

Nga Keze Kozeta Zylo/
Jetëgjatësia ime si 95 vjeçar mund të ketë edhe lidhje me një vullnet të Zotit për të lejuar që personi të përçojë një dëshmi të caktuar pasardhësve…
Të bisedosh me z. Lekë Tasi ku na ndajnë dete dhe oqeane është një kënaqësi e veçantë, tejet speciale. Historia e tij është një histori me plot dhimbje, gati të pabesueshme, por artisti di t’i percjellë mjeshtërisht sepse i ka përjetuar vetë, por dhe kultura e tij si një erudit i vërtetë është mahnitëse. Ndonëse mosha e tij është 95 vjet, më duhet të them se është krenari të kemi një intelektual poliglot si Lekë Tasi midis nesh. E kam takuar tek Vatra në promovimin e librit me kujtime “Grabjani rrëzë kodrave”. Një libër me një rrëfim drithërues të pashoq. Të 506 faqet janë dritëza që ndriçojnë terrin dhe mohimin që iu është bërë këtij soji si Lekë Tasi dhe familjes së tij të jashtëzakonshme.
Për kurreshtjen tuaj të dashur lexues për këtë figurë të ndritur kombëtare po jua lë nën rrëfimin e tij personal duke iu pergjigjur pyetjeve të mia.
Ju këtë vit keni festuar 95- Vjetorin e lindjes si ndiheni në këtë moshë, pasi shumë miq të mi të penës dhe lexues, kur iu thashë se së shpejti do të keni intervistën me z.Tasi ata më shkruajtën se janë të befasuar me moshën tuaj, pasi ju kudo flisni, shfaqeni me një kujtesë brilante. Cili është sekreti?
Jetëgjatësia ësht një fakt o fat i pavarur nga vullneti ynë, por mund të ketë edhe lidhje me një vullnet të Zotit për të lejuar që personi të përçojë një dëshmi të caktuar pasardhësve… Pavarësisht nga sa e besueshme, unë vete e kam ndier këtë si detyrë, ndaj dhe e kam shkruar librin mbi vuajtjet në internim, dhe i nxit shokët e vuajtjes të bëjnë po ashtu.
Cila ka qenë fëmijëria juaj?
Kam kaluar një fëmini të lumtur. Ishim në Athinë familjarisht.
Ju jeni i biri i Koço Tasit avokat me profesion, Anëtar i Parlamentit të Parë Shqiptar pas Kongresit të Lushnjës cilat janë disa nga kujtimet tuaja?
Mbaj mend që babai bënte ecje të vazhdueshme në dhomë, i preokupuar për diçka, ndërsa unë e kisha mendjen tek lojrat. Më vone e kuptova që ai e kishte mendjen te vendi i fëminise së tij, se si të kthehej, sepse në çdo rast feste përsëriste me miqte si: “Mot në Shqipëri!” Por kthimin nuk e mendonte si ndonjë emigrant çfarëdo, por përmes një ndryshimi të rendit atje. Në fakt rreth kësaj dëshire të tij lidhen dy tentativa për kryengritje në 1926 dhe 1931, fatkeqësisht të dështuara, por edhe një rrezik i tij, i kaluar me dy plumba nga një tentativë që fatmirësisht e kishin prekur skitazhi njeri dhe tjetri i zhytur në mish sa ishte gjallë, por pa dëm. Rreziku ndodhi kur unë isha 6 muajsh. Duke u rritur mendova që duhej të kuptoja më shumë se çdo gjë ç’e shtynte babanë të merrej me punë të rrezikshme, dhe ç’ është më me rëndësi, ta pranoja edhe unë apo jo këtë lloj jete. Ai e kishte pranuar, dhe në fakt e vazhdoi kur mbasi u riatdhesuam në 15 Gusht 1941, ai shkoi si inspektor i Kryeministrisë në Kosovën e posa-liruar për ta qeverisur – kjo ishte detyra e tij në paralelizëm të vazhdueshëm polemik me fashistët italianë, të cilët përfituan nga një qëndrim i tij i pavarur rreth një vrasjeje të një federali fashist, ku babai urdhëroi hetim të kujdesshëm ligjor, në kundërshtim pra me një veprim terrori që ata donin, dhe kështu e rrethuan në një lokal ku po bisedonte me prefektin e Pejës. E shpëtoi nga ky rrezik (do Ishte rasti i dytë i një veprimi të tillë ndëshkues brenda pak javësh) nëse nuk do të vinte me vrap një grup xhndarësh shqiptarë, dhe kështu fashistët u gjendën të rrethuar dhe nuk insistuan. Nga ky episod, por edhe nga fakti që qeverise së Mustafa Krujës në Tiranë, që ngjashmërisht donte më pavarësi, i kishte ardhur fundi nga Pariani, Babai u pushua por i gjallë. Kurse komunistët nuk njihnin të tilla nuanca. A ke bërë dicka për Shqipëri, dhe aq më fort për Kosovë? Je për burg të përjetshëm. Kjo ndodhi në 1945-ën me Gjyqin Special
Ardhja juaj pranë Vatrës ishte një nder per Diasporën dhe Vatrën, pasi ju jeni nipi i të burgosurit politik Akile Tasit, ministri i shtetit shqiptar, bashkëpunetor i ngushte me Fan Nolin, Faik Konicën në Federatën “Vatra” si dhe me gazetën “Dielli”. Çfarë do të kujtoni dhe si i keni përjetuar keto drama në familjen tuaj?
Xhaxhanë tim Akile Tasin e kam njohur së pari në Përmet në 1941 kur u ktheva nga Athina. Isha 12 vjeç dhe si më delikat nga trupi, babai më mori me vete në skalionin e pare, duke lënë fëmijët e tjerë, Napoleonin, Teftën dhe Yllin për më vonë. Xhaxhai mbas disa javësh gjatë cilave u ngjitëm lart në Dhëmbel përmbi Shent Elenën e Lipës, dhe më tregoi kalotën e Tomorrit që zbardhte nga dëbora. E mbaj mend gjithashtu në Shën Mëri të Fushës duke u munduar të identifikonte emrin e ndonjë paraardhësi në rasën e varrit. Kishte ikur 14 vjeçar fshehurazi nga shtëpia në Amerikë dhe tashti kishte mall për të vjetrat. Meqë në librin “Grabjani rrëzë kodrave” kam folur gjerë për babanë, le të zgjatem më shumë për xhaxhanë këtu. Mbas 30 vjet qëndrimi në ShBA ku ishte marrë me VATRËN ne atë fazë të vështirë fillestare, duke bërë edhe redaktorin e “Diellit”, ai u kthye në Shqipëri dhe dëshëronte fort të kontribonte.. E kuptova më vonë këtë nga disa grimca bisedash. Në fakt ai më mori me vete në Korçë dhe në Tiranë për të më mundësuar formimin e një horizonti të gjërave më të rëndësishme të Atdheut të rigjetur. Isha vërtetë shumë i ri, por u vinja veshin bisedave që bënte me intelektualët që takoi në dy qytetet . Kuptova psh që gjatë qëndrimit të tij disavjeçar drejtor i Bibliotekës Kombëtare aj interesohej për arkeologjinë, ishte kohë gërmimesh, por edhe tentativash për të krijuar një teatër. E kuptoj nga një numur përkthimesh nga Anglishtja (veprash me një akt) ku predominon tema patriotike që i kam në dorëshkrim dhe ndofta mund të vlejë ndonjera në të ardhmen. Më e vlefshmja e të cilave, tregimi “Princi i Lumtur” i Oscar Wilde, tregon edhe orientimin shpirtëror të përkthyesit. Ka qënë i gatshëm për të ndihmuar këdo nga të burgosurit që kishte vullnet për të nxënë gjuhë të huaj. Por vdiq nga cirhoza mbas 17 vjet burgimi dhe nuk i gjenden eshtrat.
Ju jeni artist, i përndjekur politik dhe nga të afërmit e personave të zhdukur, pasi eshtrat e xhaxhait tuaj nuk u gjetën kurrë. Cilat kane qene disa nga përpjekjet tuaja për gjetjen e eshtrave te xhaxhait?
Gjetja e eshtrave është detyrë parësore jo vetëm për të nderuar çdo qenie njerëzore që vdes (pa faj aq më shumë por edhe me faj) dhe mbi të gjitha për të merituar qeveritë që vijnë mbas revolucioneve çnjerëzore emrin e shtetit të ligjshëm. Nuk është realizuar kjo detyrë pavarësisht rekomandimeve të botës së qytetëruar, për shkak të djallëzisë së skajshme të diktaturës tonë enveriste, po dhe grumbullimit të problemeve të shumta që përballuan qeveritë pasardhëse. Ne si familje, në pamundësi të bënim kërkime (në fakt fare pak nga mijërat e familjeve që iu pushkatuan njerëzit, mundën të gjenin eshtrat e të dashurve të tyre) kështu ne vendosëm të vendosim emrin e Akiles sonë në pllakën e varrit nën të cilin prehen Babai dhe Vëllai, pra e zgidhëm çështjen me një cenotaf, në pritje që në të ardhmen shkenca ta zgidhë këtë kërkesë të ligjshme me mjetet e saj.
Sa ka ndihmuar Parlamenti Europian, Instituti për Demokraci etj në “Ditët e Kujtesës” për të njohur publikun me krimet e sistemit diktatorial dhe cili është komenti juaj në reflektimin e shoqërisë karshi së kaluarës?
Në mendimin tim, presioni së jashtmi duhet të vazhdojë, sepse kryesore nuk është realizimi konkret i normave, por respekti për normat vetë, sa respektohen në një shoqëri që për forcë madhore ato norma janë shkelur pa qënë kjo shkelje praktikë historike. Çështja është të kthehet shoqëria jonë në vlerat e saj humane, pa asnjë tolerancë negligjencave që sjellë koha..
Ju keni qenë në kamp internimi për 15 vjet, duke punuar si kooperativist, ju lutem na flisni për lexuesit e shumtë për dhunimin jetësor, heqjen e lirisë dhe kushtet në të cilat jetonit?
Mbas tri dekadash që kaluan prej atëhere, unë mund të them se ajo periudhë pune në fshat meriton të studiohet jo vetëm për mbrapshtinë e sistemit ekonomik, po edhe për reagimet psikologjike që shkaktonte, një aparat i tërë hipokrizie që e mbante në këmbë diktaturën, por edhe e brente për ditë. Është një punë në shtresat e thella të ndërgjegjes njerëzore, ku duhet të punojë intuita më fort se dëshmitë e të aketuarve. Askush s’mund të lëvdohet se do jetë i sinqertë, kur tregon hilet e veta për t’iu shmangur presioneve e aq më pak përfitimet e tij të paligjshme në kurriz të shokëve. Sistemi që kaluam kishte emrin socialist, por ishte më antisociali që ka parë historia.
Kushtet e jetës ishin të vështira, veçanërisht ato që ngërthenin afërsinë me fqinjin (rradha shumë orëshe në dyqan, vjelja në pambuk, lakmia ndaj rreshtave të mira të shokut në prashitje etj). Njeriu përshtatet me vështirësitë e natyrës, por kurrë me të papriturat e njeriut që ke pranë..
Ju keni qene çelist i parë në Orkestrën e Radios dhe të Teatrit të Operës ku u pushuat për motive politike në vitin 1967, çfarë kujtoni nga ato vite të artit tuaj me violinçel?
Ajo periudhë 20 vjeçare (1946-1967) ka qënë më e rehatshmja, jo vetëm prej moshës së re, që ushqen shpresa e iluzione, por edhe prej fazës ende të “pafajshme” të shoqërisë, brenda orkestrës dhe në Tiranë… Kjo ndofta edhe prej varfërisë së mjeteve të diktaturës. Ajo nuk dinte akoma se sa rezerva poshtërsie mund të gjente te qytetarët, mjaft të shtonte presionet. Përkeqësimi i ekonomisë më pas, e çoi tek ajo rrugë me plot resurse qoftë në mbushjen e minierave me djem të pafajshëm, qoftë me gjetje agjentësh shpirtkazëm që i mundonin.
Cila është jeta juaj pas viteve 90-të kur u liruat nga internimi? Si i keni përjetuar ardhjen e demokracisë dhe vitet e tranzicionit?
U deshën disa vjet që të ndërgjegjësohem për realitetin që me delte para. Madje ky thellim po njeh akoma faza të habitshme se sa të painformuar kemi qënë. Gazetat po na i zbulojnë, dhe ky është për mua lajmi më i mirë, më i shkëlqyer do të thosha. Shkurt: kur dy dekada mbas 90-ës nuk u vërtetua kjo hapje e dosjeve, atëhere ne duhet të vendosim për një ndarje të prerë mes për mes të elitës politike, dhe të shkresojmë që kush e do këtë hapje dhe po e vazhdon, ai do të ketë çfarë t’i ofrojë vendit. Një e vetme është prova: Kush del përkrah drejtësisë së llojit të ri perëndimor, të vendosur së fundi, dhe pranon të vendosë ajo, dhe kush kërkon lehtësira ose akuzon për njëashmëri që të shmangë gjykimin. Drama është në vazhdim, por është një dramë që s’e kishim parë kurrë deri dje. Madje shpresa është të skanojë edhe historinë. Për mua jemi brenda një procesi sqarimi tërësor që ndodh me përkrahjen dhe mbështetjen e faktorit perëndimor që na ka monitoruar edhe rreptë shpesh. Tani na garanton dhe askush nuk e ndal dot më.
Shumë faleminderit fort i nderuar z. Lekë Tasi për intervistën tuaj!
Të përgëzoj dhe fëmijëve tuaj ju uroj të kenë një karrierë të shkëlqyer!
Autorja e intervistës është shkrimtare, poete, publiciste, mësuese dhe bashkëthemeluese e Shkollave Shqipe në New York “Alba Life” Ambasador i Kombit si dhe ka marrë titullin: Kalorës i Urdhrit të Flamurit nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë.
11 prill, 2024
New York