• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PSE ËSHTË E PËRFSHIRË DREJTËPËRDREJTË SERBIA NË SULMIN TERRORIST NË VERIUN E KOSOVËS?

September 26, 2023 by s p

Dr. Dritan Demiraj/

Sulmi i fundit terrorist kundër forcave të rendit publik, kundër sovranitetit, integritetit territorial dhe rendit kushtetues në Banjskë në Komunën e Zveçanit, është prova më e qartë e asaj që kemi denoncuar në të gjithë rastet sa herë që Beogradi dhe Moska kanë planifikuar dhe ekzekutuar sulme të tilla terroriste në veriun e Kosovës.

Gjatë këtij sulmi terrorist, humbi jetën në krye të detyrës rreshteri Afrim Bunjaku dhe u plagosën edhe dy efektivë të tjerë.

Me këtë rast i gjithë Kombi Shqiptar në të gjitha trojet së bashku me bashkëatdhetarët në diasporë, duhet njëzëri të shprehim ngushëllimet dhe mbështetjen për efektivët e forcave policore dhe të sigurisë së Kosovës si dhe për familjen e efektivit të vrarë tinëzisht Afrim Bunjaku.

Struktura e grupit terrorist të përfshirë në këtë operacion është pjesë ose bashkëpunon në mënyrë të fshehtë, ai stërvitet, mbështetet me logjistikë dhe inteligjencë nga drejtoria e operacioneve speciale të fshehta të BIA-s serbe, ministria e saj brendshme dhe pjesëtarë të forcave speciale në bashkëpunim edhe me grupe të tjera kriminale një pjesë e të cilëve kanë shërbyer si mercenarë në disa luftëra lokale në Libi, Siri, Donbasi por jo vetëm së bashku me mercenarët rus.

Veprimet e forcave speciale të policisë së Dardanisë kanë qënë shumë profesionale, duke reaguar menjëherë me zjarr të fuqishëm kundër terroristëve serbë të armatosur të cilët kanë përdorur një sasi të madhe armësh.

Suksesi gjatë ekzekutimit të këtij operacioni të një shkalle kaq komplekse, me rrezikshmëri të lartë dhe përfshirjes së aktorëve më të lartë shtetërorë serb, shpreh qartë aftësitë dhe kapacitetet e larta operacionale të forcave speciale policore dhe të inteligjencës së Kosovës.

Dhe për këtë, njësive speciale policore të Kosovës i gjithë Kombi Shqiptar ju janë mirënjohës, pasi përfundimisht keni hyrë në librin ‘Guinness’ si një nga njësitë më të mira speciale në botë krahas Delta Force, Navy Seals, SAS, GSG9, etj pas realizimit të suksesshëm të operacionit special, arrestimeve, neutralizimit të më shumë se 10 terroristëve, sasisë së madhe të arsenalit të armëve dhe pajisjeve luftarake të sekuestruara.

Përfundimisht mendoj se ky sulm terrorist e ka bërë të qartë për SHBA-të, BE-në dhe të gjithë institucionet ndërkombëtare që përfundimisht të ndryshojnë qëndrim ndaj Vuçiçit, Daçiçit dhe bashkëpunëtorit më të zellshëm të Moskës i cili është drejtëpërdrejtë përgjegjës për të gjitha “Operacionet speciale dhe destabilitetin” në veri të Kosovës Aleksandër Vulin, i cili emërimet në qeverinë serbe i merr sipas urdhërave të Moskës dhe urdhërat operacionalë i merr drejtëpërdrejtë nga FSB-ja, SVR-ja dhe GRU-ja në Federatën Ruse.

Dënimi publik i sulmit terrorist në veri që bëri Departamenti Amerikan i Shtetit nëpërmjet zëdhënësit të tij Matthew Miller, në gjykimin tim nuk është i mjaftueshëm për sa kohë që edhe pse SHBA-të janë investuar jashtë mase në drejtim të afrimit të Serbisë me perëndimin, në çdo rast kemi parë se Vuçiçi si një frikacak, i pabesë dhe “mjeshtër” i përdorimit të ‘maskirovkas’ ruse, është përpjekur gjithmonë në çdo takim me ndërkombëtarët që fajin e grupeve të tij terroriste dhe strukturave kriminale që financohen nga agjensitë e tij tja kalojë ‘viktimës’.

Vuçiçi pavarësisht qindra milionë dollarëve dhe mbështetjes politike që ka marrë nga SHBA-të dhe BE, në asnjë rast nuk ka shfaqur as shenjën më të vogël të bashkëpunimit me perëndimin dhe kjo është parë qartë nga qasja e tij për të mos dënuar publikisht dhe sanksionuar regjimin kriminal të Federatës Ruse me rastin e pushtimit të paligjshëm dhe të paprecedentë të Ukrainës gjatë 19 muajve të fundit.

Kjo u shpreh qartë edhe nga justifikimi i ministrit të propagandës së Milosheviçit, Aleksandër Vuçiç se ‘personat e armatosur ishin shtetas serbë të cilët nuk mund të vuanin nën terrorin e Kurtit’.

Ndërkohë e kam theksuar edhe në shumë shkrime të mëparshme, besimi tek ‘perëndimori rusofil’ Vuçiç se do të bëhet më bashkëpunues në të ardhmen është jo vetëm harxhim kohe dhe burimesh financiare, por vazhdon të tregojë miopinë politike dhe diplomatike të diplomatëve perëndimorë, të cilët nuk janë të aftë të kuptojnë si duhet situatën në Ballkanin Perëndimor.

Sulmet e mëparshme kundër forcave të policisë së Kosovës, vrasjet dhe plagosjet e paprecedenta të pjesëtarëve të policisë së Kosovës, trupave të KFOR-it dhe përfaqësuesve të mediave në veri, kanë qënë sulme të dirigjuara drejtëpërdrejtë nga Beogradi dhe strukturat e tij shtetërore.

Ato tregojnë se taktikat, strategjitë dhe planet e Putinit dhe Vuçiçit për destabilizimin e Ballkanit, janë padyshim pjesë e një skenari të vazhdueshëm të mbështetjes politike, diplomatike, ushtarake dhe me inteligjencë nga Kremlini zyrtar. Ky skenar fatkeqësisht po zbatohet në mënyrë agresive prej kohës nga qeveria e Vuçiçit dhe strukturat e tij në veri të Dardanisë.

Në rast se reagimi i SHBA-ve, BE-së por jo vetëm nuk do të kishte qënë i mefshët dhe aspak në nivelin e duhur, atëherë sot rendi kushtetues i Kosovës nuk do të duhej të përballej me ngjarje dhe sulme të tilla terroriste.

Kjo ka qënë e qartë në të gjitha rastet kur janë analizuar me profesionalizëm veprimet, prezenca e individëve të bandave në veri të Kosovës, por edhe e personelit të agjensive serbe të inteligjencës dhe të sigurisë, të cilët kanë qënë prezent dhe të maskuar në shumë trazira dhe operacione të fshehta edhe më parë midis të tjerave edhe me simbole kriminale anti-perëndimore ruse “Z”.

Presidentja Vjosa Osmani, kryemistri Albin Kurti, qeveria dhe populli i Kosovës me këtë rast duhet të ruajnë gjakftohtësinë, të bashkëpunojnë edhe më ngushtë me SHBA-të, BE-në, komandën e KFOR-it, EULEX-in, institucionet ndërkombëtare dhe ambasadat e vendeve perëndimore. Unë kam bindje të plotë që një ditë SHBA-të dhe DASH do t’i tregojnë vendin Vuçiç-it, strukturave të tij kriminale dhe terroriste të cilat veprojnë sipas skenarëve destabilizues të Moskës dhe mendoj se tani ka ardhur momenti.

Albin Kurti është i vetmi kryeministër i cili ka qëndruar fortë me dinjitet dhe pa u lëkundur ndaj presioneve nganjëherë edhe të padrejta të ndërkombëtarëve.

Asnjë grup terrorist serb, strukturë kriminale, njësi e xhandarmarisë serbe nuk do të guxonin të ndërmerrnin një veprim të tillë kriminal dhe antikushtetues në rast se faktori politik në Republikën e Shqipërisë, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi nuk do të ishte i përçarë. Në rast se arrihet ky unitet në të gjitha trojet shqiptare, atëherë të gjithë politikanët tanë të korruptuar nuk do të kenë as guximin as mundësinë të dilnin në mbrojtje të ministrit të fundit kriminel të Milosheviçit.

Si përfundim, sasia e madhe e pajisjeve luftarake të konfiskuara, shumëllojshmëria dhe fuqia e madhe e armëve të zjarrit, armët sniper të kalibrit 12.7 mm, raketat anti-tanke, mitralozët e rëndë 50, mitralozët 40 mm, mjetet e komunikimit, mjetet e vëzhgimit, të ndihmës së shpejtë, mjetet financiare, eksplozivat, mjetet e propagandës, uniformat e shumta, etj tregojnë se këto struktura mbështeten nga shërbimet sekrete serbe.

Në shtesë sa më lartë, sasia e madhe e personave të përfshirë në këtë sulm, organizimi dhe koordinimi i tyre, niveli i përgatitjes së tyre ushtarake, njohja ekselente e terrenit, paprekshmëria e tyre nga shërbimet kufitare dhe sekrete serbe ndërkohë që kufiri midis dy vendeve është i përbërë nga një volum shumë i madh i dislokimit të njësive të xhandarmërisë dhe ushtrisë serbe (48 të tilla), angazhimi i madh i gjithë propagandës serbe për të fshehur me të gjitha format përfshirjen e tyre, tërheqja e shpejtë dhe e organizuar jashtë kufirit shtetëror të Kosovës e personave të vrarë dhe të plagosur në vendngjarje me qëllim mos identifikimin e tyre, hapja e një koridori të kërkim-shpëtimit dhe evakuimit të tyre në kufirin serb, sigurimi i inteligjencës në kohë reale rreth afrimit të forcave policore, prishja e provave të prezencës dhe e përfshirjes së tyre gjatë këtij sulmi, mos deklarimi dhe mungesa e bashkëveprimit të strukturave serbe të sigurisë për pjesëtarët e tjerë të përfshirë në këtë sulm terrorist të cilët u ndihmuan që të largoheshin nga manastiri dhe shumta fakte të tjera të cilat do t’i analizoj në shkrimet e tjera, tregojnë qartë përfshirjen e Serbisë në destabilizimin e situatës në veriun e Kosovës dhe organizimin e sulmeve terroriste kundër saj.

Më poshtë linku për të gjithë bashkëqytetarët të cilët kanë mundësi që të mbështesin sipas mundësisë një ndihmë financiare për familjen Bunjaku:

https://gofund.me/7d3b92d5

Filed Under: Politike

Deklaratë e Presidentes Osmani pas sulmeve ndaj policisë së Kosovës në veri

September 24, 2023 by s p

“Vrasja e një polici dhe plagosja e një polici tjetër në veriun e Kosovës, e planifikuar, orkestruar dhe ekzekutuar nga bandat kriminale serbe, është sulm ndaj rendit dhe ligjit në veriun e vendit, është sulm ndaj Kosovës.

Këto sulme dëshmojnë edhe njëherë fuqinë destabilizuese të bandave kriminale, të organizuara nga Serbia, të cilat prej shumë kohësh, siç është dëshmuar edhe me sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, gazetarëve e qytetarëve, po e destabilizojnë Kosovën dhe rajonin.

Sulmet e organizuara kundër forcave të rendit të Republikës së Kosovës janë sulme kundër sovranitetit të Republikës së Kosovës.

Përveç dënimit të ashpër të këtij agresioni të hapur të Serbisë ndaj Kosovës, pres që aleatët tanë ta mbështesin Kosovën në përpjekjen e saj për vendosjen e rendit dhe ligjit si dhe ruajtjen e sovranitetit në çdo pjesë të Republikës së Kosovës.

Familjes së policit të vrarë ju shprehim ngushëllime të thella dhe i sigurojmë se autorët e këtyre akteve terroriste nuk do të mund t’i ikin drejtësisë.

Ftoj të gjithë qytetarët, institucionet dhe subjektet politike që të qëndrojnë të bashkuar në këtë kohë kur po sfidohet hapur integriteti territorial, siguria dhe sovraniteti i Republikës sonë.

Si Presidente e Republikës kam besimin e plotë në djemtë dhe vajzat tona nga Policia e Kosovës”.

Zyra e Presidentes njofton se shkaku i situatës së krijuar, Presidentja Osmani i ka anuluar të gjitha aktivitetet e parapara për të hënën dhe të martën në New York, dhe qysh sot do të niset për në Kosovë.

Filed Under: Politike

PRITJE MADHËSHTORE, VATRA NDEROI PRESIDENTIN E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË Z.BAJRAM BEGAJ

September 23, 2023 by s p

Sokol Paja/

New York, 22 Shtator 2023- Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Shkëlqesia e Tij z.Bajram Begaj u prit në mënyrë madhështore në Federatën Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA në New York. Në një ceremoni zyrtare në Selinë Qëndrore të Vatrës, vatranët dhe shqiptaro-amerikanët i rezervuan një pritje të ngrohtë e vëllazërore kreut të shtetit shqiptar z.Begaj. I shoqëruar nga Ambasadori i Shqipërisë në Uashington z.Ervin Bushati, z.Hemion Braho-drejtor i kabinetit, z. Valter Ibrahimi-këshilltar diplomatik dhe këshilltarët , z. Klement Zguri, znj. Arta Sakja e z. Fatmir Cela, delegacioni i Vatrës përbëhej nga kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha, shefi i Kabinetit Dr.Pashko Camaj dhe Arkëtari i Vatrës z.Besim Malota e vatranë nga Kryesia e Këshill i Vatrës. Në fjalën e mirëseardhjes kryetari z.Elmi Berisha shprehi konsideratë të lartë, respekt të thellë e mirënjohje të veçantë për Presidentin Begaj për nderimin ndaj Vatrës, vatranëve e shqiptaro-amerikanëve.

“Vatra legjendare ka punuar në çdo kohë për 111 vite për kombin e shtetin shqiptar. Forcimi i kombit shqiptar nëpërmjet lidhjeve e bashkëpunimit të ngushtë me Departamentin e Shtetit Amerikan, Senatin e Kongresin Amerikan, janë strategjia e punës së Vatrës për të bashkëpunuar e lobuar për çështjen kombëtare të shqiptarëve në shtetet amë dhe trojet etnike” tha ndër të tjera z.Berisha. I emocionuar dhe falenderues për pritjen e ngrohtë e vëllazërore, Shkëlqesia e Tij President Begaj falenderoi Vatrën për punën e jashtëzakonshme dhe kontributin historik të dhënë për çështjen kombëtare. Në fjalën e tij, ndër të tjera z.Begaj deklaroi “Ju keni mbajtur gjallë atdhedashurinë për vendin tonë. Me aktivitetet tuaja në diasporë, me veprimtarinë dhe pjesëmarrjen tuaj, keni lartësuar Shqipërinë e kombin tonë. Ju meritoni vlerësime dhe respekt për atdhedashurinë që keni treguar, për pasionin me të cilin ju përpiqeni e punoni për interesin kombëtar dhe punën në dobi të çështjes kombëtare sepse jemi të gjithë të një kombi e të një gjaku. Është krenari për çdo shqiptar që Shqipëria të drejtojë Këshillin e Sigurimit. Është moment historik për të gjithë shqiptarët. Ju përgëzoj që jeni në bashkëpunim të ngushtë me faktorin shqiptar në trojet etnike, me shtetin e Kosovës dhe shqiptarët në diasporë. Fryma euroatlantike ka qenë baza e filozofia e punës suaj. Kosova ka nevojë për mbështetjen e të gjithëve ne pa asnjë diskutim. Busulla jonë kombëtare është Amerika. Nuk mund ti harrojmë kurrë miqtë dhe aleatët tanë amerikanë. Presidentët amerikanë Willson dhe Klinton janë historik për kombin tonë pasi ndihmuan në momente kur kishim më shumë se kurrë nevojë” tha ndër të tjera Presidenti Begaj. Ambasadori i Shqipërisë në Uashington Ervin Bushati në fjalën e prezantimit falenderoi Vatrën dhe zbuloi një sekret historik ku stërgjyshi i tij kishte qenë vatran, anëtar i kryesisë së Vatrës në Lynn Massachusetts. Z.Bushati deklaroi se lidhja me Amerikën është lidhje e shenjtë. Faleminderit u tha vatranëve që e keni mbaj gjallë zjarrin e atdhedashurisë në Amerikë. Gjatë diskutimeve pati pyetje rreth çështjeve të sigurisë kombëtare, konfliktit në veri të Kosovës, diskutimeve Kodovë – Serbi, faktorit shqiptar në Ballkan, Skavica, vota e diasporës e çështje të tjera që shqetësojnë kombin tonë. Ceremonia madhështore me pjesëmarrjen e dhjetëra vatranëve e shqiptaro-amerikanëve vazhdoi me nderimin që Federata Vatra i bëri Presidentit Begaj duke i akorduar Mirënjohje me motivacion: “Për shërbimin e shquar në forcat e armatosura të Republikës së Shqipërisë, për kontributin e lartë në sigurinë publike të qytetarëve shqiptarë, për nivelin e lartë të ekspertizës në trajtimin e çështjeve të sigurisë kombëtare dhe mbështetjen e bashkëpunimin institucional në kryerjen e reformave të thella për integrimin evropian të Shqipërisë e shqiptarëve”. Pas pritjes vëllazërore në Selinë Qëndrore, Vatra shtroi një darkë në nderim, respekt dhe vlerësim të Presidentit të Republikës së Shqipërisë Z.Bajram Begaj.

Filed Under: Politike

SOT NË ORËN 6 PM PRESIDENTI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË Z. BAJRAM BEGAJ VIZITON VATRËN

September 22, 2023 by s p

Presidenti i Republikës së Shqipërisë z. Bajram Begaj do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Federatën Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra, ditën e sotme e Premte më 22 Shtator 2023 në orën 6 PM.

Z.Begaj do të zhvillojë një bashkëbisedim në Selinë Qendrore të Vatrës me vatranët dhe komunitetin shqiptar në New York e më gjerë.

Ftohen mediat dhe komuniteti që të marrë pjesë.

Filed Under: Politike

Presidentja Vjosa Osmani dekoron me Urdhrin e Lirisë, ish-kongresistin, Joe DioGuardi dhe aktivisten Shirley Cloyes DioGuardi

September 21, 2023 by s p

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron në New York ku po mbahet sesioni i 78-të i Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, në një ceremoni të mbajtur në Konsullatën e Kosovës, ka dekoruar me Urdhrin e Lirisë, ish-kongresistin, ish-kreun e Ligës Shqiptaro-Amerikane, mikun e madh të Kosovës, kontribuesin për lirinë dhe pavarësinë tonë, z. Joe DioGuardi dhe aktivisten Shirley Cloyes DioGuardi.

Sipas Presidentes Osmani, Urdhri është falënderim i qytetatëve të Kosovës ndaj punës së palodhshme së tyre, për konributin e jashtëzakonshëm dhe angazhimin e pandërprerë për lirinë, demokracinë, dhe pavarësinë e Kosovës dhe si avancimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve.

“Ju keni qenë zëri ynë në kohë të errëta! Ju keni qenë shpresa jonë në kohën e pashpresë. Ju keni qenë katalizator të afirmimit të kërkesave tona kudo në botë, ndaj liria jonë bartë edhe firmën tuaj”, ka theksuar Presidentja Osmani në këtë ceremoni.

Dekorimi i Joe DioGuardi ka përkuar me ditëlindjen e tij të 83-të, të cilin e uroi Presidentja Osmani dhe theksoi se “Joe personifikon Amerikën, aleatën tonë të përhershme, ashtu siç na la amanet presidenti historik dr.Ibrahim Rugova”.

Sipas Presidentes Osmani, Joe dhe Shirley janë kontribues të jashtëzakonshëm dhe miq të mëdhenj të Kosovës.

“Ju të dy keni nga nje vend të posaçëm në zemrën e secilit kosovar! Ju na përkujtoni sa e zorshme ka qenë lufta jonë për të drejta, liri dhe pavarësi. Ju na kujtoni se pa mbështetjen e miqve nuk arrihen rezultate, ndaj zoti i bekoftë SHBA-të, zoti e bekoftë miqësinë tonë të përjetshme!”, ka thënë Presidentja Osmani.

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 138
  • 139
  • 140
  • 141
  • 142
  • …
  • 672
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 𝗣𝗮𝘀𝗶𝘃𝗶𝘇𝗶𝗺𝗶 𝗶 𝗮𝗱𝗿𝗲𝘀𝗮𝘃𝗲 𝘁𝗲̈ 𝘀𝗵𝗾𝗶𝗽𝘁𝗮𝗿𝗲̈𝘃𝗲 𝗻𝗲̈ 𝗦𝗲𝗿𝗯𝗶
  • Arbëreshët e Argjentinës – Një histori e dy emigrimeve dhe e mbijetesës së identitetit shqiptar
  • SKËNDERBEU, VASAL APO ALEAT I ALFONSIT TË ARAGONËS?
  • HIJESHIA LIGJËRIMORE DHE APOTEOZA E SHQIPTARISË NË KËNGËT E NIKOLLË NIKPRELAJT
  • LEGJITIMITETI DHE PUSHTETI
  • SPECIAL THANK YOU!
  • “ONOMASTIKË DHE ETNOLINGUISTIKË”
  • DEMOCRATS WON. BUT HAS DEMOCRACY?
  • MIHAL GRAMENO – ATDHETAR E KRIJUES AKTUAL
  • GJERGJ FISHTA – PERSONALITET I IDENTITETIT DHE I KRENARISË KOMBËTARE
  • NDARJET ADMINISTRATIVE QË RREZIKOJNË COPËTIMIN E HAPËSIRËS ETNIKE SHQIPTARE NË MAL TË ZI
  • DY SHTETE, NJË HORIZONT KOMBËTAR: SHQIPËRIA, KOSOVA DHE SFIDA E PËRGJEGJËSISË STRATEGJIKE
  • SHKRIMTARI SHQIPTAR PËRBALLË POLITIKAVE KULTURORE PËRÇMUESE
  • Kongresi i ri demokrat: Si do të kufizohet pushteti i Trumpit?
  • KUR NJË IDE BËHET INSTITUCION

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT