NGA ARDIAN TANA/ Kryetar i shoqatës “Çamëria”/
Prej disa javësh në Kuvendin e Shqipërisë është dorëzuar rezoluta për çështjen çame nga deputetët e PDIU-së, zotërinjtë Shpëtim Idrizi dhe Dashamir Tahiri. Tashmë ajo ndodhet në Komisionin e Jashtëm, ku janë caktuar edhe relatorët, në pritje të diskutimit dhe më pas kalimit të saj për votim. Kjo rezolutë është për ne, shqiptarët e Çamërisë, një dokument i rëndësishëm, mbi të gjitha moral.
Spastrimi etnik i Çamërisë ka qenë një ëndërr e kahershme greke, e lindur thuajse që në formimin e shtetit grek. Famëkeqja teori e “Megali Idesë” u propagandua nga Kryeministri grek i kohës, Jani Koletis, që në vitin e largët 1840 dhe grekët nuk kanë reshtur së renduri pas saj. Të nisura rreth viteve ‘80 të shekullit XIX, fushatat spastruese mbi shqiptarët e Çamërisë u intensifikuan veçanërisht në vitin 1913, duke kulmuar me masakrën e përroit të Selanit, ku u masakruan 72 krerë të Çamërisë (në mars të këtij viti mbushen 100 vjet nga kjo ngjarje). Më tej qeveria greke u mundua me çdo mënyrë t’i përzërë shqiptarët, qoftë me dhunë dhe vrasje, qoftë me akte ligjore dhe reforma agrare, për t’u hequr tokën dhe bazën ekonomike.
Një rast fatlum për grekët ishte Traktati i Lozanës i vitit 1923, i cili krijoi mundësinë e shkëmbimit të popullsisë. Përgjatë tri viteve, 1923-1926, mijëra shqiptarë, jo vetëm të Çamërisë, por edhe të viseve të tjera shqiptare nën Greqi, u shpërngulën forcërisht. Akti i fundit i tragjedisë u luajt në vitet 1944-1945, në kapërcyellin e Luftës së Dytë Botërore. Kur bota luftonte mbi nazizmin, shovinistët grekë, të udhëhequr nga gjenerali famëkeq Napoleon Zervas, kishin gjetur rastin më të mirë për të kryer aktin e fundit të spastrimit etnik dhe shpërnguljen përfundimtare të popullsisë myslimane të Çamërisë.
Masakrat e shovinistëve grekë mbi shqiptarët e Çamërisë janë të dokumentuara nga vetë historianët grekë të kohës, por edhe nga autorë të huaj, duke i përshkruar ato si shprehje flagrante të spastrimit etnik. (Madje kohët e fundit dëshmitë e këtij gjenocidi janë diskutuar dhe debatuar edhe nga studiues dhe akademikë seriozë grekë në emisione televizive në Greqi.
Historiani grek Spiro Muselimi, në librin “Istoriko Peripato ana ti Thesprotia”, Janinë 1974, midis të tjerave shkruan: “…. N. Zerva krenohet për mizoritë e tij, duke i shkruar një miku më 1956: ‘Bëjua të qartë njerëzve se ne e kryem detyrën që na ishte ngarkuar për spastrimin nga Atdheu ynë të çamëve myslimanë, të cilët qëndruan 500 vjet mbi qafë të helenizmit dhe ua bëmë të mundur malësorëve të zbresin në fusha’”.
Ja çfarë shkruan studiuesja greko-gjermane Georgia Kretsi: “Më 27 qershor 1944 forcat e Divizionit 10 të EDES-it, të komanduara nga Kamaras, me miratim edhe të forcave gjermane që po tërhiqeshin, hynë në Paramithi. EDES – proklamoi se të gjithë çamët myslimanë do të jenë të lirë e nuk do të keqtrajtohen dhe se pronat e tyre do të mbrohen. Krejtësisht në mënyrë të pabesë filluan spastrimin brutal etnik. Vetëm në këtë qytet mbi 300 çamë myslimanë, njerëz të pafajshëm, kryesisht gra e fëmijë, gjetën vdekjen”.
Anglezi M. Mazower, në “Inside Hitler’s Greece 1941-1944″ (London 1993), midis të tjerave shkruan për lidhjet dhe aleancat e turbullta të forcave të djathta greke të Zervës me pushtuesit nazistë. “…Në Athinë anëtarët e EDES-it, të komanduar nga Zerva, hynë në shërbim të batalioneve të sigurimit të krijuara nga gjermanët për të mbajtur rendin në vend dhe për më tepër, për të pastruar Greqinë nga elementët komunistë. Në të njëjtën kohë udhëheqësit e EDES-it mbanin lidhje të ngushta me qeverinë kuislinge të Ralisit”.
Mijëra të vrarët dhe të vdekurit udhës së eksodit të detyruar presin dhe kërkojnë drejtësi.
Miratimi i rezolutës është për ne, shqiptarët e Çamërisë, por edhe për çdo shqiptar të ndjeshëm ndaj çështjes kombëtare, mbi të gjitha është një hap drejt institucionalizimit të kësaj çështjeje, i vendosjes në vend të padrejtësive të luajtura mbi kurrizin tonë shekullin e kaluar. Amaneti i prindërve tanë, dëshira e të mbijetuarve të tragjedisë, këmbëngulja e pasardhësve të tyre, janë një motiv i fortë, thirrje për t’u dëgjuar nga çdo deputet, politikan e shtetar i këtij vendi.
Ka ardhur koha që politika shqiptare të unifikojë qëndrimet, të flasë me një zë për këtë çështje. Jemi në 100-vjetorin e Traktatit të Londrës, i cili na ndau ne shqiptarëve mes pesë shtetesh. Të vendosur më shumë se kurrë, duhet të ngremë fort zërin për të drejtën tonë të pamohueshme: kthimin në Çamëri.
Partitë politike shqiptare, të mëdha e të vogla, në masë të madhe e kanë përfshirë në programin e tyre çështjen çame. Tani kanë rastin më të mirë të tregojnë seriozitetin dhe angazhimin e tyre ndaj çështjes kombëtare duke e votuar rezolutën.
Shoqata patriotike “Çamëria”, Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet dhe Klubi i Patriotëve të Rinj kanë ndërmarrë një fushatë të gjerë ndërgjegjësimi në lidhje me rezolutën për Çamërinë. Janë kontaktuar dhe kanë dhënë mbështetje intelektualë dhe politikanë, shoqata brenda dhe jashtë vendit, individë të njohur dhe njerëz të thjeshtë. Prej javësh media ka pasqyruar mjaft aktivitete të kryera për këtë qëllim. Synohet mbi të gjitha të bëhet e njohur historia e krahinës dhe popullsisë së saj fisnike, vlerat dhe trashëgimia kulturore, si pjesë e qenësishme e historisë dhe trashëgimisë kulturore shqiptare.
Për ne miratimi i Rezolutës nuk është dhe s’mund të jetë thjesht akti i ngritjes së kartonëve të gjelbër. Ai është thellësisht një akt i ndërgjegjes kombëtare të çdo deputeti, të çdo shqiptari, kudo ku jeton, shprehje e ndjeshmërisë ndaj të drejtave themelore të njeriut.
Rezoluta synon gjithashtu t’i japë më tepër dinjitet vetë politikës dhe shtetit shqiptar, i cili deri më tash ka qenë krejt i pazëshëm në raportet dypalëshe mes tij dhe Greqisë. Në çdo rast Shqipëria ka përmbushur kërkesat e Greqisë (shpesh të pavend e të pabaza), ndërsa nuk ka kërkuar asnjëherë prej saj të respektohet parimi i reciprocitetit për zgjidhjen edhe të çështjes çame.
Për paradoks, u desh kjo rezolutë të mësohej nga shqiptarët dhe institucionet shtetërore se Ligji i Luftës mes dy vendeve është ende në fuqi. U desh kjo rezolutë të tregohej se në Greqi, sot e kësaj dite, gëlojnë neonazistë, pasardhës të atyre që kryen krimet më çnjerëzore mbi shqiptarët e Çamërisë, që guxojnë të na shantazhojnë edhe sot.
Rezoluta në thelb kërkon rikonsiderimin dhe riformatimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, në bazat e respektit të ndërsjellë, si një parakusht për të pasur marrëdhënie vërtet miqësore dhe të sinqerta. Zgjidhja e çështjes çame do të ishte, në radhë të parë, në dobi të vetë Greqisë (duke rivitalizuar një territor të pasur e mjaft të çmuar), por edhe për të rritur standardet demokratike në shtetin fqinj.