• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ÇKA THA AMBASADORI TURK PER SHQIPTARËT ?…

February 25, 2013 by dgreca

100 vjetori i rrethimit të Shkodres…/

Nga Fritz RADOVANI/

Shkodra, flitet, por sa asht e vertetë nuk e dij, thonë se asht rrethue disa herë por sa herë asht vështirë me e percaktue!.. Ka historianë që i fillojnë rrethimet e saj para Krishtit. Ka edhe që i vazhdojnë edhe mbas Krishtit… Kishe me thane se ky lamsh historik i “Rrethimit të Shkodres” e ka burimin tek mospercaktimi i saktë se: “Shkodra vazhdon me kenë edhe sot e rrethueme!”.

          Po kush e ka “Rrethue Shkodren” ?… – Gojdhanat dhe gojkëqijtë kujt nuk ia lanë fajin!?

Disa thonë se Shkodra u rrethue nga turqit… Disa të tjerë ua lanë komshijëve… Disa që janë konsiderue edhe historianë të zotët, thonë se Shkodren e kanë rrethue vetë shqiptarët…

Kujt me i besue?!.. Nuk di njeriu kujt me ia prishë as kujt me ia lanë mbarë!?

Një liber e ka lanë per këte punë Don Marin Barleci, një prift që e ka shkrue aty nga viti 1504…”punë boshe”, se mos di kush me thanë të verteten. Kush ia beson Atij prift sot këto
fjalë: “Tashti pra Otomani, tue marrë parasysh se Shkodra ishte qyteti ma i përmendun dhe kryeqendra e krahinës së Shqipnisë, ishte roja, syni, forca dhe mbrojtja e të gjithë mbretnisë, dera e detit Jon dhe e Adriatikut, mbrojtja e Italisë dhe e të gjithë të krishtenëve, ushqeu një shpresë shumë të madhe per me e shti në dorë…” (“Rrethimi i Shkodres”fq. 31).  Ai sot asht pak i besueshem!

Ma vonë aty nga fillimi i shekullit XX, njëfarë Don Ndoc Nikaj ka shkrue një tjeter liber per rrethimin e Shkodres nga malazezët…edhe ky si i pari, “punë priftnish”. Ka shkrue prap edhe një frat i quejtun At Justin Rrota, po per rrehimin e Shkodres së 1912 – 13, po nuk permendet gati prej askujt, perveç prej atyne që e dijnë se shkrimet e Tija i ka pervetsue “prof. dr. dekan…” Jup Kastrati, po as “ata” nuk flasin se “nuk asht mirë me tregue se ky ‘prof. dr.’  i vdekun ishte hajdut veprash”!.. Të gjitha këto vepra janë edhe “pa vlerë”, mbasi janë shkrue edhe Gegnisht.

Per fat këta vepra u mblodhën dhe nuk u dogjën si shumë të tjera, dhe mbasi iu ba njëfarë seleksionimi po i themi nen kujdesin e disa “prof. dr.”, u kthyen në gjuhë e “njësuar” tue i vue në kopertinë edhe emnin e adaptuesit. Dikund nëpër té shkruente edhe një frazë ose dy kunder klerit katolik, që e bante të mundshem botimin e saj. Pak kohë para Jupit këte punë e filloi Dhimiter Shuteriqi, ndersa ma vonë kjo u ba “modë”. Një pjesë që erdhën deri në ditët tona tashti ia kanë fillue me shkrue në gazeten “Drita Islame”, edhe pse karrieren e kanë fillue tek “Rruga e Partisë” në vitin 1967, kur i udhëzonte “rahmetlia” Ramiz Alia në “Revolucionin Kultural” në Shkoder.

Per çudi shumë dorshkrime që u patne plaçkitë nder bibliotekat dhe muzeumet e qytetit të Shkodres në vitin 1946 nga jugosllavët dhe u derguen nga Bosnja nëper rrugen e Koplikut, nuk dihet fare fati i tyne mbasi nder valixhet e lidhuna me litar ka pasë edhe disa dorshkrime të At Gjeçovit, At Fishtës etj., që njiheshin edhe nga ish nxanësit e tyne që kanë jetue deri vonë.

Vlera ma e madhe e atyne thesareve asht kenë ajo e fushës së shkencave historike, mbasi si gjithmonë klerikët katolik shqiptarë perpara se me shkrue një shkronjë në leter, janë kenë disa herë të sigurtë se ashtu asht e verteta e atij dokument per të cilin kanë shkrue. Ata nuk i kanë lejue vetes asnjëherë me shkrue dishka të pasigurtë ose të diskutueshme. Kjo ngjante se kishin seder per çka shkruenin dhe nuk i lejonin emnit vet me u diskutue per pasaktësi. Me ngja dishka kështu emni i tyne fshihej nga revistat e kohës. Këte e verteton revista e tyne “Hylli i Dritës”… Ndersa sot ngjet që po i njajti autor që nuk ka lanë gja pa thanë per At Fishten, me paturpësi edhe guxon me u krenue me veprat e At Fishtës, që deri dje kje “fashist” apo “i padijtun” në shkrime.

Kjo fatkeqësi e kishte burimin tek karakteri i dobët dhe mungesa e personalitetit të atyne që shkruenin per me i ba qejfin diktatorit dhe rrethit të tij, që ishte edhe ai si diktatori.

Vetë Enver Hoxha fliste e shkruente pa asnjë kontroll të logjikës. Ai ishte gjithnjë në të gjitha fjalimet, deklaratat dhe “veprat” i pakorrigjueshem, kështu u mësuen me kenë edhe ata që i rrinin perrreth tavolinës së tij. Ai të pakten e justifikonte këte me ruejtjen e kolltukut të vet, per të cilin sakrifikonte gjithshka tue fillue nga burri i motres së vet Bahri Omari, që kushedi sa herë u strehue edhe vet Enveri në shtëpinë e tij me shpetue koken…E në fund, e pushkatoi!

Sot ka nga pasuesit e tij që mundohen me e imitue në mos me fjalë, me vepra. Harrojnë se bota ua lexon letrat në xhep! Ata ua rrahin shpatullat derisa këta karagjozë punojnë per ta!

Unë do të shkruej një fakt që ka ngja në Tiranë në vitin 1964, mu në pallatin e Brigadave, apo të karagjozit tjeter Ahmet Zogollit, pikrisht, me “fanarin ndriçues të marksizem-leninizmit” në botë, atëherë kur Nikita Hrushovi, pat mendue “me ba Shqipninë një kopësht të lulzuem të socializmit në Ballkan, si shembull per të gjitha vendet islamike!!..”

Në banketin e shtruem per festat e nandorit Enver Hoxha foli edhe per pavarsinë tonë nga turqit, tue vue theksin se “menjëherë shqiptarët u zgjuan dhe nuk vonoi e formuan PKSh, e cila solli lirinë dhe fitoren e socializmit, të cilin do ta ruajmë të paprekur nga armiqtë tanë…”

Sigurisht, të pranishmit e “duartrokiten” me ovacione… Nder ambasadorët e pranishem që ndodheshin aty e mori fjalen ai i Turqisë, i cili vuni në dukje “miqësinë e popullit shqiptar me popullin turk nder sa shekuj dhe cilsoi, se po mos t’ ishte pushtimi shekullor turk, Shqipnia nuk do të konsiderohej si vend islamik nga Aleatet fitues të Luftës së Dytë Botnore, kështu ajo nuk do të lejohej me kenë nën influencen e vendeve komuniste. Si pasojë sot ju nuk do t’ ishi një nga vendet socialiste po mos t’ ishit të okupuem nga Turqia, prandej asaj duhet t’i jeni mirnjohës!”

Edhe ambasadori turk u “duartrokit”, por pa ovacione…

Mbas pak ditësh, në pragun e festës së Republikës me 11 Janar 1965, kur ambasadorët që ishin në Tiranë shkonin në Ministrinë e Jashtme dhe banin urimet e tyne, tue shenue në protokol edhe praninë e tyne aty, Enver Hoxha thrret ministrin e jashtem Nesti Nase (i cili e ka tregue këte ngjarje kur u arrestue), dhe e porositë: “Kur të vijë tek ju per urime ambasadori turk pyete se a e ka lexuar kryeartikullin e sotem në gazeten ‘Zëri i Popullit”, pastaj më trego çfarë tha?”

Kryeartikulli i gazetës “Zëri i Popullit” ishte shkrue nga vetë Enver Hoxha, që i prekun nga fjalët e ambasadorit turk, kryesisht se “të gjitha fitoret e luftës dhe të socializmit ishin të tijat dhe se ai po ndriçonte aso kohe gjithë vendet e mbrapambetuna me idetë marksiste-leninste” e kishin zemrue Enverin, aq sa nuk lente gja pa thanë per atë që kishte errësue figuren e tij…

Në oren e caktueme per ambasadorë në Ministri të Jashtme erdhi edhe ambasadori turk. Ministri Nesti Nase e pyeti: “A e ke lexuar sot kryeartikullin e gazetës “Zëri i Popullit” ? – Po, iu pergjegjë ambasadori, dhe vrejta se artikullshkruesi kishte dashtë me më dhanë pergjegjen e asaj që unë kam thanë atë natë në banketin e festave tueja të nandorit. Me siguri, ju keni per t’i tregue dhe mendimin tim atij që e ka shkrue artikullin prandej, ju lutem i thoni: “Kaq të mbrapambetun i keni udhëheqësit tuej ju shqiptarët, sa edhe disa pashallarë që kemi pasë shqiptarë nder disa krahina tona në Turqi, ato krahina edhe sot janë ma të mbrapambetunat e Turqisë moderne!”

Shpesh, ambasadorët dijnë ma shumë se edhe vetë ata që drejtojnë shtetin e tyne!

Ndoshta, ambasadori i Turqisë sotme, e ka “ndryshue” mendimin…

Melbourne, 2013.

Filed Under: Opinion Tagged With: ambasadori turk, Fritz radovani, shkodra

Ankth mbijetese

February 24, 2013 by dgreca

Nga Gani Qarri Zyrih

Askush nuk do ta ketë pritur as menduar më herët se edhe pesë vjet pas pavarësisë,ëndrra për shtet dhe zhvillim të shqiptarëve do mbetet si një fletë e kurthuar në një grumbull ferrash të cilat jo vetëm se trupin e saj e bënë shoshë me “therje” por edhe nuk do ta lëshojnë të shpëtoj lehtë nga to. Mbi pesë vjet zhbërje shprese,pasiguri dhe jetë të mundimshme,deri në ankth nga ndërtimi i një shteti gjysmak e jo funksional,ku nuk sundon rendi e ligji dhe çdo gjë mbështetet në nepotizëm,interesa të ngushta e mashtrime,pasiguria për mbijetesë e shqiptarëve në vendin e tyre, sa vije e rritet.

Pesë vjet dështim,dobësi dhe paaftësi udhëheqësish për ta zhvillu dhe qua vendin përpara. Pesë vjet me halle të shtuara, varfëri në rritje dhe papunësi marramendëse, e kthyen shtetin në një krijesë të frikshme,duke i`a ngushtuar shumë kujt edhe mundësinë e mbetjes gjallë në te…gjendje që zbehë ngadalë por sigurt ëndrrën e praruar të pavarësisë, jo vetëm për hallexhinjtë e shumtë në vend.Pesë vjet vuajtje e paqartësi për tërësinë e vendit, pesë vjet deprimim të brendshëm dhe turpërim ndërkombëtar para të huajve që përcjellin dhe vështrojnë sjelljet tona në çdo hap, duke përqeshur paaftësitë e lidershipit për të mbajtur shtet.

Pesë vjet pa ecje të mjaftueshme, pesë vjet pasurim të pushtetarëve dhe varfërim të popullsisë deri në shkallën më të ulët në kontinent dhe ndër më të varfrat në Botë. Pesë ?.. apo kush e di se sa vite të humbura,mbetur prapa gjithanshëm, pa investime të huaja dhe pa zhvillim, pa shpresë dhe të izoluar nga të gjitha vendet e Evropës.

Në Kosovë, Inflacioni, papunësia, deficiti tregtar,padrejtësitë dhe varfërimi ekstrem me rritje marramendëse dhe të pa kontrolluar,të cilat nëse nuk parandalohen mund të çojnë deri në kolaps total,prodhojnë jo vetëm ngecje e probleme tjera bllokuese në rrugën drejt Bashkimit Evropian, por edhe rrënim të demokracisë së brendshme në vend.

Sipas asaj që shkruhet e thuhet në shumë media publike, papunësia ka arrit në rreth 50 %,kurse varfëria e skajshme në mbi 20 %,derisa rritja e çmimeve bëhet e pa përballueshme për shumicën e popullsisë në vend, anipse ata blejnë mallra të dyshimta, të helmuara dhe kancerogjene që vijnë nga Serbia, të cilat derisa edhe vet ish shteti pushtues dhe prodhues i këtyre mallrave, i ka heq nga përdorimi, Kosova vazhdon edhe më tej ti shes si artikuj të sigurt.

Si duket shqiptarët të adoptuar nga konsumimi i gjatë i importeve jo gjithëher të mirëkontrolluara, tanimë janë bërë imun edhe ndaj mallrave të kontaminuara dhe helmeve të Serbisë…

Pesë vjet pas, shkaku i korrupsionit dhe mosfunksionimit të shtetit ligjor,edhe ata pak investitor të huaj që ishin,pothuajse kanë ikur apo janë në ikje e sipër dhe të gjithë treguesit makroekonomik në vendin më të varfër të Evropës, vazhdojnë të tregojnë edhe më tej rënie.

Pesë vjet pas pavarësisë,vendi ynë vazhdon të mbetet vend i skamjes,i krimit të organizuar,dhunës dhe migrimit,të cilat detyrojnë të rinjë e të vjetër, të presin më kot nga dy-tre muaj,para ambasadave të huaja në përpjekje për të marrë një vizë,në mënyrë që të ikin sa më shpejt nga sytë këmbët dhe t`ia kthejnë shpinën atdheut,për të cilin,dikur vet apo etërit, bënë shumë përpjekje e sakrifica që edhe ai ta fitonte pavarësinë!

Ndaj,pesë vjet skamje e vendnumërim,pesë vjet ngecje dhe bllokim,pesë vjet zhgënjim,pesimizëm,frikë e mosbesim, krijuar nga realiteti i hidhur me vuajtje dhe izolim të plotë,sidomos për rinin e pa fajshme të Kosovës,vërtetë janë shumë. Mjerisht, edhe pesë vite pas, shqiptarët duhet të bashkëjetojnë me frikën e pamundësisë së mbijetesës dhe pasigurinë e ardhmërisë së fëmijëve të tyre, në vendin e vet që e donin aq shumë, ata të cilët dikur të vetmen ëndërr patën çlirimin dhe shpresonin në atdheun e lirë. Athua vërtetë e merituan këtë gjendje?!

22 Shkurt 2013

Filed Under: Opinion Tagged With: ankthi, Gani Qarri, per mbijetese

Gjakova e Kreshnikëve

February 24, 2013 by dgreca

NGA BARJAM DOKA/ New York

Në këtë shekull të pavarsisë së shqipërisë që përkon me shekullin  e ngritjes  e valvitjes së lirë të  flamurit  Kombëtar Shqiptar dhe 5 vjetorin e pavarësisë së  së Republikës së Kosovë  është e pamundur të  përmendësh  të  gjithë herojtë, heroinat, patriotët, trimat dhe njerëzit e  mençur, që për të mbrojtur nderin e kombit dhe  flamurin me shqipen dy krenare, sakrifikuan  ç’do gjë  të  shejtë  të tyre për lirinë dhe çështjen kombëtare. Në bjeshkët e larta të  Apleve, atje ku lindin “Zanat” dhe Kreshnikët,  në rrëzë  të tyre  shtrihet Malësia Kreshnike  e Gjakovës  një nga vatrat e kultures, mençërisë  dhe  trimërisë  Shqiptare, vendi  që  lind djem dhe vajza , bijtë dhe bijat më të mira  nga Kosova  trime,   flamurtarët më të njohur  të  kombit shqiptarë  për të cilën edhe rapsodi  do ta  përshkruante  si më  poshtë në vargjet e këngës së tij popullore:

Ani moj Shqipni mos thu’j se marova!
Ani se djemt tu hala janë gjallë.
O n’komë’ jan çu’ rrept o Kosova
E bajnë luftën ballë o për ballë-e.
More ishin ditët ma të vshtira
Me njëmijenantqindedhet-e.
Kur n’Kosovë ra egërsina
Don me zhbi çdo bimë mbi dhe!
More se n’Prishtinë, aty pik s’pari
More krisi topi o me duhi.
O aty gjaku i shqiptarit
Ra në tokë me bi përs’ri
.

Kreshnikët e këtyre bjeshkëve lanë gjurmë të thella në histori,  gjurmë  që gjenden deri në lashtësi , gjenden  edhe    në shkrimin më të  lashtë Ilir që është  gjetur  në rrethinat e Shkupit që është  shkruar në alfabetin Iliro-pellazg që daton  përpara 9500 vjetësh

( datuar me C-14)  ku  thuhet:

”Kreshtë se le yllt si lis je”  (Kreshtë nuk e le  Yllin, si lis je).

Gjurmët Ilire  në këto treva i gjejmë të mishëruara  më vonë në  qytezën ilire të Rosujës, aty ruhen   gjurmët e  një qytetërimi të mijëvjeçarit të  dytë para krishtit(p.e.sonë).

Por edhe  Herodoti,  në librin e tij të historisë,  përmend ekzistencën e banorëve  të fuqishëm të Kreshtianëve.

Në  legjendat e kësaj malësie , kjo trevë  përmendet  si  vendndodhja e “Zanave”  që mishërohet në botë,  vetëm me zakonet Iliro-Shqiptare, me  vajzat që kthehen në “burra kuvendi”,  në  “Vrigjëreshat Shqiptare”.

Gjakova me Malësinë e saj është  djepi i trimërisë dhe i mençërisë shqiptare ,  është treva që ka lindur  patriotë dhe   heronj  të spikatur  të kombit shqiptar. Në këto anë janë zhvilluar mjaft beteja për liri, si ato kundër ekspeditave ndëshkimore osmane  ashtu edhe ato kundër pushtuesve serbo-malazezëve.Këta të fundit,  nga urrejta që nuk e nënshtronin dot krahinën,   pas një qënderese heroike të malësorve, në vitin 1913 e dogjën gjithë malësinë e Gjakovës  dhe rrugët e saj i  mbushën me trekëndësha patriotësh e njerëzish të varur në litar.

Disa heronj  të  Gjakovës.

Në këto pëvjetorë  të pavarësisë  është e pamundur të përmendim të gjithë herojtë dhe heroinat që pa dallim feje, krahine   derdhën gjakun për çështjen shqiptare, ku edhe  poeti  në “librin e burgut” do ta shprehte si në vargjet e mëposhtëme:

…………………………………………………………………….

Ngjyeni n’at gjak shqiptarë, voet e pashkëve,

 e si me langun e shejt n’at gjak kungoni!

Se gjak ma i pastër e fisnik nuk rrodhi

e plot ugur për t’ardhmen e vatanit.

……………………………………………………………….

Gjakova lindi trima e trimëresha,   burra e gra të zgjuara, lindi patriotë dhe heronj, lindi,  Gjon Nikollë Kazazin, Haxhi Zekën.

Atje u  lind  Sulejman Vokshi.

Gjakova krenohet me heroinën Shote Galicën ,  me  Mic Sokolin.

Gjakova  lindi  Asim Vokshin,  vullnetarin e brigadave internacionale të Spanjës,  lindi mentorin dhe pajtuesin e gjaqeve Z. Anton Çetën, por Gjakova lindi edhe “trimin e Dragobisë” heroin e popullit shqiptar  Bajram Currin që  rapsodi popullor e kujton  si më poshtë në vargjet e këngës popullore gjakovare:

 

………………………………..

Bajram Curr, o Bajram Curr
Emni yt s’harrohet kurr!
Të ka lind-o nanë Gjakova
S’të harron Kosova!
Bajram Curr, o Bajram Curr
Emni yt s’harrohet kurr
Të ka mbajt-o Dragobia
S’të harron Shqipnia!

……………………………….
Hej, moj Kosovë-o ty t’a lumsha shpinën!
Hej, bijtë e tu’ e kan lu’jtë martinën!
Me Bajram Currin, Isa Boletinin,
Me Azem Bejtën e Hasan Prishtinën

Gjakovarët, të lindur dhe të rritur rrëzë  Alpeve  shqiptare, atje ku shqipja ngren folenë e saj , nuk ju nënshtruan asnjëherë të huajit. Nuk pranuan të nënshtrohen,  por luftuan deri në grahmat e tyre të fundit, aq sa rrugët i mbushën me gjak (gjak-ova). Ndoshta këndej vjen edhe emri Gjakov- ë, a.Trimat e saj luftuan kundër pushtuesve osmanë e  kundër pashallarëve.

 Mic Sokoli i vuri gjoksin topit.

Ashtu tepër e veçantë është edhe vepra e heroinës dhe luftëtares   Shote Galica,  me të cilët shqiptarët indentifikojne Zanat Shqiptare, femrat trime dhe luftëtare  të kombit  tonë.

“Zanat”, “Zonjat, “Virgjëreshat”  Shqiptare,  si asgjëkundi veçse  në legjendat Ilire ,  ulen pranë oxhakut në  odat e kuvendeve  përkrah burrave  më të mençur  e më trima dhe kishin të drejtë të  merrinin  vendime, për të mbrojtur vetveten, shtëpinë dhe kombin e tyre, për t’ju lëshuar  pa ju trembur qerpiku  dhe  pa ja kthyer shpinën armikut.

Jo vetëm nga trimëria por edhe nga dituria dhe nga kultura Gjakova nuk ngeli pas qyteteve tjera shqiptare.

Në vitin 1896 Ahmet Zherka solli aparatin e tij të parë fotografik me të cilin u fotografuan mjaft prej trimave, trimëreshave,   heronjve dhe heroinave shqiptare, midis tyre edhe heroi i popullit Shqiptar , Bajram Curri.

 

Patriotët e familjes Zherka/

Nga Tropoja  e  Malësisë së  Gjakovës rrjedh  familja fisnike e patriotike e Z.Ahmet Zherkaj , tani me banim në  SH B A (New York). Edhe prej kësaj   familje, gjenerata të tëra të saj  gjatë gjithë historisë vijuan  pa u tutur  rrugën  patriotike  të parëve të tyre ,  luftuan si heroj duke derdhur  gjakun për të  jetuar të lirë nga zgjedha e huaj dhe  e  pushtuesve  të vatanit. Kur pushtuesit ju vërsulën trojeve Shqiptare,  Hasan Isuf  Zherka  (babai I Ahmetit)  me 7 prill 1941  jep sinjalin për kryengritje kudër pushtuesve fashistë  duke sulmuar dhe çliruar postbllokun në Qafë Stobërdhë.

Pas kapitullimit të italisë fashiste,  hitlerianët u orvatën të rimerrnin pikat strategjike duke  sulmuar përsëri postëbllokun e Qafës  por forcat clirimtare të komanduara nga Gani Kryeziu e  strategu Gani Brahim Zherka ,  si dhe nga çetat e komanduara nga  Hasan Isuf Zherka , Rustem Bajraktari, Musë Neza, Hamit Perolli  etj, i qëndruan heroikisht sulmit nazist dhe me ofensivën e tyre ju shkaktuan nazistëve  në fushën e betejës  92 SS të vrarë  duke çliruan edhe pjesën më të madhe të krahinës.

Në funvitin 1943 u formua Shtabi   “Djemt e  Shqipes” ,  i përbërë nga Hasan Kryeziu, Ali B.Zherka, Shpend Zherka etj,  ku qëllimi i tij kryesor  ishte  clirimi dhe bashkimi i Kosovës me Shqipërinë.

Në shtëpinë e Hasan Isuf Zherkës,  më 20 shtator1943 lindi  Ahmet Zherka,  i vetmi fëmijë që mundi të mbijetonte  në atë familje  e cila  kishte  vënë  gjithëshka  në   shërbim të  patioritzmit dhe çështjes kombëtare.

Patrioti  Hasan Isufi ( Zherka) i edukuar me ndjenja patriotike nga të parët e tij,  nuk mundi të duronte poshtërimin e pushtuesve të rinj  që  vazhdimisht e poshtëronin  duke e kërcënuar edhe me jetën,  për sakrificat dhe patriotizmin,  që ai ç’faqte  në shërbim të Lirisë dhe  çështjes kombëtare.

Më  1953 Ahmet  Hasan Zherka   gjendet  përballë një pusie të pregatitur nga Pero Çukiçi,  por e mund  atë.

Çukiç ishte agjent i UDB-së dhe  me  gjithë rrethin e tij fisnor kishin uzurpuar dhe mbanin  të  gjitha  postet kryesore në qarkun e Gjakovës  dhe asgjë s’mund ta ndalonte pë tu  hakmarrë  kundra patriotëve Shqiptarë.

Gjykata e përballur me mjaft  rrethana  lehtësuese e dënon zotin Ahmet  vetëm me 6 muaj burg,  por me ndërhyrjen  e Nikë Sokolit dhe me ndihmën e  Hysen Biberaj atë e  transferojnë  të  internuar  në llogorin (kamp internimi) e Kamenicës.

I gjendur në këto kushte të vështira por  i edukuar me ndjenjat më të mira   patriotike të   familjes Zherkaj ,  rritej e hidhte shtat përditë  djaloshi i ri  Ahmet Zherka i cili nuk u përkul asnjëherë por jetën e tij ja kushtoi çështjes së bashkimit kombëtar ashtu siç bënë edhe të paret e familjes së tij.

Për trimërinë dhe patriotizmin që çfaqnin  familjarët e saj, u përbuzën e u  ndoqën vazhdimisht  nga pushteti i instaluar Serbo-Sllav ,  nga  UDB-istët  e tyre.

Por Zherkajt asnjëherë nuk u përulën dhe nuk pranuan sklavërinë , veçse me krenari e pa u pëkulur u ballafaquan me provokimet,  dënimet dhe  me dëbimet në kampet e ndryshme të internimit.

Sistemi  kishte angazhuar kundra tyre skemat më provokuese nga arsenali i tij  për ta  hequr “qafe” këtë familje.

Z. Ahmet Zherka  u detyrua të braktiste  vendlindjen  e të emigronte  drejt SH B A-së duke marrë më vete edhe  shoqen e tij të jetës, Shpresën,  –  “Shotën”  e  tij .

Nuk është coincidence,  por Alpet janë vendlindja e Zanave e Shotave e Mic Sokolave dhe e Azemëve … .

Edhe në SHBA  Z. Ahmet,  i djegur nga malli për atdheun e dëshirën për liri  kombëtare    vazhdoi përsëri aktivitetin  patriotik e kombëtar.

Mbas   dy (2) vjetësh që  shkeli në Kontinentin e Ri   z.Ahmet themeloi  organizatën   “Bashkësia Shqiptare”.

Ai filloi botoi  të botojë  revistën e posaçme  me titull  “BOTIM I SHËRBIMIT TË BASHKËSISË SHQIPTARE ”  dhe  prej asaj dite   ka qenë dhe vazhdon të jetë në krye të gjithë aktiviteteve  që i dedikohen çështjes kombëtare këtu,  në  diasporën  shqiptare,  në  SH.B.A.

Zemra e tij digjej pë kombin , për vendlindjen.

Në vendin e tij të punës  Z.Ahmet Zherka mbante flamurin Kombëtar Shqiptar por një ditë përgjegjësi i tij (supervisor) shikon flamurin dhe gjithë mllef    i  nervozuar  e shkul  flamurin,   dhe e shkel me këmbë.

Ahmeti nuk mundi ta gëlltiste atë poshtërim.   Merr armën dhe shkon në zyrën e tij.

Aty e gjen të  vetëm në zyrë   dhe ia  numëron  plumbat në lule të ballit , përdhosësit të Flamurit Kombëtar.

Pas kësaj  del në rrugë , lajmëron policinë dhe kur vijnë forcat e rendit,  vetë dorëzohet duke  ju rrëfyer për gjithë ngjarjen.

Shpresa dhe fëmijët më kot pritën atë natë që Ahmeti të kthehej në shtëpi.

Nga  qelia ku ishte mbyllur,  kërkoi leje të fliste me Shpresën  dhe fëmijët të cilët  më kot e pristnin ,  atë natë  e të nesërmen   që “Avni Rustemi” (kështu e thërrasin,  këtu në N.York  zotin  Ahmet Zherka)  të kthehej pranë familjes , pranë tyre.

Natën tjetër bie zilja e telefonit, Shpresa  ngren receptorin  dhe  nga zëri njohu Ahmetin,  pasi u përshëndetën e  pyet: “Kur do të kthehesh, Ahmet”?

– “Shpresa!. Unë nuk kthehem shpejt, mund të vonohem gjatë,  jam i burgosur  por ti kujdesu për fëmijët”!.

“Shota”, Shpresa Zherka,  i thotë: “Po Ahmet, patjetër .  Ti mos u mërzit ……”,  por biseda nuk mund të zgjaste më  tej, koha e lejuar  për bisedë telefonike kishte mbaruar.

Këtu mer fund edhe vazhdimi i mëtejshëm i botimit të   revistës  së komunitetit Shqiptaro-Amerikan  për Nju Jorkun me titull “BOTIM I SHERBIMIT TE BASHKESISE SHQIPTARE”  që udhëhiqej drejtpërsëdrejti nga trimi dhe patrioti   Ahmet Zherka.

Edhe pasi u  lirua nga dënimi,   Z. Ahmet përsëri nuk e ndali veprimtarinë e tij patriotike në shërbim të çështjes kombëtare , ai  gjindet kudo   në krye të demostratave , në ndihmë të  shoqatave dhe individëve , në ndihmë të vullnetarëve të UÇK-së, gjithëandej ku  mund të kontribohej në ndihmë të çështjes kombëtare dhe bashkimit të trojeve shqiptare .

Me vitytet patriotike  të  kësaj familje ,  Shpresa  edukoi  fëmijët , djemtë dhe vajzat e saj.

Ilir Zherka./

Të gjithë e njohim dhe  kemi dëgjuar për  djalin e Ahmetit, Ilir Zherkën, Drejtorin Ekzekutiv në DC, qysh prej vitit  2002 .

Përpara se të  vinte në Uashington DC     zoti  Ilir ishte “Preisdent i Ligës Shqiptaro-Americane” dhe luftoi me devocion  për demokratizimin e ballkanit dhe mbrojtjen e çështjes kombëtare të Shqiptarëve që jetonin  kudo në trojet etnike të tyre.

Iliri  është   një ikonë drejtësie  në mbrojtje për  bashkimin,  trashëgiminë dhe të drejtave të çështjes kombëtare Shqiptare.

Dhe vajzat Ahmetit nuk ngelën pas.

Po ashtu edhe djali tjetër,  “Shqiponja”  e  Ahmetit u rrit po me ato virtyte.

Sefedin Ahmet  Zherka  realizoi ëndrën e tij  për tu bërë “shqiponjë”,  për të fluturuar  lart në qiejt  blu të pafund rreth globit.

Gjatë  Luftës  në Kosovë , 1998-1999 , Sefedini   vullnetarisht u tregua i gatshëm për  të sjellë me aeroplanin  e drejtuar  nga vetë  ai  drejt Amerikës, drejt  SH B A, drejt kontinentit të shpresës,  refugjatët Kosovarë që u dëbuan  me dhunë ushtarake  nga klika e Slobodan Milosheviçit gjatë pastrimit etnik  që ushtruan në Kosovë.

Është nder për ne  dhe  brezat që vinjë më pas, të mbajmë të gjallë, të kujtojmë patriotizmin dhe veprat e pavdekshëme të këtyre njerëzve të shquar.

Njëkohësisht   është  e pamundur që në këto  pak rrjeshta të rradhisësh të  gjithë veprat dhe  emrat  e   heronjëve dhe  patriotëve  të tjerëve që edhe jetën  nuk e kursyen në shërbim të  Shqiptarizmës.

Literatura

* Takimi,  Prof.Bajram Doka, Tomë Paloka  me Z. A.Zherkën,  dt. 12/15/12 ora 15-17 ( Tek Gjergj Dedvukaj-Giovanni pizza)

* Shqiptarët e Amerikës Vehbi Bajrami, faqe 490,491

* “ME SHQIPTARËT E AMERIKËS” – Qazim Doda – E vërteta e Ahmet ...

    www.youtube.com/watch?v=xfcsoPlz25k

* Libri i Vehbi Bajramit  “Shqiptarët e Amerikës”  faqe 490,491

* “Në moshën 48 vjeçare …………”. Nga Beqir SINA, New York, SHBA

* Botim  i   shërbimit  të bashkësisë shqiptare, viti I III-të ,Nr. 3,;f. 3~15.

Po aty, “Kryengritja e Armatosur e Malësisë së Gjakoves në vitin 1941”.

Filed Under: Opinion Tagged With: Ahmet Zherka, Bajram Doka, Gjakova Kreshnike

KKSHA: DEKLARATA E DIASPORES SE BASHKUAR MAQEDONASE-ULTRANACIONALISTE

February 22, 2013 by dgreca

Këshilli Kombëtar Shqiptaro Amerikan (KKSHA) në kumtesën e saj tërheq vrejtejn se : “Këto deklerata, i përkasin vetëm kohës së Luftërave e Ballkanike në vitet 1990, të cilat qenë nxitura nga udhëheqësit e tyre diktatorë, ultra-nacionalistë që kan demonizuar njerëzit e tjerë, duke bërë akuza të rreme dhe duke përdorur gjuhën e nënçmuese.” /

Nga BEQIR SINA, New York/

WASHINGTON D.C: Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (KKSHA) me bazë në Uashington ka lëshuar një komunikatë lidhur për të demantuar dekleratën e Diasporës së Bashkuar Maqedonase (United Macedonia Diaspora) e cila ka bërë akuza të rreme dhenënçmues ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK). KKSHA-ja, bën thirrje Diasporës së Bashkuar Maqedonase (United Macedonia Diaspora) dhe Kryetarit të saj Stojan Nikollo, dhe zotit Mark Branov, drejtor i PR dhe Telekomunikacionit, që publikisht të shfuqizonte komentet e tyre.Mbasi sipas Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (KKSHA), deklarata për shtyp e DBM-së jo vetëm që promovon urrejtjedhe nacionalizmin, por ajo gjithashtu rrezikon të gjitha mënyrat e bashkëpunimit dhe pengon integrimin etnik në shoqërinë maqedonase.

KKSHA mbasi dënon ashpër dekleratën bënë të ditur se këtu varet edhe Integrimi i ardhshëm i Maqedonisë në strukturat euro-atlantike, pra varet nga shqiptarët etnikë dhe maqedonasve etnik që jetojnë dhe punojnë në mënyrë harmonike, thuhet në deklaratën e KKSHA-së. Këshilli Kombëtar Shqiptaro Amerikan (KKSHA) përmes komunikatës dënon fuqishëm dekleratën e sotmepër shtyp nga organizata Diaspora e Bashkuar Maqedonase (United Macedonia Diaspora) e cila ka bërëakuza të rreme dhe nënçmues ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dheUshtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK).Deklaratë për shtyp e DBM-sëjo vetëm që promovon urrejtje dhe nacionalizmin, por ajo gjithashtu rrezikon bashkëpunimit dhe pengon integrimin etnik në shoqërinë maqedonase.
Ajo demanton qëndrimin e mbajtur më 23 shkurt 2013, nga Diaspora e Bashkuar Maqedonase (United Macedonia Diaspora) e cila ka shpërndarë një deklaratë për shtyp, me titull ” Ushtria e Maqedonisë Boss-i i ri :ministri i Mbrojtjes Forina”, i cili deklaroi se Ushtria Çlirimtare Kombëtare, ishte i njohur më parë si i pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është një “organizatë terroriste”, e cila ka pas planifikuar “sulmet në Maqedonime ndihmën e celulave terroriste vendore, së bashku me financim nga mafia – e cila operon në trafikimin e organeve, prostitutave dhe narkotikëve”.Më tej në kumtesën e shpërndar sot në medien këtu në SHBA, nga KKSHA, thuhet se “Në artikullin e saj ata e kan quajtur edhe zotin Ali Ahmeti, kreu i BDI-së, partisë partisë më të madhe shqiptare dhe një partner i koalicionit në qeverinë maqedonase “, një ish-lider terroristë të UÇK-së,.” Edhe kjo deklaratë e fundit për shtyp nga – Diaspora eBashkuar Maqedonase (United Macedonia Diaspora), nuk është gjë tjetër përveçse vazhdimësi në një seri artikujsh negativë që kjo organizatë ka shpërndarë në të cilën ata nënçmuan shqiptarët për qëllime ngritjen e fondeve.”
Këshilli Kombëtar Shqiptaro Amerikan (KKSHA) në kumtesën e saj tërheq vrejtejn se : “Këto deklerata, i përkasin vetëm kohës së Luftërave e Ballkanike në vitet 1990, të cilat qenë nxitura nga udhëheqësit e tyre diktatorë, ultra-nacionalistë që kan demonizuar njerëzit e tjerë, duke bërë akuza të rreme dhe duke përdorur gjuhën e nënçmues.”Maqedonia, sot, thotë KKSHA-ja, është një demokraci në zhvillim e cila ka nevojë për të dy etnitë për shqiptarë etnikë dhe maqedonasit etnik për të punuar së bashku në mënyrë që vendi të bëhet anëtare e BE-së dhe NATO-s. KKSHA, e cilaështë e dedikuar për promovimin e paqes dhe zhvillimit ekonomik në Ballkan për të forcuar politikatdemokratike dhe respektimin për të drejtat e njeriut. thotë në kumtesën e saj se ajo do të vazhdojë të mbështesëpërpjekjet e Maqedonisë drejtintegrimit në BE dhe NATO.
Në fund të kësaj kumtese Këshilli Kombëtar Shqiptaro Amerikan (KKSHA) më bazë në Uashington i bën thirrje Diasporës së Bashkuar Maqedonase (United Macedonia Diaspora) dhe Kryetarit të saj Stojan Nikollo, dhe zotit MarkBranov, drejtor i PR dhe Telekomunikacionit, që publikisht të shfuqizonte komentet e tyre.

Filed Under: Opinion Tagged With: deklaar e Diaspores, KKSHA, maqedonase, se bashkuar

JOHN KERRY: NDIHMAT AMERIKANE NUK JANË LËMOSHË

February 21, 2013 by dgreca

Në fjalimin e tij në universitetin Virxhinia, Sekretari Kerry—duke mbrojtur këto ndihma kundër kritkave të brendshme —  tha se ndihmat amerikane për vendet e huaja, “nuk janë lëmoshë”.   ”Ato janë”, shtoi ai, ” një investim në një Amerikë më të fortë dhe në një botë më të lirë”. /

Nga Frank Shkreli/

Sekretari i ri amerikan i Shtetit, John Kerry mbajti të mërkurën fjalimin e tij të parë me rëndësi si kryediplomati amerikan ,  në Universitetin Virxhinia — një universitet public  ky i cili është themeluar nga Thomas Jefferson, njëri prej baballarëve të kombit amerikan dhe Sekretari i parë amerikan i Shtetit, i cili tha Kerry e themeloi këtë universitet, sipas Jeffersonit, të bazuar në “lirinë e pakufizuar të mendjes së njeriut”.   Departmenti i Shtetit njoftoi se ky fjalim ishte i pari i një seri fjalimesh që Sekretari Kerry pritet të mbajë me qëllim që nga koha në kohë  t’i raportojë popullit amerikan mbi diskutimet që ai do të ketë jashtë vendit me udhëheqës të vendeve  të ndryshëme si edhe mbi efektin që ato diskutime mund të kenë në ekonominë dhe mbi gjëndjen e përgjithshme mbrenda vendit.

Zoti Kerry zgjodhi këtë universitet për të komunikuar drejtë për drejtë me popullin amerikan mbi ato që ai tha se janë vlerat e investimeve të Presidentit Obama në një politikë të jashtme të fortë.   Thelbi i mesazhit të Sekretarit amerikan të Shtetit ishte se një investim i vogël në fushën e politikës së jashtme dhe të diplomacisë  amerikane sjellë përfitime të mëdha në ekonominë dhe sigurinë e këtij vendi dhe se bizneset dhe qytetarët amerikanë duhet të jenë pjesëmarrës në debatin e vazhdueshëm në lidhje me prioritetet buxhetore të vendit.

Zoti Kerry tha se kishte shkuar  aty për të nënvijuar faktin se në botën e sotëme globale,  ”nuk ka asgjë të jashtme në lidhje me politikën e jashtme”,  dhe shtoi se ”vendimet që ne marrim në këtë vend, afektojnë jo vetëm situatat  ndërkombëtare, por ato në të njëjtën kohë, shkaktojnë edhe rrjedha të ndryshme brenda vendit tonë.”   Sikurë tha se çdo gjë kishte të bënte  me ekonominë, ai shtoi  se politika e jashtme është një factor i rëndësishëm pasi afekton edhe jetën tonë të përditshme.   Këjo politikë,  sipas John Kerry, “është e rëndësishme jo vetëm në kuptimin e kërcënimeve me të cilat përballemi, por edhe për produket që blejmë, për mallërat që shesim, si dhe për mundësitë që ne ofrojmë për një rritje dhe gjallëri ekonomike.”  Thomas  Xhefersoni,  tha Sekretari Kerry,  ia dinte rëndësinë rolit që ekonomia luan në marrëdhënjet ndërkombëtre, pasi ai si Sekretar i parë i Shtetit  të ri amerikan, vendosi të shtonte numërin e konsullatave të Amerikës anë e mabë botës, pikërisht për promovimin e tregëtisë.

Në fjalimin e tij ai tha se ekonomia dhe tregëtia janë me shumë rëndësi, por nuk janë të vetmit faktorë në marrëdhënjet ndërkombëtare, duke thënë se,  ”Ne vlerësojmë të drejtat e njeriut dhe duhet që të nënvijojmë punën e mirë që Amerika ka bërë në këtë fushë, të vetdijshëm se promovimi më  i efektshëm i të drejtave universal bazë për të gjithë njerëzit,  nuk bëhet nga ndonjë podium ose nga Washingtoni, por në frontin e punës të vendeve  ku mohohen liritë bazë dhe dinjiteti njerëzor.”   Ai foli për programe ndihmash amerikane për vende të ndryshme, përfshirë programet për përmirësimin e shëndetit në botë, të ushqimeve, për promovimin e arsimit nepërmjet shkëmbimeve të programit Fulbright dhe programet që nxisin barazinë gjinore, duke thënë se, “vendet që jetojnë në paqë paqë dhe janë më të begata, janë ekzaktërisht ato vende ku gratë dhe vajzat gëzojnë të drejtat e barabarta.”

Në fjalimin e tij në universitetin Virxhinia, Sekretari Kerry—duke mbrojtur këto ndihma kundër kritkave të brendshme —  tha se ndihmat amerikane për vendet e huaja, “nuk janë lëmoshë”.   ”Ato janë”, shtoi ai, ” një investim në një Amerikë më të fortë dhe në një botë më të lirë”.

Për t’ia bërë punën më të lehtë si kryediplomatit amerikan, Zoti Kerry i bëri thirrje Kongresit amerikan që të zgjidhë sa më shpejtë krizën buxhetore dhe fiskale të këtij, duke thënë se, “ne nuk mund të jemi të fortë në botë, nëqoftse nuk jemi të fortë në punët e mbrendshme tonat.”   Ai u ankua  në lidhje me mosmarrveshjet buxhetore midis palëve në Kongres duke thënë se,  ”se është vështirë t’i themi udhëheqsve të cilit do vend qoftë, se ata duhet të zgjidhin problemet e tyre ekonomike, nëqoftse ne nuk i zgjidhim problemet tona buxhetore e financiare.”

Ai tha se Amerika nuk është një vend i veçantë vetëm e vetëm se ne themi se është i tillë.   Jo, shtoi ai, “Amerika është e veçantë për veprat e veçanta që ka bërë gjatë historisë”, duke përmendur Planin Marshall që nxorri Evropën Perëndimore nga greminat e Luftës së dytë Botërore, duke shtuar se ish-Sekretari i Shtetit George Marshall,  ”e dinte mirë se nuk mund të kishte stabilitet politik pa një ripërtritje ekonomike”,  në Evropën e shkatërruar nga lufta.  Ai e dinte se Amerika e kishte detyrim të ndihmonte Evropën e pa luftës, për ta rindërtuar dhe për ta modernizuar atë, duke i dhënë një shtytje për të cilën kishte nevojë që të bëhej ortakja tregtare e fuqishme dhe paqësore, që është sot”, shtoi kryediplomati amerikan.

Duke folur për ”veçantinë” e Amerikës, Zoti Kerry u tha të pranishëmve në universitetin Virginia se,  ”kur tragjedia ose terrori goditë ndonjërin nga fqinjtë tonë kudo në botë, qoftë nga dora e njeriut qoftë nga dora e Zotit, shumë vende ndihmojnë, por është Amerika ajo nga e cila të gjithë presin që të ndihmojë”.

Ai përfundoi duke thënë se Shtetet e Bashkuara, ”do të vazhdojnë të udhëheqin si një vend i pazevëndsueshëm, jo se pse ne e kërkojmë këtë rol, por për arsye se bota ka nevojë që ne të luajmë këtë rol.    Jo si një alternativë, por si një detyrim.  Jo se ne e konsiderojmë këtë si një barrë, por se pse e dimë se është një privilegj.”   Këjo shtoi ai është veçantia e Amerikës, një cilësi, tha ai, që do ta marr me vete, në emër të popullit amerikan,  kudo që do të udhëtoj nepër botë…një sens përgjegjësie që duhet të zbatohet në parandalimin e tragjedive, në forcimin e aleancave, në krijimin e tregjeve, në promovimin e të drejtave të njeriut dhe në mbrojtjen e vlerave tona”, anë e mbanë botës.

Sekretari Kerry i bëri këto komente para se të niset të Djelën për udhëtimin e tij të pare  jashtë vendit si kryediplomati i Shteteve të Bashkuara, duke filluar me vizitën në Britaninë e Madhe, pastaj në Gjermani, Francë, Itali, Turqi, Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkaura Arabe dhe më në fund në Katar.    Sipas njoftimit të Departmentit të Shtetit, Zoti Kerry do të bisedojë me zyrtarët më të lartë të këtyre vendeve për çështje të interesit të përbashkët, dhe për probleme globale.   Bisedimet do të përfshijnë edhe krizat botërore, si gjëndjën në Siri dhe gjetjen e mënyrave për t’i dhënë fund kësaj krize të përmasave njerëzore në atë vend, si dhe përpjekjet ndërkombëtare për të ndihmuar shtetin afrikan Mali në luftën kundër terroristëve islamikë dhe koordinimin e politikave për një numër çështjesh rajonale dhe ndërkombëtare.
Megithëse është heret, ekspertët thonë se pritet që Sekretari Kerry, gjatë mandatit të tij si kryediplomati i Shteteve të Bashkuara, të përqëndrohet mbi çështje që kanë të bëjnë me Evropën (përfshirë Ballkanin) dhe Azinë, por edhe me mbrojtjen e ambijentit, zhvillimin ekonomik të kontinentit afrikan dhe me luftën kundër rrezikut që  i kanoset njerëzimit  nga terrorizmi ndërkombëtar – çështje këto të cilave ai u kushtonte një vëmendje të posaçme gjatë shërbimit të tij të gjatë në Senatin amerikan.  Ekspertët thonë gjithashtu se duke qenë se Sekretari i Shtetit zbaton politikën e jashtme të Presidentit, nuk pritet që  substanca  e politikës së jashtme të Washingtonit të ndryshojë  nën mandatin e Sekretari Kerry në krahasim me paraadhësen e tij Hillary Clinton – ndoshta nga stili por ja nga përmbajtja.

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, John Kerry, ndihmat amerikane, Virginia

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 823
  • 824
  • 825
  • 826
  • 827
  • …
  • 863
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KELETI UJSÁG (1931) / “NJË MUAJ PRANË MBRETIT ZOG, THEMELUESIT TË SHQIPËRISË MODERNE…” — INTERVISTA ME MÁRTON HOSSZÚ, PIKTORIN NGA KOLOZSVÁR-I
  • Si “Albanian Mafia” zëvendësoi Cosa Nostra-n dhe po rrezikon Shqipërinë
  • Për vendlindjen, komunitetin e kombin…
  • Kur liria e njërit, bëhet burgu i tjetrit 
  • Eleganca në mërgim – gruaja me mantelin e Shqipërisë
  • Çfarë na ka mbetur nga trashëgimia e Ismail Qemal Vlorës?
  • Përkujtojmë në ditën e lindjes poetin, shkrimtarin dhe dramaturgun e shquar Viktor Eftimiu
  • 𝐖𝐢𝐧𝐬𝐭𝐨𝐧 𝐂𝐡𝐮𝐫𝐜𝐡𝐢𝐥𝐥 𝐝𝐡𝐞 𝐃𝐞𝐭𝐚𝐧𝐭𝐚 𝐋𝐢𝐧𝐝𝐣𝐞-𝐏𝐞𝐫𝐞̈𝐧𝐝𝐢𝐦
  • DËSHMI LETRARE E NJË KOHE TRAGJIKOMIKE  
  • SHBA dhe arkitektura e re e paqes globale: Diplomacia strategjike dhe ndërtimi i rendit të ri ndërkombëtar në epokën e demokracive të avancuara
  • Isa Boletini, Rënia si Akt Themelues i Ndërgjegjes Kombëtare dhe Alarm i Përhershëm i Historisë Shqiptare
  • Kongresi i Lushnjës dhe periudha përgatitore për Luftën e Vlorës 1920
  • GJON MILI DHE EKSPOZITA MЁ E MADHE FOTOGRAFIKE BOTЁRORE E TЁ GJITHA KOHRAVE
  • Rezoluta-6411,nga SHBA-ja, do të jetëson ndaljen e diskriminimit dhe  zgjidh drejt çështjen e Krahinës Shqiptare
  • IBRAHIM RUGOVA: BURRËSHTETASI QË E SFIDOI DHUNËN ME QYTETËRIM 

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT