• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Tribalizmi i politikës shqiptare!

May 5, 2013 by dgreca

Nga Faik KRASNIQI/
Në kohë krizash siç është kjo e tanishmja, është mirë të rishikohen dhe analizohen gjithë shkaqet që ndër të tjera na sollën në këtë derexhe. Tribalizmi i politikës shqiptare është një nga shkaqet madhore. Është shumë e rëndë dhe e dëmshme që të mos vihet re, të mos përfillet apo të neglizhohet. Tribalizmi është shkak madhor i prodhimit të krizave të njëpasnjëshme, të kapjes së shtetit, të abuzimit me pushtetin, me ambientin, me njerëzit, me qytetarët.
Tribalizmi, në thelb, nuk është asgjë tjetër veç racizëm. Është i thellë deri në atë pikë sa t’u mohojë të drejtat elementare pjesës tjetër të popullatës që nuk i përket tribusë të caktuar për të qeverisur. Këtu ka shumë cinikë, ironikë dylekësha, të cilët nuk më ndjellin asnjë ndjesi tjetër veç shfaqjes (ironikisht shfaqja kryhet nëpërmjet fshehjes) së kompleksin të tribalitetit. Nuk mund të neglizhohet, as të shpërfillet ngjarja madhore që i vuri vizë përfundimisht ndarjes në dy kampe të mëdha. Nëse kjo situatë vazhdon në këtë mënyrë dhe në këto kondita, përplasja e madhe është e pashmangshme, sepse sistemi është jashtë mase rigjid e nuk mund të bëhet elastik. Është i dënuar të përplaset.
Historia e Shqipërisë, deri më tani është karakterizuar nga këto përplasje tribale që kanë sjellë si rezultat qëndrimin vendnumëro. Sepse, qëllimi nuk është drejtuar kah së ardhmes, kah arritjes së vendeve të tjera, por ka patur gjithnjë një qëllim të fshehur (jo dhe aq ama) përplasjen e brendshme. Zyrtarisht, mund të quhemi vend me probleme madhore të brendshme. Pa frikë fare kjo.
Kjo situatë tribale është çelësi shpjegues i shumë situatave dhe gjendjeve në të cilat ndodhemi. P.sh.: Pse abuzojmë kaq shumë me ambientin? Pse ka mungesë patriotizmi real? Pse nuk dënohen politikanët e korruptuar? Pse ekziston korrupsioni kaq i përhapur?
Në rrënjë të gjithë këtyre problemeve, do të gjeni asgjë tjetër veç tribalizmit. Sepse, tribalizmi nuk është vetëm ideja e përkrahjes dhe stimulimit me baza fisnore, por edhe dritëshkurtësia, mungesa e identitetit të “përtejmë” – identitetit civil dhe nacional. Identiteti i tribalit është fisi dhe katundi i vet i rrethuar me një gardh imagjinar. Përtej gardhit është “tjetri”. Dhe me çdo gjë të tjetrit, mund të abuzohet. Mund të abuzohet me mjedisin e “tjetrit”, me identitetin, me pronën, me votën… dhe në rastin më fatkeq, me jetën e ‘’tjetrit”.
Kur thuhet rëndom se “gjërat nuk kanë për të ndryshuar”, kjo është relativisht e vërtetë, sepse pritet që “tjetri” të aplikojë të njëjtin sistem me të “ishit” (pse më i mirë është ai “tjetri”?). I takon politikanëve të së ardhmes, që duan vërtet të civilizojnë vendin, të bindin se do të veprojnë ndryshe. Në të kundërt, do të vijojë politika e rripa-rripave.

Filed Under: Opinion Tagged With: faik Krasniqi, tribalizmi i politikes shqiptare

DIELLI, DEKAN I SHTYPIT SHQIPTAR

May 3, 2013 by dgreca

“Dielli” është cilësuar si dekani i shtypit shqiptar sepse, që kur lindi e vazhdimisht, është vënë në shërbim të popullit shqiptar, duke predikuar “ungjillin” e kombësisë së tij./
Nga Baki Ymeri/Bukuresht/
Shqiptarët kanë patur gjithmonë apostuj në Shqipëri dhe diasporë. Jeronim de Rada, Nikolla Naço, Faik Konica, Josif Bageri, Mithat Frashëri, (Lumo Skendo), Visar Dodani, Ilo Mitkë Qafëzezi, Omer Nishani, Dhimitër Berati, Gjergj Bubani, ishin disa nga veteranët e shtypit të shtypur shqiptar. “Janë mjaft me interes gazetat e vjetra shqiptare që janë botuar brenda dhe jashtë Shqipërisë, dhe shpresojmë se autori i këtij shkrimi (B. Y.) do t i publikojë artikujt e gazetave të vjetra /pjesë-pjesë/ në mediumet elektronike, sepse janë shumë shkrime të panjohura për publikun”, thekson me fjalë identike në kuadrin e një komenti, znj. Edibe, në Gazeta Kritika. Po këtë mendim e shprehin edhe lexuesit e panumërt të Zemrës Shqiptare dhe Bota sot në kuadrin e disa komenteve të ngarkuara me energji pozitive. Numri i gazetave të shtypura është i panumërt. Për to kanë shkruar me admirim: Vehbi Bala, Ismet Dërmaku, Xhelku Maksuti, Sabile Basha etj. Për një kronologji të mirëfilltë shkencore, që nga botimi i gazetës së parë shqipe, për momentin nuk kemi kohë, por kjo nuk don të thotë se nuk kemi kohë për t’i prezantuar disa sosh, duke i dhënë prioritet atdheut, nderit, dinjitetit dhe dimensionit të tyre kombëtar.
Qëllimi elementar është ta mbajmë gjallë dashurinë ndërshqiptare si një dhuratë e bekuar e Zotit. Sipas Muharem Dezhgiut, “Gjatë gjithë historisë së vet 100-vjeçare (1909-2009-Kumtese me rastin e 100 vjetorit te Diellit) gazeta “Dielli” realizoi një mision historik në shërbim të kombit shqiptar. Mund të thuhet me bindje të plotë se historia e “Diellit” është ajo e Shqipërisë dhe e shqiptarëve. Qysh prej themelimit të shtetit shqiptar “Dielli” ka përjetësuar në faqet e veta fatet e kombit. Duke luftuar me çdo mjet (me memorandume, me protesta, me shkrime, me të holla) “Dielli” shkëlqeu në mbrojtje të kufijve etnikë të kombit shqiptar. Ai e ngriti zërin kundër rreziqeve që i kërcënoheshin ekzistencës së shqiptarëve si komb e si shtet. “Dielli”, si shprehëse e mendimit dhe e veprimtarisë së “Vatrës”, e lartësoi atë si vatër të shqiptarizmës. Me plot të drejtë “Dielli” është cilësuar si dekani i shtypit shqiptar sepse, që kur lindi e vazhdimisht, është vënë në shërbim të popullit shqiptar, duke predikuar “ungjillin” e kombësisë së tij.” Sipas Karl Gurakuqit, “Vatra” dhe “Dielli” përbëjnë për shqiptarët një simbolikë të fuqishme. Ata zgjuan tek shqiptarët idenë e zjarrit e të dritës që do nënkuptonte flakë patriotizmi dhe rreze kulture…”Vatra” na mësoi me dashtë Atdhenë. Manastiri çeli rrugën e zhvillimit sistematik të letrave (germave) tona. Këto dy institute (“Vatra” dhe “Kongresi i Manastirit”) na mësuan se kur shqiptari bashkëpunon me shqiptarin, nuk del gjë që t’ua ngatërrojë lamshat që t’ua pengojë rrugën”.
“Dielli” është organ i shqiptarëve kombëtarë që kërkojnë një Mbretëri Shqiptare të Lirë. Para nesh kemi numrin 10, tetor, 1919, me 4 faqe të formatit të madh, dhe me artikuj në gjuhën shqipe dhe angleze. Ndër to shquhen “Gjermanët fshehin topat e mëdhenj”, “Ukranianët u goditnë me rusët”, “Shqipëria dhe imperialisma” e autorit Loni Kristo që thote: “Pozita jonë si një shtet i Evropës nuk favorizon imperializmën, dhe dashuria jonë për atdhenë do t’i prishë pllanet dhe ëndërrat e bukura të mirëdashësve tanë. Po nuk duhet të flemë se rastet janë ashtu siç na i do dëshira e zemrës. Duhet të zgjojmë popullin. T’i tregojmë që duhet të ruhet dhe të jetë i ndrojtur në marrëdhëniet e tij tregtare me të huajtë. Nëqoftëse ndodhet në shtrëngim për para, mallin e tij duhet t’i shesë një Shqiptari dhe kurrë ndonjë herë një të huaji, qoftë se i jep më tepër para… Në mos ngjaftë kjo, qeveria e huaj do të hynjë në punërat tona të brendshme kurdoherë që do të ngjitet nonjë nga subjektet e saj: kështu do të jemi një shtet me nam independent, po në fakt nën kontrollin e një shteti tjatër, sikundër është Greqia sot nën kontrollin e FrankoInglizëve (…). Këta zotërinj do t’i bëjnë një të keqe të madhe Shqipërisë me veprën e tyre antipatriotike, se me këtë mënyrë do të shtojnë shpresat e imperialistëve, po do të fitojnë sigurisht urrejtjen e të gjithë Shqiptarëve dhe mallkimin e të gjithë bijve të tyre. Shqipëria ka shkuar nëpoër tërë zhvillimet e pacënuara dhe këtë rradhë do të dalë si dielli pas shiut, e shkëlyqer dhe e bukur që të trashëgohet prej bijve të saj që s’e harrojnë nga çdo çip i botës an’e mbanë që të ndodhen.”
Mendimet e Loni Kristos janë aktuale sot e kësaj dite, kur disa politikanë tanë me biografi ateiste, rrëshqasin si thiu në akull. Pse? Sepse në vend të fabrikave, për të përfituar vota politike, janë duke e mbushur Kosovën dhe Shqipërinë me faltore islamike për inkurajimin e fanatizmit fetar. Në faqet e “Diellit” pasojnë artikuj tjerë si “Teqetë kombëtare” (Mihal Grameno), “Edukata e Qytetarëve dhe Qëllimi i Shkollave Publike Amerikane”, “Mesha Peshkopale në Philadelphia”, lajme të shkurta, si “Meshë (shqiptare) në Boston”, “Një lutje këndonjësve të Diellit”, “Tiketa vapërësh për atdhe”, “Ndihni dhe përkrahni Kryekishën Kombëtare “Shën Gjergji”, “Kisha Orthodokse Shqiptare “Fjetja e Shën Marisë”. Pason “Libraria e Diellit” me vepra si: Abetare Toskërisht, Abetare Gegënisht, Ëndërr e Vërtetë (Spiridon Ilo), Dëshirat e Zemrës (Spiridon Ilo), Kalendari i Shoqërisë “Dija”, Cili është Ay (Carmen Sylva), Dëshira e Vërtetë e Shqiptarëve (përkth. Kristo Floqi), Kalendari Populli Nacionalist, Barbaritë Greke (K. P. Tomori), Psherëtima (Kasem Daut), Libra Ushtëriake (Akif I, Përmeti), Fjalor Inglisht-Shqip (Dennis Kambury), Othello (Wiliam Shakespeare), Skenderbeu i Longfellow-it, Imzot Fan S. Noli, Kalendari i Vatrës, Libra e Shërbesave të Shenjta, etj.

Filed Under: Kulture, Opinion Tagged With: Baki Ymeri, dekan i shtypit shqiptar, dielli

Shpërlarja e shekullit

May 3, 2013 by dgreca

Nga Albin KURTI/
Neoliberalizmi dhe krimi i organizuar ecin dorë për dore në Kosovë. I pari jep mbështetjen konceptuale e teorike të praktikave kriminale të qeverisjes në Kosovë. Të ashtuquajturat reforma strukturore e vazhdojnë privatizimin e ndërmarrjeve shoqërore tek ato publike. Dhe, jo vetëm kaq: ajo që është e të gjithëve është e askujt dhe duhet të bëhet e dikujt. Mendja e tyre njëdimensionale sheh vetëm prona të pronësueshme. Ekzistenca është pronë; prona është ekzistencë. Prandaj, si bisha të etura për gjak nuk përmbahen dot në gjahun e tyre ndaj gjithçkaje publike.
Po them krim i organizuar dhe jo korrupsion sepse nuk bëhet fjalë më, thjesht, për korrupsion. Kjo fjalë është tepër e butë për ta përshkruar egërsinë e zhvatjes së pasurisë publike në Kosovë. Miliarda euro janë në pyetje – ndërmarrja kriminale kundër ndërmarrjeve publike është gjithsesi e organizuar.
Aq i kriminalizuar është privatizimi në Kosovë saqë nuk të bëhet më ta quash privatizim. Prandaj, me të drejtë sindikalistët, gazetarët dhe politikanët opozitarë nisën ta quajnë shitje, pra shitje e një malli të vdekur meqë ndërmarrja nuk trajtohet as si organizatë e punëtorëve dhe as si kapacitet zhvillimor për vendin. Mirëpo, edhe kjo fjalë me shpejtësi u zhvlerësua porsi ndërmarrjet para se të shiten: fjala shitje ia lëshoi vendin fjalës falje. Pasi që ndërmarrjet shiteshin tepër lirë, meqenëse shitja nënkupton një vlerësim adekuat të mallit të shitur, zërat që flisnin për falje të ndërrmarrjeve dhe pasurive të Kosovës nën siglën e privatizimit u rritën shumë.
Së fundmi, privatizimi nuk është më as shitje e madje as falje. Sepse, falja ka të bëjë me të kaluarën dhe të tashmen. Mund të falësh diçka që ka të bëjë me të shkuarën ose të tanishmen, i falet dikujt tjetër ajo që të përket ty. Por, këtu po falet edhe e ardhmja, edhe potencialiteti e perspektiva e shoqërisë, nga dikush që nuk ka të drejtë ta bëjë këtë dhe që po e shndërron popullin e Kosovës nga sovran në borxhli. Kjo është arsyeja që ky privatizim është para së gjithash uzurpim. Dihet që në Kosovë nuk kemi një ligj mbi privatizimin e aq më pak një ligj mbi privatizimin e Distribucionit e Furnizimit të KEK-ut apo të 75% të aksioneve të Telekomit. Prandaj, së pari, vënia për privatizim e këtyre shënon një uzurpim paraprak nga Qeveria. Dhe, së dyti, bartja e pronësisë më pastaj paraqet veçse uzurpim të ri.
Le të ndalemi pak te ky uzurpimi i ri, repektivisht uzurpimi më i ri. Qeveria e Kosovës e miratoi uzurpimin e 75% të aksioneve të Telekomit të Kosovës për 277 milionë euro, formalisht, ndërkaq përmbajtësisht kësaj shume duhet t’i hiqen 75% të 35 milionëve, dividenda që tash s’fitohet dhe lejimi i projekteve kapitale më herët të bllokuara, ashtu siç e sqaroi Federata e Sindikatës së PTK-së. Nga ajo çfarë kam mësuar deri më tash, uzurpimi i PTK-së do të mbahet mend si shpërlarja e shekullit në Kosovë. Disa kompani të ndryshme vendëse të afërta me kryeministrin Thaçi, përfshirë këtu atë të njërit apo më shumë vëllezërve Zhugolli, po marrin pjesë në blerjen e Telekomit edhe po i shpërlajnë milionat e përvetësuara pas luftës. Bile, në mesin e këtyre kompanive janë edhe aso që organizojnë lojëra të fatit dhe biznesmenë të tjerë të lidhur me politikanë që nuk janë në Qeveri.
Shuma e ofruar është bërë prej një fondi investiv, konsorciumit ‘Axos Capital Partners’ dhe ‘Najafi Companies’. Kjo do të thotë se nuk po e marrin Telekomin e Kosovës kompanitë e specializuara në lëminë e telekomunikacionit, por fonde jotransparente të cilave nuk ju dihet saktësisht përbërja e prejardhja. Ngjashëm sikurse me rastin e privatizimit të Distribucionit dhe Furnizimit të KEK-ut, ku njëherë ishin të interesuara kompanitë e lëmive të energjisë si RWE e pastaj mbetëm tek ato që erdhën të mësohet te ne, edhe te Telekomi fillimisht ishin të interesuara kompanitë si Deutsche Telecom e T-Mobile, por tash përfunduam te këso fondesh investive. Sidoqoftë, pyetja themelore në këtë rast është: kapitalin e kujt e përfaqëson dhe menaxhon ky konsorcium në Kosovë? Sigurisht që ato 277 milionë euro të përfolura që nuk i kemi parë ende nuk janë të ‘Axos Capital Partners’ dhe as të ‘Najafi Companies’. Telekomunikimi është çështje sovraniteti dhe interes strategjik përveçse pasuri publike. Është e domosdoshme të dihet se të kujt janë ato para. Në këtë pyetje duhet të përgjigjen kryeministri Thaçi dhe ministri Beqaj.
Njerëzit në Kosovë po frikësohen të flasin hapur. Posaçërisht ata që punojnë në institucione dhe kanë informata. Pas të ashtuquajturës ‘vetëvrasje’ të Dino Asanajt, në Kosovë ka njëfarë klime që t’i përkujton vitet e ’90-ta. Mbase edhe privatizimi, përkatësisht uzurpimi i pasurisë pas luftës, është vazhdim me mjete tjera i shkatërrimeve të luftës e të paraluftës.
Kosova duhet të ngritet në këmbë që të mos lejojë nënshkrimin e kontratës ndërmjet Qeverisë dhe ‘Axos Capital Partners’ e ‘Najafi Companies’. Populli e shteti i Kosovës duhet t’i kthejë herëdokur këto ndërmarrje, të cilat më parë se u privatizuan, u shitën, më parë se u shitën, u falën, dhe, më parë se u falën, u uzurpuan. Përndryshe, ky vend i pazhvilluar e me qeverisje të kriminalizuar po bëhet i pajetueshëm për qytetarët e tij.

Prishtinë,prill 2013
Albin Kurti

Filed Under: Opinion Tagged With: Albin Kurti, Shpelarja e shekullit

BASHKËBISEDIM NDËRVATRANË:MIRË SE ERDHËT NË VATËR!

May 3, 2013 by dgreca

BASHKËBISEDIM NDËRVATRANË:MIRË SE ERDHË NË VATËR!

Kryetarja e degës në Washington DC, zonja Merita Bajraktari i shkruan kryetarit te Degës Westchester,njëkohësisht kandidat për Kryetar i Federatës VATRA, z. Nick Markola

Përshëndetje Nick,

Gëzohem që po komunikojmë dhe po njihemi. Fatkeqësisht për arësye familjare, s’munda të marr pjesë fizikisht në Kuvend, kështu që materiali juaj elektronik* do t’më shërbejë mua dhe Vatranëve në DC të njihemi më konkretisht me mendimet dhe idetë tuaja për VATRËN Dje, Sot dhe Nesër.
Kam lexuar disa nga artikujt tuaj lidhur me ekonominë dhe financat në gazetën “Dielli”. Kam parë dhe videot nga daljet tuaja në TV (FOX Business) dhe ju përgëzoj për arritjet profesionale.
Meqë nuk kemi komunikuar më parë, dëshiroj që me këtë urim për suksesin profesional, të bashkoj edhe urimin tjetër:
Mirësevjen në Vatër dhe urime për krijimin e degës së VATRËS në zonën ku ju jetoni e punoni.
Shpresoj që të vendosim një komunikim efektiv ndërdegësor dhe të bashkëpunojmë për hedhjen dritë mbi të kaluarën e Vatrës, të përparojmë Vatrën sot dhe të piketojmë Vatrën në shekullin e dytë të jetës së saj dhe më tej.
Zoti ju bekoftë të gjithëve që lexuat mesazhin dhe faleminderit për kontributin tuaj personal e familjar.
“Gur , gur bëhet mur” – i themi ne andej nga Devolli 🙂

Sinqerisht,

Merita B. McCormack
VATRA-DC Chapter
meritabmccormack@gmail.com
• Zoti Nick Markola paraqiti në Kuvendin e Vatrës Vizionin e tij për Vatrën. Këtë material ai ua vuri në dispozicion Listës së Këshillit përmes emaileve, përfshirë edhe kryetarët e degëve.

Filed Under: Opinion

AUSTRO – HUNGARIA DHE “MOSMIRNJOHJA” SHQIPTARE !

May 3, 2013 by dgreca

100vjet nga viti 1913…/

Vetem fakte e data: (Do t’ i referohem pjesërisht studjuesit Gjush Sheldija)./

Nga Fritz RADOVANI-Melburn/ Australi/

Në vitin 1856 vijnë në Shkoder pesë austriakë, per me bisedue me sundimtarin turk dhe ikin pa u marrë vesh prej askujt bisedimet. Edhe nga Stambolli po atë vit, vjen një i derguem me bisedue me konsullin austriak në Shkoder. Ai u takue me Ipeshkvin e Shkodres dhe Pashen. Në vitin 1858 hidhet Guri i Parë i Kishës Katedrale të Shkodres. Kushë Micja lejohet me hapë shkollë per vajza. Asht viti 1859, kur themelohet Seminari Papnor i Shkodres. Në Gusht të vitit 1861, Françeskanët ndertojnë Kuvendin e tyne në Shkoder. Lejohen me u botue librat e Don Ejëll Radojës, të gjithë me karakter kombtar e historik, në gjuhen shqipe. Në shkurt 1867, Shkodra bahet Seli Argjipeshkvnore.

Me 1 Shtator 1871 zhvillohet Konçili i II Shqiptar. Në Tetor 1874, hapet shkolla e parë laike në Shirokë, ku mësohet gjuha shqipe dhe aritmetikë. Në Shkurt 1878, Malet e Veriut protestojnë kunder qeverisë Athinës, per çeshtjen e Epirit. Në 1899, Abati i Mirditës Imz. Preng Doçi krijon në Shkoder Shoqninë Letrare “Bashkimi”. Në vitin 1902 Shkolla Françeskane jep mësimet në gjuhen Shqipe. Në vitin 1903 Shoqnia “Agimi” në Shkoder, fillon botimin e librave me Alfabetin e vet. Në vitin 1908, Shkodra dergon në Kongresin e Manastirit At Gjergj Fishten, Don Ndre Mjedjen, Luigj Gurakuqin, Mati Logorecin dhe Hilë Mosin, ku aprovojnë Alfabetin e Gjuhës Shqipe të krijuem nga At Fishta. Po në Shkoder, formohet klubi “Gjuha Shqipe”. Në vitin 1909 në Shkoder dalin gazetat “Koha” dhe “Bashkimi”, me karakter letrar e Atdhetar. Në korrik 1910, vjen në Shkoder Xhavit Pasha me 20 taborre me shtrue Shkodren. Bahet luftë në Kaçanik, dhe çohet në kryengritje gjithë Malësia e Madhe. Në 1911 plasë Kryengritja e Kastratit dhe me 6 Prill 1911, në Maje të Bratilës së Deçiqit, Atdhetari Dedë Gjo’ Luli, ngriti Flamurin Kombtar të Gjergj Kastriotit. Malësia e Madhe lufton per Liri dhe Pavarësi Kombtare. Në Maji 1911, Kryengritja kunder Turqisë perfshinë Malet e Veriut. Në qelen e Gerçës, me 10 Qershor 1911, Malësorët e Veriut nenshkruejnë Memorandumin e Gerçës, të cilin, ua dergojnë Fuqive të Mëdha dhe Turqisë. Aty shenohet: “Malësorët janë të vendosun për mos me ulë armët derisa, të pranohen nga qeveria turke të 12 pikat e këtij Memorandumi…” Në Tetor 1912, plasë Lufta Ballkanike dhe po në fillim të muejt Tetor rrethohet Shkodra nga malazezët…Ashtu si tjera herë Miss Mary Edith Durham, me përkushtimin e Saj ndaj Shqipnisë, do t’i bajë të kjartë qarqeve angleze dhe atyne ndërkombëtare se: “…egzistonte në qarqet katolike austriake vendosmëni për mos me lejue që Shkodra dhe hinterlandi i saj, të bahen respektivisht një qytet apo rajon malazez ose serb.” (P.R.O.F.O. 371. 1758, fq. 447. Mr. Nevinson, Podgorica. 26. 02. 1913. M.E.Durham.). Shkodra vazhdon me kenë e rrethueme…

Me 28 Nandor 1912, në Vlonë shpallet Pavarsia Kombtare. Nga Shkodra atje shkon Luigj Gurakuqi. E po mos t’ ishte kamngulja e Tij, pjesmarrësit tjerë e lane Shqipninë në duertë e qeverisë turke, e cila kerkonte me “krijue një Shqipni të vetqeverisun, në suazen e Perandorisë Otomane”.

Me daten 30 Janar 1913, Esad Pashë Toptani vret Hasan Riza Pashen, i cili donte me ngritë Flamurin Kombtar në kumbonare të Kishës Katedrale të Shkodres, dhe me 23 Prill 1913, Esad Pasha ia shet Shkodren malazezëve per 2 miljon florinta, dhe ata hyjnë në Shkoder nga Taraboshi, Fusha e Shtojit dhe Bardhanjorët. Me 14 Prill malazezët djegin Pazarin e Vjeter dhe mbasi grabisin mallin ia dorzojnë Shkodren Ushtrive Nderkombtare, austriake, italiane, franceze, angleze dhe gjermane. Me daten 13 Qershor ngritet Flamuri Kombtar në Kështjellen Rozafat, dhe fjalen e rastit e mbajti Atdhetari Karlo Suma. At Gjergj Fishta vendosë një Flamur në kumbonaren e Fretenëve të Gjuhadolit, dhe rinia shkodrane kendon Hymnin e Flamurit të krijuem nga At Gjergj Fishta nder rrugët e Shkodres…Qyteti i Lirë, nën kontrollin e forcave nderkombtare Feston Lirinë!

Esad Pashë Toptani ikë në Durrës dhe shpallet sundues. Princ Wiedi len Shqipninë me 5 Shtator 1914. Në 1915 edhe Esad Pasha ikë nga Durrësi, prej protestave kunder tij.

Me 23 Janar 1916 ushtria austro – hungareze pushton Shqipninë e Veriut, Serbinë, Malin e Zi e dalin në Durrës. Në 1916 forcat austriake hyjnë në Shkoder. Në 1917, formohet në Shkoder “Komisija Letrare”. Me 30 Tetor 1918 ushtritë austro – hungareze dalin nga Shkodra dhe hyjnë Aleatët. Në Mars 1920 formohet i pari Parlament Shqiptar…

Nga viti 1856 e deri në vitin 1918, Austro – Hungaria asht i vetmi shtet Europjan që ka krijue të gjitha kushtet per Formimin dhe Shpalljen e Pavarsisë Kombtare të Shtetit Shqiptar.

Po mos t’ ishte kambëngulja e Vienës Europjane me formue inteligjencën Atdhetare Shqiptare dhe Klerin Katolik Shqiptar të papersëritshem me idealin “Atdhe e Fe”, me hapë shkolla, fletore, shoqata, shtypshkronja, me botue libra, me shpenzue edhe fonde monetare të sajat…sot as në hartë të Ballkanit nuk do t’ ishte fare emni i Shqipnisë së Gjergj Kastriotit, as i Popullit Heroik Shqiptar dhe as Flamuri i Tij me Shqipen dykrenare, mbi shtrojen e pergjakun nder Shekuj!

At Pjeter Mëshkalla ka thanë: “Kleri Katolik Shqiptar asht kleri ma heroik që ka me cilësue historia në rrugën dymijëvjeçare të Krishtit, sepse, mbas pesëqind vjet robnije nën Turqi, po të merret historikisht prej vitit 1912, kur Shqipnia u formue si shtet e deri me 1944, që këtu erdhën në fuqi komunistët, tue lanë në njëanë okupacionin fashist italian (me të cilin nuk jam pajtue kurrsesi), janë vetëm 30 vjet mundësi për me formue një Kler Shqiptar, e për 30 vjet me nxjerrë aq Heroj sa kemi nxjerrë na, nuk ka asnjë kler në Botë.” (F.R. tek libri “At P.Mëshkalla S.J.” fq 23, 1993)

***

Dhe vetem faktet do të flasin…

Vetem nga Klerikët Shqiptar të pergatitun në Austri, shikoni se çfarë Gjenocidi ka ngja mbas vitit 1944, nga tradhëtarët dhe diktatorët anadollakë Enver Hoxha dhe Ramiz Alia…të cilët, kanë ardhë në kolltukët e qeverisjes së shtetit shqiptar me ndihmen e fqinjëve, shitën trojet tona, dhe në mënyren ma barbare zbatuen diktaturen ma të mnershme të shek XX mbi Popullin Shqiptar.

Sot pasuesit e tyne hajdutë, deklarohen “vëllezër gjaku me turqit” dhe serbët e kolltukut!

 

          Klerikë Katolik Shqiptarë të zhdukun nga Gjenocidi komunist mbas vitit 1944:

  1. Don Lazer Shantoja, pushkatue me 5 Mars 1945.
  2. Don Ndre Zadeja, pushkatue me 25 Mars 1945.
  3. At Anton Harapi O.F.M., pushkatue.
  4. At Mati Prennushi O.F.M., pushkatue.
  5. At Çiprian Nikaj O.F.M., pushkatue.
  6. At Bernardin Llupi O.F.M., pushkatue.
  7. Don Dedë Plani, vdekë në tortura.
  8. Imzot Nikollë Deda, pushkatue.
  9. Don Aleksander Sirdani, mbytë në hetuesi.
  10. Imzot Jul Bonatti, mbytë në çmendi…
  11. Don Shtjefen Kurti, pushkatue.
  12. At Leonard Targaj O.F.M., pushkatue.
  13. Don Nikollë Gazulli, vra tradhëtisht.
  14. Imzot Vinçenc Prennushi O.F.M., vdekë në burgun e Durrësit.
  15. Don Anton Zogaj, pushkatue.
  16. At Bernardin Palaj O.F.M., mbytë në hetuesi.
  17. Don Nikollë Laskaj…vdekë në kampin e shfarosjes Beden…
  18. Don Nikollë Shelqeti…vdekë në kampin e shfarosjes Beden…
  19. At Klement Miraj O.F.M., vdekë në burgun Burrel.
  20. Don Rrok Frisku, vdekë në burgun Burrel.
  21. At Rrok Gurashi O.F.M., vdekë në kamp shfarosje.
  22. At Gasper Suma O.F.M., vdekë në burg…
  23. Don Kolec Prennushi, vdekë mbas hetuesisë.
  24. Imzot Frano Gjuraj, vdekë mbas hetuesisë.

Klerikë të burgosun që vuejten shumë vite nder burgje e kampe shfarosje…

  1. At Pjeter Meshkalla S.J. burgosë dy herë.
  2. At Leonard Shajaku O.F.M., burgosë e interrnue.
  3. At Marjan Prela O.F.M., burgosë e interrnue.
  4. Don Nikollë Dragusha, burgosë.
  5. Don Lekë Dredhaj, burgosë.
  6. At Mark Harapi S.J. burgosë.
  7. At Frano Kiri O.F.M., burgosë e interrnue.
  8. At Marin Sirdani O.F.M., burgosë e interrnue.
  9. At Alfons Çuni O.F.M., burgosë.
  10. Don Ndre Lufi, burgosë.
  11. Don Ndue Suma, burgosë.
  12. Don Jakë Zekaj, burgosë.
  13. Imz. Bernardin Shllaku O.F.M., burgosë.

Klerikë që vdiqën shpejtë pa u perfshi nga Gjenocidi…

  1. Imz. Gasper Thaçi, vdes në 1946, i izoluem në Argjipeshkvi të Shkodres.
  2. Imzot Gasper Guirakuqi.
  3. AT Simon Mikeli O.F.M., vdes në 1945…
  4. At Anton Kiri O.F.M., vdes në 1945
  5. At David Pepa O.F.M..
  6. Don Ast Koka.
  7. Don Nikollë Dajçi.
  8. Don Mati Fishta.
  9. Don Nikollë Lazri.
  10. Don Pashko Zojzi.
  11. At Justin Rrota O.F.M..
  12. At Pashko Prela O.F.M..

 

Shenim i Autorit:

Në listat emnore të Klerikëve katolik, nuk perfshihen asnjë nga ata që u pergatiten në

universitetet tjera Europjane, perveç Austrisë, para vitit 1944.

Melbourne, Prill 2013.

 

Filed Under: Histori, Opinion Tagged With: Austro-Hungaria, Fritz radovani, Mosmirenjohja shqiptare

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 803
  • 804
  • 805
  • 806
  • 807
  • …
  • 868
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Antonio Bellushi (1934, Frasnitë – 19 qershor 2024) mbledhës i zellshëm dhe studiues i pasurive etnokulturore e gjuhësore të Arbëreshëve dhe Arbërorëve
  • Jetimi që nxori zbuluar shtetin…
  • Qyteti antik 2400-vjeçar i Çukës së Aitoit
  • Dita e Veteranëve, përkujtojmë shqiptarët që shërbyen me nder në Ushtrinë e SHBA
  • Lëvizjet e popullsisë shqiptare jashtë kufijve shtetërorë dhe vendosja e saj në Shqipëri: Një analizë historiko – hartografike dhe socio – ekonomike
  • “DUA”, propozimi zyrtar i Kosovës për Oscar në kategorinë “Filmi më i mirë ndërkombëtar”
  • 1928 / URA E ZOGUT MBI LUMIN MAT — RRËFIMI EKSKLUZIV I ERWIN SCHNITTER, INXHINIERIT ZVICERAN QË DREJTOI PUNIMET PËR NDËRTIMIN E SAJ
  • NIKOLLA NAÇO (1843–1913) – ATDHETARI QË E VURI PASURINË, DIJEN DHE JETËN NË SHËRBIM TË SHQIPËRISË
  • MURI I BERLINIT RA, POR MURET POLITIKE DHE IDEOLOGJIKE MIDIS SHQIPTARËVE VAZHDOJNË TË QËNDROJNË
  • Dy “Qemalët” e mëdhenj që themeluan dy shtete mbi rrënojat e një perandorie
  • THANK YOU to the City of St. Petersburg and Chief Anthony Holloway for Supporting Albanian School VATRA!
  • A egzistonte koncepti i kombit në kohën e Skënderbeut?
  • Dardane Halimi: “ALB Connection was created to give every Albanian-owned business in America a voice and visibility”
  • KRIJIMI I NJERIUT TË RI: NGA IDEOLOGJIA KOMUNISTE TE KULTURA E PËRFITIMIT NË SHQIPËRINË E SOTME!
  • Transpozimi poetiko-dramatik i veprës “Trungu ilir” të Sabri Hamitit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT