• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SOTIR  PECI – PATRIOTI  E PUBLICISTI, MESUESI E GJUHETARI, POLITIKANI E  MINISTRI VIZIONAR

June 14, 2024 by s p

Nga  Kistaq  BALLI

Sotir Peci lindi në Dardhë të Korçës më  1873 nga një familje e qytetëruar   që merrej me tregtinë e lëndës drusore. Vendlindja dhe prejardhja e tij familjare kanë rolin e formimit të tij rinor, si dhe  ndikimin pozitiv që do të ushtronin ato gjatë aktivitetit të tij.S. Peci per panelin+.jpg

Në mënyrë panoramike po formuloj kronikën e jetës së tij, për të krijuar sado pak imazhin e punëve, aktivitetit e angazhimeve  të tij kryesore, në arenën  e zhvillimeve të dendura e komplekse shqiptare  në 2-3 dekadat e para të shek. të 20-të.

Studimet e mesme  e universitetin për matematikë-fizikë i ka përfunduar në Athinë e, aty, deri në vitin 1900, falë prirjeve e pasionit të tij letrar, iu bind obligimit për të marrë përsipër botimin e fjalorit të Kostandin Kristoforidhit, që, deri atëhere, ishtë vepra më madhore e gjuhës shqipe. Kjo ishte edhe shtytja e parë e përkushtimit të tij ndaj gjuhës shqipe.

Në vitin 1905 emigron në Sh.B.A. 

Gjatë viteve 1906-1908 është botues e drejtor  i gazetës së parë e të vetme shqiptare “Kombi” në Sh.B.A. Për disa kohë, në këtë gazetë, Fan Noli ka qënë redaktor dhe kryeredaktor i saj.

Më 1908 (14-21 Nëntor) zgjidhet  e merr pjesë si delegat i shqiptarëve të Sh.B.A-së dhe Kolonisë  Shqiptare të Bukureshtit në Kongresin e Manastirit.foto_0180.jpg+.jpg

Më 1909-1910 emërohet  profesor i shkencave të natyrës në Shkollën Normale të Elbasanit.

Më 1911-12 e gjejmë derjtor të Mësonjëtores Shqipe në Korçë.Untitled7+.jpg

Këshilltar për arsimin i ministrit Luigj Gurakuqi në qeverinë e Ismail Qemalit e takojmë Sotir Pecin në vitet 1912-13.

Më pas do të shfaqet si refugjat në Shkodër, ku bën pjesë në organizatën atdhetare “Krahu Kombëtar”, të kryesuar nga Nikollë Ivanaj. Njëheresh punon anëtar (4 Shtator 1916) në “Komisinë Letrare” të Shkodrës, të drejtuar nga Luigj Gurakuqi, e cila tentoi  futjen e “gjuhës së përbashkët” shqipe në administratën shtetërore.

       Në qeverinë e Durrësit (të k/ministrit Turhan Pashë Përmeti), më 1919, ai emërohet Drejtor Arsimi për Tiranën.

Më 1920 aktivizohet intensivisht si një prej organizatorëve dhe drejtuesve kryesorë të Kongresit Kombëtar të Lushnjës dhe  si një prej hartuesve kryesorë të Statutit të Parë Themeltar të shtetit shqiptar. Në kabinetin qeveritar të dalë nga ky  kongres, ai emërohet  ministër i arsimit.

 Prej vitit 1921 – 1924 e takojmë  deputet, ministër e një prej  katër anëtarëve të Këshillit të Lartë (Regjencës).foto 6+.jpg

       Eshtë eksponent aktiv e udhëheqës i ngjarjeve që lidhen me të ashtu quajturin Revolucionin Demokratiko-Borgjez të Qershorit më 1924, ndërkohë që vijon detyrën e tij të regjentit. Pas dështimit të këtij revolucioni, i radhitur si kundërshtar  politik i Ahmet Zogut, emigron në Itali, ku vijon për disa vjet aktivitetin politik e patriotik si udhëheqës i Shoqërisë “Bashkimi Kombëtar” i emigrantëve shqiptarë në Itali dhe  boton gazetën shqipe me të njëjtin titull. Ndërkohë, është i dënuar nga Zogu me vdekje në mungesë

 Në vitin 1928 përfiton prej amnistisë së dytë, të shpallur nga mbreti Zog dhe shkon në Greqi, ku kalon vitet e fundit të jetës, duke punuar intensivisht në fushën e letrave, sidomos në atë të hartimit të një fjalori voluminoz shqip-shqip, me rreth 20.000 fjalë, të  cilit nuk arriti  t’i  mbarojë përpunimin e fundit.

       Gjatë kësaj periudhe janë shfaqur e shtuar hapur debatet, kundërshtitë, divergjencat e tij politike me Fan Nolin. 

        Më 1932 ndahet nga jeta në Follorinë të Greqisë. Varroset në Korçë me nderime të larta zyrtare.

Ceremonia e varrimit të Sotir Peci+.jpg

        “Gazeta e Korçës” e atyre ditëve  shkruan: “…Populli i Korçës me një ceremoni serioze por tepër impozante përcolli…në banesën e përjetëshme Sotir Pecin…, veteranin e dëgjuar në punimin për atdhe, mësuesin e madh të  brezit të sotmë, nacionalistin e patrembur në indipendencën e Shqipërisë, punëtorin e palodhur të arësimit kombëtar, burrin  e shtetit të ndershmë dhe të nderuar prej të gjithë…”

   Siç mund të kuptohet, Sotir Peci është personalitet elitar në jetën politike, intelektuale e sociale të Shqipërisë, veçanërisht gjatë viteve  1905-1925. Veprimtaria e tij intensive është shumëdimensionale dhe kontributet e tij kanë influencuar në rrjedhën e ngjarjeve kryesore të asaj periudhe. Jeta dhe vepra e Sotir Pecit ishin binomi i harmonisë, por edhe reaksioni i kundërshtisë, që çlironin energji aktive, atdhetarisht panergjike. Ato synuan udhët e përpjeta, që e çuan në përballjen me problemet madhore të Shqipërisë së asaj kohe. Një përgjithësim i kontributeve të tij do të ishte ambicja për afirmimin, radikalizimin dhe integrimin e çështjes shqiptare në rrjedhën e historisë moderne europiane. Me këtë vizion, ai paraqitet si një figurë poliedrike, me prurje të spikatura në fushat e atdhetarisë e publicistikës, arsimit e pedagogjisë, filologjisë e gjuhësisë, politikës e shtetarisë.

     Shpesh herë,  këto atribute janë vështirë të  ndahen  a të siten nga njëri-tjetri, sepse ato zhvillohen e emetohen si një përjetim i përbashkët organik  intelektual, si një veprimtari e përditshme, në të cilën jeta kërkon ballafaqime e angazhime, shpesh, për disa probleme njëheresh, ashtu siç vijnë nga  qerthulla e botës prolikse shqiptare e ballkanike.

        Porse, me dëshirën vetëm sa për të cekur, qoftë edhe përkitazi, do të ofroja dy-tri evenimente kulmore të veprimit të tij në fushat respektive, në kontekst të ngjarjeve madhore të arenës shqiptare.

 1.Gazeta “Kombi” e Sotir Pecit është gazeta e parë shqiptare, githashtu e para gazetë në gjuhën shqipe (pra, para Kongresit të  shkronjave shqipe të Manastirit 1908 dhe  atij të Elbasanit më 1909) e botuar në Sh.B.A, e cila, për aq kohë sa ekzistoi, u bë tribuna e patriotizmit, atdhetarizmit, prezantimit dhe mbrojtjes  së çështjes shqiptare, e indipendencës dhe integritetit ndaj  pasioneve ultranacionaliste dhe tendencave të ndarjes e aneksimit  të saj. Dardhe 1932. dita e Shen Sotirit. pershpirtje e Sotir Pecit+.jpg

Po ashtu, nga fundi i jetës, ai  debuton sërish me gazetën “Bashkimi Kombëtar”, synimi i së cilës ishte, po ashtu, ndërgjegjësimi për çështjen  kombëtare shqiptare.

   2.Si politikan e shtetar, Sotir Peci, falë realizmit, pragmatizmit, por edhe  të  lagpamësisë, pjekurisë, konsekuencës e korrektësisë do të krijonte një vektor të pandërprerë ngjitjeje e afirmimi të plotë si personalitet në funksionet e deputetit, ministrit  e regjentit, që e la i fundit detyrën e tij, ndonse i rrezikuar midis dy kundërshtarëve të vet, Zogut e Fan Nolit.

    3.Në fushën e  pedagogjisë, arsimit e shkencës Sotir Peci prezantohet fillimisht si pedagog në Normalen e Elbasanit, pastaj drejtor në Mësonjëtoren Shqipe të Korçës, ndihmës për arsimin i Ismail Qemalit,  drejtor i Arsimit për Tiranën në qeverinë e Durrësit e, më pas,  ministër arsimi. Këto detyra, natyrisht, janë atribute të aftësive, edukimit, njohurive, përvojës e vlerave pozitive, që ai vuri në shërbim të shqiptarizimit të plotë kombëtar  të shkollave, të reformave arsimore e, sidomos, të përpjekjeve për hartimin e teksteve shkollore në gjuhën shqipe. Më 1912 ai botoi “Viti Premtar i Gramatikës” dhe planifikoi botimin edhe të 24 teksteve të tjerë.

  4. Si lëvrues e artizan i gjuhës shqipe, Sotir Peci shfaqet një autoritet shkencor, që influencoi jo pak, sidomos në problemin e formimit dhe njesimit  të alfabetit të gjuhës shqipe. Pjesëmarrës në të dy kongreset e Alfabetit, hartues i një libri gramatikor, botues gazetash, hartues i një fjalori voluminoz shqip-shqip, anëtar  Komisisë Letrare dhe studiues i përhershëm i fenomeneve gjuhësore e letrave shqipe, leksikolog e leksikograf, ai shprehu opinione adekuate rreth gjendjes dhe të ardhmes të gjuhës shqipe, duke u bazuar në idenë e tij të moderuar të përdorimit të të dy dialekteve “toskërisht” e “gegërisht” dhe se, gjuha letrare do të konsolidonte fizionominë e vet pas eksperiencave të gjata, duke mos u ngutur e duke lënë kohën të bënte punën e vet.

   Së fundi, do ta perifrazoja figurën e  zotit Peci si  përfaqësuesin e personalitetin e shquar të atij brezi punonjësish atdhetarë të pararojës, që vazhduan dhe shndërruan  përpjekjet iluministe rilindase në një lëvizje të re mbarëkombëtare për formimin, integrimin dhe afirmimin e një kombi e shteti modern.

*   *   *

Filed Under: Opinion

13 QERSHOR 1912, VATRA U NJOH NGA SHTETI AMERIKAN I MASSACHUSETTS

June 13, 2024 by s p

Vatra feston 112 vjetorin e njohjes së themelimit si Federatë. Më 13 Qershor 1912 Federata Pan-Shqiptare e Amerikës VATRA njihet zyrtarisht prej shtetit të Massachusetts. Vatra, pas njohjes zyrtare shtetërore mori diplomën e saj (Charter), të shënuar prej z.Albert P.Langtry, asokohe sekretar i Shtetit të Massachusetts. Në aplikim të njohjes zyrtare shtetërore ishin të shënuar emrat e Faik Be Konitza, Lambi Chikozi, Fan S. Noli, Kristo Floqi, Elia Tromara, Naum Cere dhe Kosta Kota.

Prej 112 vitesh Federata Vatra vazhdon me dinjitet, krenari e nder përçimin e vlerave më të larta të kombit tonë, ruajtjen dhe ekzistencën e trashëgimisë kulturore, patriotike, sociale, ekonomike dhe historike të shqiptarëve në Amerikë. Prej 112 vitesh Vatra vazhdon fuqishëm punën, përpjekjet e përkushtimin kolosal ndaj komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara e çështjes kombëtare në mërgatën e Amerikës.

Vatra e ngrohtë shqiptare, zjarri i pa shuar i atdhedashurisë mban gjallë dhe sot e 112 vite shpirtin patriotik shqiptar përtej Atlantikut. Vatra është historia, krenaria dhe identiteti i shqiptarëve të Amerikës.

Filed Under: Opinion

25-vjetori i çlirimit të Kosovës. Presidenti Begaj para Kuvendit të Kosovës: Të mbrojmë lirinë! Kosova nuk është vetëm. Kosova nuk do të jetë vetëm

June 12, 2024 by s p

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, në fjalën e mbajtur në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës për 25-vjetorin e çlirimit bëri thirrje për bashkëpunim mbarëshqiptarnë mbrojtje të lirisë së fituar me sakrifica sublime dhe për bashkëpunim me miqtë ndërkombëtarë dhe partnerët strategjikë.

Kreu i Shtetit përcolli urimin për këtë ditë të madhe, që e cilësoi përvjetor të shenjtë për shqiptarët.

Ai nderoi figurat e shquara të Kosovës, Ibrahim Rugovën, Adem Demacin, Adem Jasharin, e qindra luftëtarë të UÇK-së nga Kosova, Shqipëria e Diaspora, në sajë të të cilëve Kosova ia arriti kësaj dite.

Gjatë fjalës në Kuvend, Presidenti i Republikës u shpreh se Kosova nuk ishte vetëm, pasi veç mbështetjes nga Shqipëria, ajo pati në krah SHBA-në, Britaninë e Madhe, BE-në dhe NATO-n, mbështetësit e fuqishëm të kauzës së saj. Ishte kjo ndërhyrje që ndaloi spastrimin etnik, gjenocidin, dhe i dha të drejtën popullit që kërkonte lirinë, – u shpreh Presidenti Begaj.

”Ndërkombëtarët – theksoi ai, ishin hartuesit dhe zbatuesit e projektit të shtetformimit të Kosovës”.

Në kontekstin aktual gjeopolitik, përballë një fushate keqdashëse të Serbisë dhe aleatëve të saj për të penguar shtetin e ri të Kosovës, për të penguar ndihmën ndërkombëtare në bashkëjetesën shqiptaro-serbe, e për të njollosur luftën për çlirimin e Kosovës, Presidenti i Republikës u shpreh se sot kemi nevojë më shumë se kurrë për një manifest krenarie kombëtare.

“Në sfidat e kohërave, epokave dhe padrejtësive, shqiptarët e kanë të pacenueshëm shqiptarizmin, shqiptarët kanë nevojë për të ruajtur dhe forcuar kohezionin kombëtar dhe socio-kulturor edhe sot”, – u shpreh ndër të tjera Presidenti Begaj.

“Jemi të vetëdijshëm se kauza e Kosovës nuk ka përfunduar, por jemi të palëkundur në bindjen tonë se realiteti, Republika e Kosovës, e pavarur dhe sovrane, është e padiskutueshme dhe e patjetërsueshme. Kemi përgjegjësi për të ruajtur dhe forcuar paqen, sigurinë dhe zhvillimin. Aspiratat për integrimin Euroatlantik të faktorit shqiptar janë më të forta se kurrë. Do të punojmë fort për këtë objektiv” , – u shpreh Presidenti i Shqipërisë.

Nga Parlamenti i Kosovës, Presidenti Begaj deklaroi se shteti shqiptar e ndjen detyrë dhe mision të mbështesë çdo përpjekje të institucioneve të Kosovës.

Ai garantoi se Shqipëria do të punojë fort për të shfrytëzuar të gjitha kapacitet për të zgjeruar numrin e njohjeve, për të zbuluar të gjithë të vërtetën, ende të panjohur, të krimeve dhe gjenocidit të bërë në Kosovë.

”Kosova nuk është vetëm. Kosova nuk do të jetë vetëm. Çdo betejë juaja, është beteja jonë! Çdo sukses juaji, është sukses i gjithë shqiptarisë!”, – deklaroi Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, në fjalën e mbajtur në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës për 25-vjetorin e çlirimit.

President.al

Filed Under: Opinion

25-vjet çlirim, e përjetshme mirënjohja kombëtare ndaj ShBA/NATO!

June 12, 2024 by s p

Gjeneral ® Piro Ahmetaj/

Pikërisht si sot, 25-vjet ose plotë një çerek shekulli më parë, nisi zbarkimi i trupave tokësore të NATO-s në Kosovë. Prandaj 12 Qershori 1999 mbetet përjetësisht i skalitur në memorien e historisë sonë kombëtare, si data zyrtare e çlirimit të Rëpublikës së Kosovës nga ushtria barbare e Millosheviçit. 

Para së gjithash, si për çdo 12 qershor, dëshiroj t’ju përcjell mbarëshqiptareve, urimet më të përzemërta për 25 vjetorin e çlirimit nga pushtuesit sllav të gjysmës së kombit, Kosovës sonë martire.  

Me këtë rast, na duhet ta përsërisim edhe më fortë që12 Qershori 1999 është jo vetëm një datë e përuljes së mbarëshqiptareve ndaj të rënëve/Dëshmorëve të Atdheut, por mbetet edhe një datë e nderimit të merituar ndaj luftëtarëve si dhe sakrificat popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi në shekuj.

Por 25 vjet mbas çlirimit të Kosovës nga pushtimi Serb, shpresoj edhe më shumë që memorien Institucionale dhe kombëtare do të mbetet përjetësisht e kthjellët, që: “çlirimi i Kosovës dhe realiteti i ri gjeopolitik, nuk erdhën brenda një date të vetme (12 Qershor 1999)”, pasi ashtu si edhe njihet botërisht: “çlirimi nga pushtimi Serb në12 Qershor 1999, nuk u arrit vetëm nga luftrat, gjaku i derdhur, qëndresa si dhe sakrificat sublime në shekuj të popullit të Kosovës”! 

Prandaj, për shkak të së vërtetave, shpresoj që Ne si Komb ta “pranojmë fisnikërisht” se kryesisht (sigurisht jo vetëm) falë ndërhyrjes së fuqisë ajrore të NATO-s, Millosheviçi u imponua të nënshkruaj kapitullimin dhe tërheqjen e forcave pushtuese (ushtarake dhe policore) deri në kufijtë e përcaktuar nga rezoluta 1244, kufij që u shenjtëruan edhe në Flamurin e Republikes se Kosovës nga Sh.T. Presidenti Ibrahim Rugova. 

Po ashtu, do të mbetet përjetësisht e mirënjohur se, që para datës 12 Qershor, pra nga 24 Marsi historik deri në 10 Qershor 1999 (kur Sekretari i Përgjithshëm z. Solana, urdhëroi ndalimin e bombardimeve ndaj Serbisë); SHBA/UK dhe NATO u angazhuan për herë të parë në një fushatë ajrore ose në luftë “jashtë artikullit 5” (pa miratimin e KS/OKB) por ndërsa gjykata e legjetimoi, historia e ri-konfirmoi NATO-n si: “Aleancën më të fuqishme ushtarake si dhe e besimit te liria, paqja dhe vlerat demkratike në mbarëbotën”.  

Së dyti, përtej definicioneve në doktrinat e luftës (mbi pushtimin dhe çlirimin), në vijim po paraqes fakte dhe konsiderate strategjike: “pse 12 Qershori 1999 është zyrtarizuar si data e çlirimit të Kosovës”?  

Më 9 Qershor 1999 (pra 3 ditë para datës 12) në Kumanovë të MV ishte nënshkruar Marrëveshja Teknike Ushtarake ndërmjet palës fituese/NATO dhe palës humbëse/RFJ, marrëveshtje që hyri në, hyri në fuqi më 11 Qershor 1999 duke legjitimuar ndërhyrjen me trupa tokësore ditën tjetër, 12 Qershor 1999.  Me Marrëveshjen e Kumanovës, NATO ndaloi bombardimet ndërsa Serbia detyrohej të terhiqte të gjitha forcat policore dhe ushtarake nga territori i Kosovës. Por, në Kumanovë përfaqësuesit e UÇK-së nuk ishin as palë nënëshkruese, as presente, ndërsa u vendos shndërrimin i UÇK-së në Forcat e Sigurisë së Kosovës.

Pra, më 12 Qershor 1999, NATO nisi zbarkimi i trupave të këmbësorisë në Kosovë, dy ditë më parë (10 Qershor) Këshilli i Sigurisë së OKB-Së, kishte miratuar Rezolutën e Anthisarit nr. 1244, sipas të cilës në Kosovë u legjitimua dërgimi i 37.200 ushtarë të KFOR-it nga 36 shtete.  Thënë këto, ndërhyrja e NATO-s me trupa tokësore, konfirmoi vendosmërinë e perëndimit për të gjunjëzuar një kriminel lufte si Millosheviçi, si dhe megjithë përpëlitjet e Ariut të plagosur/Rusisë, kjo ngjarje ndryshoi përjetësisht hartën gjeopolitike të rajonit, në favor Aleancës Euroatlantike si dhe të kombit Shqiptar. 

Së treti, pa mëdyshje, që edhe 25 vitet pas çlirimit të Kosovës apo 30 muajt e luftës neo-naziste të Rusise-Putiniste në Ukrainë: “qëndrimet dhe veprimet e Beogradit Zyrtar, i gjej të sikronizuara me endrrat dhe interesat gjeopolitike të Rusisë në Ballkan”. Gjithësesi, Moska ka dështuar për të ndezur një front të ri lufte, duke frymëzuar dhe armatosur grupet kriminale në veri të Kosovës si dhe për të mbajtur ndezur frymën antiperëndimore/USA në rajon. 

Pavarësisht kësaj, ndër aktorëtrajonale në krye qëndron presidenti serb Vuçiç i cili pasi ka dështuar për të bërë viktimën apo për të pirë nga 4 nëna (Moskë, Washington, Bruksel, Pekin), së fundmi dalldisi se: “solidariteti i BE-së është një përrallë“, si dhe bëri thirrje për “miqësi prej çeliku” me Kinën! Po ashtu ka keq-dështuar edhe trimërimi Tij mbas lufte mbi: “Kufijtë e rinj shtetëror në Ballkan apo (mos) njohjen e Kosovës”, të cilat vetëm minojnë dialogun dhe rrezikojnë axhendën e integrimit të Serbisë drejt BE. 

Ndërsa, 15 vitet e fundit: “shqetësimet strategjike mbi armatosjen deri në dhëmbë dhe (keq) shpërdorimin e Beogradit nga Kremlini”, i kam adresuar si pyetje të publike, ndaj z.Vuçiç: “përse shpenzon më shumë se 1 miliard € në vit për armatatosjen nga Rusia me Tanke; Mig-29, Helikopter luftimi, raketa Pantsir-S, etj ? Përse 3/4 e strukturave dhe fuqisë ushtarake ofensive i ka dislokuar në kufijtë shtetërorë të Kosovës (?); nga cili vend apo Aleancë rrezikohet tërësia territoriale e Serbisë (?); apo integritetin e cilit vend sovran, përveçse të Kosovës kërcënon Serbia”? Thënë këto, më duhet ta përsëris qartë, përfshi për gjeneralet dhe mëndjet putiniste jo vetëm në Beograd: “përsa kohë të ketë prezencë të SHBA/NATO në terren, agresioni ushtarak kundër tërësisë territoriale të Republikës së Kosovës, përveçse nje aventurë vetëvrasëse e Serbisë mbetet një mision tërësisht i pamundur!

Së katërti, megjithë përpjekjet dhe progresin 25 vjeçar për tu larguar nga urrejtja dhe gjakëderdhja shekullore, paqja, siguria, stabiliteti demokratik dhe ardhmëria euroatlantike për 6 vendet e ballanit perëndimor mbetet ende një sfide serioze. Edhe përgjatë çerek shekullit të fundit: “Ambicjet geopolitike të Rusisë – Putiniste; ushtarët e oshilacioneve të Millosheviçit në Beograd apo Dodikët e droguar nga Moska”, jo vetëm kërcënojnë sovranitetin e Kosovës, por edhe stabilitetin dhe axhendën e integrimit të 6 vendeve te ballkanit perëndimor (përfshi Serbinë), si dhe sfidojnë vlerat demokratike, fuqinë ushtarake, kohezionin dhe interesat e Aleancës Euroatlantike (USA/NATO/UK/BE) në rajon.  

Gjithësesi, përkundër riciklimit të rrënjve të konfliktit besoj edhe më fort se paqja mbetet opsion dhe misioni i vetëm, në mënyrë që siguria të perceptohet dhe konsumohet përtej historisë së përgjakshme, në interes të sigurisë së jetës, pronës, prosperitetit të qytetareve edhe në vendet e ballkanit ende të pa integruara në BE.

Nga ana tjetër, historia e mbas-konflikteve na ka treguar, se marrëveshjet e Paqes dhe nuk kanë për të funksionuar, pa shtruar themelet e mirëbesimit reciprok mes popujve. Krimea, është shëmbull i gjallë, ku arritjet nga Marrëveshja e Paqes-2014, po shpaguhen me gjakun e qytetarëve Ukrainas dhe Rus. 

Së pesti, fatëkëqesisht për 25 vjet, palët ende nuk po i zgjidhën dot mosmarreveshjet ndërshtetërore dhe ndërkufitare, ndërsa Serbia dhe Kosova do duhet të tregohen seriozë për të zhvilluar masat e mirëbesimit reciprok dhe bashkëjetesës paqësore mes popujve. Në kapacitetin e ekspertit, në vijim gjeni përmbledhje me “5 rekomandime strategjike” për sigurinë afatgjatë dhe ardhmërinë Euroatlantike rajonit:

1. Beogradit zyrtar i duhet “t’i harrojë kërcënimet-neo-Staliniste” për valëvitjen e flamurit Serb në Kosovë si dhe riciklimin e fushatave të përgjakshme ndaj popullit Shqiptar. Për të mirën e Serbisë, të mos shpenzoj kot 1 miliard € në vit nga taksat/mundi i popullit serb, pasi ka ZERO, aftësi, ose këllqe të përballet me fuqinë ushtarake të USA/NATO-s dhe aftesite e përmiresuara të FSK; të heqë dorë nga ëndrrat për “të pirë” nga 4 nëna (Moska, Brukseli,Washingtoni & Pekini). Ndërsa, z.Vuçiç të mos riciklojë oshilacionet e Millosheviçit dhe as të bejë trimin tërbuar duke kërcënuar perëndimin (ose me Serbinë ose me Kosovën..!); por as viktimën dhe as të irrituarin, pasi, siç është konfirmuar nga Pentagoni edhe 246 raketat Javelin të miratuara nga DASH/SHBA për FSK, nuk janë kapacitete sulmuese por për të ushtruar të drejtën sovrane të vetë-mbrojtjes territoriale të Kosovës nga çdo armik potencial, që në fakt mbetet vetëm Serbia, apo Jo?

3. Prishtina Zyrtare, pa u konsultuar me ShBA, kurrësesi nuk do duhej/t të marrë vendimmarrje me impakte strategjike, që minojnë themelet e besimit me “çlirimitarët e vërtetë/USA/NATO, që prej 25 vitesh vijojnë të mbajnë peshë kritike për sigurinë dhe ardhmërinë e Kosovës”. Për më shumë, do t’i këshilloja vllazërisht aktorët mëndjehapur të Prishtinës që: “riciklimin e kërcënimeve ushtarake të Beogradit ndaj Kosovës”, të mos i konsiderojnë me triumfalizëm populist, por si “përgjegjësi e lartë shtetërore për të ndërtuar Kosovën moderne”, përtej prezencës së NATO-s (që nuk do të jetë e përjetshme); vendin ku, qytetarët pavarësisht përkatësive etnike, fetare dhe politike të ndihen të barabartë para ligjit, si dhe faktorizimin e Kosovës nga konsumatore në kontribuese për sigurinë si dhe integrimin e rajonit në NATO dhe BE!

3. Ndërsa, parnerëve strategjik, aktorëve dhe Ekspertëve/kolegëve në rajon, Washington, Bruksel, etj do t’i ri-sugjeroja që perspektivën e paqes dhe stabilitetin e Rajonit, ta para-kushtëzojnë me rikthimin e vetëm dy Masave të Mirëbesimit Reciprok, nëpërmjet të cilave Beogradi “të imponohet” se: (A) do të ruajë balancat e fuqisë ushtarake duke mos kërcënuar integritetin teritorial të Kosovës; (B) nuk do të vendos instalime dhe as aktivitete ushtarake (25 km distancë ajrore dhe 10 km tokësorë), në kufijtë shtetërore mes vendeve, dy kushte që gjithësesi duhen të monitorohen nga USA/NATO/BE, që mbeten faktor kritik për paqen në rajon. 

4. Faktorët institucional në Tiranë dhe Prishtinë, që për interesa jetike kombëtare të lëne me mënjanë krenarinë primitivo-bollshevike, por të përulen në gjunjë para historisë së përgjakshme dhe përgjegjësive shtetërore duke jetësuar një Patformë Strategjike: “2Shtete sovrane 1Komb i vetëm” si dhe konceptit “Smart/mënçur” mbi sovranitetin dhe mbrojtjen e interesave kombëtare. Sigurisht që: “ky projekt nuk ka kurrësesi lidhje me dalldisjen bollshevike që buron nga fuqia elektorale e mbi-Pushtetit dhe as me pushtetarë kusarë që dridhen në SPAK; por as me pluralizmin fasadë dhe as me aguridhet 50 milioneshe € për FSK, të ish-Kryetarit vulëhumbur (nga dje) si dhe vetëm një grushti egocentrikësh të sëmurë rreth tij”.

5. Përkundër: “vendimarrjeve të pakonsultuara dhe kakofonisë internacionaliste”, Tirana dhe Prishtina zyrtare, e kanë përgjegjësi të lartë shtetërore të demostrojnë mirënjohje kombëtare ndaj ShBA/NATO/UK, ndërsa për projektin “2Shtete Sovrane, 1Komb i vetëm” duhe te garantojne SHBA/NATO/BE se kjo “qasje e vonuar” nuk kërcënon por do të kontribuojë për paqen afatgjatë në 6 vendet e rajonit, përfshi Serbinë.   

Në vënd të përmbledhjes, përsëris që, 12 Qershori 1999 mbetet një datë për të na kujtuar Ne si Komb jo vetëm çlirimin e Kosovës nga pushtuesit Serb, si ngjarje që meriton të skalitet edhe si datë e mirënjohjes mbarë-Kombëtare ndaj USA/NATO-s por si dhe dita e falënderimeve ndaj 36 vendeve si dhe emër për emër mbi 500 mijë ushtarakëve të KFOR-it, që për 25 vjet vijojnë të mbrojnë paqen në Kosovë dhe Rajon.

Ndërsa, përkundër riciklimit të urrejtjes dhe gjakëderdhjes shekullore, besoj edhe më fortë se 12 Qershori 1999 do të mbetet një këmbanë për të mbajtur zgjuar kujtesën e popujve të ballkanit perëndimor: “paqja mbetet misioni i vetëm, në interes të sigurisë së jetës, pronës, mirëqënies së qytetarëve si dhe ardhmërisë euroatlatike të Shqiperisë, Kosovës, MV, Malit të Zi, Bonje-Hercegovinës dhe Serbisë”!

* Autori, Gjeneral ® Piro Ahmetaj:
Ekspert për SK, Rajonin dhe NATO-n,
Zv/President i Këshillit Atlantikut; & ish:
Këshilltar për Sigurinë Kombëtare në PD,
Këshilltar i Presidentit, Zv/ShShPFA,
Përfaqësues Ushtarak në SHAPE/NATO.

Filed Under: Opinion

MOS HARRONI GJENOCIDIN GREK MBI SHQIPTARËT E ÇAMËRISË

June 11, 2024 by s p

Ahmet Xhafo*

*Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut/

Të nderur vatranë ju falenderoj nga zemra për pjesëmarrjen në përkujtimoren e 80 vjetorit të gjenocidit grek mbi shqiptarët e Çamërisë. Është një ditë e hidhur, e pa harrueshme, e pa falshme për krimet barbare të kriminelit Napoleon Zerva me bandat e tij të orkestruara nga qeveria greke mbi shqiptarët e Çamërisë. Kriminelët zgjodhën fundin e Luftës së Dytë Botërore për të spastruar një pakicë muslimane shqiptare të pambrojtur të një shteti komshi. Një krim i tmerrshëm. Grekët kanë harruar kontributin e Arvanitasve për pavarësinë e Greqisë.

Një turp për Europën që lejuan një krim të tillë mizor, e një fatkeqësi që misioni ushtarak anglez që nuk ndërhyri ta ndalonte këtë gjenocid të tmerrshëm. Edhe sot në mënyrë të pafalshme Europa, i mban sytë të mbyllura për këtë krim të pandëshkuar që një anëtare e Bashkimit Europian po vazhdon krimet e saj edhe sot në shekullin e 21-të. Muslimanët çamë padrejtësisht nuk lejohen të vizitojnë shtëpitë e tyre të sekuestruara prej shtetit grek, nuk lejohen të vizitojnë varrezat e gjyshërve e stërgjyshërve të tyre. Një hakmarrje primitive e Greqisë. Një krim gati shekullor që ndodh mu në zemër të qytetërimit europian e askush nuk reagon, fatkeqësisht as shteti shqiptar. Shteti grek vodhi e sekuestroi me dhunë pasuritë, tokat, bizneset, bagëtitë, e shtëpitë e shqiptarëve. Ende sot asnjë falje, asnjë kompensim, as asgjë, vetëm harresë, por shqiptarët e Çamërisë nuk do të harrojnë përjetë. Grekërit ca shtëpi të çamëve ua dhanë vllehëve grekë e të tjerat u sekuestruan e janë bosh, tashti si gërmalla. Një nga këto shtëpi është e familjes Xhafo, në Filat të Çamërisë.

Për të mbuluar krimet e saj, qeveria greke ka mashtruar duke akuzuar pa fakte e pa prova çamët si bashkëpunëtor me nazistët, por e verteta me fakte është që Napoleon Zerva ka bashkëpunuar me nazistët. Më poshtë është një ekperiencë e një 7 vjeçari, Ahmet Xhafo: Me qëllim nuk do t’u jap statistikat e vrasjeve e krimeve makabre greke. Në qershor të vitit 1944 është momenti më dramatik për popullin martir çam, të pafuqishëm e të pa mbrojtur. Bandat gjakatare të Zerves u sulën egërsisht me krime të papara e të padëgjuara mbi shqiptarëte pafajshëm të Çamërisë. Babai im Taip Xhafo, me familje tre djem e tre vajza, sapo dëgjoi për masakrën greke në Paramithi, herët në mëngjes, u nisen nga Filati ne drejtim të Shqipërisë. Jo nga xhadeja por nga monopatet sepse zervistët i kishin bllokuar rrugët për ti grabitur e pastaj i vrisnin shqiptarëteÇamërisë. Kriminelët grekë u prisni grave gishtat për tu marrë unazat, veshët për tu grabitur vathët, çanin barqet e grave shtatëzanë për të vrarë foshnjat e palindura. Familja jonë nëpër pyje e kodra u nisem drejtë Koskës e në Shales. U sistemuam në shtëpinë e zotit Zenel Kadriu i cili sapo ishte martuar e jetonte me nusen e nënën e tij. Na hapen dyert e me ne ndanë atë që kishin me bujari e fisnikëri.

Çamët për ti shpëtuar tmerrit vazhdonin në varg natë e ditë në këmbë, pa ngrënë, pa pirë, pa plaçka, të lodhur e të rraskapitur me fëmijë të vegjël e të sëmurë. Shumë prej tyre kanë vdekur të traumatizuar. Kur e kujton, të dhemb shpirti se çfarë vuajtjesh e persekutimesh kanë hequr mbi kurriz padrejtësishtshqiptarëte Çamërisë. Familja jonë më vonë u sistemua në shtëpinë e një mikut tonë të familjes që quhej Omer Mehmeti, i quajtur kulak, nga që ishte i lidhur me Ballin Kombëtar dhe ishte i pasur. Komunistët ja kishin konfiskuar të gjithë pasurinë, por jo bujarinë e fisnikërinë. Atë dimër shumë të egër e kaluam aty.

Në pranverën e vitit 1945 u nisëm nga Shalësi për Sarandë. Na dhanë një kalë e dy jorganë që kishim e një samar ndërronim motrat që ishin më të vogla, të tjerët në këmbë. Arritëm në Sarandë shumë vonë të lodhur e të uritur. Të nesërmen nënës së shkretë, i mori vëllai unazat, vëthët, e një varëse floriri, për ti shitur e për të blerë bukë. Motrat e vogla qanin nga uria. Të nesërmen u drejtuam drejtë portit nga niseshin çamët për Vlorë e Durrës, me benzinata, (anije transporti). Para nesh ishin nisur dy benzinata me çamë ku kishte dalë në rimorkiator grek qe i terhiqte e çonte në Korfuz. Pasdite kur po niseshim drejt nesh ishte drejtuar një rimorkiator tjetër por kapiteni u kthye në drejtim të Gjirit të Himarës, shpëtuam. U nisëm në mëngjes e arritën në Vlorë ku na dhanë bukë misri me djathë e u nisëm për Durrës, ku ndenjëm për disa muaj. Më vonë u vendosëm në Tiranë, ku jetonte halla jonë, Nazo Demi, nana e Ali Demit.

Në vitet 1947-48 në Shqipëri ishte sistemi i trisketimit e një krizë buke e madhe. Shumë herë nuk merrje dot se vinte me pakicë. Kjo e detyroi babanë tonë që me anë të një mikut të tij, Kalosh Drini, të blinte një sasi mielli misri në Fushë -Krujë. Natën e mbuluam miellin me bar, por vigjilenca e spiunëve e pikasi miellin dhe e mori shteti e babanë e arrestuan dhe e çuan në burg. U lirua pas 6 muajsh me kusht që të mos ta përsëriste më. Për arsye ekonomike mua e vëllanë Xhaferin na dërguan në strehën varfënore. Unë kam qëndruar në shkollën e fëmijëve në Tiranë, Elbasan, Lushnje e Berat.

Në muajt Tetor – Nëntor 1949 në Gramoz luftonte EAM-i, komunistët grekë, me forcat qeveritare të Greqisë. Ata i kërkuan qeverisë shqiptare që të bënte çmos që gjithë meshkujt çamë të shkonin për ndihmë. Qëllimi ishte që ata çamë që kishin mbetur të eleminoheshin. Çamët me një zë kundërshtuan të shkonin të luftonin në Greqi. Në rast se preket kufiri shqiptar, atëherë çamet ishin të gatshëm të luftonin e të mbronin tokën shqiptare. Për refuzimin e mësipërm, babai e disa burra të tjerë nga Çamëria u internuan në rrugën Gramsh-Llozhan-Korce për 11 muaj punë të rëndë.

Në 5 Mars 1953 në Moskë vdiq krimineli e diktatori rus, Stalini. Për këtë ngjarje qeveria komuniste urdhëroi popullin të dalë në sheshin Skenderbej ku u bë një ceremoni mortore për të cilin qanë e vajtuan pa pushim. Por vetëm babai tone, Taipi, nuk qau e nuk u përlot por shau Stalinin. Për këtë ai u internua një vit në fabrikën e tullave në Tiranë. Vetëm kur Stalini u shpall kult individi e liruan babanë.

Qeveria komuniste na trajtoi si qytetarë të dorës së dytë e nuk lejoi asnjë aktivitet për Çamërinë. Politikanët shqiptarë nuk guxonin ose kishin frik nga Greqia të kërkonin të drejtat e shqiptarëve të Çamërisë. Qeveria komuniste Çamërinë e Kosovën nuk i quante si çështje kombëtare.

Edhe sot, Greqia i kërcënon me kthimin e emigrantëve shqiptarë në Shqipëri e me veto për anëtarësimin në “Bashkimin Europian”. Greqia dhe sot vazhdon të krijojë telashe për Shqipërinë e të mbajë në foëuqi “Ligjin e Luftës me Shqipërinë”. Një fatkeqësi për Shqipërinë që kemi dy komshinj të këqinj. Prandaj duhet të jemi vigjilent për atdheun e kombin tonë. Falenderoj Vatrën për këtë organizim e për bashkpunimin me organizatat çame. Unë jam krenar që jam një vatran i vjetër e i uroj kësaj organizate një shekull tjetër e më shumë në shërbim të kombit shqiptar.

Bashkatdhetarë mos e harroni kurrë Çamërinë.

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 82
  • 83
  • 84
  • 85
  • 86
  • …
  • 858
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT