• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Edhe sa të tjerë???

November 20, 2025 by s p

Sokol Paja/

Njeriut më të pushtetshëm në Shqipëri pas kryeministrit Rama, ministrja e energjisë e infrastrukturës dhe zv.kryeministre Belinda Balluku pezullohet nga detyra dhe bllokohet të mos dalë nga Shqipëria. Të gjithë bashkëpunëtorët e saj në arrest në burg dhe arrest shtëpie. SPAK i dha tjetër goditje qeverisë antishqiptare që vjedh, shpërdoron e varfëron pa mëshirë Shqipërinë e shqiptarët. Skandale të pa imagjinueshme, të vazhdueshme dhe të papranueshme që gëlltiten prej shqiptarëve pa reagim, pa lëvizje, pa shkundje, pa tronditje. Të heshtësh përballë të keqes është ofezë për civilizimin dhe qytetnimin. Kjo bandë qeveritare e turpshme, e ndyrë dhe e neveritshme i ka bërë Shqipërisë dëme të pa llogaritshme. Banda e babëzitur e Ballukut që grabiti rrugë, ura, tunele, parqe voltaike e porte desh hëngri dhe Aeroportin e Behgjet Pacollit. Një babëzi e frikshme, e tmerrshme e neveritshme..

Me turp dhe krenari qeveria Rama rri në detyrë kur ligjërisht dhe moralisht ka rënë në sytë e ligjit, në sytë e botës, në sytë e shqiptarëve dhe të ndërkombëtarëve. Të gjithë duhet të jenë pas hekurave. Qeveria sot është një ngrehinë mafioze që vjedh, grabit e shpërdoron paratë e shqiptarëve. Një hajdutëri e neveritshme, e frikshme, e turpshme, e paparë dhe e padëgjuar në 113 vite histori të shtetit shqiptar. Banda me emrin “qeveri” që grabit e plaçkit shtetin ka shembur Republikën dhe shkatërruar ekonominë dhe të ardhmen e shqiptarëve. Qindra milionë euro të grabitura nga banda e qeverisë në një kohë kur njerëzit vdesin çdo ditë pa ilaçe. Dhjetëra tendëra në infrastrukturë të paracaktuar kur shqiptarët në periferi qëndrojnë të izoluar.

Edhe sa zv.kryeministra, ministra, zv.ministra, deputetë, bashkiakë, drejtorë, oficerë, gangsterë, sa e sa të tjerë nga qeverisja e korruptuar e kryeministrit Rama, besnikë e benjaminë të tij, duhet të burgosen që Rama të shporret bashkë me shpurën e tij të korruptuar e të shpartalluar? Edhe sa skandale qeveritare duhet të ndodhin që shqiptarët të zgjohen nga gjumi për të përzënë përgjithmonë një parti-shtet, një sistem të kalbur, një filozofi të shpifur, një frymë kanceroze, një mekanizëm të rrënuar e të neveritshëm që vjedh shqiptarët brutalisht prej 12 vitesh?

Korrupsioni galopant në çdo qelizë shtetërore, klientelizmi dhe partitizmi mbi çdo vlerë, meritë e talent, kontrolli, presioni dhe shantazhi i drejtësisë dhe institucioneve të pavarura, pasiguria e jetës, pronës e biznesit, kapja totale e shtetit, varfërimi i qytetarëve, shpopullimi etj etj janë kauza që shqiptarët dhe mërgimtarët duhet të ngrihen në protesta të forta e të pandalshme deri në rrëzimin e qeverisë së hajdutëve, kriminelëve, kusarëve e tradhëtarëve.

Si pasojë e presionit, kontrollit, kapjes e represionit shoqëria shqiptare është mpirë, është paralizuar, shoqëria civile, mediat dhe intelektualët vazhdojnë dhe mbrojnë hajdutët me pushtet. Një dramë surreale. Këto janë ditë të tmerrshme për kombin dhe shtetin. Thirrja sot është për shqiptarët e të gjitha partive dhe interesave, mërgimtarë e atdhetarë e çdokujt që i vlon gjaku shqiptar në vena duhet të bashkohet për të shpëtuar Shqipërinë. Hajdutët gjakpirës po e degdisin në greminë pa kthim atdheun. Hajdutët, plaçkitësit dhe tradhëtarët na lanë pa shtet, pa dinjitet, pa atdhe. Ngrihuni e bashkohuni o shqiptarë, sot, nesër do të jetë tepër vonë. Shqipëria ka nevojë të dalë nga ky makth, ankth, mallkim komunist dhe gjakderdhje ekonomike dhe demografike. Shqipëri, paç mbrojtjen dhe bekimin e Zotit, derisa të zgjohen shqiptarët…

Filed Under: Politike

Nga Revolucioni Amerikan te lufta e Kosovës: Paralelet e Wesley Clarkut për lirinë

November 20, 2025 by s p

Dr. Haxhi Ademi/

Një nga dëshmitë më të rëndësishme që është dhënë ndonjëherë në Hagë për luftën e Kosovës dhe rolin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është dëshmia e gjeneralit Wesley Clark, ish-Komandant Suprem i Forcave Aleate të NATO-s, një nga figurat kyçe të ndërhyrjes humanitare të viteve 1998–1999. Dëshmia e tij në Hagë përbën një pikë referimi të fuqishme për të kuptuar të vërtetën e luftës sonë.

Gjatë dëshmisë së tij, Clarku u shpreh qartë dhe pa mëdyshje se UÇK-ja nuk ishte organizatë terroriste, siç përpiqej ta paraqiste propaganda serbe, por një forcë legjitime që luftoi për liri, dinjitet dhe mbijetesë në kushte të jashtëzakonshme represioni. Sipas tij, UÇK-ja ishte përgjigjja e vetme e popullit shqiptar ndaj dhunës sistematike, masakrave, dëbimeve dhe spastrimit etnik që po kryhente aparati shtetëror serb. Kjo dëshmi, e dhënë nga personi që drejtoi aleancën më të madhe ushtarake në botë, rrëzon çdo pretendim të ngritur kundër luftës sonë çlirimtare.

Gjenerali Clark foli edhe për lidershipin e UÇK-së. Ai përshkroi udhëheqësit e saj si njerëz të guximshëm dhe të vendosur, por njëkohësisht të kujdesshëm, sepse çdo vendim i tyre lidhej drejtpërdrejt me jetën e civilëve, me fate familjesh dhe me të ardhmen e një populli të tërë. Ky vlerësim i një figure ndërkombëtare të kalibrit të Clarkut konfirmon qartë se UÇK-ja ishte një lëvizje e përgjegjshme dhe e orientuar drejt mbrojtjes së popullit.

Një moment tjetër tejet i rëndësishëm i dëshmisë së tij lidhet me akuzat për të ashtuquajturin “trafikim organesh”. Clarku u shpreh hapur se këto pretendime ishin inskenime politike, të fabrikuara nga qarqe ruse dhe serbe me qëllimin e vetëm për ta kriminalizuar UÇK-në dhe për ta paraqitur atë sikur ishte një grup i ngjashëm me formacionet e demonizuara çeçene. Ai theksoi se nuk ekzistonin prova për këto pretendime dhe se ato ishin pjesë e një fushate të koordinuar propagandistike.

Gjenerali Clark foli edhe për një çështje që shpesh mbetet në hije: divergjencat brenda vetë NATO-s gjatë fushatës në Kosovë. Ai përmendi episodin e njohur kur forcat ruse u nisën drejt aeroportit të Prishtinës dhe komandanti britanik refuzoi urdhrin për t’i ndaluar, me arsyetimin se nuk dëshironte “të fillonte Luftën e Tretë Botërore”. Ky moment na kujton se edhe brenda aleancës kishte qasje të ndryshme ndaj Rusisë dhe ndaj situatës në Kosovë.

Gjithashtu, Clarku theksoi mungesën e reagimit të mjaftueshëm nga forcat franceze në veri të Kosovës, çka krijoi hapësirë që strukturat serbe të ushtronin spastrim etnik në ato zona menjëherë pas hyrjes së trupave ndërkombëtare. Ky fakt, i thënë nga një dëshmitar i rangut më të lartë ushtarak, na ndihmon të kuptojmë më mirë realitetet gjeopolitike që e shoqëruan pasluftën në Kosovë.

Clarku foli edhe për një moment tepër domethënës që lidhet me takimin e tij me presidentin e Maqedonisë, Kiro Gligorov, menjëherë pas rënies heroike të familjes Jashari në Prekaz, ngjarje që tronditi gjithë rajonin. Sipas dëshmisë së Clarkut, presidenti Gligorov e kishte paralajmëruar se situata në Kosovë po hynte në një fazë jashtëzakonisht të rrezikshme dhe se konflikti i armatosur mund të shpërthente shumë shpejt, përmasat e të cilit do të tejkalonin kufijtë e Kosovës dhe do të trazonin gjithë Ballkanin. Ky takim, sipas Clarkut, ishte një pikë kthese. Ai dëshmoi se pas paralajmërimeve të presidentit maqedonas, kishte filluar të hartonte planin e veprimit, duke e kuptuar se situata në Kosovë po shkonte drejt një krize të thellë që kërkonte vendimmarrje të guximshme dhe të koordinuar.

Clark vuri theksin se pikërisht në këtë periudhë ai filloi të analizonte skenarët e ndërhyrjes së NATO-s, si mënyrë e vetme për të parandaluar shfarosjen e popullit shqiptar dhe për të frenuar agresionin e aparatit shtetëror serb. Paralajmërimi i Gligorovit, siç e cilësoi ai, ishte një sinjal i hershëm që i ndihmoi strukturat ndërkombëtare të kuptonin përmasën e krizës.

Në përmbyllje të dëshmisë së tij, gjenerali Wesley Clark kërkoi edhe dy minuta shtesë për të dhënë një mesazh të qartë dhe me vizion afatgjatë mbi atë që kishte ndodhur në Kosovë dhe rëndësinë e UÇK-së në historinë moderne. Në ato minuta, Clark ngriti një paralele të drejtpërdrejtë me Revolucionin Amerikan, duke theksuar se çdo popull që lufton për liri, pavarësi dhe dinjitet njerëzor ndeshet fillimisht me shpifje, me stigmatizim dhe me përpjekje për ta delegjitimuar kauzën e tij.

Ai tha se, ashtu si luftëtarët e revolucionit amerikan në shekullin XVIII, edhe UÇK-ja përfaqësonte vullnetin e një populli të shtypur që kërkonte t’i jepte fund padrejtësisë historike. Sipas Clarkut, rezistenca shqiptare në Kosovë nuk ishte luftë për territor, por luftë për të drejtën themelore për të jetuar të lirë. Ai e paraqiti UÇK-në si një lëvizje të karakterit moral, të mbështetur në të drejtën ndërkombëtare dhe në parimet e lirisë që i përkasin çdo populli.

Në këtë kontekst, Clarku e lidhi mesazhin e tij edhe me situatën aktuale në Ukrainë, duke theksuar se agresioni, dhuna shtetërore dhe përpjekjet për të nënshtruar popuj të tërë nuk janë fenomene të së kaluarës. Ai tha se ajo që ndodhi në Kosovë gjatë viteve 1998–1999 është një kujtesë e gjallë se çfarë ndodh kur bota nuk reagon me kohë dhe se ndërhyrja e NATO-s ishte një shembull se si bashkësia ndërkombëtare mund të parandalojë shfarosjen dhe spastrimin etnik.

Dëshmia e Wesley Clarkut është shumë më tepër se një deklaratë ushtarake. Ajo është një akt i së vërtetës historike. Është një shpjegim i qartë i natyrës çlirimtare të UÇK-së, një kundërpërgjigje ndaj propagandës dhe një dokument që ruan kujtesën e drejtë të luftës sonë. Ajo dëshmi na mëson se liria e Kosovës nuk erdhi rastësisht. Ajo erdhi falë sakrificës së popullit tonë, falë vendosmërisë së UÇK-së dhe falë mbështetjes së partnerëve ndërkombëtarë që e kuptuan drejtë dramën që po ndodhte në këtë vend. Dhe mbi të gjitha, dëshmia e Clarkut na kujton se drejtësia dhe e vërteta kanë forcën e tyre, mbase jo të menjëhershme, por të pandalshme.

Filed Under: Politike

Në ditët e Kongresit të Manastirit

November 20, 2025 by s p

Prof. Dr. Shefkije Islamaj/

Ishte ditë e shtunë, 14 nëntor 1908 kur Kongresi i Manastirit filloi punën e tij, kurse i përfundoi në ditën e 9-të, ditë e diel, 22 nëntor 1908. Gazeta “Liria”, që nisi të botohej nga Mit’hat Frashëri në Selanik më 14 korrik 1908, pikërisht katër muaj para se të mbahej Kongresi i Manastirit, në numrin 15 të saj, që dilte çdo të shtunë, në tri faqe e para të mëdha e të plota, raportonte hollsisht për organizmin, përgatitjen dhe ngjarjet që i kanë paraprirë këtij Kongresi, si dhe për të gjitha zhvillimet ditore që kanë ndodhur brenda këtyre 9 ditëve sa ka zgjatur ky Kongres.

Në faqen 4 paraqitet jehona e këtij Kongresi në shtypin e kohës, në Shqipëri dhe jashtë saj, në viset shqiptare dhe në diasporat shqiptare, përmes letrave, telegrameve, shkrimeve, reagimeve etj.

Raportimi i hollësishëm për Kongresin nis me Thirrjen që Klubi i Manastirit ua kishte dërguar në fillim të shtatorit 1908 të gjitha shoqërive, klubeve, intelektualëve, shkrimtarëve, publicistëve, botuesve dhe si thuhet në këtë thirrje të gjithë “mirëdashësve vëllezër Shqiptarë”, të cilët: “prej kohësh e tehu e kanë ndjerë nevojën e madhe për të dhënë një fund çështjes’së Abecesë”. (f.1) Thirrja njofton për mbledhjen dhe qëllimin dhe është nënshkruar nga Pleqësia e klubit “Bashkimi” të Manastirit.

Shkrimi i njofton lexuesit e saj jo vetëm për Thirrjen, por edhe për Programin e punimeve të Kongresit, për pjesëmarrësit në Kongres pra për listën e delegatëve, për zgjedhjen e komisionit, për diskutimet, për procesvebalet e nëntë mbledhjeve sipas radhës, përgjatë nëntë ditëve të punimeve të Kongresit dhe të Komisionit dhe për vendimin e Komisionit lidhur me përzgjedhjen e alfabetit.

Vendimi u shkrua me shkronjat e alfabetit të përzgjedhur. Shkrimi zbulon gjithçka ka ndodhur brenda ditëve sa ka zgjatur Kongresi e deri te atmosfera e ditës së fundit. Kështu, në ditën e tetë, të parafundit, qysh në katër të mëngjesit, salla dhe katër dhomat allaturka të klubit qenë mbushur plot me delegatë, me, si thuhet në këtë shkrim, shoq të klubit, dhe me nxënës të shkollës “idadie”. Folësi i parë i kësaj dite ishte Haxhi Vildan Efendia, i cili foli për lirinë, despotizmin, njeriun, vetëdijen dhe bashkimin. E nisi shqip dhe e përfundoi turqisht kurse e përktheu Abdyl be Ypi. Folësi i dytë ishte vetë Fishta i cili i tha rëndësi nevojës së mësimit dhe të shkollave shqipe, i treti Fazli pashë Tirana e më pas Çerçiz Topulli e Mihal Grameno ia morën këngës trimërishte, kurse ison ua mbanin edhe “disa zëra grash, shqiptarka t’ardhura për të dëgjuar fjalët e delegatëve.” (f. 2).

Sipas këtij shkrimi të gazetës “Lirija”, dita u mbyll me një darkë që shtroi për 70-80 veta Klubi i Manastirit, që përmblodhi gjithë delegatët dhe shqiptarët e Manastirit, në një tryezë ku ishte edhe valiu i Manastirit Hivzi pasha. Në darkë ngriti dollinë i pari kryetari i klubit Fehmi Zavalani “për shënden e të gjithë Shqiptarëvet”, si tha ai, kurse Mit’hat Frashëri ngreu dollinë “për trupin e mendjen e Shqipëtarisë q’u ep fuqi dhe zemër gjithë Shqiptarëvet.” (f. 2).

Pas darke, si thuhet në gazetën “Liria”, f. 3,dhe siç do të ishte e pritshme, një fjalim të bukur e mbajti Gjergj Fishta, kurse i erdhi përkrah me fjalën e tij plot urtësi Ndre Mjeda duke thënë se “Shqiptarët qenkanë të zotër që dhe të bashkohen dhe të punojnë s’bashku’sikundre q’i rrëfeu edhe kjo mbledhje e Manastirit.” (f. 2).

Në ditën e nëntë, të fundit, e diel, sipas gazetës, u mblodhën delegatët, diskutuan për çështje me interes dhe morën dy vendime: e para, u vendos: “që klubet dhe shoqëritë që janë në Shqipëri të shkruajnë te klubi i Manastirit për çdo gjë të vlejtur q’u shkon në mendje, dhe Klubi i Manastirit të ketë për detyrë të bëjë në muaj një herë nga një raport që ta dërgojë në të tërë klubet dhe shoqëritë. Në këtë mënyrë klub’ i Manastirit do të jetë si shkronjës i klubeve të tjere, po s’do të ketë no një fuqi tjetër.”; e dyta, “u vendos: që për dy vjet të mblidhet një kongres për gjuhët dhe për literaturën shqip dhe u tregua për vent Janina dhe për ditë 10 korrik 1910.” (f. 3).

Këtu përfundon punën Kongresi i Alfabetit, por këtu nuk përfundon punën e gazetës “Lirija”, Ajo do të vazhdojë të botojë shkrime që afirmojnë njësimin e alfabetit, që nxisin dashurinë për gjuhën e shkollën, por edhe shkrime ku kritikohej e luftohej çdo qëndrim kundër abecesë shqipe e kundër çdo qëndrimi antikombëtar me të cilin dëmtohej ose mund të dëmtohej gjuha, arsimi dhe liria e shqiptarëve.

Më poshtë: 4 faqet e para të gazetës “Lirija”, kushtuar Kongresit të Manastirit.

Filed Under: Politike

Frontespici i Mesharit të Buzukut

November 18, 2025 by s p

Prof. As. Dr Vinçens Marku

Aparati figurativ i ksilografive të Mesharit të Gjon Buzukut, për të cilin flitet gjerësisht te Buzuku i lehtëlexueshëm, do të ishte i mangët pa kryeksilografinë e këtij teksti të çmueshëm, që është korniza e frontespicit (e ballinës).

Në fletën 96 të kopjes vatikanase, menjëherë pas kolofonit,  gjendet një fragment i dëmtuar i kornizës së ksilografisë së frontespicit të Mesharit. Immagine che contiene disegno, schizzo, arte, modello

Il contenuto generato dall'IA potrebbe non essere corretto.

Siç shihet qartë nga fragmenti i mbijetuar, duke krahasuar imazhet, mund të zbulojmë vetëm kornizën e ballinës së librit, por jo brendinë e saj. Megjithatë imazhi i dëmtuar mjaft nuk na pengon aq shumë sa të mos mund të zbulojmë tërësinë e kornizës, duke ndjekur metodën e krahasimit me veprat e tjera të botuara në Venedik nga botuesit bashkëkohës me veprën e Buzukut. Immagine che contiene disegno, dipinto, arte, schizzo

Tashmë dimë se grafemat e përdorura për shtypshkrimin e Mesharit janë po ato të përdorura nga Benardino Benali në veprat e botuara nga 1491 deri rreth 1520, gjithmonë nga të dhënat që zotërojmë deri më tani. Pikërisht për këtë arsye i jemi drejtuar në fillim botimeve të Benalit për të gjetur ndonjë frontespic që të përmbante fragmentin e mbijetuar të Mesharit. Duke shikuar me vëmendje frontespicet e botimeve të tij, nga i cili kanë mbijetuar rreth 200 vepra, kemi zbuluar se ai është i pari që ka përdorur një kornizë ksilografike, ku gjendet edhe fragmenti i lartpërmendur. Këtë kornizë balline, gjithmonë me brendi të ndryshme, e kemi gjetur: 1. Te botimet dhe ribotimet e Komedisë Hyjnore të Dantes; 2. Te botimet dhe ribotimet e Ngadhënjimeve të Petrarkës dhe 3. Te disa vepra të tjera të kësaj periudhe, por zakonisht nga të njëjtit shtypshkrues. 

Benardino Benali me 3 mars të vitit 1491 bashkë me Mateo Kapkazën (Kodekën) nga Parma kishin botuar kolanën e parë të Komedisë Hyjnore të Dantes, që është madje edhe e para e ideuar si kolanë në fushën e botimeve të shtypshkruara, e mbajtur si një nga botimet më cilësore për kohën, e komentuar nga Kristoforo Landini, me një aparat ksilografik të plotë, në të cilën gjendet edhe nga një frontespic për secilën kantikë, me kornizë të njëjtë dhe me përmbajtje të ndryshme. Matheo di Codecá da Parma (Matteo Capcasa) më 29 nëntor 1493, pra ish-bashkëbotuesi i Benalit, e riboton këtë kolanë i vetëm, me ndonjë ndryshim të vogël. Frontespicet janë po ato të botimit të parë, por me një ndryshim vetëm për kantikën e Ferrit, frontespici i së cilës shoqërohet me një kornizë shtesë, siç do të shihet në ilustrimet e mëposhtme. Më 11 tetor të 1497 botohet Danthe alighieri fiorentino për Piero de Zuanne di Quarengii vetëm me një frontespic ksilografik për Ferrin, që është po ai i botimit të Mateo Kapkazës të 1493. Po kjo kolanë, Danthe alighieri Fiorentino historiado, me pak ndryshime, botohet më 12 qershor 1507 nga Bartholomeo de Zanni, vetëm me një frontespic, me atë të Ferrit të botuar më 1491. Si ilustrime më poshtë do të sjellim imazhet e frontespiceve të botimit 1491 dhe atë të Ferrit të botimit 1493.

Kjo kornizë, te vepra Ngadhënjimet “Trivmphvs” e Petrarkës, përdoret nga botues të ndryshëm që nga viti 1492 deri më 1515. Vëllai i Mateo Kapkazës, Gjovani, e boton atë më 12 janar 1492 dhe 28 mars të 1493. Aty gjenden 6 frontespice me të njëjtën kornizë, por me brendi të ndryshme, që përkojnë secili prej tyre me një nga ngadhënjimet, pra: Amoris, Castitatis, Mortis, Fame, Temporis dhe Divinitatis. Në vitet 1497, 1500 dhe 1508 kjo vepër, me ndryshime krejt të vogla, ribotohet nga Bartholomeo de Zanni me të njëjtat frontespice të përdorura nga Gjovani Kapkaza. Ndërsa më 1515 po kjo vepër, u ribotua, jo me ndryshime të mëdha, nga Agostino de Zanni, një i afërm i Bartholomeo de Zannit, për disa i biri ose i vëllai. Si ilustrime figurative do të sjellim të gjitha ballinat e botuara për secilin ngadhënjim nga botime të ndryshme prej 1492  deri më 1515, sipas cilësisë që zotërojmë për imazhet e ballinave. 

Ndërkohë që botoheshin dhe ribotoheshin Komedia dhe Ngadhënjimet e sipërpërmendura kjo kornizë u përdor edhe për frontespicet e disa veprave të tjera, po nga këto botues, por edhe të tjerë me të cilët ata bashkëpunonin. 

Mateo Kapkaza gjithashtu kishte botuar më 1495 të njëjtën kornizë të frontespicit te vepra  Epistole Marsilii Ficini Florentini, por kjo kornizë nuk shoqërohej edhe me një tjetër sikurse kishte ndodhur me botimet pararendëse. Bartholomeo de Zanni boton edhe tre autorë të tjerë: Apulein më 11 nëntor 1504, si ribotim të tij, meqë ky autor ishte botuar më parë më 1501 nga Bevilakua; Lukanin më 24 tetor 1505 dhe Petrus de Natalibus më 5 korrik 1506, te vepra e këtij të fundit gjejmë dy frontespice.  

Bevilakua boton, përveç Apuleit të lartpërmendur, një përmbledhje me vepra të Petrarkës si edhe Mathesis (De nativitatibus) të Julii Firmici Materni-t, në të cilat është e pranishme korniza e frontespicit të Mesharit.

Agostino de Zanni më 23 shkurt 1525 riboton të rishikuar Legendario de sancti vulgare storiado të Iacobo de Voragine, vepër të cilën e kishte botuar më parë, më 13 Mars 1494, Mateo Kapkaza me të njëjtën kornizë balline, pothuajse me njëjtën brendi, e shoqëruar me një kornizë tjetër që i mbivihet, që është ajo e ferrit të botimit 1493. Pas vitit 1525 nuk kemi gjetur ndonjë libër tjetër, ku të jetë përdorur kjo kornizë. Duhet theksuar se te botimet e kësaj ksilografie, që nga 1497 e më pas, vërehet një dëmtim i vogël i krifës në të majtë të luanit që gjendet sipër në të djathtë të kornizës.

Filed Under: Politike

28 Nëntori — drita e rilindjes dhe amaneti i përjetshëm

November 17, 2025 by s p

Prof.Dr. Fejzulla Berisha/

Çdo 28 Nëntor është më shumë se një festë; është ringjallja e kujtesës historike dhe e vetëdijes kombëtare për të ruajtur amanetin e të parëve tanë. Është dita kur flamuri ynë i kuq me shqiponjën e zezë u ngrit në Vlorë nga Ismail Qemali, por edhe dita kur Adem Jashari dhe luftëtarët e Kosovës ia dhanë kuptimin e përjetshëm sakrificës shqiptare për liri. Shqiptarët në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Preshevë, Çamëri dhe diasporë bashkohen shpirtërisht në një ideal të vetëm: “Shqipërinë e pa bërë, bëje Shqipëri të bërë — bëje ose vdis!” Kjo thirrje është amanet rilindas dhe program kombëtar, që tejkalon kohën dhe kufijtë, sepse është fjala e ndërgjegjes, gjaku i sakrificës dhe shpirti i unitetit.

Fan Noli — apostulli i Shqipërisë së bërë me drejtësi dhe kulturë

Në këtë ditë, nuk mund të përmendet Shqipëria pa përkulur kokën para Fan Nolit — atdhetarit, filozofit, klerikut dhe shtetarit që ngriti idealin kombëtar në një nivel moral universalisht të pranueshëm. Në Boston, në Federatën “Vatra” dhe përmes gazetës “Dielli”, Fan Noli e formuloi filozofinë e tij me fjalë të pavdekshme: “Shqipëria të bëhet, se ndryshe shqiptarë s’ka.” Ai nuk e shihte Shqipërinë vetëm si shtet formal, por si bashkim të drejtësisë, kulturës dhe dinjitetit njerëzor. Çdo shqiptar duhet të jetë qytetar i lirë, dhe çdo institucion në shërbim të popullit. 28 Nëntori është drita e mendimit nolian që ndriçon rrugën e çdo brezi drejt një Shqipërie të bërë me drejtësi dhe dinjitet.

Ismail Qemali — akti themeltar i lirisë shqiptare

28 Nëntor 1912, në Vlorë, Ismail Qemali nuk ngriti vetëm një flamur — ai ngriti ndërgjegjen e një kombi. Në kohën kur perandoritë binin dhe kufijtë ndaheshin sipas interesave të fuqive të mëdha, ai deklaroi me guxim: “Ne nuk duam të jemi as skllevër, as shtojca e askujt. Duam të jemi të lirë në trojet tona.” Ky akt politik shënoi lindjen e Shqipërisë moderne, por jo përfundimin e saj. Amaneti i Ismail Qemalit: “Pavarësia fitohet me flamur, por ruhet me punë, drejtësi dhe bashkim.” Çdo 28 Nëntor na kujton se Shqipëria e bërë është përgjegjësi, jo dhuratë.

Hasan Prishtina — Kosova si themel i unitetit kombëtar

Hasan Prishtina e kuptoi se Shqipëria e pa bërë nuk mund të ishte e plotë pa Kosovën. Në memorandumin e tij historik shkroi: “Nëse nuk i bashkojmë të gjitha trojet shqiptare në një ide, nuk do të kemi as Shqipëri të bërë, as liri të qëndrueshme.” Kosova, e cila u flijua në Konferencën e Londrës, mbeti plagë e kombit, por njëkohësisht burim i pashtershëm i lirisë. Nga Lidhja e Prizrenit, në Lidhjen e Pejës dhe deri në luftën për pavarësi, ajo dëshmon se idealet kombëtare nuk shuhen as nga padrejtësia, as nga koha.

Adem Jashari — përkthimi i amanetit në gjak

Në shekullin XX, amaneti i Vlorës dhe filozofia e Nolit u shndërruan në realitet tragjik dhe heroik në Prekaz. Adem Jashari përktheu me jetën e tij porosinë e madhe të historisë: “Bëje Shqipërinë të bërë – bëje Kosovën të lirë – bëje ose vdis.” Prekazi u bë Jerusalemi i lirisë shqiptare, vendi ku gjaku u shndërrua në drejtësi dhe ku Kosova lindi e lirë. Vlorës iu bashkua Prekazi, dhe Ismail Qemalit iu bashkua Adem Jashari në përjetësi.

Trojet shqiptare — Shqipëria që ende po bëhet

28 Nëntori është edhe dita e reflektimit: A është sot Shqipëria e bërë? Në Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi, Luginën e Preshevës, Çamëri — shqiptarët kërkojnë drejtësi dhe barazi. Shqipëria e bërë është ende një proces, që kërkon bashkimin institucional, kulturor dhe strategjik të shqiptarëve në hapësirën euroatlantike. Ky bashkim nuk nënkupton kufij të rinj, por kufij të hapur në mendje dhe shpirt — bashkim të dijes, kulturës, ekonomisë dhe vizionit kombëtar.

Diaspora shqiptare në SHBA — “Shqipëria e tretë”

Asnjë 28 Nëntor nuk është i plotë pa përmendur diasporën shqiptare në Amerikë, e cila që nga fillimi i shekullit XX ka qenë shtylla morale dhe diplomatike e kombit. Në Boston, Filadelfia dhe New York, shqiptarët ngritën flamurin dhe fjalën. Gazeta “Dielli” shpalli misionin e saj: të ndriçojë mendjet dhe të bashkojë shqiptarët. Fan Noli e shihte Amerikën si vendin ku Shqipëria e bërë do të gjente frymëzimin e përjetshëm: demokracinë, ligjin, drejtësinë dhe dinjitetin. Ky amanet jeton sot në çdo komunitet shqiptar në SHBA që mban gjallë kombin me vepra, jo vetëm me fjalë.

Shqipëria e bërë — ideal i bashkimit dhe drejtësisë historike

Shqipëria e bërë nuk është thjesht shtet — është ide, moral dhe bashkim shpirtëror që i jep kuptim ekzistencës kombëtare. Ajo përfshin Shqipërinë, Kosovën dhe çdo shqiptar që punon e jeton me dinjitet në botë. Është bashkimi i historisë me të ardhmen, i Vlorës me Prekazin, i Nolit me Jasharin, i idealit me sakrificën. Vetëm kur ndërtojmë këtë Shqipëri të bërë — me drejtësi, dije, punë dhe unitet — mund të themi se kemi përmbushur amanetin e të parëve tanë.

28 Nëntori — dita kur kombi i flet vetvetes

28 Nëntori është dita kur shqiptarët i flasin vetes dhe historisë me një zë të vetëm: “Shqipërinë e pa bërë, bëje Shqipëri të bërë! Bëje me punë, dije, drejtësi, dhe nëse duhet — bëje me sakrificë, por bëje!” Ky është amaneti i Ismail Qemalit, vizioni i Fan Nolit, ideali i Hasan Prishtinës dhe lavdia e Adem Jasharit. Është thirrja që ngjall çdo shpirt shqiptar në 28 Nëntor dhe në çdo ditë të historisë tonë. Deri sa ky amanet të përmbushet, flamuri ynë do të mbetet kujtesa e së kaluarës dhe premtimi i së ardhmes.

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • …
  • 662
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA APEL PUBLIK DREJTUAR KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Please join the Albanian American community in celebrating the 18th Anniversary of Kosova’s Independence at New York City Hall
  • VATRA TELEGRAM URIMI QEVERISË DHE PARLAMENTIT TË KOSOVËS
  • Reçaku, një histori e dhembjes, sakrificës dhe ngadhënjimit mbi vdekjen
  • Një shqiptar kandidat për Asamblenë e Shtetit të New York-ut, Shpetim Qorraj: “Dua të jem zëri i fortë i qytetarëve të Distriktit 64”
  • Job-i biblik dhe romani « Brenga » e Pashko Camaj
  • Komuniteti shqiptaro-amerikan kërkon drejtësi
  • Urgjenca dhe Protesta si regjim. Pse ritmi i revoltës prodhon pushtet, jo ndryshim?
  • Kur një korb flet shqip: pse “Korbi” i Nolit nuk është thjesht përkthim i POE-s
  • “Nomos”
  • 𝒁𝒆̈𝒓𝒊 𝒊 𝒅𝒆̈𝒔𝒉𝒎𝒊𝒕𝒂𝒓𝒊𝒕 𝒑𝒆̈𝒓𝒃𝒂𝒍𝒍𝒆̈ 𝒑𝒂𝒅𝒓𝒆𝒋𝒕𝒆̈𝒔𝒊𝒔𝒆̈
  • Kush ishte shkrimtari shqiptar që kishte letërkëmbim dhe vlerësohej nga Viktor Hygo
  • Si u bë Tirana kryeqytet dhe përse Kongresi i Lushnjes nuk mori vendim
  • Shqiptarë – fjala hyjnore që na mban gjallë edhe nga larg
  • Mediat e huaja i kanë bërë jehonë protestës së tretë kombëtare të opozitës në Tiranë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT