• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Diplomatët dhe sanksionet e tyre vijnë e shkojnë, cënimi i sovranitetit dhe integritetit territorial është i pakthyeshëm

June 9, 2023 by s p

Nga MSc. Agim Aliçkaj/

LETËR E HAPUR KRYEMINISTRIT TË KOSOVËS Z. ALBIN KURTI

I nderuar Kryeministër Kurti,

E keni zgjedhë rrugën e vështirë, rrugën e ndërtimit të shtetit dhe të lavdisë kombëtare. Të gjithë ne të tjerët, që e duam vendin tonë me zemër dhe e kuptojmë drejt situatën, jemi në shërbim tuajin dhe të qeverisjes suaj të koordinuar me Presidenten Vjosa Osmani dhe me Kryetarin e Kuvendit Glauk Konjufca.
Gjëja më kryesore është që të qëndroni bashkë unik dhe mos ta humbni përkrahjen e jashtëzakonshme, të më shumë se 75% të popullit të Kosovës dhe më shumë se 90% të Mërgatës, sidomos këtu në SHBA.
Padrejtësia e hapur dhe nënçmimi i shtetit të Kosovës nga zyrtarë dhe diplomatë evropianë dhe amerikanë e ka kaluar çdo kufi, është bërë e pakuptimtë, neveritëse dhe e padurueshme. Dëshira e tyre e kotë për ta shkoqë Serbinë fashiste nga Rusia fashiste me çdo kusht, në kurriz të Kosovës i ka shëndrruar ata në politikanë të dështuar por të rrezikshëm për Kosovën.
Këtë mashtrim dhe gënjeshtër serbe po e shtyen me forcë Ambasadori amerikan në Beograd Christopher Hill, i cili është vënë hapur në shërbim të kriminelit Vuçiq. Kërkim falja e tij për bombardimin e Serbisë nga NATO për ndalimin e gjenocidit serb mbi shqiptarët është kundër vendimit të Kongresit amerikan dhe interesave të popullit amerikan. Lidhjet e gruas së Z. Escobar me Beogradin janë shumë të dyshimta. Ndërsa Z. Lajçak nuk është ndërmjetësues, por përfaqësues serb në dialog.
Si amerikan, më mbuloi turpi, duke i parë kriminelët serb të dërguar në Kosovë nga kryekrimineli Vuçiq t’i rrahin ushtarët e pafajshëm të NATO-s. Dajakët ndaj tyre ishin shpulla në fytyrat e z. Hill, z.Escobar, z.Lajçak dhe diplomatëve tjerë që po i ledhatojnë kriminelët serb. Si shqiptar jam i zhgënjyer dhe i befasuar me përpjekjet e tyre për t’i arsyetuar kriminelet serb, duke ju fajësuar juve, në vend se të kërkojnë arrestimin e tyre.
Ultimatumi i tyre që t’i plotësoni me zor kushtet e kriminelëve serb është përzierje flagrante në punët e brëndshme të Republikës së Kosovës dhe i kalon të gjitha normat diplomatike. Kërkesat normale veç i keni plotësuar, i keni paralajmëruar zgjedhjet e parakohëshme në katër komunat dhe e keni pranuar si tërësi Marrëveshjen e Ohrit. Ky është kontribut i jashtëzakonshëm për deeskalim të situatës. Serbia fashiste nuk bën asgjë për deeskalim, vetëm qet kushte dhe këtë ndërkombëtarët e quajn “sjellje konstruktive”.
Tërheqja e policisë speciale nga pjesa veriore dhe dorëzimi i objekteve shtetërore te bandat serbe do të thotë humbje e sovranitetit. Prandaj forcat e sigurisë është e nevojshme të shtohen derisa kriminelët të zhduken, jo të zvoglohen. Krijimi i i çfarëdo asociacioni serb si parakusht, e hapë rrugën për parakushte tjera të pafundme dhe sjellë deri te shkatërrimi i shtetit. Këto nuk bën as të konsiderohen.
Ju lutem ta vizatoni një asociacion pa kompetenca ekzekutive, bazuar në kushtetutë të Republikës, ja jepni fotokopjen Z. Escobar dhe Lajçak dhe i siguroni se do të fillojë zbatimi në kuadër të marrëveshjes, pasi që ta nënshkruajë dhe pranojë Serbia fashiste. Dhe, jua bëni me dije se pjesëmarrja e pakicës serbe në zgjedhje nuk mund të konsiderohet koncesion por është obligim demokratik dhe privilegj. Në të njejtën kohë kriminelët serb duhet të shkojnë në burg, jo në zgjedhje.
Në seancën dëgjimore historike në senatin amerikan, të organizuar nga senatori i fuqishëm Bob Menendez, Këshilltari i Departamentit të Shtetit të SHBA-së, Z. Derek Chollet e pranoi zyrtarisht se diktatori serb Vuçiq dhe regjimi i tij janë të ndërlidhur me krimin e organizuar në Serbi dhe veri të Kosovës.
Në pyetjen e senatorit Menendez se pse edhe pas një viti nuk ka informatë për garanci se asociacioni serb nuk do të shëndrrohet në “republika srpska”, Zëvendës Ndihmës Sekretari për çështje Euroaziatike dhe Ballkan, Z. Gabriel Escobar nuk kishte kurrëfarë përgjigjeje. Deklaratat e tij se asociacioni ka për qëllim integrimin e pakicës serbe në Kosovë është iluzion ose mashtrim me qëllim.
Kjo seancë dëgjimore u bë e mundur në saje të angazhimit të jashtëzakonshëm të Ligës Qytetare Shqiptaro Amerikane në krye me figurat historike Joe DioGuardi dhe Shirley Cloyes DioGuardi, të Bordit të Ligës dhe të përkrahësve të shumtë të saj. Ne do të vazhdojmë të lobojmë në Washington edhe më me forcë, për kauzën tonë të drejtë. Për të parë pjesën kryesore të seancës dëgjimore mund të klikoni linkun :
https://www.youtube.com/watch?v=pV4gQJfdlxE
Vazhdoni me paraqitje publike të fakteve të cilat e dokumentojnë se Kosova është viktimë dhe Serbia agresor, në shtypin ndërkombëtar dhe ate konstruktiv të vendit, nëse ekziston. Flisni pa u ndalur për çështje me fakte dhe argumente, me aftësi dhe kompetencë që ju i posedoni, siç janë demokracia, mirëqënia, respektimi i të drejtave të njeriut, përfshirja, barazia, ligjshmëria dhe orientimi pro-amerikan.
Deklasojeni kriminelin Vuçiq me fakte për gjenocidin serb, sjelljet e tashme kriminale serbe, përkrahjen e tyre për agresionin rus në Ukrainë dhe orientimin e tyre pro-rus. Merreni me veti në xhep dhe përdoreni sipas nevojës librin e xhepit të Dr. Nusret Pllanës dhe MSc. Agim Aliçkaj, në të cilin për 20 minuta mësohen krimet 200 vjeçare serbe ndaj shqiptarëve.
Shprehja e mospajtimit me diplomaci dhe respekt për çështje të ndryshme me diplomatët perëndimorë është e drejtë dhe obligim i juaji, sidomos në takime të mbyllura. Ata duhet ta kenë të qartë se nuk mund të kërkojnë lëshime nga ju për t’ja bërë qejfin kriminelit Vuciq, por duhet të ju bindin me fakte dhe argumente. Ne të tjerët, sidomos në Diasporë e kemi detyrë t’i ekspozojmë, ti kundërshtojmë hapur dhe t’i kritikojmë ata me emër e mbiemër pa marrë parasyshë pozitën e tyre.
Ne të gjithë e duam Amerikën me zemër dhe përjetë, por nëse zyrtarët të caktuar amerikanë në pozita momentale, për interesa ndryshme apo gjeo-politike, i cënojnë interesat e Kosovës të cilën vetë e kan krijuar, përgjigjia e jonë duhet të jetë JO pa kurrëfarë dileme. Jo me vullnetin tonë. Nëse ata e gjejnë mënyrën të na detyrojnë me zor, është turpi dhe përgjegjësia e tyre historike. Liria është liri dhe nuk mund të konsiderohet borxh ndaj askujt.
Nuk na duhet asgjë miqësia me askend nëse e sakatojmë shtetin. Nëse miku na kërkon ta vrasim veten, nuk duhet ta dëgjojmë sepse nuk është më mik. Nuk na lejohet kurrësesi të shkelim mbi gjakun e 1432 fëmijëve të masakruar nga ushtria terroriste serbe, të qindra-mijërave viktimave civile, mijëra dëshmorëve dhe heronjëve të lirisë në krye me komandantin legjendar Adem Jashari dhe familjen e tij martire që e dhanë jetën në mbrojtje të pragut të shtëpisë dhe tokave shqiptare.
Diplomatët vijnë e shkojnë, bashkë me sanksionet e mundëshme, padrejtësitë, interesat dhe tekat e tyre. Por, nëse cënohet sovraniteti dhe integriteti territorial i shtetit, dëmi është i pakthyeshëm dhe i përhershëm. Qëndroni pas vendimit tuaj për të mos ia dorëzuar republikën demokratike bandave kriminale serbe. Këtë mund ta bëni vetëm me ushtri dhe polici të fortë e të përgaditur mirë. Serbia e kupton vetëm gjuhën e forcës.
Komuniteti shqiptaro-amerikan është shumë i brengosur dhe i irrituar përtej mase me veprimet e fundit të përfaqësuesve të Departamentit të shtetit. Efektet e këtij zemërimi do të ndihen shpejt nga zyrtarët amerikanë në afat të shkurtër por edhe në kampanjën presidenciale e cila veç sa ka filluar.
Kërkesat për dorëheqjen tuaj për shkak të sjelljes kriminale serbe dhe fajet e të tjerëve janë absurde. Jeni duke punuar me mençuri, trimëri dhe përkushtim në ballafaqim me Serbinë fashiste. Edhe po të donit nuk keni kujt të ja dorëzoni Kosovën. Pjesa më e madhe e opozitës së Kosovës dhe pozita e Shqipërisë në krye me KM Edi Rama, si dhe përkrahësit e tyre në media janë ndër fajtorët kryesorë që i kan dhënë dhe po i japin kurajo Serbisë fashiste për të vazhduar me veprime agresive me shpresë të nënshtrimit të Kosovës.
Fati i shtetit të Kosovës dhe ardhmëria e kombit shqiptar varet nga suksesi i juaj. Do ta keni mjaft vështirë për një kohë, por të gjithë sëbashku do t’ja dalim. Drejtësia mund të vonohet por do të ngadhënjej mbi padrejtësinë. Fitorja është e jona.

Filed Under: Politike

“Kosovë-Serbi” mund të ndihmohet nga Shqipëria vetëm përmes komunikimit të drejtpërdrejtë e konstruktiv me institucionet e Kosovës dhe Kryeministrin Kurti

June 8, 2023 by s p

Ilir Meta/

Situata e krijuar në mes të Serbisë dhe Kosovës mund të ndihmohet nga Shqipëria vetëm përmes komunikimit të drejtpërdrejtë e konstruktiv me institucionet e Kosovës dhe Kryeministrin Kurti.

Nuk ka nevojë për ndërhyrje të njëanshme dhe jotransparente, të cilat acarojnë apo përkeqësojnë situatën, e cila paraqitet delikate.

Qeveria shqiptare në asnjë rast nuk duhet të flasë apo të propozojë politika që duhen zbatuar brenda në Kosovë, pa u konsultuar paraprakisht me Kryeministrin dhe institucionet legjitime në Kosovë.

Asociacioni i Komunave është një marrëveshje tashmë e pranuar nga qeveria aktuale e Kosovës, dhe ajo garantohet në Marrëveshjen e Brukselit dhe në Aneksin e Marrëveshjes së Ohrit, të realizuara me mbështetjen dhe negocimin e Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Zgjidhja se si do të arrihet Asociacioni, gjendet pra tek respektimi i Marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit.

Z. Kurti ka treguar vazhdimisht përgjegjësi dhe vullnet të palëkundur për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.

Ndërsa tek Z. Vuçiç nuk e kemi parë në asnjë rast një gjë të tillë, përkundrazi një sërë veprimesh të tij kanë demonstruar të kundërtën.

Z. Rama, nëse do të donte të luante një rol mund ta bënte këtë, jo duke luajtur rolin e patronazhistit mbi Kosovën, por vetëm duke i kërkuar Beogradit nënshkrimin e marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit dhe zbatimin e tyre, njohjen e Kosovës nga Serbia dhe heqjen dorë nga strategjia e tensionimit të vazhdueshëm të situatës.

Foto: BBC news.com

May be an image of text

See Insights and Ads

Boost post

Like

Comment

Share

Filed Under: Politike Tagged With: Ilir Meta

Prurje të reja në historinë e komunitetit dhe të ardhmen e tij si “familje e madhe shqiptare” nga Festivali i Usterit

June 7, 2023 by s p

Rafaela Prifti/

Nga datat dy deri katër qershor Festivali shqiptar i Usterit me jetëgjatësi 40 vjeçare ruajti traditën e respektuar por solli edhe risi e projekte afatgjate për historinë e bashkësisë shqiptare këtu edhe përtej oqeanit Atlantik. Ceremonia e inagurimit të rrugës Gjergj Kastrioti Skënderbeu, ardhja e mysafirëve arbëreshë dhe pasurimi i pavionit shqiptar për muzeun e historisë së Usterit përbëjnë tri nga veçoritë më të spikatura të tij. Ndonëse festivali mbahet në këtë qytezë, historikisht pjesëmarrësit vijnë nga shtete e vende larg e afër. Tenda e madhe në oborrin e Kishës Ortodokse Shqiptare Fjetja e Shën Mërisë rrethakohej me flamujt e banderolat e bizneseve shqiptare që mbështetën veprimtarinë. Kisha, si organizatore me përvojë të gjatë në mbledhjen e fondeve, është amvisë e mirë e vendorëve dhe mysafirëve, siç shihej tek manifestimi i trashëgimisë shqiptare duke nisur nga menyja artizanale e gastronomike deri te programi i larmishëm artistik. Lidhja me grupin arbëresh ishte një homazh për heroin kombëtar, për të cilën djemtë e Kishës së Shën Mërisë si mikpritës ishin veçanërisht të kënaqur.

Frank Zdruli, me origjinë nga Korça, dhe Presidenti i kësaj shoqate, i ardhur në Massachusetts në vitet e adoleshencës e vlerëson shumë ruajtjen e traditës, riteve dhe gjuhës shqipe. “Në rolin drejtues si President i Djemve të Shën Marisë, ndihma dhe dhurata jonë me e vlefshme për Festivalin dhe për gjithë shqiptarët ështe padyshim inagurimi i emërimit të nderit rrugës Salisbury në emër të Heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Scanderbeg Way. Akoma më mbresëlënëse është prania e pasardhësit të familjes Kastrioti Loris Castriota Skanderbegh dhe Kryebashkiakut të “Horës së Arbëreshëvet” Piana degli Albanesi nga Sicilia, Rosario Petta në këtë ditë historike dhe ceremoniale. Do ta kujtoj për jetë pasi ashtu si 6 shekuj më parë na i bashkon përsëri heroi ynë kombëtar dy komunitetet shqiptare më të vjetra larguar ndër dy kontinentet në 555 vjetorin përkujtimor të Gjergj Kastriotit Skenderbeut.”

Banor i Usterit prej një kohe të gjatë, Frank vetë ka marrë pjesë në festivalin shqiptar në fillim si valltar. Ai mban mend se fillimisht programi i valleve ishte nismë e grupit të parë që u krijua në Boston me Dhimitraq Demirin dhe AANO (Albanian American National Organization). Pas dhjetë vjetëve, në 2007, kur ai erdhi me familjen në Uster, Frank Zdruli u bë pjesë e grupit organizativ të kishës dhe prej atëherë ai dhe Greg Steffon kanë qenë bashkëkryetarë të shtatë festivaleve në Uster.

Këtë vit Frank dhe Greg ia kaluan “stafetën” organizatorëve të rinj. Zdruli thotë se përvoja e tij tani mund të shërbejë për të këshilluar dhe ndihmuar në ruajtjen e traditave të bashkësisë shqiptare duke u përqendruar më shumë te brezat e rinj. “Rritja e nivelit të Festivalit por edhe e komunitetit shqiptar në vazhdimësi kërkon edhe ndarjen e detyrave në rolet e drejtuesve të tjerë. Tani eksperienca jonë e fituar duhet të vihet në funksion të këshillimit të ekipit të ri drejtues dhe fokusimi jonë si drejtues duhet të jetë tek forcimi i komunitetit në një solidifikim të brezit të ri që rritet në Uster,” thotë Frank.

Frank Zdruli e vlerëson pasurimin dhe dokumentimin e historisë së bashkësisë shqiptare për muzeun e qytetit si pjesë me rëndësi e trashëgimisë sonë. Një nismë e tillë e cila është e inkuadruar në festival është gjithashtu një projekti në vazhdimësi e sipër, nën kujdesin dhe e koordinuar nga qendra shqiptare pranë Politeknikumit të Usterit. Frank thotë se “së bashku me kolegun tim Gregory Steffon energjitë tona tashmë janë vënë në ecurinë e projektit afatgjatë që kemi ndërmarrë me Muzeumin Historic të Worcester dhe Albanian Project Center të WPI për të dixhitalizuar historinë e komunitetit shqiptar si pjesë e historisë.”

Dielli e ndoqi festivalin që nga dita e hapjes dhe në vazhdim. Ndonëse në ditët e fundjavës, moti ishte me reshje dhe temperaturat e ulëta, pjesëmarrësit ishin të shumtë. Në mbyllje i pyetëm mysafirët arbëreshë për mbresat nga Festivali i Usterit. Ata thanë se bashkësia këtu i kishte pritur krahëhapur dhe se “ishin ndjerë pjesëtarë të familjes së madhe shqiptare” përtej Atlantikut.

Dje, të ftuar në Katedralen ortodokse shqiptare të Shën Gjergjit në Boston, ata me zonjat e tyre u pritën nga anëtarë të bordit të Kishës, pjesëtarë të shoqatave e aktivistë të komunitetit. Kryebashkiaku Rosario Petta dhe gazetari Loris Castriota Skanderbegh e ripërforcuan “lidhjen vëllazërore” në një vend që ka domethënie të shumëfishta historike “për të gjithë që kanë gjak shqiptari,” thanë ata.

Foto: nga e majta, Petrit Alibeaj, Sami Ajdini, Erik Hoxha, Mark Kosmo, Brunilda Sota, Rafaela Prifti, Giusepina, David Kosta, Rosario Petta, Dhimiter Demiri, Frank Zdruli, Loris Castriota Skanderbegh, Grazia Vietri, Elisabeta Cani, Enertila (Eni) Kosta, Naum Prendo, Evans Liolin,

Ulur: Neka Doko, Feride Istogu Gillesberg, Erand Sojli, Adriaktik (Adriano) Hila, Luljeta (Gulia) Batelli, Klojdan Pepi

Foto: Flamuri historik i Shën Gjergjit në Fondin e trashëgimisë kulturore Fan Noli, Kryebashkiaku Rosario Petta, gazetari Loris Castriota Skanderbegh, Neka Doko, Përgjegjëse e Bibliotekës memoriale Fan Noli

Foto nga Festivali

Filed Under: Politike Tagged With: Rafaela Prifti

Presidentja Osmani priti në takim të përfaqësuesin special të ShBA-ve, Gabriel Escobar dhe atë të BE-së, Miroslav Lajčák

June 6, 2023 by s p

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti në takim përfaqësuesin special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, z. Gabriel Escobar dhe përfaqësuesin Special të BE-së për Dialog, z.Miroslav Lajčák.
Në takim, Presidentja Osmani ka shprehur përkushtimin e plotë që të punohet së bashku me partnerët ndërkombëtarë në mënyrë që në veri të vendit të sundojë rendi e ligji dhe të ruhet sovraniteti i Republikës së Kosovës.
Sipas Presidentes Osmani, ndëshkimi i grupeve kriminale dhe individëve që përdorën dhunë ndaj policisë, gazetarëve, pjesëtarëve të KFOR-it, EULEX-it dhe qytetarëve, është rruga e vetme për stabilitet të qëndrueshëm dhe afatgjatë. Prandaj, theksoi ajo, presim që institucionet ligjzbatuese ta bëjnë punën e tyre, në përputhje me ligjin, në mënyrë që grupet kriminale përgjegjëse për dhunën të përballen me drejtësinë.
Presidentja Osmani ka potencuar se zgjedhjet e reja në komunat në veri të vendit mund të organizohen në përputhje me kornizën aktuale kushtetuese e ligjore dhe në këtë kontekst, ajo shtoi se duhet të sigurohet pjesëmarrje demokratike e qytetarëve që jetojnë në këto katër komuna.

Në takim me të dy emisarët, Presidentja Osmani potencoi rëndësinë e fuqizimit të aleancës me SHBA-të dhe BE-në, në përmbushjen e synimeve të përbashkëta për rrugën euroatlantike dhe fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.

Filed Under: Politike

LIDHJA E PRIZRENIT NJË KTHESË VENDIMTARE PËR KOMBIN

June 5, 2023 by s p

Nga Frank Shkreli

Muaji Qershor shënon dy data të rëndësishme në historinë e Kombit shqiptar. Me 1 Qershor 1839 ka lindur Abdyl Frashëri, Kryetari i Lidhjes së Prizrenit, i cili njëkohësisht, konsiderohet edhe si shqiptari i parë që hodhi idenë e autonomisë së trojeve shqiptare nga perandoria turko-osmane dhe bashkimin e tyre në një vilajet të vetëm.  Ndërsa me 10 Qershor, 1878 është themeluar zyrtarisht, Lidhja e Prizrenit, akti më madhështor ky — që nga koha e Gjergj Kastriotit -Skenderbe – e që shënoi një kthesë vendimtare për të ardhmen e Kombit shqiptar në trojet e veta shekullore. Frank Shkreli/ 8 Qershori – Dita e Besës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit | Gazeta Telegraf

Themelimit të Lidhjes së Prizrenit i paraprinë pothuaj pesë shekuj vuajtje e errësirë, që nga koha e Gjergj Kastriotit – Skenderbe – qëndresa e të cilit dhe ideja e mbrojtjes së identitetit kombëtar, të kulturës dhe gjuhës shqipe, u ruajtë me aq përkujdesje nga Arbëreshët e Italisë, pasardhësit e Krye-Heroit të shqiptarëve matanë Adriatikut. 

Vura re vizitën e Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama në trojet arbëreshe në Itali këtë fund jave. Uroj që Kryeministri Rama, gjatë kësaj vizite, të jetë i vetdijshëm për rolin historik që kanë luajtur Arbëreshët e Italisë, ndër shekuj, në ruajtjen e cilësive dhe vlerave kombëtare të lirisë, trashëgimisë, identitetit kombëtar, gjuhës dhe kulturës shqiptare ndër shekuj. Pesë shekuj besnikërie arrbëreshe ndaj vlerave dhe identitetit kombëtar! Ashtuqë, sot të gjithë shqiptarët që vërtetë vlerësojnë dhe mbrojnë këto vlera, t’u jemi mirënjohës Arbëreshve tanë për ruajtjen e traditave dhe identitetit kombëtar, por edhe besnikërisë ndaj amaneteve të Gjergj Kastriotit -Skenderbe për një Shqipëri të lirë. 

Që, “T’u jemi mirënjohës Arbëreshve të Italisë që kryen atë vepër të mistershme shpërblimi njerëzor e kombëtar që i Nalti Perëndi u shënjoi atyne — kur në nji stinë duhije e tmeri – lanë brigjet e Atdheut dhe u mërguen në vis të huej, me ikona fetare e me hire shqiptare.” (Ernest Koliqi)

Ishin këto vlera dhe mbrojtja e tyre me çdo kusht, që me 8 Qershor, 1878 atje në Prizren, çuan në mbledhjen e përfaqsuesve krahinorë nga të gjitha trojet shqiptare, pa dallim feje e krahine, me qëllim për të themeluar Lidhjen e Prizrenit, nën drejtimin e mendjendriturit të madh Abdyl Frashërit, për t’i thënë botës se fisi i shqiptarit — i vjetër sa vet njerëzimi — ishte gjallë dhe donte të vendoste vet fatin e tij.

Ishin ata burra të Lidhjes së Prizrenit nga të gjitha krahinat shqiptare dhe pa dallim, me Abdyl Frashërin në krye, të cilët ndoshta me mendime dhe përvoja që i dallonin nga njëri tjetri — por ndryshe nga liderët e sotëm aktualë të shqiptarëve – kishin qëllime të përbashkëta për Kombin.

Ndryshe nga politikanët e sotëm shqiptarë – burrat e Lidhjes së Prizrenit, kur vinte puna tek interesat madhore të Kombit, ata i kishin të qarta dhe të përbashkëta objektivat jetësore në interes të shqiptarëve. 

Ndryshe nga politikanët aktualë të shqiptarëve, burrat e Lidhjes së Prizrenit, pothuaj një shekull e gjysëm më parë, për ‘ta, mbi çdo interes politik, personal, krahinor, fetar ose partiak, ishte mbi të gjitha, interesi kombëtar për të drejtat e të gjithë shqiptarëve pa dallim. 

Abdyl Frashëri ishte njëri prej atyre burrave të Lidhjes së Prizrenit, të cilët me mish e me shpirt mbrojtën interesat jetike të Kombit, në një periudhë shumë e shumë më të vështirë e më të errët për të ardhmen e Kombit shquptar, në krahasim me aktualitetin politik e kombëtar të shqiptarëve sot.

Lidhja e Prizrenit – një ringjallje e vërtetë shpirtërore dhe kombëtare për shqiuptarët — shpëtoi edhe një herë Kombin shqiptar nga copëtimi e shkatërrimi, duke e venë “çeshtjen shqiptare”, në rendin e ditës të diplomacisë evropiane, si një çeshtje politike kombëtare dhe ndërkombëtare, që duhej zgjidhur më në fund. Lidhja e Prizrenit ishte një vazhdim i luftërave dhe përpjekjeve të shqiptarëve për mbijetesë si komb, për identitetin, për lirinë dhe pavarësinë e tij në trojet e veta, për gjuhën, nderin, traditat, besën dhe burrërinë, vlera këto kastriotiane, të ruajtura ndër shekuj. 

Kushtrimi i Lidhjes së Prizrenit për njohje të Kombit shqiptar, për ruajtjen dhe paprekshmërinë e territoreve shqiptare dhe për bashkimin e tyre në një autonomi ose shtet të vetin, është dëgjuar anë e mbanë krahinave shqiptare të asaj kohe, por edhe më gjërë, si e vetmja rrugë për të realizuar bashkimin e trojeve shqiptare, në një kohë kur fqinjtë shovinistë slave e grekë, otomanët-turq dhe “ndërkombëtarët”, fuqitë e mëdha të asaj kohe, u mohonin shqiptarëve të drejtat e tyre bazë për liri, pavarësi dhe identitet kombëtar.

Lidhja e Prizrenit, ndihmoi por edhe ndriçoi, ndër të tjera, edhe përpjekjet për zhvillimin e gjuhës dhe kulturës shqiptare, ashtu siç bënte Jeronim De Rada në komunitetet arbëreshe në shekullin e XVIII, duke grumbulluar dhe duke theksuar vlerat, identitetin, gjuhën, traditat dhe amanetet kastriotiane të Kombit – si zedhënsi i parë i ringjalljes kombëtare të shqiptarëve në gjysmën e parë të shekullit të XVIII-të – si, “Apostulli i parë i Rilindjes sonë Kombëtare”, siç do ta cilësonte De Radën, Ernest Koliqi.

Megjithë optimizmin tim në jetë, më duhet të deklaroj, për fat të keq, se pas një vizite prej dy javësh, kohët e fundit në Shqipëri dhe shumë bisedave me njerëz të të gjithë nivele të jetës dhe politikës në atë vend, idetë dhe vlerat kastriotiane, por edhe ideja e përbashkimit e Lidhjes së Prizrenit janë shumë larg realizimit. Megjithë përparimet e shënuara deri më sot, idealet kombëtare të shqiptarëve, në rrugën e tyre drejtë realizimit përfundimtar, sipas porosive rilindasve Kombit, vazhdojnë të hasin në pengesa të brendshme dhe të jashtme. Më shumë pengesa të brendshme, nga vet shqiptarët, përballë mundimeve dhe vështirsive të mëdha! “Rreziku i Mbrendshëm”, siç është shprehur dikur At Gjergj Fishta, m’u duk kësaj rradhe, në vizitën time të fundit në Tiranë, më i rrezikshëm se kurrë më parë gjatë 30-viteve të tranzicionit, i prirë nga konfliktet politike dhe nga largimi i shqiptarëve nga Atdheu, ashtu si dikur u larguan Arbëreshët në Itali, pesë shekuj më parë.

Thuhet se çdokush, përfshir kombet, duhet të paguaj tagrin e vet, për një arsye ose për një tjetër, sidomos në periudha tranzicioni siç janë shqiptarët e kohës moderne, “post-komuniste”. Duket se shqiptarët për 30-vjet tani po e paguajnë këtë “tagër” me mundime të thella të mbrendshme dhe shpesh me keqkuptime të jashtme, ashtu si në kohën e Gjergj Kastriotit Skenderbe dhe të Lidhjes së Prizrenit. Në tre dekadshin e shekullit XXI, diçka e dikush po e turbullon fillimin e një jete të re për shqiptarët – asaj idesë për një Shqipëri të lirë e demokratike e të përbashkuar të vlerave kastriotiane dhe të Lidhjes së Prizrenit, krah për krah me shtetet e botës perëndimore, aty ku e ka vendin përjetësisht dhe ku e donin rilindasit e vërtetë të Kombit shqiptar. Shqiptarët nuk kanë kujt t’i ankohen për marrëzitë e veta. Uroj që i Madhi Zot mos të humbas durimin me bashkatdhetarët tanë anë e mbanë trojeve shqiptare.

Kujtojmë Lidhjen e Prizrenit, një kthesë e vërtetë në historinë e Shqiptarëve, atëherë dhe sot dhe shembullin e Abdyl Frashërit njërit prej burrave të Lidhjes së Prizrenit, i cili përball përpjekjeve të mëdha të armiqve të Kombit për të copëtuar tokat shqiptare,  mbrojti, mbi të gjitha, interesat jetësore të gjithë shqiptarëve pa dallim.

Frank Shkreli

                                          Lidhja e Prizrenit

                                        Besëlidhja e Lezhës 2-mars-1444

                                                             Abdyl Frashëri

undefined

                                                           Katër Vilajetet Shqiptare
  

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 140
  • 141
  • 142
  • 143
  • 144
  • …
  • 653
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT