• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Thaçi kërkon mandatarin, Kurti thotë se do t’i drejtohet Kushtetueses

April 22, 2020 by dgreca

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një konference për gazetarë, ka paralajmëruar dërgimin në Gjykatën Kushtetuese për aktgjykim veprimin dhe vendimin e presidentit Hashim Thaçi, me të cilin synohet që mandati për formimin e qeverisë së re, t’i ofrohet asaj partie politike që dëshmon se ka shumicën në kuvend.

Duke anashkaluar partinë fituese të zgjedhjeve për formimin e qeverisë, në këtë rast Lëvizjen Vetëvendosje, kryetari i këtij subjekti politik, Albin Kurti, i cili është edhe kryeministër në detyrë, tha se presidenti shkeli rendin kushtetues, kështu që lënda do të përfundojë në Gjykatë Kushtetuese.

“Vullnetin e shprehur me votë nga qytetarët po përpiqet që ta mbyll (v.j. presidenti Thaçi) me një dekret anti-kushtetues, ku do të përjashtojë partinë e parë fituese të zgjedhjeve. Nga roli unifikues dhe kompetencat që ja parashtron Kushtetuta, presidenti sot doli në ilegalitet. Andaj formalizmi i deklarimeve të sotme do të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese pa dyshim”, tha Kurti.

Kurti tha se pas votimit në kuvend të mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë, më 25 mars, zgjedhjet janë opsioni i vetëm dhe jo formimi i qeverisë pa partinë fituese. Ai përsëriti se koha për organizimin e zgjedhjeve është pas përfundimit të pandemisë së koronavirusit.

“Duke u munduar të na rrëzojë ne ai po e rrëzon vetveten”, tha Kurti, duke iu referuar veprimeve të presidentit Thaçi dhe synimeve të tij për formimin e qeverisë së re pas mocionit të mosbesimit.

Zotimet e tij për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese Kurti i bëri në ditën kur mori letër nga presidenti Thaçi, përmes së cilës ai i bëri me dije se nuk e kishte shfrytëzuar mundësinë kushtetuese për formimin e qeverisë së re. Nisur nga ky interpretim, Thaçi mblodhi në një takim partitë politike dhe kërkoi mendimin e tyre nëse janë për zgjedhje apo për qeveri të re.

Në bazë të deklarimeve të të gjitha partive të pranishme ne takim, vetëm Lëvizja Vetëvendosje ishte në favor të organizimit të zgjedhjeve pas përfundimit të pandemisë së koronavirusit, kurse partitë tjera në favor të formimit të qeverisë së re. 

Mbi bazën e këtyre deklarimeve, Thaçi tha se do t’ia japë mandatin për forimin e qeverisë partisë që garanton shumicën në kuvend.

Gjatë diskutimeve, Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se nuk e ka refuzuar kërkesën për të propozuar mandatarin për qeverinë e re, përkundër faktit se deri më tani nuk e ka dorëzuar emrin e mandatarit.

Albulena Haxhiu nga Vetëvendosje ka thënë se presidenti Thaçi është duke bërë shkelje kushtetuese me thirrjen e partive të tjera për t’u konsultuar për të formuar qeverinë e re.

“Presidenti i Republikës mund të konsultohet vetëm më partinë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën në kuvend, qoftë shumicë absolute apo relative. Pra, ky format sot është jokushtetues. Këtë e thotë edhe Kushtetuta e Republikës se Kosovës, e thotë edhe akt gjykimi I Gjykatës Kushtetuese”, tha Haxhiu.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa deklaroi se partia e tij është e gatshme të ndërmarrë iniciativë për të formuar shumicë parlamentare, pasi sipas tij, në kohën e pandemisë së koronavirusit, nuk mund të kërkohet të mbahen zgjedhje të reja.

Ai tha se Kosova ka nevojë për një qeveri me mandat të plotë.

“Unë mund të them në emër të LDK-së, se ne vlerësojmë që në këto momente nuk duhet të shkojmë në zgjedhje dhe se duhet të bëjmë përpjekje të themelojmë një qeveri, që mund të qeverisë vendin në mënyrë normale. Qeveria në detyrë nuk i përgjigjet kërkesave që shtrohen para saj për arsye se kuvendi ka shprehur vullnetin me 82 vota me mocion (mosbesimi). Vendit i duhet një qeveri me mandat të plotë”, tha Mustafa.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ka thënë se ky subjekt do të jetë në opozitë kështu që nuk pranon ftesa, siç ka thënë ai, as nga ata që shkojnë dhe e as nga ata që do të vijnë.

“Ne do presim që kur të krijohen kushtet dhe rrethanat, të kemi një momentum të ri, ku pastaj në situatën e re, kemi edhe zgjedhje të cilat janë të jashtëzakonshme”, tha Veseli. 

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj u shpreh kundër mbajtjes se zgjedhjeve të reja, por tha se përkrahë formimin e qeverisë se re.

“AAK-ja nuk është për shpërbërje të kuvendit dhe shkuarje në zgjedhje për faktin që, pasi nuk kemi qeveri dhe jemi në kohë krize, sikurse të shpërbënim edhe parlamentin do ta linim vendin pa një institucion mjaft të rëndësishëm”, është shprehur Haradinaj.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, që vjen nga LDK-ja, është shprehur kundër idesë së presidentit Thaçi për çështjen e mandatarit.

Përmes një postimi në Facebook, Osmani deklaroi se Thaçi nuk mund të flasë në emër të deputetëve dhe as në emër të qytetarëve.

Takimi me liderët politikë, pason letrën që Thaçi i dërgoi liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti përmes së cilës e ka njoftuar atë se pas mungesës së përgjigjes në lidhje me caktimin e mandatarit për formimin e qeverisë, në bazë të autorizimeve kushtetuese, presidenti do t’i fillojë bisedimet me liderët e partive tjera politike.

“Me keqardhje konstatoj se me veprimet tuaja nuk e keni shfrytëzuar të drejtën e propozimit të kandidatit të ri për ta formuar qeverinë, në pajtim me vendimin e KQZ-së për certifikim të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës”, thuhet në letrën e Thaçit drejtuar Kurtit.

Ai e ka informuar Kurtin se do të veprojë në bazë të kompetencave që i garantohen me Kushtetutë dhe aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014.

“Më duhet t’ju rikujtoj që në pajtim me mandatin kushtetues është përgjegjësi e imja që ta ruaj stabilitetin e vendit dhe ta garantoj funksionimin demokratik të institucioneve”, ka shkruar Thaçi. 

Kështu, sipas tij, “në përputhje me nenin 95 të Kushtetutës dhe Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në rastin nr. K0103/14 do të bëj konsultim të përbashkët me të gjithë liderët e subjekteve politike parlamentare për hapat e mëtejmë”.

Këtë vendim, Thaçi ka shkruar se e ka marrë pasi që Kurti dhe Vetëvendosje nuk i janë përgjigjur atij pavarësisht tri thirrjeve të bëra më 2, 10 dhe 15 prill.

Thirrjeve të presidentit Thaçi për caktimin e mandatarit për formimin e qeverisë, lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti u është përgjigjur me letra që sipas tij, e argumentonin se nuk mund të ketë qeveri të re.

Në ditën kur Thaçi paralajmëroi kalimin e mandatit për formimin e qeverisë te një subjekt tjetër, duke mos e pritur më tutje Vetëvendosjen, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë filluar takimet në kuadër të përpjekjeve për arritjen e koalicionit të ardhshëm qeverisës. Liderët e të dy partive, Isa Mustafa (LDK) dhe Ramush Haradinaj (AAK) kanë zhvilluar një takim në të cilin, sipas informacioneve që u dhanë më pas, është diskutuar vetëm për lidhjen e koalicionit, por jo edhe për ndarjen e pozitave.

Besnik Tahiri, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tha gjatë një konference për gazetarë se takimi kishte si qëllim trajtimin e çështjes së koalicionit. Por, ai tha se fillimisht pritet vendimi i presidentit Hashim Thaçi në lidhje me mandatin kushtetues që duhet t’ia ofrojë eventualisht, LDK-së për formimin e qeverisë.

Takimi i liderit të LDK-së, Isa Mustafa me AAK-në ishte i pari në vazhdën e krijimit eventual të një koalicioni qeverisës. Takime të ngjashme priten edhe me Nismën Socialdemokrate, Aleancën Kosova e Re, Listën Serbe si dhe komunitetet tjera joshumicë, pasi që për formimin e qeverisë, Mustafës do t’i nevojiten të paktën 61 vota në kuvend.Pergatiti per Evropa e Lire:Zijadin Gashi

Filed Under: Analiza Tagged With: Zijadin gashi

Ngërçi paszgjedhor – koalicione të reja për formimin e Qeverisë

June 12, 2017 by dgreca

1 Kosove zgjedhjeNga Zijadin Gashi/Kosova mund të përballet me një ngërç të ri kur është në pyetje formimi i Qeverisë së ardhshme.Nëse përqindjet e votave të fituara kthehen në ulëse të Kuvendit, përbërja e re e legjislativit do të dukej afërsisht me 39 apo 40 deputetë të koalicionit të Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe partisë Nisma.Pastaj, me 31 apo 32 deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje. Kurse koalicioni i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancës Kosova e Re dhe Alternativës me 29 ulëse.Ndërkaq, komunitetet mbeten në kuotat e njëjta, serbët marrin 10 ulëse dhe pakicat tjera po ashtu 10 vende të garantuara.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 qershorit, vlerësohet se nuk kanë nxjerrë një koalicion apo parti politike si fituese bindëse të zgjedhjeve. Andaj, lidhja e koalicioneve paszgjedhore mbetet e pashmangshme nëse synohet të evitohen zgjedhjet e reja.Koalicioni i Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe partisë Nisma i njohur edhe si PAN, me mbi 34 për qind të votave të fituara, mund të sigurojë nga 39 deri në 40 ulëse në Kuvend. Ky numër, nuk i mjafton këtij koalicioni ta formojë Qeverinë, pavarësisht që si pjesë e Qeverisë, në bazë të Kushtetutës, duhet të jenë edhe komunitetet pakicë.

Formim i Qeverisë, kërkon minimumin prej 61 votave të deputetëve të Kuvendit. Kështu që, koalicioni PAN edhe nëse do të llogariste në të gjitha votat e pakicave, 20 gjithsej, nuk do të arrinte ta formonte Qeverinë e ardhshme pa lidhjen e një koalicioni me ndonjë prej subjekteve shqiptare, qoftë Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) apo edhe partitë më të vogla si Aleanca Kosova e Re (AKR) apo Alternativa.

Ndërkaq, mbetet fare pak e besueshme që koalicioni PAN të lidhë ndonjë koalicion me Vetëvendosjen, si partia që shënoi rritjen më të lartë në këto zgjedhje, por që megjithatë është renditur e dyta.

Zgjidhja më e lehtë do të ishte që PAN të lidhte koalicion të ri me Lidhjen Demokratike të Kosovës, duke ia kaluar drejtimin e Qeverisë së ardhshme, koalicionit PAN.

Modeli i Maqedonisë

Marrë parasysh që koalicioni i Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe partisë Nisma do ta ketë mjaftë vështirë ta formojë Qeverinë e ardhshme, formula logjike do të ishte që nëse subjekti fitues i zgjedhjeve nuk arrin ta formojë Qeverinë, mandati t’i kalohej subjektit të dytë, ngjashëm me modelin e Maqedonisë.

Sipas këtij modeli, Lëvizja Vetëvendosje dhe koalicioni i Lidhjes Demokratike të Kosovës me Aleancën Kosova e Re dhe Alternativën do ta formonin Qeverinë, kurse subjekti fitues, do të dilte të opozitë.

Albin Kurti, i nominuari i Vetëvendosjes për kryeministër

Albin Kurti, i nominuari i Vetëvendosjes për kryeministërMegjithatë, nëse procesi i ndërtimit të Qeverisë do të thirrej në precedentin tashmë të krijuar, ky model do të binte poshtë menjëherë.Gjykata Kushtetuese e Kosovës, në vitin 2014, e kishte interpretuar formimin e Qeverisë si të drejtë ekskluzive vetëm për koalicionin apo partinë politike që i fiton zgjedhjet, që në këtë rast del të jetë vetëm, koalicioni PAN.Bazuar në këtë interpretim, Vetëvendosje mund të futet në Qeveri, vetëm nëse e pranon koalicionin me PAN-in, ku bën pjesë edhe Partia Demokratike e Kosovës, me të cilën Vetëvendosje është deklaruar se nuk do të lidhë në asnjë rrethanë koalicion qeverisës.

Prishja koalicioneve dhe lidhja e aleancave të reja politike

Një formulë tjetër “magjike”, e cila përflitet, mund të jetë prishja e dy koalicioneve parazgjedhore sapo që Kuvendi i Kosovës të konstituohet.Sipas kësaj formule, Partia Demokratike e Kosovës do të ndahej nga partitë aktuale në koalicion, duke synuar që të merr sipër mandatin për formimin e Qeverisë me një subjekt tjetër, përkatësisht Lidhjen Demokratike të Kosovës, e cila tashmë nuk është partia e dytë, por e treta.

Ramush Haradinaj dhe Kadri Veseli, 11 qershor

Ramush Haradinaj dhe Kadri Veseli, 11 qershor/Në anën tjetër, edhe Lidhja Demokratike e Kosovës do të ndahej nga Aleanca Kosova e Re apo edhe Alternativa dhe në fund, do të përsëritej ajo formula e njohur e koalicionit të gjerë, PDK, LDK dhe pakicat.Për jetësimin e kësaj formule, përfshirja e faktorit ndërkombëtar në negociatat ndërpartiake, vlerësohet se do të ishte e domosdoshme, marrë parasysh që Lidhja Demokratike e Kosovës për të satën herë është deklaruar se nuk do të kthehet më në koalicion me Partinë Demokratike.

Naim Rashiti: Rezultati vështirëson formimin e Qeverisë

Analisti i Grupit Ballkanik për Politika, Naim Rashiti parasheh mundësinë e vonesave dhe turbulencave në raport me formimin e Qeverisë së ardhshme të Kosovës.“Ende mbetet e panjohur krejt gjendja përderisa t’i shohim edhe rezultatet finale, por ajo që dihet është se partitë e koalicionit PAN dhe LDK-ja me koalicionin e saj, kanë humbur shumë në këto zgjedhje dhe ka një rritje enorme, që vjen si rezultat i pakënaqësisë shumëvjeçare në raport me politikat e tyre (PDK –LDK), e cila është përkthyer në votë për Vetëvendosjen”, thotë ai.“Rezultati është i pakënaqshëm, i pakëndshëm për blloqet (PAN dhe LDK-në) i cili e vështirëson edhe formimin e institucioneve dhe Qeverisë”, vlerëson Rashiti.Nëse PAN është nën 42 – 41 ulëse në Kuvend, sipas tij, kjo situatë do ta vë atë në vështirësi të mëdha rreth formimit të Qeverisë. Në anën tjetër, vijon Rashiti, LDK-ja dhe Vetëvendosje së bashku mund t’i bëjnë 61 vota për formimin e Qeverisë.“Por, kjo varet pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve dhe mbetet të shihet se si do të rrjedh procedura e formimit të institucioneve”, thekson Naim Rashiti.“Ky rezultat, duke i ditur edhe qëndrimet e partive politike, parashikon disa vonesa dhe turbulenca, përveç nëse ndodh ndryshimi radikal i qëndrimeve të njërit apo tjetrit subjekt politik”, parashikon ai.

Formimi i institucioneve

Në bazë të Kushtetutës, Kuvendi i Kosovës zgjidhet me mandat katërvjeçar, duke filluar nga dita e seancës konstituive, që mbahet brenda tridhjetë ditësh nga dita e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve.

Kuvendi i Kosovës, foto arkiv

Kuvendi i Kosovës, foto arkiv/

Pas konstituimit të Kuvendit, fillon procedura e zgjedhjes së Qeverisë.Në bazë të marrëveshjes politike është e pritshme që partia apo koalicioni fitues të propozojë mandatarin për formimin e Qeverisë së Kosovës.Më pas, Presidenti i Republikës i propozon Kuvendit kandidatin për Kryeministër, në konsultim me partinë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për të formuar Qeverinë.Kandidati për Kryeministër, jo më vonë se pesëmbëdhjetë ditë pas emërimit, paraqet përbërjen e Qeverisë para Kuvendit të Kosovës dhe kërkon miratimin nga ana e Kuvendit.Qeveria konsiderohet e zgjedhur nëse merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës (61 vota).Nëse përbërja e propozuar e Qeverisë nuk merr shumicën e votave të nevojshme, Presidenti i Republikës së Kosovës, brenda dhjetë (10) ditësh emëron kandidatin tjetër sipas së njëjtës procedurë.Nëse as herën e dytë nuk zgjidhet Qeveria, atëherë Presidenti i Kosovës i shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet (40) ditë nga dita e shpalljes së tyre.(RFL)

Filed Under: Analiza Tagged With: ALEANCAT, kosova, Ngerci, Zijadin gashi

Kosovë- Polemika në Kuvend për 100 ditëshin e qeverisë

April 3, 2015 by dgreca

Me debate e polemika të shumta, Kuvendi i Kosovës ka diskutuar për 100 ditët e para të punës së Qeverisë. Debati i thirrur nga opozita, ka nisur me diskutimin e deputeti të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, si nismëtar i kësaj pike të rendit të ditës.
Ai i ka fajësuar dy partitë e koalicionit, Partinë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës, për keqqeverisje ndër vite.
Kurse për kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa, Konjufci ka thënë se “ai mbahet në mend për deklarata të ashpëra në raport me deputetët e LDK-së që nuk e votuan atë për kryeministër, deklarata të ashpëra edhe në raport me qytetarët që migruan jashtë vendit, por edhe me deklaratat se Forcat e Armatosura të Kosovës nuk do të mund të shkojnë në veri të Kosovës”.
“Kjo qeveri e përbërë nga PDK-ja dhe LDK-ja, të cilat mendoj që nga viti 2001, janë përgjegjëse për pesë gjëra shumë të rëndësishme në Kosovë, e që janë, ngecje në zhvillimin ekonomik, lulëzimin e korrupsionit kronik në institucionet tona, degradimin e sistemit të arsimit, erozionin e sovranitetit shtetëror dhe ngulfatje të drejtësisë”, ka thënë Konjufca.
Ndërkohë, kryeministri Isa Mustafa, i ka quajtur të pavërteta deklaratat e deputetit Konjufca.
Ai ka përmendur faktin që ditët e para të qeverisjes ishin të vështira të përcjella me greva e protesta, por ka shprehur bindjen se situata ishte menaxhuar mirë.
Mustafa tha se programi i tij qeverisës “mbështetet në pesë shtylla kryesore, ku bëjnë pjesë, zhvillimi ekonomik, punësimi dhe mirëqenia, shteti ligjor, agjenda evropiane dhe reformat në arsim e shëndetësi”.
“Vetëm një qeverisje e bazuar në ekonomi të tregut dhe shtetin ligjor, mund ta forcoj besimin e qytetarëve të Kosovës dhe partnerëve tanë ndërkombëtar në vitalitetin e Kosovës si shtet i ri dhe i pavarur. Një Kosovë demokratike ku sundon ligji dhe respektohen të drejtat e secilit pa asnjë dallim, që promovon zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien, që siguron lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe që promovon shoqërinë e dijes”, ka thënë Mustafa.
Ndërkaq zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme në Qeverinë e Kosovës, Hashim Thaçi ka paraqitur objektiva afatshkurta dhe afatgjata, që nisin nga liberalizimi i vizave e deri te njohjet e reja dhe anëtarësimi i Kosovës në organizata e mekanizma ndërkombëtar.
“Synimet afatshkurta për këtë vit do të jenë, nënshkrimi i marrëveshjes për Stabilizim e Asociim, aplikimi për anëtarësim në Këshillin e Evropës si dhe ta bindim Komisionin Evropian që brenda këtij viti të rekomandoj liberalizimin e vizave për Kosovën. Synime afatgjata mbesin fuqizimi i subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, me theks të veçantë në sigurimin e njohjes nga pesë vendet e mbetura nga Bashkimi Evropian si dhe puna për t’u bërë anëtare e Kombeve të Bashkuara”, ka thënë Thaçi.
Në anën tjetër, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se shteti i Kosovës është i kapur, duke i veçuar si problemet kryesore krimin e organizuar dhe korrupsionin.
“Sipas bindjes sime, nëse nuk e trajtoni gjendjen në vend, ju do ta fundosni edhe Kosovën edhe veten, pra edhe këtë qeveri. Pra, duhet ta kuptoni që ç’kapja e shtetit është parametri i parë si edhe ndalja e korrupsionit”, ka theksuar Haradinaj.
Prezantimet e kryeministrit Isa Mustafa dhe zëvendësit të tij Hashim Thaçi, për kryetarin e partisë Nisma, Fatmir Limaj, u kuptuan si tregues për dualizma në drejtimin e koalicionit aktual qeverisës.
“Situata është e rëndë në këtë qeverisje. Në çdo vend në botë del kryeministri raporton për punën e vet dhe kabinetin qeveritar, kurse ne sot i dëgjuam dy raporte, qeveria Mustafa dhe qeveria Thaçi”, u shpreh Limaj.
Debati pritet të vazhdoj edhe të premten. Opozita ka përgatitur edhe disa rekomandime për kryeministrin dhe qeverinë e Kosovës të cilat pret që t’i sjellë në votim në fund të debatit.
Mes tjerash kërkohet që qeveria të jetë më transparente dhe të jap llogari para Kuvendit, qoftë për vendime të mëdha me implikime të brendshme apo edhe në lidhje me bisedimet me Beogradin.
Megjithatë, për miratimin e këtyre rekomandimeve në fund të debatit opozita do të ketë nevojë për mbështetjen e pozitës pasi që nuk i ka votat e mjaftueshme.(Zijadin Gashi)

Filed Under: Kronike Tagged With: Kosovë- Polemika, ne Kuvend, për 100 ditëshin e qeverisë, Zijadin gashi

Kosovarë, mos emigroni- S’ka azil!

July 17, 2013 by dgreca

*Ambasadori austriak në Prishtinë, Johann Brieger u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të mos bijnë pre e premtimeve të rrejshme të trafikantëve se do të gjejnë punë në vendet e zhvilluara evropiane./
* Ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku u ka bërë thirrje të gjithë kosovarëve që mendojnë të largohen, që të ndryshojnë mendje, pasi që shtetasit e Kosovës nuk mund të gëzojnë të drejtën e azilit në asnjë vend të Bashkimit Evropian./

Nga Zijadin Gashi/

Qytetarët e Kosovës nuk mund të marrin azil nëpër vendet e Bashkimit Evropian përkundër një fluksi në rritje të migrimeve ilegale që është vërejtur kohët e fundit.
Shumë kosovarë, po marrin rrugën e migrimit ilegal duke shfrytëzuar kalimin nëpër Serbi e më pas edhe në Hungari prej nga mëtojnë të shkojnë në vendet tjera, kryesisht në Gjermani, por edhe Austri, Zvicër e deri te vendet skandinave.
Mbi 4 mijë kosovarë, ka kohë që po mbahen në një kamp në Hungari dhe të cilët pritet të rikthehen në Kosovë duke dështuar në rrugën e marrë për azil apo qëndrim dhe punësim ilegal.
Por, pavarësisht këtij fakti, çdo ditë ka migrime tjera.
Ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku u ka bërë thirrje të gjithë kosovarëve që mendojnë të largohen, që të ndryshojnë mendje, pasi që shtetasit e Kosovës nuk mund të gëzojnë të drejtën e azilit në asnjë vend të Bashkimit Evropian.
“Përkundër vështirësive, përkundër sfidave dhe problemeve që kemi në shtetin tonë të ri. azili nuk është më opsion për qytetarët e tanë. Kushdo që mësyn Evropën me idenë se mund të përfitojë nga azili ekonomik, politik apo ndonjë forme tjetër do të kthehet prapa në Republikën e Kosovës”, ka deklaruar Çitaku.
Ministrja Çitaku ka thënë po ashtu se rritja e fluksit të migrimeve ilegale është shënuar pas marrëveshjes së arritur me Serbinë për lirinë e lëvizjes.
Hapja e vijës qarkulluese përmes Serbisë, është shfrytëzuar nga trafikantët të cilët u premtojnë kosovarëve se do t’i qojnë në vendet perëndimore kundrejt një pagese tejet të majme.
Migrimet dhe azili, sipas ministres Vlora Çitaku, janë pasojë e gjendjes dhe kushteve të rënda ekonomike në të cilat po jetojnë shumë qytetarë të Kosovës.
Sidoqoftë, ajo u ka bërë me dije të gjithëve se rruga e migrimit do t’u kushtojë me rreziqe e shpenzime dhe kthim prapa për në Kosovë.
“Ne e kemi thënë edhe më heret se jemi te vetëdijshëm se azili dhe migrimi ilegal janë pasojë e gjendjes së vështirë në të cilën jetojnë shumë qytetarë të Republikës së Kosovës. Ne tashmë kemi nënshkruar marrëveshje për ripranim me shumicën e vendeve anëtare të BE-së, dhe për më tepër ne njëanshëm kemi miratuar ligjin për ripranim dhe çdo shtetas i Republikës së Kosovës që gjendet ilegalisht në vendet e BE-së do të kthehet mrapa”, ka thënë Çitaku.
Austria është një prej atyre vendeve që ka rikthyer së fundit 18 persona dhe të cilët pritet të riathesohen në Kosovë.
Ambasadori austriak në Prishtinë, Johann Brieger u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të mos bijnë pre e premtimeve të rrejshme të trafikantëve se do të gjejnë punë në vendet e zhvilluara evropiane.
“Është një shqetësim i madh për ne që njerëzit në Kosovë po bien në vazhdimësi pre e premtimeve të rrejshme të grupeve, mbase kriminale të agjencive të trafikimit”, ka thënë ambasadori Brieger.
“Austria e konsideron Kosovën dhe vendet e tjera të Ballkanit perëndimorë si vende te sigurta dhe kërkesa për azil do të refuzohet”, ka sqaruar ai.
Sipas tij, të gjithë ata që mund të mbërrijnë në Austri, qoftë legalisht apo ilegalisht me qëllim të marrjes së azilit, me procedura të shpejtuara do të kthehen në Kosovë brenda dy javëve.
Po ashtu, ndaj tyre mund të shqiptohen masa ndëshkuese duke u ndaluar hyrjen në këtë vend për 18 muajt e ardhshëm dhe duke i gjobitur deri në shumën prej 7.500 euro.
Në anën tjetër, ministrja Vlora Çitaku ka apeluar edhe tek organet e rendit si edhe misioni i EULEX-it që t’i shtojnë angazhimet dhe t’i kapin dhe sjellin para drejtësisë trafikantët të cilët po e shfrytëzojnë gjendjen e rëndë ekonomike të qytetarëve për t’i mashtruar dhe nisur për në rrugën e migrimit, rrugë kjo që po u kushton shtrenjtë edhe atyre, por edhe shtetit të Kosovës.
Një trend në rritje i migrimit dhe azil-kërkimit, vlerësohet se do ta largonte edhe më tutje Kosovën nga procesi i liberalizimit të vizave.

Filed Under: Emigracion Tagged With: Johann Brieger, Kosovare, mos emigroni, Vlora Citaku, Zijadin gashi

NE ZGJEDHJET E REJA ME LEGJISLACION TE VJETER

May 10, 2013 by dgreca

Në mungesë të reformave zgjedhore, Kosova pritet të shkojë në zgjedhjet e ardhshme lokale me legjislacionin e vjetër. Përmbyllja e reformave zgjedhore, paraqet një nga kriteret që Komisioni Evropian i ka përcaktuar Kosovës në kuadër të studimit të fizibilitetit për negociatat e Stabilizim Asocimit.
Megjithatë, liderët e partive kryesore nuk kanë arritur ta përmbyllin ende reformën as për nivelin lokal dhe as për atë qendror.
Koalicioni i organizatave joqeveritare, Demokracia në Veprim i ka bërë thirrje presidentes së vendit, Atifete Jahjaga që të caktojë zgjedhjet lokale në fund të shtatorit apo më së largu në fillim të tetorit, për shkak të eliminimit të parregullsive.
Drejtori Ekzekutiv i Institutit Demokratik të Kosovës, Ismet Kryeziu, ka tërhequr vërejtjen se në periudhën e dimrit, kur dita zgjat më pak, mundësitë për parregullsi janë më të mëdha, ngase errësohet më herët.
Kryeziu ka kritikuar edhe qeverinë e Kosovës për ndërhyrje në procesin zgjedhor me vendimin e fundit për formimin e komunës së Hasit. Ai tha se nga 22 marsi, Kosova ka hyrë në kalendarin zgjedhor dhe më nuk mund të ketë komuna të reja.
Ndërkaq në mungesë të reformave, i ka bërë thirrje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që t’i ndërmerr disa hapa për përmirësimin e infrastrukturës për mbarëvajtjen e zgjedhjeve.
Kryeziu ka folur edhe në lidhje me sfidat kryesore që e presin Kosovën në pretendimet që për herë të parë të organizojë zgjedhje komunale edhe në veri të vendit. Sipas tij, shumëçka do të jetë më e qartë pasi që Prishtina dhe Beogradi të merren vesh edhe në lidhje me planin e zbatimit të marrëveshjes së arritur në Bruksel.
“Sfidat kryesore sigurisht që do të jenë afatet kohore për zbatimin e marrëveshjes së arritur. Ne ende nuk e kemi një plan të zbatimit të kësaj marrëveshje dhe ende nuk kemi informacionet e duhura për të ditur se komunat e veriut a do të jenë pjesë e këtij procesi zgjedhor apo jo”, ka thënë Kryeziu.
Një çështje tjetër problematike që ka të bëjë me zgjedhjet në komunat veriore, është ajo e partive politike serbe në atë pjesë, të cilat janë të regjistruara në Serbi, por jo edhe në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë. Kryeziu ka thënë se për të qenë pjesë e procesit, partitë serbe nga veriu duhet të regjistrohen në organet e Kosovës.
“Partitë politike serbe të cilat nuk janë të regjistruara në Kosovë nuk mund të jenë pjesë e procesit zgjedhor. Ato duhet të regjistrohen në organet kompetente në KQZ dhe ajo që ne kemi kërkuar si Demokraci në Veprim ka të bëjë me atë që KQ-ja duhet të luaj rolin e vet në përgatitjen dhe organizimin e procesit zgjedhor”, është shprehur Kryeziu.
Në përgjithësi, Demokracia në Veprim, që kryesisht merret me vëzhgimin dhe monitorimin e proceseve zgjedhore, ka vlerësuar se reformat janë zvarritur shumë edhe atë me fajin e liderëve të partive kryesore politike.
Shqipe Pantina, nga ky koalicion i OJQ-ve ka kritikuar edhe disa nga rezultatet që
kanë dalë nga bisedimet në kuadër të reformës zgjedhore. Sipas saj, liderët politik kryesisht kanë arritur disa konsensuse që bien ndesh me Rezolutën e Kuvendit të Kosovës, e cila kërkonte më shumë zona zgjedhore, listat e hapura si dhe zgjedhjen e drejtpërdrejtë të presidentit në të ardhmen, çështje këto që nuk janë përfillur nga partitë politike.
“Liderët tanë fillimisht duhet të respektojnë rezolutën e Kuvendit të Kosovës e cila kishte vendosur disa parime, siç ishin: Kosova të ndahet në më shumë zona zgjedhore e deri te zgjedhja e drejtpërdrejtë e presidentit, parime këto që kohët e fundit janë lënë anash nga liderët politik”, ka thënë Pantina.
Demokracia në Veprim ka konfirmuar se është duke e zgjeruar rrjetin me organizata partnere lokalepër vëzhgimin dhe monitorimin e zgjedhjeve të ardhshme komunale.
Ky koalicion ka konsideruar se zgjedhjet duhet të mbahen këtë vjeshtë dhe se shtyrja eventuale e tyre do të përbënte shkelje të Kushtetutës, pavarësisht nëse një vendim i tillë eventual do të arsyetohej me përgatitjen e terrenit për zgjedhjet e para në komunat veriore(Kortezi Zijadin Gashi-Europa e Lire)

Filed Under: Opinion Tagged With: zgjedhjet ne Kosove, Zijadin gashi

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • EVROPIANËT NË TIRANË: FESTË TË MADHE KA SOT SHQIPËRIA—HANI E PINI DHE RRËMBENI…
  • Anëtarë të Komitetit Shtetëror për Kultet në Shqipëri vizituan Vatrën
  • FEDERATA “VATRA” DHE GAZETA “DIELLI” PËRKUJTOJNË EDITORIN DALIP GRECA NË 3 VJETORIN E KALIMIT NË AMSHIM
  • Epopeja e lavdishme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e Jasharajve në Prekaz
  • “Samiti Europës në 16 Maj, privilegj dhe sfidë serioze e Republikës së Shqipërisë”
  • Kërkesat e Eqrem dhe Syrja bej Vlorës drejtuar Austro-Hungarisë për çështjen shqiptare në vitin 1904
  • “Scribi përballë medias së shkruar”
  • Kur kujtesa kthehet në strehë dhe qyteti në mit, John Updike mbi Kadarenë dhe Márquezin
  • ALBTVUSA, NJE TELEVIZION I MBRUJTUR NGA ATDHEDASHURIA MBUSH 25-VJET
  • It’s a privilege to serve this community…
  • Shkodra Elektronike, “Prometeu” që çoi “Zjerm”-in e shpirtit shqiptar në Bazel, Beatriçe Gjergji dhe Kolë Laca në finalen e madhe të Eurovision Song
  • Shenjtërimi i pejsazhit dhe atdheu…
  • Në vendin ku të gjithë i dinë të gjitha…
  • Thank you to Baba Eliton Pashaj…
  • PËR FEHMI AGANIN…

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT