• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Eqrem Çabej, sinonimi i autoktonisë së shqiptarëve nga Danubi në Çamëri

August 7, 2024 by s p

Përgatiti: Arben Iliazi/

116 vjetori i lindjes së Dijetarit të shquar që “përcaktoi” kufijtë e Ilirisë.

Eqrem Çabej është dijetar dhe njeri i madh”, ka thë në Ismail Kadare. Kur kthejmë sytë prapa në rrugën 5-6-shekullore të zhvillimit të albanologjisë, vepra e Eqrem Çabejt (7 gusht 1908-13 gusht 1980) na del para në peizazhin e gjerë e të larmë të kulturës shqiptare, me ërmasat e jashtëzakonshme dhe të shumanshme. Në vitin 1952 Çabej nisi të merrej me studimin e vendit të formimit të gjuhës shqipe e të popullit shqiptar, të cilës iu kthye në mënyrë të përsëritur si një problem madhor i historisë së shqiptarëve. Ato 3-4 punime që do t’i botonte lidhur me këtë temë gjatë viteve 50-60 janë gurthemeli i teorisë së sotme plotësisht shkencore të autoktonisë së shqiptarëve në trojet e tyre. Në këtë mënyrë, nga vitet 60 emri i Çabejt ishte bërë sinonimi i autoktonisë së shqiptarëve. Çabej, si askush para tij, shfrytëzoi njohuritë e tij të thella historiko-gjuhësore për sqarimin e prejardhjes së shqiptarëve dhe të vendit të formimit të popullit shqiptar.

Çabej, si askush para tij, shfrytëzoi njohuritë e tij të thella historiko-gjuhësore për sqarimin e prejardhjes së shqiptarëve dhe të vendit të formimit të popullit shqiptar.

Pasi botoi në vitin 1958 artikullin Problemi i autoktonisë së shqiptarëvet në dritën e emravet të vëndeve, ai i rikthehet kësaj çështje me punimin tanimë klasik Die älteren Ë ohnsitze der Albaner auf der Balkanhalbinsel im Lichte der Sprache und der Ortsnamen (Vendbanimi i lashtë i shqiptarëve në siujdhesën ballkanike në dritën e gjuhës dhe emrave të vendeve) paraqitur në Kongresin e shtatë ndërkombëtar të shkencave onomastike në Firence në 1961, për të dalë rishtas në vitin 1970 me punimin L’illyrien et l’albanais (Ilirishtja dhe shqipja), e një vit më vonë me Problemi i vendit të formimit të gjuhës shqipe.

Çabeji argumentoi në mënyrë shkencore prejardhjen ilire të gjuhës shqipe dhe të popullit shqiptar, autoktoninë e tij në trevat ku banon sot në Gadishullin Ballkanik, vuri në dukje rolin dhënës të shqipes ndaj gjuhëve me të cilat ra në kontakt dhe unitetin e kulturës materiale e shpirtërore shqiptare. Akademiku i njohur pranon se shqiptarët janë autoktonë në Gadishullin Ballkanik dhe rrojnë aty që nga kohët parahistorike. Por hedh poshtë tezën pellazgjike të gjuhës shqipe. Ja cilat janë argumentet e tij…

Vështrime mbi prejardhjen e popullit shqiptar dhe të gjuhës së tij

Kur shtrohet problemi i burimit të një populli, ai do të shikohet të zgjidhet më fort nga ana e ruajtjes dhe e vazhdimësisë së gjuhës së tij sesa nga pikëpamja etnike, sepse më shumë se elementet e tjera gjuha është karakteristika që dallon një popull nga të tjerët. Një problem i tillë ndërkaq, për çdo popull, të çdo vendi qoftë e të çdo kohe, paraqitet kompleks, dhe për kushtet shqiptare veçanërisht i komplikuar. Kompleks: sepse në formimin e një populli si një njësi më vete e me tipare vetjake që e dallojnë nga popujt e tjerë, kanë pjesë, sikundër dihet, rrethana të ndryshme të karakterit gjeografik dhe procese të shumëfishta historike, etnike, ekonomike, kulturore e gjuhësore. I komplikuar: në këtë fushë të studimeve shqiptare është shumë e ndjeshme mungesa e burimeve historike e të shkrimit. Megjithatë, dija e re shqiptare, edhe me këtë varfëri burimesh, me mjetet që ka në dorë përpiqet t’i afrohet zgjidhjes së këtij problemi. Dhe ka arritur në këtë lëmë rezultate që mbeten, e që kanë zënë vend dhe në fushën shkencore ndërkombëtare. Për vetë karakterin kompleks të çështjes edhe metoda për t’u zbatuar këtu duhet të jetë komplekse. Aty duhet të bashkëpunojnë disa disiplina shkencore. Sidomos vijnë në vështrim aty gjeografia historike, historia, gjuhësia, etnografia dhe arkeologjia parahistorike. Rezultatet e njërës ndër këto fusha duhet të merren parasysh e të vlerësohen në masën e duhur nga disiplinat e tjera, të kombinohen me rezultatet e tyre, që të përmblidhen faktet e shumëllojshme në disa parime të përgjithshme, në disa fakte më të sigurta, për të arritur kështu disi në një sintezë. Shqiptarët janë autoktonë ose anas në Gadishullin Ballkanik, duke qenë që rrojnë aty që nga kohët e lashta parahistorike. Ata janë bashkë me grekët populli më i moçëm i kësaj treve, janë trashëgimtarë të situatës etnike të periodës së lashtë në këtë pjesë të Evropës Juglindore. Në këto rrethana pyetja se ku e ka burimin populli shqiptar, do të thotë me fjalë të tjera këtë: Stërgjyshët e shqiptarëve, ai popull që ka folur gjuhën nga e cila ka rrjedhur shqipja e sotme, me ç’emër njihej në kohët antike në Ballkan? Prej cilit popull të lashtë të këtij gadishulli rrjedhin pra shqiptarët e sotëm?

Në shekullin e kaluar u përhap shumëkund hipoteza se shqiptarët ishin stërnipët e pellazgëve. Kjo hipotezë a teori, e themeluar në tryezë të dijetarëve të huaj, pati jehonë të gjerë në lagjen e poetëve e shkrimtarëve shqiptarë të Shqipërisë e të Italisë. Ajo gjeti një truall pjellor në idetë e romanizmit, i cili në Evropën Juglindore u përhap më vonë, në një kohë kur në Perëndim kishin dalë rryma letrare të tjera. Teoria pellazge ndërkaq më vonë ra poshtë. Pellazgët në burimet greke e romake përmenden si një shtresë etnike paragreke, jo më ekzistuese në periodën antike. Autorë si Herodoti e Straboni flasin për ta për një kohë më të lashtë dhe i paraqesin si një popullsi barbare, d.m.th. jogreke, e me një gjuhë të ndryshme nga greqishtja. I lokalizojnë në zonën e Detit Egje, kryesisht në Tesali, me përhapje më një anë nga Epiri, më anë tjetër nga Azia e Vogël, nga Kreta e nga ishuj të tjerë të zonës egjeane. Ata paraqiten ndërkaq gjithkund si një popull legjendar, i mbuluar me mjegullën e një miti, popull pa konsistencë historike konkrete. Ndonëse në kohë të reja janë pohuar disa lidhje të tyre me ilirët e me trakasit, duhet thënë se ai element etnik e gjuhësor që mund të quhej, me shumë rezervë, pellazg, për shumë arsye, edhe të karakterit gjeografik, nuk mjafton kurrsesi për të pohuar me një farë baze vërtetësie shkencore një birëri pellazge të popullit shqiptar.

Duke u nisur nga një platformë më reale, për sqarimin e problemit të burimit, do t’i sillemi pikësëpari historisë si vazhdim i situatës parahistorike në Gadishull të Ballkanit. Kjo trevë e Evropës Jugore, në periodën antike ka qenë e banuar prej disa popujsh, popuj të ndryshëm nga ata të sotmit dhe të ndryshëm edhe nga njëri-tjetri. Dihet se në viset perëndimore të Gadishullit kanë banuar ilirët, në viset lindore trakasit, në anët jugore grekët, në qendër makedonët, të cilët kanë qenë të ndryshëm nga grekët edhe me një gjuhë më vete, sipas Herodotit me “gjuhë barbare”, d.m.th. jogreke. Duke lënë mënjanë disa popullsi më të vogla, si fiset iranike në pjesën lindore të Gadishullit dhe disa fise kelte në viset veriperëndimore e qendrore, kjo ka qenë gjendja etnike në epokën greko-romake. Në këtë mes shtrohet pyetja se prej cilit nga këta popuj zbresin shqiptarët, prej cilës nga gjuhët e tyre rrjedh gjuha shqipe. Në këtë problematikë grekët, ose si quheshin në atë kohë, helenët, përjashtohen vetvetiu, si një popull i ndryshëm nga populli shqiptar. Përjashtohen gjithashtu dhe makedonët e vjetër, si një popull relativisht i vogël dhe gjeografikisht më në skaj të truallit gjuhësor të shqipes, ndonëse për punë të afërsisë territoriale disa lidhje nuk mund të mohohen kryekrejet. Në këto rrethanat dy janë popujt që vijnë në vështrim si të parët e shqiptarëve, ilirët dhe trakasit.

Ilirët kanë qenë një ndër popujt e mëdhenj të Evropës së lashtë. Duke lënë mënjanë përhapjen e tyre në kohët parahistorike, në periodën historike ata shtriheshin që nga anët e Istrisë afër Triestës në veriperëndim e nga viset afër brigjeve të Danubit në veri gjer në gjirin e Artës së Çamërisë në jug, qytet që aso kohe quhej Ambrakia. Kështu fiset ilire banonin viset e sotme të Shqipërisë me Çamëri, të Malit të Zi, Bosnjes e Hercegovinës, Dalmacisë e Kroacisë, pra gjithë bregdetin lindor të Adriatikut me hinterlandin përkatës. Të fisit ilir kanë qenë pas gjithë gjasësh edhe mesapët e japigët e Apulisë në Itali Jugore. Në lindje fiset ilire mbërrinin gjer në anët e lumenjvet Vardar e Moravë në Maqedoni Veriore e në Kosovë, një trevë që në lashtësi quhej Dardania, dhe shtriheshin edhe në një pjesë të Serbisë së sotme. Në ato anë ilirët ishin kufi me fiset trake, vise-vise edhe duke u përzier me to.

Edhe trakasit kanë qenë një ndër popujt e mëdhenj të Evropës së lashtë: Herodoti e quan popullin më të madh pas indasve. Shkonin që prej kufijve të ilirëve në perëndim e gjer në brigjet e Detit të Zi në lindje, prej Detit Egje në jug e gjer në malet e Karpateve në Veri. Përfshinin kështu një pjesë të Greqisë e të Turqisë evropiane të sotme, Bullgarinë, Rumaninë e një pjesë të Hungarisë e të Polonisë. Për fatet historike të këtyre popujve e të fiseve të tyre, nga mungesa e materialit burimor për të cilin u fol më sipër, shumë pak jemi në gjendje të dimë, dhe kjo errësirë njohurish shtohet sa më lart të ngjitemi në lashtësi të kohëve. Dimë p.sh. që koncepti edhe emri ilir erdhi e u përhap vetëm me kohë, duke dalë prej një popullsie me këtë emër e duke përfshirë edhe fise etnikisht e gjuhësisht të afra. Ky emër në epopetë e Homerit ende nuk shfaqet.

Emri i ndonjë populli të veçantë, si ai i dardanëve dhe ai peonëve, të cilët në kohë historike kanë banuar në veri të makedonëve, del në skenë të historisë shumë më përpara se emri i përgjithshëm i ilirëve. Dihet gjithashtu që këta popuj të lashtë të Ballkanit, nën ndikimin e qytetërimit greko-romak, e sidomos me zotërimin e gjatë të Perandorisë Romake, me kohë pjesërisht u greqizuan, e për një pjesë të madhe u romanizuan. Me fjalë të tjera këta, pa u zhdukur si popuj, me kohë u asimiluan: lanë gjuhët e veta dhe morën vise-vise greqishten, vise-vise në pjesën më të madhe – latinishten. Kjo ndodhi sidomos nëpër qytete, nëpër qendra administrative e ushtarake ku romakët kishin ngulur garnizonet e tyre. Nëpër vise malore ndërkaq asimilimi nuk arriti të kryhej kryekrejet. Popullsitë vendase ruajtën më gjatë karakterin e tyre etnik dhe gjuhën e tyre. Ndonjëri nga këta popuj bile i shpëtoi gjer në fund romanizimit. Dëshmi e gjallë për këtë është populli shqiptar, i cili duhet të jetë pasardhës i njërit nga këta popuj (a fise) të paromanizuar. Çështja e birërisë, e filacionit, d.m.th. e rrjedhjes së një populli të sotëm prej një të lashti, të një gjuhe të re e të njohur prej një gjuhë të vjetër e të zhdukur, paraqitet mjaft e lehtë kur prej popullit të lashtë e prej gjuhës së tij kemi njohuri relativisht të sakta. Po në lidhje me shqiptarët e me shqipen, kjo çështje, si u tha, mbetet veçanërisht e vështirë. Gjuhët e lashta të Ballkanit, për mungesë shkrimesh të tyre, mund të thuhet se njihen pak e aspak. Prej gjuhës së trakasve ka disa pak mbishkrime, prej gjuhës së ilirëve të Ballkanit nuk është gjetur gjer më sot asnjë mbishkrim. Mbishkrimet e mesapëve të Italisë Jugore lexohen, porse interpretimi i tyre ka mbetur gjer sot i pasigurtë.

Prej të dyja gjuhëvet, ilirishtes dhe trakishtes, kanë mbetur disa të ashtuquajtura glosa, d.m.th. disa fjalë të tyre të dëshmuara prej autorësh grekë e romakë bashkë me kuptimet e tyre të dhëna greqisht a latinisht. Ka edhe një numër mjaft të madh me emra vendesh e personash, të gdhendur nëpër gurë a të dëshmuar nëpër tekste të autorëve klasikë; emra shumica me interpretim gjuhësor-kuptimor të dyshimtë dhe ku dijetarët modernë kanë gjetur prandaj një fushë të lirë për gjykime shpeshherë arbitrare. Kështu dy gjuhët në fjalë mbeten thuajse të panjohura për ne. Ne nuk ua dimë strukturën gjuhësore, as sistemin gramatikor, as fjalorin e tyre. Në këto rrethana mjetet e krahasimit mungojnë: mungon çelësi për të krahasuar materialin e shqipes me atë të dy gjuhëve në fjalë.

Duke qenë gjendja kështu, kriteri i gjuhës duhet të vështrohet së bashku me gjendjen gjeografike e historike. Në pikëpamje të gjeografisë historike dihet se shqiptarët e sotëm banojnë në ato vise ku në kohën antike banonin fise ilire. Në pikëpamje historike është vënë re me të drejtë, që sot e dy shekuj më parë, që nuk ka asnjë të dhënë, asnjë kumt historik që shqiptarët të jenë ardhës, që të kenë zënë vend në këto troje në një periodë historike të caktuar, si bie fjala aty nga mbarimi i kohës antike, ose në mesjetën e hershme. Në këto kushte vetë arsyeja e thjeshtë shtyn të pranohet që populli shqiptar është vendës, autokton në këto anë, në mos qysh prej periodave të mugëta parahistorike, së paku që prej kohës antike e këtej. Këto dy arsye, arsyeja e banimit në territorin e dikurshëm ilir dhe arsyeja e autoktonisë, shpien vetvetiu në mendimin që shqiptarët e sotëm janë stërnipët e fiseve ilire të jugut dhe që shqipja është vazhdimi i njërit nga dialektet e vjetra ilire.

Mund të thuhet bile që barra e argumentimit më fort u bie atyre që mohojnë burimin ilir të popullit shqiptar e të gjuhës së tij se atyre që e pohojnë. Në lidhje me këto nuk mund të jetë një gjë gand e e rastit edhe kjo, që emri i fisit ilir Albanoi, që përmend astronomi e gjeografi Ptolemeu i Aleksandrisë së Egjiptit në shekullin e dytë të erës sonë në trevën midis Durrësit e maleve të Kandavisë në Shqipëri të Mesme, vazhdon të rrojë në Arbën Arbër, Arbënesh Arbëresh, emri i Shqipërisë e i shqiptarëve në mesjetë, i gjallë dhe sot e kësaj dite. Në pikëpamje gjuhësore këtyre rrethanave vjen e u shtohet ky fakt, që vazhdimi i emrave të qyteteve, maleve e lumenjve të trevës shqiptare të kohës së lashtë, në trajtat e tyre të sotmet ka rrjedhur në pajtim me rregullat fonetike të gjuhës shqipe. Aty hyjnë barazime të tilla si Scardus : Shar, Scodra : Shkodër, Drivastum : Drisht, Pirustae : Qafa e Prushit, Lissus : Lesh (Lezhë), Isamnus : Ishëm Ishm, Dyrrachium : Durrës, Aulon : Vlonë Vlorë, Thyamis : Çam e të tjera.

Edhe kjo dëshmon për autoktoninë ilire të popullit shqiptar: sepse ky zhvillim nga trajtat antike të këtyre emrave në të sotmet nuk gjen shpjegim veçse me mjetet e shqipes. Nuk mund të shpjegohet as me mjetet e gjuhëve romane as të gjuhëve sllave, e as nëpërmjet të ndonjë gjuhe tjetër të zonës ballkanike. Për vazhdimësinë ilire ka dhe të tjera të dhëna nga fusha gjuhësore, si disa barazime që dalin në emra personash ndër ilirët e hershëm e ndër shqiptarët e sotëm. Përveç këtyre, ato të paka fjalë që dihen prej ilirishtes, shpjegohen mirëfilli me anë të shqipes. Edhe mjaft fjalë të mbishkrimeve mesapike zbërthehen me gjuhën tonë. Në këtë mënyrë të dhënat e gjeografisë historike dhe të gjuhës vijnë e plotësojnë njëra-tjetrën. Nuk mungojnë edhe disa paralele të karakterit etnografik, në të cilat nuk po hyhet këtu. Prej lëmit të arkeologjisë meriton vëmendje rrethana që në disa stacione parahistorike të trevës shqiptare vihet re një vazhdimësi e kulturës materiale, një kontinuitet nga epokat e lashta gjer në mesjetën e hershme; kjo rrethanë vjen e u shtohet argumenteve gjeografike, historike e gjuhësore që u shtruan më sipër. Për sa u përket trakasve dhe gjuhës së tyre, mbi dëshminë e disa të dhënave historike dhe gjuhësore (emra vendesh me tipare trake) është vënë re me kohë një prani elementesh trake në krahun veriperëndimor të Gadishullit Ballkanik e veçanërisht në viset bregdetare të Adriatikut të jugut. Ato duhet të jenë përzier me kohë me elementet ilire, pa mundur të themi se nga ilirët e trakasit kush qe anas e kush i ardhur. Si përfundim, edhe për arsye historike mund të thuhet se në formimin e etnosit shqiptar në bazë qëndron elementi ilir, porse mund të ketë pasur dhe një komponente trake, me përmasa gjithsesi më të vogla. Si u krye procesi i këtij formimi etnik e gjuhësor, në ç’rrethana territoriale e historike, në gjendjen e sotme të njohurive është vështirë të përcaktohet. Aty shihet më qartë përfundimi, që është populli shqiptar më gjuhën e tij, sesa rruga e zhvillimit që u përshkua gjersa u arrit gjer në gjendjen e sotme.

Filed Under: Opinion

Shqipëria e kohës së Cezarit…

August 6, 2024 by s p

Luan Rama/

Deri para dy dekadash, në Europë kishte ende njerëz që jo rrallë n’a pyesin: «Ku bije Shqipëria»? Mundoheshim të bënim një shaka që ata ta gjenin, duke u thënë se ishte në brigjet e detit Adriatik. Pastaj duke shtuar u thonim se ishte në kufi me Greqinë, pastaj me Malin e Zi. Dhe atëhere këta persona më së fundi arrinin ta gjenin se bëhejt fjalë për Shqipërinë. Ata pak gjëra dinin për Shqipërinë, dhe jo vetëm ata, por dhe shumë e shumë europianë të tjerë. Ndërkohë që historia shqiptare është mjaft e pasur. Dhe kur ju thoje se dikur Durrësi quhej «Taverna e Adriatikut», se atje gjente strehë Ciceroni, Agrippa, Brutus dhe se Cezari do ta rrethonte Pompeun pikërisht në fushat midis Lushnjës dhe Durrësit dhe se ata luftonin me legjionet e tyre në rrethinat e Durrësit, atëherë e kuptonin se ky vënd dikur kishte qenë në qendër të historisë së Adriatikut. Nuk është mburrje të thuash sot se toka shqiptare mban gjurmë të një kulture të lulëzuar dhe të bëmave të mëdha historike: jo vetëm në kohën luftës mes dy konsujve të mëdhenj të republikës së Romës; të normandëve që kërkonin të dyndeshin drejt Konstantinopojës dhe ku në Devoll u nënshkrua një nga traktatet më të famshme të botës së atëhershme, midis bazileusit Aleks I-rë dhe Bohemondit; gjatë kohës së anzhuinëve të Charles I d’Anjou, që u bë dhe mbret i fisnikëve të mëdhenj shqiptarë, por dhe më pas në kohën e Skënderbeut, e më pas. Në kohën kur Roma ishte forca më e famshme ushtarake e botës, dy strategë të mëdhenj zbarkuan në trojet shqiptare: Cezari dhe Pompeu.

Dhjetë vjet më parë se këta dy njerëz të mëdhenj të gjendeshin përballë tyre në tokën e Dyrrahium-it, një nga figurat e tjera të ndritura, i madhi Ciceron (Marcus Tullins Ciceron) kishte gjetur strehë në Durrës. Në vitin 58 p.e.sonë, ai e kishte lënë me shpejtësi Romën nga frika se mund ta vrisnin njerëzit e Cezarit, meqë ai, duke mbrojtur Senatin romak, si pushtetin më të lartë dhe vendim-marrës, ai e kishte kundërshtuar atë. Kështu Ciceroni kishte lënë familjen e tij dhe fshehurazi kishte gjetur azil në Durrës, në qytetin e ndritur dhe të begatë, ku siç i shkruan në një letër mikut të tij Atticus, në Romë, «unë erdha në Durrahium sepse është një qytet i lirë. Banorët këtu janë të devotshëm ndaj meje». Po atë ditë, pra më 25 nëntor të vitit 58 p.e.sonë, Ciceroni i shkruante një letër të dytë mikut të tij, duke qarë hallin e familjes së tij që ishte detyruar ta linte jashtë Romës: «Më vjen keq që gruaja dhe familja po vuajnë për hirin tim dhe se nuk duhet të bijen me dëshpërim…». Edhe pse Cezari donte ta bënte Ciceronin për vete, duke i propozuar ta dërgonte si «delegat» (ambasador) diku, Ciceroni nuk kishte pranuar. Ai nuk donte që pushteti i Romës të binte vetëm në dorën e një njeriu. Në Durrës ai ndjehej i sigurtë, siç e shkruan dhe në një letër tjetër dërguar mikut të tij Aristokriti, duke i theksuar se «Këtu në Durrës ndjehem i sigurtë, sepse ky qytet më ka parë si një mbrojtës të tij».

Durrësi në këtë epokë është një nga pikat më të rrahura të Europës dhe Ballkanit. Pikërisht drejt Durrësi zgjatej përmes detit e famëshmja Via Appia që nisej nga Roma. Në Durrës niste vazhdimi i saj, rruga e kalldrëmtë e me pllaka të mëdha guri që quhej Via Egnatia, e cila përshkonte mespërmes Shqipërinë drejt Maqedonisë për tu ngjitur pastaj drejt Konstantinopojës, duke u zgjatur pastaj drejt Orientit të largët. Ishte padyshim koha e artë e këtij qyteti, e amfiteatrove, odeonëve, termave publike dhe afreskave të mrekullueshme, qytet i artit dhe i kulturës në kulmet e veta, siç dëshmohet sot nga zbulimet arkeologjike jo vetëm në Durrës, Apolloni, Orikum por dhe në qytezat e tjera antike. Kjo ishte gjithashtu dhe koha historisë me «H» të madhe, kohë e bëmave të mëdha. Një vit më vonë, pra në vitin 57, kur Senati votoi që Ciceroni të kthehej në Romë dhe Cezari nuk mund ta luftonte, ndarja e Ciceronit me qytetin dhe prijësit e tij ishte prekëse. Ai do të merrte anijen dhe nga zbritja e tij në Brindizi, gjer në Romë, në të gjitha qytetet që do të kalonte ai do të pritej me brohorima si një triumfator.

—————–

Marshi i Cezarit

——————-

Dhjetë vjet më vonë ngjarjet do të ndryshonin. Pas fitoreve të njëpasnjëshme kundër frankëve në veri të Europës, Cezari u bë po aq legjendar sa dhe prijësi tjetër luftarak i ushtrive të Romës, Pompeu. Ndërsa njëri kthehej nga Perëndimi, tjetri vazhdonte intrigat me senatin romak duke dënuar Cezarin dhe kërkuar që ai të gjykohej sapo të vinte këmbën në Romë. Por Cezari nuk e shpërndau ushtrinë e tij siç kërkonte senati dhe po marshonte drejt Romës, kur ndërkohë e njoftuan se Pompeu e kishte lënë Romën e ushtrinë e tij, nga frika e një ndeshjeje të pärgjakëshme. Atëherë Cezari, i shoqëruar nga Mark Antoni, pa hyrë në Romë, kërkoi të ndiqte Pompeun, por ku arriti në Brindizi, Pompeu dhe ushtria e tij kishin ikur me anije drejt Ilirisë, Orikumit. Krahas tij, dhe armiku i betuar i Cezarit Calpurnius Bibulus, me 500-600 anije, ishte drejtuar drejt Durrësit. Imagjinoni një çast këtë armadë të madhe prej qindra anijesh, ku qielli mbi Adriatik do ketë qenë nxirrë si asnjëherë tjetër në historinë dy mijëvjeçare të këtyre brigjeve. Kur më 28 nëntor të vitit 49 p.e.sonë, Pompeu zbarkonte në Oricum, qyteti, si dhe qytetet e tjera të Epirit do t’i dorëzoheshin pa luftë. Në Brindizi, Cezari po ndërtonte anije të reja për të nisur sulmin në Iliri kundër Pompeut. Roma nuk mund të drejtohej tashmë nga dy konsuj por vetëm nga një. Ushtria e Pompeut, prej 50 mijë ushtarësh, të organizuar në 6 legjione të mëdha, do të shkonin gjer në Verria (pranë Kosturit) dhe do të ktheheshin drejt Durrësit për tu bashkuar me trupat e komandantit dhe besnikut të tij Bibulus, i cili kishte ngritur shtabin ushtarak në Durrës.

Këtë përshkrim na e japin librat e kohës si dhe një jetëshkrim për Jul Cezarin nga historiani francez Robert Etienne në librin e tij Jules César. Ndërkohë që anijet e Bibulus vigjëlonin në brigjet shqiptare për një sulm të mundshëm të Cezarit, ushtria e rëndë e Pompeut i afrohej Durrësit që shumë shpejt do të kthehej në një fushëbetejë të madhe. Dhe ja, nuk vonoi, anijet e para të Cezarit do të dukeshin pranë brigjeve shqiptare, por duke qënë më të shumta në numur, anijet e Bibulus do ti shkatërronin ato. Një pjesë e anijeve të Cezarit, të komanduara nga Marcus Antonius (Mark Antoni), pas një deti të tmerrshëm, do të mund të zbarkonin në Shëngjin. Por Cezari, edhe pse me një betejë të parë të humbur, nuk do ta humbte besimin në forcat dhe strategjinë e tij. Kësaj rradhe, duke mbledhur anije më të shumta, ai do të mund të zbarkonte në brigjet e Adriatikut, jo larg Apollonisë. Kur Cezari zbarkon në tokën shqiptare ai nuk ndodhet shumë larg nga formacionet luftarake të Pompeut. Në librin César, të historianit tjetër francez Christian Meier, shkruhet se për vështirësitë ekonomike taktikën e tij, Cezarit i propozon Pompeut të bëjnë paqe dhe ai ta shpërndajë ushtrinë e tij. Në pranverë, përfaqësuesi i tij Publius Vatinius kishte shkuar në kampin e Pompeut pranë Durrësit dhe ishte takuar me përfaqësuesin e tij Labienus, për ti propozuar paqen, por Pompeu s’kishte dënjuar të dëgjonte për këtë kërkesë. Ndërkohë që Labienus i thoshte përfaqësuesit tjetër se «Ne do të bëjmë paqe kur ju të sillni kokën e Cezarit», pikërisht atëherë trupat e Pompeut kishin sulmuar mbi kampin e Cezarit. Tashmë ishte vendosur përfundimisht: duhej luftuar. Çdo të ndodhte më tej?…Në fakt, Pompeu disa herë tentoi të sulmonte, por ai gjithnjë mendonte se një gabim ndaj Cezarit mund ti kushtonte shtrenjtë. Prandaj ai mendoi se më mirë, do të ishte që ai ta detyronte atë të nënshtrohej përmes urisë. Ja pse ai vendosi të kontrollonte brigjet e detit Adriatik që asnjë ndihmë ushqimore mos ti vinte ushtrisë së tij.

Ndërkohë, Cezari priste me padurim trupa të freskëta që ti vinin nga Brindizi. Ai e dinte se me aq ushtarë vështirë se do të mund ta shpartallonte armikun e tij. Mark Antoni nuk po dukej ende dhe duke dyshuar tek ai, i veshur si skllav, me një anije të vogël dhe disa besnikë të tij ai u nis drejt Brindizit. Legjenda apo historia tregon se kur ishte në mes të detit dhe anijen e kishte zënë furtuna, ai që drejtonte anijen donte të kthehej, por Cezari i kishte ndërhyrë «Ke frikë? A nuk e di se ti ke në anije vetë Cezarin dhe fatin tënd?!». Por siç thonë romakët «Fortes fortuna adjuvat», pra «të fortët i ndih fati». Pasi organizoi trupa të freskëta në Brindizi, Cezari u kthye sërrish në prill të vitit 48 p.e.sonë me 11 legjione dhe 1500 kalorës. Megjithatë, ushtria e Pompeut ishte gati dy here më e madhe. Pikërisht në këtë kohë, Cezari tentoi një ndërmarrje të rrezikshme. Duke shfrytëzuar natën dhe duke bërë një inkursion pas shpinës së kampit të Pompeut, ai arriti që me pak forca ta ndajë Pompeun nga qyteti i Durrësit, ku ai kishte gjithë rezervat luftarake dhe ushqimore. Atëherë trupat e Pompeut u ngjitën në kodër, me shpresë që nga deti tu vinin ndihma. Dhe meqë s’kishte me grurë, legjionaret romake filluan nga plaçkitjet e fshatrave përreth. Në kushte dëshpëruese, Cezari mendoi atëherë një taktikë akoma me të guximëshme: ai sulmoi dhe pushtoi shumë kodrina të vogla rreth Pompeut dhe kampit të tij. Duke e rrethuar, tashmë Cezari mendoi ti japë një goditje përfundimtare. Gjenerali i famshëm romak, i njohur për përdorimin e tij të shpatës, tashmë ishte i rrethuar nga një ushtri më e vogël se e tij. Gjendja në kampin e Pompeut është dëshpëruese: mijra të vrarë dhe kufoma kuajsh tëdergjur në tokë. Puset kanë shteruar. Cezari i ka prerë të gjitha rrjedhat e ujrave nga mund të furnizoheshin. Qyteti i Durrësit vuante nga uria. Ndërkohë Pompeu tentoi disa herë të çajë rrethimin. Nuk kaluan shumë ditë (jemi në maj-qershor të vitit 48 p.e.sonë), kur dy frankë (që Cezari i kishte marrë me vete në kohën e fushatës në tokën e frankëve), kishin kaluar në anën e armikut dhe i treguan Pompeut mbi gjendjen e forcave të Cezarit, mënyrën se si luftonte ai, si dhe pikat më të dobëta të pozicioneve të tij. Pikërisht atëherë, Pompeu organizoi një kundërsulm me 36 mijë ushtarë që do sulmonin në pikën më të dobët të Cezarit. Dhe ashtu do të ndodhte. Përballë këtij sulmi të befasishëm, ushtarët e Cezarit filluan të shpëndahen dhe Pompeu i ndoqi ata gjer afër shtabit ku ndodhej Cezari. Por ndërkohë Mark Antoni me legjionet e tij do të mund ta ndalte furinë e Pompeut me kalorësinë e tij.

Sidoqoftë rrethimi ishte çarë. Cezarit i duhej të bënte fortifikime të reja. Në një sulm që bëri për të mbyllur rrethimin, Cezari do të linte në fushën e betejës 900 ushtarë dhe 200 kalorës. Toka përreth Durrësit vinte erë veçse kufoma. Gjendja ishte dëshpëruese. Ushtarët ishin të lodhur. Shumica vuanin nga sëmundjet e moçaleve përreth. Në kampin e Pompeut festohej fitorja. Tashmë Cezari e kishte vendosur shtabin e tij në Apolloni. Ai kërkonte të fitonte kohë dhe që të plagosurit të mjekonin plagët. Por tashmë mendonte ti ndryshonte planet e tij. Duhej ta tërhiqte kundërshtarin e tij në thellësi të maleve. Ky do të ishte dhe fundi i përballjes midis këtyre të dy gjeneralëve të mëdhenj të Romës. Pak kohë më vonë, Cezari do të ngrinte kampin, duke marrë drejt Via Egnatia-s për në Thesali. Trupat e tij linin pas një shkatërrim të madh, çka do të vihej re në qytetin e Apollonisë, dhe në rrethinat e kësaj fushëbeteje. Pas largimit të Cezarit, do të largohej nga Shqipëria dhe Pompeu. Ai do të shkonte drejt Orientit përmes Maqedonisë. Dy ushtritë do të përballen më së fundi në Farsale në 9 gusht të vitit 48 p.e.sonë. Pompeu kishte një ushtri prej 47 mijë ushtarësh, ndërsa Cezari 22 mijë. Kavaleria e Pompeut ishte 7 herë më e madhe se ajo e Cezarit. Por pikërisht ai që do të sulmonte, do të ishte Cezari. Lufta ishte e përgjakëshme. Të nesërmen, pjesa tjetër e ushtrisë së Pompeut në Farsale të Maqedonisë u dorëzua. Cezari e ndoqi Pompeun gjer tutje, drejt Aleksandrisë. Por kur mbriti në atë qytet, ku do të njihej dhe me Kleopatrën, e njoftuan se Pompeun e kishin vrarë. Nga Aleksandria, ai do ti shkruante Senatit romak: “Ja, tani, unë jam zot i Efezit, zot i Egjiptit, “diktator” i Romës dhe zot i botës!”

Do të kalonin vite dhe pas kulmit të pushtetit të tij, kur Romën e bëri akoma më të fuqishme, duke lënë pas vetes shprehjen e famshme “Veni, vidi, vinci” (Erdha, pashë fitova!), pikërisht kur ylli i tij po venitej dhe Jul Cezar ishte një plak që po linte politikën, në ato momente ai do të vritej me thika nga senatorët remake ku goditjen e fundit ia dha senatori Marcu Junius Brutus, biri i të dashurës së dikurshme të tij…”Edhe ti Brutus?”… – do të ishin fjalët e fundit të tij.

———————–

“Edhe ti Brutus?”

———————

E habitshme, por jo shumë shqiptarë e dinë se ai që vrau Cezarin, disa vite i ka kaluar në Durrës dhe Apolloni. Dhe jo vetëm ai, por dhe figura të tjera romakësh të mëdhenj. Interesante janë të dhënat e një prej studjuesve më të njohur të epokës romake, shkrimtares australiane Collen Mc Cullugh, autore e shumë librave të kësaj kohe, mes të cilave Cesar et Cléopatre. Ajo shkruan për Mark Antonin e Brutus dhe itineraret e tyre që i çojnë drejt Apollonisë. Pas vrasjes së Cezarit, Mark Antoni e kishte ndjekur Brutus-in drejt jugut të Italisë, nga ku ai kishte zbritur me një trupë të vogël dhe që andej ishte hedhur në Durrës. Kur erdhi në Durrës, Mark Brutus e vendosi kampin e tij ushtarak pikërisht në fortifikimet që kishte ngritur më pare Pompeu gjatë rrethimit të tij nga Cezari. Në Petra (midis Durrësit dhe Apollonisë), ishte ndërkohë kampi ushtarak i Publius Vatinius dhe nuk vonoi që ai t’ia mbathte për në veri të Ilirisë, me sa duket drejt bregut dalmat. Disa legjionarë e njoftuan Brutus-in për këtë. Trupat e lëna nga Vatinius u bashkuan me të duke formuar kështu një ushtri prej 3 legjionesh. Duke e ndjerë veten të fuqishëm, Brutus i shkroi bankierit të njohur Caius Flavius Hemicillus, atij që në kohën e Pompeut kishte qënë “praefectus fabrum”, që ta financonte në luftën e tij për tu kthyer përsëri në pushtet në Romë. Në pritje, Brutus shkoi në Apolloni, ku në atë kohë qëndronte si guvernator Caius Antonius. Por kur Leutulus Spinther, meqë urrente Mark Antonin, paratë e mbledhura si taksa në Siri ia dha Brutus-it dhe jo Mark Antonit, shumë shpejt Brutus do të shtinte në dorë jo vetëm trojet Ilirike, por dhe Kretën e Cirinajkën. Çuditërisht, me të u bashkuan dhe Epiri, Greqia dhe Thraka perëndimore. Meqë Ciceroni kishte djalin e tij ushtar në trupat e Brutus, i shkroi atij që të kthehej në Romë për tu ngjitur në pushtet, por ai preferoi të ruajë nën kontroll “Via Egnatia”-n. Pikërisht në këtë kohë, një letër që i erdhi nga Roma, nga nëna e tij Servilia, e njoftoi për vdekjen e gruas së tij Porcia. E dëshpëruar, ajo kishte refuzuar të hante. Njerëzit e familjes e kishin lidhur pas një karrige për ta ushqyer me zor. Por një ditë ajo kishte ngrënë thëngjij të ndezur dhe kishte vdekur. Një vdekje e tmerrshme.

Pasi u kthye në Apolloni, ku kishte vendosur një legjion të tij, më së fundi ai mendoi fillimisht të merrte rrugën drejt Romës. Por i dëshpëruar siç ishte, a ii kërkoi shokut të tij Straton, me të cilin dikur kishte studjuar retorikën që të vriste. Dhe ishte vrarë nga shpata e tij.

Ngjarje të tilla që lidhen me trojet shqiptare janë të shumta në historinë tonë dhe sigurisht është mirë që ato të gjejnë sërrish gjëmimet, ehot dhe hiret e tyre të dikurshme në letërsinë tone të re.

—–

(imazht jane marre nga filmi i Stan Bean, “Roman Empire – Reign of Bloed”)

Filed Under: Opinion

“Lulet e pjeshkës”, rrëfime jetë në luginën e vdekjes…

August 3, 2024 by s p

Sokol Paja/

Kontributi në artin dhe letrat shqipe i shkrimtarëve, artistëve, intelektualëve, klerikëve e qëndrestarëve antikomunistë mbetet fenomenal jo vetëm në pasurimin e letërsisë shqipe por dhe në ndriçimin e të vërtetave historike duke pasuruar memorien e shoqërisë shqiptare e duke ekspozuar krimet dhe barbaritë e komunistëve mbi shqiptarët e pafajshëm. Veprat e At Zef Pllumit, Dom Simon Jubanit, Visar Zhitit, Maks Velos, Amik Kasoruhos, Agim Mustës, Fatos Lubonjës, Spartak Ngjelës, Bedri Blloshmit, Lekë Tasit dhe së fundi e Hasan Bajos e shumë ish të përndjekurve të regjimit diktatorial në Shqipëri, përveç se kryevepra të letërsisë e historisë janë shndërruar në regjistrin më të saktë të kohës së ferrit e të tmerrit që përjetuan shqiptarët përgjatë 5 dekadave diktaturë. Romani “Lulet e pjeshkës” i autorit Hasan Bajo është një kontribut me shumë vlerë jo vetëm në letërsinë moderne shqiptare por edhe në kolanën e veçantë të letrave shqipe “burgologjinë” e denoncimit të krimeve të regjimit komunist në Shqipëri. Rrëfimet e Hasan Bajos, përshkrime estetike dhe detajiste të përkryera skanojnë diktaturën komuniste, shtypësit, të shtypurit, mekanizmat e instalimit të diktaturës, rrjetin funksional të sistemit bolshevik, aparatin e dhunës e torturës dhe përshkruan me detaje tipologjinë e botës shpirtërore të xhelatëve dhe viktimave të pafajshëm. Regjimi i “kostumhirësve këmbëmëdhenj” në vitin 1977 e arrestuan dhe e dënuan Hasan Bajon padrejtësisht me dhjetë vjet heqje lirie për agjitacion dhe propagandë dënim të cilin e vuajti në burgun e tmerrshëm të Spaçit dhe të Qafë-Barit si qëndra persekutimi, vuajtje e torture për kundërshtarët e regjimit stalinist.

Hasan Bajo në librin e tij “Lulet e pjeshkës” tregon me detaje ashpërsinë dhe fatalitetin e dënimeve dhe ekzekutimeve të shqiptarëve të pafajshëm: Ekzekutimet bëhen befas, pas mesnate. I dënuari, duke qenë i lidhur, për më tepër në pritje të vdekjes, as që mendohet se mund të flejë. Çdo zhurmë e ardhur nga jashtë i thotë se janë xhelatët që vijnë për ta marrë. Prandaj, më të shumtët prej tyre mpihen, madje ka edhe momente kur vetë i dënuari, duke mos mundur t’i bëjë ballë një torture të tillë, lutet ta marrin sa më parë. Në raste të tjera, në ndonjë krizë çmendurie, përpiqet edhe të vetëvritet, rrëfen dhimbshëm në romanin e tij Hasan Bajo. Libri përbëhet në këto pjesë: “Parullat”, “Profesori i historisë”, “Kopjimi i detyrave”, “Profesor Osmani arrestohet”, “Më kërkojnë në drejtori”, “Kitara elektrike”, “Ëndrra”, “Petraqi”, “Adriana”, “Vera Riesling”, “Xhaxha Qamili”, “Ndihem i padëshiruar”, “Ankth”, “Nisja për në Tiranë”, “Me babanë”, “Arrestimi”, “Orët e para në hetuesi”, “Ditë dhe netë dimri në qeli”, “Tri cigaret DS”, “Edhe në qeli ndodh të gëzohesh”, dhe “Natë prilli me hënë”.

Nëpërmjet dialogut, monologut, panoramës së zymtë të birucave e hetuesisë, dilemave ekzistenciale, ankthit, panikut, frikës, humbjes së shpresës, mosdorëzimit, autori Bajo i ofron lexuesit një testament të vuajtjeve e dinjitetit të njerëzve të ndershëm në raport me mizorët e të pashpirtët që masakronin njerëz në emër të diktaturës së proletariatit. Individë të pafajshëm përgjatë regjimit komunist të afro 5 dekadave në Shqipëri përjetuan tortura çnjerëzore, dhunë fizike e shpirtërore por qëndruan dinjitozë në dhimbje e në vuajtje ashtu si Hasan Bajo dhe nuk “firmosën” për të fundosur askënd por mbajtën mbi kurriz barrën e tyre të padrejtë. Si qëndrestar i regjimit komunist, Hasan Bajo edhe si kronikan dhe si individ ka meritën se edhe pse “dinte të vdiste” ai buzëqeshi i lumturuar dhe nuk u shndërrua në antihero kur koha kërkonte heronj. Rrëfimet e Hasan Bajos janë rrëfime jete në luginën e vdekjes, janë rrëfime shprese, rrëfime dinjitoze e të dinjitetshme për shqiptarë patriotë që pranuan çdo persekutim e padrejtësi duke mbetur në fund të fundit NJERI.

Filed Under: Opinion

Pse duhet të dënohen krimet e komunizmit

August 2, 2024 by s p

Prof. Milazim Krasniqi/

Si duhet të dënohen krimet e komunizmit

Sa u përket standardeve dhe procedurave të dënimit të krimeve të komunizmit, ato duhet të jenë të pajtueshme me standardet dhe procedurat që janë ndjekur në ish shtetet komuniste të Evropës Qendrore e Lindore, të cilat tashmë janë shtete mirëfilli demokratike. Procedurat politike dhe ligjore që kanë përdorur Çekia, Hungaria, Polonia dhe Gjermania (për ish Gjermaninë Demokratike) duhet të studiohen e të mirren ato standarde që i përshtaten më shumë përvojës sonë me krimet e komunizmit dhe gjendjes specifike të shoqërisë sonë, si shoqëri e dalë jo vetëm nga regjimi komunist, po edhe nga okupimi dhe nga një luftë me elemente tipike të spastrimti etnik dhe të gjenocidit. Mund të mirren modelet me të buta, mjafton që ato modele t’i adresojnë në mënyrën e duhur krimet e komunizmit dhe të krijojnë premisat për rehabilitimin e viktimave dhe për pajtimin e shoqërisë. Nga ky aspekt shoqëria jonë, para se të fokusohet në një proces pajtimi ndërmjet shqiptarëve e serbëve, për armiqësitë e luftës së fundit (1998/1999) duhet ta lëvizë përpara procesin e pajtimit për periudhën e komunizmit. Pa u kryer procesi i dënimit të krimeve të komunizmit dhe rehabilitimi i viktimave të tij, pajtimi ndërmjet shqiptarëve e serbëve pas luftës së fundit (1998/1999) është i parealizueshëm, sepse krimet e komunizmit e kanë përgatitur edhe ambientin për gjenocidin e viteve 1998/1999. Me dënimin e krimeve të komunizmit, i cili filloi me gjenocid kundër shqiptarëve (1945) dhe përfundoi me genocid (1998/1999) lehtësohet edhe procesi i pajtimit ndëretnik, sepse një pjesë e kriminelëve e marrin dënimin në këtë proces, gjë që mund ta lehtësojë pastaj procesin e pajtimit shqiptaro-serb.

Dënimi i krimeve të komunizzmit gjithsesi parakupton që në këtë proces përjashtohet revanshi, hakmarrja. Dënimet e tyre nuk duhet të penalizojnë me asgjë pasardhësit. Kjo është shumë me rëndësi, sepse pa ua hequr ndjenjën e frikës pasardhësve të kriminelëve komunistë, do të jetë e vështirë të krijohet ambient i përshtatshëm politik e shoqëror, për ta shtyrë përpara këtë proces. Pasardhësit e jo pak komunistëve që kanë kryer krime, nga frika e revanshit dhe e hakmarrjes, ka rrezik që tashmë janë barrikaduar në istikame, për të mbrojtur veten e tyre, duke mbrojtur krimet e baballarëve e gjyshërve të tyre.

Komunizmi ka mbetur si mumia e Leninit në sheshin e Moskës – kufomë e pavarrosur, e cila provokon kërshërinë e shikuesve, por shumë më shumë ngjallë neverinë dhe tmerrin e tyre. Edhe bartësit e krimeve në emër të komunizmit ndër shqiptarë, në histori tashmë janë si mumia e Leninit. Ata kurrë nuk do të mund të vlerësohen si heronj, sepse kanë qenë thjesht kriminelë. Si të tillë duhet të trajtohen gjithkund, edhe në Kosovë.

PKJ ishte organizatë kriminale, Tito ishte njëri nga kriminelët më monsturozë të shekullit XX

Krimet e kryera nga regjimet komuniste janë të llahtarshme në përgjithësi. Edhe krimet e kryera në ish Jugosllavi, nga regjimi komunist dhe të urdhëruara nga lideri komunist Josip Broz Tito, janë të lemerishme. Josip Broz Tito, si lideri absolut i regjimit komunist (kryeministër 1945-1953) president shteti (1953-1980) kryetar i Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë, komandant supreme i Forcave të Armatosura deri sa vdiq në vitin 1980) llogaritet krimineli i 13, në rangimin e kriminelëve më të mëdhenj komunist të shekullit XX, pas Stalinit, Mao Ce Dunit, Leninit dhe Pol Potit. Sipas disa përllogaritjeve që janë bërë deri sot, por që nuk janë definitive, gjatë regjimit komunist jugosllav, të drejtuar nga Josip Broz Tito, në ish Jugosllavi janë vrarë, ose kanë vdekur nga ekspozimi kushteve çnjerëzore (në kampe, nga shpronësimi, etj.) 1.17 milionë njerëz! Vrasjet e këtyre njerëzve në gjithë hapësirat e ish federatës jugosllave, pra edhe në Kosovë e në viset e tjera shqiptare, janë realizuar me urdhëra politikë nga kreu i Partisë Komuniste të Jugosllavisë, i ka zbatuar armata jugosllave dhe agjencitë sekrete (OZN-a, UDB-a, VOS, KOS, etj.) E sigurt është që edhe gjatë kohës sa vazhdonte lufta antifashiste e veçmas pas fitores së komunistëve, vrasjet janë bërë si pjesë e politikave të planifikuara me detaje, për shkatërrimin e kundërshtarëve, madje edhe të atyre që ishin antifashistë por nuk ishin komunistë. Qëllimi final ishte marrja e pushtetit me dhunë. Pra, ka qenë politikë e planifikuar dhe e kontrolluar me detaje nga kreu politikë. Të gjitha listat e hartuara të personave që janë torturuar e vrarë, e që u janë marrë pronat, janë miratuar në organet ekzekutive partiake e të sigurisë. Vitet e fundit në Kroaci, Slloveni po pjesërisht edhe në Serbi, kanë filluar të publikohen dokumente që hedhin dritë mbi këto politika kriminale e gjenocidale te Partisë Komuniste të Jugosllavisë dhe të Titos e të krerëve të tjerë komunistë jugosllav. Tashmë janë publikuar jo pak direktiva, urdhëra, depesha, vendime gjykatash, që dëshmojnë se krimet janë kryer me paramendim, sipas planifikimeve politike të Partisë Komuniste të Jugosllavisë dhe urdhërave direkte të udhëheqjes së saj. Për shembull, personi i quajtur Mirosllav Haramija, i cili kishte shërbyer si inspektor sanitar, për të penguar epidemitë në zonat kroate ku kryheshin masakrat, kishte lënë më vonë këtë dëshmi tronditëse: “Viktimat ishin tmerrësisht të gjymtuara. Vendpushkatimet ishin përplot trupa njerëzish të copëtuar e të masakruar. Kokat u ishin prerë, ose u ishin copëtuar e sopata, shumëve u ishte prerë gabzherri, u ishin prerë organet gjenitale dhe gjinjtë. Shumicës së viktimave u janë nxjerrë organet e brendshme, kryesisht zemra, mëlqia dhe moitra, deri sa ishin ende gjallë.” Këso krimesh nuk janë bërë vetëm në Kroaci, po edhe në Slloveni, në Bosnjë e Hercegovinë, në Vojvodinë e në Kosovë, po nuk përjashtohet që kanë ndodhur edhe në në Mal të Zi, në Maqedoni e madje edhe në Serbi. Edhe pse pas marrjes së pushtetit me dhunë, regjimi komunist, nuk ka pasur opozitë të organizuar, prapë se prapë ka vazhduar likuidimet dhe vrasjet masive të kundërshtarëve realë po edhe të atyre fiktivë. Goli Otoku ka qenë vetëm vazhdim i asaj politike kriminale të ushtruar nga regjimi komunist i Titos dhe kamarilës së tij, anekënd Jugosllavisë, pra edhe në Kosovë, që nga viti 1944.

Krimet e komunizmit duhet të dënohen edhe për një fakt tjetër: regjimi komunist jugosllav me Titon në krye, bënë tradhti edhe ndaj aleatëve perëndimorë, Britanisë së Madhe dhe SHBA-ve, sepse me shkatërrimin e kundërshtarëve ideologjikë, edhe të antifashisëtve, ata nuk lanë mundësi që të kishte zgjedhje të drejta e të lira pas luftës. Ata e futën shtetin në vathën e Stalinit, duke ia kundërënë për shumë kohë Perëndimit.

Me çfarë metodash i kryen komunistët jugosllavë krimet e tyre

Tipologjia e metodave dhe mjeteve me të cilat regjimi komunist jugosllav ka kryer krimet, dëshmon se PKJ ishte një organizatë kriminale dhe strukturat e saj shtetërore poashtu ishin struktura kriminale. Edhe ushtria jugosllave e udhëhequr nga kreu komunist mori që nga fillimi tiparet e një organizate tipike terroriste, për çka ka dëshmi të shumta. Ndërsa, agjencitë që u krijuan prej PKJ që nga viti 1944 (OZN-a), 1946 (UDB-a, VOS- KOS) ishin që nga fillimi të strukturuara si organizata terroriste, për likuidim të kundërshtarëve, vrasje në masë, plaçkitje, terror. Kaq shumë ishte krimi komunist i legjitimuar, saqë komunistët jugosllav e kanë përjetësuar edhe në shtypin e vet, duke treguar metodat që përdoreshin për shkatërrimin e ”armiqve të popullit.” Këto ishin metodat që përdoreshin për likuidimin e njerërzve, ku shumica absolute faji e vetëm e kishin që nuk ishin komunistë:

1. Ekzekutim me plumb në qafë

2. Copëtim në katër pjesë

3. copëtim pjesë-pjesë të gjymtyrëve

4. shqyerje me qerre

5. nxjerrja e syve dhe detyrimi i të dënuarit që t’i hajë sytë e vet të saponxjerrë

6. djegie me hekur të skuqur

7. futja e duarve dhe këmbëve të të dënuarit në ujë të valë

8. prerje me sharrë

9. ngulja në hu

10. tredhja e meshkujve

11. varrosja e njerëzve për së gjalli

12. hedhja e njerëzve të gjallë në shpella (humnera)

13. vrasje me tokmak.

Një anëtar i OZN-as, shumë vitë më vonë, ka dhënë edhe këtë dëshmi: “Kishte raste kur në burg u dredhej qafa, u thyheshin këmbët, goditeshin me tyta pushkës në brinjë dhe me kondak në shpatulla, rraheshin me gjithfarë mjetesh, u nxirreshin dhëmbët, u bëhej shoku elektrik, dërrmoheshin me uri. Pas këtyre torturave, ata njerëz i dërgonin në vendpushkatime, të gjymtuar nga torturat dhe elektriciteti, me sy të nxjerrë e të ngjashme.”

”Vetë Aleksandër Rankoviqi, sipas gazetës “Politika”, në një raport të praqitur në Kuvendin e Beogradit, më vitin 1951 deklaronte : “Nëpër burgje tona në vitet 1945-1951 kanë kaluar 3.777.776 të burgosur, ndërsa i likuiduam 586.000 armiq të popullit.” Në mesin e atyre të burgosurve dhe atyre të vrarëve/të masakruarve, ka pasur edhe me mijëra shqiptarë, që nga ata që u dërguan për t’u likuiduar në Tivar, ata që i zhdukën në frontet e Sremit, ata që i vranë në luftë kundër Shaban Polluzhës e kundër LNDSH, ONDSH-së e me mijëra të tjerë që thjesht i morën nga shtëpitë e tyre dhe i vranë pa gjyq.

Për ata mijëra shqiptarë të masakruar e të vrarë nga armata jugosllave, nga OZN-a, UDB-a e KOS më vonë, udhëheqësit komunistë shqiptarë të Kosovës, minimalisht bartin përgjegjësi objektive. Ata kanë qenë në pozita drejtuese, ndërsa i kanë mbyll sytë para terrorit që ushtrohej mbi bashkëkombasit e tyre. Fatkeqësisht, shumë prej tyre kanë marrë pjesë aktivisht dhe me entuziazëm revolucionar në ato masakra dhe vrasje masive.

Fjala vjen, Fadil Hoxha personalisht ka urdhëruar fillimin e goditjes së vullnetarëve të Shaban Pollluzhës, në cilësinë e komandantit të Shtabit Operativ të Kosovës. Në urdhërin e Fadil Hoxhës theksohej që armikut “t’i shkaktohen sa më shumë viktima”, pra urdhërohej që të vriteshin sa më shumë shqiptarë. Për këso arsyesh, vërtet, pa një proces të gjerë kurrë nuk do të mirret vesh e vërteta për krimet e komunizmit edhe ne Kosovë. Nëse nga viti 1945 deri në vitin 1951 në ish Jugosllavi janë burgosur 3.777.776 të burgosur, ndërsa janë vrarë 586.000 “armiq të popullit”, sikundër e pranonte publikisht Rankoviqi, nuk ka të dhëna eksplicite se sa janë burgosur e sa janë vrarë deri në vitin 1966, kur shkarkohet nga posti Aleksander Rankoviqi. Por, me siguri janë edhe shumë. Dhe aq më pak dihet se sa janë vrarë, sa janë burgosur e sa janë dëbuar me dhunë nga Kosova. Dhe ajo që është e hidhur edhe më shumë, janë me mijëra shqiptarë, që janë të zhdukur dhe kurrë nuk u janë gjetur eshtrat deri sot. Metoda e zhdukjes së kufomave është aplikuar masivisht nga kriminelët komunistë jugosllav. Kjo metodë çnjerëzore është përdorë edhe nga fashistët serbë në luftërat e fundit në ish Jugosllavi. Është përdorur gjerësisht edhe në Kosovë.

Dekontaminimi i artit dhe dijes nga fantazmat komuniste

Deri sa po hulumtoja për shkallën e kontaminimit të artit tonë me figurat e komunizmit jugosllav, që nga Titoja, Rankoviqi e deri te Fadil Hoxha, hasa edhe në një këngë, (“Ti moj çikë cucë Malsie”) të cilën e interpretojnë Hamidja (në një vend etiketohet si Hamide magjupja) dhe Bajrush Doda. Vargu i këngës së famshme “Me Enver Hoxhën zemër çelik,” ishte zëvendësuar “me Fadil Hoxhën zemërçelik”. Fatkeqësisht, përjetimi i këtyre figurave si supermenë, ende është aktiv. Prandaj edhe dalin kërkesa si ajo e akademikëve të ASHAK-ës që i bashkohen mendimit të Hamide magjupes për Fadil Hoxhën. Akademikët tanë menduakan se Fadil Hoxha duhet të nderohet me çmimin “Nderi i Kombit”, ngase paskësh qenë “zemërçelik”, ndërsa ai dhe shokët e tij kanë qenë zemërhekur ndaj bashkëkombasve të vet e si pulat e lagura para urdhërave antishqiptare të Titos, Rankoviqit, Dërleviqit, Popoviqit, Mugoshës, Gjakoviqit e kriminelëve të tjerë. Fatkeqësisht, ka këngë glorifikuese edhe për Titon, madje edhe për Rankoviqin!

Ndoshta kontributi i duhur i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës në këtë fazë dhe në këtë temë do të duhej të ishte studimi i këtij arti pervers, ku ne shqiptarët e shkretë, jemi detyruar t’i madhërojnë edhe në këngë vrasësit tanë. Ndërsa, Universiteti i Prishtinës, do të duhej të inkuadrohej në një proces të gjerë dekontaminimi nga mbeturinat ideologjike jugokomuniste, për fillim duke tërhequr mbrapshtë titullin “doctor honoris causa” që u pati dhënë Josip Broz Titos e më duket edhe Fadil Hoxhës.

Filed Under: Opinion

Libri “Komiteti Kombëtar Shqipëria e Lirë” si testament historik i mërgatës politike shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës

August 1, 2024 by s p

Sokol Paja/

Mërgata shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës historikisht ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në shërbim të kombit, komunitetit shqiptar e çështjes kombëtare në tërësi. Mërgata politike antikomuniste shqiptare në Amerikë ka pasur një rol specifik në ndërkombëtarizimin e çështjes kombëtare, luftën ndaj regjimit komunist në Shqipëri, ndërgjegjësimin e shqiptarëve të mërguar e institucioneve amerikane mbi krimet e komunizmit në Shqipëri dhe luftën e jashtëzakonshme për shëmbjen e diktaturës e demokratizimin e Shqipërisë. Organizimi politik i mërgatës paraqet ndër format më klasike të veprimtarisë së shqiptarëve të mërguar nacionalistë të cilët sakrifikuan gjithçka për Shqipërinë e lirë e demokratike. Veprimtaria politike dhe mediatike e shqiptarëve të Amerikës qëndron në piedestalin e vlerave më të larta atdhetare, komunitare e kombëtare. Studiuesi Idriz Lamaj veprimtar prej afro 6 dekadash në komunitetin shqiptar në Amerikë është dëshmitar i gjallë i ngjarjeve e personazheve që përshkruan saktësisht në librin e tij duke na dhuruar një trashëgimi të artë të përpjekjeve të nacionalistëve më të shquar të mendimit e veprimit intelektual shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Libri i studiuesit dhe gazetarit Idriz Lamaj “Komiteti Kombëtar Shqipëria e Lirë” shërben sot si një testament historik i mërgatës politike shqiptare të Amerikës duke qenë një burim i dorës së parë për studiuesit dhe institucionet arsimore, katedrat e institutet e historisë e albanologjisë. I botuar në New York në vitin 2000, libri prej 112 faqesh, kushtuar prindërve të z.Idriz Lamaj, Borës dhe Shpendit, paraqet në detaje veprimtarinë nacionaliste e antikomuniste të “Komiteti Kombëtar Shqipëria e Lirë” në vitet 1949-1956. Një kontribut fenomenal i studiuesit Idriz Lamaj që hedh dritë mbi një periudhë të historisë së emigracionit politik në Amerikë të pa studiuar e thelluar siç duhet e sa duhet. Temat që trajtohen në libër përfshijnë: Shqipëria para themelimit të K.K.SH.L, Komiteti “Evropa e Lirë”, themelimi i Komitetit të Parë Kombëtar “Shqipëria e Lirë”, mjetet e informimit të K.K.SH.L, gazeta “Shqipëria”, radio “Zëri i Shqipërisë së Lirë”, Komiteti Kombëtar Shqipëria e Lirë (K.K.SH.L) fillon fushatën e ashpër kundër regjimit komunist në Shqipëri, rusifikimi i kulturës kombëtare dhe shtetit shqiptar, Moska para Tiranës refuzon ndihmat e presidentit Eisenhower për Shqipërinë, K.K.SH.L. i përgjigjet me fakte propagandës së regjimit komunist të Shqipërisë, riorganizimi i K.K.SH.L, bisedë me kapidanin e Mirditës z.Ndue Gjomarkaj rreth K.K.SH.L, themelimi i Kuvendit të Kombeve Evropiane të Robëruara (ACEN-i), K.K.SH.L. dhe “bashkimi i të arratisurve politik të Shqipërisë” në Jugosllavi, organizimi politik i emigrantëve shqiptarë në Jugosllavi, K.K.SH.L. dhe Federata “Vatra” – qëndrimi i gazetës “Dielli” ndaj qeverisë komuniste të Shqipërisë dhe qeverisë amerikane në vitet 1945-1955, pikëpamjet e Xhafer Devës ndaj K.K.SH.L. dhe organizatave politike shqiptare në mërgim, shënime biografike kushtuar: Mitat Frashëri, Hasan Dosti, Ndue Gjomarkaj, Rexhep Krasniqi, “Dosja e Tradhëtisë” dhe shkaqet e mbylljes të K.K.SH.L. Të gjitha këto çështje trajtohen në mënyrë analitike dhe përshkruese prej mendimit e penës së shkëlqyer të kronikanit Idriz Lamaj.

Në hyrje autori z.Lamaj shprehet se mbështetja kryesore në burimet e gazetës “Shqipëria” është bërë për me i tërheq vemendjen studiuesve, nëse merret me këtë çështje, se gazeta në fjalë është burimi më i mirë, pa të cilin nuk mund të shkruhet objektivisht mbi këtë subjekt; me i dhënë lexuesit artikuj origjinal të asaj kohe, dhe me i lënë atij të gjykojë vetë, si janë ndjekur zhvillimet në Shqipëri nga Komiteti dhe nga qeveria amerikane, më i rikujtuar të dytë, studiuesit dhe lexuesit, se në agjendën e qeverisë amerikane, çështja shqiptare ka qenë gjithnjë aktive dhe në të mirën e kauzës shqiptare.

Librin “Komiteti Kombëtar Shqipëria e Lirë” studiuesi z.Lamaj e cilëson si një nderim i tij i veçantë, për tre kryetarët e Komitetit “Shqipëria e Lirë”: për Mitat Frashërin, Hasan Dostin dhe Rexhep Krasniqin, të cilët në mënyrën më dinjitoze sipas Lamajt ngritën në botën e lirë zërin e heshtur të popullit shqiptarë nën regjimin komunist, thelluan interesimin e sinqert të popullit dhe shtetit amerikan për çështjen shqiptare dhe vdiqën më bindje të plotë se një ditë do të realizohej Shqipëria etnike demokratike.

Veprimtaria e organizatave politike në mërgatën shqiptare të Amerikës përgjatë katër dekadave jo vetëm që formëson e skicon mendimin politik, nacionalist e antikomunist shqiptar por në vetvete pasqyron një “shkollë” politike shqiptare në Amerikë. Memorizimi i ngjarjeve historike, profili politik i intelektualëve e udhëheqësve të komunitetit shqiptar të kohës, organizimi patriotik, veprimtaria komunitare, tubimet atdhetare, demonstratat antiqeveritare vijnë mjeshtërisht të analizuara prej studiuesit Idriz Lamaj i cili meriton respekt e nderim, mirënjohje e vlerësim për gjithçka i ka dhënë shqiptarëve të Amerikës në 60 vite veprimtari politike, atdhetare, komunitare e publicistike.

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 82
  • 83
  • 84
  • 85
  • 86
  • …
  • 867
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • JETËSHKRIMI I GJERGJ KASTRIOTIT
  • NJË KUJTIM PËR PROFESOR FEHMI AGANIN
  • Kujtojmë në përvjetorin e ndarjes nga jeta shkrimtarin arbëresh të Italisë, Lekë Matrënga
  • Albanian Roots Parade, Saturday, June 20
  • DEBATI NË WASHINGTON — PSE FINANCOHET SHOQËRIA CIVILE JASHTË VENDIT?
  • Qyteti 2400-vjeçar që i përket njerëzimit – pasuri e UNESCO-s
  • Skënderbeu në medaljonin e vendosur në pullën e parë postare shqiptare, më 1 dhjetor 1913
  • Ervin Toro: “National Albanian Registry”, një investim në identitetin, fuqinë dhe të ardhmen e komunitetit shqiptar në Amerikë
  • Dualiteti juridik dhe kriza strukturore e barazisë në Maqedoninë e Veriut
  • Beqir Derhemi, një emër në zanafillën e Televizionit Publik Shqiptar
  • Bashkë me pranverën, çelin edhe lulet e shkollave shqiptare në diasporë
  • Vittore Carpaccio nga Panteoni i Harruar në premierë dokumentari në Nju Jork
  • Rruga “Skënderbeu” në Bronx, një simbol i gjallë i krenarisë, unitetit dhe trashëgimisë shqiptare
  • Një komb pa kujtesë nuk ka themele
  • Kush ishte gazetarja shqiptaro- amerikane që u shpall “non grata” nga qeveria komuniste

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT