• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

At Zef Pllumi,- simboli i dijes, qëndresës dhe kujtesës

August 29, 2024 by s p

Bujar Leskaj/

Sot, më 28.08.2024 shënohen 100 vjet nga lindja e At Zef Pllumit, Nder i Kombit. Ndonëse 17 vite më parë, në 2007 ai u nda nga kjo botë, vepra e tij është një jehonë buçitëse në ndërgjegjen e çdo shqiptari, një akuzë dhe një thirrje për katarsisin aq të nevojshëm për shqiptarët.

Me kryeveprën e tij “Rrno vetëm për me tregue” At Zef Pllumi dha një kontribut të jashtëzakonshëm, të pakrahasueshëm në rrëfimin e historisë së vërtetë, aq të dhimbshme të Shqipërisë nën regjimin komunist.

At Zef Pllumi ishte qëndresa përballë përbindëshve komunistë, ishte mëshira në dyluftim me krimet e torturat mizore, ishte falja përballë hakmarrjes, ishte dashuria përballë urrejtjes, ishte e mira përballë të keqes, ishte drita përballë errësirës, ishte dija përballë padijes vulgare.

Ai përfaqësonte qytetërimin përballë injorancës e mizorisë komuniste.

Ishte jeta përballë vdekjes, ishte drejtësia përballë padrejtësisë, ishte kujtesa përballë harresës, ishte liria përballë prangave.

At Zef Pllumi (Bogë, 28 gusht 1924 – Romë, 26 shtator 2007) ka qenë frat françeskan, publicist e shkrimtar memuarist shqiptar.

Kur qe 22 vjeç, më 14 dhjetor 1946 u arrestua dhe u dënua me tre vjet burgim që e vuajti pranë Burgut të Madh të Shkodrës dhe në kampet famëkeqe të Bedenit në Myzeqe, dhe Orman-Pojanit në Maliq.

Në vitin 1958 shugurohet meshtar. Më tej, për 12 vjet shërben si meshtar i Dukagjinit me qendër në Shosh.

Më 1967 u arrestua dhe për 23 vjet vuan dënimin në burgje dhe kampe të ndryshme. 1967–1989, për 23 vjet rresht, u burgos përsëri dhe vuan dënimin në Spaç, Reps, Skrofotinë të Vlorës, Ballsh, Zejmen-Shënkoll, Shën Vasil dhe Tiranë.

Ndërroi jetë më 25 shtator të vitit 2007 në spitalin Gemelli, Romë, dhe u varros më 30 shtator 2007 në Shkodër.

Në Shqipëri vepra e tij u njoh gjerësisht pas vitit 1992.

Mua më vjen mirë që në cilësinë e Ministrit të Kulturës gjatë viteve 2005-2007 promovova veprën e tij edhe në Kosovë, që gjatë detyrës sime si ministër i kulturës u vlerësua me çmimin “Penda e Artë” dhe që pas propozimit tim Presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, në vitin 2006 e dekoroi Pllumin me Urdhrin “Nderi i Kombit”..

Më shumë se një dekret presidencial për mua vlen vlerësimi i At Zef Pllumit, i cili shprehu mirënjohjen në një letër, të cilën më dërgoi pas marrjes së çmimit. (Më poshtë faksimilja e letrës.)

Në një speciale të gazetës “55” në 27 shtator 2007 kam shkruar: “Vepra e tij monumentale “Rrno vetëm për me tregues” e të tjera “Histori të shkrueme ” janë një sinor i përjetshëm, ato “dëshmojnë para botës se asnjë njeri nuk është i detyruar prej rrethanave të bëhet i keq, i ulët, të humbasë humanizmin e tij. At Zef Pllumi tregon me jetën e tij se edhe ne shqiptarët mund ta kalojmë provën e zjarrit, atë që ndan mënjanë arin e kulluar dhe ndan mënjanë skoriet e kombit. At Zef Pllumi, nxënësi i Fishtës, Harapit, Shllakut, mësuesve të përjetshëm të këtij kombi, sot më shumë se kurrë më ngjan me Diogjenin, filozofin grek, “atij s’mund t’i marrësh asgjë, pse s’ka asgjë të vetën dhe s’mund t’i japësh asgjë që i mungon, pse ai ka zemrën plot e përplot me dashuri!…”

At Zef Pllumi la një trashëgimi të jashtëzakonshme, veprat, jetën dhe mësimet e tij të vyera sesi njeriu nuk duhet ta humbasë kurrë shpresën, besimin dhe shpirtin, por të qëndrojë, te rezistojë dhe të mos i nënshtrohet asnjëherë të keqes.

Filed Under: Sofra Poetike

PROF. DR. BEGZAD BALIU – GJUHËTAR I VLERËSUAR I KOHËS SONË

August 8, 2024 by s p

Zekerija Idrizi: nga dorëshkrimi “Portrete shkrimtarësh”/

Në kushtet e sotme të komunikimit global dhe internetit nuk është lehtë të gjesh biografi studiuesish të shquar në fushë të shkencave, por për një studiues si Prof. Dr. Begzad Dhe Myrvete Baliu, nuk është vështirë të gjesh të dhëna të shumta për jetën dhe sidomos veprën e tij. Faqja e tij e fejsbukut, faqe të tëra kulturore e shkencore vendore dhe ndërkombëtare, janë të mbushura, për të mos thënë përditësuara, me studime, vlerësime, artikuj për kulturën, krijime letrare, kritike e intelektuale. Kjo është arsyeja pse edhe këtë biografi nuk e kishim vështirë ta shkruajmë dhe përgatisim për botimin tonë të veprës me biografi të krijuesve dhe studiuesve të kohës, me titull “Portrete shkrimtarësh”. Prof. Begzad Baliu është profesor universitar, albanolog, publicist, shkrimtar dhe botues. Prej biografisë së tij jetësore dhe bibliografisë së tij shkencore e profesionale, mund të shihet se ai ka ligjëruar në disa universitete, ka marrë pjesë në konferenca shkencore kombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare. Ai është autor i shumë veprave studimore nga fusha e gjuhësisë, letërsisë, historisë dhe kulturës shqiptare. Në punën e tij prej organizatori, ligjëruesi e studiuesi, ai ka organizuar dhe koordinuar shumë konferencave ndërkombëtare në institucionet universitare dhe shkencore të Prishtinës, Prizrenit, Shkupit, Tiranës, Korçës, Shkodrës, Varshavës, Turunit, Gjirokastrës, Budapestit etj.

Krijimtarinë e tij letrare e ka filluar në fushë të poezisë dhe dramës, në fushë të publicistikës me ese dhe artikuj të karakterit historik, ndërsa në fushë të shkencës me studime të natyrës gjuhësore dhe historiko-letrare. Tekstet e tij të para letrare i ka botuar te e përditshmja “Rilindja” dhe e përjavshmja “Zëri”. Por më tej i është përkushtuar kërkimit shkencor dhe punës në profilizimin e tij në fushë të gjuhësisë, – studimet në fushë të magjistraturës (Fakulteti i Filologjisë në Universitetin e Prishtinës) e doktoratës (Instituti Albanologjik i Prishtinës), përkatësisht në studimet e onomastikës, punës në Sektorin e Onomastikës në Institutin Albanologjik të Prishtinës.

Kjo bëri që interesimet për gjuhësinë në përgjithësi dhe onomastikën në veçanti t’i specializojë drejt dijes klasike dhe të krahasuar edhe me gjuhët tjera fqinje, sllavishten, greqishten e latinishten; ndërsa me letërsinë të merret gjerësisht nga krijimi i saj në poezi, prozë dhe dramë deri te kritika dhe historia e letërsisë, të cilat bashkohen me fushën e madhe kombëtare – albanologjinë.

Studimet e gjertanishme për veprën e tij nga shumë studiues janë ndarë në disa fusha gjuhësore dhe letrare. Sikur mund të shihet vendin e parë e zënë veprat me studime nga albanologjia, ndërsa në mesin e tyre janë veprat:

– “Gustav Majer dhe albanologjia” 2000;

– “Semantika e fjalësit (Vepra albanologjike e Zenun Gjocajt)”, 2009;

– “Kërkime albanologjike”, 2010;

– “Referenca albanologjike”, 2010;

– “Hulumtime albanologjike”, 2015;

– “Testamenti shkencor i Profesor Jup Kastratit”, 2016;

– “Sprovë për një histori të albanologjisë”, 2016;

– “Rrapi shekullor – Akademik Idriz Ajeti” (bashk.), 2017; “

– “Studime për historinë e albanologjisë” (Sprovë për një histori të albanologjisë), Shkup, 2018;

– “Albanologji: Periudha, autorë, studime dhe dokumente”, 2020;

– “Në kërkim të historisë së gjuhës”, Prishtinë, 2022;

– “Kërkime filologjike në veprën e Profesor Bahtijar Kryeziut” etj.

Janë me shumë interes veprat e tij në fushë të onomastikës për të cilën ka treguar interesim që nga vitet studentore, kur jo vetëm mblidhte vullnetarisht mirotoponimet e vendlindjes dhe fshatrave përreth, por që në këtë kohë u bë bashkëpunëtorë i Seksionit të onomastikës në Institutin Albanologjik. Në vitet ‘90, kur pushteti okupator serb mbylli të gjitha institucionet akademike dhe shkollore, Begzad Baliu, së bashkë me një grup të rinjsh, në Kishin Katolike të Prishtinës themeluan Shoqatën kulturore “Pjetër Bogdani”, ndërsa brenda saj edhe disa seksione letrare e të mësimit të gjuhëve të huaja, si dhe revistën letrare për të rinjtë “Shpresa”. Brenda kësaj shoqate Prof. Baliu krijoi Seksionin e onomastikës “Eqrem Çabej”. Prej këtyre viteve organizoi shumë aktivitete në fushë të onomastikës, ndërsa kulmin e këtij angazhimi paraqet angazhimi në Komisionin e Standardizimit të Emërvendeve të Kosovës, menjëherë pas çlirimit të Kosovës nga Serbia dhe tashmë angazhimi në Komisionin për Standardizimit të Emrave të Rrugëve në Maqedoni. Rezultat i këtyre angazhimeve dhe kërkimeve shkencore janë veprat e tij:

– “Regjistri i standardizuar i emërvendeve të Kosovës” (bashk.), 2005;

– “Onomastika e Kosovës – ndërmjet miteve dhe identiteteve”, 2009;

– “Onomastikë dhe identitet”, 2012;

– “Gjendja e toponimisë shqiptare në Ballkan”, 2014; – ““Onomastika e Gallapit, I”, 2016;

– “Onomastika dhe dokumenti”, 2016;

– “Politikat e standardizimit të toponimisë në Ballkan, Prishtinë, 2024 (shqip-anglisht) etj.

Prej vitesh Profesor Begzad Baliu ka shprehur interesimet e tij në fushë të leksikografisë, e kjo do të thotë përgatitjen e Korpusit të Madh të Leksikut të Shqipes. Rezultat i këtij interesimi dhe hulumtimi janë kërkimet e leksikut historik, etnografik dhe letrare. Viteve të fundit ai po punon në një Fjalor historik të shqipes, nga Formula e Pagëzimit (1462) deri te Fjalori i gjuhës shqipe (1954) dhe një Fjalor të përrallës shqipe (në shtyp). Rezultat i kësaj pune janë vëllimet:

– “Fjalor i veprës letrare të Ymer Elshanit”, 2021 (bashk.);

– “Semantika e varietetit” (Leksiku i veprës letrare të Beqir Musliut), 2021 (bashk.);

– “Leksiku i veprës letrare të Martin Camajt”, 2022 (bashk.);

– “Demitizimi dhe standardizimi i onomastikës së Kosovës”, Tiranë, 2006;

– “Dy dorëshkrime leksikografike të pastorit kroat Emanuel Krajinoviq”, 2022;

– “Fjalëshpejta në gjuhën shqipe, Prishtinë, 2024;

– “Leksiku, denduria dhe konkordancat e romanit të Adem Demaçit i Gjarpijt e gjakut, I-III, Prishtinë, 2024.

Pasionant kërkimesh ndër arkiva dhe sikur e thotë ai vetë, i nxitur nga Profesori e miku i tij i madh Profesor Jup Kastrati, që nga fillimet e tij shkencore në Institutin Albanologjik, është angazhuar në mbledhjen dhe sistemimin e një bibliografie albanologjike, rezultat i të cilës janë vëllimet bibliografike e dokumentare:

– “Mbi autorësinë e veprës “Bibliografia e Skënderbeut”, 2005;

– “Çabej 1” (Bibliografi e studimeve për veprën e profesor Eqrem Çabejt në Kosovë), 2006;

– “Bibliografia përmbajtjesore e Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare”, 2008 dhe madje monografia e parë shkencore e kësaj natyre në fushë të albanologjisë, – “Vepra bibliografike e profesor Jup Kastratit”, 2005.

Studimet e letërsisë dhe të krijimtarisë letrare janë interesimet e tij të para. Si pak autorë të letrave shqipe, Begzad Baliu dy veprat e para i bëri publike në fushë të dramës. Në vitin 1994 shkroi dramën “Flamuri vjen nga Kosova”, të cilën e shfaqi një trup studentësh e nxënësit në Prishtinë. Në të njëjtën kohë kishte shkruar edhe dramën “Kafeneja ballkanike”, të cilën e botoi në vitin 1996, e cila u përkthye edhe në kroatisht, italisht dhe holandisht dhe pati dy herë paraqitje të saj në skenat e Kosovës, ndërsa një herë të Holandës. Po këtë vit ai botoi edhe një vëllim me poezi të cilat i kishte shkruar kryesisht si nxënës në Gjimnazin e Gjilanit, me titull “Grua e dashuruar”. Më tej, pas çlirimit të Kosovës autori botoi edhe veprat me ese, krijime letrare dhe studime, sikur janë vëllimet:

– “Pesha e komunikimit” (bashk.), 2010;

– “Dhembje e bukur’(bashk.), 2012;

– “Kujtesa letrare”, 2013;

– “Struktura e vlerave përfaqësuese”, 2014;

– “Vjeshta e lutjeve, Tiranë, 2016 etj.

Periudhës së parë të botimit të teksteve të tij letrare, historike e publicistike, i takon një seri e artikujve të tij me biografi dëshmorësh, me titull: “Gjaku i lirisë” (1981-1995) I-IV, 1996/2000; një vëllim i përzgjedhur i teksteve për Kosovën, me titull: Jup Kastrati për Kosovën (bashk.), 2004; një vëllim me polemika letrare dhe kulturore për Profesor Qosjen me titull: “Vareni kryengritësin e shenjtëruar”, 2010; një vëllim me artikuj historiko-publicistik me titull: “Mbileximi i kujtesës historike”, 2016; dhe një monografi për dëshmorin Agim Ramadani, me titull: “Dëshmori i qiellit me pëllumba”, 2016, një version i të cilit ishte botuar pjesërisht në revistën e Shoqatës për të Rënët e Kombit Shqiptar, “Për mëmëdhenë”, në Tiranë, 1992.

Duke qenë Profesor ordinar në Fakultetin e Edukimit të Universitetit “Hasan Prishtina”, në Prishtinë, dhe sigurisht duke parë nevojat e domosdoshme për të dhënë kontributin e tij në fushë të mësimdhënies, Begzad Baliu ju bashkua grupit të autorëve të shtëpisë botuese “Albas”, në Tiranë, për të përgatitur tekstet për mësimdhënien edhe mësimnxënien e gjuhës shqipe në shkollat e mesme. Rezultat i këtij angazhimi janë tekste shkollore: Gjuha shqipe, 10, për Gjimnazin e filologjisë (bashka.), 2019; Gjuha shqipe, 10, për Gjimnazin e shkencave të natyrës (bashka.), 2019; Gjuha shqipe, 11, për Gjimnazin e filologjisë(bashka.), 2019; Gjuha shqipe, 11, për Gjimnazin e shkencave të natyrës (bashka.), 2019; Gjuha shqipe, 12, për Gjimnazin e shkencave të natyrës (bashka.), 2022; Gjuha shqipe, 11, për Gjimnazin e shkencave shoqërore (bashka.), 2022.

Duke e përmbyllur këtë tekst biografik për Profesor Begzad Balin, i cili është rezultat i bisedave të mija me autorin dhe gjetjeve në internet, dua të theksoj edhe një fakt me interes për ata që duan të njohin të plotë portretin e tij dhe përmbajtjen letrare e shkencore të tij, se për këtë autor janë botuar jo vetëm disa dhjetëra e dhjetëra artikuj kritik e shkencor po edhe disa vepra të veçanta të autorëve: Prof. dr. Bahtijar Kryeziu, “Qasje shumëdimensionale në studimet albanologjike (Begzad Baliu dhe studimet albanologjike të tij), “Era”, 2021; Dr. Faton Krasniqi, “Albanologu dhe albanologjia” (Kërkime në veprën albanologjike të Prof. dr. Begzad Baliu), 2021, Bilall Maliqi, Kërkime në veprën e Profesor Begzad Baliut, 2023.

Le të thuhet këtu se në punën e tij prej më shumë se tri dekadash i është besuar përgatitja e shumë veprave të autorëve dhe trashëgimisë albanologjike: Profesor Jup Kastratit, Profesor Eqrem Çabejt, Profesor Shefki Sjediut, Zenun Gjocajt, Ruzhdi Ushakut dhe shumë konferencave shkencore, por me interes është puna që po bën ai për përgatitjen e monografive kushtuar Profesor Idriz Ajetin, Jup Kastratin, Shefki Sejdiun, Ruzhdi Ushakun etj.

Uroj nga zemra që profesor Begzat Balliu të ketë shëndet, mirëqenie dhe suksese rë radhës në fushën e studimeve dhe botimeve albanologjike!

Me respekt dhe konsideratë të veçantë për këtë figurë poliedrike:

Zekirija Idrizi Shkup

shkrimtar

Filed Under: Sofra Poetike

POEZI NGA JULIA GJIKA

July 11, 2024 by s p

NEW YORK, PAS MESNATE

Një grua ecën e vetme

Me një buz’qeshje tall’se

për ditën që shkoi.

Gjokslëshuar,

nxjerrë jashtë bluzës,

të puthet me ajrin.

Rrezet e hënës,

midis reve luajn’.

E çkopsitur me botën perrëth.

Ajo ecen n’ Avenu tetë moskokëcarëse,

sikur ka vënë nën këmbë New Yorkun.

S’kan’ gjumë syt’ e saj të mëdhenj,

nënqesh me ata q’ e lanë vetëm.

E lodhur, tërheq këmbët.

pas k’saj mesnate,

prêt diten e re,

që mban fytyrën fshehur

Pas hënës së zbardhur,

duke u dhënë ngjyrë

gjinjve të saj të varur

ZËRAT QË ÇIRREN

Nuk dua të di më për ata,

që gjithë ditën bëjnë gjykat’sin.

Nuk dua të di më për ata,

që brënda shtëpisë,

hapin gjyqe për një pëllëmbë tokë

dhe shpirtin e bëjnë trokë.

Ua mbyll portën dhe i lë jashtë,

ndërgjegjes sime.

I le të tërbohen si ujqërit në suferinë,

që në acarr ckërmitin dhëmbët e ulërijnë.

Dua të di për aromën e detit e t’oqeanit,

ajo më shëron nga ky makth.

Dua të di për yjet që ndriçojnë atje lart.

Dua të dëgjoj melodi të erës e të zogjve,

dhe jo zëra që çirren.

Uroj që në fisin e kombin tim,

të sundojë paqja, dashuria!

Uroj që ‘homo ballkanik’

ky inaçor qindravjeçar,

të braktisë grindjet e lakmitë,

se është popull europian!

HIÇI

Të gjitha janë hiç,

tha mbreti Solomon.

E kotë qënka çdo gjë,

edhe sot pas mijra vjet

kurora e të gjorit mbret,

qënka zjarr që mban mbi kokë.

Tym që shpërndahet shpejt

qënka jeta.

Asgjë s’ësht’ lavdia

Asgjë s’ësht’ paraja!

Hiçi qënka kudo,

në çdo gjë, që përpiqemi,

pa moral e cilësi,

hiçi vërshoka e sundoka,

nuk paska digë ta ndalë.

Filed Under: Sofra Poetike

ME DASHURINË PËR VENDLINDJEN PËRTEJ KUFIRIT TË HEKURT

July 3, 2024 by s p

Prend Ndoja/

-Rreth monografisë “Rrugë jete” të Zef Osmanit- Propaganda komuniste, që e paraqiste Shqipërinë një vend të lulëzuar, gati e vinte djaloshin në kundërshtim me nënën e vet, Lule Colin, e cila ishte rritur në malësitë e Pukës dhe i thoshte djalit të vet: “Hajt bre nanë, se tybe, qysh e di unë, ai vend nuk ka mundësi me u ba lule”. Po djali e kishte vështirë ta thyente brenda vetes atë dashuri që kishte për Shqipërinë e për vendin e të parëve të tij, dashuri që do ta përcillte derisa u rrit e u bë në gjendje të shkonte ta vizitonte Shqipërinë dhe Nikaj Mërturin, dashuri që e përcjell edhe sot, kur i ka kaluar të shtatëdhjetë vitet.

Duke lexuar këtë monografi mendoja me vete se vetëm një njeri me vullnet të hekurt, me formim të thellë intelektual dhe i brumosur me një patriotizëm të rrënjosur në shpirt, mund të ndërmerrte një iniciativë të tillë për të bërë një punë kolosale në reaalizimin e një vepre si kjo. Monografia për familjen e Gjon Mak Imerit, që përbën si të thuash trungun direkt të paraardhjes së familjes së autorit në pemën gjenealogjike 320 vjeqare,e që një pjesë e asajë peme u shpërnda në disa treva të malis së Gjakovës ku jetoinë edhe sotë, Që nuk janë kurrësesi pak. Por Zef Osmani, me pasionin e tij prej studiuesi, ka shkuar edhe nja tre-katër shekuj të tjerë më tej,në epokën e bronxit, duke kërkuar rrënjët e jetës dhe të krijimit të fshatit dhe të krahinës së Nikaj Mërturit, një zonë e njohur e me emër në Malësinë e Gjakovës.

Tek e lexon librin vështron se me çfarë përkujdesjeje ai i sjell emrat e familjeve e të fiseve, duke treguar shkurtimisht historinë e zhvillimit të tyre njerëzor e ekonomik dhe se si lindin një pas një fshatrat e Nikaj Mërturit nga ndarja e këtyre familjeve për shkak të zgjerimit të tyre. Ai nuk ka harruar asnjërën, duke i përmendur thuajse të gjithë me emra, sipas kronologjisë së ardhjes në jetë, që nga krerët e familjeve e deri tek pinjollët më të fundit të tyre. Shumë prej tyre ai arrin edhe t’i portretizojë, duke na dhënë karakteret e tyre, sipas rëndësisë që patën edhe në ngjarjet historike të vendit. Nuk ka se si mos të tërheqë një figurë si Kurtesh Kurti e familja e tij, që bashkëpunoi me Bajram Currin dhe luftoi bashkë me të. Autori na tregon se në këto anë Bajram Curri me luftëtarët e tij gjeti kurdoherë bujari e besë në mikpritje dhe luftëtarë për të forcuar radhët e forcave të tij luftarake. Kjo traditë atdhetare dhe luftarake e familjes së Gjon Mak Imerit dhe pasardhësve të tij u transmetua nga brezi në brez, deri në luftëtarët më të rinj që u rreshtuan në radhët e UÇK-së për çlirimin e Kosovës nga pushtuesi serb.) Autori Zef Osmani sot është në pension. Por prapa krahëve të vet ai ka një kurikulë të pasur e të shkëlqyer. Ai djali i vogël që lexonte libra ndërsa kulloste lopët, me kalimin e viteve u bë një intelektual me zë e profesor, kuadër i aftë e me peshë në fushën e arsimit dhe të kulturës në Kosovë, poet e shkrimtar i njohur dhe i dashur për lexuesit. Poezitë e dramat e tij janë mirëpritur nga lexuesit dhe nga spektatorët që i kanë ndjekur ato në skenë.Monografia “Rrugë jete” është shprehje e talentit të tij, e pjekurisë së tij artistike, e përvojës së madhe të një njeriu krijues, që edhe në lartësinë e mbi 70 viteve jetë nuk resht së punuari e së shkruari, për t’i dhënë sa më shumë historisë dhe kulturës në Kosovë.

Filed Under: Sofra Poetike

In Memoriam Ismail Kadare

July 2, 2024 by s p

Nga Evarist Beqiri/

Ismail Kadare e bëri gjuhën dhe kulturën shqipe të pavdekshme në botë. Emri i tij dhe trashëgimia e veprës së tij do të ngelen përgjithmonë në panteonin e të mëdhenjëve të letërsisë botërore.

Takimet dhe bisedat e zhvilluara me Ismail Kadarenë do t’i ruaj përherë në memorien time si një kujtim tepër i çmuar. Kujtoj që në një bisede të zhvilluar në maj të 2022, ai përveç çështjeve të kulturës, letërsisë dhe historisë, më foli me një sinqeritet të admirueshëm edhe për lidershipin historik shqiptar…

Në një tjetër bisedë, gjeniu i letrave shqipe u bë edhe kumbarë i librit “Themeluesi”. Në traditën abrahamike, “Ismail” do të thotë Zoti i dëgjoi lutjet tuaja. Dhe unë besoj se Zoti i ka dëgjuar dy herë lutjet e shqiptarëve, njëherë kur iu dha Ismail Qemalin dhe njëherë kur iu dha Ismail Kadarenë…Megjithatë thuhet se: “Zoti nuk i krijon njerëzit e mëdhenj për nevojën e vetëm të një kohe dhe të vetëm një populli, por për nevojën e të gjithë popujve dhe të të gjitha kohërave.”

Sot në ditën e kalimit të tij në amshim dëshiroj që t’a kujtoj me fjalët e tij për librin “Themeluesi”, të cilat janë dhe të fundit fjalë të tij të botuara në një libër:

“Ismail Qemali është quajtur vetvetiu THEMELUESI nga populli shqiptar. Figura e tij tregon se kombi shqiptar ka themele, ka bazë ku të rritet. Libri “Themeluesi”, i shkruar nga studiuesi Evarist Beqiri, vjen si një nevojë dhe si një domosdoshmëri për të riafirmuar Ismail Qemalin dhe kombin shqiptar. Një komb ka nevojë për riafirmime të herëpasherëshme dhe ky libër për Ismail Qemalin tregon se ai është një popull që do të riafirmohet si komb dhe do ta arrij këtë gjë padyshim.”

Filed Under: Sofra Poetike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • …
  • 133
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Vatra Long Island” fton komunitetin në festën e Pavarësisë së Kosovës që organizohet më 15 shkurt 2026
  • Tradita Amerikane e “Groundhog Day”, -25°F dhe ngrohja globale që na gjeti me pallto leshi
  • “BORDI I PAQES”, NJË SPROVË PËR SHQIPTARËT NË NJË BOTË QË PO NDRYSHON
  • “Have You Listened to Radio Prishtina?”
  • Tribuni i lirisë, Major Abas Kupi u përkujtua në Krujë
  • KOMUNITETI KRAJAN NË NEW YORK MBAJTI MBLEDHJEN E ZHJEDHJEVE TË PËRGJITHSHME TË KRYESISË SË RE TË SHOQATËS “KRAJA”
  • Fan Noli, Federata Vatra dhe John F. Kennedy: Lidhjet e Diasporës Shqiptare me Politikën Amerikane dhe Demokracinë Globale
  • Today marks the 84th anniversary of the Voice of America
  • MËRGATA SHQIPTARE, NGA KUJTESË E SË KALUARËS NË SUBJEKT AKTIV
  • Përse duhet t’i lexojmë klasikët?
  • ANNA KOHEN: Nuk harrroj vlerat humanitare dhe bujarinë e shqiptarëve
  • Akademia e Shkencave përkujton me nderim në 10-vjetorin e ndarjes nga jeta akademik Kristo Frashërin
  • Ndryshimet e Kodit Penal një realitet me risqe dhe kurthe penalizimi për gazetarët
  • Kongresi Kombëtar i Lushnjes u bë gur themeli për ndërtimin e shtetit shqiptar
  • Libri “Tragjedia Çame” i bashkëautorëve Lita-Halimi, një testament dokumentar

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT