• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PRESIDENTI OBAMA SHPREH BESIMIN E TIJ FETAR

February 9, 2013 by dgreca

Frank Shkreli/

Të ënjten në Washington u mbajtë ceremonia e përvitshme e ”Mengjesit Kombëtar të Lutjeve”, ku përveç Presidentit Obama,  zevendës Presidentit Biden dhe ku përveç anëtarëve të Kongresit Amerikan ishin ftuar mbi tre mijë pjesëmarrës, udhëheqës dhe autoritetete në fushë të ndryshme nga e mabrë bota.   Është këjo një mbledhje që e organizojnë anëtarët e Senatit dhe të Dhomës së Përfaqsuesve — të cilët rregullisht takohen në Kongres njëherë në javë për lutje.   Këtë traditë e ka filluar ish-Presidenti Dwight Eisenhower dhe për çdo vit presidenti amerikan në detyrë, që së bashku me udhëheqsit më të lartë të vendit nuk ka munguar kurrë nga pjesëmarrja në këtë takim, ku gjithashtu, ftohen dhe marrin pjesë, jo vetëm personalitete politike dhe fetare, por edhe personalitete të dalluara në fushë të ndryshme të veprimtarisë njerëzore, nga e mbarë bota.   Ky takim është një rast për Presidentin amerikan dhe për pjesëmarrës të tjerë që të shprehin besimin e tyre fetar  dhe për të reflektuar mbi çështje shpirtërore, por edhe politike, për veten dhe për vendin e tyre.   ”Këjo ceremoni është domethënse”,  u tha të pranishëmve Presidenti Obama, është e rëndësishme  ”për ne — si komb dhe si popull — pasi që çdo vit për 61 vjet tani këjo traditë e mrekullueshme lutjesh ka vazhduar.   Mbajtja e përvjetshme e kësaj ceremonie fletë shumë për ne, sepse vit pas viti, në kohë triumfësh dhe në kohë tragjedishë,  në paqë dhe në kriza, ne mblidhemi së bashku, jo si Demokratë e Republikanë, por si vëllëzër e motra, si fëmijë të Perendisë.   Çdo vit, megjithë problemet dhe peripecitë e jetës sonë të përditshme, ne caktojmë një mengjes për tu mbledhur si komunitet i bashkuar në lutje”, tha Presidenti Obama.

Ai u tha të pranishëmve se i bëri përshtypje leximi gjatë ceremonisë nga teksti i Librit të Shënjtë drejtuar Hebrejve, se,  ”Pa besim është e pamundur që të kënaqim Perendinë, sepse kushdo që vjen para Tij, duhet të besoj se Ai ekziston dhe se Ai i shpërblen ata që kërkojnë ndihmën e Tij…jo vetëm për një moment, ose për një ditë, por për çdo moment dhe për çdo ditë”,të jetës sonë, tha presidenti amerikan, Barak Obama.

Presidenti Obama u tha pjesmarrësve në Mengjesin Kombëtar të Lutjeve se, ”Si të Krishterë, ne besojmë në duartë e gozhduara të Jezu Krishtit.   Por aq shumë amerikanë të tjerë të cilët përqafojnë dhe besojnë në fetë e tyre –si myslimanët dhe hebrejtë, hindët dhe sikët – si dhe të gjithë Amerikanët që besojnë  por edhe ata që nuk besojnë — kanë një besim të thellë dhe të palënkundshëm në kombin e vet.”

Kohët e fundit, tha Presidenti Obama, pata rastin të reflektoja mbi fuqinë dhe forcën e besimit, duke folur për inaugurimin e tij të dytë për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, gjatë të cilit ai vendosi dorën dhe u betua mbi dy Bibla që ishin përdorur nga dy Amerikanë të mëdhej, atë të Presidentit Abraham Lincoln dhe Biblën e Martin Luter Kingut,  udhëheqsit të të drejtave civile në Amerikë — besimi i të cilëve, sipas Z. Obama, bën jehonë edhe sot.   Ishte e pamundur, tha ai, që me atë rast solemn të mos mendoja për këta dy burra dhe se si të dy këta — në kohë krize e tragjedie si edhe në periudha të pasigurta për kombin tonë, ata i këthyen sytë tek Bibla për të kërkuar ndihmë dhe për të mësuar nga fjala e Zotit — ashtu siç kanë bërë, ç’prej fillimit të këtij kombi, aq shumë presidentë, predikatorë, ligjvenës, juristë e të tjerë.

Duke folur për Dr. Luter King-un, Presidenti amerikan tha se ”ne e dimë se Dr. Kng-u, në Bibël gjënte forcën, në Bibël ai gjënte bindjen dhe në fjalët e Zotit ai zbulonte të vërtetën mbi dinjitetin e njeriut, nga i cili ai nuk hoqi kurrë dorë.  ” Edhe Presidenti Lincoln, tha Z. Obama kishte momente të tilla, ”pasi e kishte parë vendin e tij të ndarë e të përçarë, në një luftë që kishte këthyer vëllain kundër vëllait, dhe familjet kundër njëta tjetrës — këjo tha ai ishte një barrë e rëndë për cilindo president”, duke shtuar se, ”në sytë e presidentit Lincoln, forca e besimit ishte një shënjë përvujtëshmërie që bën të mundur të njohim kufizimet tona dhe si pasojë ai mundi të shikonte imazhin e Perendisë edhe në radhët e atyre të cilët ishin kundërshtarë të tij të vendosur”, shtoi Presidenti Obama.

 

”Në një demokraci kaq e madhe e kaq e ndryshme si këjo e jona”, vazhdoi ai, ”ne përballemi me lloj lloj opinionesh.”,  ‘’Por’’ shtoi ai, ”detyra jonë si udhëheqës në qeveri, ose në biznes dhe si predikues të besimit fetar — është që të kalojmë ditët tona me zemër dhe mendje të hapur, duke kërkuar të vërtetën që ekziston edhe në një opinionin e një kundërshtari, për të bërë të mundur pajtimin e mendimeve dhe arritjen e marrveshjeve që të rezultojnë  — që ne si komb dhe si popull të marrim masa dhe veprime konkrete për zgjidhgjen e problemeve, me të cilat përballemi si komb.”

Duke përfunduar fjalimin e tij të ënjtën para nja 3000 vetave nga Amerika dhe bota,  të cilët morën pjesë në Mengjesin Kombëtar të Lutjeve, Presidenti Obama  tha, ‘’le të mbështetemi në  vendosmërinë tonë e cila bazohet në besimin tonë fetar. Le ti lutemi Zotit që te jemi të denjë i bekimeve të shumëta që Ai i ka dhënë kombit tonë.   Më lejoni gjithashtu që tu them se ne të cilët jemi në pozita të fuqishme dhe me influencë duhet të jemi ndër ata më me përvujtëshmëri.  Dhe le ti premtojnë Zotit  dhe njëri tjetrit, çdo ditë ndërkohë që dielli lind në Amerikë, se ai diell lind  mbi një popull që përpiqet që ta bëjë këtë bashkim të kombit tonë edhe më të fortë e më të fuqishëm.’’

Pas së cilës, Senatori republikan dhe nën-kryetari i ceremonisë, Z. Jeff Sessions, i cili shpeshëherë  është përplasur me Presidentin Obama për çeshtje të shumëta politike dhe ekonomike, e mbylli ceremoninë duke thenë, në një frymë mirëkuptimi se, “ne jemi një komb”, me një president.  “Faleminderit që jeni presidenti  i im.  Falemidnerit që jeni presidenti i ynë”, përfundoi  Senatori republikan Jeff Sessions.

Filed Under: Opinion Tagged With: besimin fetar, Frank shkreli, Presidenti Obama, shpreh

NJE SHANS EDHE PER GREQINE

February 8, 2013 by dgreca

NGA ARDIAN TANA/ Kryetar i shoqatës “Çamëria”/

Prej disa javësh në Kuvendin e Shqipërisë është dorëzuar rezoluta për çështjen çame nga deputetët e PDIU-së, zotërinjtë Shpëtim Idrizi dhe Dashamir Tahiri. Tashmë ajo ndodhet në Komisionin e Jashtëm, ku janë caktuar edhe relatorët, në pritje të diskutimit dhe më pas kalimit të saj për votim. Kjo rezolutë është për ne, shqiptarët e Çamërisë, një dokument i rëndësishëm, mbi të gjitha moral.
Spastrimi etnik i Çamërisë ka qenë një ëndërr e kahershme greke, e lindur thuajse që në formimin e shtetit grek. Famëkeqja teori e “Megali Idesë” u propagandua nga Kryeministri grek i kohës, Jani Koletis, që në vitin e largët 1840 dhe grekët nuk kanë reshtur së renduri pas saj. Të nisura rreth viteve ‘80 të shekullit XIX, fushatat spastruese mbi shqiptarët e Çamërisë u intensifikuan veçanërisht në vitin 1913, duke kulmuar me masakrën e përroit të Selanit, ku u masakruan 72 krerë të Çamërisë (në mars të këtij viti mbushen 100 vjet nga kjo ngjarje). Më tej qeveria greke u mundua me çdo mënyrë t’i përzërë shqiptarët, qoftë me dhunë dhe vrasje, qoftë me akte ligjore dhe reforma agrare, për t’u hequr tokën dhe bazën ekonomike.
Një rast fatlum për grekët ishte Traktati i Lozanës i vitit 1923, i cili krijoi mundësinë e shkëmbimit të popullsisë. Përgjatë tri viteve, 1923-1926, mijëra shqiptarë, jo vetëm të Çamërisë, por edhe të viseve të tjera shqiptare nën Greqi, u shpërngulën forcërisht. Akti i fundit i tragjedisë u luajt në vitet 1944-1945, në kapërcyellin e Luftës së Dytë Botërore. Kur bota luftonte mbi nazizmin, shovinistët grekë, të udhëhequr nga gjenerali famëkeq Napoleon Zervas, kishin gjetur rastin më të mirë për të kryer aktin e fundit të spastrimit etnik dhe shpërnguljen përfundimtare të popullsisë myslimane të Çamërisë.
Masakrat e shovinistëve grekë mbi shqiptarët e Çamërisë janë të dokumentuara nga vetë historianët grekë të kohës, por edhe nga autorë të huaj, duke i përshkruar ato si shprehje flagrante të spastrimit etnik. (Madje kohët e fundit dëshmitë e këtij gjenocidi janë diskutuar dhe debatuar edhe nga studiues dhe akademikë seriozë grekë në emisione televizive në Greqi.
Historiani grek Spiro Muselimi, në librin “Istoriko Peripato ana ti Thesprotia”, Janinë 1974, midis të tjerave shkruan: “…. N. Zerva krenohet për mizoritë e tij, duke i shkruar një miku më 1956: ‘Bëjua të qartë njerëzve se ne e kryem detyrën që na ishte ngarkuar për spastrimin nga Atdheu ynë të çamëve myslimanë, të cilët qëndruan 500 vjet mbi qafë të helenizmit dhe ua bëmë të mundur malësorëve të zbresin në fusha’”.
Ja çfarë shkruan studiuesja greko-gjermane Georgia Kretsi: “Më 27 qershor 1944 forcat e Divizionit 10 të EDES-it, të komanduara nga Kamaras, me miratim edhe të forcave gjermane që po tërhiqeshin, hynë në Paramithi. EDES – proklamoi se të gjithë çamët myslimanë do të jenë të lirë e nuk do të keqtrajtohen dhe se pronat e tyre do të mbrohen. Krejtësisht në mënyrë të pabesë filluan spastrimin brutal etnik. Vetëm në këtë qytet mbi 300 çamë myslimanë, njerëz të pafajshëm, kryesisht gra e fëmijë, gjetën vdekjen”.
Anglezi M. Mazower, në “Inside Hitler’s Greece 1941-1944″ (London 1993), midis të tjerave shkruan për lidhjet dhe aleancat e turbullta të forcave të djathta greke të Zervës me pushtuesit nazistë. “…Në Athinë anëtarët e EDES-it, të komanduar nga Zerva, hynë në shërbim të batalioneve të sigurimit të krijuara nga gjermanët për të mbajtur rendin në vend dhe për më tepër, për të pastruar Greqinë nga elementët komunistë. Në të njëjtën kohë udhëheqësit e EDES-it mbanin lidhje të ngushta me qeverinë kuislinge të Ralisit”.
Mijëra të vrarët dhe të vdekurit udhës së eksodit të detyruar presin dhe kërkojnë drejtësi.
Miratimi i rezolutës është për ne, shqiptarët e Çamërisë, por edhe për çdo shqiptar të ndjeshëm ndaj çështjes kombëtare, mbi të gjitha është një hap drejt institucionalizimit të kësaj çështjeje, i vendosjes në vend të padrejtësive të luajtura mbi kurrizin tonë shekullin e kaluar. Amaneti i prindërve tanë, dëshira e të mbijetuarve të tragjedisë, këmbëngulja e pasardhësve të tyre, janë një motiv i fortë, thirrje për t’u dëgjuar nga çdo deputet, politikan e shtetar i këtij vendi.
Ka ardhur koha që politika shqiptare të unifikojë qëndrimet, të flasë me një zë për këtë çështje. Jemi në 100-vjetorin e Traktatit të Londrës, i cili na ndau ne shqiptarëve mes pesë shtetesh. Të vendosur më shumë se kurrë, duhet të ngremë fort zërin për të drejtën tonë të pamohueshme: kthimin në Çamëri.
Partitë politike shqiptare, të mëdha e të vogla, në masë të madhe e kanë përfshirë në programin e tyre çështjen çame. Tani kanë rastin më të mirë të tregojnë seriozitetin dhe angazhimin e tyre ndaj çështjes kombëtare duke e votuar rezolutën.
Shoqata patriotike “Çamëria”, Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet dhe Klubi i Patriotëve të Rinj kanë ndërmarrë një fushatë të gjerë ndërgjegjësimi në lidhje me rezolutën për Çamërinë. Janë kontaktuar dhe kanë dhënë mbështetje intelektualë dhe politikanë, shoqata brenda dhe jashtë vendit, individë të njohur dhe njerëz të thjeshtë. Prej javësh media ka pasqyruar mjaft aktivitete të kryera për këtë qëllim. Synohet mbi të gjitha të bëhet e njohur historia e krahinës dhe popullsisë së saj fisnike, vlerat dhe trashëgimia kulturore, si pjesë e qenësishme e historisë dhe trashëgimisë kulturore shqiptare.
Për ne miratimi i Rezolutës nuk është dhe s’mund të jetë thjesht akti i ngritjes së kartonëve të gjelbër. Ai është thellësisht një akt i ndërgjegjes kombëtare të çdo deputeti, të çdo shqiptari, kudo ku jeton, shprehje e ndjeshmërisë ndaj të drejtave themelore të njeriut.
Rezoluta synon gjithashtu t’i japë më tepër dinjitet vetë politikës dhe shtetit shqiptar, i cili deri më tash ka qenë krejt i pazëshëm në raportet dypalëshe mes tij dhe Greqisë. Në çdo rast Shqipëria ka përmbushur kërkesat e Greqisë (shpesh të pavend e të pabaza), ndërsa nuk ka kërkuar asnjëherë prej saj të respektohet parimi i reciprocitetit për zgjidhjen edhe të çështjes çame.
Për paradoks, u desh kjo rezolutë të mësohej nga shqiptarët dhe institucionet shtetërore se Ligji i Luftës mes dy vendeve është ende në fuqi. U desh kjo rezolutë të tregohej se në Greqi, sot e kësaj dite, gëlojnë neonazistë, pasardhës të atyre që kryen krimet më çnjerëzore mbi shqiptarët e Çamërisë, që guxojnë të na shantazhojnë edhe sot.
Rezoluta në thelb kërkon rikonsiderimin dhe riformatimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, në bazat e respektit të ndërsjellë, si një parakusht për të pasur marrëdhënie vërtet miqësore dhe të sinqerta. Zgjidhja e çështjes çame do të ishte, në radhë të parë, në dobi të vetë Greqisë (duke rivitalizuar një territor të pasur e mjaft të çmuar), por edhe për të rritur standardet demokratike në shtetin fqinj.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Rezoluta per camerine, shans edhe per Greqine

Onufri, Kisha e Valshit përballë Janullatosit dhe albanofobisë

February 8, 2013 by dgreca

Refleksione për ditën e zezë të 6 shkurt 1967/
Nga Hyqmet ZANE/
Zhurma e madhe për dëmet e shkaktuara në kishën e Valshit në zonën e Shpatit ku ka afresket e tij Onufri i madh, më shtyu si zhqiptar i mirë që të jemë visitor i saj në këto ditë të para të shkurtit. Kisha vite që nuk kisha vizituar këtë fshat, në zemër të të cilit ndodhet edhe kisha e famshme për nga pasuria që ka brenda saj, megjithëse e vogël në përmasa. I shoqëruar edhe nga një grup televizioni që donin të bënin punën e tyre, u bëra dëshmitar i jetës së kësaj zone të lashtë dhe të mbushur me histori. Ishte e treta herë që bëhesha visitor i fshatit të Valshit ku ndodhet kjo kishë e rrethuar me një gjelbërimi tipik malor, por në një pozicion të favorshëm që dinë t’i zgjedhin mjeshtrat e mëdhenj si Onufri.

/Në vend të hyrjes/
Që nga viti 1978 kur unë nisa rrugëtimin e viteve të punës si mësues në Zavalinën e largët të Shpatit, më ra në mend se puna e duarve të mjeshtrit të madh të pikturës dhe ikonografisë, do të duhej të ishte një kishë e madhe, por më shumë se ndërtesa, jo e madhe ishte puna, produkti prej artisti i Onufrit.
Afresket e shenjtorëve të kishtërimit ishin shumë e shumë herë më të vlefshme se vlera e një ndërtimi kishe. Në atë kohë kur isha mësues kisha bërë një vizitë edhe tek kjo kishë së bashku me kolegët e mij Devi Paparisto dhe Muç Xhepa
Dëbora kishte mbuluar anemanë fshatin nuk na pengoi që të shihnim faktin se në brendësi të kësaj kishe ishin afresket nga dora e Onufrit të madh. Ishte një kishë që në atë kohë mbrohej nga shteti. Por aksioni i madh komunist që nisi pas 6 shkurtit 1967 për prishjen e kishave dhe xhamive, kishte bërë të vetën.
Injoranca e kohës e kishte kthyer në depo drithi me një sabotim të madh që vinte edhe nga mosmirëmbajtja. Po nuk kishte sesi të mos të tërhiqte vëmendjen piktura, ngjyra, bukuria, mjeshtëria e Onufrit. Ishte tentuar që të vihej dorë për ndonjë restaurime, por ai ishte bërë nallbançe
O Zot, thashë me vete, edhe pse e dija që nuk duhej të manifestoja asnjë shenjë besimi, kur do të mendosh edhe për ne. Isha një besimtar, por jo i shpallur, se frika bënte të vetën dhe pasojat do të ishin skandaloze. Muçi mu afrua dhe më
thotë tek veshi “e shikon çfarë perle që janë këto” dhe ashtu natyrshëm bëri
indiferentin. I thashë Muçit nga ana ime “më fol për të’ dhe ai më rrëfen me atë mënyrën e tij brilante të të rrëfyesit.

/Tregimi nga Muç Xhepa/

“Isha ulur mbi një gur, – fillon te tregoje Muçi, – dhe në oborrin e shkollës,
(në valsh) për rreth shoh gurë të ngulur në tokë, disa të thyer e të tjerë në
pozicione të pjerreta. Pyes një koleg vendas. I ndrojtur ai më thotë se ka qenë varrezë. Ja atje tej është kisha, dhe bën me dorë. “Kisha e Shën e Premtes”. Sa shumë pata dëgjuar për Onufrin nga miqtë e mi piktorë. Kureshtja e mbyti frikën.
A mund ta shikoj e pyes? ‘Nuk ke çfare shef se e kane kthyer në magazinë, por meqë ke deshirë, shkojmë nesër pas mësimit, – më thotë kolegu.
Ashtu bemë. Hymë brenda dhe i mahnitur shikoj për herë të parë afresket, Shën Spiridhonin dhe Shën Mërinë. Onufri i madh, piktori i shekullit XVI, Onufrin nga Elbasani, ikonografi nga qyteti ynë kishte zbukuruar muret e kishës se vogël me ngjarje ungjillore. Plot talent e shije ai kishte pikturuar portret e shenjtëve me tiparet e malësorëve të Shpatit, njerëzve me të cilët kishte jetuar. Ato janë plot jetë. Afresket janë kombinim i disa ngjyrave bazë që pasurojnë koloritin  duke e bërë të butë e të ëmbëlt. Arti i mjeshtrit të madh, rilindasit tonë të parë i përmasave europiane, është po aq i madh sa dhe ai i përtej Adriatikut.
Por, ndërsa andej veprat e artit ruhen me fanatizëm dhe shikohen prej vizitorësh nga të katër anët e botës, këtu antinjerëzit, diktatura e proletariatit i ka lënë të rrënohen me qëllim, duke e kthyer kishën, shtëpinë e Zotit, në
magazinë. (?!) Dhe krahësoje me këta malesorë fisnike e trima të Shpatit që e kanë ndërtuar dhe mbrojtur këtë kishë në periudhën më të egër të sundimit Osman, kur hordhitë aziatike po shfarosnin kombin e Gjergj Kastriotit, Iliret
autoktonë. Kjo kishë 500 vjeçare (daton rreth vitit 1554- 55) është nje monument kulturor që ndonëse me përmasa të vogla ka vlerë shumë të madhe. Është një nga të paktat kisha që i ka mbijetuar periudhës Otomane, por si duket nuk do t’I mbijetojë pushtimit komuniste. Disa nga afresket kanë pesuar përkeqësim nga mosmirembajtja dhe me kalimin e kohës do të humbin vlerat që kanë”.
Këtu miku im e ndërpreu rrefimin tij. Rrugës në afërsi të Gjinarit, në kamionin me te cilin udhëtonim, hipën disa njerëz të panjohur.
Realiteti
Të gjitha këto mu kujtuan këtë ditë të vizitës dhe menjëherë më erdhi në mendje se që nga ajo kohë, asgjë nuk kishte ndryshuar në pamjen e parë të kësaj kishe.
Po ajo ndërtesë, e njejta kishë, pa asnjë riparim, edhe pse kanë kaluar 22 vjet
nga ndryshimi i sistemit dhe shumë ndryshime të tjera kanë ndodhur. Duke qenë I shoqëruar nga ata të televizonit, ndjeja se sa pak paska ndryshuar mentaliteti edhe i vetë njerëzve që nuk tregonin ndonjë interes për kishën e tyre, po aq sa edhe vetë KOASH dhe hirësia e tij Janullatos që është në krye të kësaj kishe.
Kur mendoj se sa miliarda lekë janë hedhur në Katedralen e Tiranës apo sa kisha të tjera janë ndërtuar në të gjithë Shqiëprinë, bile edh enë Peqin, ku ka po nuk ka më shumë se tre familje ortodokse, si është e mundur që nuk është treguar asnjë interes për këtë kryevepër shumëshekullore që duhet të ishte në vendin e parë të listës së restaurimit të kishacve nga vetë Janullatosi si kryepeshkop..
Jamë ndeshur edhe herë të tjera me realitete të tilla, kur nga njera anë
Janullatos kërkon pronësëinë e saj në emër të KOASH si për shembull kisha Shën Maria e kalasë në Elbasan drejtohet nga famullitari At Nikolla Marku dhe harrohet krye vepra e Onufrit. Ndërsa për këtë kishë të Onufrit në Valsh më e vjetër ndoshta edhe se çdo kishë tjetër në Shqiëpri, ashtu si edhe ajo e
Shelcanit, ku përsëri është dora e mjeshtrit të madh, Janullatos nuk tregon
asnjë përkujdesje, asnjë investim, asnjë vëmendje. Përse kështu, pyeta veten. Në një kohë që eksarku Janullatos nga Greqia merret edhe me politikë dhe bën edhe zyrtarin grek në Shqiëpri, bën kujdes për varrezat e ushtarëve pushtues grekë që janë vrarë si armiq, ka harruar të verë dorë mbi këto kisha autoktone që kanë vulën shqiprtare dhe që janë të patjetërsueshme nga orgjinaliteti shqiptar që ato kanë.
Nuk është rastësi, por është strategji tipike greke, është hakmarrja e grekut Janullatos ndaj kombëtarizmit të kishës ortodokse shqiptare pa ndikime greke.
Nuk dua të akuzoj, por po analizoj realitetin që ka ndodhur, se edhe në kishën e Shelcanit gjithështu nuk është vënë dorë, por gjithçka i ka mbetur kohës dhe degradimit. Më keq akoma tek kisha e largët e Valshit.

/Opinioni im/

Dëmtimet e këtyre afreskeve nuk më habisin, por më trondisin. Më është krijuar bindja se një dorë e zezë është bërë kaq e kujdesshme sa vjen në një vend të fshehtë si kisha e Valshit dhe prish dorën e Onufrit të madh. Nga njera anë do të doja që vetë banorët e Valshit të kishin treguar të paktën dëshirën e mire për të mirëmbajtur ambjentet e jashtme të kësaj kishe, territorin e saj. Nga jashtë kjo kishë të lë përshtypjen e një ndërtese të zakonshme fshati, në një kohë që dihet se brenda saj ndodhen “pasuritë” e një mjeshtri të madh që sot janë pasuri kombëtare me vlera europiane. Duket se ateizmi dhe diskriminimi I fesë ka bërë vend në shpirtrat e prishur edhe të kësaj zone. Edhe banoërt që pyesnim gjatë rrugës nuk tregonin ndonjë interes për kërkesat tona.
Por më shumë se kaq, ligësia e Janullatosit që bën kujdes për të vendosur shishe me mbishkrime në gjuhën greke në themelet e kishave të reja të ndërtuara në këtë periudhë, po aq sa tregon kujdes për t’iu kundërvënë At Nikollë Markut përse ai mban qëdnrime për JO-greqizimit të kishës shqiptare, nuk bën asnjë kujdes për të harxhuar ca para për restaurimin e kishave të tilla të vogla por me një botë të madhe euroipanizimi nga dora e Onufrit të madh.
Kam frikë qe edhe prishja në këtë kishë mund të jetë vepër e proositur nga
antishqiptarët që kanë objeksione të qarta për të prishur autoktoninë e kishave dhe veprave të tjera vetëm e vetëm që të mos ekzistojë vërtetësia e
shqiptraizimit të kishave të themeluara pa ndikime greke. Edhe vjedhja e
këmbanares së kishes së Shelcanit pak kohë më parë, që ishte një nga më të
vjetrat, dhe zëvendësimi i saj me një tjetër këmbanare të vogël në përmasë të
ardhur nga Greqia, janë vepra të qëllimshme dhe të studiuara nga mendjet
antishqiptare veçanërisht ato greke që kanë herezi ndaj shqiptarëve. Gjtihashtu mund të them se herezia e Janullatosit ndaj Imzot Fan Nolit apo mos përmendja asnjëherë e Kryepeshkopit të parë të Kishës Ortodokse Autoqefale Kombëtare Shqiptare (KOAKSH) Hirësia e tij At Visarion Xhuvanin, janë pjesë e skenarëve antishqiptarë që kanë hyrë si dorë e zezë në relogjomn ortodoks shqiptar. Këtu pikërisht mendoj se shteti duhet të ndërhyjë me strukturate veta për të dhënë drejtësinë e këtij realiteti për të mos lënë në harresë Onufrin e madh dhe autoktoninë e kishave shqiptare.

/Epilog/

Lexoja një ditë një citim të nxjerrëdiku që thoshte “Nuk ka kuptim të lësh dicka të shkojë kur e ke pasur për një kohë te gjatë. Por gjithashtu nuk ka kuptim të presësh dhe të shpresosh kur nuk ka mbetur më asgjë aty”. Onufri i madh ekziston dhe ka qenë pjesë e jona së bashku me kishat si në Shelcan e Valsh, ashtue dhe në Berat, ku ai ka lënë pasuritë e tij. Ekzistenca e kësja pasurie na obligon dhe na jep leksionin e parë se Europa që e duam shumë do të dijë të vijë edhe në këto monumente me vlera ndërkombëtare, duke pasur poara së gjithash edhe ndonjë guidë vlerash që posedojnë shqiptarët. Mos pasja e një guide të tillë edhe për kishat tona autoktone dhe të lashta, është një tjetër e keqe e qëllimshme e kryepeshkopit aktual, dijet e të silit në teologji dhe si profesor shumëzohen me zero, kur ato i shërbëjnë djallit dhe jo vlerave të vërteta që prishen netëve pa hënë. Në këtë mënyrë i madhi Onufi ynë i shquar dhe duar artë, së bahsku me kishat dhe afresket ku ai ka punuar si në Valsh e Shelcan apo Berat, ndodhen përballë albanofobisë ballkanike dhe vetë përballë janullatosit që hesht dhe bën sehir për realitetin antishqiptar.

E dergoi per Diellin:Rasim Bebo

Filed Under: Opinion Tagged With: Hyqmet Zane, Janullatosi, Kisha e Vlashit, Onufri

TOLERANCA SI FLAMUR MBI NDERTESEN E QYTETERIMIT

February 8, 2013 by dgreca

Nga Hyqmet ZANE/

“Toleranca qëndron si flamur mbi ndërtesën e qytetërimit”, është një nga citimet
më optimale që përkufizojnë shoqëritë demorkatike dhe që na vijnë si postulate
mësimi nga mendjet e arta që mesazhet e tyre vijnë të frskëta në ditët e sotme.
Por që të kuptosh këto mesazhe duhet që tek njerëzit në përgjithësi dhe
veçanërisht tek politikanët ato duhet të jenë busull orientuese në shërbim të
implementimit të demokracisë në vendet në zhvillim, aq më tepër në vendin tonë.

Realitetet e zhvillimeve politike në Shqiëpri po shfaqin hapur tendenca të
intolerancës demorkatike dhe përqafimin e elementëve të dukshëm ekstremistë, ku
hapur mungon toleranca. Kemi 22 vjet në tërësinë e viteve demorkatike dhe
sidomos në këto 8 vjetët e fundit, nga ana e opozitës është manifestuar
intoleranca përmes rrugëve të bojkotit që nuk është demorkatike si praktikë apo
përmes dhunës me hunjë ndaj policisë së shtetit dhe institucioneve legjitime
Vizita e komisionerit Fyle në Shqiëpri, mund të komentohet siç do njeri apo
tjetri krah i politikës. Më shumë ardhja e komisionerit Fyle ishte mesazh për
kryeopozitarin socialist që të kuptojë dhe të bëhet tolerant në sytë e Europës dhe njëherazi edhe para shqiptarëve, nëse vërtet flitet për të mirën e një kombi të tërë. Por ngërçi i politikës shqiptare as këtë herë nuk u kapërcye, si
rezultat i ngërçit që ka brenda vetes kryesocialisti. Në formën e një
kundrabedali, Rama shfaqi hapur tendencat e një anormaliteti tipik që e
portretizon atë si apendiks i regjimit të duiktaturës në Shqipëri që për 45 vjet
tregoi hapur se jo vetëm nuk e njihte tolerancën, por përkundrazi njohu dhe
zbatoi në mënyrën më ekstreme të diktaturës, eskluzivisht staliniste. Në këtë
kuptim, Edvin Rama është produkt i një shoqërie që nën hijen e demorkacisë
gjeneroi simptomat e sëmundjes së diktatorit për të dhunuar dhe mbyllur brenda
vetes një popull të tërë. Jo më kot thuhet se “Njerëzit anormalë janë edhe më
shumë viktima të marrëzisë njerëzore”. A nuk ishte i tillë Enver Hoxha, a nuk u
bënë të tillë edhe bashkëpunëtorët e tij, a nuk lindën dhe u edukuan si të tillë
edhe bijtë e diktaturës që sot janë bërë politikanë të së majtës ekstreme. Në
këtë pikë ka pasur të drejtë Frojdi që nuk pranoi kurrë që një gjë të jetë
produkt i rastësisë ose i pakuptimtë. Bërthama që kërkon të krijojë Edvin Rama
në PS është tipike marrëzia e sëmundjes që studionte Frojdi ku pavetëdija sulmon
gjithmonë vetëdijen, subkoshienca sulmon koshiencën për të vendosur diktat.

Saktësia me të cilën psikologët dhe psikoanalistët e mëdhenj kanë përkufizuar
fenomenet që kapin veçanërisht personalitetet e politikës dhe jetës publike janë
të qëlluara dhe saktësisht të sinkronizuara me atë çfarë tipizon vetë
kryesocialistin dhe disa përkrahës të tij. E them këtë se një përsonalitet nuk
mund të kuptohet me anë të një formule të ngurtë ; por vetëm e vetëm nëpërmjet
formës së fatit të tij, që rrjedh nga vetë jeta që bën. Cili nuk e ka njohur nga
afër dhe nuk ka shprehur habinë për figurën e këtij njeriu që të zhgënjen me
sjellet e tij, me fjalorin e tij, me mendësitë dhe tezat e tij. Të tillë atë nuk
e bëri PS, por ai vetë erdhi si i tillë dhe i zgjeroi rradhët e tij mbi bazën e
forcës së subkoshiencës, pavetëdijes së trukuar dhe mveshur me dogmën e
propogandës populiste.
Kush nuk mund ta pranojë se si Enver Hoxha u bë një i tillë vetëm nga një
shigjetim që i bëri atij Miladini serb që ia njohu egon dhe ia kuptoi mendjen, i
bleu qëllimet dhe ia shiti ligësinë. Dhe dogma e komunistëve triumfoi mbi të
vërtetat e nacionalistëve siç cilësoheshin të tillë kundërshtarët politikë të
Hoxhës. E ashtuquajtura “fitorja”, shumë shpejt u kuptua si humbje dhe njëherazi
edhe si pushtim që shpejt u transformua në diktaturën më të egër në Europën
Lindore. Me një stad të ri dhe me një performancë të re vjen edhe Edi Rama në
sytë e shqiptarëve, pasi siç thotë Fatos Nano me gojën e tij, që e mori me thonj
të paprerë nga Franca dhe e bëri ministër të kulturës dhe, ky Edi, i hëngri
kokën vetë Fatosit dhe e degradoi PS në një parti antieuropianiste, me
pavetëdije të theksuar që diktohet nga subkoshienca e kryetarit.

Ndërkombëtarët fillimisht e kuptuan Ramën si risi, por shpejt e pikasën si
rikthim i së shkuarës dhe riciklimit të vesit të mashtrimit me dogmat dhe
fjalimet e tij në emër të popullit. Peshkimi i njerëzve që vijnë si “fryte” të
bllokmenëve të kuq për të drejtuar në të ardhmen qeverinë, haptazi do të thotë
rikthim në diktaturë dhe në filozofinë e diktatorit, pjsë e së cilës ishte edhe
vetë familja e tij.
Pavetëdija që sundon Edi Ramën është pavetëdija që Rama kërkon ta implementojë
si teori dhe praktikë jo vetëm në PS, por edhe në drejtimine punëve të këtij
vendi. Nuk janë të paktë ata që thonë se “mjerë ky popull se çfarë do të pësojë
nëse vjen Edi në krye të qeverisë”. Këtë dëshirtë të këtij pinjolli të
diktaturës tashmë e kanë kuptuar edhe vetë ndërkombëtarët që në opozitë ai nuk
po i dëgjon këshillat e tyre, pale të mendosh se çfarë mund të bëjë ky njeri në
pozitë. Eksperimentet dhe lënia e një populli si kavie në një laborator të madh
me tela me gjemba, nuk ka për tu përsëritur më, sepse tashmë ka ardhur koha e
rënies së ringjalljeve të së keqes apo rilindjes së neodiktaturave.
Dua të them se veprën e keqe edhe mund të mos e përsërisësh dhe të pendohesh që
e ke bërë, por mendimet e këqija lindin vetvetiu veprimet e këqija. Një vepër e
keqe sheshon udhën për të tjera vepra të këqija, por mendimet e këqija të
shtyjnë detyrimisht në këtë udhë. Edhe në veprat e shenjta janë të saktësuara
këto momente, ashtu si edhe shkencëtarët e psikoanalizës i kanë përkufizuar siç
edhe bëri Frojdi, në mënyrë që shoqëria të mos përsëritë më vetveten në sensin
negartiv.
Hyqmet ZANE

 

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: e qyteterimit, mbi ndertesen., si Flamur, Toleranca

KUR SHQIPËRIA KOMUNISTE NGRITI DOREN KUNDER ZOTIT

February 6, 2013 by dgreca

Më 1985,  për të përkujtuar 40-vjetorin e fillimit të persekutimeve fetare në Shqipëri, Qendra Katolike Shqiptare për Informim në Santa Clara të Kalifornisë, nën drejtimin e Z. Gjon Sinishtaj, organizoi një ceremoni përkujtimore me karakter kombëtar dhe ndërkombëtar për këtë periudhë tragjike të kombit shqiptar./

Nga Frank Shkreli/

Ishte 6 Shkurti i vitit 1967, kur Enver Hoxha mbajti fjalimin me titull ”Revolucionarizimi i mëtejshëm i partisë dhe pushtetit”,  fjalim ky me të cilin ai filloi luftën kundër  ”ideologjisë fetare”  dhe  ”zakoneve prapanike”, duke e shpallur me ligj Shqipërinë kundër Zotit, si vendin e parë dhe të vetëm ateist në historinë botërore.   Ky veprim i regjimit komunist të Enver Hoxhës do të ishte qesharak — siç përqeshej ky vendim në median botërore të kohës dhe më vonë — po të mos ishte për pasojat e rënda që ky vendim i regjimit komunist shqiptar pati mbi shoqërinë shqiptare atëherë ,pasojat e të cilit ndihen ende.   Megjithëse shtypjet kundër fesë kishin filluar ç’prej vitit 1945,  sidomos kalvari i Kishës Katolike dhe udhëheqsve të saj kishte qenë tepër i egër gjatë dy dekadave pas ardhjes së komunistëve në fuqi.    Megjithëse rrethanat dhe numëri i të përndjekurve nga regjimi komunist, shumë prej klerikë katolikë shqiptarë por edhe të dy feve të tjera, mysimanë dhe ortodoksë, u vranë ose vdiqën nën tortura të pa-imagjinueshme nepër burgjet dhe kampet komuniste të regjimit hoxhist,  nga viti 1945-1960.    Numri i klerikëve të vrarë ose të vdekur nepër burgje e kampe përqëndrimi– katolikë, myslimanë dhe ortodoksë — nën torturat më ç’njerëzore gjatë asaj periudhe, ndoshta nuk do të dihet kurrë.    Deri më 1950- komunitetet fetare në Shqipëri ishin dobësuar aq shumë nga përndjekjet dhe vrasjet sa që nuk mund të flitej më për ndonjë veprimtari normale të këtyre komuniteteve.   Lidhjet me Vatikanin për udhëheqsit e Kishës katolike ishin shpallur kundër ligjit.   E gjithë këjo ndërsa në të njëjtën kohë, kushtetuta e Shqipërisë garantonte lirinë e fesë dhe të ndërgjegjes.

Kështuqë në vitin 1967,  kur diktatori Hoxha mbajti fjalimin kundër “influencave fetare dhe zakoneve parapanike”,  influenca e feve në shoqërinë shqiptare ishte minimale për të mos thënë se nuk ekzistonte fare.   Pas fjalimit të Enverit në Shkurt,   Majin të vitit 1967, të gjitha kishat dhe xhamitë që ishin ende të hapura, u mbyllën ose u shëmbën,  dhe në Nëntor të të njëjtit vit, revista letrare ”Nëntori”, njoftoi se gjithsejt në Shqipëri u mbyllën 2,169 objekte fetare dhe bëri njoftimin absurd se Shqipëria tani  ishte bërë zyrtarisht ”shteti i parë ateist në botë.”   Shumica e këtyre objekteve, siç dihet, u shëndërruan në qendra sportive dhe kulturore për edukimin ideologjik të rinisë.    Revista Nëntori mburrej në atë kohë duke shkruar për këtë fushatë anti-fetare se partia dhe shoku Enver ia kanë caktuar rinisë revolucionare detyrën e zbatimit të këtij misioni të madh e historik dhe se nën udhëheqjen e ndritur të partisë dhe shokut Enver, Shqipëria është shteti i parë ateist në botë, shkruante revista Nëntori.

Fjalimi i diktatorit Hoxha me 6 Shkurt 1967 ishte si të themi vaj në zjarrin e fushatës së dhunëshme anti-fetare që regjimi enverist po zhvillonte në atë kohë në Shqipëri.    Media e atëhershme e kontrolluar nga regjimi komunist, në krye me ”Zërin e Popullit”,  e cilësuan dhe e përshëndetën fjalimin e diktatort komunist shqiptar si,  ”një dokument historik pragmatik”  dhe si rezultat i drejtë për drejtë i ”revolucionit të tanishëm kulturoro-ideologjik.”

Megjithëse fatkqesisht, Kombet e Bashkuara dhe bota e qytetëruar në atë kohë kishin heshtur dhe pothuaj mbanin qendrime indiferente mbi gjenocidin fetar dhe ndaj shkeljeve flagrante të ligjeve dhe marrveshjeve ndërkombëtare që garantonin liritë bazë të njeriut, përfshirë lirinë fetare,  nga ana e regjimit stalinist në Shqipëri — kishte persona dhe organizata që ndjenin obligime morale dhe fetare dhe të cilat  ngritën zërin në mbrojtje të të drejtave fetare dhe lirive bazë të popullit shqiptar.

Diaspora shqiptare në Amerikë ishte një ndër ato që nuk harroi kurrë vuajtjet e bashkombasve të tyre gjatë regjimit komunist dhe përpiqej që në mënyra private dhe publike të njoftonte botën mbi persekutimin e besimtarëve dhe për shkeljen e të drejtave bazë të njeriut në Shqipëri.

Më 1985,  për të përkujtuar 40-vjetorin e fillimit të persekutimeve fetare në Shqipëri, Qendra Katolike Shqiptare për Informim në Santa Clara të Kalifornisë, nën drejtimin e Z. Gjon Sinishtaj, organizoi një ceremoni përkujtimore me karakter kombëtar dhe ndërkombëtar për këtë periudhë tragjike të kombit shqiptar.   Në atë përkujtim morën pjesë përfaqsues fetarë të diasporës shqiptare, miqë të shqiptarëve  nga Amerika dhe kombe  të tjera,  dhe njëkohësisht  autoritete të larta politike amerikane dëguan telegrame solidarizimi me popullin e vuajtur shqiptar.

Në një mesazh solidarizimi organizuesve, me rastin e përkujtimit të 40-vjetorit të persekutimeve fetare në Shqipëri,  Presidenti i atëhershëm amerikan Ronald Reagan shkruante se, ”Për 40-vjetë tani, atdheu i juaj është  nën një regjim që kontrollon lirinë dhe besimin.  Një masë kritike e lirisë që gëzon një vend, është aftësia e popullit të tij për të praktikuar fenë që ai dëshiron.   Por liria e fesë ruhet në zemërat e popullit shiqptar, madje edhe nëqoftse ai nuk është i lirë të praktikojnë këtë të drejtë.   Shpirti njerëzor nuk mund të thyhet as nga regjimet më të egëra.”    Si një profetë, ish-presidenti Reagan e përfundon letrën e tij, drejtuar shqiptarëve duke thënë se, ”Ndërsa ju luteni për të afërmit dhe miqët tuaj, të jeni të sigurt se eventualisht të gjitha tiranitë do të rrëzohen dhe se edhe në Shqipëri do të rivendosen liritë e shtrënjta.”

Ndërsa ish-governatori i shtetit të Kalifornisë Xhorxh Deukmejian, në mesazhin e tij me rastin e 40-vjetorit të përsekutimeve fetare në Shiqpëri u shpreh  se, ”Jemi shumë të shqetësuar për ao që kanë ndodhur në Shqipëri gjatë 40-vjetëve të fundit…Sakrifica personale e klerikëve për fe, liri dhe drejtësi duhet të vlerësohet dhe të mbahet mend.    Unë bashkohem me të gjithë popullin e Kalifornisë për të nderuar këta shqiptarë dhe fenë e tyre.”

Solidarizimi me këtë përvjetor nga Departamenti amerikan i Shtetit erdhi në formë të një telegrami nga Ndihmës Sekretari  i Shtetit Elliott Abrams , i cili iu drejtua organizuesve të ceremonisë  në Santa Klara të kalifornisë  me rastin e 40-vjetorit të fillimit të persekutimeve fetare në Shqipëri duke thënë se, “Shqetësimi juaj rreth persekutimeve fetare në Shqipëri është me rëndësi dhe ne e kuptojmë shumë mirë.  Çështja e lirisë fetare është njëra prej shqetsimeve më themelore e të drejtave të njeriut.  Gjëndja në Shqipëri, vendi i vetëm në botë ku ushtrimi i fesë është praktikisht i ndaluar me ligj – është një njollë e keqe për të gjitha normat e qytetërimit.’’

Me rastin e kujtimit të martirëve të fesë dhe Atdheut më 1985 në Kaliforni, i Përndershmi  Baba Rexhebi  i  Teqesë  Bekatshiane në Detroit  deklaroi se,  “Me këtë rast dëshiroj  të  përshëndes klerin katolik shqiptar, për të cilin kam respektin dhe admirimin më të madh.  Ata pësuan vuajtjet më të mëdha nën përsekutimin komunist për  arsye të rezistencës së tyre të fortë.  Shumë  ipeshkvinjë, priftërinjë murgesha dhe  laikë katolikë  u ekzekutuan ose vdiqën në burgje dhe kampet e përqëndrimit. Ndër ta kishte patriotë , shkrimtarë e poetë të dalluar të cilët kanë dhënë kontributin e tyre të vlefshëm në rilindjen dhe zhvillimin e kulturës shqiptare‘’.    Baba Rexhebi tha gjithashtu me atë rast se,  “Edhe kleri ortodoks dhe mysliman shqiptar u persekutua, sidomos pjesëtarë të sektit myslima Bektashi. Së bashku me katolikët, klerikët e sektit Bektashian u prseektuuan ashpër”, shtoi  Baba Rexhebi  i Teqesë Bektashiane në Detroit të Shteteve të Bashkuara.

Edhe Kancelari i Kishës Ortodokse Shën Gjergji në Boston, i Përndershmi At Arthur Liolin përshëndeti gjithashtu  pjesëmarrësit në ceremonitë përkujtimore me rastin e 40-vjetorit të fillimit të përsekutimeve fetare në Shqipëri, mbajtë në Santa Klara të Kalifornisë më 1985, duke thënë se, “Liria e fesë dhe lutja e përbashkët është një prej të drejtave bazë të njeritu, e garantuar nga të gjitha shoqëritë e qytetëruara dhe entet ndërkombëtare në mbarë botën. …..Bashkohemi me  besimtarët myslimanë, katolikë dhe ortodoksë shqiptarë, madje edhe me ata që nuk besojnë  për të venë në dukje  tolerancën  unike dhe respektin për njëri tjetrin që populli ynë ka gëzuar me shekuj.”

Megjithë përpjekjet e mëdha dhe masat shtypëse ndaj eliminimit të fesë deri me zhdukjen fizike të klerikëve më të njohur të Shqipërisë, regjimi i Enver Hoxhës, ndonëse edhe me ligj e shpalli Shqipërinë  shtetin e parë dhe të vetëm ateist në botë,  nuk ia doli të çrrjënjoste  ndjenjat e thella  të shqiptarëvempër lirinë e fesë dhe liritë e tjera të nejriut,   me masa siç ishin mbyllja  dhe shëmbja e objekteve fetare,  ashtu siç mendonte dhe shpresonte  Enver Hoxha më 6 Shkurt 1967.Nuk besoj se ndonjë popull tjetër të ketë pësuar  vuajtje, procese gjyqësore dhe vështirsi më të mëdha se sa populli shqiptar gjatë shekullit të kaluar.  Siç ka thënë edhe Papa Gjon Pali i Dytë: “Historia nuk ka parë  ndonjëherë ato që kanë ndodhur në Shqipëri”.   Nëqoftse nuk mund të bëjmë gjë tjetër, atëherë të pakën t’i kujtojmë këto viktima të pafajshme,  të kësaj periudhe tragjike të historisë së Shqipërisë, me shpresë që të mos përsëritën më në ato forma ose ndryshe.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: doren, Frank shkreli, kunder Zotit, Kur Shqiperia ngriti

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 832
  • 833
  • 834
  • 835
  • 836
  • …
  • 868
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Antonio Bellushi (1934, Frasnitë – 19 qershor 2024) mbledhës i zellshëm dhe studiues i pasurive etnokulturore e gjuhësore të Arbëreshëve dhe Arbërorëve
  • Jetimi që nxori zbuluar shtetin…
  • Qyteti antik 2400-vjeçar i Çukës së Aitoit
  • Dita e Veteranëve, përkujtojmë shqiptarët që shërbyen me nder në Ushtrinë e SHBA
  • Lëvizjet e popullsisë shqiptare jashtë kufijve shtetërorë dhe vendosja e saj në Shqipëri: Një analizë historiko – hartografike dhe socio – ekonomike
  • “DUA”, propozimi zyrtar i Kosovës për Oscar në kategorinë “Filmi më i mirë ndërkombëtar”
  • 1928 / URA E ZOGUT MBI LUMIN MAT — RRËFIMI EKSKLUZIV I ERWIN SCHNITTER, INXHINIERIT ZVICERAN QË DREJTOI PUNIMET PËR NDËRTIMIN E SAJ
  • NIKOLLA NAÇO (1843–1913) – ATDHETARI QË E VURI PASURINË, DIJEN DHE JETËN NË SHËRBIM TË SHQIPËRISË
  • MURI I BERLINIT RA, POR MURET POLITIKE DHE IDEOLOGJIKE MIDIS SHQIPTARËVE VAZHDOJNË TË QËNDROJNË
  • Dy “Qemalët” e mëdhenj që themeluan dy shtete mbi rrënojat e një perandorie
  • THANK YOU to the City of St. Petersburg and Chief Anthony Holloway for Supporting Albanian School VATRA!
  • A egzistonte koncepti i kombit në kohën e Skënderbeut?
  • Dardane Halimi: “ALB Connection was created to give every Albanian-owned business in America a voice and visibility”
  • KRIJIMI I NJERIUT TË RI: NGA IDEOLOGJIA KOMUNISTE TE KULTURA E PËRFITIMIT NË SHQIPËRINË E SOTME!
  • Transpozimi poetiko-dramatik i veprës “Trungu ilir” të Sabri Hamitit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT