• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Saga e Ilias, Xhemilia dhe Jusuf Vrionit: subjekt i gatshëm për një roman

April 2, 2024 by s p

Prof.as.dr. Hasan Bello/

Një nga familjet më të njohura shqiptare ishte ajo Vrionasve të Beratit e cila jetonte në një ansambël arkitekturor prej katër shtëpishë, të rrethuara me një mur të lartë në lagjen “Mangalem”. Në pamje të parë ato ngjasonin me një kala të vogël dhe konsideroheshin si sarajet më të bukura të Shqipërisë.

Kontributi i kësaj familjeje shtrihet thellë në historinë e Shqipërisë, duke vijuar me Mehmet Ali Vrionin, i cili në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit do të luaj një rol të rëndësishëm fillimisht si deputet në Parlamentin e parë osman (1876-1877) dhe më pas si kryetar i Lidhjes për degën e Beratit. Në prill-qershor 1879 Mehmet Ali Vrioni sëbashku me Abdyl Frashërin udhëtuan drejt kryeqyteteve europiane për tu takuar me diplomatë dhe personalitete të njohur për të sensibilizuar opinionin publik ndërkombëtarë lidhur me çështjen shqiptare.

Mehmet Ali Vrioni që për disa vite kishte ushtruar detyrën e mytesarifit (nënprefektit) në këtë periudhë do të martohet me një vajzë nga familja bertase Vokopola, e cila bashkë me bukurinë thuhet se i solli dhe pasuri të madhe. Në vitin 1882 çiftit u fali Zoti një djalë të cilin e quajtën Ilias. Por gëzimi në këtë familje nuk zgjati shumë. Një aksident tragjik i mori jetën bashkëshortes së Mehmet Aliut, duke e lënë foshnjen jetim. Pas disa kohësh ai u martua me një çerkese të quajtur Mihiri hanëm që nuk zgjati pasi në vitin 1890 atdhetari i njohur ndërroi jetë.

Iliasi i vogël u rrit me përkujdesin e njerkës, e cila nuk kishte fëmijë dhe xhaxhait të tij, patrioti Azis Pashë Vrioni. Pas mbarimit të arsimit bazë ai u dërgua për të vijuar studimet e larta në Stamboll, në Mylkijen e famshme (fakultetin e Shkencave Politike dhe Administrative) nga auditoret e së cilës dilnin drejtuesit kryesorë të administratës osmane. Në vitin 1904 ai u diplomua me rezultate të larta. Ndërsa në vitin 1908, në moshën 26 vjeçare u zgjodh kryetar i bashkisë së Beratit. Deri në vitin 1912, Ilias Vrioni do të përpiqet për zhvillimin e arsimit kombëtar dhe përmirësimin e jetës së bashkëqytetarëve. Gjatë kësaj periudhe, ai bashkëpunoi ngushtë me klubet patriotike, të cilat luftuan për zgjerimin e shkollave në gjuhën shqipe. Ai do të luaj rol kryesorë për zgjedhjen e Ismail Qemalit dhe xhaxhait të tij, Azis Pashë Vrioni si deputetë në Parlamentin e dytë osman. Kjo pavarësisht fushatës së xhonturqve për t`i penguar këto kandidatura.

Në Kuvendin e Vlorës, Ilias Vrioni mori pjesë si përfaqësues i Beratit dhe me kërkesë të Ismail Qemalit iu ngarkua detyra e këshilltarit të Ministrisë së Brendshme. Angazhimi politik i Ilias Vrionit ka disa kulme. Ai fillon në këtë periudhë, por në fakt pas Kongresit të Lushnjës në janar të 1920 ku ai ishte pjesmarrës aktiv, Ilias Vrioni do të bëhet disa herë kryeministër dhe ministër i Jashtëm. Për shkak të kontributeve, formimit dhe besimit që ai gëzonte edhe në vitet e Republikës dhe Monarkisë shqiptare ai do të luaj një rol të rëndësishëm. Kryesisht, Zogu e ngarkoi atë të merrej me politikën e jashtme si ministër dhe diplomat. Në vitin 1932, ai ndërroi jetë në Paris ku shërbente si ambasador.

***

Në vitin 1909 Ilias Vrioni ashtu si të gjithë pinjollët e familjeve (oxhaqeve) të mëdha shqiptare u martua me vajzën e Hysen Pashë Dinos. Xhemilia ishte një vajzë e shkolluar dhe tepër e emancipuar për kohën. Ajo i përkiste një familje po aq të njohur çame nga Preveza, e cila kishte nxjerrë funksionarë të lartë në administratën osmane, patriotë dhe intelektualë të njohur brenda dhe jasht Shqipërisë. Ajo kishte mbaruar një shkollë femërore në Stamboll dhe zotëronte shumë mirë përveç shqipes, frëngjishten, italishten, greqishten dhe turqishten. Xhemilia solli në Berat edhe pianon së cilës i binte shumë mirë dhe brenda një kohe të shkurtër filloi t`ua mësonte vajzave të tjera.

Epilog i dhimbshëm

Me Ilias Vrionin që vdiq relativisht herët Xhemilia pati tre fëmijë, Mehmet Aliun i cili pas shkollimit në Paris shkoi në Itali dhe sëbashku me të motrën, Nihalin e martuar atje për shkak të regjimit komunist nuk u kthye më kurrë në Shqipëri. Ndërsa fëmija i tretë, përkthyesi dhe intelektuali i njohur Jusuf Vrioni, i diplomuar po në Paris për drejtësi dhe ekonomi u kthye në Shqipëri ku për 13 vite vuajti në burgjet komuniste.

Xhemilia vdiq në Tiranë në vitet 70-të pa u takuar me dy fëmijët e tjerë që ndodheshin në Itali dhe pa e parë Jusufin në detyrën e ambasadorit të Shqipërisë në UNESKO pas viteve 90-të. Por, ajo përjetoi edhe diçka të tmerrshme në vitin 1946, kur komunistët hapën sarkofagun dhe nxorrën nga varri bashkëshortin e saj, ish-kryeministrin, ish-ministrin e Jashtëm, ish-ambasadorin dhe nënshkruesin e deklaratës së pavarësisë, Ilias Vrionin për ta hedhur në një vend që nuk dihet as sot. Përveç kësaj, “barbarët e kuq” iu vërsulën edhe sarajeve të Vrionasve, për të zhdukur me kazma nga faqja e dheut ato pak gjurmë të familjeve fisnike shqiptare.

Foto: wikipedia.org

Filed Under: Politike

15 VJETORI I ANËTARËSIMIT TË SHQIPËRISË NË NATO, MESAZHI I PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË Z.BAJRAM BEGAJ

April 1, 2024 by s p

“Data e 1 prillit të vitit 2009 jetësoi vizionin Euroatlantik të shqiptarëve për të qenë pjesë e Aleancës politiko-ushtarake më të fuqishme të kohës sonë. Ky anëtarësim realizoi aspiratën e kahershme të popullit shqiptar, duke e kthyer atë te përkatësia e vet perëndimore, e mishëruar që në filozofinë e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit, si strateg i aleancës së parë politiko-ushtarake me Perëndimin.

Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO është një ndër datat më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare.

Mirënjohës ndaj popullit shqiptar, SHBA-ve dhe aleatëve, të cilët mundësuan realizimin e këtij anëtarësimi. Shqipëria në këto 15 vite në NATO ka sjellë më shumë siguri për vendin, rajonin dhe hapësirën Euroatlantike. Krenar për efektivët e Forcave tona të Armatosura, si dhe vajzat e djemtë shqiptarë në misionet paqeruajtëse dhe operacionet e NATO-s, si: Afganistan, Irak, Bosnjë, Kosovë, Bullgari, Letoni dhe Deti Egje. Shqipëria do të vijojë të jetë e palëkundur që, së bashku me aleatët, të mbrojë lirinë e të kontribuojë për një botë në paqe”.

Filed Under: Politike

Kush është profesori Sami Repishti i Universitetit Adelphi të New York-ut?

March 30, 2024 by s p

Prof. Gjon Frani Ivezaj/

Shpesh në diasporën shqiptaro amerikane, për dekada me radhë kanë vepruar figura të shquar, të cilët, me veprimtarinë e tyre të panderprerë atdhedashëse kanë dhënë një ndihmesë shumë të madhe çëshjes shqiptare të shtetit amë dhe në trojet e tjera etnike. Një nga këto personalitete më të ndritura të komunitetit tonë është edhe intelektuali antikomunist dhe pedagogu i Universitetit, profesori i shquar Sami Repishti, i cili, qysh kur erdhi në SHBA dhe deri në ditët tona, po punon pa u lodhur për dekada me radhë, për çështjen shqiptare në forma të ndryshme, si në tubimet e shpeshta dhe atikuj të shumtë sensibilizues për Qeverinë, Senatin dhe Kongresin Amerikan.

Sami Repishti (1925), lindi në Shkodër, në një familje patriotike me tradita dhe kulturë tradicionale qytetare. Sipas kujtimeve të botuara të prof. Sami Repishtit, mësojnë, se gjyshi i tij, ka nënshkruar Memorandumin e 13 qershorit 1878 të Lidhjes së Prizrenit, Shkodër.

Babai hafiz Ibrahim Repishti, ishte një besimtar me bindje, duke qenë një udheheqës shpirtëror i lagjes së vet. Ai si vullnetarë kishte marrë pjesë në rezistencë me armë në dorë, në brojtje të qytetit nga agresioni malazez në vitet 1912-1913, duke qenë komandant i tyre.

Gjithashtu ai bashkë me atë Gjergj Fishtën O.F.M., atë Ambroz Marlaskaj O.F.M., Luigj Gurakuqin, e të tjerë ishte deputet në Parlamentin e Shqipërisë në Tiranë, gjatë vitëve 1923-1924. Kështu 11 vite më vonë, ai ishte viktimë e terrorit fashist italian në vitin 1943. Për këto ngjarje të historisë së qytetit antik të Shkodrës dhe Shqipërisë, prof. Sami Repishti shkroi një libër me kujtime, ku, një vend të rëndsishëm në hyrje të autobiografisë zë edhe historia e familjes së tij.

Prof. Sami Repishti, shkroi librin “Pika e Loti” (tregime burgu, Shkodër, 1997), me 340 faqe, ku, në hyrje ka perkushtimin e tij: “Gruas shqiptare, fisnikërisë së kryqezueme pa faj! Bashkëshorteve, nanave, bijave e motrave tona, vuetja dhe përkrahja e të cilave i dhanë lëvizjes demokratike shqiptare përmasën e saj ma njerëzore.” Libri, është i konceptuar në formë autobiografie, me 32 pjesë, të përmbledhur si përjetime jetësore historike brenda 340 faqeve të veprës.

Autori, shkruan: “Dëshmorëve të lirisë dhe viktimave të tiranisë, të të gjithë vendeve e të të gjitha kohëve. Mendjeve fisnike, që transformojnë tragjedinë tonë kolektive, në nji kryqëzatë kundër Torturës, në çdo vend e në çdo kohë, me mirënjohjen ma të thellë.”

Autobiografi, bëri 10 vjet burg (1946-1956), në Shqipërinë komuniste të diktatorit Enver Hoxha, në burgjet e Shkodrës, në kampet e punës së detyruara të vdekjes së Bedenit dhe Maliqit, Beratit, Fierit, Lushnjës dhe Tiranës.

Autobiografi shkodran dhe sot shqiptaro amerikanë prof. Sami Repishti kujton, se kushëriri i tij, është ekzekutuar nga nazistët pushtues gjermanë, në kampin famkeq të Mat’hauzen-it në vitin 1944. Në vitin 1937, Samiu 12 vjeçar festonte 25-vjetorin e Ditës së Pavarësisë, ku, djepi i kulturës, qyteti Shkodra menjëherë e griti Flamurin Kuq e Zi në kështjellën e lashtë historike “Rozafa”.

Një ditë 17-vjeçari, gjendet para një të papriture. Ai mbarimin e provimeve të matures, sëbashku me 28 shokët e klasës dhe ekipin pedagogjik të mësuesve, i ka si kujtim të përjetshëm në fotografi.

Në Tiranë, niset për të marrë pjesë në një konkurs, për shkollën e lartë jashtë shtetit. Rreth 112 kandidatura, konkuronin për 28 bursa studimi të profesioneve të ndryshme. Mbas 2 ditëve, ai merr vesht se ka fituar një bursë studimi pranë Universitetit të Firencës në Itali. Gjatë vjeshtës përgatitet për të udhëtuar drejt Italisë. Me një anije mallrash, kaloi ujërat e kaltra të Detit Adriatik e u afrua pranë portit të Brindizit.

Ai kujton se më shumë se 200 studenta shqiptarë, u mblodhën në sheshin “Michelangelo”, duke demostruar para syve të policisë fashiste vendase. Shpalosja e flamurit kuq e zi dhe këndimi i himnit nacional ishte kulmi i tubimit. Pushtimi i Shqipërisë nga nazistët gjerman, do të gjej Samiun, si gjithnjë neutral ndaj erërave të egra politike të kohës.

Nacionalistët në Shkodër, shikoheshin me dyshim nga komunistët, ndërsa vetë nacionalistët i shikonin komunistët si shërbëtorë të pansllavizmit rus, dy epitete negative që sundonin në qytet.

Samiu, kujton: “Çdo ditë sillte diçka të re. Në kaosin e qytetit, shumë të rij ishin dalldisë mbas jetës së luksit të siguruem nga fitimet e mëdha në tregti e spekullimet e ndryshme. Shumë të reja u përfshinë në vorbullën e qytetit që nuk flinte ma. Shkujdesja e pabesueshme ishte ba normë për shumë bashkëqytetarë, që nuk dëshirojshin me dijtë për asgja, veç dëfrimeve të jetës së tyne të shthurun…”

Ekipi i zyrës së Samiut, përbëhej nga elementë “indiferentë” në politikë, por “zyrtarë” të rregullt. Fryti i punës së tyre dukej qartë, në rindërtimin e urave të vogla, shtrimin e një rruge të demtuar ose përmirësimin e ndërtesave qeveritare. Në prill 1945, u organizua në Shkodër një demostratë para ndërtesës së prefekturës. Parakaluesit, bërtisnin: “Duam Triesten”. Askush nuk kërkonte Kosovën.

Ata mbanin parulla të udhëheqësve jugosllavë, sovjetikë e ndonjë shqiptarë. Ata, kërkonin antarësimin e Shqipërisë në OKB dhe aneksimin e Triestes së Italisë drejt oreksit të Jugosllavisë së Josif Broz Titos. Pamja e qytetarëve robot, që ishin mbledhur, manifestonin e shpërndaheshin me urdhër i la një përshtypje të keqe shkodranit Repishti.

Samiu, përfshihet në grupin kundërkomunist, që vepronte në mënyrë aktive e klandestine në Shkodër. Gjatë muajit maj 1946, u zhvilluan demostratë e para kundërkomuniste, të qeta, spontane, nën sytë e vëzhgimit të Sigurimit. Asokohe ishte momenti i funeralit të Aqipeshkvit katolik imzot Gaspër Thaçit, ndërsa mbahej në gjendje arresti në shtratin e vdekjes. Proçesioni mortor elektrizoi Shkodrën nga kathedralja e shën Shtjefinit deri tek vorrezat e qytetit të Rrmajit. Turma të mëdha njërëzish katolikë dhe muslimanë ndiqte arkivolin, në heshtje e dinjitet, kundër dikturës së kuq që ishte instaluar në Shqipëri.

Samiu, kujton me shumë respekt fjalët e vendosmërisë së atë dr. Gjon Shllakut O.F.M., gjatë takimit të paharruar: “Nuk do të provokojmë; nuk asht roli jonë. Por njikohësisht, nuk mund të heqim dorë nga Feja e nga Kisha e Romës. Ata janë Jeta e Nana e Jonë. Pa Ata, qënia jonë si klerikë s’ka kuptim.”

Gjatë atyre ditëve, Samiu me shokë kishte hedhur në mënyrë ilegale 2 trakte e kishin protestuar me anë të një Memorandumi, shkruar në gjuhën franceze, për manipulimin e votimeve, duke sensibilizuar autoritetet “aleatë” syleshë e veshshurdhër, që kishin vizituar Shqipërinë ato ditë. Megjithatë, grupi ku bënte pjesë Sami Repishti, kishte arritur një sukses, sepse forcë e Sigurimit të uritur ishin hedhur në sulm.

Vuatjet dhe torturat në burg

Me 22 tetor 1946, në vendin e punës së tij mbërrijnë forcat e Sigurimit dhe marrin nën pranga të riun Sami Repishti. Shokët e shikonin me keqardhje, por nuk kishin mundësi t’a ndihmonin. Në kuesturën komuniste, fillon rutina e dhunës sistematike fizike. Për 14 muaj, Samiu iu nënshtrua hetimeve intensive. Qëllimi i Sigurimit, nuk ishte e vërteta, por procesi i detyruar, me pranu atë që nuk di, duke plotësuar planet e parapërgatitura të diktatorit.

Dhoma e qelisë së ftohtë, pranë Kuvendit Françeskan në Shkodër, ku qendroi Samiu, kishte një shtrat fjetje e asgjë më shumë. Aty më parë kishte fjetur një frat i kishës katolike, por që nga plumbat e togës së pushkatimit kishte përfunduar në morg, e prej aty në ujërat e ftohta të lumit Kir, ku komunistët i hidhnin kufomat e personaliteteve të shquara antikomunistë. Ai qëndroi i lidhur në këmbë, kurse duart ia zgjidhën. Çdo ditë kishte metoda të reja torture sfilitëse ndaj Samiut.

Akuzave të Sigurimit dhe kapitenëve xhelatë, Samiu, u jepte përgjigjen mohuese. Sërisht përtokë në kolaps, para se vdekja ta merrte në krahët e saj.

Sipas një akuze të parafabrikuar thuhej, se: “Sami Repishti, ishte përpjekur për të rrëzuar pushtetin popullor me focë”, në lidhje me “agjentët e fuqive të huaja

Një klerik katolik dhe një hoxhë të lidhur bashkë me zinxhirë

Grupi i të burgosurve, ku qëndroi S. Repishti, kishte 22 vetë, të lidhur me zinxhirë dy e nga dy, e të rrethuar nga dy rreshta roje partizanësh të armatosur. Kështu dy të burgosurit e parë ishin klerikë shkodranë: një fraçeskan katolik dhe një hoxhë (imam) mysliman. Të tjerët ishin katundarë, tregtarë, dy studentë e një ipeshkëv katolik shqiptar.

Ata sapo dolën në rrugë, turma histerike e përgatitur nga partizanët çirrej: “Trathtarë! Trathtarë! Plumbin ballit! Plumbin ballit!”

Gjyqi u zhvillua në sallën e kinemasë së Shkodrës. Tashmë, në vendin, ku dikur qëndronte orkestra frymore e qytetit (ish-Banda e Bashkisë), kishin vendosur 22 karrige për të pandehurit dhe pak më larg qëndronin “avokatët”, që nuk kishin të drejtë të takonin klientët e tyre. Rezultati i dënimeve me burgime, në pretencën e Gjyqit Ushtarak, dhënë nga Prokurori, që përfaqësonte diktaturën e hurit e litarit, ishte skandaloz e për faqe të zezë.

Nga 9 të akuzuar, duke përfshi edhe Ipeshkvin trim, u dënuan me vdekje-pushkatim. Të tjerët, morën dënime prej 15 vjet heqje lirie deri në burgim të përjetshëm. Qytetari shkodran Sami Repishti, dënohet nga pretenca e gjyqit me 15 vjet heqje lirie.

Më 28 nëntor 1947, kolona e të burgosurve shoqërohej në të dy anët nga forcat partizane të armatosura, që mbronin të burgosurit e lidhur më zinxhirë. Ai sërisht në burg, takohet dhe bisedon me atë Ciprijan Nikën (1900-1948), njeriun diturak, zotërues i disa gjuhëve të huaja, shumë bujar e fisnik në shpirt dhe kaloi disa ditë në qelitë e Sigurimit.

Atij i ka mbetur e ngulitur në kujtesë, burrëria e fratit të patundur, për ideale të shenjta Atdhe-Fe: “Biri im, me vrasjen time, komunistët duen me vra të vërtetën!” Frati atë Çiprijani, i la amanet të riut bashkëvuajtës Sami Repishtit, që të tregoj të vërtetën, kurdo që të dalë nga burgu, tregoje të vërtetën e futjes së armëve në kishë nga një seminarist i përjashtuar nga shkolla, për shkelje të rregullave të Kuvendit.

Mbas lirimit nga burgu, Samiu niset në qytetin e lindjes me një makinë të rastit. Shkodra, tashmë ishte kthyer në qytet karantine mjerimi, ku afishet e propagandës komuniste gjendeshin kudo. khyri në shtëpi, motra e njoftoi se banonin në një dhomë përdhese dhe pjesa tjetër e shtëpisë ishte e zënë nga qeraxhinj, të vendosur aty nga qeveria.

Pasuria e gjithë familjes ishin tre krevatë, një tryezë, disa karrige e divani. Vëllai i Samiut prej disa kohe ishte arratisur nga Shqipëria., ndërsa vëllai tjetër ishte me shërbim ushtarak. Nëna e motra, shikonin Samiun, por nuk flisnin. Me kokë të ulur poshtë, nëna tha: “Nuk kemi bukë… nuk kemi triska… e motra nuk gjen punë…!” Nga burgu i qelisë drejt një burgut të madh kolektiv deri sa ai arratiset nga Shqipëria dhe më vonë ai sërisht arratiset edhe nga kampi i Gerovës drejt Italisë.

Këtu ai qëndron në kampin e refugjatëve ndërkombëtare, ku, më pas niset drejt botës së lirë dhe demokratike të SHBA-së…

Sami Repishti, PH.D. City University of New York, “Lotë – Lavdi e Lumnim”

Sikurse e cekëm edhe më lart, profesor Sami Repishti në çdo kohë dhe situatë, që i është krijuar mundsia, ka shkruar kujtime me ngjarje të hidhura të kohës së tij, të cilat i ka botuar në shumë revista dhe gazeta të botës shqiptare.

Para 4 vitëve, në vitin 2016, me rastin e ceremonisë së Lumnimit të 38-martirëve të klerit kaotlik shqiptar, Shkodër, në muajin nëntor të vitit 2016, nën kujdesin e Botimeve Françeskane, Shkodër, ka botuar librin “Lotë – Lavdi e Lumnim” gjithsej 140 faqe, të cilat janë mirëpritur shumë mirë nga kritika bashkëkohore shqiptare, dhe nga shtresa e bashkëvuajtësve të tij, të cilët sot janë në moshë të thyer.

Prof. Repishti dhe Kisha Katolike Zoja e Shkodrës në New York

“Por Kisha e juej “Zoja e Shkodrës” këtu në SHBA është gjithashtu edhe nji monument i gjallë, nji permendore, që ngrihet si dokumenti i nji memoriali të shkruem, për karakterin e saj kombëtar gjithëshqiptar, në kuadrin e universalizimit të Kishës nanë Katolike Apostolike Romake. Kisha e juej asht nji vepër, që po skalitet në gur, nji shkamb i shqiptarizmit, nji objekt, që shenon punën tuej dhe vullndetin e të gjithë besimtarëve si ju, të mbeten deshmitarë të shqiptarizmit, dhe të identitett kombëtar gjithëshqiptar.” – Prof. Sami Repishti, New York

Profesor Sami Repishti, ka qenë dhe mbetet edhe sot e kesaj dite, miku dhe bashkëpunëtori me i ngushtë e i dashur i kishës katolike shqiptare Zoja e Shkodrës në Hartsdale New York.

Në një shkrim dedikuar sakrificave të klerit katolik apostolik roman shqiptar, prof. Sami Repishti shkruante: “…. për 38 martirët e fesë katolike dhe kolegët e tyne të masakruar nga terrori komunist…. për atë madhështi të pa shkallë, që përvuejtënia falë vetëm për njerëzit e kushtuem, për atë qetësi që buron vetëm nga shpirti i qenieve njerëzore pa kërkesa, për atë hir që rrezatojnë vetëm ata që idenë e kanë afsh zemre e përpjekjen për atë ide, qellim të vetëm të jetës së tyne…. Sherbim për Zotin dhe krijesën e Ti, je që unë dëshmova gjatë viteve të burgut të përbashkët, me mirënjohjen dhe respektin tim ma të thellë!”

Ai, si një intelektual i përgatitur dhe shumë largpamës, atdhedashës dhe si një shqiptar i devotshëm, ka qenë dhe është i pranishëm në të gjitha ngjarjet kombëtare, kulturore, përkujtimore të figurave te shquara të klerit katolik dhe atdhetare, që ka organizuar vazhdimisht prej disa dekadash, Qendra Kulturore Nënë Tereza, pranë kishës katolike Zoja e Shkodrës në New York.

Gjatë kohës së vuajtjes së dënimit në burg në Shqipëri, ai ka parë nga afër me sytë e tij persekutimin e shumë figurave të shquara të klerit katolik, me të cilët ka ndarë vuatjet, kujtimet dhe mbresat e një jete shumë të vështirë, plot plagë e vuajtje në qelitë e tmerrshme të burgjeve të vdekjes, të regjimit komunist të dikatatorit Enver Hoxha.

Këto episode dhe kujtime të dhimbshme, ai i ka shkruar dhe referuar në shumë takime kulturore dhe historike, që shpesh janë mbajtur në ambientet e kishës Zoja e Shkodrës në New York.

Kështu 21 vjet më parë, ai ka mbajtur një fjalim shumë domethënës, gjatë kohës së celebrimit për Konsakrimin e kishës katolike shqiptare Zoja e Shkodrës, më 25 prill 1999 në New York, kumtesë e cila më vonë u botua edhe në faqet e revistës kulturore fetare Jeta Katolike, që prej vitit 1966 vazhdon të botohet, nën perkujdesin e Qendrës Kulturore Nënë Tereza, me drejtor botues meshtarin e palodhur dom Pjeter Popaj dhe kryeredaktorin e saj Mark K. Shkreli, redaktorin Klajd Kapinova dhe Simon Vukel.Dhe aktivisti dhe kryetari i këshillit të kishës tonë zoti, Tonin Mirakaj.

Po ashtu 15 vjet më parë prof. Sami Repishti, më 2 maj 2005, mban një fjalim në ambientet e kishës katolike shqiptare në New York, me temë: Papa Gjon Pali II: “Mos Kini frike!”, pra, një muaj mbas kalimit të Atit të Shenjt në amshim.

Me këtë rast, ai i bën një përshkrim dinjitoz, duke e përkujtuar papën polak Karol Wojtyla, i cili, ishte një antikomunist i vendosur, një intelektual, shkrimtar (poet) dhe figurë e shquar e historisë së papatit në Selinë e Shenjt në Vatikan.

Ata që kanë njohur nga afër këtu në New York, jetën dhe veprën e profesorit shkodran Sami Repishti, kanë ndjekur me kujdes edhe kumtesën e tij për kohën e perskeutimit të përbindshëm bolshevik, gjatë diktaturës ateisto-komuniste në Shqipëri, në harkun kohor të vitëve 1944-1990.

Prof. Repishti, shkruan një artikull tjetër shumë të bukur, në revistën Jeta Katolike në New York, me titull: “Surgite, Mortui! – Le të Ngrihen të Vdekurit”, një punim me ngjarje të jetuara historike, i cili, në vetvete përmban kujtime të kohës së zezë në Shqipëri, kur diktatura e protelariatit bënte kerdi (masakra) mbi popullin e pafajshëm shqiptarë.

Temat e preferuar e prof. Repishtit ishin bashkëvuajtesit e tij klerikët katolikë franceskanë dhe jezuitë, të cilët historikisht nder shekuj kanë qenë ajka e vërtetë e kombit tonë. Këto prelatë dhe klerikë të thjeshtë të dy Urdhërave të famëshme Franceskane dhe Jezuitëve nga qyteti i lashtë i Shkodrës, vinin nga dy shkolla të së njejtës kulturë përparimtare kristiane.

Prof. Sami Repishti edhe mbas viteve 1990, është munduar të mos shkëputet nga vendlindja e tij Shkodra, duke shkruar shpesh kujtime për qytetin, impresionime dhe banorët e tij. Me shumë interes janë edhe letërkembimet e prof. Sami Repishtit, me mikun e tij të vjetër imzot Rrok Mirditen, Arqipeshkëv Metropolitan Tiranë-Durrës, i cili, disa vite më parë ka ndërruar jetë.

Leterkembimi i përket periudhës së muajve korrik-gusht të vitit 2003. Repishti-Mirdita, janë një pasuri e madhe për studiuesit, sepse aty sheh sesi dy intelektualët i trajtojne tematikat shqiptare dhe kulturore në terësi.

Mons. Mirdita e falënderon nga zemra prof. Repishtin, për vizitën që ai i bën në Selinë e Arqipeshkvisë Metropolitane Durrës-Tiranë (sot Tiranë-Durrës), në kryeqytetin e Shqipërisë. Prof. Repishti e falënderon Monsinorin, për dhurimin e librit të tij: “Për një Shqipëri me Zotin”.

Sami Repishti Profesor në Universitetin e New York-ut

Ishte pjesëtar i rezistencës, kundër pushtuesve italian e gjerman në Shqipëri, si student, kundërshtoi diktaturën komuniste të prosavendosur në vendin e shqiponjave. Më 1946 u arrestua dhe u dënua me 15 vjet burgim të rëndë, kryesisht për kërkesën e tij për demokraci dhe zgjidhjen e problemit dardan. Nëna, vëllai dhe motra e tij, vuajtën në kampet e internimit në Berat dhe Tepelenë.

Më 1959, u arratis në ish Jugosllavi, ku, u burgos përsëri, e mbas shumë vuajtjesh, emigron në ShBA (1962), ku, jeton edhe sot me familjen. Ai ka bërë studimet e mesme në Shkodër, dhe ata universitare në Firenze (Itali), në Paris (Francë) dhe ka dokturuar pranë departamentit të Frëngjishtës në City University of New York në vitin 1977.

Intelektuali i shquar dhe njohës i shumë gjuhëve të huaja prof. Sami Repishti, për 25 vjet me rradhë, ka dhënë mësim në gjimnazet amerikane dhe në Adelphi University.

Prof. Sami Repishti, ka qenë kryetar i departamentit të Gjuhëve të Huaja për gjimnazet e qytetit Malverne, New York, dhe pedagog i jashtëm porsavendosur pranë Aldephi University (N.Y.). Në vitin 2020, prof. Repishti, është autor i më shumë se 770 studimeve dhe artikujve me tema shqiptare dhe të Drejtat e Njeriut, kryesisht për shqiptarët në ish Jugosllavi dhe çamët, të botuar në shtypin amerikanë dhe shqiptarë.

Ka qenë koordinator për ish Jugosllavinë dhe Shqipërinë, pranë Amnesty Internacional në ShBA, për periudhën e vitëve 1979-1982. Është i pari shqiptaro amerikan, që ka dëshmuar para Kongresit Amerikan, për Kosovën në prill të vitit 1965, dhe ka vijuar me dëshmi të shumta para komisioneve kongresiane dhe qendrave studimore amerikane, kryesisht për problemin kosovar.

Në vitin 1986, kërkoi hapjen e Zyrës Amerikane në Prishtinë, që u realizua me sukses në vitin 1996, dhe atë kosovar në Washington D.C., që u aprovua nga Presidenti i ShBA-së William Jeferson Clinton më 1993. Që nga viti 1965, vazhdon të jetë njeri nga aktivistët më të njohur për kontaktet e vijueshme me përfaqësuesit e Kongresit, Departamentit të Shtetit dhe Shtëpinë e Bardhë, në mbrojtje të interesave të mbarë popullit shqiptar, pa ngjyra ideologjike.

Prof. Repishti, është bashkëthemelues i Lidhjes Qytetare Shqiptaro Amerikane (1986) dhe drejtor ekzekutib (1989-1992), themelues dhe president i Kosova Relief Fund, USA., Inc. (1978 dhe sot); bashkthemelues i Amerrican Friends of Albania dhe sekretar/arkëtar i saj (1992-1996); bashkëthemelues i Këshillit Kombëtar Shqiptaro Amerikan (NAAC, 1996) dhe president i parë (1996-1998).

Ai është antar i Bordeve drejtuese të disa organizatave shqiptaro amerikane. Vazhdon të merret me studime shqiptare dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Është i martuar me Diana Cipin, një vajzë gjirokastrite dhe ka dy fëmijë një djalë Daren me profesion mjek dhe vajzën Ava avokate. Ai ka pesë nipa e mbesa.

Se fundi, dua të them me shkrimin tim modest në perkushtim të intelektualit të shquar prof.Sami Repishtit,për ne shqiptarët kudo që jetojmë është simboli i shqiptarit të madh,i atdhetarit të pamposhtur,i cili sfidoi tri diktaturat më të mëdha të shek.XX; diktaturën fashiste, diktaturën naziste dhe atë komuniste.Profesor Samiu është shembulli i intelektualit rrallë të atdhetarit vetmitarë,i cili vuri gjithcka,pasurinë,familjen,jetën e tij për të mirën e kombit vetë Shqipërisë,që ne shqiptarët sot të jetojmë si kombet e tjera të qytetruara në paqe dhe qetësi,duke vlerësuar kontributin madhor,për mendimin tim,professor,Sami Repishti, qëndron në krye të intelektualëve dhe është krenaria e diasporës shqiptaro-amerikane.Profesor,Sami Repishti është dhe mbeti në zëmrat e të gjithë shqiptarve, symbol i genies së races s’onë ,intelektuali ma i nderuari i të gjithë kohërave,dhe shquet edhe si nji nga polemistët ma të mprehët të kohës,e prijës i idealeve më të larta kombëtare,model i kësaj bote të qytetruar,profesor, Sami Repishi mbeti figure e madhe , e pjesë e gjerdanit të artë të histories së lavdishme, e përsonaliteti i shquar i kohës,njeriu i famëshëm në enciklopedinë e komunitetit Shqiptaro Amerikan.

Ne, sot ndjehemi krenar për atë që prof. Sami Repishti i ka lënë si trashegimi kulturore, patriotike dhe shkencore kombit shqiptare dhe diasporës sonë në SHBA.

Filed Under: Politike

SHQIPTARËT DHE ORIENTIMI I TYRE

March 29, 2024 by s p

Shqiptarët:

Dënojnë ideologjinë totalitare dhe staliniste;

Dënojnë bolshevizmin dhe stalinizmin;

– Nuk e mbështesin sistemin dhe regjimin e pas Luftës së Dytë Botërore dhe distancohen prej tij;

Janë kundër qeverisjes autoritare, autokrate, tiranisë dhe despotizmit;

Janë kundër sistemit monist;

Mbështesin pluralizmin politik dhe demokracinë parlamentare;

Mbështesin ndërtimin e shtetit ligjor dhe shtetit të së drejtës;

Mbështesin ndërtimin e shoqërisë civile;

Mbështesin liritë dhe të drejtat e njeriut;

Mbështesin lirinë e fjalës dhe shtypin e pavarur;

* * *

Duhet të forcojnë dhe të ngrenë në nivel më të lartë arsimimin;

– Duhet t’i intensifikojnë veprimet e veta për t’i luftuar dukuritë negative në shoqëri – veprimet e paligjshme, trafikimin e qenieve njerëzore, të armëve, të lëndëve narkotike, korrupsionie, pasurimin brenda natës, partizimin dhe politizimin e institucioneve publike, nepotizmin, imoralitetin, abuzimet gjatë procesit zgjedhor etj.;

– Duhet të veprojnë për eliminimin e plotë të fenomenit të hakmarrjes;

– Duhet të angazhohen për parandalimin e tendencave të segmenteve të caktuara të shoqërisë për t’i lënë vatrat dhe vendlindjen dhe për të emigruar në vendet perëndimore;

– Duhet të dinë se individi, familja, shoqëria dhe shteti mund të zhvillohen dhe të forcohen vetëm me punë të ndershme;

Duhet ta rrisin përgjegjësinë në punë;

– Duhet t’i përcjellin arritjet më të reja në botë, në lëmin e shkencës, të teknikës, të teknologjisë, të informatikës, të mjekësisë etj.;

– Duhet t’i përfshijnë në procese shoqërore, politike dhe ekonomike të rinjtë e aftë dhe të shkolluar;

– Duhet të dinë se në shekullin XXI nuk jetohet me mite dhe legjenda, as me patriotizëm folklorik;

Duhet t’u kushtojnë rëndësi vlerave kombëtare dhe të rrisin vetëdijen kombëtare;

– Duhet të dinë se copëtimi i trojeve etnike të tyre është pasojë e sundimit osman dhe e rrethimit me hienat serbe, greke, malazeze dhe sllavo-maqedonase;

Duhet të dinë se ngecja e tyre është pasojë e copëtimit të trojeve etnike të tyre;

Duhet të dinë se për ngecjen e vet, janë fajtorë edhe vetë;

Duhet t’i tregojnë botës se janë popull historik dhe popull politik;

Duhet të manifestojnë kapacitet shtetformues apo shtetndërtues;

Duhet të jetësojnë ideologjinë kombëtare të rilindësve;

Duhet të ndërtojnë dhe të ndjekin politikë kombëtare dhe strategji kombëtare;

Duhet të kenë ideale madhore dhe të kenë politikanë idealistë;

* * *

– Lidhjet me papatin e Romës, të vendosura në kohën e Gjergj Kastriotit, i kultivojnë sot e kësaj dite;

Mbështesin miqësinë dhe partneritetin strategjik me ShBA-në;

Mbështesin integrimin në strukturat euro-atlantike – në NATO dhe në BE;

Kundërshtojnë fundamentalizmin dhe radikalizmin islamik;

– Janë popull që gjatë Luftës së Dytë Botërore i mori në mbrojtje hebrenjtë dhe nuk i dorëzoi gestapos gjermane asnjë hebre;

E çmojnë lartë qëndresën e Gjergj Kastriotit ndaj mësymjeve osmane;

– Me pushtimin e Shqipërisë nga Perandoria Osmane, shqiptarët ranë nën një sundim shumëshekullor;

E çmojnë lartë figurën e heroit kombëtar – Gjergj Kastriotit;

Çmojnë lartë periudhën e Rilindjes Kombëtare dhe rilindësit;

Çmojnë lartë Vlorën e vitit 1912;

– Çmojnë lartë dijetarët gjermanë dhe austriakë të cilët, që nga Lajbnici deri më sot, u morën me studimin e vlerave kulturore dhe historike shqiptare;

Janë shembull në botë, i harmonisë ndërfetare;

Çmojnë lartë flamurin kombëtar dhe himnin kombëtar;

Nuk njohin flamur tjetër pos shqipes me dy krerë;

Nuk njohin himn kombëtar tjetër përpos këtij që fillon me betimin për flamur;

Çmojnë lartë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe luftën çlirimtare të saj;

Çmojnë lartë Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare dhe luftën e 2001-shit;

– Çmojnë lartë UÇPMB-në dhe luftën heroike të saj në Kosovën lindore (Preshevë, Bojanoc, Medvegjë);

– Mbështetën ndërhyrjen ushtarake të NATO-së me në krye ShBA-në, kundër forcave pushtuese serbe në Kosovë dhe makinerisë ushtarake serbe në Serbi;

Mbështetën me luftë dhe sakrifica çlirimin e Kosovës;

Mbështetën me entuziazëm shpalljen e pavarësisë së Kosovës;

Vlerësojnë lartë simbolin e qëndresës kombëtare – Adem Demaçin;

Vlerësojnë figurën e Ibrahim Rugovës, si pjesë e historisë së çlirimit të Kosovës;

– Çmojnë lartë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe luftën heroike të saj për çlirimin e Kosovës;

– Çmojnë lartë komandantin legjendar Adem Jasharin dhe përulen para sakrificës së tij dhe të Jasharajve për lirinë e Kosovës;

– Çmojnë lartë dëshmorët e kombit që ranë në altarin e lirisë, në luftë kundër pushtuesve serbë, për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e Kosovës.

* * *

Krenohen me nobelisten Nënë Terezë;

Çmojnë lartë figurën e Eqrem Çabejt, babait të gjuhës shqipe;

– Çmojnë lartë shkrimtarin gjenial – Ismail Kadarenë, të përkthyer dhe të botuar në 56 gjuhë të botës;

– Vlerësojnë nobelistin Ferid Muratin;

– I kanë dhënë skenës së teatrit evropian një aktor si Aleksandër Mojsiu;

– Ia kanë dhënë botës më të madhin aktor të historisë së kinematografisë amerikane në zhanrin e humorit – Xhon Belushin;

– Ia kanë dhënë botës Odiseun shqiptar – Bekim Fehmiun.

* * *

Mbështesin bashkimin kombëtar;

Janë faktor paqeje dhe qëndrueshmërie në rajon;

– E dinë se rrethohen nga fqinj grabitqarë si Serbia, Greqia, Mali i Zi dhe Maqedonia, të cilat, me ndihmën e Rusisë, e kanë grabitur më tepër se gjysmën e territorit të tyre;

– Nuk do të kenë marrëdhënie të mira me Serbinë dhe me Greqinë, derisa këto dy vende të mos e lajnë borxhin ndaj shqiptarëve;

– Kundërshtojnë politikën antishqiptare të Rusisë dhe politikën proserbe të saj;

Nuk janë të drejtuar nga orienti, d.m.th. nga bota arabe apo persiane;

Nuk funksionojnë me sistem oriental të vlerave – arabe apo persiane;

I takojnë Evropës dhe janë pjesë e familjes së popujve të kontinentit të vjetër;

Janë popull proamerikan, përkatësisht properëndimor.

Xhelal Zejneli

Filed Under: Politike

E arritur e madhe për popullin dhe shtetin tonë

March 28, 2024 by s p

Albin Kurti/

Dy vjet e gjysmë punë e pareshtur sistematike, institucionale dhe politike. Dhjetëra zyrtarë shteti aktivë përditë gjithandej.

Hapi i parë i suksesit publik ishte mbledhja e ambasadorëve në Këshillin e Evropës më 24 prill 2023, hapi i dytë ishte dje në mbledhjen e Komitetit për Çështje Politike, hapi i tretë do të jetë Asambleja Parlamentare më 18 prill 2024 dhe i fundit ai i anëtarësimit një muaj më pas, në maj, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të vendeve anëtare.

Falënderoj të gjithë ata të cilët u angazhuan e kontribuan që në këtë pranverë të bëhemi anëtar të Këshillit të Evropës, e në veçanti falënderoj Zëvendëskryeministren dhe ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, zëvendësministrin, Kreshnik Ahmeti, grupin e deputetëve të kryesuar nga nënkryetarja e Kuvendit Saranda Bogujevci, dhe ambasadorin tonë në Strasbourg, Lulzim Hiseni.

E arritur e madhe për popullin dhe shtetin tonë, mundësi e re për qytetarët e Kosovës pa dallim. Vlerat themeltare të Këshillit të Evropës, pra demokracia, sundimi i ligjit dhe të drejtat e njeriut, i vijnë e i rrinë natyrshëm qeverisjes sonë të mirë e progresiste.

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 105
  • 106
  • 107
  • 108
  • 109
  • …
  • 667
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • ANGELA KOSTA DHE CHANEL BASHHYSA FITUESE TË ÇIMIMIT NDËRKOMBËTAR TË EKSELENCËS “DIVINAMENTE DONNA” NË SENATIN E REPUBLIKËS ITALIANE
  • “TASHMЁ JEMI TЁ VJETЁR PЁR T’U KTHYER NЁ SHTЁPI” – POEZI NGA ORIADA DAJKO
  • IRONIA DHE HIPOKRIZIA RRETH PRONËSIMIT TË KATEDRALËS NË SHKODËR
  • Dita e Verës – Festa e lashtë e ripërtëritjes shqiptare
  • Luan Rama sjell në Tiranë tablotë ikonike të piktorëve francezë për Shqipërinë dhe shqiptarët
  • Në Tiranë u zhvillua koncerti “Me Zanin e Bjeshkëve” i këngëtarit Gëzim Nika “Mjeshtër i Madh”
  • Shqipëria ka nevojë për Xhorxh Uashingtonët e saj
  • Kriza globale, nga Ukraina në Lindjen e Mesme
  • IRONIA DHE STILI NË DEBATET MES NOLIT DHE KONICËS 
  • MËRGIM XHEVAT KORҪA, IN MEMORIAM
  • Ardita Statovci, pedagoge pranë “Washington Conservatory of Music”: “Muzika është gjuhë universale që të mundëson ta prezantosh një copëz të identitetit e kulturës së vendit tënd në çdo anë të botës”
  • Përkujtojmë sot në përvjetorin e ndarjes nga jeta Fan Stilian Nolin, një figurë themelore të historisë dhe kulturës shqiptare
  • Festohet bukur 7-8 Marsi në Fialdelfia nga shoqata “Bijtë e shqipes”
  • Përtej mitit: identiteti si vetëdije shoqërore
  • Harmonia fetare në imazhin e një pulle postare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT