• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

VENDIMET E KONGRESIT T’ELBASANIT

September 2, 2023 by s p

Delegatët e dërguar nga ana a klubeve dhe shoqërive, që gjenden brenda dhe jashtë Shqipërisë, u mblodhën më 20 gjer më 27 të gushtit 1909 dhe vendosën:

1- Të fillohet dhe të nisë puna këtë vjeshtë n’Elbasan një mësonjëtore për mësonjës, me gjashtë rreshta, për mbajtjen e së cilës janë të detyruar të gjithë klubet dhe shoqëritë, brenda dhe jashtë Shqipërisë, sikundër edhe të gjithë njerëzit, që dëshirojnë përparimin e kombit shqiptar. Kur të gjitha rreshtat e mësonjëtoreve do të jenë të plotë, duhen 1000 lira për mbajtjen e mësonjëtores, po sot për sot 700 lira janë mjaft. Kongresi i Elbasanit vendosi disa pika, pas të cilave do të qeveriset kjo mësonjëtorë, të cilat janë botuar në një vivllë të veçantë.

2- Vendosi që të fillohet një shoqëri në Korçë, me emrin “Përparimi”, e cila do të njihet prej Mbledhjes së Kombit si vetënormale dhe juridike. Kjo shoqëri do të jetë arka e përgjithshme, ku do të mblidhen të gjitha të hollat, që do të dërgojnë klubet, shoqëritë dhe çdo mirëdashës i kombit shqiptar. Kjo shoqëri do të kujdeset pikë së pari që të mbahet mësonjëtorja për mësonjës n’Elbasan dhe do t’u ndihë me sa mundet, të gjithë mësonjëtoreve shqip, të cilat nuk mundin të mbahen plotësisht prej atyre, që i kanë çelur dhe do të ndihë që të shtypen libra mësimi të vyera e të nevojshme, pasi këto do të vëzhgohen prej një komisioni të vendosur prej kësaj shoqërie.

3- Kongresi vendosi që shoqëria “Përparimi” të kërkojë ndihma nga qeveria për mësonjëtoret, që mban shoqëria.

4- Shoqëria e mësonjëtoreve shqipe në Korçë do të përpiqet të hapë dhe të mbajë, pas shkollës normale, edhe, edhe të tjera mësonjëtore nëpër vende, ku shqiptarët janë më të varfër dhe më të dobët.

5- Shqiptarët kudo do të përpiqen me sa munden të flasin gjuhën shqipe në shkollat e huaja, që janë në Shqipëri.

6- Kongresi vendosi që të gjitha klubet dhe shoqëritë shqiptare të bashkohen dhe të kenë si qëllim të përbashkët të punojnë për mirësinë e kombit shqiptar, për të përparuar në dituni dhe në mjeshtëri; të gjitha klubet, të gjitha shoqëritë dhe të gjithë mëmëdhetarët e mirë, t’i ndihin shoqërisë “Përparimi” në Korçë, me sa t’u mundet, për të mbajtur mësonjëtoret shqip.

7- Kongresi vendosi që të gjitha shoqëritë dhe klubet shqiptare të njohin një klub qendror.

8- Kongresi i jep klubit qendror ngarkimin të kërkojë që gjuha shqipe të jetë gjuha e mëmave në mësonjëtoret e para dhe të dyta të qeverisë që gjinden në Shqipëri.

9- Për këto dy vjet u zgjodh për klub qendror klubi i Manastirit.

10- Shqiptarët me anën e mbledhjeve të vilajeteve do të kërkojnë themelimin e ndonjë mësonjëtoreje bujqësie, në vendet që duhet.

11- Kongresi zgjodhi një komision prej zotërinjve: Dervish bej, Mid’hat bej, Teki bej, Ahmet Dakli, Kristo Dako, Selman Blloshmi, Jorgji Qiriazi, Haçi bej dhe Irfan bej, për të shkuar në Korçë, që të zgjedhin Pleqësinë e shoqërisë “Përparimi”.

12- Në qoftë se ndonjë klub, shoqëri apo mësonjëtore shqip ka një ndalim në të përhapurit të diturisë dhe të mjeshtrisë me anë të gjuhës shqipe, ahere të gjthë klubet dhe shoqëritë shqip që gjenden në këtë lidhje, do të përpiqen bashkarisht si një trup me një vullnet e me çdo farë mënyre të ligjshme të mbrojë të drejtat e tyre dhe të largojë çdo ndalim.

13- Kongresi i Elbasanit vendosi që pas tre vjetëve, më 20 të gushtit 1912, të bëhet përsëri një kongres në Elbasan, ku do të kqyrojnë e bisedojnë nevojat e Shqipërisë.

14- Kongresi ngarkoi klubet dhe shoqëritë shqiptare të Elbasanit, që të përkujdesen për programin si dhe mbledhjen e atij kongresi.

Delegatët e Kongresit Të Elbasanit:

Elbasan: (klubi “Vllaznia”): Dervish bej, Qemal Feza

Elbasan: (Klubi “Bashkimi”): Emin Haçi Ademi, Taqi Buda

Elbasan: (Shoqëria “Afërdita”): Josif Haçi Mima, Simon Shuteriqi

Berat: Qemal bej Elbasani, Kahreman Vrioni

Filat: Mid’hat Frashëri

Selanik: Mid’hat Frashëri, Osman efendi

Shkup: Mid’hat Frashëri, Osman efendi

Strugë: Abdullah Ahmet Dakli

Kazan: Abdurrahim efendi

Ohër: Hamdi bej, Irfan bej

Përmet: Haçi Bajram bej, Gjeki bej

Leskovik: Haçi Bajram bej, Gjeki bej

Manastir: Gjeorgji Qiriazi

Dibër: Gjeorgji Qiriazi

Misioni Amerikan: Cilka, Dako, Zonja S. Qiriazi

Skrapar: Abdullah bej

Janinë: Mid’hat Frashëri

Jeniçë: Mid’hat Frashëri

Karaferia: Mid’hat Frashëri, Osman efendi

Korçë: Orhan bej, Idhomene Kosturi

Gjirokastër: Andre Ikonomi, Thoma Papapano

Starovë: Selman, Sylejman efendi

Tiranë: Refik bej, Hafëz efendi

Peqin: Sabri efendi

Frashër: Mid’hat Frashëri

Gramsh: Tahla bej

Durrës: D. Kaçori, Jahja efendi, Mihal K. Sava

Qyprili: Dervish bej Elbasani

Gazeta “Lirija”

1909

———————

Ky shkrim i Mid’hat Frashërit, shkruar dhe botuar vetëm pak muaj pas Kongresit të Elbasanit, shërben si një testament i akteve patriotike të mëmëdhetarëve të kohës. Kongresi i Elbasanit, apo siç njihet ndyshe si Kongresi i Shkollave Shqipe, kulmoi me hapjen e dyerve të Shkollës Normale të Elbasanit në 2 shtator 1909. Në kongres morën pjesë 35 delegatë nga 8 klube e shoqëri patriotike të cilat dërguan përfaqësuesit e tyre por edhe vise të tjera shqiptare patën delegatët e tyre në këtë tubim.

Mid’hat Frashëri ishte njëri nga delegatët më me peshë të kongresit pasi përfaqësonte disa klube e shoqëri në këtë aktivitet jetik për arsimin e kulturën shqiptare.

—Administratori

Marrë nga “Mid’hat Abdyl Frashëri”

Filed Under: Sofra Poetike

Poezia “Një balenë e largët erdhi nga deti” e Poetit të mirënjohur, Sulejman Mato

August 19, 2023 by s p

Përkthyer në gjuhën angleze 

nga Raimonda MOISIU  

Sulejman Mato was born on March 1, 1941, in the village of Fterra, Saranda County, Southern Albania. He has finished his university studies at the Faculty of Albanian Language and Literature in 1964. Sulejman Mato is an Albanian author, novelist, master of short story teller, poet, dramatist, librettist, journalist and a researcher. 

His very first poetry book was published in 1967, titled “The Green Path” (Shtegu i Blertë) and in the same year he started his career as an editor in the literary journal of Albanian Writers Association, – titled “November” (Nëntori). Sulejman Mato is among the most prominent and influential poets of his generation between the 60s and 70s. During the five decades of his life, Sulejman Mato has already published eleven books of poetry, seven books of short story, twelve drama, three novels, publicistic books and research works. 

He’s been awarded with the “ Naim Frashëri” order. Sulejman Mato currently lives in Tirana with his family and he keeps on writing in the main literary genres. 

An exiled whale came up out of boundless sea 

One morning, 

An exiled whale ended up in my dark cave below 

the Acroceraunian Mountains, 

I laid food before her, grilled steak and wine, 

Then she began telling me about hidden wonders 

Of the deep oceans that only she had seen… 

Roman Warships with their broken masts, 

Still standing deep in the sea,  

About gold fishes, sea stars, sharks and mythical octopuses living together under the ocean…

Later on, 

I began telling the story of the voyages of the Argonauts, 

Of the broken masts, 

And of the unfortunate warriors of Odysseus, 

How they crossed the ocean, as told through the legends!  

….

It was a dark and stormy night, 

Waves crashing and howling wind, 

On the threshold of my dark cave, they stopped 

I welcomed them cordially, as is our custom,  

As if they were in the god’s home!   

That all night, 

We drank old wine and roasted meats on a spit, 

When they all got drunk, they drew their sword, 

And up sprang the angry; they drilled out my only one eye…

Early next morning, 

They sneaked out of my dark cave! 

Me and I, 

The mighty Polyphemus of these Acroceraunian Mountains caves, 

It’s taking me three thousand years to quench my blind rage, 

Still hearing sirens’ voices of foreign ships that pass in the nights,   

All these that happened, 

I told to the whale on a long lonely night, 

To the exiled whale beyond the boundless seas! 

And then she as an old friend of mine, forever a loyal friend,  

As she left, she promised she’d come back again… 

As the dawn lighted,

She walked down to wet sandy shore… 

“But when I’ll be back at some time, I’ll tell you the entire story; 

What happened to Trojan War survivors, after that fatal night!  

Where they went, where they fled! 

What really happened three thousands years ago, in those deadly nights! 

And then the Whale, my best friend sped away to other seashores, 

I turned my back on bright sun, 

And sank back into the old darkness of mine!   

Ah, Giant Polyphemus, 

Who locked you up for centuries, living alone in this dark cave?

Far, far away, out of this cruelty of human spirit? 

Translated from Albanian into English 

By Raimonda MOISIU 

Sulejman Mato lindi më 1 mars 1941, në fshatin Fterrë të rrethit Sarandë, në Shqipërinë e Jugut. Studimet universitare i ka përfunduar në Fakultetin e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në vitin 1964. Sulejman Mato është poet, romancier, mjeshtër i tregimtarit, dramaturg, libretist, gazetar dhe studiues.

Libri i tij i parë me poezi u botua në vitin 1967 me titull “Shtegu i Blertë” dhe po atë vit shkrimtari i njohur  Sulejman Mato filloi karrierën e tij si redaktor në revistën letrare të Lidhjes së Shkrimtarëve Shqiptarë, me titull “Nëntori”. Sulejman Mato është ndër poetët më të mirënjohur

dhe më me ndikim të brezit të tij mes viteve 60-ë & 70-ë. Shkrimtari dhe Poeti Sulejman Mato gjatë pesë dekadave të jetës së tij ka botuar;  njëmbëdhjetë (11) libra me poezi, shtatë

(7 )libra me tregime, dymbëdhjetë (12) drama, tre (3) romane, libra publicistikë dhe vepra kërkimore. Për kontributin dhe vlerat e tij në letrat shqipe është vlerësuar me titullin “Naim Frashëri”.  Sulejman Mato aktualisht jeton në Tiranë me familjen e tij dhe vazhdon të shkruajë në gjinitë kryesore letrare.

Një balenë e largët erdhi nga deti

Nga Sulejmn Mato 

Një mëngjes, një balenë e largët erdhi në shpellën time,

poshtë maleve Akrokeraune.

Unë i shtrova asaj para, 

mish të pjekur dhe verë

dhe ajo më tregoi çfarë kishte parë 

në thellësirat e oqeaneve.

Anijet dyrekthyera të ushtrive romake, 

të zhytura në rërë,

peshq luspaartë, yje deti, peshkaqenë e oktapodë mitikë.

Unë nisa t’i tregoja asaj për udhëtimet e Argonautëve, 

për anijet dyrekthyera 

dhe për ushtarët fatkeq të Odiseut…

Si erdhën nga deti. 

Ishte mbrëmje e errët, 

me dallgë dhe furtunë ,

te pragu i shpellës u ndalën. 

Unë i prita sipas zakonit, si në shtëpinë e zotit.

Pimë verë të vjetër 

gjithë natën dhe poqëm mishra në hell,

pastaj si u dehën 

nga mylli nxorrën shpatat,

dhe në zëmërim e sipër më nxorrën syrin e vetëm…

Të nesërmen dolën nga shpella, vjedhurazi, 

herët në agim,

dhe unë, unë Polifemi i lashtë i shpellave të majëmaleve Akrokeraune

kam tremijë vjet që kërkoj të shuaj zëmërimin tim të verbër 

duke përgjuar netëve zërat e sirenave të anijeve të huaja.

Të gjitha këto unë ia tregova balenës 

gjatë asaj mbrëmjeje vetmitare,

balenës mërgimtare 

të detrave të largët.

Dhe ajo, si një mikeshë e vjetër, mikeshë tepër besnike

në ikje më premtoi 

se do të kthehej përsëri.

Në agim ajo zbriti te bregu me rërë të lagët:

Kur të kthehem, -më tha, do të të sjell lajme të gëzuara,

për atë çka ndodhi me luftëtarët e tjerë trojanë.

Pas asaj nate të kobshme, nga ikën, ku vanë? 

Çfarë ndodhi në ato netë zulmëmëdha, 

tre mijë vjetë më parë?

Balena, mikja ime e mirë, u largua me shpejtësi për në dete të tjera,

unë i ktheva krahët diellit gjithë shkëlqim

dhe u zhyta sërish në errësirën time të vjetër.

O njeri- përbindësh, kush të paska mbyllur kështu

të qëndrosh kaq shekuj 

i vetmuar në këtë shpellë të errët…

Larg, shumë larg shpirtligësisë njerëzore?!

Shkruar nga Sulejman Mato 

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Raimonda Moisiu

Një arsyetim ndryshe nga shkrimtari Ismail Kadare mbi zhvillimin e folklorit në socializëm

August 17, 2023 by s p

Gëzim Zilja/

Në librin “Autobiografia e popullit tim në vargje,” një libër me vlera të mëdha të padiskutueshme me jehonë të madhe në kohën që doli dhe më tej, Ismail Kadereja për folklorin në socializëm shkruan: Dihet se kultura borgjeze dhe sot kultura revizioniste janë përpjekur të thyejnë pa mëshirë mekanizmin e mrekullueshëm të artit gojor, si një gjë të bezdisshme, kundërshtuese dhe penguese për to. Socializmi përkundrazi jo vetëm nuk e thyen mekanizmin e vjetër sepse s’ka asnjë arsye për ta bërë këtë, por e ndihmon atë të mbahet në efiçencë sa më të plotë, të regjenerohet e të vazhdojë të prodhojë vlera poetike krahas artit të kultivuar të realizmit socialist. Vetëm në socializëm mund të themi me plot gojën se “autobiografia dhe “biografia” e popullit shkrihen në një.” Libri për herë të parë u botua më 1971, u ribotua në 1980 nga shtëpia botuese “Naim Frashëri” dhe në 2002 i ripunuar nga shtëpia botuese “Onufri.” Pjesa  e mëipërme gjendet në të tri botimet. Nëse do të kemi parasysh botimet e këngëve folklorike pas vitit 1944, kupton se ç’gjëmë u përpoq t’i bënte politizimi i tejskajshëm socialist këngës popullore. Shumë pak, me vështirësi mund të gjesh aty midis qindra-mijëra vargjeve këngë dashurie, pune, dasme, qoftë dhe argëtuese ose ninulla, që të mos përmendet partia dhe Enveri. Manifestimi më i madh i këngës dhe valles popullore, që trumbetohej me aq bujë nga diktatura ishte Festivali i Gjirokastrës, ku nga fillimi deri në fund mbizotëronte llumi i këngëve të politizuara. Le të ilustrojmë shkurt me disa poezi këngën popullore në kohën e diktaturës.

Ninullat. Nina nana po t’përkundi/Hajde gjumë tek pëllumbi/Si Enveri mu bafsh trim/të dhashtë forcë nga gjini im./Fli o djal i nënës fli/Fli se nëna të ka xhan./Fli u rritsh u bëfsh trim/Si Enveri me partizanë. Në këto lloj këngësh zhduket dashuria për njeriun, për nënën, për babën, e fisin, për martesën, lodrat e humorin popullor. Jo! Ka vetëm binom Parti-Enver, që si me çomage godet trurin sistematikish qysh se lindesh, duke krijuar njeriun e indoktrinuar, që para nënës, babës, motrave e vëllezërve të gjakut vendos Partinë dhe udhëheqësin. 

Këngët për dashurinë, nga më të bukurat në gjithë folklorin shqiptar, tashmë zveniten, fishken e thahen. U mungon lëngu i jetës, maghia e vargut brilant të papërsëritshëm, poezia dhe gjetjet letrare të pakrahasueshme me asnjë gjuhë tjetër në botë. Dashurisë tashmë i këndohej me komandë, dashuria lindte në ara, në mullarët e barit, në fabrika, në garat socialiste, në fshatrat e rilindur nga partia, etj. Por le të ilustrojmë dhe këtu me disa nga ato mijëra vargje të politizuar, ku mungon shpirti i njeriut në të gjitha dimensionet. Tungjatjeta çoban trimi/Si dualltë sivjet nga dimri?/Ylli i malit o çoban!/Me prodhime më së miri/Po ju në bujqësi si ini?/Në rritje shkon bujqësia,/Përparon si industria./Jeta jonë është pranverë,/Me partinë e me Enverë. Është mjelëse me lopë/E dua o shokë me kokë/E dua shokë e dua/Se ajo është për mua/Punëtore s’lodhet kurrë/Në çdo garë merr flamurë.

Këngë trimërie. Përmbi Krujë nalt mbi shkrepa,/Nandhet’ vajza shqipe t’lehta,/Lidhur fort dorë për dorë/Tokës nanë iu ban kunorë… N’gjoks t’Krujës heroine,/Nanddhetë lule çelur rrijnë./Nandhetë lulet e lavdisë,/Fort po i ngroh dielli partisë. Është fjala për gratë dhe vajzat krutane gjatë rrethimit të Krujës, që për të mos rënë në duart e turqve u hodhën nga Shkëmbi i Vajës. Se çfarë lidhje ka ky akt heroik me partinë dhe lavdinë e partisë vetëm mëndjet e sëmura të poetëve komunistë shqiptarë mund ta zbërthejnë. Po këto këngë vazhduan të krijohen e këndohen për dyzetë vjet, duke humbur çdo kuptim njerëzor me politizimet e tejskajshme.

Atdheu. Porse gjumë s’ka kurrë Shqipnia/Syt’ me drit’ na i mbush partia/Shkëlqen djersa e s’njifet loti/Në kët truell me palc baroti/Shkrin çeliku e lulëzon molla/T’gjith’ shqiptarët janë Mic Sokola. U zbeh dhe kaloi në plan të dytë dashuria dhe koncepti për atdheun. Tashmë në plan të parë kaloi Partia. Nuk ka atdhe, Shqipëri, madje as popull shqiptar pa të madhërishmen partinë dhe udhëheqësin legjendar Enver Hoxha.  Midis atij deti këngësh e vallesh për partinë dhe Enverin.  tek-tuk shkëlqenin këngët e vjetra si ajo për Zenel Gjolekën, Hajredin Pashën, Oso Kukën, Çelo Mezanin apo për ngjarje të veçanta si “Janinës ç’i panë sytë.” Janë me dhjetëra botime luksi të Akademisë së Shkencave, të emërtuara “Këngë popullore të periudhës së ndërtimit socialist” nga janw marrw dhe vargjet e mwsipwrme, që edhe kur përmendeshin heronj të Mesjetës, Rilindjes, Pavarësisë e të Luftës, do të futej emri i partisë apo diktatorit, se vetëm partia dhe Enveri i vuri në vendin që meritonin, i nderuan apo dekoruan. Ky politizim bëri që kënga popullore të humbte përkohësisht vërtetësinë, muzikalitetin, sinqeritetin, muzën, dhe shpirtin e pastër, duke u shndërruar në këngë propaganduese. Jo rrallë kënga popullore ishte e detyruar të paraqitej si një shërbyese e zellshme e doktrinës gjakatare komuniste me vargje makabre: Që pa gdhirë u ngrit tër’ fshati./Oh, ç’të madh kemi gëzimnë!/Arrestohet sot Reshati,/Do këndojmë për sigurimnë! Për të mos e zgjatur me shëmbuj të tillë të shëmtuar përmendim se vetëm seria e V, vëllimi i shtatë, botuar nga Akademia e Shkencave të RPS të Shqipërisë, botim i vitit 1986, ka plot 519 këngë të tilla, pa përfshirë transkriptimin muzikor të disave prej tyre. Po përmend këtu edhe marrëzinë kolektive shqiptare pas vdekjes së diktatorit, që çdo shqiptar i detyruar do të shprehte në prozë apo poezi dhimbjen për humbjen e udhëheqësit. Qindra mijëra këngë u thurrën dhe u botuan pastaj nga makina propagandistike e diktaturës dhe jo rrallë u kënduan plot pasion e qurravitje nga jugorët në këngët polifonike dhe nga veriorët me kor e çifteli. Nga sa arsyetova më lart nuk mund të thuhet e të provohet përfundimi i Kadaresë se: Socializmi përkundrazi jo vetëm nuk e thyen mekanizmin e vjetër sepse s’ka asnjë arsye për ta bërë këtë, por e ndihmon atë të mbahet në efiçencë sa më të plotë të regjenerohet e të vazhdojë të prodhojë vlera poetike krahas artit të kultivuar të realizmit socialist. Vetëm në socializëm mund të themi me plot gojën se “autobiografia” dhe “biografia” e popullit shkrihen në një.”  Mund të themi me plot gojën se socializmi u përpoq ta deformonte, ta shëmtonte, ta falsifikonte e ta vinte në shërbim të politikës, këngën popullore, por nuk ia doli. Sot, folklori shqiptar gjendet sërish në “vështirësi,” në “garë” me këngët moderne, por duke qenë i lirë nga politika po ia del me sukses t’i sfidojë këngët e kultivuara. Kudo në festa gëzime, fejesa e martesa mbizotëron kënga e vallja popullore e vjetër dhe e re, në raport me atë moderne.  Kjo është tjetër fitore e qëndrueshmërisë, fantazisë, bukurisë e pastërtisë së këngës, valles e muzikës popullore.  

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Gezim Zilja

Fitore Mamaqi, sopranoja që jetoi një jetë të nxjerrë nga faqet e një romani

August 15, 2023 by s p

Aleksandër Ikonomidhi Sulioti/

Për të gjithë ata që jetuan periudhën socialiste të Shqipërisë, dihet se jeta e artistëve në të kaluarën nuk ishte e lehtë dhe gjithsesi nuk ngjante aspak me jetën e artistëve të pjesës tjetër të Evropës Lindore, por as me jetën e artistëve të sotëm. Dallimet janë të mëdha dhe karakteristike, deri në atë pikë sa të huajt dhe brezat e sotëm e kanë shumë të vështirë t’i kuptojnë. Shembull karakteristik i kësaj veçorie është rrugëtimi artistik i sopranos lirike të TKOB, Fitore Mamaqi. Një rrugëtim artistik që të kujton më shumë rrëfimin novelist apo përshkrimin kinematografik të një këngëtareje që herë flirtoj me majën dhe herë me ngërçet e regjimit.

Jo pa arsye zgjodha ti jap titullin kësaj biografie artistike « Një jetë e nxjerrë nga faqet e një romani», pasi nëse dikush studion me kujdes detajet e jetës së Fitores dhe hedhë dritë mbi karrierën e saj artistike, befas do të mendojë se gjeti një skenar ideal për një film kinematografik që përshkruan me pak rreshta fytyrën e shëmtuar të diktaturës si dhe lavdinë që publiku u jep bujarisht këngëtarëve.

Fitore Mamaqi ka lindur në Tiranë më 24 nëntor 1949 në një familje me histori të rëndësishme të Shqipërisë së pasluftës. Angazhimi i saj me muzikën filloi që në moshë shumë të vogël kur prindërit e dërguan të studionte për violinë tek Liceu Artistik i Tiranës, pranë pr. Atlie Tolës. Vetë Fitorja më ka pranuar se si violiniste nuk ishte veçanërisht e zellshme në mësim, por gjithsesi ia doli t’i përfundonte studimet me nota shumë të mira. Por hyrja e saj në rrugën e kantos ishte më shumë çështje rastësie sesa ëndrra e një vajze të vogël për të pushtuar skenat lirike.

Në moshë 9-vjeçare kur sapo kishte filluar të merrte stimujt e parë muzikor të violinës, Fitorja qëndroi me një shoqe të saj në një sallë boshe tek Liceu i Vjetër deri vonë. Për fat të mirë në sallën përballë, ndodhej Marie Kraja e cila po i jepte mësim kantoje një studenteje. Dy vajzat e vogla po dëgjonin me shumë kureshtje mësimin nga salla tjetër, kur për një çast Fitorja riprodhoi një notë akute që ndërpreu mësimin e Marie Krajës. Papritmas dera u hap dhe u dëgjua zëri i Zonjës Kraja që pyeti e habitur “kush e bëri këtë?”. Dy nxënëset e vogla, të frikësuara se kishin bërë një gabim të madh, vrapuan për t’u fshehur, por sërish për fat të mirë, Zonja Kraja i kishte dhënë urdhër studentes të saj që t’i kërkonte dhe t’i gjente “autorët e notës akute”. Pas disa “hetimesh” nxënësja e talentuar u gjet dhe u çua para Marie Krajes. Mësuesja e madhe e lirikës kur e pa, i buzëqeshi dhe duke i shtrënguar dorën, i tha: “Kur të bëhesh 16 vjeç, do të vish të më gjesh dhe një ditë do të bëhesh këngëtare”. Dhe kështu ndodhi, me përjashtim që deri atëherë Maria me Fitoren nuk u takuan asnjëherë.

Kështu kaluan vitet, derisa adoleshentes Fitore Mamaqi iu kërkua të zgjidhte se cilën rrugë do të ndiqte në studimet universitare. Përsëri, studimet për kanto nuk ishin ndër opsionet e saj të para, ende e mundonte dilema e studimeve të larta për violinë apo diçka tjetër. U desh ndërmjetësimi i shoqes së saj adashe, Fitore Mingomataj, e cila e nxiti të konkuronin së bashku në Institutin e Lartë të Arteve (sot Akademia e Arteve) për kanto. Por ditën që konkuroi para komisionit në të cilin ndodhej edhe i madhi Çesk Zadeja, Fitoren befas e pushtoi një turp i pashpjegueshëm dhe kështu u detyrua të interpretojë me kurriz të kthyer. Rezultati ishte i sigurt, duke fituar me unanimitet të plotë nga komisioni të drejtën për studim.

Në vitin 1967 vetëm pak kohe para se të fillonte studimet në vitit e parë të Kantos, ajo u zgjodh të shkonte në Kinë si violiniste me Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore. Ky ish dhe shkaku që ajo nisi studimet me vonesë, pasi u kthye në Tiranë në dhjetor të atij viti. Ashtu siç pritej, ajo studioi pranë Marie Krajës. Që në vitin e parë, ajo bashkëpunoi me personalitete të mëdha të kohës si Çesk Zadeja, Tish Dija dhe Lluk Kaçaj. Në vitin e fundit të studimeve, përgatit dhe debuton me shumë sukses në rolin e Mimisë nga Opera “Bohema” e Puçinit, jo shumë kohë pas premierës së vitit 1971. Ky ishte një nga rastet e pakta në historinë e ILA, në mos i vetmi, ku një studente mbronte diplomën në skenën e madhe të Teatrit të Operës dhe Baletit. Rezultati ishte perfekt dhe me përfundimin e diplomës emërohet soliste në TKOB në vitin 1972.

Në nëntor të vitit 1973, në prag të Festivalit të 12-të të Radiotelevizionit, kompozitori i madh Çesk Ζadeja do t’i kërkojë Fitores të këndojë këngën që kish shkruar enkas për vokalin e saj “Fshati im i bardhë” dhe si për çudi ajo do ta refuzojë me mirësjellje. Dhe në këtë pikë vlen të theksohet se Fitore Μamaqi është një ndër të vetmet soliste të TKOB të asaj kohe që refuzoi të dilte në skenën e festivalit të madh. Ajo gjithmonë besonte se festivali i këngës së politizuar nuk ishte për temperamentin dhe vokalin e saj, prandaj zgjodhi t’i qëndrojë besnike muzikës klasike duke injoruar rreziqet që mund t’i sillte një vendim i tillë në popullaritetin e saj.

Në maj të vitit 1974 do të konkurrojë në Anketat Muzikore të Radio Tiranës me këngën “Sa hije të ka pushka” të kantautorit Avni Mula, të cilën do ta interpretojë në duet me Ibrahim Tukiçin dhe pak më vonë do të nisë turnetë në të gjithë Shqipërinë. Një shembull tipik që është ngulitur në kujtimet e muzikdashësve më të vjetër është ai turneu i famshëm në qytetin e Sarandës. Thuhet se trupa e TKOB kishte mbërritur në qytet me autobus që në mëngjes, por Fitore Mamaqi njëkohësisht duhej të përfundonte edhe një tjetër koncert në Tiranë, prandaj mbërriti pasdite me vonesë. Faktorë të ndryshëm të kohës, rrëfejnë se ajo u detyrua menjëherë që nga automjeti të performonte direkt në skenë këngën “Le Coeur et le main” (shqip Dora dhe Zemra) të cilën madje e risolli e para si pas variantit të Tefta Tashkos. Më pas me pianistin Johan Botka regjistroi në Radio Tirana edhe disa kryevepra të repertorit botëror operistik nga Bohema e Puçinit , nga Capuleti e Montecchi e Belinit, nga Madama Butterfly e Puccinit, si dhe disa serenata nga Schuberti dhe Strausi.

Viti 1974 daton me kulmin e karrierës së saj, pasi do të bëhet një nga këngëtaret më të njohura të kohës, kryesisht për shkak të pjesëmarrjes së saj si soliste në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore, pranë Agim Krajkës. Nga njëra anë, koncertet e veçanta që jepte Ansambli i shtetit në qytete të ndryshme të Shqipërisë, në fshatra të thella e në vende pune, dhe nga ana tjetër, këngët popullore që interpretoi me mënyrën e saj unike, ngritën në kulm popullaritetin e Fitore Mamaqit. Kështu në 1975 vendosi të marrë pjesë në Festivalin e Këngës Popullore dhe Qytetare të Tiranës me një krijim të kompozitorit shkodran Tonin Rrota, por kënga e destinuar për të do ti jepej një tjetër këngëtareje. Megjithatë, do të pasojnë dy turne shumë të fuqishme në Turqi dhe në Rumani me Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore ku dhe do të shpalosë më tej potencialin e saj interpretues. Në Rumani, Fitorja me Zeliha Sinën ishin dy solistet kryesore, që tronditën publikun rumun. Atje Fitorja këndoi një këngë rumune, të cilën ia kishte mësuar vetëm dy orë para shfaqjes shoqëruesja rumune me origjine shqiptare. Interpretimi mbresëlënës bëri publikun rumun të mos ndalonte duartrokitjet dhe brohoritjet në teatër për afro 15 minuta. Lajmi u transmetua mënjëherë edhe nga radiotelevizioni shqiptar. Këngë popullore që ajo vulosi me interpretimin e saj, janë: “Ο moj bukuroshe”, “Kur më del në derë”, “si mi ke sytë, ke vetullat” etj.

Në shkurt 1975, vihet në skenë opera “Komisari” e Nilolla Zoraqit ku interpreton me çiltërsi rolin e Almës, sidomos në aktin e dytë me Memon, por tregon edhe forcë dramatike në prologun e operës në skenën me Spiro Qendron. Pak më vonë realizon një figurë të freskët në rolin e Mrikës në operën “Mrika” të Prenk Jakovës. Por Shtatori i vitit 1975 do të ishte viti që emri brilant i Fitore Mamaqit do të hynte në shënjestër të regjimit, pasi xhaxhai i saj Dashnor Mamaqi akuzohet si “element armik i Partisë dhe pushtetit popullor”, duke sjellë pasoja veçanërisht të rënda”. Lëkundja graduale e rrjedhës së saj artistike sapo kishte filluar.

Situata e re që u formua në skenën politike të vendit do të kishte së pari një ndikim të menjëhershëm në gjendjen emocionale të sopranos dhe së dyti, një fërkim gradual në karrierën e saj të mëvonshme. Edhe pse në këto rrethana, Fitorja dallohet për një interpretim shumë të mirë të Lules në operën “Zgjimi” të Tonin Harapit në shkurt të vitit 1976. Një vit më vonë do të marrë pjesë me Orkestrën e Ansamblit Kombëtar në Festivalin e Këngës Popullore me një këngë të re, të kompozuar nga Limoz Dizdari dhe me tekst të Fatmir Gjatës, që titullohej “ Që nga shekujt vijmë ne”. Në vitin 1978 do ta takojmë sërish në Anketat e marsit të Radio Tiranës me një këngë që quhej “Mësuesja në një ditë pranvere”. Gjithashtu në vitin 1978 ajo shënon sukses të madh në TKOB edhe në rolin e Olimpisë në operën “Lulja e kujtimit” të Kristo Konos. Në 1979 pason interpretimi i saj i papërsëritshëm në rolin e Rosinës në “Berberin e Seviljes” së Rossinit, pranë Ramiz Kovaçit, Gjergj Suliotit, Pëllumb Katroshit etj.

Në vitet 1980, mund të themi se figura e Fitοre Mamaqit pëson një “rënie” të ndjeshme. Në këtë përfundim arrihet duke studiuar materialet e kohës, ku vërehet lehtësisht se emri i saj nuk figuron më, as në premierat e shfaqjeve dhe as në operat shqiptare të asaj periudhe. Madje edhe pjesëmarrjet e saj të shumta në ngjarjet artistike të kohës reduktohen. Kjo është edhe periudha që ajo do të kalojë si pedagoge e jashtme në Liceun Artistik të Tiranës për një kohë të shkurtër. Në TKOB do e gjejmë përsëri në rolin e Almës nga opera “Komisari”, por edhe në një shfaqje me opera të ndryshme në vitin 1982, ku do interpretojë Violetën në aktin e trete të “Traviates” së Verdit . Në vitin 1985 bën një interpretim të lavdërueshëm serish në Rolin e Rozinës nga “Berberi i Seviljes”. Një figurë interesante është edhe Lola nga Opera “Kavaleria Rustikana” e Maskanjit në vitin 1988, për t‘u pasuar nga një tjetër arritje të madhe në rolin e Desdemonës nga akti i katërt i Operës “Otello” të Verdit me Gjergj Suliotin, që do të shënojë edhe rolin e saj të fundit.

Në vitin 1993 Fitore Mamaqi do të tërhiqet nga TKOB për shumë arsye të ndryshme, duke mbyllur një nga rrugëtimet artistike më të diskutueshme që ka njohur skena vendase ndonjëherë. Megjithatë, jeta aventureske e një shpirti artistik që shkëlqeu shumë herët në Shqipëri nuk pushoi atje. Irma Libohova, këngëtarja e mirënjohur shqiptare do ta prezantonte atë me një botë tjetër muzikore, të cilën as nuk mund ta imagjinonte ndonjëherë në fillimet e saj. Veprimtaria e saj artistike ndryshon totalisht, pasi për më shumë se një dekadë, Fitorja do të shkëlqente në një botë të re muzikore, atë të performancës live në Maqedoninë e Veriut dhe në Kosovë, duke zbuluar misionet e shumta që fsheh shpirti artistik në hije.

Viti 2001 do të ishte viti që Fitore Mamaqi dhe familja e saj do të emigronin në Nju Jork të SHBA-ve ku jetojnë edhe sot e kësaj dite. Aty, e palodhur dhe krenare, siç kishte qenë gjatë gjithë jetës së saj, Fitorja do të hapte një cikël të ri artistik pranë pianistes së mirënjohur Mira Gjoni me dhjetëra koncerte për Shqiptarët e diasporës. Në vijim realizoi disa koncerte me muzikë të lehtë pranë muzikantit Edi Xhani dhe në vitin 2018 vendosi të tërhiqej nga aktiviteti muzikor, duke ruajtur gjithmonë shpirtin e palëkundur artistik.

Kjo është rruga artistike që shënoi sopranoja lirike Fitore Mamaqi. Një rrugë që herë i ngjan romanit, herë filmit artistik dhe herë një drame të ftohtë. Pikërisht për mua kjo ish edhe arsyeja kryesore që më bëri të shkruaj disa rreshta për këtë këngëtare. Ajo vetë asnjëherë nuk ka dashur të japë intervista, të hedhë dritë mbi jetën e saj dhe të nxjerrë në pah karrierën e saj artistike. Fitore Mamaqi është pushtuar gjithmonë nga një modesti të veçantë si në sukseset e saj, ashtu edhe në vështirësitë që haste. I dërgoj gjithë respektin dhe dashurinë time dhe i uroj që të vazhdojë të jetojë jetën, ashtu siç e jetoi gjithmonë “si një jetë të nxjerrë nga faqet e një romani”

Filed Under: Sofra Poetike

“PA TITULL” – POEZI NGA OREST ÇIPA

August 7, 2023 by s p

“PA TITULL”

Për ne,

Koha s’ka shpirt,

Por ,

As shpirti s’njeh kohë po ashtu…

Si për dreq,

Në largësi tik-tak-u i orës na treti,

Dhe agonia e ëndrave kuturu..

Krijesë e bukur eja!

Më shpejt se çasti mësho…

Ta zhbëjmë këtë stilemë të vjetër,

Në botën tonë ,

Në zjarrin tonë,

Si dy të përmalluar!

Të etur!

Unë i pashpirt, ti e pakohë …

———————-

OPINGAT E MIA

I kam var në murr opingat,

Tek çengeli i vjetër…

I ndryshkur,

Në krisjen e këtij ledhi që ndan!

Gjurmët e tyre,

I fshiu era, moti, heshtja..

Disa i rrëmbeu deti!

Gjurmët u mbuluan me gjurmë …

Ndoshta !

Një diç?!

Më brengos në përhijim…

Shputa e këmbës,

Më “ha” sa herë i shoh!

Ndoshta …

Shtigjeve ku rendja tërbuar,

Ju mungon hapi im !

Opingat e mia ..

Të kthyera kokëposhtë,

Të varura,

Tek çengeli i vjetër …

I ndryshkur,

Tungjatjeta !

Mbeçi me shëndet !

————-

DREJT FTOHTËSISË

Drejt një kohe pa ndjenjë po ikim,

Drejt një udhe pa kuptim,

Drejt një ftohtësie të trishtë,

Drejt heshtjes me njerinë…

Mos vallë, Prometeu zjarrin ka rimarr?

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Orest Çipa

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • …
  • 133
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Vatra Long Island” fton komunitetin në festën e Pavarësisë së Kosovës që organizohet më 15 shkurt 2026
  • Tradita Amerikane e “Groundhog Day”, -25°F dhe ngrohja globale që na gjeti me pallto leshi
  • “BORDI I PAQES”, NJË SPROVË PËR SHQIPTARËT NË NJË BOTË QË PO NDRYSHON
  • “Have You Listened to Radio Prishtina?”
  • Tribuni i lirisë, Major Abas Kupi u përkujtua në Krujë
  • KOMUNITETI KRAJAN NË NEW YORK MBAJTI MBLEDHJEN E ZHJEDHJEVE TË PËRGJITHSHME TË KRYESISË SË RE TË SHOQATËS “KRAJA”
  • Fan Noli, Federata Vatra dhe John F. Kennedy: Lidhjet e Diasporës Shqiptare me Politikën Amerikane dhe Demokracinë Globale
  • Today marks the 84th anniversary of the Voice of America
  • MËRGATA SHQIPTARE, NGA KUJTESË E SË KALUARËS NË SUBJEKT AKTIV
  • Përse duhet t’i lexojmë klasikët?
  • ANNA KOHEN: Nuk harrroj vlerat humanitare dhe bujarinë e shqiptarëve
  • Akademia e Shkencave përkujton me nderim në 10-vjetorin e ndarjes nga jeta akademik Kristo Frashërin
  • Ndryshimet e Kodit Penal një realitet me risqe dhe kurthe penalizimi për gazetarët
  • Kongresi Kombëtar i Lushnjes u bë gur themeli për ndërtimin e shtetit shqiptar
  • Libri “Tragjedia Çame” i bashkëautorëve Lita-Halimi, një testament dokumentar

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT