• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ShBA-ja ka qenë, është dhe përgjithmonë do të mbesin aleati strategjik i Kosovës

February 7, 2024 by s p

Prof.Besnik Tahiri/

Në përmbyllje të vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku patëm pafund takime konsultative, miqësore si dhe protokollare, dua të ndaj me ju një përmbledhje të përshtypjeve, porosive dhe reflektimeve:

1. ShBA-ja ka qenë, është dhe përgjithmonë do të mbesin aleati strategjik i Kosovës, qoftë në rrafshin e brendshëm qoftë në rrafshin ndërkombëtar.

2. Marrëdhënia me ShBA-në është e shenjtë dhe si e tillë nuk mund dhe nuk duhet të jetë subjekt i diskutimi. Si e tillë, kjo marrëdhënie është pjesë e identitetit shtetëror dhe kombëtar.

3. Anëtarësimi i Kosovës në NATO është interes jetësor kombëtar. Ky proces është një rrugë njëdrejtimëshe, e cila fillon dhe përfundon përmes Uashingtoni.

4. Thellimi i partneritetit me ShBA-në, mes tjerash i shërben avancimit të gjithmbarshëm të Kosovës, sikurse edhe afirmimit të pozicionit në rrafshin multilateral. Formalizimi i këtij partneriteti do të duhej të shënohej përmes një marrëveshje për partneritet strategjik.

5. Qasja vetë përjashtuese dhe mënjanuese e kësaj qeverie, përfshirë këtu edhe mungesën e komunikimit, takimeve dhe koherencës së nevojshme për komunikim të strukturuar me institucionet dhe lidershipin amerikan, po lëndojnë proceset dhe pozicionet e lartcekura. Eksperimentet dhe ekzibicionet e kësaj qeverie në qasjen ndaj ShBA-së, duhet të ndalen, dhe nuk duhet harruar që ato bien në sy, përderisa tolerimi është shenjë respekti i qeverisë amerikane për Kosovën dhe qytetarët e saj.

6. Komuniteti shqiptaro-amerikan ka qenë bartësi dhe shtytësi kryesor i kauzave për të drejtën shqiptare, dhe është koha e fundit që ky komunitet, përfaqësuesit e tij, të konsultohen dhe përfshihen në projektet e thellimit të partneritetit me ShBA-në. Çdo qasje arrogante është shenjë anti shtetërore e cila nuk ka të ardhme në mesin e shqiptarëve, as në Kosovë dhe as në ShBA.

7. Duhet që të gjitha organizimet shqiptare në Amerikë të vazhdojnë ta ndihmojnë Kosovën në të gjitha sferat, sidomos duke ditur në rrethanat nëpër të cilat po kalon Kosova. Institucionet qeveritare të Kosovës duhet të përfshihen aktivisht dhe me kreativitet.

8. Serbia po blen armë prej armiqve të Amerikës, ajo vazhdon të ketë një lobim aktiv në Amerikë, qasje kjo që krijon amulli dhe narrativ negativ për ne.

9. Është koha e fundit për të qenë aktiv dhe të fokusuar në Uashington për të punuar për interesat nacionale përmes ndërtimit të një platforme të qartë të aktiviteteve në Amerikë.

10. ShBA-ja është kompasi ynë politik, i vlerave dhe ‘porti’ ankorues i rrugëtimit tonë dhe i të qenit anëtar i përgjegjshëm i komunitetit perëndimor.

Me Kryetarin Haradinaj, lutja e jonë e mëngjesit dhe e mbrëmjes është:

Zoti e bekoftë ShBA-në!

Zoti e bekoftë Kosovën!

Zoti i bekoftë kombin amerikan dhe kombin shqiptar!

Filed Under: Politike

Lamtumirë Lili Cingu, “Mbretëresha e valles shqiptare”

February 6, 2024 by s p

Teatri Kombëtar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor/

E trishtë ndarja nga jeta e “Mbretëreshës së valles shqiptare”, Lili Cingu.

Për vite me radhë, ajo ishte imazhi i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, duke u dhënë jetë më shumë se 200 valleve të kërcyera prej saj.

Lili Cingu i përket asaj plejade artistësh, që e ngjitën vallen shqipe në skenat më të mëdha të botës, duke treguar një Shqipëri tjetër, me kulturë dhe folklor të pasur.

Sallës së provave të Ansamblit do t’i mungojë hapi i saj i lehtë, dhe fjala e saj e ëmbël.

Por kjo ikje është vetëm fizike, sepse emri i saj do të jetojë bashkë me Ansamblin, e kudo që të kërcehet vallja shqipe, do të jetë edhe kujtimi i Lili Cingut me publikun që aq shumë e deshi dhe e vlerësoi.

*Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra dhe gazeta Dielli i shprehin ngushëllimet më të thella familjes Cingu, kolegëve e miqve të saj dhe mbarë komunitetit artistik. I përjetshëm kujtimi dhe nderimi për ikonën e artit shqiptar, Lili Cingu.

Filed Under: Politike

VATRA DHUROI ABETARE E LIBRA SHQIP PËR SHKOLLAT SHQIPE “MËSO SHQIP” DHE “FOL SHQIP” NË STATEN ISLAND DHE QUEENS

February 5, 2024 by s p

Sokol Paja/

New York, 4 Shkurt 2024 – Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra dhuroi abetare, libra shqip dhe kopje të gazetës Dielli për nxënësit e shkollës shqipe “Mëso Shqip” dhe “Fol Shqip” në Staten Island dhe Queens, New York. Delegacioni i Vatrës i kryesuar nga sekretari i Vatrës Dr.Pashko Camaj, anëtari i kryesisë së Vatrës z.Ilir Cubi dhe Editori i Diellit u mirëprit prej aktivistëve e vullnetarëve të cilët shprehën vlerësim të lartë për Vatrën e gazetën Dielli si ikona të shqiptarizmës. Vatranët shprehën falenderim të përzëmërt për punën e shkëlqyer patriotike, edukative dhe kulturore të mësuesve, prindërve dhe drejtuesve të shoqatave të cilët mbështesin shkollat shqipe.

Në shkollën shqipe “Mëso Shqip” të dërguarit e Vatrës u pritën nga kryetarja e shoqatës “Kraja” Venera Gjenashaj, nënkryetarja e shoqatës “Ulqini” Tina Lula dhe mësueset Merita Gjokaj dhe Arlinda Suka të cilat bëjnë një punë fenomenale për ruajtjen e gjuhës shqipe, historisë, traditës, kulturës kombëtare dhe identitetit kombëtar shqiptar në mërgatën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në vizitën në klasat e gjuhës shqipe të shoqëruar nga patriotët Sami Kanaqi e Hysen Kraja binte në sy një interes i jashtëzakonshëm i fëmijëve e prindërve, një kordinim mbresëlënës dhe një garanci për të ardhmen e gjuhës shqipe në familjet shqiptare në diasporë.

Në shkollën shqipe “Mëso Shqip” mësojnë gjuhë shqipe dhe vallëzim shqip nën drejtimin e koreografit Sebastjan Tinaj rreth 200 nxënës shqiptarë. Kjo shkollë mbështetet nga shoqata “Kraja”, “Ana e Malit” dhe “Ulqini”. Mësuesit dhe drejtuesit vlerësuan aktin dhurues të Vatrës si një mbështetje e fuqishme në misionin e tyre fisnik për gjuhën shqipe dhe kulturën kombëtare.

Në shkollën shqipe “Fol Shqip” në Queens e drejtuar nga shoqata “Besi”, Editori i Diellit u prit nga z.Nexhad Xhaferaj nënkryetari i shoqatës “Besi”, Halil Hoxha sekretar, Sejdin Xhaferaj aktivist dhe Fatmir Hasanaj vullnetar. Në vizitën në klasa, mësueset e gjuhës shqipe Segi Gjylsheni dhe Ema Çokaj shpjegonin me profesionalizëm e pasion, ndërsa në klasën mësueses së vallëzimit Miranda Murataj që asistohet nga Ajla Hoxhaj e Amella Xhaferaj, zemra të bëhej mal nga fëmijët që kërcejnë e këndojnë shqip me një pasion të veçantë. Kjo shkollë synon hapjen e klasave sportive për të bërë më tërheqëse për fëmijët shkollën ku mësojnë 70 fëmijë shqiptarë. Ishte një ditë mbresëlënëse ku shpirti atdhetar i patriotëve, puna profesionale e mësuesve, pasioni i tyre, këmbëngulja e prindërve e mbështetja e drejtuesve të shoqatave përbëjnë një garanci për të ardhmen e mësimit shqip në mërgatën e Amerikës.

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra, nëpërmjet gazetës Dielli është kthyer në promotorën më të fuqishme të shkollave shqipe në diasporën e Amerikës e Europës.

Zoti i nderoftë të gjithë patriotët e mbështetësit e mësimit shqip, kulturës kombëtare dhe identitetit kombëtar shqiptar në mërgatën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Është e jashtëzakonshme ndjesia që përjeton në shpirt teksa sheh gjeneratat që flasin, mendojnë, studiojnë, vallëzojnë e jetojnë shqip.

Filed Under: Politike Tagged With: Sokol Paja

Shqipëria, çfarë do të kishte qenë pa dalëzotjen e Presidentit amerikan, Woodrow Wilson?

February 4, 2024 by s p

Nga Albert Vataj/

Woodrow Wilson fitoi zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara tri javë para se Shqipëria të shpallte pavarësinë në nëntor të vitit 1912. Por duhet të kalonin disa vjet para se refuzimi prej tij i planeve për ndarjen e Shqipërisë t’i siguronte ish-Presidentit amerikan një vend nderi në historinë shqiptare. Vizioni i presidentit Wilson për botën, roli i shqiptaro-amerikanëve dhe rrethanat historike kontribuan në vendimin që do të rikonfirmonte pavarësinë e Shqipërisë. Kur i hedh një vështrim botës së pas Luftës së Parë Botërore, në vitet 1919-1920, dhe vendimit të Woodrow Wilsonit për të mos lejuar copëtimin e Shqipërisë, nuk mund t’i shpëtosh mendimit se sikur rrjedha e ngjarjeve të kishte shkuar vetëm pak më ndryshe, harta e Shqipërisë nuk do të ishte kjo që njohim sot. Ndoshta një pjesë e fatit të Shqipërisë u mbrujt kur presidenti Wilson paraqiti parimin e vetëvendosjes së popujve, që, sipas historianit Bernd Fischer, ishte ndër më të rëndësishmit në planin e tij prej 14 pikash, sipas të cilit kufijtë nuk mundet të caktoheshin më mbi bazën e politikës së Fuqive të Mëdha.

Por mendoj se ai ishte gjithashtu i interesuar për të mirën e popujve më të vegjël në Europë, të cilët nuk ishin marrë parasysh në politikën e Fuqive të Mëdha. Pra, ishte një politikë vizionare përsa i takon botëkuptimit, por ishte edhe një shqetësim shumë konkret për popuj të caktuar dhe shqiptarët përfituan nga kjo.

Në dhjetor të vitit 1918 presidenti Wilson u nis për në Europë ku kaloi pjesën më të madhe të gjashtë muajve të ardhshëm, i përfshirë në negociatat e Konferencës së Paqes në Paris. Negociatat për fatin e Shqipërisë kishin të bënin me synimet për kontrollin e Adriatikut. Territoret shqiptare ishin copëtuar një herë nga Fuqitë e Mëdha në vitin 1913. Por synimet e fqinjëve nuk ishin ndalur aty. Shqipëria, nëse do të kishte qenë në dorën e Italisë dhe Jugosllavisë, që mbështeteshin nga Britania dhe Franca, me siguri që do të ishte ndarë në bazë të Traktatit të Fshehtë të Londrës, që italianët e negociuan në vitin 1915.

Preambula e filozofisë së fshehtë shfaqet më 29 mars 1915, ministri i Punëve të Jashtme të Italisë, baroni Sonnino, i paraqiti kolegut të tij britanik, Edward Grey-t, një memorandum që përmbante planin italian për copëtimin e Shqipërisë. Duke qenë se ky plan në vija të përgjithshme pajtohej më atë të Rusisë, Franca dhe Britania nuk patën arsye për ta kundërshtuar. Kësisoj platforma e bisedimeve për arritjen e marrëveshjes midis Italisë dhe Antantës ishte krijuar.

Bisedimet zgjatën disa javë, por më në fund marrëveshja u arrit, dhe traktati i fshehtë i Londrës, që përmbante copëtimin e Shqipërisë , u nënshkrua nga Italia dhe fuqitë e Antantës më 26 prill 1915. Pikat nyje të traktatit që arritën të cenonin territorin shqiptar përmblidheshin në nenin 6, i cili përcakton të drejtën e Italisë për të marrë sovranitetin e plotë mbi qytetin e Vlorës dhe distriktin e saj, mbi ishullin e Sazanit dhe një territor të gjerë për të siguruar mbrojtjen e këtyre pikave, që nga Vjosa në veri dhe në lindje dhe afërsisht gjer në kufirin verior të Himarës, në jug. Ndërsa nenin 7 niste me idenë se, nëse pjesa qendrore e Shqipërisë rezervohet për të formuar një shtet të vogël autonom të neutralizuar, ajo nuk do të kishte kundërshtim, për pjesët veriore dhe jugore, të cilat mund të ndaheshin midis Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë, nëse për këtë paqëtohet edhe Franca, Britania dhe Rusia. Italia do të ngarkohet të përfaqësoj Shqipërinë në marrëdhëniet e saj më politikën e jashtme. Përfaqësuesit e tre fuqive të Antantës e pranuan traktatin dhe u morën vesh që kjo marrëveshje të mbahet e fshehtë, e cila sanksionohej nëpërmjet nenit 16. Një muaj pas nënshkrimit të marrëveshjes, ashtu siç e kishte përcaktuar neni 2, Italia i shpallte luftë Austro-Hungarisë dhe Gjermanisë. Në bazë të kërkesës së ish–kryeministrit dhe ministrit të Jashtëm të Jugosllavisë Milan Stojadinovic, shkrimtari serb Ivica Andric, që më vonë fitoi çmimin Nobel për Letërsi, kishte bërë një program për ndarjen e Shqipërisë. Programi ishte hartuar në vitet 1937-1939 derisa Andriq kishte qenë përfaqësues i MPJ-së së asaj kohe. Pas rënies së Stojadinoviqit, Andriq u bë ministër i Punëve të Jashtme i Jugosllavisë. Por çfarë vërente politika shqiptare e kohës e viteve 1920: së pari, ashtu si ishte zbatuar edhe për Poloninë, Trentinon, Alzasën e Lorenën, të shfuqizoheshin klauzolat e Traktatit të Fshehtë të Londrës të 26 prillit 1915, që kishin të bënin me Shqipërinë, të përcaktoheshin kufijtë e Shqipërisë dhe vendeve të tjera ballkanike në bazë të parimit etnik.

Fuqitë europiane donin të vazhdonin diplomacinë tradicionale. Presidenti Wilson e hodhi poshtë idenë e aleancave sekrete në diskutimet e tij në Paris. Një nga këto marrëveshje të fshehta ishte e ashtuquajtura Tittoni-Venizelos, e vitit 1919, kur Italia dhe Greqia kishin rënë dakord për marrjen e pjesëve të Shqipërisë. ”Disa nga Fuqitë e Mëdha kishin rënë dakord fshehtas, pa dijeninë apo angazhimin e Shteteve të Bashkuara, që ta ndanin Shqipërinë dhe presidenti Wilson kur e mori vesh një gjë të tillë tha se nuk do ta mbështeste”, thotë Robert Enholm, drejtor Ekzekutiv i Shtëpisë së Woodrow Wilsonit në Uashington, ku ish-Presidenti kaloi vitet pas largimit nga posti. Për historianin Nikolla Pano, rreziku që i kanosej Shqipërisë ishte synimi i fqinjëve, por edhe dobësia e qeverisjes së vendit. Profesor Pano thotë se në fillim të negociatave presidenti Wilson kishte prirjen të bënte disa lëshime. Por ajo që filloi ta bënte Wilsonin të mbështeste gjithnjë e më shumë Shqipërinë, ishte fakti që Greqia dhe sidomos Italia u bënë gjithnjë e më kërkuese. Më 9 dhjetor 1919 Franca dhe Anglia – pa praninë e Shteteve të Bashkuara – arritën një marrëveshje që i jepte Italisë mandatin ta shkëpuste Vlorën dhe që Greqia të merrte territorin përreth Gjirokastrës, por jo Korçën. Profesor Pano thotë se presidenti Wilson u befasua që italianët dhe grekët ishin të pakënaqur dhe donin më shumë pjesë territori nga Shqipëria dhe kur u ngrit pyetja e kufijve veriorë, ai u zhgënjye plotësisht, duke kuptuar se ajo që po propozohej do të sillte zhdukjen e Shqipërisë. Më 6 mars, presidenti Wilson me forcë i hodhi poshtë këto kërkesa dhe nga këndvështrimi i tij çështja e Shqipërisë nuk ishte e hapur për diskutim dhe fati i Shqipërisë do të përcaktohej në një sërë takimesh pas Konferencës së Paqes. Meqë amerikanët luajtën një rol të rëndësishëm në fazat e fundit të luftës, fjala e Woodrow Wilsonit kishte peshë të madhe. Shtetet e Bashkuara nuk e kishin njohur shumë Shqipërinë, para një misioni për mbledhje faktesh në vitin 1914 nga ministri amerikan në Greqi, George Frederick Williams. Por historianët bien dakord se kishte edhe një faktor tjetër thelbësor në qëndrimin amerikan.

Faktori tjetër që duhet mbajtur parasysh në fillimin e skenarit të mbrojtjes së Shqipërisë, është roli i diasporës shqiptare, sidomos asaj në Shtetet e Bashkuara dhe udhëheqësit e saj, si Faik Konica e sidomos Fan Noli. Faik Konica ishte jashtë vendit gjatë pjesës më të madhe të luftës, por Fan Noli ishte në këtë kohë në Shtetet e Bashkuara, po ashtu edhe njerëz të tjerë të njohur, si Kostë Çekrezi dhe Kristo Dako. Pano thotë se shqiptarët ndërmorën një fushatë masive propagande për ruajtjen e pavarësisë së Shqipërisë dhe tërësisë së saj territoriale. Dy ditë pas qëndrimit të shprehur nga Amerika në vitin 1920, gazeta ‘Dielli’ vlerësoi rolin e Shteteve të Bashkuara dhe Kostë Çekrezi e bëri të qartë që Shtetet e Bashkuara e kishin shpëtuar Shqipërinë, në një intervistë në gazetën New York Times. Më pas atë vit Shqipëria u bë anëtare e Lidhjes së Kombeve.

***

Woodrow Wilson ishte presidenti i 28-të i Shteteve të Bashkuara. Ai shërbeu për dy mandate, nga viti 1913 deri në vitin 1921. Ai udhëhoqi Amerikën gjatë ‘Luftës së Parë Botërore’ dhe luajti një rol të madh në përfundimin e ‘Traktatit të Versajës’. Ai ishte gjithashtu i rëndësishëm në formimin e ‘Lidhjes së Kombeve’, e cila shërbeu si pararendëse e ‘Organizatës së Kombeve të Bashkuara’. Për rolin e tij kryesor në formimin e ‘Lidhjes së Kombeve’, Wilson iu dha ‘Çmimi Nobel i Paqes’ në vitin 1919. I lindur në një familje të devotshme presbiteriane, Wilson kishte një rekord të zakonshëm akademik në shkollë dhe ishte i prekur nga disleksia. Por ai i kapërceu problemet e tij dhe u bë një dijetar i përkushtuar. Ai vazhdoi studimet për drejtësi dhe fitoi doktoraturën në shkenca politike dhe histori. Ai filloi të jepte mësim në ‘Princeton University’ në 1890 dhe shërbeu si president i ‘Princeton University’ nga viti 1902 deri në 1910. Ai hyri në politikë në vitin 1910, duke u bërë guvernator i Nju Xhersit me biletën e Partisë Demokratike. Wilson u zgjodh si kandidat presidencial i Partisë Demokratike për zgjedhjet e vitit 1912 dhe ai i fitoi zgjedhjet mjaft lehtë. Kur shpërtheu ‘Lufta e Parë Botërore’, ai fillimisht adoptoi politikën e neutralitetit, por më vonë u detyrua të hynte në luftë për shkak të përplasjes së pakufizuar të nëndetëseve të Gjermanisë. Si president, ai ndërmori disa reforma progresive. Ai mbështeti Amendamentin e 19-të, duke i lejuar gratë të votojnë. Për udhëheqjen e tij të aftë, Woodrow Wilson renditet në mesin e dhjetë presidentëve më të mirë të SHBA.

Woodrow Wilson vdiq më 3 shkurt 1924, në moshën 67-vjeçare.

Trupi i tij u varros në një sarkofag në “Katedralen Kombëtare të Uashingtonit”. Ai është i vetmi president trupi i të cilit u varros në kryeqytetin e vendit.

Filed Under: Politike

AVOKAT YLBER DAUTI NGA SHIFRA REKORD 15 MILION DOLLARË PËR KLIENTËT SHQIPTARË TE FONDACIONI “BRAHIM CEN DAUTI” NË NDIHMË TË STUDENTËVE NË SHQIPËRI

February 3, 2024 by s p

Sokol Paja

* Vetëm gjatë vitit të fundit 2023, Avokati Ylber Dauti ka fituar mbi 15 milionë dollarë për klientët e tij shqiptarë.

* Njëra nga çështjet, ku klienti shqiptar fitoi 4 milionë dollarë, bëri bujë edhe në shtypin amerikan (u botua në ‘New York Law Journal’ dhe ‘Verdict Search Reporter’). 

* Argumenti elokuent i Av. Dauti para Gjykatës së Apelit të New York-ut bindi trupën gjykuese të përbërë prej 5 gjyqtarësh të rrëzoje vendimin e gjykatësit të shkallës së parë dhe të vendosë në favor të klientit shqiptar. Argumenti i avokatit Dautit është i regjistruar dhe mund të shikohet në uebsiten a gjykatës së apelit të New York-ut. 

* Pavarësisht suksesit të jashtëzakonshëm në Amerikë Av. Dauti nuk ka harruar se nga ka ardhur. Ai ka krijuar Fondacionin “Brahim Cen Dauti” (në nder të emrit, dhe përkujtimit të babait të tij) për të ndihmuar studentët shqiptarë në përgjithësi dhe ata të rrethit të Hasit në veçanti.

Shqiptarët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës krahas shumë fushave të tjera, arritjet në fushën e jurisprudencës shënojnë jo vetëm suksese e arritje personalo- profesionale por ngjarje komunitare e krenari kombëtare. Ylber Dauti përbën një rast të veçantë të suksesit shqiptar në fushën e drejtësisë amerikane. 

Vetëm në vitin 2023 ai, falë mbrojtjes profesionale e aftësive të tij të spikatura, në favor të klientëve të tij solli mbi 15 milion dollarë. Ai u ndryshoi jetën shumë klientëve shqipetare dhe te kombesive te tjera të përballur me padrejtësi, aksidente në punë, mjekime të gabuara, lëndime fizike apo cënime të ndryshme të të drejtave individuale. 

Falë aftësive të tij oratorike e analizuese, avokat Ylber Dauti arriti fitore spektakolare edhe përballë trupit gjykues te perbere nga 5 gjyqtarë te Gjykates se Apelit te Nju Jorkut. Me prova e fakte, dokumente autentike, burime të patjetërsueshme, falë aftësive analizuese të ngjarjeve, situatave, grup fakte-provave, fuqisë bindëse, ai ka nxjerrë fitimtarë klientet e tij duke shënuar suksese dhe arritje historike për jetën e çdo klienti. 

I qetë, hulumtues, i drejtë, i ndershëm, i vërtetë, kurajoz, këmbëngulës, modest, kërkues, argumentues, elegant, elokuent, i ftohtë, bindës dhe skrupuloz, avokat Ylber Dauti ka krijuar një profil të lartë profesionisti te i cili edhe shumë shqiptarë kanë besuar fatet e fatkeqësive të tyre, por që fatmirësisht për ta fundi ka qenë i lumtur. Cilësia e lartë e shërbimit, besimi i ofruar, përvoja mbi njezet vjeqare, eksperienca e fituar, ekspertiza eksplicite, investimi i aftësive specifike e përkushtimi absolut në çështjen e klientëve i kanë sjellë suksesin e merituar. 

Me sukseset gjithnjë në rritje, me klientë të të gjitha shtresave, fushave, interesave e nacionaliteteve të ndryshme, avokat Ylber Dauti ka krijuar e konsoliduar një emër shumë të nderuar në avokatinë amerikane dhe ate nderkombetare pasi Avokat Dauti eshte i liqensuar ne Amerike, Angli dhe Shqiperi. Para rreth njezet vitesh avokat Ylber Albert Dauti themeloi studion e tij ligjore “The Dauti Law Firm” ne Nju Jork dhe që nga ajo kohë e deri më sot, ai ka mbrojtur me sukses interesat e qindra klienteve.

Avokat Ylber Dauti është shumë i dashur dhe i vlerësuar nga komuniteti shqiptar, shoqatat e organizatat shqiptare në New York e më gjërë. Nëpërmjet kësaj interviste ekskluzive me Editorin Sokol Paja, Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra dhe gazeta Dielli i shprehin vlerësim e mirënjohje për shërbimin dhe mbështetjen e pakursyer për vite me radhë.

AVOKATI SHQIPTAR YLBER DAUTI MODEL I KORREKTËSISË DHE PROFESIONALIZMIT

Avokati shqiptar Ylber Dauti, vazhdon të jetë një model i veçantë për të gjithë ata që ëndërrojnë majat e suksesit profesional në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në 23 vite karrierë në Amerikë ai është radhitur në elitën e avokatëve amerikanë duke qene model dhe pikë referimi për shumë shqiptarë. Ai është i pari avokat shqiptar në Amerikë që është anëtar i përjetshëm i “MULTI-MILLION DOLLAR ADVOCATES FORUM”. Avokat Dauti për 10 vitet e fundit është votuar dhe zgjedhur nga kolegët e tij si SUPER LAWYER. Ai gjithashtu ka fituar çmime të tjera si “Top 100 Lawyers in America”, “Best Attorney”, “Top American Lawyer”, etj. 

Zyra e tij ligjjore ka regjistruar më shumë se 30 çështje milionëshe dhe multimilion dollareshe të fituara për klientet e tij dhe për avoketët të tjerë të cilët kanë kërkuar ndihmën dhe ekspertizën profesionale të Av. Dauti për të arritur rezultatet maksimale për klientët e tyre. 

Krahas ngarkesës me çështjet gjyqësore që ndjek, ai është i angazhuar edhe si lektor nëpër universitete të Europës (Universiteti i Tilburgut ne Hollande), Azisë (Universiteti Kyushu ne Japoni) dhe Amerikës (Universiteti Lehigh), dhe jo rrallë, i zënë me median amerikane (Hollywood Life, Christian Post, New York Law Journal, Gotham Gazette, Verdict Search Reporter) dhe atë ndërkombëtare (China Times, Vitnam Times, Chinese Daily), që kërkojnë opinione e intervista prej tij si ekspert i lartë në fushën e drejtësisë.

STUDIO LIGJORE E AV. YLBER ALBERT DAUTI, ATY KU KLIENTËT FITOJNË MILIONAT

Zyra Juridike “DAUTI LAW FIRM, P.C”, ndodhet në një nga zonat më të lakmuara të Manhattanit, në zonen e Wall Street (39 Broadway) është shëndërruar në një institucion të jashtëzkaonshëm konsulence, mbrojtjeje, suksesi e përfaqësimi gjithnjë e në rritje. Kanë qenë të shpeshta raportimet për sukseset e shkëlqyera të kësaj zyre në favor të klientëve shqiptarë. Përfaqësimi dinjitoz i klientëve, mbrojtja e tyre maksimale, ofrimi dhe shqyrtimi i të gjitha klauzolave ligjore, korrektësia në ndjekjen e procedurave dhe gatishmëria dhe përkushtimi për t’iu përgjigjur situatave e ngjarjeve të paparashikueshme, kanë rritur besimin e klientëve dhe garancinë e tyre në përfaqësimin me sukses në sistemin e drejtësisë amerikane. 

SHIFRAT SHUMËMILIONËSHE DHE RASTI SHQIPTAR QË BËRI BUJË

Unë kisha lexuar në shtyp dhe dëgjuar rreth çështjeve të bujshme të fituara nga Avokat Dauti dhe në përgjigje të pyetjes sime për informacion lidhur me shifrat e fituara për klientët e tij, Av. Dauti tregon se: persa u përket shifrave që kam fituar për klientët do të veçoja 4 çështje që janë mbyllur gjatë vitit të fundit për shuma disamilionëshe. Njëra nga këto çështje ishte disi e veçantë për specifikën dhe natyrën e ngjarjes së komplikuar. Çështja që mbroja përfundoi në Gjykaten e Apelit dhe unë përfaqësoja një klient shqiptar i cili ishte aksidentuar në punë ndërtimi në Manhatan. Në momentin e aksidentit, punëdhënësi nuk kishte telefonuar ambulancen por e kishte dërguar klientin shqiptar me makinën e tij tek një spital në Bronx. Kur ata kishin mbërritur tek spitali, punëdhënësi i djallëzuar dhe dashakeq – me qëllim që të fshihte gjurmët e fajit të tij për mungesën e kushteve të sigurisë në punë – ju kishte thënë personelit të spitalit se klienti ishte rrëzuar diku në trotuar në rrugë. 

Klienti, i cili kishte pak kohë në Amerikë dhe fliste pak anglisht nuk kishte qenë në gjendje të jepte një version të qartë dhe të detajuar në spital për mënyrën sesi i kishte ndodhur aksidenti. Gjatë procesit gjyqësor pala kundershtare mohonte përgjegjësi për aksidentin pasi ata pretendonin se aksidenti nuk kishte ndodhur në punë por në rrugë. Për të mbështetur argumentin e tyre ata bazoheshin në deklaratën e punëdhënësit si dhe në dokumentat e spitalit të cilat shkruanin se klienti kishte rrëshqitur dhe ishte rrezuar në rrugë. Situata vështirësohej dhe kompleksohej akoma më tepër me faktin se dokumentat e spitalit pasqyronin se ishte klienti shqiptar ai që u kishte thënë mjekëve se ai ishte aksidentuar duke ecur në trotuar. Por ajo çfarë shkruhej në dokumentat e spitalit nuk mund të ishte e vërtetë pasi pacienti/klienti nuk fliste dot Anglisht për të dhënë të gjitha sqarimet e nevojshme për mënyrën se si ai ishte aksidentuar. 

Për mua ishte e qartë se klienti im po tregonte të vërtetën dhe se prentendimet e palës tjetër ishin gënjeshtra. Unë isha i bindur se personi që kishte biseduar me personelin e spitalit në dhomen e emergjencës ishte punëdhënësi i klientit dhe jo klienti, pasi klienti nuk fliste dot Anglisht. Personeli i spitalit i kishte rënë shkurt duke shkruar historikun se si kishte ndodhur aksidenti dhe ata kishin neglizhuar të specifikonin që ky historik u ishte komunikuar prej punëdhënësit dhe jo prej klientit. Ky detaj i vogël përbënte diferencën e madhe.

Shënimet në dokumentat e spitalit që gabimisht i atriboheshin klientit tim përbënin një problem shumë serioz dhe rrezikonin që klienti të humbiste çështjen pasi kur çështja të prezantohej para Jurisë, pala tjetër do sillte punëdhënësin që do pretendonte se klienti nuk ishte dëmtuar në punë por ishte rrëzuar duke ecur në trotuar pasi kishte mbaruar punën. Klienti im shqiptar do të dëshmonte se aksidenti kishte ndodhur gjate punës për shkak të mungesës së kushteve të sigurisë në punë. Por pala kundërshtare do të paraqiste dokumentat e spitalit për të bindur Jurinë se versioni i tyre ishte i vërteti dhe se klienti po gënjente.  Unë kisha besim që kur Juria të dëgjonte klientin dhe punëdhënësin ata do ti besonin klientit por problemi ishte që rekordat e spitalit e mbështesnin vesrsionin e punëdhënësit – dhe kjo mund të bënte që Juria të vendoste në favor të palës kundërshtare. 

Si ne, edhe pala tjetër, i bëmë kërkesë gjykatës që të vendoste lidhur me pranimim apo përjashtimin si provë të shënimeve të pasqyruara në dokumentat e spitalit. Fatkeqësisht gjykata e shkallës së parë vendosi të pranojë këto rekorde si prove por unë apelova vendimin e gjykatës së shkallës së parë. 

AVOKAT YLBER DAUTI DHE FITORJA SPEKTAKOLARE NË GJYKATËN E APELIT ME 5 GJYQTARËVE AMERIKANË

Argumenti im para Gjykatës së Apelit, shpjegon Avokat Dauti, ishte se rekordet e spitalit nuk duhej të lejoheshin si evidencë dhe të paraqiteshin para Jurisë. Arsyeja pse këto dokumenta duhet të përjashtoheshin nga evidencat ishte pabesueshmeria e asaj çfarë shkruhej aty sepse klienti shqiptar nuk fliste Anglisht – dhe ishte a pamundur që ai tu kishte thënë mjekëve se ai ishte rrëzuar në trotuar siç pretendohej në shënimet e mjekëve. Si të tillë këto dokumenta nuk nuk kishin dobi provuese por kishin vetem efekte paragjykuese për të drejtat dhe interesat e klientit tim shqiptar. Ky ishte në thelb argumenti ynë por në të vërtetë, argumenti ishte shumë më i gjatë dhe kompleks nga ana teknike dhe proceduriale por unë nuk dua ta lodh lexuesin me këto detaje. Ne rast se ndonje lexues është kureshtar dhe i interesuar të mësojë më tepër, sugjeroj që të hapin këtë link të videos së regjistruar dhe arkivuar pranë Gjykatës së Apelit të Nju Jorkut:  https://wowza.nycourts.gov/vod/wowzaplayer.php?source=ad1&video=AD1_Archive2021_Nov04_13-58-07.mp4 . Linku përmban regjistrimet e argumentave të disa çështjeve, dhe argument i çështjes në fjalë fillon rreth 2 ore dhe 37 minuta pas fillimit të seancës.

Pasi paraqitëm argumentat para trupit gjykues, Gjykata e Apelit e përbërë nga 5 gjyqtarë vendosi – unanimisht – të rrëzojë vendimin e gjykatës së shkallës së parë dhe urdhëroi mospranimin e dokumentave të spitalit si prove dhe si të tillë dokumenatat nuk mund ti prezantoheshin Jurisë. E thënë ndryshe, pala tjetër nuk do të lejohej të paraqiste gjatë gjyqit para Jurisë ato dokumenta të spitalit që diskutonin mënyrën se si kishte ndodhur aksidenti.  Kjo ishte një fitore e madhe për ne. Pak kohë pas vendimit të Gjykatës së Apelit, pala tjetër përfundimisht u dorëzua duke rënë dakort që të dëmshpërblejë klientin shqiptar me një shumë disa milionë dollarëshe.

FONDACIONI “BRAHIM CEN DAUTI” NË NDIHMË TË EDUKIMIT TË FËMIJËVE SHQIPTARË

Ylber dhe Brahim Cen Dauti, Sarandë, Tetor 2020.

Kisha dëgjuar se Av. Dauti kishte krijuar një fondacion për të ndihmuar studentët shqiptarë në përgjithësi dhe ata të vendlindjes së tij në rrethin e Hasit në veçanti. Për këtë arsye kërkova të mësoj më tepër rreth kësaj iniciative fisnike dhe filantropike. “Jam shumë krenar dhe i lumtur, shpjegon për Diellin Av. Dauti, se kam krijuar fondacionin “Brahim Cen Dauti” në nderim, respekt dhe përkujtim të babait tim të shtrenjtë e të paharruar. 

Një thënie e urtë  Aziatike thote se “nëse dëshiron të planifikosh për një vit – mbjell oriz/grure/misër, nëse dëshiron të planifikosh për dhjetë vjet – mbjell pemë dhe nëse dëshiron të planifikosh për njëqind vjet – eduko fëmijët.” Nëse duam ta zhvillojmë një komb, duhet të fillojmë më shkollat dhe sistemin e edukimit. Duke ndihmuar rininë sot, kemi ndihmuar të ardhmen e kombit tonë. Duke ndihmuar ekselencën kemi ndihmuar trurin e kombit tonë. 

Im atë, ka qenë shumë i apasionuar pas edukimit. Gjithë jetën e tij e kishte merak dhe është përpjekur të bëjë gjithçka që fëmijët e tij të edukoheshin. Unë vij nga një familje e persekutuar nga diktatura komuniste, pasi gjyshi im Cen Smajl Dauti ishte burgosur nga regjimi komunist me akuzën “Agjitacion dhe Propagandë kundra partisë komuniste”. Gjyshi im ishte njeri pa shkollë por shumë i zgjuar. Ai ishte i njohur në të gjithë zonën për vargjet dhe analizat satirike që u bënte vendimeve dhe drejtuesve të partisë komuniste në Shqipërinë diktatoriale. 

Si shembull po përmendi rastin kur fshatareve u ishte dhënë urdhër nga partia komuniste që të dorëzonin produktet e tyre bujqësore tek koperativa e fshatit. Gjyshi im merr një thes me fasule dhe shkon tek dera e kryetarit të koperativës, ulet këmbëkryq, hap thesin dhe fillon të ndajë kokrrat e fasules një nga një duke mbajtë kokrrat e zeza (që ishin shumë pak) për vete dhe të bardhat duke ja kaluar thesit të koperativës. Ai u ul aty për orë të tëra, duke ndarë në mënyrë ironike kokrrat e fasuleve me fjalët: “e zeza për mua, e bardha për Enverin.” Ne nje rast tjeter,  kur një udhëheqës i lartë i partise komuniste, Gogo Nushi, kishte vizituar Hasin, ai kishte pyetur me kureshtje se “çfarë pemesh ishin ato që dukeshin në kodrat e zonës?” dhe gjyshi im i ishte përgjigjur se ato ishin ullishte, por në të vërtetë ato ishin dëllinja. Për shkak të klimës së ftohtë dhe të ashpër ështe a padëgjuar që ullinjët të rriten në rrethin e Hasit por udhëheqësi i partisë kishte turpëruar veten duke rënë pre e lojës së gjyshit dhe në fjalimin e tij para fshatareve ai përmend se sa i impresionuar ai ishte me ullishtet e Hasit. Sistemi komunist nuk i donte njerëzit që mendonin të lirë, që kishin guxim për të thënë disa të vërteta që as njerëzit e partisë nuk i mendonin dot. 

Sistemi komunist i ndëshkonte jo vetëm ata që i konsideronte fajtorë por edhe të afërmit dhe pasardhësit e tyre.

VIZIONI I BABAIT ISHTE PROFETIK

Fatkeqësisht, gjyshi im pagoi një çmim shumë të lartë për talljet e tij me regjimin komunist duke vuajtur shumë vite në burgjet e Enverit. Im atë ishte shumë krenar për mençurinë dhe bëmat e gjyshit por ai ishte shumë i shqetësuar se “biografia e keqe” nuk do të lejonte që femijet e tij të shkolloheshin. Kur isha ne shkolle fillore shume njerez me thoshin se kot po lodhesha duke studiuar se kurrë nuk do shkoja në univeristet për shkak të biografisë së keqe. Pavarësisht nga kjo, babai ishte inkurajuesi dhe mbështetësi im më i madh. Edhe pse në diktaturë, ai e ndjente lirinë në shpirtin e tij. Ai gjithmonë më thoshte të mos dekurajohesha nga biografia e keqe por të fokusohesha në shkolle dhe të merrja notat më të mira pasi ai kishte besim se kohët do ndryshonin dhe unë do të kisha mundësi të shkoja në universitet. Babai gjithmone ka qenë frymëzim lirie e shprese për mua dhe po të mos ishte inkurajimi i babait – unë kurrë nuk do të kisha arritur as 10% të gjërave që kam arritur në jetë. 

Vizioni i babait tim ishte vërtet profetik pasi kohët ndryshuan dhe me shëmbjen e komunizmit e drejta e shkollimit nuk varej më nga biografia por nga meritokracia. Babai kishte një mendje brilante dhe një shpirt fisnik. Ishte largpamësia dhe mbështetja e gjithanshme a babës dhe besimi i tij së arsimimi është arma më e fuqishme në jetë, që kanë bërë të mundur për mua të jem ai që jam sot. Prandaj në kujtim të tij dhe të vizionit të tij, unë kam krijuar Fondacionin “Brahim Cen Dauti” që do të fokusohet në mbështetjen e shkollimit të studentëve të shkëlqyer të cilët nuk i kanë kushtet ekonomike për të ndjekur studimet universitare. 

Një nga projektet fillestare është krijimi i bursës “Brahim Cen Dauti” që për çdo vit do ti jepet nxënësit më të mirë dhe më në nevojë ekonomike që ka përfunduar arsimin e mesëm në rrethin e Hasit. Fituesi i bursës “Brahim Cen Dauti” do ti ketë të gjitha shpenzimet e mbuluara (tarifën e studimeve si dhe shpenzimet e ushqimit dhe strehimit) për të gjithe periudhen e studimeve universitare. Fondacioni ka siguruar burime financiare të mjaftueshme për të sponsorizuar bursën për shumë vite dhe ne shpresojmë që me kalimin e kohës të sigurojmë burime financiare shtesë për të ndihmuar jo vetëm studentët e Hasit por edhe ata nga zonat e tjera te varfera të Shqipërisë. Zhvillimi e përparimi i kombit tonë do të vijë vetëm nëpërmjet zhvillimit të arsimit e krijimit të një infrastrukture sa më bashkëkohore për studentët shqiptarë dhe Fondacioni “Brahim Cen Dauti” do të përpiqet të kontribuojë me gjithçka çfarë mundet.

Filed Under: Politike Tagged With: Sokol Paja, Ylber Dauti

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 108
  • 109
  • 110
  • 111
  • 112
  • …
  • 667
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • ANGELA KOSTA DHE CHANEL BASHHYSA FITUESE TË ÇIMIMIT NDËRKOMBËTAR TË EKSELENCËS “DIVINAMENTE DONNA” NË SENATIN E REPUBLIKËS ITALIANE
  • “TASHMЁ JEMI TЁ VJETЁR PЁR T’U KTHYER NЁ SHTЁPI” – POEZI NGA ORIADA DAJKO
  • IRONIA DHE HIPOKRIZIA RRETH PRONËSIMIT TË KATEDRALËS NË SHKODËR
  • Dita e Verës – Festa e lashtë e ripërtëritjes shqiptare
  • Luan Rama sjell në Tiranë tablotë ikonike të piktorëve francezë për Shqipërinë dhe shqiptarët
  • Në Tiranë u zhvillua koncerti “Me Zanin e Bjeshkëve” i këngëtarit Gëzim Nika “Mjeshtër i Madh”
  • Shqipëria ka nevojë për Xhorxh Uashingtonët e saj
  • Kriza globale, nga Ukraina në Lindjen e Mesme
  • IRONIA DHE STILI NË DEBATET MES NOLIT DHE KONICËS 
  • MËRGIM XHEVAT KORҪA, IN MEMORIAM
  • Ardita Statovci, pedagoge pranë “Washington Conservatory of Music”: “Muzika është gjuhë universale që të mundëson ta prezantosh një copëz të identitetit e kulturës së vendit tënd në çdo anë të botës”
  • Përkujtojmë sot në përvjetorin e ndarjes nga jeta Fan Stilian Nolin, një figurë themelore të historisë dhe kulturës shqiptare
  • Festohet bukur 7-8 Marsi në Fialdelfia nga shoqata “Bijtë e shqipes”
  • Përtej mitit: identiteti si vetëdije shoqërore
  • Harmonia fetare në imazhin e një pulle postare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT