Nga Albin KURTI/
Neoliberalizmi dhe krimi i organizuar ecin dorë për dore në Kosovë. I pari jep mbështetjen konceptuale e teorike të praktikave kriminale të qeverisjes në Kosovë. Të ashtuquajturat reforma strukturore e vazhdojnë privatizimin e ndërmarrjeve shoqërore tek ato publike. Dhe, jo vetëm kaq: ajo që është e të gjithëve është e askujt dhe duhet të bëhet e dikujt. Mendja e tyre njëdimensionale sheh vetëm prona të pronësueshme. Ekzistenca është pronë; prona është ekzistencë. Prandaj, si bisha të etura për gjak nuk përmbahen dot në gjahun e tyre ndaj gjithçkaje publike.
Po them krim i organizuar dhe jo korrupsion sepse nuk bëhet fjalë më, thjesht, për korrupsion. Kjo fjalë është tepër e butë për ta përshkruar egërsinë e zhvatjes së pasurisë publike në Kosovë. Miliarda euro janë në pyetje – ndërmarrja kriminale kundër ndërmarrjeve publike është gjithsesi e organizuar.
Aq i kriminalizuar është privatizimi në Kosovë saqë nuk të bëhet më ta quash privatizim. Prandaj, me të drejtë sindikalistët, gazetarët dhe politikanët opozitarë nisën ta quajnë shitje, pra shitje e një malli të vdekur meqë ndërmarrja nuk trajtohet as si organizatë e punëtorëve dhe as si kapacitet zhvillimor për vendin. Mirëpo, edhe kjo fjalë me shpejtësi u zhvlerësua porsi ndërmarrjet para se të shiten: fjala shitje ia lëshoi vendin fjalës falje. Pasi që ndërmarrjet shiteshin tepër lirë, meqenëse shitja nënkupton një vlerësim adekuat të mallit të shitur, zërat që flisnin për falje të ndërrmarrjeve dhe pasurive të Kosovës nën siglën e privatizimit u rritën shumë.
Së fundmi, privatizimi nuk është më as shitje e madje as falje. Sepse, falja ka të bëjë me të kaluarën dhe të tashmen. Mund të falësh diçka që ka të bëjë me të shkuarën ose të tanishmen, i falet dikujt tjetër ajo që të përket ty. Por, këtu po falet edhe e ardhmja, edhe potencialiteti e perspektiva e shoqërisë, nga dikush që nuk ka të drejtë ta bëjë këtë dhe që po e shndërron popullin e Kosovës nga sovran në borxhli. Kjo është arsyeja që ky privatizim është para së gjithash uzurpim. Dihet që në Kosovë nuk kemi një ligj mbi privatizimin e aq më pak një ligj mbi privatizimin e Distribucionit e Furnizimit të KEK-ut apo të 75% të aksioneve të Telekomit. Prandaj, së pari, vënia për privatizim e këtyre shënon një uzurpim paraprak nga Qeveria. Dhe, së dyti, bartja e pronësisë më pastaj paraqet veçse uzurpim të ri.
Le të ndalemi pak te ky uzurpimi i ri, repektivisht uzurpimi më i ri. Qeveria e Kosovës e miratoi uzurpimin e 75% të aksioneve të Telekomit të Kosovës për 277 milionë euro, formalisht, ndërkaq përmbajtësisht kësaj shume duhet t’i hiqen 75% të 35 milionëve, dividenda që tash s’fitohet dhe lejimi i projekteve kapitale më herët të bllokuara, ashtu siç e sqaroi Federata e Sindikatës së PTK-së. Nga ajo çfarë kam mësuar deri më tash, uzurpimi i PTK-së do të mbahet mend si shpërlarja e shekullit në Kosovë. Disa kompani të ndryshme vendëse të afërta me kryeministrin Thaçi, përfshirë këtu atë të njërit apo më shumë vëllezërve Zhugolli, po marrin pjesë në blerjen e Telekomit edhe po i shpërlajnë milionat e përvetësuara pas luftës. Bile, në mesin e këtyre kompanive janë edhe aso që organizojnë lojëra të fatit dhe biznesmenë të tjerë të lidhur me politikanë që nuk janë në Qeveri.
Shuma e ofruar është bërë prej një fondi investiv, konsorciumit ‘Axos Capital Partners’ dhe ‘Najafi Companies’. Kjo do të thotë se nuk po e marrin Telekomin e Kosovës kompanitë e specializuara në lëminë e telekomunikacionit, por fonde jotransparente të cilave nuk ju dihet saktësisht përbërja e prejardhja. Ngjashëm sikurse me rastin e privatizimit të Distribucionit dhe Furnizimit të KEK-ut, ku njëherë ishin të interesuara kompanitë e lëmive të energjisë si RWE e pastaj mbetëm tek ato që erdhën të mësohet te ne, edhe te Telekomi fillimisht ishin të interesuara kompanitë si Deutsche Telecom e T-Mobile, por tash përfunduam te këso fondesh investive. Sidoqoftë, pyetja themelore në këtë rast është: kapitalin e kujt e përfaqëson dhe menaxhon ky konsorcium në Kosovë? Sigurisht që ato 277 milionë euro të përfolura që nuk i kemi parë ende nuk janë të ‘Axos Capital Partners’ dhe as të ‘Najafi Companies’. Telekomunikimi është çështje sovraniteti dhe interes strategjik përveçse pasuri publike. Është e domosdoshme të dihet se të kujt janë ato para. Në këtë pyetje duhet të përgjigjen kryeministri Thaçi dhe ministri Beqaj.
Njerëzit në Kosovë po frikësohen të flasin hapur. Posaçërisht ata që punojnë në institucione dhe kanë informata. Pas të ashtuquajturës ‘vetëvrasje’ të Dino Asanajt, në Kosovë ka njëfarë klime që t’i përkujton vitet e ’90-ta. Mbase edhe privatizimi, përkatësisht uzurpimi i pasurisë pas luftës, është vazhdim me mjete tjera i shkatërrimeve të luftës e të paraluftës.
Kosova duhet të ngritet në këmbë që të mos lejojë nënshkrimin e kontratës ndërmjet Qeverisë dhe ‘Axos Capital Partners’ e ‘Najafi Companies’. Populli e shteti i Kosovës duhet t’i kthejë herëdokur këto ndërmarrje, të cilat më parë se u privatizuan, u shitën, më parë se u shitën, u falën, dhe, më parë se u falën, u uzurpuan. Përndryshe, ky vend i pazhvilluar e me qeverisje të kriminalizuar po bëhet i pajetueshëm për qytetarët e tij.
Prishtinë,prill 2013
Albin Kurti
SAMI says
I NDERUARI Z ALBIN KENI SHUM TË DREJT POR SOD JAN KRIMINELËT QË DIRIGJOJN VEDET APO AT HAJDUTËRIN E EKONOMIS NËTË GJITHA SFERAT FATKEQSISHT.