• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Bisedë me ish të burgosurin politik, piktorin e shquar 95 vjeçar, z. Lekë Tasi

April 12, 2024 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo/

Jetëgjatësia ime si 95 vjeçar mund të ketë edhe lidhje me një vullnet të Zotit për të lejuar që personi të përçojë një dëshmi të caktuar pasardhësve…

Të bisedosh me z. Lekë Tasi ku na ndajnë dete dhe oqeane është një kënaqësi e veçantë, tejet speciale. Historia e tij është një histori me plot dhimbje, gati të pabesueshme, por artisti di t’i percjellë mjeshtërisht sepse i ka përjetuar vetë, por dhe kultura e tij si një erudit i vërtetë është mahnitëse. Ndonëse mosha e tij është 95 vjet, më duhet të them se është krenari të kemi një intelektual poliglot si Lekë Tasi midis nesh. E kam takuar tek Vatra në promovimin e librit me kujtime “Grabjani rrëzë kodrave”. Një libër me një rrëfim drithërues të pashoq. Të 506 faqet janë dritëza që ndriçojnë terrin dhe mohimin që iu është bërë këtij soji si Lekë Tasi dhe familjes së tij të jashtëzakonshme.

Për kurreshtjen tuaj të dashur lexues për këtë figurë të ndritur kombëtare po jua lë nën rrëfimin e tij personal duke iu pergjigjur pyetjeve të mia.

Ju këtë vit keni festuar 95- Vjetorin e lindjes si ndiheni në këtë moshë, pasi shumë miq të mi të penës dhe lexues, kur iu thashë se së shpejti do të keni intervistën me z.Tasi ata më shkruajtën se janë të befasuar me moshën tuaj, pasi ju kudo flisni, shfaqeni me një kujtesë brilante. Cili është sekreti?

Jetëgjatësia ësht një fakt o fat i pavarur nga vullneti ynë, por mund të ketë edhe lidhje me një vullnet të Zotit për të lejuar që personi të përçojë një dëshmi të caktuar pasardhësve… Pavarësisht nga sa e besueshme, unë vete e kam ndier këtë si detyrë, ndaj dhe e kam shkruar librin mbi vuajtjet në internim, dhe i nxit shokët e vuajtjes të bëjnë po ashtu.

Cila ka qenë fëmijëria juaj?

Kam kaluar një fëmini të lumtur. Ishim në Athinë familjarisht.

Ju jeni i biri i Koço Tasit avokat me profesion, Anëtar i Parlamentit të Parë Shqiptar pas Kongresit të Lushnjës cilat janë disa nga kujtimet tuaja?

Mbaj mend që babai bënte ecje të vazhdueshme në dhomë, i preokupuar për diçka, ndërsa unë e kisha mendjen tek lojrat. Më vone e kuptova që ai e kishte mendjen te vendi i fëminise së tij, se si të kthehej, sepse në çdo rast feste përsëriste me miqte si: “Mot në Shqipëri!” Por kthimin nuk e mendonte si ndonjë emigrant çfarëdo, por përmes një ndryshimi të rendit atje. Në fakt rreth kësaj dëshire të tij lidhen dy tentativa për kryengritje në 1926 dhe 1931, fatkeqësisht të dështuara, por edhe një rrezik i tij, i kaluar me dy plumba nga një tentativë që fatmirësisht e kishin prekur skitazhi njeri dhe tjetri i zhytur në mish sa ishte gjallë, por pa dëm. Rreziku ndodhi kur unë isha 6 muajsh. Duke u rritur mendova që duhej të kuptoja më shumë se çdo gjë ç’e shtynte babanë të merrej me punë të rrezikshme, dhe ç’ është më me rëndësi, ta pranoja edhe unë apo jo këtë lloj jete. Ai e kishte pranuar, dhe në fakt e vazhdoi kur mbasi u riatdhesuam në 15 Gusht 1941, ai shkoi si inspektor i Kryeministrisë në Kosovën e posa-liruar për ta qeverisur – kjo ishte detyra e tij në paralelizëm të vazhdueshëm polemik me fashistët italianë, të cilët përfituan nga një qëndrim i tij i pavarur rreth një vrasjeje të një federali fashist, ku babai urdhëroi hetim të kujdesshëm ligjor, në kundërshtim pra me një veprim terrori që ata donin, dhe kështu e rrethuan në një lokal ku po bisedonte me prefektin e Pejës. E shpëtoi nga ky rrezik (do Ishte rasti i dytë i një veprimi të tillë ndëshkues brenda pak javësh) nëse nuk do të vinte me vrap një grup xhndarësh shqiptarë, dhe kështu fashistët u gjendën të rrethuar dhe nuk insistuan. Nga ky episod, por edhe nga fakti që qeverise së Mustafa Krujës në Tiranë, që ngjashmërisht donte më pavarësi, i kishte ardhur fundi nga Pariani, Babai u pushua por i gjallë. Kurse komunistët nuk njihnin të tilla nuanca. A ke bërë dicka për Shqipëri, dhe aq më fort për Kosovë? Je për burg të përjetshëm. Kjo ndodhi në 1945-ën me Gjyqin Special

Ardhja juaj pranë Vatrës ishte një nder per Diasporën dhe Vatrën, pasi ju jeni nipi i të burgosurit politik Akile Tasit, ministri i shtetit shqiptar, bashkëpunetor i ngushte me Fan Nolin, Faik Konicën në Federatën “Vatra” si dhe me gazetën “Dielli”. Çfarë do të kujtoni dhe si i keni përjetuar keto drama në familjen tuaj?

Xhaxhanë tim Akile Tasin e kam njohur së pari në Përmet në 1941 kur u ktheva nga Athina. Isha 12 vjeç dhe si më delikat nga trupi, babai më mori me vete në skalionin e pare, duke lënë fëmijët e tjerë, Napoleonin, Teftën dhe Yllin për më vonë. Xhaxhai mbas disa javësh gjatë cilave u ngjitëm lart në Dhëmbel përmbi Shent Elenën e Lipës, dhe më tregoi kalotën e Tomorrit që zbardhte nga dëbora. E mbaj mend gjithashtu në Shën Mëri të Fushës duke u munduar të identifikonte emrin e ndonjë paraardhësi në rasën e varrit. Kishte ikur 14 vjeçar fshehurazi nga shtëpia në Amerikë dhe tashti kishte mall për të vjetrat. Meqë në librin “Grabjani rrëzë kodrave” kam folur gjerë për babanë, le të zgjatem më shumë për xhaxhanë këtu. Mbas 30 vjet qëndrimi në ShBA ku ishte marrë me VATRËN ne atë fazë të vështirë fillestare, duke bërë edhe redaktorin e “Diellit”, ai u kthye në Shqipëri dhe dëshëronte fort të kontribonte.. E kuptova më vonë këtë nga disa grimca bisedash. Në fakt ai më mori me vete në Korçë dhe në Tiranë për të më mundësuar formimin e një horizonti të gjërave më të rëndësishme të Atdheut të rigjetur. Isha vërtetë shumë i ri, por u vinja veshin bisedave që bënte me intelektualët që takoi në dy qytetet . Kuptova psh që gjatë qëndrimit të tij disavjeçar drejtor i Bibliotekës Kombëtare aj interesohej për arkeologjinë, ishte kohë gërmimesh, por edhe tentativash për të krijuar një teatër. E kuptoj nga një numur përkthimesh nga Anglishtja (veprash me një akt) ku predominon tema patriotike që i kam në dorëshkrim dhe ndofta mund të vlejë ndonjera në të ardhmen. Më e vlefshmja e të cilave, tregimi “Princi i Lumtur” i Oscar Wilde, tregon edhe orientimin shpirtëror të përkthyesit. Ka qënë i gatshëm për të ndihmuar këdo nga të burgosurit që kishte vullnet për të nxënë gjuhë të huaj. Por vdiq nga cirhoza mbas 17 vjet burgimi dhe nuk i gjenden eshtrat.

Ju jeni artist, i përndjekur politik dhe nga të afërmit e personave të zhdukur, pasi eshtrat e xhaxhait tuaj nuk u gjetën kurrë. Cilat kane qene disa nga përpjekjet tuaja për gjetjen e eshtrave te xhaxhait?

Gjetja e eshtrave është detyrë parësore jo vetëm për të nderuar çdo qenie njerëzore që vdes (pa faj aq më shumë por edhe me faj) dhe mbi të gjitha për të merituar qeveritë që vijnë mbas revolucioneve çnjerëzore emrin e shtetit të ligjshëm. Nuk është realizuar kjo detyrë pavarësisht rekomandimeve të botës së qytetëruar, për shkak të djallëzisë së skajshme të diktaturës tonë enveriste, po dhe grumbullimit të problemeve të shumta që përballuan qeveritë pasardhëse. Ne si familje, në pamundësi të bënim kërkime (në fakt fare pak nga mijërat e familjeve që iu pushkatuan njerëzit, mundën të gjenin eshtrat e të dashurve të tyre) kështu ne vendosëm të vendosim emrin e Akiles sonë në pllakën e varrit nën të cilin prehen Babai dhe Vëllai, pra e zgidhëm çështjen me një cenotaf, në pritje që në të ardhmen shkenca ta zgidhë këtë kërkesë të ligjshme me mjetet e saj.

Sa ka ndihmuar Parlamenti Europian, Instituti për Demokraci etj në “Ditët e Kujtesës” për të njohur publikun me krimet e sistemit diktatorial dhe cili është komenti juaj në reflektimin e shoqërisë karshi së kaluarës?

Në mendimin tim, presioni së jashtmi duhet të vazhdojë, sepse kryesore nuk është realizimi konkret i normave, por respekti për normat vetë, sa respektohen në një shoqëri që për forcë madhore ato norma janë shkelur pa qënë kjo shkelje praktikë historike. Çështja është të kthehet shoqëria jonë në vlerat e saj humane, pa asnjë tolerancë negligjencave që sjellë koha..

Ju keni qenë në kamp internimi për 15 vjet, duke punuar si kooperativist, ju lutem na flisni për lexuesit e shumtë për dhunimin jetësor, heqjen e lirisë dhe kushtet në të cilat jetonit?

Mbas tri dekadash që kaluan prej atëhere, unë mund të them se ajo periudhë pune në fshat meriton të studiohet jo vetëm për mbrapshtinë e sistemit ekonomik, po edhe për reagimet psikologjike që shkaktonte, një aparat i tërë hipokrizie që e mbante në këmbë diktaturën, por edhe e brente për ditë. Është një punë në shtresat e thella të ndërgjegjes njerëzore, ku duhet të punojë intuita më fort se dëshmitë e të aketuarve. Askush s’mund të lëvdohet se do jetë i sinqertë, kur tregon hilet e veta për t’iu shmangur presioneve e aq më pak përfitimet e tij të paligjshme në kurriz të shokëve. Sistemi që kaluam kishte emrin socialist, por ishte më antisociali që ka parë historia.

Kushtet e jetës ishin të vështira, veçanërisht ato që ngërthenin afërsinë me fqinjin (rradha shumë orëshe në dyqan, vjelja në pambuk, lakmia ndaj rreshtave të mira të shokut në prashitje etj). Njeriu përshtatet me vështirësitë e natyrës, por kurrë me të papriturat e njeriut që ke pranë..

Ju keni qene çelist i parë në Orkestrën e Radios dhe të Teatrit të Operës ku u pushuat për motive politike në vitin 1967, çfarë kujtoni nga ato vite të artit tuaj me violinçel?

Ajo periudhë 20 vjeçare (1946-1967) ka qënë më e rehatshmja, jo vetëm prej moshës së re, që ushqen shpresa e iluzione, por edhe prej fazës ende të “pafajshme” të shoqërisë, brenda orkestrës dhe në Tiranë… Kjo ndofta edhe prej varfërisë së mjeteve të diktaturës. Ajo nuk dinte akoma se sa rezerva poshtërsie mund të gjente te qytetarët, mjaft të shtonte presionet. Përkeqësimi i ekonomisë më pas, e çoi tek ajo rrugë me plot resurse qoftë në mbushjen e minierave me djem të pafajshëm, qoftë me gjetje agjentësh shpirtkazëm që i mundonin.

Cila është jeta juaj pas viteve 90-të kur u liruat nga internimi? Si i keni përjetuar ardhjen e demokracisë dhe vitet e tranzicionit?

U deshën disa vjet që të ndërgjegjësohem për realitetin që me delte para. Madje ky thellim po njeh akoma faza të habitshme se sa të painformuar kemi qënë. Gazetat po na i zbulojnë, dhe ky është për mua lajmi më i mirë, më i shkëlqyer do të thosha. Shkurt: kur dy dekada mbas 90-ës nuk u vërtetua kjo hapje e dosjeve, atëhere ne duhet të vendosim për një ndarje të prerë mes për mes të elitës politike, dhe të shkresojmë që kush e do këtë hapje dhe po e vazhdon, ai do të ketë çfarë t’i ofrojë vendit. Një e vetme është prova: Kush del përkrah drejtësisë së llojit të ri perëndimor, të vendosur së fundi, dhe pranon të vendosë ajo, dhe kush kërkon lehtësira ose akuzon për njëashmëri që të shmangë gjykimin. Drama është në vazhdim, por është një dramë që s’e kishim parë kurrë deri dje. Madje shpresa është të skanojë edhe historinë. Për mua jemi brenda një procesi sqarimi tërësor që ndodh me përkrahjen dhe mbështetjen e faktorit perëndimor që na ka monitoruar edhe rreptë shpesh. Tani na garanton dhe askush nuk e ndal dot më.

Shumë faleminderit fort i nderuar z. Lekë Tasi për intervistën tuaj!

Të përgëzoj dhe fëmijëve tuaj ju uroj të kenë një karrierë të shkëlqyer!

Autorja e intervistës është shkrimtare, poete, publiciste, mësuese dhe bashkëthemeluese e Shkollave Shqipe në New York “Alba Life” Ambasador i Kombit si dhe ka marrë titullin: Kalorës i Urdhrit të Flamurit nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë.

11 prill, 2024

New York

Filed Under: Politike

Mbi “Mesharin” e Buzukut…

April 12, 2024 by s p

Ndriçim Kulla/

Mbetet e pashpjegueshme me fakte, ende dhe sot, se si vallë një prift i varfër si Buzuku, apo një komunitet katolik njerëzish të varfër të detyruar të shpërngulen nëpër male, arritën të mendonin realizimin e një ndërmarrje të tillë kaq të kushtueshme, siç ishte asokohe botimi i “Mesharit” , e t’ia dilnin mbanë pa ndihmën e Selisë së Shenjë. Mund të aludohet edhe se ajo vetë mund ta ketë marrë përsipër iniciativën, ashtu siç do ta shohim shpesh më vonë për vepra të tilla. Por, gjithsesi, edhe nëse citojmë tezën tjerët, sipas së cilës, libri u ndalua dhe kopjet e botimit u shkatërruan, përderisa sot në Bibliotekën e Vatikanit ruhet vetëm një kopje, përsëri mbetet i pa kontensueshëm jo vetëm fakti se ishte liturgjia romane ajo që shënjoi zanafillën – qoftë edhe në mënyrë jozyrtare – të orvatjes së parë të përpunimit të gjuhës shqipe, por se ajo arriti të ushtrojë një ndikim të madh edhe në vazhdim, për lartësimin dhe pasurimin e kësaj gjuhe, nga pikëpamja letrare.

“Edhe gjetja e kopjes së vetme të librit – në një gjendje gati të shqyer – në Bibliotekën e Kolegjit të Propagandës, që në vitin 1740”, – siç na rrëfen zbuluesi i saj i parë, monsinjor Kazazi, tregon se nxënësit shqiptarë të kolegjeve duhet ta kenë përdorur shpesh e të jenë formuar gjatë me të, përderisa germat dhe karakteret e veçanta të botimeve shqiptaro-katolike deri në fundin e shekullit XIX, madje deri në vitin 1909, rrjedhin padyshim nga ato germa e karaktere që pat sajuar Buzuku.

E lindur kështu me Buzukun, literatura shqiptare do të vazhdojë të zhvillohet për dy shekujt në vijim, në ambientin e thjeshtë të katekizmit: e thjeshtë, por aspak e anashkaluar për ndikimin e vet, në formimin mendor dhe linguistik të një populli. Katekizmi është libri që mësohet më lehtë nga të gjithë, edhe nga analfabetët; nëse është e pranuar se ç’jehonë ka në fillimet e çdo literature gjuha kishtare, mund ta imagjinojmë fare mirë se ç’ndikim duhet të ketë pasur ajo aty ku përbënte librin e vetëm të shkruar, të botuar, të lexuar e të mësuar.

Mirëpo, që nga fundi i shekullit XVI nuk ishte vetëm libri i vetmi mjet ndikimi i kulturës së kishës romane për të ndihmuar në plazmimin e një kulture kombëtare shqiptare. Nisën kështu të lindnin kolegjet katolike apo misionare, të cilat do të rezultonin më vonë si djepet e më të vërtetës dhe më të fortës kulturë të krijuar në të gjithë Orientin, sado i stërmadh të ishte ai. Këtu nuk flitet vetëm për kulturën latine, romane apo katolike, por edhe për kulturën kombëtare të secilit prej këtyre vendeve.

Për latinët shqiptarë ose, në përgjithësi, për rajonin dardano-prevalitan të nënshtruar nga turqit, dritaret e shkollimit dhe të formimit nisën të bëheshin kolegjet e shumta që nisën të lulëzonin në Itali. Në vitin 1572 themelohet Kolegji i Shën Athanasit në Romë (i famshëm për doktorët në teologji, që nxori nga nxënësit shqiptarë të ritit bizantin, deri në Himarë). Vijon Kolegji ilirik i Loretos, më 1580-n, dhe ai i Propagandës, më 1627-n, i themeluar nga jezuitët.

Në vijim të Kolegjit të Loretos, njërit prej më të rëndësishmëve për kontributin e tij letrar, themelohet në vitin 1633 e jeton deri në vitin 1746, Kolegji ilirik i Shën Pjetrit dhe Palit, në Fermo, i specializuar për nxënësit shqiptarë. Kjo i hapi udhë një drejtimi të ri të aktivitetit të rregullt të formimit të tyre misionar. Kështu, fillimisht në dy manastiret baziliane të Grottaferatës dhe të Mecoiuzos në Palermo, ku përgatiteshin misionarë të ritit ortodoks dhe në konventën françeskane të Shën Pjetrit në Montorio, që në fillim të shekullit XVII nisi të mësohej gjuha shqipe, madje, në vitin 1711, të formohej edhe katedra përkatëse e saj. Kjo iniciativë, që për historinë e kulturës shqiptare është e nivelit më të latë të rëndësisë, u mbështet fuqimisht edhe nga Papa Klementi XI me origjinë shqiptare, i cili e citoi atë konventë si shembull për urdhëratat e tjera fetare e misionare.

Nën këtë direktivë, shohim të themelohet në vitin 1725 Kolegji i Familjes së Shenjtë në Napoli, i cili do të shndërrohej më vonë në Institutin Mbretëror Oriental, i pari institute italian i pajisur me një katedër të gjuhës shqipe, drejtimin e së cilës do ta marrë shkrimtari i madh arbëresh Zef Skiroi. Më pas, me iniciativën e vëllezërve Rodota, në vitin 1732 ndërtohet në Kalabri kolegji për shqiptarët e ritit ortodoks, kolegj ky që do të shndërrohet në Kolegjin e Shën Adrianit e që do të ketë një jetë të lavdishme në impulsin që do t’i japë kulturës shqiptare, edhe pas laicizmit të tij, deri në ditët tona.

Megjithatë, fakti më i rëndësishëm i përmendjes së kësaj liste të gjatë kolegjesh është nënvizimi i ekzistencës së tyre jo vetëm si një seminar mësuesish, por edhe si shtëpia-nënë e shumë shkollave të tjera më të vogla, që nisin të mbinin aty-këtu, por kudo, në të gjithë territorin shqiptar, përgjatë atyre dy shekujve kaq pak të favorshëm për kulturën tonë, siç qenë shekujt XVII e XVIII. Kështu, gjejmë shkolla në dioqezën e Shkupit, një shkollë në Bëdhanë, që më 1638-n; një gjimnaz në Blinisht, më 1639-n; një tjetër në Shkodër, më 1698-n; një seminar në Velja, më 1692-shin, dhe një në Kurbin, më 1703-shin. Madje, emblematik është edhe fakti i hapjes në vitet 1669-1670 i një shkolle në Himarë, të mbyllur shumë shpejt nga xhelozia e despotit grek, por të rihapur përsëri më 1680-n. Aq më tepër, që tashmë ishte më se një shekullor devocioni i himarjotëve për Venecian, duke i furnizuar shpesh ushtritë e saj në luftërat e herëpashershme kundra turqve.

Filed Under: Politike

Intervistë  bërë At Antonio Belluscit për  takimin e tij me Baba Rexhepi në Teqenë e Detroitit 1989

April 11, 2024 by s p

Përgatiti materialin Ornela Radovicka

Qëndra albanologjike mbi gjuhën dhe kulturën arbëreshe themeluar nga At Bellusci 1980 /

Feja e arbërorit është të duam njerit- tjetrin e mos të harrojmë gjuhën tonë!  

At Bellusci kur e keni takuar për herë të parë Baba Rexhepin ?

Ndodhesha në Amerikë, për të mbështetur çështjen e Kosovës organizuar nga arereshi senatori Josif Dioguardi. Gjatë asaj periudhe unë bëra edhe disa vizita, dhe midis tyre  kisha shprehur dëshirën të shkoja e të takoja Baba Rexhepin në teqenë e tij. Kjo vizitë u realizua më datë 27 korrik 1989. 

Në çfarë gjuhe komunikuat me Baba Rexhepin?

  • Unë fola në arbërisht dhe Baba Rexhepi më kuptonte shumë mirë. Nuk mohoj se atij i bëri përshtypje që unë flisja gjuhën e mëmës arbërore edhe pas pesëqind vjetësh dhe për këtë më falenderoi dhe më tha se ajo që lidh gjakun e shqiptarit kudo që janë është gjuha, besimi është  që të besojmë në zot e të bëhemi të mirë për njerëzimin, por gjuha është identiteti jonë- më tha Ai. 

Si e priti Baba Rexhepi që një prift arbërsh shkon dhe i bënë vizitë një javore?

  • Unë, një prift arbërsh që vizitoja Teqenë dhe që ndenja per rreth pesë ditë në  krahë të Baba Rexhepit. Baba Rexhepi kishte mentalitet të hapur, jo se jetonte në perëndim, por besimi  Bektashjane si të gjitha besimet në vetvete duhet të jenë të hapura. Qëllimi i tyre është vëllazëria, dhe jo imponimi apo mos respektimi. Kujtoj që më tha: Ju çmoj shumë sepse Ju  At Bellusci jeni me të vërtetë një shëndi që doni të hapni shqiptarizmin kudo. 

A e pyetët se si kishte mundur të hapte  Teqenë e tij?  

  • E kujtoj mirë që këtë pyetja ia bëra dhe  Ai mu përgjigj: Kur erdha u ndesha me shumë shqiptar të besimit bektashiane dhe kur më panë më thanë: Sa mirë bërë që erdhe  Dervish këtu. U thash kam ardhur të takoj njerëz, miq. Ndërsa ata u mblodhën një ditë më thirrën dhe më thanë se ti do të qëndrosh këtu, se ne  kemi nevojë për ty, dhe se do të  bëjnin një shtëpi këtu dhe unë të isha Dervish. Ju thash atyre  se nuk dua shtëpi. Unë,   sot jam këtu nesër shkoi në një vend tjetër.

Jo, më thanë ata. U mendova dhe vendosa që të krijonim  një një Teqe që të  ishte shtëpia e të gjithë besimtarëve . Ne jemi një gjerdan me perla që është prerë- ndërhyra unë- perlat janë hedhur, nga të gjitha pjesët- por egsistojmë me energinë tonë, me besimin tonë,  për të qenë të gjithë bashkë si vëllezër, pavarësisht besimit personal,  sepse feja  arbërore është të duam njëri tjetrin dhe të bëjmë e të mbajmë njeri tjetrin- thashë unë. Të duam zotin tonë- shtoi – Baba Rexhepi e të respektojmë  besimin e tjetrit. Të bëjmë gjëra të mira për njerëzimin. 

Meqënëse jemi tek kjo temë do t-iu tregojë një episod shumë të bukur që më ka treguar baba Rexhepi: 

“Kur erdha këtu në Amerikë,- doja që të bisedoja me Fan Nolin, sepse Noli kishte në dorë shqiptarët dhe mund të më përkrahnin në misionin tim. Kështu i kërkova një takim. Atje gjeta edhe ca miq të Fan Nolit, të cilët ishin bektashinj dhe që i njihja edhe unë. I thashë Fan Nolit: 31 “Lidhja” 22, fq. 674 143 -Unë kam ardhur si vizitor, por këta dy miq bektashinj, Muhameti dhe Jaçia, po më thonë të hap një teqe këtu, por unë thashë të pyes Hirësinë tuaj, sepse nuk e di nëse do kemi sukses apo jo. Fan Noli u mendua një copë herë, pastaj më tha: -Po edhe unë nëse do të isha në vendin tuaj, si Muhameti dhe Jaçia do bëja. Hidhet Jaçia dhe thotë: – A bëhen bektashinj të krishterët? – Dëgjo këtu, zoti Jaçe. Unë mundohem që si të krishterët, edhe bektashinjtë t’i bëjmë shqiptarë, këtu qëndron interesi i kombit. Kur është interesi i kombit në mes ne i kemi bërë të krishterët jo vetëm bektashinj, por edhe dervishë, – i thashë unë. -Çfarë? – tha Noli. – Po, po, i kemi bërë dervishë, – theksova unë dhe nisa të rrëfeja: Ishte koha kur trimat Mihali dhe Çerçizi luftonin për liri dhe çeta e tyre e vogël ishte e rrethuar. Forcat e tyre ishin të pakta, kështu që gjetën një teqe dhe hynë brenda. I treguan babait të asaj teqeje që ishin të rrethuar dhe ai iu tha: “Mos kini merak, e ujdis unë këtë punë”. Babai i teqesë urdhëroi nga një taç që ta vendosnin në kokë, sepse mjekër mbanin vetë. Iu dhanë edhe veshje dhe kështu Mihali, Çerçizi e të tjerë luftëtarë u bënë si dervishë. Kur erdhën dhe kontrolluan, babai i teqesë, qetë-qetë, i prezantoi dervishët me radhë: dervish Mihali, dervish Çerçizi e luftëtarët e tjerë. Kur ata ikën, Mihali e Çerçizi iu hodhën në qafë babait të teqesë, i cili jo vetëm i shpëtoi, por shpëtoi edhe teqenë.

Fan Nolit kjo histori i pëlqeu shumë dhe më tha: “Na shkruaj nga këto gjëra, sepse janë shumë interesante dhe në dobi të kombit. Më 1954 munda  të hapja Teqenë e parë bektashie Shqiptar-Amerikane, në afërsi të Detroitit, ku kishte një bashkësi bektashijsh shqiptarë që edhe më mbështetën”

At Bellusci, çmund të na thoni tjetër rreth  Baba Rexhepi?

Unë shkova në një moment kur ai nuk ishte në gjendje të mirë shëndetësore por në atë vështrimin e tij shikoja butësinë dhe misrësinë e këtij njeriu të madh. Jam shqiptar nga Gjirokastra, por jam edhe shqiptar i Kosovës nga Gjakova, dhe jam po shqiptar i disaporës- më tha Ai. 

Ishte viti 1991 dhe ai ishte rreth të 90-at.  Ndenja në një sofër me të.  Pash nga afër besimin e tyre, mënyrën e e lutjes së tyre. Filozofia e këtij njeriu ishte heshtja e mbështjellë me mantelin e të dëgjuarit.

Për ato ditë që qëndrova atje ruaj në kujtesë Besimtarët, të cilët ndalonin, e përshëndetnin, i puthnin dorën. Nëse ndonjëri donte ndonjë këshillë, ai përgjigjej. Baba Rexhepi shpesh hidhte vështrimin nga dritarja, ku përtej ishte një shesh, e përbri ishte mauzoleumi në të cilën ai do të varrosej. Prezenca e tij, në atë momente ishte qëndra që, i ngjante një hark ylberi që lidh tokën me qiellin. 

Baba Rexhepi ishte fjalëpak, por të matura. Në atë ambient të asaj teqeje ishte Mikpritja, e cila  ishte tipike tradicionale shqiptare, ku për cilindo që shkelte në atë teqe nxirrej tabakaja mbushur dhe i ofronin diçka për të ngrënë.

Në mendjen time  ajo Teqe, ishte  pjesë e limituar e atij territori, ishte një kozmos i tërë shqiptar në diasporë, ndërsa ai vetë një shqiptar i madhërishëm, që kërkonte t’i jepte paqe shpirtit të atyre vëllezërve që ishin detyruar të linin atdheun, trojet e të afërmit e tyre të dashur. Për mua ishte një mësues i veçantë. (Një pjesë të intervistës do ta gjeni në revistë Lidhjan 22\1989. 

Përgatiti materialin Ornela Radovicka. 

Qëndra albanologjike mbi gjuhën dhe kulturën arbëreshe themeluar nga At Bellusci 1980 

C:\Users\iljas\Downloads\20240409_175229 (1).jpg

Filed Under: Politike

GJERGJ KASTRIOTI SKENDERBEU STREET FAIR

April 9, 2024 by s p

Dear Friends,

Wishing you & your families all the blessings of Easter and Bajram!

*The time has come! Please join us at this year’s third annual GJERGJ KASTRIOTI SKENDERBEU STREET FAIR on May 19, 2024.*

Let us come together to celebrate Albanian traditions and culture with entertainment, food, games and much more for all ages!

**Sponsorship & vendor opportunities are available**

For more information, please contact skenderbeufair@gmail.com or call 347-398-6161.

Attached is the flyer for the event. Please share it on all social media platforms!

Thank you, and we look forward to celebrating with you all!

Respectfully,

Mark Gjonaj

_”Vertete ne kemi Bajram e Pashke, por Shqiptarine e kemi bashke!” – At Gjergj Fishta.

Filed Under: Politike

Kujtimi i një vizite të paharrueshme në Kosovën e pasluftës dhe 99-vjetori i Prof Sami Repishtit

April 7, 2024 by s p

Nga Harry Bajraktari/

Në 99-vjetorin e Prof. Sami Repishtit, gjej rastin që ta përsëris se sa me fat kemi qenë si komunitet shqiptaro-amerikan që e kemi pasur dhe e kemi në mesin tonë.

Që nga koha kur mbërriti në SHBA në vitet 1960, ka qenë pjesë e çdo veprimtarie të rëndësishme kombëtare të shqiptarëve këtu në Amerikë.

Duke filluar që nga dëshmia e pare në Kongresin Amerikan në vitin 1965 e deri në ditët tona.

Kur fillova të angazhohem në lobimin dhe aktivitetin shqiptar në Washington DC dhe në New Yok, Prof Sami Repishti ishte një nga ata liderë që më frymëzuan e në gjurmët e të cilëve doja të ecja. U afrova me të në Ligën Qytetare Shqiptaro Amerikane e pastaj akoma më shumë kur themeluam Këshillin Kombëtar Shqiptaro Amerikan.

Por kurrë nuk kam qenë më afër me Prof Sami Repishtin sa në prillin e vitit 2000, kur që të dy u nisëm për një udhëtim në Kosovën e çliruar.

Ishte një vizitë e paharrueshme. Kujtimet dhe mbresat e saj i përmblodhëm në një libër të vogël, “Kosovë Prill 2000”, bazuar kryesisht në shënimet e Prof. Sami Repishti. Këtë libër e ruaj të shtrenjtë në bibliotekën time dhe e shfletova këto ditë përpara se të shkruaja urimin për Prof Repishtin.

Bashkw me Dr. David Phillips u nisëm të tre me avion nga New York-u, për në Vienë e që aty në Shkup, se për në Prishtinë nuk na u hap sinjali. Nga Shkupi hymë me makina në Kosovë, të shoqëruar nga miku ynë Dr. Alush Gashi.

Kosova ishte ende e shkatërruar, me njerëz që ende kërkonin njëri-tjetrin, me varre të freskëta, ende duke vuajtur pasojat e masakrave dhe mizorisë serbe.

Tre mijë shqiptarë ishin ende të burgosur politikë në Serbi. Një prej tyre kryeministri i sotëm, Albin Kurti.

Por ishte një Kosovë e re, që po punonte tokat, po rindërtonte shtëpitë, kishte rihapur shkollat, dhe po ndërtonte institucionet e reja. Njerëzit po regjistroheshin për zgjedhjet e tetorit. Optimizmi ishte i jashtëzakonshëm.

Bashkë me Prof. Sami Repishtin na u mbushën sytë disa herë me lot. Si për shembull kur takuam 12-vjeçarin Hashim Beqën në Reçak, i cili na kapi përdore e na tregoi varret e babait dhe dy vëllezërve 17 dhe 15 vjeç të vrarë nga serbët në Masakrën e Reçakut.

Në Lugun e Baranit u përlotëm nga gëzimi i fëmijëve kur bashkë me Akademik Mark Krasniqin dhe Terry Heselius drejtor i “Mercy Corps” për Kosovë u dorëzuam kompjutera e libra, laboratorë e televizorë për shkollat e qarkut, që i kishim sjellë nga Amerika në bashkëpunim me David Phillips.

Qindra mësues e nxënës, e banorë të Lugut të Baranit kishin ardhur për të na parë. Ishte një pritje madhështore. Ata dëgjuan më vëmendje fjalën e Prof. Sami Repishtit.

Pastaj, në Vranoc, familja Bajraktari shtroi një drekë për të nderuar miqtë nga Amerika, në të cilën morën pjesë më shumë se një qind vetë.

Në Prishtinë, Presidenti Ibrahim Rugova na priti me ngrohtësi e biseduam për të ardhmen e re të Kosovës. Na priti në zyrë e pastaj para kthimit për darkë në shtëpinë e tij.

Vizituam Mitrovicën e ndarë, deri te Ura e Ibrit. Shqiptarët ende nuk ktheheshin dot në shtëpitë e tyre në veri të qytetit. Vizituam Suharekën, Prizrenin e plotë fshatra e qytete.

Ishte hera e parë dhe e fundit që Prof Sami Repishti e vizitoi Kosovën dhe sa herë që kemi biseduar më vonë, e çonte fjalën te ajo vizitë. “E kam pa Tokën e Kosovës. E kam prekë me dorë. E kam marrë si kujtim një copë dhé, e tashti është në xhepin tim, e ruejtun si një relike fetare!”, shkroi ai plot emocion në fund të vizitës.

Në vitin 2018, pata nderin të prezantoj Prof. Sami Repishtin në ceremoninë e nderimit që i bëri Federata Vatra dhe fola për jetën dhe veprën e tij.

Sot, kur ai mbush 99 vjeç nuk kam shumë çfarë t’i uroj se ai ka arritur gjithshka në jetë. Në vend të urimit, por e falenderoj për kontributin e madh që ka dhënë për kombin shqiptar, për Kosovën, për komunitetin tonë në SHBA, për të drejtat e njeriut kudo. Por po i uroj edhe shëndet e jetë të gjatë. Po i uroj që ta festojmë së bashku 100-vjetorin e lindjes.

Zoti e bekoftë Sami Repishtin dhe familjen e tij!

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 108
  • 109
  • 110
  • 111
  • 112
  • …
  • 672
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 𝗣𝗮𝘀𝗶𝘃𝗶𝘇𝗶𝗺𝗶 𝗶 𝗮𝗱𝗿𝗲𝘀𝗮𝘃𝗲 𝘁𝗲̈ 𝘀𝗵𝗾𝗶𝗽𝘁𝗮𝗿𝗲̈𝘃𝗲 𝗻𝗲̈ 𝗦𝗲𝗿𝗯𝗶
  • Arbëreshët e Argjentinës – Një histori e dy emigrimeve dhe e mbijetesës së identitetit shqiptar
  • SKËNDERBEU, VASAL APO ALEAT I ALFONSIT TË ARAGONËS?
  • HIJESHIA LIGJËRIMORE DHE APOTEOZA E SHQIPTARISË NË KËNGËT E NIKOLLË NIKPRELAJT
  • LEGJITIMITETI DHE PUSHTETI
  • SPECIAL THANK YOU!
  • “ONOMASTIKË DHE ETNOLINGUISTIKË”
  • DEMOCRATS WON. BUT HAS DEMOCRACY?
  • MIHAL GRAMENO – ATDHETAR E KRIJUES AKTUAL
  • GJERGJ FISHTA – PERSONALITET I IDENTITETIT DHE I KRENARISË KOMBËTARE
  • NDARJET ADMINISTRATIVE QË RREZIKOJNË COPËTIMIN E HAPËSIRËS ETNIKE SHQIPTARE NË MAL TË ZI
  • DY SHTETE, NJË HORIZONT KOMBËTAR: SHQIPËRIA, KOSOVA DHE SFIDA E PËRGJEGJËSISË STRATEGJIKE
  • SHKRIMTARI SHQIPTAR PËRBALLË POLITIKAVE KULTURORE PËRÇMUESE
  • Kongresi i ri demokrat: Si do të kufizohet pushteti i Trumpit?
  • KUR NJË IDE BËHET INSTITUCION

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT