• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHOQATA PRONESI ME DREJTESI AKUZON BANKEN BOTERORE PER UJDI ME QEVERINE

May 25, 2013 by dgreca

DEKLARA E PLOTE E SHOQATËS “PRONËSI ME DREJTËSI “PËR PËRGJIGJEN E BANKËS BOTËRORE/

Ne Foto: Znj. Kseniya Lovovsky, drejtuese aktuale e Bankës Botërore në Shqipëri./

Në vijim të Apelit që Shoqatat “Pronësi me Drejtësi” dhe “Bregdeti” i kanë drejtuar me 31 mars 2013 institucioneve ndërkombëtare, ndër të tjerë dhe z. Philippe Le Houerou, zv. President i B.Botërore për Europën, shoqatat kanë marrë më 21 maj 2013 përgjigjen e Bankës Botërore nënshkruar nga znj. Kseniya Lovovsky, drejtuese aktuale e Bankës Botërore në Shqipëri. Meqenëse problemi i pronës ka rëndësi parimore dhe kombëtare dhe  Banka Botërore është një ndër “këshilltarët” kryesorë të Qeverisë për këtë çështje, mendojmë që përgjigjen për znj. Lovovsky dhe z. Philippe Le Houerou, ta publikojmë jo vetëm në faqen internet të shoqatës (defendingproperty.com) por edhe përmes gazetave.

Në përgjigjen e dt 21 Maj znj. Lovovski i referohet shqetësimit të shoqatave mbi politikat e Qeverisë Shqiptare dhe të Raportit të Bankës Botërore 62519 AL, si dhe përgjigjes së Bankës Botërore të 23 Janarit 2013 (shif: defendingproperty.com/shqip/letra-te-shoqates/ ). Në lidhje me propozimin legjislativ (projekt-ligjin e shoqatave) lidhur me çështjet e pronësisë dhe të kthimit të pronës në Shqipëri, znj. Lovovski sqaron se, ndryshe nga sa supozojnë shoqatat, Banka Botërore nuk ka mundësi, në kuadrin e mandatit të saj të ndërhyjë në ligjet e ndonjë Shteti. Banka botërore pret që shoqatat të punojnë në kuadrin e procesit legjislativ dhe të struktuarave egzistuese për të kontribuar në zhvillime legjislative të drejta.

Kjo përgjigje që në sipërfaqe duket e drejtë dhe parimore në thelb maskon qëndrimin abuziv të Bankës Botërore ndaj problemit të pronës dhe ankesave tona që në fillimet e veprimtarisë saj në Shqipëri. Problemi me znj. Lovovski dhe me të gjithë drejtuesit e mëparshëm të Bankës Botërore në Tiranë nuk është mungesa e kompetencës për të këshilluar në fushën ligjore, por ujdia e tyre me drejtuesit e politikës  shqiptare të cilët këto 22 vite “demokraci” kanë zbatuar dhe vazhdojnë të zbatojnë me konsekuencë strategjinë e Katovicës. Ne mendojmë se Znj. Lovovski dhe Banka Botërore po abuzojnë me tolerancën tonë dhe të popullit shqiptar në përgjithësi. Ne kërkojmë nga Banka Botërore korrigjimin e rekomandimeve të gabuara , koordinim me instanca të tjera ndërkombëtare si për shembull me Këshillin e Evropës dhe Gjykatën e Strasburgut dhe respektim, në rekomandimet që Banka Botërore i jep Shqipërisë, të vendimeve të Strasburgut mbi pronat (grupi i rasteve Driza dhe Puto dhe vendimi pilot i korrikut 2012)!

Abuzimi i Bankës Botërore qëndron pikërisht në mospranimin e problemit bazë që është detyrimi i shtetit demokratik për të kthyer tek i zoti pronën e grabitur nga diktatura, konform legjislacionit dhe angazhimeve ndërkombëtare të marra nga shteti shqiptar që në fillim të viteve ’90. Abuzimi tjetër qëndron në mospranimin nga ana e Bankës Botërore se lëmshi i krijuar qëllimisht në çështjet e pronësisë zgjidhet duke respektuar prioritetin e të drejtave të pronarëve të shpronësuar nga diktatura komuniste (=kthim i pronave) dhe duke kompensuar me vlerë të plotë pronarët për rastet kur prona përdoret për nevoja publike. Fatkeqësisht pas 1991 politika shqiptare, ka zbatuar platformën e Katovicës.  Me parulla populiste herë të majta e herë të djathta, në ekonomi dhe në politikë është ricikluar një klan i përzgjedhur nga regjimi i mëparshëm, i cili ka përvetësuar pronat që duhet t’i ishin kthyer të zotërve.

Ne kemi kërkuar dhe do vazhdojmë të kërkojmë që vjedhja e pronave e organizuar nga politikanët pas vitit 1991, të mos vazhdojë të financohet nga Banka Botërore. Problemi i pronës  zgjidhet thjesht e pa faturë financiare konform parimeve morale dhe kushtetuese demokratike nëse do të zbatohej neni 181 i Kushtetutës tonë. Ne jemi të bindur se kjo realizohet me projekt-ligjin që kemi propozuar. Ky projektligj njëkohësisht trajton e zgjidh dhe pasojat e shkaktuara gjatë periudhës “demokratike”22 vjeçare. Ne i kemi kërkuar Bankës Botërore të na ndihmojë në këtë drejtim, duke kërkuar ekspertizë ligjore e kushtetuese pranë Komisionit të Venecias të Këshillit të Evropës, për projektligjin e shoqatës. Sipas përgjigjes së znj. Lovovsky, Banka Botërore nuk mund të “ndërhyjë” në këtë drejtim ndërkohë që ajo nuk hezitoi të ndërhyjë për të shembur shtëpitë e pronarëve autoktonë në trojet turistike të Jalës, thjesht për të plotësuar interesat e klaneve që grabisin trojet turistike.

Ky qëndrim selektiv dhe tendencioz bën që ne ta akuzojmë Bankën Botërore për keqmenaxhim ose, për të përdorur gjuhën diplomatike, keqkëshillim në proçesin e kalimit të Shqipërisë nga diktatura në demokraci. Këtë e dëshmon dhe situata
katastrofike e ekonomisë shqiptare. Ekonomia është në gjendje alarmante pasi borxhi publik ka kaluar kufirin maksimal. Në këtë fallcitet demokratik të nisur para 22 vjetësh, problemi më madhor është problemi i pronës dhe në këtë problem Banka Botërore ka luajtur rol kryesor. Kjo sepse çdo pronë qe nuk kthehet përbën faturë financiare. Kjo sepse moszgjidhja e problemit të pronësisë është pengesë madhore për investime serioze dhe zhvillim të mirëfilltë të ekonomisë shqiptare. Projektligji ynë e zgjidh shumë mirë këtë situatë por Banka Botërore me këtë përgjigje justifikohet me anën procedurale dhe  e anashkalon thelbin e problemit.

Përgjigja e fundit e Bankës Botërore është episodi i fundit i një seri shkëmbimesh  publikuar në faqen internet të shoqatës (www.defendingproperty.com). Në një seri letrash, shoqatat, në mënyrë të përsëritur kanë sinjalizuar dhe kundërshtuar qëndrimin negativ të Bankës Botërore ndaj pronarëve autoktonë.

Shkurtimisht i rikujtojmë Bankës Botërore se: Anarkia aktuale e titujve të pronësisë është situata më e rëndë që ka njohur populli shqiptar që nga mesjeta përfshi edhe periudhën e pushtimit otoman, atë të pushtimit fashist italian në 1939 dhe më tej atij nazist gjerman. Asnjë nga këta pushtues nuk i ka mohuar popullit shqiptar të drejtën mbi pronën e trashëguar. Kjo shpjegon ndër të tjera se megjithë pushtimet e njëpasnjëshme shqiptarët ruajtën identitetin e tyre. Po, prona e trashëguar është identitet kombëtar dhe ABC e demokracisë. Shteti para 1944 i ka administruar pronat në mënyrën më moderne europiane, që është model edhe për sot. Diktatori Enver Hoxha i shtetëzoi pronat, por i ruajti dokumentat e shpronësimeve dhe nese hapen regjistrat e shtetëzimeve dhe miratohet projektligji që ju propozojmë problemi i pronës zgjidhet më së miri. Ndërkohë Raporti i B.Botërore që është adaptuar plotësisht në Planin e Veprimit të Qeverisë mohon identitetin dhe origjinën e pronës. Heshtja e Bankës Botèrore ndaj kërkesave tona është një thyerje e rëndë morale dhe një shkelje flagrante e të drejtave të njeriut. Për këtë situatë tragjike që prej vitit 1991 ka shkaktuar mijëra të vrarë dhe konflikte sociale, që rriten çdo ditë, përgjegjësi historike dhe morale mbajnë drejtuesit e politikës shqiptare dhe kryesisht ata të PD dhe PS por edhe Banka Botërore, që me heshtje po mbështet anarkinë dhe korrupsionin aktual me pronat.Ne asnjëherë nuk do të pajtohemi me qëndrimet e gabuara të Bankës Botërore dhe politikanëve të papërgjegjshëm e të pangopur, që duke na mohuar pronën e trashëguar mohojnë identitetin tonë kombëtar. Ne shpresojmë akoma në (mirë)kuptimin nga ana e Bankës Botërore të këtij problemi. Mbështetja përmes rrjeteve sociale e mbarë shqiptarëve dhe pronarëve, veçanërisht e rinisë patriotike e emigracionit shqiptar si dhe e shtypit shqiptar e të huaj është esenciale.

Për kryesinë e Shoqatës Kombëtare të të Shpronësuarve “Pronësi me Drejtësi”

Rrapo Hajredin Danushi

Filed Under: Opinion Tagged With: akuzon Banken Boterore, deklarate, Shoqata pronesi me Drejtesi

Punon kali, ha gomari, kjo është meritokracia tek shqiptarët…!

May 12, 2013 by dgreca

Nga Faik KRASNIQI/
…Punon kali, ha gomari…sa herë ndodh ta verifikojmë diçka të tillë?
Është një përvojë e cila nuk mungon tek askush, por shumë rrallë na shkon mendja për to, vetëm në ato raste kur e konsiderojmë si një padrejtësi, (që… na… më shumë se sa …i… bëhet…përndryshe as që na shkon nëpërmend diçka e tillë…Se mos ajo që na shkon ndërmend është e programuar!!! Jo, thuajse nuk varet prej nesh, dua të them se përgjithësisht, mendimet tona janë të pavarura prej nesh, sikur të bëhet fjalë për një qënie brenda qënies!!! Ose ndoshta është vetvetja që na ve në lojë! Padrejtësia zbulon meritat dhe natyrën e ndryshueshme të tyre), pra, konceptohet si padrejtësi vetëm në kushtet e vlerës reale. Shpesh të indinjuar themi se nuk ishte i denjë për këtë apo atë gjë. Në rastin më vulgar për notën që mori sepse kopjoi. Dhe ajo që na indinjon nuk është fakti i kopjimit, por kur dëgjon se pikërisht iksi ose akshi, kapi një vend pune të mirë. Atë çast në kujtesë troket ajo që ka ndodhur realisht dhe mendojmë se ishte rezultat i kopjimit, ndaj e gjykojmë të pamerituar.
Shpesh meritat janë vlera që ndahen me të tjerë, në ato raste kur realizimi i diçkaje kërkon mbështetjen e një ose më shumë të tjerësh. Në këtë rast kemi dallim, ndërthurje dhe kundërshti midis meritash.
Dallim; shikojmë Merita individuale dhe Kolektive.
Ndërthurje; domosdoshmëri për të realizuar qëllimin.
Kundërshti; kontributi jepet ose dhurohet në bazë të aftësive të secilit.
Dominojnë individët e aftë, por jo gjithmonë meritat janë të tyret. “Punon kali, ha gomari”, thotë një fjalë e urtë. Merita individuale duke qënë në folenë asaj kolektive, jo gjithmonë ushqen dëshirë (dikush merr pjesë sepse ndjehet i detyruar, por në fund të realizimit “gëzon” të njëjta merita).
Duke iu rikthyer idesë fillestare të shkrimit, ne thuajse asnjëherë, në kushte normale, nuk futemi në meritë të Meritave. Është njëlloj mbrojtje instiktive? Ja një pyetje tjetër që mbetet enigmë. Sidoqoftë, qetësohemi duke menduar se nuk kemi as meritë as edhe faj për gjithë sa ndodh. Indiferencë apo jo?! Mbetet një problem për t’u zgjidhur.
Aristoteli dallonte katër nga format më të rëndësishme, por vetëm dy prej tyre i quante të vërteta:
– Ai që është i denjë për gjëra të mëdha e që beson në diçka të tillë.
– Ai që meriton pak dhe e di pikërisht këtë gjë.
– Ai që duke merituar pak, beson se meriton shumë.
– Ai që duke merituar shumë beson se meriton pak.

Filed Under: Opinion

MONOLOG PAS ZYRTARIZIMIT TË LISTAVE – QAJ FACEBOOK ME LOTË PËRPJETË

May 10, 2013 by dgreca

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ/
Qaj facebook me lotë përpjetë. Për mirësjellje, nuk vë pikëçuditje, sepse thirroren dikush mund ta ngatërrojë me urdhëroren. Lotët përpjetë janë lotë të rremë, ashtu i ka konceptuar dikur ata muza popullore duke i paraprirë botës së sotme virtuale. Tjetërgjë ankimet dhe rënkimet e miqve të mi këto ditë pas zyrtarizimit të listave të kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 23 qershorit nga të ashtuquajturat parti të djathta, të majta apo të qendrës.
Vërtet bota e internetit, konkretisht kjo e facebook, më popullori i rrjeteve sociale, është një botë virtuale, por prapa emrave dhe pseudonimeve fshihen njerëz realë ose kolektivitete njerëzore reale, me shpirt, me ndjenja, me ndjesi. Dhe pikëllimi i tyre, dëshpërimi i tyre, halli dhe gazepi i tyre nuk mund të mos pasqyrohen në klimën e nderë që po mbretëron në facebookun shqip.
Përpara se të kaloj në hollësi disi më të prekshme, sipas reagimeve të bëra, dua t’i ndaj në disa kategori miqtë e mi në facebook.
Në kategorinë e parë mund të përfshihen ata miq që prisnin të kenë në lista njerëzit e tyre, pra miqtë, të afërmit, të njohurit e tyre, shefat e tyre të derisotëm. Kjo është kategoria më e madhe dhe më e pafajshme. Mungesa e tyre, po them – fizike, në komentet apo liket, është më e rënda në terrenin tonë virtual.
Kjo kategori, më masivja, më e buta, pra, më morbidja, realisht është edhe më e ngushëllueshmja. Sepse, ende pa iu tharë lotët për faqe, vihet në kërkim të emrave të rinj të listave, duke rrëmuar nëpër biografitë e tyre, duke u përçapur sidomos nëpër pikat e dobëta të shefave të tyre të mundshëm të ardhshëm. Ende pa ndërruar fleta e pushtetit, këta janë të gatshëm dhe gjithë ankth e padurim për ta ndërruar fletën.
Rëndom, këta na kanë sulmuar me komentet e tyre, na kanë keqkuptuar, na e kanë shtrembëruar kontekstin e fjalëve tona, për të treguar sa armiq jemi ne, sa të përbetuar jemi ne, sa miq janë ata, sa të vendosur për jetë janë ata ndaj pushtetit, ndaj eksponentëve të pushtetit, ndaj krerëve të pushtetit. Këta përsëri do të na sulen, do të na qortojnë, do të na i nxjerrin sytë (virutalisht, ama) për shefat e tyre të ardhshëm. Pa këta, megjithatë, nuk mund të ketë shoqëri, ashtu si pa humus nuk mund të ketë bimësi, nuk mund të ketë gjelbërim.
Në kategorinë e dytë mund të përfshihen ata miq që prisnin t’i kenë miqtë e tyre, të afmërmit, shefat apo thjesht të parapëlqyerit e tyre në kreun e listave, pra, në zonat e ngrohta të tyre. Por, mjerisht, ata kanë përfunduar në zonat e ftohta. Këta janë të ngrirët. Edhe shpresat e miqve në facebook janë të ngrira. Janë gjysmëshpresa. Dhe gjysmëshpresuesit janë më keq se të pashpresët. Sepse mbeten as në qiell, as në tokë. Fati i tyre mbetet në vartësi të fatit të miqve të tyre të mbetur në frigoriferët e partive.
Kjo kategori është edhe më e hutuara në facebook. Dhe ndikon në sintaksën e këtyre ditëve, e cila është jashtë çdo norme, jashtë çdo rregulli, jashtë çdo standardi, nuk është as gjuhë, as letrare, as dialekt, as jodialekt. Është jashtë çdo natyre të pranueshme të zhargonit global të facebookut dhe të rrjeteve të tjera sociale.
Po të orvatesh që t’i ngushëllosh këta, me siguri, do të biesh në sherr. Këta nuk e ngushëllojnë dot veten, nuk i ngushëllon dot kush.
Në kategorinë e tretë janë ata që presin mrekullira. Nga ato të ditës së fundit, të orës së fundit, të çasti të fundit.
Ka prej tyre që presin të dalë e vërtetë se vërtet Kosovrastët kanë dorëzuar lista të bardha në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Ka prej tyre që presin të ketë ndryshime në listat gjatë konfirmimit të kandidaturave në Komisionin e Zgjedhjeve. Hë, i thonë vetes, ndoshta, del ndonjëri me kleçka dhe e zëvendëson ky tjetri.
Në kategorinë e katërt të miqve janë ata që kanë mëtuar të jenë vet në listat e kandidatëve për deputetë. Kanë pritur vitin e fundit, kanë pritur katër vitet e fundit, ndoshta kanë pritur prej kur lindi pluralizmi – apo kur e lindën pluralizmin, siç thonë ata vetë. Kanë qenë me të gjitha flokët, pa asnjë rrudhë, pa asnjë thinjë, kur i kanë hyrë valles, tash janë fare pa flokë, tash janë krejt të thinjur e krejt të rrudhur. Tash iu venitet edhe shansi i fundit.
Këta kanë hapur pamje në facebook. Presin ngushëllime. Ngushëllime në formë lëvdatash. Në formë përçmimesh të rivalëve – po ku është filani para teje, po ku i pati sytë partia, po ku shkon pa ty partia.
Këta miq, jo pak sish gjoja realë, na janë distancuar sidomos muajt e fundit, tërthor apo drejtpërdrejt madje na janë kundërvënë – neve dhe të gjithëve që kanë pasur mendime ndryshme apo nuanca të ndryshme mendimesh.
Në kategorinë e pestë – kategorinë e triumfuesve tashmë – bëjnë pjesë ata miq, ndonjëherë edhe realë të dikurshëm. Këta i janë lëkurur liderit, i janë lëkurur Vëllait të Madh. Këta i kanë vringëlluar shpatat ndaj kundërshtarëve, dhe ne na kanë rreshtuar si të tillë. Pastaj na kanë bllokuar. Dhe janë emëruar menjëherë zëvendësministra nga partia, nga lideri. Syri i Vëllait të Madh i ka kapur menjëherë dhe i ka përfshirë automatikisht në lista, madje në kreun e listave, ndonjëherë jo vetëm atje ku bën më ngrohtë, po edhe atje ku bën më nxehtë, ku përvëlon.
Këta janë lëkuranët më të pështirë në historinë e politikës aq të pështirë shqiptare. Dhe me siguri nga eksperimenti kimik ku janë përfshirë do të dalin pa lënë fare gjurmë tymi, pluhuri as hiri.
Në kontekstin e facebook janë më për mëshirë se të gjitha kategoritë e renditura më lart dhe se të gjitha kategoritë të cilat mund t’i rendisja më poshtë pa mbarimisht. Këta ende nuk e kanë mbledhur veten nga befasia me të cilën e morën shpërblimin, dhe nuk do ta mbledhin veten kurrë as nuk do të bëhen esëll kurrë në mediokritetin e tyre të shndërruar tashmë në fatalitet për partinë e tyre.
Nëse pyetem se në cilën kategori të mundshme bëj pjesë unë, atëherë mund të them se i përkas asaj kategorie që e shikon rrotacionin politik si mundësinë e prekshme të shqiptarëve për t’u ndarë nga një qeverisje e konsumuar, për t’ia dhënë vetes një shans tjetër dhe për të mos reshtur as pas 23 qershorit së kërkuari një shans tjetër, shansin e merituar.
Konkretisht: unë i njoh personalisht vetëm katër nga pesë prijësit e listave. Disa të tjerë i njoh vetëm si emra. Mbi 90% të tyre nuk i njoh as si emra. Pra, kam pikëpamjen se politika në Shqipëri, edhe në shfaqjet e veta më të bujshme, është një anonimitet i pakurrkund shpëtim.
Faqet shqiptare të facebook dhe të rrjeteve të tjera sociale këto ditë, mjerisht, nuk iu ngjajnë aspak faqeve të vajzave që po shkojnë nuse, për të cilat është krijuar edhe vargu parodik popullor “qaj, moj bijë, me lotë përpjetë”, pra, “qaj, moj bijë, me lotë të rremë”. Sepse ishin lotë në ditën e tyre më të lumtur, ditën e martesës.
Faqet shqiptare të faecbook dhe të rrjeteve të tjera sociale këto ditë iu ngjajnë më shumë se kujtdo shqiptarëve dhe shqiptareve, premtimshkelurve dhe premtimshkelurave. Prandaj i vetmi ngushëllim që mund t’i bënin vetes shqiptarët do të jetë qesëndia, ironia, qeshja e pamëshirë ndaj realitetit të tyre. Vetëm ashtu do të arrijnë më në fund të shohin qartë përpara.

Filed Under: Opinion Tagged With: me lot perpjete, Qaj Facebook, Skender Bucpapaj

NE ZGJEDHJET E REJA ME LEGJISLACION TE VJETER

May 10, 2013 by dgreca

Në mungesë të reformave zgjedhore, Kosova pritet të shkojë në zgjedhjet e ardhshme lokale me legjislacionin e vjetër. Përmbyllja e reformave zgjedhore, paraqet një nga kriteret që Komisioni Evropian i ka përcaktuar Kosovës në kuadër të studimit të fizibilitetit për negociatat e Stabilizim Asocimit.
Megjithatë, liderët e partive kryesore nuk kanë arritur ta përmbyllin ende reformën as për nivelin lokal dhe as për atë qendror.
Koalicioni i organizatave joqeveritare, Demokracia në Veprim i ka bërë thirrje presidentes së vendit, Atifete Jahjaga që të caktojë zgjedhjet lokale në fund të shtatorit apo më së largu në fillim të tetorit, për shkak të eliminimit të parregullsive.
Drejtori Ekzekutiv i Institutit Demokratik të Kosovës, Ismet Kryeziu, ka tërhequr vërejtjen se në periudhën e dimrit, kur dita zgjat më pak, mundësitë për parregullsi janë më të mëdha, ngase errësohet më herët.
Kryeziu ka kritikuar edhe qeverinë e Kosovës për ndërhyrje në procesin zgjedhor me vendimin e fundit për formimin e komunës së Hasit. Ai tha se nga 22 marsi, Kosova ka hyrë në kalendarin zgjedhor dhe më nuk mund të ketë komuna të reja.
Ndërkaq në mungesë të reformave, i ka bërë thirrje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që t’i ndërmerr disa hapa për përmirësimin e infrastrukturës për mbarëvajtjen e zgjedhjeve.
Kryeziu ka folur edhe në lidhje me sfidat kryesore që e presin Kosovën në pretendimet që për herë të parë të organizojë zgjedhje komunale edhe në veri të vendit. Sipas tij, shumëçka do të jetë më e qartë pasi që Prishtina dhe Beogradi të merren vesh edhe në lidhje me planin e zbatimit të marrëveshjes së arritur në Bruksel.
“Sfidat kryesore sigurisht që do të jenë afatet kohore për zbatimin e marrëveshjes së arritur. Ne ende nuk e kemi një plan të zbatimit të kësaj marrëveshje dhe ende nuk kemi informacionet e duhura për të ditur se komunat e veriut a do të jenë pjesë e këtij procesi zgjedhor apo jo”, ka thënë Kryeziu.
Një çështje tjetër problematike që ka të bëjë me zgjedhjet në komunat veriore, është ajo e partive politike serbe në atë pjesë, të cilat janë të regjistruara në Serbi, por jo edhe në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë. Kryeziu ka thënë se për të qenë pjesë e procesit, partitë serbe nga veriu duhet të regjistrohen në organet e Kosovës.
“Partitë politike serbe të cilat nuk janë të regjistruara në Kosovë nuk mund të jenë pjesë e procesit zgjedhor. Ato duhet të regjistrohen në organet kompetente në KQZ dhe ajo që ne kemi kërkuar si Demokraci në Veprim ka të bëjë me atë që KQ-ja duhet të luaj rolin e vet në përgatitjen dhe organizimin e procesit zgjedhor”, është shprehur Kryeziu.
Në përgjithësi, Demokracia në Veprim, që kryesisht merret me vëzhgimin dhe monitorimin e proceseve zgjedhore, ka vlerësuar se reformat janë zvarritur shumë edhe atë me fajin e liderëve të partive kryesore politike.
Shqipe Pantina, nga ky koalicion i OJQ-ve ka kritikuar edhe disa nga rezultatet që
kanë dalë nga bisedimet në kuadër të reformës zgjedhore. Sipas saj, liderët politik kryesisht kanë arritur disa konsensuse që bien ndesh me Rezolutën e Kuvendit të Kosovës, e cila kërkonte më shumë zona zgjedhore, listat e hapura si dhe zgjedhjen e drejtpërdrejtë të presidentit në të ardhmen, çështje këto që nuk janë përfillur nga partitë politike.
“Liderët tanë fillimisht duhet të respektojnë rezolutën e Kuvendit të Kosovës e cila kishte vendosur disa parime, siç ishin: Kosova të ndahet në më shumë zona zgjedhore e deri te zgjedhja e drejtpërdrejtë e presidentit, parime këto që kohët e fundit janë lënë anash nga liderët politik”, ka thënë Pantina.
Demokracia në Veprim ka konfirmuar se është duke e zgjeruar rrjetin me organizata partnere lokalepër vëzhgimin dhe monitorimin e zgjedhjeve të ardhshme komunale.
Ky koalicion ka konsideruar se zgjedhjet duhet të mbahen këtë vjeshtë dhe se shtyrja eventuale e tyre do të përbënte shkelje të Kushtetutës, pavarësisht nëse një vendim i tillë eventual do të arsyetohej me përgatitjen e terrenit për zgjedhjet e para në komunat veriore(Kortezi Zijadin Gashi-Europa e Lire)

Filed Under: Opinion Tagged With: zgjedhjet ne Kosove, Zijadin gashi

Kur “Kaçi i zi” arrestonte studentët e Dhjetorit

May 8, 2013 by dgreca

Nga Bardhyl Ukcamaj/ Stamford/ Connecticut/
Për disa nga anëtarët e kryesisë së tashme të PD-së, që nuk kanë shumë lidhje me të kaluarën historike të kësaj partie, një kujtesë për Kastriot Islamin.
Islami ka qenë Ministër i Arsimit i Partisë së Punës së Shqipërisë nga 21 shkurti 1991- 10 maj 1991, kundërshtar i egër Lëvizjes Studentore Shqiptare. Është pikërisht Kastrioti, ai që mbylli Universitetin e Tiranës, në mënyrë që të paralizonte Lëvizjen.
Në fundvjeshtën e vitit 1991, Islami ishte kryetar i Kuvendit të Punistëve (në dominancë), kur u arrestuan disa nga drejtuesit e Lëvizjes Studentore si Myftar Gjana, Arben Lika e Pal Serreqi me motivacionin “Për organizim të paligjshëm të demonstratave”.
Pas këtij arrestimi, unë Bardhyl Ukcamaj së bashku me disa nga drejtuesit e LS kam organizuar një miting të madh në “Sheshin Demokracia”.
Mijëra studente kanë nisur marshimin drejt Sheshit Skënderbej ku na janë bashkuar mijëra e mijëra qytetarë të Tiranës dhe minatorët e Valiasit.
Në shesh kam bërë thirrje të rrethonim parlamentin e punistëve dhe të kërkonim lirimin e menjëhershëm të shokëve tanë.
Pasi jemi tubuar para parlamentit, kam kërkuar takim urgjent me kryetarin e Parlamentit të Punistëve dhe u kam dhënë 10 minuta kohë për të ndërprerë seancën plenare ose ndryshe do të hynim në sallë.
Ne kishim rrëzuar një nga diktaturat më të egra në Europë dhe nuk mund të na frikësonin hijet e sistemit të vdekur.
Seanca plenare është ndërprerë menjëherë dhe unë, Xheni Tanini, Theodhori Dhimitri, Mirel Sharxhi, Arben Gabraj jemi pritur nga Islami në zyrë.
Më është drejtuar me fjalët: “Shteti ka ligje djalë”. Duke goditur fort tavolinën dhe me zë të çjerrë, por të fortë, i jam drejtuar: “Nëse drejtuesit e LS nuk do të lirohen menjëherë, ne do të pushtojmë parlamentin dhe do ta bëjmë tani, ti bëj tënden. Sa për ligjet, po t’i referohemi udhëheqësit tuaj shpirtëror, E. Hoxhës, ligjet i bën populli dhe populli do ta pushtojë këtë parlament”.
Ai është zverdhur, dridhej! Pas meje kanë folur me të njëjtën vendosmëri edhe miqtë e mi, mes të cilëve më mbetet në kujtesë Theodhori Dhimitri, Xheni etj.
Ai telefonoi dhe studentët u liruan menjëherë. U ndamë ashtu si u takuam, pa u përshëndetur, ne në rrugën tonë e ai në të tijen. U ndamë atëkohë dhe mbetemi të ndarë!
Kaq për sot, së shpejti do të shkruaj me kujdes një analizë më të gjatë për atë që metaforikisht thirrej Kaçi i Zi.
E theksoj, do të shkruaj në kujtesë të disa drejtueseve të tashëm, zëshurdhër e zullumtarë (jo të atëhershmit) të partisë, që themeluam e drejtuam në momentet më të vështira, por edhe më të lavdishme të historisë së Shqipërisë.

Filed Under: Opinion Tagged With: Bardhyl Ukcamaj, kaci i zi, qe arrestonte studentet

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 801
  • 802
  • 803
  • 804
  • 805
  • …
  • 868
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Antonio Bellushi (1934, Frasnitë – 19 qershor 2024) mbledhës i zellshëm dhe studiues i pasurive etnokulturore e gjuhësore të Arbëreshëve dhe Arbërorëve
  • Jetimi që nxori zbuluar shtetin…
  • Qyteti antik 2400-vjeçar i Çukës së Aitoit
  • Dita e Veteranëve, përkujtojmë shqiptarët që shërbyen me nder në Ushtrinë e SHBA
  • Lëvizjet e popullsisë shqiptare jashtë kufijve shtetërorë dhe vendosja e saj në Shqipëri: Një analizë historiko – hartografike dhe socio – ekonomike
  • “DUA”, propozimi zyrtar i Kosovës për Oscar në kategorinë “Filmi më i mirë ndërkombëtar”
  • 1928 / URA E ZOGUT MBI LUMIN MAT — RRËFIMI EKSKLUZIV I ERWIN SCHNITTER, INXHINIERIT ZVICERAN QË DREJTOI PUNIMET PËR NDËRTIMIN E SAJ
  • NIKOLLA NAÇO (1843–1913) – ATDHETARI QË E VURI PASURINË, DIJEN DHE JETËN NË SHËRBIM TË SHQIPËRISË
  • MURI I BERLINIT RA, POR MURET POLITIKE DHE IDEOLOGJIKE MIDIS SHQIPTARËVE VAZHDOJNË TË QËNDROJNË
  • Dy “Qemalët” e mëdhenj që themeluan dy shtete mbi rrënojat e një perandorie
  • THANK YOU to the City of St. Petersburg and Chief Anthony Holloway for Supporting Albanian School VATRA!
  • A egzistonte koncepti i kombit në kohën e Skënderbeut?
  • Dardane Halimi: “ALB Connection was created to give every Albanian-owned business in America a voice and visibility”
  • KRIJIMI I NJERIUT TË RI: NGA IDEOLOGJIA KOMUNISTE TE KULTURA E PËRFITIMIT NË SHQIPËRINË E SOTME!
  • Transpozimi poetiko-dramatik i veprës “Trungu ilir” të Sabri Hamitit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT