, do ta dëshironte ta përmbyste dhe t’i referohej restos që i duhej kthyer inkuizicionit dhe që mishërohet tek fjala hakmarrja. Mençuaria është më sublime se inkuizicioni, prandaj hakmarrja e tyre, e Kristelerit dhe e Tedeskit, ishte sipas shprehjes “goditje me pambuk”, bujare, saqë u duk më e rafinuara e mizorive: e gjithë vepra e tyre, e barabartë me mërgimtarët e viteve ‘500, e bëri të njohur Italinë në botë, si dhe trashëgiminë më të lartë intelektuale – shkruan gazetari. Inkuizicioni fetar për shekuj ka qënë padyshim më i pamëshirshmi dhe më i tërbuari, por nuk mbeten pas edhe forma të reja që lindën më vonë, si p.sh ai mbretëror, perandorak, shtetëror etj. A ka edhe sot gjurmë të inkuizicionit? Nuk ka njeri, qoftë dhe një i vetëm që ta mohojë këtë të vërtetë, por tani nuk mban vulat në pergamena apo dyllin e derdhur sipër, por disa lloje të tjera vulash, herë të njoma e herë të thata. Por përsëri inkuizicion quhet dhe ai shqiptar është i një lloji tepër të veçantë. I kthehemi restos së dy mërgimtarëve dhe nuk mund të imagjinohet një rast më i mirë që të zbatohet,  mbi gjykatën e së shkuarës, hakmarrja e një dënimi  pa apelim të gjykatës së historisë. Aq më tepër se ekzistonte një prirje e përgjithshme që ta konceptoje historinë e Inkuizicionit fetar si një legjendë të zezë, e ndërtuar me tortura dhe turra drush. Por ajo që bëri Tedeski ishte krejt ndryshe – vazhdon gazetari. Ndërsa në Itali po binte perdja e censures, veprat e Dantes, Bokaços, Makiavelit, Guiçardinit, Pomponacit dhe shumë të tjerëve – shkruan Tedeski – panë dritën në sajë të bashkëpatriotëve të tyre jashtë shtetit. Por në Itali sot flitet për një tjetër lloj mërgimi, i lidhur me pamundësinë që shumë studiues të rinj ta shprehin talentin e vet në atdhe, prandaj detyrohen që të largohen, të arratisen në ndonjë parajsë të stimulimit të talentit të tyre që mban emrat e disa shteteve lider, si Amerika, Gjermania, Franca etj. Po tek ne kush e di numërin e saktë të viktimave të inkuizicionit demoktatik? Janë të shumtë ata që e lanë atdheun dhe u larguan, ndoshta përgjithmonë, e pra detyrën ndaj tij e kishin bërë, por atdheu nuk e kreu deri në fund misionin e vet. Përsëri fjala e ditës është INKUIZICIONI.

* Autori eshet pedagog ne Universitetin “Fan S Noli” ne Korce, bashkepunetor i rregullt i Diellit

Filed Under: Kulture, Opinion Tagged With: Arjan Th Kallco, censura, Inkuizicioni

Vetështrydhja e një kombit të ndrydhur

April 23, 2013 by dgreca

  “Shteti nuk është asgjë pa popullin dhe një qeveri e mençur  nuk e vendos shtetin mbi popullin, por popullin brenda shtetit” Fredrich Ludwig Jahn/…

–  Si u ndrydh historia e një kombi? Çka ka të ndrydhur ne Zip-in e mëshefur të historisë sonë? Çfarë është ky komb kaq interesant?

 Shkruan Fahri Xharra-Gjakove/

  Të ndrydhësh do të thot të ngjeshësh diçka për të zënë vend më pak.Brumi ndrydhet. Ndrydhet edhe ajri. Ndrydhja është kur nuk e  lë diçkafin  apo dikë të shfaqet apo zhvillohet lirisht duke i krijuar pengesa a vështirësi ,duke e ngushtuar,duke e penguar apo shtyp. Por, këtu e kam fjalën për kombin tonë të ndrydhur; të ndrydhur nga mëndimet ,nga ndjenjat dhe nga dëshirat.Të ndydhur nga hovi ,të ndrydhur nga personaliteti.

Një komb i ndrydhur , i mbyllur në vetvete , i ndrydhur nga ndrojtja e nga frika.Një komb, i vrenjtur ,i rrudhur,i ngrysur: i kufizuar e i penguar në zhvillim,në çfaqje të lirë të mëndimeve . Një komb, që jetuam në një mjedis ndrydhës me me ndjenjë të rëndë shtypëse:me një trishtim ndrydhës e që na dukej qetësi -e ajo ishte qetësi ndrydhëse.

Na mbanin të ndrydhur me dëshira të ndrydhura, me fuqi,vullnet dhe jetë të ndrydhur.

Edhe hapësirën na e ndrydhnin.Shikoni hartat  se ku ishim , se cilat detëra i lagnin brigjet tona . Duke u (na) ndrydhur u ( na) tkurrëm(n) në një vend  që na ofronte vetëm ndrydhje mendore,intelektuale dhe vetvepruse.

Me anë të ndrydhjes na e ndrynë edhe të kaluarën tonë; ashtu të mbyllur në një vend pa kreanari, të këputur nga lidhjet ndërveti  e me të tjerët.

Të gjithë , sot e njofin se ç`është Zip-i , një arkivë e formatuar  e cila mundëson që sa më shumë të dhëna të ndrydhen në një vend që mos të zënë vend në kompjuterin tonë. Zip-in e krijoi me 1989 Phil Katzi. Zip-i na mundëson që t`i ndrydhim(komprimojmë) shënimet tona të shumta duke përdorur metoda të ndryshme apo thjeshtë duke i magazinuar të dhënat tona.Çdo e dhënë e ndrydhur me anë të Zipi-t ruhet veçmas dhe shfletohet po ashtu veçmas., sepse ato duke u ruajtur veç e veç ,pa e trazuar terësinë nxirren jashtë ato që na duhen.Një shigjetë treguese është e vendosur në fundin e Zip-t.dhe ajo ne tregon se cilat të dhëna janë dhe ku janë . E lehtë a?

     Si u ndrydh historia e një kombi? Çka ka të ndrydhur ne Zip-in e mëshefur të historisë sonë? Çfarë është ky komb kaq interesant?

”Po, kush ishin këta pellazgë, që u “sorollatën” si zot të deteve (deti Jon) dhe iu dhanë atribute të Perëndive, Mbretërve të tyre të famshëm? (shiko Niko Stillo “Etruskishtja Toskërishte”).Këta banorë të parë europianë, që u shtuan në shumë “fise” dhe “fara”, i lanë jo vetëm një arkiv të pasur gjuhësor, por edhe të zbulimeve shkencore, kulturore dhe fetare, shoqërive të mëvonshme në Europë dhe bashkëkohëse në Afrikën Veriore, Azinë e Afërme dhe të Largët e deri përtej Oqeaneve. Gjithashtu, krijuan modele të drejtimit të shtetit dhe të edukimit të elitave të ardhshme, që frymëzuan edhe intelektualët e Rilindjes europiane të shek. 18-19. Një trashëgimi kaq e pasur e lashtësisë europiane, e krijuar gjatë 50 000 – 150 000 viteve, sepse gjuhët e njeriut të sotëm mendohet të jenë zhvilluar gjatë kësaj periudhe kohorenuk mund t’i mbanin vetëm shpatullat disa shekullore të Greqisë, që fillon me shek. 6 p.k. me botimin e poemave të Homerit.( Fatbardha Demi)

“Gabimi më i madh i kryer ka qenë, sepse Greqia është vendosur në qendër të të gjitha studimeve historike dhe gjuhësore”, megjithëse nga Homeri “Helenët nuk janë cituar kurrë si popull apo si komb”.

“Përkrenarja e famshme me brirë (cjapi apo dashi) që mbante Pirro II (319-272 p.k) ishte e ngjashme me atë të Aleksandrit të Madh. Të njëjtën përkrenare mbante edhe heroi kombëtar shqiptar, Gjergj Kastrioti (1405-1468). Kjo vërteton zanafillën e përkrenares me brirë që mbahej nga sovranët, në veçanti nga ata me zanafillë thrako-ilire (Arif Mati)”

Ky ishte një Zip e ne nuk guxonim të flisnim.

Pastaj Zipi tjetër  nga Roma , Turqia dhe Serbia. . Ndrydhje e pashembulltë ndaj një populli me prejardhje të lashtë e super të lashtë.Neve na ndrydhën të kaluarën ( na e futën në Zip) : pa kurrëfarë mundësie që ta ç`ndrydhim dhe dualën me shënimet e tyre të cilat ia shpërlanë trurin botës e  për ne as mos të flasim. Na shanë, na anashkaluan sikur mos të kishim qenë kurrë këndej pari. Na bënë ”bisha” na ”ngjitën” bishtin e se ç`na thanë. Të gjitha duheshim t`i përpinim dhe besa filluam edhe t`i zënim besë se me të vërtetë ” ishim ”po ata  , ashtu si shkruhej për ne.

Një gjë interesante me këtë trenin e historisë i cili nuk ka të ndalur dhe në të hypin dhe zbresin nga më të ndryshmit , nga më të  … por të fundi i fundit  të gjithë janë udhëtarë ,dhe duhet të kryejnë një mision natyror . Neve ,natyra na i kishte pas pasë dhënë biletat për në vagonat e parë me numra të caktuar të ulëseve .. Dhe udhëtonim.

E fituam atë që nuk e kishim me mileniumedhe krijuam shtete por  kur filluan gjërat të ç`ndrydhen dhe Zipi filloi të hapët ; filloi gjiçkafi por  duke e harruar që Fredrich Ludwig Jahn, theksonte kuptimin politik të idesë kombëtare: “Shteti nuk është asgjë pa popullin dhe një qeveri e mençur, nuk e vendos shtetin mbi popullin, por popullin brenda shtetit”

Për kundër asaj që i kemi biletat për ato ulëset e vagonave të parë të klasit të parë;  ardhësit po mundohen që ato të na i shkyejnë ,dhe këto vende që memzi i kemi rujtur të na i zënë dhe të na gjuajnë ,të na hedhin poshtë nga treni i historisë i cili kurr nuk ndalet.

Kur filluam pak të shlirohemi , të marrim frymë më lirëshëm, të ngopemi me ujë se na mungonte edhe lagështira në ato ndrydhje të pamëshirëshme,filloi shtrydhja  e re mbi ne. Filluam edhe te vetështydhemi.Shtrydh ata ,shtrydh ne, dhe kend? Një popull të ndydhur.

”Dhe nga këtu e ke tepër zor me ia mbushur mendjen njeriut të fillimshekullit të ri, se, o krijesë e vetme me gjykim, vetëdije e të folme, sikur kot se koti je duke djegur çastet e jetës tënde për t’u bërë zot e për mbi zot mbi planetin e tokës, sepse, përvoja e jetës brezave u ka lënë porosi: Ti mund ta blesh shtratin, por jo edhe gjumin. Ti mund ta blesh orën, por jo edhe kohën. Ti mund ta blesh librin, por jo edhe dijen. Ti mund ta blesh ilaçin, por jo edhe shëndetin. Ti mund ta blesh gjakun, por jo edhe jetën. Ti mund të blesh tërë armët e botës, por jo edhe lirinë.” (Riza GREIÇEVCI)

Vazhdimësia iliro-shqiptare? Skënderbeu ? Nënë Tereza?  Ndërrimi i historisë?S`ka nevojë të futem në detaje.

Të përfundoj me shkrimin e Fatbardha Demit: Vetëm atëhere, kur historia e Arbërve, do të zëre vëndin që i takon në Historiografinë e Lashtë Europiane dhe atë Botërore, vetëm atëhere, historiografisë së lashtësisë, do t’ikthehet MORALI i saj shkencor.

Gjakove, Prill 2013

 

Filed Under: Opinion Tagged With: e nje Kombi te ndryshur, Fahri Xharra, gjakove, vetshtrydhja

ANTI-SEMITIZMI DHE ISLAMI RADIKAL NË KOSOVË

April 20, 2013 by dgreca

Shkruan : Dimal Basha – New York/

Propaganda anti-semitike e Hitlerit ishte njëra ndër veglat kryesore për “justifikimin” e diskriminimit, segregimit dhe persekutimit të hebrejëve gjatë luftës së dytë botërore. Edhe pse kemi komentime të ndryshme në lidhje me origjinën e urrejtjes dhe fanatizmit të tij për të asgjësuar një popull të tërë, nuk ka asnjë dyshim për deluzionin e tij se hebrejët ishin arsyeja për të gjitha parregullsit dhe ku si pasojë pësuan jetërat e milionave njerëzve, në mesin e të cilëve shumica ishin hebrejë.

Hitleri përdori hebrejët si vegël para se të fitoj zgjedhjet në Gjermani dhe urrejtjen ndaj tyre e bëri platformë politike dhe shëndrroi në ‘kryqëzatë’ pas ardhjes në pushtet! Dallimi i tij prej një individi të rëndomtë ishte se Hitleri fitoi pushtetin që i dha fuqinë për të kryer krime në një masë të tmerrshme.

Tani që shqiptarët gëzojnë një rrespekt për shpëtimin e hebrejëve që ndiqeshin nga persekutimet gjatë asaj kohe dhe që njifeshin botërisht për tolerancën dhe rrespektin ndërfetarë, ky kurs ka marr një kahje të çuditshme me ardhjen e një Islami i importuar nga vendet arabe menjëherë pas luftës. Janë këto rryma të një Islami fundamentalist që përdorin të njejtën propagandë naciste që përçon urrejtje dhe legjitimizon dhunë!

Shumica e këtyre aktorëve fundamentalistë janë intolerant dhe sipas Yahya Sadowsky karakterizohen me tri kritere. E para, besimi i tyre  se çdo individ që nuk ndan besimet e tyre strikte konsiderohen si të devijuar dhe denoncohen si jo-besimtarë. E dyta, shpesh-herë zhyten në teori kosnpirative duke arsyetuar se hebrejët janë arsyeja kryesore për të gjitha të këqijat dhe shpesh i akuzojnë ata për luftën kundër botës Islame. E treta, muslimanët shiia i konsiderojnë si armiqt më të përbetuar dhe predikimet ndaj tyre , hebrejëve, dhe të gjithë që nuk ndajnë besimet e tyre përmbajnë një gjuhë urrejtje, përcarëse por edhe raciste. Janë një numër individësh që për agjendë e kanë ngulfatjen e cfardo mendimi ndryshe dhe përdorimi i gjuhës së urrejtjes janë mënyra që ata shpeshherë rezonojnë.

Në këtë grup kemi edhe racistin Enis Rama, hoxhë që është  pjese e ketij mullini që prodhon urrejtje anti-semitike. Shpesh thirret në paqë por nuk heziton të shfaq ndjenjat raciste dhe urrejtjen për grupe të caktuara duke e shoqëruar me teori konspirative.

Në  njërën nga ligjërat e tija që  është e publikuar në YouTube, ai shpreh racizmin e tij ku thotë se “në rrafshin njerëzor, nuk ka lloj njerëzor, kabile fis apo ngjyrë më shkatrrues, ma t’prisht edhe ma fesaxhi se çifutët.” Me tej, hoxhë Enis Rama konludon ngjashëm sikur Hitleri dikur se “burimi i secilit sherr shpie te çifutët” dhe akuzon hebrejët për të gjitha problemet ne lindjen e mesme duke thënë se “lufta në Siri… është luftë e drejtpërdrejt mes një besimit të pastër dhe asaj të ndytë të jahudive.”

Nuk ka dyshim se kjo gjuhë raciste çon në urrejtje të mëtutjeshme dhe nuk është çudi që predikimet si kjo gjithashtu shpiejnë tek incidente sikur që kishim përdhunosjen e varrezave hebraike në Prishtinë. Frika ekziston se çfarë pasoja do të ketë në të ardhmen kur rritet numri i individëve aktiv që mendojnë sikur racisti Enis Rama?

Është gjithashtu vështirë me paramendu se çfarë mendon Enis Rama me bashkëmendimtarët e tij për miqt tanë hebrejë si ish sekretarja e shtetit Amerikanë Madeleine Albright, që ishte shtytësja ma e madhe për intervenimin në Kosovë dhe vet njëra nga të përndjekurit e regjimit nacist, apo edhe kongresmenin Eliot Engel, ish zëdhënësin James Rubin, senatorin Charles Schumer e sa e sa miq tjerë hebrej që mbajnë pozita kyqe në administratën amerikane dhe janë mbështetës dhe shtyllë kryesore e shtetit që e gëzojmë?

Duket e pakapshme me kuptu se si një popull që historikisht u shquam për tolerancë dhe rrespekt arritëm që veq pas më shumë se një dekade Kosova të kthehet në një fole fundamentalistësh ku gjuha raciste si kjo e Enis Ramës është pjesë e një propagande që kalon pa u vërejtur.

Rrëziku po rritet kur Islami fundamental në Kosovë po kalon në atë radikal. Ky i fundit përkufizohet atëherë kur feja legjitimizon dhunën për të arritur një objektiv dhe ky legjitimizim vie nga Shefqet Krasniqi, njeriu më i paskrupullt që në emër të Zotit e legjitimizon dhunën. Në emisionin Rruga e Ndriçuar të 4 Prillit, hoxha merr një pyetje nga një qytetarë ku thuhet, “a kam hi në gjynah se i kam ra shuplakë një personi të moshuar kur ndjeva që ai përdorte gjuhë ofenduese ndaj Allahut?” Përgjigja e hoxhës ishte e thjeshtë, “jo s’ke hi n’gjynah, jo inshallah!”

Shkurt, një person ka sulmuar fizikisht një tjetër në moshë për arsye se ka ndëgjuar fjalë që nuk përkojnë me besimin e tij dhe krimineli në këtë rast kërkon legjitimizimin e aktit të tij përmes hoxhës që i tregon se, sipas dogmës së tij talibaneske, nuk ka kry një gjynah dhe rrjedhimisht feja e tij “paqësore” e lejon këtë dhunë! Radikalizmi brina nuk ka dhe kombinimi i një gjuhe raciste si ai i Enis Ramës me legjitimizimin e Shefqet Krasniqit mund të ketë pasoja radioaktive përbrenda shoqërisë sonë por edhe si shtet në arenën ndërkombtare.

Medeomos mbes i palëkundur në besimin se shumica e popullit shqiptarë mbeten të arsyeshëm dhe me siguri se shqetësohen nga këto predikime radikale, mirëpo qetësia dhe pasiviteti kundrejt kësaj gjuhe raciste e shumicës është pasojë e frikës së cenimit të drejtpërdrejtë të një radikalizmi që është në rritje e sipër që vie si pasojë e neglizhencës nga vet autoritetet dhe qeverisë që qëndrojnë indiferent ndaj propagandave naciste dhe legjitimizimit të dhunës.

Unë si një qytetarë i Kosovës nuk më mbetet të elaboroj më shumë për urretjen që përçohet nga këta radikalë sepse i mbetet autoriteteve të mirren me ta, mirëpo mund të kërkojë falje për shumicën e një populli që i shef si miq Albright e të gjithë të tjerët të cilët, pa marr parasysh religjioni, etnie apo ngjyre, ishin dhe mbesin pjesë e miqve të shumtë që na përkrahën në ditët kur vet ishim subjekt asgjësimi.

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Anti-Semitizmi, Dimal Basha, Islami Radikal, Kosove

”SHQIPNI, QENDRO-NË NALTËSINË E KËSAJ BETEJE TË MADHE !”- 20 vjet… 25 Prill 1993…/

April 20, 2013 by dgreca

Ne Foto: Papa Gjon Pali II ne Shqiperi, 25 Prill 1993…/

Nga Nga Fritz RADOVANI/

Në Token e Bekueme Shqipni, Atdheun e Gjergj Kastriotit – Skenderbeut, n’ Atë shkamb ku Shqipja Dykrenare me kthetrat e veta ka shkrue Epopenë ma të lavdishme të qendresës sa shekullore të Atdhetarizmit Shqiptar dhe të Fesë Katolike, perballë Gjenocidit osman para vitit 1912 dhe atij sllavokomunist mbas vitit 1944 e deri në vitin 1991, atëherë, kur Bota rrotullohej ndaj një Ylli ndriçues polak me emnin Karol Vojtila, i njohun si Papë  në Vatikan me emnin e Shenjtë Gjon Pali II, edhe Atdheu i Shqipeve ndriçohej me lutjet e Tija të vazhdueshme dhe me një perkushtim të veçantë. Janë uratët e një bashkvuejtësi si na nën zgjedhen e pashpirtë të diktaturës komuniste. Janë thirrjet e Atij Burri të njohun e trim, i cili do të lanë në fletët e historisë nen emnin Papa Gjon Pali II, tri fjalë: “Mos keni frikë!”

Ai asht lé me emnin Karol Jozef Vojtila me 18 Maji 1920 në Wadovicë të Polonisë, dhe asht shugurue meshtar në nandor të vitit 1946, kur Polonia ishte e pushtueme nga trupat stalinjane bolshevike të sovjetikëve. Asht zgjedhë Papë në Vatikan me 16 Tetor 1978, ora 17,15’. Asht autor i mbi 70.000 faqe t’arta dorshkrime. Vepra e parë e Tij titullohet: “Të kapercejmë pragun e shpresës”… Asht idea e Tij që e ka shoqnue gjithë jeten…Asht hapi i vendosun me siguri e besim në Kalvarin e gjithë jetës! Ai hapi një epokë të re per Kishen Katolike Botnore me tri vizitat e Tija në vitin 1979, me 2 Qershor në Krakov të Polonisë, ku marrin pjesë në Meshen e Tij të Parë si Papë mbi 2 miljon polakë. Nisë udhtimin me 2 Tetor në ShBA, ku mban një fjalim të randsishem në OKB, “Mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe liria e Fesë” dhe, vizita e tretë në Turqi, me 28 Nanor, ku takohet me Patriarkun e Konstantinopolit Dimitri I, në Al Fanar, udhtime që hapin atë Histori të papersëritëshme!

Papa Gjon Pali II ka rivendosë mardhanje diplomatike me Anglinë, ShBA, Izraelin dhe Organizaten per Çlirimin e Palestinës. Lidhjet e Tij me Shqipninë janë të veçanta.

Ai ka provue diktaturen naziste, komuniste, atentatin e Mehmet Ali Agxha, me dt. 13 Maji 1981…dhe ka vizitue mbi 180 shtete të botës…po nuk ka harrue asnjëditë Shqipninë e Martirizueme nga Gjenocidi sllavokomunist i osmanllinjëve E. Hoxha e R. Alia, të njohun si terroristët ma perbindësh të Shek XX në Europë…

Koha provoi gjithnjë se njeriu ma i kërcnuem i shekullit XX ishte Gjon Pali II, se  Ai luftoi totalitarizmin, varfëninë e Botës së tretë, kerkoi edukimin e arsimimin e fëmijëve të kontinenteve të shtypuna nga kolonizatorët, Ai punoi në mënyren ma të guximshme per shpartallimin e Perdes së Hekurt,  dhe u angazhue per transformimin e Europës Lindore komuniste në vende të lira dhe demokratike. Ai kishte forcë dhe pushtet në politikë pa hy në politikë…luftoi abordin dhe ishte i premë në qendrimet morale. Në të gjitha takimet me rininë Ai predikoi rrezikun dhe pasojat e shemtueme të drogës, imoralitetit, korrupsionit dhe mënyren se si rinia duhet të luftojë per të Drejtat e Njeriut, demokraci e liri të vertetë.

Në 17 nandor të vitit 1985, Papa Gjon Pali II, i dergoi dy letra personale në takimin e randsishem të Gjenevës, Ronald Reagan dhe Mihajl Gorbaçov…

Ai erdhi si Papë me ide, bindje, qellime të kjarta dhe guxim për me i zbatue ata.

Ai ishte gjenialitet i rregullimit të një Bote të trazueme ku mbet simbol i një Epoke të Re, me mjetet ma paqsore, ku “Liritë dhe të Drejtat e Njeriut” triumfuen mbi diktaturat, sepse Papa Gjon Pali II, ishte antikomunist, progresist, iluminist, humanist, kundershtoi me forcë kapitalizmin e eger, varfninë perballë pasunimit të pandershem, diskriminimin e njeriut, tue fillue nga muret mbrenda familjes, u perball me komunizmin dhe e shembi até tue këputë telat me ferra rrethues e bashkë me ta, tue rrëzue edhe Murin e Berlinit.

Pikërisht në këte moment historik të shoqnisë njerzore të robnueme të Evropës Lindore, Vojtila i  zbërthen prangat e tiranisë komuniste me tri fjalë të vetme e të sakta: “NON ABBIATE PAURA !”, “MOS KENI FRIKË !” sëpse, njeh parimin filozofik të historisë: “Kur një Popullit i ikë frika, shpejt Atij i vjen LIRIA !” dhe, menjëherë mbas takimit me R.Reagan në Qershor 1987, Vojtila shpartallon komunizmin me Kristjanizëm… pra, pa gjakderdhje dhe me paqë, por jo, me paqë nën kamxhik dhe kallashnikov…

Ai erdhi në Selinë botnore dymijvjeçare të Katoliçizmit tue sjellë me vete sekretin e madhështisë së Tij, sekret të cilin, askush nuk mujti me e kuptue para Tij: “Komunizmit totalitar Ai i zbuloi anën shpirtnore të Njeriut”. Suksesi i madh i Tij qendron në zberthim dypalësh, atë të ndergjegjes së ndrydhun dhe shpartallim të prangave të tiranisë komuniste.

M. Gorbaçov ka pohue: “Pa Papen Karol Vojtila, komunizmi nuk do të kishte ra!”

Asnjë nga takimet historike nuk asht ba në bazat e rraketave, bunkeret, nëndetëset apo zonat e fluturimeve kozmike por në dhomën e pritjes së Papës Gjon Pali II, në një tavolinë kuadrate, të lëmutë, të bardhë, të pastër dhe të ndritëshme siç ishte Ai vetë, ku, mbështetëshin vetëm katër duer… që posa lidheshin Burrnisht njena me tjetrën tue u shikue drejtë në sy: “Nënshkruenin marrveshje paqe e dashunije të pakufi për mbarë Njerzimin!”

Ja, pra, Ky ishte Papa Polak Karol Vojtila, që ndryshoi Historinë e mbarë Botës!

Ra Muri i Berlinit! Ra sistemi komunist terrorist nderkombtar! Ra perjetë tirania!

U rrëzuen pergjithmonë diktatorët e bashkë me ta edhe “përmendoret” e tyne!

 

Atë ditë me 25 Prill 1993, kur Papa Gjon Pali II, po hynte fitimtar në Katedralen e rindertueme të Shkodres, ditë në të cilen Ai puthi Token Shqiptare, Token e rijtun me shekuj me gjakun e Shenjtë të mija Martirëve Shqiptarë, e së fundit të ramë nën shpaten anadollake komuniste e barbare, na dukej e pabesueshme se jemi tue pa me sy Burrin ma të madh të Shekullit që me doren e Tij, po na bekonte e po na ringjallte Fenë në zemrat Tona!

Ishte po, Ai Papë, që në qershorin e vitit 1991, Burrnisht kishte refuzue kerkesen e tradhëtarit dhe zbatuesit të “Revolucionit Kultural” Ramiz Alia, në vitin 1967 në Shkoder, per me vizitue Vatikanin, me shpresë mashtrimi per me ruejtë postin e presidentit.

Ai Papë ishte që porsa mërrijti i dhuroi Qytetit të Shkodres Fuguren e Zojës së Këshillit të Mirë dhe e vendosi me doren e Tij, tue e bekue Gurin e rindertimit të Kishës së Zojës brijë Kalasë Rozafat, për të treten herë e shkatrrueme mbas 1967 nga anadollakët. Mesazhi i Tij ishte: “T’i kthehet vendit dhe Popullit Tuej paqa, një jetë ma e mirë dhe zhvillimi social simbas traditave njerzore e fetare të kësaj tokë” (26 Prill, Vatikan).

Ky ishte Polaku Vojtila, që kur Bashkimi Sovjetik kërcënoi Poloninë për lëvizjet demokratike atje deklaroi: “Nëse një ushtar sovjetik do të shkelin kufinin polak, unë do të çveshëm si Papë dhe do të shkoj me luftue atje për Lirinë e Atdheut tim!”

Papa Gjon Pali II asht njohësi ma i saktë i Shqipnisë robnueme komuniste dhe per këte t’i referohemi Atij: “Kam ardhë këtu për me ju shpreh nderimin tim Vllazënor edhe komunitetëve të ndryshme fetare që bashkjetojnë këtu prej shekujsh: Komunitetit Kristjan Ortodoks dhe Komunitetit Mysliman, të cilëve, u sjellë një përshëndetje të përzemërt…

Kam ardhë për me i shfaqë çdo Shqiptari admirim dhe mbështetje në këte fazë delikate të kalimit historik dhe të të shumë së dishruemes ringjallje shoqnore e shpirtnore.

Të dashtun Vllazën e Motra! Sa herë në të kaluemen ju asht dashtë ta mbroni me forcë identitetin tuej. Me një angazhim të tillë sikur edhe vetë ky shesh na e kujton u shque Figura e naltë e të Krishtenit Gjergj Kastriotit – Skenderbeut, i respektuem nga Papët e Romës dhe përjetësisht i gjallë në kujtimin e Popullit Shqiptar…

Ju keni vuejtë për Kombin Tuej. Prandej dhe keni të drejtë ta doni kaq shumë. Populli i juej kaloi një tragjedi me të vërtetë tronditëse nën shtypjen komuniste. Ishte vërtetë i tmershëm përftyrimi i jetës njerzore nën rregjimet totalitare si ai që ju keni njohtë, ku njeriut i mohohej një nga të drejtat ma thelbësore: Liria e shfaqjes së mendimit dhe e besimit të tij si dhe liria e ndërgjegjës. Mohim ky, që shpesh merrte formën e një shtypjeje të tmershme. A ka gja ma të randë sësa mbyllja e Tempujve të çdo besimi dhe, a nuk u dënuen me vdekje priftërijtë, vetëm pse guxuen të ushtronin rritët fetare? A nuk u përsekutuen besimtarët tue u burgosë ose tue u fye me të gjitha mënyrat?

Në vendin tuej të vishkulluem mashumëse asnjë vend tjetër nga përsekutimi asht e thjeshtë me gjetë gjurmët e katakombëve të lashta kristjane dhe t’arenave ku, dëshmitarët e Krishtit hidheshin me dhunë për me ushqye bishat. Këtu kje një luftë e ashpër kundër Fesë, simbas një vije dogmatike të një programi shoqnor dhe politik, i mbështetun nga ideologjia komuniste…

Dukej sikur mjeti ma i domosdoshëm për me realizue e trumbetue “Parajsën në tokë” kje tue i mohue njeriut atë forcë që e lidhë me Krishtin, forcë kjo, rreptësisht e dënueme si një “dobësi e pandershme për njeriun”.

Në të vërtetë kjo forcë e pame jo me atë sy ishte ma shumë dishka shqetësuese për ata, ashtu si e treguen faktët. Përsoni njerëzor në të vërtetë me energjinë që vjen nga Feja, nuk lejon lehtësisht të hidhët në anonimatin kolektiv…

Ajo që ka ngja në Shqipni të dashtun Vllazën dhe Motra, nuk asht pa kurrë në historinë e njerëzimit. Asht e vërtetë se edhe në Përandorinë Romake janë ba përndjekje të ashpra ndaj të Krishtenëve, por atëherë ishte fjala për shtet i cili në emën të një feje, asaj pagane, luftonte ata që mbështetshin Ungjillin e Krishtit. Kurse këtu, shteti asht përpjekë me shue çdo shprehje fetare në emën të një ateizmi radikal, të mbështetun në një sistem universal dhe përgjithësues. E gjithë kjo ndodhte në një kohë kur askush nuk mund të ndërhynte për me mbrojtë dinjitetin e njerëzve që u ishte mohue gjithshka, tue i çveshë deri nga ma “njerzoria”, liria e tyne…

Drama e Juej Shqiptarë të dashtun, zgjon interesimin e gjithë Kontinentit Evropian dhe asht e domosdoshme që Evropa mos t’ Ju harrojë!

Dhe në fakt ky duhët të jetë pikësynimi sot, me këthye shpejt fletën tue mos harrue atë që ka ekzistue për me shikue përpara. Pikëpamje kjo, që në një prizem vështrimi asht e drejtë e, madje, e domosdoshme, por me një kusht, që me mbetë gjithmonë në kujtesën tonë ajo që ngjau në të kaluemen. Në të vërtetë ky asht kusht i domosdoshëm për mos me u rikëthye tek të njajtat gabime të përlotuna dhe, asht shtegu ma i mirë për një proçes pajtimi të vërtetë. Por, kjo liri besimi fetar të cilën Ju, ma në fund po e shijoni, nuk asht vetëm një dhuratë e çmueshme e Zotit për ata që kanë hirin e Fesë, por asht një dhuratë për të gjithë, sëpse ajo, asht thëmeli i garancisë për çdo shprehje tjetër të lirisë. Ajo prek njeriun në intimitetin e vet, në atë cep të Shenjtë dhe të padhunueshëm që asht ndërgjegja, ku, kenja njerëzore takohët me Krijuesin dhe fiton ndërgjegje të plotë të dinjitetit të vet.

Nga një liri e tillë, e trajtueme ashtu siç duhët, nuk ka përshka ti trembemi asnjë shrregullimi njerzor. Besimi i çiltër në Té nuk i përçanë njerëzit por përkundrazi, i bashkon me gjithë veçantitë e tyne. Si na e mëson edhe Feja, nëse kemi një Krijues të perbashkët që të gjithë jemi Vllazën. Kështu, që Feja, asht një kështjellë mbrojtëse kundër totalitarizmit dhe një kontribut vëndimtar për një vllaznim human.

Liria  e vërtetë fetare i shpëton ngacmimëve të intolerancës dhe të sektarizmit, dhe ofron mënyra dialogu të respektueshëm dhe konstruktiv…

Shqipni, qendro në naltësinë e kësaj beteje të madhe!

Rruga që do të bash nuk asht aq e lehtë. Endè ka plagë të pambylluna. E kaluemja lé të shërbejë si mësim por kurrë mos të të shtyjë në hakmarrje mëllefesh. Tashti asht koha për me shkue me besim drejt së ardhmës. E madhe asht detyra që të pret për të cilën tashma e ké fillue punën më një zell të lavdrueshëm. Në përpjekjen për rimëkamjen ekonomike asht e domosdoshme që të gjithëve t’ u garantohët puna e, ajo që asht ma esenciale për me jetue me dinjitet, lé ti bashkohët edhe vullneti për t’ a konsolidue demokracinë tuej të ré.

Kjo nuk arrihët pa çmue si duhët disa vlera thelbësore tue fillue sëpari nga dinjiteti i jetës njerëzore. “Një demokraci pa vlera, -kam shkrue n’ Encilklikën Centesimus Annus-mund të shndërrohet lehtësisht në një totalitarizëm të hapun ose të fshehtë, si po na e tregon edhe historia… ” (25 Prill 1993, Në sheshin Skenderbeu, Tiranë).

Dhe unë, po persëris: “Historia endè nuk e ka njohtë até që ka ngja në Shqipni… Drama e Juej Shqiptarë të dashtun, zgjon interesin e mbarë Kontinentit Evropjan!.. ”

Melbourne, Prill 2013.

Filed Under: Kronike, Opinion Tagged With: 25 prill 1993, Papa Gjon Pali II, vizita ne Shqiperi

Sekretari Kerry përgëzon Serbinë dhe Kosovën

April 19, 2013 by dgreca

Kongresisti Eliot Engel: Edhe një konfirmim se Kosova është e pavarur, sovrane dhe e lirë/

Në një deklaratë, Sekretari amerikan i shtetit John Kerry tha se përgëzon Serbinë dhe Kosovën për arritjen e marrëveshjes në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
Kjo marrëveshje mbi parimet për normalizimin e marrëdhënieve, tha zoti Kerry, kërkoi kompromis dhe guxim politik nga të dyja palët, dhe unë përshëndes qeveritë e Kosovës dhe Serbisë për marrjen e vendimeve të vështira që do t’i sjellin ato më afër qëllimeve të tyre të integrimit evropian.
Shtetet e Bashkuara, tha zoti Kerry në deklaratë, do të mbeten thellësisht të angazhuara për të parë popullin e Serbisë, Kosovës dhe gjithë rajonit të realizojnë aspiratat e integrimit të tyre në një Evropë të Lirë, të pandarë dhe në paqe.
Ai inkurajoi të dy vendet që të zbatojnë me shpejtësi dhe plotësisht të gjitha marrëveshjet e arritura deri më sot për një të ardhme më paqësore dhe të begatë.
Zoti Kerry përgëzoi zonjën Eshton për lehtësimin e bisedimeve midis kryeministrit serb Ivica Daçiç dhe Kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi. Roli udhëheqës dhe përkushtimi i saj ishin me rëndësi të dorës së parë për arritjen e kësaj marrëveshjeje të rëndësishme, tha Sekretari i Shtetit John Kerry në deklaratën e tij.

Kongresisti Eliot Engel: Edhe një konfirmim se Kosova është e pavarur, sovrane dhe e lirë

Kongresisti amerikan, Eliot Engel, ka uruar Kosovën dhe Serbinë për arritjen e marrëveshjes. Në një komunikatë për shtyp, zoti Engel ka veçuar guximin dhe gatishmërinë e kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, për marrjen e vedimeve të rënda dhe kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiq, për pragmatizmin e tij dhe për vizionin përparimtar.
“Ky është edhe një konfirmim i faktit se Kosova është e pavarur, sovrane dhe e lirë”, citohet të ketë thënë kongresisti amerikan, duke shtuar mes tjerash se marrëveshja e sotme nënvizon faktin se rajoni do të mund të prosperojë vetëm atëherë kur të gjitha shtetet e Ballkanit t’i jenë bashkuar familjes evropiane.
“Bashkimi Evropian, sikundër që i ofron Serbisë një datë për negociatat për anëtarësim në BE, duhet t’i ofrojë edhe Prishtinës atë që vendeve të tjera në Ballkan u është dhënë tashmë: Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit për të udhëzuar orientimin evropian të Kosovës dhe liberalizimin e vizave për t’ua mundësuar qytetarëve të Kosovë të drejtën për të udhëtuar në Bashkimin Evropian”.
“Vendet e BE-së, që nuk e kanë njohur Kosovën – Qiproja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja – duhet ta njohin tash sovranitetin e Kosovës. Dështimi i tyre për ta njohur Kosovën do të vonojë jo vetëm përparimin e Kosovës drejt BE-së, por edhe të Serbisë”, thuhet në komunikatën e kongresistit Engel, i cili megjithëse vlerëson ditën e sotme si një shenjë të mirë për të ardhmen e Ballkanit, megjithatë tërheqë vërejtjen se ka ende shumë punë për t’u bërë. (a.v.)

Filed Under: Opinion Tagged With: pergezon Serbine dhe Kosoven, Sekretari Kerry

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 804
  • 805
  • 806
  • 807
  • 808
  • …
  • 864
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kullat e familjeve të mëdha patriotike si objekte të trashëgimisë historike
  • ALARM SIGURIE DHE NDËRGJEGJËSIMI KOMBËTAR
  • Edith Durham – Shqiptarët dhe serbomalazezët në 1910-1912
  • Public Statement from VATRA
  • “Universi Biblik” si pasuri e Muzeut të Artit Mesjetar
  • Lavdi përjetë martirëve të 2 prillit!
  • KOSOVA DHE PAVARËSIA E SAJ NË KËNGËT E ARIF VLADIT
  • Masakra e Tivarit – Një e vërtetë e shtypur për shumë kohë
  • Pasqyrimi në filateli i mbështetjes amerikane ndaj Shqipërisë gjatë L2B
  • MASAKRA E TIVARIT, 1945: HESHTJA ZYRTARE QË VAZHDON TË VRASË
  • DR.ATHANAS GEGAJ, EDITORI I “DIELLIT” NË OPTIKËN E DOKUMENTEVE ARKIVORE TË VATRËS (1963-1971)
  • Kujtojmë në ditën e lindjes patriotin e shquar Kostandin Çekrezi, figurë e rëndësishme e historisë dhe publicistikës shqiptare
  • Vasil Rakaj, malësori që ngjizi me shkëmb, metal, dru, baltë dhe shpirt, altarin e përjetësisë
  • “Ajo që pashë në Raçak më ndryshoi jetën”, ambasadori Walker rrëfen në Boston çfarë ndodhi në Kosovë
  • VATRA Boston dhe Kisha “Holy Trinity” promovuan librin “Saint Paul in Dyrrach” të profesor Thanas Gjikës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT