• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Momenti që drejtësia në Shqipëri që të tregojë se sa është e pavarur

February 6, 2023 by s p

Nga Harry Bajraktari/

Dita e shpalljes së padisë për zyrtarin e lartë të FBI-së, në SHBA ishte një ditë e trishtuar për Shqipërinë dhe demokracinë e saj.

Përzierja e drejtpërdrejtë apo edhe indirekte e kryeministrit Edi Rama, këshilltarëve apo të njohurve të tij në skema pagesash të paligjshme, ka bërë që Shqipëria të përflitet për keq. Emri i saj po lidhet me fjalën “korruptim” përpara opinionit amerikan, në një kohë kur ka nevojë për reklamë të mirë, për investime nga jashtë për përkrahje për çështjen e Kosovës e të tjera.

Shpallja e padisë dhe fillimi i gjyqit kundër ish-eprorit të kundërzbulimit në Zyrën e FBI-së në New York, zotit McGonigal tregon se pavarësisht të gjithave sistemi i drejtësisë në SHBA funksionon. U krye një hetim ndaj një njeriu me shumë lidhje dhe gjykata do të vendosë nëse është fajtor.

I takon tani drejtësisë shqiptare të qartësojë nga pikëpamja e ligjit shqiptar nëse zyrtarët dhe qytetarët e e Shqipërisë janë përzjerë në korrupsion dhe kanë shkelur ligjin.

Rama ka thënë publikisht që e ka pasur mik McGonigalin Nga padia del se miku i Ramës ka vendosur nën hetim një lobist të Partisë Demokratike. Gjithashtu miq të përbashkët të tyre kanë paguar deri në 225,000 dollarë zyrtarin e FBI-së.

Këto fakte vijnë erë e keqe. Kjo mund t’i kushtojë politikisht Edi Ramës në raportet e tij me Amerikën. Mirëpo, vetëm organet e hetuesisë dhe gjykatat shqiptare mund të përcaktojnë nëse është shkelur vërtet ligji shqiptar.

SHBA ka investuar prej vitesh që të reformojë sistemin e drejtësisë në Shqipëri. Tani është momenti që reforma të tregojë frytet e saj. Synimi ka qenë gjithmonë që njerëzit më të fuqishëm të mos jenë sipër ligjit. Nuk ka provë më të mirë për SPAK-un dhe Byronë e Hetimeve sesa ky rast korrupsioni që prek edhe sigurinë e Amerikës për të dëshmuar pavarësinë si rezultat i reformës.

Kjo nuk është thirrje për ta futur në burg Edi Ramën, por thirrje që organet e drejtësisë të sigurohen që ligji shqiptat nuk është shkelur si u shkel ai amerikan.

Të dy Personat A dhe B, të cituar në paditë e ngritura ndaj zotit McGonigal janë shqiptarë, një prej tyre këshilltar i kryeministrit. Çdo vend me një sistem normal drejtësie do të fillonte një hetim zyrtar formal për t’u siguruar se nga ana shqiptare nuk ka shkelje ligji. Askush nuk duhet të presë që Amerika të vrapojë mbas shkelësve të ligjit tonë. Ajo ka investuar që Shqipëria të jetë vetë e zonja të ndëshkojë korrupsionin dhe krimin në vend. Nëse nuk është ky rasti për të vepruar atëhere kur është?

Opozita shqiptare tani dyshon se edhe shpallja “non-grata” e ish-kryeministrit Sali Berisha është ndikuar nga niveli i korruptimit në nivele të tilla të larta apo se hetimi i lobimit nga Partia Demokratike ka qenë i motivuar politikisht. Si mund të ekzistojë besimi pa hetime që zbulojnë natyrën e plotë të pjesëmarrjes shqiptare në këtë histori?

Për më tepër, kjo nuk është hera e parë që shohim Edi Ramën, në një situatë të tillë. Disa vite më parë, një tjetër “mik” i tij, përsëri nga New Jersey, pagoi 80,000 dollarë për bileta çift, për një darkë fondmbledhëse me kandidatin për President Barack Obama. Në vend të gruas mori me vete dhe futi në darkë Edi Ramën, i cili bëri një fotografi me Obamën, të cilën e shiti si provë bashkëpunimi në fushatën e tij të zgjedhjeve në Shqipëri.

Për mënyrën se si u bë, në SHBA ishte shkelje ligji. Ligji amerikan nuk lejon kontributet nga jashtë vendit në fushatat zgjedhore. Dhënia e parave, pjesëmarrja e mbarë procesi është i hapur dhe patrullohet rreptësisht. Shqiptari në fjalë u dënua me burg, ndonëse me kusht, në 2017, kurse një amerikan që i kishte ndihmuar të dy për kontributin e paligjshëm u dënua me katër muaj burgim shtëpie. 

Gjykata u tregua në fakt shumë dorëlëshuar. Të gjithë rrezikonin disa vite burg. 

Precedenti dëshmon një prirje nga zoti Rama për të shkelur ligjin apo vepruar në skajet e tij. Kryeministri ka thënë se hetimi në SHBA mbaroi dhe kush dyshohej për shkelje ligji është paditur. Por, hetimi në SHBA nuk merret me shkeljet e ligjit shqiptar, as me abuzimin e zyrës. Këto janë prerogativë të drejtësisë shqiptare.

Kam pritur më kot këto ditë për një deklaratë nga organet e drejtësisë në Shqipëri për anën e tyre të punës, për Ramën apo për këshilltarin e tij.

Një koment nga Ambasada Amerikane gjithashtu duhej të kishte dalë në media. Ambasadorja Yuri Kim ka qenë shumë e angazhuar me drejtësinë dhe ka premtuar se askush nuk do të jetë mbi ligjin. Tani është rasti për ta provuar këtë. 

Hetojeni Edi Ramën dhe sigurojuni që nuk ka shkelje ligji nga ana e Shqipërisë si po bën edhe SHBA nga ana e saj.

Përndryshe populli do ta humbë besimin te institucionet ende pa mbaruar mirë reforma e drejtësisë.  

Harry Bajraktari është themeluesi dhe ish-botues i gazetës “Illyria” (1991-1998). Ai është një veprimtar, biznesmen dhe filantropist shqiptaro-amerikan, i nderuar me shumë çmime mes tyre edhe Nderi i Kombit nga Presidenti i Shqipërisë, Medalja Presidenciale e Kosovës për Merita si dhe Dekorata e Thirrjes Presidenciale për Shërbim nga Shtëpia e Bardhë në SHBA.

Filed Under: Politike

Tërmeti në Turqi, Vatra shpreh solidaritet dhe lutet për viktimat e të plagosurit

February 6, 2023 by s p

New York, 6 Shkurt 2023 – Federata Pan-Shqiptare e Amerikës VATRA shpreh ngushëllimet më të thella për jetët e humbura në tërmetin shkatërrimtar që goditi Turqinë dhe Sirinë dhe lutet për shërimin sa më parë të të gjithë të plagosurve. Përshpirtjet, mendimet dhe lutjet tona qëndrojnë me të gjithë të prekurit e kësaj tragjedie shkatërrimtare. Zoti ju dhashtë forcë për të kaluar këtë moment të tmerrshëm. Zemrat tona qëndrojnë krah zemrave të lënduara e shpirtrave në pikëllim.

Me dhimbje dhe pranë jush

Kryetari i Vatrës

Elmi Berisha

Filed Under: Politike

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë (KASH), mbi marrëveshjen për themelimin e Bashkësisë të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë

February 6, 2023 by s p

Tiranë, 4 Shkurt 2023/

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë (KASH) po i përcjell nga afër zhvillimet rreth dialogut në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndër-shtetërore në mes tyre.

KASH thekson se, burimi i problemeve dhe tensioneve në marrëdhëniet në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë është fakti se, Serbia mban një qëndrim armiqësor dhe agresiv ndaj shtetit të Kosovës dhe popullit të saj.

KASH shpreh bindjen se, normalizimi i marrëdhënieve ndër-shtetërore në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë është parakusht për zhvillimin normal të të dyja vendeve dhe në interes të mbarë rajonit.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë dëshiron të bëjë të qartë se, asnjëherë nuk do të ketë marrëdhënie normale as në mes të Republikës së Shqipërisë me Republikën e Serbisë dhe as në mes të kombit shqiptar dhe atij serb, përderisa Beogradi nuk njeh pavarësinë e Kosovës.

Angazhimi aktiv dhe parimor i BE-së dhe SHBA-së është i domosdoshëm për të përmbyllur me sukses procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndër-shtetërore në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

Të dy palët në dialog duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë dhe secila palë duhet të përmbushë detyrimet që rrjedhin nga dialogu.

KASH shpreh qëndrimin se të gjitha marrëveshjet e arritura në procesin e dialogut duhet të trajtohen dhe të zbatohen në mënyrë të barabartë.

Është shqetësues fakti se Republika e Serbisë asnjëherë nuk ka zbatuar marrëveshjen për shuarjen e strukturave të saj institucionale ilegale në Kosovë, si dhe disa marrveshje të tjera. Siç jemi dëshmitar në mënyrë të përsëritur, strukturat kriminale të drejtuara nga Serbia në Kosovë kërcënojnë paqen dhe sigurinë në veri të Republikës së Kosovës dhe ushtrojnë presion të vazhdueshëm ndaj të gjithë banorëve të asaj pjese të Republikës së Kosovës, pa dallim etnie.

Edhe më shqetësues është tolerimi e madje në disa raste edhe mirëkuptimi që qarqe dhe emisarë ndërkombëtarë tregojnë ndaj këtyre strukturave ilegale dhe sponsorëve të tyre në Beograd.

Për sa i përket marrëveshjes për themelimin e Bashkësisë të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, KASH sjell në vëmendje se themelimi i kësaj Bashkësie ka mbetur çështje e hapur nga viti 2015 dhe kjo ka ndodhur për shkak të druajtjes së arsyeshme në Prishtinë se ai entitet mund të shndërrohet në instrument të Serbisë për të minuar sovranitetin shtetëror dhe funksionalitetin kushtetues të Republikës së Kosovës.

Për të shmangur një rrezik të tillë, çdo veprim apo proces eventual lidhur me krijimin e Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë duhet të ketë për bazë tri parime themelore:

Së pari, Bashkësia e Komunave me Shumicë Serbe nuk duhet të cënojë parimet themeltare kushtetuese të Republikës së Kosovës, siç është sovraniteti, epërsia e kushtetutës dhe karakteri unitar i Republikës së Kosovës.

Së dyti, Bashkësia e Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë nuk mund të jetë strukturë një-entike dhe as pushtet i ndërmjetëm në mes të nivelit qëndror dhe komunave të caktuara.

Së treti, Bashkësia e Komunave me Shumicë Serbe nuk mund të trajtohet e shkëputur nga marrëveshja përfundimtare në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, si dy vende sovrane dhe të pavarura që e njohin njëra tjetrën si të tilla.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë shpreh bindjen e plotë se Republika e Kosovës, si gjithmonë, do të sillet si shtet i përgjegjshëm, që ruan interesat shtetërore dhe aleancat strategjike, i përkushtuar për paqe dhe stabilitet në rajon dhe integrime Euro-Atlantike. Ndërkohë që e vlerësojmë si jo parimor dhe kundër produktiv faktin që presioni ndërkombëtar ushtrohet vetëm ndaj Kosovës dhe vetëm lidhur me një marrëveshje, nga më shumë se 30 që janë nënshkruar.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë do të vazhdojë t’i qëndrojë pranë dhe të ofrojë mbështetje pa rezervë ndaj Republikës së Kosovës dhe i bën thirrje institucioneve të Republikës së Shqipërisë që të mos qëndrojnë pasive dhe indiferente ndaj proceseve historike nëpër të cilat po kalon Republika e Kosovës dhe populli i saj dhe që kanë ndikim afatgjatë në paqen, sigurinë dhe zhvillimet në të gjithë rajonin tonë.

https://www.albanianambassadors.al/…/keshilli-i…/
https://www.albanianambassadors.al/council-of-albanian…/

Filed Under: Politike

U THEMELUA DEGA MË E RE E VATRËS NË CHICAGO

February 5, 2023 by s p

Sokol Paja/

Chicago, 4 Shkurt 2023 – Me entuziazëm dhe gëzim të veçantë, me pjesëmarrjen e drejtuesve kryesorë të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA u themelua Dega më e re e VATRËS në Chicago. Patriotë, veprimtarë, shkrimtarë, aktivistë, biznesmenë, profesionistë të spikatur e studentë do të udhëheqin Degën e Vatrës në Chicago për ti dhënë një frymë edhe më të fuqishme përpjekjes shqiptare në mërgatën e Amerikës. Dega e Vatrës në Chicago do të udhëhiqet nga: Mirela Kanini- kryetare, Ernest Nasto- nenkryetar, Bledi Stefa -shef kabineti, Ardian Ruci -sekretar, Daniela Kaja- arketare dhe kryesia do përbëhet nga: Olsi Taho, Artan Nati, Angelo Maranda, Shkelzen Cakerri dhe Kastriot Fetahu. Në fjalën e mirëseardhjes kryetarja e Vatrës në Chicago shkrimtarja Mirela Kanini ndër të tjera u shpreh: “Është nder dhe privilegj për të gjithë ne që të jemi anëtarë të Vatrës si një nga organizatat patriotike më dinjitoze e prestigjioze e shqiptareve të Amerikës. Qëllimi kryesor i kësaj Federate dhe çfarë duam ne të arrijmë si degë në Chicago ështe bashkimi i komunitetit tonë dhe forcimi i identitetit shqiptar e vlerave tona kombëtare. Lexoj në sytë tuaj suksesin dhe forcën për të çuar përpara amanetin shekullor të Vatrës sonë historike” – u shpreh zonja Kanini. Kryetari i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA z.Elmi Berisha në fjalën përshëndetëse deklaroi se: Vatra ka forcuar identitetin kombëtar shqiptar dhe ka insistuar historikisht që shqiptaret mos ta harrojnë ndjenjen kombëtare. Vatra ka vlera të veçanta në historinë e kombit shqiptar. Çdo shqiptar është krenar me Vatrën”- tha ndër të tjera z Berisha. Rreth misionit të Vatrës, rolit dhe kontributit në çështjen kombëtare, bashkëpunimin me institucionet më të larta të shtetit amerikan, marrëveshjet dhe memorandumet e bashkëpunimit ndërinstitucional, rreth sfidave me të cilat përballet Vatra, përpjekjet për transformimin rrënjësor, planet për zgjerimin, bashkëpunimin, lobimin dhe realizimin e objektivave afatgjatë të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA folën nëkryetari z.Alfons Grishaj, përgjegjësi i degëve z.Mondi Rakaj, Shefi i Kabinetit Dr. Pashko Camaj, Arketari z.Besim Malota dhe anëtari i kryesisë z.Tasim Ruko. Federata Pan-Shqiptare e Amerikës VATRA rritet e pasurohet çdo ditë e më shumë me patriotë e intelektualë, aktivistë e veprimtarë që në themel të veprës së tyre kanë çështjen kombëtare dhe idealin kombëtar. Vatra është grupimi patriotik më serioz në të gjitha diaspora shqiptare në botë. Vatra është historia, identiteti dhe krenaria e kombit shqiptar në mërgatën shqiptare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Filed Under: Politike Tagged With: Sokol Paja

15 VJETORI I PAVARËSISË SË KOSOVËS NË NEW YORK

February 4, 2023 by s p

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 162
  • 163
  • 164
  • 165
  • 166
  • …
  • 654
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT