Nga Fatmir Aliu/
“Prapë në lajme e dëgjova dje”!
Është një prej bisedave më të zakonshme që do të dëgjonit në Aeroportin e Prishtinës, po u rastisi të shkoni.Brenda ndërtesës, ndërkaq, ka familje të tëra që bënin radhë, për t’u informuar nëse fluturimi i tyre do të shkojë me kohë apo jo.
Muharremi jeton dhe punon në Holandë. Të martën ai s’kishte për të udhëtuar prapa nga aeroporti, por megjithatë kishte ardhur për të vizituar një prej avio-kompanive, nga e cila bleu biletën.
“S’po ma merr mendja hiç, që do të fluturojë ky aeroplan të martën”, i thotë njërit nga punëtorët e agjencisë Muharremi.
“(Qeshet) Pse s’po ta merr mendja që nuk fluturon aeroplani? Problemi është që tash i keni bërë rezervimet!”, ia kthen punëtori.
“Po e shoh përditë në lajme…” ia ndërpret Muharremit fjalën punëtori i agjencisë dhe ia kthen me “…dëgjomë ti vetëm pak! Ne e marrim përgjegjësinë!”.
32-vjeçari i rrëfehet zotërisë së avio-kompanisë se ka pak muaj që është punësuar, andaj nuk dëshiron që ai dhe bashkëshortja të humbin punën për shkak të papërgjegjësisë së dikujt. Punëtori duket se bashkëndien me të, dhe për ta siguruar i thotë se një prej kolegëve të tij do të jetë gjithnjë në aeroport ditën e fluturimit, më 21 gusht.
“Përgjegjësia është e jona. Uroj të mos bëhet ndonjë tërmet, e që s’kemi fluturime. Por përndryshe, rri i qetë për këtë punë!”, thoshte punëtori. “Veç puna e përgjegjësisë! Më 22 jemi (ai dhe bashkëshortja) në punë, sa ditë vonohem, nga 200 euro është përgjegjësia jote”, thotë Muharremi.
Por, as këtu nuk ndahen mirë, sepse punëtori i agjencisë i thotë klientit që ka blerë biletën se gjithçka mund të bëhet, përjashtuar kthimin e 600 eurove sa i kanë kushtuar Muharremit biletat.
“Garancia është që ky fluturon. Vetëm dil me kohë në aeroport. A po kupton? Pa asnjë problem! Në rast se eventualisht, nuk shkon fare fluturimi, e që mund të ketë defekt, pra ai realizohet maksimumi të nesërmen. Por, jo vetëm për ty, por për të gjithë udhëtarët. Nëse eventualisht ka probleme teknike, probleme politike, që bëhen për të gjithë njësoj, t’i heqim ato që kompania e merr përsipër. Nëse t’i mbetesh në aeroport, për problem të biletës, çdo garanci tjetër ke prej ne!”, thoshte punëtori i agjencisë.
Dhjetëra persona kanë mbetur të ngujuar në Aeroportin e Prishtinës gjatë fundjavës, në pamundësi për të hipur në aeroplanin për të cilin kishin biletë. Sipas ministrit të Diasporës, Ibrahim Makolli, problemet më të mëdha janë shfaqur me kompaninë “Belle Air”. Dhe, për këtë gjë, që ai e quajti si papërgjegjësi, Makolli tha se do të pasojnë sanksione.
“Këta operatorë e kanë një leje të operimit në Aeroportin e Prishtinës. Nuk u janë përmbajtur kushteve dhe rregullave të përcaktuara, dhe në këtë drejtim duhet gjithsesi që të sanksionohen! Unë pres që Departamenti i Aviacionit Civil, të ndërmarrë veprime ndaj këtyre operatorëve të papërgjegjshëm, cilido qoftë ai. Ndërkaq, për të ardhmen të merren masa preventive për të parandaluar raste të tilla”, tha për Radion Evropa e Lirë, ministri Makolli.
Por, në zyrat e kompanisë që apostrofoi ministri, askush s’deshi të flasë të martën.
Në sportelin e tyre në aeroport, thanë se menaxheri s’është aty për të dhënë çfarëdo komenti apo përgjigje për udhëtarët që mbetën të ngujuar për disa ditë aty.
Megjithëse nuk deshën të flasim para mikrofonit, thonë se problemi qëndron te shitja e tepërt e biletave, “që e kanë të gjitha kompanitë” e jo vetëm ata.
Por, fajin për këtë problem që u përsëritet nga viti në vit kosovarëve që punojnë dhe jetojnë jashtë vendit, ia vesh edhe vetes një zyrtar qeveritar. “E ndiej veten fajtor për këtë gjendje! Dhe, me këtë dua t’u kërkoj falje të gjithë atyre që janë prekur, në çfarëdo lloj forme nga kjo, edhe pse kjo nuk është në mandatin e Ministrisë së Diasporës, por është përgjegjësi e jona morale, dhe do ta ndreqim”, deklaroi ministri Makolli.